25.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Aksident i rëndë/ Kamioni përplaset me një makinë, një person humb jetën, një tjetër mbetet i plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë pasdite (12 qershor) në Byppasin e Vlorës, ku një kamion është përplasur me një automjet tjetër.

Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Nuk dihet identiteti i viktimës ose të plagosurit.

Ndërkohë Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Partia Demokratike Euroatlantike si antidot ndaj realitetit të molepsur politik

Nga Mirela Karabina

Partia Demokratike Euroatlantike është një realitet faktik. Fryma dhe vullneti i njerëzve të saj është besimi te vlerat.

E këtë status as ta fal e as ta jep kush, por kjo ekziston prej shpirtrave të njerëzve të lirë që e duan dhe respektojnë veten, duan familjen e tyre, respektojnë pronën, individin e besimin në Zot, shoqërinë, partinë e Shqipërinë.

E gjendur në një agresion të paprecendetë për të mos ekzistuar pasi prish skemën 34 vjeҫare të Trekëndëshit të Bermudes (Rama-Berisha-Meta), kjo forcë politike ia doli që me votat e 104 mijë idealistëve në zgjedhjet vendore të majit të kthehej në shpresë për qytetarët.

Prej një viti u ndërtuan strukturat e reja të saj dhe në qershor Lulzim Basha dhe njëqind profesionitë i prezantuan shqiptarëve programin më të mirë që një forcë politike ofron, me prioritet ndryshimin e realitetit të trishtë të vendit në ekonomi, korrupsion dhe shpopullim.

Një vendim politik dhe jo juridik i Gjykatës së Apelit vendosi ndryshimin e vulës dhe logos.

Por një simbol ka vlerë juridike por kurrësesi nuk e ka fuqinë njerëzore e cila e ka krijuar atë!

Sot kjo forcë, më e motivuar se kurrë, është e gatshme të përballet me betejen me të vështirë: me korrupsionin dhe krimit në pushtet, me antivlerat minuese të demokracicë dhe me këdo që është pengesë në rrugën e saj për të qenë alternativa më e mirë për Shqipërinë.

Ndaj me besimin në Zot dhe në vlera, kjo forcë ka një mision historik për të ndryshuar këtë realite të trishtë:
pasi ne meritojmë më shumë, fëmijët tanë meritojnë më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë, Shqipëria meriton më shumë!

Fuqia jonë janë vlerat pa të cilat as nuk i shërbejmë dot qytetarëve e as fitojmë besimin e tyre.

E kjo fuqi është sot antidot (kundërhelm) ndaj këtij moҫali politik.

Krijimi i subjektit të ri është çështje urgjente politike dhe morale!

Nga Alban Daci

Vendimi i gjykatës për ligjshmërinë e PD po konsiderohet si fenomen traume tek një pjesë e konsiderueshme e grupimit të Bashës!

Sigurisht brenda këtij grupimi si në çdo grupim politik ku shpesh interesat ndërthuren me nevojat, llogaritë personale e me ideale apo qëndrime, ka pasur edhe persona që qëndruan me idenë se do të ishin zyrtarisht përfaqësues politik të saj e për pasojë do të kishin karrierën e garantuar dhe privilegje të garantuara.

Për të ketë kuptuar se kush ishin këta mjafton të kuptojnë faktin se ishin sulur për të marrë poste edhe nga dy herë. Ndonjëherë këtë e kishin bërë duke pasur mandatin e deputetit dhe për shkak të nevojës që kishte Basha për grupin parlamentar, ata e kushtëzimin këtë të fundit duke marrë çfarë të donin e duke u sjellë si të donin!

Në fakt, brenda këtij lloj kishte pak idealizëm e shumë pragmatizëm dhe interesa të mirëfillta pushteti dhe karriere. Këta kishin pak lidhje me kauzat e verteta te Bashës apo edhe të tjerëve me të cilët rezistonin apo qëndronin!

Shpesh jam habitur me tolerancën që kishte Basha me njerëzit që e rrethonin! Ishte aq shumë liberal, sa thuajse shumica silleshin në mënyrë individuale, kryetar në mendjen e tyre si të barabartë me Bashën, sepse këtë të fundit nuk e mbështesin për shkak të sfidave, por sepse ky i fundit ishte në vështirësi duke mos pasur shumë mundësi në disponim.

