28.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

A do të bien ndonjëherë qiratë?

Shumë shpesh politikanët kërkojnë zgjidhje të tmerrshme për të ndihmuar qiramarrësit, shkruan The Economist

Një brez i tërë qiramarrësish i përballon me vështirësi qiratë. Në të gjitha vendet e pasura, nga Amerika në Zelandën e Re, me miliona njerëz po shpenzojnë më shumë se një të tretën e të ardhurave për qiratë.

Kjo dukuri vihet re kudo, nga demokracitë sociale që mbrojnë me ngulm të drejtat e qiramarrësve, deri te vendet anglofone që mbrojnë më tepër pronarët e shtëpive. Lajmi i mirë për qiramarrësit në ankth, është se me shtimin e numrit të tyre, po rritet edhe vëmendja ndaj problemit.

Lajmi i keq është se aktivistët dhe politikanët përqendrohen kryesisht në zgjidhjet e gabuara për problemet e qiramarrësve.

Në shekullin XX, u vu re një rritje e habitshme në pronësinë e shtëpive. Në vitin 1920, rreth 20% e britanikëve zotëronin shtëpi; deri në vitin 2000, ky numër u rrit në 70%. Shumë vende anglofone ndoqën një rrugë të ngjashme.

Në vendet e tjera, qiramarrja private u bë më pak e përhapur, pas një “bumi” në banesat sociale.

Në shekullin XXI, gjendja ka ndryshuar. Rod Hick në Universitetin Cardiff në Uells, llogarit se në shtete si Britani, Danimarkë, Irlandë, Zelandë e Re dhe Spanjë, normat e pronësisë së shtëpive ranë me dhjetë pikë përqindje në dekadën deri në vitin 2018. Të dhënat për qiramarrjen janë disi të paqarta.

Por shifrat nga OECD-ja, një klub që përbëhet kryesisht nga shtete të pasura, tregojnë se që nga viti 2010, në shumicën e vendeve të pasura, është rritur qiramarrja (shih grafikun 1).

Duket se rritja e sektorit të qirave private do të vazhdojë, siç parashikon Peter Kemp në Universitetin Oxford.

 

 

Një nga ndryshimet më të mëdha, ka ndodhur në Britani. Një e pesta e popullsisë tani banon me qira, krahasuar me një të dhjetën në fillimin e viteve 2000, duke shënuar një rritje prej më shumë se 6 milionë qiramarrësish. Banka britanike Halifax, krijoi edhe shprehjen “brezi i qirasë” në vitin 2011.

Por britanikët e brezit “millennial”, siç quhen personat e lindur midis viteve 1981 dhe 1996, nuk janë të veçantë nga të tjerët. Rënia e tregut të punës, rritja e çmimeve të banesave, rritja e qirave, si dhe shtrëngimi i rregullave të hipotekave, e bënë të pamundur zotërimin e pronave për shumë të rinj të këtij brezi.

Trysnitë mbi punësimin dhe strehimin, tani janë zbutur disi. Brezi “Z”, ku përfshihen të rinjtë e lindur midis viteve 1997 dhe 2012, tani po fiton shumë më tepër se sa fitonte brezi “millennial” në të njëjtën moshë. Falë ftohjes së tregjeve të banesave, disa persona të brezit “millennial” mund të kenë marrë në zotërim çelësat e shtëpisë së tyre të parë, edhe pse shpesh e kanë arritur këtë me ndihmën e prindërve.

Por të tjerë mbeten ende në udhëkryq. Në Britani, rreth gjysma e qiramarrësve, tani janë mbi moshën 35 vjeç. Ky sektor që më parë mendohej se u përkiste të rinjve dhe beqarëve që jetojnë vetëm, tani po shihet gjithnjë e më shumë si një sektor më i përshtatshëm për familjet dhe të moshuarit. Politikanët kanë filluar të shqetësohen për valën e qiramarrësve në pension.

Qiratë janë rritur veçanërisht ndjeshëm në tre vitet e fundit, për shkak të punëtorëve që janë rikthyer në qytete pas pandemisë dhe për shkak të rritjes së pagave, edhe pse oferta e pronave mbetet mjaft e kufizuar.

Normat e larta të interesit kanë ulur ndërtimet, që tashmë ishin të pamjaftueshme. Aksionet në tregun e banesave në Suedi, ranë me 50% në tremujorin e parë të vitit 2023. Edhe rregullat e huadhënies mbeten të shtrënguara.

Disa qiramarrës ankohen për pasiguri dhe kushte të vështira. Por problemi më i madh, veçanërisht për ata me të ardhura të ulëta, është përballueshmëria financiare.

Ajo çka përkufizohet si “financiarisht e përballueshme” ndryshon sipas vendeve, por në përgjithësi, OECD-ja e ka përkufizuar një qira të përballueshme, si një shumë që nuk merr më tepër se 30% të të ardhurave bruto ose 40% të të ardhurave të disponueshme (d.m.th., të ardhurat pas taksave dhe tarifave të sigurimeve shoqërore).

Në vitin 2022, pothuajse gjysma e familjeve amerikane që banonin me qira, po paguanin më shumë se 30% të të ardhurave bruto për qiratë, sipas Qendrës për Studimet e Strehimit në Universitetin e Harvardit në Amerikë. Ky ishte niveli më i lartë në histori dhe po vazhdon të rritet.

Në të gjitha shtetet e pasura, qiratë që marrin me shumë se 40% të të ardhurave, janë të zakonshme (shih grafikun 2). Dhe këto të dhëna nuk përfshijnë tregjet në të zezë, ku qiratë nuk respektojnë rregulloret, dhe që janë të përhapura në shtete si Suedia apo Gjermania.

 

 

Problemet

Qiratë e larta nuk rëndojnë vetëm mbi kuletat e njerëzve. Një treg jofunksional qirash mund ta bëjë më të vështirë që njerëzit me të ardhura të ulëta, të gjejnë punë të mira. Metroja e Stokholmit është një prej rrjeteve të transportit publik më të mirë në botë.

Sidoqoftë, një në pesë biznese thonë se kostot e larta dhe mungesa e strehimit të përballueshëm, e bëjnë të vështirë punësimin e punëtorëve të rinj.

Një 28-vjeçar i quajtur Lucas Persson, thotë se shumë nga miqtë e tij kanë menduar të largohen nga qyteti. Spotify, kompania suedeze e transmetimit të muzikës, e ka quajtur tregun e qirave pengesë për zgjerimin e biznesit.

Shumë veta të përfshirë në problemin e qirave fajësojnë pronarët. Disa aktivistë madje i kanë quajtur ata “parazitë shoqërorë”. Si pasojë, bëhen përpjekje të vazhdueshme për të kontrolluar çmimet e qirave. Në vitin 2022, qeveria skoceze vendosi të ndalonte rritjen e çmimeve të qirave.

Kryetari i Bashkisë i Londrës, Sadiq Khan, ka dashur prej kohësh të bëjë të njëjtën gjë. Edhe disa qytete në Francë dhe Gjermani, kanë forcuar kontrollet mbi çmimet e qirasë, si përgjigje ndaj ankesave se qiramarrësit nuk po i përballojnë dot.

Partia e Gjelbër në Australi thotë se ngrirja e qirasë do të frenonte “manjatët e pasur të pronave”.

Në Amerikë, ka kohë që vendosen kontrolle të çmimeve të qirave në Nju Jork dhe San Francisko. Në vitet e fundit, shtete si Oregon dhe Kalifornia, kanë miratuar ligje të tilla. Që nga viti 2023, kryetarja e bashkisë e Bostonit, Michelle Wu, është përpjekur të ndjekë të njëjtin shembull.

Kështu, politikanët kanë marrë një mesazh mjaft të qartë, thotë profesor Kemp. Që pronarët janë të papëlqyer (Joe Biden i ka siguruar votuesit se do t’i “godasë” ata). Në shumë vende po ndërtohen shtëpi. Kontrollet e çmimeve të qirasë shpesh tërheqin mbështetje të gjerë nga populli.

