26.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Pas kërkesës për dorëheqje të gjyqtarëve, Gjykata e Lartë gjobit Dritan Dajtin

Dritan Dajti ka dorëzuar disa kërkesa për dorëheqjen e gjyqtarëve. Një ndër to ishte edhe largimi nga trupa gjyqësore e Sandër Simonit.

Gjykata e ka refuzuar dhe e ka gjobitur Dajtin për kërkesë të padrejtë

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, tha se vendimi është dhënë sot nga Gjykata e Lartë.

Sot në Gjykatën e Lartë kishte dy seanca, njëra për njoftimin e trupës gjyqësore që do shqyrton gjyqin në themel dhe tjetra që shqyrtoi kërkesën për largimin e gjyqtarit.

Për këtë kërkesë u vendos që Dajti të gjobitet me dhjetë mijë lekë të reja.

Lidhja e Prizrenit, cilët ishin hartuesit e programit politik dhe tri detyrat! Çfarë ndodhi me 10 qershor të 1878-ës

Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.

 

Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë, siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane.

Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi. Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin Pashë Dino, me veprime të shkathëta diplomatike penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë.

Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali Pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokoli, të cilat u shkaktuan humbje të rëndë forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën. Të gëzuar për fitoret e arritura, shqiptarët shprehën vendosmërinë që të mos lëshonin qytetin e Ulqinit.

Nën presionin e flotës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha dhe të rrethuara nga trupat osmane dhe malazeze, komandanti osman Dervish Pasha theu më në fund qëndresën e shqiptarëve dhe më 26 nëntor 1880, Ulqini iu dorëzua forcave malazeze. Rezistenca e shqiptarëve kundër Portës së Lartë vijoi edhe më pas. Në muajin maj 1881 pas një numër arrestimesh të drejtuesve të saj dhe persekutimi të popullsisë shqiptare, Lidhja e Prizrenit, u shtyp nga Porta e Lartë.

VULA E LIDHJES SË PRIZRENIT

Droja e shqiptarëve se mos territoret e tyre do të ndaheshin mes Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i mbushi me zell për të bërë qëndresë. Në traktatin e parë të pasluftës, në Shën Stefan, u nënshkrua dorëzimi i disa territoreve të Perandorisë Osmane, ndër to edhe territore të banuara nga shqiptarë. Perandoria Austro-Hungareze dhe Britania e Madhe e bllokuan marrëveshjen, duke qenë se do t’i jepte Rusisë pozicione kyçe në Ballkan, duke prishur kësodore peshoren e fuqive. Për ta zgjidhur këtë çështje, një konferencë paqeje u mbajt po atë vit në Berlin. Krejt situata çoi në organizimin e shqiptarëve me këshillimin e Stambollit në këshilla vendorë për të mbrojtur territoret e banuara nga shqiptarët.

Të nxitur nga rrethanat, në dhjetor të 1877-s Abdyl Frashëri organizoi Komitetin e Stambollit – anëtarët bënë një mbledhje të përgjithshme majin e 1878-s. Më 10 qershor 1878 përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajraklie të Prizrenit për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit. Në mbledhjen e parisë më 18 qershor u radhitën qëndrimet e mbajtura në një shkresë të vendimeve quajtur Kararnamé, që u firmos nga 47 përfaqësues të kazave të vilajetit, ku në krye janë firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit. Po atë ditë paria e Shkodrës i telegrafoi shtabit të Lidhjes se do t’i bashkohej lëvizjes dhe se së shpejti do të dërgonte delegatët.

Më 23 qershor do të ishin të pranishëm krejt delegatët e qyteteve shqiptare në Prizren. Më 30 qershor u paraqitën edhe delegatët e Shkodrës me Jusuf agë Sokolin me një delegat të Podgorica dhe 7 krenë prej Malësie. Në Kararnamé u dokumentua vullneti nistor i organizimit, ku flitej për tërësinë territoriale të perandorisë dhe t’u rikthehej status quo-ja e para Luftës Ruso-Turke. Synimi kryesor ishte mbrojtja ndaj rreziqeve të menjëhershme, lakohej mbrojtja e Dinit, Devletit dhe Vatanit, mosnjohja e Bullgarisë dhe rikthimi me armë i territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi nëse nuk do t’i dorëzonin me vullnet të lirë. Delegatët ngritën një organizim, Lidhjen e Prizrenit, që kishte fuqinë të vendoste taksa dhe të mobilizonte një ushtri. Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.

Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut. Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Qorr Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës. Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese. Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtina, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj. Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme.

Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit që kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit. Lidhja në korrik u nda në komitete, të cilat kishin dy degë madhore: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut. Dega e Prizrenit drejtohej nga Iljaz pashë Çoku me përfaqësues nga Kërçova, Tetova, Prishtina, Mitrovica, Vuçitërna, Shkupi, Gjilani, Manastiri, Dibra dhe Gostivari. Komisioni i Degës së Shkodrës përbëhej kryetarit Daut efendi Boriçit, Selim efendi Çoba, Shaban beu i Bushatllinjve, Haxhi agë Lohja, Selim agë Gjyrezi, Et’hem agë Kazazi, Ibrahim efendi Dragusha, Ibrahim Idriz Hoxha, Osman Bekteshi, Filip Çeka, Ndrekë Shiroka, Gjon Muzhani e Zef Simoni. Për këtë degë, Et’hem agë Kazazi qëndronte gjithnjë në Prizren. Dega e jugut që kishte mbajtur një takim po të tillë në Gjirokastër, drejtohej prej Abdyl Frashërit dhe përbëhej prej përfaqësuesve të Kolonjës, Korçës, Artës, Beratit, Pargës, Gjirokastrës, Përmetit, Paramithisë, Filatit, Margëlliçit, Vlorës, Tepelenës dhe Delvinës.

Në këto vise lëvizja mbështetej më shumë tek elementi mysliman, për arsye se elementi ortodoks ishte më së shumti nën ndikimin grek. Nga ana tjetër, në veri myslimanët me katolikët ishin bërë palë për synimet e Lidhjes. Të dy komitetet hynin në kontakt me njëri-tjetrin nga njerëz të besuar që piqeshin në Elbasan.

ÇËSHTJA E VISEVE SHQIPTARE NË KONGRESIN E BERLININ

Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbeteshin vilajetit të Shkodrës. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf agë Sokoli, Selim agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj. Memorandumi nuk u përfill nga Kongresi, që ua njohu kërkesat Serbisë dhe Bullgarisë ndaj territoreve të lëshuara nga Perandoria Osmane krahas kërkesave shqiptare.

Kancelari prusian, Bismark, e çmoi Ballkanin si pjesë e Çështjes Lindore se “i gjithi nuk ia vlen as sa eshtrat e shëndetshme të një granadieri të vetëm pomeranez”. Qëndrimet e Lidhjes u përkrahën po ashtu edhe nga kolonia shqiptare e Stambollit, e përbërë prej nëpunësish të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët më 20 qershor 1878 i nisën një memorandum ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare: «Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj.

Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. Më 21 qershor, ish-deputeti i Podgoricës në Mexhlisin Osman, Jusuf Efendiu u drejtoi një telegram fuqive të mëdha dhe një Kongresit që Podgorica t’i mbetej Perandorisë Osmane. Rilindasi Jeronim de Rada i dërgoi një letër kryeministrit britanik, lordit Beaconsfield me të cilën i lutej që të interesohej për të drejtat shqiptare.

REZISTENCA USHTARAKE

Marshalli osman Mehmed pashë Maxharri, pjesë e delegacionit osman në Kongresin e Berlinit, u caktua të mbikëqyrte përcaktimin e kufijve të rinj në viset veriore shqiptare, përkatësisht kazanë e Gucisë. Me të vajtur për të përcjellë lajmin e ardhur nga Stambolli, ana më e bindur e Lidhjes i kërkuan që të largohej, mirëpo ra mik tek kryetari i degës së Lidhjes në Gjakovë, mikut të tij Abdullah pashë Drenit. Ndodhia u përshkallëzua ngaqë Abdullah Pasha nuk e dorëzonte dot mysafirin, si pasojë u rrethua dhe u vranë të dy pashallarët në atë që njihet si Aksioni i Gjakovës.

Kjo gjakderdhje mbahet si veprimi i parë ushtarak i Lidhjes kundër nismës së dorëzimit të një territori të banuar nga shqiptarë. Fuqitë e Lidhjes u përplasën me njësitë malazeze nga tetori i 1879 deri në janar të 1880 në Plavë e Guci, me në krye Ali pashë Gucinë. Pas qëndresës për lëshimin e atyre viseve, u mendua t’i jepej Malit të Zi një rrip toke buzë lumit Cem sipas kompromisit i Kortit, delegat i Italisë në Kongres. Porsa u mor vesh ndërrimi i Plavës dhe Gucisë me Hotin, 2/3 e Grudës dhe stane e kullota të Kelmendit, bajraktarët e viseve i dërguan lutje konsullit austro-hungarez në Shkodër.

