20.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Pushteti dhe opozita: Dy krahët e të njëjtit trafik

Mesazhi ynë kundër një sistemi të kalbur. Në qarkun Elbasan sapo lamë pas një fushatë zgjedhore. Jo thjesht sepse ishim një ekip i ndershëm, pa para dhe pa patronazhistë, por sepse ishim ndryshe nga gjithë të tjerët: nuk ishim të lidhur me bandat, mafien, ose pazaret e natës. Ishim aty për një qëllim, të thonim të vërtetën dhe të përfaqësonim qytetarët, jo klanet.

Ne e ndërtuam fushatën tonë me njerëzit dhe për njerëzit. Nga Prrenjasi e deri në Belsh, nga Librazhdi në Gramsh, Cërrik e Peqin, e deri në zemrën e Elbasanit, fushata jonë nuk kaloi nga sallonet me drita të shtrenjta, por nga rrugicat e lagështa, kanalet vaditëse të prishura, çezmat e thata, qendrat shëndetësore të rrënuara dhe shkollat me mure që rrëzohen. Ne nuk premtuam “ëndrra” të sponsorizuara, por ofruam një program realist, të zbatueshëm dhe me vizion afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.

Shëndetësia dhe Arsimi, kolonat e rrënuara të shtetit.

Në Librazhd dhe Prrenjas, dhe gjithë Qarkun, ka ende qendra shëndetësore pa mjekë, me infermierë të vetëm që shërbejnë për katunde të tëra, madje dhe këta të fundit shkojnë me grafik. Mungojnë mjetet më bazike për emergjencat, shëndetësia sot nuk është një e drejtë, por një luks i rezervuar për pakicën që përfiton nga pushteti.

Shkollat? Në shumë zona janë të ndërtuara pa cilësi dhe nuk kanë as ngrohje dimrit, as libra të mjaftueshëm, as mësues të motivuar. Arsimi është bërë një listë statistikash, jo një investim për të ardhmen. Ne kërkojmë investim real në shëndetësi dhe arsim: rritje pagash për mjekët dhe mësuesit, rikonstruksion total të institucioneve bazë dhe garantim të kushteve dinjitoze për të gjithë.

Rrugët kapilarë, aty ku shteti mungon fizikisht..

Në Peqin, Belsh, Cërrik dhe zonat malore të Gramshit, rrethinave të Elbasanit, Prrenjasit dhe Librazhdit, nuk ka rrugë, ekzistojnë ca rrugë traktori që nuk janë prekur që nga koha e komunizmit. Në këto vende nuk bëhet fjalë për asfalt elektoral, bëhet fjalë për lidhjen minimale mes qytetarit dhe shtetit. Pa rrugë nuk ka ekonomi, nuk ka transport mjekësor, nuk ka turizëm, nuk ka jetë. Ne kërkojmë një riformatim të infrastrukturës kapilare: çdo fshat të lidhet me njësinë më të afërt administrative në mënyrë funksionale, me rrugë të kalueshme 12 muajt e vitit.

Ekonomia reale, aty ku jetojnë njerëzit..

Ndërkohë që pushteti ndërton fasada, qytetarët jetojnë me bujqësi, blegtori dhe pemëtari, sektorë që po shuhen nga mungesa e subvencioneve, çmimet e larta dhe mungesa e tregjeve. Në Gramsh dhe gjithë qarkun, pemët mbeten pa mbledhur sepse nuk ka rrugë për t’i çuar në treg. Në Librazhd dhe gjithë qarkun, uji i vaditjes nuk vjen kur duhet, sepse kanalet janë në mëshirë të fatit.

Ne paraqitëm një plan për zhvillim agroturizmi dhe turizmi malor, i bazuar në pasuritë natyrore të qarkut Elbasan. Kërkojmë infrastrukturë mbështetëse, grante për fermat familjare dhe një rrjet funksional marketingu për prodhimin vendas.

Por çfarë ndodhi në zgjedhje?

Votat nuk na u vodhën në kuti. Ato u blenë, u intimiduan, u manipuluan përpara se të arrinin në dorën e votuesit të ndershëm. Qindra qytetarë nga diaspora dhe brenda vendit kanë votuar për kandidatë e listës tonë dhe të tjerëve jashtë dy grupimeve mafioze, por ku janë votat tona? Ku është zëri ynë?

Shumë njerëz na takojnë tani pas zgjedhjeve dhe thonë se na kanë mbështetur me votë, por votat nuk janë reflektuar në rezultatet zyrtare. Ky është një proces i deformuar, sigurisht me dakordësinë e dy autokratëve që kanë rënë dakord për një plan të caktuar dhe e kanë realizuar atë.

Kjo shitje e interesave të demokratëve, njerëzve të lirë, ka kohë që ka filluar me:

1- Dakordësinë për amnistinë penale për të dënuarit nga SPAK,

2- Bërjen e kodit zgjedhor ku i falen qeverisë 12 mandate në tavolinë,

3- Votën e diasporës pa asnjë masë sigurie mbrojtëse,

4- Listat e mbyllura, disa të nënës, disa të njerkës,

5- Dhe shumë shkelje të tjera që rrënojnë demokracinë tonë.

Për këtë arsye, ne u sulmuam, jo sepse ishim të dobët, por sepse ishim të rrezikshëm për ta. Sepse ishim të ndershëm, të organizuar, me struktura dhe me një program të qartë. Sepse nuk jemi pjesë e “Trekëndëshit të Bermudës”, që përfaqëson interesat e paligjshme të tre brezave të korrupsionit politik.

Qëndrimi ynë është i thjeshtë:

1- Të mos tërhiqemi.

2- Të mos shitemi.

3- Të mos heshtim.

