28.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Numri i azilkërkuesve në Shqipëri dyfishohet në 2023

Numri i azilkërkuesve në Shqipëri mëse u dyfishua vitin e kaluar. Po ashtu numri i atyre që kanë lënë shtetësinë shqiptare është rritur me 20 për qind në 2023 krahasuar me vitin 2022.

Sipas INSTAT referuar Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vitin 2023, rezultojnë 261 azilkërkues, duke shënuar një rritje, krahasuar me një vit më parë, ku kishim 125 azilkërkues.

Azilkërkuesit me origjinë nga Afganistani zënë 61,7 % të azilkërkuesve gjithsej dhe rezultojnë 161 persona.

Azilkërkuesit në Shqipëri

Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve, vërehet se numri më i lartë i azilkërkuesve është me origjinë nga Afganistani me 161 azilkërkues, duke vijuar me 38 azilkërkues nga Siria dhe 25 azilkërkues nga Iraku.

Gjatë vitit 2023 rezultojnë 14 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, nga këto raste 5 i përkasin shtetasve me origjinë nga Iraku, 4 i përkasin shtetasve me origjinë nga Afganistani dhe pjesa mbetur i përkasin shtetasve nga Siria dhe Palestina.

Duke parë kërkesat për azil sipas muajve, muajt me më shumë aplikime kanë qenë Marsi, Shtatori dhe Tetori të cilët përbëjnë 46,0% të aplikimeve gjithsej.

Fitimi dhe lënia e shtetësisë Shqiptare

Në vitin 2023 rezultojnë 1.382 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke shënuar rënie me 9,5%, krahasuar me vitin 2022. Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se 796 janë meshkuj dhe 586 femra.

Në 2023 rezultojnë 870 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke shënuar një rritje me 20,7%, krahasuar me vitin 2022. Nga këto të dhëna vihet re një dominim i femrave me 53,2% kundrejt 46,8% e meshkujve që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare.

Duke analizuar vendin e origjinës të personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare, vërehet se 74,7% e përbëjnë ato me origjinë nga Kosova, 7,2% me origjinë nga Turqia dhe 4,1% me origjinë nga Siria.

Gjatë 2023, 30,3% e personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare i përkasin grup-moshës 30-39 vjeç, e ndjekur nga grup-mosha 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç, respektivisht me 24,0% dhe 16,2%.

Për personat që kanë lënë shtetësinë Shqiptare, grup-mosha që dominon është 30-39 vjeç me 45,2%, e ndjekur me grup-moshën 20-29 vjeç dhe 40-49 vjeç respektivisht me 20,7% dhe 19,5%.

Dha dorëheqjen pas disfatës në zgjedhje, por kush mund ta zëvendësojë Rishi Sunak si kreun e Partisë Konservatore?

Rishi Sunak ka njoftuar dorëheqjen e tij pas humbjes ndaj Laburistëve në zgjedhjet e përgjithshme.

Me partinë që tani shkon në opozitë për herë të parë që nga viti 2010, gara është në vazhdim për të gjetur liderin e saj të ardhshëm.

Pra, kush ka gjasa ta kandidojë dhe a kanë mbështetjen e anëtarëve të partisë?

Kemi Badenoch, ish-sekretarja e biznesit, shihet si një favorite e së djathtës dhe u ka bërë përshtypje disave në parti me qasjen e saj jo të pakuptimtë.

Suella Braverman ka kultivuar një reputacion në të djathtë si dikush që nuk ka frikë të shprehë opinione të diskutueshme mbi emigracionin dhe ligjin dhe rendin.

James Cleverly, ish-sekretari i fundit i brendshëm dhe gjithashtu ish-sekretari i jashtëm, po flitet në qarqet e moderuara konservatore si një kandidat që mund të bashkojë partinë.

Robert Jenrick ka mbajtur disa role ministrore, duke përfshirë sekretarin e komuniteteve, një pozicion që ai e humbi në një nga riorganizimet e Boris Johnson.

Jeremy Hunt, i cili ka kandiduar për të udhëhequr partinë në disa raste, por kurrë nuk ka patur sukses.

Priti Patel, ish -sekretarja e Brendshme ishte një mbajtëse kryesore e pishtarëve për të djathtën përpara se të eklipsohej nga Braverman pas ikjes së Johnson.

Tom Tugendhat vlerësohet shumë në mesin e grupit One Nation të deputetëve të moderuar konservatorë.

David Cameron u emërua nga Sunak si sekretar i jashtëm në kohën e administratës konservatore, në atë që ishte një rikthim shokues në politikën e vijës së parë pas dorëheqjes së tij si kryeministër në 2016 pas referendumit të BE-së.

Problemi me mbetjet e rrezikshme spitalore, Gjykata e Apelit cakton masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për administratorin Elvis Miri! Ja akuzat që rëndojnë ndaj tij (EMRI)

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Elvis Mirin, administratorin e shoqërisë “V…. R….” sh.p.k, i cili akuzohet për të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Menaxhimit të mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”.

