23.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Censi, 400 mijë shqiptarë më pak, 75 mijë banesa më shumë; 356 mijë banesa janë bosh, gjysmat në pallate

Numri i banorëve u tkurr me rreth 400 mijë ndërmjet vitit 2011-2023, duke zbritur në 2.4 milionë banorë, sipas rezultateve të Censit, por stoku i banesave është rritur me gati 75 mijë që nga regjistrimi i vitit 2011.

Sipas të dhënave zyrtare të censit, në vitin 2023 rezultuan 1,082,529 banesa në të gjithë vendin. “Këtu është numri i banesave të prezantuara ne cens duke mos u përfshirë banesat jo të zakonshme, d.m.th ato që përdoren për biznes”, sqaroi INSTAT për Monitor.

Sipas informacionit nga INSTAT, në raport me censin e mëparshëm, ka një rritje me 7.4% të numrit të banesave, ose rreth 74.2 mijë më shumë se në 2011, kur kishte 1,008,243 milionë banesa.

Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0% të këtyre banesave, ndërsa 39,9% e tyre janë pallate. Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1 për qind) dhe shtëpi në rend tarracor (5,0 për qind).

 

356 mijë banesa janë bosh, gjysmat në pallate

Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1%) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9% banesat e zakonshme të pabanuara.

Nga anketimi në terren, INSTAT gjeti se shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 për qind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 për qind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 për qind, njoftoi INSTAT.

Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në numër, rezulton se në vend ka gjithsej 356 mijë banesa që janë bosh (32.9% e totalit), nga të cilat 170 mijë, ose gati gjysma janë në pallate (shiko tabelën në fund).

Pallatet kanë dhe përqindjen më të lartë të banesave bosh, me gati 40%. Emigracioni vlerësohet një nga arsyet kryesore që ka zbrazur banesat në vend, ndërsa në kahun tjetër cikli i ndërtimit, pas një maturimi në periudhën 2008-2016 u gjallërua sërish vitet e fundit.

Sektori i ndërtimi është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit, që u përshpejtua sërish nga viti 2016, duke bërë që për çdo 2.2 banorë të ketë një banesë.

Vetëm në kryeqytet, që nga viti 2000 është dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe prej gati 13 milionë metra katror (shiko grafikun). Vitet e fundit në Tiranë është dhënë mesatarisht 70% e totalit sipërfaqes për leje ndërtimi në vend.

Të dhëna për banesat

INSTAT raportoi se përafërsisht në përqindje të barabarta, banesat e zakonshme ishin ndërtuar në periudhën që nga viti 2001 (36,4 për qind), dhe në periudhën 20 vjeçare 1981-2000 (37,5 për qind), ndërkaq rreth një e katërta (26,1 për qind) ishin ndërtuar  para vitit 1981.

Rreth një e katërta (26,1 për qind) e banesave të zakonshme janë ndërtuar para vitit 1981 dhe përafërsisht në përqindje të barabarta, në periudha 20 vjeçare, 1981-2000 ishin ndërtuar 37,5 për qind, dhe që prej vitit 2001 e në vijim janë ndërtuar 36,4 për qind. Për banesat e zakonshme të banuara, sipërfaqja e përdorur ishte një ndër informacionet e mbledhura e cila do të shërbejë për të analizuar “mbipopullimin e banesave” .

Pothuajse gjysma e këtyre banesave (47,1 për qind) kishte një sipërfaqe të përdorur prej 40-69 m ëëë.instat.gov.al 2 12  dhe rreth një e katërta (23,7 për qind) kishin një hapësirë të dobishme prej 70-99 m Censi vlerësoi se 86,4 për qind e banesave të zakonshme të banuara kishin ujë të rrjedhshëm në banesë ose në ndërtesë.

Pothuajse të gjitha banesat e zakonshme të banuara (96,2 për qind) kishin tualet brenda banesës ose brenda  ndërtesës. Një përqindje e vogël (më pak se 0.1 për qind) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme.

Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1,4 mijë vendbanues të zakonshëm. Një përqindje e vogël (më pak se 0,1 për qind) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme. Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1,4 mijë vendbanues të zakonshëm./ Monitor.al

Burimi: INSTAT

Shqipëria po kap Europën për nivelin e çmimeve, por jo të jetesës

Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për të arritur Europën për nivelin e të ardhurave, por është duke bërë hapa të shpejtë për ta kapur atë në nivelin e çmimeve.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 89.8% e mesatares së BE-së, nga 83.7% që ishte ky tregues më 2022.

Nga viti 2014 në vitin 2023, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri i është afruar mesatares së BE me 23 pikë për qind, pasi në vitin 2014 çmimet e ushqimeve në vendin tonë ishin sa 66.8% e mesatares së BE-së.

Nga ana tjetër, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në vendin tonë ishte në vitin 2022 sa 34% e mesatares se BE, duke u përmirësuar shumë pak që nga viti 2014, kur PBB për frymë ishte sa 30% e mesatares së BE-së.

Kur vjen puna te niveli i lartë i çmimeve të ushqimeve, Shqipëria lë pas 7 vende europiane, por për të ardhurat për frymë renditemi të fundit në Europë.  Vendit ia ka kaluar dhe Bosnjë-Hercegovina, që sipas të dhënave të mëparshme ishte në të njëjtin nivel me Shqipërinë.

Të ardhurat e Bosnjës ishin sa 35% e mesatares europiane, të Maqedonisë së Veriut sa 42% e BE-së. Serbia e kishte këtë tregues 44%, ndërsa nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50%. Të dhënat për Kosovën nuk janë të disponueshme.

Bosnja kishte çmimet e ushqimeve sa 83.9% të mesatares së BE-së, Bullgaria i kishte 86.5%, Mali i Zi 85.5%, Polonia 75.8%, Rumania 72.7%, Maqedonia e Veriut 67.9% dhe Turqia 63% e mesatares se BE-së.

Në grupin e ushqimeve, Shqipëria ka nivele më të larta se në BE për produktet e bulmetit. Eurostat e renditi Shqipërinë ne vendin e tetë në Europë për nivelin e lartë të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij në mesin e 38 vendeve. Çmimet e bulmetit në Shqipëri ishin 20.7% më të larta se në BE me 2023.

Zgjerimi i kanaleve të eksportit, rritja e numrit të turistëve dhe nga ana tjetër, kapacitetet e kufizuara për të zgjeruar prodhimin, të kombinuara me dëmet që po krijojnë ndryshimet klimatike kanë krijuar kushtet për normalitet të ri të çmimeve në produktet bujqësore dhe blegtorale.

Ekspertët analizojnë se rritja e çmimeve po vjen nga një mori faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, që të kombinuar së bashku po e bëjnë këtë dukuri të qëndrueshme dhe të pakthyeshme./B.Hoxha/Monitor.al

“Kemi më pak blegtori”/ Eksperti: Shteti të kompesojë menjëherë fondet e munguara nga IPARD

Bujku shqiptar po merret gjithnjë e më pak me blegtori dhe këtë e tregojnë të dhënat e publikuara nga INSTAT. Nëse i referohemi shifrave në këtë 5 vjeçar në vendin tonë, ka 153 mijë gjedhë më pak, si dhe afro gjysmë milioni dhi më pak.

Edhe pse numri i krerëve po bie çdo vit, Ministria e Bujqësisë në këto vite vazhdon që blegtorin shqiptarë ta mbështesë vetëm për numrin e krerëve duke lënë mënjanë kërkesën e fermerëve subvencionimin lekë për litër qumësht.

“E para ka të bëjë me braktisjen e fshatit dhe më pak familje fermerë në fshat do të thotë më pak blegtori më pak toka të punuara. Duhet synuar që këto fonde të munguara të IPARD-it të kompesohen menjëherë. Shteti të marrë masa që të injektohen menjëherë për blegtorinë”, shprehet eksperti i bujqësisë Ndoc Fasllia për Top Channel.

Sipas ekspertit të bujqësisë Ndoc Fasllia, të mbarështosh gjë të gjallë nuk është fitimprurëse për fermerin, por ky realitet mund të ndryshojë vetëm nëse Ministria e Bujqësisë do t’i ofrojë fermerëve mbështetje afatgjatë që ul kostot e prodhimit të mishit dhe qumështit.

“MBZHR duhet të shohë mundësinë e kalimit me kontrata afatgjata me fermerët për kalimin e tyre të paktën me 5 vjet që do të thotë duhet të hiqet dorë nga mbështetja sezonale e cila krijon pasiguri. Atëherë për fermat mbi 10 kokë gjedhë dhe 50 të imta të lidhet një kontratë 5 vjeçare”, tha ai.