Në fund të fundit, kush është kundër qirave më të ulëta? Akoma më mirë, kur ato nuk u kushtojnë asgjë qeverive dhe mund të vendosen me një urdhër të vetëm.

Por ekonomistët janë kundër kësaj ideje. Kontrollet e qirasë filluan të vendoseshin për herë të parë pas dy luftërave botërore, në një kohë kur qiramarrësit ishin një grup i madh votuesish.

Milton Friedman kundërshtoi kontrollet e çmimeve të qirave në një ese të shkruar në vitin 1946, duke paralajmëruar se ato do të çonin në “shpërndarjen e rastësishme dhe arbitrare të hapësirës, përdorimin joefikas të saj dhe vonimin e ndërtimeve të reja”. Ekonomistët liberalë i shohin kontrollet e çmimeve të qirave si një politikë e kotë.

Qyteti që sot i reflekton më mirë rreziqet për të cilat paralajmëroi Friedman në vitin 1946, është Stokholmi.

Në teori, sistemi suedez i kontrollit të qirasë, i quajtur “hyresreglering”, është sistemi më i rreptë në botë. Sipas rregullave, sindikata e fuqishme e qiramarrësve suedezë bisedon me pronarët, duke i mbajtur qiratë deri në 50% të nivelit poshtë tregut.

Por në praktikë, shumë njerëz dalin me humbje. Suedezët duhet të regjistrohen në listat e pritjes për të përfituar një apartament me çmim të kontrolluar qiraje: në qendër të Stokholmit, pritja mesatare është plot 20 vjet; në pjesët e tjera është sa gjysma e kësaj kohe. Prandaj shumë nga ata që arrijnë në krye të radhës, janë në të pesëdhjetat dhe zotërojnë tashmë një shtëpi.

Të rinjtë suedezë shpesh duhet të tolerojnë qiratë e shtrenjta për të cilat është rënë dakord fshehurazi, ankohet zoti Persson.

Njerëzit me fat që kanë një apartament, nuk duan ta japin atë në dorëzim. Familjet gjejnë mënyra të zgjuara për t’ua kaluar kontratat të afërmve të largët.

Nëse një çift dëshiron më tepër hapësirë për fëmijët, duhet të kalojë shumë pengesa për të gjetur një vend të përshtatshëm.

Ose mund të përdoret ryshfeti. Në vitin 2021, në një çështje gjyqësore, u zbulua se një grua kishte paguar 2.4 milionë SKr, ose 220,000 dollarë, për të lidhur një kontratë të tregut të zi, për të marrë me qira një apartament në Ostermalm, një rajon i pasur i Stokholmit.

“Sistemi i qiradhënies në Stokholm i jep ato apartamente të pakta që janë në dispozicion, për suedezët e pasur, të shtresës së mesme dhe të lartë, ndërsa ata që kanë nevojë më tepër, jetojnë në vende të ndotura dhe të pasigurta, jashtë qytetit”, thotë Brett Christophers, një gjeograf në Universitetin Uppsala në Suedi.

Suedezëve u pëlqen të mendojnë se qasja e tyre është mjaft e drejtë dhe përparimtare. Por emigrantët vuajnë më shumë nga të gjithë, sepse e kanë më të vështirë të operojnë në këtë sistem, thotë Fredrik Kopsch në Universitein Lund, në Suedi.

Jo të gjitha format e kontrollit të qirasë shkaktojnë të njëjtin dëm dhe ndikimi i tyre varet nga vendi dhe mënyra se si zbatohen.

Një arsye pse kjo ide nuk vdes kurrë është se përkrahësit vazhdojnë ta përshtasin atë. Politikat më shkatërruese i kufizojnë qiratë artificialisht ose i ngrijnë ato në një nivel fiks. Shumica e qeverive i kanë braktisur prej kohësh këto politika.

Por herë pas here, dikush tenton që t’i provojë sërish, siç kanë bërë autoritetet në Berlin në vitin 2020 dhe në Skoci në vitin 2022.

Tani janë më të zakonshme kontrollet që kufizojnë rritjen e qirasë, për shembull në një përqindje fikse mbi inflacionin.

Ideja e këtyre politikave është se pronarët dhe qiramarrësit nuk kanë gjithmonë fuqi të barabartë në bisedim, kështu që në teori, pronarët mund t’ua hedhin qiramarrësve duke përfituar nga fakti se kostot e zhvendosjes janë shumë të larta.

Sidoqoftë, nëse politika të tilla krijojnë një hendek midis qirave të kontrolluara dhe atyre të tregut, ato do t’i nxisin pronarët që të mos investojnë në pronat e tyre dhe qiramarrësit që të mos lëvizin.

Në Boston, zonja Wu propozoi një kufi vjetor të rritjes së qirasë. Por problemi është se pasi politikanët vendosin kontroll mbi çmimet e qirave, ata tundohen që të vazhdojnë të rrisin kontrollin, gjë që dëmton tregun. Në Gjermani, goditjet e fundit kanë bërë pikërisht këtë gjë, sipas Stefan Kofner nga Universiteti Görlitz.

Në Suedi, kostoja e apartamenteve me qira të kontrolluar, ra shumë më poshtë se qiratë e tregut.

 

Kontrollet

Kontrollet e çmimeve janë të lehta për t’u shtrënguar, por shumë të vështira për t’u zbutur. Parlamenti i Suedisë ka debatuar prej vitesh për reforma të tilla. Në vitin 2021, një propozim i tillë modest, çoi në rënien e një qeverie.

Nëse shqetësimi është mbrojtja e qiramarrësve nga shfrytëzimi, vendet anglofone duhet ta bëjnë më të lehtë që qiramarrësit të ankohen kundër rritjeve të çmimeve mbi nivelin e tregut ose kundër abuzimeve.

Kontrollet e qirasë janë më të dëmshme kur oferta është e kufizuar dhe kërkesa është e lartë, duke e bërë më të vështirë që njerëzit të gjejnë një vend për të jetuar.

Një nga arsyet pse po dështon sistemi suedez Hiresreglering, është se bashkitë e pasura rreth qytetit, i kanë bërë gjithnjë e më shumë qëndresë ndërtimeve të reja, thotë zoti Kopsch.

Të majtët amerikanë lavdërojnë vazhdimisht qytetin e Vjenës, ku 80% e banorëve jetojnë në blloqe apartamentesh me çmim qiraje të kontrolluar.

Vitin e kaluar, New York Times e quajti atë një “utopi të qiramarrësve”. Por këtu duhet pasur parasysh fakti se ligjet e planifikimit në Vjenë, e kanë bërë prej kohësh të lehtë ndërtimin e blloqeve të reja të apartamenteve dhe popullsia e qytetit është rritur shumë pak që nga Lufta e Dytë Botërore.

Prandaj nuk ka kuptim që stili i kontrollit të çmimit të qirave në Vjenë, të zbatohej edhe në një vend si Manhatan.

 

Themelet e ndryshimit

Sidoqoftë, ka një qytet që ndjek një model të mirë për të ndihmuar qiramarrësit, edhe pse mësimet e tij po shpërfillen. Në vitin 2016, qyteti Auckland në Zelandën e Re, kishte ndër banesat më të papërballueshme financiarisht.

Më pas, ai miratoi një ligj që lejonte shtimin e ndërtimeve në tre të katërtat e tokave të banimit. Me këtë masë, ligjvënësit donin të nxisnin më shumë apartamente, veçanërisht në zona që janë afër qendrës së qytetit, transportit publik ose qendrave tregtare.

Pas këtij ligji, u shtuan 44,000 shtëpi në shtatë vjet, një numër i barasvlefshëm me rreth 8% të stokut të tanishëm të banesave. Një studim i ri nga Ryan Greenaway-McGrevy në Universitetin Auckland, vlerëson se shtëpitë shtesë i kanë mbajtur çmimet e qirave pothuajse 30% më poshtë se do të ishin.

Në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, miratoi një ligj që i nxiste edhe qytetet e tjera të ndiqnin shembullin e Auckland-it. Por përparimi ka ngecur.