Historia e krizës në PD, për të cilën kam folur shumë ka qenë për çështje parimore, për këndvështrime brezash dhe për ideale. Në këtë kategori bëjnë pjesë shumica e atyre që i qëndruan Bashës në krahë duke e mbështetur pa rezerva dhe pa kërkuar shkëmbime ofiqesh apo privilegjesh!

Në këtë kategori bëjnë pjesë shumica e atyre të rinjve, rreth 103 mijë që votuan për PD në zgjedhjet e fundit, të ndarë dhe të shkëputur nga e kaluara. Sot, minimalisht grupimi i Bashës fillon me një elektorat prej 100 mijë votuesish, por jo vetëm kaq!
Sistemi politike aktual është një krizë totale ku besueshmëria ndaj atyre që kanë 30 vite me simbolikën e tranzicionit nuk i duan rreth 70% e shqiptarëve.

Këtë nuk e them une, por e kanë thënë thuajse të gjitha sondazhet e dy viteve të fundit. Por, kriza më e madhe është në krahun e djathtë që në status quon aktuale nuk ofron asgjë të re, por riciklim, regres dhe kthim mbrapa. Gjithashtu, sistemi aktual politik është në krizë morale për shkak të përballjes me drejtësinë. Pak a shumë ose thuajse identike me atë italiane të fillim viteve ’90, ku

Republika I ra menjëherë si tërmet dhe i zhduken partitë klasike që kishin dominuar për 40 Italinë që nga mbarimi i Luftës II Botërore. Italia pati një strateg që njihte zemrën, mendjen e barkun e Italianëve e ky ishte Berlusconi që krijoi Forza Italia, parti të djathtës liberale e të moderuar duke marrë vendin e Demokracisë Kristiane që e kishte dominuar për dekada.

Shqipëria ka nevojë për një parti të ngjashme me Forza Italian, për të zënë vendin e krizës që ka prodhuar e djathta shqiptare për shkak të konsumimit mungesës së alternativës e pengesës që i ka bërë nderimit të elitave.

Basha ka dy vjet që lufton mbi kauzat që ka ngritur!
Basha ka më shumë se dy vjet që ka njerëz që i kanë besuar dhe i kanë qëndruar besnikë duke besuar në qëndrimet dhe lidershipin e tij politik.
Basha ka rreth 100 mijë demokratë që e votuan pa bërë fushatë.

Basha ka shumicën e shqiptarëve që nuk e pranojnë me status quon e kërkojnë një ofertë të re politike.
Basha në cilësinë e liderit për të gjitha këto duhet të krijojnë menjëherë logon e tij, subjektin e tij me idetë, qëndrimet dhe parimet që ka shpalosur këto dy vite.

Basha si lider duhet t’a krijojë menjëherë këtë subjekt për të dhënë një sinjal të qartë tek njerëzit që i besojnë dhe i qëndrojnë pranë. Çdo vonesë do te dobësonte lidershipin politik të Bashës.
Basha është ndëshkuar politikisht edhe për stilin e tij duke i marrë gjëra me ngadalësi dhe kundërshtarët ecnin me vrull për t’a mundur duke i marr çdo hapësirë.

Basha ka detyrim moral ndaj besnikëve, por edhe detyrim politik ndaj shqiptarëve dhe të djathtëve që të jap sinjale të shpejta dhe forta për vazhdimësinë e rrugës së tij politike.

Rriten kreditë e këqija në muajin prill – Qytetarët dhe bizneset nuk po paguajnë kreditë

Qytetarët dhe bizneset nuk po I paguajnë në kohë kreditë e tyre. Numri i kredive me probleme ka pësuar rritje në muajin prill, pas një trendi rënës që u vërejt në tremujorin e parë të vitit. Nga të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë treguesi i kredive me probleme ka arritur në 4.82%, duke u rritur nga 4.64% që ishte në muajin mars.

Kjo rritje reflekton një përkeqësim të situatës së kredive në tregun bankar shqiptar. Segmenti kryesor ku është vërejtur rritja e kredive me probleme është kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme në euro, veçanërisht tek individët. Kjo tregon se qytetarët dhe bizneset po hasin vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare për blerjen e pronave në këtë monedhë.

