27.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

U dashurua me djalin e ish-kryeministrit në kampin e internimit, dëshmia e trishtë e Klara Merlikës: Unë u vesha me fustan të bardhë, kurse Fatosin… Kërcënimi që Mehmet Shehu i bëri në burg tim shoqi

“Në Berat, brenda një nate vdiqën mbi 20 fëmijë dhe se harroj kurrë një grua shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake”

 

Është historia e Klara Merlikës, simboli i mbijetesës në kampet e internimit, atje ku shkoi fëmijë e kaloi 45 vite të jetës, ku pa të vdisnin bashkëmoshatarët e saj. Atje ku dashuroi e veshi fustanin e bardhë të nusërisë, atje ku la nënën e saj përgjithmonë. Një fustan i bardhë dhe një shëtitje nëpër dyert e familjeve të internuara, janë të paktat çaste që mban mend Klara Merlika, në ditën e shënuar të jetës së saj, atë të martesës.

Ajo ditë nuk do të bënte asnjë ndryshim nga ditët e zakonshme të jetës së saj të mundimshme në kampet e internimit, nga Berati në Tepelenë e, deri në Savër…! Kishte mbërritur në kampet e internimit, kur kishte ende përparësen e shkollës fillore dhe është larguar prej andej, 45 vite më vonë.

E kanë quajtur simbol të mbijetesës, pasi e kanë degdisur thuajse në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë. Është Klara Merlika, nusja e djalit të ish-kryeministrit shqiptar të periudhës së pushtimit italian të vendit, Mustafa Merlika Kruja. Është një ndër ato që ka vuajtur më së shumti terrorin komunist, që kur ishte fëmijë.

Ja si e kujton ajo fëmijërinë në kampet e internimit, atje ku shumë bashkëmoshatarë të saj, humbën jetën në mënyrë tragjike.

“Duke qenë pjesë e familjeve të mëdha, në fillim dhe në fund të kampit ishin banjot, dhe ne të Mirakajve (gruaja e xhaxhait, ishte grua ministri), bashkë me Bardha Gjon Markagjonin, na vendosën në fund, në një hapësirë jashtë çdo kushti normal…! As mbijetesë nuk e quaje dot.

U desh shumë mund nga nëna ime e nuset e xhaxhallarëve për ta pastruar vendin rrotull, deri sa mori një pamje të pranueshme. Në Berat ne qëndruam nga viti 1944, deri 1949-ën, gati pesë vjet. Shumë herë aty në kamp ra sëmundja e malaries, tifoja, dhe fëmijët e vegjël, vdisnin njëri pas tjetrit.

Brenda një nate kanë vdekur mbi 20 fëmijë, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë një grua shtatlartë shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake nga tifoja. Buzët e thara të atyre fëmijëve i kam përpara syve (qan).

Unë gjithë kohës rrija pranë nënës e familjarëve të mi, ndërsa mamaja, bëri të pamundurën që të më regjistronte në klasë të katërt, në një shkollë pranë kampit, sa për të kaluar disa orë të ditës.

Mbaj mend që disa herë rresht e kam shoqëruar time ëmë, në Burgun e Kuçovës, sepse aty pranë po ndërtohej nga të burgosurit kanali Kozarë-Kosovë, ndërkohë që ata merrnin edhe njerëz nga kampe të tjera internimi”, thotë Klara.

Po, në internim Klara përjetoi edhe momentin më solemn në jetën e njeriut, atë që praktikisht duhet të ishte çasti më i paharruar: fustani i bardhë dhe nusërimi, deri edhe lindja e nipërve dhe mbesave.

Martesa me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit Mustafa Merlika Kruja, do t’ia rëndonte dënimin, sidomos edhe pas kërcënimit që vetë Mehmet Shehu, i kish bërë në burg të shoqit. Janë 45 vite internim, dhe sot 90 vjeçarja Klara Merlika (Mirakaj) ka shumë për të rrëfyer…!

“Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin, e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit.

Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo, ku shteti do ta transferonte. Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin.

Në kampet e internimit, kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës. Martesa është vetëm një kapitull…! Në kamp më vdiq ime më, e varrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin, që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve…! Nuk mund të torturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim”, thotë Klara. Memorie.al

Kush do të punojë?! Popullsia në moshë pune është reduktuar me 349 mijë persona! Si do të ndikojë tek bizneset dhe ekonomia shqiptare

Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.

Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grupmoshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grupmosha 20-24 vjeç që u reduktuan me 41%.

Grupmoshat me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç me 25.4%.

Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grupmosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%

Siç shihet, popullsia në moshë punë në vendin tonë jo vetëm që është reduktuar në mënyrë të ndjeshme gjatë një dekade, por është përkeqësuar në strukturë, pasi ka një rritje të personave në prag pensioni dhe ulje të ndjeshme në grupet e reja të moshave.

Bizneset në të gjithë sektorët vitet e fundit e kanë konsideruar mungesën e punonjësve problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete.

Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen. Kjo është dekada e parë që ekonomia dhe bizneset duhet të operojnë me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve.

Në vitin 2011, popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) përbënte 68% të popullsisë totale dhe në vitin 2023 përbënte 64% të saj.

