19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Udhëtime me Veliajn?/ Kush është Elman Abule, biznesmeni kontrovers i dënuar në Belgjikë si pjestar i grupeve kriminale

Elman Abule, biznesmenit të cilit prokuroria e Tiranës i sekuestroi 50 milionë euro pasuri, është një emër jo shumë i njohur për publikun. Ai ka shtetësi belge dhe është përfshirë prej gati një dekade në botën e tregtisë, kryesisht në aktivitetin e metaleve. Abule ka ruajtur një profil të ulët publik. Megjithatë, në media është publikuar një foto e tij, në aeroportin e Romës, në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Foto është publikuar në disa media dhe vërtetësia e saj nuk është kundërshtuar, të paktën publikisht, nga asnjë prej dy subjekteve të saj.

Nga pamjet në foto, e cila besohet se është shkrepur në vitin 2019, dallohet se Veliaj dhe Abule kanë njohje të konsiderueshme dhe se udhëtimi i tyre duhet të ketë qenë për qëllime turistike, nisur nga çantat e shpinës që kanë me vete.

Dhe lidhjet e tij me pushtetin me sa duket i kanë funksionuar. Në 26 prill të vitit 2022, një nga kompanitë e tij e quajtur Ventur mori leje për ndërtimin e një turbine eolike në Bashkinë Pukë.

Leja e turbines eolike per Abulajn dhene nga KKT ne 2022

Këtë të premte, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonimik në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganeve, Tatimeve, kërkoi vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në zotërim të shtetasve 7 shtetasve mes të cilëve, Elman Abule dhe Kristian Bocci dhe pasurive të disa subjekteve tregtare të provuar si në administrimin e shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Nga vlerësimi paraprak rezulton se vlera e pasurive të jetë 50 milionë euro.

Sipas prokurorisë, nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit E. A. në bashkëpunim me shtetasin K. B., E. B. etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre. Shtetasi E. A. rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.

Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, shtetasi Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve K. B. apo V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Gjykata Kushtetuese: Pse e rrëzuam pjesërisht ligjin, profesionistëve nuk iu la kohë të përshtateshin me skemën e re

Gjykata Kushtetuese ka dhënë argumentat e saj për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit të ri pr tatimin mbi të ardhurat, sipas të cilit profesionistët e lirë do të tatohen njësoj me bizneset e tjera në janar të vitit 2030 dhe jo nga 1 janari 2024 kur parashikonte ligji.

Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Gjykata njoftoi se mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit nr. 29/2023, për Tatimin mbi të Ardhurat dhe të nenit 4 te VKM-së nr. 753/2023, i ashtuquajturi tatimi mbi të ardhurat e të vetëpunesuarëve që ofrojnë shërbime profesionale.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 27.06.2024 njëzëri vlerësoi se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e çështjes dhe se të gjithë kërkuesit ( 1/5 e deputetëve, Dhoma e Avokatisë, Shoqatat e kontabilistëve të miratuar dhe ekspertëve kontabël të autorizuar IEKA dhe IKM) legjitimohen për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, sipas objektit të kërkesës së tyre.

Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit.

Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Sa me sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:

Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023.

Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Bagëtitë e sëmura me brucelozë kontrabandohen në Shqipëri! Vetting zbulon skandalin që po rrezikon shëndetin e qytetarëve! Tre qytetet me problematike

EMISIONI VETTING/ Armand Kullau

Zyrtarët e lartë favorizojnë trafikantët e mishit

Më 10 maj 2024, pas disa muajsh hetimesh, policia greke shkatërroi tre grupe kriminale, mes të cilëve edhe falsifikuesit e certifikatave të bagëtive të sëmura. 6 persona u ndaluan nga prokuroria greke pasi kishin lidhje me një thertore private në Bashkinë Sintiki, në Seres, dhe me mjekët veterinerë publikë. Në pranga përfunduan 4 veterinerë dhe dy anëtarë të bordit të thertores në veri-lindje të Greqisë, të cilët akuzoheshin se kishin krijuar certifikata lindjesh dhe therjesh false për gjedhë dhe bagëti të imëta.

