21.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Asgjësimi i Reformës Zgjedhore, Alibeaj: Po bëhet për të ruajtur paktin e 2008-ës. Mos u çudisni nëse nuk i mbyllin listat në seancën e fundit

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve euroatlantik, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar në lidhje me asgjësimin që po i bëhet reformës zgjedhore. Në një postim në Facebook, ai shprehet se kjo bëhet për të ruajtur Status-Quon 34-vjeçare, ose paktin famëkeq të 2008-ës.

Alibeaj thotë se propozimet që bënë demokratët euroatlantik, për reformën zgjedhore i hiqte Ramës më së paku 8 mandate. Sipas tij, me Shqipërinë një zonë elektorale dhe listat e hapura, është e vetmja mundësi që jo vetëm të mundet Rama, por dhe e shkuara si sistem.

Ai më tej paralajmëron se për të ruajtur pazarin okult,nuk duhet të çuditemi që një natë para seancës së fundit dikush të nxjerr një amendament për të mbyllur listat dhe të votohet nga 110 e kusur deputet, njësoj si amnistia.

Postimi i plotë i Enkelejd Alibeaj:

https://www.facebook.com/share/CEuXor6jH8TBnwat/?mibextid=WC7FNe

Nuk ka qene spostim i Alibeajt nga Reforma Zgjedhore, por thjesht ruajtja e status-quo-s 34 vjecare, me saktë e paktit famekeq te 2008. Secili çifligun e vete dhe brenda tij hallin e vet.
Shqiperia 1 zone, ia hiqte Rames se paku 6-8 mandate qe i fiton qyl ne tavoline. Vetem keshtu i hiqej avantazhi i padrejte qe fitoi ne 2020 me heqjen e koalicioneve. Rama gjithesesi nuk mundet nese behen bashke partite e vjetra te halleve te medha (qofte edhe ne koalicion), por vetem nese mundesohet te behen bashke shqiptaret.
Shqiperia 1 zone dhe Listat e hapura jane e vetmja mundesi qe jo vetem te mundet Rama, por te mundet e shkuara si sistem (me gjithe Ramen brenda)!
Votimi elektronik do garantonte teknikisht listat e hapura dhe rezultat te atyperatyshem. E do hiqte nga kembet ferren e ushtrise se komisionereve, qe perben atavizmin e sistemit te vjeter elektoral e politik (tek sistemi patronazhist +komisionere Rama ka ngritur ngrehinen e vete te vjedhjes se pushtetit)
Vota e diaspores, (vote me te njejten garanci si shqiptaret brenda territorit, qe mesa duket tani jane me pak se votuesit shqiptare ne diaspore) u be e pamundur!
Cfare ndodhi, eshte asgje me shume e asgje me pak, sesa ruajtja e sistemit te vjeter politik ne nje pazar okult te shemtuar me njeri-tjetrin!
Per te mbrojtur secili pronen e vet! Per t’u mbrojtur nga SPAK! Duke spostuar e sakrifikuar te ardhmen e shqiptareve!
Mos u cudisni, kur nje nate para seances se fundit dikush te nxjerre nje amendament per te mbyllur listat, qe do votohet nga 110 e kusur deputete (ju kujtohet amnistia??!)
P.S.: 1- projektligji i nenshkruar prej meje eshte ne pritje te votimit ne seance
2- mohimi i se drejtes se votes efektive te shumices se shqiptareve qe ndodhen jashte Shqiperise, i ben zgjedhjet e ardhshme jolegjitime (..madje dikush mund te mendoje edhe te pavlefshme, dhe rruga per ne GJK mbetet gjithnje e hapur)
3- sistemi politik i vjeter heret a vone do hapet (me mire do ishte heret, pra tani, per te kursyer traumat politike dhe penale neser te kufomave politike)

Skandali i Onkologjikut, doktor Neli Demi: Tregues i qartë i keqmenaxhimit administrativ dhe teknik të institucioneve shëndetësore në vend

Doktor, Neli Demi, njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar të demokratëve euroatlantik, në një deklaratë për mediat është shprehur se rasti i onkologjikut por edhe dëshmitë publike nga qindra qytetarë janë tregues të qartë të keqmenaxhimit administrativ dhe teknik të institucioneve shëndetësore në vend.

Ai thotë se ky fakt i shoqëruar dhe me monopolet korruptive dhe konçesionet zhvatëse të parave të shqipëtarëve është pikërisht e kundërta e asaj që iu është premtuar.

