18.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Arrestimi i Ilir Beqajt/ SPAK zbardh skemën e abuzimit! Si i përvetësoi fondet e BE-së kur ishte drejtor i SASPAC

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur skemën e abuzimit që ka përdorur Ilir Beqaj, i cili u vendos në pranga mëngjesin e sotëm (4 Korrik), për të përvetësuar fondet e BE-së kur ishte drejtor i SASPAC.

Sipas SPAK, Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive.

Prokuroria e Posaçme informon se Ermal Kurtulaj është emëruar nga Ilir Beqaj në datën 26 Maj 2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR në SASPAC.

“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”, informon SPAK.

Gjithashtu mësohet se këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, me urdhër të Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm.

Ilir Beqaj raportohet se ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.

Gjithashtu Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim.

Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Ai dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtulajt, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtulajt.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.190, të vitit 2023. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:

1. Personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.

Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.

Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:

Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N.

I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “G…..” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.

Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B. Z. për qëllime të përfitimit material;

Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G…….”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj dhe E. K.

Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt. Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “G…”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me restorantin “G…..”.

2. Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K.

Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi.

Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për dy persona të tjerë nën hetim, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim.

Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për hetimin etj.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 dhjetor të vitit 2023.

Fundi i “turizmit patriotik” në Shqipëri?

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka dhënë ndikim në turizmin shqiptar. Eksperti i ekonomisë dhe pedagog në Kosovë Jakup Bellaqa, pohon për SCAN se shumë shqiptarë të Kosovës po i drejtohen shteteve të tjera, jo vetëm për të takuar të afërmit, por edhe për pushime, ku kërkesat për të vizituar destinacione ku nuk mund t’i preknin më parë janë të larta. Sipas ekspertit, biznesi turistik shqiptar duhet të ulë çmimet si dhe të rrisë shërbimet, në mënyrë që të mos e humbasë turizmin patriotik.

“Çmimet në Shqipëri së fundi janë rritur shumë sidomos në bregdet, e kjo për shkak të kërkes-ofertës. Kjo rritje është e lartë për akomodim dhe shërbime të tjera, prandaj do të sugjeroja që të ulen, pasi kjo do të largojë turistët nga Kosova”- ka thënë Bellaqa.

Por si ka ndikuar lëvizja në kufi pa kontrolle dhe çfarë ka prodhuar zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-Kosovë? Eksperti sugjeron se duhet të hiqen dhe bariera të tjera, në mënyrë që sektori turistik dhe tregu ekonomik të jetë i përbashkët.

“Sugjeroj që dy qeveritë të miratojnë dhe përgatitin një ligj për çmimet e produkteve bazike. Tregu ekonomik turistik dhe ekonomik duhet të jetë i përbashkët dhe Kosova duhet të shtojë importet nga Shqipëria”- shton Bellaqa.

Gjatë vitit të fundit Kosova ka ndryshuar partnerët tregtarë, ku vendin e Serbisë e ka zënë Shqipëria. Gjatë vitit 2023 është shënuar rritje e ndjeshme e importeve nga Shqipëria me +28 për qind krahasuar me vitin 2022.

Mickoski: Në Shqipëri ka më tepër bullgarë se në Maqedoni, a do ta kushtëzojë Bullgaria edhe Shqipërinë?

Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi qeverinë LSDM-BDI se ka lënë hapësirë që propaganda bullgare të operojë te maqedonasit në Shqipëri.

Mickoski thotë se në Shqipëri ka shumë më shumë qytetarë që janë deklaruar si bullgarë, ndërsa pyet nëse Bullgaria do t’i vendos kusht edhe Shqipërisë që ky popull të vendoset në Preambulë të Kushtetutës.

“Maqedonasit në Shqipëri, shumë shpejtë do të doja t’i vizitoja, dhe do të shkojë t’i vizitojë, dua ta rikthejë besimin.

