15.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Ëndrra Le Pen e vajzës së Berishës

Nga Albi Xhunga

Ne nuk mund ta dimë me siguri se nga është frymëzuar Familja për ta bërë pronë të trashëgueshme partinë e parë opozitare shqiptare. Mirëpo zor se iu ka shpëtuar fenomeni Le Pen, i cili tregon qartë se partia si pronë personale e një njeriu dhe pastaj si një pronë e trashëgueshme, përveç shteteve totalitare, mund të funksionojë fare mirë edhe në një vend demokratik. Sot kjo parti e ekstremit të djathtë ndodhet para portave të pushtetit në shtetin i cili krijoi dhe i ktheu në institucion të drejtat e njeriut. Marshimi i pandalshëm i Tubimit Kombëtar drejt pushtetit në shtetin më të rëndësishëm të Europës (Franca është ekonomia e dytë e Europës, por është fuqi bërthamore dhe antare e përhershme e KS) do të ketë pasoja serioze për Europën, BE-në dhe veçanërisht për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, por kjo është një analizë tjetër.

Edhe Partia Demokratike, e cila lindi nga lëvizja studentore dhe nevoja për t’iu kundërvënë regjimit më të egër komunist të Europës, nga nevoja për t’iu dhënë shqiptarëve një alternativë të munguar për një gjysmë shekulli, u domestikua nga kryetari i saj, ish komunisti Sali Berisha. Ky fenomen që nisi me mocionistët, e vijoi me përjashtime, mbyllje karrierash, e deri me rrahje të kundërshtarëve të brendshëm duke përdorur grupin e gatshëm të përbërë nga elementë të krimit të organizuar, në fakt nuk ka mbaruar akoma. Ky fenomen do të mbarojë vetëm atëherë kur të jetë rrëzuar Familja, ose kur ndjekës i oborrit poshtë ballkonit të ketë mbetur vetëm Mul Noka.

Asnjëherë nuk i kam kuptuar zërat që i kanë bërë e i bëjnë thirrje Sali Berishës të tërhiqet. Njerëzit që mund të tërhiqen janë njerëz të lirë, sovranë në vendimet e tyre. Sali Berisha nuk është një i tillë. Thonë se po hëngre një lugë çorbë të prishur vjell gjithë jetën. Sali Berisha ka ngrënë tenxhere të tëra. Besoj se ka pak ligje në kodin penal shqiptar të cilat Sali Berisha nuk i ka shkelur. Mirëpo ky nuk është problemi i vërtetë. Njeriu që ka qenë dy herë president dhe dy herë kryeministër do ta kishte gjetur mënyrën të amnistonte veten duke u tërhequr. Madje besohet gjerësisht se kjo i është ofruar. Problemi i vërtetë është trashëgimia e tij biologjike. Mund të amnistosh një 80 vjeçar, por nuk mund të amnistosh të gjitha krimet e aferat korruptive të bëra gjatë mbretërimit të tij. Fjala vjen nuk mund të burgosësh ish ministrin e mbrojtjes dhe të falësh Zenin që nga korrespondenca del pronari real i Gërdecit. Nuk mund të burgosësh ndërtuesin Fatmir Bektashi dhe të falësh dhëndrin. Etj, etj, etj.
Kjo do ta diskreditonte që në embrion projektin amerikan për një reformë të vërtetë drejtësie në Shqipëri.

Sali Berisha i di të gjitha këto. Ndaj atij i mbetet vetëm një opsion. Të luftojë deri në fund, sado e pagjasë të duket suksesi i kësaj rezistence. Çfarë mund të humbë një burrë më shumë se liria e tij, dinjiteti i tij, e ardhmja e trashëgimisë së tij politike e biologjike dhe në fund edhe e pasurisë së tij? Ndaj Sali Berish është i dënuar të luftojë. Duke qenë se fuqi për luftë reale nuk ka, pasi përveç disa fanatikëve apo borxhlinjve e bashkëpunëtorëve në krim, nuk e ndjek më kush, atëherë lufta e tij është katandisur në pazar me kryeministrin, me të cilin kanë një hall të përbashkët që quhet SPAK.

Sali Berisha do ta kishte vazhduar këtë lojë sa të mundte. Por ka dy faktorë madhorë që e detyrojnë të kërkojë opsione të tjera për vazhdimësinë, sepse vazhdimësi dmth garanci për Familjen. Faktori i parë është mosha. Ai po i afrohet të tetëdhjetave dhe në këtë moshë zotërimi i të gjitha fakulteteve nuk ka asnjë garanci. Shembulli më i qartë është presidenti Biden. Faktori i dytë është pamundësia për të qenë kandidat për kryeministër për shkak se është i burgosur për korrupsion. Fabula se kryeministrin do ta vendosim pas zgjedhjeve, nuk ngjiti. Ndaj atij i duhej një opsion tjetër dhe duke mos pasur besim tek askush jashtë familjes, zgjidhja finale duket të jetë vajza e tij, Argita Malltezi Berisha. Pse vajzën dhe jo djalin mund të pyesë dikush. Përgjigjia është e thjeshtë. Djali duket se ka ca halle me SPAK dhe kjo kompromenton vazhdimësinë, i cili është dhe objektivi kryesor. Vajza nuk duket të jetë përfshirë direkt nëpër afera, të paktën deri tani.

Fakti se edhe vajza është person non gratta nuk ka pikë rëndësie. Misioni nuk është marrja e pushtetit, misioni është mbajtja peng e opozitës për të garantuar familjen.

Kjo skemë edhe mund të kishte funksionuar. Vetëm se ëndrra Le Pen e Argita Malltezi Berishës ka edhe disa probleme praktike. Marine është një përbindësh politik, e rritur nëpër beteja elektorale, ndërsa Argita i ka ndjekur betejat elektorale nga televizori. Marinë është një demagoge e fortë, ndërsa Argita ka artikulimin e grave të lagjes kur pinë kafe poshtë pallatit e flasin për politikë. Marine duhet të mbrojë vetëm populizmin e saj dhe të babait të saj, ndërsa Argita ka mision të vështirë. Asaj përveç populizmit të babait të saj, i duhet të mbrojë krimet e tij dhe korrupsionin e Familjes.

