19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Temperaturat e larta, ja pse nuk duhet ta konsumoni ujin e shishes që ka qëndruar në diell

Është e rëndësishme të qëndroni të hidratuar mirë, veçanërisht në muajt e verës. Mos pirja e mjaftueshme e ujit mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje dhe konfuzion midis efekteve të tjera anësore të padëshiruara.

Prandaj, është thelbësore që të pini rregullisht ujë gjatë gjithë ditës. Kur jeni të etur dhe me nxitim, mund të jetë tunduese të kapni shishen e parë të ujit që gjeni.

Por, një eksperte ka paralajmëruar për rreziqet shëndetësore të pirjes së ujit të ngrohtë në shishe, veçanërisht nëse ka qëndruar në një vend shumë të nxehtë sikurse brenda një makine.

Kjo për shkak se kimikatet nga plastika mund të depërtojnë në ujë.

“Mos pini ujë në shishe që ka qëndruar në diell ose në një mjedis të nxehtë, si një makinë”, tha Sarah Lawdon, një eksperte e sigurisë ushqimore.

“Nxehtësia mund të shkaktojë që kimikatet e dëmshme të rrjedhin nga plastika në ujë”.

Sipas Lawdon, kur uji në shishe nxehet, kimikatet nga plastika mund të futen në ujë.

Këto kimikate, si BPA-ja dhe ftalatet, mund të jenë të dëmshme nëse i pini. Pirja e ujit me këto kimikate mund t’ju bëjë të ndiheni keq dhe të keni probleme shëndetësore.

Ajo paralajmëroi për efektet anësore nga pirja e këtij uji, të cilat janë:

Probleme me stomakun: Mund të përjetoni të përziera ose të keni dhimbje barku

Dhimbje koke: Këto kimikate mund t’ju shkaktojnë dhimbje koke

Marramendje: Kjo është një tjetër simptomë që mund t’ju shfaqet

Problemet me hormonet:
Disa kimikate mund të prishin hormonet tuaja, duke shkaktuar probleme më serioze shëndetësore me kalimin e kohës.

Për të shmangur këtë, ajo rekomandoi që gjithmonë të ruani shishen me ujë në një vend të freskët dhe të mos e lini atë në rrezet e diellit direkte.

Qeveria nuk është seksere pronash!

Aerial drone view of Tirana, Albania. City centre with modern buildings, stadium, residential district and greenery. Mountains in the distance
Në vend që të kthehet në një seksere pronash, qeveria duhet të luajë rolin e saj për të nxitur ekonominë dhe investimet vendase e të huaja, nëpërmjet krijimit të një ambienti të përshtatshëm për të bërë biznes.

 

Editorial / Shqipëria arriti vitin e kaluar rekordin e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në vend, në nivelin e 1.5 miliardë eurove.

Frika se me mbarimin e projekteve të mëdha, si gazsjellësi TAP apo HEC-et mbi lumin Devoll, do të binin prurjet nga investitorët jashtë rezultoi në dukje e pabazë, teksa ato u zëvendësuan nga sektorë të tjerë.

Por, një vështrim më i detajuar mbi aktivitetet që po gjenerojnë investimet sot është pak zhgënjyes.

22% e flukseve të reja vijnë nga pasuritë e paluajtshme, që janë blerjet e të huajve kryesisht në bregdet, që realisht përveç valutës që hyn në fillim, nuk sjellin ndonjë vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.

18% janë në industrinë nxjerrëse, që vijnë nga hapja e puseve të reja, apo kërkimet për naftë në Shpirag. Edhe këto investime pak sjellin në vend, teksa naftë-nxjerrësi kryesor ende vijon të deklarojë humbje dhe kërkimet për naftë nuk po çojnë gjëkundi.

16% janë në fushën financiare, në pjesën më të madhe janë rritje kapitale, si rrjedhojë e kërkesave rregullatore.

Përtej shifrave, që përveçse mund t’i shërbejnë qeverisë për propagandën e saj të zakonshme, por që realisht nuk frymëzojnë aspak, tërheqja e IHD-ve që sjellin vlerë të shtuar të lartë dhe njohuri është e domosdoshme.

Në të kundërt, qeveria sërish po gjen rrugën më të shpejtë, për të mos thënë atë që i intereson më shumë asaj.

Një tender i hapur së fundmi parashikon që shteti të heqë dorë nga disa prona të rëndësishme publike për t’i lënë vend zhvillimit të kullave, në këmbim të zyrave të administratës.

Qeveria do t’i lejojë privatit që në tokën e saj, në disa nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, të ngrejë kulla deri në 41 kate, ku në këmbim do të marrë disa zyra dhe sipas saj kjo do të çojë në rritjen e produktivitetit të punonjësve.

Në këtë proces do të jetë e përfshirë edhe Korporata e Investimeve, që do të luajë rolin e ndërmjetësit dhe do të fitojë pozicion strategjik në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe do të përfitojë nga tarifat e ndërmjetësimit.

Ky partneritet luan rol kyç në zhvillimin ekonomik të vendit dhe modernizimin e infrastrukturës administrative, thuhet në dokumentet e tenderit.

Në fakt, ky partneritet ka disa probleme.

Së pari, të vëna në peshore, qeveria, me zyrat e saj të reja, fiton shumë pak, në krahasim me privatin që do të marrë për zhvillim një pronë të paçmueshme.

Bashkia e Tiranës e ka ndjekur vitet e fundit këtë model, por deri tani nuk ka asnjë transparencë se cili ka qenë fitimi i saj dhe i banorëve të Tiranës.

Së dyti, pretendohet që këto ndërtime do të luajnë rol kyç në zhvillimin e vendit. Si?! Përvoja e deritanishme ka treguar se orientimi drejt modelit të ndërtimit me qiellgërvishtës, ndërsa mund të ketë nxitur rritjen ekonomike, nuk ka arritur të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve.

Të dhënat e përditësuara të Eurostat treguan se vendi vijon të mbetet i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë, edhe për konsumin individual. Ky model nuk po frymëzon as rininë, që ka zgjedhur të ikë nga vendi, duke krijuar një ngërç të vërtetë në tregun e punës.

Së treti dhe më e rëndësishmja. QEVERIA NUK E KA PRONËN E SAJ. Privati ka të drejtën e vet mbi pronën dhe mund ta japë atë për ndërtim dhe zhvillim, brenda hapësirave që parashikon ligji.

Qeveria nuk është pronare, ajo thjesht menaxhon pasurinë publike, që është krijuar dhe mbajtur me paratë që mblidhen nga taksapaguesit dhe duhet ta përdorë në të mirë të tyre.

Më e pakta që mund të bëjë është të zhvillojë një referendum për të pyetur opinionin publik nëse është dakord që pronat publike të zhvillohen dhe të kthehen në kulla private.