Më vjen keq që qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së kështu sillej dhe la hapësirë që propaganda e huaj të jetë aktive në atë pjesë, por unë do të them që ajo politikë asimiluese e fqinjit tonë lindor nuk është vetëm te maqedonasit, nëse i shihni numrat do ta shihni që përfshin një pjesë të madhe të qytetarëve të tjerë në Shqipëri.

Kjo është diçka që duhet të analizohet me më tepër seriozitet. Tani parashtrohet pyetja, sepse në Shqipëri ka tre herë më shumë që janë deklaruar si pjesë e bashkësisë bullgare, a do të kemi edhe për Shqipërinë kusht që ata të jenë në Preambulën e Shqipërisë?

Sepse tre herë më tepër ka qytetarë të Shqipërisë që thonë për vete thonë se janë pjesë e bashkësisë bullgare, nga ata që thonë se janë në Maqedoni”, shtoi Mickoski.

Carvajal: Mundësitë për kualifikim janë 50/50, ndaj Gjermanisë ndeshje e madhe, jemi të qetë

Carvajal, mbrojtësi i Spanjës, në intervistën para ndeshjes vendimtare të Europianit ndaj Gjermanisë, u shpreh se mundësitë e kualifikimit janë 50/50.

“Kam një ndjenjë të mrekullueshme për këtë ndeshje, Të gjithë janë të qetë. Ne e dimë se duhet të luajmë një lojë të shkëlqyer për t’i mposhtur kundërshtarët tanë. Kemi një ekip që ka siguri dhe shumë energji. Mundësitë për kualifikim janë 50-50 dhe vetëm detajet do të bëjnë dallimin” – tha ai.

Keni presion të lartë të gjakut? Ja çfarë duhet të konsumoni

Ndërsa medikamentet dhe suplementet mund të jenë të dobishme, përfshirja e ushqimeve të duhura gjithashtu mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.

Ekspertët theksojnë se disa ushqime, të pasura me lëndë ushqyese si kaliumi, fibra dhe antioksidantë, mund të ndihmojnë në mënyrë natyrale në uljen e presionit të gjakut.

Nutricionistja Lisa Richards dhe dietologët Laura Ali, Jesse Feder dhe Kathryn Gervasio kanë zbuluar disa ushqime që ia rekomandojnë kujtdo që dëshiron të kontrollojë në mënyrë efektive presionin e gjakut.

1. Arra
“Arrat janë të pasura me acide yndyrore omega-3, fibra dhe një antioksidant të quajtur acid ellagic, të cilat të gjitha mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru”, thotë Ali për SheFinds. Ajo thekson se shkëmbimi i ushqimeve të përpunuara me një grusht arra mund të bëjë mrekulli për shëndetin tonë të përgjithshëm.

2. Perime me gjethe jeshile
Perimet me gjethe jeshile mund të luajnë një rol në uljen e presionit të gjakut.

“Perimet me gjethe jeshile si lakra jeshile, spinaqi dhe rukola janë të pasura me kalium, i cili mund të ndihmojë veshkat të nxjerrin më shumë natrium përmes urinës. Kjo ndihmon në uljen e presionit të gjakut me kalimin e kohës”, thotë Feder.

Përveç kësaj, ajo vë në dukje se zarzavatet me gjethe janë të pasura me fibra dietike dhe antioksidantë, të cilët gjithashtu kanë treguar se luajnë një rol në uljen e presionit të gjakut.

3. Fara liri
Shtimi i më shumë fibrave në dietën tuaj është një mënyrë e shkëlqyer për të ulur presionin e gjakut dhe Richards thotë se farat e lirit janë një burim fantastik i kësaj lënde ushqyese.

“Farat e lirit janë të pasura me fibra, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të zorrëve, largimin e toksinave nga trupi dhe uljen e kolesterolit. Secila prej këtyre përfitimeve të fibrave mund të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut”, shpjegon ajo.

