21.5 C
Tirana
E martë, 29 Korrik, 2025

11 maji/Neritan Vladi: Sondazhet e manipuluara kanë mision të orientojnë njerëzit në batakun e pronarëve që i porosisin

Nga Neritan Vladi

Sondazhet e manipuluara kanë mision të orientojnë njerëzit në batakun e pronarëve të sondazheve që i porosisin.
Rilindja kryesisht i financon ato: Synimi është i qartë, duan të krijojnë perceptimin në shoqëri që: Gjithsesi Rilindja e korruptuar dhe e kriminalizuar do fitojë përsëri , (misioni i parë).
Dhe opozita kryesore do jetë po ajo e 1992 … E vjetëruar, e kalbur , dhe e pa fuqishme për të rrëzuar një autokrat … Dhe me demek e reja , alternativa, të pa korruptuarit, nuk kanë shanse reale, kështu që njerëzit (sipas tyre janë të detyruar të gradojnë përsëri këta dallkaukë 34 vjeçar …!
Por ata gabohen rëndë ..
Shoqëria nuk i pranon më ata.
As si qeverisje dhe as si opozitë …
Ata do humbin statusin e tyre secila do të marr atë që meriton …
Rilindja do humbasë legjitimitetin, qeverisës
Nuk do mund t’i bëj 70 mandate. Dhe kjo i bën mirë dhe PS që të reformohet se nuk është më parti politike, po thjesht një organizatë kriminale me pushtet ..
Berisha do humb monopolin e opozitës ( se në fakt atë synon ). Dhe kjo i bën mirë PD se çlirohet përfundimisht nga e shkuara e saj qoftë nga udhëheqja nga ish komunistët (Katovica ) por dhe nga shushunjat që i kanë pirë gjakun PD dhe kur ajo ka qenë në opozite dhe në pushtet ..
Sepse ….. Shqipëria meriton shumë më shumë se këta:
Sytë tek n 4, Koalicioni euroatlantik

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik Aldi Lekaj pa imunitet dhe me derën hapur për qytetarët , një tjetër mënyrë për të bërë politikë

Në hapësirën politike “Zgjedhje 2025” në Infoweb Media, përballë gazetares Entela Duka, kandidati i Koalicionit Euroatlantik për qarkun e Elbasanit, Aldi Lekaj, shpalos prioritetet e tij me një qëndrim të prerë dhe ndryshe nga çdo tjetër në garë. Lekaj premton hapjen e një zyre deputeti për qytetarët dhe dorëzimin e menjëhershëm të imunitetit parlamentar ,një akt që, sipas tij, simbolizon fundin e mburojës mes politikanit dhe zgjedhësit. Me fokus në ndotjen, emigracionin e të rinjve dhe pabarazinë mes zonave urbane e rurale, ai e quan këtë një betejë për fëmijët, për drejtësinë e munguar dhe për një Elbasan që, siç thekson, “meriton më shumë”.
Më poshtë pjesë nga intervista.

Gazetarja: Në rast se qytetarët ju votëbesojnë dhe ju i përfaqësoni në Parlamentin e ri, cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit sapo të merrnit detyrën?

Aldi Lekaj: Nëse do të kem privilegjin për t’u besuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve të qarkut të Elbasanit, do të hap një zyrë deputeti për t’u shërbyer çdo qytetari, për çdo nevojë që kanë. Do të dorëzoj pranë Parlamentit të Shqipërisë imunitetin tim. Nuk do të lejoj të ketë një mburojë ligjore mes meje dhe zgjedhësve të mi.
Fokusi im dhe i zyrës do të jetë në tre shtylla kryesore:
1-Ndotja e qytetit dhe menaxhimi i mbetjeve urbane. Nuk ka asnjë zgjidhje të përshtatshme sa i përket mbetjeve industriale.
2-Edukimi i të rinjve dhe emigracioni, një plagë e madhe e qarkut, e dukshme në rrugët e qytetit dhe në të 7 bashkitë e qarkut. Do të fokusohemi në edukimin e tyre dhe në dhënien e një mundësie që ata të qëndrojnë këtu, të punojnë këtu dhe të shpërblehen këtu, sikur të ishin në vendet e ndryshme të Europës.
3-Infrastruktura e munguar dhe shërbimet civile.Ka një hendek të madh mes shërbimeve në zonat rurale dhe atyre urbane. Unë mendoj se kjo mungesë kujdesi është e qëllimshme. Kemi akses të kufizuar në arsim dhe në shëndetësi. Kemi furnizim të kufizuar me ujë të pijshëm. Kjo do të jetë shtylla e tretë e fokusit tonë, në mënyrë që zhvillimi i qytetit dhe i fshatit në qarkun e Elbasanit të ecë paralelisht.

Gazetarja: Mesazhi juaj?

