25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Rënie drastike e popullsisë në qarqe, disa bashki humbën gjysmën e banorëve! Rritje minimale në Tiranë

Në Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2001 dhe në Censusin e vitit 2011, konkluzioni ishte në të dyja rastet që popullsia e Shqipërisë ishte përfshirë në një lëvizje masive nga fshati për në qytet, ku pjesërisht lëvizja ishte e brendshme dhe pjesërisht, jashtë vendit. Në fakt, lëvizja e brendshme, pra lëvizja nga zonat periferike të vendit për në ultësirën perëndimore si dhe lëvizjet nga fshati për në qytet, ishin në përmasa më të mëdha se sa emigrimi i jashtëm. Jo më. Të dhënat e Censit 2023, të publikuara të premten, tregojnë se gjatë dekadës së fundit, shumica dërrmuese e lëvizjes së popullsisë është me destinacion vetëm vajtje jashtë vendit, me një lëvizje minimale në drejtim të Tiranës.

Të dhënat e censit tregojnë gjithashtu se një pjesë thelbësore e popullsisë që u zhvendos nga zonat e thella malore për në qendrat e mëdha urbane të vendit si Tirana dhe Durrësi, tashmë ka hequr dorë nga gjetja e së ardhmes në Shqipëri dhe po largohet në përmasa të frikshme për në emigrim.

Të dhënat e censit sugjerojnë nga ana tjetër që, nëse vendi nuk do të arrijë të tërheqë pas në masë disa nga emigrantët e larguar gjatë viteve të fundit, popullsia do të vijojë të bjerë edhe në vitet në vazhdim. Numri shumë i vogël i fëmijëve të mbetur në vend, gjithsej 488 mijë vetë në vitin 2023, sugjeron që, nëse të gjithë këta fëmijë do të qëndrojnë në Shqipëri dhe nëse lindshmëria do të rritet nga kuotat minimale aktuale në kuotat e domosdoshme për zëvendësim, që do të thotë, më shumë se 2.2 fëmijë për nënë në moshë riprodhuese, popullsia në dekadat në vijim mund të zbresë deri në 1.5 milionë banorë.

 

INSTAT raportoi se ka gjetur në shtator 2023 popullsi të pranishme prej pak më shumë se 2.4 milionë banorë, shifër kjo afërsisht 400 mijë më e ulët se sa popullsia e pranishme në censusin e vitit 2011. Krahasimi i saktë nuk është i mundur për shkak se në vitin 2011, të dhënat paraprake të censusit e vlerësuan popullsinë në 2.8 milionë ndërsa rivlerësime pas censusit dhanë rezultate lehtësisht të ndryshme, me disa dhjetëramijëra më shumë se sa vlerësimi paraprak.

Gjithsesi, nëse marrim për referencë shifrën e parë prej 2.8 milionësh, e cila vijon të gjendet e publikuar në faqen e internetit në Instat për censusin e vitit 2011, atëherë mund të themi se:

  1. a) Popullsia e Shqipërisë, nëse nuk do të kishte as migrim dhe as emigrimi, do të duhej të ishte, në vitin 2023, 2.8 milionë plus shtesa natyrore prej 88 mijë vetësh, e cila është numri i lindjeve më i lartë se sa i vdekjeve për periudhën mes dy censuseve.
  2. b) Rreth 108 mijë prej popullsisë rezidente të censit 2023, deklaruan se janë të kthyer nga emigrimi përgjatë dekadës së fundit. Këtyre duhet t’i shtohen edhe rreth 15 mijë shtetas të huaj që u gjendën në Shqipëri. Rrjedhimisht, numri i personave që duhet të kenë ikur në emigrim rishtaz në periudhën mes dy censuseve është afërsisht 609 mijë vetë ndërsa rezultati neto i migrimit është rreth 486 mijë vetë.

Nëse marrim parasysh shifrën e rivlerësuar të Censusit 2011, popullsia ka rënë me rreth 440 mijë vetë.

Censusi është procesi admistrativ që shtetet kanë përdorur që nga koha e lashtësisë si burim informacioni për të ditur gjendjen faktike të popullsisë. Në kohët e vjetra, qëllimi  kryesor i censusit ishte  taksimi i pronës së tundshme dhe të patundshme apo taksimi për kokë i popullsisë ndërsa në shtetet moderne, censusi bëhet për informacion statistikor i vlefshëm për vlerësimin e nevojave për shërbime të ndryshme publike, nga infrastruktura fizike, të shkollat apo shëndetësia.

Pas rënies së Komunizmit në Shqipëri janë kryer tre procese të tilla, ku në çdo rast, emri i përdorur ka ndryshuar. Në censusin e vitit 2001, emërtimi zyrtar ishte Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave (REPOBA) ndërsa në vitin 2011 u përdor termi Census. Në vitin 2023, zyrtarët përdorën termin Censi. Ky shkrim do të përdorë këto terma respektivisht për secilin prej proceseve.

Të dhënat e Censusit 2011 dhe të Censit 2023 tregojnë gjithashtu se në të dyja rastet, Instituti i Statistikave ka dështuar me një shkallë të lartë gabimi të vlerësojë popullsinë reale të pranishme në Shqipëri, pavarësisht se përgjatë këtyre viteve ka pasur në dorë instrumente indirekte për vlerësime më të sakta. Në vitin 2011, censusi nxorri një popullsi të pranishme shumë më të ulët se sa vlerësimet vjetore të INSTAT dhe po kështu, edhe më 2023. Për shembull, vlerësimi i fundit i INSTAT për popullsinë e pranishme në janar 2023, fliste për një popullsi rezidente prej afro 2.7 milionë banorësh, plot 300 mijë më shumë se sa fakti.

Largimi i popullsisë nga një vend ka qenë historikisht një çështje debati politik. Ndonëse shkaqet e emigrimit janë nga më të larmishmet, gjendja dhe regjimi politik i një vendi konsiderohen si faktori kryesor që shpie një pjesë të popullsisë të largohet nga vendlindja në kërkim të një fati më të mirë gjetkë.

Si Sali Berisha, kur ishte kryeministër në kohën e Censusit 2011 ashtu edhe Edi Rama sot, u përballën me pikëpyetje nëse qeverisja e tyre ishte përgjegjëse për largimin e dhjetëramijëra shqiptarëve çdo vit. Të dy mohuan që korrupsioni dhe keqqeverisja të jenë shkaqe të këtij eksodi.

Emigrimi dhe lindshmëria

 

Qeveria komuniste në Shqipëri përdori që nga viti 1964 një sistem të pasaportizimit të brendshëm, në bazë të së cilit, qytetarët nuk kishin të drejtë të zgjidhnin nëse donin të jetonin në qytet apo në fshat, apo nëse donin të jetonin në një vend të caktuar. Vendimi duket se bllokoi procesin natyror të urbanizimit, duke e lënë Shqipërinë me shkallën më të ulët të urbanizimit në kontinent. Në fund të komunizmit, në vitin 1992, afro 64% e popullsisë shqiptare jetonte në zonat rurale, ndërkohë që pjesa tjetër e kontinentit kishte përjetuar fillimisht urbanizimin, ku pjesa dërrmuese e popullsisë u vendos nëpër qytete duke lënë në fshat më pak se 10%, dhe më pas, procesin e anasjelltë, ku shumë banorë zgjidhnin për të jetuar në fshat ndërsa bënin punë tipike urbane duke udhëtuar çdo ditë drejt vendit të zakonshëm të punës.

