23.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Misioni për Shqipërinë i Lulzim Bashës

Nga Gelsi Selimpërteasi

Lulzim Basha është politikani më i sulmuar në Shqipëri. Është sulmuar nga njerëzit e Sali Berishës që nuk duronin shkëlqimin e tij, është sulmuar me urdhër të Sali Berishës, është sulmuar nga ata që nuk bënin dot pazaret e pushtetit me të, është sulmuar nga kundërshtarët e tij politikë dhe, për të arritur kulmin me korruptimin e shefit të FBI-së vetëm për ta përdorur kundër Lulzim Bashës. Më e rënda nga të gjitha janë sulmet me urdhër të Berishës! Sali Berisha ka qenë në listën e të padëshiruarve (i pashpallur) të SHBA edhe para 2005. Të gjithë e dinë që atë se qaste askush. Prandaj i duhej Lulzim Basha, ishte i vetmi aleat i SHBA-ve për shkak të punës së tij në Kosovë dhe lidhjeve me amerikanët. Nuk është rastësi që Sali Berisha vendosi Lulzim Bashën në të gjitha institucionet ku u shënuan arritjet historike të vendit. Sali Berisha nuk është budalla, ai i kishte provuar të tjerët në qeverisje dhe e dinte sa vlenin. Por ndërsa i duhej suksesi, Berishës nuk i duhej një Bashë i fortë, prandaj njerëzit e tij më të afërt e sulmonin dhe akuzonin më fort. Edhe sot Sali Berisha e di peshën e Bashës, prandaj ka lëshuar të gjithë qentë e tij ta sulmojnë. Sali Berisha e di që njerëzit që nuk e duan Berishën, janë shumë më shumë se sa ata që e duan. Berisha e di mirë, sepse e ka provuar se vetëm Basha mund të maksimalizojë votat e tyre duke e shndërruar në king maker në politikën shqiptare. Berisha e di se si Basha arriti të rregullojë marrëdhëniet me ndërkombëtaret që u shkatërruan nga Berisha ne mandatin e dytë qeverisës. Të gjithë e dinë që Berishën nuk e takonte më askush. Berisha e di se ai ka zero shpresa për pushtet, aq më pak familja e tij non grata si ai, dhe me një sërë procesesh kundër tij. Prandaj sot Lulzim Basha është i dënuar të qëndrojë jo për vete, se siç e dëshmoi në Këshillin e Europës ai mund të japë kontribute të çmuara dhe të ketë angazhime të forta dhe pa asnjë post, jo për demokratët, jo për mbështetësit e tij që e ndoqën në tre vite luftë të pamëshirshme të Sali Berishës ndaj tyre, por sepse sot është momenti i ndryshimit të madh të vendit. Sot është koha për drejtësi për të përndjekurit, drejtësi për pronarët, drejtësi për dhjetoristët, kauzat e tyre u vodhën dhe abuzuan nga Sali Berisha. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke u dhënë pasuritë e saj 5 oligarkëve, ligjëruar në bashkëqeverisjen me krimin, korrupsionin në bazë të vlerësimit për promovim, zbrazjen e vendit si normalitet. Dhe për këtë sot është koha për drejtësi! Sot është mision historik për këdo që e do Shqipërinë për të luftuar dhe jo për t’u tërhequr. Sot nuk është betejë për demokratët a socialistët, sot beteja është për shqiptarët, për ti dhënë fund pazarit me pushtetin që mban mbërthyer pas karriges Ramën e Berishën.

Pabarazia, numri i familjeve pa shtëpi është rritur me 87% në Shqipëri

Numri i shqiptarëve që nuk kanë banesë në pronësi është rritur në mënyrë dramatike në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, tregues ky i politikave abuzive në sektorin e ndërtimit dhe i përmasave dramatike të pabarazisë.

Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se afro 132 mijë familje ose gati një në çdo gjashtë familje jeton me qira ose jeton në banesë me pronësi të tjetërkujt me marrëveshje me pronarin.

