18.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Monitor: Shëndetësia, nuk është thjesht faji i sistemit, është vullnet i qartë për abuzim

Aty ku ka ofertë të kufizuar dhe kërkesë të lartë, teoria ekonomike thotë se tregu zhvillon spekulimin. Por në tregje të pazhvilluara dhe me institucione rregulluese të dobëta, probabiliteti që të krijohen mekanizma abuzues në dëm të konsumatorëve dhe të bizneseve është shumë i lartë.

Shqipëria ka shumë raste të tilla, që nga monopolet e favorizuara nga qeveria, që konkurrojnë bizneset e tjera dhe mundësojnë mbajtjen e çmimeve apo shërbimeve të larta për konsumatorët, te koncesionet që shpesh nuk e ofrojnë fare produktin për të cilin paguhen me taksat e konsumatorëve.

E keqja më e madhe është kur kjo ofertë është e kufizuar nga institucionet shtetërore që shpenzojnë paratë e taksapaguesve për të ofruar një nga shërbimet më themelore të jetës së qytetarit, atë të kujdesit për shëndetin.

Hetimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës në Spitalin Onkologjik zbuloi vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka mundësuar ofrimin e një shërbimi të cunguar, si në sasi, ashtu dhe në cilësi, duke u krijuar mundësi abuzuesve të kanalizojnë shërbimet shtetërore në përfitime private.

Problemi fillon që te nënfinancimi i sektorit shëndetësor në vite. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 2.9% të asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për shëndetin, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Ky nivel është sa gjysma e mesatares botërore prej 6.5% e PBB-së dhe shumë më e ulët se e vendeve të zhvilluara të Europës, që arrin deri në 10%.

Për krahasim në rajon, Bosnja, Mali i Zi e Serbia shpenzojnë nga buxheti për shëndetin e qytetarëve të tyre mbi 6% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut, gati 5%. Edhe numri i mjekëve (18 për 10 mijë banorë) është sërish më i ulëti në Europë.

Financimi i ulët i qeverisë, i kombinuar me mungesën e personelit, shoqërohet me shërbime të dobëta, që i detyrojnë qytetarët të harxhojnë paratë e tyre për një shërbim që ata teorikisht duhet ta merrnin falas, pasi i paguajnë një herë taksat.

Shqipëria është shteti që ka pagesat më të mëdha nga xhepi për shëndetësinë në Europë, me rreth 60% të totalit, nga 17% që është mesatarja globale e këtij treguesi, po sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Në rang global Shqipëria renditet e 15-a, me vende si Afganistani, Guatemala, Bangladeshi etj. Rritja e peshës që qytetarët shpenzojnë vetë me gati 20 pikë përqindje në dy dekada është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor

Edhe ato financime që janë shtuar vitet e fundit kanë shkuar për mbulimin e pagesave për 4 koncesione të sistemit shëndetësor, që pak ose aspak kanë ndikuar në cilësinë e shërbimit, teksa disa prej tyre janë tashmë nën hetim nga SPAK.

Nga viti 2017-2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave janë shpenzuar gati 26 miliardë lekë për sterilizimin, dializën, check-up, laboratorë, të mjaftueshme për ndërtimin e 3-4 spitaleve të reja moderne.

Kalimi i fondeve drejt koncesioneve, që po rezultojnë problematike, me kosto të lartë për atë që realisht ofrojnë, është bërë në kurriz të rimbursimit të barnave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa në 2024, kjo shifër vlerësohet në vetëm 20.6%.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Në rastin e barnave, mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.

Në të kundërt, vit pas viti, pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje, duke arritur në 23.7% e fondeve që u grumbulluan nga kontributet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit.

Është e qartë se faji nuk është vetëm i individit, por shumë më i gjerë, i një mekanizmi të tërë shtetëror që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve atë që u ka premtuar dhe për të cilat u merr taksat, duke detyruar qytetarët me të ardhura më të ulëta të Europës të kërkojnë rrugë alternative për të “blerë” jetën.