Krahas imponimit të pasaportizimit të brendshëm, qeveria komuniste shqiptare ishte një nga dy vendet e vetme të Evropës Lindore, të cilat, refuzuan konkluzionet e një kongresi demografësh të botës komuniste të vitit 1962, të cilët rekomanduan ndalimin e rritjes së popullsisë përmes praktikave  të planifikimit familjar. Demografët e Lindjes në atë kohë dolën në konkluzionin se popullsia mund të rritet tepër shpejt në rast se politika e nxitjes së lindshmërisë, që shumë vende ndoqën pas vdekjeve dramatike të Luftës së parë Botërore, do të vijonte. Rrjedhimisht, vendet e Lindjes filluan programe të edukimit seksual nëpër shkolla, lejuan abortin dhe rekomanduan seks të mbrojtur.

Shqipëria dhe Rumania nuk e ndoqën këtë këshillë. Në Rumani, diktatori vendës shpalli barkun e gruas pronë të shtetit dhe urdhëroi të bëheshin sa më shumë fëmijë. Në Shqipëri, propaganda qeveritare ishte e njëjtë, por popullsia, si në Shqipëri, ashtu edhe në Rumani, ishte dukshëm më e mençur se sa politikanët. Lindshmëria u reduktua në Shqipëri përgjatë dekadave të komunizmit si sjellje e vetë qytetarëve, pavarësisht mungesës së kontraceptivëve dhe ndalimit me ligj  të abortit.

Fryrja ekstreme e popullsisë rurale gjatë kohës së komunizmit si  dhe burimet shumë të pakta ekonomike, bëri që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të largohej nga fshati pas rënies së komunizmit, pjesërisht duhe u vendosur në qytetet kryesore të vendit dhe pjesërisht duke ikur në emigrim. Qeveritë post-komuniste nuk ishin në gjendje as të parashikonin dhe as të merrnin masa për të menaxhuar këto lëvizje drastike të popullsisë, gjë që solli urbanizim kaotik, krijimin e zonave urbane pa infrastrukturën e nevojshme në furnizim me ujë, kanalizime apo rrugë si dhe ndërtime pa leje në masë.

Gjithsesi, popullsia në tërësi, mes viteve 1991 dhe 2001, pësoi një rënie minimale nga 3.2 në 3.069 milionë banorë, për shkakun e thjeshtë se popullsia ishte e re dhe lindshmëria ishte e lartë. Mes të dy censuseve, vlerësohet se rreth 600 deri në 800 mijë banorë mungonin, supozohet duke qenë në emigrim. Lindshmëria e lartë, por gjithsesi, në rënie të shpejtë, bëri që, mes censuseve 2001 dhe  2011, popullsia të reduktohej me “vetëm” 7.3%. Problemi është se emigrimi gërryen më së shumti të rinjtë, gjë që bën që lindshmëria të binte. Në vitin 2000, lindshmëria ishte ende 3 fëmijë për nënë, ndërsa aktualisht ka rënë në më pak se 1.5. Shifrat e sakta që nevojiten për të llogaritur lindshmërinë për nënë me popullsinë faktikisht të pranishme në Shqipëri nuk  janë publikuar ende nga INSTAT. Ato pritet të publikohen në tetor. Mes viteve 2011 dhe 2023, popullsia rezidente ra me afro 15%

Megjithatë, lindshmëria e ulët nuk do të thotë se popullsia ishte në pakësim. Përgjatë të gjithë periudhës pas rënies së komunizmit, deri më sot, vendi ka pasur më shumë lindje se sa ka pasur vdekje, me përjashtimin e vetëm të vitit 2021, kur vdekjet e shkaktuara nga pandemia e Covid-19 sollën për herë të parë një shtesë popullsie negative. Kjo do të thotë se, ndonëse lindshmëria ka ardhur në rënie të vazhdueshme, rënia e popullsisë përgjatë dekadave të fundit ka qenë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e emigrimit masiv.

Jo më dyndje në qendër

 

BIRN përdori të dhënat e INSTAT për REPOBA 2001, Census 2011 dhe Censi 2023 të ndara sipas qarqeve dhe bashkive si dhe të dhënat e Regjistrit Civil, të marra nga Ministria e Brendshme përmes një kërkese për të drejtë informimi, për të kuptuar drejtimet kryesore të lëvizjes së popullsisë. Të dhënat sugjerojnë se mes Censusit dhe Repobës, popullsia ra me të vërtetë me 7%, në rang kombëtar por rënia u shoqërua me një zhvendosje nga periferia drejt qendrës. Kështu, ndërsa dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie që varionin nga 16% në Lezhë e Shkodër, në 39% në Gjirokastër dhe 28% në Dibër, dy qarqet më të mëdha të vendit, Tirana dhe Durrësi, njohën respektivisht rritje të popullsisë me 8% dhe 31%. Popullsia e Qarkut Tiranë u rrit me 183 mijë vetë ndërsa popullsia në Durrës u rrit me 24 mijë vetë. Krahasimi me vitin 1991 nuk është gjithmonë i mundshëm për shkak se ndarja administrative e vendit në atë kohë ishte e ndryshme. Por ajo që mund të thuhet është se popullsia e qytetit Tiranë në çastin e rënies së komunizmit ishte rreth 216 mijë vetë ndërsa në shtator 2023, ishte rritur në 598 mijë vetë.

Tendenca e përqendrimit të popullsisë në Shqipërinë qendrore si dhe përreth qyteteve të mëdha, e cila u shfaq, mes të tjeras, me krijimin e lagjeve të gjera të paurbanizuara si Bathorja në Tiranë dhe ish-Këneta në Durrës, duket se është përmbysur në dekadën e fundit. Mes Censusit dhe Censit, të gjitha qarqet e vendit, përfshirë Tiranën, pësuan rënie të popullsisë. Durrësi, i cili në vitin 2011 ishte një nga dy qarqet e vetme me rritje popullsie, në dekadën që pasoi, pësoi rënie të popullsisë me 16%. Në fakt, ndërsa populsia në këtë qark, ku përfshihen bashkitë Durrës, Shijak e Krujë, u rrit me 24 mijë vetë mes Repobës dhe Censusit, ajo ra me 42 mijë vetë mes Censusit dhe Censit. Popullsia e qarkut, aktualisht 227 mijë vetë, është edhe më e paktë se sa ishte në vitin 2021.

Qarku i  Tiranës, ku përfshihen bashkitë  Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë, pësoi një rënie në masën 3%. Rënia në qarkun Tiranë ishte josimetrike dhe gjendja e popullsisë në bashkinë e Kamzës si dhe në atë të Vorës është treguesi më i fortë i tendencës së kalimit nga migrantë të brendshëm në emigrantë.

 

Tre dekada më parë, Kamza ishte një qytezë periferike e kryeqytetit me pak mijëra banorë. Në vitin 2011, Kamza dhe ish-komuna Paskuqan, të cilat i bashkuan në reformën administrative të vitit 2015, kishin bashkërisht 136 mijë banorë, një rritje ndoshta njëzet herë në krahasim me tre dekada më parë. Rritja e popullsisë erdhi si pasojë e zbritjes në Tiranë të një pjese të konsiderueshme të popullsisë nga zonat veriore dhe veri-lindore të vendit.