Në përpjekje për të menaxhuar situatën dhe për të mbledhur kreditë e këqija, Banka Qendrore ka vendosur masa të reja. Në rastet kur shoqëritë për blerjen e kredive problematike humbin licencën, do të emërohet një likuidator për të mbledhur këto kredi. Likuidatori do të veprojë sipas një plani të përcaktuar, duke ruajtur edhe provat e nevojshme për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent të mbledhjes së kredive.

Këto masa synojnë të sigurojnë një menaxhim më të mirë të kredive me probleme dhe të stabilizojnë situatën në tregun bankar. Banka e Shqipërisë vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e sektorit bankar dhe të qytetarëve.

Analiza e VOA: Përparësitë e politikës së jashtme të Biden dhe Trump

Luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, si dhe rivaliteti i Shteteve të Bashkuara me Kinën, mbeten çështjet kryesore të diplomacisë amerikane, pa marrë parasysh se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara i hedh një vështrim përparësive të politikës së jashtme të dy kandidatëve, Joe Biden dhe Donald Trump.

Më 2025, armëpushimi i përhershëm në Gazë mund të mos arrihet. Sulmi rus kundër Ukrainës mund të vazhdojë. Ndërsa Kina ende përbën një kërcënim.

Këto sfida mbesin, pavarësisht asaj se kush e fiton presidencën, Joe Bideni apo Donad Trumpi.

Edhe në mandatin e dytë të presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, politika e jashtme do të përqëndrohet në përparësi të njëjta – udhëheqja globale dhe multilaterizmi.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet e fuqishme për të udhëhequr me vlerat dhe forcën tonë. Do të ngrihemi për aleatët dhe miqtë tanë”, thotë Presidenti Biden.

Administrata beson se në qendër të vëmendjes duhet të jetë edhe një fushë tjetër.

“Një nismë e madhe me Kongresin që synon përmbushjen e premtimit për zhbllokimin e burimeve për botën në zhvillim”, thotë Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo nënkupton më shumë investime amerikane në programe për lehtësimin e borxheve, reformimin e institucioneve ndërkombëtare financiare të zhvillimit dhe projekte infrastrukturore në mbarë botën.

Kjo si kundërpërgjigje ndaj nismave kineze për zhvillim global, që mbështesin projekte të ndryshme në mbarë botën, si për shembull Korridori Lobito që lidh Zambian, Republikën Demokratike të Kongos dhe Angolën.
“Ne, jo vetëm që mund të ndërtojmë kapacitetet e transportit që mundësojnë angazhimin tonë mbi zhinxhirin e furnizimit me energji të pastër, por gjithashtu mund të zhbllokojmë mundësitë e mëdha bujqësore të Afrikës, duke nxjerrë mallra në treg dhe gjithashtu duke ndihmuar tranformim dixhital në atë zonë”, tha zoti Sullivan.

Nëse republikani Trump fiton, zhvillimi ndërkombëtar nuk do të jetë në qendër të vëmendjes.
“Do ta bëjmë Amerikën më të pasur, më të sigurt, më të fuqishme, më krenare dhe më të bukur se asnjëherë më parë. E kemi një mundësi të fundit për këtë”, thotë zoti Trump.

Megjithëse fraza kryesore e zotit Trump është “Amerika e para”, kjo nuk do të thotë se politika e tij e jashtme është ajo e izolimit.

“Politika nacionaliste ekonomike, po; asgjë nuk jepet falas, pa dyshim, por, unë mendoj se pjesa më interesante e politikës së tij të jashtme është përdorimi ndryshe i mjeteve të fuqisë amerikane”, thotë Rachel Rizzo nga Këshilli i Atlantikut.

Mbështetje e palëkundur për Izraelin, ndihmë e kushtëzuar për Ukrainën dhe rivalitet i fortë me Kinën. Këto janë përparësitë e politikës së jashtme në mandatin e dytë të propozuara nga instituti i lidhur me zotin Trump, ai i politkave të programit “Amerika e Para”.