Të dhënat e Censusit 2011 tregonin se familjet e kësaj kategorie ishin gjithsej 71 mijë. Përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, numri i familjeve pa pronë është rritur me 87%.

INSTAT ka publikuar deri më sot vetëm të dhëna të përgjithshme të Censit, ku përfshihen të dhënat e popullsisë në nivel bashkie si dhe të dhënat e banesave në nivel kombëtar. Të dhënat mbi banesat në nivel qarku apo bashkie nuk  janë ende të disponueshme, kështu që nuk është e mundur të dihet me siguri se në cilat zona janë banesat bosh dhe në ciliat gjenden familjet që nuk kanë banesë nën pronësi.

Nëse krahasojmë numrin e banesave bosh me numrin e familjeve pa pronësi banese, atëhere mund të themi se ka 2.5 banesa bosh për çdo familje pa banesë.

 

 

 

INSTAT ka numëruar gjithsej afro 1.08 milionë banesa dhe 756 mijë familje. Aritmetika e thjeshtë tregon se 327 mijë banesa ose 33% e totalit janë të pabanuara. Por llogaritë në rang kombëtar nuk janë shumë shprehëse në këtë drejtim për shkak se popullsia e Shqipërisë është zhvendosur në mënyrë masive nga fshati në qytet dhe, ndonëse në rang kombëtar ka banesa boshe me bollëk, nuk është e mundur të dihet aktualisht se sa prej këtyre janë banesa të popullsisë së zhvendosur nga fshati në qytet dhe sa janë banesa bosh në zonat urbane.

Gjithsesi, nëse shihet se të gjitha bashkitë,  përfshirë Bashkinë Tiranë, kanë një shkallë emigrimi që varion nga 30% në 70%, atëherë mund të supozohet se banesa të pabanuara gjenden gjithkund në territorin e vendit, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Vetë Bashkia Tiranë, e cila ka njohur rritje të popullsisë, sërish ka një diferencë në masën 33% mes popullsisë së regjistruar në Regjistrin Civil dhe popullsisë së numëruar nga Censi./reporter

Preç Zogaj: Ismail Kadare ndërtoi dhuntinë e tij, krijoi letërsinë moderne

Gazetari dhe poeti Preç Zogaj iu është bashkuar sot homazheve në nder të shkrimtarit Ismail Kadare.

Përmes një prononcimi për mediat Zogaj tha se Kadare ndërtoi dhuntinë e tij, natyrore apo hyjnore dhe e mbajti me vepra që themeluan letërsinë e re moderne.

Ai dinte të qëndronte gjithmonë mbi, duke i thënë të gjitha. Një shkrimtar i përmasave të tilla ia doli të realizohej në kushtet e tiranisë, kjo meriton shumë vlerësim. Shkrimtari që ka vetëdijen e dhuntisë, e talentit të madh, ka një mision që të ruaj dhuntinë. Kadare ndërtoi dhuntinë e tij, natyrore apo hyjnore, dhe e mbajti me vepra që themeluan letërsinë e re moderne.”, tha Zogaj.

Paraqitet në SPAK deputeti i Berishës, Asllan Dogjani

Deputeti Asllan Dogjani është parë këtë mëngjes në ambientet e SPAK.

Ai është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 10:00. Ende nuk dihen arsyet pse deputeti është thirrur nga prokuroria.

Homazh në nder të Ismail Kadare, Basha: Është ngjitur në panteonin e përjetësisë si njeriu që i tregoi botës perëndimore se jemi pjesë e identitetit Europian

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, mori pjesë sot në homazhet e shkrimtarit të ndjerë, Ismail Kadare. Në një prononcim për mediat, Basha tha se Kadare është ngjitur në panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për Kombin, i tregoi botës perëndimore se jemi pjesë e identitetit Europian. Ai më tej tha se gjatë kohës së diktaturës Kadare u shndërrua në psikoanalistin kolektiv të shqiptarëve dhe në disektuesin më të talentuar të instrumenteve të diktaturës.