Në të gjithë botën, e vetmja mënyrë sesi qiramarrësit mund të dalin të fituar, është nëse qytetet mundësojnë më shumë ndërtime. Në Stokholm, zoti Persson nuk është optimist. Brenda pak vitesh, ai shpreson të marrë një apartament me qira me çmim të kontrolluar, në zonën Rinkeby-Kista, një periferi me nivele të larta krimi dhe që ndodhet 12 km jashtë qytetit.

Përktheu: Lira Muça

Shpenzoi 6 mln dollarë për të blerë satelitët, tani qeveria nuk di të lexojë imazhet

18 muaj më parë, qeveria njoftoi me bujë lëshimin e dy satelitëve në orbitë që do ta ndihmonin shtetin shqiptar të kontrollonte territorin në disa drejtime, përfshi luftën ndaj ndërtimit të paligjshëm e parcelave të kanabisit, apo mbrojtjen nga emergjencat civile. Sot, kur kontrata 6 milionë dollarë është në gjysmë të afatit, në Tiranë, administrata është ende duke u trajnuar sesi t’i përdorë këto imazhe.

Nga Esiona Konomi

Më 3 janar të vitit të shkuar, kryeministri Rama dhe ministri i Mbrojtjes, ndanë në rrjetet sociale video nga nisja në hapësirë e dy satelitëve Albania 1 dhe Albania 2.

Shqipëria tani në hapësirë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2,” –shkroi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ndërsa kryeministri e shoqëronte videon me shënimin “Ja edhe kjo, u tha, u bë”.

Kontrata 6 milionë dollarë për këtë shërbim, ishte nënshkruar më herët, në shtator të vitit 2022. Siç thanë atëherë kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, me këtë kontratë “Shqipëria hyn në një epokë të re të monitorimit të plotë të territorit.”

Niko Peleshi zotohej se imazhet satelitore do të ndihmonin emergjencat civile, turizmin dhe bujqësinë.  Ndërsa kryeministri Rama e quajti një “Kryeinspektoriat” që do të luftonte “katet pa leje”, parcelat e kanabisit, dhe paligjshmërinë në tërësi.

Faktoje bëri kërkime pranë institucioneve kryesore, që sipas deklaratave publike duhet të kishin përfituar nga imazhet e dy satelitëve, dhe të kishin vepruar përmes tyre për të luftuar paligjshmërinë apo për të marrë masa në raste të tjera. Verifikimi tregon se përfitimet e institucioneve në 18 muajt e parë të punës së dy satelitëve deri tani janë të vogla. Për më tepër, stafet e tyre ende nuk dinë si t’i lexojnë këto imazhe.

Asnjë kat pa leje nuk u prish me ndihmën e satelitëve

Kur u nënshkrua kontrata me kompaninë “Satellogic”, ndër të tjera, kryeministri Rama tha:

Ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell, i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka kushërinj, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha…me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 centimetrash”.

Por kur ka përfunduar gjysma e kontratës tre vjeçare të shërbimit të satelitëve për Shqipërinë, asnjë kat pa leje nuk është prishur me ndihmën e imazheve të prodhuara. Fakt ky i konfirmuar për Faktoje nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

“Deri më tani IKMT nuk i ka përdorur satelitet në funksion të përmbushjes së misionit të Institucionit për mbrojtjen e territorit”, -pohoi IKMT, në përgjigje të një kërkese për informacion.

Inspektorati i vlerëson të dobishme të dhënat e ofruara nga satelitët, por për momentin stafi nuk di t’i lexojë imazhet.

“Aktualisht jemi në fazën e trajnimit të inspektoreve të IKMT dhe testimit të sistemeve tona të reja për përdorimin e imazheve satelitore nga satelitet Albania 1 dhe Albania 2””,- thekson IKMT.

Sa parcela me drogë u zbuluan?

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes ditën e nënshkrimit të kontratës 6 milionë dollarë për 3 vjet shërbim satelitor, ndër të tjera thuhej, se: “Me anë të këtij shërbimi edhe Policia e Shtetit do të ketë të mundur marrjen e informacionit për kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin apo prerjen e paligjshme të pyjeve, gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e shtratit të lumenjve, shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura, kalimin e paligjshëm në pikat kufitare, informacione të cilat do të mundësojnë evidentimin në kohë të akteve kriminale.”

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Policia e Shtetit nuk arriti të konfirmojë për Faktoje nëse kishin përdorur imazhet satelitore për të luftuar ndonjë prej paligjshmërive të listuara më sipër nga qeveria.

Bujqësia numëroi serat…

Kur u nënshkrua kontrata, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi listoi një sërë përfitimesh edhe në bujqësi, sektor që e kish drejtuar disa vite më parë.

“Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marr masa administrative nga Sektori i Inspektimit dhe Kontrolli i Peshkimit. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara.”, deklaronte asokohe Peleshi.

Por nga të gjithë këto përfitime të listuara, verifikimet tregojnë se pas 18 mujash në orbitë, i vetmi përfitim për bujqësinë nga shërbimi satelitor është numërimi i serave bujqësore.

“Nëpërmjet imazheve satelitore është krijuar në mënyrë automatike informacioni për 191,157 sera me një sipërfaqe prej 2,189.9ha. Ndërtimi i serrave bujqësore, përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit në vendin tonë, ka pasur rritje të dukshme. Përmes shërbimit satelitor ky informacion u krijua brenda pak ditëve duke kursyer shumë kohë (rreth 45 ditë) që shpenzohej duke dixhitalizur mbi orthophoto si dhe duke kursyer një numër prej 3-4 burime njerëzore që angazhoheshin me kohë të plotë”,- informoi Ministria e Bujqësisë

Punonjësit e këtij institucioni, ashtu sikurse ata të IKMT-së, janë ende nën trajnim për të lexuar pamjet nga dy satelitët.

“Përsa i përket produktet e ofruara nga shërbimet satelitore, MBZHR ka kryer fazën e parë të trajnimeve pranë ASIG si dhe vazhdon të ndjekë fazën tjetër të trajnimeve. Po bën trajnime në bashkëpunim me ASIG për përdorimin e sistemeve të gjeoinformacionit.”- MBZHR.

Emergjencat civile i përdorën satelitët në 4 raste

Satelitët do të jepnin një kontribut kyç në përballimin e emergjencave civile.

 “Së pari Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës”, – deklaronte ministri Peleshi në shtator të vitit 2022.

Në një vit e gjysmë punë, emergjencat civile i përdorën imazhet satelitore të Albania 1 dhe Albania 2, vetëm katër herë.

Ministria e Mbrojtjes, i tha Faktoje se “Rastet e përdorimit operacional të produkteve të shërbimit satelitor në menaxhimin e emergjencës civile janë 3 zjarre në pyje, 1  përmbytje dhe 1 rrëshqitje dheu.”

Kjo ministri informon se deri më tani, imazhet satelitore i kanë kërkuar dhe i kanë marrë  29 institucione publike.

Çfarë thonë ekspertët?

Siç ka informuar vetë kompania “Satellogic”, monitorimi i Shqipërisë përmes dy satelitëve, nuk është 24 orë.

“Jo domosdoshmërisht 24 orë në ditë. Me 2 satelitët ne mund të marrim imazhe çdo ditë dhe me satelitët plotësues do të marrim imazhe të tjera të të gjithë territorit. Nuk është akoma realitet vëzhgimi i Shqipërisë në çdo minutë të ditës. Çdo 6 orë ne do të mund të marrim imazhe të territorit shqiptar”,- tha Matt Tirman, drejtor për marrëdhëniet tregtare i ‘Satellogic’.

Pikërisht për këtë arsye, eksperti Azmer Duleviç, thotë se këto aplikime të teknologjisë, kanë kufizimet e tyre dhe nuk mund ta ndihmojnë shtetin shqiptar në kohë reale për të luftuar paligjshmëritë apo për të përballuar emergjencat.