Ky sistem, që nga viti 1945, është ndërtuar për të nënshtruar qytetarin dhe për të mbajtur pushtetin në duart e pakicës së lidhur me dhunën, paranë dhe krimin. Por ai po plaket dhe po shembet nga brenda. Ne do të jemi aty, pa frikë, kur të bjerë.

Thirrja jonë është:

I bëjmë thirrje SPAK-ut dhe faktorit ndërkombëtar të mos mjaftohen me deklarata formale. Shqiptarët nuk kanë më nevojë për mbështetje morale, kanë nevojë për veprim real dhe garanci për zgjedhje të ndershme.

Ne, të Qarkut Elbasan dhe në çdo cep të Shqipërisë, do vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarit të zakonshëm, sepse jemi të bindur që rruga e drejtësisë është më e gjatë, por është e vetmja që nuk të çon në humbje.

Nga ne,
Bujar Vreto Naim Meta Emin Cani Blerim Kuqja , Avokat Ibrahim Sako, Leonard Ozuni , Erald Çarçiu!

DOKUMENTE dhe FOTO/ Ish kandidati për deputet i PSD-së fitoi tenderin e restaurimit të Spaçit, i proceduar penalisht disa herë!

Një nga burgjet dhe kampet më famëkeqe të diktarurës, Spaçi, është rikthyer në vëmendje gjatë ditëve të fundit.

Fotot dhe videot e publikuara tregonin se godinat ku kanë vuajtur mijëra të burgosur për qëllime politike, ku janë torturuar dhe punuar në minierat vdekjeprurëse në zonë, po lyheshin dhe suvatoheshin.

Projektet dështake të institucioneve shtetërore po tentonin që të mbulonin një nga plagët më të rënda të shoqërisë sonë.

Me të drejtë, pati reagime të forta, ku aktorët më kryesorë janë padyshim ata që kanë vuajtur në atë kamp dhe burg.

DOKUMENTE dhe FOTO/ Ish kandidati për deputet i PSD-së fitoi tenderin

Benard Martini

Ata dëshmuan se, lyerja dhe “makijazhi” nuk i fsheh dot torturat që kanë ndodhur brenda atyre mureve.

Zymtësia e godinave sjell fare mirë atë që kanë vuajtur të dënuarit dhe të internuarit.

Por kush e bëri restaurimin?! Cili institucion apo firmë urdhëroi dhe kreu punime të kota në ato godina?!

DOKUMENTE dhe FOTO/ Ish kandidati për deputet i PSD-së fitoi tenderin

Faksimile: Njoftimi i tenderit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore

Në muajin prill 2024, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore finalizoi tenderin për Burgun e Spaçit.

Sipas dokumenteve që disponon ekskluzivisht VoxNews, firma fituese që ka bërë ato punime quhet “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE” sh.p.k, me pronar Benard Martini, i cili ka qenë kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate në vitin 2021.

Në dokumente shkruhet se bëhet fjalë për tenderin me objekt “ndërhyrje konservuese-restauruese në Burgun e Spaçit”.

Fondi i akorduar ka qenë 12.792.136 lekë, ose rreth 130 mijë euro. Fituesi është shpallur në fillim të muajin prill 2024.

Lidhja e kontratës u bë në mes të muajit prill, ndërsa firma kishte disa javë kohë që të kryente punimet.

DOKUMENTE dhe FOTO/ Ish kandidati për deputet i PSD-së fitoi tenderin

Faksimile: Formulari i dekriminalizimit të pronarit Benard Martini, i paraqitur në KQZ në vitin 2021

Ndërhyrja në një objekt të rëndësishëm, që tregon kohën që ka kaluar Shqipëria, duhet të ishte bërë nga një firmë e licensuar për ndërhyrje në të tilla vepra.

Madje, duheshin bërë projekte dhe analiza të mirëfillta, me qëllim që objektit mos t’i humbte identiteti.

Por, faktet tregojnë se firma që ka bërë ato punime ka qenë e lidhur me pushtetin, me parti politike dhe pa përvojë.

Pronari i kompanisë “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE”, quhet Benard Martini, i cili ka pasur një firmë për skela. Ai ka kandiduar për PSD-në në vitin 2021, ndërkohë që ka deklaruar se ka qenë i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale.

DOKUMENTE dhe FOTO/ Ish kandidati për deputet i PSD-së fitoi tenderin

Faksimile: Pronari i firmës që po restauron Burgun e Spaçit ka qenë i proceduar disa herë

Normalisht kompania ka fituar tenderin dhe ka vijuar punimet për të zbatuar edhe afatet. Por, shumë e dyshimtë mbetet vendimmarrja e këtij Instituti, i cili i beson një godinë të tillë historike një firme të panjohur, pa të kaluar në restaurim dhe për më tepër, pronari ka qenë i proceduar.

Vetë Martini ka deklaruar para KQZ-së se ka pasur dosje në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2016. Dosja e parë ka qenë për shkatërrim prone”.

Dosja e dytë, në vitin 2015 po në Prokurorinë e Tiranës për “ndërtim të paligjshëm”.

Dhe dosja e tretë, në vitin 2009, për “vjedhje”.

Nuk e dimë nëse dënimet e mëparshme të Martini kanë qenë kriter për fitimin e tenderit, aq më tepër në një ish-burg.

Por, ajo që është shumë e dyshimtë mbetet cilësia e punimeve dhe kryerja e tyre për të “fshirë” një pjesë të historisë së mijëra shqiptarëve që kanë humbur jetën dhe janë torturuar në Spaç./VoxNews

https://www.voxnews.al/investigim/dokumente-dhe-foto-ish-kandidati-per-deputet-i-psd-se-fitoi-tenderin–i93588

Ku do të shkojë Shqipëria turistike pa prodhim?

Nga Gjergji Nika

Që burimet e deri tanishme të rritjes janë drejt shterimit, kjo është bërë e ditur prej disa vitesh.
Që vendit i duhet një model i ri që do ta riorientonte drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomiko financiar, edhe kjo nuk është më një sekret.

