25.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

DEKLARATË E HARKUT OPOZITAR EUROATLANTIK

Tiranë, 4 korrik 2024

Tryeza e dialogut të Harkut Opozitar Euroatlantik me pjesëmarrjen e 24 partive politike opozitare parlamentare dhe jo-parlamentare;

Të shqetësuar për mos avancimin e procesit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që kanë mbetur rreth 10 muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025-ës,
Nisur nga nevoja dhe kërkesa e mbarë qytetarëve për t’u mundësuar shqiptarëve të zgjedhin me votën e tyre përfaqësuesit në parlamentin e ardhshëm,

Të detyruar nga Kushtetuta dhe nga Gjykata Kushtetuese për t’u mundësuar shqiptarëve jashtë vendit të drejtën e votës,

Kërkohet që me urgjencë dhe pa humbur kohë:

1. Të hartohet dhe miratohet një paketë e plotë reformash ligjore e institucionale për të korrigjuar ndërhyrjet e rënda të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, të cilat i mohuan të drejtën shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.

Për të realizuar këtë mision për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, janë emergjencë kombëtare:

– Vota e lirë, barazia e saj sipas Kushtetutës së Shqipërisë;

– Listat e hapura;

– Shqipëria një zonë zgjedhore;

– Mundësimi i votimit të diasporës;

– Votimi dhe numërimi elektronik;

2. Nëpërmjet Reformës Zgjedhore duhet synuar që të rregullohet përfaqësimi dinjitoz i qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në meritokraci dhe intergritetin e figurës, në mënyrë që ky përfaqësim të kontribuojë në ndërtimin dhe përmirësimin e shtetit shqiptar.

3. Shqipëria, si një vend që synon anëtarësimin në BE, duhet fillimisht të garantojë standartet demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët dhe jo krimi e korrupsioni dhe oligarkët të vendosin rezultatin e zgjedhjeve.

4. Mbështesim dhe inkurajojmë organet e drejtësisë të hetojnë dhe çojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar më votën e shqiptarëve, për t’i dhënë fund krimit zgjedhor, shitblerjes së votës, përdorimit të fondeve e aseteve publike në zgjedhje dhe përfshirjes se krimit të organizuar në deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Barazia para ligjit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe demokracia funksionale janë parakushte për zhvillimin e vendit dhe integrimin e plotë në BE, si aspirata më e lartë e qytetarëve shqiptarë.

Avokatja kërkoi praninë e Belerit, KQZ shtyn vendimin për mandatin e tij! Ja kur do të zhvillohet

QZ ka shtyrë vendimin për mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri i dënuar me 2 vite burg për blerje votash.

Seanca do të zhvillohet ditën e nesërme (5 Korrik) në orën 10:30 për të mundësuar edhe pjesëmarrjen e Fredi Belerit në procesin administrativ ndaj tij.

Nuk dihet nëse Fredi Beleri do të paraqitet fizikisht në seancë apo përmed një platforme komunikimi elektronike nga ambuentet e burgut të Fierit, ku po vuan edhe dënimin.

Ilir Celibashi: Çështja është si do ta realizojmë nga pikëpamja teknike. Ndoshta mund ta organizojmë, nuk e di se kur, por ndoshta që të mos të duhet të vijë nga vendi i vuajtjes së dënimit të paraqitet fizikisht mund ta organizojmë edhe me një platformë komunikimi elektronike.

Avokatja: Për procedurën është drejta juaj ta vendosi. Sa i takon afatit të shtyrjes ditën e sotme është e pamundur për tu zhvilluar. Duhet të lini një datë tjetër ose të urdhërohet shoqërimi i tij dhe të vijë fizikisht në seancë, ose ti krijohen kushtet në IEPV ku ndodhet. Por ditën e sotme kemi edhe angazhime të tjera dhe e kemi të pamundur për ta zhvilluar ditën e sotme.

Ilir Celibashi: Atëherë për sot e mbyllim dhe seancën do ta lëmë për ditën e nesërme ora 10:30.

Do të shikojmë se si do ta zhvillim çështjen e pranisë së Belerit apo për të mundësuar kërkesën e tij për të prezantuar ai personalisht pretendimet e veta në lidhje me çështjen.

U arrestua bashkë me Ilir Beqajn, kush është financieri Ermal Kurtulaj? Lidhja mes tyre dhe përgjimet që fundosën ish-ministrin e Shëndetësisë për fondet SASPAC

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është arrestuar sot me urdhër të SPAK lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC. Bashkë me Beqajn, në pranga kanë rënë dhe të tjerë, mes tyre dhe Ermal Kurtulaj.

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Ermal Kurtulaj është financieri i zotit Beqaj, i cili po ashtu ka firmosur shumë dokumente në emër të Beqajt

 “Ermal Kurtulaj, financieri i zotit Beqaj. Ai përdoret dhe automjetin e zotit Kurtulaj për t’u paraqitur në SPAK. Kurtulaj është personi që ka firmosur shumë dokumente në emër të Beqajt. Ndërkohë që nuk dihet ende identiteti i personit”, raporton gazetarja Klodiana Lala.

 

Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn?

“Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+.

Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.

Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.

Përgjimet mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen hetimore, ku tregohet me detaje sesi hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e bizneseve, ndërsa theksohet se ka qenë një gjobë makinë që ka “fundosur” ish ministrin e Shëndetësisë.

Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn? Dhe pse SPAK, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se Kurtulaj është një prestanome i Beqaj në aktivitetet që ky i fundit ka në fushën e biznesit. Por, për të shkuar te kjo lidhje midis të dyve, pra drejtuesit të SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit të tij brenda kësaj agjencie, në këtë rast Kurtulajt, SPAK i është dashur fillimisht të ndjekë makinën me të cilën ish-ministri i Shëndetësisë lëvizte së fundmi.

Automjet me të cilin Beqaj ishte paraqitur edhe në SPAK, edhe gjatë thirrjeve të tij, për t’u marrë në pyetje në lidhje me dy aferat ku mendohet se është përfshirë, atë të Sterilizimit dhe të Check Up-it. Nuhatje që mesa duket nuk doli edhe aq gabuar për hetuesit e SPAK. Të cilët shpejt kuptuan se pas makinës me të cilën Beqaj lëvizte, rrotulloheshin shumë interesa, të cilat ai vetë ishte përpjekur t’i mbante jashtë vëmendjes së ligjit. Siç ishte edhe fakti që makina në të vërtetë ishte në pronësi të Ermal Kurtulaj, njeriut të besuar të Ilir Beqaj, të cilin ky i fundit e përdorte si koperturë në aktivitetet e tij, më qëllim për të fshehur burimet e paligjshme të të ardhurave, që më pas ishin investuar në biznese të ndryshme.

“Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+. Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.  Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, automjeti me të cilin Beqaj është parë të lëvizë së fundmi, është blerë në shtator të vitit 2019, në kohën që ai vetë ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Automjet me të cilin Beqaj është parë shpesh të lëvizë edhe përgjatë vitit 2020, jashtë territorit të Shqipërisë, që në vazhdim ka ndryshuar targë, konkretisht më qershor të vitit 2022. Por ajo që do ta çonte SPAK drejt një investigimi më të hollësishëm, drejt këtij automjeti, që do të zbulonte më pas edhe marrëdhënien klienteliste që Ilir Beqaj kishte me Ermal Kurtulaj dhe do të nxirrte zbuluar bizneset që fshiheshin në emrin e të dyve, do të ishte pikërisht një gjobë. Këtë gjobë të cilën drejtuesi i automjetit me të cilin Beqaj lëvizte, e mori pikërisht për parkim të gabuar, në kohën që ish-ministri i Shëndetësisë ishte thirrur për t’u pyetur në SPAK, dhe pikërisht përpara kësaj godine dhe syve të vetë hetuesve, por edhe të medias së pranishme në atë moment, që dokumentuan ngjarjen. Pikërisht kjo makinë ‘Wolkswagen’ që shikoni edhe në foto. Që u bë pikënisja e një hetimi të ri, që dyshohet se mund të jetë një prej pasurive të shumta të fshehura nga ish-ministri Beqaj, që mund ta fundosë edhe njëherë atë vetë.