 “Bëhet fotografimi i imazheve të herëpashershme i sipërfaqeve të ndryshme, por kur për shembull bie zjarr diku, nuk jepet alarmi në kohë reale, sepse sateliti nuk rri 24 orë sipër territorit tonë. Është thënë që do të përdoret edhe për parandalimin e trafiqeve, por kjo është e pavërtetë, sepse këta satelitë nuk japin informacion në kohë reale. Janë siç është aktualisht Google Maps”,-thotë eksperti i teknologjisë, Duleviç.

Ai shton se këta satelitë përdoren për pamjet që mund t’i shërbejnë kryesisht bujqësisë.

“Vendet e vogla rrallëherë hedhin satelitë, për kostot që kanë kundrejt shërbimeve që japin. E gjitha varet nga kapaciteti që kemi për t’i menaxhuar,”- pohon inxhinieri.

Imeldi Sokoli, një planifikues urban, i tha Faktoje se “Problemi i paligjshmërisë së ndërtimeve nuk ka të bëjë me evidentimin e paligjshmërisë ndërtimore, por me zbatimin. Ka bashki që kanë evidentuar çdo ndërtim të paligjshëm, por nuk procedojnë me prishje të ndërtimeve të paligjshme. Në këtë pikë, këto struktura nuk monitorohen dhe shpeshherë janë praktikat korruptive ato që pengojnë prishjen e tyre”.

Sipas inxhinierit, ndërtimi i paligjshëm nuk është zhvilluar prej pamundësisë për të monitoruar terriorin, por sepse mungon vullneti për t’i frenuar ato.

“Minitorimi i paligjshmërisë ndërtimore me anë të satelitëve është një premtim butaforik i Kryeministrit, sepse pagesa kundrejt këtij shërbimi është marramendëse” –tha Sokoli.

Përfundim

Në një vit e gjysmë shërbim, satelitët Albania 1 dhe Albania 2 kanë numëruar serat bujqësore si dhe kanë ndihmuar në 4 raste emergjencat civile. Shërbimi satelitor ka një kontratë 3 vjeçare dhe ne jemi në gjysmë të rrugës. Deri më tani, imazhet i kanë marrë 29 institucione, por punonjësit rezultojnë ende të patrajnuar siç duhet për t’i kuptuar ato. Ndaj, nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi lidhur me përfitimet e Shqipërisë nga satelitët në orbitë, do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.

Faktoje.al

Tërheqja e ushtrisë serbe në qershor të vitit 1999 nga Prizreni, rrëfimi i gazetarit të BBC që raportoi nga lufta

Korrespondenti special i BBC-së, Jeremy Bowen, ka ndarë eksperiencën e tij që pati gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ai ka rrëfyer momentin e dokumentimit të momenteve kur forcat serbe bënin tërheqjen nga qyteti i Prizrenit në qershor të vitit 1999.

“Ajo që ishte vërtetë e mrekullueshme nga pikëpamja gazetareske për të bërë ato rrëfime ishte fakti se ne kishim qasje. Shumë shpesh këto ditë, dhe Gaza është një shembull i mirë i kësaj dhe unë jam përpjekur ta raportojë atë histori, ne nuk e kemi atë qasje. Por atëherë ne e patëm atë qasje në Kosovë dhe ne ishim aty teksa gjërat po ndodhnin dhe arritëm të kapnim disa skena shumë të fuqishme, të cilat me të vërtetë e tregonin thellësinë e konfliktit, hendekun në mes të dy palëve dhe mënyrën se si kishte kaq shumë urrejtje nga të dyja palët”, ka thënë gazetari i BBC-së, në “Kallxo Përnime”.

Ai shtoi se në Kosovë ka hyrë bashkë me forcat e NATO-s.

“Ata nuk na lanë të hynim. Por ne mundëm të hynim me NATO-n. Pastaj u hap i gjithë vendi. Për shkak se ne hymë në të njëjtën kohë me trupat dhe më pas mundëm të lëviznim lirshëm, i vetmi kufizim i vërtetë ishte frika se mund të shkelnim një minë ose ndonjë bombë të pashpërthyer. Ne ishim në gjendje, siç do ta mbani mend, të shkonim në vende kur u hapën, kur njerëzit nuk kishin parë të huaj për një kohë të gjatë, kur ende, në disa raste, ka ende kishte trupa të shtrirë përreth vendit, sigurisht prova, dëshmi të freskëta të krimeve që kishin ndodhur, të masakrave”, ka thënë Bowen.

Ai ka treguar edhe për një grua të moshuar serbe në Prizren e cila kishte mbajtur kufomën e bashkëshortit të saj për 1 javë në banesë.

“Po, ne dëgjuam, dikush dëgjoi të thuhej, dikush nga ekipi jonë dëgjoi se ishte një grua dhe ndoshta kishte një trup në ndërtesë me të në apartamentin e saj. Ishte bash në qendër, në fakt, në Prizren. Ajo ishte e moshuar dhe ishte vërtetë e hutuar. Ne shkuam të trokisnim në derë dhe ajo hezitoi ta hapte. Por më pas arritëm të futeshim brenda. Ajo na la të hyjmë. Ne konstatuam se trupi i burrit të saj të vdekur ishte në ndërtesë. Mund ta nuhasnim. Ishte në apartament me të në apartamentin e tyre, i mbështjellë në një qilim”.

“Ajo e kishte mbështjellë në një qilim. Ajo ishte e hutuar për detajet, por pak a shumë tha se ai kishte vdekur gjatë disa kontrolleve të forcave të UÇK-së. Ajo kishte aluduar se ndoshta ata mund ta kishin vrarë ose ndoshta ai thjesht u rrëzua. Ne thjesht nuk e dimë. Ajo ishte shumë e hutuar për të pasur një kuptim të madh. Por fakti ishte se i vdekuri ishte aty. Ne e pamë atë. Disa ditë, po trupi po kalbej”, ka shtuar ai

Bowen ka 40 vjet që është pjesë e BBC-së, përderisa materiale të luftës së fundit në Kosovë, i ka huazuar për “Reporting House”, e cila do të qëndroj e hapur deri në mes të shtatorit. /Kallxo.com/

Ernest Muçi do të luajë krah Di Marias sezonin e ardhshëm? Ja çfarë thotë presidenti i Beshiktashit

Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Ernest Muçi mund të luajë krah Angel Di Marias sezonin e ardhshëm.

Argjentinasi është pa ekip dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Për transferimin e Di Marias në Stamboll ka folur edhe vetë presidenti i Beshiktashit, Hysein Juçel.

“Ne po presim Di Marian pas Kupës së Amerikës sepse kemi bërë gjithçka që është e mundur. Ai tha që do të vendosë pas përfundimit të turneut. Nëse vjen, do të vijë falas dhe vetëm për 1 vit. Mos të krijojmë pritshmëri tani”, ishin fjalët e tij.

Shqipëri, sëmundjet tumorale dhe dobësitë e sistemit shëndetësor në trajtimin e tyre

Në Shqipëri rreth 6 mijë raste të reja identifikohen çdo vit me sëmundje tumorale. E ndërsa numri i pacientëve me këto sëmundje është në rritje, një raport i KLSH nxjerr në pah mjaft dobësi të sistemit shëndetësor në trajtimin tyre. Disa kanë të bëjnë me mungesa të stafit mjekësor, të barnave dhe pajisjeve mjekësore apo me centralizim të shërbimeve. Këtyre dobësive ju shtua së fundi dhe një skemë abuzimi me pacientët e sëmurë me tumor, ku mendohet se janë përfshirë edhe disa mjekë të Spitalit Onkologjik në Tiranë. Zëri i Amerikës sjell një analizë të kësaj situate përmes gjetjeve të një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pacientëve të prekur, familjarëve të tyre dhe mjekëve.

