28.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Në kërkim për shpërdorim detyre, arrestohet ish-përgjegjësi i zyrës së Urbanistikës në Bulqizë

Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me 8 muaj burg për shpërdorim detyre është arrestuar në Bulqizë, në  kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.

Në pranga është vënë, Gëzim Boba, i cili në vitin 2010, teksa mbante detyrën e përgjegjësit të Zyrës së Urbanistikës në bashkinë Bulqizë, me veprimet e tij në kundërshtim me ligjin, ka vendosur dërgimin për miratim të dy kërkesave për leje ndërtimi, të kërkuara nga dy persona të tjerë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Dibër/Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.

Kapet dhe ndalohet një 52-vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Dibrës me 8-muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Mashtrim me bursat e studimit në 22 universitete, policia kontroll në banesat e disa mësuesve
Strukturat e Policisë të DVP Dibër, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit G.B., 52 vjeç, banues në Bulqizë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjthshëm Dibër, e ka dënuar me 8-muaj burgim për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”.

Ky shtetas në vitin 2010, teksa mbante detyrën e përgjegjësit të Zyrës së Urbanistikës në bashkinë Bulqizë, me veprimet e tij në kundërshtim me ligjin, ka vendosur dërgimin për miratim të dy kërkesave për leje ndërtimi, të kërkuara nga dy shtetas.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kryenegociatorët takohen sot në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

 

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua. Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit – që Vuçiq nuk i pranoi.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë – shtatorin e kaluar – ku mbeti i vrarë një polic.

Ai besohet se është i lirë në Serbi. Pritjet që Bislimi dhe Petkoviq të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha.

Disa runde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian./REL

Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi imunitetin presidencial, fitore për Trump! Presidenti Biden e kritikon: Ky komb u themelua mbi parimin se s’ka mbretër në Amerikë

Presidenti Joe Biden kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë mbi imunitetin presidencial, që u pa si një fitore për kundërshtarin e tij, ish Presidentin Donald Trump, duke e cilësuar një precedent të rrezikshëm në dëm të popullit amerikan.

 

Përmes deklaratave të qeta dhe të matura të dhëna nga Shtëpia e Bardhë zoti Biden tha se vendimi nënkupton se ka pak të ngjarë që zoti Trump të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Në vendimin e së hënës, Gjykata e Lartë u shpreh se ish-presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet e tyre zyrtare, si dhe asnjë lloj imuniteti për veprimet jozyrtare, një vendim që njeh për herë të parë një lloj imuniteti presidencial nga hetimi.

“Ky komb u themelua mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë. Askush nuk është mbi ligjin, as Presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Biden. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, tha ai “kjo ka ndryshuar rrënjësisht”.

Ai shtoi se “unë do të respektoj kufijtë e pushtetit presidencial, siç kam bërë për tre vjet e gjysmë, por çdo president, përfshirë Donald Trumpin, tani do të jetë i lirë të injorojë ligjin”.

Presidenti Biden po kandidon për një mandat tjetër përballë kundërshtarit Donald Trump dhe ka qenë kritik ndaj veprimeve të rivalit të tij në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga mbështetësit e zotit Trump.

“Tani, njeriu që dërgoi njerëzit në Kapitol po përballet me mundësinë për t‘u dënuar penalisht për atë që ndodhi atë ditë. Populli amerikan meriton të ketë një përgjigje nga gjykatat përpara zgjedhjeve të ardhshme”, tha zoti Biden duke iu referuar zotit Trump.

Këto ishin deklaratat e tij të para në Shtëpinë e Bardhë pas debatit të parë presidencial me zotin Trump, ku paraqitja e tij, e cila u cilësua si e dobët, nxiti thirrjet që ai të tërhiqej nga gara./VOA

Censi/ Mbi 34 mijë persona në vend të divorcuar, kulmon në moshën 40-50 vjeçare!