“Nga kqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani. Gjoba e fundit është vendosur më datë 12 Dhjetor 2023, në momentin kur automjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj, dhe ishte parkuar para SPAK”, thuhet në dosje.

Pikërisht ndjekja e makinës dhe e aktivitetit të shoferit personal të Beqaj, çuan hetuesit edhe te disa nga bizneset, kryesisht në fushën e gastronomisë, të cilët më pas rezultuan se kishin krijuar fatura fiktive për llogari të SASPAC.

Një nga këto emra ishte edhe Gazmend Haxhia, në dukje administrator i shoqërisë ‘Landways International’, i cili del se ka lëshuar një faturë fiktive prej 149 mijë euro kundrejt Eusair, ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj. Por që SPAK beson se në të vërtetë administrator i kësaj shoqërie është Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj.

“Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt EUSAIR është lëshuar për shoqërinë tregtare, ‘Landways International’, me përshkrimin “Service contract-organization of the’ fatura 149 809 21 Euro.  Kjo shoqëri ka administrator shtetasin Gazmend Haxhia”, sqaron dosja.

Një tjetër shoqëri që del se ka lëshuar fatura fiktive është edhe ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ që ka në pronësinë e saj edhe restorantin ‘Gzona’ dhe që ndodhet në ambientet e brendshme të Kalasë së Tiranës. “Lidhur mbi faturën e datës 16 Gusht 2023,  rezulton të jetë lëshuar disa minuta para se të lëshohet fatura tjetër kundrejt Eusair-it. Duke u krijuar dyshimi i arsyeshëm që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare ‘Landways’ ka paguar ndaj ‘Gzonës’, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eusair-i”, thuhet më tej në dosje.

Por pavarësisht se Ermal Kurtulaj del se është personi ndërlidhës midis këtyre bizneseve apo shoqatave dhe faturave fiktive të krijuara prej tyre, të lëshuara kundrejt Eusair, ku ai është koordinator, SPAK beson se pas emrit të Kurtulaj, fshihet shefi i tij në SASPAC, Ilir Beqaj. Dhe kjo bindje forcohet gjithmonë e më shumë pas vënies në përgjim të Kurtulaj dhe njerëzve që e rrethojnë.  Ku Kurtulaj edhe pse nuk është administrator i restorantit ‘Gzona’, sillet porsi të ishte i tillë.

“Nga bisedat e përgjuara del se Ermal Kurtulaj është i përfshirë në punët e restorantit. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit, Gazmend Prenga. Në ditët e fundit midis tyre ka disa komunikime, kohë që përkon dhe me mbylljen e bilancit vjetor, me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit si dhe me faturat e lëshuara për këtë restorant. Përfshi edhe ato të lëshuara në kuadër të veprimtarisë së projektit që Kurtulaj drejton. Po ashtu nga komunikimet e kryera dyshohet se Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj”, thotë dosja.

SPAK ngre dyshime se njerëzit e Beqajt, bëjnë çdo përpjekje për të shmangur përfshirjen e drejtuesit te SASPAC…

“Këto dyshime ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi Ilir Beqaj si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj. Nga deklarimet vjetore rezulton se pas vitit 2020 shtetasi Ilir Beqaj nuk ka deklaruar interesa mbi këtë aktivitet”, vijon dosja.

Por skema e impilikimit të dyshuar të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe njerëzve të tij të afërt, qoftë edhe familjarë të ngushtë, të përfodur për fshehjen e pasurive të përfituara në mënyra të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e tij si zyrtar publik, duket të jetë edhe më e zhdërvjellët. Edhe pse shoqëritë e krijuara nga njerëzit pranë Beqaj, janë përpjekur kohë pas kohe të ndryshojnë ortakët, gjurmët e lëna në ekstraktet e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesve, të çojnë te vetë familja e Beqaj. Siç është edhe rasti i shoqërisë ‘Albanian Food and Hospitality’. Shoqëri e krijuar nga Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqaj, e cila del se ka lëshuar fatura fiktive kundrejt SASPAC, të drejtuar po nga nga Beqaj.

“Nga ekstrakti historik del se shoqëria tregtare ‘Albanian Food and Hospitality’ është themeluar në vitin 2019, ku më pas ortake ka qenë shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e shtetasit Ilir Beqaj, e cila ka patur 50 % të kuotave të shoqërisë. Më datë 1 Mars 2019, Adriana Beqaj ia ka dhuruar 35 % të kuotave të saj ortakut tjetër, Arti Malaj, i cili ka shkuar në 85 % të kuotave, ndërsa Adriana Beqaj në 15 %. Më datë 26 Shkurt 2020, Adriana Beqaj i ka shitur ortakut Arti Malaj edhe pjesën e mbetur prej 15 % të kuotës. Disa muaj më pas, më 12 Gusht 2021, Arti Malaj, ia ka shitur të gjitha kuotat shtetasit, Eduard Curraj”, sqaron dosja.

Por kërkimet e SPAK rreth këtyre personazheve nuk duket se u ndalën këtu.  Pasi nga hulumtimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, doli se Eduard Curraj, ishte edhe ortak pranë shoqërisë ‘Delta Holding’, që merret me shpërndarjen e prodhimeve farmaceutike.

“Nga kërkimi në QKB, rezulton se Eduard Curraj është ortak edhe pranë shoqërive: ‘Curri Group’ Sh.p.k, ‘Curri’ Sh.p.k; dhe ‘Delta Holding’.  Ku administrator i kësaj shoqërie rezulton të jetë Gazmend Prenga, i cili ka komunikime të shpeshta me Ermal Kurtulaj”.

Pra siç shikohet edhe në këtë kompani, dy njerëzit te të cilët rrotullohen punët janë Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prenga. Të njëjtët të cilët merren edhe me administrimin e restorantit ‘Gzona’ që del se ka lëshuar fatura fiktive për llogari të Eusair, të drejtuar nga Ermal Kurtulaj, në varësi të SASPAC, agjencisë me ekzekutues, Ilir Beqaj. Biseda që konkretizohen edhe nga përgjimet e kryera nga SPAK, midis Kurtulajt nga njëra anë dhe Prengës nga ana tjetër.

Si kjo më poshtë, ku të dy flasin për një tjetër faturë fiktive.

Përgjimet:

Kurtulaj: Gazi?

Prenga: Hë shok?

Kurtulaj: Sa është fatura e darkës së maqedonasve?

Prenga: Nuk e kam printu.

Kurtulaj: Po shkruje i çik pra, të më thuash vlerën, se nuk do e presësh ti, do e presim diku tjetër. Po thjesht sa është si vlerë?

Sa është totali që duhet të shkruaj unë te ata, kupton..

Prenga: Në rregull.

Nga verifikimet e kryera nga SPAK, rezulton se kjo bisedë dyshohet se lidhet me faturën e datës 15 Nëntor 2023 që shoqëria ‘Me’Nam’ Sh.p.k, ka lëshuar kundrejt subjektit që është pjesë e SASPAC-Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në vlerën 115 500 lekë. Ndërkohë që nga komunikimet e datave 20 Shtator 2023 deri më 10 Nëntor 2023 dhe në vazhdim kuptohet që faturat për organizimet e eventeve tek ‘Gzona’ i faturon shtetasi Fisnik Fili.