Doktor Demi gjithashtu solli në vëmendje raportin e OBSH, i cili thoshte se shqipëtarët paguajnë barrën më të lartë në rajonin Europian të parave nga xhepi për të marrë shërbime shëndetësore (60%).

DEKLARATA E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË DEMOKRATËVE EUROATLANTIK, DOKTOR, NELI DEMI

Të dashur qytetarë!

Ajo që ka ndodhur në spitalin onkologjik, por edhe dëshmitë publike nga qindra qytetarë janë tregues të qartë të keqmenaxhimit administrativ dhe teknik të institucioneve shëndetësore në vend. Ky fakt i shoqëruar me monopolet korruptive dhe konçesionet zhvatëse të parave të shqipëtarëve është pikërisht e kundërta e asaj që iu është premtuar. Jo vetëm që shëndetësia nuk është falas, pasi nuk mund të jetë e tillë sepse paguhet nga taksat dhe sigurimet shëndetësore të qytetarëve, por sipas OBSH shqipëtarët paguajnë barrën më të lartë në rajonin Europian të parave nga xhepi për të marrë shërbime shëndetësore (60%). Jo vetëm që shërbimet shëndetësore nuk janë të sigurta, por mangësitë administrative apo teknike kanë vënë në rrezik jetët e qytetarëve nga marrja e gabuar e shërbimeve apo nga mos marrja e tyre. Jo vetëm që infrastruktura shëndetësore nuk është sipas standarteve bashkëkohore, por pajisjet e prokuruara ka 20 vite që nuk përdoren më në spitalet Europiane dhe lihen pa u vënë punë duke rrezikuar jetët e pacientëve, familjarëve dhe stafit.

Publikimi i komunikimeve të personelit shëndetësor nxjerr në pah gjithashtu një fenomen edhe më shqetësues sesa keqmenaxhimi që është mungesa e ndjeshmërisë dhe empatisë ndaj vuajtjes dhe dhimbjes. Është e vërtetë që raporti i individit me ndjeshmërinë dhe empatinë është individual por është gjithashtu i influencueshëm nga mirëqenia, rregullat, ligjet dhe zbatueshmëria e tyre. Qëndrimi i një shteti ndaj grupeve vulnerabël ku bëjnë pjesë fëmijët, të moshuarit, gratë, grupet e margjinalizuara, personat me pa-aftësi të lindur apo të fituar apo personave me sëmundje terminale tregon mbi moralin dhe shtyllat mbi të cilat ai shtet është ndërtuar.

Plagjatura programore e “autonomisë spitalore” e shpallur nga kryepërgjegjësi Rama me aq bujë, në kushtet e një boshllëku ideologjik dhe moral, jo vetëm që nuk mund të lëshojë rrënjë dhe rrezikon të “shkulet” me erën më të lehtë, por gjithashtu rrezikon të shëndrrojë mbretërinë korruptive të centralizuar në feude të copëzuara korrupsioni

Shqipëtarët nuk meritojnë një trajtim të tillë!! Shqipëtarët meritojnë më shumë!! Shqipëtarët meritojnë një sistem shëndetësor tërësisht të reformuar ku institucionet private dhe publike konkurojnë duke rritur numrin e përmirsuar shërbimet, një sistem shëndetsor ku qytetarët paguajnë sigurimet shëndetësore dhe zgjedhin vetë ku t’i marrin shërbimet, një sistem që kujdeset jo vetëm për shëndetin por edhe për dinjitetin dhe privatsinë e qytetarëve, një sistem ku profesionistët shëndetësor trajtohen si burime të vlefshme të shoqërisë dhe jo të “merren peng” nëpërmjet politikave absurde.

BIRN: Rëzuan Alibeajn dhe ngritën komision të ri Gjiknuri-Bylykbashi, Reforma Zgjedhore drejt dështimit total!

Pas 3 muajsh funksionimi grupi i negociatorëve nuk kanë arritur të hartojnë një draft të përbashkët ndryshimesh për Kodin Zgjedhor, ku përfshihen çështje për të cilat ka vendime të Gjykatës Kushtetuese, si vota e diasporës dhe përcaktimi i herësit në listat e kandidatëve.

Duket se shkaku i mosmarrëveshjeve gjendet dikur tjetër, tek kërkesa e PD-së për të rikthyer në fuqi një marrëveshje të vjetër të qershorit 2020, e cila u rrëzua me ndryshimet kushtetuese po atë vit që PS i votoi me një grup deputetësh opozitarë të dalë nga listat shumëemërore pas dorëzimit të mandateve të PD-së dhe LSI-së.