Me datën 11 prill 1880 në një mbledhje Dega e Lidhjes në Bibliotekën e Pazarit u vendos mbyllja e Pazarit dhe u lajmërua populli të ishte gati për luftë. Më 22 prill komandanti i ushtrisë së Tuzit, Haxhi Osman Pasha, ndoqi urdhrin e dorëzimit të territoreve ndaj malazezëve, por u shpërndau fishekë e armë vullnetarëve shqiptarë. Nga Shkodra u mobilizuan 1500 burra të armatosur, të drejtuar nga Hodo Begu dhe më pas iu shtua kapidani Preng Bibë Doda. Beteja e parë mes forcave u zhvillua te Ura e Rrzhanicës. Pas qëndresës së radhës, Fuqitë e Mëdha ripërcaktuan lëshimin e territoreve duke i dhënë Malit të Zi, Ulqinin me rrethet e tij deri në Bunë.

Seanca për vulën e PD, Sefa: Kërkojmë prishjen e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri

Gjykata e Apelit ka nisur këtë të martë, 11 qershor, shqyrtimin e çështjes së vulës dhe siglës së Partisë Demokratike.

Në seancën që po mbahet në Apel, do përcaktohet se kush do të ketë drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.

Rithemelimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, përfaqësohet në gjyqin për vulën nga Ivi Kaso, Ledina Mandija dhe Oerd Bylykbashi.

Sakaq, Partia Demokratike e Lulzim Bashës, përfaqësohet nga Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.

Pas rreth një ore ku PD zyrtare paraqiti argumentat e saj, përfaqësuesi Indrit Sefa ka kërkuar prishjen e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili vendosi atëherë që vula t’i jepej Berishës.

Nga ana tjetër Rithemelimi parashtroi në nisje të seancës një kërkesë paraprake që ka të bëjë me mospranimin e ankimimit të Alibeajt, për shkak se pretendon që nuk legjitimohen si palë.

Përfaqësuesi i Rithemelimit, Ivi Kaso kërkoi lënien në fuqi të vendimit ‘Zhukri’ dhe njohjen e vendimeve te Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021.

“E drejta e anikimimit i takon vetëm palës qe ka vënë në lëvizje gjykatën”, tha Kaso.

Në përgjigje të pretendimit të Rithemelimit, përfaqësuesi i PD, Indrit Sefa se Gjykata e Lartë e ka ndarë në vendimin e saj kush është palë dhe tashmë duhet të caktohet kush ka tagrat e përfaqësimit.

“Gjykata e lartë e ka ndarë kush është palë, por kërkon që të zgjidhe se kush ka tagrat e përfaqesimit”, tha Sefa më herët.

Kujtojmë se trupa gjykuese që po merret me këtë çështje përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023.

Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.

Pse SPD-ja e Olaf Scholz-it rezultoi në humbje? Zëdhënësi i Socialdemokratëve tregon arsyet: Çështjet e emigracionit dhe sigurisë ishin në thelb të fushatës

Nils Schmid, zëdhënësi parlamentar për punët e jashtme i partisë Socialdemokrate të kancelarit gjerman Olaf Scholz, ka folur për humbjen e thellë të SPD në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

 

Në një deklaratë për BBC, ai tha se vrasja fatale me thikë e një polici në Mannheim “i çoi çështjet e imigracionit dhe sigurisë së brendshme në thelb të fushatës”.

Ai pranoi gjithashtu se shkak i rezultateve të tilla për partinë janë edhe “shumë dështime të politikave dhe vështirësi në kompromise për çështje shumë të rëndësishme, si buxheti”.

“Ndikimi i këtyre rezultateve në politikën kombëtare do të jetë shumë i kufizuar. Për të qenë i sinqertë, shumica e politikanëve gjermanë kishin pritur tashmë që partitë e koalicionit të humbnin mandate,” tha ai.

Pas zgjedhjeve europiane në Gjermani, SPD arrit vetëm 13,9% të votave, por humbjet më të mëdha i pësuan Të Gjelbrit. Kjo parti ra nga 20 në rreth 11,9%. Kurse partia e tretë qeverisëse, liberalët e FDP me 5,2% gati e ruajtën rezultatin krahasuar me vitin 2019.

Ndërkohë, në liste kryesoi partia opozitare e CDU/CSU kryesoi me 30%, duke lënë pas me një rezultat të ulët partinë Socialdemokrate, SPD, të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Në vend të marrshimit me kostumet e UÇK-së paradë me parullat e LGBT-së!