“Në të paktën dy raste Ermal Kurtulaj i referon Fisnikut që për efekt tvsh-je, do të lëshohen fatura të tjera për të: ‘Po pra, që të mos kesh probleme po i them që të të bëjnë një faturë ty, që të zbritet edhe kjo tvsh-ja. Që të jesh në rregull për të gjitha faturat, vendosi ndonjë emër konsulence.’ Nga kqyrja e faturave rezulton se: Më datë 19 Korrik 2023 shoqëria Me’Nam Sh.p.k, ka lëshuar faturë kundrejt Projektit ‘Asistenca Teknike IP II CBC’. 4 ditë më vonë, shoqëria Me’Nam sh.p.k ka lëshuar faturë, në vlerën 93 600 lek. Ndërsa në nëntor o kjo shoqëri ka lëshuar faturën e radhës”, thotë dosja.

SPAK arsyeton se faturat janë firmosur me qëllim që të fshihet lidhja mes restorant Gzonës dhe ish-ministrit Beqaj.

“Rezulton se këto fatura në fakt i përkasin restorantit ‘Gzona’ dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes ‘Gzonës’ dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë Drejtori i SASPAC që monitoron këto projekte”, vijon.

Por interesante është edhe një bisedë e përgjuar, ku tashmë një nga folësit sipas SPAK është vetë Ilir Beqaj. Komunikim i mesit të muajit dhjetor 2023. Vetëm pak kohë pasi Beqajt i ishte komunikuar nga SPAK, urdhëri për ndalimin e udhëtimit jashtë vendit. Ku Beqaj kapet në përgjim këtë herë jo duke folur me telefonin e tij, por me atë të shoferit të tij, Arben Dani.

“Gjatë hetimeve kanë rezultuar dhe biseda të shtetasit Ilir Beqaj me Ermal Kurtulaj. Komunikime të kryera nëpërmjet telefonit të shtetasit Arben Dani, shofer pranë SASPAC. Ku Beqaj i kërkon Kurtulaj që të lidhet me Gazin nëse është në Tiranë, me qëllim për t’u takuar.  Më datë 6 Dhjetor 2023 rreth orës 23.21 Ermali flet me Gazin ku i kërkon nëse e ka me vete bllokun që mban shënimet dhe ai i thotë: ‘Po është tek puna’. Ku nga biseda kuptohet që bëjnë llogari në lidhje me paratë që janë investuar nga ana e Ermalit dhe jo vetëm.  Fakti që referimi bëhet në numrin shumës ngrihen dyshime dhe për interesa të shtetasit Ilir Beqaj në atë restorant”, sqarojnë hetuesit.

Dyshimet shtohen edhe me shumë, pas përgjimit të një bisede mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulaj, ku Beqaj ka përdorur telefonin e shoferit të tij.

Përgjimet:

Beqaj: Ti e di ça kërkohet pse ia fut kot?

Ermali: Po mir okej.

Beqaj: Tabelën e kemi likuidim, si quhet aneksi 8, ku e di unë tashi. I thuj nëqoftëse mundet nga ora 4 e mbrapa kur të dojë. Gazin, pra Gazin po të them.

Ermali: Mirë atëherë, okej në rregull pra.

Por SPAK ka dyshime të forta se Ilir Beqaj, duke shfytëzuar pozicionin e tij të dikurshëm si ministër i Shëndetësisë, ka lidhje dhe kontroll edhe në kompaninë farmaceutike ‘Delta Pharma’. Dyshime që lidhen edhe me vetë personazhet që rrotullohen rreth tij. Arsye për të cilën kjo kompani u bë pjesë e një kontrolli të imtësishëm të Prokurorisë së Posaçme.

“Nga të dhënat dyshohet se Ermal Kurtulaj, i referohet ‘Dori’, shtetasit Dorian Sadiku, i cili është bashkëortak me shtetasin Eduard Curraj në shoqërinë ‘Delta Holding’ Sh.p.k, e cila në vetvete është ortake e vetme e ‘Delta Pharma- Al’ sh.p.k. Gjithashtu janë bashkë ortakë në shoqërinë ‘Curri’ Shpk. Po kështu Eduard Curraj është ortaku i vetëm që zotëron kuotat pranë ‘Gzona Restorant’ (Albanian Food and Hospitality Lab Sh.p.k). Nga kqyrja e deritanishme e pamjeve filmike rezulton se më datë 14 Dhjetor 2023 tek ‘Gzona’ shkojnë Ermal Kurtulaj dhe Dorian Sadiku.  Ky i fundit vjen me një mjet ‘Mercedez Benz’ që sipas të dhënave nga DRSSHT-ja është mjeti me të cilin shtetasi Ilir Beqaj ka dalje jashtë vendit në vitin 2022, po ashtu, nga kqyrja e sistemit C@ts të Tatimeve, rezulton se subjekti ‘Gzona’, ka deklaruar shitje për periudhën 2019-2023 ndaj subjekteve ‘Delta Pharma.al’, me një vlerë totale 10 509 308 lekë.  Këto fakte japin të dhëna për ndërveprim mes këtyre dy subjekteve i cili ka lidhje me faktet objekt procedimi”, thotë dosja.

Janë të gjithë këto prova dhe dyshime që kanë krijuar bindjen gjithmonë sipas SPAK, se pas këtyre bizneseve mund të fshihet Ilir Beqaj, i cili duke shfrytëzuar pozitat e tij shtetërore kohë pas kohe, ka bërë të mundur të krijojë dhe ti fshehë këto pasuri në emër të personave të ndryshëm, të cilët më pas drejtohen po prej tij.

“Nga komunikimet e muajit dhjetor krijohen dyshime se subjektet janë takuar për t’u marrë me rregullimet e dokumentacioneve përkatëse, bilanceve e të tjera për shkak të fundit të vitit, pasi në këtë muaj mbyllet lëshimi i faturave përkatëse dhe bëhen llogaritë në lidhje jo vetëm me biznesin ‘Gzona’, e cila ka për ortak të vetëm shtetasin Eduart Curri.  Por nisur edhe nga fakti që takimi është kryer me shtetasin Dorian Sadiku, bashkëpronar me shtetasin Eduart Curri në shumë subjekte të tjera, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe më pas deputet”.

SPAK është duke hetuar lidhjen mes Ilir Beqajt me pronarët e kompanisë farmaceutike Delta Pharma, ndërsa po kalon në sitë të gjitha kontratat që janë nënshkruar mes palëve në kohë kur Ilir Beqaj ishte ministër Shëndetësie. Po ashtu, ka dyshime të forta se Ilir Beqajt, ka favorizuar kompaninë Delta Pharma gjatë kohës që drejtonte Shëndetësinë. Por a do jetë ky hetim që do të krijojë edhe njëherë një tjetër ciklon rreth ish-ministrit Ilir Beqaj.  Apo edhe ky hetim do të zvarritet ashtu si në rastin e dosjeve ende të pambyllura të Sterilizimit dhe Check Up-it. A do të mundet SPAK, që me provat e mbledhura, të vendosë me shpatulla pas muri, ish-ministrin, që vazhdon të jetë i lirë.

Dosja Hetimore

Personi nën hetim Ermal Kurtulaj, është i punësuar si koordinator i projektit Eusair Facility Point dhe dyshohet se gjatë veprimtarisë së tij si koordinator i këtij projekti ka kryer veprime të kundërligjshme si më poshtë:

Nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre.

Duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit.

Por si arrinte Ermal Kurtulaj të krijonte fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC, si shpenzime?

Cilat ishin bizneset me të cilët ai bashkëpunonte dhe u kërkonte këto ndere dhe në bazë të cilit favor, këto biznese apo OJF krijonin të tilla fatura pa u trembur se një ditë do të ndëshkoheshin nga kontrollet tatimore?