Veterinerët e arrestuar ishin pjesë e një skeme korruptive që kishin krijuar bashkë me blegtorët grekë, që këta të fundit të siguronin subvencionet nga shteti i tyre.

Por saga nuk mbaron këtu. Ligjërisht, si anëtare e Bashkimit Europian, Greqia i asgjëson kafshët me sëmundje infektive. Por nga mediat greke nuk u vu re asnjë lajm i tillë për rastet e zbuluara, duke hedhur dyshimin se këto kafshë të infektuara, nëpërmjet certifikatave falso të bagëtive, të lëshuara nga veterinerët e arrestuar, mund të jenë eksportuar normalisht nga doganat greke jashtë Greqisë, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Dyshimet se kafshët janë futur në Shqipëri?

Një ditë pas arrestimeve në Greqi, Prokuroria e Korçës do të niste hetimet për 78 krerë bagëtish të llojit gjedhë, që rezultonin të pamatrikulluara, pra të pashënuara më parë si pjesë e blegtorëve. Sipas veterinerit të shërbimit publik, Baki Myrtollari, këto kafshë janë importuar nga Greqia.

“Është një gjë e veçantë dhe e rrallë sepse këtu kontrabanda bëhet nën hijen e njerëzve me influencë të madhe. Këtë po e them për arsye se rasti më tipik, më datën 11 maj 2024, unë kisha informacion që do bëhej një kontrandë e madhe me lopë nga Greqia dhe me insistimin tim total dhe të fuqishëm edhe në instancat e policisë së shtetit dy ditë rresht, që këmbëngula që këto kafshë të kapeshin, pasi policia greke kishte njoftuar edhe policinë shqiptare. Policia shqiptare shprehej se nuk kishte informacion, këtu unë kam insistuar. “ – thekson per Vetting, Baki Myrtollari.

Fillimisht këto kafshë importi janë identifikuar nga shërbimi i veterinarisë publike në Korçë, i cili ka marrë masa duke gjobitur subjektin që i importonte dhe më pas çështja i është referuar Prokurorisë së Korçës.

Në dallim nga Greqia, Shqipëria nuk e asgjëson mishin e infektuar, por e përdor për konsum nën kushte specifike sanitare, sipas ligjeve në fuqi, duke ngritur dyshime të forta se Shqipëria është një vend i favorshëm për të shitur mishin e infektuar me brucelozë.

SIGURIA USHQIMORE NË RREZIK

“Vetting” sjell në këtë episode problematikën dhe lidhjet e firmave importuese të gjedhëve dhe bagëtive të imëta me drejtues të lartë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë.

Plani për evidentimin e kontrabandës së gjedhëve dhe zbulimin e autorëve është krijuar fillimisht nga zyra e Drejtorisë Veterinare dhe Mbrojtjes së Bimëve Rajonale, Elbasan, me urdhër të ish-Drejtorit Fatmir Ozuni. Ka qenë një nga veterinerët e caktuar nga ish-Drejtori Fatmir Ozuni, Baki Myrtollari, i cili ka zbuluar dhe ka marrë masa ndaj tregtarëve të importit të kafshëve të gjalla, të cilët sillnin gjedhë, dele dhe dhi të pamatrikulluara nga Greqia dhe Bullgaria.

Sipas mjekut veterinar në Korçë, Baki Myrtollari: “Unë jam një mjek veteriner i shërbimit veterinar të Republikës së Shqipërisë i emëruar në njësinë administrative Miras, të qarkut Korçë. Në kontratën e punës në këtë zonë që kam marrë është që të bëjë, identifikimin, matrikullimin dhe certifikimin e kafshëve që lëvizin në këtë terren. Krahas kësaj detyre me urdhër të drejtorit të Qarkut të Elbasanit, Fatmir Ozuni është që të bëj edhe kontrollin e vijave kufitare, kryesisht të brezit të gjelbër të Qarkut të Korçës.