Në vitin 2023, censi i popullsisë dhe banesave gjeti mbi 34 mijë persona në vend me statusin i divorcuar.

 

Divorcet sipas grupmoshave tregojnë se shumica e divorceve kulmojnë në grupmoshën 40-50 vjeç (shiko tabelën dhe grafikun e mëposhtëm).

Shumica e popullsisë prej 54,9% rezulton e martuar, 36.6% beqar, ndërsa 7,0% e popullsisë i/e ve dhe 1,4% të divorcuar ose të ndarë.

Statusi martesor lidhet në mënyra të ndryshme me shëndetin e njerëzve, lindjen e fëmijëve, pjesëmarrjen në forcën e punës dhe mirëqenien e përgjithshme, dhe është një variabël i rëndësishëm në analizën e ndryshimeve demografike dhe sociale.

Gjithashtu, referuar popullsisë së divorcuar ose të ndarë, femrat zënë 58,9%, ndërsa në popullsinë që nuk është martuar kurrë (beqare), 55,7% janë meshkuj, përqindje kjo më e lartë dhe për shkak të moshës më të vonshme mesatare të martesës së tyre.

Një barazi gjinore mund të vërehet për popullsinë e martuar. Megjithatë, nga analizimi i shpërndarjes gjinore dhe moshore të popullsisë së martuar, vihet re një përqindje më e lartë e femrave në grupmoshat më të reja, për shkak të moshës më të hershme të martesës së tyre.

Të dhënat tregojnë se, deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88% në grupmoshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme.

Në vitin 2020, Shqipëria kishte 6.16 martesa për një mijë banorë, pothuajse dyfishi i normës mesatare të Bashkimit Europian prej 3.2.

Në Shqipëri, në vitin 2020 u regjistruan 1.5 divorce për një mijë banorë.

Në Rajon, Shqipëria zuri vendin e parë. Normën më të ulët të divorceve në rajon e ka Kosova, me 0.5 për një mijë banorë dhe më të lartën pas nesh Mali i Zi, me 1.3.

Kosova ka dhe normën më të ulët të divorceve në gjithë Europën. Kosova mban dhe rekordin e martesave në Europë, me 9.8 martesa për një mijë banorë (viti 2019)./Monitor

Basha përkujton ditën kur shqiptarët hynë në ambasada: Korrupsioni po shpopullon vendin. Demokratët euroatlantikë gati për koalicion vlerash për Shqipërinë si Europa

Basha përkujton ditën kur shqiptarët hynë në ambasada: Korrupsioni po shpopullon vendin. Demokratët euroatlantikë gati për koalicion vlerash për Shqipërinë si Europa

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, ka përkujtuar ditën kur shqiptarët për herë të parë rrëzuan murin e izolimit dhe u futën nëpër ambasada, me shpresën e vetëdijen se meritonin një jetë më të mirë.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se 34 vite më vonë, ndërsa përkujtojmë këtë moment të rëndësishëm të kujtesës sonë historike, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit. Kjo sipas ti, për shkak se korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes është diktatura e që po shpopullon Shqipërinë dhe po varfëron familjet shqiptare.

Ai më tej shprehet se këtë tregoi edhe censusi i vonuar dhe i tjetërsuar i qeverisë, i cili nuk fsheh dot mpakjen dhe plakjen e Shqipërisë.

Basha shkruan se demokratët euroatlantikë janë e vetmja alternativë për ndryshim, pasi janë të bindur se Shqipëria meriton më shumë dhe të bashkuar kundër aleancave të errëta që duan të na mbajnë në vendnumëro.

 

Postimi i plotë i Bashës:

Si sot 34 vite më parë shqiptarët rrëzuan murin e izolimit dhe u futën nëpër ambasada, me shpresën e vetëdijen se meritonin një jetë më të mirë, më të denjë për vete dhe fëmijët e tyre.