Se si funksiononte kjo skemë mjafton të shikojmë mënyrën se si Kurtulaj ua kërkonte këto fatura bizneseve, që në fakt duket se ishin pjesë e tarafit të tyre ose më ngushtësisht ishin vetë bizneset që ata kishin në administrim, por duke i fshehur në emra të tjerë, të cilët thjesht sa u shërbenin qëllimeve të tyre.

Këto biseda janë përgjuar edhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe që përkojnë me periudhën nga muaji gusht 2023 dhe më pas, pikërisht koha kur eprori i tij në SASPAC Ilir Beqaj, e kishte punën pisk me drejtësinë dhe ishte ndërkohë në hetim për dy afera të tjera të dyshuara korruptive.

Dosja Hetimore

Më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer.

Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt.

‘Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them’

Nga kjo pjesë bisedë krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive, me qëllim për të justifikuar shpenzimin e shumës në faturë, pra 35 200 Euro.’

Por kjo mesa duket nuk ka qenë fatura e vetme fiktive që Ermal Kurtulaj është përpjekur dhe ka mundur të prodhojë në muajin gusht, pasi nga kërkimet e kryera nga SPAK, pranë regjistrit të Tatimeve, rezulton se po në këtë muaj, kundrejt operatorit EusAir Facility Point, janë lëshuar edhe 8 fatura të tilla të ngjashme.

Këtë herë nga kompania ‘Nine Services Int’. me shuma që vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.

Dosja Hetimore

Më datë 18 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Nine Services INT’ shpk me përshkrimin ‘Konsulence bazuar në kontratë’, në shumën 35 200 Euro.

Shoqëri që si objekt të aktivitetit të saj ka ‘Shërbime dhe konsulentë në aktivitete sportive në veçanti në sportin e futbollit etj’.

Faturë pa TVSH, e cila lidhet me bisedën që Ermal Kurtulaj ka zhvilluar me Genci Shurdhon më datë 2 Gusht 2023, por duke qenë se ky shtetas nuk ka mundur ta lëshojë këtë faturë, Kurtulaj e ka siguruar këtë faturë nëpërmjet shtetasit Elton Marini.

Sipas hulumtimeve të kryera në vazhdim nga SPAK, dhe bisedave që Kurtulaj dhe Marini kanë kryer me njëri-tjetrin, dyshohet se për këtë qëllim ata janë takuar me njëri-tjetrin.

Madje Kurtulaj i kërkon Marinit edhe vulën e biznesit së tij, duke krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një afrimitet midis të dyve, në raportin e besueshmërisë.

Dosja Hetimore

Në bisedat e mëvonshme të muajve gusht-shtator 2023, Ermali i kërkon Elton Marinit vulën dhe po ashtu i thotë se i duhej një firmë tjetër.

Nisur nga përmbajtja e bisedës ka të dhëna se ata takohen me njëri tjetrin.

Por këto mesa duket nuk janë të vetmet marrëveshje që Kurtulaj dhe Marini kanë bërë me njëri-tjetrin.

Siç del edhe në komunikimet në vazhdim, Kurtulaj i kërkon atij edhe të tjera fatura fiktive, të cilat mesa duket Marini, ia konkretizon.

Dosja Hetimore

Më datë 20 Nëntor 2023, kjo faturë është lëshuar përsëri nga shitësi ‘NINE Services’ kundrejt SASPAC, me të njëjtën vlerë, me përshkrimin ‘Organizim eventi Adrion në Durrës datë 14 Shtator 2023’.

Faturë e cila ka statusin ‘pranuar’.

Në vijim Ermali i komunikon Marinit se ka bërë dhe një version shqip dhe i duhej dhe njëherë vula dhe firma.

Megjithatë ‘Nine Services Int’ nuk është e vetmja kompani që ka lëshuar fatura fiktive me kërkesë të Ermal Kurtulaj.

Siç shikohet edhe më poshtë, në këtë valle janë futur kompani të tjera. Një ndër këto kompani, e përfshirë në këtë aferë, është edhe Screen AD.

Dosja Hetimore

Ermal Kurtulaj komunikon në telefon me një numër që në trueCaller, rezulton se punon pranë subjektit SCREEN AD sh.p.k.

Gjatë kësaj bisede Ermali i kërkon asaj lëshimin e një fature duke i dhënë dhe përshkrimin përkatës.

Kjo faturë rezulton të jetë lëshuar nga shoqëria ‘Niki Konstruksion @ Solar’ në vlerën 441 168 lekë kundrejt shoqërisë ‘Nine Services sh.p.k’, me përshkrimin ‘Event për Adrion Programe’.

Nga verifikimet mbi shoqërinë Screen AD, rezulton se kjo shoqëri ka realizuar shitjen kundrejt SASPAC sipas faturës datë 23 Tetor 2023, me vlerë 2 500 Euro, përshkrimi ‘Organizim Eventi Adrion Dhërmi 1 Shtator 2023’.

Megjithatë edhe në këtë rast ashtu si edhe në të ngjashmit e tjerë, Screen Ad, rezulton pas verifikimeve të SPAK, se nuk ka organizuar ndonjë event me titullin që ka emërtuar në faturën e lëshuar për SASPAC.

Madje këtë linjë kanë mbajtur edhe subjekte të tjerë, që tashmë janë në sitën e Prokurorisë së Posaçme, për të parë se si kanë mundur të lëshojnë fatura të tilla dhe mbi bazën e kujt interesi kanë ndërmarrë veprime të tilla, ku në një rast konkret, Ermal Kurtulaj e mëson njërin prej tyre edhe si ta mbushë faturën.

Dosja Hetimore

Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Bledar Leka’, me përshkrimin ‘Konsulencë”.

Nga biseda Kurtulaj i kërkon Lekës që të bëjë ‘një çik sot atë faturën’.

Ai i thotë në bisedë se ‘do ta çoj niptin, se ça përshkrimesh, si do e shkruajmë etj.’.

Duke krijuar kështu dyshimet mbi lëshimin e një fature fiktive për punime/shërbime të pakryera.

Po kështu, në një tjetër bisedë, Ermal Kurtulaj e pyet Bledar Lekën: ‘Atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20, e bën dot ti apo jo?….

Ndërsa në një bisedë tjetër e pyet: ‘Ke hapësirë për 900 Euro shërbim konsulence pagesë KESH’.

Në lidhje me këto veprime financiare, Ermal Kurtulaj nuk kishte si të vepronte i vetëm brenda SASPAC, pavarësisht se jashtë ai mund t’i kishte rregulluar me të tijët punët.

Sipas SPAK, një nga bashkëpunëtoret e tij të ngushtë brenda agjencisë, në këtë aferë, del të jetë edhe Mira Topçiu, njeriu që ekzekuton të gjithë urdhrat financiarë brenda agjencisë.

Dosja Hetimore

Ermal Kurtulaj, rezulton se përfshihet edhe në veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC.

Në bashkëpunim me njëri tjetrin, rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar, ‘qira salle dhe shërbim kateringu’.

Po kështu rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, dhe kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi, ku Mira Topçiu ushtron veprimtarinë si person fizik, me fushë ‘Konsulencë për biznesin dhe financiare, inovacion etj.’

Megjithatë në kundërshtim të plotë me funksionin që mban, financierja e SASPAC, Mira Topçiu del se ka krijuar fatura fiktive, duke bashkëpunuar me shoqatën ‘Good Health’, e cila në fakt nuk është e askujt tjetër, përveçse e Ermal Kurtulaj, drejtuesit të saj në Agjenci, duke shkelur hapur kështu konfliktin e interesit.