Ne jemi barrikada e parë, për të parandaluar dhe sëmundjet te kalimit në njerëz. Pra, për të garantuar sigurinë kombëtare të njerëzve. Pra, ne kemi detyrën parësore dhe kjo më bëri që të punoj me zjarr, me vullnet të fortë të hekurt në luftën kundër kontrabandës së kafshëve që vijnë nga Greqia.”

Megjithatë situata është e rëndë pasi në të paktën dy raste, shërbimi veterinar publik ka zbuluar se gjedhët kanë qenë të infektuara me sëmundjen e brucelozës, ç’ka hedh dyshimin se kemi të bëjmë me trafikimin e bagëtive që në shtetin fqinj deklarohen si të groposura. Ky trafikim gjedhësh të infektuara tashmë rrezikon edhe një pjesë jo të vogël të bagëtive në të gjithë vendin.

Sipas Prof. Xhelil Koleci në Fakulteti i Mjekësisë Veterinare:“Historikisht sëmundja ka qenë e përhapur në pjesën e jugut të Shqipërisë, në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë, por tani është e përhapur në të gjithë Shqipërinë. Momentalisht kam disa raste në Qarkun e Peshkopisë, të Elbasanit dhe Gramshit.”

Bagëtitë e sëmura me brucelozë kontrabandohen në Shqipëri! Vetting zbulon skandalin që po rrezikon shëndetin e qytetarëve! Tre qytetet me problematike

Vetting/ Mishi me brucelozë kontrabandohet në Shqipëri, ekspertët ngrenë alarmin: Konsumi çon në sterilitet, invaliditet deri në humbje jete! Çfarë duhet të keni kujdes

Vetting siguron pamjet! Kontrollori dhe importuesi i kafshëve të dyshuara me brucelozë drekojnë në një tryezë! Lidhjet e drejtorit të AKVMB me biznesmenin

Denoncuan importin e bagëtive me sëmundje, Vetting: Si u shkarkua nga detyra drejtori dhe veterineri! Nga “Tona shpk” te “AFA shpk”, ‘lista e zezë’ e subjekteve që përdorën influencën tek politika

Evakuim mjekësor në Gaza, fëmijët e sëmurë rëndë do të largohen nga vendi përmes vendkalimit Kerem Shalom

Një grup fëmijësh të sëmurë rëndë do të largohen nga Gaza, i pari evakuim mjekësor i tillë që nga fillimi i majit, kur Izraeli mori kontrollin e Rafahut, vendkalimit të vetëm kufitar të territorit me botën e jashtme.

Sipas zyrtarëve palestinezë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), njëzet e një të mitur, përfshirë pesë me kancer, do të udhëtonin përmes kalimit Kerem Shalom në Izrael të enjten.

Nuk ishte menjëherë e qartë se ku do të trajtoheshin fëmijët, shumica e të cilëve ishin të shoqëruar nga një i afërm. Shumë nga kujdestarët qanë ndërsa pacientët u transferuan të enjten në mëngjes nga spitali Nasser në Khan Younis.

Kamela Abuweik, e cila nuk u lejua të udhëtonte me djalin e saj, që do të thotë se ai duhej të shoqërohej nga gjyshja, tha për agjencinë e lajmeve AP: “Ai ka tumore të përhapura në të gjithë trupin dhe ne nuk e dimë se cila është arsyeja. Dhe vazhdimisht ka temperaturë. Ende nuk e di se ku po shkon.”

Egjipti ka refuzuar të rihapë pikën kufitare Rafah, e vetmja rrugëdalje nga territori për civilët që ikin dhe kanali kryesor për ndihma, pasi forcat izraelite e pushtuan atë në fillim të operacionit të tyre tokësor në zonë muajin e kaluar.

Zyrtarët e Kajros kanë pohuar se kalimi që kur shpërtheu lufta, i vetmi për civilët që largohen nga territori, duhet të kthehet në kontrollin palestinez.

Pas nëntë muajsh konflikt, sulmet ajrore izraelite dhe luftimet tokësore me Hamasin kanë shkatërruar objektet mjekësore të Gazës, me më shumë se 25,000 njerëz që tani kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, tha Dr Mohammed Zaqout, kreu i spitaleve të zonës, në një konferencë për media të enjten.