Kjo rritje gjithsesi duket se i përket të shkuarës tashmë. Te Censi, intervistuesit gjetën në Kamëz vetëm 96 mijë banorë, afro 40 mijë më pak nga sa ishin te Censusi 2011. Afërsisht një në çdo tre banorë të zonës duket se ka emigruar, duke u larguar, kësaj here, jo nga vendlindja, por nga shtëpia e dytë, për një jetë tjetër në emigrim. Fat të ngjashëm ka pasur popullsia në bashkitë e tjera të qarkut. Në Vorë, një qytezë që është në distancë prej vetëm 16 kilometra larg Tiranës, popullsia është pakësuar me 15% ndërsa në Kavajë, rënia është 25%. Rrogozhina, një ish-qytezë industriale, ka pësuar rënien më të fortë në qark me 43%.

Kryeqyteti i vendit, i cili supozohet se po zhvillohet për të qenë një metropol, në fakt ishte i vetmi qytet që njohu rritje përgjatë këtyre dymbëdhjetë viteve njohu rritje të popullsisë, megjithëse rritja kurrsesi nuk është në përmasa të konsiderueshme. Bashkia Tiranë dhe ish-komunat përbërëse përreth saj kishin 557 mijë banorë në vitin 2011 ndërsa më 2023, popullsia rezultoi 598 mijë, me një rritje të akumuluar 7.3 ose me një mesatare vjetore prej më pak se 3,400 vetësh në vit.

Rritja mëse e ngadaltë e popullsisë së Tiranës pritet të hapë një diskutim më të gjerë mbi arsyet që shtyjnë kaq shumë investime në sektorin e ndërtimit si dhe arsyet që kanë shkaktuar një rritje shumë të fortë të çmimeve të pronave të patundshme, çmime që janë dyfishuar përgjatë një periudhe pesëvjeçare nga viti 2018 deri në vitin 2022 falë një kërkese të shtuar, aludohet të furnizuar nga pasuritë e vëna nga aktivitetet kriminale të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Në total, Qarku Tiranë ka humbur pak më shumë se 22 mijë banorë në krahasim me Censusin 2011.

 

Pjesa tjetër e vendit ka njohur vetëm rënie. Rënia e popullsisë dukshëm tashmë nuk varet më, si më parë, nga gjendja e burimeve natyrore të krahinës, nga mbyllja e industrisë së rëndë të kohës së Komunizmit apo nga tendenca normale e urbanizimit.

Qarku i Shkodrës është qyteti me shkallën më të lartë të pakësimit të popullsisë. Rënia këtu është 28%. Në qark banojnë sot 61 mijë vetë më pak se sa 12 vjet më parë.

Lezha, e cila përfshin bashkitë bregdetare të Lezhës dhe Kurbinit, si dhe zonën e Mirditës, humbi 26% të popullsisë ose 35 mijë vetë.

Qarku i Fierit pësoi një hemoragji njerëzish në masën 70 mijë banorë. Afro 23%, ose një në katër banorë këtu zgjodhën emigrimin. Qarku i Fierit përfshin qytetin industrial të Fierit si dhe qytezat industriale të Patosit e Ballshit, krahas qendrave të bujqësisë, Lushnjë, Divjakë e Roskovec, të vendosura në një zonë pjellore të njohur si Hambari i Shqipërisë. Pjelloria e tokës dhe industria nuk e ndaloi hemoragjinë e popullsisë, siç duket. Të gjashta bashkitë e qarkut pësuan rënie që varioi nga 15% në Fier, në 41% në Mallakastër.

 

Qarku i Elbasanit humbi një në çdo pesë banorë përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, ose gjithsej 63 mijë vetë. Të shtata bashkitë e qarkut pësuan rënie,  ku rënia më e fortë u shënua në Peqin me 25% dhe më e pakta, në Cërrik me 8.3%. Vetë Bashkia e Elbasanit u reduktua me 18% për nga numri i popullsisë.

 

Ndoshta rënia më domethënëse e popullsisë në vend është eksodi masiv nga Qarku i Vlorës. Një zonë e pasur me burime natyrore, e cila shtrihet përgjatë bregdetit nga grykëderdhja e Vjosës deri në kufi me Greqinë, qarku përfshin qytetet turistike të Vlorës e Sarandës si dhe qytezat turistike të Orikumit, Himarës e Ksamilit. Për nga pikëpamja e prodhimit bujqësor e blegtoral, zona njihet si më e pasura në Shqipëri për shkak të kombinimit të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës me plantacionet e ullinjve dhe tufat e bagëtive të imta, të cilat janë të favorizuara nga afrimësia e madhe e kullotave verore me kullotat dimërore dhe bollëkun e burimeve ujore. Kjo, kombinuar me aktivitetin e turizmit, supozohej se do të mund të krijonte kushte normale jetese. Dhe kjo është pikërisht ajo që nuk ka ndodhur.

 

Popullsia e Qarkut të Vlorës ka rënë nga 193 mijë vetë në vitin 2001, në 177 mijë më 2011 dhe në 147 mijë në vitin 2023. Rënia përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit ka qenë 30 mijë vetë ose 17%. Rënia më e fortë shënohet në vetë Bashkinë Vlorë, ku një në çdo pesë persona dukshëm nuk janë bindur nga të pasurit të kryeministrit Edi Rama si deputet të zonës dhe as nga investimet e qeverisë në krijimin e bulevardeve përgjatë detit apo ndërtimin e pallateve përmes statusit të Investitorit Strategjik. Në Bashkinë Vlorë, e cila përfshin edhe ish-komunat përreth, banojnë aktualisht 21 mijë vetë më pak se sa më 2011.

Përkundrejt kësaj, Bashkitë Himarë dhe Sarandë kanë njohur rritje të popullsisë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Rritja e disa bashkive me prani të minoritetit grek, përfshirë Dropullin, mbetet një mister për t’u eksploruar në vijim dhe mund të ketë të bëjë me nënregjistrim të vitit 2011 për shkak të debateve politike ose me një kthim të një pjese të emigrantëve nga Greqia.

Pjesa e brendshme e vendit ka njohur gjithashtu rënie dramatike. Në Qarkun Kukës popullsia ka rënë me 27% ndërsa në Dibër me 22% ndërsa në Korçë, popullsia ka rënë me 22%. Qarku i Korçës përfshin qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit me fshatrat përkatës krahas zonave rurale të Devollit, Maliqit dhe Kolonjës, të cilat janë bashki më vete. Zona e Kolonjës numëroi te Censi vetëm 7,500 banorë dhe është sot zona me densitetin më të paktë në vend.

 

Qarku i Beratit është qarku i vetëm në vend që nuk ka pësuar rënie masive të popullsisë. Këtu rënia është “vetëm” 5%. Bashkia Berat dhe Bashkia Dimal kanë njohur rritje të popullsisë, sipas statistikave zyrtare, ndërsa nga Poliçani kanë ikur praktikisht një në çdo dy banorë.

Shkalla e emigrimit

BIRN analizoi të dhënat e Censusit 2023 me të dhënat e Regjistrit Civil 2023. Regjistri Civil mbahet nga Ministria e Brendshme dhe regjistron të dhënat jetike të popullsisë, lindjet, vdekjet, martesat apo divorcet. Regjistri mbart të gjithë popullsinë e shtetasve të Shqipërisë pavarësisht nëse shtetasit jetojnë brenda apo jashtë vendit. Në total, regjistri shënon se në vitin 2023 kishte 4.61 milionë shtetas shqiptarë, gjë që sugjeron se 2.2 milionë jetojnë në emigrim ndërsa 2.4 milionë jetojnë në Shqipëri. Numri i shqiptarëve jashtë vendit ka gjasa që është më i lartë se kaq sepse në Regjistrin Civil nuk përfshihen shtetasit që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare para se të marrin një shtetësi tjetër në vendet ku nuk lejohet dyshtetësia.