Hetimi ka nisur hetim ndaj shoqërisë “V…. R….” sh.p.k, pas denoncimit në një emision investigativ, ku u trajtua rasti i mbetjeve të rrezikshme spitalore, të cilat jo vetëm që nuk janë asgjësuar në mënyrë ligjore, por kanë krijuar problematika në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis.

Dyshohet se Miri ka përfituar mbi 65 milionë lekë tendera për riciklim të mbetjeve spitalore duke përdorur dokumente false, pa pasur pajisje dhe duke sjellë dëme mjedisore.

Prokuroria ngriti akuzë edhe për 2 drejtues të kompanive të ekspertizës mjedisore dhe 8 inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ndaj të cilëve është lënë në fuqi masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Tiranës.

Njoftimi i Gjykatës:

Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në emisionin investigativ Stop, është trajtuar rasti i mbetjeve të rrezikshme spitalore, të cilat jo vetëm që nuk janë asgjësuar në mënyrë ligjore, por kanë krijuar problematika në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis. Në kuadër të këtij kallëzimi është regjistruar procedimi penal i vitit 2024, ndaj shoqërisë “V…. R….” sh.p.k, me administrator shtetasin me iniciale E. M dhe disa punonjës të administratës publike.

Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me:

  1. caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, për personin nën hetim me iniciale E. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Menaxhimit të mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”, të parashikuar nga nenet  186/3, 201/a dhe 201/c/1 të Kodit Penal.
  2. caktimin e masës së sigurimit personal “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”, ndaj personave nën hetim E. Sh dhe L. Sh, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të  parashikuar nga neni 186/3 të Kodit Penal.

iii.            caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”, ndaj personave nën hetim J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të  parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1419 Akti, datë 05.06.2024, ka vendosur:

-Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

-Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim E. M, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Menaxhimit të mbetjeve” dhe “Aktivitetet e rrezikshme”,  të parashikuar nga nenet  186/3, 201/a dhe 201/c/1 të Kodit Penal.

– Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personave nën hetim E. Sh dhe L. Sh  atë të “ detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”, parashikuar nga nenet 234 dhe 243 të K.Pr.Penale, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të  parashikuar nga neni 186/3 të Kodit Penal.

– Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personave nën hetim J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A atë të “pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”, parashikuar nga nenet 242 dhe 233 të K.Pr.Penale, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të  parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

 

Pas zbatimit të masave të sigurimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me marrjen në pyetje të personave nën hetim me iniciale E. Sh, L. Sh, J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A.

 

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1486 Akti, datë 10.06.2024, ka vendosur:

 

-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”, caktuar ndaj personave nën hetim E. Sh dhe L. Sh, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”, caktuar ndaj personave nën hetim J. Sh, E. P, A. M, N. D, A. K, B. L, I. B dhe K. A, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra:

1.Nga personi nën hetim me iniciale E. Sh, e cila kërkoi shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke i revokuar ose zëvendësuar masat e sigurimit. Në alternativë revokimin e masës së sigurimit “ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të aktivitetit” në një masë sigurimi më të butë.

2.Nga personat nën hetim me iniciale N. C dhe A. K, të cilët kërkuan shfuqizimin e vendimit moscaktimin e asnjë mase sigurimi personal.

  1. Nga personat nën hetim me iniciale I. B dhe K. A, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit revokimin e masës së sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalimit të daljes jashtë shteti”. Në alternativë caktimin e masës së sigurimit atë të “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
  2. Nga personat nën hetim me iniciale J. Sh dhe B. L, të cilët kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, shpalljen e moskopetencës dhe dërgimin e akteve në gjykatën e Lezhës.
  3. Nga personat nën hetim me iniciale A. M dhe E. P, të cilët kërkoi ndryshimin e vendimit, revokimin e masës së sigurimit personal atë të “Pezullimit itë ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 1486 Akti, datë 10.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, qe ka disponuar mbi vazhdimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim E. Sh, N. D, A. K, I. B, K. A, J. Sh, B. L, A. M, E. P të cilët kanë bërë ankim, caktuar ndaj tyre me vendim nr.1419 Akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në vijim, pas zbatimit të masës së sigurimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me verifikimin e kushteve dhe kriteret,  ndaj administratorit të shoqërisë shtetasit nën hetim me iniciale E. M.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1483 Akti, datë 07.06.2024, ka vendosur:

-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim E. M, me vendimin nr. 1419 akti, datë 05.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale E. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit duke vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” ose “garanci pasurore”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 05.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 1483 akti, datë 07.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Çdo vit prej aksidenteve rrugore vdesin 1.2 milionë vetë! OKB nis fushatën që synon të rrisë sigurinë

 

Çdo vit prej aksidenteve rrugore në botë vdesin rreth 1.2 milionë vetë dhe plagosen 40 deri në 50 milionë të tjerë. OKB-ja ka nisur tani fushatën #MakeASafetyStatement.

Aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë për grupmoshat 5-29 vjeç. Prandaj OKB-ja ka nisur tani fushatën #MakeASafetyStatement, e cila synon të rrisë sigurinë rrugore dhe ta përgjysmojë këtë shifër deri në vitin 2030.

“Siguria rrugore nuk është kurrë e përfshirë sa duhet në agjendat politike në shumicën e vendeve. Pasojat e aksidenteve i njohim, por në lidhje me aksionet e ndërmarra për parandalimin, jemi shumë mbrapa” – tha Jean Todt, i Dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për sigurinë rrugore.

Ai vuri në dukje se çdo vit prej aksideteve rrugore vdesin 1.2 milionë vetë dhe plagosen 40 deri në 50 milionë të tjerë, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.

Mbështetje nga mjaft persona me famë

Fushata nisi në New York dhe do të vazhdojë deri në vitin 2025, duke mbuluar më shumë se 1000 qytete në 80 shtete të botës, përmes reklamave rrugore, medias sociale dhe platformave të tjera.

Në këtë fushatë janë përfshirë deri tani 14 persona të famshëm, ndër të cilët supermodelja Naomi Campbell, legjenda e tenisit Novak Gjokovic, apo aktorja fituese e Oskarit dhe ambasadore e vullnetit të mirë të UNDP-së, Michelle Yeoh. Mbështetjen e tyre për fushatën e kanë premtuar edhe personitete të tjera.

Ata kanë kontribuar me deklarata personale si “Unë e ngas makinën ngadalë” ose “Unë nuk e ngas makinën kur nuk jam esëll”./DW

Afera e inceneratorëve/ Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, Apeli i GJKKO merr vendimin për Namik Simixhiun

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Namik Simixhiut për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Kujtojmë se Simixhiu është arrestuar më urdhër të SPAK, pasi akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

“Gjyakata vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal shtrëngues të “arrestit në burg” për të hetuarin z. N.S., caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Dhimitër Lara, sot më 05.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 141 akti, datë 25.06.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 238, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ndaj shtetasit nën hetim N.S., disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

  • Ndryshimin e vendimit nr. 238, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin z. N.S., duke urdhëruar:
  • Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal shtrëngues të “arrestit në burg” për të hetuarin z. N.S., caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal.

Përfitimet e jashtëzakonshme të kumbullës, ul sheqerin dhe mbron zemrën e kockat

Kur mendojmë për frutat e verës, mendja na shkon automatikisht te shalqiri, rrushi e të tjera, të cilat janë zgjedhjet bazë të kësaj stine. Megjithatë, ekziston edhe një frut më pak i “famshëm”, i cili fsheh një thesar të shijshëm, por edhe shumë përfitime të rëndësishme shëndetësore. Bëhet fjalë për kumbullën e kuqe.

 

Vetëm shija e tyre është arsye e mjaftueshme për t’i përfshirë në dietën tuaj, megjithatë përfitimet e tyre nuk kufizohen këtu. Në fakt, lëndët ushqyese të këtij fruti kontribuojnë në funksione të ndryshme të trupit, duke e mbrojtur atë nga një sërë sëmundjesh.

Kumbullat janë shumë ushqyese, përmbajnë fibra dhe antioksidantë, një mori vitaminash dhe mineralesh dhe mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të disa sëmundjeve kronike.

Ndër të tjera, përbërësit e vaniljes ndihmojnë në kontrollin e obezitetit, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, ndërkohë që ndihmojnë në reduktimin e kapsllëkut dhe mbrojtjen nga osteoporoza.

Disa nga përfitimet kryesore që mund të merrni nga konsumimi i kumbullës janë:

Ato përmbajnë shumë lëndë ushqyese

Kumbullat janë shtëpia e një shumëllojshmërie të jashtëzakonshme të lëndëve ushqyese. Në veçanti, ato përmbajnë më shumë se 15 vitamina dhe minerale të ndryshme, fibra bimore dhe antioksidantë. Disa nga përbërësit kryesorë të tyre janë vitaminat A, C dhe K , kaliumi, por edhe sasi të vogla të vitaminës B , fosforit dhe magnezit .

Ndihmojnë në uljen e sheqerit në gjak

Ky frut ka veti që ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak. Pavarësisht se ato përmbajnë disa karbohidrate, të cilat, pasi konsumohen, rrisin gradualisht sheqerin në gjak, kumbulla nuk duket se shkakton një rritje të ndjeshme të sheqerit në gjak. Ky fenomen paradoksal është për faktin se kumbulla rrit nivelet e adiponektinës, një hormon që rregullon nivelin e sheqerit në gjak. Në të njëjtën kohë, fibra që përmban ngadalëson shkallën me të cilën trupi thith karbohidratet. Studimet shkencore kanë lidhur gjithashtu konsumin e kumbullës me një rrezik të reduktuar të diabetit të tipit 2.

