16.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Cilës drejtësi të Ramës të besojmë? Atë që vulosi vulën apo atë që izoloi Berishën?

Nga Aranit Muraçi

Le ta besojmë atë që pretendon dhe thotë ish-kryeministri Sali Berisha, para dhe pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga Perëndimi.

Pra, le të besojmë se në Shqipëri nuk ka drejtësi!
Nuk ka drejtësi për shkak të Reformës për Drejtësi! Të besojmë për një moment se gjatë dhe pas reformës, i tërë sistemi është përvetësuar, manipuluar dhe qëndron në duart e një njeriu të vetëm, i cili është ai që tani vendos për gjithçka.

Kur çështja shkon në gjykatë, si politikan që është, do të thotë se ai vendos veçanërisht kur ajo është politike. Posaçërisht është ai që vendos edhe për vulën e partisë më të madhe të opozitës me të cilën do të garojë në zgjedhjet e ardhshme.
Kryeministri Edi Rama vendosi sot, sipas kësaj logjike, përmes të njëjtit sistem të drejtësisë që mban të izoluar udhëheqësin historik të Partisë Demokratike se partia më e madhe e Opozitës duhet t’i përkasë pikërisht atij që mbahet ende në izolim: ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por cilën “drejtësi të Ramës” duhet të besojnë qytetarët sot: atë që vendosi për vulën apo atë që vendosi për izolimin e Berishës dhe ndëshkimin e shumë politikanëve të zhytur në afera korruptive?!

Historia e fundit zgjati shumë. Më shumë se 30 muaj, që kur Berisha u shpall non grata dhe për këtë arsye u përjashtua nga kryetari i Partisë Demokratike, ende e pandarë, në atë kohë. Vendimi përfundimtar i vulës së PD-së duhet thënë se vjen pas flirtimit disamujor mes PS-së dhe grupimit të rithemelimit, që çështë e vërteta në sytë e publikut palët po bashkëpunojnë për interesat e tyre të përbashkëta në shumë fusha, ndoshta përveç asaj që ka të bëjë me të ardhmen politike të Opozitës.

Pas vendimit, pyetja që shtrohet është: Po me opozitën çfarë do të bëhet?
Vendimin e sotëm të Apelit, juridikisht, i drejtë ose jo, palët janë të detyruara ta pranojnë. Politikisht, vendimi e vulosi dhe përfundimisht e varrosi PD-në. Me siguri, Berisha pas këtij vendimi “de jure” do të tërhiqet nga drejtimi i PD-së. “De facto” partinë do tja lërë një kryetari të ri, i cili do të jetë nën drejtimin ose nën radarin e vajzës së tij. Kjo forcë politike nën drejtimin e Berishës është ngritur dhe ka funksionuar për 33 vite si pronë private, është trajtuar ashtu dhe sot drejtësia e njohu ligjërisht si të tillë. E tillë do të mbetet derisa të zhduket si një parti që dikur (kur u themelua) kishte synime të qarta dhe të larta kombëtare për ardhur në pushtet.

Shumë parti të majta e të djathta, demokratike, me vizion dhe frymë perëndimore, pasi e kanë zhgënjyer elektoratin një apo dy herë, ndonëse kanë ndërruar kryetarë dhe struktura (edhe pse janë rinovuar e reformuar disa herë) janë zhdukur dhe po zhduken nga qarkullimi, sepse kudo, në çdo vend të Europës po dalin dhe po ngrihen forca të reja politike.

Opozitës në Shqipëri, për tu ringritur dhe për tu rikthyer në pushtet i duhet të jetë thjesht një opozitë e vërtetë, demokratike, perëndimore, me çfarëdolloj emri, logoje apo vule. Mjafton që atë ta dojë dhe ta besojë publiku.

Çorape të reja me lule, këmbët të palara!

NGA POLI HOXHA

Në fund të viteve `80 dhe fillim të viteve `90, Kombinati Tekstil i Korçës nisi të prodhonte “çorape me lule”, të cilat përveçse shiteshin shtrenjtë dhe nën dorë, duhej edhe mik për ti siguruar. Këto çorape tregonin njëfarë statusi në atë kohë ndaj një student konviktorë për tu mburrur, i kthente pantallonat deri te kyçet dhe vinte vërdallë i krekosur, sidomos përpara femrave.

Por një ditë një prej shokëve të dhomës u tregoi të gjithëve se ky tipi që mbante çorape me lule, nuk lahej kurrë dhe kutërbonte era përç, aq sa kishin bërë kërkesë që ose kujdestari të largonte atë nga dhoma e tyre, ose të iknin ata që aty. Në atë kohë nga kjo histori reale doli shprehja: Çorapet me lule, por këmbët të palara!

Mu kujtua kjo pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të njohur legjimitetin e PD, në favor të Rithemelimit dhe Sali Berishës. Kujdestari në fund fare vendosi që në shtëpinë e familjes së madhe demokrate, të lërë brenda “këmbët e palara” pavarësisht se mbulohen me çorape të shtrenjta. Kujt i pëlqen era e rëndë është në rregull, kujt jo, të durojë ose të zhvendoset në një shtëpi tjetër.

Kaq e thjeshtë është kjo histori për partinë që u krijua nga studentët dhe inspiroi demokracinë perëndimore për Shqipërinë. Pa hyrë fare në teknikalitete juridike, bilanci i parë që mund të bëjmë është se Edi Rama ja doli edhe njëherë, (Tani për tani), që të gjejë alibinë e madhe për zgjedhjet e vitit 2025 dhe mandatin e katërt.

Spotin elektoral e ka gati: “Gogoli” që zgjat kokën natë për natë nga dritarja, ai vetë me dajre në dorë dhe ec “përpara jo prapa”, për të vazhduar t’ia fusim edhe 4 vite shqiptarëve, që vazhdojnë të jetojnë këtu.