Pra më e drejtë është të themi që sistemi është ngritur gabim dhe në format abuziv. Por a kemi thënë të plotë konkluzionin? Jo. Përveç sistemit, tashmë është e qartë që vullneti i qeverisë ka qenë i tillë që e ka mbështetur dhe e mban në këmbë me këmbëngulje këtë fenomen.

Arsyeja është e qartë. Atë e gjen në çështjet që janë në hetim nga organet e drejtësisë dhe Kuvendi, apo dhe në çështjet e tjera që nuk guxohet të hetohen, por tashmë janë sekret publik./ Monitor.al

Sot u pasuruam me 13% duke ndenjur

Nga Klodian Tomorri

Mora numrin e popullsisë që sapo shpalli INSTAT sot dhe nisa të përditësoj treguesit ekonomikë mbi kuadrin e fundit makro, që u miratua në qeveri një javë më parë.

Sipas tij, PBB e vendit është aktualisht rreth 2431 miliardë lekë. Mbi këto të ardhura dhe mbi shifrën zyrtare të popullsisë që ishte deri dje prej 2.77 milionë banorësh, kuadri llogarit se të ardhurat për fryme në Shqipëri janë 876 mije lekë (2431/2.77 mln banorë). Ose 8709 dollarë për frymë, ose 8059 euro për frymë.

Mirëpo tani ndryshojnë llogaritë. Për shkak të uljes së popullsisë në 2.41 mln banorë, treguesi i të ardhurave për frymë shkon në 1 milion e 8 lekë. Ose 9660 dollarë për frymë, ose 9260 euro për frymë.

Me pak fjalë, sot jemi 13 për qind më të pasur se një ditë më parë. Pa bërë asgjë, duke ndenjur.

Më e bukura është se tani jemi shumë afër kufirit për t’u klasifikuar si vend me të ardhura të larta. Kufiri zyrtar i të ardhurave për frymë për t’u klasifikuar si vend i zhvilluar dhe si vend me të ardhura të larta është 12 mijë dollarë për frymë dhe sipër. Jemi vetëm 2 mijë dollarë larg.

Nëse sheh historikun e 4 viteve të fundit, do të mjaftonin vetëm dy vjet për ta arritur. Me pak fjale në 2026 do na shpallin vend të zhvilluar në krah të SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Italisë e kështu me radhë. Sa të përzërë dhe ca të tjerë nga vendi komandanti.

Tani na ktheni një çikë atë këstin e tatimeve që paguam, po nuk e patët bezdi?

A ka ndonjë shpjegim “lajthitja’ shqiptare, me ndërtimet dhe çmimet e banesave?!

Nga Aranit Muraçi

Numri i banorëve në Shqipëri është tkurrur me rreth 400 mijë banorë për 12 vite, mes vitit 2011-2023, sipas të dhënave të Censit 2023. Nga ana tjetër stoku i banesave në të njëjtën periudhë është rritur me gati 400 mijë.

Censi vlerësoi se në territorin shqiptar nga regjistrimi i nisur më 18 shtator 2023 jetonin 2,412,113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, dhe jetojnë në 1,082,529 banesa të zakonshme (nga 686, 405 banesa që ishin në 2011).

Janë larguar nga vendi gjatë 12 viteve të fundit rreth 50 mijë banorë çdo vit, kryesisht të rinjtë dhe fuqia më aktive e krahut të punës, ose mosha më e interesuar për të blerë një banesë të re.

E ndërsa popullsia ka pësuar një rënie historike gjatë dekadës së fundit, edhe rritja e numrit të banesave është po ashtu historike, por paradoksalisht çmimi i banesave gjatë dekadës së fundit është dyfishuar, kryesisht në Tiranë.

Nga viti 2011 deri në 2023, sipas të dhënave të Censit, vendit tonë i janë shtuar 70 mijë banesa.