Bylykbashi ka vendosur si kusht për konsensus rikthimin në kod të koalicioneve parazgjedhore, kusht që sipas Gjiknurit nuk mund të mbajë peng gjithë reformën zgjedhore dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Një nga çështjet që kemi shtruar nga platforma është rikthimi të marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020, nënshkruar me konsensus nga PS dhe PD dhe mbështetur nga nivelet më të larta të diplomacisë”- tha Bylykbashi për mediat.

Sipas tij, “Rama e di që koalicioni kthen në pushtet opozitën, prandaj po mban peng reformën që të mbajë pushtetin me dhunë”.

PD i ka dërguar propozimin e saj zyrës së OSBE/ODIHR në Tiranë për të marrë një qëndrim të ekspertëve të huaj.

Por, për PS-në kjo është një kërkesë që nuk ka lidhje me reformën aktuale, e cila sipas Gjiknurit, nuk mund të mbetet peng e një marrëveshje të kaluar.

“Vendi nuk mund të rrijë peng i 5 qershorit”- tha ai pas takimit të grupit të dialogut duke akuzuar opozitën se nuk kishte pranuar as propozimet për numërim elektronik në qarqet kryesore dhe zgjidhjet për votën e emigrantëve.

Ai tha se ka ofruan gatishmërinë për të adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “E para ka të bëjë me votën e diasporës, e dyta është herësi, shpërndarja brenda forcave politike. Do të dalim me propozimet tona për shpërndarjen e mandateve. Nëse nuk bihet dakord, lista mund të interpretohet nga KQZ si e hapur plotësisht”, komentoi Gjiknuri.

Reforma zgjedhore kërkon një votë të cilësuar me konsensus politik në Kuvend gjë e bën të pamundur çdo vendim të njëanshëm për të ndryshuar dispozitat ligjore.

Një komision i posaçëm për Reformën Zgjedhore u ngrit nga Kuvendi dhe për 2 vite nuk arriti asnjë rezultat për shkak të balancave politike brenda opozitës, pasi grupimi i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha nuk përfaqësohej nga bashkëkryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj.

Por, edhe dialogu në një grup pune të ngushtë dhe larg syve të publikut duket se gjithashtu s’po jep rezultat./Reporter.al

Strategjia e Ramës, që do të shpartallojë në zgjedhje PD

Nga Ardi Stefa

Brenda qershorit, dy lëvizje në skenën politike, të cilat nga një pjesë e analistëve dhe shumica e elektoratit u konsideruan si “fitore e PD”, “rivendosje e drejtësisë”, “të shkuarjes së hakës tek i zoti”, “fitorja e mohuar për tre vite”; jam i bindur se Ramën e kanë bërë të qeshë nën mustaqe.

Sespse askush nuk e kuptoi apo nuk analizoi strategjinë e tij.

E kam fjalën për dhënien e vulës Rithemelimit në 11 qershor dhe deklaratën e Nikollës, e cila “interpretoi Kushtetutën” për të mos i hequr mandatin Berishës, sepse ka munguar me arsye.

Gëzimi i demokratëve ishte i ligjshëm.

Ishin fitoret më të rëndësishme pas “qetësimit dhe fikjes së flakadanëve dhe përdorimit siç duhet të krrigeve në Kuvend” me dhënien e dy komisioneve, të cilat, duhet thënë se ishin një e drejtë e mohuar ndaj opozitës.

Në 11 qershor shpërthyen me këngë e valle në seli e poshtë ballkonit, ndërsa në 26 qershor gëzimi, hareja dhe lumturia përveç selisë e poshtë ballkonit u zhvendosën edhe nëpër studiot televizive, Facebook, Instagram e të gjitha rrjetet e mundshme sociale që janë në qarkullim.

Madje shumica u bënë konstitucionalistë dhe filluan interpretimet e Kushtetutës për mungesat me arsye dhe ato pa arsye, për dëshirën që të shkojë Berisha në parlament dhe pengimit të shkuarjes së tij atje nga drejtësia e kapur e Ramës. Natyrisht, deri në vendimin e formës së prerë nga Gjykata, Berisha është “i pafajshëm” dhe se pas hetimeve, po rezultoi “i pafajshëm dhe i është hequr mandati”, çfarë do të bëhet me ato vota të elektoratit që janë për të për t’i përfaqësuar në parlament? Etj, etj…

Dhe ishin interpretime jo pa bazë, megjithëse ngrinin diskutime.

Një pjesë e tyre “harruan”, që deri një orë përpara flisnin për drejtësinë e kapur nga Rama dhe kërcënonin Nikollën dhe mazhorancën se do ta bënin tym e flakë dhe se mandati i Berishës për ta “ishte vija e kuqe!”