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune.

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë. Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).

Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011./Monitor

I dyshuar për pastrim parash dhe i përfshirë në dosjen e inceneratorit të Fierit, arrestohet në Romë, Juri Ymeraj

Është arrestuar në Romë të Italisë Juri Ymeraj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për pastrim parash dhe i përfshirë në dosjen e inceneratorit të Fierit.

 

Mësohet se Ymeraj është arrestuar sot nga Interpol Rome, pasi Gjykata e Posacme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, per vepren penale të”Pastrim te produkteve te vepres penale.

“Sot me daten 04.07.2024, nga Interpol Rome është arrestuar Juri Ymeraj, i datelindjes 01.07.1989, shpallur ne kerkim nderkombetar nga Interpol Tirana.

Shtetasi i mesiperme eshte shpallur ne kerkim sepse Gjykata e Posacme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, me vendimin Nr.82, date 11.11.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, per vepren penale të: “Pastrim te produkteve te vepres penale”, njofotn policia.

Ymeraj është i përfshirë në dosjen e inceneratorit të Fierit, ku ai së bashku me Arbër Denizi dhe Silvester Driza, kanë themeluar shoqëritë “Pivot 04” sh.p.k, “Sili” sh.pk, ‘JPY’ sh.p.k.

Nga hetimet e kryera, transaksionet e inceneratorit të Fierit me kompanitë “Pivot 04” sh.p.k, “Sili” sh.pk, ‘JPY’ sh.p.k, janë fiktive dhe se ato janë krijuar posaçërisht për t’u përdorur për të mbuluar natyrën e vërtetë të kryerjes së këtyre transaksioneve.

“Silish.pk, dhe “IP.Y” sh.p.k, kanë deklaruar të njëjtën adresë të selisë së tyre në Durrës. Asnjë prej këtyre shoqërive nuk kanë pasur kapitalin e nevojshëm, punonjësit e nevojshëm të kualifikuar për të kryer punimet sipas faturave tatimore.

Punëtorët e regjistruar janë punëmarrës fiktivë, pasi gjatë deklarimit të tyre rezulton se nuk kanë pasur dijeni për këtë fakt dhe nuk njohin personat e tjerë të regjistruar si të punësuar.

Ndërkohë, personat që kanë themeluar shoqëritë respektive, Arbër Denizi, Silvester Driza, dhe Juri Ymeraj, kanë lidhje shoqërore me Arbi Kokën, djali i Lefter Kokës, ky i fundit i arrestuar i pari për këtë skandal!

Më datë 16 nëntor 2022, SPAK lëshoi 11 urdhër arreste të reja. Nga këto, 5 prej tyre janë ekzekutuar nga policia e shtetit.

PJESE NGA DOSJA E SPAK

Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59,915,020 (pesëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëzet) lekë.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.82, datë 11.11.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, janë miratuar 11 (njëmbëdhjetë) masa sigurimi personale, nga të cilat 10 (dhjetë) masa sigurie “arrest në burg” dhe 1 (një) masë sigurie “arrest në shtëpi”.

Masat e sigurisë personale janë miratuar për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 143/3, 25, 144/a, 25, 245, 25, 248, 259, dhe neni 287, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

URDHER ARRESTE PER:

Gentian Zifla
Arjola Kodra
Enver Sheshi
Robert Shabani
Regan Merdani
Loran Dusha
Arben Dervishaj
Arber Denizi
Juri Ymeraj
Silvester Dreza

Kush janë

Një prej personave të shoqëruar këtë të mërkurë është Arben Dervishaj, i cili është zv.president i Shoqatës së Ndërtuesve dhe numri dy i FSHF-së. Sipas hetimeve të SPAK, Arben Dervishaj në rolin e supervizorit rezulton se me kompaninë e ti ka konfirmuar se janë kryer punimet në inceneratorin e Fierit ndërkohë që nga hetimet e thelluara ka rezultuar që sitaucionet e punimeve nuk kanë qenë si janë deklaruar nga ana e supervizorit Dervishaj.

Ariola Kodra është administratorja e Inceneratorit te Tiranes.

Ndërsa Loran Dusha është administratori i inceneratorit të Fierit.

Përgjimet/ Abuzimet me fondet e BE-së që çuan në pranga Ilir Beqajn, si lëshoheshin faturat fiktive për shërbime të pakryera: Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e sotëm (4 Korrik) me urdhër të SPAK në lidhje me hetimet për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian.

 

Ndërkohë emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar se si u krijua skema përmes së cilës lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC si shpenzime.

Në dosjen hetimore është zbuluar se “më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer. Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt. ‘Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them’

Pjesa e parë e dokumentarit:

Ata kishin krijuar një skemë në dukje të mprehtë, jashtë çdo lloj vigjilence, por kishin harruar se në fakt pikërisht në këtë periudhë të aktivitetit të tyre antiligjor, duhet të ishin më kurrë se çdo herë të padukshëm për ligjin, dhe për më tepër kur eprori i tyre ishte i rrethuar nga dara e SPAK dhe mban ende llogari të pambyllura me drejtësinë.