Megjithatë, për të përfituar sa më shumë nga këto fara, ajo sugjeron të hani fara liri të bluar: “Farat e lirit absorbohen më mirë nga trupi kur bluhen, sepse enzimat nuk janë në gjendje të shpërbëjnë siç duhet shtresën e jashtme”.

4. Panxhari
Panxhari mund të luajë një rol të rëndësishëm në shëndetin kardiovaskular. Feder shpjegon: “Panxhari përmban sasi të mëdha nitratesh të cilat shndërrohen në oksid nitrik në trup. Ky oksid nitrik ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut dhe ul presionin e gjakut me kalimin e kohës”.

Kur enët tuaja të gjakut zgjerohen falë oksidit nitrik, gjaku mund të rrjedhë më lehtë, duke reduktuar presionin në muret e arterieve.

5. Banane
Kaliumi mund të bëjë mrekulli kur bëhet fjalë për uljen e presionit të gjakut, dhe bananet janë një nga ushqimet më të mira për të marrë më shumë kalium në dietën tuaj.

“Bananet janë ndoshta më të njohurat kur bëhet fjalë për furnizimin me kalium për të rregulluar presionin e gjakut. Një banane e mesme, rreth 120 gram, ka afërsisht 422 miligramë kalium. Kjo është 16 për qind e marrjes së rekomanduar për femrat dhe 12 për qind për meshkujt”, përfundoi Gervasio.

Arrestimi i Beqajt, Sefa: Erdhi për shkak të arrogancës së ish-ministrit

Avokati Indrit Sefa në emisionin “Open” në News24 duke komentuar arrestimin e Ilir Beqajt tha se ky vendim erdhi vetëm për shkak të arrogancës së treguar nga ish-ministri i Shëndetësisë.

Sefa tha se SPAK ka nisur hetime kryesisht për një shkak të thjeshtë: Beqaj shkonte në SPAK me makinën e Ermal Kurtulaj. “Kjo shërbeu si indicie, u nis hetimi kryesisht se sot jemi në këtë situatë”, tha Sefa.

Pacientët vdesin në spitalet publike/ Qeveria ul buxhetin e ministrisë së Shëndetësisë në kulmin e skandalit të Onkologjikut

Në kulmin e skandalit horror të Onkologjikut, që u faktoi shqiptarëve se si pacientët në spitalet publike vdesin për mungesë ilacesh dhe vriten nga korrupsioni, qeveria ka vendosur të shkurtojë ndjeshëm buxhetin për ministrinë e Shëndetësisë për tre vitet e ardhshme.

Sipas, programit buxhetor afatmesëm të miratuar një javë më parë nga Këshilli i Ministrave, në periudhën 2025-2027 buxheti i ministrisë së Shëndetësisë ulet nga 3.2 për qind e PBB-së që është aktualisht në 2.93 për qind në 2027-ën.

Edhe pse në vlerë absolute shpenzimet totale të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rriten me 10 miliardë lekë, në terma relativë ato ulen me gati 0.3 pikë përqindje e PBB-së.

Miratimi i buxhetit afatmesëm vjen në kulmin e skandalit që ka përfshirë sistemin shëndetësor publik në vend. Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se përvecc korrupsionit, pacientët në spitalin publik të sëmundjeve onkologjke përballen me mungesën e theksuar të barnave jetëshpëtuese, ndërsa pajisjet e terapive nuk funksionojnë.

Shqipëria është një nga vendet me buxhetin më të ulët publik për shëndetësinë në botë. Kjo bën që qytetarët në Shqipëri të paguajnë gati 60 për qind të shpenzimeve totale për kurim nga xhepat e tyre, ndërkohë që pjesa publike mbulon vetëm 40 për qind.

Por pavarësisht se shpenzimet katastrofike privojnë shumë pacientë nga e drejta për t’u kuruar, veccanërisht ata më sëmundjet serioze të cilat kanë dhe koston më të lartë të mjekimit, qeveria nuk e konsideron këtë si problem dhe do të vazhdojë të rrudhë buxhetin për shëndetësinë publike.