Në studiot televizive Noka & CO filluan që atë natë artikulimin se radhën tashmë e ka “lirimi i të burgosurit politik, Sali Berisha”…

Nga ana tjetër një numër jo i vogël politikanësh dhe analistësh folën haptazi për shkelje të Kushtetutës dhe për një marrëveshje dhe pazar të Ramës me Berishën, në mënyrë që të ruhet status quo-ja e establishmentit 34 vjeçar. U përmendën komisionet hetimore, u përmend dhënia e vulës, u përmend bashkimi i votave për Amnistinë Penale; u përmend komisioni anti- Spak, etj, etj. Madje u përmend edhe rasti i ish- kryeministrit Arben Ahmetajt, të cilit iu hoq mandati pa një pa dy!

U akuzua edhe kryeministri, të cilit iu përmendën rastet e panumërta të shkeljes së Kushtetutës, raste, të cilat janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Në rastin e Berishës u theksua se mandati i tij ka përfunduar ose është i pavlefshëm, sepse mandati nuk mund të mbahet në pamundesi për t’u ushtruar, pasi ai i takon popullit dhe jo deputetit. Për sa kohë ai nuk mund ta ushtroje këtë detyrë, ngaqë është në arrest me vendim gjykate, ai nuk mund të jetë deputet.
U argumentua se fatet e Ramës dhe Berishës janë të lidhur pazgjidhshmërisht dhe atyre iu duhet të mbajnë njëri- tjetrin përballë një kërcënimi serioz për ta: SPAK-ut dhe amerikanëve.

Në të dy këndvështrimet ka argumente logjike, juridike e politike të qëndrueshme.

Do të përpiqem të analizoj me pak fjalë argumentin tim. Atë të një strategjie të Ramës për të fituar lehtësisht në vitin 2025.
Dhe Rama ka treguar se është mjeshtër në strategjinë e fitimit të zgjedhjeve.

Në të dy rastet (si të marrëveshjes me Berishën, si të mosekzistencës së marrëveshjes me të) për Ramën, qenia e Berishës në krye të opozitës është fitore.

Për Ramën është më mirë një PD me Berishën në krye dhe pa komunikim me ndërkombëtarët, se sa një PD në dy pjesë, ku njëra prej tyre, teorikisht mund të thithë antiberishistët dhe një pjesë të mdhe të elektoratit gri dhe të fillojë të faktorizohet.

Prandaj Berishës iu la fushë e lirë. Suport i jashtëzakonshëm mediatik, ku përfaqësuesit e Rithemelimit kishin trefishin e kohës televizive përballë të gjithë kundërshtarëve të tyre dhe qeverisë. Faktikisht ishte “një i burgosur” i lirë, i cili theu të gjitha rregullat dhe masat kufizuese, pasi për mbi 180 ditë komunikonte çdo natë nga ballkoni me mbështetësit e tij, ndërtoi zyrë me sfondin dhe logon e PD, priti disa aktorë apo politikanë në pension dhe dha edhe disa intervista nëpër kanale të huaja televizive. Të gjitha këto krijonin përshtypjen e një pazari të nëndheshëm dhe komunikimi me kode ndërmjet Ramës dhe kreut të PD, i cili nisi një revolucion kundër kryeministrit, revolucion, i cili këtë të fundit e frikësonte deri në palcë.

Të gjitha këto sjellin një dobësim faktik të PD dhe forcim real të Ramës. Sepse antiberishistët dhe ata që besojnë tek drejtësia apo SHBA nuk do të bashkohen nën Berishën. Siç nuk do të votojnë PD demokratët e zgënjyer, as elektorati gri apo socialistët e pakënaqur me Ramën. PD do të ngelet forcë e rëndësishme opozitare, por aspak konkuruese për Ramën në zgjedhjet e ardhshme.

Prandaj Rama investon dhe mban “kundërshtarin politik”, sepse largimi i Berishës do të jetë çelja e rrugës për largimin e Ramës. Prandaj Ramës i intereson të mbajë Berishën në krye të opozitës dhe veten në pushtet, ndërsa Berisha dhe deputetet qëndrojnë në opozitë dhe sigurojnë mbijetesë politike.

Tani le të supozojmë se Rama nuk ka marrëveshje apo pazare të fshehta me Berishën. Argumentet e mësipërme mund të rrëzohen pjesërisht, por përsëri qëndrojnë, pasi Rama me shumë kujdes, duke përdorur funksionarët e lartë të PD dhe luftën e tyre të brendshme këto tre vite, investoi në ndërtimin e një opozite të përçarë, të dobët, aspak konkurruese, aspak fituese, qoftë edhe në perspektivë.