Sipas të dhënave të INSTAT, nga Censi i banesave 2023, nga 1 milionë e 82 mijë banesa, 726 mijë rezultuan të banuara. Në pjesën tjetër prej 356 mijë anketuesit nuk gjetën banorë brenda.
Duke i ndarë në kategori, INSTAT raporton se përqindja më e lartë e shtëpive të pabanuara rezulton në pallate. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se 39.4 për qind e apartamenteve rezultojnë bosh. Ose e llogaritur ndryshe janë gati 171 mijë apartamente bosh në mbarë vendin. Kjo tregon për një stok të madh pronash të pa shitura, ndërkohë që çmimet kanë arritur në shifra rekord dhe vazhdojnë të rriten.

E ndërsa ndërtimet bashkë me stokun e banesave shtohen shqiptarët jetojnë në banesa të vogla dhe të mbipopulluara, sipas të dhënave të fundit, pasi 47.1% e tyre janë me madhësi 40-69 metër katror, ndjekur nga 23.7% me sipërfaqe banimi 70-99 metër katror. Sipas të dhënave të Censit afro 26.1% e këtyre banesave janë ndërtuar para vitit 1981, ndjekur nga 37.5% janë ndërtuar nga viti 1981 deri në vitin 2000, dhe 36.4% janë ndërtuar nga viti 2001. Në 82.5% të pronave të banuara familja ishte pronare, në 8% ishte me qira dhe 8.7% kishin marrëveshje tjetër banimi.

Popullsia në rënie historike, oferta e banesave në rritje historike, çmimi i banesave në rritje historike?!

Kush i ka blerë dhe po i blen banesat që shtohen?!

Si shpjegohet?!

Mund të jenë tri faktorët: e para, si rezultatet i ‘çunave’ të Londrës që po zbatojnë me përpikmëri dhe pa “zhurmë” Amnistinë Fiskale deri në 2 milionë euro të cilën e propozoi dy vite më parë qeveria por e rrëzoi BE, ose Shqipëria është kthyer në një ‘parajsë’ për pensionistët italianë dhe ata europianë (të cilët po e zgjedhin gjithmonë e më shumë vendin tonë si banesën e tyre të fundit), ose shqiptarët janë pasuruar dhe janë ‘çmendur’ aq shumë gjatë dekadës së fundit saqë të gjitha kursimet po i çojnë për blerjen e një banese të dytë e kështu me radhë, në pritje të shpërthimit të “piramidës së banesave”.

Për të shpjeguar arsyet e dyfishimit paradoksal të çmimit të banesave të tre faktorët mund të kenë ndikuar, pa e ditur se cili më pak e cili më tepër. Nëse përjashtojmë të fundit, përforcohen dy të parat./Liberale.al

Censi 2023/ VOA: Tkurret popullsia e Shqipërisë, 429 mijë banorë më pak

Në Shqipëri, popullsia e vendit në vitin 2023 rezulton të jetë tkurrur me 15 përqind, krahasuar me 12 vjet më parë. Të dhënat e censit të popullsisë, të bëra publike sot nga Institut i Statistikave, deshmojnë se numri i banorëve në vend ka rënë me 429 mijë banorë me pak. Profesori i njohur I demografisë Arjan Gjonçaj, shpjegon se fenomeni i emigracionit shihet si faktori kryesor, së bashku më rënien e shtesës natyrore të popullsisë, si pasojë e uljes së lindjeve. Afro 600 mijë shqiptarë rezultojnë të jenë larguar që nga viti 2011.

Të dhënat e sotme të censit të popullsisë tregojnë se vendi gjendet përballë rënies më të fortë të banorëve. Nga pak më shumë se 2.8 milionë në vitin 2011, vitin e kaluar popullsia banuese ra në 2.4 milionë, gati 15 përqind më pak, ndërkohë që krahasuar me vitin 1989, Shqipëria ka humbur 1 të katërtën e banorëve të saj.

Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics”, shpjegon për Zërin e Amerikës, arsyet e këtyre shifrave. “Mesazhi kryesor është që popullsia e Shqipërisë vazhdonë të bjerë, dhe me një ritëm më të lartë se më parë, për shkak të emigracionit dhe lindshmërisë së ulët. Emigracioni mbetet dhe plaga më e madhe”, thotë ai.