Basha gjithashtu u bëri thirrje të rinjve që të lexojnë poezitë apo romanet e Kadaresë, pasi do t’i bëjë të kuptojnë edhe më shumë vlerën e tyre si shqiptarë dhe vlerën e tyre si individë në këtë botë të madhe dhe të komplikuar.

Prononcimi i Bashës:

Ismail Kadare është ngjitur në panteonin e përjetësisë si njeriu në kohën më të vështirë për Kombin shqiptar, i kujtoi në rradhë të parë bashkëkombasve dhe më pas të gjithë botës, në veçanti gjithë bozës perëndimore, se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe e formimit të identitetit europian. Dhe kjo në një kohë kur u bë çdo përpjekje për të fshirë, zhdukur dhe shkatërruar në mënyrën më barbare lidhjen e shqiptarëve me habitatin e tyre natyror, kulturor që është Europa, është perëndimi. Së dyti, sepse gjatë kohës së diktaturës ai u shndërrua pa pikë dyshimi psikoanalisti kolektiv të shqiptarëve dhe në disektuesin më të talentuar të instrumenteve të diktaturës. Dhe së treti, sepse shumë prej mekanizmave të diktaturës për fat të keq vazhdojnë t’i mbijetojnë shembjes së diktaturës, siç është deformimi i karakterit nga pushteti, siç është yshtja e meskinitetit njerëzor nga pushteti për të luftuar të mirën, të denjën, të bukurën. Dhe për këtë do të thoja, do kisha një mesazh në veçanti për të rinjtë, për të gjithë të rinjtë, gjimnazistët, studentët, rininë shqiptare, pikërisht duke marrë shkak nga kjo ngjarje Kombëtare, është ndarja nga jeta e shkrimtarit tonë të madh që të përpiqen të lexojnë qoftë dhe një poezi apo një roman të Ismail Kadaresë, sepse do t’i shndërrojë përgjithmonë dhe do t’i bëjë të kuptojnë edhe më shumë vlerën e tyre si shqiptarë dhe vlerën e tyre si individë në këtë botë të madhe dhe të komplikuar.

Piu fostoksinë para godinës së SPAK, ndërron jetë në spital Pal Trashaj! 63-vjeçari humbi pasurinë me mikrokreditë

Ka ndërruar jetë 63-vjeçari Pal Trashaj, i cili paditen e djeshme (2 Korrik) piu fostoksinë para godinës së SPAK.

Pal Trashaj u transportua në spital pasi piu helmin por nuk ka arritur që të mbijetojë.

Dyshohet se 63-vjeçari ndërmori aktin pasi ka humbur pasurinë e tij me mikrokreditë.

Sipas njoftimi të SPAK, Pal Trashaj është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.

Prokuroria vijon duke sqaruar se ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje.

Vetëm pas disa orësh jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga 63-vjeçari.

Sakaq, SPAK bën me dije se ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të institucionit.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022. Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje.

Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.

Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij.

Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.

DETAJET

Pal Trashaj, të cilit iu është marrë pasuria nga përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive, piu helmin përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Ngjarja ka tronditur jo vetëm të pranishmit, pasi në momentin e ngjarjes kanë qenë të shumtë personat që janë përballur me skenën e dhimbshme, ndërkohë që qytetari kishte kërkuar të takohej me një hetues të BKHsë ose dikë nga Prokuroria.

Qytetari është pikasur shpejt nga të pranishmit në oborrin e SPAK, i është dhënë ndihma e parë dhe është thirrur ambulanca, duke e dërguar në repartin e reanimacionit të QSUT-së. Por 63-vjeçari nga Lezha nuk ia ka dalë dot të mbijetojë duke humbur jetën mëngjesin e sotëm (3 Korrik).