Investoi në mbajtjen gjallë të një opozite të çoroditur, aspak frymëzuese për elektoratin, aspak përthithëse për elektoratin gri, të cilën do ta mundë përsëri, si në 14 maj 2023 vetëm me një foto dhe me slloganin: “Asnjëherë prapa, vetëm përpara!”

Prandaj opozita përpara se të gëzohet apo të hidhërohet për vulën, logon, komisionet apo mandatin, duhet të kuptojë strategjinë e Ramës dhe të ndërtojë strategji, të cilat nuk e largojnë, por e afrojnë me votuesit.

U ndalua nëpërmjet një traktati me SHBA, por u shfuqizua! Putin thirrje për rifillimin e prodhimit të raketave bërthamore me rreze të mesme! Ç’përmbante marrëveshja me dy superfuqive

Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për rifillimin e prodhimit të raketave bërthamore me rreze të mesme dhe të shkurtër, që ishte ndaluar nëpërmjet një traktati me Shtetet e Bashkuara, tashmë të shfuqizuar.

Sipas ish-Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), të nënshkruar nga Mihail Gorbaçovi dhe Ronald Regani në vitin 1987, dy superfuqitë ranë dakort për të hequr dorë nga raketat balistike dhe me vetëdrejtim, bërthamore dhe konvencionale, me rreze nga 500 deri në 5500 kilometra.

Marrëveshja e nënshkruar eliminoi një kategori të tërë armësh bërthamore dhe filloi një sistem inspektimesh dhe verifikimesh në terren, thuhet në materialet e Shoqatës së Kontrollit të Armëve.

Sipas kushteve të traktatit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shkatërruan 2692 raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme brenda afatit për zbatimin e traktatit, më 1 qershor 1991, sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve.

Duke filluar nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë për moszbatim dhe dy vendet shkëmbyen akuza dhe mohime për moszbatimin për disa vite. Administrata e ish-presidentit Trump u tërhoq nga traktati në vitin 2019 pasi përmendi dyshimet për moszbatimin nga Rusia dhe shqetësimet për rezervat e raketave të Kinës.

Rikthimi i prodhimit të raketave është tani i nevojshëm, tha zoti Putin të premten gjatë një sesioni të transmetuar në televizion të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, sepse Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar prodhimin dhe vendosjen e raketave në Danimarkë dhe në Filipine.

“Sot dihet se Shtetet e Bashkuara jo vetëm që prodhojnë nga këto sisteme raketash, por i kanë sjellë tashmë në Evropë për stërvitje, në Danimarkë. Kohët e fundit u njoftua se ato ndodhen në Filipine”, tha udhëheqësi rus.

Ushtria amerikane njoftoi në prill se kishte vendosur me sukses një sistem raketash me rreze të mesme në Luzonin Verior, në Filipine, në kuadrin e një stërvitjeje ushtarake. Ushtria amerikane tha se “dislokimi i rëndësishëm shënon një moment historik për këtë aftësi të re, ndërsa rrit ndërveprueshmërinë, gatishmërinë dhe aftësitë e mbrojtjes, në koordinim me Forcat e Armatosura të Filipineve”.

“Duhet të fillojmë prodhimin e këtyre sistemeve goditëse dhe më pas, bazuar në situatën aktuale, të marrim vendime se ku, nëse është e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë, t’i vendosim ato”, i tha zoti Putin këshillit.

Lajmet për mundësinë e rifillimit të prodhimit të raketave bërthamore vijnë ndërsa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë. Zoti Putin kërcënoi kohët e fundit se do të vendoste armë konvencionale në distancë goditëse ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë, nëse armët e tyre me rreze të gjatë të dhuruara Ukrainës do t’i lejonin Ukrainës të godiste më thellë brenda territorit të Rusisë./voa

Nga mëngjesi deri në darkë, sa gota me ujë duhet të pini!

Legjendat urbane na kanë shoqëruar gjithë jetën, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin.

Më poshtë do të gjeni një listë me disa prej pretendimeve dhe këshillave mjekësore që janë ose nuk janë të vërteta

8 gota ujë në ditë?

Nuk është e nevojshme të numëroni gotat.

Studimet kanë treguar që njerëzit që pijnë një gotë ujë kur janë të etur, marrin mjaftueshëm për të qenë të shëndetshëm dhe të hidratuar.

Lëngjet, supat dhe perimet ju ofrojnë doza të rëndësishme të oksigjenit.

