30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Armando Broja, shqiptari nga Anglia që vrapon për të atin/ “Gazzeta dello Sport”, artikull special për yllin kuqezi

Presitigjiozia italiane, “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull special Armando Brojës në prag të Europianit. Objektivi numër një i Milanit për sulmin ka ngacmuar interesin e gazetës së njohur italiane, e cila e citon në disa momente duke dashur që të prezantojë shqiptarin tek ata, të cilët në të ardhmen mund të jenë tifozët e tij të rinj.

“Jam shumë krenar kur luaj për Shqipërinë. Mund të bëhem një ikonë e të mos harrohem sa të jetë jeta… Kur karriera ime të ketë perënduar dua që emri im të mos harrohet kurrë! Këtë e bëj për Shqipërinë dhe babain”, tregon Broja për “Gazzetta dello Sport”.

Armando Broja ka një lidhje tepër speciale me babain e tij Xhevahir Broja, i cili e ka rritur sulmuesin me një dashuri të madhe për atdheun e tij.

Fundi tragjik për prezantuesin e BBC/ Michael Mosley gjendet i vdekur në ishullin grek, prej disa ditësh rezultonte i zhdukur

Prezantuesi i BBC, Michael Mosley u gjet i vdekur, dhjetë metra larg plazhit të Agia Marina në ishullin Symi, raportojnë mediat greke.

Lajmin e ka konfirmuar edhe kryebashkiaku i ishullit, Lefteris Papakalodoukas.

Raportohet se trupi i tij u identifikua nga pantallonat e shkurtra dhe bluza që kishte veshur. Ai është pikasur nga kamera e ERT, teksa ishte duke filmuar pamjet në det, në zonën po ku zhvilloheshin edhe hetimet.

Dyshimet e para janë se ai është rrëzuar nga një shkëmb. Sipas kryebashkiakut të Symit, “kufoma u gjet në tokë 10 metra larg plazhit”.

“Burri kaloi të gjithë itinerarin, arriti në destinacionin e tij dhe 10 metra larg plazhit u rrëzua… Nuk di çfarë të them… 200 njerëz janë në këtë plazh çdo ditë dhe shumë varka shkojnë e vijnë çdo ditë”, tha kryebashkiaku për SKAI.

Ndotja e liqenit të Komanit fenomen shqetësues, vizitorët: Këto imazhe e dëmtojnë turizmin

Fenomeni i ndotjes së liqenit të Komanit tashmë është bërë një fenomen shqetësues dhe i përvitshëm duke rrezikuar seriozisht sezonin turistik në pikat më të frekuentuara të veriut të Shqipërisë siç janë grykëderdhja e lumit të Shales, Valbona etj.

Vizitorët të cilët udhëtojnë drejt këtyre pikave turistike shprehen se këto imazhe me ndotje e dëmtojnë turizmin.

Edhe pse ka pasur disa ndërhyrje nga vullnetarë mjedisor dhe institucione të cilët janë munduar sadopak që ta pastrojnë liqenin e Komanit përsëri mbetjet urbane dhe ato drusore janë pjesa shqetësuese përgjatë lundrimit në këtë liqen.

Alarm me aksidentet në punë! Vetëm në muajin maj humbën jetën 6 persona, problem kushtet e sigurisë

6 të vdekur vetëm në muajin maj, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në vendin e punës, ku përfshihen viktimat në minierat e Bulqizës, të vdekurit në kantieret e ndërtimit në Sarandë, Tiranë e Shëngjin e deri tek djali që ndërroi jetë në një gurore në Vlorë.

“Ky bilanc na tregon se situata mbetet e rëndë përgjatë viteve të fundit. Edhe gjatë 2023-shit, patëm po aq sa ishin të vrarë për shkak të krimit të organizuar dhe bandave, po aq patëm të vrarë edhe për shkak të mungesës së sigurisë në punë. Kemi të bëjmë më një fenomen shumë serioz që duhet të kthejnë sytë gjithë politikbërësit, një fenomen që megjithëse ka me dhjetëra inspektorate që kanë detyrimin dhe përgjegjësinë për të monitoruar dhe nuk e bëjnë punën e tyre.