Krahasimi i të dhënave të Regjistrit Civil me Censin në nivel qarku apo bashkie jep rezultate jo aq të sakta sa krahasimi në nivel kombëtar. Kjo ndodh për arsye se një pjesë e popullsisë mund të jenë të regjistruar në regjistrin civil të një bashkie ndërsa jetojnë praktikisht në një bashki tjetër dhe nuk kanë kryer procesin adminstrativ të zhvendosjes. Duke përjashtuar këtë problem, mund të thuhet se 48% e popullsisë në rang kombëtar jeton në emigrim. Në nivel bashkie, shkalla e emigrimit varion nga 30% në Bashkinë Dimal, në 72% në Bashkinë Selenicë dhe 71% në Bashkinë Himarë.

 

Perspektivë e zymtë

Demografët përdorin një grafik të njohur si Piramida e Popullsisëv për të analizuar gjendjen aktuale dhe ndarjen e popullsisë sipas grupmoshave si dhe perspektivën për të ardhmen. Termi Piramida e Popullsisë në fakt është krijuar në një kohë kur në shumicën e vendeve ku është përdorur, fëmijët, që zënë bazën e Piramidës, ishin dukshëm më të shumtë në numër se sa prindërit dhe gjyshërit më sipër në grafik. Sot, të dhënat e popullsisë e bëjnë grafikun larg të qenit piramidë. Në fakt, brezi i shqiptarëve të lindur në vitin 2023 numëronte vetëm 21 mijë dhe është brezi më pak i numërt i shqiptarëve të lindur për aq sa ka të dhëna demografike historike. Larg nga të qenit baza e një Piramide, grafiku shqiptar i ngjan tashmë një peme të gërryer nga rrënjët me degë të hapura sipër. Të gjithë brezat e tjerë të shqiptarëve, nga 2 vjeç deri në 75 vjeç janë në fakt më të numërt se sa brezi më i ri i shqiptarëve. Brezat më të numërt të shqiptarëve janë ata që në vitin 2023 ishin mes 60 dhe 65 vjeç.

 

Forma e grafikut tregon se çfarë pritet të ndodhë në dekadat në vijim. Duke qenë se në Shqipëri, në vitin 2023, kishte më pak se gjysmë milion fëmijë nën tetëmbëdhjetë vjeç, popullsia sipas gjasave, do të vijojë të bjerë. Nëse supozohet se të gjithë këta fëmijë do të qëndrojnë në Shqipëri dhe se ata të gjithë, kur të rriten, do të pëlqejnë të bëjnë dy apo tre fëmijë për familje, atëherë sërish popullsia e vendit do të bjerë në më pak se 2 milionë brenda dy dekadave të ardhshme, kësaj here, jo më si pasojë e emigrimit, por si pasojë e numrit më të lartë të vdekjeve në krahasim me numrin e lindjeve.

Rënia e popullsisë në vetvete nuk është automatikisht e keqe po të mos shoqërohej me disa aspekte shumë të pakëndshme. E para, numri i pensionistëve në vitet në vijim do të vijojë të rritet, kur brezi i numërt i 60-65 vjeçarëve të sotëm të dalë në pension. Vendi nuk ka kursime për pension kështu që pensioni i tyre do të duhet të paguhet nga ata që sot janë gjimnazistë apo studentë që pritet të dalin në tregun e punës përgjatë viteve në vijim. Problemi është se ka më shumë 60-vjeçarë në pritje të pensionit nga sa ka të rinj në prag të daljes në tregun e punës. Vetëm një mrekulli në politikëbërje mund të bëjë të mundur që produktiviteti i punës së punëtorëve të sotëm të mund të paguajë pensione për të moshuarit e shtuar.

Menaxhimi i ekonomisë në një situatë të popullsisë në rënie të vazhdueshme pritet gjithashtu të jetë përplot me telashe. Rënia e deritanishme duket se është kompensuar në një masë jo të vogël nga rritja e nivelit të mirëqenies si dhe nga fakti që, një pjesë jo e vogël e emigantëve, udhëtojnë shpesh për në Shqipëri, plotësojnë pensionet minimale të prindërve si dhe shpenzojnë një pjesë të parave të fituara jashtë në atdhe për pushime. Kjo ka gjasa që nuk do të vijojë përgjithmonë dhe vendi mund të përballet me rënie reale të konsumit të çdo gjëje, nga ushqimet te veshjet, duke gërryer në mënyrë progresive qarkullimin ekonomik dhe të ardhurat e qeverisë.

Ky skenar nuk është i pashmangshëm, gjithsesi. Rënia e popullsisë me 1.5% në vit mund të kompensohet nga rritja e ekonomisë me 1.5%, një rritje kjo që është minimale dhe lehtësisht e realizueshme. Nëse shikohet niveli ekonomik aktual, me të ardhurat mesatare për frymë prej vetëm 10 mijë eurosh në vit në krahasim me mesataren evropiane prej 40 mijë eurosh, është e mundur që një menaxhim normal politik të sjellë rritje ekonomike në përmasa të tilla sa, jo vetëm që ekonomia mund të mos tkurret dhe rënia e popullsisë të kompensohet më rritje ekonomike, por edhe që një pjesë e popullsisë së larguar në emigrim të mund të kthehet, duke kontribuuar, si në ngadalësimin e rënies së popullsisë, ashtu edhe në rritjen ekonomike./reporter.al

Aleatët në aksion: BE dhe NATO të angazhohen bashkërisht për Kosovën

Në vitin 2013, kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, pritjet ishin që ajo të sillte frymë të re mes dy vendeve armiqësore, t’i trajtonte ndarjet etnike në Kosovë dhe t’i hapte rrugë integrimit më të madh ndërkombëtar të shtetit – atëkohë vetëm 5 vjeç. Udhëheqës të negociatave ishin Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë.

 

Ajo që i uli bashkë në tryezë dhe arriti t’i përafronte qëndrimet mes tyre pas gjashtë muajsh bisedime, ishte Catherine Ashton, atëkohë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

“Negociatat përfunduan. Teksti [i marrëveshjes] u nënshkrua nga të dy kryeministrat. Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë”, tha Ashton në prill të 2013-ës.

Marrëveshja nuk u zbatua kurrë në tërësi prej asnjërës palë dhe ato fajësuan vazhdimisht njëra-tjetrën për dështime.

Ashton u zëvendësua në vitin 2014 nga Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi disa runde negociatash mes Kosovës dhe Serbisë, por dëshmoi edhe valë të reja të tensioneve mes tyre.

Në vitin 2019, pozitën e shefit të politikës së jashtme të BE-së e mori Josep Borrell, nën mandatin e të cilit Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, por që, njësoj, nuk u zbatua.

Përkundër përpjekjeve javën e kaluar, Borrell nuk arriti t’i ulte bashkë në tryezë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për shkak të, siç tha, disa kushteve që nxori Kurti, e që Vuçiç nuk i pranoi.

Për të dyja vendet, normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të përparuar në rrugën e anëtarësimit në BE. Aktualisht, të dyja ato janë në vendndalim: Kosova nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin për anëtarësim, të bërë qysh në fund të vitit 2022, ndërsa Serbia, nga viti 2021, nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave për pranim.