Por, ajo që po mungon janë përpjekjet për një strategji gjithëpërfshirëse afatgjatë, me angazhim mes institucioneve politikëbërëse, ekspertëve, bizneseve, grupeve të interesit për të përcaktuar se cilat do të jenë prioritetet në afatin e mesëm dhe të gjatë, si mund të zhvillohen ato, ku dhe si mund të ndërhyjë qeveria, si do të integrohen politikat e ndryshme zhvillimore me këto përparësi e kështu me radhë.

Me dobësitë strukturore aktuale, Shqipëria duket tepër larg tendencës globale, që po promovon një zhvillim të qëndrueshëm, që plotëson nevojat e së tashmes, pa kompromentuar aftësitë e brezave që vijnë, për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa promovon uljen e varfërisë, rritjen e punësimit dhe përdorimin më të drejtë të burimeve , por………

Dobësitë strukturore, si eksportet e padiversifikuara dhe me vlerë të ulët të shtuar, mungesa e kompanive të sofistikuara, duhet të kthehen në avantazhe përmes vizionit afatgjatë.

Si një shoqëri konsumi, Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj tek aktivitetet e shërbimeve dhe të turizmit.

Pavarësisht zhvillimit spontan të deritanishëm, vendi i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në rrugë të mbarë dhe të shfrytëzojë përparësitë krahasuese që i ka falur natyra (klimën, pasuritë natyrore, pozicionin gjeografik) dhe ato njerëzore (forcën e arsimuar dhe me njohje të gjuhëve të huaja, dhe vullnetin e sipërmarjes).

Shqipëria ka mundësi të zhvillojë eksportin e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit ne rrugen e duhur, shërbimet e të cilave janë më të paguarat.
Vendet e rajonit po injektojnë në ekonomitë e tyre miliona euro nga zhvillimi i eksportit të shërbimeve të IT, por Shqipëria ende mbetet e nënzhvilluar edhe në këtë aspekt, për shkak të trupës së kufizuar të burimeve njerëzore që iu duhen gjigantëve botërorë të IT–së.

Bujqësia, e lënë pas dore, është kthyer sërish në vëmendje të sipërmarrjeve dhe duhet të tërheq investime të shumta, por ka nevojë për orientim dhe investime drejt ciklit të mbyllur, ku mbështetja e shtetit mbetet parësore.

Infrastruktura dhe energjia duhet mbeten prioritete të përhershme strategjike që mund ta kthejë vendin në një nyje rajonale

Kush ka udhëtuar nëpër Shqipëri, ka parë parcelat e ngushta të tokës, një të mbjellë me grurë dhe një me domate, diku 100 metra me perime dhe ngjitur një parcelë djerrë. E gjithë kjo sepse vendi aktualisht mbi 600 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon disa hektarë.

Pronësia mbi tokën mbetet edhe një nga shkaqet pse bujqësia është një sektor që ka vuajtur mungesën sistematike të kreditimit nga bankat.

E megjithatë, të gjithë i kanë drejtuar sytë sërish nga bujqësia, që vlerësohet si një nga sektorët më potencialë dhe sektori i të ardhmes së konsumit vendas dhe rajonal.

Perspektiva e bujqësisë shqiptare është e ndriçuar, por në të njëjtën kohë problemet e shtuara për zgjidhje janë të shumta dhe komplekse. “Unë do të dalloja elemente të rëndësishme që, nëse adresohen suksesshëm, kanë shansin të bëjnë diferencë të madhe. Shqipëria meriton një paketë më të mirë ligjore mbi tokën bujqësore dhe ligjin mbi kooperativat ose shoqatat bujqësore.

Shqipëria duhet të përcaktojë modelin e saj bujqësor si dhe duhet të zhvillojë politika afatgjata mbështetjeje të ekuilibruar midis modeleve mikse të zhvillimit të fermave,

Natyra, me më shumë se 260 ditë me diell në vit dhe pozicioni i favorshëm gjeografik i japin Shqipërisë avantazhe unike krahasuese në rajon, që mund të shfrytëzohen me pak investime dhe shumë zgjuarsi për zhvillimin e segmenteve të veçanta.

Tranziti

Shqipëria ofron një mundësi shumë oportune komunikimi mallrash mes Lindjes dhe Perëndimit, Jugut të pasur me lëndë të para dhe Veriut me produktet e gatshme. Shqipëria mund të bëhet një nyje universale transiti, që do të thotë që të ketë vëllime portuale trajtimi mallrash të paktën 500-1000 herë më të madh nga çka aktualisht.

Klasterat nuk dalin nga moda asnjere.

Klasteri është një dukuri ku firmat nga e njëjta industri mblidhen së bashku në një territor të afërt.

Shpjegimi për klasterin si një mënyrë që kompanitë e vogla të gëzojnë disa nga përparësitë e ekonomisë së shkallës, zakonisht të rezervuar për bizneset e mëdha. Një territor i izoluar i papërdorur është zonë ku nxitësit e shumtë qeveritarë mund të sjellin përfitime të menjëhershme për një kompani të re, por, në një afat më të gjatë, kompania e re mund të kishte më shumë përparësi nëse do të ngjishej në një zonë të shtrenjtë të pasurive të paluajtshme urbane, në afërsi të madhe me një numër domethënës të konkurrentëve të saj.

Në disa raste, shërbimet ndihmëse që krijohen e rriten për t’u shërbyer klasterave industrialë kanë mbetur në pozicion dhe janë zhvilluar në industri të reja shumë kohë pasi klientët e tyre origjinalë të industrisë ishin zhdukur, dhe kjo edhe pse shume nuk e kuptojne do te ishte nje prioritet per Shqiperine e te ardhmes.