Aldi Lekaj:Kjo nuk është një garë për mua, është një garë për fëmijët tanë, për qytetin tonë, për një drejtësi të munguar, për një standard të munguar, për shërbime të munguara. Është një garë për t’i dhënë mbrapsht qytetit çdo gjë që na ka dhënë. Për të kthyer vizionin në veprim, për të filluar të ndërtojmë sot të ardhmen që meritojmë, sepse Elbasani meriton më shumë. Shqipëria meriton më shumë./Infoweb Media

“Kush nuk është me ne, është armik” – Kur hija e komunizmit endet ende në politikën shqiptare

Nga Fitim Zekthi

Një nga tiparet më të këqija të komunizmit dhe e çdo lloj forme të poshtër totalitarizmi, mbi të cilin ndërtohet thuajse e gjithë ngrehina e filozofisë së tij politike, është dikotomia “aq sa humb unë aq fiton tjetri” ose “loja me shumën zero”. Kjo do të thotë se nuk ka dhe nuk mund të ketë fitore të dyanshme. Ka vetëm fitore e njërit dhe humbje e tjetrit. Në qoftë se diçka nuk shkon në favor njërit atëherë ajo është vetëm fitore e tjetrit. “Atë që humb unë e fiton armiku, atë që humb armiku e fitoj unë.” Në politikë kjo do të thotë atë se kushdo që është kundër meje është me armikun, kushdo që nuk është me partinë është me armikun e partisë dmth me armikun e klasës. Kjo filozofi nuk e pranon kurrë të drejtën e dikujt të ketë mendimin e tij, lirinë e tij, votën e tij. Mendimi, liria dhe vota janë të partisë. Po nuk i përdore siç do partia atëherë po i shërben armikut. Nga kjo lloj filozofie janë bërë krime të përbindshme. Kjo lloj filozofie tamam tamam të çon tek bindja se e keqja në një shoqëri arrihet vetëm duke e zhdukur fare atë kategori që nuk është me partinë sespe po nuk qe me partinë je me armikun. Prandaj thonë se disa politikanë komunistë që kjo votë është për armikun ose ky politikan ose kjo parti nuk ekziston fare për ne. Gati 35 vite pas rënies së regjimit komunist këtu vazhdon nga shumë njerëz dhe parti të thuhet se po nuk qe me partinë A ose partinë B je me armikun, po i shërben armikut. O njerëz tërë thgelbi i demokracisë ka të bëjë me faktin se kushdo ka të drejtën dhe lirinë e vet të mendojë si të dojë, të votojë si ta shohë ai, si të dojë ai më të mirën për vendin e vet. Asksush nuk ka snjë monopol dhe asnjë të vërtetë supreme me vete. Është faqja e zezë të mendosh dhe përdorësh fjalorin që përdornin komunistët apo rinia komuniste në vitet 50-të.

Përse Fushata e Bashës 7×7=313 tregon thelbin e problemit në Shqipëri?

Fushata e Lulzim Bashës, me sloganin e njohur “7×7=313”, nuk është një lojë fjalesh, por një pasqyrë e qartë e problemeve thelbësore që prekin Shqipërinë sot. Kjo fushatë synon të nxjerrë në pah realitetin e hidhur të korrupsionit, duke ndihmuar në kuptimin e thellësisë së krizës politike dhe shoqërore që përjeton vendi.

Të gjithë flasin për gjëra pa rëndësi, vetëm Basha flet për ‘thembrën e Akilit’ – korrupsionin qeveritar të Edi Ramës

Në një periudhë ku shumë politikanë shpesh mbajnë fjalime që shmangin çështjet e vërteta dhe thjesht konsumojnë energji në debate të kota, Lulzim Basha ka vendosur të fokusohet te një nga problemet më të mëdha që e kanë munduar Shqipërinë: korrupsioni i thellë në nivel qeveritar. Fushata e Bashës, me sloganin “7×7=313”, është një përpjekje për të nxjerrë në pah pasojat e këtij fenomeni, duke e etiketuar Edi Ramën dhe qeverisjen e tij si të pasur nga zullumet dhe korrupsioni.

Rama dhe Berisha duan të lirojnë shokët nga burgu (Rama ministrat dhe bashkëpunëtorët, Berisha Ilir Metën), Basha premton mbështetje ndaj SPAK dhe drejtësisë pa rezerva dhe me akte konkrete

Një nga pikëpyetjet që dominon politikën shqiptare është lufta ndaj korrupsionit dhe dëshira e disa politikanëve për të shpëtuar ata që kanë abuzuar me pushtetin. Fushata e Bashës shpreh kundërshtimin e tij të ashpër ndaj veprimeve të Ramës dhe Berishës, të cilët, sipas tij, kanë ndihmuar për të mbrojtur individët e përfshirë në skandale korruptive. Ndërsa Rama dhe Berisha përpiqen të shmangin ndëshkimin për shokët e tyre të afërt, Basha premton mbështetje të plotë për SPAK dhe për drejtësinë, duke e bërë këtë një angazhim të rëndësishëm në programin e tij politik.

Berisha dhe Rama zotohet ta zhbëjnë drejtësinë, Basha zotohet ta mbështesë dhe ta fuqizojë atë, duke vijuar me hetimet dhe dënimet e korrupsionit qeveritar

Një nga dallimet më të mëdha mes Lulzim Bashës dhe rivalëve të tij është qëndrimi ndaj sistemit të drejtësisë. Berisha dhe Rama kanë kritikuar shpesh SPAK-un dhe organet e tjera të drejtësisë, duke u përpjekur të heqin dorë nga ai për të mbrojtur ata që janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Kjo ka krijuar një situatë ku sistemi i drejtësisë është nën presion dhe i shpërfytyruar nga interesat e grupeve të caktuara. Në anën tjetër, Basha ka mbajtur një qëndrim të qartë mbështetjeje për SPAK-un dhe ka premtuar të vazhdojë hetimet dhe dënimet ndaj korrupsionit, duke e përfshirë këtë në thelb të angazhimit të tij politik. Ky është një angazhim për një Shqipëri ku drejtësia nuk është vetëm një slogan, por një proces konkret dhe i paanshëm.