Nga Azgan Haklaj

Kosova u çlirua 25 vite më parë!
Me dt 12-të qershor të vitit 1999-të ish-presidenti Klinton do të shprehej me ngazëllim:
“Sot pas 79-të diteve, qiejt e Jugosllavisë do të jenë të qetë..”.!
Pikëridht atë ditë të shënuar për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar 50.000 forca te KFOR nga 39-të kombe të ndryshme të globit do marshonin drejt Kosoves.
Forcat speciale norvegjeze dhe ato britanike do mbërrin të parat në Prishtinë duke u hasur në një provokim të rëndë e të rezikshëm rus pasi ushtarakët e tyre kishin okupuar aeroportin e Prishtinës.
Ato u detyruan të largoheshin me turp pasi që dhe Rumania, Hungaria e Bullgaria nuk i lejuan të përdornin hapsirën e tyre ajrore për tu furnizuar me mjete dhe ushtri.
Natyrisht që për Kosovën nuk ka ditë më të shenjtë.
I shenjtë ngelet dhe kontributi i patjetërsueshëm i aleatëve euroatlantikë me në krye SHBA-të.
Kurrë nuk do të shuhen kujtimet për rezistencën shekullore të shqiptarëve të Kosovës që u kurorëzuan me krijimin e UÇK-së.
Por në vigjilje të kësaj feste me përmasa nacionale eshte rasti jo vetëm të bëjmë paradë arritjesh me kolore elektorale a thua se memoria jone fshihet lehtë.
Duhet që të gjithë e sidomos politika ne Kosovë ti qaset një analize të thellë e reale dhe një reflektimi gjakftohtë se ç’farë duhet të ishte bërë më mirë në Kosovë.
Situata aktuale në të cilën është Republika më e re e kontinentit nuk është frymëzuese fatkeqësisht.
Dhe shkaktari i vërtetë me emër të përveçëm është politika.
E sigurisht në tablonë reale të Kosovës sot shohim se kjo krijesë me veshtirësi e aleatëve tanë perëndimërë sot ka ushqyer skajet e një tensioni të madh e të pajustifikueshëm pikërisht me aleatët më të ngushtë, më të sinqertetë e kontributorët që në fakt janë dhe fuqitë më demokratike si dhe më të mëdhatë nga ana ushtarake e ekonomike.
E pa dashur të bëj analizë kronologjike unë bëj fajtor po me emër të përveçëm kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
E gjithë veprimtaria e tij jo vetëm në opozitë por me kostum tjetër e brendi të njejtë edhe sot si kreu i qeverisë dhe i mazhorancës në Kosovë.
Pa u ndalur te mungesa e vizionit e reformave zhvillimore në ekonomi ku kjo qeveri përkundër premtimeve rezulton e pazonja.
Ajo që është uluritëse te Albin Kurti është politika e jashtme.
Me çmendurinë e një të sëmuri nga mitomania, ai arriti te faktorizoje te aleatet tanë njeriun me antiperëmdimër e pro-rus, krahun e djathë të Millosheviçit Aleksandër Vuçiç.
Dite të tilla në mos të zeza por minimalisht të murrme për Kosovën askush nuk i ka menduar.
Edhe në rrafshin kombëtar Albin Kurti, i përbetuari për “Bashkim Kombetar” po përvijon një konstistencë me ndërhyrje agresive përçarje te faktori politik shqiptar kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin e Preshevë -Medvegjë -Bujanovcit.
Nuk gjej aresyetim tjetër dhe rezultat logjik të këtij inkursioni veçse shërbim dashje pa dashje për Vuçiç dhe politikat e tij anti shqiptare sllavo-ruse.
Albin Kurti edhe cilido mediokër politik e din se nuk ka as fuqi shtetërore e natyrisht as përsonale të faktorizohet si kryelider i shqiptarëve në Ballkan, i cili në vigjilje të 25 vjetorit të çlirimit në vend që të marrshonte me kostumet e UÇK-së bëri paradë me parullat e LGBT-së.
Ai është votuar masivisht duke mashtruar se do luftonte korrupsionin të cilit vetëm i ndërroj ngjyrën.
Ai u votua se u besua nga shqiptarët në Kosovë se do punonte për një shkallëzim të bashkimit tonë shpirtëror dhe te integrimit pan -shqiptar.
Por kjo pseudo kauzë rezultoi propagandë si rezultuan mashtrim e propagandë premtimet komuniste pas luftës se dytë botërore!
Gjithsesi edhe Albini edhe albinë të tjerë janë kalimtarë politikisht e fizikisht.
Ajo që ju ngelet brezava eshte Kosova e lirë!

Nënkryetarja e PD Orjola Pampuri: Paratë e korrupsionit të qeverisë Rama, do t’u kthehen në shërbime qytetarëve, programi ynë fuqizon familjen dhe shtresën e mesme, do ndalojmë shpopullimin dhe dyfishojmë ndihmën për shtresat në nevojë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri ka komentuar aktualitetin politik dhe programin e PD. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, numri 2 i demokratëve premtoi se paratë e korrupsionit të qeverisë Rama do t’u kthehen në shërbime qytetarëve, kur Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha do të vijë në pushtet. Ndërkohë zonja Pampuri thekson se qeveria Rama ka pasur prioritetet e gabuara në qeverisjen e vendit, duke i dhënë përparësi koncesioneve korruptive dhe oligarkëve, në vend të rritjes të punësimit apo të krijonte mundësi për të rinjtë. Sipas saj, qytetarët kërkojnë tashmë një alternativë dhe një ekip, prandaj edhe PD ka dalë me një ofertë programore të mirëstudiuar nga ekspertët, me piroritetet e duhura dhe e implementueshme. Sakaq, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gaztës “SOT”, Rigels Seliman, ligjvënësja demokrate nënvizon se programi i Partisë Demokratike zyrtare fuqizon familjen dhe shtresën e mesme, do të ndalojë shpopullimin dhe dyfishojë ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë.