Me sa duket qeveria nuk sheh asnjë përgjegjësi tek vetja për gjendjen skandaloze të shëndetësisë. Edhe këtë herë skandali që shpërtheu në sytë e të gjithëve u kalua duke ja u hedhur përgjegjësinë vetëm dy mjekëve dhe disa infermierëve si dhe duke njoftuar disa ndryshime ligjore pa asnjë efekt. Ndërsa fonde shtesë për shëndetësinë dhe barnat nuk do të ketë. Madje, do të ketë më pak.

Nga rekursi në Gjykatën e Lartë, tek hyrja në zgjedhje me çdo kusht/ Rezoluta e Këshillit Kombëtarë të Demokratëve Euroatlantikë: Vijomë shpalosjen e alternativës

Demokratët Euroatlantikë zhvilluan sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku u diskutuan pikat për vijimin e aksionit politik.

Në rezolutën e miratuar, Demkratët Euroatlantikë nuk do heqin dorë nga iniciativa për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin për vulnë dhe kërkesës për zbardhjen sa më të shpejt të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu Demokratët Euroatlantik mbeten të angazhuar që shqiptarëve t’u paraqitet alternativa e tyre në zgjedhjet e ardhshme me çdo kusht.

Këshilli Kombëtar gjithashtu inkurajon organet drejtuese dhe mbështet zhvillimin e dialogut dhe aleancave me të gjithë faktorët shoqërorë dhe politikë që bashkëndajnë vlerat dhe vizionin e Demokratëve Euroatlantikë, për bashkëpunimin para dhe pas zgjedhor, me qëllim dhënien fund të tranzicionit tëtejzgjatur.

REZOLUTË E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË – DEMOKRATËT EUROATLANTIKË

PREAMBUL

Duke njohur rëndësinë e situatës aktuale politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri, dhe duke pasur parasysh sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, të mbledhur më 4 korrik 2024, deklaron angazhimin e palëkundur për përmirësimin e gjendjes së vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Me një shqetësim të thellë për shpopullimin alarmues, degradimin e jetës politike dhe ekonomike, dhe përhapjen e korrupsionit, ne dënojmë fuqimisht çdo akt që minon stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë. Duke vlerësuar përpjekjet e institucioneve të reja të drejtësisë dhe duke mbështetur SPAK dhe GJKKO në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne riafirmojmë angazhimin tonë për ndarjen, balancimin dhe kontrollin e pushteteve si themeli i një shteti të drejtë dhe demokratik.
Duke dënuar sabotimin e Reformës Zgjedhore dhe marrëveshjet e fshehta që dëmtojnë interesin publik, Këshilli Kombëtar riafirmon mbështetjen e tij për drejtësinë dhe transparencën në proceset zgjedhore dhe qeverisëse. Në një përpjekje të vendosur për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, ne theksojmë rëndësinë e këtyre partneriteteve për zhvillimin dhe mirëqenien e Shqipërisë.
Kjo rezolutë shpreh vendosmërinë tonë për të luftuar kundër korrupsionit, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, duke përqafuar vlerat dhe parimet euroatlantike që kanë udhëhequr demokratët shqiptarë për më shumë se tre dekada. Ne besojmë se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët dhe të sinqertë mund të përmbushim potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë dhe të sigurojmë një të ardhme të ndritur për brezat e ardhshëm.

I. QËLLIMI I REZOLUTËS
Qëllimi i kësaj rezolute është të adresojë me urgjencë dhe vendosmëri situatën kritike politike, ekonomike dhe sociale që po kalon Shqipëria, duke denoncuar korrupsionin dhe degradimin e institucioneve shtetërore, duke mbështetur reformat e nevojshme zgjedhore dhe të drejtësisë, si dhe duke riafirmuar angazhimin e patjetërsueshëm ndaj aleancave strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, për të siguruar një të ardhme demokratike, të drejtë dhe të prosperuar për të gjithë qytetarët shqiptarë.