Bëjnë disa mbledhje fasadë, por shkojnë dhe paketojnë dhe numërojnë viktimat dhe vendosin gjoba dhe pezullime, pasi ka ndodhur ngjarja, pra nuk kanë parandaluar asnjë rast të vdekjeve apo aksidenteve në punë. Gjermania, një vend i cili i aplikon masat e sigurisë, për 100 mijë banorë, humb jetën vetëm 1 punëtor. Ndërsa në Shqipëri, për çdo 100 mijë banorë vdesin 6 njerëz, shumica kryefamiljarë”, tha Rigels Xhemollari, nga Qëndresa Qytetare.

Tragjedi e heshtur/ Më shumë se 13.000 fëmijë nga Ukraina po rriten pa prindër

Më shumë se 13.000 fëmijë nga Ukraina po rriten pa prindër. Para Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës në Berlin organizatat për fëmijët kërkojnë më shumë mbrojtje e ndihmë psikologjike për fëmijët ukrainas.

Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që mijëra fëmijë ukrainas të humbasin prindërit në luftë. Sipas të dhënave të organizatës “SOS-Kinderdorf” më shumë se 13.000 fëmijë ukrainas po rriten pa kujdesin prindëror. Organizata kërkoi para Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës që zhvillohet në Berlin (11-12.06.) një reformë të zgjeruar të sistemit të përkujdesit për fëmijët si edhe mbrojtjen e posaçme të tyre.

Kurse organizata “terres des hommes” kërkoi para Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës në Berlin një mbështetje më të madhe financiare për organizatat që kujdesen për fëmijët në Ukrainë. Konferenca duhet të kujdeset që fëmijët dhe adoloshentët e traumatizuar të marrin ndihmë psiko-sociale, tha koordindatori për Europën, Thomas Berthold për Shërbimin Evangjelist, epd. Aktualisht ofertat janë të pamjaftueshme, theksoi Berthold.

Në të ardhmen do të rritet ndjeshëm numri i fëmijëve në nevojë

Arsyet për humbjen e prindërve janë të ndryshme. Drejtuesi i organizatës “SOS Kinderdorf” për fëmijët në Ukrainë, Serhii Lukashov u shpreh, se “një pjesë e prindërve kanë rënë në luftë, të tjerë janë të burgosur. Pas dy vitesh luftë gjithnjë e më shumë familje rrezikojnë të shkatërrohen nën barrën e luftës”. Sipas të dhënave të kësaj organizate, në të ardhmen “shumë, shumë më tepër” fëmijë ukrainas do të kenë nevojë për alternativa të kujdesit, jashtë familjes, citon agjencia e lajmeve, kna.

Në Ukrainë është një praktikë e zakonshme, që fëmijët të strehohen në jetimore të mëdha anonime. Aty ata rriten në kushte “shumë të këqija”. Organizata “SOS Kindërdorf” kërkon që kujdesi për fëmijët t’u përshtatet standardeve europiane, ku si kriter të shërbejnë të drejtat e fëmijëve.

Që para luftës në Ukrainë, rreth 100.000 fëmijë ukrainas rriteshin në jetimore, 1,3% e popullsisë. Më shumë se 90% e këtyre fëmijëve nuk janë jetimë, sipas Lukashov, por janë sjellë aty për shkak të varfërisë dhe nevojës emergjente ekonomike. “Kjo duhet të ndryshojë. Në vend që të dërgohen fëmijët në jetimore, duhet që të mbështeten familjet.” “SOS Kinderdorf” ka ngritur në disa rajone në Ukrainë qendra kujdesi për fëmijët./DW

Rrezikohen pishat në Voskopojë! Prezenca e insekteve në pemë, alarm edhe për pyjet e Pukës dhe të Llogorasë

Pisha e zezë në Voskopojë kërcënohet nga tharja si pasojë e prezencës së lartë të insektit Ips sexdentatus.

Gjatë monitorimit të vitit të kaluar që u shtri në tre zona të Shqipërisë, Voskopoja rezultoi zona më e infektuar e ndjekur më pas nga Puka dhe Llogoraja ndaj ekspertë të pyjeve kanë rikthyer vëmendjen tek problematika shqetësuese. Insekti i cili çon deri në tharjen e pishës sipas ekspertëve vepron mes trungut dhe lëvores duke dëmtuar masivet pyjore me pishë të zezë ndaj sipas tyre duhet ndërhyrë për ta luftuar

Në vendin tonë janë rreth 100 mijë ha sipërfaqe me pishë të zezë të rritur natyralisht që rrezikohen nga ky insekt, për të cilin ekspertët thonë se duhet ndërhyrë në kohë për të shmangur krijimin e vatrave dhe dëmtimin në masë.