Ato ndikojnë në shëndetin e kockave

Përveç kësaj, kumbulla është e dobishme për shëndetin e kockave. Përdorimi i këtij fruti redukton rrezikun e sëmundjeve të kockave si osteoporoza dhe osteopenia (dendësia e ulët e kockave). Ky efekt i dobishëm besohet të jetë për shkak të antioksidantëve, të cilat janë të afta të reduktojnë inflamacionin në trup.

Ndikojnë në shëndetin e zemrës

Së fundi, konsumimi i rregullt i frutave mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit kardiovaskular. Në veçanti, kumbullat janë studiuar për aftësinë e tyre për të ulur presionin e lartë të gjakut dhe nivelet e kolesterolit, dy faktorë që rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Në një studim të lidhur, pjesëmarrësit që konsumuan kumbulla ose lëng nga frutat çdo ditë arritën një ulje të ndjeshme të presionit të gjakut, kolesterolit total dhe niveleve të kolesterolit “të keq” LDL. Ky efekt mbrojtës mund të jetë për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave, kaliumit dhe antioksidantëve./

“Edhe të vdekur duhej t’i plotësonin vitet e dënimit”- Pse u pushkatua inxhinieri i naftës Milto Gjikopulli? Rrëfimi i të birit: Pas 34 vitesh jemi në kërkim të eshtrave

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi fondin arkivor të degës së Sigurimit të Naftës dhe zhvilloi simpoziumin shkencor: “Eksplorimi dhe Zhvillimi i sektorit të naftës nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit 1944-1991”.

 

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Studiues të historisë, ekonomisë dhe jurisprudencës, profesorë dhe inxhinierë të naftës, dëshmitarë të kohës, familjarë sollën fakte dhe studime që hodhën dritë mbi zhvillimit të sektorit të naftës në Shqipëri gjatë periudhës 1945 – 1991, dokumentimin e represionit të Partisë së Punës ndaj shkencës, fatin tragjik të gjeologëve e shkencëtarëve si: Stanisllav Zuber, Riza Alizoti, Thoma Pojani, Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari etj..

Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Një pjesë e tyre u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan dhe trupat e tyre janë ende sot të pagjetur. Kryetarja e AIDSSH, dr. Gentiana Sula në fjalën e saj tha se “diktatura pa dhunën, ideologjinë dhe politizimin ekstrem është e paqëndrueshme. Por dhe prodhimi, pa të drejtat njerëzore të stafit teknik rezultoi po ashtu i paqëndrueshëm”.

“Nëpërmjet çeljes së arkivës dokumentare si dhe studimit të tyre nga ekspertë të historisë dhe shkencës së gjeologjisë japim sot një kontribut të pazëvendësueshëm në ndriçimin e skutave të errëta të Sigurimit të Shtetit, që me hetimet, persekutimet e ekzekutimet famëkeqe turpëruan çdo ndjenjë humane dhe futën në ngërç zhvillimin e sektorit të naftës në Shqipëri”, – tha Sula. Jovan Plaku, djali i inxhinierit të pushkatuar Koço Plaku, ende sot i zhdukur, tha se “sot, di të them që të gjitha këto dosje, kanë vlerë të mirëfilltë studimore, sepse ato zbulojnë jo vetëm shkallën e persekutimit, por zbulojnë në përmasë të plotë edhe djallëzinë dhe perversitetin e shërbëtorëve të regjimit në ekzekutimin e këtij persekutimi”.

Agim Gjikopulli dhe Jovan Plaku, djemtë e dy inxhinierëve të pushkatuar

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mizoria e diktaturës si regjim, mund të tejkalohet vetëm nga një mizori tjetër, mizoria e ekzekutorëve të regjimit, çnjerëzorë pa kufij dhe të pashtershëm në ligësi”, tha Plaku. Agim Gjikopulli, djali i inxhinierin Milto Gjikopulli, pushkatuar, ende i pagjetur, tha se “shteti që duhet të kërkonte ndjesën familjeve, ndaj njerëzve të shkatërruar. Duhet të ishte shteti sot që të jepte llogari se ku janë. Kemi 34 vjet bashkë me Jovanin që kemi kërkuar privatisht, jemi gjykuar që kemi kërkuar privatisht. Jemi arrestuar se kemi kërkuar eshtrat e prindërve tanë”. Dr. Alda Biçoku, albanologe dhe e reja e akademik prof. Teki Biçokut, përcolli fakte historike nga puna e akademikut dhe qëndresa e tij në burgje.