Rama e mori sloganin e Bashës duke e bërë 7×7=6 milionë dollarë, duke dashur të ironizojë lobimin e PD-së se Berishën në SHBA, ndërsa e vërteta është se Rama duhet të japë përgjigje për shokët e tij, gjatë qeverisjes së të cilit, shtuan zullumet dhe korrupsionin

Një tjetër aspekt i fushatës është manipulimi i sloganit nga ana e Edi Ramës. Në një përpjekje për të ironizuar dhe minimizuar fushatën e Bashës, Rama e ka përdorur formulën “7×7=6 milionë dollarë”, duke u munduar ta paraqesë si një formë të pastrimit të imazhit të PD-së në SHBA, ku akuzat për lobimin e Berishës kanë qenë të nxehta. Megjithatë, ajo që Rama dhe kundërshtarët e Bashës kanë harruar të theksojnë është se, gjatë qeverisjes së Ramës, korrupsioni dhe abuzimet me pushtetin janë shtuar ndjeshëm./ Nga Namir Lapardhaja

Ne dhe Sali Kulla

Nga Edison Ypi

Ne që Sali Kullën e votuam, e mbrojtëm, e ndihmuam, e duartrokitëm, e ndoqëm në çdo miting, ne që për Sali Kullën rrahëm dhe na rrahën, ne budallejve që besuam aq kollaj, as në mendje na vajti se Sali Kulla mund të rrinte në krye më gjatë se nja 3 vjet.
Por kolltukofagu Sali Kulla i regjur herët nëpër gjirizat e Diktaturës, 3 vjetëve tona i shtoi dhe 30 e kusur vjet të tjera nga xhepi i vet, dhe hiç s’e ka ndërment t’i zbresi kalit, derisa të ngordhi kali dhe kalorsi njëri pas tjetrit në të njëjtin dekikë.
Ne e vumë re që herët, se përtej yxhymit të viteve të para kur të gjithë votuan dhe ndihmuan Sali Kullën, jo si Sali Kullë, por për modë, për inerci, si personin që u ofrua të tërhiqte karrocën e pushtetit dhe politikës, më vonë e deri sot Sali Kulla nuk u votua më kurrë drejtpërdrejt, por vetëm përmes abrakadabrave numerike, akrobacirave populiste, rrenave dhe dallavereve me efekte apokaliptike, trafiqet, piramidat, hashashi, në origjinë të të cilëve nuk ndodhej askush tjetër në botë veçse Sali Kulla dhe vetëm Sali Kulla, pa le se ç’llomotit sot.
Ne vuajtëm, duruam, u internuam e u burgosën, u vramë e u premë, për të vërtetën.
Kali i betejave donkishoteske të Sali Kullës ishte, pesë rrena në tre fjalë, rrena dhe vetëm rrena.
Ne dëshirojmë, dhe jemi gati të ndihmojmë për Shqipërinë Madhështore, me kontribute, me vepra.
Sali Kulla, Shqipërinë madhështore, atë me grataçiela për vete dhe barrake për neve, do me e ndërtu vetëm me llafe, me rrena.
Ne nuk kërkuam kurrë revansh, hakmarrje, për vuajtjet tona.
U bënë dhjetra vite, që, Sali Kulla, nga njëra anë bën sikur në emër të revanshit sa për sy e faqe masakron komunistat, nga ana tjetër favorizon nën rrogoz në një mijë mënyra shokët e armëve, miqtë e vet komunista të kohës së diktaturës, persekutorët tanë, ata që na spiunuan dhe burgosën prej të cilëve hoqëm një mijë e një të zezat.
Ne shpresuam se Sali Kulla do ndërtonte shoqërinë e qytetarëve, meritokracisë, shanseve të barabarta.
Sali Kulla ndërtoi shoqërinë e katunarve ziliqarë dinakë, nepotizmit më të qelbët, mercenarizmit më të rrezikshëm.
Ne, me naivitetin që karakterizon njeriun pozitiv, s’patëm asnjë dyshim se Sali Kulla do bënte politikë konservative, serioze, respektuese dhe promovuese të vlerave, traditave, zakoneve.
Sali Mulla vajti ndërtoi surratin e vet, politikën e injorantëve, analfabetëve, halabakëve, rrugaçëve, barkderrave, kokrruarve, qaftrashëve, krejt atyre që i thonë peqe-lepe Sali Kullës, dhe Sali Kulla pavarësisht kostos firifiu, ua plotëson të gjitha tekat, dëshirat, qefet.
Ne ishim plotësisht të bindur se Sali Kulla nuk do e kishte të vështirë të dallonte mes nesh bastardat, dhe tu tregonte vendin, të mos i linte ta ndotnin shoqërinë, politikën, ekonominë. Mirpo Sali Kulla vajti i gjeti ku ishin e ku s’ishin, në brim të miut, në folenë e gjarpërit, në gropën e iriqit. I lau, i shplau, i qethi, i rruajti, i veshi, i mbathi, u bëri favore, u ktheu pronat, u mundësoi privatizime. Tani bastardat lëpijnë bythën e Sali Kullës. Sali Kulla u lëpin bastardave yndyrën e etërve seriozë.
Ne e kemi dit’ kaherë se nëpunsi, shtetari, janë murgj, janë misionarë, janë heremitë, për të cilët materialiteti nuk ekziston. Bëjnë shumë kujdes mos ndoten, i rrinë larg tundimit për tu pasuruar shpejt dhe lehtë, mpleksjes me interesin, nuk prefendojnë më tepër se rrogën. Sa më i lartë të jetë detyra, rangu, ofiqi, aq më e largët dhe më e pakët është afrimi me përfitimin, mëkatin, përlyerjen e shpirtit. Sali Kulla e hëngri karremin e padukshëm. Bëri të kundërtën. Ju duk se sa më lart të ngjitej, aq më të afërt dhe të parrezikshëm e kishte pasurimin. Dhe j’u fut derrçe vjedhjes, hajdutllëkut.
Sali Kullën e ardhur nga bodrumet e Diktaturës, ne kurrë nuk e menduam më tepër se kalë karroce, nëpunës, administrator, nikoqir të Shqipërisë. Sali Kullës, karagjozit të tranzicionit, i ka hypur vetja në qef. Rrethuar nga zagarë të paguar me pare të vjedhura, nga maja e plehut ku ka hipur, pa pik turpi po e shpall veten të pacënueshëm, të pavdekshëm, shenjtor. O shkofsh e mos u ardhsh. O qafën thefsh.