Sipas Institutit të Statistikave, emigracioni ka ruajtur thuajse të njejtën tendencë si dhe në periudhën 2001-2011, me një mesatare prej 50 mijë personash në vit të larguar, ose 600 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin në 12 vitet e fundit. Por, po sipas censit, deri në 2023 afro 108 mijë të tjerë janë rikthyer, ku thuajse 26 mijë, vetëm vitin e kaluar, Sipas Profesor Gjonçajt “me rritjen e mirë të ekonomisë shqiptare, mund të kemi dhe një kthim të trendit pozitiv, madje disa nga ne mendojnë se mund të ndodhë brenda 5 viteve të ardhshme”

Problematike shfaqet shtesa natyrore e popullsisë, me një rënie progresive të lindjeve. Të dhënat paraprakee për vitin 2023 flasin për 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje. Krahasuar me vitin 2011 lindjet janë tkurrur me gati 30 përqind, dhe mbi 50 përqind krahasuar me vitin 2001.

Ky fenomen, së bashku me emigracionin dhe rritjen e jetëgjatësisë, po çon në plakjen e popullsisë. Mosha mesatare vitin e kaluar shkoi në 42 vjet e gjysëm, sipas censit, duke u rritur me 7 vite krahasuar me 2011. Të dhënat e Censit tregojnë se një në 5 banorë, është mbi 65 vjeç, ndërkohë që ky raport ishte 1 me 9 në censin e vitit 2011. “Plakja e popullsisë nuk është fenomen i ri. Ne këtë e dimë. Shqipëria ka shpejtësinë e plaksjes më të madhe në Europë. Dhe plakja vjen si rezultat i emigracionit dhe i rënies së fuqisë punëtore”, vë në dukje profesor Gjonçaj.

Sipas tij, janë dy probleme që duhet të trajtohen lidhur me moshat e treta: “Problemi i parë është kujdesi social. Ne kemi traditë që kujdesemi për prindërit. Por nga ana demografike, nuk ka më fëmijë, ose janë në emigracion ose ka lindëshmëri të ulët. Pra nuk ka djem e vajza që të kujdesen për prindërit. Ne nuk e kemi traditë kujdesin institucional. E dyta është kujdesi shëndetësor. Me rritjen e përqindjes së popullsisë në moshën e tretë, ne dimë që me plakjen rriten dhe sëmundjet kronike. Dhe kjo kërkon ose politika parandalimit për sëmundjet kronike, ose të përmirësohet shëndeti terciar që të përballojë sfidat që vijnë nga plakja”.

Të dhënat e Censit sollën dhe një panorama të lëvizjeve të brendshme migratore, të cilat kanë çuar që gati një e treta e popullsisë të përqëndrorhet në qarkun e Tiranës me një rritje me 1.2 përqind krahasuar me 12 vjet më parë, ndërsa vetëm Bashkia e kryeytetit numëron afro 600 mijë banorë. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me 10 përqind, pasuar nga Elbasani me 9.7 përqind të popullsisë. Ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2.6 dhe 2.5 përqind.

Në ndryshim nga viti 2011, kemi një përmbysje të raporteve meshkuj/femra. Këto të fundit rezultojnë të jenë 50.4 përqind e popullsisë. Ato janë po ashtu në superioritet të ndjeshëm ndaj meshkujve dhe sa i takon formimit universitar. Më shumë se gjysma e femrave kanë përfunduar studimet e larta, kundrejt vetëm 33 përqind të meshkujve.