Ashtu edhe Ilir Beqaj, dikur ministër i Shëndetësisë, po përballet me dy dosje, të nxehta, të dyshuara me natyrë korruptive, për të cilat Prokuroria e Posaçme e ka në hetim, dhe që për këtë arsye i është ndaluar edhe dalja jashtë Shqipërisë si edhe paraqitja përpara këtij organi deri në përfundimin e plotë të hetimit.

Atëherë kur duhej që vartësit e tij në SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, që merret me monitorimin dhe zbatimin e programeve kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, ku drejtor i përgjithshëm i emëruar direkt nga kryeministri ishte Ilir Beqaj, të ishin më të kujdesur qoftë edhe në shkeljet e tyre, duket se e kundërta ka ndodhur.

Këta vartës rezulton se në interes të shefit të tyre jo vetëm nuk janë treguar të tillë, por e kanë intensifikuar aktivitetin e tyre të dyshuar korruptiv, edhe gjatë kohës që drejtuesi i tyre është në hetim nga SPAK, për dy aferat e tjera të përfolura mitomane, atë të koncesionit miliona euro të ‘Sterilizimit’ dhe të ‘Check up’.

Kjo, përmes një skeme të lëshimit të faturave fiktive, të cilat mesa duket zyrtarët e SASPAC, agjencisë së drejtuar nga Beqaj, kërkonin të mbulonin shpenzimet e pajustifikuara, por që me sa duket ishin kthyer në shpërdorime abuzive, që kishin dalë jashtë kontrollit.

Abuzime, që në ethet e një hetimi pasuror që mund të ishte gjithëpërfshirës, të nisur nga SPAK, kishin detyruar zyrtarët e kësaj agjencie, por mesa duket edhe vetë drejtuesin e saj Ilir Beqaj, që shpërdorimin me fondet e BE-së, ti mbulonin duke krijuar fatura tatimore për aktivitete të paqena.

Fatura të cilat rezulton se plotësoheshin nga një rreth miqsh të lidhur ngushtësisht me ish-ministrin Beqaj, por edhe me zyrtarët e oborrit të tij në SASPAC, njerëz të lidhur me biznesin apo që kishin krijuar Organizata Jo Fitimprurëse.

Atyre u kërkohej në formën e një favori, të plotësonin këto fatura, që shkonin në shumën e mijëra eurove, për aktivitete të cilat në të vërtetë Agjencia nuk i kishte kryer.

Por çfarë ishte kjo skemë dhe si funksiononte?

Kush ishin zyrtarët e SASPAC të lidhur me këtë skemë dhe si ra Byroja Kombëtare e Hetimit në gjurmët e këtij organizimi, ku dyshohet se paratë shkonin në xhepat e zyrtarëve të SASPAC, dhe u faturoheshin qytetarëve europianë, të cilët këto fonde i kishin ofruar si ndihmë për Shqipërinë, nëpërmjet BE?

Sipas hetimit të kryer nga SPAK, një nga personat kyç në këtë aferë del të jetë Ermal Kurtulaj, i cili kishte rolin e koordinatorit të programit EUSAIR Facility Point, një projekt strategjik i 9 partnerëve europianë në tetë vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Kurtulaj konsiderohej brenda SASPAC si njeriu i besuar i drejtuesit të kësaj agjencie, Ilir Beqaj, detyrë të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e mbante që nga viti 2021, pavarësisht se në kohën kur u emërua nga kryeministri Rama në krye të SASPAC, ai ishte marrë në hetim nga Prokuroria e Posaçme, për dy dosje të dyshuara korruptive.

Dosja Hetimore

Personi nën hetim Ermal Kurtulaj, është i punësuar si koordinator i projektit Eusair Facility Point dhe dyshohet se gjatë veprimtarisë së tij si koordinator i këtij projekti ka kryer veprime të kundërligjshme si më poshtë:

Nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre.

Duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit.

Por si arrinte Ermal Kurtulaj të krijonte fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC, si shpenzime?

Cilat ishin bizneset me të cilët ai bashkëpunonte dhe u kërkonte këto ndere dhe në bazë të cilit favor, këto biznese apo OJF krijonin të tilla fatura pa u trembur se një ditë do të ndëshkoheshin nga kontrollet tatimore?

Se si funksiononte kjo skemë mjafton të shikojmë mënyrën se si Kurtulaj ua kërkonte këto fatura bizneseve, që në fakt duket se ishin pjesë e tarafit të tyre ose më ngushtësisht ishin vetë bizneset që ata kishin në administrim, por duke i fshehur në emra të tjerë, të cilët thjesht sa u shërbenin qëllimeve të tyre.

Këto biseda janë përgjuar edhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe që përkojnë me periudhën nga muaji gusht 2023 dhe më pas, pikërisht koha kur eprori i tij në SASPAC Ilir Beqaj, e kishte punën pisk me drejtësinë dhe ishte ndërkohë në hetim për dy afera të tjera të dyshuara korruptive.

Dosja Hetimore

Më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer.

Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt.

‘Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them’

Nga kjo pjesë bisedë krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive, me qëllim për të justifikuar shpenzimin e shumës në faturë, pra 35 200 Euro.’