Brukseli kërcënon Vuçiçin: Mos shko në Moskë, duam tjetër strategji

Bashkimi Europian është i bindur se vizita në Moskë, më 9 Maj, e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, është një kthim prapa.

Zëdhënësi i Komisionit Europian në një reagim të tij tha se BE-ja dëshiron të mbështetet te Serbia dhe se vendi duhet të konfirmojë drejtimin e vet strategjik drejt bllokut, pasi marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë si zakonisht.

“BE-ja e ka të qartë për të gjithë, përfshirë Serbinë, se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si zakonisht për sa kohë që lufta vazhdon, ndërsa regjimi i Putinit është në pushtet dhe në hijen e luftës së paprovokuar rus ndaj Ukrainës”, tha zyrtari i KE.

Ai shtoi se nuk donte të spekulonte mbi pasojat e mundshme me të cilat mund të përballet Serbia.

Prodhuesit dhe konsumatorët pesimistë, treguesi i besimit në ekonomi ra për muajin prill

Treguesi i besimit të biznesit dhe konsumatorit pësoi rënie në muajin prill. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) rënie prej 0.8 pikësh në krahasim me muajin mars. Vlera e TNE-së qëndron 7.4 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rënia gjatë muajit prill u përcaktua veçanërisht nga sektori i industrisë, dhe më pak nga treguesi i besimit konsumator. Ndërkohë treguesit e besimit në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë, regjistruan rritje të lehta.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 6.7 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar nga vlerësimet e përkeqësuara për kontratat porositëse në vend dhe veçanërisht për ato nga eksportet. Për rrjedhim, ky tregues thelloi vlerat negative, duke zbritur nën mesataren historike. Në terma të pritjeve për të ardhmen, bizneseve të këtij sektori presin punësim në rritje dhe çmime në rënie.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 1.3 pikë përqindje në muajin prill, për të dytin muaj me radhë. Ky tregues qëndron rreth 17 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të larta për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit lehtësisht me 0.5 pikë përqindje, në muajin prill. Niveli i këtij treguesi qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë të tij. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje. Pritjet e bizneseve për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.

Treguesi i besimit në tregti ka shënuar rritje me rreth 0.8 pikë përqindje. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga vlerësime optimiste për punësimin në të ardhmen. Niveli aktual i treguesit qëndron rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Gjithashtu, pritjet e tyre për ecurinë e biznesit dhe ato për çmimet në të ardhmen kanë regjistruar rritje këtë muaj.

Treguesi i besimit konsumator ra me 1.3 pikë përqindje në prill. Megjithatë, niveli i tij aktual mbetet mbi mesataren historike me rreth 2 pikë përqindje.

Përkeqësimi u ndikua nga rënia e pothuajse të gjithë balancave përbërëse të treguesit, përkatësisht: pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet aktuale në shuma të mëdha. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe punësimin në të ardhmen janë rishikuar lehtësisht për poshtë./MONITOR

“Rojën e qëllova me qytën e pushkës”, dëshmia e Hamit Myrtja që e ktheu UBD-ja: I tregova se doja të arratisesha në Jugosllavi

Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me zinxhirë e të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë dhe ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.

Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!

Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!

Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!

Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?

Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?

Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?

Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?

Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!

Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!

VËRTETIMET E LËSHUARA NGA KRYETARI I KËSHILLIT POPULLOR TË LAGJES “PARTIZANI”, DHE DREJTORI I NDËRMARRJES SË PESHKIMIT, PËR HAMIT MYRTJA, I CILI JETONTE NË KUSHTE TË VËSHTIRA BANIMI, ME PESË ANËTARË TË FAMILJES NË NJË DHOMË!

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                               Shkodër, më 10.10.1975

KËSHILLI POPULLOR I LAGJES “PARTIZANI” 

                                                             Vërtetim

Vërtetojmë se qytetari Hamit Arifi, banor  kësaj lagje, ka përbërje familjare prej 5 frymësh dhe banojnë në një dhomë të vetme pa anekse, në kushte të vështira. Është paraqitur në Këshillin Popullor të lagjes dhe ka kërkuar t’i jepet mundësia me e strehue në ndonjë banesë tjetër, këtë e kemi në evidencë, por për kushtet e krijuara, ai duhet të strehohet sa më shpejt nga qendra e punës ku punon. Ne si Këshill Popullor të lagjes, tash për tash nuk kemi mundësi ta strehojmë, se nuk kemi kontingjent strehimi.

Ky vërtetim lëshohet për ta paraqitur për efekte kërkim strehimi.

    Për Këshillin Popullor të lagjes

                         Kryetari

                     Ibrahim Stankaj

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

Ndërmarrja e Peshkimit                                             Shkodër, më 5.6.1976 

                                                       Vërtetim

Me anën e së cilës vërtetojmë se kjo ndërmarrje nuk ka detyrë nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit, për ndërtim banesash me kontribut vullnetar, për arsye të vetë zonës ku ajo vepron dhe që shumica e punëtorëve janë nga Shiroka dhe Zogaj.