II. RRETHANAT QË DIKTUAN MIRATIMIN E KËSAJ REZOLUTË

1. Duke vlerësuar si kritike situatën politike, ekonomike dhe sociale që po kalon Shqipëria, Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë, i mbledhur sot, më 4 korrik 2024, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike.

2. Thellësisht të shqetësuar për shpopullimin alarmues që po pëson vendi, të kamufluar përmes një censusi jo transparent dhe me legjitimitet të cunguar, si një kërcënim për stabilitetin shoqëror, demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë;

3. Të shqetësuar për degradimin e jetës politike dhe ekonomike për shkak të kontrollit asfiksues nga ana e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës që po varfëron familjet shqiptare, po largon masivisht rininë shqiptarë, po vret garën dhe konkurrencën e ndershme ekonomike, që mban nën thundër shtresën e mesme, që trysnon dhe shantazhon sistemin mediatik e që ka shkatërruar ndarjen dhe balancimin e pushteteve;

4. Duke dënuar me forcën më të madhe korrupsionin e përhapur në çdo degë të pushtetit qendror dhe vendor, i cili cënon sigurinë kombëtare, shëndetin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.

5. Duke konstatuar përgjegjësitë e qarta të Partisë Socialiste dhe disa deputetëve të zgjedhur me vota opozitare në sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, si një përpjekje për të penguar listat e hapura, votën e diasporës, votimin dhe numërimin elektronik dhe barazinë e votës, për të mbajtur në këmbë marrëveshjen e vitit 2008, të cilën koha e ka dëshmuar si të dëmshme dhe me pasoja të rënda për zhvillimin demokratik të vendit;

6. Duke dënuar ashpërsisht marrëveshjet mes Partisë Socialiste dhe deputetëve të zgjedhur me vota opozitare në dëm të interesit publik dhe të luftës kundër korrupsionit, të nisura me amnistinë ndaj të dënuarve për korrupsion nga GJKKO dhe të vijuara me dështimin e qëllimshëm të Reformës Zgjedhore;

7. Të bindur se SPAK dhe GJKKO ka nisur të japin rezultate konkrete dhe të prekshme në luftën kundër korrupsionit, në nivelet e larta, e për pasojë politikanë të të gjithë spektrit po bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë për t’u mbrojtur nga pandëshkueshmëria, për të shantazhuar organet e reja të drejtësisë, duke kërcënuar funksionimin dhe vetë ekzistencën e tyre;

8. Të vetëdijshëm se fundi i pandëshkueshmërisë kërcënon mbijetesën e sistemit të korruptuar politik dhe ekonomik, vazhdimësinë e aktorëve destruktiv për mirëqeverisjen, demokratizimin dhe ndarjen e pushteteve, konstatojmë se përpjekjet e këtyre të fundit për ta mbajtur hapur rrugën pa krye të tranzicionit 34-vjeçar, kulmuan me vendimin e padrejtë dhe të paligjshëm të 11 Qershorit 2024, duke cënuar besimin e qytetarëve te Reforma në Drejtësi dhe duke sfiduar përpjekjet e demokratëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta shkëputur Partinë Demokratike nga e shkuara problematike e për ta kthyer në identitetin e saj EURO-ATLANTIK, si instrument ndryshimi në duart e qytetarëve;

9. Të vendosur për ruajtjen dhe forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe si vlerë identitare e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme dhe e përhershme, si kusht thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe mbrojtjen e interesit kombëtar;

10. Të qartë se ndarja, balancimi dhe kontrolli i pushteteve janë garancitë për një shtet ligjor dhe konsolidim të demokracisë funksionale në vend, si rruga e drejtë dhe e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur;