Mirë është të pini ujë, por pa e tepruar, pasi mund edhe të shkaktoni atë që quhet overdoza e ujit.

Ajo ndodh kur pini shumë ujë menjëherë ose kur pini më shumë se sa kërkon organizmi.

Veza të bën dëm për zemrën?

Ngrënia e dy vezëve në ditë nuk rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, thonë studimet e Harvard.

Vezët përmbajnë omega-3, amino acide të nevojshme për shëndetin e zemrës.

Nëse ke ftohtë do të ftohesh?

Nëse kaloni shumë kohë në ajër të ftohtë, nuk do të thotë që domosdoshmërisht do të sëmureni.

Përkundrazi, studimet kanë konfirmuar se njerëzit që kalojnë disa orë në temperatura nën zero janë më të shëndetshëm.

Bakteret lulëzojnë në ambiente të ngrohta të brendshme.

Multivitaminë çdo ditë?

Multivitaminat mund të merren vetëm nëse i rekomandon mjeku.

Ato nuk mund të zëvendësojnë ushqyesit që nuk merrni nga ushqimet.

Hani më shumë fruta, perime, drithëra, arrorë dhe vaj ulliri që të merrni vitaminat që ju nevojiten.

Hani mëngjes për të rënë në peshë?

Ngrënia e mëngjesit mban larg urinë por rënia në peshë është pak e tepruar.

Megjithatë, varet çfarë ushqimesh hani për mëngjes, ndjekur nga dreka dhe nga darka.

Sheqeri i bën fëmijët hiperaktivë?

Sheqeri është i dëmshëm për fëmijët por kjo nuk do të thotë se ata bëhen hiperaktivë ose humbasin përqendrimin.

Prindërit thjesht presin që kjo të ndodhë dhe fajësojnë sheqerin për sjelljen e fëmijëve.

Kërcitja e gishtave shkakton artrit?

Kërcitja e gishtave nuk shkakton artrit. Zhurma vjen nga formimi i gazrave në mes të kockave të gishtave.

Kërcitja nuk luan asnjë rol në formimin ose jo të kësaj sëmundjeje

Por mirë është të mos e bëni pasi, nëse i kërcisni gishtat gjatë gjithë kohës, duart do t’ju enjten dhe do të keni një shtrëngim të kockave./AgroWeb.org

INSTAT/ Rreth 40 për qind e apartamenteve në pallate janë bosh

Instituti i Statistikave raportoi se 40 për qind e banesave në pallate në territorin e Shqipërisë janë të pabanuara. Shifra e dalë nga censusi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave konfirmon edhe një herë shqetësimin e dyfishtë për shpopullimin e vendit, por edhe deformimin e madh në sektorin e ndërtimit.

Censusi 2023 ka numëruar 1 milionë e 82 mijë banesa të zakonshme me 2023.

Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1 për qind) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9 për qind banesave zakonshme të pabanuara.

Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 për qind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 për qind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 përqind.

Krahasuar me censusin e fundit, atë të vitit 2011 përqindja e banesave bosh thuajse është dyfishuar duke dëshmuar se gjithë rritja e ndërtimit këto kohë nuk ka shkuar për të akomoduar më shumë njerëz në banesa, por thjesht në rritjen e stokut të tyre dhe krijimin e qyteteve fantazmë anembanë vendit.