Po ju japin dhe ne të “Monitorit” nja dy ide, që duhet t’ju shkonte vetë mendja, nëse nuk do ta konsideronit veten sekserë të pronës publike:

Toka nuk ka pse tjetërson pronar, pra mund të jepet me qira dhe institucionet përkatëse do të mund të marrin një të ardhur të vazhdueshme. Investitori le të marrë riskun përsipër, ashtu siç u zhvilluan fillimisht fshatrat turistikë në bregdet.

Apo për ndërtimet private mbi troje publike dhe që shndërrohen në pasuri private mund të aplikohet një taksë e veçantë, që do të mundësojë që përfitimi nga prona publike t’i takojë publikut.

Kjo taksë mund të destinohet në përmirësimin e mjedisit, p.sh. për gjelbërim, hapësirat e të cilit po zvogëlohen gjithnjë e më shumë.

Në fakt, në vend që të kthehet në një seksere pronash, qeveria duhet të luajë rolin e saj për të nxitur ekonominë dhe investimet vendase e të huaja, nëpërmjet krijimit të një ambienti të përshtatshëm për të bërë biznes.

Mesazhin nuk ka nevojë ta japim ne, këtë përqasje e kërkojnë qartë investitorët e huaj.

I Ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, z. David Wisner, e bëri të qartë që Shqipëria ka ende shumë për të bërë, për të krijuar një klimë tërheqëse për investitorët:

“Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhim dhe përkushtim ndaj tij.

Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne. Por nëse e dimë që mund të konkurrojmë, do të konkurrojmë.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zgjidhja e disa çështjeve të pronësisë së tokës do të jetë me rëndësi kritike”./monitor

Tomorrica Mon Amour

NGA EDISON YPI

Nëmërçka, Puka, Mirdita, Krraba, Myzeqeja, Mallakastra, janë disa nga Gratë e Mia. Njëra më e bukur se tjetra. Por asnjëra si Tomorrica, që është më e magjishmja e të tërave.
Nuk kam asnjë kundërshtim që hiret rrënqethëse të Tomorricës time, t’i eksplorojë çdo i interesuar.
Për me e kqyr si duhet thellësinë e Tomorricës, Zoti e ka gdhendur si një Teatër kolosal me skenë dhe sallë kilometrike, skena më e madhe se salla.
Skena gjigande në lindje, luginëza, përrenj që rrjedhin teposhtë, fshatra me shtëpi që duken si koshere.

Salla, apo platea, faqa lindore e Tomorrit.
Lumi në mes.
Tomorrica perëndimore mund të përdoret si ballkon për të kqyrur Tomorricën lindore përballë, ku, secili spektator mund të ulet rradha kaq, karrikia aq, përkatësisht; rradha ndonjë gardh a përrua, karrikja një gur a një ledh për tu ulur.
Po, por vetëm spektatorë, sado të përkushtuar, është pak. Tomorrica meriton më tepër. Tomorrica e ka për ofendim mos ta eksplorosh jashtë-e-brenda. Për tu eksploruar sa më thellë e sa më bukur, Tomorrica nazelie del dhe cullak. Ta shfrytëzojë kush të dojë këtë Fat. Nuk jam xheloz.

Që Tomorricës hiret t’i njihen botërisht:
Para Tomorricës frymëndalëse të thirren njerëz të shquar nga të gjitha fushat. Të afërt e të largët. Të rinj e të të vjetër. Të gjallë e të vdekur:
Naimi, Fishta, Lasgushi, atyre su lypset ftesë për asnjë vend në Shqipëri. Ata këtu kanë qënë dhe këtu do jenë. Mjaft të kujdesen që në Tomorricë të mos vinë fort të llangosur me baltë varri.
Nëse Hudhri do arrijë ta bindi Hyun të vijë në Tomorricë, Abas Aliu do e falenderojë, dhe me këtë rast do i nguli ndonjë kunj për llumin letrar te Ex Libris.

Poetët e tjerë të vdekur, Homer, Dante, Shekspir, Pushkin, Lermontov, Gëte, Hajne, Bodler, do nderohen me shetitje peripatike me nga një kanaçe birre në dorë rrethuar secili me nga katër e nga pesë dishepuj. Jo nga kta legenat që vendosin tre pika shurre pas çdo fjalie. As nga ata që mbahen për Poetë sepse kanë qënë në burg. Vetëm dishepuj seriozë.
Ekspertat e rendit ardhur nga vende me përvojat e duhura, do japin ndihmesën e tyre për turistat që humbin rrugën nga mahnitja, ose çmenden nga ekzaltimi nëpër pyje dhe gërxhe të thella. Ekspertat në fjalë do shohin më nga afër edhe çështjen e heremitëve të shpellave dhe atyre që para se të vetshpallen shenjtorë, bëjnë sikur heqin dorë vullnetarisht nga e ngrëna dhe e pira.

Orkestrat më të mëdha të botës, James Last, Frank Pourcel, Ray Conniff, e të tjera do luajnë muzikat më të bukura prej të cilave do shquhen “Orange Blossom”, “Flight of the Bumblebee”, “Pusi që lahet vet”, dhe ca të tjera.
Këngëtarët më në zë, kryesisht të vdekur, gjithashtu nuk do rrinë pa ardhur në Tomorricë.
Do ngrihet nga varri Voce Zela. Do këndojë atë që i mbeti peng sa qe’ gjallë, kryeveprën muzikore siciliane dhe arbëreshe “Cu Ti Lu Dissi” me një bosht rrëfimi tepër të thjeshtë, një thashethem konspirativ katundi: Kush të tha ty, që unë s’të dua më ?

Orkestrat, këngëtarët, kompozitorët, megjithse do e shkrijnë talentin e tyre duke zbrazur secili kremën e krijimtarisë vë vet, s’do ment se nuk do mund të konkurrojnë këngën e zogjve, shushurimën e gjetheve, pëshpërimën e përrenjve, lehjen e qenve, simfoninë e zilkave, koncertet e këmborëve. Kaq gjë e din ata.
Kur një nga të ftuarit e Nderit, Paganini, të luajë “Caprice no 5” do ndalin frymën të gjitha gjallesat aty rrotull dhe më tej. Do heshti gjithçka. Kujt do i vijë kolla, teshtima, pordha, do e mbajë. Atyre që po hanin, lugët do u mbeten pezull në gjysëm lartësie nga pilafi te goja. Përrenjtë do ndalin rrjedhën. Uji i ujvarave do mbetet varur mbi shkëmbinj si çarçaf i nderë në tel që e valavit era.

Kur t’i luten Giacomo Lauri-Volpit të ngrihet nga varri për të kënduar në Tomorricë “Peshkatarët e Perlave”, do lëvizi në varr me përtesë. Ama kur të vijë e ta shohi me sytë e vet perrinë Tomorricë, do bindet menjëherë që ngritja nga varri ja vlejti. Zëri në kup të qiellit. Era do ndali së fryri. Retë do davariten. Qielli do çfaqet. Baballarët e teqeve do ngrihen nga froni do përkulen në shenjë nderimi.
Historianët e ardhur në Tomorricë do bëjnë hulumtime shterruese për të qartësuar disa gjëra. Nëpër cilat shtigje erdhi greku ? Sa foshnja hodhi në lumë ? Sa grave u nguli bajonetën në bark ? Sa burrave u preu kokën me thikë ? Çfarë ndodhi në majë të Ostrovicës ? Ku u bë lufta me frëngun ? Si luftoi austriaku ? Pse u sëmur rusi ? Pse u tërhoq sërbi ? Sa u paguan spiunat ? Ku ndodhen “Gardhi i Beqarit”, “Ledhi i Labit”, “Pusi i Pashait”, “Çuka e Çupës”, “Loti i Nuses” ?