Në ambjentet e Spitalit Onkologjik në Tiranë, lufta mes jetës dhe vdekjes është ndoshta me e fortë se kudo tjetër. Por mangësitë në ofrimin e shërbimeve e bëjnë atë më të ashpër dhe më të dhimbshme. Dhjetra qindra qytetarë nga i gjithë vendi marrin shërbime çdo ditë në këtë institucion shëndetësor, që nga kimioterapia, radiotarapia, konsultat apo kontrollet e ndryshme. Në Shqipëri çdo vit humbin jetën rreth 3 mijë qytetarë nga sëmundjet tumorale dhe vdekshmëria prej tyre zë vendin e tretë me 13.5%, pas atyre të aparatit të qarkullimit të gjakut, dhe sëmundjeve me shkaqe të papërcaktuara. Por ndonëse këto vdekje mbajnë një peshë të lartë dhe rastet e reja janë në rritje, një raport i KLSH, nxjerr në pah edhe mjaft dobësi të sistemit shëndetësor në trajtimin e tyre.
Edhe Prokuroria e Tiranës po heton së fundi mbi një skemë abuzimi me pacientë të spitalit onkologjik ku mendohet se janë përfshirë disa mjekë, specialistë dhe administratorë të një klinike private dhe depoje farmaceutike, mes tyre dhe ish. Zv. drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi.
Përmes formave të ndryshme pacientët orientoheshin drejt një klinike private, për të marrë shërbim mjekësor sipas prokurorisë. Disa qytetarë thanë për Zërin e Amerikës se janë dëshmitarë të një skeme të tillë, ndërsa pati nga ata që kërkuan të mbeten anonim.

“ Na thanë që duhej bërë shpejt ekzaminimi, të mos humbim kohë. Bëme skanerin, biopsinë, analizat këtu në Tiranë në klinikën “Megis”, e cila përmendet edhe nga prokuroria”- shprehet i afërmi i një pacienteje nga Korça.

“Në sistemin privat në fillim kemi shpenzuar shumë para, pa ardhur ende në spitalin Onkologjik. Na duhej të merrim diagnozën shpejt. Na çuan tek privati, tek një klinikë që kishte një mjek këtu i spitalit. I bëmë të gjitha dhe erdhëm në shtet. Bashkëshortin tim, që vuan nga tumori, e ndjek aktualisht një mjek dhe njeri shumë i mirë, i Spitalit Onkologjik”- thotë Sanie Xhixha nga Tirana.

Pacientë të ndryshëm thonë për Zërin e Amerikës se ndeshen me pritje të gjata për të marrë shërbim në Spitalin Onkologjik. KLSH e lidh këtë me numrin e pamjaftueshëm të mjekëve onkologë, 55 në gjithë vendin, 24 në Tiranë, si dhe me mungesa të pajisjeve mjekësore, dhe të infrastrukturës në spitalet rajonale për të ofruar shërbime të plota për sëmundjet tumorale.

Stafi prej 24 mjekësh në spitalin onkologjik përballon në ditë 108 vizita, konsulta, trajton 75-80 pacientë me kimioterapi dhe 22 pacientë me radioterapi. (këtu nuk janë përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale, urgjenca dhe mjekët roje në çdo ditë). Këto të dhëna tregojnë, për një volum të lartë të punës së mjekëve, sipas KLSH.

Edhe numri i poltronëve “shtrat virtual” është në sasi të vogël -thuhet në raport- vetëm 19 të tillë, ndonëse gjatë ditës trajtohen me kimioterapi 75-80 pacientë, nga i gjithë vendi. “Spitalet rajonale nuk kanë kapacitete spitalore të plota, pajisje dhe shtretër dhe për pasojë ngarkesën më të madhe me kimioterapi e përballon Spitali Onkologjik në Tiranë”- nënvizon KLSH.

Nga ana tjetër edhe shërbimi i Radioterapisë është i centralizuar, veçohet në raport. Ai ofrohet për të gjithë pacientët vetëm në këtë spital. Zëri Amerikës bisedoi me disa pacientë nga zona të ndryshme të vendit, mbi këto vështirësi. Ata vinin nga Korça, Dibra, Tropoja, Gramshi, Përrenjasi apo Laçi, dhe trajtoheshin në Spitalin onkologjik me radioterapi, kimioterapi dhe kryenin kontrolle të shumta.

Raporti i KLSH vëren se gjatë periudhës tre vjecare të auditimit 2020-2022, 600 gra paciente nuk morën trajtim radioterapie me Brakiterapi pasi ajo nuk funksiononte. Po ashtu edhe pajisja mjekësore Ortovoltazhi e vënë në punë që prej vitit 2002, kishte defekt, për një kohë të caktuar gjatë auditimit duke lënë pa trajtim 200 pacientë, ndërsa pajisja e re nuk ishte vënë në punë. Edhe disa elementë të tjerë në njësinë e radioterapisë, thuhet në raportin e KLSH, si Tubusat e Aparatit të Shiringës elektrike, Pompa-Maskat termoplastike individuale, kanë munguar.

Përkundër pretendimeve të autoriteteve zyrtare se shëndetësia është falas, qytetarët detyrohen të paguajnë nga xhepi për barna dhe shërbime që ofrohen në sistemin publik. Pacientë dhe të afërm të tyre i konfirmuan Zërit të Amerikës edhe shqetësimet e vazhdueshme për mungesën e barnave në kurimin e sëmundjeve tumorale. Disa ofrohen nga Spitali Onkologjik, por disa të tjera ata janë të detyruar t’i blejnë vetë, shpeshherë me kosto të larta.

“ Gjysmën e mjekimit për bashkëshorten e blej, sepse Spitali Onkologjik nuk e ofron. Ne jemi pensionistë, unë jam operaur nga zemra. Të ardhurat tona janë të ulëta për të përballuar këto shpenzime”- thotë një qytetar nga Përrenjasi.

“80% të mjekimit një e afërmja ime e merr me pagesë. Mjekimin ja bëjnë këtu, por gjilpërën e ka blerë në Kosovë 3 mijë euro një gjilpërë”- thotë Përparim Lama nga qyteti i Laçit.

“ Bashkëshorti im është në vitin e tretë të sëmundjes tumorale. Mjemimin pothuajse e kemi marrë nga strukturat shtetërore, por

kemi marrë dhe me lekë, kur nuk ka patur në sistemin publik”- thotë Sanije Xhixha nga qyteti i Tiranës.

Ndërkaq raporti i KLSH, thotë se shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale, nuk janë rritur, por janë mbajtur pothuajse të pandryshueshme, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe të trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje.

Gjatë përgjimeve të prokurorisë së Tiranës, evidentohen disa shqetësime të ngritura nga qytetarët në komunkimet mes mjekëve, të cilët i kërkojnë favore njëri-tjetrit, për trajtime të pacientëve jashtë planifikimit, apo edhe raste kur bëhet fjalë për rryshfete..

Autoritetet zyrtare kanë njoftuar auditim dhe hetim administrativ dhe kanë shprehur keqardhje për rastin në fjalë, por deri tani nuk kanë dhënë një zgjdhje për këto forma korrupsioni, dhe nuk kanë thënë se kush mban përgjegjësi për to.

Hetimet e prokurorisë hodhën dyshime dhe mbi tregtimin e barnave spitalorë për trajtimin e tumoreve në disa farmaci. Zëri i Amerikës bisedoi dhe me mjekun Sotiraq Senjo në Spitalin Onkologjik mbi mënyrën e mjekimit të pacientëve me kimioterapi dhe burimin e furnizimit të spitalit me këto kura.

“Mjekimi vjen nga farmacia qëndrore, nga kapa qëndrore. Çdo gjë tretet në kapë dhe vjen e tretur tek pacienti. Dhe nuk ka kontakt me ilaçet mjeku, ai thjesht plotëson një recetë. Ndërsa medikamentet pacienti i merr në farmaci. I merr me kod, shkon dhe i tërheq. Nuk ka lidhje asnjë mjek me këtë”- thotë Sotiraq Senjo, mjek kimioterapeud në Spitalin Onkologjik.