34 vite më vonë, ndërsa përkujtojmë këtë moment të rëndësishëm të kujtesës sonë historike, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit.

Korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes është diktatura e re që po shpopullon Shqipërinë, po varfëron familjet shqiptare dhe vret shpresën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

Edhe censusi i vonuar dhe i tjetërsuar i qeverisë, nuk fsheh dot mpakjen dhe plakjen e Shqipërisë.

Ky eksod i dytë kërkon një reflektim të thellë shoqëror dhe politik.
Rrugët e vjetra po japin zgjidhje të vjetra, nga të cilat shqiptarët po ikin nga sytë këmbët.

Kriza e demokracisë, ngecja e ekonomisë dhe dimri demografik, kërkojnë modele dhe mendësi të re politike, për të luftuar korrupsionin dhe siguruar mirëqeverisjen.

Demokratët euroatlantikë janë gati për këtë ndryshim dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha shtresat shoqërore dhe forcat politike që ndajnë me ne vlerat për të cilat guximtarët e 2 Korrikut 1990 rrëzuan muret e diktaturës. Të bindur se Shqipëria meriton më shumë, të bashkuar kundër aleancave të errëta që duan të na mbajnë në vendnumëro, mund t’ia kthejmë shqiptarëve shpresën e humbur të Shqipërisë si Europa.

U gjet me fraktura në kokë, policia jep detaje për gjendjen e 22-vjeçarit: Dyshohet se ra nga lartësia e lokalit

Një 22-vjeçar është gjetur me fraktura në kokë rreth orës 06:05 të mëngjesit të sotëm në afërsi të rrethrrotullimit të Shëngjinit.

 

I riu me iniciale G. B., është transportuar në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore.

Dyshohet se 22-vjeçari ka rënë aksidentalisht nga lartësia e një lokali në vendin ku është gjetur i dëmtuar.

 

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 06:05, salla operative e Policisë së Lezhës është njoftuar nga spitali rajonal i Lezhës, se në afërsi të rrethrrotullimit të Shëngjinit, është marrë me autoambulancë, i dëmtuar në kokë, shtetasi G. B., 22 vjeç. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 22-vjeçari ka rënë aksidentalisht nga lartësia e një lokali në vendin ku është gjetur i dëmtuar.

Ky shtetas është transportuar në Spitalin e Traumës dhe është në gjëndje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Po sikur t’i pushkatojmë mjekët?

Nga Lutfi Dervishi

Supozojmë se mjekët, infermierët dhe koordinatori, që u vunë në qendër të skandalit te Onkologjiku, i dërgojmë në gijotinë. Pa gjyq!

A zgjidhet problemi i mjekimit të sëmurëve me tumor?

A është faji i mjekëve që te Onkologjia mungojnë ilaçet?

A është faji i mjekëve që aty është vendosur një aparat kobalti i teknologjisë së vjetër që po sëmur edhe mjekët?

A është faji i mjekëvë që numri i pacientëve me tumor është në rritje dhe financimi në ulje?

A është faji i mjekëve që financimi i shëndetësisë është më i ulti në rajon vetëm 2.9% të GDP?

A është faji i mjekëve që kemi vetëm një spital onkologjik?

A është faji i mjekëve që në Shqipëri ka vetëm 55 onkologë (24 prej të cilëve në Tiranë)?

A është faji i mjekëvë që aty ka vetëm 15 poltronë kimio-terapie?

A është faji i mjekëve që te Onkologjiku nuk ka pet scan?

A është faji i mjekeve që shqiptarët paguajnë direkt nga xhepi 60% të shpenzimeve shendetesore?

A është faji i mjekëve që gjithë koncesionet në shëndetësi kanë përfunduar në SPAK?

Koncesionet në shëndetësi nuk i kanë bërë as mjekët as shefat e shërbimeve.