Ekzekutimi i fundit i Fan Nolit – Si u var në Tiranë, Vesel Lam Hidri, vrasësi i amerikanëve, një ditë përpara rikthimit të Zogut

Studiuesi Ilir Ikonomi ka publikuar një  pjesë nga libri i tij REBELI – Fan Noli, vëllimi II ku dëshmohet vrasja e Vesel Lam Hidrit, vrasësi i dy amerikanëve Coleman dhe DeLong në Mamurras në prill 1924.

Vrasja e Hidrit ka ndodhur në agim të së hënës më 22 dhjetor, një nxitim i madh për kohën, pasi qeveria në pushtet e udhëhequr nga Noli kërcënohej nga trupat e Ahmet Zogut që po marshonin për në Tiranë.

Shkrimi i Ilir Ikonomit:

Më 22 dhjetor 1924, në sheshin e vogël përpara xhamisë dhe Kullës së Sahatit në Tiranë u ekzekutua me varje Vesel Lam Hidri, njëri prej vrasësve të dy udhëtarëve amerikanë Coleman dhe DeLong në Mamurras në prill të atij viti. Përshkrimi i mëposhtëm është ndërtuar sipas dëshmisë së gazetarit John Clayton të Chicago Daily Tribune dhe arkivit të SHBA. Hidri u ekzekutua vetëm një ditë përpara se qeveria e Fan Nolit të largohej nga Tirana dhe kur forcat e Ahmet Zogut po marshonin drejt kryeqytetit.

***

Vesel Lam Hidri, i dënuari me vdekje për vrasjet e Mamurrasit, u var në litar duke u gdhirë e hëna, 22 dhjetor. Të gjithë e dinin se qeveria e Nolit i kishte ditët të numëruara, prandaj ngutja për të varur Hidrin ishte e kuptueshme. Mbase ishte një përpjekje e fundit e Nolit për të mbajtur premtimin që u kishte dhënë amerikanëve se vrasësit do të ndëshkoheshin. Pushteti i tij po përpiqej të tregonte se sistemi i drejtësisë kishte funksionuar.

Një skuadër policësh dhe xhandarësh e mori Hidrin nga burgu dhe e solli në qendër të Tiranës, te Kulla e Sahatit, përpara Xhamisë së Et’hem beut. Duart i kishte të lidhura me zinxhirë. E mbanin nga krahët dy xhandarë trupmëdhenj, para të cilëve ai dukej fare i vogël. Në mugëtirë mezi shihej dhe, dikush, kishte sjellë një llambë me vajguri.

-Si nuk më treguat? – thirri Hidri kur pa trekëmbëshin dhe litarin. Po unë nuk kam frikë, jo. O kumandar i policisë! Ku je, mor kumandar! Fute dorën në xhepin tim se kam një pare argjendi aty! Jepja hoxhës!

Hidri kishte një fytyrë të gjatë e të hollë, që mbaronte me një mjekër të vogël, paksa të dalë përpara. Dukej tip malësori, me ballë të lartë dhe hundë prej zhgabe, të gjatë e me samar. Xhandarët i kontrolluan xhepat, por nuk gjetën gjë. Njëri prej tyre i foli ashpër:

-Thuaj ç’ke për të thënë se nuk kemi kohë!

Për të parë skenën e rrallë, veç autoriteteve shqiptare, kishte ardhur një korrespondent i gazetës Chicago Tribune, sekretari i legatës amerikane, përfaqësuesi i Fordit në Tiranë dhe një instruktor në shkollën e Kryqit të Kuq amerikan. Përkthyes ishte Kol Kuqali i legatës amerikane.

-Thuaj ç’ke për të thënë, – foli prokurori Sulo Bogdo.
-E pse të flas? Ju s’keni për t’ia treguar huqumetit (qeverisë) ato që unë do të them.
-Do t’ia themi të gjitha. Çdo fjalë e jotja do të shkruhet, – tha prokurori.

Hidri po përpiqej të fitonte kohë. Një çast, llamba me vajguri u shua. Dikush tha se nuk ishte nevoja ta ndiznin përsëri. Hidri protestoi:

-Ndizeni! S’mund të bëjmë dot pa dritë.

Llamba u ndez dhe prokurori tha:
-Hajde, fol ç’ke për të folur!
-Hair efendëm. Ku është sekretari që të shkruajë fjalët e mia?
U afrua sekretari i Gjykatës Ushtarake dhe Hidri tha:
-Të mi thoni gruas që të mos e lërë familjen. Ajo mund të martohet me vëllain tim, Hasanin, ose mund të mos martohet fare, por nga familja të mos ndahet. Pasurinë ia lë gruas dhe vajzës. Borxhe nuk kam.

Ndërhyri prokurori:

-Ke gjë tjetër?
-Jo.

Hoxha i tha Hidrit të lutej me të, por ky i bërtiti:

-Ik, se nuk kam nevojë për ty!
-Jo, biri im, jo, – tha hoxha. -Mos e prish besimin. Në këtë litar kanë kaluar edhe bejlerë, pashallarë e mbretër, nuk je ti i vetmi.

Pas lutjes u bë gati trekëmbëshi dhe litari. Hidri u kthye nga prokurori:

-Po më vret kot.
-Nuk po të vras unë, por ligji, – tha Sulo Bogdo.

Në qafë i varën një karton ku ishte shkruar vendimi i gjyqit me germa të mëdha, ngjyrë blu.

E hipën mbi karrige, por ai ishte i shkurtër dhe nuk i arrinte qafa tek litari. Xhandarët e ngritën dhe u përpoqën t’ia vinin lakun në qafë.

-Mbaje kokën drejt, or dreq, – i bërtiti një xhandar.
-Ma drejto ti, as kaq nuk bën dot? – tha Hidri.

Xhandarët u përpoqën përsëri dhe arritën t’ia fusin kokën brenda lakut, por nyja e litarit i ngeci Hidrit në sy.