Zgjedhjet e BE-së hyjnë në fazën vendimtare/ DW: Cilat çështje të rëndësishme shqetësojnë evropianët dhe çfarë do të ndodhë më pas?

Që nga e enjtja evropianët janë duke zgjedhur Parlamentin e ri të BE-së për të dhjetën herë. Rreth 360 milionë votues me të drejtë vote vendosin për 720 përfaqësues nga 27 vende të BE-së. Ndërsa rezultatet e para tashmë vijnë nga disa vende, si Holanda dhe Irlanda, si dhe në 20 vende të tjera, ku  jepet vota për Parlamentin e ri Evropian dhe politikat e pesë viteve të ardhshme.

 

Çdo vend në Bashkimin Evropian përfaqësohet me një numër të caktuar deputetësh – në varësi të madhësisë së vendit, por jo edhe aq shumë në proporcion me popullsinë e tij. Si shteti anëtar me popullsi më të madhe, Gjermania përfaqësohet nga 96 anëtarë. Shtetet më të vogla anëtare si Malta, Luksemburgu dhe Qipro dërgojnë nga gjashtë secila.

Cilat janë temat që shqetësojnë evropianët?

Ruajtja e paqes, siguria sociale dhe migracioni janë tre aspektet më të rëndësishme për gjermanët në këto zgjedhje evropiane, sipas sondazhit të ARD Deutschlandtrend nga fundi i majit. Kurse në nivel të BE-së, për evropianët çështjet më të rëndësishme zgjedhore janë lufta kundër varfërisë dhe kujdesi shëndetësor. Pas kësaj, sipas Eurobarometrit në prill vijnë forcimi i ekonomisë, krijimi i vendeve të reja të punës dhe politika e sigurisë dhe e mbrojtjes në BE.

Cilat janë detyrat më të rëndësishme të Parlamentit Europian?

Në shumë drejtime si mbrojtja e mjedisit, politika e migracionit dhe politikat ekonomike, Parlamenti i BE-së është një nga dy ligjvënësit. Eurodeputetët duhet të vendosinpër ligjet e reja të BE-së  gjithmonë bashkë me Këshillin e Bashkimit Evropian, organi përfaqësues i 27 shteteve anëtare. Në fusha të tjera, si politika e sigurisë dhe e mbrojtjes, Parlamenti i BE-së thjesht informohet dhe ka funksion konsultimi. Vetë PE nuk mund të propozojë ligje si rregull, kjo është detyrë e Komisionit Evropian.

Mbi 70 për qind e evropianëve u shprehën në sondazhin e Eurobarometrit se BE-ja ndikon në jetën e tyre të përditshme. Megjithatë, pjesëmarrja në zgjedhjet e BE-së është tradicionalisht e ulët. Në vitin 2019, pas një kohe të gjatë, ajo arriti sërish shifrën prej 50 për qind. Në Gjermani, pjesëmarrje ishte e konsiderueshme, mbi 61 për qind. Për herë të parë në Gjermani në këto zgjedhje lejohen të votojnë të rinjtë e moshës 16 vjeç e lart.

Pas votimeve fillon gara për postet më të rëndësishme

Një javë pas zgjedhjeve, më 17 qershor, liderët e BE-së takohen në Këshillin Evropian në Bruksel. Në agjendë është zgjedhja e posteve kryesore në BE, duke përfshirë Presidenten/Presidentin e Komisionit të BE-së. Traktatet e BE-së parashikojnë që ky samit i BE-së duhet të emërojë kandidatët.