Gjyqtari Apelit të Posaçëm urdhëron SPAK të thellojë hetimet në Bashkinë e Tiranës

Gazetarja e njohur e kronikës së gjykatave, Anila Hoxha, ka reaguar për lajmet e rreme që qarkullojnë për dosjen 5D në Bashkinë e Tiranës

Gazetarja Hoxha zbulon prapaskenat e hetimit të dosjes dhe rolin e gjykatës së Posaçme të Apelit.

Hoxha: “Ne kohen kur diskutimi eshte do arrestohet ky apo ai, gjykata e apelit antikorrupsion dhe konkretisht gjyqtari Florian Kalaja ka orientuar SPAK gjate vleresimit te masave ndaj disa zyrtareve te bashkise te hetuar per skandalin 5 D . Gjyqtari Kalaja si dhe nje i meparshem qe hapi praktiken ( Erion Bani qe me heret i sugjeroi SPAK te hetoje edhe ish ministrin e shendetesise Ilir Beqaj ) urdheron/ sygjeron te kete hetime shtese nga SPAK ndaj ish zyrtareve te bashkise
Duke i lene detyra SPAK sygjeron te shikohet nese kane vepruar dhe a jane apo jo grup kriminal.”

Në dosjen 5D janë nën hetim:

Arrest në burg:

Mariglen Qato,
Redi Molla
Taulant Tusha.

Me detyrim paraqitje:

Eglantina Zere
Enton Punavia
Deborah Keçi
Nestor Muhametllari
Julian Zanaj
Albano Janku.

Serbia arreston një person të dyshuar për “krime lufte” në Kosovë më 1999

Policia serbe e ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e “krimeve të luftës” në vitin 1999 në Kosovë, tha të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç.

Në një njoftim për media, Ministria serbe nuk tregoi se shtetas i cilit vend është i arrestuari, por e identifikoi atë me inicialet F.K., 56 vjeç.

Ai dyshohet se ka kryer “krime lufte kundër pjesëtarëve të ushtrisë Jugosllave në Koshare në maj të vitit 1999”, sipas Daçiçit.

“Policët e Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës kanë arrestuar, dhe pas kallëzimit penal për veprën penale për krime lufte ndaj të burgosurve, kanë ndaluar per intervistim dhe procedim te metutjeshme te Prokurorise per krime lufte të dyshuarin F. K. (1968)”, thuhet në njoftim.

Nuk është e qartë se kur u arrestua ai.

Beteja e Koshares u zhvillua në komunën e Gjakovë gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së Serbisë.

Beteja zgjati disa javë në pranverën e atij viti, duke lënë dhjetëra luftëtarë të vrarë në të dyja anët.

Ndërkohë, autoritetet serbe i kanë arrestuar katër shtetas kosovarë së voni, duke i akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte. Ato e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar përmes një letre javën e kaluar homologes së vet serbe transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Por, të mërkurën, ajo tha se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare./REL

Kapiteni Xhaka: Me Italinë fituam pa hyrë në fushë, Anglia është e paralajmëruar

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ka folur edhe njëherë për fitoren kundër Italisë si dhe për ndeshjen që i pret me Anglinë.

“Ne fituam edhe para se të dilnim në fushë, siç bënë me ne tre vjet më parë. Nuk e kam parë kurrë Italinë në atë vështirësi në fushë sa ishte kundër nesh. Jam jashtëzakonisht krenar për atë që kemi treguar, për çdo anëtar të ekipit, përfshirë stafin. Ajo që kemi arritur është një objektiv më se i veçantë, jo aq për vetë rezultatin, por për performancën dhe lojën e treguar . Luajtëm një nivel të shkëlqyer dhe patëm qasjen e duhur mendore kundër një kundërshtari prestigjioz”.

Humbja në Euro2020: “E ndjemë humbjen e tre viteve më parë, dhimbja ishte ende aty. Ne treguam shpirt të madh ekipor dhe për këtë arsye ajo që arritëm është një objektiv më se i merituar. Është e vërtetë, në fazën e eliminimit direkt e vetmja gjë që ka rëndësi është të kalosh, por çdo fitore të jep vetëbesim, të përmirësosh veten në një ndeshje si kjo, ne ishim të patëmetë për sa i përket disiplinës, me dhe pa top.

Ne kemi një përzierje të mirë lojtarësh me përvojë dhe më të rinj. Sa më të pjekur dhe më të fortë të bëhemi, ne mund t’u kalojmë të rinjve atë që kemi përjetuar në aspektin e mentalitetit. Ne ‘të moshuarit’ jemi ende të uritur e urrej humbjen. Inatosem tmerrësisht edhe në stërvitje dhe kur mbarojmë seancat disa njerëz më provokojnë dhe kjo më lëndon dyfish. Anglia është paralajmëruar…”, deklaroi Xhaka në konferencën për shtyp.

Pse është e rrezikshme të pish ujë nga shishet plastike?

Një studim i ri ka gjetur prova se kimikatet kryesore në shishet plastike lidhen me një rrezik më të lartë të diabetit të tipit 2.

Një studim i botuar në revistën Diabetes zbuloi se kimikati BPA ( bisphenol A), i përdorur për të bërë paketimin e ushqimeve dhe pijeve, duke përfshirë shishet plastike të ujit, mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, e cila rregullon metabolizmin e sheqerit në trup.

Studimet e mëparshme nuk kanë vlerësuar drejtpërdrejt nëse përbërësit e përdorur në prodhimin e plastikës ose rrëshirave të ndryshme kanë rritur rrezikun e diabetit.

Gjetjet, të cilat do të prezantohen në një sesion shkencor të Shoqatës Amerikane të Diabetit, kërkojnë që Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) të vendosë kufij të sigurt për ekspozimin ndaj BPA në shishet dhe kontejnerët e ushqimit.

Studime të tjera kanë treguar tashmë se kimikati BPA mund të prishë hormonet njerëzore dhe të dëmtojë mëlçinë, sistemin riprodhues dhe trupin.

Është lidhur me forma të ndryshme të tiroides dhe kancerit.

Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit me nivele më të larta të substancës në urinë kanë më shumë gjasa të kenë probleme me zemrën sesa njerëzit me nivele më të ulëta të bisphenol A në trupin e tyre.