-Avash se po më nxirrni syrin. Bëjeni tamam, – tha ai.

Me një përpjekje të fundit arritën t’ia venë Hidrit litarin aty ku duhej. Ai psherëtiu dhe ata e lëshuan. Pesha e trupit ia këputi qafën, ndërsa këmbët i lëvizën vetvetiu disa herë para se t’i dilte shpirti.

(Nga libri REBELI – Fan Noli, vëllimi II)

Gjermania përgatitet për luftë, do të ndërtojë deri në një milion strehimore! Plani prej 30 miliardë eurosh

Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar një projekt masiv për përforcimin e mbrojtjes civile në rast konflikti ushtarak, përmes ndërtimit të deri në një milion strehimore në të gjithë vendin. Lajmin e bëri të ditur Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë në Rast Katastrofash (BBK), në një intervistë për gazetën Süddeutsche Zeitung.

Sipas tij, Gjermania përballet me një rrezik në rritje përballë një sulmi të mundshëm ushtarak në Europë, dhe për këtë arsye kërkohet një reagim i shpejtë dhe i organizuar. Projekti parashikon adaptimin e tuneleve, stacioneve të metrosë, garazheve nëntokësore dhe hapësirave të tjera publike, në mënyrë që të shërbejnë si strehimore në raste emergjente.

Tiesler tha se brenda verës do të prezantohet një plan i plotë, që do të përfshijë edhe pajisjen e këtyre strehimoreve me ujë, ushqime dhe shtretër kampingu, duke mundësuar qëndrimin e qytetarëve për disa ditë në to. Plani do të kushtojë rreth 30 miliardë euro dhe do të përfshijë gjithashtu zgjerimin e sistemeve të alarmit kombëtar, përmes platformës ekzistuese të paralajmërimit NINA.

Aktualisht, Gjermania ka vetëm 579 strehimore publike në gjendje të përdorshme, të cilat mund të strehojnë rreth 477 mijë persona – një shifër shumë e ulët krahasuar me popullsinë e vendit. Shumica e këtyre strehimoreve janë objekte të mbetura nga koha e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk janë mirëmbajtur që nga viti 2007.

Në të njëjtën kohë, vihet re një rritje e ndjeshme e kërkesës për strehimore private në të gjithë Europën, veçanërisht në Gjermani, Francë dhe shtetet baltike, çka pasqyron një shqetësim të përhapur në opinionin publik për sigurinë dhe përgatitjen në kohë krize.

EULEX-it i zgjatet mandati në Kosovë deri në vitin 2027

Misionit të Bashkimit Europina për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) në Kosovë i është zgjatur mandati deri më 14 qershor 2027.

Kështu është marrë vendim nga Këshilli i Bashkimit Evropian në Luksemburg më 05.06.2025.

Sipas këtij vendimi, në kontekstin e rishikimit strategjik të EULEX-it, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që misioni të zgjatet deri më këtë datë.

Hera e fundit kur EULEX-it iu zgjat mandati ishte më 5 qershor 2023, deri më 14 qershor 2025.

Më 4 shkurt 2008, Këshilli miratoi Veprimin e Përbashkët duke themeluar misionin EULEX në Kosovë.

Shuma referente financiare për mbulimin e shpenzimeve të EULEX në Kosovë nga data 15 qershor 2025 deri më 14 qershor 2027 është 170,866,980 euro.

Nga kjo shumë, 64 mijë e 492 980 euro janë për mbulimin e shpenzimeve të misionit në Kosovë, kurse 106 mijë e 374 janë për mbështetjen e procedurave gjyqësore të zhvendosura në një Shtet Anëtar.

EULEX ka ardhur në Kosovë në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, duke e zëvendësuar misionin e OKB-së, UNMIK, por me kompetenca më të kufizuara.

EULEX-it iu zvogëluan kompetencat edhe më shumë në vitet 2011 dhe 2012 kur Kosovës iu hoq ‘mbikëqyrja ndërkombëtare’ e pavarësisë.

Italianët votojnë për lehtësimin e kërkesave të shtetësisë

Italianët do të nisin votimin të dielën në një referendum dy ditor për të vendosur nëse do të lehtësojnë ligjet e shtetësisë dhe nëse do të përmbysin një liberalizim dhjetëvjeçar të tregut të punës. Por, votimi mund të mos arrijë të gjenerojë pjesëmarrje të mjaftueshme për t’u konsideruar i vlefshëm.

Partitë e majta dhe të qendrës në opozitë, grupet e shoqërisë civile dhe një sindikatë kryesore tregtare janë fokusuar tek të drejtat e punës dhe problemet demografike të Italisë, si një mënyrë për të sfiduar qeverinë e koalicionit të djathtë që udhëhiqet nga Giorgia Meloni.

Ata mblodhën mbi 4.5 milionë nënshkrime, shumë më tepër sesa nevojitej për të nxitur referendumin, që do të përfshijë pesë pyetje, katër mbi tregun e punës dhe një për shtetësinë.

Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se ata do të kenë vështirësi të bindin 50% plus një të elektoratit të kërkuar që të dalin në votime për ta bërë rezultatin e votimit të detyrueshëm. Meloni dhe ministrat e lartë të qeverisë kanë treguar se nuk do të votojnë. Një sondazh i institutit Demopolis muajin e kaluar vlerësoi se pjesëmarrja do të ishte rreth 31-39% midis 50 milionë zgjedhësve të Italisë, shumë më pak se pragu i kërkuar.

“Sigurimi i një kuorumi do të jetë i vështirë. Qëllimi minimal i opozitës është të tregojë forcë dhe të sjellë në votim më shumë njerëz sesa 12.3 milionë që mbështetën qendrën e djathtë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022”, tha një nga anketuesit.