Rënia e numrit të blegtorisë për konsumatorin shqiptarë do të thotë më pak produkte vendase dhe më tepër mish e bulmet importi, ndërsa për fermerin tonë përkthehet si më pak të ardhura, pas industria e qumështit në Serbi gjen sasinë e qumështit që i nevojitet me çmim shumë më të lirë se qumështi I fermave vendase.

Analiza e The Guardian: Partia e ekstremit të djathtë, dominuese në Francë pas fazës së parë të zgjedhjeve! Çfarë parashikohet të ndodh në raundin e dytë

Partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, kundër imigracionit, është gati të bëhet forca më e madhe politike në parlamentin francez, pas një shfaqjeje historike të lartë në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Tubimi Kombëtar (RN) ka fituar rreth 34% të pjesës kombëtare të votave, sipas sondazheve të daljes nga Ipsos, Ifop, OpinionWay dhe Elabe. Duke përbërë rreth 12 milionë vota, kjo ishte një rritje e ndjeshme e përqindjes së votave prej 18% në zgjedhjet e fundit parlamentare në 2022.

Duke folur pas mbylljes së qendrave të votimit, Le Pen tha se francezët “në një votim të qartë kanë treguar dëshirën e tyre për të kthyer faqen e shtatë viteve të presidencës përçmuese dhe gërryese” të Emmanuel Macron”.

Ajo tha se partia e saj tani shpresonte të arrinte atë që shihet si sfida ende e madhe për të rritur 88 vendet e saj aktuale në parlament, me një shumicë absolute prej 289 vendesh.

Nëse kjo ndodh në raundin e dytë vendimtar të të dielës së ardhshme, do të jetë hera e parë në historinë franceze që një parti e ekstremit të djathtë fiton zgjedhjet parlamentare dhe formon një qeveri. Në atë skenar, Macron do të duhet të ndajë pushtetin.

RN po ashtu mund të fitojë numrin më të madh të vendeve, por mund të mos arrijë një shumicë absolute. Macron më pas mund ta gjejë veten me një parlament të varur të paaftë për të prodhuar një shumicë të qëndrueshme për të qeverisur ekonominë e dytë më të madhe të BE-së dhe fuqinë e saj më të lartë ushtarake.

Fronti i Ri Popullor, një koalicion i krahut të majtë që u formua në përpjekje për të frenuar të djathtën ekstreme, mendohej se kishte marrë rreth 29% të votave.

“Kemi një javë për të ndaluar ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, të gjithë progresistët dhe humanistët … duhet të mobilizohen pas Frontit të Ri Popullor,” tha Clémentine Autain nga partia e majtë La France Insoumise përpara garës së raundit të dytë zgjedhor javën e ardhshme.

Aleanca centriste e Macron rezultoi keq, me sondazhet që tregonin se kishte fituar midis 20.5% dhe 23% të votave. Ishte grupimi më i madh në parlament, por tani mund të humbiste më shumë se gjysmën e vendeve të tij dhe të zbriste në vendin e tretë.

Përqindja e votave kombëtare tregon prirjen e gjerë të votimit, por nuk parashikon përbërjen e saktë të parlamentit prej 577 vendesh, i cili do të bëhet i qartë vetëm në raundin përfundimtar më 7 korrik. Shumica e zonave zgjedhore tani do të shkojnë në balotazh.

Pjesëmarrja prej më shumë se 69% ishte më e larta në pothuajse 40 vjet në një vend gjithnjë e më të polarizuar, ku Macron kishte thënë se një fitore ose nga e djathta ekstreme ose nga e majta e fortë mund të çonte në “luftë civile” në Francë.

Për dekada me radhë, partia Fronti Kombëtar, e bashkëthemeluar nga babai i Le Pen, Jean-Marie Le Pen, u konsiderua si një rrezik për demokracinë që promovonte pikëpamje raciste, antisemitike dhe anti-myslimane. Politikanët e qendrës dhe të majtë u përpoqën t’u kujtonin votuesve historinë e partisë 52-vjeçare, e cila në fillim përfshinte në radhët e saj ish-anëtarë të një njësie ushtarake Waffen-SS nën komandën naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por partia e riemërtuar u rrit pas përpjekjeve shumëvjeçare të Marine Le Pen për marrëdhëniet me publikun për të normalizuar politikat e saj dhe për të detoksifikuar imazhin e saj.

Partia kundër imigracionit, megjithatë, ka mbajtur doktrinën e saj tradicionale të njohur dikur si “Franca për francezët”, ose “preferenca kombëtare”, të cilën e ka riemëruar “prioritet kombëtar”. Kjo do të thotë që qytetarëve francezë, nëse RN do të ishte në pushtet, do t’u jepej përparësi ndaj joshtetasve për punë, asistencë sociale dhe strehim.

Partia është zotuar të ndalojë shtetasit e shtetësi të dyfishtë nga disa punë strategjike shtetërore në Francë. Ajo dëshiron të heqë të drejtat e kombësisë për fëmijët e lindur dhe rritur në Francë nga prindër të huaj.

Macron habiti qeverinë dhe mbështetësit e tij me vendimin e tij këtë muaj për të shpërndarë parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të parakohshme pasi grupimi i tij qendror, pro-evropian u godit nga RN kundër imigracionit në zgjedhjet e BE-së. Ai argumentoi se po e thërriste votimin për të “qartësuar” peizazhin politik francez.

Spanja i prish “magjinë” Gjeorgjisë, iberikët dhurojnë show dhe “përqafojnë” çerekfinalen

Spanja përmbysi Gjeorgjinë dhe fitoi 4-1 duke shkuar kështu në çerekfinalen e Europianit.

Të besuarit e De La Fuentes e nisën sfidën “zjarr”, duke ushtruar presionin konstant Kvara-s me shokë dhe duke iu afruar disa herë golit.

Gjithsesi, kur nuk shënon e pëson.  Ekip i Sagnol festoi në të 17-tën minutë, teksa Le Normand realizoi një autogol të pafat. Goli i barazimit mban firmën e Rodrit, në të 39-tën.

Në pjesën e dytë, Ruiz shënoi (51’), duke përmbysur shifrat, ndërsa Williams dhe Olmo thelluan shifrat. Kështu, Spanja gjen Gjermaninë në çerekfinale.

 

Si të shmangni kafshimin e gjarprit? Ja çfarë duhet të kini kujdes dhe hapat që ndiqen nëse ju pickojnë

Për disa vera është një mundësi për pushim dhe relaksim, por ka edhe nga ata që pëlqejnë t’i kalojnë pushimet në mënyrë aktive, rekreative, në natyrë, shëtitje, alpinizëm. Në këtë rast ka rreziqe, mes tyre janë gjarpërinjtë.

Si të shmangni kafshimin e gjarprit në natyrë? Ja disa këshilla nga ekspertët:

Shmangni barin e gjatë

Shumë gjarpërinj pëlqejnë të fshihen në zona me bar, ku nuk mund t’i shihni mirë. Kjo është arsyeja pse është më mirë t’i përmbaheni rrugës së rrahur, në mënyrë që të shihni qartë se ku po ecni. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që gjarpërinjtë nuk mund të gjenden jashtë zonave me bar, ndaj bëni kujdes… Kur të mbërrini në një zonë të re, pyesni për gjarpërinjtë lokalë – a ka ndonjë, si janë, sa të rrezikshëm janë, ku janë?

Shmangni vrimat

Vrimat e ndryshme janë vendet e preferuara të gjarpërinjve – domethënë një vend ku nuk dëshironi të fusni këmbët tuaja, për shembull, kur ngjiteni në shkëmbinj ose eksploroni shpella.

Gjarpërinjtë gjithashtu mund të ngjiten në pemë

Mos harroni se gjarpërinjtë nuk janë të lidhur në tokë, por gjithashtu mund të ngjiten edhe në pemë. Ata nuk janë aq të aftë sa ketrat, por janë mjaft të mirë për t’u ngjitur në një pemë apo diçka tjetër. Pra, nuk është e pamundur të gjendesh para një gjarpri ballë për ballë…

Edhe gjarpërinjtë e ngordhur pickojnë

Nëse gjeni një gjarpër të ngordhur dhe dëshironi ta merrni për ndonjë arsye, jini të kujdesshëm. Gjarpërinjtë që kanë ngordhur së fundmi kanë ende reflekse, madje mund edhe t’ju kafshojnë. Përveç kësaj, gjarpërinjtë e gjallë dinë mjaft mirë të shtiren si të ngordhur, kështu që më mirë është t’i lini vetëm.