Një studim i Universitetit të Shkollës së Mjekësisë në Exeter në Mbretërinë e Bashkuar, i botuar në revistën PloS ONE, analizoi të dhënat nga rreth 1500 të rritur dhe konfirmoi lidhjen midis BPA dhe problemeve të zemrës, por lidhja midis bpa dhe diabetit nuk është e qartë. Nuk është konfirmuar.

Rreziqet

Rreziqet shëndetësore nga BPA lindin për shkak të aftësisë së saj për të imituar veprimin e estrogjenit, i cili mund të prishë sistemin endokrin.

BPA mund të ndikojë në ekuilibrin hormonal sepse imiton veprimin e estrogjenit natyror. Kjo mund të çojë në ulje të rritjes dhe riprodhimit.

Ekspozimi i BPA ka qenë gjithashtu i lidhur me problemet e fertilitetit, anomalitë në zhvillimin e fetusit dhe probleme të tjera riprodhuese si te burrat ashtu edhe te gratë. Disa studime madje kanë treguar se ekspozimi ndaj BPA mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të disa llojeve të kancerit, si kanceri i gjirit dhe i prostatës.

Për të reduktuar ekspozimin ndaj BPA:

– Përdorni enë prej qelqi ose çeliku
– Shmangni përdorimin e produkteve plastike të shënuara “PC” (plastika polikarbonate) ose numri i riciklimit “7”
– Mos ngrohni enë plastike në furrë me mikrovalë
– Preferoni ushqime të freskëta ose të ngrira në vend të ushqimeve të konservuara

10 teza të filozofit konservator Roxher Skruton

10 teza të filozofit konservator Roxher Skruton që vlejnë të lexohen dhe mbahen parasysh:

  1. Konservatorizmi merr jetë prej ndjenjës se gjërat e mira shkatërrohen kollaj, ndërsa duhet shumë punë me i mbrujt.
  2. Liria nuk është njëjtë si barazia. Ata që e quajnë veten liberalë sot janë më të interesuar për barazinë se me çliru të tjerët nga vargonjtë.
  3. Autori që thotë se e vërteta nuk ekziston apo se është relative po ju kërkon mos ta besoni. Ndaj, mos e besoni! Relativizimi shkatërron veten dhe tretet në enën e tij, duke lënë pas veç një erë të keqe dhe shpërfytyrim.
  4. Nuk lindim të lirë dhe as vijmë në këtë botë me autonomi të mirëpërcaktuar. I ndërtojmë këto duke bashkëpunuar dhe nëpër beteja të panumërta shoqërore. Liria vjen pasi kemi kryer detyrën ndaj prindërve, familjarëve, institucioneve dhe rretheve shoqërore – detyra të cilat nuk i zgjodhëm vetë.
  5. Fiset mbijetojnë dhe gjallojnë sepse krijojnë Zota, që shkrijnë vullnetet e veçanta në një të vetëm dhe ndërtojnë imazhin e kërkesës dhe shpërblimit prej nga varet jeta shoqërore.
  6. Arsyeja kryesore pse jemi konservatorë ka të bëjë me dashurinë, sepse gjërat që i duam i mbrojmë dhe lidhemi me to, duke u kujdesur që mos të prishen dhe zbehen. Lidhemi me familjen, miqtë, fenë dhe ambjentin që ato na krijojnë.
  7. Kur flasim për traditën, nuk po trajtojmë rregulla dhe sjellje pa taban. Kemi shtruar për diskutim përgjigjet që u janë dhënë pyetjeve të vështira që janë bërë prej shekujsh.
  8. Arti na prek në shpirt se është i bukur. Është bukuria që na jep atë ndjesi. Diçka mund të ketë kuptim edhe pa qenë e bukur, por për me qenë e bukur duhet patjetër me pas kuptim.
  9. Nëse liria nënkupton çlirimin e potencialeve individuale, si do ja bëjmë që të mos fitojnë kurdoherë më ambiciozët, energjikët, inteligjentët dhe simpatikët?
  10. Të rëndësishëm në një ekonomi të lirë nuk janë menaxherët por sipërmarrësit – ata që marrin rreziqe mbi supe për me realizu idenë e tyre.
  11. Përgatiti: Sebastian Zonja

Mes dimrit të acartë, të gjejmë brenda vetes verën e pamposhtur euroatlantike!

NGA AZGAN HAKLAJ

Me 4 Korrik do të rimblidhet sërish tryeza konsultative e “Harkut EuroAtlantik”, tashmë në një stad e situatë tjetër që diktohet nga koha dhe ngjarjet që po përjeton vendi.

Nuk është vetëm një hap tjetër i avancuar konsolidimi, por një tryezë pune e shqyrtimi, mendimi e sugjerimi për projekt -programin fitues e strategjinë elektorale që Lulzim Basha dhe demokratët euroatlantikë kanë publikuar pak ditë më parë.

Në të njëjtën ditë do të mblidhen strukturat, kryesia, dhe këshilli kombëtar i demokratëve euroatlantikë.

Nuk u përzgjodh rastësisht kjo datë, pasi që përkon me festën kombëtare të aleatit tonë të madh, SHBA-ve.

Dikujt mund ti duket e parëndësi kjo simbolikë si një retorikë sipërfaqësore e sempliste, por në fakt aty gjëndet e vërteta e madhe e kësaj skizme tre vjeçare që çoi në përçarjen e demokratëve të opozitës dhe në shfrytëzimin e pamoral të saj nga pushteti i korruptuar e konspiracionist i Edi Ramës.

Në shpirt e në koshiencën politike të demokratëve, në aspiratën e hershme e aktuale të atyre që besojnë në shenjtërinë e parimeve mbi të cilat jemi themeluar e betuar qëndron pikërisht aleati ynë i madh, gardiani i vlerave të lirisë e demokracisë, SHBA.

Asnjë sajesë e intrigë për interesa okulte përsonale të establishmentit të vjetër që tani kanë marrë erë, nuk mund ta fshijë dhe as ta zëvendësojë këtë ideal e princip parësor.

Dita ditës po zvetnohet e zhvlerësohet pseudosovranizmi patriotik i Sali Berishës, sikundër po dekonspirohet deri në përqeshje divorci për të ruajtur hajninë e Ilir Metës, shoqëruar me “rimartesat “e tyre për pushtet.

