25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të mbetet në pritje!

Belgjika ka përfunduar kryesimin gjashtëmujor të Bashkimit Evropian dhe këtë detyrë, nga 1 korriku, për gjashtë muaj, e ka marrë Hungaria.

 

Gjatë presidencës belge nuk ka ndodhur asnjë lëvizje për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që është bërë në dhjetor të vitit 2022, në fund të presidencës së atëhershme çeke.

Kosova, aktualisht, është i vetmi vend evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Mbetet e vetmja nga dhjetë shtete të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së pa statusin formal të kandidates.

Pritjet që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të merrej parasysh, nuk janë realizuar.

Presidenca suedeze e BE-së në pjesën e parë të vitit 2023 ka dështuar ta bëjë këtë. Pas saj, presidencën e ka pasur Spanja – vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka dashur të ketë punë me dosjen e integrimit evropian të Kosovës. Pas Spanjës, as Belgjika nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim.

Arsyet më të shpeshta që janë përmendur nga vendet që kanë pasur presidencën, për mosshqyrtimin e aplikimit të Kosovës, janë lidhur me “mungesën e konsensusit të vendeve anëtare”.

Sipas procedurave të BE-së për procesin e zgjerimit, Këshilli i BE-së duhet ta shqyrtojë aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE dhe t’i japë mandat Komisionit Evropian për të analizuar nëse ai vend i përmbush apo jo kushtet për statusin e kandidatit.

Pasi Komisioni ta përpilojë mendimin dhe ta japë rekomandimin, vendimin për dhënien e statusit e marrin njëzëshëm vendet anëtare.

Kështu, me një shpejtësi të madhe, statusin e vendit kandidat e kanë marrë Ukraina dhe Moldavia, të cilat edhe i kanë nisur negociatat e anëtarësimit në BE, muajin e kaluar.

Statusin e vendit kandidat e ka edhe Gjeorgjia dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina – me përjashtim të Kosovës. Formalisht, status kandidati ka edhe Turqia.

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, diplomatët e vendeve anëtare thonë se do të bëjnë përpjekje për të arritur konsensus në Këshill, pasi pesë prej vendeve anëtare – Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qiproja – nuk e njohin Kosovën si shtet.

Por, disa vende anëtare kanë sugjeruar se do të ishte mirë që, së paku, Këshilli t’i jepte mandat Komisionit Evropian për të analizuar se sa i përmbush Kosova kushtet për statusin e vendit kandidat.

Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që ta kryejë pjesën e vet të punës, nëse një mandat të tillë e merr nga Këshilli. Por, nga ana e Këshillit nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Kjo, përveçse me mosnjohjen nga pesë vendet anëtare, është arsyetuar edhe me pritjet se çfarë do të ndodhë me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përparimi në dialog është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë për progres në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në BE. Kohëve të fundit nuk ka pasur progres në këtë dialog dhe kjo ka ndikuar që në mesin e vendeve anëtare, të mos ketë entuziazëm për ta avancuar rrugën drejt BE-së as të Kosovës e as të Serbisë”, ka thënë një diplomat evropian për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, sikur të kishte përparim në dialog, vendet anëtare do të bindeshin më lehtë edhe për vendimin rreth Kosovës.

Pas marrjes së presidencës së BE-së nga ana e Hungarisë, është paralajmëruar se ky vend do ta ketë prioritet edhe procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Hungaria e ka vënë këtë edhe në dokumentin ku përmenden prioritetet e udhëheqjes së saj me BE-në.

Budapesti ka aspirata që ta avancojë procesin e negociatave me ato vende kandidate që do të jenë të gatshme.

Diplomatët nga Hungaria citohen të kenë thënë se synojnë mbylljen e disa kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, si dhe hapjen e disa kapitujve me Serbinë, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, ata kanë përmendur edhe mundësinë e avancimit të Bosnje e Hercegovinës.

Por, diplomatët kanë vërejtur se Hungaria nëpër takime nuk ka përmendur ndonjë veprim të mundshëm rreth Kosovës.

Diplomatët evropianë nënvizojnë se Qeveria e Hungarisë ka raporte të afërta me Serbinë dhe kjo ka ndikuar që sjellja e saj rreth Kosovës në BE dhe në disa organizata të tjera ndërkombëtare, të mos jetë aq miqësore sa ka qenë më herët.

Megjithatë, Hungaria i ka vazhduar kontaktet me Kosovën. I pyetur për pritjet nga presidenca hungareze e BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë javën e kaluar në Bruksel se “Hungaria e ka njohur Kosovën dhe duhet t’i jepet rasti për të parë në muajt e parë të presidencës se si do të veprojë”.

Hungaria, në anën tjetër, ka shprehur pritjet që gjatë kryesimit të saj me BE-në, të bëhen pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nga paketa prej 6 miliardë eurosh e planit evropian për rritje ekonomike dhe reforma në rajon.

Mjetet nga kjo paketë për Kosovën dhe Serbinë janë të kushtëzuara, po ashtu, me angazhimin konstruktiv të tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Hungaria planifikon që gjatë kryesimit të saj me BE-në, të organizojë edhe një samit të përbashkët të BE-së me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse Hungaria ka raporte më të afërta me Serbinë në mesin e vendeve të rajonit, diplomatët në Bruksel nuk presin që të ketë probleme në raportet me vendet e tjera, pasi roli i vendit kryesues të BE-së është që të jetë një udhëheqës neutral i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe t’i lërë anash prioritetet e veta nacionale gjatë periudhës gjashtëmujore./REL

“Pesë ditë para se Mehmet Shehu të vdiste, kisha një debat të ashpër me të pasi i kërkova…”- U v*tëvra apo e vranë? Dëshmia e rrallë e ish-zëvendëses së Ramiz Alisë

Nga tornitore, në nënkryetare e Kuvendit Popullor. Mine Guri ka qenë ndër funksionaret më të njohura në dy dekadat e fundit të komunizmit, por më e panjohura për sekretet që di rreth ish-udhëheqjes. Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë në Kuçovë dhe Berat, deputete nga viti 1970-1990, e para femër nënkryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor për 8 vjet, por edhe nënkryetare e Kryesisë së tij, Mine Guri, foli në numrin e kaluar. Rrëfimi nisi që nga migrimi si fëmijë, nga Frashëri në Tiranë, punën si tornitore në uzinën “Enver Hoxha”, martesën me aviatorin Kadri Guri në Lushnjë, transferimin në Kuçovë e Berat si gruaja partiake më e pushtetshme, e deri te opinionet e saj për modën dhe sjelljen e kolegeve dhe grave të ish-udhëheqjes në Bllok.