Dosja Hetimore

Nga këqyrja në sistemin e Tatimeve-Fiskalizimi, Mira Topçiu, ka lëshuar faturat kundrejt shoqatës ‘GoodHealth:

Datë 12 Dhjetor 2023, në vlerën 5 000 euro si edhe më datë 9 Nëntor 2023, në vlerën 5 500 euro.

‘Good Health’ që drejtohet nga Ermal Kurtulaj ku rezulton se është i punësuar dhe vëllai i tij Sabian Kurtulaj.

Megjithatë lista e subjekteve të përfshira në këtë skemë, ku strumbullari del të jetë Ermal Kurtulaj, duket shumë më e gjatë.

Sërish një rol jo pak të rëndësishëm ka financierja e SASPAC, Mira Topçiu, e cila del se mban kontakte të vazhdueshme me biznese kryesisht në fushën gastronomike, që po kaq çuditërisht pranojnë të futen në këtë aferë.

Dosja Hetimore

Nga komunikimet që kryhen ndërmjet Mira Topçiut, Bjona Ziaj, Dhurata Thanasit dhe Ermal Kurtulaj ata kërkojnë sigurimin e faturave me qëllim përfitimin e shumave nga këto subjekte.

Më datë 1 Nëntor 2023, Mira Topçiu komunikon me Bjona Ziun së cilës i kërkon të lëshojë një faturë, për një event:

‘Nga personi jot fizik, më duhet për çështje pune se s’po dimë se si do e rregullojmë nga që do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Më duhet një person që të më lëshojë një faturë’.

Fatura të ngjashme fiktive lëshohen në emër të SASPAC, edhe për shërbime gastronomike siç është rasti i restorantit ‘Luga e Artë’.

Rezulton se ky restorant ka lëshuar disa fatura fiktive në emër të agjencisë që në këtë kohë drejtohej nga Ilir Beqaj.

Kjo skemë mesa duket funksiononte duke i kaluar fillimisht paratë në llogarinë e subjektit që lëshon faturën fiktive dhe më tej pasi paratë tërhiqeshin nga llogaria, ato ndaheshin sipas marrëveshjes së rënë dakord më herët.

Dosja Hetimore

Subjekti tregtar ‘Dhurata Thanasi’, më datë 14 Nëntor 2023, ka lëshuar faturën me përshkrimin ‘Shërbim Kateringu’, në vlerën 259 000 lekë.

Po në këtë datë Ermal Kurtulaj ka komunikuar me shtetasen Dhurata Thanasi Luga, ku nga biseda i kërkon kësaj të fundit që të futet në aplikacionin BKT Smart dhe t’ia çojë në WhatsApp të dhënat e llogarisë ku do të bëhet trasnferta.

Më datë 30 Nëntor 2023, Ermali komunikon me Dhuratën dhe duke qenë se paratë i kanë kaluar në llogari i kërkon asaj të takohen.

Më datë 1 Dhjetor 2023, në bazë të pamjeve filmike në një lokal në rrugën e “Kosovarëve”, është evidentuar se Ermal Kurtulaj ka mbërritur aty më datë 30 Nëntor në orën 12:27.

Ai shfaqet teksa merr nga Dhurata Thanasi një send në dukje si letër apo para, të cilat më pas i fut në xhepin e majtë të pantallonave.

Ky takim dhe shkëmbim në dukje parash, u ballafaqua nga SPAK, edhe me tërheqjen e shumës nga Dhurata Thanasi

Kjo u vërtetua edhe nga kthimpërgjigja e bankës në të cilën fillimisht u bë transferta dhe më pas u tërhoq vlefta e parave, në të njëjtën ditë kur u zhvillua edhe takimi midis Ermal Kurtulaj dhe Dhurata Thanasit.

Dosja Hetimore

Me shkresën nr. 16358 prot., datë 4 Dhjetor 2023 u kërkua informacion pranë bankës BKT me qëllim verifikimin e lëvizjeve nga llogaria bankare e shtetases Dhurata Thanasi si tregtar person fizik. Nga shkresa e ardhur rezulton se subjekti ‘Dhurata Thanasi’, ka kryer tërheqje më datë 30 Nëntor 2023.

Arrestimi i Beqajt nga SPAK, ministrat dhe deputetët e PS-së ‘kyçin’ gojën

Duket se socialistët kanë kyçur gojën të pyetur nga gazetarët në lidhje me arrestimin e ish ministrit Ilir Beqaj me urdhër të SPAK.

Toni Gogu: jemi në Kuvend, ne bëjmë ligje. Komentet për arrestimet shkoni në organet ligjzbatuese.

Ulsi Manja: Nuk pyeten politikanët për çështjet e drejtësisë

Deputetët Anila Denaj dhe Pandeli Majku nuk kanë dhënë asnjë koment
“Të degjojmë drejtësinë. Kur flet drejtësia, heshtin të tjerët”, ishte i vetmi koment nga ana e Nasip Naços.

“Koka është Edi Rama”, Basha reagon pas arrestimit të Beqajt: Mbështesim SPAK. Fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Me anë të një postimi në Facebook, Basha ka përshëndetur vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferave korruptive të qeverisë Rama, arroganca dhe babëzia e së cilës nuk kursen as fondet e BE-së.

Ai më tej shpreh mbështetje për SPAK dhe e inkurajon të veprojë kundër korrupsionit në nivelet e larta, i cili është një kërcënim për integrimin e vendit në BE, mirëqenien, sigurinë tonë kombëtare, për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë.

Reagimi i Bashës:

Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit.

Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferave korruptive të qeverisë Rama, arroganca dhe babëzia e së cilës nuk kursen as fondet e BE-së.

Shpreh mbështetjen e plotë për SPAK dhe e inkurajoj të veprojë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, i cili është një kërcënim për integrimin e vendit në BE, mirëqenien, sigurinë tonë kombëtare, për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë.

Qytetarët shqiptarë presin drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë që drejtësia t’i shkojë deri në fund aferave korruptive, pasi të gjithë e dinë që peshku është qelbur nga koka. Dhe koka dihet që është Edi Rama!

Arrestohet me urdhër të SPAK ish-ministri Ilir Beqaj, në pranga dhe dy bashkëpunëtorë të tij

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka përfunduar në pranga.

Lulzim Basha uron SHBA për Ditën e Pavarësisë: Mirënjoje për ndihmën bujare për të siguruar mirëqeverisjen dhe drejtësinë që shqiptarët presin

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, ka uruar pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas tij shënoi një nga ngjarjet më domethënëse të historisë botërore, duke frymëzuar përmes vlerave të lirisë, demokracisë, të drejtave themelore, të qeverisjes për njerëzit.

Në postimin e tij në Facebook, Basha shkruan se Shqiptarët anembanë botës e kremtojnë këtë ditë historike me mirënjohje të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kombi amerikan na ka dhënë përgjatë gjithë rrugëtimit tonë plot sprova si shtet dhe si komb.

Ai më tej thotë se jemi fatlumë që i kemi pasur në krah kur ekzistenca jonë u vendos në pikëpyetje, por edhe pas daljes nga makthi i diktaturës komuniste dhe SHBA zgjati dorën për të na nxjerrë nga ai skëterr, duke na mirëpritur në bashkësinë e shteteve demokratike.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Gëzuar 4 Korrikun
Pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënon një nga ngjarjet më domethënëse të historisë botërore, duke frymëzuar përmes vlerave të lirisë, demokracisë, të drejtave themelore, të qeverisjes të njerëzve dhe për njerëzit.

Shqiptarët anembanë botës e kremtojnë këtë ditë historike me mirënjohje të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kombi amerikan na ka dhënë përgjatë gjithë rrugëtimit tonë plot sprova si shtet dhe si komb.