Dostojevski, një ftesë për pyetjet e pashmangshme të Njeriut

Nga Agim Baçi

A është e nevojshme që të shkojmë patjetër në shkretëtirën e humbjeve për të vlerësuar atë që kemi patur tonën, apo kemi edhe rrugë të tjera? A e mendon njeriu atë që ka, atë që është e tija apo për të, apo kujtohet për vlerë e tyre vetëm kur nuk i zotëron më? Çfarë ëndërron një njeri kur është në pikun e fundmë të mundësive për të jetuar?
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski është jo vetëm piktori i gjendjes njerëzore që vëzhgon në botën e mundimeve dhe kushteve të skëterrshme, por njëkohësisht edhe predikuesi i gjetjes së rrugëzgjidhjes për t’u ringritur e për të vlerësuar atë që vlen, atë që mund të na mbajë gjallë brenda kufijve të njeriut.
Përmes portreteve të sjella në romanin e tij “Shënime nga ‘shtëpia e të vdekurve’” – portrete që vijnë nga terri i thellë i njeriut të rrëzuar nga jeta,- lexuesi futet edhe në rrethin e pyetjeve pa fund për jetën, për atë që vlen. Por më parë se gjithçka duhet të mos i shmangesh një pyetje që Dostojevski ngre për të gjithë ne, kureshtarët e vdekshëm: A vlen t’i duam të tjerët dhe gjithçka përreth nesh vetëm pasi i kemi i humbur, apo duhet që të gjejmë udhët e t’i kuptojmë kur i kemi pranë nesh?
Dostojevski sjell këndvështrimin e botës nga “të vdekurit e gjallë”, përmes shënimeve të Aleksandër Petroviçit, një ish i dënuar për vrasjen e gruas nga xhelozia, e që kish mbetur në Siberi edhe pas përfundimit të dënimit. Darët e frikës, që kryqëzojnë deri edhe botën e ëndërrimeve, vijnë përmes një përshkrimi që të ngulitet thellë, duke patur ndoshta pasqyrën më të qashtër të asaj që njeriu nuk ka mundur dot ta përqafojë kur e ka patur pranë, fare pranë, gati si lëvizja e gjakut në damarin e qafës së tij.
“Të këtushmit kishin botën e tyre, që s’ngjante me asnjë botë tjetër, kishin ligjet dhe zakonet e tyre, kishin shtëpinë e të vdekurve, duke qenë të gjallë dhe bënin jetën që s’bëhej askund… Kishte nga ata që kishin vrarë fare rastësisht, po kishte edhe vrasës profesionistë, kishte banditë dhe kryebanditë, kishte thjesht batakçinj dhe marifetçinj të regjur, kishte dallaveraxhinj dhe kopukë. Por kishte dhe nga ata, për të cilët fort mirë mund të thuhej: e pse t’i kenë sjellë? Dhe secili kishte një histori të vetën, të turbullt dhe të rëndë si plumbi…. Rrallëkush tregonte për jetën e dikurshme, kërshëria nuk qe në modë, quhej diçka poshtëruese…”. (Fjodor Mihajlloviç Dostojevski, “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, Uegen).
Akim Akimoviçi, Gazini, Sushillovi, Aliu, Çekunovi, Osipi, Kulikovi, e dhjetra e dhjetra emra të tjerë, që vijnë sipas rrëfimeve të tyre, nuk janë veçse pasqyra e fytyrës së të vdekurve nga pafuqia për të parë jetën në sy në çastin e duhur, atëherë kur nuk ishin humbës. Por teksa janë në shkallën e fundmë të takimit me jetën, duan që t’i kthejnë shpinën vdekjes e të mendojnë se si mund të jetonin me ata që i kishin aq pranë. Por ja që i kanë humbur miqtë, pasuritë, e gjithçka që kanë bërë në jetë. Ka qenë ndoshta vetëm një çast që ka shkaktuar rrokullimën e jetës së tyre. E që nga ai çast, e gjithë bota e tyre është vënë përballë territ, ku vdekja u jep damkën e vet, duke i lënë sërish në tokë.
Bota që sjell Dostojevski nuk është thjesht “bota tjetër”, por është “jeta përtej”, atje ku dukesh thjesht një spektator – por një spektator i lojë me jetën tënde, sepse në skenë sheh vetveten duke luajtur keq, pa fantazi, dhe pa kurajë për të parë atë çfarë mund të kishe. E për ironi, skena atje të tregon se ke qenë vetë regjisori i shfaqjes që ku luajtur kundër vetvetes. Ndaj e shkuara te personazhet e romanit është vetëm një gjë që vetëm vetëtregohet, e që nuk dëshiron pyetje të tjera nga askush.
Në tunelin e shpërfytyrimit, Dostojevski pikturon me të gjithë ngjyrën e fjalëve podiumin e hiearkinë së të keqes, si në rrathët e ferrit. Dhe në atë terr, e vetmja që shtrin dorën kah njeriu është fuqia e pendesës, melodinë e së cilës Dostojevski e ka luajtur mes atyre që vdekjen shtrat ku presin. E megjithatë, ka shpirtra që ajo melodi pendese, edhe në kulmin e vet të tringëllimit, nuk i mbërrin, nuk i rrok, pasi kanë humbur çdo udhë për të dëgjuar zemrën kur rreh.
“Se ka njerëz që kanë për shok tigrin: u gufon zemra kur lëpijnë gjakun e tjetrit. Kush e provon makar dhe një herë këtë pushtet, këtë sundim të pakufishëm mbi trupin, mbi gjakun, mbi shpirtin e njeriut të bërë nga Zoti ashtu si ai vetë, kush provon këtë pushtet dhe mundësinë e plotë për të poshtëruar sa më s’bëhet atë tjetrin, që ka po atë ymër si dhe ai vetë të dhënë nga perëndia – ky me dashje apo pa dashje e humbet pushtetin mbi ndijimet e veta…. Shoqëria që sodit me shpërfillje dukuri të tilla, është e molepsur nga të këqia të mëdha. Kështu që e drejta që kanë disa për të ndëshkuar fizikisht të tjerët është një gangrenë e shoqërisë, është mjeti më i egër që mbyt ende pa lindur çdo orvatje qytetarie, është një faktorshkatërrimtar deri dhe asgjësues i vetë shoqërisë”. (“Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, f.172).
Përshkrimet dhe zhbirimet e jetës njerëzore e kanë kthyer Dostojevskin në “galerinë e nevojës për të kuptuar veten përpara se gjërat të mos jenë më në dorën tënde”. Siç thotë Stefan Cvajg në përshkrimin e jetës dhe veprës së tij, “Dostojevski, përmes vëzhgimeve të tij të pamata të qenies, mes ëndrrës dhe realitetit përvëlues, na ka afruar në shumë maksima për vetë jetën”.