Por kjo mesa duket nuk ka qenë fatura e vetme fiktive që Ermal Kurtulaj është përpjekur dhe ka mundur të prodhojë në muajin gusht, pasi nga kërkimet e kryera nga SPAK, pranë regjistrit të Tatimeve, rezulton se po në këtë muaj, kundrejt operatorit EusAir Facility Point, janë lëshuar edhe 8 fatura të tilla të ngjashme.

Këtë herë nga kompania ‘Nine Services Int’. me shuma që vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.

Dosja Hetimore

Më datë 18 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Nine Services INT’ shpk me përshkrimin ‘Konsulence bazuar në kontratë’, në shumën 35 200 Euro.

Shoqëri që si objekt të aktivitetit të saj ka ‘Shërbime dhe konsulentë në aktivitete sportive në veçanti në sportin e futbollit etj’.

Faturë pa TVSH, e cila lidhet me bisedën që Ermal Kurtulaj ka zhvilluar me Genci Shurdhon më datë 2 Gusht 2023, por duke qenë se ky shtetas nuk ka mundur ta lëshojë këtë faturë, Kurtulaj e ka siguruar këtë faturë nëpërmjet shtetasit Elton Marini.

Sipas hulumtimeve të kryera në vazhdim nga SPAK, dhe bisedave që Kurtulaj dhe Marini kanë kryer me njëri-tjetrin, dyshohet se për këtë qëllim ata janë takuar me njëri-tjetrin.

Madje Kurtulaj i kërkon Marinit edhe vulën e biznesit së tij, duke krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një afrimitet midis të dyve, në raportin e besueshmërisë.

Dosja Hetimore

Në bisedat e mëvonshme të muajve gusht-shtator 2023, Ermali i kërkon Elton Marinit vulën dhe po ashtu i thotë se i duhej një firmë tjetër.

Nisur nga përmbajtja e bisedës ka të dhëna se ata takohen me njëri tjetrin.

Por këto mesa duket nuk janë të vetmet marrëveshje që Kurtulaj dhe Marini kanë bërë me njëri-tjetrin.

Siç del edhe në komunikimet në vazhdim, Kurtulaj i kërkon atij edhe të tjera fatura fiktive, të cilat mesa duket Marini, ia konkretizon.

Dosja Hetimore

Më datë 20 Nëntor 2023, kjo faturë është lëshuar përsëri nga shitësi ‘NINE Services’ kundrejt SASPAC, me të njëjtën vlerë, me përshkrimin ‘Organizim eventi Adrion në Durrës datë 14 Shtator 2023’.

Faturë e cila ka statusin ‘pranuar’.

Në vijim Ermali i komunikon Marinit se ka bërë dhe një version shqip dhe i duhej dhe njëherë vula dhe firma.

Megjithatë ‘Nine Services Int’ nuk është e vetmja kompani që ka lëshuar fatura fiktive me kërkesë të Ermal Kurtulaj.

Siç shikohet edhe më poshtë, në këtë valle janë futur kompani të tjera. Një ndër këto kompani, e përfshirë në këtë aferë, është edhe Screen AD.

Dosja Hetimore

Ermal Kurtulaj komunikon në telefon me një numër që në trueCaller, rezulton se punon pranë subjektit SCREEN AD sh.p.k.

Gjatë kësaj bisede Ermali i kërkon asaj lëshimin e një fature duke i dhënë dhe përshkrimin përkatës.

Kjo faturë rezulton të jetë lëshuar nga shoqëria ‘Niki Konstruksion @ Solar’ në vlerën 441 168 lekë kundrejt shoqërisë ‘Nine Services sh.p.k’, me përshkrimin ‘Event për Adrion Programe’.

Nga verifikimet mbi shoqërinë Screen AD, rezulton se kjo shoqëri ka realizuar shitjen kundrejt SASPAC sipas faturës datë 23 Tetor 2023, me vlerë 2 500 Euro, përshkrimi ‘Organizim Eventi Adrion Dhërmi 1 Shtator 2023’.

Megjithatë edhe në këtë rast ashtu si edhe në të ngjashmit e tjerë, Screen Ad, rezulton pas verifikimeve të SPAK, se nuk ka organizuar ndonjë event me titullin që ka emërtuar në faturën e lëshuar për SASPAC.

Madje këtë linjë kanë mbajtur edhe subjekte të tjerë, që tashmë janë në sitën e Prokurorisë së Posaçme, për të parë se si kanë mundur të lëshojnë fatura të tilla dhe mbi bazën e kujt interesi kanë ndërmarrë veprime të tilla, ku në një rast konkret, Ermal Kurtulaj e mëson njërin prej tyre edhe si ta mbushë faturën.

Dosja Hetimore

Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Bledar Leka’, me përshkrimin ‘Konsulencë”.

Nga biseda Kurtulaj i kërkon Lekës që të bëjë ‘një çik sot atë faturën’.

Ai i thotë në bisedë se ‘do ta çoj niptin, se ça përshkrimesh, si do e shkruajmë etj.’.

Duke krijuar kështu dyshimet mbi lëshimin e një fature fiktive për punime/shërbime të pakryera.

Po kështu, në një tjetër bisedë, Ermal Kurtulaj e pyet Bledar Lekën: ‘Atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20, e bën dot ti apo jo?….