NGJARJA

Siç dihet tashmë nga mbarë opinioni publik skemat e mashtrimit financiar me mikrokreditë ka prekur një numër të madh qytetarësh në vendin tonë. Një nga këto viktimat është dhe Pal Trashaj, nga Lezha i cili në kushtet e depresionit piu fotoksinë para dyerve të SPAK. 63-vjeçari, i cili njihet si historian në qytetin e tij, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.

Dje ka mbërritur në ambientet e SPAK si e vetmja derë shpresë për të gjetur drejtësi. Ai nuk është lejuar për 2-3 orë të hynte në ambientet e brendshme dhe ka nisur të kërkojë me ngulm takim me drejtuesit dhe më pas ka pirë helimin që kishte në një letër të cilën e kishte në dorë në ato momente.

KREDIA 76 MIJË LEKË U KTHYE NË BORXH 4.8 MILIONË LEKË

Sipas të dhënave që vijnë nga Lezha bëhet me dije se Pal Trashaj kishte një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 76 mijë lekëve. Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë MCA, e cila kërkonte 4.8 milionë lekë, duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte. Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës.

Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme. Pal Trashaj është një nga viktimat e shumta të mikrokredive, por dosja e tij nuk është objekt i hetimeve të SPAK.

Ndërkohë në vitin 2015 Trashaj u gjobit dhe nga gjykata e Tiranës pasi kishte kërcënuar me mesazhe drejtorin e një banke të nivelit të dytë. Në muajin maj të këtij viti, me kërkesë të Prokurorisë,

Gjykata e Tiranës ka vendosur 9 masa sigurie, 5 “arrest në burg” dhe 4 “arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ pasi janë përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë. Si shembull për përmasat e skandalit me mikrokreditë prokuroria sjell rastin kur Micro Credit Albania, i ka sekuestruar një personi, 14 pasuri të paluajtshme për rreth 348 mijë lekë detyrim të prapambetur.

Sipas prokurorisë 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.3 milionë euro. Ata përdornin një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerjeje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Nese ndryshimin e sjellin Shqiptarët, atëherë ka shpresë!

Nga Gjergji Nika

Duke debatuar me disa miq, njëri prej tyre më përmendi një argument të tejpërdorur, keqpërdorur, të keqkuptuar e të pakuptuar.
Atë të votave të kandidatëve të koalicionit BF në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Si zakonisht, kur diskutimet bëhen sempliste, kokëfortësia e shqiptarit ngelet vetëm tek disa shifra dhe jo tek analiza reale e shifrave.

Si fillim dua të them se Edi Rama mund të mposhtet vetëm nëse përfundimisht opozita largohet nga të gjitha peshat e këqija të së shkuarës, nëse shkëputemi përfundimisht nga establishmenti 34- vjeçar, nëse opozita përcaktohet si progresiste, vepron e funksionon si progresiste, përqafon moralin e së ardhmes.

Mund të mposhtet vetëm nëse bashkohen në një front të vetëm të gjitha forcat e vërteta opozitare, me një program qeverisës, që është për shqiptarët.

Edi Rama mund të mposhtet vetëm nëse kemi moral dhe cipë në fytyrë dhe mbështetet fuqimisht e pa rezerva Drejtësia e re dhe SPAK, nëse luftohet për votën e diasporës dhe listat tërësisht të hapura.

Vetëm kështu bëhen votat që të largohet Rama dhe keqqeverisja e tij.

Por, në rast se do të bëjmë një analizë të thjeshtë, PD nuk i ka votat që të mundë Edi Ramën. E pamë në 25 prill 2021, kur edhe pse ishte e bashkuar nuk ia arritëm. Ngjarjet që ndodhën më pas me shpalljen non grata të Sali Berishës, bënë që Partia Demokratike të tkurrej e të rrudhej edhe më shumë. Përllogariten në 250.000 votues minus.