“Këto janë tre fusha me të cilat çdo administratë e ardhshme e programit “Amerika e Para” duhet të përballet, duke vënë në provë qasjen ‘paqe përmes forcës’”, thotë Chad Wolf nga ky institut.

Megjithatë, politika e jashtme nuk pritet të jetë përcaktuese në zgjedhjet e nëntorit.

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë më të shqetësuar për inflacionin, ekonominë, imigracionin dhe krimin sesa me angazhimet e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit./ VOA

Ka luajtur 3 ndeshje me Francën, mbrojtësi 26-vjeçar i skuadrës së Bundesligës “flirton” me kombëtaren kuqezi/ Ja postimi në gjuhën shqipe

Antoni Caci mund të jetë afrimi surprizë në Kombëtaren e Shqipërisë. Duket se mbrojtësi 26-vjeçar, i cili aktivizohet në radhët e Maincit në Bundesligë ka nisur “flirtimin” me Kombëtaren kuqezi.

Futbollisti i cili aktivizohet në krahun e majtë, shihet si alternativa ideale për të dubluar Mario Mitajn. Në kampin kuqezi janë duke kërkuar për në lidhje me prejardhjen e Cacit, nëse rrënjët e tij janë shqiptare, atëherë mund të kemi një situatë të ngjashëm me atë të Ivan Balliut.

Së fundmi 26-vjeçari ka postuar një foto në “Instagram” teksa ka shkruar në gjuhën shqipe “vëllai im”, duke pozuar me vëllain e tij biologjik.

Mbetet të shihet me mjaft kuriozitet nëse ky lojtar mund të jetë pjesë e Shqipërisë në të ardhmen. Vlen të theksohet fakti se në të kaluarën Caci është aktivizuar 3 ndeshje me fanellën e kombëtares së Francës në Lojërat Olimpike, por kjo gjë nuk e pengon atë që të zgjedhë Shqipërinë.

Këtë sezon në Bundesligë, mbrojtësi i majtë regjistroi 31 paraqitje me Maincin, ku realizoi 2 gola si dhe regjistroi 3 asiste. Gjithashtu në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Strasburgut në elitën e futbollit francez.

Lëkurë e verdhë e ënjtje këmbësh, shenjat paralajmëruese që mëlçia juaj është në rrezik dhe çfarë duhet të bëni

Mëlçia juaj është organi më i madh i brendshëm në trupin tuaj dhe është përgjegjës për shumë funksione. Ndihmon në rregullimin e mpiksjes së gjakut , largimin e toksinave si alkooli nga qarkullimi i gjakut, prodhimin e biliare, etj.

Megjithatë, mëlçia juaj mund të dëmtohet dhe të ketë funksion të reduktuar për shkak të sëmundjes ose ndryshimeve të stilit të jetesës.

Çfarë është sëmundja e mëlçisë?

Sëmundja e mëlçisë është një term shumë i gjerë që përfshin shumë kushte të ndryshme që ndikojnë në funksionin e mëlçisë. Sëmundjet e mëlçisë përfshijnë hepatitin viral siç është sëmundja e mëlçisë yndyrore jo alkoolike ( NAFLD ) , hepatiti A , hepatiti B, hepatiti C, hepatiti D, hepatiti E dhe madje edhe kanceri ( karcinoma hepatocelulare -Eck ). Ndonjëherë këto simptoma shfaqen menjëherë, por jo gjithmonë .

5 shenja që tregojnë se diçka nuk shkon me mëlçinë

Lëkura ose sytë e verdhë
Një shenjë e sëmundjes së mëlçisë është zverdhja e të bardhëve të syve dhe lëkurës, e njohur si verdhëza. Kjo ndodh kur ka bilirubinë të tepërt, një pigment i prodhuar gjatë shpërbërjes natyrale të qelizave të kuqe të gjakut në trup. Bilirubina normalisht përpunohet nga mëlçia dhe hiqet nga trupi, por shumë mund të shkaktojë verdhëz dhe të tregojë probleme të mëlçisë .

Nivelet e larta të bilirubinës nuk janë domosdoshmërisht një problem për të rriturit, por problemi themelor që e shkakton atë mund të jetë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj nëse vëreni ndryshime të ngjyrës në lëkurë ose në sy .