Ndërsa në një bisedë tjetër e pyet: ‘Ke hapësirë për 900 Euro shërbim konsulence pagesë KESH’.

Në lidhje me këto veprime financiare, Ermal Kurtulaj nuk kishte si të vepronte i vetëm brenda SASPAC, pavarësisht se jashtë ai mund t’i kishte rregulluar me të tijët punët.

Sipas SPAK, një nga bashkëpunëtoret e tij të ngushtë brenda agjencisë, në këtë aferë, del të jetë edhe Mira Topçiu, njeriu që ekzekuton të gjithë urdhrat financiarë brenda agjencisë.

Dosja Hetimore

Ermal Kurtulaj, rezulton se përfshihet edhe në veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC.

Në bashkëpunim me njëri tjetrin, rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar, ‘qira salle dhe shërbim kateringu’.

Po kështu rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, dhe kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi, ku Mira Topçiu ushtron veprimtarinë si person fizik, me fushë ‘Konsulencë për biznesin dhe financiare, inovacion etj.’

Megjithatë në kundërshtim të plotë me funksionin që mban, financierja e SASPAC, Mira Topçiu del se ka krijuar fatura fiktive, duke bashkëpunuar me shoqatën ‘Good Health’, e cila në fakt nuk është e askujt tjetër, përveçse e Ermal Kurtulaj, drejtuesit të saj në Agjenci, duke shkelur hapur kështu konfliktin e interesit.

Dosja Hetimore

Nga këqyrja në sistemin e Tatimeve-Fiskalizimi, Mira Topçiu, ka lëshuar faturat kundrejt shoqatës ‘GoodHealth:

Datë 12 Dhjetor 2023, në vlerën 5 000 euro si edhe më datë 9 Nëntor 2023, në vlerën 5 500 euro.

‘Good Health’ që drejtohet nga Ermal Kurtulaj ku rezulton se është i punësuar dhe vëllai i tij Sabian Kurtulaj.

Megjithatë lista e subjekteve të përfshira në këtë skemë, ku strumbullari del të jetë Ermal Kurtulaj, duket shumë më e gjatë.

Sërish një rol jo pak të rëndësishëm ka financierja e SASPAC, Mira Topçiu, e cila del se mban kontakte të vazhdueshme me biznese kryesisht në fushën gastronomike, që po kaq çuditërisht pranojnë të futen në këtë aferë.

Dosja Hetimore

Nga komunikimet që kryhen ndërmjet Mira Topçiut, Bjona Ziaj, Dhurata Thanasit dhe Ermal Kurtulaj ata kërkojnë sigurimin e faturave me qëllim përfitimin e shumave nga këto subjekte.

Më datë 1 Nëntor 2023, Mira Topçiu komunikon me Bjona Ziun së cilës i kërkon të lëshojë një faturë, për një event:

‘Nga personi jot fizik, më duhet për çështje pune se s’po dimë se si do e rregullojmë nga që do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Më duhet një person që të më lëshojë një faturë’.

Fatura të ngjashme fiktive lëshohen në emër të SASPAC, edhe për shërbime gastronomike siç është rasti i restorantit ‘Luga e Artë’.

Rezulton se ky restorant ka lëshuar disa fatura fiktive në emër të agjencisë që në këtë kohë drejtohej nga Ilir Beqaj.

Kjo skemë mesa duket funksiononte duke i kaluar fillimisht paratë në llogarinë e subjektit që lëshon faturën fiktive dhe më tej pasi paratë tërhiqeshin nga llogaria, ato ndaheshin sipas marrëveshjes së rënë dakord më herët.

Dosja Hetimore

Subjekti tregtar ‘Dhurata Thanasi’, më datë 14 Nëntor 2023, ka lëshuar faturën me përshkrimin ‘Shërbim Kateringu’, në vlerën 259 000 lekë.

Po në këtë datë Ermal Kurtulaj ka komunikuar me shtetasen Dhurata Thanasi Luga, ku nga biseda i kërkon kësaj të fundit që të futet në aplikacionin BKT Smart dhe t’ia çojë në WhatsApp të dhënat e llogarisë ku do të bëhet trasnferta.

Më datë 30 Nëntor 2023, Ermali komunikon me Dhuratën dhe duke qenë se paratë i kanë kaluar në llogari i kërkon asaj të takohen.

Më datë 1 Dhjetor 2023, në bazë të pamjeve filmike në një lokal në rrugën e “Kosovarëve”, është evidentuar se Ermal Kurtulaj ka mbërritur aty më datë 30 Nëntor në orën 12:27.

Ai shfaqet teksa merr nga Dhurata Thanasi një send në dukje si letër apo para, të cilat më pas i fut në xhepin e majtë të pantallonave.

Ky takim dhe shkëmbim në dukje parash, u ballafaqua nga SPAK, edhe me tërheqjen e shumës nga Dhurata Thanasi

Kjo u vërtetua edhe nga kthimpërgjigja e bankës në të cilën fillimisht u bë transferta dhe më pas u tërhoq vlefta e parave, në të njëjtën ditë kur u zhvillua edhe takimi midis Ermal Kurtulaj dhe Dhurata Thanasit.