Në këto tre vite PD ka humbur një numër shumë të madh të elektoratit. U pa në zgjedhjet vjet kur humbja e Sali Berishës ishte katastrofike përballë Edi Ramës.

Rreth 500.000 shqiptarë votuan në 14 maj 2023 kandidatët e koalicionit Berisha- Meta. Ndërsa në zgjedhjet për këshillat bashkiakë këto vota e përgjysmuan.

Rreth 500.000 votat Berisha nxitoi t’i quante si vota mbështetëse ndaj tij. Por argumenti rrëzohet. Në këto vota të kandidatëve ishin edhe votat personale të tyre, jo vetëm ato partiake. Votat reale të koalicionit Meta- Berisha ishin atë 240.000 që u morën për këshilltarët bashkiakë. Në rast se heqim atë 104.000 vota që mori LSI në zgjedhjet e 2021 dhe që pretendonte se i kishte, (megjithëse dyshoj shumë se i kishte dhe i ka) atëherë votat reale të Berishës ishin 140.000. Madje LSI, nga pazari i bërë me Rithemelimin atëherë doli forcë e dytë në Shqipëri, për nga numri i këshilltarëve.

Ndërkohë PD zyrtare (në atë periudhë), pa fushatë, pa kandidatë, pa fonde, sepse fondet Bardhi ia kalonte Rithemelimit morën diçka më tepër se 100.000 vota.

Përsëri shifrat nuk mjaftojnë, sepse të dyja bashkë edhe sikur t’i bashkojnë votat bëjnë 350.000.

Por përsëri janë rreth 250.000 vota, të cilat kanë humbur rrugës dhe nuk e gjejnë veten të përfaqësuar as nga Berisha e as nga Meta.

Pikërisht këto vota dhe votat e elektoratit gri duhen përthithur, në mënyrë që të bëhet opozita një forcë konkuruese për të mundur Edi Ramën.

Sepse elektorati i PD gjithmonë ka qenë i dyzuar: në ata që votojnë PD, sepse besojnë tek jo dhe ata që votojnë PD për arsye nostalgjike dhe, rrjedhimisht edhe nostalgjike edhe për Berishën. Besoj se të gjithë ata demokratë, të cilët i janë larguar ndër vite PD, njërën nga arsyet kryesore e kanë pasur kundërshtinë e tyre me Berishën. Dhe kundërshtia e tyre ndaj Berishës ka nisur në 1991 dhe ka vazhduar në të gjitha këto 34 vite të tranzicionit. Pikërisht këta 250.000 votues, nuk është se janë mbështetës të Bashës. Thjesht ata janë antiberishistë, jo si person, por si frymë. Këta nuk do ta votojnë kurrë Berishën.

Po qe se u shtojmë këtyre shifrave edhe elektoratin gri shqiptar, demokratë, socialistë të zhgënjyer, intelektualë pa parti, shoqërinë civile, shtresën e mesme të shoqërisë, atë kategori votuesish që nuk votojnë PD e Sali Berishës, sepse kanë moral, janë ndërgjegjja më e mirë e shoqërisë dhe shohin përtej interesave personale, janë të pavarur në mendime, të lirë nga nderet dhe qokat e dikurshme, pra nuk janë peng i pushtetit apo korrupsionit të dikurshëm, atëherë shifrat bëhen.

Pikërisht këta njerët kërkojnë përfaqësim politik; pikërisht këta janë ata që do të bëjnë diferencën dhe do të sjellin ndryshimin. Prandaj nuk e kemi luksin të shpërdorojmë bindjet e kësaj pjese shoqërisë, as t’i zhgënjejmë ata.

Fakti është që PD e Sali Berishës nuk mund të rritet më shumë se ç’është aktualisht, ndërsa pjesa progresiste e votuesve mund të rritet në proporcion gjeometrik.