Mbyllja e Rafahut ka ndikuar gjithashtu rëndë në shpërndarjen e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmave të tjera. Një raport i OKB-së i publikuar këtë javë zbuloi se një e pesta e popullsisë 2.3 milionëshe të rripit ishte ende në rrezik të lartë të urisë. Izraeli mohon se ka krijuar kushte urie, duke fajësuar agjencitë e ndihmës për problemet e shpërndarjes dhe duke akuzuar Hamasin për devijimin e ndihmës.

“Shije të hidhur nga ndeshja me Italinë”, Cana analizon Shqipërinë e Euro 2024: Kemi potencial që duhet të menaxhohet, e padiskutueshme me Silvinjon

Rekordmeni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana, mendon se paraqitja e Shqipërisë në Euro 2024 duhet të cilësohet pozitive. Ish-kapiteni i kuqezinjve ka analizuar lojën e skuadrës në fazën në grupe të turneut dhe mendon se përtej eliminimit, gjithçka duhet vlerësuar pozitivisht, pasi ekipi tregoi se ka kualitet dhe qëndroi në lojë në çdo sfidë.

Ai analizoi paraqitjet e disa lojtarëve ndërsa insistoi se duhej të vazhdohej puna që ishte nisur me Silvinjon në drejtim.

“Dua ta filloj nga skuadra. E dinim se në portë do ishte Etriti, por më pas trajneri vendosi që të ishte Tomi. Tomi ka bërë një performancë të mirë. Baza e kësaj skuadre mbetet Berati, që po bën një performancë të jashtëzakonshme me Atalantën, është djalë i jashtëzakonshëm, drejton ekipin dhe është stabël.

Edhe Arlindi që kishte kohë që nuk rrinte në nivel të lartë, ishte mirë. Për mua, lojtari që ka qenë në vazhdimësinë e tij përveç Beratit ishte Mario Mitaj. Mitaj ka qenë një lojtar që ka qenë në nivel të mirë.

Asllani mbetet një siguri dhe forcat tona kryesore për vitet që do vijnë. Një lojtar që flitej për cilësitë e tij, është Arbër Hoxha që është një armë që e disponojmë për të ardhmen. Kemi një skelet që mund të ndërtojmë me të. Në sulm kemi Brojën, që ne duhet ta menaxhojmë mirë. Manaj ka bërë më të mirën e tij. Kemi potencial dhe mendoj që duhet të menaxhohemi mirë.

Nota mbetet pozitive, sepse ti e gjen veten në grupin më të vështirë të Europianit dhe arrin të jesh brenda lojës dhe të marrësh edhe pikë. Nëse Shqipëria do kishte dalë me 0 pikë nga të treja ndeshjet do ishte një gjë normale dhe e pritshme. Shqipëria mori barazim në një lojë të mirë me Kroacinë. Me Italinë nuk ishte ai meraku që nuk luajtëm dhe me Spanjën mbetet një notë pozitive.

Ajo që më la një shije të hidhur ishte ndeshja me Italinë, jo për rezultatin. Shqipëria e këtij edicioni ka kualitet të mirë në sulm dhe pjesën e parë nuk e sulmuan portën. Me Kroacinë dhe Spanjën është e tepërt tu kërkojmë më shumë.

A duhet të vazhdojë Silvinjo? Kjo është e padiskutueshme. Jemi duke folur për një trajner që na kualifikoi për herë të dytë në histori”, ishin fjalët e Canës në “Vizion Plus” për paraqitjen e Shqipërisë.

Shëndeti i zemrës nis nga stomaku, ja kujdesi që duhet të keni për ushqimet që konsumoni

Për vite të tëra na kanë këshilluar që të kemi kujdes me darkat me mish, pasi studime të shumta treguan se një dietë me sa më pak mish i bën mirë zemrës.

Tani studime të tjera janë fokusuar në studimin se si një dietë e pasur me mish të kuq, arrin të ndikojë në prekjen e zemrës nga sëmundjet kardiovaskulare.