Urina me ngjyrë të errët
Urina e errët zakonisht tregon nevojën për të pirë shumë lëngje. Por është gjithashtu një shenjë paralajmëruese për njerëzit me sëmundje të mëlçisë . Kjo është për shkak të akumulimit të bilirubinës, e cila mund ta kthejë urinën në ngjyrë portokalli të errët, kafe ose portokalli. Nëse pini rregullisht ujë dhe vini re se keni një problem me ngjyrën e urinës suaj, kjo mund të tregojë se diçka tjetër po ndodh .

Kruarje e lëkurës
Nëse mëlçia nuk funksionon siç duhet, një substancë e quajtur acid biliar mund të grumbullohet në gjak . Këto acide mund të shkaktojnë kruajtje të lëkurës, veçanërisht në duar dhe këmbë. Kruajtja është intensive, gradualisht përkeqësohet dhe lëkura bëhet më e prirur ndaj inflamacionit.

Ënjtje në këmbë , kyçe dhe bark
Mund të mos jenë të lidhura me probleme me mëlçinë, por ënjtja në këmbë ose kyçe mund të tregojë se diçka nuk shkon. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur trajtohet cirroza.

Cirroza ngadalëson qarkullimin e gjakut nëpër mëlçi dhe rrit presionin në venat që bartin gjakun nëpër organe. Presioni në këtë venë, i njohur si vena portale, mund të shkaktojë grumbullimin e lëngjeve në këmbë, të quajtur edemë dhe në bark, të quajtur ascit. Edema dhe asciti mund të ndodhin nëse mëlçia nuk prodhon siç duhet disa proteina të gjakut, si albumina.

Mavijosje dhe gjakderdhje
Njerëzit me dëmtim të mëlçisë mund të mavijojnë ose rrjedhin gjak kur lëndohen. Mëlçia prodhon proteina për të cilat gjaku ka nevojë për të mpiksur, por nëse nuk funksionon mirë, ka më shumë gjasa të rrjedh gjak.

Çfarë duhet të bëni nëse dyshoni se keni dëmtim të mëlçisë

Problemet e mëlçisë nuk duhet të injorohen. Konsumimi i tepërt i alkoolit, diabeti i tipit 2, ekspozimi ndaj toksinave ose historia familjare e sëmundjeve të mëlçisë janë faktorë rreziku për dëmtimin e mëlçisë.

Ndarja e PD-së/ Sefa: Nuk jemi ndarë për vulën, por për ”non gratën” dhe vizionet e ndryshme për vendin

Indrit Sefa i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News u shpreh se PD nuk u nda për vulën por për ‘’non gratën’’ duke iu referuar Berishës si dhe vizioneve të ndryshme për të ardhmen e vendit.

Sefa: Unë e kam thënë gjithnjë që bashkimet mekanike nuk janë frytdhënëse dhe këtë e kam bindje.

Bashkimet ose janë në bazën e ideve dhe të vizioneve të ngjashme për të cilat mendojmë njësoj ose nuk kanë vlerë pse të bëhen.

Bashkimet mekanike janë ato trenat e mëdhenjë, koalicionet me shumë vagona.

Sistemit zgjedhor nuk i hyn në punë.

Sot duhen koalicione dhe bashkime të cilat janë për ide dhe vizione të ngjashme.

Ne nuk jemi ndarë për vulën dhe as për flamurin dhe as për simbolet.

Ne jemi ndarë për ‘’non gratën’’ dhe për vizione të ndryshme se si e shohin Shqipërinë, se si e shohim të ardhmen e vendit, kjo ka qenë ndarja.

Bashkitë “harrojnë” të mbledhin borxhet, KLSH: Qindra milionë lekë të paarkëtuara

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një seri raportesh për kontrolle në Bashki të ndryshme në vend dhe emëruesi i përbashkët në të gjithë raportet janë detyrimet e pambledhura nga ana e këtyre institucioneve.

KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Berat që të marrë masa dhe të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore në vlerën 382.5 milionë lekë nga taksapaguesit të biznesit, institucione shtetërore, familjarë, fermerë, individë etj, vlerën prej 3.8 milionë lekë të gjobave të vëna nga IMT për kundërvajtje nga personat fizikë/juridikë, si dhe vlerën prej 1.5 milionë lekësh të tarifës së qirasë nga qiramarrësit e aseteve në pronë/përdorim të Bashkisë.