Ndërmjetëse mes tyre, nga vjeshta, do të jetë Kaja Kallas, e cila do të konfirmohet në pozitën e shefes së politikës së jashtme të BE-së për pesë vjetët e ardhshëm. Kallas, aktualisht kryeministre e Estonisë, është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Për vëzhguesit e dialogut Kosovë-Serbi, Kallas do të duhej ta ndryshonte taktikën e ndërmjetësimit mes dy vendeve. Kushtëzimi me vetëm integrimin evropian nuk ka bërë punë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Maja Pishqeviç, nga Këshilli Atlantik.

“Instrumenti i fuqishëm financiar do të ishte një nga mënyrat – pra ndalimi i mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, e cila është shumë e rëndësishme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse ato ankohen se ajo nuk është e mjaftueshme, do të ishte shumë e rëndë për secilin prej vendeve nëse do të mbetej pa të”, thotë Pishqeviç.

Bashkimi Evropian planifikon ndarjen e një fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të tyre.

Gjatë një vizite në Prishtinë dhe në Beograd, më 18 dhe 19 qershor, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak – i cili po ashtu do të zëvendësohet në muajt e ardhshëm – paralajmëroi se Kosova dhe Serbia duhet të dëshmojnë qasje konstruktive në dialog, për të pasur qasje në këtë fond.

Pishqeviç thotë se kjo është e domosdoshme të zbatohet në praktikë, sa më parë që të jetë e mundur.

“Kushdo që e zëvendëson Lajçakun, duhet të ketë instrumente të tjera për ta drejtuar procesin. Nëse nuk i ka, do të përfundojë si Lajçaku [pa i bindur palët për t’i zbatuar marrëveshjet]. Nuk jam optimiste se do të ndryshojë ndonjë gjë, nëse vetëm emrat [e ndërmjetësuesve] ndryshojnë”, thotë Pishqeviç.

Marrë parasysh “status quo-në e brishtë” në Kosovë, Pishqeviç shton se BE-ja do të duhej të koordinohej edhe me partnerë ndërkombëtarë, të tillë si NATO-ja, për të mbështetur procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja, me misionin e saj paqeruajtës KFOR, është e pranishme në Kosovë që nga fundi i luftës më 1999. Nën vëzhgimin e saj, shtatorin e kaluar ndodhi një sulm i armatosur në fshatin Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic dhe duke rritur shqetësime për sigurinë rajonale.

Vetëm pak muaj para atij sulmi, po në veri të Kosovës, grupe serbësh u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it, në protestat kundër kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Javën e kaluar, në krye të aleancës ushtarake u emërua sekretari i ri i përgjithshëm, Mark Rutte. Rutte, i cili për 14 vjet shërbeu si kryeministër i Holandës, është i njoftuar nga afër për situatën në Kosovë.

Ai zhvilloi disa takime me udhëheqësit aktualë – të fundit me presidenten Vjosa Osmani më 17 qershor, në margjina të një samiti për Ukrainën.

Verën e kaluar, ai ishte personalisht në Kosovë, për të bërë thirrje për uljen e tensioneve, pas disa incidenteve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, thotë për Exposenë se gjëja e parë që do të duhej të bëjë Rutte në Kosovë, është ta forcojë misionin e KFOR-it në kufirin e saj me Serbinë.

“Pas incidentit në Banjskë, vitin e kaluar, kur paraushtarakët serbë kanë depërtuar në Kosovë dhe kanë shkaktuar kaos, është parë mungesa e sigurisë në kufi. Ka qenë e lehtë për ta të fusin armë dhe personel. KFOR-i është forcuar pastaj me ushtarë nga Turqia, Britania, Gjermania… por duhet të jetë edhe më i dukshëm në veri dhe të patrullojë në kufi”, thotë Shea.

Ai shpreh bindjen se Rutte, si shef i NATO-s, do ta mbajë Kosovën lart në agjendë, pikërisht për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, por, sipas tij, ai do të duhej ta rriste edhe angazhimin diplomatik me Bashkimin Evropian.

“Do të doja ta shihja Rutten duke punuar më afër me presidenten e Komisionit Evropian – që prapë pritet të jetë Ursula von der Leyen – në atë mënyrë si ka punuar ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, me ish-përfaqësuesin e lartë të BE-së, Javier Solana, për të shmangur luftën në Maqedoni [në fillim të viteve 2000]. Me misione të përbashkëta që përçojnë të njëjtin mesazh, unë mendoj se mund të shohim përparim më të shpejtë”, thotë Shea.

Një tjetër gjë që, sipas tij, është koha të ndodhë, është forcimi i partneritetit mes NATO-s dhe Kosovës.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO, por, marrë parasysh se në radhët e saj janë katër shtete që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia – dhe vendimi për zgjerimin duhet të merret në mënyrë unanime, ajo kërkesë nuk ka shkuar përpara.

Nën shefin e deritashëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Asambleja Parlamentare e aleancës miratoi, muajin e kaluar, avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Shea thotë se do të donte ta shihte Rutten më “bujar” ndaj Kosovës kur bëhet fjalë për aktivitetet e përbashkëta.

“Kosova i ka disa aktivitete të partneritetit me NATO-n – si ushtrime, trajnime, këshilla për prokurimin – por nuk ka qasje në menynë e plotë të të gjitha aktiviteteve bashkëpunuese në kuadër të Partneritetit për Paqe, kryesisht për shkak se katër aleatë vazhdojnë të mos e njohin atë”.

“Marrë parasysh interesimin e dukshëm të Kosovës për t’u bërë një ditë anëtare e NATO-s, Rutte duhet të përpiqet t’i bindë aleatët që t’i japin Kosovës mundësi më të mëdha për t’u përafruar dhe ndërvepruar me NATO-n. Mendoj se ky do të ishte një sinjal pozitiv”, thotë Shea.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës, ashtu si edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë se çka presin prej udhëheqësve të rinj të BE-së dhe të NATO-s, por nuk mori përgjigje.

Ajo që është e sigurt, është se sfidat e tyre edhe në frontin global, nuk do të jenë pak – nisur nga lufta në Ukrainë deri te kthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, i cili hapur ka vënë në pikëpyetje unitetin e NATO-s.

Andaj, puna e tyre nuk duket se do të jetë e mërzitshme./REL

Boshatisen plazhet e Vlorës, reshjet intensive të shiut “mbyllin” pushuesit në shtëpi

Reshjet e shiut që janë duke rënë në qytetin e Vlorës kanë bërë që pushuesit të largohen nga plazhet.

Shiu vijon me intesitet në të gjithë qytetin e Vlorës, duke freskuar disi motin, por dhe duke larguar pushuesit nga plazhet e qytetit.

Në orët e mesditës reshjet prekën pjesën më të madhe të territorit. Përsa u përket ditëve të tjera me shtimin e vranësirave nga orët e mesditës në relievet malore të territorit priten reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar shoqëruar me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Hill: Nuk e kuptoj pse u ndalua festivali “Mirëdita, Dobar dan”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se nuk e kupton vendimin për ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, sepse, siç tha, është një ngjarje që e inkurajon bashkëpunimin mes Serbisë dhe Kosovës.

Hill tha në një intervistë për revistën “Diplomacy and Commerce” se nuk e priste një vendim të tillë nga autoritetet serbe, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Ka gjithmonë arsye të sigurisë, kjo është e qartë për mua. Por, unë nuk e kuptoj këtë vendim.

Festivali ka qenë i shkëlqyeshëm për Serbinë, është mbajtur për dhjetë vjet…”, tha Hill.