Prandaj i lëshohet ky vërtetim punëtorit Hamit Arif Myrtja, për ta paraqitur në Këshillin Popullor të Lagjes ku banon, për efekt planifikimi strehimi sipas rregullave që disponohen.

                             Drejtori

                           Thoma Liti

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË HAMIT ARFIF MYRTJA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU 

                                                    PROCES-VERBAL

I pyetjes së të pandehurit, Hamit Arif Myrtja, Shkodër më 7.10.1976.

Unë Jake Tefiku, hetues në Degën e Punëve të Brendshme, marr në pyetje Hamit Arif Myrtja.

Pyetje: Çfarë mund të na shpjegoni, në lidhje me akuzat që ju bëhen?

Përgjigje: Akuzat që më komunikohen, unë i dëgjova dhe i kuptova. Lidhur me akuzat që më bëhen, unë nuk pranoj vetëm propagandën armiqësore, kurse me dy akuzat e tjera, jam dakord dhe shpjegoj si më poshtë:

Një muaj para se unë të arratisesha në Jugosllavi, më lindi mendimi për të kaluar në Jugosllavi. Duke menduar gati një muaj për mënyrën e arratisjes, se me çfarë drejtimi dhe me çfarë mënyre. Mendova që rruga më e mundshme për arratisje, ishte marrja e ndonjë sule, për të kaluar nëpër liqen. Mendova gjithashtu që të merrja shërbimin e dezhurnit, që të kisha mundësi për të marrë lundrën, ose të peshkimit, ose të ndonjë organi tjetër, se unë e dija që në molo qëndronin edhe ato të Shëndetësisë dhe të Degës Brendshme.

Tri ditë përpara i kam thënë gruas sime, Hasijes, për planin dhe mendimin që unë kisha për t’u arratisur jashtë shtetit, në Jugosllavi. Asaj unë i thashë se këtu nuk siguroj dot ushqimin e përditshëm, sepse kemi shumë pak të ardhura dhe me këto nuk kalohet dimri. Më në fund, sepse gruaja në fillim nguroi, por kur pa këmbënguljen time, menjëherë ra dakord. Unë i thashë asaj që të mos bisedonte me asnjë person, lidhur me bisedën. Unë i thashë gruas, se pa marrë juve, nuk mund të arratisem. Siç e thashë, ajo ra dakord dhe më premtoi se nuk do të bisedonte me asnjë person, për bisedën e zhvilluar midis meje dhe asaj.

Duke vazhduar punën si peshkatar, vazhdimisht mendoja për rrugën e kalimit, atë qysh më parë e mendova që me anën e rrëmbimit të ndonjë lundre të arratisesha, duke marrë dhe familjen me vete. Këtë gjë ja thashë gruas. Nga fundi i muajit të gushtit, brigada jonë e peshkimit me brigadier Qemal Ulkonjën, kishte radhën e shërbimit të dezhurnit të ndërmarrjes, unë duke pas në plan arratisjen, i kërkova atij të merrja në sahati 22.00, detyrën e shërbimit të dezhurnit, brigadieri më tha po. Unë atij ja paraqita sikur kisha nevojë dhe këtë ditë ta zëvendësoja me pushim të mëvonshëm. Kështu që, më datën 31 gusht 1976, deri më sahati 14, unë kam punuar në dajlan, së bashku me brigadën time, sa lashë punën jam kthyer e kam shkue në shtëpi.

Harrova të them, se plani im për arratisje dështoi njëherë, sepse unë kisha ndërmend që me anën e dezhurnit të arratisesha, mirëpo nuk ma dhanë këtë të drejtë. Kështu që gruaja ime, Hasija, e mori vesh. Posa shkova në shtëpi, i thashë Hasijes të përgatitesh se atë natë do të realizonim arratisjen dhe për këtë mendova të shkruaja një letër, duke shpjeguar arsyet që më detyronin të arratisesha. Hasija më pa që unë po shkruaja diçka, por nuk më pyeti se çfarë po shkruan! Përmbajtja e letrës kryesisht ka qenë probleme vetëm ekonomike, duke thënë se nuk mund të jetoj më me këto të ardhura, se na është ulur paga, se nuk na është dhënë strehim, e plot probleme të tjera, që mua të gjitha nuk më kujtohen.

Në përmbajtjen e kësaj letre unë kam shkruar që t’i drejtohet udhëheqësit kryesor të Partisë dhe t’i dorëzohet atij. Me këtë doja të thoja që të mësonte pse unë po arratisesha. Këtë letër unë e kam vendosur në një valixhe të vogël dhe e lashë aty, sepse mendoja se po të legalizohesh dhe të merrej vesh arratisja ime, do të vinin njerëzit e Degës së Brendshme dhe do ta gjenin.

Në sahati 20.00 të datës 31 gusht 1976, unë së bashku me gruan dhe tre fëmijët, vendosëm që të dilnim prej shtëpie, gruan e porosita që po të ndesheshim me njerëzit tanë në rrugë, të thoshte se po shkojmë tek vajza e hallës, që kemi në lagjen “Ndocaj”, Rakip Hoxha. Gruaja veshi fëmijët, me vete morën një pincë dhe një darë, një çantë të zezë, një çarçaf të bardhë që gruaja për ta nxirë e mori dhe e futi e bëri të zezë një ditë më përpara, për ta përdirur si velë për lundrën, mora një palë pantallona kadife të zeza në blu, mori sende për veshje vetë  gruaja dhe për fëmijët dhe u nisëm.