“Ai nuk pranoi të dilte dëshmitar në gjyqin e ministrit të tij, Koço Theodhosi. E izoluan 18 muaj dhe e dënuan me 20 vjet burg”, – tha Biçoku. Dëshmia e saj pasuron me fakte procesin e të pagjeturve, të vdekur në burgje. “Si shkrues për drejtuesit e Burgut, Teki Biçoku regjistronte edhe emrat e atyre që vdisnin dhe fshehurazi u vendoste pranë trupit një shishe të vogël me emrat e tyre brenda saj. Kufomat e të burgosurve nuk u dorëzoheshin familjeve, sepse edhe të vdekur duhej t’i plotësonin në varrezat e burgut vitet e dënimit. Statistikat e sipërpërmendura dhe emrat e të vdekurve nëpër shishe u konsideruan si veprime të palejueshme, prandaj u dërgua në një burg tjetër”.

Kujtime të dhimbshme nga fëmijëria e saj solli edhe Kozeta Bushati, vajza e Beqir Alisë, dënuar në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës, kriza e indetitetit dhe nevoja për të kuptuar se cili ishte faji i babait i ndryshuan asaj jetën. Po kështu edhe Nezi Alizoti, e bija e inxhinierit Riza Alizotit, dënuar me varje në vitin 1947, kujtoi sakrificat e të atit për t’i shërbyer vendit edhe pse me mundësi për vijuar karrierën në Angli, ku kishte kryer studimet. Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH, në studimin e tij mbi statistikat e përndjekjes në sektorin e naftës solli fakte të panjohura më parë për publikun. Prof. dr. Nevton Kodhelaj, Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, foli mbi zhvillimin e Sektorit të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit në Shqipëri dhe dhunës së pushtetit mbi gjeologët. Ilia Gjermani, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës në kumtesën e tij mbi kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri, bëri një paraqitje mbi historikun e këtij aktiviteti.

Ndërsa dr. Ermal Frashëri tha se “ky simpozium shërben si një platformë për të vijuar studimet mbi sektorin e naftës, një nga mendimet që unë do sugjeroja është avancimi i kërkimeve mbi rolin që ka pasur nafta në ekonomin shqiptare, mënyra si u formua ajo si industri, sepse ka shumë për të mësuar nga kujtime të naftëtarëve të inxhinierëve, punëtorëve të sektorit dhe ka plot gjëra për të avancuar lidhur me mënyrën se si është qeverisur sektori naftës, mënyra se si është ngritur ai si sektor”. Në mbyllje të takimit, Sula theksoi se “gjithë kjo dramë, gjithë ky kalvar vuajtjesh të pamerituara, ky potencial njerëzor i shkuar dëm nga 1947 deri në 1990, meriton një përmendore në Fier dhe ky është një projekt që duam ta vijojmë me Bashkinë e qytetit dhe Albpetrolin”.

“Do të avancojmë më tej punën në drejtim të përmbushjes së misionit për trupat e pagjetur duke marrë vendimin për të filluar hetime administrative për trupat e inxhinierëve të zhdukur. Do bëjmë çmos të kërkohet në mënyrë intensive të mbërrihet deri tek gjetja e këtyre trupave, duke i qëndruar pranë familjarëve në të drejtën për pasur një vendprehje për njerëzit e tyre”, – tha Sula.

 

*******

Procesi ndaj tyre në vitin 1976, cilët ishin dhe si i dënuan inxhinierët e naftës

Ishte një sektor jetik për ekonominë, por edhe aty ku dilnin tonelata me naftë, u gjetën armiq dhe sabotatorë. Aq sa edhe shprehja “nëse nuk del naftë, me siguri ka grup armiqësor”, shkon enkas për këtë proces, që në vitin 1976 kryqëzoi tetë inxhinierë të njohur të naftës, duke u dënuar me pushkatim dhe me mbi dekada burg. Arrestimet e pjesës më të madhe të inxhinierëve të naftës u kryen më 25 mars 1975 dhe pas disa muajsh hetuesi, mes trysnisë dhe torturave, dolën para gjyqit Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari.

Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Ishte një proces i nxitur pas shumë letrash anonime, mbledhjesh të përfaqësuesve të Byrosë Politike dhe një pune me plot shpifje nga ana e Sigurimit të Shtetit. Procesi ndaj tyre nisi më datën 11.06.1976 në Gjykatën e Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Në seancën hapëse thuhet: Sot më datë 11.06.1976 nisi procesi gjyqësor me kryetare seance Eleni Selenica, zv.kryetare e Gjykatës së Lartë, me ndihmësgjyqtarë: Mitat Goskova, Fehmi Legreta, të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e zv.prokurorit të përgjithshëm Sotiraq Samara.

Kjo gjykatë mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale nr.12, që u përket të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar në bazë të nenit 72, në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal. Kryetarja çel seancën dhe njofton çështjen që do të shqyrtohet. Thirren të pandehurit dhe u merret identiteti.