Gjithashtu, kini kujdes se ku do të rrini për kamping

Gjarpërinjtë janë kafshë nate, prandaj kini kujdes se ku vendosni çadrën tuaj. Shmangni territoret e “gjarpërinjve”, si bari i gjatë, shkëmbinjtë, pemët apo degët e mëdha, shkruan Telegrafi.

Kur flini, mbyllni çadrën dhe vendosni këpucët tuaja brenda, mos i lini jashtë. Kur t’i ktheni ato, tundini ato për të parë nëse gjarpri u fut në to.

Vishni këpucë të forta dhe pantallona të gjata

Gjarpërinjtë mund të shpojnë materiale të holla me dhëmbët e tyre. Mos ecni zbathur ose me pantallona të shkurtra në zona të patrazuara.

Si të veproni nëse kafshoheni nga gjarpri

Nëse ju kafshon gjarpri, është e rëndësishme të qëndroni të qetë dhe të përqendruar, të mos ikni apo paniku, sepse kështu helmi do të përhapet më shpejt në trup. Nëse e kemi kuptuar se bëhet fjalë për një kafshë helmuese, personi që është kafshuar nga gjarpri duhet të dërgohet fillimisht në institucionin më të afërt shëndetësor ose të telefononi Shërbimin e Urgjencës.

Për të marrë antidotin, dora duhet të vendoset në nivelin e zemrës dhe këmba të ngrihet, gjë që mund të zvogëlojë ënjtjen. Hiqni unazat dhe orën para se gjymtyrët të fryhen.

Mbuloni vendin e kafshimit me një fashë të pastër dhe të thatë.

Në rast kafshimi, mos prisni që të shfaqen simptomat, por kërkoni menjëherë kujdes mjekësor. Mos vendosni fashë sepse pengon rrjedhjen e gjakut dhe mund të shkaktojë nekrozë. Mos e prisni plagën me thikë ose mos e prisni në asnjë mënyrë, mos u përpiqni të thithni helmin.

Banorët e Plovelçës në Fier pa ujë të pijshëm, Eriselda Çelaj: Në këto temperatura përvëluese dhjetra familje nuk furnizohen me ujë

Banorët e Povelçës në njësisë administrative Dërmënas të bashkisë Fier, vuajn mungesën e ujit të pijshëm. Ditën e sotme ata kanë zhvilluar një protestë për këtë shetësim dhe në mbështetje të tyre ishte kryetarja e degës së demokratëve euroatlantik në Fier, Eriselda Çelaj. Ajo është shprehur se në këto temperatura përvëluese dhjetra familje nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

Çelaj gjithashtu shprehet se e rëndë është situata edhe për blegtorët e këtij fshati, për shkak të mungesës së ujit në kanalet vaditëse. Sipas saj, para disa muajsh banorët denoncuan ndotjen me mbetje organike dhe kimike të kolektorit të Darzezës dhe si hakmarrje bashkia i lë pa ujë të pijshëm.

 

Postimi i plotë i Eriselda Çela:

Në pikun e vapës pa ujë!
Protestojnë banorët e Povelçës të Njësisë Administrative Dërmënas.
Të braktisur plotësisht nga qeverisja lokale e Fierit, paguajnë taksa e tarifa e nuk marrin shërbime.

Në këto temperatura përvëluese dhjetra familje nuk furnizohen me ujë të pijshëm.
E rëndë është situata edhe për blegtorët e këtij fshati, për shkak të mungesës së ujit në kanalet vaditëse, nuk kanë asnjë alternativë për të shpëtuar nga etja krerët e të imtave.

Disa muaj më parë denoncuan ndotjen me mbetje organike dhe kimike të Kolektorit të Darzezës.
Denoncuan derdhjen e mbeturinave të stallave dhe thertoreve, biznese pranë Kryetarit të Bashkisë Fier.
Për këtë u penalizuan madje duket se pushteti po hakmerret duke i lënë në pikun e vapës pa ujë.

Fokusi i Rilindjes së korruptuar është propaganda shumë ngjyrëshe, shpopullimi i vendit, zbrazja e kësaj zone, ua vështirësojnë jetesën qëllimisht, interes për ta janë “Panelet Fotovoltaik”.

U bëj thirrje, Kryetarit të Bashkisë Fier, drejtuesve të Drejtorisë Rajonale të Ujësjellësit Fier dhe Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier të reagojnë në mënyrë urgjente për të ndalur këtë maskaradë (lënia pa ujë, nevojë jetike, njëjtë si abuzimi ndodhur tek Onkologjiku).

Ne kemi qënë e do të vazhdojmë të jemi në mbrojtje të interesit të qytetarëve, zëri i tyre, ti dalim përballë çdo vendimmarrje abuzive, të gabuar e të padrejtë, ti dalim përballë të keqes që ka kapluar vendin!

Qytetarët Meritojnë më Shumë!
Fieri Meriton më Shumë!
Shqipëria Meriton më Shumë!

Si mposhtet Edi Rama?

Nga Erl Kodra

Të djathtët mund të fitojnë mbi Ramën, nëse nuk detyrohen të votojë vetëm Berishën

Dikush mund të thotë se politika nuk ka moral. Kjo mund të jetë e vërtetë, por politika pa moral është mashtrimi më i madh. Morali në politikë është faktori kyç që bën diferencën. Imagjinoni një botë të pamoralshme, pa të drejta dhe drejtësi, në thelb pa filozofinë e moralit. Do të ishte një botë e pajetueshme. Morali është ai që e ka bërë botën më të mirë, më të drejtë, më njerëzore. Nëse mungon morali, biem më poshtë se kafshët. Nuk ka asgjë më të mjerueshme se një shoqëri e pamoralshme.

Po çfarë është morali në politikë? A është morali përcaktues për fatin e një vendi dhe të ardhmen e tij? Ndonjëherë po.

Dhe ky është rasti ku morali do të bëjë diferencën dhe do të jetë përcaktues për të ardhmen e vendit tonë.

Përcaktimi i Sali Berishës si person non-grata nga Departamenti i Shtetit ishte lakmuesi që përcaktoi moralin e Partisë Demokratike. Me atë vendim, Shtetet e Bashkuara donin t’i jepnin një shans vendit të shkëputej nga tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm, duke ndarë luftën për pushtet të disa individëve nga lufta për qeverisje të mirë.

Si në çdo pjesë të shoqërisë, edhe mbështetësit e një partie kanë interesat e tyre të ndërthurura në segmente më të vogla, që shpesh dominojnë mbi interesat e përgjithshme jo vetëm të partisë, por edhe të shoqërisë. Në vitin 2021, një ish-lider si Sali Berisha, duke ndjekur interesa thellësisht personale për të përdorur Partinë Demokratike si mburojë politike, filloi mobilizimin e njerëzve që kishte mbi 30 vjet që i njihte. Ai po lëvizte në një mjedis që e njihte mirë, me të njëjtët njerëz që kishte ndarë pushtet dhe opozitë, madje në të njëjtin mjedis ku lëvizte edhe pushteti. Gazetarë, opinionistë, biznesmenë dhe politikanë nga e gjithë Shqipëria u vunë në dispozicion të një njeriu, në mbrojtje të tij, pavarësisht se të gjithë e dinin se me këtë veprim po shkatërronin Partinë Demokratike, dhe se shanset e Sali Berishës për t’u rizgjedhur si kryeministër ishin dhe janë ZERO. Për ta, morali ishte t’i shërbenin një njeriu me të cilin kishin bërë biznes. Thellë-thellë, ata ishin të bindur se duke mbrojtur Sali Berishën, në fakt, po mbronin mënyrën dhe stilin e tyre të jetesës. Një shoqëri e ndërtuar mbi korrupsion dhe kthim nderesh nuk mund të funksionojë ndryshe, veçse përmes të njëjtave forma. Kur mund të prekej Sali Berisha, si mund të mos prekeshin edhe ata? Ndaj, mbrojtja dhe mbështetja e Sali Berishës u kthye në një mision.

Si asnjëherë më parë, gënjeshtrat publike rridhnin lirshëm majtas dhe djathtas nëpër ekrane, duke portretizuar një Sali Berishë luftëtar, që lufton për dinjitet dhe parime, që do të mundë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se rikthimi i tij po ndodh për shkak se Edi Rama bashkë me George Soros, Antony Blinken dhe Yuri Kim duan t’ia bëjnë gropën. Por ndërkohë, ishte pikërisht Edi Rama ai që i vuri Sali Berishës në dispozicion krejt infrastrukturën e bashkive socialiste, të gjitha mediat dhe të gjithë analistët, përfshirë edhe gjykatat. Vazhdimi dhe fundi i filmit dihet se cili do të jetë.