-Zonja Pampuri, cilat janë prioritete kryesore të PD në këtë moment?

E gjithë periudha e ristrukturimit të Partisë Demokratike, në çdo degë përveç zgjedhjeve, shërbeu edhe për të mundësuar takime dhe bashkëbisedime me qytetarë nga veriu në jug, të cilët shpalosën problematika me të cilat përballen, duke filluar nga taksa e larta, vështirësi për mbijetesën dhe mbarëvajtjen e biznesit të vogël, pensione të ulëta, paga të ulëta krahasuar me inflacionin dhe rritjes së çmimeve shportës dhe çdo produkti tjetër për shtëpinë dhe familjen, pagesa të larta për shëndetësinë, pamundësi për të rinjtë dhe profesionistët për të gjetur mundësi punësimi dhe motiv për të jetuar në këtë vend, e shumë shqetësime të tjera, të cilat janë pasqyruar në programin e PD, duke u konsultuar me ekspertët më të mirë të ekonomisë, me qëllim që çdo propozim për zgjidhje të jetë i implementueshëm.

-Si mendoni se PD mund të kontribuojë më së miri në përparimin e vendit në këtë kohë?

Partia Demokratike është në shërbim të qytetarëve dhe të gjitha energjitë, vizionin dhe programin e ka të fokusuar tek ata. Duke prezantuar një program që është afër nevojave të qytetarëve. Sot shumë çifte të reja e kanë të pamundur të krijojnë familje, për shkak të pamundësisë për të patur një banesë ku mund të jetojnë, Partia Demokratike, në programin e saj qeverisës propozon subvencionimin e interesit të kredisë për banim për 30.000 çifte të reja. Vitet e fundit Shqipëria është përballur me një ulje drastike të lindshmërisë, si për shkak të emigracionit ashtu edhe për shkak të pamundësisë së çifteve të reja për të ndërmarrë një përgjegjësi, e cila përveç dëshirës kërkon dhe aspektin ekonomik për të përballuar mirërritjen e fëmijës, PD sikurse çdo vend i zhvilluar ka vepruar, propozon 2000 euro për bebin e parë dhe të dytë dhe 20.000 euro për bebin e tretë. Rritja e papunësisë, rritja e nivelit të varfërisë ka bërë që shumë familje, të cila e kanë të pamundur mbijetesën, të bëhen pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, duke kaluar burokraci e shpesh duke e përdorur për qëllime elektorale në kohë fushate, e në fund duke i ofruar një shumë që nuk përmbush nevojat e tyre. Partia Demokratike propozon dyfishimin e ndihmës ekonomike. Personat me aftësi të kufizuar nuk ndjehen të përfaqësuar dhe të përfshirë në administratën publike, kanë vështirësi punësimi, dhe vështirësi për të përballuar jetesën. Partia demokratike propozon incentiva në taksim për çdo kompani private që punëson persona të kësaj kategorie, gjithashtu përfshirja e tyre në administratë dhe vendimmarrje do të jetë prioritet, po ashtu rrisim me 70% të pagës minimale, pagesën për këtë target grup. Një program premtues dhe një ekip me integritet dhe me një karrierë të mirë profesionale, janë një alternativë premtuese për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

-Çfarë strategjish ka PD për të adresuar çështjet kyçe sociale dhe ekonomike?

Strategjia kyçe është vendosja e prioriteteve, mirëmenaxhimi i çdo qindarke të buxhetit të shtetit dhe i taksapaguesve, duke e kthyer në shërbim të plotë të nevojave të qytetarëve. Sot qeveria Rama ndodhet në nivelet më të larta të korrupsionit, përgjatë 11 viteve çdo konçension, tender apo PPP, ka qenë korruptiv, duke drejtuar paratë e taksapaguesve jo në shërbim të qytetarëve, por në xhepat e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës. Inceneratorët, koncesionet në shëndetësi, fondet për bujqësinë, zonat turistike duke ua besuar miqve si investitorë strategjikë, pra çdo qindarkë e taksapaguesve është përdorur nga Rama për t’i shërbyer atij dhe miqve të tij, duke u fshehur pas shou-t me koncesionet, inceneratoret etj. Paratë e korrupsionit të qeverisë Rama, do tu kthehen në shërbime qytetarëve.