Eshtë e lehtë të gjesh koka turku dhe të vendosësh mjekët si tabelë qitje, por siç thuhet rëndom është sistemi dhe jo njeriu. Dhe për sistemin shëndetësor nuk kanë faj mjekët! Eshtë më lart puna!

Por një gjë mund të bëhet pa shpenzime. Të hiqet dore nga “shendetesia falas”, se po del shumë shumë e shtrenjtë.

Korrupsioni nuk na lë të rritemi

Nga Monitor.al

Korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor i sipërmarrjeve të drejtuara si nga femrat, ashtu dhe meshkujt, sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e vet të internetit përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting).

Sondazhi u plotësua nga 503 anketues, rreth 35% e të cilëve ishin femra.

80% e femrave të anketuara nga “Monitor” thanë se korrupsioni është një pengesë për investimet

80% e femrave të anketuara thanë se korrupsioni është një pengesë për investimet e tyre. E njëjta përqindje është dhe për përgjigjet që dhanë meshkujt sipërmarrës.

Është një normë e pashkruar në Shqipëri, që nëse nuk paguan, nuk mbaron punë. Perceptimi për femrat është se “korruptohen” më pak dhe ndaj hezitohet t’u kërkohet ryshfet.

54% e sipërmarrëseve kanë pohuar se u është kërkuar të japin një herë ryshfet gjatë 12 muajve të fundit, përkundrejt 76% që u përgjigjën në këtë mënyrë nga bizneset e drejtuara nga meshkuj.

52% e të anketuarave  që u kishin kërkuar ryshfet thanë se ai varionte midis 10-20% të vlerës së kontratës.

 

Burimi: Sondazh i Monitor

 

Por, kur nuk mbaron punë, duhet të paguash. “Pas 16 viteve luftë për të mos paguar tarifat e korrupsionit që janë të afishuara, u dorëzova. Po këshilloj klientin t’i paguajë”, thotë një ekonomiste nga Shkodra, në komentet anonime në platformë.

Sipërmarrëset komentojnë se korrupsioni pengon rritjen, teksa i step në realizimin e investimeve.

“Korrupsioni, mua personalisht nuk më lë të rritem profesionalisht, pasi lloji i biznesit që unë bëj lidhet direkt me institucionet e qeverisjes vendore dhe ata u japin prioritet në kohë dhe në cilësi vetëm bizneseve të tyre ose atyre të zgjedhura prej tyre”, thotë një sipërmarrëse në sektorin e shërbimeve në Tiranë.

“Kemi frikë për të ardhmen dhe për rritjen e biznesit”, pohon një sipërmarrëse e re që vepron në sektorin e “Akomodimit dhe shërbimi ushqimor”, e klasifikuar në sipërmarrjet me 10-49 të punësuar.

Korrupsioni step dhe të huajt. “Kompania është pjesë e një grupi të huaj. Perceptimi i mungesës së konkurrencës së ndershme, që favorizohet  nga niveli i lartë i korrupsionit, frenon vendimmarrësit e kompanisë së huaj të rrisë investimin në Shqipëri, shprehet një sipërmarrëse nga Durrësi, në sektorin e tregtisë, me 10-49 të punësuar.

Rezultatet totale

Rezultatet e sondazhit të “Monitor” me 503 të anketuar tregojnë se korrupsioni perceptohet si një çështje shumë alarmuese dhe fenomen në rritje në Shqipëri.

Më shumë se 90% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është një çështje shumë alarmuese, ndërsa 77% e tyre vlerësojnë se korrupsioni është rritur shumë në pesë vitet e fundit. 69% e të anketuarve mendojnë se lufta kundër korrupsionit nuk ka treguar përparim në vitet e fundit.

Megjithatë, shumica mendojnë se Reforma në Drejtësi ka filluar të japë rezultate. Perceptimi i qytetarëve është se qeverisja qendrore përbën segmentin më të korruptuar.