Sa i takon besimit fetar, të dhënat e censit nuk kanë ndonjë surprizë. Ata që janë deklaruar se i përkasin besimit musliman janë mbi 1.1 milion, të cilëve u shtohen dhe 116 mijë muslimanë bektashinj. Të krishterët katolikë zënë vendin e dytë me mbi 200 mijë besimtarë, ata ortodoksë pasojnë me 176 mijë, ndërsa 9700 janë deklaruar të krishterë ungjillorë. 10 përqind e popullatës nuk i është përgjigjur pyetjes rreth besimit fetar, e 4 përqind janë deklaruar ateistë./VOA

“Unë e di që nuk jam i ri, por…”- Joe Biden u përgjigjet kritikëve për moshën një ditë pas debatit me Donald Trump: Kur të rrëzojnë, ngrihesh përsëri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u është përgjigjur të gjithë atyre që e kritikojnë për moshën.

Në një takim që ai mbajti një ditë pas debatit televizive me rivalin e tij Donald Trump, ai tha se është i vetëdijshëm që nuk është një djali i ri, por tha se të gjithë amerikane e dinë se “kur të rrëzojnë ngrihesh përsëri”.

“Unë e di që nuk jam një djalë i ri! Unë nuk eci aq lehtë sa dikur. Unë nuk flas aq lehtë sa dikur, nuk debatoj aq mirë sa dikur, por e di të vërtetën, di të ndaj të vërtetën nga e gabuara, di ta bëj këtë punë. Unë e di atë që miliona amerikanë dinë: kur të rrëzojnë, ngrihesh përsëri.”, raporton BBC.

“Nuk do të kandidoja më nëse nuk do të besoja me gjithë shpirt se mund ta bëj këtë punë”, u shpreh ndër të tjera Joe Biden.

Biden pretendon se “Vetë Amerika është në rrezik”, duke paralajmëruar se SHBA “askujt nuk i përulet kurrë – ndryshe nga djali tjetër, ne do t’i rezistojmë diktatorëve”, thotë ai, duke iu referuar kundërshtarit të tij republikan Donald Trump.

“Më shumë se çdo gjë, ne do të ruajmë dhe mbrojmë demokracinë tonë. Kjo është ajo që rrezikohet në këto zgjedhje,” thotë ai.

“Në Europian bëj tifo për Spanjën”/ Armando Broja flet hapur dhe zbulon ofertat në merkato

Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme se klube të shumta janë ofruar për ta blerë dhe në fjalët e pakta të Brojës, kuptohet se pritet diçka e madhe. Ylli shqiptar është emër i nxehtë në merkaton e legjionarëve.

Jo vetëm nga Anglia, por klube nga ligat elitare kanë në listën e tyre bomberin. Vetë 22-vjeçari ka pranuar se në drejtim të tij kanë ardhur oferta nga Bundesliga, Premier League dhe LaLiga.

“A kam ofertë nga Milani? Se di (Qesh), nuk mund të flas më shumë… Po, kam disa oferta nga Bundesliga, Premier League dhe LaLiga. Mundem edhe të qëndroj te Çelsi kam kontratë edhe për 4-5 vjet”, tha Broja.

I pyetur se për cilën kombëtare bën tifo në Europian, Broja u përgjigj: “Jam me Spanjën, sepse edhe babai është tifoz me Spanjën”.

Ndiheni gjatë gjithë kohës të lodhur? Ja tre sekrete për të rritur energjitë tuaja

Kur ndiheni të lodhur, gjëja e parë që ju mendoni është kafeja apo ëmbëlsirat. Por nëse doni të reduktoni ose nuk ju pëlqen sasia e kafesë që pini, ka zakone të thjeshta dhe të shëndetshme që mund t’ju ndihmojnë të rifitoni dhe mbani energjinë tuaj.

Filloni mëngjesin me një meze të lehtë
Kërkoni ushqime që kanë pak sheqer. Trupi juaj i përthith këto ushqime më ngadalë dhe nuk shkakton një rënie të papritur të energjisë tuaj. Kombinimi i karbohidrateve, yndyrës dhe proteinave është i mirë, karbohidratet ofrojnë energji të shpejtë, por proteinat dhe yndyrat do t’ju mbajnë të ngopur.