Një ndalesë të veçantë ajo bëri te ish-kryeministri Mehmet Shehu, me të cilin ka pasur një debat, vetëm pak ditë para se të vetëvritej. Për dëshmitaren tonë, Mehmet Shehu, nuk është as mik e as armik, por: “Do t’i thosha vetëm; Iu prehtë shpirti në paqe, siç ia kam thënë me kohë. Me Fiqreten kam shkuar më mirë sesa me Mehmetin, se ky ishte më zevzek. Ishte kërkues dhe, për hir të së vërtetës, e njihte shumë mirë ekonominë dhe nuk e gënjeje dot. Vetëm se herë-herë ishte shumë brutal. Të bënte për ujë të ftohtë dhe vetëm kur e shihte se je dorëzuar, të merrte me të mira”. Këtu nis rrëfimi për Mehmet Shehun, por nuk duhet humbur dhe ajo që vjen më pas…?!

Znj. Guri, Mehmet Shehu, ishte vetëvrasje apo vrasje?

Vetëvrasje, jam e bindur.

Pse?

Dy herët e fundit që e kam takuar shokun Mehmet, nuk ishte mirë mendërisht. Nuk e kisha parë kurrë ashtu. Erdhi në Kuçovë dhe Berat, më 28 nëntor të vitit 1981. Ishte e shtunë, u takuam në Kuçovë. Të nesërmen do të merrte në analizë vendimet e Kongresit të VIII-të, të PPSh-së, në Berat. Që në momentin që e pashë, duke zbritur atë pasdite te Shtëpia e Pritjes në “Qytetin Stalin” (Kuçovë), e kuptova që diçka nuk shkon. Ndryshe nga herë të tjera, po udhëtonte pa eskortën e tij. Ishte vetëm me shoferin dhe truprojën Ali Çeno. Kur e takova shokun Mehmet, ai ishte krejt pa humor dhe më foli rëndë, me dyshime, pa më parë në sy.

Pa më përshëndetur, më pyeti direkt se ku është kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Beratit. I tregova se ai kishte shkuar në Vlorë, për të vendosur bustin e Hysni Kapos, por në zyrën e Degës janë “çunat” e tjerë. “Çuna?! Ç’janë këta çuna”, më pyeti ai gjithë nervozizëm dhe unë me shpejtësi i tregova që janë zëvendësuesit e kryetarit të Degës, sepse ai duhej të shkonte patjetër në Vlorë, ngaqë ishte nipi i Hysni Kapos. Kur i thashë kështu, sikur u qetësua pak, por sërish zëri ishte i ashpër dhe aspak dashamirës. U largova nga ai dhe, teksa po kaloja pranë makinës së tij, hodha sytë brenda.

Në sedilje ishin dy automatikë. Nuk i kisha parë armë herë tjetër. U largova e mërzitur, e menduar, por edhe paksa e fyer. U takuam sërish në darkë, por edhe gjatë mbrëmjes, po njësoj. Më kërkoi t’i tregoja programin. Ia tregova dhe ai as fliste fare. Më në fund, tha një; “mirë”. Atëherë i kërkova që ta shoqëroja për të nesërmen, por ma preu shkurt “jo”. M’u duk se nuk kishte kuptim të rrija më dhe u bëra gati të largohesha. Në atë çast, nuk e di se si ia dha mendja dhe më ftoi për darkë aty, në Shtëpinë e Pritjes.

Ndryshe nga ç’pandehja, ai filloi të hante bukë misri. Po përtypej fort dhe më tha: “E shikon ti, se si ha unë? Si qen, ha”. Unë ngela e habitur dhe i kërkova të mos e quante veten ashtu. Me erdhi keq vërtet, që e quajti veten ashtu. Fola dhe pak momente me fjalë të ëmbla, por duket se asnjë nga ato, nuk bëri punë. Shoku Mehmet u bë me nerva dhe, duke më lënë fjalinë në mes, thirri me inat një punonjëse të shërbimit dhe i bërtiti duke e sharë.

Pse e shante?

Sipas shokut Mehmet, ajo nuk i kishte dhënë për të pirë ilaçet, siç ia kishte lënë ai porosi. Por ajo në fakt, ia pati dhënë para darke, në orarin që i kishte thënë shoku Mehmet, madje në dorë. Këtë gjë ia pohova dhe unë. Vetëm atëherë e la të qetë punonjësen dhe i tha të largohej, edhe pse sërish, nuk dukej i bindur. E njëjta situatë tensioni, vijoi edhe të nesërmen. Ishte e diel pasdite. U mblodhëm në Berat dhe do të analizonim dhe zbërthenim vendimet e Kongresit të VIII-të, të PPSH-së. Të gjithë hapën blloqet për të mbajtur shënime, se çfarë do të thoshte shoku Mehmet, por thuajse ato ngelën bardhë.

Mbledhja mbaroi shpejt dhe kaluam te hotel “Turizmi” në darkën e përgatitur me këtë rast, si dhe për Pavarësinë dhe Çlirimin e vendit. Ashtu qejfprishur po rrinte në darkë dhe nuk po guxonte njeri që ta ngacmonte, por unë nuk durova. “Shoku Mehmet, qyteti është pa ujë”. Ai, sikur të mos kishte qenë fare aty, filloi të fliste për gjahun: “Jemi ngjitur deri në Rroshnik, duhet të shkojmë për gjah, deri në majën e Tomorrit”. U skuqa nga turpi, por nuk e lashë me kaq dhe iu ktheva sërish: “Shoku Mehmet, mua më vjen turp që t’u dal përpara. Ju lutem, të bëjmë diçka që të sjellim ujin e Bogovës këtu”.