Lexo rezultatet e plota të sondazhit në link:
Korrupsioni, alarmues dhe në rritje

Pasi dështuan me punonjësit nga Bangladeshi, tani po tentohet me indianët

Biznese në sektorë të ndryshëm të ekonomisë po i drejtojnë sërish sytë te vendet e huaja për gjetjen e forcës punëtore. Emigracioni dhe plakja e popullsisë ndër vite, vijon të shtojë hendekun e gjetjes së punonjësve.

Fillimisht u tentua me punonjës kryesisht nga Bangladeshi, skemë e cila dështoi pasi ata e shihnin Shqipërinë më shumë si trampolinë për të kaluar në Europë. Tashmë India po shihet si një burim për gjetjen e punonjësve.

Në situatë të vështirë për punonjës janë edhe fermat e mëdha dhe të mesme. Përveç ofrimit të pagave deri 1,000 euro në muaj për stallier nga drejtuesit e fermave po kërkohen punonjës nga India.

Klajdi Myzaferi, drejtuesi i një ferme me 150 krerë lopë në Vlorë, prej muajit nëntor 2023 ka të punësuar 2 indianë që i paguan 500 USD në muaj përfshirë akomodimin dhe ushqimin e paguar, dhe dhëniesh bonusi për punë ekstra.

“Jam i kënaqur me rendimentin e punës, sidomos me qëndrueshmërinë, gjë të cilën nuk po e hasim me punonjësit vendas. Gjithashtu kanë nisur të përshtaten edhe me proceset e automatizuara të fermës”.

Ai pritet që së shpejti të shtojë stafin me të punësuar nga India prej 2 apo 3 punëtorë.

“Nuk ka vazhdimësi në fuqinë vendase. Nuk ka të rinj që duan të punojnë në blegtori, largohen në emigracion. Gjen forcë punëtore mbi moshën 55 vjeç, por ata nuk arrijnë të përballojnë punë të vështira në blegtori ”, tha ai.

Myzaferi shton se pagat për punonjës vendas në pozicionin e stallierit variojnë nga 700 deri 1,500 euro në muaj. Ndërsa gjatë periudhës së verës pagesat për punonjësit e transportit arrijnë deri në 2,000 euro në muaj.

Dy punonjës të huaj me shtetësi indiane, pritet të punësohen edhe në një tjetër ferme me 60 krerë lopë në zonën e fierit. Sipas kontratës të nënshkruar nga drejtuesi i fermës me kompaninë e rekrutimit paga për punëtoret e huaj do të jetë 600 euro në muaj.

Por eksperti i bujqësisë dhe blegtorisë Ervin Resuli nuk e sheh zgjedhje punësimin e shtetasve të huaj jo vetëm nga rendimenti dhe qëndrueshmëria, por për shkak të krizës se sektorit të blegtorisë. Përfshirë edhe mosgjetjen e punonjësve, kjo sipas tij shumë shpejt do t’i sjellë blegtorisë rënie të lartë të numrit të fermave të mëdha dhe të vogla dhe numrin e krerëve të bagëtive.

Ai thotë se në këtë situatë është shumë e domosdoshme që nga institucionet shtetërore të shtohen subvencionet për sektorin e blegtorisë me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë krahasuar me rajonin.

Sipas tij diferenca në dhëniesh subvencionesh është e lartë krahasuar me rajonin. P.sh. në Kosovë subvencioni për dhitë është 30 euro për krerë, ndërsa në Shqipëri 1,200 lekë apo 12 euro për krerë për tufën nga 100 deri në 300 dhi.

Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se gjatë vitit 2023, numri i bagëtive shënoi ulje në mbi 11 për qind në secilën kategori, gjedhë, dhi dhe dele. Në vitin 2023 në të gjithë vendin kishte 263 mijë gjedhë me rënie vjetore 11.5%

Ndërsa numri i të imtave shënoi rënie me 11.7%. Me rënie 16% ishte edhe numri i derrave. Teksa me rritje ishin vetëm shpendët dhe kosheret me nga 2,6 dhe 8.2% secila./D.Azo

https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Comparative_price_levels_of_consumer_goods_and_services#Overall_price_levels

Trarët e oligarkisë apo shkopi i qeverisë?