Do jetë në nderin e ekonomistave ardhur enkas në Tomorricë të përcaktojnë cila ishte prodhimtaria e staneve dhe baxhave ? Si e shtypnin rrushin ? Ku e zjenin rakinë ? Ku i shisnin bulmetrat ? A i vilnin kombullat ?
Regjizorët më të famshëm që do kenë fatin dhe kënaqësinë të eksplorojnë perrinë Tomorricë, do jenë dy: Peter Weis dhe Giuseppe Tornatore. Të tjerëve ska pse u mbetet qefi.
National Geographic do dërgojë ekspertat më të merituar për ta pavdekësuar Tomorricën në foto dhe video të cilësisë së lartë.
Sociologët nga mbarë bota do qartësojnë një herë e mirë: Sipas cilave kritere i kanë marrë e i kanë dhënë çupat tomorricarët ? Si lidheshin ilakatë ? Kush bëhej sebep ? Si e kalonin kohën beqarët dhe beqareshat ? Ç’bëhej me të shquarit e katundit, me budallain e katundit, hajdutin e katundit, spiunin e katundit ? A po u prin shëndeti ?

Psikologët do sqarojnë deri më një, në cilat vende çfaqen shenjtorët nëpër ëndërra ? Ku janë livadhet ku natën lodrojnë xhindet, varret nga dalin vampirët, kthesat ku zënë pusi’ komitët dhe gjaksit që vrasin hasmin, makar shtigjet ku vidheshin karvanët, qafat e maleve nga kalonin dasmorët, lëndinat ku thereshin krushqit, koriet ku çlodhen udhëtarët ? Sa të përhapura ishin divorcet dhe incestet ? Ku janë puset e shenjta pranë të cilëve s’të kafshon gjarpëri, s’të prek hasmi, ja marrin një sy gjumë udhëtarët e lodhur ?
Mjekët e thirrur enkas do shqyrtojnë me imtësi metodat dhe mjetet e kurimit të sëmundjeve që përdor mjeksia popullore e këtyre anëve, shkakun e sëmundjeve, rrezikun e epidemive etj.

Zonjën Tomorricën askush nga mysafirët e lartë nuk do e preki me dorë, nuk do e shkeli me këmbë, nuk do ja përdhosi me prezencë luginëzat e saja, përrenjtë, shtëpitë, oborret, puset, kopështiet, ngastrat e mbjella, bimësinë, ujët që rrjedh përposhtë, dritën, hijet, ngjyrat, ylberet, agoninë e përgjakur të diellit në perëndim.
Kush do i bishtnojë rregullave, do theret, do ripet, do piqet në hell lart në Teqe’, te furrat e kurbanëve.

Që Bota të mos mbetet në duart e budallenjve, aventurierëve, edepsëzave, por të forcohet dhe zbukurohet nga njerëz njerëz të ndjeshëm dhe të ndershëm që Botën e njohin dhe e duan, Tomorrica ime duhet pavdekësuar sa më shpejt. Sidomos tashmë që fundi i botës është bërë si bujqësia në vaktit “çështje e ditës”, apo si revolucioni proletar që pritet të shpërthejë nga çasti në çast, tashmë kur gishti i budallait i është afruar butonit dhe pritet ta shtypi nga çasti në çast, dhe Tomorrica ime të iki për dhjam qeni.

Basha flet për njohjen me Aurelën dhe si e sheh familjen shqiptare: Themeli ndërtues i shoqërisë, jetike mbështetja për të

Në një intervistë me gazetaren Mirela Milori, kreu i PD Lulzim Basha dha disa komente jo vetëm për aktualitetin politik, por edhe për jetën e tij personale. I pyetur për njohjen me bashkësorten e tij Aurela, ai u shpreh se njiheshin prej kohës së gjimnazit, ndërsa marrëdhënia e tyre u konsolidua gjatë studimeve në Holandë, për të kulmuar me martesën në vitin 2004.

“Ne kemi qenë në të njëjtin gjimnaz bashkë, pavarësisht se marrëdhënia është konsoliduar gjatë kohës që ishim në studime. Gjatë kohës kur ishim të dy së bashku në universitet, në të njëjtin universitet. Por fakti që njiheshim më përpara, kishim një miqësi dhe dua ta them hapur këtë, mendoj që ndihmojnë dhënien shtat të një marrëdhënie që ishte tashmë miqësore dhe serioze dhe më pas në një marrëdhënie të qëndrueshme për të gjithë jetën. Kemi kaluar shumë kohë të mira së bashku edhe para se të lidheshim së bashku, dhe kemi kulmuar në martesën tonë në 2004-ën, 20 vite më parë”- tha Basha.

Në vijim të intervistës, duke shpalosur propozimet e programit të PD në mbështetje të familjes shqiptare, Basha u ndal edhe në një analizë për gjendjen në të cilën ajo ndodhet dhe vizioni e të djathtëve për t’i ardhur në ndihmë përmes politikave konkrete, duke e cilësuar si bllokun ndërtues të shoqërisë.

“Familja shqiptare ka nevojë urgjente për ndihmë. Sepse këtij presioni që e përjeton edhe një familje në Holandë apo Gjermani, i shtohet fakti familjeve shqiptare jo vetëm që nuk u jepet një ndihmë, i vihen mbi kurriz bara të pamerituara. Bara e parë e cila është shumëfishuar, është ankthi për të nesërmen për fëmijët, ankth që detyron shumë prindër me lotë në sy të pranojnë largimin e tyre në emigracion si zgjidhja e vetme për të ardhmen. Dhe siç e thatë, themeli i kësaj është paqendrueshmëria ekonomike e familjes shqiptare. Familja shqiptare për mua personalisht në rradhë ta përë dhe për forcën politike që drejtoj, për Partinë Demokratike është blloku ndërtues i shoqërisë. Në qoftë se shkatërrohet apo dobësohet, atëherë e gjithë shoqëria do të bjerë si një ngrehinë që nuk e mbajnë trarët.

Partia Demokratike mbetet një parti e djathtë që beson që qeveria duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për të bërë detyrat e veta, por aspak më e madhe, sepse pjesa tjetër duhet mbushur nga individi, nga familja, nga sipërmarrja, nga shoqëria. Por ama në pikën ku kemi arritur, familja shqiptare ka nevojë jetike për dorën e shtetit. Ndaj në programin tonë kemi parashikuar ta shoqërojmë me politika që nga momenti i krijimit të familjes, e deri te momenti i daljes së produkti i dajes së familjes, të fëmijëve në jetë” – vijoi Basha.