Në përgjithësi vlen “parimi i kandidatit kryesor”, sipas të cilit, partia me numrin më të madh të votave merr kryesimin e Komisionit të BE-së. Nëse krerët e shteteve dhe qeverive ndjekin këtë parim, Ursula von der Leyen, kryetarja aktuale dhe kandidatja e Partisë Popullore Evropiane (EPP), do të kishte shanset më të mira të vazhdonte të ishte në krye të të KE, sipas sondazheve të fundit. Megjithatë, pas zgjedhjeve të BE-së në vitin 2019, kur von der Leyen e mori këtë detyrë, krerët e shteteve nuk e zbatuan këtë parim. Më pas presidenti i ardhshëm i Komisionit zgjidhet nga Parlamenti i BE-së me një shumicë të thjeshtë.

Pazaret ndërkohë kanë filluar

Tratativat për arritjen e shumicës kanë filluar prej kohësh në Bruksel. Presidentja aktuale e KE, Ursula von der Leyen tha në një debat televiziv se do të punonte me deputetët që mbështesin qartë Evropën dhe sundimin e ligjit – dhe që mbështesin Ukrainën. Ajo përfshiu këtu edhe kryeministren italiane populiste të krahut të djathtë, Giorgia Meloni. Por von der Leyen përjashtoi bashkëpunimin me partinë franceze “Rassemblement National”, parti kjo nacionaliste e krahut të djathtë, e drejtuar nga Marine Le Pen.

Partitë e këtyre dy politikaneve, Meloni dhe Le Pen më parë i përkisnin deri tani familjeve të ndryshme partiake. Vëllezërit ultra të djathtë të Melonit në Itali janë pjesë e grupit “Konservatorët dhe Reformatorët Evropianë”, kurse partia e Le Pen në grupin e krahut të djathtë ID (Identitet dhe Demokraci). Afrimi me kampin e djathtë nuk është pa rrezik për von der Leyen, sepse grupe të tjera partiake, si Socialdemokratët mund të refuzojnë të votojnë për politikanen gjermane. Partia Socialdemokrate Gjermane, SPD i ka dërguar ndërkohë paralajmërimet e para.

Nëse do të ketë një kthesë djathtas në BE, sipas shumë paralajmërimeve këto muaj, kjo lidhet edhe me atë, nëse partitë populiste dhe nacionaliste të krahut të djathtë dhe ultra të djathtë të Evropës do të mund të bashkohen. Marine Le Pen po e ndjek këtë synim, sepse, sipas parashikimeve, këto parti mund të formojnë më pas forcën e dytë më të fortë në Parlamentin e BE-së pas PPE. Por kjo nuk është e sigurt.

Parlamenti i ri i sapozgjedhur do të mblidhet për herë të parë në Strasburg më 16 korrik. Deri atëherë do të jetë kristalizuar, se si dhe në cilat grupime parlamentare do të bashkohen deputetët e rinj./DW

Letra anonime që ngriti në këmbë SPAK-un dhe nisi hetimin pasuror ndaj Veliajt

Një letër anonime, por me përmbajtje të informacioneve të hollësishme ndaj Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj dhe njerëzve të familjes së tij, ka vënë në lëvizje prokurorinë e Posaçme SPAK, duke nisur një hetim kryesisht.

Letra ka mbëritur në SPAK nga persona anonimë të paiddentifikuar deri më tani, por që aty rradhitet një informacion i detajuar për veprimtarinë ekonomike të Erjon Veliaj, vëllait të tij, gruas Ajolës dhe njerëzve të tjerë të familjes së kryebashkiakut dhe të besuarve të tij në Bashkinë e Tiranës.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mundur të mësojë se pikërisht kjo letër anonime që flet për një seri transaksionesh të dyshimta brenda dhe jashtë vendit, investime në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe jo vetëm, është çelësi paraprak i informacionit që ngriti në këmbë çështjen penale për hetim pasuror ndaj kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj.

Rasti në fjalë po ndiqet nga Olsi Dado, një prokuror i katapultuar me shumë urgjencë brenda rradhëve të SPAK, duke marë fillimisht dosjen hetimore të mbëritur nga Vlora për kreun e bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe arrestimin e këtij të fundit në 23 mars 2024.

Por nuk kaloi dy muaj nga arrestimi i Jorgo Goros, Ols Dado me urdhër të kreut të SPAK, ka hapur hetim kryesisht duke u mbështetur mbi këtë letër anonime të mbëritur në SPAK, kundër kreut të bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj.