KLSH në raportin e tij mbi performacën e spitalit onkologjik, nënvizon se për periudhën 3 vjeçare të auditimit Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT, nuk kanë realizuar procese auditimi dhe monitorimi pranë Spitalit Onkologjik dhe shërbimeve spitalore të cilat trajtojnë sëmundjet tumorale. Sipas KLSH kjo shton riskun për uljen e cilësisë së shërbimit të pacientëve me këto sëmundje.

Deri në përgatitjen e këtij materiali Drejtoria e Qendrës Spitalore Univeristare Nënë Tereza, nuk ju përgjigj interesit të Zërit të Amerikës në lidhje me problematikat e evidentuara në raportin e KLSH-së.

Kryetari i KLSH Arben Shehu i tha Zërit të Amerikës se në fushën e shëndetësisë janë kryer disa auditime, të cilat janë objekt kallëzimi në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa njoftoi së shpejti një kallëzim të ri.

“Jemi në proces të disa auditimeve të tjera procedura që janë pjesë e sistemit të shëndetësisë dhe lidhen direkt sidomos me procedurat e prokurime publike në qendrat spitalore. Jemi në përfundim të analizës së detajuar juridike për t’i drejtuar në Prokurorinë e Posaçme”- shprehet Z. Shehu.

Hetimet e Prokurorissë së Tiranës mbi një skemë të dyshuar abuzimi në lidhje me trajtimin e të sëmurëve me tumor, që u shoqëruan me masa sigurie arrest shtepie dhe detyrim paraqitje për personat nën akuzë, shumica mjekë, kanë nxitur një valë të gjerë debati edhe në rrjete sociale. Mjaft qytetarë dhe figura të njohura publike po denoncojë në rrjete sociale, raste personale të ballafaqimit me strukturat shëndetësore në trajtimin e sëmundjeve tumorale të cilat paraqesin një sfidë të vazhdueshme për sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Si mund t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme?

Nga Gjergji Nika

Në Shqipëri na pëlqen të personalizojmë divergjencat politike dhe të politizojmë divergjencat personale.

Por në shqipëri nuk mund të bëhet politikë normale si në vendet nordike, kur jemi vend ballkanik anormal. Nga ana tjetër edhe krijimi i klimës së tensionuar thjesht sa shton agresivitetin e shoqërisë dhe na mban të ngërthyer në politikë dhe jo në programe e ide. Pozitivja është se jemi të pasionuar pas politikës. E keqja është se na mungon objektivi.

Pra, le të përcaktojmë objektivin dhe qëllimin:

– Të krijohet një pol progresiv, i bashkuar dhe i unifikuar në aksion që do të mundë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
-Kjo përpjekje fillon sot. Duhet të kishte filluar dje.

Të fillojë nga ne, nga të gjitha forcat progresive të qendrës së djathtë dhe të gjitha forcat e tjera opozitare, të cilat janë të skandalizuara nga qeverisja me skandale e PS. Të shtrihet tek të gjitha forcat e tjera progresive të shoqërisë, të cilat janë të pangazhuara politikisht.

Të shkojë në çdo qelizë të shoqërisë, e cila vuan pasojat e keqqeverisjes, të ekonomisë së shkatërruar, të mjekësisë dhe arsimit që janë cilësisht përtokë, të shpopullimit dhe zbrazjes së Shqipërisë.

Së pari ndryshimi duhet të fillojë nga demokratët.
Qëllimi final nuk arrihet duke fajësuar njëri-tjetrin, nëse ai luftoi apo jo, nëse ai bëri marrëveshje apo jo, nëse njëri është më demokrat e tjerti jo, nëse ky duhet të vijë e ky duhet të shkojë. Të gjithë dhanë gjithçka në këto vite.

Askush nuk doli jashtë, askush nuk vrapoi më shumë se një tjetër, askush nuk ishte më shumë apo më pak demokrat se të tjerët. Askush nuk ka të drejtë të shpërndajë çertifikata demokrati. Kushdo që mendon kështu nuk bashkohet. Ndahet dhe mban në pushtet PS dhe Ramën.

– Nëse duam që në zgjedhjet e ardhshme të bëhemi Qeveri dhe në të vërtetë Qeveri me themele të forta, duhet të ndryshojmë gjithçka.

1. Së pari plan-programi ynë për vendin.
Sugjerimet tona janë të mira. Por, ata duhet të diskutohen në shoqëri. Çfarë mendojmë për arsimin dhe pse? Për shëndetin; Për ekonominë? Për korrupsionin, për Drejtësinë e pavarur, për të ardhmen?

Duhet të jemi të vetëdijshëm se problemi kryesor i shoqërisë është ekonomia, forcimi i të ardhurave të qytetarëve, përmirësimi i standardeve të jetesës, diçka që shoqëria duhej të dëgjojë pas kaq shumë vitesh krizash. Duhet të flasim se çfarë mund të bëhet, duke shmangur hyrjen në një ankand të përfitimeve parazgjedhore.

Dhe duke e bërë të qartë se nuk do të rrezikojmë me stabilitetin fiskal. Mund të ndodhë që në periudha parazgjedhore qytetarët duan të dëgjojnë fjalë dhe premtime të bukura, por sidomos vitet e fundit ata shfaqen më të dyshimtë.

Tregues i maturimit të shoqërisë sonë në këtë krizë ekonomike? E ardhmja do ta tregojë…
Nga ana tjetër, narrativa e PS ishte dhe është pa asnjë propozim të qartë për ekonominë.

Ndaj duhet që idetë tona të diskutohen gjerësisht e pa ekuivoke, në mënyrë që votuesit të kuptojnë atë që ne besojmë dhe, mbi të gjitha, pse e besojmë. Të kuptojnë dhe të bëjnë vizionin tonë, vizion të tyre. Qëndrimet tona, qëndrime të tyre.

Të kuptojnë se ku do të jetë Shqipëria pas 3, 5 apo 10 vitesh me një qeveri vërtet progresiste.
Dhe kështu, ata mund ta imagjinojnë se ku do të jenë, nëse i besojnë qeverisë sonë nesër.

Një parti që nuk garanton shoqërinë se ku do të jetë nëse qeveris, nuk është parti pushteti. Dhe ne duhet të jemi parti pushteti.

2. Së dyti, të ndryshojmë komunikimin tonë.
Vizioni, pozicionet dhe propozimet e mira janë shumë pozitive, por nëse nuk i reklamosjmë siç duhet, do t’i shijojmë vetëm.

Nëse nuk mund t’i çojmë idetë tona në shoqëri, është sikur nuk duam që ata të dinë se kanë mundësi.
Dhe një kryeministër mund të mos jetë ekspert Tik Tok-u, Instagrami apo Facebook-u. Por shoqëria është.

Dhe kur ankohemi se kemi mediet e oligarkëve kundër, është si të ankohemi se u mbyll autostrada e re që është me pagesë, por ne refuzojmë të marrim rrugën e vjetër, që është falas.

3. Së treti, të ndryshojmë mënyrën tonë të organizimit.

Për të pasur një kokë dhe shtyllë kurrizore. Nuk mund të shkojmë në betejë pa kokë. As me face control. Disa brenda e disa jashtë. Sikur opozita e sotme është meritë apo çështje vetëm e disave që bërtasin më shumë.

Apo “tanët” brenda, të tjerët jashtë.
Kjo do të ishte e gabuar. Një organizim i mirë është ai që e bën shoqërinë të ndihet i mirëpritur në jetën e diskursin politik.

Të gjithë gjykohen nga kontributi i tyre real në politikë.Nëse u drejtohemi të gjithë ish- deputetëve të ish- pozitës, krijohet ushtri. Nga të gjithë këta duhet të kërkojmë ndihmë.

Me një synim të vetëm: Të sjellim sa më shumë qytetarë në kutinë e votimit. Të rrisim numrin absolut të votuesve të opozitës.

4. Së katërti, për të përmirësuar ekipin tonë drejtues.
Domethënë, ekipi që do të bindë se ne mund ta zbatojmë atë që premtojmë. Këta njerëz ekzistojnë.
Ata janë qytetarë aktivë, të ditur dhe të pasionuar, të paimplikuar me të shkuarën, të papërfolur për korrupsion apo krime, të cilët e bindin shoqërinë se mund të mbështetet tek ata.