Dosja Hetimore

Me shkresën nr. 16358 prot., datë 4 Dhjetor 2023 u kërkua informacion pranë bankës BKT me qëllim verifikimin e lëvizjeve nga llogaria bankare e shtetases Dhurata Thanasi si tregtar person fizik. Nga shkresa e ardhur rezulton se subjekti ‘Dhurata Thanasi’, ka kryer tërheqje më datë 30 Nëntor 2023.

Arrestimi i Ilir Beqajt/ SPAK zbardh skemën e abuzimit! Si i përvetësoi fondet e BE-së kur ishte drejtor i SASPAC

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur skemën e abuzimit që ka përdorur Ilir Beqaj, i cili u vendos në pranga mëngjesin e sotëm (4 Korrik), për të përvetësuar fondet e BE-së kur ishte drejtor i SASPAC.

 

Sipas SPAK, Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive.

Prokuroria e Posaçme informon se Ermal Kurtulaj është emëruar nga Ilir Beqaj në datën 26 Maj 2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR në SASPAC.

“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”, informon SPAK.

Gjithashtu mësohet se këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, me urdhër të Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm.

Ilir Beqaj raportohet se ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.

Gjithashtu Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim.

Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Ai dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtulajt, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtulajt.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.190, të vitit 2023. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:

1. Personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC,  përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.

Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.

Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:

Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas  çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N.

I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “G…..” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.

Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B. Z.  për qëllime të përfitimit material;

Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G…….”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj dhe E. K.

Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.  Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “G…”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me restorantin “G…..”.

2. Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K.

Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi.

Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për dy persona të tjerë nën hetim, të  dyshuar për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, parashikuar nga neni  245 i Kodit Penal, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal. 

Nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim.

Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për  hetimin etj.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 dhjetor të vitit 2023.

Gjoba nga tifozët në Europian, Shqipëria e dyta pas kroatëve

Kampionati Europian ka mbërritur në fazën çerekfinale, por shumë ndeshje janë luajtur deri tani. Normalisht që çdo stadium ka qenë i mbushur nga tifozët e kombëtareve të ndryshme, ashtu siç u mbush edhe nga shqiptarët në tri ndeshjet e zhvilluara.

 

Duke u përpjekur për të dhuruar spektakël, tifozët e kanë tepruar në disa momente edhe me hedhje sendesh në fushë, apo ndezje flakadanësh apo futje të personave në fushën e lojës. Normalisht këto incidente kanë një penalizim në gjobë nga UEFA dhe sipas një llogaritje deri kur ka mbaruar faza e grupeve, Kombëtarja shqiptare është e dyta nga gjobat e marra nga institucioni i futbollit. Sjellja jo korrekte por jo e tepruar e tifozëve shqiptarë në të tria ndeshjet, ka sjellë 171.375 mijë euro në Federatën Shqiptare të Futbollit. Rekordin nga kombëtaret e mban Kroacia e cila është gjobitur në total 220.875 mijë euro.

Kroatët luajtën me Spanjën, Shqipërinë dhe Italinë, ndërkohë sjellja e tifozëve ka kapur shifrën më të lartë nga kombëtaret. E treta është Serbia, me 166.625 mijë euro. Ata luajtën me Anglinë, Slloveninë dhe Danimarkën. Ndërkohë, pjesa tjetër kanë një shifër nën 100 mijë euro ku renditen Turqia, Zvicra, Rumania, Hungaria, Austria, Polonia, Sllovenia, Gjeorgjia, Italia, Gjermania, Ukraina, Holanda, Belgjika, Portugalia, Anglia, Danimarka. Poshtë 10 mijë eurove janë Skocia dhe Çekia, ndërsa ka edhe tri kombëtare, ku tifozët e të cilëve nuk kanë bërë asnjë shkelje që përkthehet në asnjë gjobë. Franca, Spanja dhe Sllovakia janë dy kombëtaret që nuk janë gjobitur. Sakaq, nga gjobat UEFA ka arritur të grumbullojë afërsisht 1.3 milionë euro.

Akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, SPAK cakton tjetër masë sigurie ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar tjetër masë sigurie ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

 

Sipas hetimeve nga SPAK, Goro akuzohet se i ka dhënë tokë me dokumenta false, Arqile Bollanos, tanimë kryebashkiak i komanduar i Himarës.

SPAK bën me dije se si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, Arqile Bollano ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi në mënyrë të paligjshme, pasi hetimi ka provuar se shtetasi ai është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për Jorgo Goron i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Po ashtu, mësohet se ditën e sotme, më datë 04.07.2024, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit caktuar ndaj Goros.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguar për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.

Nisur sa më sipër, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim J. G. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Himarë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 67 datë 03.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në datën 04.07.2024, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit J.G.

Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës penale.

Si i përlau fondet e BE-së restoranti në pronësi të kompanisë së themeluar nga bashkëshortja e Ilir Beqajt! Investigimi i BIRN: U ngrit skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive

Ministri i shendetesise, Ilir Beqaj, gjate nje seance parlamentare, ku eshte ku eshte diskutuar per dy nismat ligjore te propozuara nga Partia Demokratike per amendamentet per ndryshimin e ligjit te dekriminalizimit dhe te ligjit per funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. /r/n/r/nHealth Minister Ilir Beqaj, during a parliamentary session.
Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

 

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.