Një tjetër bashki që duket se ka të njëjtin problem është edhe në Bashkinë e Krujës, ku rezulton se gjendja e debitorëve progresiv për subjektet fizike/juridike, në fund të vitit 2022 rezultojnë 2,412 subjekte debitorë në vlerën 613 milionë lekë, ndërsa detyrimi i krijuar gjatë vitit 2023 rezulton në vlerën 102 milionë lekë, dhe në fund të vitit 2023 rezultojnë 2488 subjekte në vlerën 715 milionë lekë.

Në Bashkinë e Durrësit, KLSH konstaton se vlera e debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore në fund të vitit 2022 prej 165 milionë lekë, është e pasaktë, pasi kjo vlerë i përket vlerës debitorëve të krijuar në vitin ushtrimor 2022. Nga të dhënat e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore vlera progresive në datë 31.12.2022 e debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore është në vlerën 799 milionë lekë, duke sjellë një mosrakordim për vlerën 634 milionë lekë.

Në Bashkinë e Korçës, audituesit kanë dalë në përfundimin se detyrimet nga taksat dhe tarifat e bizneseve, në vlerën 203 milionë lekë, kurse detyrime nga taksat dhe tarifat vendore për familjet në vlerën 234 milionë lekë.

Një auditim i ngjashëm në Skrapar ka nxjerrë gjithashtu detyrime të papaguara dhe të paarkëtuara nga ana e Bashkisë.

Konkretisht nga auditimi i të dhënave në lidhje me detyrimet e tatimpaguesit nga taksat dhe tarifat vendore që kanë ndaj Bashkisë Skrapar, u konstatua se deri më datën 31.12.2022, borxhi tatimor është në vlerën 85.8 milionë lekë.

“Gjatë vitit 2022, vlera debitore e krijuar është 9 milionë lekë, si dhe vlera debitore e krijuar gjatë vitit 2023 është 10.6 milionë lekë.

Për Bashkinë e Fierit, KLSH ka nënvizuar se nuk janë marrë masa të plota për arkëtimin e detyrimeve të prapambetura nga debitorët, duke bërë që detyrimet e paarkëtuara për taksat dhe tarifat vendore në mënyrë progresive më datën 31.12.2022, në kenë vlerën 236.8 milionë lekë.

Në të gjithë rastet, KLSH ka kërkuar që të merren masa për arkëtimin e këtyre detyrimeve nga ana e Bashkive./Monitor

“Inceneratori” bipartizan i Kamzës që vuri nën hetim lubinë Alko Impex

Klodian Tomorri

Oreksi i madh i socialistëve për të bërë biznes me plehrat i tejkaloi kufijtë politikë në vitin 2018, kur epidemia e koncesioneve të mbetjeve infektoi edhe Bashkinë e Kamzës. Kur nuk kishte kaluar as një vit nga koncesioni famëkeq i inceneratorit të Tiranës, bashkia e Kamzës shpalli tenderin tenderin për të dhënë edhe ajo tek privati shërbimin e pastrimit, grumbullimit, transportit dhe seleksionimit të mbetjeve në territorin e saj.

Xhelal Mziu, kryetari demokrat i bashkisë së Kamzës, përzgjodhi si fituese dy kompani, që ishin pjesë e oborrit të lartë të Rilindjes. Ato ishin Alko Impex e Arbër Abazit me 95 për qind të aksioneve dhe 2T e vëllezërve Sako me 5 për qind të aksioneve.

Subjekti i krijuar për të menaxhuar koncesionin u quajt Eco Cleaning dhe sipas kontratës, kjo kompani do të merrte në dorë shërbimin e pastrimit të Kamzës për 12 vjet kundrejt një fature prej 13.5 milionë euro, që do të paguhej nga qytetarët e Kamzës. Ky ishte fillimi i një afere që rezultoi bipartizane.