Është një strategji që i ka funksionuar, ndaj edhe në fjalimin e fundit u bëri thirrje shqiptarëve që të mobilizohen në zgjedhjet e ardhshme dhe të shporrin me votë “Gogolin”, sepse sipas tij ai është ende gjallë dhe aq shumë “i fuqishëm”, sa që detyroi edhe RAI 3 që të bëjë investigime me shpifje kundër qeverisë së tij “të ndritur”.

E bëri këtë në vitin 2021 me parullën frikësuese, “votoni Lulin dhe merrni paketë Berishën”, e përsëriti me dajre në dorë në zgjedhjet e 14 majit duke i vendosur vetes përballë “Gogolin nongrata”, po shkon drejt kësaj rruge, edhe në ato të 2025. Këtë herë me “Gogolin nongrata” të mbyllur në arrest shtëpie për korrupsion, por që është kryetar i PD dhe opozitës dhe i vetmi që duhet “mundur”.

Edi Ramës bravo i qoftë që përsërit pafund të njëjtën skemë mashtruese dhe frikësuese dhe në fund i funksionon. Çështja këtu është te ata që ndjekin dhe pranojnë “çorapet me lule” që mbulojnë këmbët e palara. Po të jetë për këmbë që kutërbojnë dhe çorape të bukura dhe të shtrenjta që i fshehin ato, Edi Rama dhe qeverisja e tij, janë të pa konkurrentë dhe e tejkalojnë ku e ku Berishën dhe Rithemelimin, që tashmë do të shfaqen si “Lulja PD”.

Pra sipas këtij skenari për të cilin Rama ka 3 vite që punon dhe investon, në Shqipëri ka vetëm një “betejë” politike, “demokratike” dhe elektorale. Ajo mes PS, (Rilindjes) dhe PD, (Rithemelimit). Ky është fati i shqiptarëve sipas tyre. Të zgjedhin mes dy të këqijave. Fundi dihet: Fiton gjithmonë e keqja që ka pasuri dhe pushtet më shumë!

Jashtë kësaj skeme mbeten të paktën 70% e shqiptarëve të cilët besojnë ende se më në fund pushteti 30 vjeçarë i çorapeluleve do të bjerë, se drejtësia e re do ti ndëshkojë duke zhdukur kutërbimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, se shteti ligjorë si kudo në Perëndim do të çlirojë demokracinë, partitë, votën, ekonominë dhe do ketë mirëqënie të paktën sa 10% e rrethit bizneso-politik-mediatik të dyshes Rama-Berisha që bëjnë sikur luftojnë egër. Pra këmbë të palara që me erën e tyre kanë mbytur Shqipërinë dhe gjithë botën, por çfarë nuk bëjnë e investojnë për “çorapet me lule” që veshin.

Vendimi i Apelit vërtetë i ka bërë një shërbim të madh dhe të fundit Edi Ramës dhe i ka dhënë një shiringë adrenaline Berishës, por ngado që ta vërtisin, këmbët e palara mbeten aty. Dëshpërimi dhe disfatizmi është i kuptueshëm. Veçanërisht te ata që u pozicionuan për një PD që mbështet drejtësinë dhe SPAK pa kushte, me rrugë dhe program të qartë për një Shqipëri euroatlantike. Por kjo duket se është prova e zjarrit!

Testi i fundit është për vetë Lulzim Bashën së pari dhe për këdo që ka qenë i rreshtua për idetë dhe parimet e forcës politike që drejton. Më shumë se provë zjarri kolektive dhe partiake, kjo është individuale për këdo që beson si 70% e shqiptarëve, se Shqipëria do të hedh pas dinosaurët e korrupsionit dhe do të kthehet në një vend normal me qeveri dhe institucione perëndimore.

Nëse ndjehen dhe janë ashtu siç janë shfaqur deri më tani, të pastër kundrejt shqiptarëve dhe SPAK, janë në rregull dhe le të vazhdojnë të shpërndajnë dhe sqarojnë nëpër Shqipëri, Programin fantastik që prezantuan së fundmi. Madje është e sigurtë që bëhen automatikisht më të fortë, pavarësisht se çfarë emri ka partia ku i bashkojnë vlerat dhe parimet dhe jo kullat dhe lejet e ndërtimit që edhe tani që shkruajmë, po i firmos Edi Rama për bizneset e Rithemelimit.

Vërtetë Foltorja e lindur vetëm si betejë kundër SHBA dhe Britanisë së Madhe tani është parti dhe mori nga Apeli dhe Edi Rama logon e PD-së që e themeluan studentëve dhe demokratëve idealistë, (të cilët në fakt e kanë braktisur ose janë përzënë nga kjo forcë me kohë), por poshtë saj tashmë strehoen bashkë gjitha të palarat e PD që nga krijimi.

Këmbët e palara mund të kenë të veshura që nga kjo e martë çorape të reja dhe më të bukura se më parë, por kutërbimin nuk e tyre nuk e mbulojnë dot as për demokratët dhe shqiptarët e ndershëm, as për SPAK dhe aq më pak për SHBA, Britaninë e Madhe dhe gjithë Perëndimin.

Shqipëria e fundit në Europë për Koeficentin e Inteligjencës (IQ), shkak niveli i dobët arsimor

Janë ngritur mite të gabuara që përhapen nga vetë shqiptarët, përmes të cilave pretendohet se thuajse origjina e çdo qytetërimi europian apo edhe botëror e ka zanafillën tek prejardhja dhe e kaluara jonë. Sikurse, gjuha shqipe interpretohet si “gjuhë hyjnore”  dhe pretendohet se është gjuhë nga e cila rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera europiane.

Pretendohet dhe përhapen teza se shumë udhëheqës apo njerëz të famshëm, në botë, janë me origjinë shqiptare, ndërsa harrohen figura të shquara, me emër dhe mbiemër dhe me histori të madhe, të cilët kanë luftuar dhe janë sakrifikuar për lirinë dhe kombin tonë.