Provoni teknikat e stimulimit të frymëmarrjes
Frymëmarrja stimulon diafragmën dhe e bën trupin vigjilent. Me gojën e mbyllur, me frymëmarrje të shkurtër dhe të shpejtë , mund të thithni ose të nxirrni shpejt përmes hundës. Bëni këtë për rreth 10 sekonda dhe merrni frymë normalisht. Bëni një pushim dhe përsëriteni ushtrimin disa herë.

Merrni vitaminë D
Vitamina D, e njohur si vitamina e diellit , krijohet në trupin tonë kur ekspozohet ndaj dritës së diellit. Kjo vitaminë është thelbësore për kocka të forta. Nivelet e ulëta të vitaminës D mund të shkaktojnë lodhje dhe dobësi. Rritja e marrjes së vitaminës D redukton lodhjen e muskujve dhe i mban qelizat e muskujve të shëndetshme.

Rritni marrjen e vitaminës D:

Ngrënia e ushqimeve të pasura me vitaminë D (p.sh. të verdhat e vezëve, mëlçia dhe peshku i ujit të kripur).
Qëndrimi në diell për 15 minuta.
Marrja e suplementeve.
Flisni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të merrni ndonjë suplement.

Këshilltarët demokratë euroatlantik në bashkinë Durrës, kërkesë Prefektit: Refuzo tarifat e reja të parkimit në zonat A dhe B të qytetit

Këshilltarët demokratë euroatlantik në bashkinë Durrës, i kanë çuar një kërkesë Prefektit të Durrësit, që të mos pranojë projektvendimin e bashkisë për tarifimin e parkimit në zonat A dhe B të këtij qyteti.
Në një postim në Facebook, kreu i këshilltarëve Joni Myshketa, shprehet se argumentet e paraqitura prej tyre janë në koherencë të plotë me atë se çfarë kanë kërkuar që në fillim, duke qenë në shërbim të qytetarëve.
Myshketa gjithashtu shprehet se do të ndiqet çdo hap ligjor që çdo qytetar durrsak të ndihet i përfaqësuar dhe të marrë atë që ligjërisht i takon.

Postimi i plotë i Joni Myshketa:

Të nderuar miq e qytetar!
Bashkangjitur është kërkesa që kemi paraqitur sot pranë institucionit të Prefektit Durrës për mos pranimin e aktit në lidhje me projektvendimin e tarifimit të parkimeve në zonat A dhe B në Durrësin tonë.
Argumentet tona janë në koherencë të plotë me atë çka kemi kërkuar që në fillim në lidhje me nxitimin e këtij projektivendimit dhe të bazuara në ligj.
Të jeni të bindur që jam dhe do jemi përherë në shërbim të qytetit pasi mbi të gjitha jemi të njëjtë në raport me atë çka duhet të marrim nga Bashkia Durrës dhe kushdo institucion tjetër që mbahet me taksat tona dhe duhet të jetë në shërbimin tonë.
Do të ndjekim të gjitha hapat që na lejon ligji që çdo qytetar durrsak të ndihet i përfaqësuar dhe të marrë atë që ligjërisht i takon.
Me shumë respekt për secilin prej Jush!

Bluzat e bardha nuk mund të bëhen Kurban!