Fillon nga stomaku

Studime të hershme kanë treguar se bakteret që ndodhen në stomak luajnë një rol kryesor në ndikimin që ka mishi i kuq në prekjen nga sëmundjet e zemrës.

Bakteret e sistemit tretës arrijnë të prodhojnë një substancë që quhet trimethlainë kur stomaku tret disa nga përbërësit e mishit të kuq.

Nivele të larta të kësaj substance kanë vërtetuar se mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parashikimin e prekjes nga sëmundjet e zemrës.

Më shumë mish të kuq

Studimet më të fundit, tregojnë se persona që konsumojnë sasi të larta të mishit të kuq kishin nivele më të larta të kësaj substance.

Por veshkat e tyre gjithashtu nuk arrinin ta eliminonin këtë substancë nga trupi.

Ndërsa personat që konsumonin një dietë me mish të bardhë dhe të pasur me perime dhe fruta, arrinin ta eliminonin më shpejtë këtë substancë nga trupi.

Gjithsesi është vërtetuar se në momentin që njerëzit që konsumojnë shumë mish të kuq, e reduktojnë apo e ndalojnë ngrënien e tij, arrijnë të ekuilibrojnë përsëri nivelet e substancës së lart përmendur.

Kjo tregoi se nivelet e trimethlainës janë të rregullueshme dhe mund të adaptohen përmes dietës për 3-4 javë.

Do të thotë që ne mund të eliminojmë rrezikun ndaj sëmundjet e zemrës duke rregulluar dietën tonë. Mënyra e jetesës dhe ajo e të ushqyerit janë kritike për një shëndet të mirë të sistemit karsiovaskular.

Studimet në lidhje me trimethlainën treguan se nëse arrihet të balancohet prodhimi dhe eliminimi i kësaj substance mund të parandaloni sëmundjet e zemrës.

Tanimë studimet po synojnë të gjejnë mënyrën se si bakteret e stomakut e prodhojnë këtë substance. Qëllimi i tyre kryesor është të gjejnë një mënyrë që ta ndalojnë prodhimin e saj kështu rreziku ndaj sëmundjet e zemrës të ulet edhe më shumë./AgroWeb.org

“Divorci më i cilivilizuar në botë”, Basha: Berisha priste që unë të sakrifikoja PD për interesin e tij, vendimi im në intetres të demokratëve

Lulzim Basha: Nuk jam ankuar asnjëherë dhe ky është një mashtrim kushdo që e ka thënë, përkundrazi siç i shkon edukatës time personale, e kam mbrojtur edhe atëherë kur nuk duhej ta mbroja. E dyta, jo nuk jam produkt i Sali Berishës, jam produkt i familjes time, i shkollimit tim perëndimor, i përvojës time me institucionet ndërkombëtare dhe padiskutim që në një moment në jetën publike të jepet një mundësi të kontribuosh, është diçka për t’u vlerësuar. Nuk mendoj se ka pasur një rast ku nuk kam dhënë më shumë se sa çështë më besuar, prandaj i mora të gjitha. Sigurisht që nuk përvetësoj asgjë, edhe unë besoj tek puna në ekip, por mendoj pa qasjen time, pa përkushtimin tim, pa integritetin tim, në mos do ishin të pamundura, do ishin shumë të vështira dhe për këtë dëshmitari më i mirë derisa të ndryshoi mendjen, apo derisa ndryshoi fjalët, është vet Sali Berisha i cili i drejtohet në Parlament Edi Ramës dhe i thotë që “të bësh këto që ka bërë Lul Basha, edhe tre jetë nuk i bën dot”. Dhe ky është një fakt me zë dhe me figurë.