Jemi fatlumë që i kemi pasur në krah kur ekzistenca jonë u vendos në pikëpyetje, por edhe pas daljes nga makthi i diktaturës komuniste, kur SHBA zgjati dorën për të na nxjerrë nga ai skëterr, duke na mirëpritur në bashkësinë e shteteve demokratike.

Ishte vendosmëria e këtij kombi të madh që i dha fund masakrave mbi shqiptarët e Kosovës, i dha jetë çlrimit dhe pavarësisë së saj. E kishim në krah kur çelën dyert e NATO-s për Shqipërinë, e kemi në krah në hapat që hedhim së bashku në përballimin e sfidave të sigurisë dhe në rrugëtimin tonë drejt BE-së, me ndihmën bujare për të siguruar mirëqeverisjen dhe drejtësinë që shqiptarët presin.

Gëzuar 4 Korrikun! Zoti e bekoftë miqësinë mes dy kombeve tona

Çelet fondi arkivor i degës së Sigurimit të Naftës, Autoriteti i Dosjeve Simpozium mbi heronjtë e shkencës gjeologjike, viktima të regjimit

Me zërin e bijve të inxhinierëve të naftës, heronj të shkencës dhe viktima të regjimit komunist, AIDSSH çeli sot fondin arkivor të degës së Sigurimit Naftës dhe zhvilloi simpoziumin shkencor: “Eksplorimi dhe Zhvillimi i sektorit të naftës nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit 1944-1991”, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.

Studiues të historisë, ekonomisë dhe jurisprudencës, profesorë dhe inxhinierë të naftës, dëshmitarë të kohës, familjarë sollën fakte dhe studime që hodhën dritë mbi zhvillimit të sektorit të naftës në Shqipëri gjatë periudhës 1945 – 1991, dokumentimin e represionit të Partisë së Punës ndaj shkencës, fatin tragjik të gejologëve e shkencëtarëve si: Stanisllav Zuber, Riza Alizoti, Thoma Pojani, Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari etj. Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Një pjesë e tyre u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan dhe trupat e tyre janë ende sot të pagjetur.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha se: “ Diktatura pa dhunën, ideologjinë dhe politizimin ekstrem është e paqëndrueshme. Por dhe prodhimi, pa te drejtat njerezore te stafit teknik rezultoi po ashtu i paqendrueshëm. Nëpërmjet çeljes së arkivës dokumentare si dhe studimit të tyre nga ekspertë të historisë dhe shkencës së gjeologjisë japim sot një kontribut të pazëvendësueshëm në ndricimin e skutave të errëta të Sigurimit të Shtetit, që me hetimet, persekutimet e ekzekutimet famëkeqe turpëruan çdo ndenjë humane dhe futën në ngërç zhvillimin e sektorit të naftës në Shqipëri.”

Jovan Plaku, djali i inxhinierit të pushkatuar, Koço Plaku, ende sot i zhdukur tha se: “Sot, di të them që të gjitha këto dosje, kanë vlerë të mirëfilltë studimore, sepse ato zbulojnë jo vetëm shkallën e persekutimit, por zbulojnë në përmasë të plotë edhe djallëzinë dhe perversitetin e shërbëtorëve të regjimit në ekzekutimin e këtij persekutimi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mizoria e diktaturës si regjim, mund të tejkalohet vetëm nga një mizori tjetër, mizoria e ekzekutorëve të regjimit, çnjerëzorë pa kufij dhe të pashtershëm në ligësi.”
Agim Gjikopuli, djali i inxhinierin Milto Gjikopulli, pushkatuar, ende i pagjetur tha se: “Shteti që duhet të kërkonte ndjesën familjeve, ndaj njerëzve të shkatërruar. Duhet të ishte shteti sot që të jepte llogari se ku janë. Kemi 34 vjet bashkë me Jovanin që kemi kërkuar privatisht, jemi gjykuar që kemi kërkuar privatisht. Jemi arrestuar se kemi kërkuar eshtërtat e prindërve tanë.”

Dr. Alda Biçoku, albanologe dhe e reja e Akademik Prof. Teki Biçokut përcolli fakte historike nga puna e akademikut dhe qëndresa e tij në burgje. Ai nuk praanoi të dilte dëshmitar në gjyqin e ministrit të tij, Koço Theodhosi. E izoluan 18 muaj dhe e dënuan me 20 vjet burg. Dëshmia e saj pasuron me fakte procesin e të pagjeturve, të vdekur në burgje: “Si shkrues për drejtuesit e Burgut, T.Biçoku regjistronte edhe emrat e atyre që vdisnin dhe fsheurazi u vendoste pranë trupit një shishe të vogël me emrat e tyre brenda saj. Kufomat e të burgosurve nuk u dorëzoheshin familjeve, sepse edhe të vdekur duhej t’i plotësonin në varrezat e burgut vitet e dënimit. Statistikat e sipërpërmendura dhe emrat e të vdekurve nëpër shishe u konsideruan si veprime të palejueshme, prandaj u dërgua në një burg tjetër.”

Kujtime të dhimbshme nga fëminia e saj solli edhe Kozeta Bushati, vajza e Beqir Alisë, dënuar në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës, kriza e indetitetit dhe nevoja për të kuptuar se cili ishte faji i babait i ndryshuan asaj jetën. Po kështu edhe Nezi Alizoti, e bija e inxhinierit Riza Alizotit, dënuar me varje në vitin 1947, kujtoi sakrificat e të atit për t’i shërbyer vendit edhe pse me mundësi për vijuar karrierën në Angli ku kish kryer studimet.

Altin Hoxha, Anëtar AIDSSH në studimin e tij mbi statistikat e përndjekjes në sektorin e naftës solli fakte të panjohura më parë për publikun : “Përballja e parë e sigurimit të shtetit ishte me specialistët italianë të cilët mbetën në Shqipëri si ish punonjes të kompanive AIPA dhe AGIP qe shfrytëzonin koncesionet e naftës në Shqipëri. Më shumë se 50 specialistë italianë, të vendosur në Kucovë dhe Tiranë do të ishin në optikën e sigurimit të shtetit dhe do të përballeshin me një urejtje dhe përndjekje nga strukturat e sapodala nga lufta, që përfaqsonin sigurimin e shtetit. Një pjesë e tyre si inxhinier nafte Andrea Taraskoni dhe Mario Cetti do te ekzekutoheshin në vitin 1945, te tjere si Vicenso Andrizoni, Vitorio Profili, Aldo Cavalini, Don Plestro Scavalini, Antonio Meneguni, Nicola Achile, Otavio Benetti, Lusi Maechisio u arrestuan dhe u burgosën.

Në vitin 1946 do te denoheshin me vdekje si sabotatore dhe tregti te paligjshme Profesor Venezio Lozi dhe Salvadore Gombia, me 101 vite burgim ing Ludoviko Petrasi me 20 vjet Albero Agostinone dhe me nga 10 vjet Antonio Demarkchis dhe Vicenzo Gallo, aryeja kryesore e denimit tentuan te ktheheshin ne vendin e tyre.”
Prof. Dr. Nevton Kodhelaj, Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave foli mbi zhvillimin e Sektorit të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit në Shqipëri dhe dhunës së pushtetit mbi gjeologët.

Ilia Gjermani, përfaqësues i Minstrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës në kumetësën e tij mbi kërkimi dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri bëri një paraqitje mbi historikun e këtij aktiviteti.
Dr. Ermal Frashëri tha se : “Ky simpozium shërben si një platformë për të vijuar studimet mbi sektorin e naftës, një nga mendimet që unë do sugjeroja është avancimi i kërkimeve mbi rolin që ka patur nafta në ekonomin shqipëtare, mënyra si u formua ajo si industri sepse ka shumë për të mësuar nga kujtime të naftëtarëve të inxhinierëve , puntorëve të sektorit dhe ka plot gjëra për të avancuar lidhur me mënyrën se si është qeverisur sektori naftës mënyra se si është ngritur ai si sektor.