Besimi fetar dhe minoritetet/ Censi zbulon shifra surprizuese, 99.4% me kombësi shqiptare, sa u deklaruan grekë, “zhduket” pakica maqedonase. 1.1 mln myslimanë, Katolikë më shumë se Ortodoksë

Këtë të premte u publikuan rezultatet e Censit të popullsisë për vitin 2023. Gjetjet janë interesante dhe sipas shifrave që prezantoi kreu i INSTAT, Elsa Dhuli në Shqipëri jetojnë 2 402 113 banorë. Në raport me CENSUS-in e vitit 2011, Shqipëria ka 409 mijë banorë më pak se 12 vite më parë. Në bazë të dhënave 99.4% e popullsisë janë me kombësi shqiptare, ose e përkthyer në shifra 2 186 917 banorë. Regjistrimi i popullsisë në terren u zhvillua gjatë muajve tetor-nëntor 2023.

Një nga pyetjet e censit ishte edhe përkatësia etno-kulture, ku 23 mijë 485 persona janë përgjigjur që janë grekë, egjiptianë 12.4 mijë, romë 9.8 mijë, bullgarë 7.1 mijë, boshnjakë 3 mijë dhe arumunë 2.5 mijë. Vlen të theksohet fakti që pakica e cila deri dje njihej si maqedonase nuk ekziston më nga rezultatet e Censit të 2023. Banorët që jetojnë në zonën e Pustecit në shumicë janë deklaruar bullgarë, ndërsa vetëm 2281 janë vetëdeklaruar minoritet maqedonas.

Nga shifrat e Censit, 134 451 persona nuk i janë përgjigjur pyetjes për kombësinë.

Minoritetet

Ndërkohë, sa i përket besimit fetar, 4 përqind janë përgjigjur se janë ateistë, 1.1 milionë myslimanë, katolikë 202 mijë, ortodoksë 174 mijë, bektashinj 116 mijë. Bie në sy se numri i besimtarëve të deklaruar të krishterë të besimit katolik janë më shumë se ata ortodoksë. 244 331 banorë nuk kanë pranuar ta deklarojnë besimin fetar.

Tabela E Censit

Besimi Fetar

Mysliman – 1.101.718
Mysliman-Bektashi 115.644
Krishterë-katolikë 201.530
Krishterë – Ortodoks 173.645
Ungjillorë – 9658
Tjetër besim – 3670
I pacilësuar – 332.155
Ateist – 85.311
Nuk përgjigjen – 244.331

Minoritetet

Grekë – 23 485 persona

Egjiptianë – 12 400 persona

Romë – 9 800 persona

Bullgarë – 7 100 persona

Boshnjakë – 3 mijë persona

Maqedonas (Maqedonia e Veriut) – 2281 persona

Arumunë – 2 500 persona

Nuk janë përgjigjur – 134 451 persona

Itali-Zvicër, Josa i bindur: Xhaka dhe Shaqiri mund t’i hapin punë axurrëve

Itali-Zvicër është supersfida e Europianit, që do të luhet sot.

Trajneri i njohur, Mirel Josa në “Euro 24” në News 24, tha se zviceranët mund të fitojnë falë Xhakës dhe Shaqirit.

“Në pozicionin që luan, Xhaka më jep kënaqësi. Ai është shumë i nevojshëm. Xhaka dhe Shaqiri mund t’i hapin punë Italisë. Unë do t’i jap Zvicrës një prioritet shumë të madh për përparimin që ka bërë këtë periudhë”
– tha ai.