Brenda një kohe shumë të shkurtër një seri shkresash u prodhuan nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, duke ja dërguar të gjitha bankave të nivelit të dytë në vend, Qëndrës Kombëtare të Biznesit, Drejtorisë së Përgithshme të Tatimeve, Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Zyrës së Deklarimit të Pasurive dhe Dhomës së Noterëve Kombëtarë të Shqipërisë.

Nga ana e ILDKPI-së janë dorëzuar në SPAK të gjitha deklaratat e pasurisë të depozituara nga Erjon Veliaj dhe bashkëshortja e tij.

Në kërkesat e tyre, SPAK kërkon informacion të detajuar për pasuritë, bizneset, transaksionet bankare dhe huatë financiare ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj,ëëllait të tij, Arbër Veliaj, gruas së kryebashkiakut, Ajola Xoxe dhe nënës së tij, Shqiponja Veliaj.

Ndërkohë SPAK informacion ka kërkuar dhe për vjehrrin e Erjon Veliaj, shtetasin Arben Xoxa, i cili ka ndëruar jetë dhe gruan e këtij të fundit Valbona Xoxa, lidhur me pasuritë që disponojnë, transaksionet që janë kryer në banka.

Disa nga zyrat qëndrore të bankave në Tiranë, tashmë kanë çuar informacion të detajuar për lëvizjet bankare të Erjon Veliaj, vëllait të tij, Arbër Veliaj, Ajola Xoxës dhe tre kompanive të administrohen prej saj si “Botime Enciklopedike”, “Partners Law” dhe zyrës së konsulencës që administrohet prej Xoxes.

Studio ligjore “Partners Law” dhe zyra e konsulencës që administrohen nga Ajola Xoxa kanë të njëjtë adrresë të ushtrimit të aktivitetit, në “Sky Tower”. Zyra e konsulencës ka funksionuar nga viti 2009 deri në Tetor 2018.

Ndërsa në qershor 2018, Xoxe ka hapur në katin e 10 të “Sky Tower” studion ligjore “Partner Law”, konsulencës, kryesisht ligjore, nëpërmjet këshillimit ligjor për çështje të ndryshme, përgatitjes së kërkesë padive ose të kërkesave gjatë procedimit civil, dhe administrativ, penal si dhe të kërkesavei ankimore, rekurseve kundër vendimeve gjyqësore, arbitrazhit ose të organeve të Administratës Publike.

Ndërkohë në vitin 2021, përmes punonjësve të “Partner Laë” nëna e Ajola Xoxes, Valbona bëhet pronare me 100 për qind e kompanisë “AVA Studio” që promovon kulturën dhe artin.

Tashmë hetimi është në fazën fillestare të mbledhjes së dokumentave të pronave dhe transaksioneve bankare. Ndërsa Erjon Veliaj, pak kohë më parë u thir në SPAK si person që kishte dijeni për veprimet e kryera nga ana e bashkisë së Tiranës, lidhur me inceneratorin e Tiranës.

Hetimi pasuror është hetimi i parë dhe i vetëm që është hapur ndaj kreut të bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj./OraNews

Një tjetër shef policie pyetet në SPAK: Ardriti më kërkoi të përgjonim Ibrahim Licin, dyshohej për vrasjen e Boriçit

Një grup personash të udhëhequr nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka, në muajin Gusht 2020 vihen në lëvizje për të vrarë Ibrahim Licin, pasi pretendonin se kishin siguruar një numër telefonik dhe përmes tij, Ibrahimin do e kishin më të lehtë për ta lokalizuar.

Grupi i përbërë nga Bajri, Pëllumb Gjoka, Astmer Bilali, Edmond Preka, Denis Brajoviq, Prek Kodra, Leksi i Druve dhe shefi i hetimit të Krimeve të Rënda në Shkodër, Ardrit Hasanbegaj, hyjnë në veprim sapo Astmer Bilali, pretedoi se kishte gjetur numrin telefonik 0693128769.

Por në fakt ky numër nuk ishte i Ibrahimit, por i djalit të xhaxhait të tij, Ramzanit.

Vënia në përgjim e Ibrahim Licit është bërë nga shefi i seksionit të vrasjeve në Shkodër, Luan Hasneziri, i cili në muajin Prill 2024 është pyetur në SPAK dhe ka treguar se numrin e kishte marë nga Ardriti, dhe venien në përgjim parandalues e kishin kryer pasi sipas tij Ibrahim Lici ishte i dyshuar për vrasjen e Gjin Boriçit.