Gerla Kotka, nga AIDSSH në studimin e saj mbi Persekutimin dhe dënimin e dy inxhinierëve të naftës: Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit tha se : “Pavarësisht, kontributit të rëndësishëm të inxhinierëve në industrinë e naftës, ata morën dënimet më të larta dhe të padrejta nga sistemi, i cili në politikëbërjen e tij orientohej në gjetjen e armiqve në radhët e njerzëve më të përkushtuar të shkencës dhe studimit.

Jonel Hibo, AIDSSH në komutesën e tij mbi për veprimtarinë e Stanislav Zuberit, Riza Alizotit, Lipe Nashit dhe Nuredin Skraparit, parë në Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dëshmoi mbi hetuesinë e përdorur ndaj tyre.
“Gjithë kjo dramë, gjithë ky kalvar vuajtjesh të pamerituara. ky potencial njerëzor i shkuar dëm nga 1947 deri ne 1990 meriton një përmendore në Fier dhe ky është një projekt që duam ta vijojmë me Bashkinë e qytetit dhe Albeptrolin. Ndërkohë do të avancojmë më tej punën në drejtim të përmbushjes së misionit për trupat e pagjetur duke marrë vendimin për të filluar hetime administrative për trupat e inxhinierëve të zhdukur. Do bëjmë çmos të kërkohet në mënyrë intensive të mbërrihet deri tek gjetja e këtyre trupave, duke i qëndruar pranë familjarëve në të drejtën për pasur një vendprehje për njerëzit e tyre.”- tha në mbyllje të takimit kryetarja Sula.

BIRN: Pabarazia, numri i familjeve pa shtëpi është rritur me 87% në Shqipëri

Numri i familjeve që nuk kanë pronësi mbi banesën e tyre është rritur në mënyrë dramatike mes viteve 2011 dhe 2023, pavarësisht se në Shqipëri ka sot 326 mijë banesa më shumë se sa familje.

Numri i shqiptarëve që nuk kanë banesë në pronësi është rritur në mënyrë dramatike në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, tregues ky i politikave abuzive në sektorin e ndërtimit dhe i përmasave dramatike të pabarazisë.

Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se afro 132 mijë familje ose gati një në çdo gjashtë familje jeton me qira ose jeton në banesë me pronësi të tjetërkujt me marrëveshje me pronarin.

Të dhënat e Censusit 2011 tregonin se familjet e kësaj kategorie ishin gjithsej 71 mijë. Përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, numri i familjeve pa pronë është rritur me 87%.

INSTAT ka publikuar deri më sot vetëm të dhëna të përgjithshme të Censit, ku përfshihen të dhënat e popullsisë në nivel bashkie si dhe të dhënat e banesave në nivel kombëtar. Të dhënat mbi banesat në nivel qarku apo bashkie nuk janë ende të disponueshme, kështu që nuk është e mundur të dihet me siguri se në cilat zona janë banesat bosh dhe në ciliat gjenden familjet që nuk kanë banesë nën pronësi.

Nëse krahasojmë numrin e banesave bosh me numrin e familjeve pa pronësi banese, atëhere mund të themi se ka 2.5 banesa bosh për çdo familje pa banesë.

INSTAT ka numëruar gjithsej afro 1.08 milionë banesa dhe 756 mijë familje. Aritmetika e thjeshtë tregon se 327 mijë banesa ose 33% e totalit janë të pabanuara. Por llogaritë në rang kombëtar nuk janë shumë shprehëse në këtë drejtim për shkak se popullsia e Shqipërisë është zhvendosur në mënyrë masive nga fshati në qytet dhe, ndonëse në rang kombëtar ka banesa boshe me bollëk, nuk është e mundur të dihet aktualisht se sa prej këtyre janë banesa të popullsisë së zhvendosur nga fshati në qytet dhe sa janë banesa bosh në zonat urbane.

Gjithsesi, nëse shihet se të gjitha bashkitë, përfshirë Bashkinë Tiranë, kanë një shkallë emigrimi që varion nga 30% në 70%, atëherë mund të supozohet se banesa të pabanuara gjenden gjithkund në territorin e vendit, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Vetë Bashkia Tiranë, e cila ka njohur rritje të popullsisë, sërish ka një diferencë në masën 33% mes popullsisë së regjistruar në Regjistrin Civil dhe popullsisë së numëruar nga Censi.

Numri i banesave bosh ka gjasa që do të rritet në mënyrë domethënëse gjatë viteve në vijim në rast se moria e pallateve në proces aktual ndërtimi do të përfundojnë. Gjatë pesë viteve të fundit, janë dhënë leje ndërtimi për sipërfaqe të përgjithshme banimi prej 8.7 milionë metrash katrore. Bumi i ndërtimit në fakt është i përqendruar vetëm në Tiranë, ku janë dhënë pjesa më e madhe e lejeve të ndërtimit.

INSTAT pyeti të intervistuarit e Censit nëse e kishin banesën nën pronësi apo jo dhe nëse jo, me çfarë marrëveshjeje banonin. Në rang kombëtar, 82.5% e 756 mijë familjeve e kishin banesën nën pronësi. Një dekadë më parë, në Censusin e vitit 2011, familjet që e kishin banesën nën pronësi ishin 89 për qind.

Familjet që nuk e kanë nën pronësi banesën ndahen në dy kategori: në të parën janë familjet që jetojnë me qira dhe këto janë 67 mijë. Në kategorinë e dytë janë familjet që jetojnë pa qira në banesa të dhëna në përdorim nga pronarët. Këta janë 65 mijë.

Të dyja kategoritë kanë pësuar rritje dramatike në krahasim me vitin 2011.

Familje me qira në atë kohë ishin 41 mijë, ndërsa familje pa pronë dhe pa qira ishin 30 mijë.

Censi zbuloi gjithashtu se, në vitin 2023, ende 29 mijë familje nuk kanë banjë brenda banesës ndërsa 103 mijë familje nuk kanë ujë të rrjedhshëm.

Pa mjekë në fshat, pa specialistë në qytet: Shëndetësia e paralizuar në qarkun e Beratit

Nga Erjola Azizolli

Nëse një grua është shtatzanë në Skrapar dhe ka ndonjë urgjencë apo është në prag të lindjes, ajo duhet të lutet që kjo të ndodhë ato dy ditë në muaj, që mjeku obstetër-gjinekolog ndodhet në spitalin e zonës.

Në të kundërt, gruaja do duhet të udhëtojë drejt Beratit dhe të shpresojë që gjërat të shkojnë mirë. Por siç thonë drejtuesit e spitalit, prania dy herë në muaj e një mjeku obstetër-gjinekolog është një përmirësim, pasi më herët nuk kishte fare të tillë.

“Dy herë në muaj kemi shërbimin e mjekut obstetër-gjinekolog, i cili më parë mungonte totalisht, ndërsa nga sistemi kemi zgjedhur dhe mjekun pediatër që mungonte,” tha Adela Bakillari, drejtuese e spitalit të Skraparit.

Gjinekologu nuk është specialiteti i vetëm që i mungon Skraparit, ndërsa mungesa e mjekëve ka prekur thuajse të gjitha spitalet e qarkut të Beratit.

Spitali Rajonal i Beratit, më i madhi në qark, ka në total 66  mjekë, nga të cilët  58  janë mjekë  specialistë dhe 170 infermierë. Mungesa e specialistëve në spitalet e tjerë të qarkut bën që Spitali Rajonal i Beratit të mbajë gjithë peshën për sa i përket vizitave, urgjencave dhe ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ndërkohë, shërbimi shëndetësor parësor është gjithashtu në krizë nga mungesa e mjekëve dhe në shumicën e kohës, ndihma mjekësore jepet prej infermiereve, edhe këta të paktë në numër.