I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.

Restoranti frekuentohet nga njerëzit më të pushtetshëm në kryeqytet, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, si dhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian – përfshirë ish-ambasadorin Luigi Soreca dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Megjithatë, prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.

Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.

Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.

Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre.

“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.

Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë dhe konfirmoi se veprimet hetimore lidheshin me rolin e ish-ministrit si drejtues i SASPAC.

Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Kurtulaj nuk ishte i arritshëm për koment.

Interesa pasurore të fshehura

Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.

Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura.  Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.

Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga Prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në këto përgjigjime, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për te komunikuar me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj në mënyrë që të lidhet me administratorin e restorantit, Gazmend Prenga.

Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.

Po ashtu, rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme një automjet luksoz të modelit Audi A8, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.

Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba, prokuroria vëren se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, nga të cilat e fundit rezulton të jetë marrë me 12 dhjetor në momentin kur mjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj dhe është parkuar përpara SPAK. Ish-ministri paraqitet çdo javë në Prokurori për shak të masës detyrim paraqitje si pjesë e hetimit të sterilizimit.

I pyetur për Ermal Kurtualajn, ish- ministri deklaroi të premten se e njeh prej shumë vitesh dhe prej punës në SASPAC.

“Ermal Kurtulajn e njoh prej 15 vitesh,” tha ai.  “Që nga maji i 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej edhe nga SASPAC-u,” shtoi Beqaj.

Nga përgjimi i komunikimeve të kryera nga Prokuroria ka rezultuar se Ermal Kurtulaj rezulton i përfshirë në punët e restorantit Gzona. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit të restorantit, Gazmend Prenga dhe në ditët e fundit të dhjetorit, ka disa komunikime ndërmjet tyre në lidhje me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit dhe me faturat e lëshuara për atë.

“Nga komunikimet e kryera dyshohet se personi nën hetim, Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj, dyshime të cilat ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi (Ilir Beqaj) si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj,” shprehet prokurorja Elida Kaçkini në kërkesën “Për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve” drejtuar Gjykatës së Posaçme.

Në dalje nga SPAK të premten, Ilir Beqaj mohoi të kishte akoma interesa financiare mbi restorantin.

“Lokali Gzona nga shkurti i vitit 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare me familjen time,” tha ai. “Bashkëshortja ime është larguar para 4 vitesh dhe nga e gjithë puna, ka marrë 1.5 milionë lekë të vjetra,” shtoi Beqaj.

Gzona me fondet e BE-së

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, u themelua nga Këshilli i Ministrave në tetor të vitit 2021, ndërsa kryeministri Edi Rama emëroi në krye të Agjencisë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Roli i kësaj agjencie është që të koordinojë veprimtarinë dhe programet kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, si dhe të monitorojë zbatimin e tyre. Një ndër programet që SASPAC menaxhon dhe monitoron është programi ‘USAIR Facility Point’, i cili është një projekt strategjik i 9 (nëntë) partnerëve në tetë vende, me qëllim mbështetjen e proceseve të zbatuara në kuadër të bashkëpunimit makro -rajonal të rajonit Adriatiko-Jonian.

Koordinator i këtij projekti është emëruar shtetasi Ermal Kurtulaj, i cili konsiderohet si lehtësues që mbështet Koordinatorin Shtetëror të SASPAC, Ilir Beqaj në përmbushjen e detyrave të tij.

Sipas SPAK, rreth orës 4 pasdreke më 16 gusht 2023, shoqëria tregtare ‘Landways International’ ka lëshuar një faturë me përshkrimin ; kontratë shërbimi’ dhe vlerë 149,809.21 euro kundrejt programit EUSAIR të drejtuar nga Kurtulaj. Disa minuta përpara, restoranti Gzona i ka lëshuar kësaj kompani një faturë me vlerë 4,18 milionë lekë dhe përshkrim shërbime kateringu.

Fakti që faturat janë lëshuar pak minuta pas njëra-tjetrës, krijon dyshimin e arsyeshëm “që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare Landëays ka paguar ndaj Gzonës, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eussair-i.”

Prokuroria ngre pikëpyetje se një rast i ngjashëm i restorantit është regjistruar me shoqatën ‘Foreign Investors Association of Albania’ (FIAA). Sipas faturave rezulton projekti Eusair ka lëshuar faturë shitje ndaj FIAA me 17 gusht 2023, ora 15:40:55, në vlerën 22,000 Euro dhe kjo shoqatë ka lëshuar 25 minuta më vonë, faturën me vlerë 350,000 lekë kundrejt restorantit “Gzona”.

Për të transferuar fondet e projektit USAIR drejt restorantit ‘Gzona’ duke humbur gjurmët janë përdorur dhe fatura të lëshura nga biznese të tjera kulinare. Nisur nga komunikimi i përgjuar me 11 nëntor midis Ermal Kurtulajt dhe administratorit të restorantit Me’NAM diskutohet transferimin i një vlere prej 325 mijë lekësh nëpërmjet faturave fiktive.

“Këto fatura… i përkasin restorantit “Gzona” dhe këto veprime janë kryer për qëllime që të fshihet lidhja me Gzonës dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë drejtori i SASPAC-ut që monitoron këto projekte,” thekson prokuroria.