As gomat që digjen me regji para zyrës së Erjon Velisë të sjella enkas nga fugonat e policisë, as investimi në gjykatën e apelit nga Belinda Balluku dhe akrabatë e saj per t’ju grabitur demokratëve simbolet, nuk do ta fshehin qëllimin e vërtetë të një bande politike të korruptuar që mban peng vendin per 3 dekada dhe rrezikon demokracinë e ardhmërinë tonë.

E bëra këtë parantezë jo thjesht për të shpjeguar koinçidencën e paramenduar të tubimit tonë euroatlantik pikërisht me dt. 4 korrik, por edhe për t’ju qasur me seriozitet realitetit të hidhur anti-amerikan e anti perëndimor që po na serviret sot në forma të hapta e të nëndheshme, nga kapot politike të tranzicionit.

Eshtë jo vetëm e dhimbshme por fatale për fatet e atdheut e kombit sidomos në kontekstin gjeopolitik rajonal e botëror një direksion i tillë, që jo vetëm injoron por edhe po i sfidon aleatin tonë strategjik.

E më keq akoma, kur me paratë dhe influencën korruptive të segmenteve të drejtësisë pajiset me vulën e anti amerikanizmit, një grupacion tashmë haptas i deklaruar anti perëndimor.

Është kjo një tablo e zymtë e vendit tonë me shtetin e pushtetin më të korruptuar autokratik që shëmbëllen me sulltanatet e botës së tretë, i cili hapur ka peng një pjesë të opozitës të lidhur me ujdinë e hallit nga organet e drejtësisë, ndërsa euroatlantikët që sponsorizohen e suportohen nga aleatët euroatlantikë, duket në pamje të parë, sikur nuk kanë rrugëdalje nga ky udhëkryq!

E tillë dukej dhe tabloja e vitit 90-të kur kishte rënë perandoria komuniste në glob, ndërsa këtu vlonin sloganet e mbijetesës së diktaturës.

Por si atëherë edhe sot aspiratat e kombit thërrasin misionarët që si në kohën e Xhorxh Washingtonit, duhet të marrin rolin e gjysmë perendive për fatet e vendit.

Dhe koha është sot.

Me vullnet dhe idealizëm, me tolerancë e stoicizëm, me program të qartë e të realizueshëm, me aleatët në krah e në bashkërendim sigurisht që do ja dalim.

Nuk është kohë meditimi meskin për poste e kolltuqe, ndryshe bëhemi njësh me ata që na çuan në këtë situatë dhe ua mbyllim derën besimit dhe mbështetjes.

Shumë kush mendon se rruga jonë e fitores është në kufijtë e pamundësisë ngaqë korrupsioni e autokracia e pushtetit, ka marrë qytetari të frikshme.

Të tjerë mendojnë se ujdia e hapur dhe nën tokë e segmenteve të kompromentuara e të dezinjuar botërisht si të tilla e rrit pamundësinë, por besoni se rruga jonë sa principiale aq dhe idealiste do të triumfojë.

Populli ynë nga përvoja mijëra-vjeçare eksperiencën e tij e ka shndërruar në filozofi që paraqitet thjesht në sentencën: “Zullumi këputet, aty ku është më i trashë”.

Ky është fati final i zullumqarëve të sotëm të demokracisë të cilët pas non gratës në gjithë botën demokratike, do marrin me vote dhe non gratën nga vetë shqiptarët.

Po i mbyll këto radhë me shprehjen optimiste e lapidar’ të Albert Kamy-s:
“Mes dimrit të acartë të gjejmë brënda vetes verën e pamposhtur”.

Qeveria rrit taksat e ndërtimit/ Vendosen tarifa për lejet e ndërtimit dhe ato të zhvillimit

Bizneset që do të aplikojnë për leje ndërtimi në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit do të paguajnë tashmë një sërë tarifash të konsiderueshme, që kërkesa e tyre të shqyrtohet. Përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar tarifat që do të paguhen pranë KKTU-së nga çdo biznes që aplikon për leje. Në total janë 8 tarifa shërbimesh, të cilat variojnë nga tarifa fikse deri në 1 për qind të vlerës së investimit.

Tarifa e parë është ajo e lejes së zhvillimit. Bizneset që do të aplikojnë për leje në KKTU do të paguajnë një tarifë që është 100 lekë për metër katrorë të sipërfaqes së pronës që zhvillohet. Pagesa e tarifës kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja

Por tarifa e lejes së ndërtimit është edhe më e rëndë. Sipas vendimit të qeverisë, tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi është 1% e vlerës së investimit, sipas preventivit të paraqitur nga kërkuesi në sistemin e-leje. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së ndërtimit, brenda 90 ditëve nga lëshimi i faturës së arkëtimit nga AZHT-ja.

E njëjta tarifë, po 1 për qind e vlerës së investimit, do të paguhet edhe në rastin e ndryshimit të subjektit zhvillues, kur leja është miratuar më parë me një tjetër subjekt.

Tarifa e katërt është ajo për shqyrtimin e kërkesave për pajisje me leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit. Kj tarifë do të jetë fiksë në masën 100 mijë lekë.

Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për rishikim të kushteve gjatë ndërtimit, ndryshime në projekt gjatë ndërtimit, ndryshim funksioni, si dhe për lëshimin e certifikatave të përdorimit janë tarifa fikse, në masën 300 mijë lekë. Ndërsa tarifa për shqyrtimin e kërkesave për shtyrjen e afateve të lejes së ndërtimit do të jetë 3 milionë lekë.

Përveç këtyre tarifave, vendimi i ri i qeverisë u ofron mundësi bizneseve, që nëse duan të pauajnë më shumë për të shkurtuar kohën e marrjes së leje. Shërbimi i ngjashëm e atë fast track që aplikohet në Kadastër do të kushtoë trefishin e kostos normale.

“Subjektet e interesuara për përfitimin e shërbimeve të përshpejtuara (fast track), të cilat mundësojnë marrjen e shërbimit të kërkuar, brenda gjysmës së kohës së përcaktuar mund të aplikojnë për përftimin e këtij shërbimi, kundrejt pagimit të 3-fishit të vlerës së tarifës,” thuhet në vendimin e qeverisë.