11. Duke mbështetur dhe inkurajuar SPAK në veprimtarinë hetimore ndaj politikanëve të nivelit të lartë për dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe praktikave korruptive që kanë shpopulluar vendin dhe varfëruar familjet shqiptare;

12. Duke besuar se potenciali i jashtëzakonshëm njerëzor dhe natyror i Shqipërisë gjen përmbushje përmes programit reformues të shpalosur nga Demokratët Euroatlantikë në Kuvendin Programor të 1 qershorit 2024;

13. Të vetëdijshëm se Demokratët Euroatlantikë kanë një detyrim moral të pashlyer ende në këto 34 vite kundrejt të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist dhe viktimave të tij si dhe pronarëve, si përfaqësues të të djathtës historike të çliruar nga hijet e të shkuarës, idhujtaria dhe kulti i individit;

14. Të vendosur për t’u angazhuar në një përballje pakompromis me këdo që ka abuzuar dhe abuzon me pasuritë, besimin dhe mirëqenien e shqiptarëve;

15. Duke besuar se asnjë forcë politike nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë konkuruese duke qenë në papajtueshmëri dhe konflikt me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, aleatët historikë dhe strategjikë të Kombit tonë.

III. QËNDRIME POLITIKE / REKOMANDIMET
Të bindur se vlerat themelore dhe identitare të Demokratëve Euroatlantikë nuk mund të tjetërsohen nga përbetime kundër interesit kombëtar, në mbrojtje të status quo-së dekadente në të cilën një grusht i vogël njerëzish kërkojnë ta mbajnë me çdo kusht Shqipërinë;
1. Këshilli Kombëtar i bën thirrje strukturave drejtuese të çojnë përpara aksionin ligjor për kthimin e simboleve të Partisë Demokratike, duke ndjekur rekursin pranë Gjykatës së Lartë për vendimin e padrejtë dhe të paligjshëm të 11 Qershorit, si dhe mbështet angazhimin për të bërë drejtësi deri në hallkat më të larta të sistemit juridik europian.

2. Këshilli Kombëtar i bën thirrje Gjykatës së Apelit për zbardhjen sa më parë të vendimit të 11 Qershorit, duke i kërkuar përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet dhe ndjeshmëri të lartë këtë çështje.

3. Këshilli Kombëtar nxit strukturat drejtuese të vazhdojnë përgatitjet për përballjen e ardhshme elektorale, duke përfaqësuar me çdo kusht alternativën e Demokratëve Euroatlantikë në zgjedhje;

4. Këshilli Kombëtar inkurajon organet drejtuese dhe mbështet zhvillimin e dialogut dhe aleancave me të gjithë faktorët shoqërorë dhe politikë që bashkëndajnë vlerat dhe vizionin e Demokratëve Euroatlantikë, për bashkëpunimin para dhe pas zgjedhor, me qëllim dhënien fund të tranzicionit të tejzgjatur.

5. Këshilli Kombëtar mbështet veprimtarinë e Harkut Opozitar Euroatlantik dhe nxit forcimin dhe zgjerimin e Aleancës Qytetare për Demokracinë, si platforma bashkëpunimi që synojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ndarjen e pushteteve, lirisë dhe konkurrencës ekonomike.

6. Këshilli Kombëtar i bën thirrje strukturave drejtuese të Demokratëve Euroatlantikë të të gjitha niveleve të vijojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke nxitur një debat kombëtar mbi programin e shpalosur në Kuvendin Programor të 1 qershorit 2024.

7. Këshilli Kombëtar mbështet me vendosmëri përpjekjet serioze të SPAK dhe GJKKO për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe dënon ashpërsisht sulmet verbale dhe institucionale si dhe çdo tentativë publike dhe jopublike për të cënuar veprimtarinë e SPAK dhe GJKKO në përballjen pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të kudogjendur.