Ishte sërish sikur të flisje me ajrin. Ai fliste me të veten dhe në fund më foli ashpër: “Shoqja Mine, do të më lësh rehat ti, apo jo”. Në ato momente, nuk e di se si më shtohej çdo minut guximi dhe e kundërshtova edhe unë ashpër: “Jo vetëm që nuk do t’ju lë rehat, por do t’ju vij që nesër edhe në zyrë. Populli nuk ka ujë. Po thahen bimët, po thahen dhe njerëzit. Të marrim ujë nga Bogova. Ju jeni dhe dhëndër Berati…”! Vazhduam dhe pak çaste kështu. Ai më thoshte se mungojnë paratë e, unë këmbëngulja se paratë të popullit janë.

Nuk iu ndava për çerek ore dhe, pasi më paralajmëroi tre here, që nëse nuk do ta lija këtë bisedë, do të ikte, iku vërtet. Iu turra nga pas dhe e luta që të kthehej, por më kundërshtoi. I kërkova ta përcjell, prapë më kundërshtoi. I thashë të njëjtën gjë edhe për nesër, vetëm ma preu shkurt; “jo”. Megjithatë, bëra ç’bëra, unë ia mora ujin për Beratin.

Domethënë u pajtuat?

Ne u takuam edhe një here, një javë më pas, më 13 dhjetor 1981. Më duket pesë ditë para vetëvrasjes. Vetëm pak minuta, sa e falënderova për ujësjellësin, por gjendja e tij mendore, ishte e njëjtë. U fut në Shtëpinë e Pritjes në “Qytetin Stalin” (Kuçovë) dhe aty mbylli dritaret me perde të errëta. Nuk e ngacmova më, pasi unë kisha marrë çfarë doja, për popullin e Beratit. Që të nesërmen e sherrit në Turizmin e Beratit, më telefonoi Adil Çarçani. Ai ishte zëvendëskryeministër në atë kohë. Fillimisht më tha se; pse i jam ankuar dhe e kam mërzitur shokun Mehmet?!

Si e zënë në faj, i tregova që kemi ngelur pa ujë, por në asnjë moment nuk kam dashur ta mërzis shokun Mehmet. Përkundrazi, isha përpjekur që ai të ndihej sa më mirë. “Do të vij vetë ta rregulloj këtë punë nesër. Në orën 5, do të jem aty me projektuesit. Do të sjellim projektin dhe uji do të merret nga Bogova. Paratë do të merren nga sektori i naftës. E zgjidhëm dhe këtë punë shoqja Mine, mos i mërzit më kot shokët”, kështu më tha shoku Çarçani dhe kështu u bë. Të martën, në orën 5 pasdite, ai ishte në Berat, bashkë me projektin e ujësjellësit. Atë ujë ka edhe sot Berati. Ai falënderim, ka qenë takimi im i fundit me shokun Mehmet.

A ishit ju në dijeni për sulmet që po përgatiteshin ndaj tij?

Nuk di për çfarë t’ju betohem, që nuk kam ditur gjë. Madje, kur Adil Çarçani më tha ashtu, u frikësova fillimisht. Unë vërtet kam qenë deputete dhe zëvendëskryetare e Presidiumit, por mos harroni që, gjithë jetën kam qenë punëtore e thjeshtë. Në Kuvend i kisha duart me kallo dhe shkoja me raporte nga puna në terren dhe jo me thashetheme dhe intriga. Vetëm më kujtohet një episod me shokun Ramiz Alia dhe aty kam kuptuar që diçka nuk shkon.

Çfarë episodi?

Në fillim të nëntorit, rrethi i Beratit mori një “Flamur”. Ishte simboli për punën e qytetarëve dhe me këtë rast organizohej një ceremoni, ku ishin të pranishëm shumë shokë të udhëheqjes. Mehmet Shehu, do të ma dorëzonte “Flamurin” mua, të cilin u ngjita dhe mora në podium, mes duartrokitjeve dhe muzikës solemne. Krejt e lumtur, disa ditë në mes, kishim një mbledhje në Kuvend. Si nënkryetare e Presidiumit, isha ulur afër kryetarit të Presidiumit, shokut Ramiz Alia. Ia zgjata dorën gjithë gëzim, por ai më refuzoi duke më thënë: “Nuk ta jap dorën, se ta dha ai (Mehmet Shehu)”.

Po me Enver Hoxhën, keni bërë ndonjëherë debat ose ju ka ndodhur ndonjë incident, si ky me Ramiz Alinë?

Jo, asnjëherë. Edhe këtë që më ndodhi me shokun Ramiz, nuk e quaj incident, por një reagim i tij, për të më lënë mua të kuptoja diçka. Edhe pse unë, sërish nuk e kuptova, deri në ditën kur vrau veten. Sa i përket shokut Enver, kam pasur vetëm biseda pozitive, por ishte edhe provokator. Do të theksoja, provokator me shumë dashamirësi, ndaj meje.

Për shembull, na tregoni ndonjë nga këto provokimet dashamirëse të Enver Hoxhës, ndaj jush.

Mbaj mend një herë, që shoku Enver më kishte ftuar për drekë mua dhe shokët e partisë së Beratit dhe Kuçovës, Gaqo Nesho e Dhimitër Brisku. Do të drekonim te Shtëpia e Pritjes në Kuçovë, sepse më pas shoku Enver, do të ikte për në Skrapar. Teksa po hanim, më thotë shoku Enver: “Pa ma jep pak atë dorë”. Si në turp ia zgjata dorën. Ai e hapi mbi pëllëmbën e tij dhe më provokoi me një pyetje: “Dorën me kallo e paske dhe duket që ke punuar shumë.

Pashë dhe fushat me grurë plot. Po ja, moj shoqja Mine, nëse ju bie shi dhe ju prish grurin, çfarë do të bëni ju? Me se do të ushqehet populli i Beratit”?! Mua shpejt e shpejt më erdhi përgjigja në mendje: “Do të mbjellim misër, shoku Enver. Dhe nga 30 kuintalë grurë për dynym, do të marrim 60 kuintalë me misër”. Shoku Enver më lavdëroi për përgjigjen dhe më ftoi pastaj që të hanim.

Çfarë ju kishte porositur Enver Hoxha për të ngrënë dhe çfarë hëngri ai vetë?

Mbase nuk do ta besoni, por ai hëngri vetëm një sallatë jeshile me majdanoz, 2 copa te vogla patate të zier dhe një gjysmë racioni mish zogu. Dhe, teksa hante, na shpjegonte vlerat ushqyese të sallatës dhe përgjithësisht të bimëve. Ndërsa ne na vuri para një supë me perime, biftek me patate të skuqura dhe fruta në fund. Por unë, as haja dot. Më vinte shumë turp. Shoku Enver më lutej që të fusja diçka në gojë, por kisha emocione. Në fund, ndau një kokërr molle dhe këmbënguli që të haja të paktën gjysmën.