Çështja e shtetësisë ka tërhequr vëmendjen më të madhe të publikut në një komb ku shqetësimet mbi shkallën e emigracionit ndihmuan në ardhjen në pushtet të koalicionit kundër emigrantëve të Giorgia Meloni në 2022.

Pyetja në fletën e votimit u kërkon italianëve nëse mbështesin uljen e periudhës së qëndrimit të kërkuar për të aplikuar për shtetësi italiane në pesë vjet nga 10. Kjo mund të prekë rreth 2.5 milionë shtetas të huaj, thonë organizatorët.

Me lindjet në Itali në rënie të ndjeshme, ekonomistët thonë se vendi duhet të tërheqë më shumë të huaj për të nxitur ekonominë anemike.

Pyetjet në lidhje me tregun e punës synojnë ta bëjnë më të vështirë largimin e disa punëtorëve dhe të rrisin kompensimin për punonjësit e pushuar nga puna, duke përmbysur një ligj të miratuar një dekadë më parë.

Kuestori italian: ‘Ndrangheta dhe mafia shqiptare, fytyra e re e krimit në Milano

Bruno Megale është në krye të Shtabit të Policisë së Milanos prej rreth 1 viti. I lindur në Reggio Calabria në vitin 1966, Megale konsiderohet si një nga ekspertët më të mëdhenj të antiterrorizmit. Në fillim të karrierës së tij ai punoi për 10 vjet në Brescia dhe ishte drejtor i “Digos” në Milano, por edhe komisar policie në Caltanissetta, më i riu në Itali.

“Në Milano, gjithçka shitet”

“Grabitjet e mëdha apo sulmet politike terroriste të viteve ’70 dhe ’80, nuk ekzistojnë më”, – thotë Megale i intervistuar nga gazeta e përjavshme italiane “Famiglia Cristiana”. “Në këtë kontekst po shfaqen realitete të reja kriminale përveç ‘Ndranghetës, veçanërisht të fshehta, siç është mafia shqiptare” – thotë ai në intervistë.

“Milanoja është gjithashtu qyteti i 300 mijë studentëve universitarë që ndjekin 9 universitetet e pranishme, të barabarta me 17.8% të banorëve. Kjo do të thotë se nuk ka më vetëm 4 ose 5 zona për argëtim në mbrëmje siç kishte deri pak kohë më parë”.

Kjo sipas Megale bën që në Milano të “shitet gjithçka: kokainë, droga sintetike, pilula të të gjitha llojeve, droga etnike si shaboo, një metamfetaminë sintetike e fuqishme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe shumë problematike. Edhe disa droga që kishin dalë nga moda, si heroina, po rikthehen”.

“Droga qarkullonte edhe në dy anët e stadiumit San Siro”

“Ka rrugë të ndryshme. Kur unë isha komisioner policie në Reggio Calabria mbaj mend që shpesh na është dashur të merremi me portin e Gioia Tauro, i cili përveç aktiviteteve normale tregtare funksiononte edhe si një qendër për mbërritjen e kokainës në dispozicion të ‘Ndranghetës. Në vitin 2023, u sekuestruan 23 ton kokainë në Kalabri. Natyrisht, jo të gjitha ishin të destinuara për në Itali, por kjo na tregon fuqinë e organizatës. Trafiku i drogës është ende motori ekonomik i krimit këtu në Milano.

Droga qarkullonte gjithashtu në dy anët e stadiumit San Siro, objekt i hetimeve tona të koordinuara nga Zyra e Prokurorit, rreth vrasjes së Bellocco, një figurë kryesore në ‘Ndrangheta. Hetime që çuan në dhjetëra arrestime. Baza e tifozëve ultras është dominuar nga këto grupe të cilët, përmes dhunës, kanë marrë përsipër të gjitha mundësitë e biznesit që ofronte vetë stadiumi”, – tha ai.

“Tani ‘Ndrangheta po lëviz edhe përmes kriptovalutave”

“Milano nuk është Gotham City: është një metropol kompleks, ku krimet, falë veprimit të përbashkët të policisë, po zvogëlohen. Nuk ka lagje ku policia nuk arrin, kontrolli i territorit është i përhapur. Mafia ka përfituar nga kriza e bizneseve tregtare për shkak të Covid për t’u futur në strukturën prodhuese përmes të ardhurave të mëdha të trafikut të drogës.

Ata kanë marrë dyqane, kanë blerë kompani në vështirësi, kanë depërtuar në shumë sektorë produktesh. Tani ‘Ndrangheta lëviz edhe përmes kriptovalutave. Në Shtabin e Policisë kemi një seksion të veçantë që heton këtë lloj trafikimi” – thotë ai.

Kur kujtesa bardhësohet me gëlqere

Nga Neli Demi

Ka disa vende që nuk duhen prekur, dhe disa dhimbje që nuk duhen zbukuruar.
Spaçi është një nga ato vende. Një nga ato dhimbje.

Prej disa ditësh, në emër të një filmi që pritet të xhirohet mbi atë realitet, në burgun famëkeq të Spaçit është ndërhyrë në mënyrë të pakonsultuar, duke suvatuar, duke lyer me gëlqere, duke “restauruar” në mënyrë të pamend një vend që s’është ndërtuar për të qenë i bukur, por për të kujtuar të shëmtuarën. Jo për ta fshehur atë.

Akoma më tronditës është fakti se ky veprim po ndodh, sipas vetë regjizorit, mbi bazën e një dakordësie verbale me Kryeministrin. Pa një vendim institucional, pa konsultim me të mbijetuarit, pa përfshirje të qendrave përkujtimore, pa asnjë reflektim etik mbi atë çfarë përfaqëson Spaçi në ndërgjegjen e shqiptarëve.