Kur fola për moralin në politikë, kisha parasysh tharmin e moralit që për fat të mirë, shpesh bën diferencën. Asnjë shoqëri nuk ka moral të kulluar, për më tepër kjo e jona, por morali është lakmuesi që provokon dhe nxjerr në dukje të vërtetat që shumëkush nuk dëshiron që ato të dalin në sipërfaqe. Rezistenca ndaj Sali Berishës filloi rreth 30 vite më parë, dhe që atëherë, shumë njerëz nuk e votojnë më Partinë Demokratike vetëm për shkak të tij. Është e pamundur të thuhet një numër i saktë se sa janë ata që nuk votojnë më Sali Berishën, por me siguri që numri i tyre është më i madh se i atyre që e votojnë. Përcaktimi nga SHBA dhe më vonë nga Britania e Madhe si person non-grata ishte përcaktues për zhvillimet brenda Partisë Demokratike, që thelloi më tej ndarjen e mbështetësve të saj. Vetëm për shkak të këtij vendimi që vjen nga dy aleatët strategjikë të Shqipërisë, Partia Demokratike ka humbur mbi 250,000 mbështetës. Dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Lulzim Bashën që e pezulloi Berishën në shtator të vitit 2021. Këta njerëz kurrë nuk do të votojnë Sali Berishën, edhe sikur Lulzim Basha t’i bashkohej përsëri atij.

Kjo është ajo pjesa e elektoratit që bën diferencën përmes bindjeve të brendshme, ose përmes moralit. Këta njerëz mendojnë dhe shohin përtej interesave personale, ata janë më të pavarur dhe të lirë nga nderet dhe qokat e dikurshme. Askush nuk ka fuqinë t’i bindë ata që të kthehen të penduar te babai, sepse nuk kanë lënë asgjë peng. Këta janë njerëz të lirë dhe realistë. Në fakt, këta janë ndërgjegjja më e mirë e shoqërisë, ndryshe tharmi i moralit.

Këta njerëz – të djathtë në bindje, ish-pronarë, të përndjekur dhe profesionistë të lirë; të gjithë shtresë e mesme e shoqërisë – nuk do të votonin Partinë Demokratike të Sali Berishës. Por kjo pjesë e rëndësishme dhe më e pavarura e shoqërisë kërkon përfaqësim politik, sepse bindjet e tyre vlejnë edhe më shumë se sa vota. Asnjë vlerë në votë nuk do t’i shtonin Partisë Demokratike, edhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, domethënë as shpallja non-grata dhe as zhvillimet e mëvonshme. Prova është në zgjedhjet e vitit 2021, ku Partia Demokratike e bashkuar nuk e mundi Kryeministrin Edi Rama.

Shqipëria nuk e ka luksin të shpërdorojë bindjet e pjesës më të vyer të shoqërisë, as t’i zhgënjejë ata. Mirë apo keq, ky është fakti. Partia Demokratike e Sali Berishës nuk mund të rritet më tej, ndërsa 250,000 njerëz që nuk e votojnë më Sali Berishën mund të rriten më shumë se dyfishi. Potencialisht ata mund të mbledhin të gjitha votat e të djathtëve shqiptarë që për një arsye ose një tjetër u larguan nga PD-ja e Sali Berishës. Dhe padyshim që kjo është një fashë e jashtëzakonshme votuesish, që me siguri do të bëjë diferencën.

Në një kontekst politik ku Sali Berisha dhe Edi Rama përfaqësojnë dy personazhe të vjetruara dhe të polarizuara të skenës politike shqiptare, është e qartë se Partia Demokratike me Berishën në krye nuk do të mundet kurrë të sfidojë me sukses dominimin e Ramës. Kjo, sepse një pjesë e madhe e elektoratit të djathtë është lodhur nga cikli i njëjtë i korrupsionit dhe politikave të vjetra që përfaqësojnë eksponentët e saj që nga viti 1991. Imagjinoni pak; Partia Demokratike e Sali Berishës me të njëjtat oferta politike si Tritan Shehu me shokë – për çfarë do ta votonin shqiptarët një parti të tillë, të mbytur dhe të plakur nga e kaluara e saj 33 vjeçare?

Ndërkohë, nëse spektri i djathtë do të kuptonte fuqinë e votuesve të zhgënjyer dhe të lodhur nga status quo-ja, dhe do të përqendrohej në krijimin e një spektri divers politik që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë, atëherë Edi Rama mund të dërgohej në opozitë. Këta votues që refuzojnë të zgjedhin midis Berishës dhe Ramës përfaqësojnë një shpresë të re për ndryshim dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Edi Rama, i cili është kryeministri më i korruptuar në 33 vitet e tranzicionit shqiptar, nuk është i denjë për të udhëhequr një vend që meriton drejtësi dhe integritet. Shqiptarët nuk e meritojnë një hajdut në krye të qeverisë. Duke bashkuar këta votues të rinj, të pavarur dhe të zhgënjyer në një front të përbashkët politik, spektri i djathtë mund të ndërtojë një alternativë të fortë dhe të besueshme që mund të sfidojë seriozisht pushtetin e Ramës dhe ta dërgojë atë në opozitë, duke sjellë kështu një erë të re ndryshimi në politikën shqiptare.

“O zagar i ndyrë, do të bëjmë zgjyrë! Pusho, se…”- Dëshmitë e rrallë të ish-të burgosurit politik: Ore shokë, Avzia Nela nuk është burrë i keq

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

            Autori

     SHKËLQIM ABAZI

                                                        Vijon nga numri kaluar

   R E P S I  

                                                     (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Gjashtëqindëgramshit

                                      (Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)

Pas pak u rikthye; tashmë shoqërohej nga dy të tjerë, njëri prej tyre, bashkëfshatar i imi.

“Po si je, bre Avzi Nela! – më zgjati dorën bash-fshatari, mandej iu kthye të pranishmëve. – Ore shokë, Avzia s’asht burr i keq, po në anët tona, na jena të lidhun me fjalën, kush e qet, quhet besë-premë. E pra, kjo asht arsye që Avzia hesht! Apo jo Avzi”? -m’u drejtua mua.

Pa më lenë kohë t’i përgjigjesha, vazhdoi:

“Po, këtu jena para Partisë, kanë ndryshue kohët, ta marrsha, tash s’ka rezerva për atë…”!

“Dëgjo, or zotni, ti si tan fshati, e dini boll mirë, ç’kam ba dhe si kan rrjedh ujërat”! – s’e lashë të vazhdonte më tej predikimin marksist, sepse ne vrullin që kish marrë, s’i dihej ku do përfundonte. – Unë i kam than, ç’i’duhej me thanë, tash s’kam ç’shtoj ma tepri. Ç’kam dasht me ba, e bana ashiqare; tash bani ju, ç’ka keni ndër mënd m’e ba”!

“Mos, Avzi! – ai bëri një përkulje, me duart bashkuar, sikur lutej. – Më qafë paç veten, or burr”! – dhe doli pa përshëndetur.

Më pas, kur i jam rikthyer me kujtesë këtij takimi, s’kam mundur të konkludoj, në ishte i stisur apo i sinqertë, sepse në fshat atë e mbanin për burr të mirë. Po sa ma shumë gjykoj, aq ma tepër bindem, se edhe ai ishte pjesë e lojës, qoftë edhe pa e ditur.

Ky qe takimi i fundit paqësor në atë mjedis, mesa mund të quhet e tillë! Përballja mes xhelatit dhe viktimës, edhe kur xhelati të vret me pambuk. Pas kësaj më ndërruan birucë. Më futën në një kthinë të ngushtë e të gjatë, në fund të korridorit. Ishte një tip grazhdi, më i ulët nga lartësia e shtatit, me ca hallka në mur, për me lidh kuajt. Dukej, dikur do kish qenë haur.

Më vunë në brez një rrip elektricistësh, me ndënshalëse, nga ato qe përdorin për t’u lidhur pas shtyllave, kur punojnë në lartësi. Ma kaluan vidën nën kofshë në të dyja anët dhe e shtanguan pas kurrizit, ku kllaposën në hallkë një zinxhir të trashë, aq të trashë, sa me të mund të tërhiqej një tank. I kyçën me dry, ndërsa hallkën e fundit, ku varej një vjegëz, e fiksuan në mur mbi grazhd.