Luftë mes bandave
Në thelb, koncesioni i mbetjeve të Kamzës ishte shkëputja e një cope nga biznesi i inceneratorit i Tiranës. Por me gjithë fuqinë e madhe që kishte brenda Rilindjes, Arbër Abazi nuk i kishte bërë mirë llogaritë e rezistencës së bandës tjetër të pushtetit, asaj të inceneratorit.

Sipas kontratës së koncesionit, shoqëria Eco Cleaning kishte detyrimin për të ndërtuar një stacion transferimi në Valias. Ky ishte vendi ku ku do të bëhej larja e kontenierëve, por mbi të gjitha diferencimi i mbetjeve të grumbulluara nga territori i Bashkisë së Kamzës.

Nga viti 2018 deri në vitin 2021, Alko Impex aplikoi 4 herë për të marrë lejen mjedisore për ndërtimin e stacionit të transferimit. Por Agjencia Kombëtare e Mjedisit i refuzoi të katra aplikimet.

Arsyet e refuzimit ishin disa, por më kryesorja ishte ajo e mosdeklarimit të destinacionit përfundimtar të mbetjeve. Ku do të depozitoheshin mbetjet e Kamzës? Por refuzimet e Agjencicë së Mjedisit për të pajisur me leje mjedisore ndërtimin e stacionit të transferimit në Valias ishin më shumë se kaq. Në vlerësimin mjedisor strategjik për Bashkinë Kamëz, kompania Attelier 4 zbulon se projekti i stacionit të transferimit kundërshtohet nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Me pak fjalë, Alko Impex kishte hyrë në territorin e bandës së inceneratorëve, e cila filloi sulmin. Televizioni Top Channel, i njohur gjerësisht në publik si organi zyrtar mediatik i inceneratorëve, nisi një seri denoncimesh se si Alko Impex depozitonte mbetjet e Kamzës në Sharrë duke mashtruar për origjinën e tyre dhe duke i paraqitur si mbetje të Tiranës.

Eco Cleaning paguhej mbi 1 milionë euro në vit nga bashkia e Kamzës, ndërkohë që faturën e depozitimit të mbetjeve ja transferonte qytetarëve të Tiranës. Skandali u bë edhe më i madh, kur Belind Këlliçi zbuloi si Erion Veliaj kishte paguar 6 milionë euro si tarifë depozitimi në Sharrë për mbetjet e koncesionarit të Kamzës.

Bandat në SPAK
Ashtu si inceneratori i Tiranës edhe koncesioni i mbetjeve të Kamzës përfundoi në SPAK. Pak ditë më parë, ish kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu u thirr në prokurorinë e Posaçme. Pas daljes nga SPAK, zoti Mziu deklaroi se ishte thirrur si person në dijeni. Por arsyeja e thirrjes ishte koncesioni i mbetjeve të Kamzës, ku zoti Mziu është vënë nën hetim.

Kapitali ka mësuar se SPAK ka vënë nën hetim edhe Arbër Abazin, pronarin e koncesionit të Kamzës dhe një prej perandorive më të fuqishme ekonomike në Shqipëri. Atë të dy Alkove, bizneset e zotëruara nga një çunak i ri të cilat lindën me ardhjen e Rilindjes në pushtet dhe u shndërruar në nga peshkaqenët më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri.

Por hetimet për koncesionin e mbetjeve të Kamzës ka shumë gjasa që të hapin një pusetë të madhe korrupsioni dhe lidhjesh të fuqishme, përmes të cilave Alkot kanë marrë të paktën 200 milionë euro kontrata publike në 10 vitet e pushtetit socialist. Dhe këto lidhje janë si rrjeta e merimangës, të cilat rrugës u ngatërruan me njëra tjetrën duke hapur një luftë të fortë brenda llojit.

Jo rastësisht, së fundmi Alkot dhe koncesioni i mbetjeve te Kamzës, kanë qenë në qendër të sulmeve nga mediat afër Erion Veliajt , të cilat kanë zbuluar dhe një hotel gjigand në Durrës, që sipas tyre po ndërtohet në bashkëpronësi nga Arbër Abazi dhe Xhelal Mziu. Sepse fuqia e Alkove tani buron nga krushqitë me një qendër tjetër pushteti, rivales kryesore të klanit Veliaj brenda organizatës së madhe të Rilindjes.