Ata dalin në shoqëri, sjellin ide, hapin diskutime, krijojnë tensione për çështje që Qeveria nuk dëshiron t’i diskutojë.

Dhe në nivel kombëtar. Dhe në nivel lokal.
– Por, ka një “por” të madhe.

Mirë ose keq, të gjitha këto kalojnë nga një qendër nëpër të gjithë sistemin.

Që dërgon një sinjal, jep drejtim, hap rrugë. Ai vendos vizionin dhe ne punojmë me pozicione dhe propozime.

Një qendër që urdhëron forcat për betejë, që nxjerr përpara luftëtarët më të mirë dhe mbron më të dobëtit.

E cila vendos rregullat për mënyrën se si ne të gjithë veprojmë në betejë. Që i frymëzon të gjithë, që të mund të mbështeten tek ajo, për të ecur përpara. Kush udhëheq me shembull dhe merr përgjegjësi i pari.

Një qendër, që del përpara dhe nuk ka frikë.
– Ne duhet ta marrim këtë qendër, këtë udhëheqje.
Sepse kemi një vit të vështirë elektoral përpara nesh.
Një vit, që të vijmë në pushtet, për të çliruar popullin shqiptar nga politikat që kemi kundërshtuar 12 vjet tani dhe për të sjellë në Shjqipëri vizionin që besojmë dhe meritojmë.

A mund ta bëjmë? Sigurisht që mundemi.
Votuesit janë në pritje. Për çdo demokrat që shkon në kutinë e votimit, 3 qëndrojnë në shtëpi. Kjo shifër duhet përmbysur. Duhet të shkojnë të katër demokratët në votime.

– Nëse mendojmë në mënyrë partiake, bëhet edhe më e lehtë. Por një vit nuk mjafton.

Fatmirësisht demokratët, miqtë dhe votuesit proigresistë nuk janë lodhur duke luftuar.
Por ajo ka nevojë për shkëndijën e saj, udhëheqësin e saj.

5. Së pesti. Shoqëria shqiptare është e lodhur. Ajo nuk do dhe nuk dëshiron tensione të tjera apo tone të larta që mundohen të imponohen në disa raste.
Kërkesa për një pjesë shumë të madhe të shoqërisë është stabiliteti dhe krijimi i kushteve të përshtatshme që ekonomia dhe vendi të ecin përpara.

“Du nga ty 600 vota, vrit veten…”/ Përgjimet që çuan në SPAK Artan Lamen: Lejen e ka premtuar shefi

Është zbardhur dosja dhe përgjimet për të cilën u pyet në SPAK pak ditë më parë Artan Lame. Emri i ish-kreut të Kadastrës del në përgjimet e bisedave të vartësve për blerjen e votave në zgjedhjelt lokale të vitit 2019.

Bëhet fjalë për çështjen ku kanë rënë në pranga më 26 prill të këtij viti, zyrtari i Kadastrës, Dritan Stoka dhe kryeplaku i Saukut në Tiranë, Agim Osmani. Të dy, gjatë kohës që Kadastra drejtohej nga Lame, kundrejt përfitimeve të paligjshme, kanë kërkuar votën për PS në këmbim të lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.

Në kuadër të këtij procedimi, Ish-kreu i Kadastrës Artan Lame u mor në pyetje për mbi 2 orë e 30 minuta në SPAK pasditen e 26 Qershorit.

Deri më tani Prokuroria e Posaçme ka vënë nën akuzë 4 persona por SPAK dyshon se në skemën e dhënies së lejes së legalizimeve kundrejt votës dhe presioneve për vendin e punës janë të përfshirë edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë.

Në dosjen voluminoze të siguruar nga Euronews Albania ku janë qindra orë përgjime përmendet edhe emri i Lames nga ish vartësi i tij Dritan Stoka, i arrestuar tashmë nga SPAK.

Bisedat datojnë pak ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Pjesë nga përgjimet:

Dritan Stoka: Ma le atë gjën, të ikim tek Izeti pra, këtu tek Osma, ke lokali, me Tan Lamen

Dritan Stoka: Kafe në zonë, me kë do bësh kafe, me kë do pini, që do çosh Lamen dhe Sonilën ?

I paidentifikuar: Leje legalizimi në dorë, i ka premtuar shefi, o Tan

I paidentifikuar: Atë porosinë e more të drejtorit ?

I paidentifikuar: A.T për punësim nga shefi, V.M për tu mbajtur në punë.

Krahas këtyre përgjimeve, SPAK dyshon se votuesit u vunë nën presion për të votuar për Partinë Socialiste, duke u kërcënuar me vendin e punës ndërsa në pah del edhe sistemi i patronazhimit të qytetarëve.

Pjesë nga përgjimet:

Dritan Stoka: O Gim un du nga ty 600 vota, bëj ca të duash, vrit veten

Dritan Stoka: Kë ke tjetër në patronazh, përveç këtyre, sa emra të tjerë ke ?

Dritan Stoka: Thuj, daja po nuk vouat thuaj, mua më heqin nga puna thuaj, bëja fakt të krym.

Po ashtu për këtë dosje nën akuzë SPAK ka vëne edhe ish juristin e Aluizmit Alqi Hajdini dhe sekserin Ylli Baruti të cilët nëpërmjet rryshfetit siguronin lejet e legazimit për ndërtimet informale.

“Berishës vulën, Ramës pushtetin, pazari i ndyrë kundër Shqipërisë”, Basha: Nuk dorëzohemi përballë padrejtësisë, alternativa jonë do jetë në zgjedhje

Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me krerët e degëve të qarkut Gjirokastër. Në fjalën e tij, Basha tha se pazari mes Ramës dhe Berishës, ku njëri mban vulën dhe tjetri zgjedhjet e vitit 2025, është në kurriz të shqiptarëve që duan ndryshim. Duke mos e pranuar këtë paligjshmëri, Basha përsëriti qëndrimin për rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit dhe se kjo rrugë do ndiqet deri në Strasburg. Ndërsa sa i përketë programit të PD, ai tha se do të jetë si alternativë për qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

“Berishës vulën, Ramës pushtetin në 2025, ky është pazari i ndyrë në kurriz të shqiptarëve që duan ndryshim, të demokratëve që u tallën nga Foltorja, me premtime për revolucion, e se do rrëzonin Ramën për 6 muaj, por përfunduan në prehrin e tij.
A mund ta pranojmë ne këtë? Mund të pranojmë paligjshmërinë? Mund të pranojmë mbajtjen me thonjë pas tranzicionit, që ka sikterisur shqiptarët nga vendi, për t’ia lënë vendin një grupi të vogël njerëzish që pasurohen, duke lënë në skamje shumicën dërrmuese të shqiptarëve?!
Ne nuk e pranojmë padrejtësinë, ne do të bëjmë rekurs për të çuar të drejtën në vend, për t’u kthyer demokratëve identietin e tyre euroatlantik, që është gur themeli i historisë sonë dhe boshti i alternativës sonë. Do ta ndjekim këtë rrugë deri në fund, deri në Strasburg, po të jetë e nevojshme. Sidoqoftë, ne do të jemi me çdo kusht në zgjedhje. Programi ynë, që u mirëprit nga të gjitha shtresat e shoqërisë, ekipi ynë, alternativa jonë do jetë në zgjedhje” – u shpreh Basha.

Basha gjithashtu tha se strukturat jënë në këmbë anembanë vendit dhe njerëz që kanë qëndruar për vlera, parime, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë të shkëputur nga hijet e të shkuarës. Ai shtoi se shqiptarët do të jenë përballë dy rrugëve, përball atyre që janë kundër SPAK, Reformës Zgjedhore dhe që duan të mbajnë në këmbë çorbën e 2008-ës, dhe rruga jonë që është për ndryshim për t’i dhënë fund tranzicionit.