Po përgjithësisht, si ishte ushqimi në shtëpitë e ish-udhëheqësve, ku ju kanë ftuar për të ngrënë?

Shumë thjesht hahej. Unë e di që është përhapur miti i rremë, se bëhej name, duke therur qengja nëpër shtëpitë e ish-udhëheqësve. Unë kam qenë në shumë prej tyre dhe thuajse i njëjti ushqim, supë ose gjellë, ndonjë meze e vogël dhe fruta në fund. Madje, shumë prej tyre, servirnin gjellë tradicionale shqiptare, sidomos byrekun. Edhe unë njësoj kam gatuar. Madje, lakrori im me hithra, mori namin deri në Tiranë.

Kush ta nxori këtë “nam”?

Ramiz Alia. Një herë ai erdhi në shtëpinë time për vizitë dhe më gjeti duke gatuar lakror. Iu luta të ndalej për drekë dhe ai pranoi, me kusht që të provonte lakrorin tim. Mua më erdhi zor në fillim, se ngaqë ishte me hithra, por ai këmbënguli. Teksa po e hante, e lavdëronte gjatë gjithë kohës dhe, kur kishte shkuar në Tiranë, u kishte thënë të gjithëve. Pastaj, kush vinte në shtëpinë time, më kërkonte lakror me hithra.

A mbani ende shoqëri me ish-udhëheqësit e komunizmit?

Atyre që vdiqën gjatë këtyre viteve, u kam shkuar në varrim. Me ata që janë gjallë, përpiqemi të bëjmë vizita të ndërsjella, por mosha nuk na lë vend shumë tani, për dëshirën e të udhëtarit. Përgjithësisht, miqtë më të mirë nga komunizmi, jetojnë në Tiranë dhe unë rrallë vij atje. Megjithatë, për sebepe bëj si bëj, vij.

Vizita tuaja të fundit te ata, konkretisht…

Te Vito Kapo, Naunka Bozo, Themie Thomai.

Po te Nexhmie Hoxha?

Kam kohë pa vajtur, por interesohem me telefon dhe më së shumti pyes djalin e saj, Ilir Hoxhën. Me atë kam ruajtur respektin dhe miqësinë, që nga koha kur punonte në Poliçan.

Çfarë pune bënte ai atëherë?

Mekanik i thjeshtë në Uzinën e Poliçanit. Dhe mendo, në Tiranë flitej se ai privilegjohej…!

A privilegjohej në fakt?

Po ju tregoj vetëm një episod të shkurtër. Kishin vënë bast te uzina ku punonte Iliri, se ai merrte me vete, vetëm bukë me mish, peshk, apo gjëra të tjera të mira. Disa kolegë të tij, fshehtas, ia kontrollojnë 3 ditë rresht bukën. Ia gjejnë një ditë, vetëm me marmelatë. Një ditë vetëm me djathë, ullinj dhe qepë. Dhe ditën e tretë, vetëm me vezë…! Nëse ju e quani këtë privilegj, çdo të thoshim, për bijtë e pushtetarëve të sotshëm?

Më thoni një prej tyre që bën një punë të thjeshtë…! Privilegjet në periudhën komuniste, mbase kanë qenë, nuk e di, por personalisht, nuk i kam njohur. Nga kjo, besoj që, nëse kanë qenë këto privilegje, kanë qenë raste të izoluara. Privilegjet e vërteta, lindën me ardhjen e kësaj që quhet demokraci, por që nuk është e tillë…!

Pse nuk është demokraci kjo?

Po marr konkretisht shembull veten. Unë deputete në 5 legjislatura dhe ka plot të tjera nga këto të sotshmet, që kanë qenë vetëm një legjislaturë. I njëjti post politik, pensione të ndryshme. Unë marr një pension qesharak, ndërsa këto “të demokracisë”, pension luksoz. Kjo është demokracia, me dy standarde?!

Çfarë ju duket pozitive dhe negative te gratë e sotshme në Kuvend?

Po e nis te negativja, që të lë një fjalë të ëmbël, për në fund. Sharjet mes femrave në Kuvend, më “tërbojnë”. I dëgjoj dhe skuqem. Kam punuar me 12 mijë femra në Kombinatin Tekstil “Mao Ce Dun”, të Beratit dhe nuk kam dëgjuar kurrë fjalor aq të ndyrë…! Ndërsa ajo çfarë më pëlqen, është vetëm pamja e tyre e jashtme. Por, besoj se ajo vjen, ngaqë kanë mjetet e duhura dhe plot kohë, për t’u kujdesur për veten. Dhe pastaj, ngaqë merren aq shumë me veten e tyre, nuk u del më koha për votuesit…!

Po pas viteve ’90-të, çfarë vije partiake keni mbajtur?

Komuniste dhe vetëm komuniste. Edhe atëherë kur u mohua me ligj si parti, kam qenë komuniste, nga ato të vërtetat ama.

Pse ka edhe komunistë të rremë?!

Ouuu, po si jo. U bënë nja 3-4 parti komuniste më duket, pasi u hoq ligji i ndalimit. Edhe Partia Socialiste, parti komuniste është. Por partia e vërtetë komuniste, është ajo që la trashëgim Enver Hoxha.

E keni përjetuar keq vdekjen e Enver Hoxhës?

Jashtëzakonisht keq. Qaja dhe shkulja flokët. Por situatën më të keqe e kam përjetuar kur ua kam komunikuar lajmin e vdekjes vajzave dhe grave të Kombinatit Tekstil.

Pse?

Jua thashë, ishin 12 mijë femra që punonin në Kombinat. Kur u tregova për vdekjen, disa prej tyre u ra të fikët. Ambulanca bëri disa rrugë, për te ne dhe mori dhjetëra vajza e gram për t’i çuar në spital. Të tjerat lotonin pa fund.

Dhe ju mendoni, se ishin lot të vërtetë?