Kemi dalë nëpër pjacë, para se të largoheshim prej shtëpie, kemi ndeshur në dy motrat e gruas, Bukurijen dhe Vjollcën dhe u dha dorën, unë e shikova gruan që të mos e lëshonte veten e saj para tyre, se mos ato kuptonin ndonjë send, gruaja Hasije e mbajti veten, dhe ato nuk kuptuan asnjë send. Edhe unë u thashë lamtumirë, por nuk jua dhashë dorën, sepse kisha biçikletën për dore. Kështu që u larguem. U thamë se sot mos na prisni, se sot nuk vijmë e do të qëndrojmë vërdallë nga vajza e hallës. Së bashku me gruen, kemi shkue te ‘Turizmi’, dhe aty unë kam pirë një gotë raki, fëmijëve u dhamë diçka, kurse ajo mori një gotë venë, por nga që mendonte punën e arratisjes, nuk mundi ta pinte. Tek Turizmi kemi qëndruar deri në sahati 21 e 45, pastaj jemi nisur me biçikletën time, duke ecur në këmbë deri te ndërmarrja e Peshkimit.

Pasi kaluam urën e Bunës, pamë dy ushtarë të zakonshëm të urës, dhe pasi na panë pasaportat, na thanë shkoni. Kështu që shkuam fill e te dezhurni. Kur shkuam aty, gjeta rojën Fadil, mbiemrin nuk ja di, u përshëndetëm me Fadilin, na tha; po ju, i thashë se më kanë caktuar dezhurn, ku ishit kështu vonë, i thashë se kena kenë tek daja në Oblikë, më tha çoje gruan në shtëpi dhe kthehu, jo i tha gruaja, se jam e lodhur dhe shkoj nesër, kurse unë nga ana ime i thashë Fadilit se kësaj i ka vdekur një halla e saj dhe nesër e qesin në dhe, këtë e bëra për ta rrejt.

Unë e mora dyshekun e dezhurnit dhe e çova sipër në korridorin e  administratës, se gjoja do të flinte, gruaja ra së bashku me fëmijët, për t’i vënë ata në gjumë, unë fillova bisedën me Fadilin dhe u ulëm me ndenjë së bashku të dy. Kisha pak bukë dhe e hëngra atë në prezencë të tij e, u çova e piva pak ujë dhe përsëri u ula afër tij, pushka e tij ishte pas tij afër, nuk guxoja t’i thosha për mendimin që kisha, se kisha frikë se më kundërshtonte dhe më qëllonte me pushkë, në rast se i thosha hapur, se ja dija kryet atij. Ju afrova dhe i them: Fadil, unë kam një hall të madh, çfarë halli ke, më tha?

Unë i thashë se dua të arratisem në Jugosllavi, ai më tha se unë të vras dhe tentoi e mori pushkën për të më qëlluar, unë ja kapa pushkën, por ay e kishte kapë! Unë e mora me të mirë për ta bindur dhe i thashë; shiko mor Fadil, se unë kam hall të madh, për t’u arratisur në Jugosllavi, unë nuk jetoj dot këtu në Shqipëri, kurse Fadili më tha se; unë nuk të lë të shkoj gjallë. Ndërsa pushkën e kishim të dy dhe ai mundohej të ma merrte, e unë nuk ja lëshoja, se kisha frikë se më vriste, kemi shkuar lart, deri afër magazinës së brigadës për mbajtjen e rrjetave, këtë e bëra që unë të fshija gjurmët e arratisjes, prandaj e tërhoqa me marifet lart dhe jo poshtë, se këtej nga molo ishte rruga.

Kështu që duke hecur dhe duke u grindur, unë me të mirë për ta bindur dhe ay në kundërshtim të hapët, shkuam deri te hardhia, aty kisha ndërmend me e godit dhe me e lënë të gjallë dhe me e lidh. Kur vajtëm aty, përsëri ju luta që të mos më binte në qafë, dhe të më lejonte të kaloja në lundër, mirëpo ay nuk pranoi dhe po bërtiste, unë atëhere kur e pashë se nuk po bindesh, me me forcë i tërhoqa pushkën. Më tha se; unë nuk të lejoj. I thashë se e kam vendos me u arratis së bashku me gruan e me fëmijët dhe këtë do ta bëj patjetër.

Kur unë ja kisha tërhequr pushkën krejtësisht, ai tentoi dhe më qëlloi me shkelm, deshi të më godiste në organet, por nuk mundi atje dhe më qëlloi në kofshë, unë atëhere e rrëzova në tokë duke e vënë nën këmbë dhe me dorën tjetër mbaja pushkën, kur e rrëzova, me të mirë desha me e bind, por ay nuk bindesh dhe shtova duke i thënë se nuk jam nisur me të mbyt, ay bërtiste dhe atëhere nga frika se mos vinte kush, ose mos vinin rojet që ishin përqark, kur e pashë se nuk bindesh, i kam rënë me qytën e pushkës pas kreje, ay u çua përsëri dhe tentoi me më kapë, unë e qëllova për ta mposhtur dhe ay u rrëzua për tokë, pastaj i lidha duart me një copë rrjetë najloni, të cilën e kisha marrë qysh më parë për këtë qëllim, ndërsa pas lidhjes së duarve, i lidha dhe gojën për të mos bërtitur, me një boçe të gruas që e kisha marrë për këtë qëllim.