Nga Ermal Peçi

Që prej ditës së parë që lajmi se çfarë ndodhte në spitalin Onkologjik në QSUT u bë publik, jam menduar ta shikoj ftohtë atë se çfarë ishte krijuar aty. Jam munduar ta shikoj ftohtë për aq sa gjaku vlon, kur shikon se si bëhej biznes me vdekjen dhe si tentohej të bëheshin para nga të sëmurët me kancer. Mjekë që shkelin betimin e Hipokratit për tu bërë hipokritë duke humbur brenda vetes çdo qelizë njerëzore, humane, duke u kthyer në robotë, të cilët i përmbush vetëm leku pavarësisht se në çfarë gjendje ishte pacienti dhe sa i rrezikohej jeta. Letra e mësueses të ndjerë Ina Kasimati që jo vetëm e kishte paralajmëruar gjendjen katastrofike, por kishte treguar me detaje atë se çfarë ndodhte në atë institucion. Të paktën sipas hetimeve të bëra publike deri në këto momente ishte roli i mjekut Edmond Gashi, i cili jo vetëm i orientonte drejt privatit pacientët, por edhe i gënjente për gjendjen e tyre shëndetësore. Prej dy ditësh kam folur shpesh me kolegë, miq dhe mjekë për këtë problem duke diskutuar se a është faji i individit apo i sistemit. Në fakt në këtë dosje ka një episod që tregon se përveç mjekut Gashi që bënte pazar me vdekjen ishte edhe një mjek që emri i të cilit nuk bëhet publik, i cili kishte ngritur zërin disa herë tek drejtoria e QSUT për pajisjen e kancerit, e cila jo vetëm që nuk punonte, por rrezikonte dhe jetën e pacientëve të tjerë. Askush nuk po flet për këtë bluzë të bardhë, i cili pavarësisht situatës që kishte ngrinte zërin për ta ndryshuar situatën, askush nuk fokusohet tek ky episod sepse realisht sistemit të shëndetësisë i duhen bërë Kurban bluzat e bardha për të fshehur atë që kjo qeveri ka ngritur. Edi Rama ka për qëllim të bëjë Kurban këdo, i cili i zbulon fytyrën e vërtetë të sistemit që ka ngritur. Që në vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe vendosi në krye të shëndetësisë Ilir Beqja nisi një gjuheti shtrigash ndaj bluzave të bardha për të fshehur aferat me miliona euro që tashmë SPAK po i heton. Në çdo spital u vendos një banderolë e madhe ku lexohej: “DENONCO MJEKUN”, a thua që ai profesion, i cili konsiderohet nga më fisnikët pasi shpëton jetë, të shikoheshin si hajdutët e rëndomt të asaj që kishin dhe kanë krijuar politikat e gabuara të partive politike. Në asnjë spital askush nuk flet për protokollet mjekësore që në çdo vend të zhvilluar të botës janë të mirëpërcaktuara dhe për më shumë në sa e sa raste mjekët përballen me ofendime, dhunë verbale deri në kërcënime me jetën, të cilat jo vetëm jua u vështirësojnë profesionin por i fut në një luftë psikologjike me veten ku bluzat e bardha konsiderohen si hajdutë nga opinioni publik.
Askush sot nuk flet për monopolin që është krijuar në spitalet private dhe askush sot nuk flet për mafien e ilaçeve që kontrollon emërimet adminiatrative në shtet dhe emëron mjekët, pse askush nuk flet as nga qeveria, por dhe opozita, e cila dhe komisionin e shëndetësisë mbylli gojën për një sërë hetimesh. Këto janë pyetjet që duhet secili prej nesh t’i bëjë në këto momente, të cilat tabela kryesore e qitjes janë bërë mjekët. Pyll pa derra nuk ka kështu që edhe mes bluzave të bardha ka individë që bëjnë pis fytyrën e tyre, por dhe bluzën e mjekut, por kjo nuk do të thotë t’i përgjithsojmë e t’i fusim të gjithë në një thes. Universiteti i Mjekësisë jo vetëm ka prodhuar bluza të bardha, të cilat shpëtojnë jetë, por ne kemi parë që ka prodhuar dhe studentë kurajozë që padrejtësisë i kanë thënë STOP dhe kur vetë ligji i kësaj qeverie kërkonte t’i mbante me zorr në Shqipëri gati, gati një ligj diktatorial ku në vend t’ju përmirësonte kushtet, kërkonte t’ju mbyllte dyert me pretekste qesharake. Prandaj sot duhet të shikojmë ftohtë atë që realiteti politik ka prodhuar, se çfarë sistemi ka ngritur klasa politike dhe se çfarë peshe ka mjeku në këtë sistem sepse bluzat e bardha nuk mund të bëhen kurban as i politikës, por as i mllefit shoqëror.