-Çfarë mendoni për rolin e PD në mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës?

Partia Demokratike ka qenë në krah të drejtësisë, për të ndërtuar shtetin e së drejtës e për t’i dhënë fund pandëshuekshmërisë. Për këtë kemi propozuar dy amendamente për të mbështetur SPAK, kemi propozuar vetting për politikanët dhe heqje imuniteti për deputetët, por që mazhoranca nuk i merr në konsideratë, pasi është vetë Rama që e katandisi Shqipërinë në këto nivele, ku bandat dhe krimi janë një me politikanët dhe janë ata që kanë ndikim të rëndësishëm në fushata elektorale, e sipas ish zv kryeministrit e ish ministrit të financave me i mbrojturi nga Rama e sot në hetim e në arrati. Një mazhorancë që prodhoi kryebashkiakë me preçedentë, ish ministra nën hetim, ish deputetë e ish kryebashkiakë pas hekurave, e ish ministra që kanabizuan vendin. Ndaj dhe në një situatë aspak normale ku ndodhej drejtësia, dhe nivelit të lartë të pandëshkueshmërisë në këto 34, u ngrit struktura e posaçme antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar e cila ka dhe do zë jetë të gjithë mbështetjen e Partisë Demokratike.

-Si do të vepronte PD për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve nëse do të ishte në pushtet?

Nxitje punësimi, nëpërmjet uljes së taksave asaj progresive, të sheshtë dhe të të ardhurave personale me 9%, taksë 0 për biznesin e vogël me të ardhura vjetore deri 14.. milion lekë të reja. Rritje prej 5% në vit te pensioneve, dhe indeksimi sa dyfishi i vlerës së inflacionit, dhe për pensionet e ulëta bonus periodik prej 25.000 lekë të reja. Orari i shkollës deri në 16.00, ku fëmijët do të kenë ushqimin, aktivitete sportive dhe kulturore dhe studim. Çka do t’i japë mundësi nënave që shpenzojnë kohë para dyerve të shkollave dhe duke mos punuar, për të dërguar e marrë fëmijët nga shkolla, për t’i dërguar në kurse e aktivitete sportive e kulturore, të punësohen dhe të sjellin një rrogë më shumë në familje. Me këtë sistem ka nevojë për më shumë mësues, psikologë, punonjës socialë, çka rrit numrin e të punësuarve. Për biznesin i vogël, profesionet e lira, krijohet frymëmarrje, dhe kështu nxitet punësimi dhe në sektorë të tjerë. Çdo propozim është i implementueshëm, mjafton mirëmenaxhimi dhe dëshira për të ndryshuar këtë vend dhe për ta bërë alternativë ftuese për çdo shqiptar, që sot merr rrugën për të emigruar, nga një vend që nuk i ofron asgjë, madje ia bën jetesën gjithnjë e më të vështirë.

-Cili është qëndrimi juaj në lidhje me çështjet kryesore të politikës së jashtme të vendit?

Një nga çështjet më të rëndësishme sa i përket politikës së jashtme ka qenë vëmendja ndaj luftës në Ukrainë dhe ndikimit rus. Kryetari i Partisë Demokratike Z.Lulzim Basha, përveç rolit mbështetës si kryetar i opozitës ndaj çdo iniciative të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, ka patur një rol kyç, duke u caktuar nga Bashkimi Europian si reporter për konfiskimin e aseteve ruse, i cili propozoi dhe rezolutën për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës, e cila u votua me votë unanime në Parlamentin Europian. Po ashtu ruajtja e standardeve të vendosura nga aleati ynë strategjik, dhe qëndrimi i palëkundur krah tyre. Një çështje e rëndësishme sot për Shqipërinë është integrimi në BE, i cili duke përmbushur të kërkesat, që kryesohen me fundin e krimit të organizuar, fundin e korrupsionit duke qëndruar të palëkundur në mbështetje të drejtësisë së re. Marrëdhënia e Shqipërisë me përfaqësuesit ndërkombëtarë është jetike për të ardhmen e vendit.

-Si mendoni se PD mund të përdorë me efikasitet median dhe rrjetet sociale për të komunikuar me qytetarët dhe për të promovuar politikat e saj?

Përgjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë që kaloi Partia Demokratike, sigurisht nevoja për një pasqyrim të drejtë dhe të paanshëm të ngjarjeve që mbajtën peng opozitën, ka qenë e nevojshme madje e domosdoshme, dhe këtë mund ta mundësojë një media e lirë, dhe e paanshme. Një nga pushtetet e rëndësishme është media e cila ka detyrim thelbësor të paraqesë të drejtën, të vërtetën ashtu siç është të padeformuar, nxitur nga interesave personalë. Përveç tryezave të diskutimit me grupe të interesit, shpalosjes së ofertave të programit përgjatë takimeve me qytetarët, një tjetër mundësi përçimi është media e shkruar dhe elektronike, e cila në paanësinë e saj duhet të shpalosë çdo propozim, me qëllim që shqiptarët të njihen me çdo alternativë dhe të jenë më të qartë në zgjedhjen që bëjnë. Deformimi, shpifja mediatike, pengon zhvillimin, dhe po ashtu pengon përçimin e alternativës më të mirë, çka pengon shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e duhur.

Intervistoi: Rigels Seliman

Apartament, truall e 40 mijë euro, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të bosit të drogës! Kush është Eldi Dizdari, pjesë e organizatës kriminale

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të bosit të drogës, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, i cili shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve në sasi të mëdha”.

 

Sipas të dhënave të dërguara nga letërporosia italiane rezulton se organizata kriminale ku bën pjesë Eldi Dizdari, nga viti 2015 e në vazhdim ka trafikuar në disa raste kokainë.

35-vjeçari ka ankimuar vendimin e GJKKO-së për konfiskimin e pasurive, por Apeli e ka lënë në fuqi.

Pasuritë e konfiskuara:

  • Pasuria e llojit “Njësi”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 198.1m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;
  • Pasuria e llojit “Garazh”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 14.3m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;
  • Pasuria e llojit “Truall”, me sipërfaqe 5269 m2, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, Tiranë, pjesa takuese 2163/30000, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi, pasuri që është në bashkëpronësi.
  • Të drejtën e shtetasit Denis Matoshi, për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim për shpronësimin në pasurinë me nr. 6/380, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, si bashkëpronar në këtë pasuri në pjesë takuese 120005/1680000, me vlerë paraprake të shpronësimit 8.180.125.82 lekë.
  • Shuma e parave prej 40 000 (dyzetë mijë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare të noterit;
  • Pasuria e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8310, Rruga “Gjergj Legisi”, Tiranë, e llojit “Apartament” me sip. totale 65.32m2, në pronësi të shtetasit B.Sh.;

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në ligjin Nr.10 192, datë 03.12.2009, i ndryshuar, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, ka paraqitur para Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit Denis Matoshi (Eldi Dizdari), i cili rezulton të jetë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi Gjykata e Firences/Itali me Vendimin nr. 9065/15 RGNR 56909/19 RG GIP, datë 25.11.2019, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve në sasi të mëdha”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Italisë. Sipas të dhënave të dërguara nga letërporosia italiane rezulton se, organizata kriminale në të cilën bën pjesë shtetasi Denis Matoshi, nga viti 2015 e në vazhdim, ka trafikuar në disa raste kokainë.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me Vendimin nr.34, datë 22.12.2023, ka vendosur ndër të tjera, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit, të pasurive si më poshtë:

  • Pasuria e llojit “Njësi”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 198.1m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;
  • Pasuria e llojit “Garazh”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 14.3m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;
  • Pasuria e llojit “Truall”, me sipërfaqe 5269 m2, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, Tiranë, pjesa takuese 2163/30000, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi, pasuri që është në bashkëpronësi.
  • Të drejtën e shtetasit Denis Matoshi, për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim për shpronësimin në pasurinë me nr. 6/380, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, si bashkëpronar në këtë pasuri në pjesë takuese 120005/1680000, me vlerë paraprake të shpronësimit 8.180.125.82 lekë.
  • Shuma e parave prej 40 000 (dyzetë mijë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare të noterit;
  • Pasuria e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8310, Rruga “Gjergj Legisi”, Tiranë, e llojit “Apartament” me sip. totale 65.32m2, në pronësi të shtetasit B.Sh.;

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.100, datë 29.05.2024, ka vendosur:

–   Lënien në fuqi të vendimit nr. 34, datë 22.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

241 mln euro në tre muaj, emigrantët po u dërgojnë më shumë para familjeve në Shqipëri

Plakja e popullsisë dhe kriza e çmimeve që vijon kanë shtuar nevojat e veçanërisht të moshuarve në vend. Rrjedhimisht të afërmit në emigrim po u dërgojnë atyre më shumë para. Në tre muajt e parë të vitit remitancat kapën nivelin e 241 milionë eurove.

Emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre 241 milionë euro në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Bankës e Shqipërisë tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, remitancat janë rritur me 28 milion euro apo 13 për qind.

“Kemi një inflacion ende prezent në vend gjë që sjell kërkesë mbi ekzistencën dhe varësin a grupeve vulnerabël ndaj remitancave”, tha socialogia Eris Dhamo.