1-Filip Nashi, i biri Apostolit dhe i Aretisë, i dtl. 1923, lindur në katundin Shepër të rrethit Gjirokastër, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i DPN-së, me arsim të lartë, i martuar, ka 5 fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban medaljet e Kujtimit, Trimërisë, Çlirimit, Urdhrin e Trimërisë, 2 urdhra pune Klasi i dytë dhe Urdhrin e Flamurit Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

2-Beqir Alia, i biri i Aliut dhe i Merjemes, i dtl. 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i Institutit të Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar me parë, mban Urdhrin e Punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

3-Koço Plaku, i biri i Josifit dhe i Kostandinës, i dtl. 1929, lindur në katundin Hoçisht të Rrethit Korçë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, shef i kabinetit në Institutin e Naftës Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, ishanëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban dy medalje pune dhe Urdhrin e Punës Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

4-Protoko Murati, i biri i Avniut dhe i Xhevrijes, i dtl. 1929, lindur në katundin Klos të Fierit, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me detyrë shef i sektorit të gjeologjisë në Institutin e Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban 2 Urdhra Pune Klasi i dytë dhe një Urdhër Pune Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

5-Milto Gjikopulli: I biri i Vasilit dhe i Jorgjisë, i dtl. 1938, lindur në Dhërmi të Vlorës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, në Institutin e Naftës dhe Gazit në Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i padënuar më parë, mban Urdhrin e punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

6-Dhimitër Stefa, i biri i Nikollës dhe i Vasillos, i dtl. 1934, lindur në katundin Grazhdan të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, ish-përgjegjës i grupit të Kurveleshit, me kombësi minoritare greke, me Shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, i paorganizuar, mban dy medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

7-Jani Konomi, i biri i Agustinit dhe i Elenit, i dtl. 1934, lindur në katundin Krongji të rrethit Sarandë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog në nxjerrjen e naftës, drejtor i nxjerrjes së naftës në D.P.N. me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, mban dy Urdhra Pune Klasi i tretë dhe një medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975.

Aksioneri në burg/ Koncesioni i Sterilizimit faturoi 14.8 mln euro nga buxheti për 2023-shin

Arrestimi dhe dënimi i aksionerit më të madh për korrupsion duket se nuk e ka ndikuar fare biznesin e sterilizimit në spitalet publike të Shqipërisë. Kompania SaniService faturoi 14.8 milionë euro nga buxheti i shtetit për vitin 2023 për shërbimin koncesionar të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e kompanisë, gjatë vitit të kaluar të ardhurat e kompanisë arritën në 1 miliardë e 485 milionë lekë me një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin 2022. Kompania raportoi një fitim neto pas taksave prej 1 milionë e 440 mijë euro me një ulje prej 300 mijë eurosh krahasuar me 2022-shin.

Korrupsion dhe miliarda
Sani Service është kompania që ka monopolin e sterilizimit të instrumentave që përdoren në ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet më të mëdha publike të vendit. Aksionet e kësaj kompanie zotërohen nga 4 ortakë. Ata janë Servizi Italia me 30 për qind, Tecnosanimed dhe TRD me 15 për qind si dhe Investital me 40 për qind të kuotave.

Kjo e fundit është një kompani e regjistruar në Kosovë me pronar shtetasin Ilir Rrapaj. Në gusht të vitit të kaluar, Ilir Rrapaj u arrestua nga SPAK së bashku me ish zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj për korrupsion në koncesionin e Sterilizimit. Akuzat e tyre u konfirmuan nga gjykata dhe që nga ajo kohë Rrapaj dhe Rrjepaj ndodhen në burg.

Por edhe pse dy këta persona janë duke vuajtur dënimin, ndërkohë që për ish ministrin Ilir Beqaj për këtë çështje ishte vendosur masa e detyrim paraqitjes, miliardat vazhdojnë të rrjedhin nga buxheti i shtetit në arkën e kompanisë. Pas arrestimeve të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk kishte asnjë shans që të ndërpritej koncesioni i sterilizimit, pavarësisht vërtetimit të korrupsionit në këtë koncesion nga gjykata.

“Kur u lajmëruan masat e sigurisë, për atë grupin që ka bërë procesin e sterilizimit, kam marrë disa mesazhe. Ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë. Dhe, ku do shkojmë? Dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje. Dhe nuk ka shanse,” deklaroi kryeministri disa ditë pas arrestimeve.

Ndërkohë, në janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme e vendosi nën administrim shtetëror pjesën e kuotave në koncesionin e sterilizimit prej 40 për qind, që zotërohen nga Investital e Ilir Rrapajt. Por biznesi vazhdon. Koncesioni i sterilizimit nisi zyrtarisht në vitin 2016. Që nga nisja e tij dhe deri në fundit të vitit 2023, kompania Saniservice ka faturuar 95 milionë euro nga buxheti i shtetit, sipas të dhënave zyrtare në bilancin e saj.