“Strukturat janë në këmbë anembanë vendit. Janë njerëz që kanë qëndruar për vlera, parime, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë të shkëputur nga hijet e të shkuarës dhe modelet politike të dështuara, që kanë dëmtuar vendin. Pra, ne jemi gati për përballjen e zgjedhore. Për pak muaj shqiptarët do jenë përballë dy rrugëve. Atë të vjetrën, që nuk të çon askund, në të cilin ecin ata që janë në luftë me SPAK për të mbajtur në këmbë një sistem të korruptuar. Ata që po mbajnë peng Reformën Zgjedhore, sepse nuk duan lista të hapura, nuk duan votën e diasporës, nuk duan barazinë e votës, nuk duan votim dhe numërim elektronik, por duan të mbajnë në këmbë çorbën e 2008-ës, të gatuar nga Rama dhe Berisha, që ka helmuar demokracinën shqiptare. Rruga tjetër është rruga jonë dhe e gjithë atyre që duan një ndryshim të vërtetë, që i jep fund tranzicionit. Ne mbështesim fuqishëm SPAK, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çliruar potencialin e vendit që mbahet peng nga korrupsioni i kudogjendur. Ne qëndrojmë për një reformë të vërtetë zgjedhore, për të cilën kemi bërë propozime konkrete, të depozituarua prej muajsh në parlament, por që bllokohet nga hallexhinjtë e SPAK. Pra, ne qëndrojmë për një model të ri politik, që ka në qendër interesat e qytetarëve, e jo hallet e politikanëve, që punon për njerëzit dhe qëndron pranë tyre, që flet për hallet e tyre dhe ka një ofertë konkrete.
Ne qëndrojmë kryelartë në këtë rrugë dhe do bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike që ndajnë këtë vizion për politikën dhe të ardhmen e vendit” – tha Basha.

Kampionët e Botës/ OECD: Shqipëria vendi me peshën më të lartë të banesave bosh në glob

Shpopullimi i vendit për shkak të emigrimit masiv, por edhe zgjerimi agresiv i ndërtimit e kanë ngjitur Shqipërinë në majën e botës për një tregues problematik. Atë të banesave bosh. Kapitali ka kryqëzuar të dhënat e publikuara një muaj më parë nga OECD me ato të shpallura nga Censusi i popullsisë dhe banesave të INSTAT. Sipas tyre rezulton se Shqipëria është sot vendi me përqindjen më të madhe të banesave bosh në glob.

Përqindja e banesave bosh sipas vendeve

Por si arriti Shqipëria në këtë pikë? Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se pesha e banesave bosh ka ardhur në rritje që nga viti 2001. Por rritja duket se është përshpejtuar në dekadën e fundit, teksa vendi përballet me valët e reja të emigracionit masiv, ndërsa ndërtimi rritet me ritme të frikshme.

Në Censusin e vitit 2001, pesha e banesave të pabanuara në Shqipëri ishte sipas INSTAT vetëm 11.3 për qind e totalit. Në vitin 2011 shifra u rrit në 21.7 për qind, ndërsa në Censusin e fundit të vitit 2023, pjesa e banesave bosh arriti në 32.9 për qind. Kjo do të thotë se aktualisht në Shqipëri ka 356 mijë banesa të pabanuara.

 


Perqindja e banesave bosh ne vite

Fillimisht pesha e madhe e banesave të pabanuara i është atribuar emigracionit jashtë, por edhe migrimit të brendshëm, pra zhvendosjes së popullsisë nga fshati në qytet. Por të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se këto nuk janë më arsyet e vetme. Sipas INSTAT, pesha më e madhe e banesave bosh gjendet në pallate dhe nuk janë banesa individuale të braktisura në fshat.

Sipas INSTAT, aktualisht 40 për qind e apartamenteve në pallate janë bosh, të pabanuara. Kjo i korrespondon një shifre prej gati 180 mijë apartamenteve të pabanuara. Pra tashmë, problemi nuk është tek zhvendosja e popullsisë nga fshati në qytet, por zbrasja e apartamenteve në qytete.

Tregu i ndërtimit në Shqipëri paraqet një situatë me shumë paradokse. Pavarësisht stokut të madh të banesave bosh, që e ka nxjerrë Shqipërinë kampionen e botës në këtë tregues, sektori i ndërtimit vazhdon të zgjerohet me ritme të frikshme, veçanërisht në Tiranë, por edhe zonat bregdetare. Teksa 40 për qind e pallateve janë bosh, në Tiranë vazhdojnë të ngrihen kullat shumëkatëshe, të cilat garojnë me njëra tjetrën se cila ngjitet me lartë.

Dhe pavarësisht këtij bumi në ofertë, çmimet vazhdojnë të rriten me ritme të pandalshme. Për shumë ekspertë këto paradokse shpjegohen nga faktorë të tjerë përtej atyre legjitimë. Sipas tyre, tregu i ndërtimit riciklon dhe ushqehet nga paratë që vijnë nga burime të paligjshme, si trafiku i drogës, por edhe korrupsioni galopant. Kohët e fundit ky fenomen ka filluar të shqetësojë edhe vendet partnere, të cilat po e njësojnë bumin e ndërtimit në Shqipëri gjithmonë e më shumë me paratë e trafiqeve.

Një pjesë e stokut të pabanuar të banesave mund të shpjegohet edhe me blerjet e të huajve apo qytetarëve, të cilët e shohin ndërtimin si një mundësi investimi. Por pesha kaq e madhe e shtëpive bosh e çon Shqipërinë në një zonë rreziku. Aq më tepër që tangoja e ndërtimit vazhdon. Stoku i banesave pritet të rritet edhe më shumë gjatë viteve në vijim, teksa autoritetet kanë aprovuar miliona metra katrore leje ndërtimi dhe vazhdojnë të miratojnë me të njëjtin intensitet.

Spahiu: Berisha ka shanse të bëhet Kryeministër, aq sa Hysaj të bëj gol në finalen e Euro 2024

Shanset e kreut të PD Sali Berisha për tu bërë kryeministër, për juristin Kreshnik Spahiu janë shumë të vogla.

Ai tha se Partia Demokratike me Berishën në krye nuk mund të vijë në pushtet, pasi nuk pranohet nga ndërkombëtarët.“Berisha ka shance që të bëhet kryeministër aq sa ka Hysaj të bëjë gol në euro 2024. Partia demokratike nuk ka asnjë shance për të ardhur në pushtet. Edhe nëse Trump vjen të kandidojë për PD nuk e ngre dot PD në nivelet e marrjes së pushtetit. Një parti që vjen në rënie nuk ngrihet për 6 muaj. PD është katandisur ne 350 mijë vota. PD ka humbur në Shkodër, ka humbur Kamzën, e cila është vatrën ku organizoheshin të gjitha mitingjet. Berisha Berisha nuk pranohet nga ndërkombëtarët, ndërsa demokratët e pranojnë”, tha ai.

Kuvendi nuk i ka hequr mandatin Berishës edhe pse ka munguar në Kuvend.

Për juristin, Kuvendi duhet që ti drejtohej Gjykatës Kushtuese, e cila duhet që ta orientonte se si duhet që të veprohet në këtë rast. “Kjo është një çështje e diskutueshme nga Kushtetuta dhe kam shpresuar që Parlamenti të mos ishte i njëanshëm që njërit t’ja hiqte dhe tjetrit jo. Në të dyja rastet Kuvendi nuk duhet që të nxitohej dhe nuk duhej që të hiqte mandatin e Ahmetajt dhe të mos hiqte mandatin e Berishën. Mbajti dy standarde, por duhet që ti drejtohej Gjykatës kushtetuese dhe gjykata duhet që të interpretonte dhe të orientonte parlamentin për mënyrën se si duhet të zgjidhej mandati i Ahmetaj dhe Berishës. Duhej që gjykata të shprehje për këtë gjë. Lindita Nikolla merr atributet e Kuvendit që të thotë nuk do ti hiqet, por ka marr një direktiv nga Rama që të zbus marrëdhëniet me Rithemelimit”, tha ai.