“Shpëtoi nga vdekja me qindra persona në qeli, mes tyre At Zef Pllumin”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Kur mjekun e burgosur e pyeta nëse do e vizitonte Enver Hoxhën, ai…

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Autori

                                                               SHKËLQIM ABAZI

                                                           Vijon nga numri kaluar

                                                                      R E P S I

                                                        (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Do përpiqem të riprodhoj tregimin e Feritit, po pa përdorur zhargonin e tij të varfër e sidomos të turpshëm, ku në çdo dhjetë fjalë të dala nga goja e tij, pesë ishin sinonime që të kujtojnë organet gjenitale femërore dhe mashkullore apo të ngjashme me to.

“Më dëgjoni tani, bre shokë, t’ju tregoj historinë time” – ia nisi ai krye-varur. – Në fshatin ku kam lindur, na njohin si një nga familjet më të nderuara të zonës, të varfër vërtetë, po të respektuar. Kemi qenë shumë fëmijë, ia dilnim me zor të mbushnim barkun me bukë. Babai dhe vëllezërit e mëdhenj, robëroheshin nga mëngjesi në darkë, po toka aq jepte, kështu qysh i vogël e pashë se jeta ime s’duhej të rridhte në ato ujra, si e prindërve të mi. S’më pëlqente të punoja në bujqësi, apo të kullosja bagëtitë në mal, ja vara shkollës dhe përfundimisht, ika nga fshati që katërmbëdhjetë vjeç.

U sistemova në minierën e Alarupit. Si unë, atje kishte dhe të tjerë. T’ju them të drejtën edhe atje puna ishte e vështirë, se futeshe nëpër vrima i bardhë dhe dilje i zi. Po kishte edhe nga ata që s’dilnin më të gjallë, po i nxirrnin kufoma dhe i çonin xhenaze në shtëpi. E ndava mendjen, s’do punoja më në galeri. Mirëpo nga ana tjetër, doja të jetoja. Me dashje pa dashje, nisa zanatin e hajdutit. Në fillim me gjëra të vogla, si ndonjë bukë te furra e minierës, apo ushqime të tjera në magazinat ushqimore, po aty. Pa, po, xheku vidhja edhe ndonjë rrobë nëpër tela, se doja edhe të vishesha.

Rashë në sy, aq ishte fshati, bre, të gjithë e njihnin njeri tjetrin. Më zinin, më rrihnin, më mbanin nga një natë në polici dhe mbasi u jepja fjalën, se s’do ta përsërisja më, më kthenin në punë. Jua thashë, puna s’ishte për mua! Por doja të haja, bre! Besomëni, o burra, asnjëherë s’jam ngopur tamam! Edhe atëherë kur kam patur rast, të shtija në dorë ndonjë shumë të majme, s’kam arritur të ngopem. Nuk e kuptoj, po në bark më është gërryer një si shpellë, ç’them unë, një galeri, bre! Or, po një kuçedër! Dhe sado t’i fus, më tepër zgjerohet!

Kështu, duke u rritur duke u shqitur, u bëra usta në këtë zanat. Sapo mbusha të gjashtëmbëdhjetat, filluan burgjet; nga dy muaj e nga gjashtë muaj, pastaj nga një vit e përpjetë. Më iku gjysma e jetës burgjeve, hyr e dil. Meqë kam hyrë dhe dalë shumë herë, u bëra figurë e njohur në burgje, qoftë për policinë, qoftë edhe për të burgosurit ordinerë. Po, ju betohem, s’e doja komunizmin, pavarësisht se s’isha i dënuar për politikë. Por edhe atje kishte burra, paçka se pjesa më e madhe ishin vërtetë ordinerë, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale: sepse i kishin dënuar për krime banale, si: vjedhje, pederasti, prostitucion, tregëtira të ndaluara, përdhunim, inceste brenda familjes, si me nënat, motrat, kunatat, vajzat, etj.

Me pak fjalë, njoha njerëz të mirë, hallexhinj, por pjesa dërmuese ishin poshtërsirat që përmenda. Kishin një farë urrejtje për ata që dënoheshin si armiq, sepse veten e shihnin si pjesë e pandashme të besnikëve të Partisë, pavarësisht se ishin burg jo më të mirët, mësova se kish njerëz që e urrenin Partinë e Punës, jo pse i dënonte njerëzit për krimet që përmenda më sipër, por se nuk i ndëshkonte këto krime dhe i stimulonte në rangjet e larta të pushtetit.

Nga lëvizjet e shpeshta nga njeri kamp në tjetrin, më qëlloi që në kaushin e burgut të Tiranës, të njihem me ca të dënuar politikë. Atë kohë bindjet e mia dhe urrejtja për komunistët u kristalizuan. Atyre politikanëve ua di për nder, që më ndriçuan mendimin. Nisa të reflektoja. Qysh nga ajo ditë, e ndava mendjen, të mos futesha më për krime ordinere. “Unë, në burg se në burg po e shkoj jetën, mendova, më mirë të jem për politikë, sepse jap edhe një dorë kundër komunizmit, që të them të drejtën e urrej vërtetë”.

Kjo është historia ime dhe pse përfundova këtu”.

Kur e pyetëm se për ç’arsye e urrente regjimin komunist, ai u përgjigj: “Ça mos t’iu urresh këtyre, or zotëri! Edhe ata që punojnë në minierë e në kooperativat bujqësore, nuk sigurojnë dot një jetë normale, jo më unë që s’e dua fare punën! Pastaj, pa hidh sytë rreth e rrotull, po gjete një femër për së mbari! Po të tëra me pantallona doku me arna e, me nga një shami aksioni në kokë. I keni parë si duken? Të gjitha njëlloj, si kinezet Eh!… Oj, moj nëna ime”! – hiqej si të ish futur në të thella. – Bota bën jetë ore, jetë! Ha e pi e bën pallë, e qejf, o qerrata! Kurse ne, u robëruam vetëm punë dhe aksione! E morët vesh nashti pse se dua komunizmin, unë”!?