Më shndërruan në një farë parashutisti apo, në një kalë karroce, porse në vend të parashutës, kisha kubenë e grazhdit, ndërsa ne vend të peshave zvarritëse, muret e godinës me gjithë themele dhe disa kate mbi të. Natyrisht kjo ish pjellë fantazie, krejtësisht e papërputhshme me gjendjen ku ndodhesha, sepse në fakt, ashtu si më kishin katandisur, skelet kockë e lëkurë, s’isha i aftë për asgjë. Zaten asnjëherë s’kam qenë i shëndetshëm, por në qeli, u shkreva për ibret.

Dy ditët e para, derën e qelisë e hapnin nga dy herë për nevojat personale, në mëngjes dhe në mbrëmje. Më zgjidhnin duart dhe rripin, mandej dy police, më shtynin nga pas, gjer te dera e banjës, ngjitur me qelinë. Sapo mbaroja nevojat, më rikthenin në qeli, më kllaposnin sërish rripin dhe prangat e, riniste rituali i përditshëm, domethënë: rrotullime në lëmin tim, fund e majë kthinës, me sa lejonte gjatësia e zinxhirit.

Shpejt, pesha e zinxhirit më lodhte, ulesha si të më zinte, herë në krah dhe herë barkas. Aroma e urinës së vjetër të kafshës, që kish qenë zot i këtij hauri, përzihej më duhmën e banjos ngjitur, kështu sa prekja çimenton, më shponte hundët dhe më shkaktonte të përziera e të vjella. Nxirrja ca gromësima të athëta, por stomaku bosh, nga të pangrënët, shtërzonte, tkurrej po s’kishte ç’nxirrte jashtë.

Mëngjesin e ditës tretë, më zgjidhën si zakonisht. Mbasi bëra adetin deri në banjo, pavarësisht se s’ndjejta për nevojën e jashtëqitjes biologjike, ngaqë s’kisha ç’të nxirrja, i shfrytëzova ato pak minuta liri, për të shpirë gjymtyrët. Kur më rikthyen në qeli dhe më lidhën, derën e birucës, e lanë zgripët.

“Kanë harruar ta kyçin”, mendova atë çast, por si kaloj ndonjë orë dhe s’po kujtohej kush t’a mbyllte, u ngrita të hidhja një sy në korridor. Kurioz të shihja ç’ndodhte jashtë atij ahuri të ndyrë, harrova se isha nën zinxhirë, pa mbërritur te dera, u gjenda i kuluvarur. Vrullin ma preu rripi i mesit, që më tendosi pas, dhe njëkohësisht, më shkaktoi një prerje therëse në pjesën e nën-barkut e, të legenit.

U ri ngrita i dëshpëruar, e kuptova lojën; zinxhirin ma kishin shkurtuar edhe disa vjegëza. Kuisjet vajtimtare të hallkave, tërhoqën vëmendjen e rojës, ai u afruar qesëndima:

“Na, balo, na! – dëgjova të më shfrente pas derës. – Leh, or leh, po dhëmbë s’ke! O zagar i ndyrë, do të bëjmë zgjyrë! Pusho, se na prishe lehanë, o të ngrënça hallvanë”! – një këlbazë fluturoi drejt meje e, më ra mbi fytyrë.

Heshta…! S’doja t’i kthehesha atij rrogëtari mjeran. Kaluan ca orë. Para derës se nga mbiu një tavolinë e pistë, mbushur nSaz me bukë e me ca tasa alumini të zbuluar, që avullonin. Kapa mesazhin, synonin të më nxisnin lakminë. Kisha tri ditë pa futur gjë në gojë, zorrët më kërcisnin, goja më qe tharë dhe s’prodhonte më as sekrecione. Ndjenja e urisë, qe kthyer dominuese. “Edhe sa mund të rezistoja”?! S’e dija!

Ndihesha i pafuqishëm. Një debulesë e panjohur, po më kaplonte çdo organ jetësor. Në atë gjendje të rënduar psikike, u rreka të provoja aftësinë e memories, kujtoja vargjet e mësuara kaheri, i recitoja përmendësh. Mundohesha të thurja edhe vet ndonjë që t’iu përshtatej rrethanave. Herë ja arrija, herë jo. Gjithsesi truri, aktivizohej normalisht. Por, sapo shikimi prekte tavolinën me ushqime, gjithë vëmendja shpërqendrohej, niste demonstrata e zorrëve.

Stërmundohesha t’i shkëputesha atij realiteti e ta hidhja mendjen gjetiu, po sytë s’më bindeshin, s’isha i aftë të mposhtja instinktet shtazore,. reflekset e kondicionuara po e mposhtnin logjikën. Vetëm atëherë e kuptova metodën mizore që përdorin gabelët, për t’i detyruar arinjtë të hidhnin valle.

Kaluan dhe ca ditë. Po sa? Një Zot e di! E kisha humbur kaherë nocionin kohë, isha çorientuar totalisht. Ditë-netët e mia s’dallonin nga njëra tjetra. Herë-herë ngrihesha, i sulesha derës, si ato bishat e qorrollepsura por asnjëherë s’e mbërrita tavolinën. Pjatat sikur fluturonin në invers, drejt një horizonti, të pakapshëm nga syri njerëzor.

Gjithsesi, një dorë e padukshme i zëvendësonte gjellët me aromë pikante përditë. Erëzat që çlironin ato më gërricnin flegrat e hundës atë çast, truri zbriste në bark dhe uria shndërrohej në makth të pa suportueshëm. Përpiqesha të arsyetoja, por arsyeja ish errësuar; mbase materia gri ish përskuqur. Instinktet e mposhtën logjikën, isha gati të bëja gjithçka, vetëm të arrija të haja. Atëbotë kafsha komandonte njeriun. Bash atë çast e kuptova, ç’e shtyn shtazën të shqyej këlyshët e vet!

Urija, urija, urija…! Për ta thyer atë edhe robi u bëka njashtu! Mbërriti dita kur në banjo më shoqëruan, pa m’a shkyçur zinxhirin, por vetëm sa e hiqnin nga vjegëza mbi grrazhd dhe tamam si një shtazë të tërbuar, më tërhiqnin drejt nevojtores.

Mbase druheshin mos i shqyeja, sepse e ndjeja, isha shndërruar në bishë. Ditën kur në banjo m’u shfaq papritmas një turi i shëmtuar, me qimet kreshpëruar, me dy sy kristalor të përshkuar tej e tej, nga damarë të përskuqur, përnjëmend sy egërsire, shtanga:

“Ç’të dojë kjo bishë këtu? Pse më sheh me kaq urrejtje”? u tërhoqa mbrapsht. Instinktivisht ngrita duart të mbrohesha por edhe kafsha përkarshi, shkëmbeu po atë gjest. “Të ish trembur vallë?” Frika që shfaqi bisha, më trimëroi. Iu hakërreva, po edhe shëmbëlltyra përballë, m’u skërmit, por u mjaftua me kaq. Në çast reflektova. Gjendesha para një pasqyre. Një nënqeshje më shpëtoi padashur, që edhe shëmbëlltyra përkarshi e shkërbeu.”Si? Unë vetë paskësha qenë kafsha?! O Zot, ç’ndryshim thelbësor”!

Me përpjekje mbi-natyrale, u përqendrova mbi pasqyrë, s’po i njihja tiparet e mia. Shihja një surrat të shformuar, ca kokalla të dala, ca eshtra të konturuara dukshëm, të mveshura me një lëkurë ngjyrë dheu. Qimet e mjekrës si krifë kafshe e egërsuar, më tmerruan; sytë e ethshëm si xhama të marrë, me ca rremba ngjyrë purpuri, zhytur thellë ca zgavrave të mavijosura, më ngjethën mishtë. Përballë, rrinte në këmbë një skelet i frikshëm, një figurë groteske me mollëza e nofulla të kërcyera, me qime të përhimëta, të rëngjethura si gjemba iriqi.

“Unë të jem, vallë?! Mbase! Sidoqoftë, nëse kjo karikaturë jam vërtet Urnë, qenkam thinjur! Paskam mbaruar! O Zot i Madh, mbamë mendjen”! U luta. Ndërsa këqyrja shëmbëlltyrën në pasqyrë, u kthjellova, për gjenden pa shpresë. M’u ndërmend pse më mbanin të lidhur. Pasqyra që ndonëse e kishin vënë ball meje, për tjetër qëllim, më riktheu në botën reale. Në fakt, ky realitet i frikshëm, bëri të kundërtën e fatit që kishin parashikuar arkitektët e kësaj sajese. Zbutësit s’e kishin menduar, se mund t’a kapërceja këtë moment.