Ndaj, potencialisht opozita e bashkuar, (e bashkuar jo për interesat personale të dikujt dhe nën flamurin e ruajtjes së status quo-së 34 vjeçare), duhet të mbledhë të gjitha votat e të djathtëve shqiptarë që për një arsye ose një tjetër u larguan ndër vite nga PD-ja e Sali Berishës, të mbledhë të gjitha votat e intelektualëve të pavarur, shoqërisë civile, të të gjithë atyre që besojnë se meritojnë ata dhe Shqipëria më shumë.

Në rast se qytetarët nuk do të jenë të detyruar të zgjedhin mes partive politike ku e shkuara dominon mbi të tashmen e të ardhmen, atëherë ka shpresë.

Në rast se shqiptarët nuk do ta kërkojnë zgjidhjen brenda sistemit ekzistues regresist, metodave të vjetra, apo veprimeve e konjukturave të njohura, atëherë ka shpresë.

Në rast se arrihet kjo, atëherë po, Shqipëria do të ndryshojë, opozita do të fitojë, Rama do të detyrohet të largohet nga pushteti dhe tranzicioni i tejzgjatur do të përfundojë.

Censi/ Grupmosha 15-19-vjeçare u përgjysmua në një dekadë, shtohen 90-vjeçarët

Numri i të rinjve në vend po ulet me shpejtësi. Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.

Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grupet e reja moshore, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë.

Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik. Rënie mbi 40% pësuan edhe grupmoshat 10-14 vjeç (41%) dhe 20-24 vjeç (41%).
Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët. Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në 26,443 persona në censin 2023, nga 14,738 të tillë me 2011, me rritje 79%. Struktura e popullsisë tregon rënie dyshifrore në moshat 0 deri në 54 vjeç.

Ndërsa rritja nis për grupmoshat 55 deri në 100 vjeç. Grupmoshat në moshë pensioni janë rritur me ritme shumë të larta (shiko grafikun e mëposhtëm). Grupmosha 80-84 vjeç ishte grupmosha e dytë me rritjen më të madhe 75% ndërmjet cens 2011 dhe 2023.

Popullsia në moshë pensioni 65+ arriti në 473 mijë persona sipas cens 2023 me rritje 49% nga censi 2011.

Piramida e popullsisë me censin 2023 i ngjan më shumë një peme ku grupmoshat e reja të popullsisë kanë pësuar rënie duke formuar trungun teksa është rritur ndjeshëm popullsia në moshe pensioni qe formon kurorën e pemës.
Kjo hartë e re demografike sugjeron se vendi duhet të investojë më shumë në drejtim të një infrastrukture për popullsi më të plakur dhe të përmirësojë në mënyrë radikale sistemin arsimor, që të prodhojë një forcë pune me aftësi të larta për të përballuar nevojat për shërbime të popullsisë me të vjetër.

Tendencat e konsumit lajmërojnë rritje të mallrave dhe shërbimeve për moshat e vjetra, por ndërkohë infrastruktura për këtë qëllim është ende larg nevojave. Hapësirat për të bërë biznes me një popullsi në plakje janë të larta. Mungojnë azilet, infrastruktura fizike dhe një sistem shëndetësor të specializuar për këto mosha.

Mjekët dhe infermierët geriatër janë gati një profesion i panjohur në vendin tonë. Nga ana tjetër mijëra pensionistë jetojnë të vetmuar, pa shërbime dhe të ardhura për të pleqëruar me dinjitet.

Një seri shërbimesh dhe mallrash për moshat e vjetra aktualisht mungojnë në treg dhe gjithashtu janë një hapësire e pashfrytëzuar për biznes.

Plakja e popullsisë ndikon në çdo aspekt të shoqëria dhe veprimtaria ekonomike. Të moshuarit përbëjnë një grup në rritje të konsumatorëve me nevoja specifike dhe blerje të konsiderueshme.

Tendencat demografike tregojnë, se kompanitë duhet të nxiten për të sjellë në treg më shumë produkte për të gjitha moshat.