Ai kujtoi se festivali është i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian dhe tha se BE-ja po përpiqet t’i normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Të dhënat e Censit/ 64 mijë të moshuar në vendin tonë jetojnë vetëm

Të dhënat e censit 2023 referuan se në të gjithë vendin, rreth 64 mijë persona mbi 60 vjeç jetonin vetëm.

 

Sipas të dhënave të censit, pjesa më e madhe e popullsisë, 88,1 për qind jetonin në Njësi Familje përbërje tradicionale të bërthamave familjare (fëmijë, bashkëshort, bashkëjetues dhe prindër).

Nga pjesa tjetër e popullsisë (11,9 për qind), 7,6 për qind e tyre deklaruan se nuk kishin lidhje familjare dhe 4,3 për qind e popullsisë jetonin vetëm.

Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5 për qind e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona).

Bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2 për qind, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5 për qind, ndërkaq prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3 për qind të tyre.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7 për qind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 për qind) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5 për qind në Censin e 2001.

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve1 pësoi rënie në 24,0 për qind nga 30,4 për qind vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4 për qind nga 16,7 për qind në 2011.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8 përqind) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9 përqind).

Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0 përqind) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1 përqind). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011

Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar/brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censusin e 2023.

Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.

Norma të ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë./Monitor

Niko dhe Jamal, dy fëmijët e Spanjës që trembin Gjermaninë vendase

Spanja mundi të kalonte me sukses Gjeorgjinë 4-1 në Këln pas një paraqitje mbresëlënëse, veçanërisht në 45 minutat e dyta. Niko Uilliams dhe Lamine Jamal vallëzuan në shiun e Këlnit pas pushimit.

Me ndeshjen e përmbysur në favor të “La Roja”-s, ata kanë kaluar mirë dhe kanë bërë të kënaqen tifozët, të cilët ndjejnë një lidhje shumë të veçantë me ta. Djemtë e “tik-tok”-ut, me një kërcim të vogël, i bënë nocionin e tyre klasik më të rinjve, pas golit të 3-1.

Sulmuesi i Atletik Bilbaos është shkatërrues në fushë të hapur. Këtë e tregoi më së miri në golin e tretë të Spanjës, ku galopoi, dribloi mbrojtësin dhe shënoi një gol prej sulmuesi të madh. Në stolin e Spanjës, buzët e shokut të tij të skuadrës Vivian shprehnin qartësi: “Çfarë goli shënoi”. Niko dhe Lamine prishin balancat, sepse janë dy lojtarë që gjenerojnë shumë lojë.

Mes tyre, ata krijuan dhjetë raste (gjashtë për lojtarin e Barçës; katër për atë të Bilbaos) dhe dribluan rivalët e tyre deri në trembëdhjetë herë. Tifozët festojnë paraqitjen e tyre, sepse i kanë shtuar një rekord të ri një Kombëtareje që u bë e famshme në ditët e saj të lavdisë më të madhe me futbollin asociativ brenda saj.

Loja argëtuese e Spanjës sugjeron rikthimin te anësorët driblues, një “specie e rrezikuar” sipas shumë ekspertëve me të cilën Spanja tashmë mund të mburret dhe që për shkak të moshës së lojtarëve është e ardhmja e tyre. Por edhe e tashmja. Ishte gjithashtu një mbrëmje shumë e veçantë për Niko Uilliams. Në tribunat e “Müngersdorfit” të vjetër ishte vëllai i tij Injaki. Dhe gjithashtu agjenti i tij, Feliks Tainta.

Këto janë ditë të ngarkuara për sulmuesin 21- vjeçar, i cili ka rinovuar me Bilbaon, por me një klauzolë prej pak më pak se 60 milionë euro që e bën atë tërheqës për të gjithë “peshkaqenët” e mëdhenj të futbollit europian.

“Ia dhashë fanellën një tifozi të Bilbaos”, tha Niko kur u pyet se kujt ia kishte dhënë fanellën e ndeshjes. Një tundje me kokë për skuadrën që e rriti dhe që tani ka frikë se, nëse vazhdon të jetë tituj në shtyp, ai mund të fluturojë larg.

Ndërkohë Lamine Jamal është larguar sërish pa arritur të shënojë golin e tij të parë në një Europian. Ishte shumë afër, por duket se e ka shtyrë për një herë tjetër. Ai pati deri në tre mundësi të tjera në të cilat ai rikrijoi shumë.

Goli ishte mungesa e vetme, sepse për pjesën tjetër… Futbolli i tij është nga një dimension tjetër. Dhe të dy duan më shumë. Gjermania është e paralajmëruar. Edhe ata e dijnë. Mjafton të shikoni “Bild”-in: “Këta fëmijë janë të frikshëm”!

Goditet grupi kriminal me bazë në Francë, drejtohej nga një shqiptar! Arrestohen 19 persona, mes tyre 3 në vendin tonë! SPAK: U sekuestrua drogë me vlerë mbi 1 mln euro

Është goditur një grup kriminal i trafikut të drogës me bazë në Francë, që drejtohej nga një shtetas shqiptar që banonte në vendin tonë.

 

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ky grup kriminal e kishte aktivitetin në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës dhe Savojës së sipërme. 

Nga hetimet, sipas SPAK, është bërë e mundur të vërtetoheshin dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone, Ain, Savojë dhe Savojës së sipërme  nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit.

Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, si edhe sekuestrimin një shumë prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve. Ndërsa GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tre personat nën hetim me inciale R.D., Z.F., F. I., banues në Shqipëri.

“Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) persona në hetim, dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 66, datë 28.06.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 3(tre) personat nën hetim.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore) janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I.”, informon SPAK.

Gjithashtu SPAK ka sekuestruar një llogari bankare në euro në emër të personit nën hetim me iniciale R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar:

·         15 automjete,

·         34.270 euro cash,

·         1000 franga zviceriane,

·         180.000 lekë të reja,

·         9 aparate celularë,

·         3 tableta,

·         1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.

Ndërkohë sipas Prokurorisë së Posaçme vera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon shumën prej 1 milion euro.

 

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, bazuar në materialin e referuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar (kryesisht) procedimin penal Nr. 38, të vitit 2023, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28 pika 4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe me autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.

Rezultatet e hetimeve në Francë

Bazuar akteve që janë administruar për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, gjatë periudhës gusht-dhjetor 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim paraprak në qarkun e Albertville (73), në lidhje me veprimet e një grupi kriminal të organizuar i cili është marrë me trafikun e drogës. Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.

Hetimet e kryera, bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).

Aktivitet i paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që zhvillohej në territorin francez, drejtohej nga një shtetas shqiptar i cili jetonte dhe banonte në Shqipëri.

Rezultatet e Hetimeve në Shqipëri

Nga hetimet e përbashkëta të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve, sekuestrimi i sasive të konsiderueshme monetare, lëndëve të ndryshme narkotike (heroinë dhe kokainë, si dhe lëndë përzierje), automjete, pajisje elektronike, etj.

Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, sekuestrimin e sasisë monetare prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve.

Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) persona në hetim, dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 66, datë 28.06.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 3(tre) personat nën hetim.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore) janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për një llogari bankare në euro.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, është ekzekutuar masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për llogarinë bankare në euro, në emër të personit nën hetim R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 (dhjetë) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

·         15 automjete,

·         34.270 euro cash,

·         1000 franga zviceriane,

·         180.000 lekë të reja,

·         9 aparate celularë,

·         3 tableta,

·         1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.

Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, Xhandarmërisë Franceze, si dhe Atasheut të Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Franceze në Shqipëri, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.