Reflektova në pak sekonda, gjendja në të cilën isha katandisur s’mund e durohej pafundësisht. Padyshim, dikur rezistenca do dobësohej dhe truri do humbte funksionin e vet logjik. Më priste një fund i tmerrshëm. M’u desh të shpikja diçka, për t’i shpëtuar këtij kurthi. Fundja, i humbur se i humbur. Atë çast vura në lojë jetën time. Dhe unë e doja jetën, me shpirt!

Mora vrull, iu vërtita me kokë syprinës së pasqyrës. Xhami krisi me rropamë, copëzat u plasën mbi çimento dhe në sqollin e banjës. Dikush u kujtua të më tërhiqte nga skaji i zinxhirit, por ish vonë; pasqyra qe thyer. Më rikthyen në qeli, ku më lidhën sërish te hallka në mur.

Ndjeva që më kullonte mbi qafë, një lëng i ngrohtë. Duket, copëzat e xhamit, më kishin shkaktuar të çara mbi lëkurë. Nisa të bërtas me sa të mundja. I përmblodha ato pak forca që më kishin mbetur dhe ulërimat dolën edhe më të thekshme. Rojet u mblodhën shpejt para derës sime. E dija, ata s’kishin kurrgjë në dorë, përveçse t’iu përçonin drejtuesve ndodhinë. Ndaj e injorova prezencën e tyre, i shtova ulërimat.

Në mëndje sajova një plan timin, që mendova ta çoja në fund.

“Hajd, po rrezikoj, s’kam ç’humb më tepër! Po qese kjo gjendje do vazhdoj gjatë, mund të përfundoj i çmendur vërtetë! Jeta është dhuratë që më ka falur i Madhi Zot! Ta provojmë!” – i dhashë kurajë vetes.

S’ua vura më veshin rojeve, po vazhdova në timen; me ulërima dhe ulërima.

Mbase të mësuar me simptomat e kësaj torture, hetuesit prisnin reagim tjetër. Mbase, s’e kishin paramenduar këtë fund.

Siç do më tregonin më pas të dënuarit që i kishin vënë në provën e zbutjes: mbas ditëve të para, uria bëhej zotëruese e ndjenjave, njeriu humbte logjikën dhe dorëzohej i shteruar, pranonte të firmoste, pa e pare ç’shkruhej mbi letër, çfarëdo dokumenti që i vinin para, sepse edhe sytë dilnin jashtë funksionit. Këto formalitete të kota, edhe pse, pa pikë vlere juridike sepse merreshin nën dhunë e presion, hetuesit i përdornin si prova autentike.

Porse ndodhte që nënshkruesi të ndërgjegjësohej për veprimin që kish bërë dhe t’i mohonte ato që kishte pranuar. Porse tashmë ishte vonë, hetuesit e kishin marrë atë që donin dhe për vazhdimësinë e mëpasshme të procesit, mohimi s’merrej parasysh. Madje, s’ish aspak e domosdoshme që deponimet të ishin patjetër të vërteta apo nëse ishin marrë jashtë vullnetit të lirë apo të dhunuar. Për ata mjaftonte vetëm fakti; të pranohej faji, pa për pasojat s’mendonte më kush.

Kish ndodhur qe këta deponues mjeranë, kur e kuptonin qorrsokakun ku ishin futur, i binin murit me kokë, hidheshin nga lartësitë në momentin që iu paraqitej rasti, pra tentonin çdo formë vetasgjësimi. Por nga ana tjetër, specialistët kriminalistë, që kishin eksperiencë të gjatë në hetuesitë intensive, për të parandaluar vet-vrasjet, rrisnin shkallën e sigurisë. Ndërmerrnin masa speciale, me mjete speciale; pra, iu vinin kaska në kokë. Me kaska të tilla, pajisnin të dënuarit me vdekje, por edhe të çmendurit.

Një të tillë, më vunë edhe mua. Pra, meqë isha ende i ndërgjegjshëm, do luaja të çmendurin. Kjo ide më lindi në çastin kur i kaskuar, s’i lija gjë mangët të marrit. Për këtë, më shërbeu përvoja. Kujtova gjestet e një të marri që e kisha njohur, në fshatin ku kisha dhënë mësim. Atë e quanin Mevlut, po shkurt e thirrnin Luti.

Ish një i marrë i pa dëmshëm, por kur të rinjtë e ngacmonin, me shprehjen: “Luti, Luti, kush ta futi”?! atëherë ai tjetërsohej krejtësisht; i çakë-rriteshin sytë, qimet i kreshpëroheshin, merrte tiparet e një bishe të tërbuar. Pastaj niste e qëllonte me çdo mjet që i zinin duart, mbi gjithçka e mbi këdo që i delte para, ato çaste ishte i papërmbajtshëm. I vetmi që mund t’a bënte zap, ishte infermieri i fshatit.

Disa herë e kisha parë Lutin në gjendje të eksituar dhe infermierin që i ndiqte me shiringë në dorë. Luti sapo shihte atë, hidhte përdhë sendin që kish kapur dhe si një qengj manar, i afrohej e priste t’i bënte injeksionin. Për këtë në fshat thoshin: “Vajti sqapi te kasapi”.

Sot, s’jam gjendje të them tamam sa vazhduan ulërimat e mia, sepse u trullosa. Rojet, duket e hëngrën rrengun tim, sepse i pashë të largoheshin nga dera dhe diçka çuçuritën në telefon. Unë edhe pse s’pushoja së thirruri, në fragmente sekonde, përgjoja ata kur flisnin.

Si shtera së bërtituri, u shtriva mbi çimento sa gjatë gjerë, me sy ngulur në boshllëk, mbi tavanin e qelisë. Rojet m’u afruan, po tashmë s’ishin vetëm, me ta erdhën edhe dy të një civil dhe tjetri ushtarak. Ushtaraku hyri drejt e në qeli dhe u përkul mbi mua, më kqyri me vëmendje, pastaj doli jashtë. Unë ende rrija në pozicionin e parë, pa lëvizur, madje edhe qerpikët s’i mbylla.

Me sforco të jashtëzakonshme, më duhej ta çoja lojën deri në fund. Po këtë herë, si rrallëherë në jetën time, fati qe në krahun tim. Civili që bisedoi me ushtarakun, u fut në birucë. Edhe ai u përkul mbi mua, po në ndryshim nga ushtaraku, më preku faqet e parruara, pastaj u kërkoi rojeve të më nxirrnin në dritë.

Më zbërthyen kollanin e mesit dhe zinxhirin, më vunë hekurat në duar, veçse jo prapa. Më plasën mbi një batanije të qelbur, më mblodhën kutullaç në formë bohçeje dhe aty ku lidhën cepat e batanijes, futën një hu në mes, më ngritën havadan dhe më transportuan diku. Po se ku? S’isha në gjendje ta përcaktoja, sepse shikimin e kisha të bllokuar.

Kur zgjidhën bohçen, e pashë veten në një dhomë të ndriçuar, mbi një tavolinë apo shtrat, s’e shquava dot. Drita e fortë mbi sy, dha efektin e projektorit natën mbi fluturat, i tërheq, po i djeg. Kështu u ndjeva edhe unë, fillimisht i hapa, po në fragment sekonde, i mbylla por edhe ashtu të mbyllur, drita depërtonte. Duket, dobësia i kish holluar qepallat si cipë qepe dhe i kishte shndërruar ato në lente transparente.

S’isha në gjendje të dalloja ç’ndodhte përreth, po ndjeja qartë njerëzit që lëvrinin e bisedonin zë ulët. Mbi kokë më qëndroi dikush, më shumë e dëgjova se e pashë, ngaqë një hije zbehu dritën e fuqishme që përshkonte qepallat e holla.

U përpoqa të hapja sytë por qe e kotë. S’di në arrita t’i hap, po një gjë them me siguri, qysh nga ajo ditë para syve më ndehet një perde që herë-herë, më verbon. Personi që rrinte mbi krye, më shkundi supin:

“Si quhesh”? M’u duk zë që diku e kisha dëgjuar. Po ku? S’po më kujtohej. Po s’gaboja, ky ish zëri i një personi që pa dyshim isha këmbyer di kund në jetë!