Mbase nuk kanë qenë lot të vërtetë, tek të 12 mijë femrat, por minimalisht, te 10 mijë prej tyre, patjetër që po. Dyshoj të jenë shtirur kaq shumë. Femrat e Beratit, nuk janë njohur ndonjëherë për aktore profesioniste.

Po për çfarë janë njohur?

Për besnikëri politike ndaj Partisë dhe shokut En ver. Berati ka qenë, është dhe do të jetë, komunist, pavarësisht emrave që kanë partitë fituese këtu. Memorie.al

Favorizoi persona të ndryshëm, Prokuroria kërkon pezullimin e punonjësit të policisë

Prokuroria  e Kukësit ka kërkuar pezullimin nga detyra të një punonjësi të policisë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Punonjësi i policisë me iniciale K.K, duke shfrytëzuar dhe përfituar nga pozicioni i tij me detyrë, si efektiv i rrugores, ka favorizuar persona që njeh me qëllim që të mos gjobiten apo të kalojnë pa u kontrolluar nga policia .

Njoftimi:

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, kërkon masën e sigurisë të ‘Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasin K.K., punonjës policie për Veprën Penale ‘Shpërdorim Detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve lidhur me procedimin penal nr.78 të vitit 2024 në bashkëpunim me Agjencinë e Mnikëqyrjes Policore (AMP) nga vëzhgimet ambientale dhe inerceptimet telefonike krijohet dyshimi i arsyseshëm që punonjësi i policisë K. K. duke shfrytëzuar dhe përfituar nga pozicioni i tij me detyrë trup shërbimi trafiku urban dhe Interurban, DVP –Kukës, favorizonte persona që njeh me qëllim që të mos gjobiten apo të kalojnë pa u kontrolluar nga policia.

Me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata vendosi pezullimin nga detyra, ndërsa vijojnë hetimet edhe për punonjës të tjerë të qarkullimit rrugor.

“CR7” prek historinë negative, por ka dy rekorde për të thyer

Kristiano Ronaldo nuk ndalet së thyeri rekordet. Në këtë kampionat Europian është bërë lojtari që ka marrë pjesë në më shumë Europianë, ai që ka dhënë më shumë asiste 7, duke parakaluar Karel Poborskin.

Por jo vetëm kaq, Këpuca e Artë e “Euro 2020” është lojtari me më shumë ndeshje 28, me më shumë fitore (14) në historinë e këtij kompeticioni. Për më tepër në humbjen kundër Gjeorgjisë për të ishte ndeshja e 50-të mes Europianëve dhe Botërorëve. Pa dyshim, ky kampionat ka sjellë edhe një version të Ronaldos që nuk e kemi parë kurrë. Për herë të parë në një fazë grupesh të një turneu të rëndësishëm, ai nuk ka gjetur golin.

Deri tani ka luajtur 10 të tillë, 5 Europianë dhe 5 Botërorë. Në vitin 2004 shënoi 1 gol, ashtu si edhe në vitet pasardhëse, Botërorin e vitit 2006, Europianin e vitit 2008 dhe Botërorin e 2010-ës. Dy vite më vonë e mbylli me 2 gola fazën e grupeve, ndërsa në Brazil shënoi vetëm 1.

Me radhë, 2 gola, 4 gola, 5 gola, 1 gol dhe për të mbërritur tek Europiani i këtij viti me asnjë gol. Por fakti që nuk ka gjetur rrugën e rrjetës nuk ka influencuar shumë në lojë. Ai është futbollisti me më shumë goditje drejt portave kundërshtare (12), i treti që ka çuar goditjet në kuadrat.

Por pa dyshim goli është duke i munguar, të paktën për tani. Kundër Gjermanisë protestoi për një penallti, u ndëshkua me karton të verdhë. Ronaldos i mbeten edhe 2 rekorde të ndryshme për të thyer: Të bëhet lojtari që shënon në 6 Europianë të ndryshëm dhe të thyejë Luka Modriçin, si lojtari më i vjetër që ka shënuar në Europian. Kroati e mban këtë rekord në moshën 38- vjeç dhe 289 ditë. Ronaldo është 39 vjeç dhe 132 ditë. Shumë media kanë filluar të ngrenë dilema dhe pikëpyetje për Kristiano Ronaldon nëse e meriton apo jo vendin e titullarit në kombëtare. “Ai nuk është më i fortë fizikisht, ka humbur shënjestrën dhe sensin e golit. Është një lojtar që po i jepet më shumë hapësirë nga sa meriton. Duhet ta kuptojë edhe vetë”, shkruan “The Guardian”. Megjithatë, Ronaldo ka të gjithë besimin e trajnerit Martinez.

KESH tender 2.1 mln euro energji me çmim më të lartë se në bursë! Blerja në platformë të fshehtë! “Avullojnë” 400 mijë euro

2.1 milionë euro i ikën buxhetit të shtetit për blerje energjie edhe pse nuk ka më asnjë krizë energjetike. Vetëm për datat nga 1 deri më 7 korrik, çmimi i tregtimit të energjisë në bursë ka qenë mestarisht 87 euro/kWh, ndërsa KESH ka hapur ofertat për blerjen e energjisë elektrike me çmim prej 108 euro për kilovat orë.

Ky çmim nuk është i justifikueshëm në një kohë kur vetëm pak ditë më parë vendi pati reshje të dendura shiu, ndërsa Shqipëria prej vitesh tanimë e ka të mundur mbulimin e mbarë territorit në masën 97% me energji të prodhuar në vend.

Kujtojmë se Shqipëria investoi në ndërtimin e bursës Shqiptare ALPEX  2.2 mln euro e cila ende nuk përdoret. Gjithnjë është marrë si referencë bursa hungareze HUPX por tanimë tenderat po zhvillohen jashtë bursës duke përdorur një platformë të fshehtë. KESH po përdor një sistem të brendshëm, “treding” i cili nuk i lejon askujt akses duke e thelluar edhe më tej mungesën e llogaridhënies për paratë publike.