Kur përfundoi ligjëratën, u mbush me frymë thellë, si të ishte në vizitë te mjeku. Kur e pyetëm se ku e kishte parë si jetonin jashtë shtetit dhe nëse i kishte shkuar ndonjëherë ndër mend të arratisej; ai përsëri me dorën mbështetur mbi ball, nxori një psherëtimë të zgjatur dhe u përgjigj:

“Hëm!… Or byrazer, a s’ju thashë se sa herë dilja nga burgu, unë rrija, dimrit në Poradec e në Tiranë, beharit në Durrës e Vlorë, se s’kisha shtëpi, rroja ndër shokë. Pse o, s’kam parë të huaj unë?! Të veshur e të mbathur për bukuri! Pa le, ato femrat nëpër plazhe! T’i pije në kupë, bre! – (me tre gishtat e dorës bëri shenjën e thithjes). – Kështu, i dija të tëra këto, por për t’u arratisur, drejt, s’më kish vajtur mendja. Ama, po dola prej këtu, do t’a shoh edhe atë punë! E morët vesh nashi që edhe unë s’i dua komunistët”!

Pyetjes se; për ç’farë e kishin dënuar për politikë, nuk i dha ndonjë përgjigje konkrete. Por ky prototip, gjithçka e lidhte me anët materiale dhe sidomos me të ngrënët. Pyetjes se përse vidhte, ai iu përgjigj sipas filozofisë tij pragmatiste: “Jo, or baba, unë nuk vjedh, po i marr! Atje ku marr unë, patjetër ka! Po të mos kishte, s’kisha ku të merrja! E para kjo, e dyta: pse, bre, unë s’dua të ha? Edhe unë kam bark që duhet mbushur, nga shtëpia s’më ndihmon njeri, kështu që çalltis vet, si të mundem. Jo, or xhanan, duhet t’i dal zot vetes! Këtë di të bëj më mirë, këtë bëj”!

Këto ishin pak a shumë, mendimet e kësaj qenieje të çekuilibruar. Urrejtja e tij për komunizmin ishte totalisht e kundërt me mentalitetin e pjesës dërrmuese të të dënuarve politikë që gjendeshin aty. Mbas disa muajsh, në revoltën e 21 majit 1973, Feriti u dënua përsëdyti. Tashmë i ndëshkuar si kundërshtar i regjimit, e thoshte me zë të lartë: “Jam politikan”! Filloj të merrte një pamje të rëndë, u bë më i heshtur; pra, fituan instinktet, për t’iu përshtatur njerëzve dhe ambientit.

Trilloi edhe një pseudo histori, për dënimin e parë; gjoja qe futur në burg, për tentativë arratisje, e tjera ndodhi fantastike, që vetëm mendja e tij mitomane mund t’i shpikte dhe që vetëm ai mund t’i besonte. Madje shumë vite më vonë, nëpërmjet miqve të mi, që dilnin nga burgu, mësova për një gjasme histori dashurie të Feritit, me një fshatarkën e tij, me të cilën paskërka dashur të arratisej nga Saranda dhe se ky, paskërka qenë shkaku i dënimit të tij të parë!

Këto legjenda ai i kish stisur vet.

Në rrjedhën e viteve, kish dëgjuar me qindra ngjarje të ngjashme, me topëzat standarde të prera nga këto tregime, kishte qepur sagën e vet. Për ne që e patën njohur kur e sollën së pari në Spaç, këto mbeten fantazi alla Ferit-lopa, ndërsa të mëvonshmit edhe mund ta besonin. Gjithsesi, Feriti mbeti Ferit; një individ me emër, po pa mbiemër, një rast unikal në historinë e burgjeve politikë.

Sidoqoftë nga bashkëjetesa e gjatë me të dënuarit politikë, përfitoi edhe disa veti humane, që do t’i manifestonte gjatë viteve të pafunda të dënimit të tij ekzemplar. Tani që hedh mbi letër këto kujtime, ndjej dhimbje për ç’ka përmenda, dhe meqë dua t’i qëndroj besnik së vërtetës, jam i detyruar t’i dëftej këto të meta. Por u detyrova të reflektoja. Mbështetur në tregimet e miqve të mi që vazhduan të vuanin dënimin edhe vite më pas, mësova gjëra të reja.

Një gjest human, i papreçedent, i Ferit Lopës në biruca, më bëri përshtypje të veçantë. Në një moment urie ekstreme, (dua të theksoj se ai ishte përherë i uritur), mbasi kishte gllabëruar tërë gurët e shahut prej tuli buke, që të izoluarit kishin sajuar ilegalisht, për të shtyrë kohën; ai, kish veçuar mënjanë një oficer. Mbas presionit që i bënë bashkëvuajtësit në qeli, kur s’i gjetën gurët prej tuli, ai kish pranuar se i kish ngrënë, nën ngasjen për të shuar urinë.

Kur i kish tundur para sysh oficerin e mbetur, që e gjetën të fshehur në një cep; ai ua kish kthyer: “Të tridhjetë e një figurat, i strehova në shpellën time dhe i kish rënë barkut me dorë, kurse këtë oficerin e lashë, se më shëmbëlleu me Markun. Në respekt të aq të mirave që ka bërë për ne të burgosurit, e hoqa mënjanë, ta shpëtoja prej grykësisë sime”!

Pra në shpirtin e këtij makuti, nisi të bulëzojë ndjenja e respektit dhe mirënjohjes. Natyrisht, për ç’rrëfeva më sipër, i përkasin etapës kur Ferit Lopa, sapo kish nisur serinë e dytë të dënimeve, atë politike, që përkon me realitetin e atyre viteve. Më vonë, si kafsha që i kondicionohet vendit edhe ai iu përshtat rrethanave. Mbase ndryshoi edhe sjellje, por kjo i përket një periudhe tjetër, që s’ka lidhje me kohën për të cilën po flas.

Infermieria

(edhe në FERR, sheh dritë!)

“Ku të jem këtu? Ç’të jenë këto hije të bardha që më lëvrijnë rrotull? Nuk perceptoja dot ku ndodhesha, arsyeja kishte prekur tabanin.

Vagullt si nëpër mjegull, shquaja ca silueta njerëzore por s’dalloja dot asnjë fytyrë. Dëgjoja zhurmërima, pa shkoqitur ç’thoshnin. Herë-here ca duart të padukshme më kthenin në krahë dhe një si pickim grerëzash më gixiloste, sakaq zhytesha sërish në eter. Para më për-shfaqeshin lëndina të lulëzuara dhe bahçe plotë gjelbërim, me zogj që cicërinin e flutura shumëngjyrëshe, me kafshë që harbonin dhe fëmijë të gëzuar, që vraponin e lodronin pas tyre.