Arabia Saudite për një të ardhme pa naftë? Plani për pista skijimi në shkretëtirë dhe qytete me gradaçela me xhama pasqyrues, por a është ky projekt më i shtrenjtë se duhet

Pista skijimi në shkretëtirë dhe qytete me gradaçela me xhama pasqyrues. Ky ka qenë Vizioni 2030 i Arabisë Saudite, i cili gjithnjë konsiderohej si projekt i shtrenjtë. Por a është më i shtrenjtë se duhet?

Ngjarjet e fundit të bëjnë të mendosh se kombi i pasur me naftë nuk është në gjendje t’i përballojë shpenzimet e projektit. Kur u bënë të ditura planet, shumë vëzhgues u mrekulluan nga përmasat dhe madhështia e tij. Vizioni 2030, planet që Arabia Saudite,kishte për t’u shkëputur nga varësia prej të ardhurave të naftës, përmbanin gjithçka, që nga ndërtesat gjigande në shkretëtirë, ndërtimin e një qyteti vetëm për sport dhe zbavitje deri tek ndërtimi në mes të shkretëtirës i qytetit gjigand të pa efekte të dëmshme për mjedisin, me më pak automobilë, qytetit Neom.

Vizion 2030 synonte të ndryshonte në skenën ndërkombëtare imazhin e Arabisë Saudite. Projektet e ndryshme ishin parashikuar të sillnin modernizimin në vendin me konservatorizëm fetar, që drejtohet nga një familje autoritare mbretërore, e cila nuk i toleron kundërshtarët politikë apo socialë.

Sidoqoftë, që nga viti 2015 kur u bë prezantimi i planeve ambicioze, gjërat kanë ndryshuar shumë. Në pak muajt e kaluar, ministra të qeverisë saudite kanë shpjeguar se si është zvogëluar shtrirja e Vision 2030.

Dhjetorin e kaluar, ministri i Financave Mohammed al-Jadaan tha, se disa nga projektet e Visionit 2030 do të kërkojnë më shumë kohë realizimi. Në muajin pill, në takimin në Riyadh të Forumit Ekonomik Botëror, al- Jadaan tha, se Arabia Saudite është duke bërë përshtatjen me kushtet aktuale.

Për shembull, planet për ndërtimin në shkretëtirë të një linje gjigande gradaçelash me xhama pasqyrues të quajtur Linja, një prej projekteve më të rëndësishme të qytetit Neomi, janë reduktuar në ndërtimin vetëm të një aksi prej 2 kilometrash të gjatë dhe jo 170 kilometra, siç ishte planifikuar në fillim.

Kjo nuk është përshtatja e parë që i bëhet Neomit, përkundrazi. Projekti ishte menduar të përfundonte në vitin 2030, por tani duket se kërkon edhe 20 vjet të tjera të përfundojë. Parashikimet ishin që të kushtonte rreth 500 miliardë dollarë (468 miliardë euro), por vëzhguesit thonë, se buxheti i Neomit mund të arrijë deri në 2 trilionë dollarë.

Vonesa dhe tejkalime buxhetore

Edhe aspekte të tjera të Visionit 2030 nuk janë realizuar sipas planeve. Disa nga projektet më ambicioze kishin si synim të tërhiqnin të huajt të vizitonin Arabinë Saudite, por mbretëria e shkretëtirës po has në vështirësi për këtë dhe niveli i investimeve direkte të huaja ka mbetur po aq i ulët sa më parë. Analistët kanë thënë, se mungesa e stabilitetit rajonal, si për shembull konflikti i Gazës dhe mungesa e transparencës të ligjeve saudite janë duke bërë që investitorët të hezitojnë për investime.

Megjithëse gjithnjë kihej parasysh se Arabia Saudite do të paguante pjesën më të madhe të shpenzimeve, tani shihet se ajo është e detyruar t’i paguaj gati të gjitha shpenzimet.

Pjesa më e madhe e parave vjen nga Fondi Investimeve Publike, PIF, një nga fondet më të mëdha të pavarura të parave, i cili furnizohet nga të ardhurat e naftës saudite.

Në muajin mars, qeveria sauditebëri transferimin tek PIF të 8 përqind të aksioneve të kompanisë shtetëtore të naftës, Aramco. Kjo do të thotë se PIF është tani në pronësi të 16 përqind të Aramcos, e cila ka vlerën 2 trilionë dollar, duke qenë kështu kompania e katërt më e madhe në botë. Kritikët kanë vënë theksin tek fakti që megjithëse PIF menaxhon një portfolio pasurish me vlerë prej 940 miliardë dollarësh, fondet e saj janë rreth 15 miliardë.

Analistët kanë thënë, se luhatjet në çmimet e naftës kanë bërë që Vizioni 2030 të mos jetë i fuqizuar mirë. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se Arabia Saudite duhet t’i ketë çmimet e naftës rreth 96 dollarë për fuçi, në mënyrë që të realizojë Vizionin 2030. Deri tani këtë vit, çmimet për fuçi të naftës së papërpunuar, çmim që përdoret shpesh si tregues në tregun e naftës kanë shkuar nga rreth 70 dollarë në janar deri në rreth 81 dollarë këtë muaj.

Së fundi, sipërmarrja e mediave të biznesit, Bloomberg njoftoi se Arabia Saudite është kthyer në përdoruesin më të madh të bondeve të tregjeve, duke ia kaluar Kinës, për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet.

Bondet qeveritare përdoren për të financuar shpenzimet publike. Ato janë një lloj huaje, me të cilën qeveria që i përdor paguan përqindje pronarëve të bondeve. Sauditët janë duke marrë hua të këtj lloji më shumë se kurrë më parë, në mënyrë që të mbulojnë mungesën e investimeve direkte të huaja, njofton Bloomberg. Bankierët thanë për Bloombergun, se Arabia Saudite nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë, të përdorë bondet me ritmin e tanishëm, sepse kostot e financimit të tyre, pra pagesa për përqindjet do të rritet shumë.

A është Vizion 2030 para një problem i vërtetë?

“Duke bërë kombinimin e këtyre faktorëve, është e vështirë të mos arrish në përfundimin se aktualisht (në Arabinë Saudite) është duke bërë në një farë mënyre cirk me politikat ekonomike,” thotë Robert Mogielnicki, një studiues në Institutin për shtetet e Gjirit në Uashington.

Disa nga deklaratat e fundit të zyrtarëve sauditë, theksojnë se për projekte të caktuara duhen vendosur afate të reja, madje duke vënë në konsideratë edhe gjërat krahasimisht më të pazakonta, thotë ai. “Është diçka që nuk e kemi dëgjuar vërtet që kur filloi Vizion 2030.”

Sidoqoftë, argumenton Mogielnicki, “statusi i Vizion 2030 nuk është aq spektakolar sa e mendojnë disa vetë, por nuk është as aq katastrofik. Në realitet është diçka në mes të dyjave.”

Disa aspekte të Vizion 2030 janë duke funksionuar mirë. Një raport për „gjysmën e periudhës kohore”, publikuar në muajin shkurt nga banka amerikane e investimeve, Citigroup, thotë se është parë „progres i konsiderueshëm” në pjesëmarrjen e grave në forcat e punës, nivelin e pronësisë së shtëpive për banorët lokalë dhe të ardhurat nga sektorët që nuk kanë lidhje me naftën.

Në një deklaratë të muajt qershor, bërë pas një vizite në Arabinë Saudite, analistë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nxjerrin përfundimin se “transformimi ekonomik i pashembullt i vendit është duke ecur mirë”. Ata po ashtu e mirëpritën “vendosjen e prioriteteve të reja në shpenzimet” për Vizion 2030.