Bursa Hupx

Kësisoj, blerjet me çmime të tilla i rrisin edhe më tej gropat e shkaktuara në buxhetin e shtetit përmes borxheve nga KESH. Më konkretisht, me çmimin që ka blerë KESH në energjinë në platforma të panjohura, me çmim 108 euro për kilovat orë, janë shpenzuar 2,111,135.04 euro. Ndërsa po të blihej me çmimin e referencës së HUPX prej 87 euro/kWh që ishte çmimi mesatar i datës 28 qershor kur u realizua ky furnizim me energji elektrike do të shpenzoheshin 1,712,995.2 euro. Pra, plot 400 mijë euro diferencë, të cilat ikin në drejtim të paditur. Duhet të sjellim në vëmendje se nëse shkëmbimi i energjisë elektrike do të realizohej në bursën shqiptare ALPEX, vlera totale e paguar do të duhej të ishte shumë herë më e ulët se kaq.

 

 

Tenderi I Kesh

Për më tepër, tanimë KESH nuk bën të ditur as kompanitë fituese që kanë furnizuar vendin me energji elektrike, duke “minuar” llogaridhënien publike. Auditet e KLSH të publikuara për vitet e mëparshme për OSHEE dhe KESH kanë zbardhur shifra miliona euro lidhur me humbjet jo teknike të cilat janë vjedhjet.

Kujtojmë se pak muaj më parë, News24 dëshmoi me prova dhe fakte se si trekëndëshi KESH-OSHEE-OST kanë keqpërdorur paratë publike. Ish-drejtori i KESH, Ergys Verdho pasi vjedh energjinë elektrike në banesën e tij, jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por është rritur në detyrë duke u transferuar tashmë në krye të Hekurudhës shqiptare.

Në vendin e tij u emërua anëtari i Forumit Rinor të PS, Erlind Sulo, një 30-vjeçar pa eksperiencë në administrimin e parave publike. I besuari i ri i ministres së Energjetikës, Belinda Balluku e cila kryeson një nga dikasteret që kontrollon pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, duket se po i zbaton “detyrat” me përpikmëri.

Ndërkohë, vetë KESH “gllabëron” nga buxheti i shtetit në formë financimi 16% të GDP, si asnjë sektor tjetër në vend.

Mbi 5 tonë peshk i ngordhur pushton brigjet e rezervuarit të Petovës në Fier, burim për infeksione

Mbi 5 tonë peshk i ngordhur kanë pushtuar brigjet e rezervuarit të Petovës në bashkinë Fier. Era e rëndë ka pushtuar zonën përreth ndërkohë që kafshët po ushqehen me peshkun e ngordhur e në këtë mënyrë si pasojë e temperaturave të larta mund të kthehen në burim epidemie. Banorët pranë rezervuarit nuk flasin për median pasi jashtë kamerave thonë se rezervuarin e zotëron bashkëfshatari i tyre i cili e ka marrë me qira për 99 vjet.

Agjencia Rajonale e Ruajtjes së Mjedisit e kontaktuar me telefon në lidhje me këtë problematikë ka pohuar se e dinë problemin por nuk është kompetencë e tyre sepse këtë kontroll e ushtron Ministria e Mjedisit. E njëjta përgjigje vjen edhe nga AKU, Drejtoria e Peshkimit dhe Drejtoria e Ruajtjes së Mjedisit në bashkinë Fier.

Ferrik Avdia, drejtor i bujqësisë në bashkinë Fier ka pohuar se kjo është hera e parë që ndodh një situatë e tillë për shkak të temperaturave të larta e rënia e nivelit të ujit në rezervuar. Po ashtu është vënë në dijeni dhe dijeni Ministrinë e Mbrojtjes Mjedisit, drejtoritë përkatëse, policia dhe i është lënë detyrë personit që ka marr me qira rezervuarin që të nxjerri të gjithë sasinë e peshkut të ngordhur e ta largojë nga rezervuari.
Një situatë e njëjtë ndodhi dy muaj më parë në rezervuarin e Kurjanit në Rroskovec ku tonelata peshku të ngordhur pushtuan anët e rezervuarit e ndotën ambientin. Pas kronikave televizive organet përkatëse morën masa për largimin e tij e rikthimin e situatës në normalitet.

Vendimi për rritjen e çmimit të ujit nga Bashkia e Elbasanit, qytetari i revoltuar godet këshilltarin socialist

Një qytetar ka goditur një nga këshilltarët socialistë pas vendimit të Bashkisë së Elbasanit për të rritur çmimin e ujit.

Qytetari, i cili po protestonte kundër këtij vendimi, i ka gjuajtur me dosje këshilltarit të PS që qëndronte i ulur në karrige.

Ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke i hedhur disa letra dhe shkon drejt tij.

“Poshtë komunistat”, tha qytetari i revoltuar para nisjes së tensioneve në sallë.

Vendimi për rritjen e çmimit të ujit u mor nga këshilli bashkiak i Elbasanit, ndërsa opozita e bojkotoi procesin e votimit dhe e cilësoi të paligjshëm.

Spanja protesta kundër turizmit masiv: Po shkakton rritje stratosferike të çmimit të qirave dhe të kostove të jetesës!

Në Spanjë po shtohet pakënaqësia ndaj turizmit masiv. Ata e konsiderojnë turizmin si shkaktar për rritjen stratosferike të çmimit të qirave dhe të kostove të jetesës.

Gjithnjë e më shumë vetë kanë dalë javët dhe muajt e fundit në rrugë për të protestuar kundër shtimit të numrit të turistëve në Spanjë. Spanja është një destinacionin i preferuar për të kaluar pushimet.

Pas protestave në ishujt Kanarie, në ishujt Baleare, apo Barcelonë edhe në Málaga u zhvillua një nga demonstratat më të mëdha që mbahen mend në metropolin bregdetar andaluzian.

Sipas rreth 15.000 protestuesve që dolën në rrugët Malagës turizmi masiv, duket se është shkaktari për rritjen stratosferike të çmimit të qirave dhe të kostove të jetesës.

Protesuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Málaga nuk është në shitje”, “Ky nuk është turizëm, por pushtim”, apo “Kufizim tani”.

“Edhe me një rrogë të mirë, njerëzit këtu s’e përballojnë dot muajin. Kjo është tepër mizore dhe e padrejtë. Vetëm për shkak të pushimeve ose ëndrrave të ca njerëzve të tjerë” – thotë Alba Novoa, pjesëmarrëse në protestë.

“Ne nuk jemi “turisto-fobikë” ndaj njerëzve që vijnë për të vizituar kulturën tonë, por jemi kundër çmendurisë që po ndodh” shton Alvaro Campoy.