Por, Sali Berisha ndryshoi. Ndryshoi sepse priste që unë të sakrifikoja Partinë Demokratike për atë që i kishte ndodhur atij, kur vet ai kishte thënë publikisht dhe po kështu më kishte thënë dhe mua që nuk do ta bënte Partinë Demokratike pjesë të asaj që kishte nisur pas shpalljes “non grata” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu u bë divorci me Sali Berishën më 9 shtator. Divorc më të civilizuar s’ka parë bota. I dhash meritën, madje e teprova me meritat për ato që ka bërë në të kaluarën dhe i thash në këtë kryqëzim ku kemi ardhur, e kam për detyrë që të prevalojë interesi i demokratëve, sepse përmes interesit të demokrtëve do të prevalojë interesi i Shqipërisë. Pra, në këtë moment ku ai nuk e bëri, e bëra unë, në këtë moment pavarësisht gjithçkaje që kishte thënë, ai nuk la gjë pa thënë të pavërteta, gënjeshtra, trillime, spërdredhje, siç e ka vet zakon. Dhe pastaj ato që thotë në një moment, i tërheq në momentin tjetër. Dhe ky ishte momenti i prishjes. Sigurisht i parapriu vendimi im, e qartë ajo. Vendimi u mor për një synim shumë më të madh. Ai në qoftë se do i kishte qëndruar angazhimit të vet atëherë, apo qoftë dhe më vonë dhe do të hidhte një hap pas, sot do ta shikoje si do ta kishe situatën politike dhe ku do ta kishim situatën me Edi Ramën. Për fat të keq, për hallin e tij personal, ai vendosi prej ditës së tij të parë të përdorej dhe të përdorte nevojën e Edi Ramës, sepse ishte e qartë dhe kolegët tuaj besoj e kanë thënë, Edi Rama pa në këtë pasqyrë imazhin e vet. Tha kjo që i ndodhi Sali Berishës sot, do më ndodhi mua nesër, prandaj o burra të bashkohemi me Sali Berishën se na bashkojnë hallet. Dhe ky moment padiskutim kur ke Edi Ramën dorë për dore me Sali Berishën për shkak të halleve, nuk mund të ishte momenti ku unë të vazhdoja të isha me Sali Berishën.

Basha: Berisha duhet të tërhiqet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve. Ka bërë një betejë përçarëse mes demokratëve

Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, në studion e “Open”, u shpreh se nëse Sali Berisha tërhiqet nga PD, atëherë gjithçka do të ndryshojë. Ai tha se ish kryeministri ka dëmtuar palcërisht Partinë Demokratike dhe për pak LSI-ja u deklarua forcë e dytë politike me shtytjen e Sali Berishës.

Më tej Basha tha se duhet të tërhiqet dhe t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe demokratëve që ka bërë një betejë të padrejtë të mbushur me gënjeshtra, me shpifje, me baltë. Sipas tij, misioni i vetëm i Berishës është të qëndrojë të mbajë vulën si mburojë, dhe misioni i atyre që i shkojnë nga mbrapa, është të presin derisa të mbarojë ky, të shohin se çfarë cope do kapin.

“Sigurisht, nëse zoti Berisha tërhiqet, ekuacioni ndryshon. Nëse zoti Berisha do të ishte tërhequr atëherë kur ishte për t’u tërhequr, opozita, Partia Demokratike nuk do të ishte në këtë ditë. Unë nuk kam asnjë fije besimi në dëshirën apo spekullimet se kjo do të ndodh. Zoti Berisha ka dëmtuar palcërisht Partinë Demokratike, mos harroni se për pak LSI-ja u deklarua forcë e dytë politike me shtytjen e Sali Berishës.

Kaq shumë e “donte” Partinë Demokratike në thonjza Sali Berisha, sa ishte gati që LSI-ja të deklarohej forcë e dytë politike për të marrë komisionerët dhe të gjithë atributet elektorale të Partisë Demokratike. Pra, të gjithën e ka bërë për interesin e vet. Dhe të thuash që pasi ka bërë të gjitha këto për interesin e vet, tani që ka nevojë më shumë se kurrë. Se përpara kishte përballë vetëm amerikanët dhe më pas britanikët, tani ka dhe problemet me drejtësinë, ky të lëshojë vendin unë nuk e besoj se do të ndodh. A uroj që të ndodh, sigurisht që uroj që të ndodh, askujt nuk ia mohoj të drejtën të reflektojë.