Në fshat s’ka më mjekë

Prania e mjekut me shërbim të kufizuar, por dhe mungesa totale e tij në fshatra, është një problem me të cilin përballen çdo ditë banorët e njësive administrative të bashkive të qarkut .

Mjekët e familjes janë të pranishëm jo më shumë se tre-katër ditë në javë dhe mungesa e tyre e bën shërbimin parësor të paaksesueshëm nga shumë banorë të fshatrave të Skraparit. Mungesë mjekësh të familjes ka dhe në fshatrat e Kuçovës.

Në fshatin Vëndreshë të Njësisë Administrative me të njëjtin emër në Bashkinë e Skraparit, mjeku i familjes mungon prej gati dy vitesh.

“Kishim një mjek të ri mjaft të mirë, por u largua dy vite më parë dhe nuk kemi më mjek familje në fshat, duhet të shkojmë deri në Bogovë për t’u vizituar,” tha për BIRN një pensionist në fshatin Vëndreshë.

Njësia Administrative Vëndreshë ka tetë fshatra dhe është një zonë me shtrirje gjeografike që ndahet nga Poliçani  dhe kufizohet me fshatrat e Përmetit. Ndonëse është prekur nga lëvizja demografike, zona gjallërohet gjatë verës me rikthimin e banorëve.

Në tetë fshatrat e kësaj Njësie Administrative jetojnë 1000 banorë, të cilët kanë dy vite që nuk kanë mjek parësor.

“Problemi i mungesës së mjekut të familjes është shqetësimi më i madh sot i banorëve”, tha për BIRN Bashkim Yzeiraj, kryetar i Njësisë Administrative Vëndreshë.

Mungesa e mjekëve ka bërë që të gjithë urgjencat në këtë zonë të përballohen nga infermierët.

“Kemi raste helmimesh apo pickime nga insektet, sepse gjithë jeta dhe puna lidhet me fshatin. Rastet trajtohen me urgjencë nga infermieret dhe më pas dërgohen drejt spitaleve të Skraparit apo Beratit,” thotë Yzeiraj.

Banorëve u është ofruar si zgjidhje që të takojnë mjekun e familjes në Bogovë, gjë e cila sipas kryetarit Yzeiraj vë në vështirësi banorët.  “Është një zonë e madhe, me shumë fshatra, ndaj shërbimet nevojiten në zonë sepse banorët kërkojnë ndihmën e mjekut në çdo kohë. Nuk mund të udhëtojnë për një vizitë deri në Bogovë,” shtoi ai.

Materniteti në spitalin Rajonal të Beratit. Foto: Eriola Azizolli.

Por edhe në Bogovën fqinje situata nuk është më e mirë.  Këtu ka një mjek, por ai ka dalë në pension prej vitesh dhe vazhdon të qëndrojë në punë me kontrata të përkohshme, edhe pse banon me familjen në Tiranë.

Bogova ka nëntë fshatra dhe mjeku parësor vjen në punë tre- katër ditë në javë dhe veç vizitave të banorëve të nëntë fshatrave ka në shërbim dhe 1 mijë banorët e Vëndershës.

“Shërbimi nga e premtja deri të hënën është i paralizuar, sepse mjeku vjen deri në katër herë në javë, sepse banon të Tiranë,” tha për BIRN Albert Bregu, kryetar i Bogovës.

Mungesa e mjekëve në këto qendra pranohet dhe nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Elbasan, OSHKSH, institucion që mbulon edhe qarkun e Beratit.

“Në Qendrat Shëndetësore, të cilat ofrojnë shërbimin shëndetësor parësor që mbulon Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Kuçovë  dhe Skrapar… ka mungesë të mjekëve, por shërbimi i popullatës me shërbim mjekësor mbulohet nga mjekët ekzistues duke e shpërndarë numrin e banorëve, ku ka mungesë të mjekut tek mjekët e tjerë të qendrës përkatëse apo të qendrës më të afërt”, tha  OSHKSH Elbasan, në një përgjigje zyrtare për BIRN.

Autoritet pretendojnë se numri i mjekëve dhe infermierëve për banorë është brenda normave të miratuara nga ministria. Megjithatë, ndërsa banorët përballen me vështirësi për të marrë shërbimin e mjekut parësor, shifrat tregojnë se në Skrapar ka shtatë  vende vakante për pozicionin e mjekut.

Në mungesë të mjekut banorët i kanë sytë tek infermierët e fshatrave, të cilët shpesh kthehen në heronj për ta.  Por edhe ky shërbim për qendrat shëndetësore të Skraparit ka mungesa në strukturë.

‘’Në qendrat shëndetësore që mbulon NJVSH Skrapar ka mungesë infermierësh, ku aktualisht janë 21 vende vakante,” tha OSHKSH Elbasan.

Edhe në qendrat shëndetësore të Kuçovës ka problematika të ngjashme, ku nga 20 mjekë në organikë janë të punësuar 13.

Mungesa e specialistëve

Largimi i mjekëve specialistë i ka kthyer spitalet bashkiake në qendra pritëse, ku ajo që mund të ofrohet është vetëm ndihma e parë. Në anën tjetër, kjo ka mbingarkuar spitalin rajonal të Beratit, i cili mban gjithë peshën për sa i përket vizitave, urgjencave dhe ndërhyrjeve kirurgjikale.

Për rrjedhojë, numri i vizitave në këtë spital është rritur në 57 mijë në vitin 2023 nga rreth 53 mijë të tilla që kryheshin në vitin 2019.

Me shërbime spitalore në 14 pavione dhe 240 shtretër, në Spitali Rajonal të Beratit janë kryer 1171 ndërhyrje kirurgjikale të ardhura nga urgjenca dhe 534 ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara gjatë vitit 2023.

Vetë spitali rajonal i Beratit ka gjithashtu mungesë të mjekëve.

“Aktualisht ka dy vende vakante për mjekë në shërbimin e urgjencës”, tha Spitali Rajonal i Beratit në një përgjigje zyrtare për BIRN.

Dhe pse nga ky qark nuk mungojnë të diplomuarit çdo vit në universitetet publike dhe jo publike të degës së mjekësisë dhe specializantët, shumë pak prej tyre kthehen për të shërbyer në këtë spital.

Kjo ka bërë që për katër specialitete të rëndësishme të vazhdohet të mbahen në punë mjekët specialistë të dalë prej vitesh në pension.

“Spitali Rajonal Berat me qëllim vazhdimin e ofrimit të shërbimit ndaj pacientëve, ka miratuar lidhjen e kontratave me afat 6 mujor me katër mjekë specialistë, siç janë pediatria, kirurgjia, anestezist-reanimator dhe obstetër-gjinekolog”, tha spitali në përgjigjen zyrtare.

Dhe pse emrat e mjekëve specialistë  vlerësohen për punën e tyre profesionale, vetë qytetarët e Beratit shprehen se ka ardhur koha që të zgjidhet kjo çështje, pasi mjekët specialistë të dalë në pension nuk mund të mbahen pa fund në shërbim.

Mimoza Bujaraj, drejtuese e organizatës “Mjedisi dhe Komuniteti në Shqipëri” me fokus mbrojtjen e komuniteteve të margjinalizuara, thotë se janë të shumtë qytetarët që ngrenë shqetësimin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

“Problematikat në sistemin spitalor në qytet na i përcjellin si për shembull pediatrinë, pasi shohim që mbahen në shërbim ende mjekë që kanë dalë në pension. Ndoshta mjekët e rinj, metodat e reja të punës do të sjellin ndryshim në shërbim për më mirë”, tha Bujaraj./ BIRN