Po jetojmë në një vend ku mungon drejtësia restauruese dhe pikërisht për këtë, kujtesa është kthyer në spektakël, në fasadë, në shfaqje e jo në ndërgjegje. Aty ku duhej të niste një proces dëgjimi, drejtësie, përuljeje ndaj viktimave, ne vendosim dora vetë: shtrojmë çimento, lyejmë me bojë, pastrojmë dhimbjen si të ishte një korridor ministrie që do vizitohet nga delegacioni i BE që sapo iku.

Por Spaçi nuk është dekor.
Spaçi është dëshmi. Dhe çdo ndërhyrje në të, sidomos pa etikë dhe pa proces, është një formë e re e dhunës ndaj së vërtetës historike.

Kjo nuk është një çështje që prek vetëm të mbijetuarit e atij kampi. Prek secilin prej nesh që kërkon t’i japë një kuptim asaj që ka ndodhur. Sepse një shoqëri që nuk është përballur me të shkuarën e saj me ndershmëri, është një shoqëri që gjithmonë do ta ketë të përgjakur të ardhmen. Nga mosbesimi, nga relativizimi moral, nga mungesa e një themeli të përbashkët mbi të cilin mund të ndërtojmë.

Dikur, Spaçi ishte vend ku fjalët e lira burgoseshin, ku idealet shtypeshin, ku dinjiteti ndëshkohej. Sot, po rrezikon të bëhet vend ku e shkuara zhvishet nga peshat e saj për t’u bërë subjekt filmi, objekt fasade, referencë propagande.

Në një vend ku nuk ka pasur asnjëherë një gjyq publik për krimet e diktaturës, ku askush nuk ka kërkuar ndjesë, ku nuk ka një Muze Kombëtar të Përndjekjes, të prekësh Spaçin pa ndjeshmëri është një akt i turpshëm i harresës së organizuar.

Le ta themi qartë dhe ta bërtasim fort:
Nuk ka kujtesë të vërtetë pa drejtësi. Dhe nuk ka drejtësi pa dëgjim të viktimave.
Çdo tentativë tjetër është zbukurim i krimit.

Ne kemi nevojë për një përballje me të shkuarën që nuk fillon me kamera, por me heshtje. Me përulje. Me dëshmi.
Vetëm atëherë, arti do të mund të thotë diçka të vërtetë.
Vetëm atëherë, gëlqerja nuk do të jetë më një mjet zbukurimi, por një përkujtim i së bardhës së munguar në faqet e errëta të historisë.

U bëj thirrje institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe çdo qytetari me ndërgjegje historike:
• Të ndalet menjëherë çdo ndërhyrje në vendet e përndjekjes pa një proces të konsultuar dhe transparent.
• Të nisë puna për një kuadër ligjor që mbron vendet e kujtesës si trashëgimi morale dhe kulturore e shoqërisë shqiptare.
• Të krijohet një muze kombëtar i vuajtjeve të diktaturës, që nuk i zëvendëson me asgjë dëshmitë autentike si Spaçi, por i vendos në një rrëfim të ndershëm kombëtar.
• Të ngrihet një komision etik për vlerësimin e çdo projekti artistik që prek drejtpërdrejt vendet e dhimbjes historike, për të siguruar që arti të mos bëhet maskë për harresën.

Sepse përpara se të bëjmë art mbi të shkuarën, duhet të jemi të sigurt se jemi përballur me të. Me gjithë dhimbjen e saj.

Brukseli rrëzon propagandën e Ramës: Shqipëria e fundit në rajon për të ardhura publike, përfshirje digjitale dhe arsim!

Në një raport të publikuar së fundmi, Komisioni Evropian ka evidentuar një sërë sfidash strukturore dhe fiskale që po frenojnë progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike. Edhe pse ka vlerësime në aspektin ekonomik, sërish ka shumë probleme.

Të ardhurat publike mbeten më të ulëtat në rajon, ndërsa shpenzimet e fshehura tatimore dhe një sistem kompleks fiskal po i kushtojnë shtetit shqiptar miliona euro çdo vit. Edhe pse qeveria miratoi një strategji afatmesme të të ardhurave për periudhën 2025–2027, Komisioni thekson se reformat janë të fokusuara vetëm në administratën tatimore, pa prekur strukturën e pabarabartë të politikave fiskale.

Sipas raportit, rreziqet fiskale mbeten të larta, veçanërisht nga ndërmarrjet shtetërore, PPP-të dhe Banka Kombëtare e Zhvillimit, që pritet të mbështetet nga garanci shtetërore të rrezikshme. Në mungesë të një institucioni të pavarur fiskal dhe me borxh të lartë publik me maturitet afatshkurtër, Shqipëria po ecën në një terren të rrëshqitshëm financiar.

Brukseli rrëzon propagandën e Bablokut: Shqipëria e fundit

Ndër sfidat më të rënda të evidentuara është ekonomia informale, që mbetet e përhapur dhe që rrënon konkurrencën e ndershme, mbrojtjen sociale dhe bazën tatimore. Komisioni thekson se vendi vazhdon të ketë raportin më të ulët të të ardhurave tatimore ndaj PBB-së në rajon, duke ndikuar negativisht në investimet publike, edukim dhe shëndetësi.

Nga ana tjetër, varësia nga hidrocentralet po e bën sistemin energjetik të brishtë dhe të paqëndrueshëm, ndërkohë që integrimi në tregun evropian të energjisë dhe përballja me krizën klimatike kërkojnë reforma të thella dhe investime në diversifikim dhe burime të rinovueshme.

Në aspektin digjital, Shqipëria përballet me mangësi serioze në infrastrukturën e internetit dhe mungesën e legjislacionit të përshtatur me direktivat e BE-së për sigurinë kibernetike, sidomos në zonat rurale. Shteti shqiptar ende nuk ka përmbushur detyrimet për rrjetet 5G dhe shërbimet elektronike publike.