Fatura fiktive dhe konflikt interesi

Sipas Prokurorisë së Posaçme, koordinatori i ‘USAIR Facility Point’, Ermal Kurtulaj dyshohet si personi kyç në skemën korruptive për keqpërdorimin e fondeve të BE-së nëpërmjet faturave fiktive. Sipas SPAK, ai është përfshirë në veprime korruptive nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare dhe OJF, duke vendosur vlera fiktive në faturime me qëllim përftimin personal.

Nga përgjimet telefonike, Prokuroria shprehet se Kurtalaj ka kërkuar dhe siguruar dy fatura fiktive me vlerë 51,800 euro edhe nga shoqëria “Nine Services Int”, që ka si objekt të aktivitetit të saj “Shërbime dhe konsulencë në aktivitete sportive” – në veçanti në sportin e futbollit.

Kurtulaj është përgjuar duke kërkuar dhe siguruar fatura fiktive nga disa shoqëri tregtare në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë si dhe fatura konsulence nga persona fizikë me vlerë dhjetra mijëra euro. Në një rast, Kurtulaj është vëzhguar nga prokuroria duke marrë atë që në dukje kuptohet si ryshfet nga administratorja e një prej bizneseve që lëshonte fatura fiktive.

Sipas Prokurorisë, nga të dhënat e administruara deri në këtë fazë të procedimit, shtetasi Ermal Kurtulaj rezulton se përfshihet edhe veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kryejnë po ashtu veprime me të njëjtën natyrë, ku në të paktën një rast rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar si qira salle dhe shërbim kateringu.

Përveç këtij fakti, rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, të cilat kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi. Mira Topçiu nuk ishte e arritshme për koment. Mira Topçiu nuk ishte e arritshme për koment. /BIRN

“Bashkia Krujë hedh mbeturinat në zonë të banuar”, Merita Bakiu: Është gjendje alarmante, qeveria të ndërhyjë

Në një kohë kur qeveria mburret me turizmin, Kruja mbytet nga plehrat në kulmin e sezonit turistik. Deputetja, Merita Bakiu, ka ngritur shqetësimin se në bashkinë Krujë, hidhen mbeturinat në një zonë të banuar duke u kthyer në një shqetësim serioz për ata që jetojnë aty. Përpos kësaj, Bakiu shprehet se aty pranë ndodhet dhe një liqen i cili ndotet nga pirgu i mbeturinave.

Ajo gjithashtu i bën thirrje qeverisë që të marrë masa të menjëhershme dhe të largohet kjo pikë grumbullimi mbetjesh pasi aty jetojnë qytetarë që kanë familjet dhe fëmijët e tyre.

“Jam këtu për një problematikë tepër shqetësuese të Bashkisë Krujë. Besoj që pamjet nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Është pika e grumbullimit të plehrave të zonës së Krujës dhe të zonës së Fushë Krujës. Shikojeni se në cfarë situatëe ndodhemi këtu. Me taksat e njerëzve që banojnë në këto zona, mbahen inceneratorët që i trumbeton qeveria me të madhe. Poshtë kësaj zone, banojnë me qindra qytetarë që kanë familjet dhe fëmijët e tyre. Por mbi të gjitha kjo pikë grumbullimi është ngjitur me një liqen, imagjinojeni se çfarë do të thotë që të kemi ndotje jo vetëm të ajrit por edhe ndotjen e ujërave. Është gjendje alarmante, prandaj kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme nga ana e qeverisë për të sistemuar grumbullimin e këtyre mbetjeve në Bashkinë Krujë. Shqetësimi i njerëzve ka kohë që ka qenë për këtë problem dhe ato sot vazhdojnë me insistim ku kërkojnë që të largohet sa më parë kjo pikë grumbullimi nga zona e banuar” – shprehet deputetja Merita Bakiu.

Arrestimi i Beqajt, REL: Hetimet e SPAK për korrupsion nga ish-ministri në agjencinë që koordinonte ndihmat e huaja

Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e së enjtes, njoftoi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). “Arrestimi i Ilir Beqajt është kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK-u nuk dha hollësi të tjera për këtë rast, as për çfarë akuzash u arrestua ai. Por, mësohet se arrestimi i tij lidhet me hetimet që prokurorët janë duke i kryer për një rast të dyshuar për korrupsion kur Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Kjo agjenci u krijua në tetor të vitit 2021 me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kishte si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore.

Ndër përgjegjësitë e kësaj agjencie, ishte dhe mbështetja e Ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe t’i mbështeste misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj. Përveç Beqajt, u arrestuan edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie.

Ndërkohë, Ilir Beqja është duke u hetuar edhe një rast tjetër të ndarë, i cili lidhet me dyshimet për abuzime në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Prokuroria e akuzon atë për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me një kontratë 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Vitin e kaluar, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” në polici, si dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Hetimet për këtë çështje u mbyllën më 18 mars të këtij viti dhe u ngrit aktakuzë ndaj tetë personave të tjerë, përfshirë edhe ndaj zëvendësministrit, Klodian Rjepaj, dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Këta dy të fundit ndodhen në paraburgim. SPAK-u i akuzon ata për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj./REL