Po ashtu, qarkullojnë edhe mite që shqiptarët janë më të aftë të mësojnë gjuhë të tjerë në krahasim me qytetarët e tjerë europianë, janë të shkëlqyer në matematikë, ose edhe në “shkencë”, kur në fakt asnjë shqiptar nuk ka fituar dot një çmim Nobel.

Sipas IQ, Shqipëria e fundit dhe Finlanda e para në Europë

Shqipëria e fundit në Europë për Koeficentin e
Sipas një vlerësimi më të fundit, finlandezët janë vendi me IQ më të lartë në Europë dhe shqiptarët me IQ më të ulët. IQ, ose koeficienti i inteligjencës, është një masë e aftësisë suaj për të arsyetuar dhe zgjidhur problemet . IQ pasqyron se sa mirë mund të dalin nxënësit e studentët në një test specifik në krahasim me nxënësit dhe studentët e tjerë të grupmoshës së tyre. Ndërsa testet mund të ndryshojnë, mesatarja e IQ-së në shumë teste është 100.

Kur flasim për IQ, është e rëndësishme të kuptojmë se ajo IQ nuk mat inteligjencën e “të lindurit” ose atë “gjenetike”, pasi një e tillë është një keqkuptim i plotë. Një tru i trajnuar është në gjendje të zgjidhë problemet shumë më shpejt dhe më saktë se një tru i patrajnuar, kështu që cilësia e arsimit ndikon shumë në rezultatet e IQ-së.

IQ me nivel të ulët të një vendi është tregues i cilësisë së ulët të arsimit, dhe jo nivel i ulët i “inteligjencës së lindur” të popullsisë.  Dhe pretendimet e miteve që thonë se në origjinën e zhvillimit të qytetërimit botëror qëndrojnë paradhësit tanë tregon pikërisht nivelin e ullët arsimor të shqiptarëve.

E ndërsa cilësia dhe aksesueshmëria e arsimit është përmirësuar për shumë dekada, teksa mesatarja në vendet e zhvilluara mbetet ende rreth 100, të dhënat dhe analizat e çdo viti tregojnë se Shqipëria është e fundit në Europë.

Shqipëria e fundit në Europë për Koeficentin e

“Për shembull, një person me IQ 82 (vlera e Shqipërisë në hartë), do të kishte pasur një IQ mbi mesataren sipas standardeve të viteve 1950. Kjo tregon se sistemi arsimor i Shqipërisë është duke mbetur prapa shumicës së vendeve të tjera evropiane, por jo se shqiptarët janë në asnjë mënyrë në thelb më pak inteligjentë se evropianët e tjerë”, thuhet në shpjegimin e të dhënave nga Lynn & Vanhanen.

Autorët e matjes së inteligjencës përdorën jo vetëm matjet e IQ të disponueshme për çdo vend, por gjithashtu, në një masë të madhe, vlerësime të ndryshme të standardizuara të studentëve (TIMSS, PISA ) dhe korrelacione të njohura midis IQ-së dhe rezultateve të studimeve të tilla.

Kjo e bën mesataren e IQ-së së vendeve më të zhvilluara afër 100, gjë që duket krejt e natyrshme nga zhvillimi dhe perspektiva europiane dhe e Amerikës së Veriut. Nëse do të ishte përdorur përkufizimi i mirëfilltë (ku mesatarja e përgjithshme, duke përfshirë pjesëmarrësit nga vendet e botës së tretë, është vendosur në 100), shumë vende europiane do të shënonin mbi 110. Siç e tregon edhe harta, Serbia me IQ që vlerësohet në 90, Maqedonia e Veriut 91, Greqia 93, po aq edhe Kroacia, Mali i Zi 86, Shqipëria e ka humbur garën me të gjitha vendet e rajonit.

Sipas studimit të IQ, ndonëse me aspirata europiane, fatkeqësisht duket sikur vendi ynë nuk është në Europë. Sipas një studimi të vitit 2019 nga studiuesit Richard Lynn dhe David Becker në Institutin Ulster, rezultatet më të larta mesatare të IQ në botë i përkasin japonezëve, dhe pas tyre vijnë qytetarët e Tajvanit dhe Singaporit. Në listën e “Top 10” e kryesojnë vendet me arsim dhe ekonomi të zhvilluar.

Viti 2024 nis me ulje pagash si në shtet dhe në privat

Viti 2024 ka nisur me ulje pagash si në sektorin shtetëro ashtu dhe atë privat në krahasim me fundin e 2023.

Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2024, është 73.641 lekë nga 75 mijë lekë në fund të vitit të kaluar, me një rënie prej gati 2%.

Ulja e pagave në tremujorin e parë të vitit përgjithësisht është e lidhur me faktin se në tremujorin e fundit shumë kompani japin shpërblime për punonjësit, duke bërë që paga e tyre të rezultojë më e lartë në tremujorin e fundit të vitit.

INSTAT sqaron se shpërblimet dhe shtesat mbi pagë janë një pjesë e pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, të cilat në fund të çdo gjashtëmujori rrisin ndjeshëm pagën mesatare mujore bruto.

Pagat në shtet u ulën me 3.2% në tremujorin e parë në krahasim me fundin e vitit dhe ato në privat me rreth 1%.

Megjithatë, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, paga në ekonomi u rrit me 13,8 %.

Ndryshimi vjetor, pagat në shtet rriten shumë më shpejt se në privat

Paga mesatare në shtet në tremujorin e parë arriti në 85 mijë lekë, me një rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e pagave u udhëhoq nga reforma e qeverisë për barazimin e pagave me rajonin. Një tjetër arsye ishte “nxitja” e privatit për të paguar më shumë punonjësit.

Por, privat e ka ndjekur shtetin me ritme më të ngadalta. Paga mesatare mujore në privat në tremujorin e parë ishte 68.7 mijë lekë, me rritje 10% me bazë vjetore.

Bankat dhe komunikacioni paguajnë më shumë

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2024 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 15,3 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Informacioni dhe komunikacioni prej 6,9 %.