Basha: Duam ndryshim, jo thjesht rotacion. Kemi plan të qartë për të zgjidhur problemet që shqetësojnë familjet shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se Partia Demokratike në 2025-ën kërkon të sjellë një ndryshim real, jo thjesht rotacion. Duke komentuar punën e SPAK, kreu i PD tha se ky institucion ndodhet në syrin e ciklonit dhe meriton mbështetje, duke iu referuar nismave të PD për t’i ardhur në ndihmë prokurorisë speciale përmes amendamenteve të prezantuara në parlament.

“Në 2025-ën synimi jonë është jo thjesht rotacioni, por ndryshimi politik për vendin. Një qeveri e re, me një plan të qartë, ekonomik në rradhë të parë dhe për të trajtuar problemet që shqiptarët sot i shqetësojnë më shumë. Siç e thash familjet shqiptare, e ardhmja e rinisë shqiptare, shkollimi me qëllim punësimin e rinisë shqiptare me rroga dinjitoze në vendin e tyre, si kura e vetme për t’i dhënë fund shpopullimit dhe largimit të të rinjve. Pra, një program esencialisht i bazuar në nevojat e shqiptarëve.”- tha Basha mbi ofertën e PD.

Komentet Basha i bëri në emisionin “Interview” me Mirela Milorin” në Euronews Albania, ku tha se partitë politike duhet të qëndrojnë larg drejtësisë dhe të japin mbështetje të plotë për sistemin gjyqësor. Basha tha gjithashtu se amendamentet e PD për SPAK nuk janë marrë parasysh në Kuvend, pasi sipas tij, ka një vullnet të mbrapsht për të frenuar punën e këtij institucioni.

Basha: Politika të qëndrojë larg SPAK, ka një vullnet për të frenuar punën e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se SPAK ka filluar të punojë dhe të japë rezultate konkrete.

Komentet Basha i bëri në emisionin “Interview me Mirela Milorin” në Euronews Albania, ku tha se partitë politike duhet të qëndrojnë larg drejtësisë dhe të japin mbështetje të plotë për sistemin gjyqësor.

Basha tha gjithashtu se amendamentet e PD për SPAK nuk janë marrë parasysh në Kuvend, pasi sipas tij, ka një vullnet të mbrapsht për të frenduar punën e këtij institucioni.

“SPAK është në syrin e ciklonit edhe për faktin se ka filluar të punojë dhe të japë rezultat dhe për këtë meriton mbështetje. Sigurisht nuk ka kartabianka për askënd, pritshmëritë janë të larta dhe kjo ndonjëherë kthehet në një kurth. Sepse arritje të mira por jo në lartësinë e pritshmërive mund të jenë të pamjaftueshme për të frenuar zhgënjimin popullor.
SPAK është akoma në gjykimin e qytetarëve. Gëzon mbështetjen e tyre dhe duhet të gëzojë mbështetjen e tyre. Për ne si PD e rëndësishme është që SPAK t’i jepet mbështetje totale politike. Politika duhet të qëndrojë larg drejtësisë.
Legjislativi ka për detyrë që ta mbështesë SPAK, GJKKO dhe BKH me gjithçka që kërkohet. Kjo është arsyeja që kemi çuan në Parlament propozimet tona. Por duket se nuk ka vullnet për të ndihmuar SPAK, por ka një vullnet të mbrapsht për ta frenduar SPAK. Kjo do të ishte me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”,
tha Basha.

“Berisha s‘ka çfarë jep më”, Basha: Koha provoi se duhet të ndiqte këshillat e mia. Sot jemi të përqëndruar te alternativa

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se me ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka asnjë komunikim që prej shtatorit të vitit 2021, përveçse ndonjë mesazhë në raste të fatkeqësive familjare. Komentet Basha i bëri në emisionin “Interview” në Euronews Albania, ku tha se koha ka treguar se nëse Berisha do të ndiqte këshillat e tij, do të ishte më mirë për vendin dhe për vetë ish-kryeministrin.

Basha gjithashtu tha se Berisha në këtë stad ku është nuk ka çfarë jep më për Shqipërinë dhe shtoi se e sheh me keqardhje kur e sheh që flet nga ballkoni i shtëpisë së tij.

“Në këtë pikë jemi shumica dërrmuese në një mendje. Sa më shumë merremi me këtë çështje, aq më pak merremi me detyrën tonë para qytetarëve, që është edhe denoncimi i keqqeverisjes, edhe shpalosja e alternativës. Ndaj kemi vendosur t’i japim fund kësaj telenovele. Shqiptarët e dinë sa e korrupsuar është kjo qeveri. E dinë që kanë futur edhe kriminelë në radhët e saj për të marrë e mbajtur pushtetin.
T’u japim shqiptarëve rrugët e daljes nga kjo gjendje. PD-së i lind detyra që të japë ofertën për ndryshim. Një ofertë sa thelbësore, por edhe një rrugë të besueshme për ta zbatuar këtë aferë. Nuk më vjen mirë që ta shoh Berishën në këtë pozitë. Më vjen keq. Në fund të fundit është një njeri që në 34 vite të tranzicionit shqiptar ka bërë jo pak për vendin.
Sigurisht ka drit’hijet e tij, por nuk mund t’i mohoen as gjërat pozitive që ka bërë. Më vjen edhe më keq kur tashmë është e qartë, që po të kishte ndjekur këshillat e mia do të ishte më mirë për Shqipërinë, për Partinë Demokratike, por dhe për atë vet dhe familjen e tij. Është këshilluar keq dhe e vetmja gjë që mund të them sot është që në këtë pozitë ku është nuk ka çfarë të jap më as për Partinë Demokratike, as për vendin. Në 9 shtator të 2021 kam komunikuar për herë të fundit me të”
– tha Basha.

“Eksporti më i madh i Edi Ramës, janë shqiptarët”/ Basha: Vendi është në një gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike..

Në intervistën për EuroNews, kreu i PD, Lulzim Basha, foli edhe për qeverisjen 13 vjeçare të Ramës ku tha se një nga sukseset që ka është eksporti masiv i shqiptarëve jashtë vendit. Basha tha se nuk mund të jetë një kryeministër i pastër kur një pjesë të qeverisë e ka në burg dhe një pjesë e ka në arrati. Sipas tij, vendi është në një gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike.