Nevojën për më shumë para si pasojë e shtrenjtimit të jetesës e pohojnë edhe vetë qytetarët që presin remitanca.

“Tani që janë rritur çmimet jemi të detyruar që t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë se përndryshe…”

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Njëkohësisht, në rang vendi, 26 për qind e familjeve shqiptare që marrin para nga jashtë, kanë më pak të ardhura në dispozicion se sa pjesa tjetër.

“Nëse po prapë do t’iu referohemi shifrave të INSTAT, atëherë do të kuptojmë se paratë nga remitancat shkojnë për të plotësuar nevojat bazike dhe jo për argëtim apo luks”, shtoi Dhamo.

Me gjithë shifrat e rritura, për shkak të zhvlerësimit të euros familjet shqiptare kanë pasur më pak lekë në duar. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë humbja e familjeve shqiptare si pasojë e zhvlerësimit të valutës europiane përllogaritet në rreth 15 për qind krahasuar me një vit më parë.

Maji rikthen rritjen e çmimeve

Çmimet i janë rikthyer rritjes në muajin Maj të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare nga “Instituti i Statistikave”. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin që lamë pas është vlerësuar në 2.2%, nga 2.1% që ishte në muajin Prill. Ndërkohë, nga ana tjetër, në Majin e një viti më parë ky ndryshim ishte 4.7%. Gjithsesi, pavarësisht rritjes, inflacioni mbetet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.69 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.42 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.28 pikë përqindje. Edhe për muajin Maj shohim se grupi “transporti” sërish ka dhënë kontribut pozitiv, ndryshe nga disa muaj më parë.

Krahasuar me muajin Maj të vitit 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3.7% secili, “Veshje dhe këpucë” me 3.2%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.4% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 2.2% secili. Nga ana tjetër, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit me 1.9%, “Shëndeti” me 1.7%, “Transporti” me 1.1% dhe “Komunikimi” me 0.1%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4.6%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4.1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3.6%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 2.9% dhe “mish” me 2.3%.

Rikujtojmë se pak kohë më parë institucioni kërkimor “Raiffeisen Research”, i cili ofron një pasqyrë të plotë mbi tendencat aktuale ekonomike, ka treguar përmes një publikimi se beteja e Shqipërisë kundër inflacionit nuk ka përfunduar akoma. Edhe pse inflacioni është në nivelin më të ulët në dy vite, sipas të dhënave të institucionit çmimet pritet të rriten sërish gjatë periudhës së verës, të nxitura kryesisht nga turizmi.

Ambasada amerikane: Deklarata “gjithëserbe”, sulm i rrezikshëm ndaj Dejtonit dhe institucioneve të Bosnjës

Deklarata e përbashkët “gjithëserbe” mes Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Republika Sërpska (RS), buron nga dezinformatat ligjore dhe është e mbushur me plot gabime, tha të hënën Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.

Një i ashtuquajtur “kuvend gjithëserb” u mblodh të shtunën në Beograd, ku udhëheqës të Serbisë dhe të Republikës Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin.

Në një postim në rrjetin social X, Ambasada amerikane tha se “deklarata nuk përbën mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, siç pretendojnë autorët, por është sulm i qëllimshëm ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës. Kjo është e rrezikshme”.

Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.

Ambasada amerikane tha se deklarata e bëra nga zyrtarët e Republikës Sërpska, posaçërisht nga presidenti i saj Millorad Dodik dhe nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të RS-së, Nenad Stevandiq, rreth “deklaratës dhe planeve të Republikës Sërpska për ‘shkëputje’ – një emër tjetër për fjalën ndarje – përbëjnë sulm ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit shumetnik të Bosnje e Hercegovinës”.

Ajo tha se Marrëveshja e Dejtonit për paqe dhe Kushtetuta e Bonje e Hercegovinës theksojnë në mënyrë eksplicite se Bosnja e Hercegovina është trashëgimtarja e vetme e Republikës së Bosnje e Hercegovinës me strukturën e saj të brendshme të modifikuar për t’u përbërë nga dy entitete.

“As Marrëveshja e Dejtonit e as Kushtetuta e BeH nuk u jep të drejtë entiteteve, apo ndonjë organi tjetër nënshtetëror, për ndarje, ‘shkëputje’, apo çfarë sinonimi tjetër të patakt për ndarje që sajohet nga zyrtarët e RS-së. RS-ja nuk është shtet dhe ajo mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnje e Hercegovinës”, thuhet në reagim.

Ambasada vlerësoi se planet e Dodikut e rrezikojnë të ardhmen paqësore dhe demokratike brenda institucioneve euroatlantike që e do populli i Bosnjës, përfshirë banorët e RS-së./REL