Basha: Programi ynë ekonomik forcon ekonominë, krijon vende pune me paga të larta

Në intervistën për emisionin “Ekspres” në RTSH, Lulzim Basha, foli edhe për programin e parqitur nga Demokratët Euroatlantik. Basha tha se me taksën 9%, ekonomia shqiptare forcohet dhe më shumë duke sjell rreth 4 miliardë euro më shumë të ardhura. Sipas tij, kjo do të sjell edhe shumë vende të reja punë dhe me paga të larta.

“Taksa e sheshtë 9% do të kthejë konkurrencën, dsot në Shqipëri nuk ka konkurrencë. Edhe ato kompani që kishin filluar të ndërtonin një prodhim me orientim tregun e brendshëm dhe të jashtëm, janë shkatërruar nga ekonomia informale që ka zhvleftësuar euron, ka forcuar lekun pa asnjë justifikim dhe e gjitha kjo bie në kurriz të sipërmarrjeve shqiptare që nuk paguajnë dot punonjësit e tyre, në një inflacion të tmerrshëm. Me taksën e sheshtë 9%, ne kthejmë faqen, në fakt kur i thonë kthejmë timonin e ekonomisë shqiptare, ne stimulojmë një rritje të re ekonomike, ne stimulojmë të gjitha sipërmarrjet ekzistuese por dhe thithim investitor dhe investime të tjera qoftë me kapital të brendshëm apo me kapital të huaj. Është taksa më konkurruese në Ballkan, vetëm Mali i Zi ka këtë nivel taksash, dhe mbi të gjitha luftojmë informalitetin.

Sepse me 9% tatim mbi të ardhurat personale, për të ardhurat mbi 500 mijë lekë të vjetra, sepse 500 miëj lekëshi i parë përjashtohet, bëhet me taksë zero. 9% për tatim fitimin për bizneset me xhiro mbi 140 milionë lekë të vjetëra, ato që janë nën 140 milionë lekë të vjetra konsiderohen biznes i vogël dhe paguajnë si total detyrimesh, jo më shumë se 1% të xhiros të pushtetit vendor. Dhe 9% taksë për dividentin, që sot është 8%, është e vetmja që rritet shkon nga 8 në 9, me qëllim që të formalizohet dhe askush të mos bëjë lojëra të kalojë nga këtu aty. Të deklarojë divident, në vend që të deklarojë rrogën e sipërmarrësit.

Ajo që shqiptarët duhet të kuptojnë, është që kjo taksë do të sjell vende të reja pune, paga më të larta. Dhe dy, do të thotë që nuk ka më bilance të falsifikuara. Dhe sipas simulimeve të ekonomistëve më të mirë të Shqipërisë me çertifikim të ekonomistëve gjermanë të partisë tonë simotër CDU-së, ne do të jemi në gjendje që vetëm 4 vitet e para, t’i japim shtetit, publikut shqiptar deri në 4 miliardë euro më shumë të ardhura, të cilat ne do t’i përdorim për të stimuluar zhvillimin ekonomik.

Për të dnërtuar 4 kampuse, ku do të vijnë profesor shqiptarë që kanë bërë emër në teknologjinë e informacionit në botë, amerikanë dhe europian, me qëllim që brenda 4 viteve 25 mijë të rinj dhe të reja shqiptare të kenë mbaruar për teknologjinë e informacionit dhe të jenë të gatshëm për një treg pune që sot paguhet jo më pak se 2 mijë euro në muaj. Pra krijojë një shtresë të mesme të mirëshkolluar. Sigurosht kjo ka një faturë dhe kjo duhet paguar. Dhe sot nuk paguhet, sepse paguhen koncensionet e korruptuara, paguhet korrupsioni i shfrenuar dhe vdekje ndjellës i shëndetësisë falas, që s’është as shëndetësi as falas, paguhen inceneratorët. Me planin tonë i jepet fund korrupsionit, këto para shkojnë tek shqiptarët dhe tek fëmijët e tyre” – tha Basha.