Fjala e Bashës:

Në fakt dikush që merr përgjegjësi qeverisëse, nuk gjykohet nëse është i zoti të marrë pushtetin, ta mbaj pushtetin, me hile me dredhira, me patronazhistë, me blerje vote, me makinacione, me korrupsion. Ka arritur të korruptojë shefin e Kundërinteligjencës të Zyrës së FBI-së së New Yorkut. Por çfarë ka bërë për vendin. Dhe nëse shohim se çfarë ka bërë për vendin, suksesi më i madh i Edi Ramës, eksporti më i madh i Edi Ramës, janë shqiptarët. Zbrazja e vendit, largimi i shqiptarëve, mbjellja e pesimizmit, status quo gjithmonë dhe më e rënuar për familjet shqiptare, për prindërit shqiptarë, për sipërmarrjen shqiptare, këto janë të gjitha prodhime të tij. Se është e lehtë të thuash sot që gjysmën e kabinetit e ke në burg, një pjesë e ke në kërkim ndërkombëtar dhe unë jam dorëjashtë. A ka njeri ta besojë që ajo që provohet falë SPAK si qeveria më e korruptuar e 34 viteve, është e tillë me një kryeministër të ndershëm në krye? Pra me një analizë nuk do thoja shumë të thellë, por duke vënë pak trurin në punë, e kupton që jetëgjatësia e tij në pushtet nuk shoqërohet me një rekord të sukseshëm që t’i jepte atij staturën e një shtetari që ka bërë mirë për Shqipërinë. Shqipëria sot është në një gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike, është e përgjysmuar numerikisht krahasuar me kur mori pushtetin, kjo është një arsye pse mbahet prej kaq muajsh censusi sekret. Dhe këto janë rekorde jashtëzakonisht të rënda edhe për një kryeministër prej 3 vitesh dhe jo më për një kryeministër prej 12 vitesh.

Bonusi prej 20 mijë eurosh për fëmijën e tretë, Basha: Jam në konflikt interesi. Suvencionojmë kreditë për shtëpi për familjet e reja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin Interview në EuroNews, foli për programin e PD që u shpalos në datën 1 qershor. Në lidhje me bonusin e bebes së tretë, Basha u pyet nëse do të bënte një fëmij tjetër, ku për këtë u përgjigj me shaka tha se ndodhej në konflikt interesi.
Më tej ai foli edhe për mbështetjen që do të japi PD për familjet e reja, ku pjesë e paketës është edhe subvencionimi i kredive për shtëpi.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Në programin tuaj ju propozuar bonusin për fëmijën e tretë, do bënit vet një fëmij të tretë?

Unë jam në konflikt interesi përsa i përketë bonusit, jo përsa i përetë fëmijës së tretë. Ka njerëz që thonë që gjëja më e mirë për të udhëhequr është shembulli. Unë realisht besoj që familjet shqiptare janë në udhëkryq. E para janë në udhëkryq si çdo familje tjetër për shkak të presionit të kohëve që po ndryshojnë. Ne kemi humbur disa aspekte të çmuara të kohës familjare, të kohës së qëndrimit bashkë me familjen, edhe për shkak të hyrjes në shtëpi fillimisht të televizionit 24 orësh dhe pastaj të internetit dhe më vonë të smarfonëve. Dhe tashmë dihet është një klishe që në veçanti fëmijët adoleshentë janë më të dhënë pas smartfonëve dhe aplikacioneve të smartfonëve siç janë ato të rrjeteve sociale dhe shumë të tjera, sesa në ndërveprimin qoftë me bashkëmoshatarët e tyre e po kështu dhe me anëtarët e familjes. Pastaj presioni mbi anëtarët e familjës është më i madh se kaq.
Familja shqiptare ka nevojë urgjente për ndihmë. Sepse këtij presioni që e përjeton edhe një familje në Holandë apo Gjermani, i shtohet fakti familjeve shqiptare jo vetëm që nuk u jepet një ndihmë, i vihen mbi kurriz bara të pamerituara. Bara e parë e cila është shumëfishuar, është ankthi për të nesërmen për fëmijët, ankth që detyron shumë prindër me lotë në sy të pranojnë largimin e tyre në emigracion si zgjidhja e vetme për të ardhmen. Dhe siç e thatë, themeli i kësaj është paqendrueshmëria ekonomike e familjes shqiptare. Familja shqiptare për mua personalisht në rradhë ta përë dhe për forcën politike që drejtoj, për Partinë Demokratike është blloku ndërtues i shoqërisë. Në qoftë se shkatërrohet apo dobësohet, atëherë e gjithë shoqëria do të bjerë si një ngrehinë që nuk e mbajnë trarët.

Partia Demokratike mbetet një parti e djathtë që beson që qeveria duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për të bërë detyrat e veta, por aspak më e madhe, sepse pjesa tjetër duhet mbushur nga individi, nga familja, nga sipërmarrja, nga shoqëria. Por ama në pikën ku kemi arritur, familja shqiptare ka nevojë jetike për dorën e shtetit. Ndaj në programin tonë kemi parashikuar ta shoqërojmë me politika që nga momenti i krijimit të familjes, e deri te momenti i daljes së produkti i dajes së familjes, të fëmijëve në jetë.

Në këtë rrugëtim ne kemi parashikuar dorën e shtetit, kur i thonë rolin udhëheqës të qeverisë së ardhshme që nga momenti i krijimit të bërthamës familjare duke adoptuar një model të subvencionimit 100% të interesave të huave, të kredive që marrin çiftet e reja për shtëpi, për 30 mijë çifte të reja. Dhe ky është një stimul i madh që e para e punës krijon një gjendje mendore, që shiko nuk jemi vetëm, shteti do bëj diçka që të na ndihmojë në këtë drejtim. Dhe të gjitha këto janë pjesë e Fondit për Mirëqenien e Familjes. E dyta është bonusi i bebeve që ka bërë namin këtë javë që shkoi, është një paketë që ndahet në dy pjesë. Për dy fëmijët e parë një vlerë prej afro 2 mijë eurosh dhe për fëmijën e tretë një vlerë prej 20 mijë eurosh. Qëllimi është padiskutim të largojë pesimizmin, mungesën e besimit, pasigurinë që karakterizon çiftet e reja.

“Vdekja e papritur e Tuk Jakovës në spitalin e Tiranës vazhdon të mbetet një mister për ne, pasi…”- Dëshmia e rrallë e bashkëshortes së tij: Ja çfarë na tha doktori

Guxoi të thoshte të vërtetën dhe u kryqëzua barbarisht. Pohoi haptas se Enver Hoxha nuk u zgjodh Kryetar i PKSH-së në mbledhjen themeluese dhe përfundoi në ferrin e burgjeve të komunizmit. Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën, njërin nga protagonistët kryesor të fillimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, është sa e dhimbshme aq dhe e mizore. Mita Jakova e shoqja e tij, vite më parë, në një rrëfim për emisionin “Histori me zhurmues”, të gazetarit dhe moderatorit Pandi Laço, në TV “Klan”, zbulon për herë të parë një retrospektivë të plotë të tragjedisë, që përjetoi ish – komisari i Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut.

Me një kujtesë të admirueshme për moshën dhe kalvarin e vuajtjeve, bashkëshortja e Tuk Jakovës, flet për rrethanat në të cilat lidhi jetën me të, kush i besoi detyrën e kreut të njësisë së parë partizane, cilat ishin marrëdhëniet e tij me Mehmet Shehun, kur ndanin përgjegjësitë e komandantit dhe komisarit të Brigadës së Parë Sulmuese, si lindën konfliktet e para me Enverin dhe kush e inicionte qëndrimin sektar të liderëve komunist ndaj tij, për zbutje të luftës së klasave dhe marrëdhënie komprometuese, me Klerin Katolik, etj.