Arsimi mbetet një tjetër plagë e hapur për zhvillimin, me nivele të larta braktisjeje shkollore, mungesë pajisjesh, mësues të pa trajnuar dhe kurrikula të vjetëruara. Papunësia vazhdon të mbetet e lartë, sidomos te të rinjtë dhe gratë, ndërsa “brain drain”-i po boshatis vendin nga fuqia punëtore e kualifikuar.

Komisioni i ka vënë Shqipërisë në dispozicion një shumë prej 922 milionë euro në grante dhe kredi përmes Planit për Reforma dhe Rritje, të cilat do të lëvrohen me kushtin e vetëm: reformat të nisin realisht dhe pa vonesa.

Sfidat sipas KE

Komisioni Evropian miratoi Agjendën e Reformës për Shqipërinë në tetor 2024. Në këtë agjendë për periudhën 2024-2027, Shqipëria angazhohet për reforma socio-ekonomike dhe themelore për të përshpejtuar rritjen dhe konvergjencën me BE-në. Në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, dhe me kusht që reformat të zbatohen, Shqipërisë i janë alokuar 922 milionë euro – nga të cilat 265 milionë euro si grante dhe 657 milionë euro si hua. Nga kjo shumë, 429 milionë euro do të jepen në formë mbështetjeje buxhetore, ndërsa 493 milionë euro për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF). Në dhjetor 2024, Shqipëria dorëzoi kërkesën për financim paraprak në Komision, duke kërkuar disbursimin e 7% të shumës totale.

Agjenda e Reformave e Shqipërisë është në përputhje me reformat strukturore të përfshira në Programin Ekonomik Reformues 2024, si dhe me udhëzimet e përbashkëta të politikave të dakorduara në Dialogun Ekonomik dhe Financiar të majit 2024.

Ekonomia informale e përhapur dëmton konkurrencën, mbrojtjen sociale dhe ul bazën tatimore.

Nivelet e larta të informalitetit krijojnë konkurrencë të padrejtë, pasi bizneset informale shmangin tatimet dhe rregullat ligjore. Gjithashtu, ndikon negativisht në të drejtat e punëtorëve që shpesh nuk kanë kontrata formale, sigurime shoqërore apo mbrojtje ligjore. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria ka një raport më të ulët të të ardhurave nga tatimet ndaj PBB-së. Kjo ndikon në aftësinë e shtetit për të investuar në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale.

Agjenda parashikon masa për të reduktuar ekonominë informale përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe forcimit të sundimit të ligjit. Masa thelbësore është zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave për rritjen e të ardhurave të brendshme dhe përmirësimin e sistemit tatimor. Janë planifikuar edhe reforma ligjore për dixhitalizimin e kadastrës, përmirësimin e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore përmes emërimeve meritokratike dhe miratimin e një ligji për PPP-të në përputhje me acquis-in e BE-së. Shqipëria angazhohet gjithashtu për të miratuar Ligjin e Unifikuar për Investimet dhe aktet nënligjore deri në dhjetor 2026.

Furnizimi i qëndrueshëm me energji mbetet sfidë

Varësia e madhe nga hidrocentralet e bën sistemin energjetik të cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve. Edhe pse ka pasur rritje të prodhimit të brendshëm dhe kapacitetit diellor, diversifikimi energjetik është i domosdoshëm. Sfidat përfshijnë harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së, integrimin e tregut të energjisë me BE-në, krijimin e tregut brenda-ditor dhe përshtatjen graduale të tarifave me çmimet e tregut duke mbrojtur konsumatorët vulnerabël.

Agjenda përfshin: zhvillimin e një plani veprimi për energjinë e rinovueshme, lehtësimin e lejeve për projektet, krijimin e komuniteteve energjetike, strategjinë afatgjatë për rinovimin e ndërtesave, përgatitjet për sistemin e tregtimit të emetimeve (ETS) dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit energjetik.

Dixhitalizimi dhe siguria kibernetike janë sfida kyçe

Shqipëria ka mungesa në qasjen në internet me shpejtësi të lartë, sidomos në zonat rurale. Është e nevojshme përditësimi i kuadrit ligjor për të qenë në përputhje me direktivat e BE-së, veçanërisht NIS2 për reziliencën kibernetike. Agjenda përfshin zbatimin e rregullores së BE-së për identitetin digjital, përmes krijimit të një portofoli digjital (eËallet), përmirësimin e aksesit në shërbimet publike elektronike dhe sigurimin e infrastrukturës për rrjetin 5G.

Tregu i punës dhe sistemi arsimor përballen me sfida të thella strukturore

Papunësia mbetet e lartë (9.6% në tremujorin e katërt 2024), sidomos te të rinjtë dhe gratë. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është e ulët. Puna informale kufizon aksesin në të drejtat dhe përfitimet sociale. Emigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar përkeqëson mungesën e burimeve njerëzore. Ekziston një mospërputhje e madhe mes kërkesave të tregut dhe sistemit arsimor. Mungesa e arsimit profesional cilësor dhe politikave aktive pengon punësimin cilësor dhe përshtatshmërinë e fuqisë punëtore.

Sistemi arsimor karakterizohet nga rezultate të ulëta, shkallë të lartë braktisjeje shkollore (sidomos në zonat rurale), kurrikula të vjetruara, mungesë trajnimi për mësuesit dhe infrastrukturë të pamjaftueshme. Përdorimi i dobët i teknologjisë dhe përfshirja e mangët e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë gjithashtu probleme madhore.

Agjenda e Reformave synon zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes masave që përfshijnë: përmirësimin e arsimit, përditësimin e kurrikulave, ngritjen e komiteteve sektoriale për aftësitë, dixhitalizimin e arsimit, pajisjen e shkollave me pajisje ICT dhe krijimin e sistemit të certifikimit të aftësive digjitale.