Unë me thikë nuk e kam godit, por vetëm më qytën e pushkës. Pasi e konstatova se ai nuk po luante më dhe mendova se e mbyta, ashtu të turbulluar e menjëherë kam shkue të gruaja dhe i thashë çoju shpejt, u çua gruja dhe mori djalin e vogël. Para se të niseshim, shkova me darë dhe çila kasafortën të merrja çilsat për me çilë sulat, e pastaj pasi bëra këtë veprim, mora gruan, ajo djalin e vogël, unë dyshekun dhe djalin tjetër, kurse vajza eci me këmbët e veta dhe me shpejtësi zbritëm në molo. Para se të largohesha për në molo, me shpejtësi këputa linjën telefonike, se mos vinte kush dhe lajmëronte, fika edhe dritën e prozhektorit dhe gjendja u errësua krejtësisht, lirova një siguresë për të fikur dritën e vend-rojes e, me shpejtësi u largova për në molo.

Kur shkova aty, fill me çelësat i shkova sulës së Degës, nuk e hapa dot çilësin e saj, e shkova e mora atë të Shëndetësisë që luftoheshin mushkonjat, mirëpo me çilsa, nuk munda ta hapja, por me darë munda, e preva dhe e hapa. Kurse çantën me pantallonat, nuk e mbaj mënd se ku e lashë dhe unë mendoja gjithnjë se e kisha në lundër, kur dola në liqen për të lundruar, filloi era, ishte sahatai rreth 24.00 të natës, pasi kisha kaluar pak, filloi era, i thashë gruas se shiko e më jep velën se e kam në çantë, mirëpo këtë nuk e kisha dhe e kisha lënë në çantë. Sa kam kaluar Shirokën, më kapi shiu dhe era dhe prej qendrës së Peshkimit e deri sa kam kaluar kufirin, kam kaluar gati dy tre orë.

Procesi u ndërpre dhe pasi u lexua, u nënshkrua./ Memorie.al 

10 tentativa vetëvrasjeje në Gjadër, raporti që alarmon KiE; faktet shokuese për kampin e emigrantëve

Deputetja italiane Rachele Scarpa dhe eurodeputetja Cecilia Strada kërkuan ndërhyrje urgjente nga Këshilli i Evropës për shkak të “shkeljeve të dukshme të të drejtave themelore”. Ngjarjet kritike ishin 2.7 në ditë në rreth 13 ditë që u monitoruan, me afërsisht 10 tentativa vetëvrasjeje.

Jeta dhe siguria e personave të ndaluar në Qendrën e Paraburgimit të Riatdhesimit në Gjadër në Shqipëri janë në rrezik. Ky është alarmi që i është dërguar Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës nga deputetja e Partisë Demokratike Rachele Scarpa dhe eurodeputetja Cecilia Strada.

Parlamentarët kanë hartuar një raport me shkrim lidhur me çështjet kritike që dolën gjatë vizitave të tyre inspektuese, së bashku me shënimet e bëra nga kolegët e tyre të opozitës dhe përfaqësuesit e Tryezës së Azilit dhe Imigracionit .

“Në dritën e mospërputhjeve serioze midis praktikave të raportuara dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me shkelje të qarta të të drejtave themelore të garantuara në të”, eurodeputetët i kërkuan komitetit të “shqyrtojë një vizitë urgjente” nga ekspertët e Këshillit të Evropës “për të hetuar legjitimitetin dhe proporcionalitetin e këtyre masave”.

Raporti përqendrohet në ndalimin e atyre që sillen në qendrat shqiptare pas ndryshimit të destinacionit të operuar nga qeveria: më 28 mars të vitit të kaluar, me një dekret, Qeveria e Giorgia Melonit transformoi ato që ishin qendra ndalimi për azilkërkuesit në qendra riatdhesimi, në një përpjekje për të shpëtuar projektin e Shqipërisë.

Ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi konceptin e vendit të sigurt, i cili jepet deri në verë, Ministria e Brendshme ka transferuar 41 persona, të cilët mbaheshin në Qendrat e Pritjes së të Ardhurave të Brendshme italiane, për të mbushur qendrat shumë të shtrenjta (në nivel njerëzor dhe ekonomik) që kanë mbetur bosh.

“E pamë qendrën me sytë tanë, folëm me pothuajse të gjithë personat e ndaluar në dy javët e para dhe konsultuam në thellësi regjistrin e ngjarjeve kritike, duke zbuluar një pamje shumë serioze”, thonë Scarpa dhe Strada.

Nga dhjetë vizitat, midis 9 dhe 27 prillit, del në pah një mungesë e madhe transparence, vështirësi në gjetjen e informacionit dhe metoda të transferimit “në kundërshtim me respektin për dinjitetin njerëzor”. Deri më sot, nënvizojnë deputetët, kriteret e përzgjedhjes për njerëzit që do të zhvendosen jashtë vendit janë ende të paqarta dhe asnjë nga njerëzit e transferuar nuk e kishte kuptuar se do të çoheshin në Shqipëri.

Ajo që është shqetësuese është gjendja psiko-fizike e njerëzve të mbyllur në kontejnerë: në dy javë, janë regjistruar 35 ngjarje kritike, “kryesisht akte të rënda të vetëlëndimit, deri në tentativë vetëvrasjeje”.

Ngjarjet kritike

“Ashtu si të gjitha CPR-të italiane”, shtojnë Scarpa dhe Strada, “ai në Gjadër është një vend patogjenik”. Kjo demonstrohet duke lexuar regjistrin e ngjarjeve kritike, të konsultuar nga parlamentarët, i cili “e kualifikon vetë qendrën si një kontekst që vë në rrezik shëndetin dhe jetën e të ndaluarve”.