Gjatë tremujorit të parë 2024, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

“Ata që ditën djegin goma dhe natën marrin leje për kulla, përdorin njerëzit”/ Azmer Duleviç: Koha për veprime konkrete dhe për figura të besueshme në politik

Nga Azmer Duleviç

Në politikën bashkëkohore, prania e figurave të vjetra shpeshherë përceptohet si një pengesë në krijimin e lidhjeve të reja dhe të freskëta me elektoratin. Me kalimin e kohës, politikanët e vjetër e humbasin kontaktin me realitetet dhe nevojat e ndryshueshme të shoqërisë, duke u bërë më pak të aftë të përfaqësojnë dhe të angazhohen me qytetarët në mënyra që janë relevante dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve të kohës. Kjo mund të çojë në një ndjenjë të largësisë dhe të mosbesimit ndaj politikanëve që kanë qëndruar në pushtet për periudha të gjata.
Nga ana tjetër, fytyrat e reja në skenën politike mund të sjellin energji të re dhe perspektiva të freskëta që janë në harmoni me aspiratat dhe shqetësimet e brezit të ri. Ata janë më të gatshëm të eksplorojnë ide të reja dhe të përqafojnë teknologjinë dhe inovacionin, duke iu afruar më shumë votuesve të rinj dhe atyre që janë të zhgënjyer nga status quo. Ky ndryshim mund të jetë thelbësor për të rindërtuar besimin në institucionet demokratike dhe për të siguruar që politika të mbetet e përshtatshme dhe e përgjegjshme ndaj nevojave të shoqërisë.
Në politikë, është një perceptim i zakonshëm që politikanët e vjetër mund të kenë tendencën të përdorin të rinjtë për qëllimet e tyre, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore. Kjo mund të ndodhë kur politikanët kërkojnë të rrisin bazën e tyre elektorale ose të përmirësojnë imazhin e tyre duke u paraqitur si mbështetës të rinisë dhe të ideve të reja. Megjithatë, nëse kjo mbështetje nuk shoqërohet me veprime konkrete dhe mundësi reale për të rinjtë, atëherë mund të shihet si një formë e përdorimit të tyre për përfitime politike.
Sot në dyert e gjykatës kur morën vulën unë nuk pash asnjë të ri politik?Besoj,as sonte në mbrëmje në TV nuk do të shohim!
Është e rëndësishme që të rinjtë të jenë të vetëdijshëm për këto dinamika dhe të kërkojnë më shumë se thjesht premtimet e zakonshme. Ata duhet të sfidojnë politikanët që të ofrojnë plane dhe politika të qarta që do të adresojnë çështjet që i preokupojnë, siç janë arsimi, punësimi, dhe pjesëmarrja në proceset vendimmarrëse. Duke u angazhuar aktivisht dhe duke kërkuar llogaridhënie, të rinjtë mund të ndihmojnë në ndërtimin e një politike më transparente dhe të përfshirë, ku zëri i tyre dëgjohet dhe respektohet vërtet. Pjesëmarrja e të rinjve në politikë është thelbësore për të siguruar që vendimet që merren janë në përputhje me nevojat dhe dëshirat e brezave të ardhshëm.
Personalisht jam i mendimit që qindra njerëz që duan ndryshim që besuan në programin tonë, kurrsesi nuk do të duan të përdoren, nga ata që natën marrin leje për kulla dhe ditën djegin goma!

Basha: Ajo që na lidh me njerëzit nuk janë titujt apo karriget. Shqipëria meriton më shumë dhe do të ketë më shumë

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, ndërsa ka qenë duke u futur në selinë e PD.

Basha u shpreh se nuk komenton vendimet e gjykatave dhe se ajo që na lidh me njerëzit nuk janë ofiqet dhe karriget, sepse jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe.

Basha: “Nuk komentoj vendimet e gjykatave, ky është dhe një standard ii mi, i yni si Parti Demokratike, për të cilin kemi deklaruar që do të përmbahemi edhe në rastin e vendimit të gjykatës së Apelit. Ajo që dua t’u them shumë mbështetësve, demokratëve, por dhe qytetarëve që janë mërzitur me këtë vendim, e vetkuptueshme që janë të mërzitur se prisnin një vendim tjetër, është t’iu them most ë mërziten, mos të dëshpërohen. Në fund të fundit këtë betejë as nuk e kemi nisur dhe as nuk e vazhdojmë për logo, për vulë apo për karrige. Jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe. Kjo është një betejë shpritrash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur Partia Demokratike e Shqipërisë. Për idealet e atyre të cilët u flijuan në rezistencën antikomuniste. Për të përndjekurit politik, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, qindra e mijëra njerëz që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të mirë.
Nuk e komentoj vendimin e gjykatës, kemi vendosur një standard të tillë. Vendimet për hapat do t’i diskutojmë tani me kolegët, prandaj jemi mbledhur. Të gjitha vendimet q do të marrim do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi marrë me qindra, mijëra demokratëve, synimi kryesor i të cilëve është largimi i një ore më parë i kësaj qeverie dhe hapja e perspektivës të një Shqipërie që meriton shumë më shumë se sa ç’ka sot.
Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten ndryshe për shkak të titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politik, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit, nuk është tituli, ofiqi, karrigia apo logo, por është përkushtimi ndaj një Shqipërie më të mirë që meriton më shumë dhe do të ketë më shumë.
Në fund të fundit këtë betejë as nuk e vazhdojmë për logo dhe as për karrige, jemi bërë bashkë për diçka më të madhe. Kjo është një betejë shpirtrash për idealet e demokratëve. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton më shumë. Do të bëjmë gjithçka qe kemi në dorë, të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë. Nuk e komentoj vendimin e gjykatës.”

 

Zelensky kërkon miliarda euro për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës: Përgjigja për të ndaluar Rusinë është…

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës. Ai i bëri këto komente më 11 qershor në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Berlin.

 

Gjermania është nikoqire e konferencës dyditore për planifikimin e rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të luftës së nxitur nga pushtuesi rus, si pasojë e të cilës pjesë të Ukrainës janë rrënuar.

Në këtë konferencë po marrin pjesë 2.000 njerëz nga politika, biznesi dhe fushat e tjera.

“Ne do të largohemi nga kjo konferencë me marrëveshje për miliarda euro për mbrojtjen tonë, në lidhje me prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë, si dhe për energjinë tonë, për riparimin dhe ndërtimin e një sistemi të ri dhe më modern energjetik”, tha Zelensky në konferencën dyditore që nisi më 11 qershor në kryeqytetin gjerman.

Zelensky i theksoi sulmet ruse në objektet energjetike të Ukrainës, duke shtuar se prej dimrit të kaluar është shkatërruar gjysma e kapacitetit të vendit për prodhimin e energjisë elektrike.

Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës e kanë detyruar Kievin të vendosë reduktime të rrymës në gjithë vendin.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Kievit ta furnizojnë Ukrainën me më shumë kundërajrorë, duke thënë se kjo është “përgjigja” për ndaljen e përparimit të Rusisë në luftë dhe për sigurimin e paqes afatgjate.

“Përparësia më e madhe strategjike e Rusisë ndaj Ukrainës është superioriteti në qiell. Është terrori raketor dhe i bombave që u ndihmon trupave ruse të çajnë përpara në fushëbetejë”, theksoi Zelensky, duke shtuar “mbrojtja ajrore është zgjidhja”.

Në një komunikatë të lëshuar para konferencës, ministrja e Ministrisë gjermane për Zhvillim, Svenja Schulze, tha se “edhe gjatë në kohën e tashme të luftës, Ukraina ka nevojë të ndërtojë vazhdimisht shtëpi, tubacione uji, spitale dhe rrjet energjetik”.

Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe e Kievit pas Shteteve të Bashkuara me pajisje ushtarake.

Konferenca e Berlinit po mbahet në prag të takimit të G7-ës në Itali më 13-14 qershor, ku Ukraina do të jetë njëra ndër temat kryesore.

Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, do të bisedojnë për mënyrën se si t’i përdorin përfitimet nga asetet e ngrira ruse në Perëndim, për ta ndihmuar Kievin financiarisht.

Pas atij takimi, më shume se 90 vende dhe organizata do të përfaqësohen në një samit të paqes në Zvicër në fundjavë, edhe pse Rusia nuk u ftua dhe Kina nuk do të marrë pjesë.

Gjatë një takimi në Letoni më 11 qershor, liderët e krahut lindor të NATO-s thanë se do të “mbajnë qëndrim më të koordinuar” për Ukrainën, kur bëhet fjalë për mbështetjen e saj.

Ndërkohë, forcat ruse i vazhduan sulmet në Ukrainë më 11 qershor. Autoritetet ukrainase thanë se së paku pesë persona u plagosën nga shpërthimet në qytetin Konstantinivka në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck./REL

Sa kohë i duhet mëlçisë që të shërohet nga alkooli?

Alkooli është një nga shkaqet më të zakonshme të dëmtimit të mëlçisë. Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të çojë në një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë mëlçinë yndyrore, hepatitin alkoolik dhe cirrozën e mëlçisë.

 

Por sa kohë i duhet mëlçisë që të rikuperohet pasi të ndalojmë së piri alkool?

Efekti i alkoolit në mëlçi

Mëlçia është një organ që luan një rol kyç në shpërbërjen e alkoolit. Megjithatë, ky proces ngarkon rëndë mëlçinë. Alkooli ndërhyn në mënyrën se si mëlçia përpunon yndyrën, duke bërë që yndyra të grumbullohet në qelizat e mëlçisë. Nëse kjo ndodh në një masë të tepërt, zhvillohet mëlçia yndyrore. Është faza e parë e sëmundjes alkoolike të mëlçisë.

Konsumimi i mëtejshëm i tepërt i alkoolit mund të çojë në inflamacion të mëlçisë, dmth. hepatiti alkoolik. Simptomat mund të përfshijnë verdhëz, ethe dhe dhimbje barku. Nëse pirja vazhdon, cirroza – dëmtim i përhershëm dhe dhëmbëza e mëlçisë – mund të zhvillohet. Cirroza është një gjendje kërcënuese për jetën që mund të çojë në dështim të mëlçisë.

Rimëkëmbja e mëlçisë pas ndërprerjes së pirjes

Lajmi i mirë është se mëlçia ka një aftësi të mahnitshme për të rigjeneruar veten. Nëse konsumimi i alkoolit ndërpritet përpara se të ndodhë dëmtimi i përhershëm, mëlçia mund të shërohet plotësisht.

Një muaj pa alkool

Tashmë pas një muaji abstenim nga alkooli, mëlçia fillon procesin e detoksifikimit dhe rikuperimit. Ai ka filluar të heqë qafe yndyrën e tepërt që ka grumbulluar për shkak të alkoolit. Ky proces rikuperimi i mëlçisë mund të zgjasë 4 deri në 8 javë, në varësi të dëmtimit të rëndë të mëlçisë.

Hulumtimet kanë treguar se edhe konsumimi i moderuar i alkoolit mund të çojë në depozitime yndyrore në mëlçi. Një studim zbuloi se disa gota verë në ditë për 2-3 javë mund të rezultojnë në zhvillimin e mëlçisë yndyrore tek gratë. Prandaj, edhe nëse nuk pini shumë alkool, një periudhë abstinence mund të japë një kontribut të rëndësishëm në shëndetin tuaj të mëlçisë.

Përfitime të tjera të lënies së alkoolit

Përveç mëlçisë, edhe pjesë të tjera të trupit fillojnë të ndjejnë përfitimet e ndërprerjes së pirjes. Lëkura bëhet më elastike dhe duket më e shëndetshme sepse alkooli përshpejton plakjen e lëkurës. Dehidratimi i shkaktuar nga alkooli mund ta bëjë lëkurën të thatë dhe të shurdhër. Pas një muaji pa alkool, çehrja përmirësohet dukshëm.

Gjumi përmirësohet edhe pas një jave sepse alkooli prish ciklet e gjumit. Edhe pse shumë besojnë se alkooli i bën ata të përgjumur, cilësia e atij gjumi është dukshëm më e keqe. Pa alkool, gjumi bëhet më i thellë dhe më gjallërues.

Tretja normalizohet dhe urthi i shkaktuar nga alkooli ndalon. Alkooli irriton mukozën e stomakut dhe mund të shkaktojë gastrit. Ndalimi i pirjes lejon që këto dëmtime të shërohen.

Pesha shpesh bie pasi ndaloni së piri. Alkooli është i pasur me kalori të fshehura – një gotë verë mund të përmbajë mbi 200 kalori. Duke eliminuar këto kalori boshe dhe duke bërë pak aktivitet fizik, humbja e peshës është pothuajse e garantuar.

Rimëkëmbja afatgjatë

Nëse abstenimi nga alkooli vazhdon, trupi vazhdon rrugën e tij drejt rimëkëmbjes së plotë. Pas rreth 3 muajsh, qelizat e gjakut rinovohen. Për shkak se alkooli i bën qelizat e gjakut më të mëdha, duke e bërë më të vështirë transportimin e oksigjenit në të gjithë trupin, ky freskues do t’ju bëjë të ndiheni më energjikë dhe të shëndetshëm.

Shëndeti mendor gjithashtu përmirësohet. Alkooli është një depresant dhe mund të rrisë ndjenjat e ankthit dhe depresionit. Pa të, disponimi stabilizohet dhe bëhet më pozitiv.

Sigurisht, shpejtësia dhe shkalla e rikuperimit varet nga sa e dëmtuar nga alkooli ishte mëlçia juaj para se të ndalonit së piri. Nëse cirroza është zhvilluar, dëmtimi është fatkeqësisht i përhershëm. Megjithatë, edhe në këtë rast, ndalimi i pirjes është i nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të mëlçisë dhe organeve të tjera.

Alkooli mund të ketë efekte shkatërruese për mëlçinë dhe shëndetin në përgjithësi. Megjithatë, trupi ynë, veçanërisht mëlçia, ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’u rikuperuar kur i japim një shans. Tashmë pas një muaji pa alkool, mëlçia fillon një proces detoksifikimi dhe rigjenerimi. Brenda pak muajsh mund të ndjejmë përmirësime të rëndësishme në shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme.

Çelësi është të ndaloni pirjen e tepërt përpara se të ndodhin dëme të pariparueshme. Mëlçia jonë është elastike, por jo e pathyeshme. Nëse zgjedhim shëndetin dhe refuzojmë alkoolin, trupi ynë do të jetë pafundësisht mirënjohës. Të jetosh një jetë pa alkool mund të jetë sfiduese, por shpërblimet – në formën e shëndetit më të mirë, më shumë energji dhe një cilësi të përmirësuar të jetës – janë të paçmueshme.

“Më pajisni me vizë që të shoh Shqipërinë”, kërkesa e kongresmenit amerikan për misionin shqiptar në OKB! Çfarë i kërkoi i biri i kandidatit për president të SHBA-ve ambasadorit Bashkim Pitarka

DASHNOR KALOÇI/ Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga arkivat sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëjnë fjalë për një korrespodencë të misionit diplomatik shqiptar në OKB dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me një kërkesë të bërë nga kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, djali i madh i senatorit amerikan Robert F. Kennedy, i cili në gushtin e vitit 1989, i paraqiti një kërkesë përfaqësuesit të përhershëm pranë misionit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Pitarka, duke i kërkuar që ata ta pajisnin me një vizë, pasi ai dëshironte që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke dhënë dhe shpjegimet e rastit, rreth arsyeve që e obligonin për ta ndërmarrë atë udhëtim, si dhe planet konkrete që ai kishte për ta ndihmuar vendin e vogël ballkanik. Cili ishte ndërmjetësi që mundësoi takimin në mes politikanit të lartë të SHBA-ve dhe misionit shqiptar në OKB, që ishte dhe zyrtari i parë amerikan që pritej prej tyre që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe debatet e ashpra që u bënë prej tyre lidhur me arsyet që iu parashtruan atij dhe përgjigjen negative e refuzimin kategorik që Tirana zyrtare po i bënte kërkesës së tij…?!

 

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me kërkesën e gazetarit amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas, për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, që të vijë për vizitë në Shqipëri.

INFORMACION

•Këto ditët e fundit, gazetari politik amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas ka dërguar një teleks në të cilin thotë se “kongresmeni amerikan Xhon Kenedy, nipi i presidentit të ndjerë, do të donte të vizitonte Shqipërinë, me 1 shtator”, së bashku me të. Kur ishte në Shqipëri për vizitë, Peter Lukasi e ka quajtur Xhon Kenedy “mik personal të tij dhe një nga personalitetet më në zë, në politikën e jashtme amerikane, i cili ka influencuar edhe në Kongresin amerikan, për miratimin e rezolutës për çështjen e Kosovës”. Xhon Kenedy, kongresmen amerikan, është nip i Xhon F. Kenedy dhe i biri i Robert Kenedy, kandidat për president, i cili edhe ai u vra. Mendojmë që për tani, ta evitojmë këtë kërkesë, duke udhëzuar Misionin tonë në New York, që të komunikojmë me Peter Lukasin e t’i thotë atij, që këtë çështje ta diskutojmë kur të vijë atje delegacioni ynë, i cili do të marrë pjesë në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

•Kryetari i Lobit shqiptaro-amerikan, Xhozef Dioguardi, me banim në New York, nëpërmjet shqiptarëve të ndryshëm patriotë, që jetojnë në SHBA, ka shprehur dëshirën e tij për të ardhur në Shqipëri, si vizitor. Ai ka qenë kongresmen për shtetin e New York dhe tani, si qytetar privat, është vënë në krye të lobit shqiptar, i cili ka rreth 6 muaj që është krijuar, me synimin kryesor: propagandimin e gjendjes së popullit shqiptar, në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë, si pasojë e dhunës terroriste të shovinizmit serbomadh.

Vetë ai është me origjinë arbëreshe gjë që e propagandon në çdo rast me krenari. Tani është plotësisht i angazhuar me drejtimin e veprimtarisë së lobit, i cili luajti një rol të rëndësishëm, në miratimin e rezolutave kundër Jugosllavisë, nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, si dhe nga Senati Amerikan. Ai ka njohje të shumta në hierarkinë legjislative të SHBA. Sipas burimeve të lartpërmendura, në asnjë rast publik, nuk ka folur negativisht për vendin tonë.

Sado që rasti i Dioguardit është pak ndryshe nga ai i Xhon Kennedit, sepse Dioguardi është qytetar privat dhe ka avantazhin që është me origjinë shqiptare, mendojmë që, për tani edhe kërkesën e tij ta evitojmë, duke e lënë mundësinë të hapur. Delegacioni ynë, gjatë qëndrimit në New York, të paraqitet të mësojë më shumë për personin dhe veprimet e Dioguardit.

Tiranë, më 17 gusht 1989

Letra e kongresmenit Joseph Kennedy, për ambasadorin shqiptar, Bashkim Pitarka, në SHBA

Komiteti Shqiptar për Marrëdhënien Kulturore E Miqësore me Botën e Jashtme.

KONGRESI I SHTETEVE TE BASHKUARA

DHOMA E PËRFAQËSUESVE

WASHINGTON DC 2015

5 shtator 1989

Bashkim Pitarka

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë

Përfaqësues i Përhershëm i RPS të Shqipërisë

Pranë Kombeve të Bashkuara

I dashur Ambasador Pitarka,

Po ju shkruaj juve për t’u shprehur me respekt interesimin tim të fortë për të vizituar vendin tuaj.

Si anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga Bostoni, shteti i Massachusetts-it jam i interesuar për Shqipërinë, nëpërmjet miqve të mi nga komuniteti shqiptar këtu. Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë një kontribut të madh, për kombin tonë dhe unë jam i besimit, se marrëdhënien më të ngushtë midis popullit të SHBA dhe popullit të Shqipërisë, do të ishin në avantazh të të dy vendeve. Qëllimi i udhëtimit tim do të jetë, që të kuptoj më mirë kulturën, historinë dhe nevojat e vendit tuaj dhe për të arritur një mirëkuptim më të madh, të Shteteve të Bashkuara.

Nëpërmjet një angazhimi dhe marrëveshjeje reciproke, ne mund të eksplorojmë mundësitë për hapjen e disa lidhjeve ekonomike e kulturore, midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Për shembull, ne mund të merreshim vesh për shkëmbimin nga të dy vendet, të grupeve drejtuesish në fushën e biznesit, akademikëve apo organizatave kulturore. Udhëtime të tilla mund të përdoreshin, për të identifikuar më tej mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve me dobi reciproke.

Unë besoj se populli shqiptar ka shumë për t’i ofruar popullit të SHBA-ve dhe unë do të dëshiroja të vizitoja vendin tuaj, në mënyrë që të mund të fillonim një dialog. Do të shpresoja se një udhëtim i tillë mund të rregullohej për një periudhë, aty nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit tjetër.

Ju falënderoj për shqyrtimin e kërkesës sime. Do të kisha kënaqësinë të takoheshim personalisht me ju, zoti ambasador, kur ta kini ju të mundshme për të diskutuar më tej lidhur me këtë çështje.

Me sinqeritet

 Joseph P. Kennedy II

 Antar i Kongresit

……………………………………………………………………………………………………………………………

Udhëzimi nga Tirana: Joseph P. Kennedy, të mos vijë në Shqipëri

SHBA

Nipi i presidentit Kennedy, Joseph Kennedy të mos vijë për vizitë në Shqipëri. Mund të pritet në takim nga ambasadori, në qoftë se kërkon dhe me korrektesë t’i thuhet, se kjo dëshirë për arsye të njohura të shkallës së marrëdhënieve me SHBA, për tani nuk realizohet (nga SHBA nuk shohim ndonjë gjest ndaj Shqipërisë që ta justifikonte një Vizitë të tillë).

  • Ish senatori De Guardia, në qoftë se kërkon të vijë, meqenëse ai është arbëresh, kërkesa e tij mund të shihet.
  • Funksionarë të organizatave ndërkombëtare amerikane dhe sovjetike të mos pranohet të vijnë në Tiranë.

Informacioni i ambasadorit Pitarka për Ministrinë e Jashtme në Tiranë lidhur me kërkesën e kongresmenit, Joseph P. Kennedy, që kërkonte me insistim vizë për në Shqipëri

Prot. Nr. 383                                                                               New York, me 15.10.1989

MINISTRISË SE PUNËVE TË JASHTME

              T I R A N Ë

Bashkëlidhur ju dërgojmë dokumentat:

  1. Informacionin “Mbi kërkesën e kongresistit amerikan Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision punuar nga shokët Bashkim Pitarka dhe Sazan Bejo;
  2. Informacion “Mbi debatin e përgjithshëm të komisionit ekonomik e financiar”, punuar nga sh. Kadri Cenko.

                                                                                              Përfaqësuesi i Përhershëm

                                                                                                       (Bashkim Pitarka)

                                                           I N F O R M A C I O N

Mbi kërkesën e kongresmenit Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision

Siç dihet në korrik të këtij viti gazetari me origjinë shqiptare nga Bostoni, Peter Lucas, i dërgoi një telegram në Tiranë, me anën e të cilit, lutet të ndihmohet për vajtjen për vizitë private në vendin tonë të anëtarit të Kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II. Me 5 shtator 1989, vetë kongresisti amerikan Joseph Kennedy, në një letër drejtuar titullarit të misionit tonë pranë OKB-së, Bashkim Pitarka, paraqiste kërkesën e tij për të shkuar për një vizitë private në Shqipëri, duke e argumentuar me dëshirën e tij për të parë e njohur vendin tonë si mik i komunitetit shqiptaro-amerikan të elektoratit të tij të shtetit Massachusetts-it dhe për “të hapur një dialog për eksplorimin e mundësive për vendosjen e lidhjeve ekonomike e kulturore midis Shqipërisë dhe SHBA”.

Duke insistuar në kërkesën e tij për të realizuar këtë vizitë, kongresisti J. Kennedy mori në telefon misionin tonë dhe kërkoi të flasë me titullarin dhe me që ky i fundit nuk ndodhej në mision u lut që ai t’ia kthente telefonatën. Sh. Bashkim Pitarka sipas udhëzimeve e mori në telefon dhe pasi dëgjoi përsëri kërkesën e kongresistit Kennedy, për organizimin e vizitës në Shqipëri, i tha shkurt se tani për tani nuk mund të realizohet kjo vizitë e se meqenëse, në telefon nuk mund t’i jepte shpjegime më të hollësishme, ishte i gatshëm ta priste kongresmenin në takim në mision, kur t’i paraqitej atij rasti për të ardhur në New York. Në fakt kërkesën për takimin kongresisti e bëri pas disa ditëve nëpërmjet mikut të tij, gazetarit P. Lukas.

Me datën 13 shtator 1989 pritëm në selinë e misionit tonë pranë OKB-së në New York, anëtarin e Dhomës së përfaqësuesve të kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II, përfaqësues i shtetit të Massachusetts-it. Në takim ai shoqërohej nga dy shqiptarë, P.Lukas dhe Lul Theodhos, si dhe nga ndihmësi i tij ekzekutiv James E. Mahoney. Nga misioni ynë morën pjesë Bashkim Pitarka dhe sekretari i parë i misionit, Sazan Bejo.

Kongresisti J. Kennedy, pasi falenderoi me përzemërsi që u prit nga ne në misionin shqiptar dhe shprehu kënaqësinë e tij për njohjen me ne, ndër të tjera tha: “Siç u kam shpjeguar edhe në letrën që u kam dërguar para disa kohësh, si dhe në bisedën që m’u dha rasti të kem me ju në telefon, unë kam kohë që dëshiroj të shkoj për një vizitë private në Shqipëri. Kjo dëshirë më ka lindur jo vetëm thjeshtë nga interesimi për të parë një vend si Shqipëria, të cilën nuk e njohim shumë, por edhe i nisur nga miqësia që ndjej për miqtë e mi të komunitetit me origjinë shqiptare të elektoratit tim në Meseçustes, i cili ka dhënë e jep një kontribut shumë të vlefshëm për kombin tonë. Unë gjithashtu jam nisur edhe nga predispozicioni im pozitiv e miqësor për të kontribuar në njohjen dhe afrimin midis dy popujve tanë. Kam shumë dëshirë, pra, që ju të ndërmjetësoni për të m’u dhënë mundësia të shkoj për vizitë në Shqipëri, që të njihem nga afër me popullin e vendin tuaj, me kulturën, historinë dhe jetën e nevojat e vendit tuaj, si dhe për të dhënë një kontribut direkt për arritjen e një mirëkuptimi më të gjerë për SHBA. Ka ardhur koha që të merret iniciativa për vendosjen e lidhjeve e kontakteve për të arritur në përmirësimin e vendosjen e marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve tona. Kjo do të ishte në dobi të të dy vendeve. Një arritje e tillë do të plotësonte edhe dëshirën e vjetër e shumë të madhe të qytetarëve tanë shqiptaro-amerikan, të cilët për një kohë tashmë shumë të gjatë kanë mbetur pa lidhje me atdheun e tyre të origjinës. Këtu e kam fjalën sidomos për brezat më të rinj, që janë rritur pa e parë e njohur atë. Nga miqtë e mi shqiptaro-amerikan, kam mësuar për zhvillimin e vendit tuaj dhe ndryshimet që kanë ndodhur atje. Kam mësuar se kini arritur një zhvillim të mirë të bujqësisë, arsimit e kulturës dhe në fusha të tjera; se vendi juaj nuk ka probleme të mprehta sociale, si krimet, papunësia, etj,. Mbi të gjitha më kanë thënë se kini një vend e natyrë shumë të bukur, të cilin kam vërtetë dëshirë e pasion për ta parë nga afër.

Unë, vazhdoi J. Kennedy, vërtetë jam një zyrtar qeveritar, një anëtar i Kongresit amerikan, por megjithatë dua që vizita ime të jetë …./Memorie.al

Mbytet varka me emigrantë në brigjet e Jemenit, raportohet për dhjetëra të vdekur

Së paku 49 afrikanë humbën jetën pasi varka e tyre u përmbyt në brigjet e Jemenit, bëri të ditur Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM).

 

Të mbijetuarit u thanë shpëtimtarëve se anija, me 260 emigrantë, u përmbyt të hënën si pasojë e erërave të forta.

Kërkimet për 140 persona ende të zhdukur, janë duke vazhduar.

IOM-i tha se është duke ofruar ndihmë për 71 të mbijetuar – tetë prej të cilëve u shtruan në spital.

Autoritetet lokale në Rudum, në lindje të Adenit, thanë se njerëzit në bord ishin emigrantë kryesisht nga Etiopia, të cilët synonin ta shfrytëzonin Jemenin si pikë transiti për të arritur në shtetet e Gjirit.

Hadi al-Khurma, udhëheqës i qarkut Rudum, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se anija u mbyt përpara se të arrinte në breg.

Peshkatarë dhe banorë përreth arritën t’i shpëtonin të mbijetuarit, tha ai.

Sipas OKB-së, rreth 97.000 emigrantë afrikanë arrititën në brigjet e Jemenit vitin e kaluar.

Fluksi vazhdon pavarësisht luftës në këtë vend./rel