Nevojat dhe preferencat e të moshuarve shpesh nuk lidhen me interesat e biznesit, por në dekadat në vijim shumë kompani duhet të përshtatin planet e tyre për këtë grup të ri konsumatorësh.

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

Nga Azgan Haklaj

Në kohët më të zorshme, të gjata e të mundimshme kur shqiptarëve në Kosovë ju mohua skena e ekrani nga pushtuesi serb ngeli gjallë me plot shenjtërinë e saj Oda.
Në odat e kullave dardane u mblodhën burrat dhe menduan, kuvenduan, kërcyen e kënduan shqip.
Odat dardane u shndërruan në kuvende të fjalës, pleqsisë dhe besëlidhjes për lirinë.
Dardanët aty e kërcyen vallen e shpatave të Kreshnikëve të Jutbinës e Gjergj Kastriotit.
Aty thurën ëndrrat për bashkimin e kënduan këngë për mitet e tyre që i frymëzonin për Gjergj Elez Alinë, Lek Dukagjinin, Oso Kukën, Zhuj Selmanin, Mic Sokolin e Sef Kosharen, për Azem Bejten e Isa Boletinin.
E kështu Oda mori permasat e një sheshi gjigand e stoik ku jo vetëm ruhej e përpunohej folku patriotik por dhe transmetohej tek brezat e rinj’.
E pra në këto oda nuk hyri dot strategjia asimiluese sllavo- serbe, përkundrazi ato u shndërruan në laboratorë të strategjisë së lirisë sonë kombëtare.
Motra dhe vëllezër!
Kolegë të nderuar artistë të Kosovës dhe trevave tona etnike!
Ne shqiptarët jemi të deshmuar në histori si një komb etno -kulturor ndaj kultura, gjuha, zakonet e traditat, folku dhe eposi kanë qenë shtyllat e forta të vet ekzistencës sonë.
Kështë që në ditët me të zeza të pushtimit kur menduan se na tjetërsuan ishin dasmat e sebepet familjare, bashkimet shoqërore e miqësore në odat e Kosovës që zgjonin ëndrrat për çlirim e liri jo vetëm me fjalë por dhe me art.
Dhe kjo funksionoi biles aq mirë sa pushtuesi nuk e parashikoi.
Edhe në ditët e zjarrta të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës heronjtë e trimat si Muj Krasniqi e Ramush Haradini ja merrnin këngës para dhe pas betejave.
Ndaj folkun tonë të pashoq dhe atdhetar një poet e ka quajtur një “UÇK” me vete.
Kënga e Dervish Shaqes:
“Moj Shqipni mos thuj’ mbarova
Se djemt tu hala janë gjallë
N’kambë u çue rrept Kosova
E bajnë luftën ballë për ballë” u bë hymn për UÇK-n.
Marshi i UÇK-së i Arif Vladit u bë burim frymëzimi për trimat që e kishin më të shtrenjtë se jetën atdheun të cilët lidhnin plagët si Gjergj Elez Alia dhe dilnin në mejdan me bajlozët sllavë me betimin solemn:
“Për Kosovën jap dy jetë
Vdekjen time e vras vetë”.
Të nderuar vëllezer dhe motra!
Sot po gezojmë lirinë e cila sapo ka mbushur 25 vjet!
Ruajtja dhe vazhdimi i kësaj tradite kulturore është jo vetëm e mirë por e domosdoshme dhe detyrë.
Kosova së shpejti do integrohet zyrtarisht në unionin e kombeve euroatlantike sepse rruga jonë e vetme është euroatlantizmi dhe ky proces ka filluar dhe ne aty do të integrohemi me kulturën tonë me folkun tonë sepse aty qëndron vetë identiteti ynë i lashtë në këto troje stërgjyshërore.
Pikërisht këto arsye më bëjnë të lumtur dhe me sinqeritet e përshëndes festivalin me një titull domethënës “N’Odën e Malësisë së Gjakovës” dhe njëkohësisht ju uroj suksese organizatorëve në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe ju premtoj bashkëpunim të frytshëm edhe në të ardhmen.
Të nderuar pjesëmarrës!
Ndonëse akoma kemi disa piramida formale e pengesa internacionale e na mbajnë të ndarë administrativisht në dy shtete askush nuk mund të na pengojë në rrugën e domosdoshme të bashkimit e unifikimit tonë shpirtëror e kulturor mbarëkombëtar.
Jo vetëm si artist e politikan por pikësëpari si bir i Malësisë së Gjakovës ky festival dhe mbi të gjitha emërtimi i tij kuptimplotë më gezojnë pa masë.
Edhe një herë urime e bekime vllaznore për ju, artistët e Kosovës dhe mbarë kombit tonë.
Suksese festivalit dhe organizatorëve!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Ju faleminderit.