Nga Klodian Tomorri

Përfundimi i autostradës Thumanë-Kashar ka hapur më të drejtë debatin e madh publik të barrës shtesë që do të hidhet mbi qytetarët për një shërbim, i cili deri më sot ka qenë në pjesën dërrmuese falas, atë të qarkullimit në rrugë. A munden shqiptarët të paguajnë tarifat që po vijnë me trarët e autostradave, përtej taksave që u mbledh qeveria?

Kjo çështje do të bëhet edhe më dominante gjatë viteve në vijim, kur trarët e pagesave të vendosen thuajse në të gjitha akset kryesore të vendit, edhe ato të ndërtuara me para publike, nga autostrada Tiranë-Durrës, tek ajo Lekaj-Fier, rruga e Elbasanit e më tutje në tunelin e Llogarasë. Me pak fjalë, ky është fillimi i një epoke të re dhe Thumanë-Kashar është vetëm dallëndyshja e parë ose më saktë e dyta, pas rrugës së Kombit. Por me një ndryshim thelbësor.

Thumanë-Kashar është koncesioni i parë i mirëfilltë në infrastrukturën rrugore. Ndryshe nga format e përdorur deri me tani përmes tenderit klasik ose Partneritetit Publik Privat në rrugën e Arbrit dhe atë Orikum-Dukat, ku ndërtimi është financuar gjithmonë nga paratë e qytetarëve, Thumanë-Kashar është një autostradë për ndërtimin e të cilës taksapaguesit nuk kanë paguar asgjë, përveç kostove të shpronësimit, që janë gjithmonë të shtetit. Ky është një ndryshim jo i vogël.

Kompania koncesionare e ka ndërtuar rrugën me kapitalet e saj dhe kreditë që ka marrë në banka. Në këmbim ajo do të ketë të drejtën e mbledhjes së pagesës 2.1 euro për çdo mjet në 35 vitet e ardhshme. Dhe kjo formulë ngre problemin e përballueshmërisë. A është tarifa 2.1 euro, e cila së bashku me TVSH-në shkon 2.5 euro, e përballueshme për standardin e jetesës së shqiptarëve?

Në vendin fqinj të Italisë, tarifat e kalimit në autostrada variojnë sipas zonave dhe vështirësisë së ndërtimit të rrugës. Por mesatarja e tyre në rang kombëtar luhatet në rreth 7 cent të euros për kilometër. Ndërkohë në Thumanë-Kashar, kostoja e kalimit do të jetë 10 cent për kilometër ose 30 për qind më e lartë në vlerë absolute dhe shumë më teper në vlerë relative, nëse merret parasysh standardi i mirëqënies së dy vendeve. Kjo është një tarifë e lartë.

Megjithatë, këtu vlen të theksohet diçka shumë e rëndësishme. Tarifat e kalimit në rrugët koncesionare nuk janë kosto detyruese. Koncesionet kanë gjithmonë alternativën. Në rastin e Thumanë-Kashar, qytetarët do të kenë gjithmonë të drejtën të përdorin rrugën që është sot, e cila mbetet pa pagesë. Ndaj strikt, çështja e tarifës në këtë rast është më shumë vendimarrje biznesi, në lojën e ekuilbrit kërkesë-ofertë si çdo mall në treg, me kushtin thelbësor që publikut t’i ruhet rruga ekzistuese në parametrat optimalë.