Bukuri përrallore, parajsë e vërtetë! Besoja se po jetoja një realitet brilant, brenda një irealiteti të pakonceptueshëm. Shpresoja t’i gëzohesha sa më gjatë këtij irealiteti. Nëse vdekja do kish ngjyrimet e edenit, si ato që përjetoja ato çast, do t’i qepesha pa droje Cerberit e s’do t’i shqitesha më! Sa të bukua dhe atraktivë ato iluzione! S’di sa zgjati, veçse dikur vegimet m’u shprishën, një tufan i furishëm i rrëmbeu me forcë dhe u shembën, si ajo pema që vidhiset nga rrënjët.

Ndjeva të më thirrnin në emër. Njoha zërin e tim eti. Ashtu i shpërqendruar, shqeva sytë. Ajgëtova rreth e rreth për njeriun e dashur, po syri s’po ma zinte gjëkundi. U zgjata dhe u zgjata, sërish asgjë. Pa koshiencë isha çuar përgjysmë. Ajo formë vegimi e atit të dashur, më kish risjell së dyti në jetë. U plasa i këputur, sërishmi mbi shtrat. Sforcimi më kish lodhur por më kish shpëtuar jetën. E madhja kish kaluar, jeta triumfoi. Mjeku dhe infermieri vazhdonin të më injektonin serum; tashmë i ndjeja aget kur më shponin mishin. Ndjesia e dhimbjes më pikonte në zemër, por isha i pafuqishëm të urdhëroja gjymtyrët.

Hapa gojën të flisja, po zëri ngeci diku nga fundi i gurmazit, fyti ish tharë krejtësisht e më jepte ndjesinë e një djegësire që zbriste deri në thellësi të barkut. “Pusho, mos fol”! – urdhëroi, ai që duhej të ish mjeku. Hije e bardha vozitnin rreth shtratit ku dergjesha. Sakaq, një fytyrë e njohur u përkul mbi mua. S’po më binte në hatër kush ishte, po isha në gjendje të dalloja tiparet e para diku. Po se ku? S’isha i aftë t’a përcaktoja saktësisht. “Po ç’ish kjo hata, bre? Po, ky qe mirë, mo”! – dëgjova të shqiptonte. Kur folësi fliste, i vinte përqark shtratit duke u çapitur me tempin e kërcimtari, m’u kujtua: Emini, topalli i magazinës së veshmbathjes.

“Hm ishe mirë, bre! – vazhdoi monologun topalli, duke rendur pa përtim nga njëra anë në tjetrën. – Hajd, bre, mos u merakos, ja hodhe! I di mirë ç’punëra, dy herë më ka ardhur rrotull mua, ama të dyja herët, e shpura tutje! Edhe ti je i ri, do t’ia hedhësh”!  I fliste Emini i mirë dhe çdo fjalë e shoqëronte me gjeste duarsh dhe këmbësh:

“Doktor Naimin e kemi xhanan, do bëj gjithçka ky, e njoh mirë unë Naimin doktor? Po, po, edhe Dilon e ke gjysmë patriot, që e ka gruan nga Berati ky, ore! Do të gjendet me ndonjë ilaç më shumë! “Lëreni të qetë”! – urdhëroi mjeku, një burrë rreth të dyzetave, me një fytyrë simpatike ose kështu m’u fiksua mua, ngaqë po kujdesej për shëndetin tim. – “Ky ka nevojë për lëngje, përgatiti pak çaj”! – iu drejtua tjetrit me bluzë të bardhë, që duhej të ishte ndihmësi.

Pak çaste më vonë, infermieri më futi në gojë një kallam në formë pipthi, skajin tjetër e kishte zhytur në një sapllake alumini. “Thithe”! – urdhëroi mjeku. Thitha me sa munda. Goja m’u mbush me lëng të ngrohtë e të ëmbël, por fyti më dogji jashtë mase. “Kapërdije tani”! – urdhëroi prapë mjeku. E kapërceva gllënjkën e parë me vështirësi, të dytën dhe të tretën, pak më lehtë, deri sa e mbarova.

“Tani, kujto gjëra të bukura”! – dhe u largua te shtrati tjetër. Vazhdoja të isha as zgjuar, as në gjumë. Dikur hapa paksa qepallat, po shikimin m’u terr, vëreja hijet që vinin vërdallë, qëndronin paksa mbi mua, diç flisnin mbyturazi e largoheshin më tej, mandej ca hije të tjera i zëvendësonin. Pastaj e humba toruan, sytë m’u bjerrën. Me ç’më rrëfenin më pas, më kishin hedhur kloropomizinë në çajin që piva pak më herët. S’e kujtoj dot sa zgjati, po kur u zgjova ndihesha më mirë. Ndonëse kokën e kisha ende të rëndë, shihja më pastër dhe dëgjoja më qartë.

Zgjata qafën, numërova të shtruarit në dhomë. Veç meje edhe katër të tjerë; tre të moshuar dhe një i ri, që ish i fashuar thuajse në gjithë trupin. Mjeku, kur pa se lëviza, m’u drejtua me një shiringë. Pa thënë asgjë, me ngriti mëngën, lidhi një llastik në pjesën e muskulit dhe zhyti në damarin e fryrë agen, e zgjidhi llastikun dhe shtyu pistonin. Ilaçi nisi udhëtimin brenda venave. Mbasi hoqi shiringën m’u kthye: “Ndihesh më mirë, besoj! Nesër do gdhihesh qiqër! – shtoi buzagaz- sidoqoftë këtu do jem, do të mbaj nën kontroll”.

“Falemnderit”! – belbëzova dobët. Ai shkoi te tavolina, diç shkroi mbi një regjistër dhe m’u qas: “S’e di kush je e nga je por, po pate mundësi, kërkoj familjes të të sjellin një kurë vitamina B-12”. “Sapo kam mbërritur, ende s’kam kontakte me familjarët”. “Ah-ah! Hëm”! – nisi të më bënte pyetje, jo nga isha, jo përse më kishin dënuar, etj. Mbasi priti përgjigjet, shtoi:

“Dëgjo, o djalë, meqë qenke i ri dhe ende s’paske vendosur lidhje, po të huaj unë një kurë multi vitaminash. – heshti pak sekonda. – Ama, me kusht që të m’i kthesh, kur t’i sjellin të afërmit, se s’janë të mijat. Do t’ua lypë te të tjerëve, t’i bëj ty”. I premtova se do t’ia ktheja, sa më shpejtë të ish e mundur. Kështu, qysh atë ditë u bëra pacient i doktor Naimit.