8. Këshilli Kombëtar i cilëson SPAK dhe GJKKO si investimet më të mëdha të shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta nxjerrë Shqipërinë nga bataku 34-vjeçar i tranzicionit dhe rikonfirmon mbështetjen pa kushte për organet e reja të drejtësisë duke ritheksuar edhe njëherë angazhimet konkrete përmes nismave ligjore të depozituara tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat synojnë forcimin e tyre.

9. Këshilli Kombëtar dënon zvarritjen e qëllimshme të Reformës Zgjedhore nga Partia Socialiste dhe deputetëve të zgjedhur me vota opozitare, duke i cilësuar këto veprimtari si anti-demokratike dhe në papajtueshmëri flagrante me kërkesat e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë për lista të hapura, votën e diasporës, numërim dhe votim elektronik dhe barazinë e votës, duke e konsideruar bllokimin e paarsyeshëm të projektligjeve të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë nga Demokratët Euroatlantikë për Reformën Zgjedhore si një dëshmi flagrante e një pakti antihistorik dhe antidemokratik për të mbrojtur ndryshimet kushtetuese famëkeqe të 2008-ës.

10. Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë i bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të mos pajtohen me paligjshmërinë dhe vendimet e padrejta përmes të cilave synohet asgjësimi i forcës së parë properëndimore të Shqipërisë, që e kthejnë atë në aneks të qeverisë të korruptuar dhe në një strukturë anti-perëndimore në funksion të kastës 34-vjeçare, si dhe apelon për bashkimin rreth vlerave më të mira për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara e korruptuar, për të ndërtuar së bashku një të ardhme europiane, të vetëdijshëm më shumë se asnjëherë më parë se Shqipëria meriton më shumë.

IV. KONKLUZION
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, duke marrë në konsideratë të gjitha çështjet dhe sfidat e përmendura në këtë rezolutë, riafirmon përkushtimin për të mbrojtur interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet demokratike dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë përmes reformave të nevojshme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim aleancat strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, duke punuar për një Shqipëri të drejtë, demokratike dhe të zhvilluar. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në këtë përpjekje të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe për të përmbushur potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë.

“Abuzimi me fondet e BE-së kalon çdo imagjinatë”- Arrestimi i Ilir Beqajt, gazetarja: Ish-ministri urdhëronte tendera. Çfarë u gjet gjatë kontrolleve në banesa

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u vë në pranga mëngjesin e sotëm (4 korrik) nga SPAK, për shkak të abuzimeve me fondet e “SASPAK”.

 

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar të tjera detaje duke theksuar se SPAK  mori miratimin në GJKKO për 7 masa sigurie, nga të cilët dy janë në arrest shtëpie dhe dy detyrim paraqitje, ndërsa 3 të tjerë në arrest me burg.

Lala tha se gjatë kontrolleve që janë ushtruar në banesat e personave, janë gjetur 7 mln lekë (të vjetra) dhe 47 mijë euro, sikundër janë sekuestruar konpjutera apo telefona që mund t’i shërbejnë hetimit.

Ajo tha se prokuroria ka kryer hetime proaktive. Lala tha se një nga njerëzit më të ngushtë të Beqajt, Ermal Kurtulaj shkonte në SPAK me makinën e këtij të fundit.

Përse një ish-ministër apo ish-deputet, përdorte makinën e dikujt tjetër?

Ermal Kurtulaj pasi kishte bërë një fatyrë fiktive për një biznes ‘X’, shkon në zonën e Tiranës së Re dhe merr një zarf me para.

Të shkosh te abuzimi me fondet e ndërkombëtarëve kalon çdo imagjinatë. Më 28 dhjetor 2023, SPAK ushtroi kontroll në disa banesa përfshi edhe atë të Ilir Beqajt, Ermal Kurtulaj, shoferit të tij, një kompanie farmaceutike.