Mogielnicki shpjegon se që kur Arabia Saudite filloi Vizion 2030, janë zhvilluar projekte të ndryshme që lidhen me të.

Programi ka varietete të shumta dhe bazohet në zhvillimin e shpejtë. Shtimi i shpenzimeve të disa prej projekteve më të shtrenjta të Vizion 2030 në fondet e përditshme kërkon që Arabia Saudite të vazhdojë të bëjë të pamundurën, dhe ju mund të shihni se tani është bërë e domosdoshme që të bëhet një rivlerësim i ri, nënvizon ai. Disa projekte, si për shembull prodhimi i hidrogjenit me metoda ekologjike, vlerësohen tani si shumë të rëndësishme. Projekteve të tjera do t’iu vendoset afat më i gjatë zbatimi

Asgjë nga këto nuk pritet të lerë gjurmë në pushtetin që mbahet nga familjet që sundojnë Arabinë Saudite, thekson ai.

“Sauditët kanë në fund të fundit ende shumë karta në dorë, por e vërteta është se tani për tani ata nuk janë duke luajtur me dorën që mund ketë kartat më të mira,” thotë Mogielnicki. “Vizion 2030 i ka dhënë shtysë një ndryshimi të madh dhe fundamental trajektoreve ekonomike dhe sociale të Arabisë Saudite. Por ka ende përpara shumë punë për t’u bërë.”/DW

Situata pas marrjes së vulës nga Berisha/ Demokratët Euroatlantik, mbledhin këtë të enjte Këshillin Kombëtar

Ditën e Enjte, datë 04 Korrik 2024, ora 17:00 do të organizohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të demokratëve euroatlantik.

Kjo mbledhje do të organizohet në kuadër të zhvillimeve politike që do të ndërmarrë ky kah politik, pas vendimit nga Gjykata Apelit, e cila njohu si PD zyrtare, Sali Berishës dhe grupimin e tij.

Njoftimi zyrtar:

Ditën e Enjte, datë 04 Korrik 2024, ora 17:00 do të organizohet mbledhja e Këshillit Kombëtar me këtë rend dite:
– Diskutime dhe vendime në lidhje me zhvillimet politike.

Takimi do te mbahet tek hotel Tirana, salla Balsha.

Pasojat e mungesës së jodit në organizëm, zbuloni produktet ku gjendet dhe shqetësimet që shfaqen

Zhvillimi i vazhdueshëm global duket se ka patur një ndikim të fortë në mungesat e mineraleve tek produktet e natyrës.

 

Një prej tyre është pamjaftueshmëria e jodit, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë prek deri në 2 miliardë njerëz në të gjithë planetin.

Sipas OBSH, 5 milionë njerëz janë duke vuajtur nga simptoma shumë serioze siç është edhe dëmtimi në tru. Një nga efektet e pamjaftueshmërisë së jodit në organizëm, është prodhimi jo normal i hormoneve nga gjëndra tiroide.

Duke qenë se kjo gjëndër përpunon dhe prodhon hormone që kontrollojnë metabolizmin, problemet shëndetësore që mund të lindin si pasojë e tiroides problematike janë të mëdha.

Fillimisht mund të mos ketë tregues nga i cili mund të mësoni se po vuani nga pamjaftueshmëria e jodit. Tiroidja do të arrijë të kompensojë këtë mungesë duke prodhuar më shumë hormone, një veprim që do të çojë në zmadhimin e saj.

Rrjedhimisht, mosmarrja e mjaftueshme e jodit nga ushqimi do të shkaktojë një sërë problemesh siç janë pesha, ngadalësimi i funksioneve të trurit, depresioni, lodhja dhe një sistem i dobësuar imunitar.

Për më tepër, komplikacionet që vijnë nga defiçenca e jodit kanë nevojë për kundërveprim të menjëhershëm mjekësor.

Komplikacionet mund të variojnë nga humbja e kontrollit, konfuzioni, deliri, halucinacionet, dhimbjet në kraharor ose vështirësitë në frymëmarrje.

Femrat shtatzënë që nuk arrijnë të marrin sasi të mjaftueshme të jodit mund të përjetojnë hemoragji. Përfshirja e ushqimeve të pasura me jod në ushqimin tuaj mund t’ju ndihmojë të mbani larg problemet që shkakton mungesa e këtij minerali të rëndësishëm.

Por, përpara se të diskutojmë për këto probleme, lexoni më poshtë disa prej shenjave ndaj të cilave duhet të tregoni kujdes.

Po shtoni peshë të padëshiruar

Një nga efektet e të pasurit probleme me tiroiden është dobësimi i metabolizmit që shkakton shtimin në peshë.

Mund të jeni duke u lodhur shumë për të humbur kilogramët e tepërta, duke ngrënë shëndetshëm ose duke u stërvitur mjaftueshëm.

Por ritmi metabolik mund të rimëkëmbet vetëm duke e rivendosur tiroiden në rrugën e duhur.

Jeni vazhdimisht të lodhur dhe pa gjallëri

Një metabolizëm i ngadaltë ju bën të shtoni në peshë, por gjithashtu ju bën të ndiheni të lodhur gjatë gjithë kohës.

Kjo është një gjë që pritet nëse gjendra e tiroides nuk është në gjendjen e duhur, sepse kthimi i karbohidrateve dhe yndyrnave në energji në shërbim të qelizave tuaja, është i ngadalësuar.

Ndiheni në depresion

Është normale që herë pas here, të ndiheni të këputur e të rënë përtokë. Por nëse kjo gjendje nuk largohet shpejt, dhe nëse shoqërohet me ndryshime në fjetje, mungesë oreksi dhe dobësi, atëherë situata nuk është aspak normale.

Nëse vini re që ndiheni të depresionuar për shumë kohë, mundohuni të hani ushqime të pasura me jod.

Vuani gjithmonë nga alergjitë dhe infeksionet

Një nga efektet e mungesës së jodit është dobësia e sistemit imunitar. Nëse nuk jeni duke marrë mjaftueshëm jod nga dieta juaj, atëherë do të vuani vazhdimisht nga i ftohti, kolla, gripi dhe virozat.

Me çorientimin e gjendrës tiroide, ju do të jeni më të brishtë ndaj dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira dhe mikrobet pushtuese.

Keni lëkurë të thatë dhe ju bien flokët

Nëse jeni të kujdesshëm për pamjen tuaj, atëherë sigurohuni që në tryezën tuaj nuk mungojnë ushqime të pasura me jod.

Në të kundërt, do të keni një lëkurë shumë të thatë dhe do t’ju bien flokët. Nëse flokët janë një nga karakteristikat më të mira fizike që keni, atëherë duhet të kujdeseni për to, dhe të konsumoni ushqime të pasura me jod.

Këto janë disa prej shenjave që tregojnë se ju keni shumë nevojë për ushqime të pasura me jod. Por cilat janë këto ushqime? Lexoni më poshtë listën:

  • Qumështi
  • Kosi
  • Djathi Cheddar (i verdhë)
  • Patatet
  • Merluci
  • Peshku ton
  • Karkalecat
  • Aragosta
  • Alga deti të thata
  • Gjoks gjeldeti
  • Bishtaja
  • Kumbulla të thata
  • Boronica të kuqe
  • Banane
  • Luleshtrydhe

Nëse vuani nga mungesa e jodit, kujdesuni që këto ushqime t’i keni në ushqimin tuaj të përditshmëm.