Pjesa e vuajtjeve dhe dramës pas dënimit të të shoqit për “tradhti të lartë ndaj atdheut”, zë një vend të veçantë në tregimin e Mita Jakovës, të cilës i është dashur të mbijetojë bashkë katër fëmijët, me shumë mundime dhe sakrifica të jashtëzakonshme.

Gjithsesi, nga gjithë përjetimet e atij kalvari të tmerrshëm, kjo grua fisnike, ka peng kushtet në të cilat i ndërroi jetë njëra nga vajzat dhe enigmën ende të pazbardhur, për mënyrën si vdiq në spitalin e burgut i shoqi, në mbrëmjen e vonë të 26 gushtit 1959…!
Zonja Mita! Flitet se Tuku një nga përplasjet e para e ka bërë lidhur me mënyrën si ishte organizuar Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare?

Një natë para tij po flisnim me Tukun në shtëpi. Ne ishim më shumë se bashkëshortë. Ishim bashkëluftëtarë, ishim shok e, miq. Dhe flisnim si të tillë. Ai më tha se të nesërmen, do zhvillohej plenumi, që do diskutonte për historinë e partisë. “Po ti, – i thashë – do diskutosh, se nuk të kam parë të përgatitesh”? Më tha se do të fliste për shtrembërimet, që i ishin bërë të vërtetave që kishin të bënin me krijimin e partisë.

“Unë jam pjesëtar i atyre ngjarjeve dhe nuk kam nevojë të përgatitem”, shpjegoi ai. “Janë çështje delikate, i thashë, e duhet bërë kujdes”! “E vërteta është e vërtetë dhe nuk ka pse të hezitohet për ta dëshmuar si të tillë”, u përgjigj Tuku me një bindje të padiskutueshme.

Ishte njeri kurajoz Tuku dhe fliste hapur, pa pasur parasysh efektet, që mund të shkaktonte fjala e tij, tek të tjerët. Formalizmi, servilizmi dhe demagogjia, ishin veset që ai i urrente me shpirt…!

Dihet se goditja e parë Tuk Jakovës, i është dhënë në plenumin e vitit ‘55. Kush e vuri në shënjestër dhe cilat ishin motivet e vërteta, të kësaj përplasje?

U bë plenumi i famëkeq. Në fillim u lexua raporti nga Enveri dhe si zakonisht, priteshin diskutimet. Çuditërisht, nuk u ngrit njeri. E kush mund të çohej, të vinte në diskutim ,ato që thoshte njeriu më i fuqishëm i kohës.

Hija e të parit i tundonte e, i bënte të mblidheshin në vetvete. U ngrit i pari Tuku. Enveri që mesa merrej vesh, e dinte bindjen e tij, u kollit, si për t’u dhënë sinjalin të tjerëve. Sa mbaroi Tuku ,u bë pushim. Pas pushimit, u ngrit Nexhmije Hoxha dhe iu kundërvu hapur, problemeve që ngriti Tuku.

Analiza e saj, i quante qëndrimet e Tukut, “devijime parimore”. Pikërisht, problemet që ngriti Nexhmija, u bënë më vonë pjesë e rezolucionit të plenumit. Që nga prilli i vitit ‘55, pra që pas këtij plenumi e, deri në qershor që u bë vendimi, Tuku u fut në një rreth të izoluar dhe survejohej pa pushim. Vinte në punë, me roje të dera.

Nuk lejohej të dilte nga Tirana, pa marrë leje zyrtare. Shokët iu larguan që të gjithë. Nuk e takonte askush. Kërkuan të bënte autokritikë dhe të pohonte se; ku frymëzohej në qëndrimet antiparti. Filluan t’i vënë në dukje devijimet, që nga Grupi Komunist i Shkodrës, lidhjet me Klerin Katolik, zbutjen e luftës së klasave, etj.

Tuku, idealist siç ishte, u përpoq të bënte autokritikë, por kjo nuk i vlejti dhe e përjashtuan nga Komiteti Qendror. Menjëherë pas kësaj, na dërguan me familje në Berat. Tukun aty e çuan për të punuar në një zdrukthëtari, në një punishte të vjetër.

Pastaj filloi ajo periudha e persekutimit. Një persekutim çnjerëzor, do të thosha. Nuk kishte gjë më të tmerrshme, nga situata që na u imponua. Njerëzit na shikonin me habi dhe me urrejtje e, na largoheshin menjëherë, sa përballeshim me ta. Iknin, si të shpëtonin nga një sëmundje e keqe.

Pra, ju kaluat nga një shtëpi në “Bllok”, në një strehë mjerane në periferi të Beratit?

Na çuan në Berat, në një barakë të ngritur në mes të një moçalishteje, të mbushur me bretkosa dhe gjarpërinj. Lagështira ishte shumë e madhe. Të katër fëmijët, kaluan konsekuenca të rënda shëndetësore nga jetesa aty. Ndenjëm gati 15 vjet atje. Të izoluar tërësisht. Kjo e vriste shpirtërisht Tukun. Mbaj mënd tronditjen e tij, në çastet kur i morën pistoletën.

Kur e dorëzoi, sipas urdhrit, i’u tha policëve, t’i regjistronin numrin, me shpresën se një ditë do të sqaroheshin gjërat dhe do të mund ta merrte përsëri. E kishte kujtim që nga ditët ilegale të luftës. I hoqën gradat. I hoqën titullin “Hero i Popullit”.

Kishim në atë kohë vetëm njeri-tjetrin. Mbështeteshim vetëm te njëri-tjetri. Tuku, i sinqertë siç ishte, me atë pastërtinë shpirtërore, që e karakterizonte, u ul një ditë dhe i shkroi një letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Atë letër, e çova unë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Kërkova ambasadorin dhe më doli sekretari i tij. Ia dhashë dhe u ktheva, duke shpresuar për një reflektim të mundshëm, në qëndrimin ndaj nesh. Pas dy muajsh, aty ku ishim, na u kthye letra, pa asnjë përgjigje. Na i sollën në banesë, ashtu siç ishte.

Të vijmë te një ngjarje tjetër. Tuku pasi përjashtohet nga partia në vitin ‘57, e izolojnë në kalanë e Kaninës…?!

Para se të vijmë te ky moment, desha të shpjegoj rrethanat para izolimit në Kalanë e Kaninës. Në nëntor të vitit ’56, kur ishte pushkatuar Dali Ndreu dhe Liri Gega, ne na sollën vendimin e internimit, që do të thoshte se, do të jetonim në ato kushte, por tani, me një ndryshim të madh.

Çdo ditë duhej të paraqiteshim në Degën e Punëve të Brendshme, për të raportuar. Vazhduam në këtë gjendje, deri në 24 maj të vitit ‘57. Pikërisht në këtë ditë, e cila koincidonte me 13 vjetorin e fejesës, Tukun e izoluan në kalanë e Kaninës, e më vonë në Ishullin e Zvërnecit. Më 4 janar ’58, e arrestuan…!