Gjatë këtyre kontrolleve u gjetën faturat, u hetua dhe çfarë doli: Ilir Beqaj urdhëronte 8 tendera, në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, që ishte koordinator i projektit, dhe fituesit ishin të paracaktuar. Fondet ishin të BE-së”, tha Lala.

Nga tumori, tek depresioni dhe hipertiroidizmi, zbuloni sëmundjet që shkaktojnë rënie të papritur në peshë! Çfarë duhet të keni kujdes

Humbja e disa kilogramëve të tepërt është diçka normale, sidomos nëse arrihet nëpërmjet një regjimi të kujdesshëm ushqimor dhe aktivitetit fizik.

 

Por nëse njeriu bie në peshë krejt papritur pa asnjë lloj ndryshimi në stilin e jetesës, atëherë ka diçka që nuk shkon.

Sipas studimeve, humbja e pashpjegueshme e më shumë se 5 përqind të peshës trupore në më pak se një vit, tregon një problem shëndetësor.

Sëmundjet që shkaktojnë rënie të papritur në peshë

Diabeti   

Rënia në peshë tek diabetikët ndodh për dy arsye: humbja e lëngjeve nga trupi dhe përthithja e pakët e kalorive si pasojë e sheqerit të lartë në gjak.

Për më tepër, kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ai djeg më shumë yndyrë dhe energji muskulare.

Simptoma të tjera të diabetit përfshijnë: etje të tepruar, uri të madhe, lodhje, nxirje të lëkurës dhe mpirje të këmbëve dhe duarve.

Sipas informacioneve, hipertiroidizmi dhe tepria e hormoneve në gjak shkakton një ritëm të lartë metabolik që shteron energjinë e trupit.

Përveç rënies së shpejtë nga pesha, ky problem përshpejton rrahjet e zemrës, rrit nivelin e djersitjes, panikut, luhatjet e humorit dhe shkakton shumë lodhje.

Ulçera në stomak

Ulçera në stomak shkakton rënie të papritur në peshë.

Kjo ndodh sepse ulçera manifestohet jo vetëm me dhimbje por edhe me të përziera, të vjella dhe mungesë oreksi.

Parazitët në sistemin tretës

Gjatë pushtimit të zorrëve nga parazitët, njeriu përjeton një rritje të oreksit sepse parazitët ushqehen me atë që ha njeriu.

Rënia në peshë në të vërtetë nënkupton se kjo është mënyra më e mirë e trupit për t’i eliminuar ata.

Depresioni

Rënia në peshë gjatë depresionit është e pavullnetshme.

Ndjesia e mërzisë, humbjes, zemërimit dhe frustrimit prek çdo aspekt të jetës përfshirë edhe oreksin.

Tumoret

Rënia e papritur në peshë është një nga shenjat më të qarta treguese të tumoreve pavarësisht zonës së prekur prej tij.

Rritja e pakontrolluar e qelizave anormale përshpejton metabolizmin dhe shteron burimet energjike të organizmit.

Me shpërndarjen e qelizave kancerogjene, funksionet e organeve pësojnë një rënie drastike.

Edhe trajtimet kundër kancerit siç është kemioterapia mund të shkaktojnë rënie të oreksit, të vjella, dhe vështirësi në ushqyerje.

Skleroza

Rënia në peshë tek moshat e mesme mund të jetë një tregues i sklerozës apo sëmundjes së Alzheimerit.

Këto sëmundje nervore prishin mekanizmin e trupit që rregullon peshën duke shkaktuar humbjen e saj shumë kohë përpara diagnostikimit.

Shkaqe të tjera të rënies në peshë

Përveç sëmundjeve të lartpërmendura, rënia e papritur në peshë mund të shkaktohet edhe nga kequshqyerja, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, problemet me zemrën, medikamentet.

AgroWeb.org, ju rekomandon patjetër konsultën me mjekun nëse vini re rënie të papritur dhe të pashkpjegueshme të peshës.