Sigurimet, mobiliet, nxjerrja e mineraleve dhe arsimi, me mbylljen më të madhe të bizneseve më 2023

Teksa në total numri i bizneseve ka ardhur në rritje vitin e kaluar, disa aktivitete janë në krizë dhe po mbyllen me shpejtësi.

Sektori me mbylljen më të lartë të aktiviteteve ishte “Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensionit”, ku në vitin 2023 rezulton se janë mbyllur 180 sipërmarrje. Këto përfaqësojnë kryesisht persona të vetëpunësuar me licenca brokerimi dhe agjentë shitjesh.

Prodhimi i mobilieve shënoi sërish rënie të numrit të bizneseve në vitin 2023 me rreth 26 sipërmarrje të mbyllura. Rënia e bizneseve në këtë sektor vijon për të disatin vit radhazi. Prodhuesit e mobilieve nuk janë duke përfituar nga oferta e lartë e ndërtimit.

Bizneset e vogla të këtij sektori janë duke falimentuar nga konkurrenca e mobilieve të importuara pasi vijnë më kosto të lirë. Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e kostove të lëndëve të para dhe rritja e pagave të punonjësve po çojnë në falimente, teksa puna është përqendruar në prodhuesit e mëdhenj.

Banesat e reja në Tiranë edhe pse janë shitur, po qëndrojnë bosh në një pjesë të konsiderueshme, teksa hotelet preferojnë të punojnë më bizneset e mëdha të sektorit, pohoi F. Aliaj që zotëron një njësi të vogël prodhimi mobiliesh në Tiranë. Në këtë aktivitet operojnë 361 ndërmarrje në të gjithë vendin me rënie 6.7% më 2023.

Aktivitetet e nxjerrjes e mineraleve u renditën të tretat për numrin më të madh të bizneseve të mbyllura më 2023. Të dhënat e INSTAT referojnë se vitin e kaluar, stoku i bizneseve që nxjerrin minerale nga nëntoka ose karrierat u tkurr me 24 biznese, me rënie vjetore 5.4%.

Aktiviteti tjetër me mbylljen më të madhe të bizneseve ishte sektori i arsimit. Vitin e kaluar, numri i sipërmarrjeve në aktivitetet e edukimit shënoi 1361 ose 19 biznese më pak se në vitin 2022, me rënie 1.4%.

Reduktimi i numrit të fëmijëve nga lindjet më të pakta dhe emigracioni i lartë i familjeve po pakëson aktivitetet e kopshteve dhe shkollave private në vend.

Vit pas viti, numri e fëmijëve në shkolla po tkurret, duke ushtruar presion edhe për mbylljen e aktiviteteve në fushën e arsimit që nga kopshtet deri tek universitetet.

Gjithashtu, aktivitetet e telekomunikacionit dhe ato të lojërave të fatit shënuan rënie të stokut të ndërmarrjeve më 2023, të ndjekura nga ndërmarrjet e ujësjellësit, të cilat po reduktohen nga një reformë në sektorin publik që rigrupon ndërmarrjet në njësi rajonale më të mëdha. Monitor.al