Mbani mënd përse e akuzuan?

Një mori akuzash bajate dhe pa asnjë fakt konkret. I thanë për “tradhti të lartë” dhe e degdisën në qeli. Shkoja shpesh për ta takuar. Takimet me të, i kisha shumë të shtrenjta. Më kujtohet takimi i parë, kur shkova me katër fëmijët, të cilëve deri atëherë, nuk u kisha thënë se ai ishte në burg, por me shërbim. Na i nxorën nga një deriçkë pas burgut, gjithnjë mes hekurave dhe policëve.

Fëmijët, sa kishin mbaruar shkollën dhe kishin marrë me vete dëftesat, për t’ia treguar Tukut. Të gjithë kishin nota të shkëlqyera. Mënyra si ishte rezervuar pritja, ishte e tmerrshme. Nuk na lejohej, asnjë kontakt fizik. Mua më porositën më herët se, në qoftë se do t’i jepja dorën, do ta ndërprisnin takimin. Tuku sa u afrua, zgjati dorën i përmalluar. Nuk dija çfarë të bëja. Çova krahët lart dhe i kryqëzova në shpatullat e fëmijëve.

E bëra për t’i lënë të kuptonte Tukut, se nëse nuk mund të takohemi bashkë, unë po i përqafoj fëmijët edhe për ty. Ky ka qenë takimi i parë. Edhe më rrëqethës, ka qenë ai i fundit. Ishte data 22 qershor 1959. Shkova si gjithnjë me fëmijët, në takim. E kishte marrë shumë malli. Këtë here, vajza e vogël shkonte për t’i thënë të atit, se kishte mësuar për të shkruar. E takuam mes dy palë hekurave.

Roje ai andej, roje ne këtej! Kërkoi të përqafonte fëmijët. Nuk e lejuan në asnjë mënyrë. “Të paktën atë të voglën”, iu lut policëve. “Jo as atë”! Reaguan ata me ashpërsi. Ndërkaq, Tuku i përlotur e i revoltuar, iu drejtua oficerit të Ministrisë së Brendshme, që na shoqëronte. “Kjo që po ndodh këtu, nuk ka ngjarë as në burgjet e fashizmit”. Në çast fëmijët, ia dhanë të qarit me dënesë.

U krijua një situatë tejet e rëndë dhe nuk dija si të bëja. Zërat urdhërues e brutalë të policëve, i dhanë fund takimit. Ishte i fundit ky. Vetëm pak më vonë, në gushtin e vitit 1959, nga burgu, e çuan në spital, ku ndërroi jetë në rrethana misterioze…!

Si u lajmëruan, për vdekjen e tij?

Më 19 gusht ’59, shkova për ta takuar në burg. Mirëpo sa u paraqita aty, më thanë se është shtruar në spital. Kur pyeta për çfarë, më qetësuan, duke më sqaruar se; ishte diçka e parëndësishme. “Një apandesit i lehtë”, më shpjeguan. “Ka shkuar për ta operuar dhe pas një jave, do kthehet prapë”. Më 26 gusht ’59, më lajmëruan se Tuku është shumë sëmurë. Madje, më njoftuan se do më çonin me makinë, prandaj duhej të merrja me vete dhe fëmijët.

Ashtu bëmë. Hipëm në makinë dhe u nisëm me shpresën, për ta gjetur me frymë. Fillimisht shkuam në ministri, siç ishte rregulli. Aty na priti Filat Muçua, i cili pa bërë zë, më tha mua për ta ndjekur nga prapa, në zyrat e thella të katit të parë të ministrisë. Hyra aty në një dhomë të madhe. Nuk më mbanin këmbët dhe gjeta një tavolinë, për t’u mbështetur. Nuk mu durua dhe e pyeta: “Çfarë do më thuash? Çfarë ka ndodhur me Tukun”? “Tuku vdiq mbrëmë, – tha ai, – në orën 12:00”.

“Ne ia bëmë të gjitha, – vazhdoi, – por aq e kishte shkruar, siç thotë populli”. Sakaq më njoftoi për një “privilegj” që më kishin rezervuar me këtë rast. “Si rregull, sqaroi Muçoja, atë që vdes në burg, nuk lejohet ta shikojnë familjarët. Po rasti i Tukut, është i veçantë dhe ty do të lëmë ta shikosh”. Si kaluan disa çaste dola dhe mora rrugën e morgut. Kur mbërrita aty, pashë që nga dera përballë, po futej nëna e Tukut, bashkë me vëllain e tij, Kol Jakovën.

Kapërcyem portën dhe u gjendëm brenda. Kur ç’të shikonim. Pamja e ishte tronditëse. Aty për aty mblodha veten dhe fillova të komunikoj me të. “Tuk i dashur, – i thashë, – fli i qetë, se unë do të bëhem e fortë, siç doje ti. Mos kij merak për fëmijët. Ata do t’i nxjerr në jetë e, do t’i shkolloj, sikur të kisha dhe ty në krahë”. Në fund pastaj kur do t’i jepja lamtumirën e përshëndeta siç përshëndesnim dikur partizanët, që vriteshin në front. Çova grushtin lart dhe shqiptova formulën magjike: Vdekje fashizmit, shpirti im”!

Dhe ika, ika duke mos e ditur ku të shkoja. Nëna e Tukut më hodhi krahun dhe dolëm bashkë në oborr. Aty ajo nuk u përmbajt dhe filloi me dënesë: “Tuk o bir, që s’tu ndodha pranë”. Nuk kaluan vetëm pak çaste dhe policët na lajmëruan, për t’u larguar. Ndërkaq, kishte mbërritur edhe makina, që do na çonte në Berat. Vjehrra iu lut oficerit, që na shoqëronte, për të na lënë atë natë në Tiranë, te shtëpia e saj. “Jo”, i tha ai prerazi. U nisa e shkova të takoja fëmijët.

Ata më prisnin sy e vesh, çfarë lajmi do t’u çoja për Tukun dhe më pyetën menjëherë: “Si është babi”? “Tani nuk keni më babi, – u thashë, – por hajde se do të shkojmë në shtëpi”. Mbrëmja na zuri te plepat e Durrësit. Ishte ditë dasme dhe aty afër dëgjohej një orkestër, që shoqëronte ritmet e këngës së dasmorëve. “Eh, – thashë me vete, – si qëlloka kështu në jetë. Dikush qan e mbytet nga trishtimi, të tjerët këndojnë e shpërthejnë nga hareja…”!

Çfarë dini për rrethanat në të cilat Tuku ndërroi jetë në spitalin e Burgut?

Autoritet zyrtare, u mjaftuan me ato pak shpjegime. E ku mund të pyesje tjetër. Sidoqoftë pas vitit ’90-të, erdhën opsionet e para, për vdekjen misterioze të Tukut. I pari që na ka sqaruar rrethanat e asaj nate fatale, ka qenë një banor nga Velipoja, i cili ka qenë shok i dhomës, në spital me të.