Privati mund të mbajë një tarifë të lartë dhe të ketë më pak qarkullim në rrugë ose të vendosë një tarifë të ulët dhe të ketë më shumë mjete. Ndërsa qytetarët mund të zgjedhin të kalojnë në rrugën me pagesë nëse kostot që u shkurtohen janë më të larta se tarifa ose të përdorin rrugën ekzistuese nëse mendojnë se tarifa është më e madhe se kursimi në kosto. Në planin e biznesit të koncesionit, kompania pretendon se kursimi që ofron autostrada krahasuar me rrugën ekzistuese është 3 herë më i lartë se tarifa e vendosur. Pra, secila prej palëve zgjedh pikën ku maksimizon më shumë interesin e saj.

Gjithsesi, Thumanë-Kashar nuk është një e keqe, por një e mirë e madhe publike, nga e cila përfitojnë të gjithë. Për një arsye. Ata që kalojnë në autostradë janë të gatshëm të paguajnë sepse përfitojnë komoditetin, kohën dhe shmangin trafikun. Ata që nuk janë të gatshëm të paguajnë, por përdorin rrugën ekzistuese, përfitojnë lehtësimin e trafikut për pjesën që zhvendoset në autostradë. Sikur edhe 10 për qind e fluksit të përdorë autostradën, ky është lehtësim jo i vogël për ata që përdorin rrugën ekzistuese.

Ndaj, masa e tarifës nuk është thelbi më i rëndësishëm i debatit. Në këtë çështje debati i vërtetë është vetëm një. Pse shqiptarët të mos kenë autostrada pa pagesë? Pse qytetarët e Veriut sot dhe ata të Jugut dhe Shqipërisë së Mesme nesër duhet të paguajnë para për të kaluar në autostrada? Pse ato të mos ndërtohen nga buxheti dhe të jenë falas, por duhet të koncesiohen me pagesë. Kjo është mirëfilltazi një vendimarrje politike.

Në botën e zhvilluar sot ka dy modele. I pari është modeli gjerman, ku autostradat ndërtohen me paratë e buxhetit dhe janë të gjitha pa pagesë për qytetarët. Ndërsa modeli i dytë është ai italian, francez etj, ku shteti ndërton vetëm infrastrukturën bazë, ndërsa autostradat janë ndërtuar nga privatët dhe kalohen me pagesë. Qeveria shqiptare ka zgjedhur modelin e dytë, por jo në mënyrë të ndershme. Për dy arsye.

Së pari, ka akse kyçe të vendit, si rruga e Kombit, të cilat edhe pse nuk kanë alternativë, janë bërë me pagesë. Këtu pagesa merr formën e kostos detyruese. Ndaj në këtë rast formula më e përshtatshme do të ishte ajo e mirëmbajtjes më pagesë buxhetore, jo me tarifë kalimi. Pavarësisht nëse shërbimi i mirëmbajtjes koncesionohet apo prokurohet me tender klasik.

Së dyti, që është edhe më e rëndësishmja, trarët e pagesave ndryshojnë rregullat e lojës. Qeveria duhet sa më parë të heqë taksën e qarkullimit, e cila paguhet 35.4 lekë për çdo litër naftë që qytetarët blejnë në treg. Ky është taksim i dyfishtë dhe tashmë me vendosjen e trarëve në rrugë, taksa e qarkullimit është qartazi antikushtetuese.

Sot të gjithë qytetarët e veriut të Shqipërisë po paguajnë një taksë antikushtetuese. Ky është shkopi i qeverisë, i cili dhemb më shumë se trarët e oligarkisë. Kurse llogaritë e kamionave dhe batalionave, të cilat krahasojnë paratë e shpenzuara sot me ato të fituara për 35 vjet, pa marrë parasysh koston e kapitalit, vlerën në kohë të parasë apo shpenzimet e funksionimit janë populizëm, përvecse tollovi padije ekonomike. Për shembull, me 1 milionë lekë 30 vite më para blije apartamente dhe dyqane në qendrën e Tiranës. Dhe në fund, bizneset atë qëllim kanë. Të fitojnë para. /Kapital.al