– Si të quajnë? – përsëdyti zëri i njohur dhe një dorë më tundi supin. – Fol, bre! – toni tashmë, u bë urdhërues. U përpoqa të mblidhja kujtimet, të sillja ndër mend persona të  ndryshëm që isha këmbyer udhëve të jetës, të bashkoja fragmentet e viteve të shkuar. Kujtesa s’po funksiononte. Bëra edhe një përpjekje finale, por prapë e kotë. Isha i dërrmuar, truri kish pësuar shizmë, s’po mundja të sistemoja pelikulat e vjetra.

Ndjeva një si pickim në parakrah. Menjëherë mbas këtij pickimi, një valë afshi më zaptoi gjoksin, fillimisht në anën e zemrës, pastaj mushkëritë’ dhe valë-valë avulli më shpërtheu nga goja. Kalova në delir, m’u bë se po fluturoja mbi re. Isha zhytur në botën iluzive. Humba në hiç.

“Ore, po ky, ç’pati”?! Dëgjoja zërin e mbytur të dikujt që vinte shumë i dobët, si të dilte nga thellësia e një pusi pafund. Më freskuan fytyrën me diçka, mandej ca shuplaka m’u plasën mbi faqe. Dikush duhej të më kish hedhur ujë dhe më godiste me shpulla. E mblodha veten, po ende s’arrija të perceptoja ku ndodhesha dhe cilët kisha pranë. Për ca çaste mbretëroi heshtja, pastaj sërish lëvizje dhe zëri i njohur që bëzani:

“Hapi sytë, hej burr! Fol, si quhesh”?

“A-av-zi… Ne-la”! – shqiptova me rrokje, me gjuhën e trashur që më digjte sikur ta kisha gojën plotë, me thërrmijëza xhami.

“Si?! Si, the? Pa përsërite dhe njëherë! – ngulmoi zëri dhe ca gishta më ngritën qerpikët e rëndë plumb. – Fol bre! – urdhëroi, me ton më të lartë”.

“Avzi Nela”! – përsërita, me stërmundim të shumëfishtë.

“Ej, piciruk, hapi sytë”!

Si një goditje rrufeje, mendimi u spostua shumë vite prapa. Vetëm njëri më kish pagëzuar me këtë epitet, miku im i viteve të largëta të shkollës së mesme, Arusha e maleve. Menjëherë m’u fanitën ditët e lumtura të rinisë dhe shoku im i dhomës, tropojani kaba. Përmblodha forcat, më sforcim të jashtëzakonshëm shqita qepallat, ngula shikimin mbi atë fytyrë të gjerë. Po. U davarit dyshimi, ishte ai, Arusha e maleve! Memorie.alNga Shkëlqim Abazi

Të dhënat/ Ja renditja e sipërmarrëseve më të mëdha femra në Shqipëri

Ato janë të heshtura, shpesh kënaqen dhe me fitime të ulëta, por ia kanë dalë të triumfojnë në një mjedis, që dominohet nga sipërmarrjet që zotërohen nga burrat. Por, sërish mbeten në minorancë. Nga 500 sipërmarrjet me kapital privat vendas ose të përbashkët (përjashtuar bizneset me kapital shtetëror dhe ato me pronësi të huaj), me xhiron më të lartë në vend, vetëm 68 prej tyre, ose rreth 14% kanë të paktën një femër aksionere, me pjesëmarrjen më të lartë sesa 5%.

Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në listën e 500 kompanive më të mëdha në vend, të renditura sipas të ardhurave, pas një përzgjedhjeje sipas gjinisë së aksionerëve. Vetëm 19 sipërmarrje në listën e 500 më të mëdhave, ose 4%, zotërohen 100% nga femra. 39 sipërmarrje, ose 8% e totalit janë në pronësi 50% nga femra.

“Monitor” publikon për herë të parë renditjen e 68 bizneseve më të mëdha në vend, që kanë të paktën një  femër, që zotëron më shumë se 5% të aksioneve (shiko tabelën). Modestia e tyre ishte e dukshme. Disa nuk pranuan të flisnin për sfidat e sipërmarrjes në vend, ndërsa të tjera pranuan vetëm pas këmbënguljes së “Monitor”. Shumë nuk e ndiejnë veten që janë faktor në biznes, apo model frymëzimi.

“Sfidat e grave janë thuajse të njëjta kudo, por jo rrethanat dhe mundësitë. Në rajon, gratë kanë ende nevojë për akses te prona, te të ardhurat, biznesi, vendimmarrja – asete të cilat në shoqëritë tona, në mënyrë dominuese, zotërohen nga burrat”, thotë znj. Majlinda Bregu, e cila sot drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, me seli në Sarajevë.

Ajo shton se për gratë është më e vështirë të nisin rrugën e sipërmarrjes, për shkak të stereotipave gjinorë, duke krijuar kështu një “Gender Gap” në sektorin e biznesit.

“Dhe këto nuk janë opinione personale, por të mbështetura nga statistikat: Gratë vazhdojnë të përballen me disavantazh dhe diskriminim në të gjitha fushat e jetës ekonomike. Ballkani Perëndimor humbet 5% të PBB-së së tij çdo vit, për shkak të hendekut të pjesëmarrjes së grave si sipërmarrëse, ndërkohë që PBB-ja jonë mund të jetë 20% më e lartë nëse gratë do të merrnin pjesë në tregun e punës, në të njëjtin nivel me burrat”.

Etleva Laro është një nga hyrjet më të fundit në listën e sipërmarrëseve më të mëdha sipas xhiros. Prej vitit 2015 ajo hapi e vetme një fabrikë prodhimi këpucës, “Pro Dyn”, që sot është më e madhja në vend dhe ka rreth 700 të punësuar, me plan për të arritur nivelin e para pandemisë me rreth 100%. Ajo thotë se numri i ulët i aksionereve ka të bëjë edhe me të qenit femër.

“Ne si natyra jemi pak më të matura kur vjen puna për analizën e rreziqeve. Mendoj se jemi më të përmbajtura kur ndërmarrim vendime dhe mundohemi të eliminojmë rrezikun në mënyrë që të reduktojmë vendimmarrjen e lidhur me rreziqet më të larta. Unë personalisht nuk jam e tillë, dhe mendoj se kjo ka qenë një përparësi e madhe për mua. Rrezikoj më shumë, veçanërisht në botën e biznesit. Por mendoj që kjo është në përgjithësi ajo që bën femrat më pak të guximshme.

Në anën tjetër, mungesa e aksesit të kapitalit nuk vlen vetëm për femrat, por sidomos për të gjithë sipërmarrësit e rinj. Për bizneset, kjo mungesë e aksesit në kapital shumë shpesh i pengon ata që duan të rriten. Megjithatë, unë nuk e shoh si të pamundur, edhe në këtë realitet. Ka nevojë për një vizion të qartë pa bërë kompromise me cilësinë e asaj që do të bësh”.

Vilma Nushi mbetet sipërmarrësja më e madhe femër në vend, sipas të ardhurave. Ajo është aksionere 100% e “Marketing & Distribution”, një nga sipërmarrjet kryesore të distribucionit në vend, e krijuar në vitin 1997.

Znj. Nushi ka mbajtur gjithnjë një profil të ulët në publik. Në 2022, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 8.5 miliardë lekë, me rritje prej 6% me bazë vjetore. Sipas të dhënave zyrtare, për rreth 3 dekada, “M&D” është një nga kompanitë më të mëdha të logjistikës dhe distribucionit në Shqipëri.

Kompania plotëson kërkesat e çdo kategorie klienti si Retail, HORECA, ElektroServis, Farmaceutikë, Telekomunikacion, etj. Përmes “Marketing & Distribution”, znj. Nushi ka 80% të aksioneve dhe në “3P Life Logistic”, kompanisë që po zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç.

Hava Ismaili zotëron 30% të aksioneve të “Agro Blend Group”. Kompania është krijuar që në vitin 1995 nga Fiqiri Ismaili, ndërsa zonja Ismaili është shtuar fillimisht si aksionere në vitin 2001, pasi “Agro Blend” përthithi “Blend sh.p.k”. Aktualisht znj. Ismaili zotëron 30% të kuotave të “Agro Blend”, duke qenë njëkohësisht dhe një nga administratoret e kompanisë.

Shoqëria është më e madhja në vend për import-eksport, tregti me shumicë dhe përdorim të plehrave kimike, pesticideve. Në 2022, qarkullimi vjetor ishte 8.2 miliardë lekë, me rritje 34% me bazë vjetore. Sipas të dhënave zyrtare, kompania e nisi biznesin në tregtinë e pesticideve dhe plehrave të kërkuara nga fermerët në rajonin e afërt, duke u zgjeruar më pas në të gjithë vendin.