Gjermania, vendi i dytë në botë pas SHBA-së që pranon emigrantë! Si po ecën integrimi i refugjatëve në vend, mbështetje e gjerë për mësimin e gjuhës

Sipas OECD, Gjermania po ecën mirë në plan ndërkombëtar, kur bëhet fjalë për integrimin e emigrantëve dhe pasardhësve të tyre.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dëshmon përparimin e Gjermanisë në integrimin e emigrantëve. Sipas një raporti të OECD-së publikuar të enjten (04.07.), kushtet e tyre të jetesës janë të mira edhe në krahasim me vendet e tjera të industrializuara.

Gjermaninë OSBE-ja e krahasoi në studim me 15 shtete, ndër to me Australinë, Belgjikën, Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Francën, Italinë, Zelandën e Re, Holandën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Zvicrën, Spanjën, Britaninë e Madhe dhe SHBA.

“Në vitin 2022, shkalla e tyre e punësimit arriti një nivel rekord prej 70 përqind në Gjermani, që është dukshëm më i lartë se në shumicën e vendeve të tjera krahasuese të BE-së,” tha tha Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik.

Mbështetja e gjerë për mësimin e gjermanishtes – efekt pozitiv

Në veçanti, mbështetja e gjerë për mësimin e gjuhës duket se ka një efekt pozitiv. Aftësitë gjuhësore të emigrantëve janë përmirësuar më shumë në Gjermani sesa në shumicën e vendeve të tjera të BE. Pas pesë vjetësh, dy të tretat e emigrantëve tashmë kanë njohuri të mira të gjuhës.

Dallimet në kushtet e jetesës janë shpesh më pak të rëndësishme se në vendet e tjera dhe normat e punësimit të emigrantëve janë të larta në krahasimin ndërkombëtar.

Sfidat kanë të bëjnë kryesisht me migrantët që nuk kanë shkuar në shkollë përtej shkollës fillore. Në këtë grup, janë të punësuar vetëm gjysma e personave. Femrat migrante gjithashtu kanë vështirësi për të gjetur një vend në tregun gjerman të punës. Më shumë mbështetje është e nevojshme edhe për gratë emigrante me fëmijë të vegjël, shpesh kohët e fundit nga Ukraina.

Rezultatet akademike të fëmijëve të lindur në Gjermani nga prindër emigrantë janë dukshëm më të mira. Sipas OECD, ato janë më të larta se ato të vendeve më të krahasueshme. Pavarësisht nga mosha, rezultatet janë më të këqija se në vendet e krahasimit kur fëmijët e lindur jashtë vijnë në Gjermani vetëm në moshën shkollore. Asnjë përparim nuk është shënuar në këtë fushë. Të lindurit në Gjermani janë pra më të integruar. Por ata gjithashtu denoncojnë diskriminimin: pothuajse një në katër vetë ka ndjenjën e – siç shprehen ata – “jo të përkatësisë së plotë”.

Gjermania – vendi i dytë në botë pas SHBA që pranon emigrantë

Në shifra absolute, në zonën e OECD-së (38 vende), Gjermania është vendi i dytë në botë pas SHBA që pranon emigrantë. Rreth një e gjashta e popullsisë së Gjermanisë (14 milionë) përbëhet nga emigrantë. Në vitin 2022, në Gjermani jetonin më shumë se 14 milionë emigrantë. Shumica e tyre janë persona nën lëvizjen e lirë të njerëzve brenda BE-së, të ndjekur nga punëtorët migrantë nga vendet jo anëtare të BE-së, si dhe refugjatët. Që atëherë, listës i janë shtuar më shumë se një milionë refugjatë ukrainas dhe rreth 600. 000 azilkërkues të tjerë. Sipas studimit të OECD, investimet në integrim duket se kanë dhënë fryte.

Një grup tjetër që, sipas OECD-së, duhet të inkurajohet më tej dhe integrimi i tyre të thjeshtohet shpejt janë njerëzit me kualifikim të lartë. Është midis këtij grupi që hendeku i punësimit në raport me popullsinë vendase është më i madhi – dhe krahasimi me vendet e tjera të OECD dhe BE është edhe këtu mjaft negativ. Në Gjermani është veçanërisht e vështirë për ta që të gjejnë një punë që korrespondon me kualifikimet e tyre. Arsyeja është shpesh njohja e ngadaltë e diplomave. Mes 800.000 emigrantëve që aplikuan kohët e fundit për njohje, vetëm tre të katërtat thanë se kualifikimet e tyre ishin pranuar, të paktën pjesërisht.