Ja si na i rrëfeu ai: “Na i sollën në dhomën tonë, pa shpjeguar se kush ishte. Që nga çasti që e sollën, shtuan rojet. Pas dy tre ditësh u përmirësua dhe filloi të komunikojë. Morëm vesh se e kishte operuar kirurgu Aleko Bozgo.

Ditën e katërt, shëndeti i tij u përkeqësua. I hipi një temperaturë shumë e lartë dhe dridhej i tëri. Natën e fundit erdhi një doktor tjetër, që e vizitoi. Kur e pyetëm për gjendjen e tij, nuk na foli fare. Pak momente më vonë, erdhi doktor Ylvi Vehbiu.

Si duket e kishin thirrur dhe atë për Tukun. Kur doli nga vizita, e pyeta se çfarë ka. ‘Nuk ka shpëtim’, m’u përgjigj dhe më sqaroi se në kartelë, ishte shkruar që i kishte plasur tëmthi, por nuk është e vërtetë, nuk i ka plasur”.

Ne kemi folur më vonë vetë me doktor Ylviun. Atë natë e kishin lajmëruar për ta vizituar, disa orë para se të ndërronte jetë. Ja si na i kallëzoi doktor Ylviu: “Kur shkova, Tuku ishte në kllapi. Me temperaturë shumë të lartë. Ishte në agoni të plotë. Unë nuk kisha se çfarë të bëja, vetëm sa t’ia lehtësoja agoninë.

Mbaj mënd që një moment u kthjellua dhe tha ‘E kanë gabim që veprojnë kështu dhe ecin në kundërshtim me zhvillimet botërore…”! Pak a shumë edhe sot e kësaj dite, janë ende të paqarta rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Tuku. Më shumë se një vdekje, duket si një vrasje, në spitalin e burgut.

Pyetje: Ndërkaq keni pasur dhe një fatkeqësi tjetër në jetë…?!

Po, një fatkeqësi me një nga fëmijët, që është dhe më e rëndë. Fëmijët me thënë të drejtën, i kam pasur shumë të mirë. Përparimi i tyre në shkollë dhe sjellja shembullore, më dhanë kënaqësinë, që nuk më shkoi mundi kot me ta. Vjosa, ishte nxënëse e shkëlqyer. Mbaroi gjimnazin me rezultate shumë të mira. Duhej të aplikonte për shkollë të lartë. Po kush mund të guxonte ta çonte në universitet vajzën e armikut të popullit Tuk Jakova.

Pikërisht në këtë situate, ajo i bëri një letër Mehmet Shehut. Ajo mbante për emër, pseudonimin e tij të kohës së luftës. Për çudi dhe kur nuk e prisnim, i erdhi përgjigjja se ishte miratuar e drejta e studimit për Kimi-Biologji. E nisi me shumë gëzim shkollën e lartë. Në vitin e tretë, pësoi një tronditje shumë të madhe. E gjitha erdhi nga braktisja, që i bëri djali që dashurohej me të. Ishte një braktisje për motive biografike. Me sa duket dikush kishte ndërhyrë dhe i kishte kujtuar atij, pasojat që do të kishte nëse do bëhej dhëndri i Tuk Jakovës.

Nejse në tronditje e sipër, shkoi bashkë me shoqet në hekurudhë në aksionin e rinisë. Më 1 qershor qëlloi dita e zgjedhjeve. Si ngaherë na jepnin më parë fletën e zgjedhjes, me të cilën do shkonim për të votuar. Ajo e mori si gjithë të tjerët dhe e futi në komodinën e saj. Çuditërisht, kur erdhi dita e zgjedhjeve, nuk e gjeti ku e kishte lënë. Dikush me sa duket, ia kishte rrëmbyer djallëzisht.

E thirrën në shtab. “Bija e armikut”!, i thanë me tërsëllimë. Çfarë nuk i bënë. E terrorizuan, ashtu siç ishte e sollën në shtëpi në Berat. Ishte shpërfytyruar, aq sa mezi njihej për fytyre. Një muaj ndenji brenda, pa dalë fare. Madje i donte dhe dritaret të errëta dhe i mbulonte me batanije. Nuk hante. Nuk pinte. Nuk fliste. Në këtë sfilitje, shkoi deri në fund. Eh, Vjosa e nënës….!

Letra e fundit e Tukut nga burgu

E dashtun Mita

Besoj se tash e tutje, letrat kanë me na ardh më shpejt, mbasi na lejuan t’i nisim me postën e zakonshme. Gjithashtu mora edhe një mijë lekët, që më kishe dërguar. Siç duket pllaka që dëgjove në radio; “Gëzim në familje” dhe që të dyve na pëlqen aq shumë, të kishte ngjallur iluzione të bukura, sidomos në pragun e 28 dhe 29 Nëntorit. Më vjen shumë keq, që iluzionet mbeten iluzione por, do të më vinte më shumë keq, në rast se do dëshpërohesh.

Ne këtej, po kërkojmë t’iu lejojnë të na vini me na pa, dhe të rrini këtu bashke me ne, të paktën 24 orë. Mbasi vendi që na kanë përcaktu tash për tash për takime, është i papërshtatshëm për stinën e dimrit dhe kemi frikë, mos na ftohen fëmijët. Mitë, unë jam mirë me shëndet dhe mos bën merak për mu, por shiko veten dhe kalamajtë.

Të fala e përqafime.

T’puth, Tuku

Kush ishte Tuk Jakova?

Tuk Jakova, i lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1914, ishte një nga pjesëtarët kryesor të grupeve komuniste të qytetit të tij. Ai bashkë me Qemal Stafën, Zef Malajn dhe Vasil Shanton, morën pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941. Aty u zgjodh një nga shtatë anëtarët e Komitetit Qendror provizor. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, u caktua komisari Brigadës së parë Sulmuese, i Divizionit të Parë dhe i Korparmatës së Tretë.

Pas çlirimit, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral, Kryetar i Kuvendit Popullor. Nga viti 1946, deri në vitin 1950, ishte një nga njerëzit më me pozitë të kohës, pas Enver Hoxhës. Për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij, në vitin 1951, Tuk Jakova u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në vitin 1955, u përjashtua nga posti i anëtarit të Komitetit Qendror dhe u la për t’u diskutuar qëndrimi, edhe si anëtar thjeshtë i partisë.

Në nëntor të po këtij viti, bashkë me familjen e internuan në Berat, ku vetëm pas dy muajsh, në vitin 1957, e izoluan në kalanë e Kaninës. Në vitin 1958, arrestohet dhe akuzohet për tradhti të lartë ndaj atdheut, për agjitacion e propagandë dhe në bashkim të akuzave dënohet me 20 vjet heqje lirie. Vdes në vitin 1959, në spitalin e burgut të Tiranës, në rrethana që mbeten ende të dyshimta. Memorie.al