“Jam pensioniste por nuk kam fond pensioni dhe s’mund ta përballoj qiranë. Banoj në një strehë sociale sepse s’mund të marr me qira asnjë banesë.” – thotë Julia Sarabia.

Shumë nga këto parrulla vazhdojnë të qëndrojnë të qëndrojnë të varura në fasadat dhe ballkonet e shumë shtëpive në Malaga dhe protestuesit kërkojnë prek autoriteteve që të garantojnë çmime të përballueshme për vendasit.

Këtë vit pritet që turistët në Spanjë ta kalojnë shifrën e 100 milionëve, shifër kjo që është dyfishi i popullsisë vendase./DW

“Rama u kthye te vendi i krimit”, Basha: Kryeministri është maja e piramidës korruptive. Shqiptarët paguajnë 60% të shërbimeve shëndetësore nga xhepi. SPAK të hetojë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, e ka konsideruar si kthim në vendin e krimit takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama në QSUT. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se kryeTixhja e pandemisë me tenderat sekretë është maja e piramidës së korrupsionit. Ai shkruan se Rama u shfajësua siç bëri me zv. kryeministrin në arrati për korrupsion, me ministra, ish-ministra dhe ish-kryebshkiakët, me parrullën “përgjegjësia është individuale”.

Në reagimin e tij, Basha gjithashtu thotë se ishte Rama që premtoi shëndetësi falas dhe sot shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të sherbimeve për shendetësinë. Ai sjell në vëmendje konkluzionet e OBSH se shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82%.

Sipas tij, problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që abuzon me shëndetin e familjeve shqiptare. Dhe për këtë si zgjidhje Basha sheh inkurajimin e SPAK në luftën kundër korrupsionit në çdo apekt dhe alternativën e demokratëve euroatlantik që qytetarëve të mos u shkojnë dëm paratë e sigurimit shëndetësor, por të marrin sherbim në çdo spital që ofrohet shërbimi i nevojshëm.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Pas skandalit çnjerëzor të Onkologjikut, Edi Rama u kthye sot te vendi i krimit.

Me propagandën e tij bajate, u përpoq të lajë duart me përgjegjësitë, për t’ia lënë ato vetëm mjekëve.

Kujtonte me paturpësinë më të madhe Tixhen, ndërkohë që kryeTixhja e pandemisë ishte vetë ai me tenderat sekretë.

Me parrulla të lodhura dhe kundërthënëse, ku sipas interesit të tij një herë e ka fajin individi, një herë sistemi, ndërsa koka, maja e kësaj piramide korruptive, fletë sikur ka ardhur sot në pushtet.

Siç ka berë me zv. kryeministrin në arrati për korrupsion, me ministra, ish-ministra, kryebashkiake e ish-kryebashkiakë, edhe këtu u shfajësua me frazën “përgjegjësia është individuale”.

Nuk është aspak i shqetësuar për paragjykimin që në raste të tilla bie mbi mjekë e infermierë, që në kushte jo normale përpiqen me gjithçka për t’u dhënë ndihmë pacientëve. Për ta kemi dhe do të kemi mirënjohje për jetë. Por Rama ka hallin e tij, sepse ai është arkitekti që qëndron në majë të piramidës së korrupsionit.

Rasti i Onkologjikut, ku bëhet pazar me jetën e pacientëve, është vetëm dëshmia më e fundit e degradimit të një sistemi korruptiv, që si në çdo hallkë të zinxhirit drejtues të Ramës, prodhon dhimbje dhe kosto për familjet shqiptare.

Sot për t’u hedhur hi syve shqiptarëve ka shpikur menaxherë të huaj. Siç është dëshmuar edhe më parë, pas çdo skemë të tillë është një tjetër plan abuzimi me paratë e shqiptarëve dhe më pak shërbim për ta.

A thua se nuk është ky që u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas, e sot shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shërbimeve për shëndetësinë.

Me qeverisjen e Edi Ramës, Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82 për qind.

Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi në krahasim me çdo vend tjetër në Europë.

Po aq kriminale është skema korruptive e barnave, që lejon futjen në treg të ilaçeve me origjinë jo të sigurtë, me cilësi të ulët dhe pa efekt, duke mos përfshirë në listën e rimbursimit barna për sëmundjet e rënda.

E si të harrojmë milionat e eurove që vidhen në tendera e koncesione korruptive, të cilave u doli zot me pafytyrësi. Miliona që do të mjaftonin për t’u ofruar qytetarëve shërbim shëndetësor cilësor për të gjithë.

Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre.

Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj skeme korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë.

Prandaj rasti i Onkologjikut, që fatkeqësisht nuk është i vetmi, është një metastazë e tumorit të korrupsionit që ka instaluar kjo qeveri në sistemin e shëndetësisë.

Problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që abuzon me shëndetin e familjeve shqiptare, ndërsa ata ikin dhe për shkak të sistemit shëndetësor që është pasqyrë e qeverisë më të korruptuar në Europë.

Prandaj së pari gjithçka duhet të nisë me luftë pa kompromis kundër korrupsionit.

Inkurajoj SPAK të ecë përpara me vendosmëri në luftën e korrupsionit, kudo që ai shpërfaqet dhe në çdo nivel të pushtetit.

Së dyti, ne kemi ofruar alterantivën tonë. Modelin që qytetarët të cilët paguajnë sigurimet shëndetësore të mos u shkojnë dëm paratë, por të marrin shërbim në çdo spital që ofrohet shërbimi i nevojshëm.

Shqipëria meriton më shumë se gjendja në të cilën e ka futur korrupsioni i Edi Ramës, familjet shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për ta, e jo një qeveri që i trajton jetët e tyre si plaçk për të mbushur xhepat e saj.

VDEKJA E AUTORIT

Nga Ardian Vehbiu

Një lajm i hidhur, që një ditë do të vinte – dhe që i rriteshin gjasat me çdo ditë që kalonte; e megjithatë, që nuk ka kuptim dhe që nuk do të ketë shumë kuptim: I shquari Ismail Kadare u nda prej kësaj bote. Librat e tij i kemi dhe i lexojmë dhe do t’i lexojmë; fjala e tij gjithnjë na përhihet para syve dhe në mendje; bota e ndjellë prej fiksionit të tij letrar, sado fantastike, fiton dora-dorës një realitet të vetin, që qëllon edhe t’i mbivendoset këtij tonit, të përbashkëtit.