“Integrimi në Gjermani funksionon më mirë se reputacioni i tij”

E ngarkuara e qeverisë federale për integrimin, Reem Alabali-Radovan, tha çdo euro e investuar në këtë fushë është para e shpenzuar mirë. Ajo shtoi  se”integrimi në Gjermani funksionon shumë më mirë se reputacioni i tij.” Megjithatë, mbetet shumë për të bërë. “Sistemi ynë arsimor nuk është përshtatur ende me shoqërinë e imigracionit që kemi qenë për një kohë të gjatë.”/DW

“Censusi tregoi se Shqipëria po plaket”, Mirela Karabina: Rinia largohet për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së shpresës

Zëdhënësja e Demokratëve Euroatlantikë, Mirela Karabina, shprehet se korrupsioni i qeverisë është shkaku i shpopullimit të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat, Karabina duke iu referuar të dhënave të Censusit, tha se afër gjysmë milionë shqiptarë janë larguar nga vendi në këto 12 vite, ndërsa mosha mesatare e popullsisë është ritur me 7 vjet, tregues ky i tendencës së plakjes së popullisë dhe e eksportimit të popullsisë aktive jashtë vendit.

Ajo gjithashtu thotë se rinia largohet për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së shpresës dhe si pjesë vitale ndikon drejtëpërsëdrejti në ngadalësimin e zhvillimin e vendit dhe plakjen e tij.

Si zgjidhje për këtë situatë, sipas Karabinës është alternativa e Demokratëve Euroatlantik për një qeverisje të pakorruptuar dhe me fokus qytetarin dhe zhvillimin, shpëton vendin dhe e fut në shina normale.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË DEMOKRATËVE EUROATLANTIKË, MIRELA KARABINA

Korrupsioni galopant në çdo ind të shtetit është shkaku i shpopullimit të vendit.
Të dhënat e Census 2023 tregojnë shpopullim të pandalshëm të vendit, pavarësisht përpjekeve të shumta të qeverisë së Edi Ramës për treguar të kundërtën.

Afër gjysmë milion shqiptarë janë larguar nga vendi në këto 12 vite, mosha mesatare e popullsisë është ritur me 7 vjet, tregues ky i tendencës së plakjes së popullisë, eksportimi i popullsisë aktive jashtë vendit dhe ngurtësimi i asaj brenda vendit në ndërtesa të boshatisura, këtë dëshmojnë të dhënat e Census 2023.
Përgjatë këtyre 12 viteve, ҫdo vit janë larguar nga Shqipëria rreth 40 mijë vetë ose gati 1.5% e popullsisë rezidente.

Ritme alarmante të shpopullimit, ndërkohë që nuk jemi as në periudhë lufte e as të ndonjë fatkeqësie natyrore, por jemi në regjimin më të korruptuar të Edi Ramës që vazhdon të përzë dhunshëm shqiptarët e pashpresë nga vendi.
Megjithëse Census 2023 ka kushtuar 20 milion euro, me një trupë prej 7 mijë punonjësish të trajnuar dhe përdorim i teknologjisë së lartë, dalja e të dhënave paraprake është me 7 muaj vonesë, dhe për vetëm 2.4 milion banorë.

Vonesa e daljes së të dhënave ngre hije dyshimi mbi besueshmërinë e tyre dhe kjo është përgjegjësi direkte e qeverisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore. Ndërkohë që qeveria përmes propagandës paraqet një Shqipëri ndryshe të 10 milionë turistëve, Shqipëria e vërtetë është ajo e 420 mijë banorëve më pak, me rënie 13.8% krahasuar me Censin e vitit 2011. Dhe me shtesën natyrore, numri i banorëve të larguar shkon ne 490 mijë.

Shqipëria e vërtetë është ajo e braktisjes së periferive e tkurrjes së qyteteve, mbipopullimit të Tiranës dhe në 1 milion banesa, rreth 40% e tyre janë bosh.

Shqipëria e vërtetë është ajo që pavarësisht shpopullimit, Sektori i ndërtimi është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit duke bërë që për çdo 2.2 banorë të ketë një banesë.
Kjo është Shqipëria e vërtetë që Edi Rama kërkon ka mbulojë me propagandë të rrezikshme në kurriz të jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të vendit!

Nga njëra anë një popullsi aktive, sidomos rinia, që largohet për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së shpresësh dhe si pjesë vitale ndikon drejtëpërsëdrejti në ngadalësimin e zhvillimin e vendit dhe plaken e tij, dhe nga ana tjetër një popullsi e ngurtësuar në banesa të mbetura bosh e të braktisura apo dhe ndërtesa të reja të mbetura stok, të ndërtuara përmes pastrimit të parave të ardhura nga burime të dyshimta.

Qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë qeverinë e korruptuar dhe antikombëtare të Edi Ramës.
Të rinjtë meritojnë shkollim, punësim dhe jetesë të mirë e me dinjitet në vëndin e tyre.
Alternativa jonë për një qeverisje të pakorruptuar dhe me fokus qytetarin dhe zhvillimin, shpëton vendin dhe e fut në shina normale.

Shqiptarët meritojnë më shumë!
Shqipëria meriton më shumë!