Ndër ngjarjet kritike, 2.7 në ditë në 13 ditë, ka rreth dhjetë tentativa vetëvrasjeje “kryesisht me mbytje ose varje”, akte vetëlëndimi dhe protesta kolektive, ngjarje që “i përkasin të njëjtës kategori dhune të shfaqur në trupin e dikujt që meriton vëmendje të veçantë, pasi kalimi midis një akti me ashpërsi më të madhe ose më të vogël është absolutisht i paparashikueshëm”, thuhet në raport. Përveç kësaj, numri i ngjarjeve kritike mund të ketë qenë më i lartë sepse, bazuar në dëshmitë e mbledhura nga deputetët, ka pasur një vonesë të mundshme në regjistrimin e tyre.

Raporti thekson se të ndaluarit në Gjadër janë të ekspozuar ndaj një mungese të dyfishtë: mungesës së një spitali aty pranë, i pari i arritshëm është në Tiranë, më shumë se një orë larg me makinë. Në rastet e varjes, vendi i shpëtimit duhet të jetë midis 15 dhe 30 minutave larg. Dhe, për më tepër, izolimi edhe gjatë periudhës së rikuperimit nga shërbimet e shëndetit mendor të sistemit kombëtar shëndetësor “përfaqëson një faktor tjetër rreziku”.

Pastaj ka mjete që janë të rrezikshme për një kontekst paraburgimi dhe që vërtetojnë “neglizhencën” e atyre që projektuan dhe ndërtuan qendrat: spërkatësit e zjarrit janë “të pozicionuar mbi tavolinat e çdo moduli strehimi” dhe për këtë arsye “janë lehtësisht të arritshëm duke u ngjitur në tavolina”.

Kjo i lejon dhe tashmë i ka lejuar të burgosurit t’i përdorin ato “si mbështetje për të lidhur litarë të improvizuar” kur ekzistojnë mendime vetëvrasëse.

Vizitë për përshtatshmëri

Ashtu si në rastin e institucioneve në Itali, Rregullorja e Procedurës Civile të Shqipërisë duhet të jetë në përputhje edhe me direktivën e vitit 2022 të Ministrisë së Brendshme që rregullon jetën brenda këtyre vendeve. Dhe kjo kërkon që çdo person duhet t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor për të vlerësuar përshtatshmërinë e tij/saj për paraburgim. Me fjalë të tjera, mjekët e shërbimit shëndetësor kombëtar duhet të marrin në konsideratë kushtet psiko-fizike të përshtatshme për jetën në atë komunitet specifik të kufizuar.

Për anëtaret femra të parlamentit, do të kishte qenë e nevojshme që të kryhej “një rivlerësim i përshtatshmërisë së tyre” “nga personel i pavarur nga organi drejtues”. Prandaj, sipas Scarpa dhe Strada, “rezulton se nuk është bërë asnjë përzgjedhje që synonte përjashtimin e faktit që njerëzit me cenueshmëri psikiatrike janë dërguar në Qendrën e Kujdesit Kardiovaskular (CPR) në Shqipëri”.

Vetëm tetë nga burrat e transferuar i ishin nënshtruar një ekzaminimi të gjendjes fizike në ditët e mëparshme. Në fakt, për pjesën më të madhe, vizita e fundit daton në muajt e mëparshëm, madje deri në nëntor 2024. Një qytetar me origjinë gjeorgjiane, i cili para transferimit ndodhej në Qendrën e Pritjes Rekreative në Bari, “po i nënshtrohej tashmë terapisë me ilaçe të ndryshme – lexojmë në raport – duket se kishte marrë metadon deri pak kohë më parë, i pezulluar 10 ditë para” udhëtimit për në Shqipëri. Vizita e tij e fundit ishte më 26 nëntor 2024.

Brenda tre ditësh në Gjadër pati tetë akte vetëlëndimi, “me të paktën një episod manifestimi të qëllimeve vetëvrasëse”, raportojnë parlamentarët.

Derisa organi menaxhues kërkoi një rivlerësim të përshtatshmërisë së tij për paraburgim dhe ai u kthye në Itali “në një datë të panjohur”. /Përshtatur nga Domani/

Gerard Komini: Të rinjtë të mos ikin – Koalicioni Euroatlantik ka një plan konkret për ta

Gerard Komini, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Fier, i është drejtuar me një mesazh të drejtpërdrejtë të rinjve shqiptarë, duke u bërë thirrje të mos braktisin vendin dhe të besojnë te një e ardhme më e mirë këtu.

Komini ka prezantuar në detaje pikat kryesore të programit të KEA për rininë, duke theksuar se kjo është një ndër shtyllat më të rëndësishme të ofertës së tyre politike.

“Të rinjtë meritojnë më shumë se premtime bosh. Shqipëria ka nevojë për rininë e saj. Të mos largohemi – të ndërtojmë së bashku një të ardhme këtu!” – deklaron Komini.

Propozimet kryesore të KEA për rininë përfshijnë:

Lehtësira për punësim dhe programe praktike

Grante për çiftet e reja për blerjen e banesës së parë

Ndërtimi i një Kampusi Kombëtar të Teknologjisë dhe Programimit në Fier

Fonde dhe mentorim për start-up-et e të rinjve

Ulje të taksave për bizneset e reja rinore

Praktika dhe trajnime të financuara nga shteti

Programe për rikthimin e të rinjve nga diaspora

Mbështetje për inovacion dhe ide të reja

Nxitje për rininë në zonat rurale

Komini e mbyll mesazhin e tij me thirrjen për të votuar numrin 4, Koalicionin Euroatlantik, si një zgjedhje për ndryshim të vërtetë dhe investim në brezin e ardhshëm.

Postimi i plotë: