19.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

”Dior” nën hetim për shfrytëzim të krahut të punës, çanta që kushtonin 53 euro shiteshin 2 600

Prokuroria Publike e Milanos nisi një hetim për shfrytëzim në punë, që përfshin sektorin e modës, duke detyruar gjykatën të urdhërojë të ashtuquajturin administrim gjyqësor për një vit kundër ”Manufactures Dior Srl”.

Kjo masë, siç raportohet nga autoritetet, është marrë jo aq për qëllime represive, por për parandalim, thënë ndryshe për të pastruar veprimtarinë e kompanisë nga elementët abuzivë dhe për të parandaluar të tilla ngjarje në të ardhmen.

Hetime të ngjashme janë kryer muajt e fundit kundër kompanive të tjera si ”Alviero Martini srl” dhe ”Giorgio Armani Operations”.

”Dior”, pavarësisht se kishte 709 punonjës dhe një xhiro prej 650 milionë euro në vitin 2022, nuk do të kishte mundur të parandalonte dhe të frenonte fenomenin e shfrytëzimit të fuqisë punëtore përgjatë zinxhirit të prodhimit, të karakterizuar nga kontrata dhe nënkontrata të shumta.

Hetimet filluan më 21 mars me inspektimet nga Njësia e Inspektoratit të Punës të Karabinierëve të Milanos në katër laboratorë në zonën e Milanos dhe në Brianza.

Doli se ”Manufactures Dior Srl” kishte kontraktuar prodhimin te disa kompani, si ”Pelletteria Elisabetta Yang”, ”Davide Albertario Milano Srl” dhe ”New Leather Italy Srls”.

Këto kompani, sipas autoriteteve, funksiononin në kontekste të shfrytëzimit të punës.

Kapiteni Gjimshiti: E njohim shumë mirë Italinë, nuk duhet ta mbivlerësojmë

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka dhënë një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, ku theksoi se e njohin mirë Italinë, kundërshtarin e parë që do të përballen në Europian. Ndër të tjera ai tha e respektojnë Italinë, por nuk duhet ta mbivlerësojnë.

“Kur luan kundër një kombëtareje si Italia nuk është se ke shumë avantazhe në favor, por kur e njeh kundërshtarin të shërben shumë për mënyrën si përballesh në fushë. Nëse nisemi mirë kundër Italisë, atëherë do të fitonim besim edhe për ndeshjet e radhës, do të mund t’i menaxhonim më mirë ato. Italia sigurisht që është favoritja të shtunën, unë e di sepse e njoh potencialin e atyre që para tre vitesh u shpallën Kampionë të Europës. Edhe pse pas vitit 2021, Italia ka pasur ulje dhe ngritje. Janë një kundërshar që duhet t’i respektojmë, por jo t’i mbivlerësojmë”, u shpreh Gjimshiti.

Samiti “The Western Balkans 2024”- Kurti: Problemin e kemi me Beogradin, jo me serbët e Kosovës

Duke folur në samitin “The Western Balkans 2024”, të martën në Prishtinë, Kurti tha se integrimi i serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, është çështje parësore për të.

“Problemi që kemi, nuk ka të bëjë me serbët. Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes”, tha Kurti duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Serbët në veri të Kosovës, të ndikuar nga Beogradi dhe strukturat e tij paralele në Kosovë, kundërshtojnë vazhdimisht autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Shpesh organizojnë protesta ose bojoktojnë vendimet e autoriteteve kosovare.

Në nëntor të vitit 2022, ata dolën nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Kurti tha të marën se Kosova po bën tashmë konvertimin e patenshoferëve, diplomave e targave të makinave, si hapa për integrimin e komunitetit serb.

Por, Qeveria e tij është nën presionin e ndërkombëtarëve për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u dakorduan qysh në vitin 2013.

Marrëveshja mes tyre u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk e zbatoi marrëveshjen nga frika se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Serbia, e cila e konsideron Kosovën ende pjesë të veten, nuk ka zbatuar ngjashëm një varg marrëveshjesh me Kosovën./REL

Gjendet pa ndjenja në lumin Lana shtetasi 40-vjeçar, humb jetën në spital

Ditën e djeshme është konstatuar në ujërat e lumit Lana, një 40-vjeçari i i cili kishte humbur ndjenjat.

 

Pasi është transportuar në spital, shtetasi me iniciale E.D, ka humbur jetën.

Nga veprimet paraprake dyshohet se ky shtetas vuante nga sëmundje të shëndetit mendor dhe ishte përdorues i lëndëve narkotike.

“Ditën e djeshme, është konstatuar në ujërat e lumit Lana, shtetasi E. D., 40 vjeç, i cili pasi është transportuar në spital, për ndihmë mjekësore, ka humbur jetën.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas vuante nga sëmundje të shëndetit mendor dhe ishte perdorues i lëndëve narkotike. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia.

Vendimi i Apelit për vulën e PD-së, vjen reagimi i Edvin Kullurit: Janë 104 mijë vota demokratësh kundër modelit të Sali Berishës

Edvin Kulluri, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në grupimin e Lulzim Bashës, ka komentuar në studion e Euronews Albania vendimin e gjykatës për dhënien e vulës së PD Sali Berishës.

Kulluri tha se vendimet e gjykatave respektohen, ndërkohë që deklaroi qartë se nuk do t’i bashkohet Partisë Demokratike të ish-kryeministrit Berisha.

Ai shtoi se 104 mijë vota që mori PD në vitin 2023, ishin vota kundër Berishës dhe modelit të tij dhe nuk do të kthehen më aty.

“Unë vetë i kam të qarta bindjet e mia konservatore. Unë me Sali Berishën kryetar partie dhe me këtë mënyrë si funksionon atje dhe me Sali Berishën kandidat për kryeministër, që është i humbur që pa nisur, nuk mund të bashkohem.

Nëse ndryshojnë rrethanat për të cilat unë kam qenë kritik në vijimësi ndaj Bashës dhe Berishës dhe ndaj Rithemelimit, nga ky pozicion që jam unë nuk bashkohem me askënd. Unë nuk menodoj se nëse bashkohem unë, në një bashkim të paprinciptë nuk i jap ndonjë gjë vendit, aq më pak vetes, sepse burri përpara se të dalë në punë duhet të ruajë fytyrën.

Ato 104 mijë vota, të cilat mund të jenë dhe më shumë, Rithemelimi duhet t’i harrojë pasi ishte votë kundër Berishës dhe modelit të tij, kam thënë që ajo votë nuk ishte votë e Lulzim Bashës”, tha Kulluri.

Apeli i dha vulën e PD-së Berishës, ja hapi i radhës i Lulzim Bashës

Pas vendimit të gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën Sali Berishës, është zbuluar edhe hapi i radhës i Lulzim Bashës.

Basha ka thirrur në orën 17:00 strukturat, mbështetës të tij në seli.

Nga sa bëjnë me dije burimet, në fokus të kësaj mbledhjeje do jetë analiza e vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit si edhe hapat që do merren më tej.

Apple përfshin ChatGPT-në në pajisjet iPhone e Mac

Gjiganti i teknologjisë, Apple, do ta përditësojë aplikacionin e tij zanor, Siri, dhe sistemet e tjera operative me souftuerin e inteligjencës artificiale, ChatGPT.

 

Përditësimet do t’u mundësojnë përdoruesve të pajisjeve iPhone dhe Mac të kenë qasje në ChatGPT, falë partneritetit me zhvilluesin e këtij softueri, OpenAI.

Ata do të mund ta përdorin ChatGPT-në edhe për qëllime të tjera – jashtë pyetjeve për Sirin – përfshirë krijimin e teksteve dhe të përmbajtjeve.

Versioni testues do të jetë i disponueshëm në vjeshtë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, tha se këto risi do t’i çojnë produktet e kompanisë së tij “në lartësi të reja”.

Ai i bëri komentet teksa hapi Konferencën Botërore të Zhvilluesve në selinë e gjigantit të teknologjisë në Kaliforni.

Apple ka qenë nën presion për të përfshirë veçori të reja të inteligjencës artificiale në produktet e tij, pas rritjes së shpejtë që kanë pësuar rivalët e kompanisë që e kanë miratuar këtë teknologji.

Cook u ka thënë investitorëve qysh në vitin 2023 se kompania e tij do t’i qaset me kujdes kësaj teknologjie.

Shumkëndëshi dhe sistemi!

Nga Bujar Vreto

Refleksioni i thellë ndaj situatës ekonomike dhe politke i çdo njërit prej nesh është domosdoshmëri.

Udhëheqësia shpirtërore duhet të ndahet pa hezitim nga shkaktarët që sollën këtë realitet të hidhur, ku jeta është bërë e papërballueshme, çmimet rriten çdo ditë, të rinjtë largohen çdo orë, hajdutët vazdojnë të shtojnë kapitalet e tyre duke vjedhur taksat dhe legalizuar paligjshmërinë.

Bëjnë sikur debatojnë e zihen por kanë 34 vjet që mbrojnë njëri tjetrin dhe varfërojnë familjet tona, ndajnë ofiqet e tenderat duke forcuar lidhjet mes tyre përmes pasurimit të çmendur që do i kishin zili edhe kapitalistët që trashëgojnë pasuri e punë prej qindra vitesh.

Refleksioni ka vetëm një rrugë të bashkohemi pa dallim bindjesh me njerzit e mashtruar, intelektualët mendjendritur dhe të ndershëm, militantët e partive që duartrokasin sa herë kanë nevojë dogmatikët dhe më pas hidhen rrugëve (shpërfillen).

Bashkëqytetar është sfidë e madhe por jo e pamundur të ndahemi njëher e mirë nga bolshevizmi, hajdutëria dhe mafia. Nqs akoma do presim se diçka do bjerë nga qielli mendojmë gabim, ne duhet të ngrihemi sot se nesër do jetë vonë, jo vetëm për jetën tonë që është sedentare, e pa shpresë por për fëmijët tanë që po ikin dita ditës e s’dihet se ku ngulen, për brezat e ardhshëm që me këtë trend largimesh nga toka e tyre se dimë a do kemi të tillë.

Trekëndëshat, katërkëndëshat apo shumëkëndëshat duhet me çdo kusht të japin llogari para drejtësisë për çka i kanë bërë popullit këto 34 vite dhe jo të dënohen për kafe apo biftek tek nustreti, siç dënuan individë nga nomiklatura komuniste (i dërguan disa dit në burg për të humbur gjurmët e planit të tyre djallëzor) ndërsa pasuritë e grabitura të panumërta nuk ju sekuestruan por ata i shumëfishuan e sot fëmijët e tyre janë me investime marramendëse si brenda ashtu edhe jasht vendit pa llogaritur kontot bankare që si dinë se sa i kanë ( e ç’janë tre gjyqtarë para tyre), por dënimi i këtyre të jetë për grabitjen e pasurisë dhe taksave duke jua sekuestruar dhe kthyer në buxhetin e shtetit çdo qindarkë apo pasuri e paluajtëshme (ndiq paranë). Vetëm kështu do fillojë shteti ligjor me trendin drejt shtetit të së drejtës, vetëm kështu do disiplinohet administrata dhe do bëjë detyrën si rregullator mes palëve, vetëm kështu do disiplinohet shoqëria dhe kthehet besimi, vetëm kështu çdo njëri do i kthehet punës duke menduar se pasuria vjen përmes djersës dhe jo karriges apo punëve të zeza që e nxinë Shqipërinë dhe larguan rininë.

Ne duhet të bashkohemi për taksat e ulta pa klientelë, pa qënë i nënës favoriti dhe i njerkës në tehun e shpatës por të paguajnë të gjithë pa dallim 9%. Të përkrahim subvencionet e bujqësisë, rritjen e pensioneve dhe bonuses, kthimin e pronës ku është e lirë dhe kompensimin me vlerën e tregut ku është e zënë, programin social për të rinjtë dhe të pamundurit, për të përndjekurit barazpeshë me ushtarakët e të thata.

Mundemi ti mundim sepse jemi në anën e të drejtës dhe vlerave tona të patjetërsueshme.

Dezinformimi rus në Ukrainë, SHBA-ja dhe Polonia bashkojnë forcat për ta luftuar

Shtetet e Bashkuara dhe Polonia krijuan një grup për të ndihmuar Ukrainën në luftimin e dezinformimit rus, njoftoi Qendra Globale e Angazhimit e Departamentit amerikan të Shtetit.

 

Qendra Globale e Angazhimit, e cila punon për të nxjerrë në pah dezinformatat nga ato që i konsideron shtete armiqësore, tha se Grupi i përbashkët i Komunikimit për Ukrainën, ose UCG, u formua në Varshavë.

Qëllim i tij është t’i jepet mbështetje Ukrainës “në luftën kundër agresionit të Rusisë në hapësirën e informacionit”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se grupi i ri do t’i bashkojë aleatët “për të koordinuar mesazhet, për të promovuar raportimin e saktë rreth pushtimit rus të Ukrainës, për të përforcuar zërat ukrainas dhe për të ekspozuar manipulimin e informacioneve nga Kremlini”.

Departamenti i Shtetit tha, po ashtu, se Kremlini “përdor gënjeshtra dhe manipulime në mënyrë të përsëritur, për të nxjerrë pretekste të rreme për pushtimin e pajustifikueshëm”, si dhe “për të bërë përpjekje për të prishur solidaritetin mbarëbotëror me popullin ukrainas”.

Kremlini i mohoi pretendimet se përhap dezinformata dhe akuzoi Perëndimin për përfshirje në “terrorizëm informacioni”.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, zyrtarët polakë thonë se Polonia është bërë, gjithashtu, objektiv i sabotazhit dhe masave të tjera përçarëse nga shërbimet sekrete ruse.

Polonia, anëtare e NATO-s, është strehë për një numër të konsiderueshëm refugjatësh ukrainas, të cilët ikën nga vendi i tyre prej se Rusia nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani një vakt

Na ndodh të gjithëve që për shkak të angazhimeve të ndryshme të mos kemi kohë për të ngrënë një vakt apo të harrojmë për të ngrënë.

Në këto raste mëngjesi dhe dreka apo dreka dhe darka mund të konsumohen në një vakt të vetëm duke shkaktuar një parehati të madhe në stomak.

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani një vakt

Padyshim që në organizëm nuk ndodh hataja nëse ti dhe unë me vetëdije ose jo harrojmë të hamë një vakt të caktuar.

Ama, nëse një gjë e tillë bëhet e përditshme, ndikimi do të jetë i fortë.

Në terma të përgjithshëm, për shumicën e njerëzve, anashkalimi i vakteve ka ndikime domethënëse në trup dhe në tru.

Ushqimi është për trupin si nafta për makinën.

Nëse ju nuk fusni gjë në gojë gjatë gjithë ditës, praktikisht po shtyni gjithë ditën me stomakun bosh.

Nëse një gjë e tillë përsëritet shumë shpesh të gjitha sistemet e organizmit janë në kaos dhe trupi do të reagojë.

Niveli i sheqerit në gjak do të jetë në rënie të lirë duke rrezikuar ndjeshëm furnizimin e trurit me glukozë.

Mungesa e sheqerit në gjak nënkupton më pak energji, më shumë plogështi dhe drobitje.

Përqendrimi është i vështirë sepse truri nuk ka glukozë.

Simptoma të tjera janë: të dridhurat, djersitja dhe acarimi.

Pas rënies së nivelit të sheqerit nis guguleja e stomakut e cila nuk të lë të përqendrohesh në asgjë tjetër përveç se ushqimit.

Truri nis të dërgojë sinjale për të treguar se ka nevojë për ushqim ndërsa hormonet e oreksit janë tepër aktive.

Si pasojë e të mos menduarit drejt nga mungesa e ushqimit, njeriu e ka më të lehtë të zgjedhë ushqime të dëmshme për shëndetin.

Ato mund të të ngopin shpejt duke rikthyer energjinë dhe sheqerin në gjak, por këto janë të përkohshme.

Sapo të hani një ushqim të shpejtë plot karbohidrate, niveli i sheqerit në gjak do të rritet ndjeshëm por në mënyrë të përkohshme. Ai do të bjerë shpejt dhe kësisoj ju do të jeni sërish të uritur.

Një aspekt tjetër i ushqyerjes së tillë është se nëse prisni gjatë, me shumë siguri do ta teproni me ushqimin kësisoj duke shtruar rrugën drejt mbipeshës.