Naim Çitozi nga Kruja, s’ishte tamam mjek, ngaqë e kishin arrestuar e dënuar, pa e mbyllur ciklin e plotë të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë. Por me një vullnet të jashtëzakonshëm dhe dëshirën për t’iu shërbyer bashkëvuajtësve në nevojë, ish shndërruar në mjek e kaluar mjekut. Përvojën e fituar në auditorë, plus manualet mjekësorë që shfletonte pareshtur; e kishin aftësuar deri në perfeksion.

Gjithë dijet, i vinte në shërbim të çdo të sëmuri, pa dallim. Të gjithë i besonin aftësive të tij profesionale, jo vetëm të dënuarit që shihnin te ai mjekun humanist e të papërtuar, po edhe specialistët, në spitalin e burgut në Tiranë. Kushdo të paraqitej pranë tyre, me rekomandimin e doktorit, askush s’e vinte në diskutim, diagnozën e përcaktuar prej tij.

Edhe pse në infermieri nuk dispononte aparatura për vizita të specializuara, fal eksperiencës së fituar dhe studimeve të pandërprera, plus aftësive të veçanta intelektuale, Naimi nuk gabonte. Shumë të dënuar dhe familjarët të tyre, duhet t’i jenë mirënjohës doktor Çitozit, ngaqë në sajë të përkushtimit dhe zotësisë së këtij gjysëm mjeku, që kur i mungonin ilaçet, i shëronte të sëmurët me fjalën e tij të ngrohtë e bindëse, arritën të dilnin gjallë nga ajo skëterrë. Edhe unë ia di për nder doktorit, për përkujdesin e dashamirësinë me të cilën m’u përkushtua ato ditë dhe më pas, kur do më ndëshkonin me dënime në birucat e kampit. Me Naimin u miqësova shpejtë.

Qysh herët, shquava humanizmi që dominonte karakterin e tij, kjo veti e bënte të veçantë nga tërë mjekët e tjerë, që kam njohur në vitet e burgut e më vonë. Ai sakrifikonte deri në vetëmohim, ish i gjindshëm dhe këmbëngulës në shërbim të jetës, saqë shpesh vinte në rrezik edhe veten. Nëse sot ne të mbijetuarit e sistemit komunist, mund të mburremi me veprën madhore, të rrallë dhe unikale në llojin e vet, të At Zef Pllumit, meritë të padiskutueshme, veç Hirit të Zotit, ka doktor Çitozi, që me shpirtin e sakrificës, eksperiencën, përkushtimin, guximin për t’iu kundërvënë drejtuesve injorantë të komandës së kampit të Repsit e, sidomos me besimin që kish krijuar për aftësitë në përcaktimin e pagabueshëm të diagnozave, arriti t’a shpëtonte nga thonjtë e sigurt të vdekjes, më 1970.

Po, Naimi ishte mjek në tërë kuptimin e kësaj fjale. Triumfin e jetës mbi vdekjen e konsideronte detyrë primare të çdo i mjeku. Vizitonte me të njëjtin përkushtim, të dënuarit, policët dhe banorët e zonës. Natyrisht, bëj fjalë për familjarë e të afërm të policëve të kampit, që mund të futeshin aty dhe që ai i vizitonte pa dallim. I shquar për erudicionin dhe anti-komunizmin gëzonte besimin e të gjithëve. Një ditë bëra shaka:

“Doktor, po sikur të bënte vaki, të kërkonin të vizitoje udhëheqësin e madh apo hetuesin, prokurorin, kryetarin e gjyqit, etj., që të kanë bërë akt-akuzën, etj., si do veproje? Prisja të më thosh se; do t’iu përcaktonte diagnozë të gabuar dhe se do t’iu rekomandonte ilaçe të gabuara apo së paku, do refuzonte t’i prekte. Por përgjigja e tij më shtangu:

“Dëgjo, or djalë! S’besoj të ketë ndonjë nga ata që më njohin, që të vëj në diskutim antikomunizmin tim, por unë jam mjek dhe mjeku shihet si apostull, nga ana e pacientit. Normalisht, çdo mjek ka bërë betimin e hipokratit. E pra, gjithsecili që është falur atij shenjti, do donte ta zbatonte sa më mirë në praktikë këtë betim. Pra, mbetet që një mjek që zgjedh politikën para pacientit, s’mund të jetë më mjek, pa më përjashtuar edhe mua. Si mjek, do t’i shëroja njëherë dhe pastaj, nëse do të më kërkohej, do t’iu jepja ndëshkimin ligjor më maksimal, për krimet që kanë kryer”.

Ky ishte Çitozi mjek, kurse antikomunisti Naim, mbeti i tillë, për sa kohë e njoha. Kalova edhe një ditë tjetër, në infermierinë e kampit. Gjatë atyre tri ditëve, kisha përshkuar vrimën e gjilpërës, kisha shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Memorie.al

Strakosha në shitje, klubi anglez i vendos çmimin kartonit të portierit kuqezi

Thomas Strakosha do të largohet gjatë kësaj vere nga Brentfordi, pas dy sezonesh që e kanë lënë praktikisht në vendnumëro në karrierën e tij portierin e Kombëtares shqiptare. Ai thuajse nuk është aktivizuar me klubin anglez, duke bërë që këto dy sezone t’i kalojë si spektator, edhe pse shkonte në Angli me dëshirën për të treguar veten në elitën e futbollit të këtij vendi.

 

Tanimë, portieri po kërkon një sistemim të ri dhe emri i tij ka qarkulluar si në klube greke, ashtu edhe italiane. Interesi për të nuk mungon, sidomos pas paraqitjes së mirë në Euro 2024.

Kjo ka shtyrë Brentford që të vendosë një çmim për kartonin e portierit shqiptar, pasi kërkon të përfitojë financiarisht nga shitja e tij, edhe pse mori lojtarin me parametër zero kur ai kaloi në Angli pasi mbylli kontratën me Lacion.

Sipas mediave italiane, Brentfordi ka caktuar shifrën e 4 milionë eurove për të lënë të lirë Strakoshën i cili ka edhe një vit kontratë me klubin anglez.