Duhet të tërhiqet, duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe demokratëve që ka bërë një betejë të padrejtë të mbushur me gënjeshtra, me shpifje, me baltë. Ka bërë një betejë përçarëse mes demokratëve dhe duhet të lejojë demokratët të kthehen në misionin e tyre. Sali Berisha e ka zhveshur sot atë që quhet Partia Demokratike e Shqipërisë, e ka zhveshur nga çdo sens misioni. Misioni i tij i vetëm është të qëndrojë të mbajë vulën si mburojë. Dhe misioni i atyre që i shkojnë nga mbrapa, është të presin derisa të mbarojë ky, të shohin se çfarë cope do kapin. Kjo nuk është Partia Demokratike në të cilën kemi aspiruar, kemi debutuar, kemi kontribuar jo unë, por mijëra e mijëra demokratë” – tha Basha.

“Berisha po e çon PD për dhjamë qeni”, Basha: Do kallëzojmë në SPAK gjyqtarët e Apelit që morën vendimin për vulën

Lulzim Basha nga studio e “Open” në News24 tha se po shqyrtohet mundësinë që gjyqtarët e Apelit që ia kaluan vulën dhe logon e PD-së Sali Berishës, të kallëzohen në SPAK, por edhe në KLGJ.
Basha tha se po shikohet nëse këta gjyqtarë kanë shpërdorur detyrën ose jo. Ai ka pretenduar se vendimi i Apelit është një pazar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke u shprehur se kjo Gjykatë nuk zbatoi atë vendimin e Gjykatës së Lartë që kërkonte një gjykim themeli. Basha tha se ekipi i juristëve do ndjekë deri në fund rekursin për logon dhe vulën e PD-së, ndërsa ai do angazhohet në takimet me qytetarët.

“Berisha dhe Rama janë dinosaurët që nuk duan të flitet për asgjë. Njëri thotë do mbaj vulën për tu mbrojtur nga amerikanët, tjetri thotë mbaj vulën ti se unë do mbaj pushtetin. Dhe po të jap dhe një lajm sonte, për të tre gjyqtarët po përgatitet materiali për të parë nëse mund t’i kallëzojmë në SPAK dhe në KLGJ. Prandaj po të them që ne jemi institucional”, u shpreh Basha.

Basha gjithashtu tha se ata që ndodhen në krah të Berishës kanë vënë shishen te rradha se kush do të bëhet kryetar pasi të ikë Berisha.

“Sali Berisha do e çojë PD në 2025 për dhjamë qeni, do i fusë krahun demokratëve. Do e ndjekim çështjen e logos së PD-së deri në Strasburg. Ne do të jemi në 2025 një alternativë për shqiptarët, me apo pa logo. Pazari i Berishës ka nisur me bashkimin e votave për lirimin nga burgu të të korruptuarve të Edi Ramës, me prishjen e komisionit për reformën zgjedhore, vijoi me vulën, dhe objektivi kryesor i të dyve është SPAK. E kanë gati” – u shpreh Basha.

Basha: Pazari Rama-Berisha do finalizohet me goditjen e SPAK

Lulzim Basha nga studio e emisionit “Open” në News24 tha se Sali Berisha i ka dorëzuar zgjedhjet e 2025 te Edi Rama. Ai u shpreh se Berisha ka mashtruar shqiptarët me lugën bosh, ndërsa theksoi se ne kemi strukturat tona në të gjithë Shqipërinë. Basha u shpreh se ai përfaqëson Partinë Demokratike, demokratët euroatlantikë, duke shtuar se rekursit për vulën dhe logon e PD-së do ti shkohet deri në fund.

“Sali Berisha do e çojë PD në 2025 për dhjamë qeni, do i fusë krahun demokratëve. Do e ndjekim çështjen e logos së PD-së deri në Strasburg. Ne do të jemi në 2025 një alternativë për shqiptarët, me apo pa logo. Pazari i Berishës ka nisur me bashkimin e votave për lirimin nga burgu të të korruptuarve të Edi Ramës, me prishjen e komisionit për reformën zgjedhore, vijoi me vulën, dhe objektivi kryesor i të dyve është SPAK. E kanë gati” – u shpreh Basha.