Si të pajtohet njeriu me ikjen e shkrimtarit? Më të lehtë e kam të përfytyroj dhimbjen e Helenës, të Gresës dhe të Besianës, por edhe të miqve që i kam pasur të përbashkët me të; kujtoj si do ta qante nëna ime, që e kish pasur shok të afërt, në universitet – por u nda nga kjo botë para tij, dhe duke lexuar një libër-intervistë me të, që ato ditë Covid-i sapo kish dalë. Siç arrij të përfytyroj dhimbjen e të gjithë atyre që e duan fjalën shqipe dhe janë identifikuar me frymën e veprës së tij, në trojet e shqipes dhe gjetiu në botë; dhe janë mësuar me praninë e tij herë në qendër, herë në periferi të vetëdijes së tyre. Njerëz të apasionuar pas dinjitetit, vlerës letrare, estetikës së fjalës; njerëz që te Kadareja kishin investuar shpresën e tyre, përballë mediokritetit kulturor që i rrethonte dhe që i rrethon ende. Dhimbjen e tyre e përfytyroj dhe bëhem pjesë e saj.

Njëlloj e mendoj edhe fundin e fenomenit Kadare si epilogun e asaj Shqipërie kulturore që, për shkak të një kombinimi unik rrethanash, arriti të materializohej në vitet politikisht më të errëta për qytetarët e saj, të cilët – pavarësisht nga frika, ankthi, dhuna totalitare dhe kalbëzimi moral – nuk i braktisën ambiciet e tyre. Brenda asaj Shqipërie kulturore Kadareja ishte barkëtari që tentoi ta zhvendoste vendin e vet nga Lindja në Perëndim, siç e zhvendosi veten; një orvatje njëherazi e dëshpëruar dhe e dënuar jo aq të dështonte, sa të pillte, në analizë të fundit, një lloj të ri izolimi në mediokritet. Por këtij tragetimi me barkë, si aventurë, nuk i munguan momentet herë rrëqethëse herë entuziaste; sikurse nuk i mungoi vullneti për gjeste të mëdha, dhe aq më tepër të mëdha, në krahasim me peshën e Shqipërisë në balancat globale.

Mjaft të kujtoj këtu rolin që luajti Kadareja – dhe sidomos, rolin që publiku në Shqipëri kujtoi se luajti Kadareja – në kalimin nga totalitarizmi në post-totalitarizëm; identifikimin e tij, në sytë e shumicës, me Disidentin me D të madhe, që nuk ishte; por që megjithatë veproi si i tillë, të paktën në fantazitë tona; dhe ashtu e patëm edhe ne një shkrimtar të madh, disident dhe “europian”, i cili u largua pastaj nga fushëbeteja, duke kërkuar strehë në Francë, njëlloj si Skënderbeu dikur, që pat zgjedhur të luftonte kundër ushtrive osmane rrethuese të Krujës duke u larguar nga kështjella.

Natyrisht, unë i përkas brezit që ende e mendon si të mbyllur, krijimtarinë e Kadaresë, në fund të vitit 1990; ndryshe nga një brez tjetër, mjaft më i ri, që atë autor e ka njohur me vepra të tjera, të ndryshme, të botuara më pas; dhe aq më keq, me angazhimin e tij si intelektual publik. Ai vit u tregua moment kthese jo vetëm për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në Europën e pas-Luftës së Ftohtë, por edhe për fatin e shkrimtarit, në përpjekjet e tij për të ruajtur atë relevancë që, në analizë të fundit, do të rezultonte triviale – në krahasim me radhët e librave që kishim në biblioteka. Dhe, në çdo rast, brezi im e njohu Kadarenë dhe u apasionua pas tij, duke e parë si shkrimtarin shqip, që shkruante për ne dhe që na ushqente me ato iluzione, për të cilat kishim nevojë; çfarë është edhe detyra edhe morale, edhe sociale, e letërsisë. Mbase edhe brezat që erdhën më pas, e lexuan krijimtarinë e tij të mëpasme sipas të njëjtave kode; çfarë më bën të përsërit se viti 1990 jo vetëm e ndau historinë e Shqipërisë dhe të Kadaresë vetë më dysh, por njëlloj i ndau edhe lexuesit e tij, ata që e patën zgjedhur për kapiten të tragetit, dhe që pastaj qëlloi që u gdhinë, një ditë pranvere të fillimviteve 1990, në një anije refugjatësh drejt brigjeve të Perëndimit, pa kapiten.

Tani është momenti i koreve të përshpirtshme dhe i klisheve të zhvarrosura dhe i fytyrave të vrerosura të të gjithë atyre që prej Kadaresë nuk kanë lexuar asgjë ose, më keq akoma, kanë lexuar por vetëm për t’u armatosur në betejat e tyre banale; momenti që prisnin të gjithë ata që eksitohen vetëm nga vdekja – sepse vdekja i lejon t’i nxjerrin në publik mendimet dhe qëndrimet e tyre të hekurosura. Do të thuhet, siç pritet, se njerëz si Kadareja “nuk vdesin kurrë”, paçka se kjo është çuditërisht e vërtetë, për çdo shkrimtar aq të dashur dhe aq të lexuar sa ai. Si për shumë të tjerë, edhe për mua shkrimtari i madh mbetet i gjallë dhe pishtar i ndezur, për sa kohë mbetet gjallë tek unë jehona e veprës së tij letrare dhe dëshira për t’iu kthyer e rikthyer.

Dhe ende nuk po flas këtu për atë Kadare – kategori tekstologjike dhe narratologjike, përemër të parë të gramatikës letrare e kulturore kombëtare – që e kemi bërë tonin dhe që na ka folur dhe na flet, madje edhe kur flasim për të, e përmendim, e diskutojmë dhe e kujtojmë. Tashmë i gramatikalizuar, ai e ka arritur pavdekësinë ndryshe nga ç’pretendojnë dhe ç’do të pretendojnë t’ia japin pushtetarët, burokratët dhe përfituesit që edhe këtë herë do të jenë të shumtë; dhe fati i tij nuk do të ndahet dot më, nga fati i kulturës shqipe në shekullin XXI e më tej; dhe të gjuhës shqipe, si gjuhë e denjë për ambiciet më guximtare.

I qoftë dheu i lehtë!