Donike Gega është aksionere 100% në “Gega Center GKG”, një nga sipërmarrjet më të mëdha në vend të tregtimit me pakicë të karburanteve. Kompania është krijuar në vitin 2005, por znj. Gega është bërë aksionere në vitin 2012. Të ardhurat e shoqërisë në vitin 2022 ishin 7.7 miliardë lekë, me rritje 29.5% me bazë vjetore. Sipas të dhënave zyrtare, “Gega Oil Group Sh.a.” dhe “Gega Center GKG Sh.p.k.” shitës me pakicë, kanë mbi 87 pika karburanti në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 2022, kompania tregtoi 338 mijë tonë naftë 10 ppm dhe benzinë 95+ Oktan.

Melika Leka zotëron 33% të aksioneve të grupit më të madh të industrisë përpunuese në vend, EHW. Znj. Leka u bë aksionere në vitin 2016, pas kalimit të aksioneve nga bashkëshorti i saj, që ishte një nga themeluesit e EHW-së, që në vitin 1992, së bashku me një partner italian (ky i fundit u largua nga shoqëria në 2005-n).

Kompania EHW operon në sektorin e përpunimit të mishit dhe prodhimeve të sallameve e proshutave. EHW kishte në vitin 2022 një qarkullim vjetor  prej 7.5 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 31%. Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama”.

Merita Sheqi është një nga pionieret e industrisë së farmaceutikës. Në vitin 1999 themeloi së bashku me bashkëshortin shoqërinë e distribucionit të produkteve farmaceutike “Rejsi Farma”, me 50% të kuotave secili.

Ndër vite, kompania është rritur, nuk i ka lënë asgjë rastësisë, teksa ka ruajtur standardet në një treg me konkurrencë të fortë dhe është sot më e madhja në segmentin ku ajo vepron.

“Rejsi Farma” kishte të ardhura prej 4.6 miliardë lekësh në vitin 2022, me zgjerim prej 11.7%.

Yllkë Likometa zotëron dy shoqëri në listën e më të mëdhave, që kanë aksionere femra. Znj. Likometa është aksionere me 67% në “R.B.H. BELINË”, me aktivitet në hidrokarbure dhe prodhimin e bitumit. Kompania e nisi aktivitetin në 2012, ndërsa znj. Likometa është shtuar si ortake në 2016, në një biznes familjar. “R.B.H. BELINË” realizoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh në 2022, me një zgjerim vjetor prej rreth 5%.

Ajo është 100% aksionere dhe në “IZVOR 99” nga viti 2021. “IZVOR 99”, e krijuar që në 1999, kishte të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh në 2022, me rritje 35%. Lori dhe Sara Hoxha zotërojnë përmes kompanisë “Loresa”, 38% të aksioneve të “Digit-Alb”, shoqërisë që u krijua nga i ati i tyre, Dritani, në 2004. Kompania është operatori më i madh i shërbimeve televizive me pagesë në vend, me të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh në 2022. Ndërsa “Digit-Alb” është në pronësi të një grupi aksionerësh, në biznesin tjetër të familjes “Top Channel”, motrat Hoxha (me nga 20% të aksioneve secila) së bashku me të ëmën janë vendimtare në drejtim.

“Top Channel” raportoi të ardhura prej 1.4 miliardë lekësh në 2022. Eleni Babameto është nga sipërmarrëset e para në vend. Së bashku me bashkëshortin krijoi biznesin me emër “Teuta”, që në vitin 1994.

Sot “Teuta” është një nga sipërmarrjet më të mëdha të shpërndarjes në vend dhe operon në dy sektorë kryesorë: paketim dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore. Kompania u ka dhënë gjithmonë përparësi përmirësimeve në teknologji, zgjerimit të gamës së artikujve dhe menaxhimit të tregut. Në vitin 2022, shoqëria realizoi një qarkullim vjetor prej 3 miliardë lekësh, me rritje 22% me bazë vjetore.

Etleva Laro është një sipërmarrëse që ka hyrë relativisht vonë në biznes, por që arriti brenda pak vitesh të bëhet më e madhja në industrinë  e prodhimit të këpucëve. Znj. Laro është themeluesja e vetme e “EFA Solution”, që nisi aktivitetin në 2015, duke qenë një ndër bizneset më të reja në listën e kompanive më të mëdha që kanë në pronësi femra. Në 2022,  “EFA Solution” raportoi të ardhura prej gati 3 miliardë lekësh, me dyfishim nga viti i mëparshëm.

Mimoza Çobo dhe të bijat,  Denisa, Nensi dhe Paola zotërojnë 100% të kompanisë “D E N I S A”. Shoqëria u krijua nga znj. Çobo në vitin 2005 dhe është e orientuar tek importi i lëndëve drusore për mobilie. Në vitin 2022, qarkullimi vjetor arriti në 2.9 miliardë lekë, me rritje 19% me bazë vjetore. Ka disa biznese që duket se janë më të përshtatshme për sipërmarrëset femra. Në raport me renditjen e TOP 500, në listën e sipërmarrjeve më të mëdha, femrat dominojnë në dy aktivitete, agjencitë e udhëtimeve dhe tregtimi i produkteve farmaceutike.

Krahas znj. Merita Sheqi, që është më e madhja jo vetëm sipas xhiros, por edhe peshës si aksionere,  Gentiana Peshkatari zotëron 10% të aksioneve të “Trimed”, me qarkullim vjetor prej 3.5 miliardë lekësh. Besjana Gradica është aksionere me 20% në “Alfamakos”, me xhiro rreth 3.1 miliardë lekë. Tefide Aliaj është aksionere me 10% tek “Ilma”, me të ardhura prej 2.7 miliardë lekësh. Monika Hamzaraj zotëron 35% të “Megapharma”, me të hyra prej 2.5 miliardë lekësh.

Udhëtimi është pasioni i shumëkujt, por organizimi i tyre nuk është një detyrë e lehtë. Dominuese janë femrat në agjencitë e udhëtimit, të cilat prej disa vitesh renditen ndër sipërmarrjet më të mëdha sipas xhiros në vend, pas një ndryshimi në mënyrën se si ato i raportojnë të ardhurat (duke mos përfshirë më vetëm komisionet).

“ALBTOURS”D”-VAS tour operatore” është operatori më i madh në vend në këtë segment, me 30% të aksioneve që zotërohen nga Entela Mehmeti. Eleonora Gjonpalaj është aksionere e vetme e “Globus-Travel”; Arisa Lekgjonaj zotëron  “Coral Travel”; Flojera Gjino ka 50% të aksioneve të “Kalemi Travel & Tours”. Motrat Bardhi, Jeta dhe Vojsava, prej vitesh drejtojnë “Savatours”.

Në totalin e 68 sipërmarrjeve me pronësi femra mbizotërojnë tregtia me shumicë e produkteve të ndryshme, kryesisht ushqimore, dhe të karburantit, por kjo është në linjë dhe me strukturën e ekonomisë dhe listën e 500 më të mëdhenjve në vend.

Nuk mungojnë as sipërmarrjet e ndërtimit, një tendencë kjo e njëjtë dhe me renditjen e 500 më të mëdhave, teksa ky sektor ka marrë hov vitet e fundit. Më e madhja e ndërtimeve është  “Ante-Group”, ku Enka Qefalia dhe Entela Merko kanë së bashku 25% të aksioneve. Brixhilda Pepa dhe Urjola Pepa kanë së bashku 50% të “Pepa Group”. Në fushën e telekomunikacioneve, Kristina Papa zotëron 100% të “Intercom”.

Guxojnë më pak, apo priren më pak të bëjnë pazare e të korruptohen?! Në kompanitë koncesionare, që janë më fitimprurëset në vend nuk ka femra dhe ato pothuajse mungojnë dhe në sipërmarrjet e mëdha të ndërtimit, apo subjektet që kryesisht punojnë me tendera.

Norma e fitimit për 68 sipërmarrjet me aksionere femra ishte 5.2%, më e ulët sesa mesatarja e vendit prej rreth 9%, sipas të dhënave që publikohen nga INSTAT. Norma më e lartë e fitimit është 27%, nga “B.M” SH.P.K. me aksionere 100% Sonjela Gjonaj, me aktivitet në tregtinë me shumicë të lëndëve të para bujqësore dhe e dyta është 17% nga “F.Z.Construction sh.p.k.”, me aksionere të vetme Tefta Zekaj./ Monitor