Dukshëm policia po kryente hetime në drejtim të kundërt dhe të pashpresa për të zbardhur ngjarjen e vrasjes së Ibrahim Licit, pasi personat që flisnin me policinë dhe fusnin atë në qorsokak ishin vetë ata autorë të vrasjes së Gjin Boriçit.

Astmer Bilali, e kishte të sigurtë se ky numër përdorej nga Ibrahim Lici dhe për këtë arsye Pëllumb Gjoka,ka aktivizuar lidhjen e tij të fuqishme brenda policisë së Shkodrës, nën/drejtorin Ardrit Hasanbegaj duke i dhënë numrin e dërguar nga Astmeri, me qëllim vënien në përgjim parandalues.

Në datën 8 Gusht 2020, Astmer Bilali i shkruan Behar Bajrit në “SKY” duke i thënë se: “…Ibrahimin e kanë parë në jug këto ditë, tek hoteli i një shokut të Bardhokut.Po ma tregojnë hotelin, ku e kanë parë dhe me kë e kanë parë.

Ja kishin tregu këtij shokut, por ja kishin haruar emrin…”.

Më tej në orën 14:54 të kësaj dite Denis Brajoviç alias Vaso pyet Edmond Prekën: “…Dori ka “Porsh” të Zi si Ylli, me xhama të zinj me targa italiane. Pyet një herë që ta marimm vesh, që të bëhena gati…”.

Ndërkohë në orën 20:46 Astmer Bilali i dërgon Behar Brajoviq numërin e telefonit 0693128769 dhe i shkruan numri tjetër i Ibrahimit.

Nga ana tjetër Behari e pyet nëse e din mirë dhe Astmeri i thotë që e di mirë, për numrin.

Në orën 21:20 Behar Brajoviç, i dërgon Pëllumb Gjokës numërin e telefonit të mësipërm dhe i shkruan …numri i Brahimit…
Pëllumbi i shkruan Beharit që po ja jepte atij, duke nënkuptuar Ardrit Hasanbegaj.

Nga ana tjetër Behari i shkruan që më datën 7 Mars është hapur ky numër.

Në orën 21:40 Astmeri i shkruan Beharit që hoteli ku qëndron Ibrahimi quhet “Klajdi” dhe Behari e pyet se në çfarë qyteti bëhet fjalë dhe Astmeri i përgjigjet që nuk e dinte këtë pjesë, por besonte se bëhej fjalë për në Sarandë.

Në orën 23:21 Pëllumb Gjoka komunikon me Ardit Hasanbegaj dhe i dërgon forëard mesazhin që i ka dërguar Behari, ku gjendet numëri i telefonit 0693128769 dhe i tregon që ky është numëri i “Ibrahimit”.

Arditi shprehet që, unë javën tjetër jam në punë dhe duhet të jem unë në punë që ta çoj dhe e mbaj unë edhe jemi komod.

Nuk kam pse ti kërkoj nderë ktyre, e mbaj vetë, veç sa të kthehem. Ardriti shprehet që, ishalla të mbaj këtë ai motërq… edhe mbarojmë punë.

Ai tjetri që kemi çuar e ka ai i vogli, është konfirmuar, flet rrallë, shumë rrallë. (E ka fjalën për Muhamet Licin).

Por në fakt numri që Pëllumb Gjoka i jep Ardridit për ta përgjuar, nuk është i Ibrahim Licit, por djalit të xhaxhait të tij, Ramazan Licit, i cili rezulton të jetë djali i Fatbardh Licit të vrarë disa vite më parë në Shkodër.

Ky verifikim është bërë nga SPAK përmes kompanisë “Vodafone”.

Veprimet e punonjësit të policisë Ardrit Hasanbegaj, në shërbim të grupit kriminal të Behar Brajoviq dhe qellimeve të tija, ka mundësuar vendosjen në përgjim të numrit të dhënë nga Pellumb Gjoka.

Sipas SPAK, kjo provohet edhe nga përgjigja e Policisë së Shtetit, ku evidentohet që numri i shkëmbyer midis Pellumbit dhe Ardritit, 0693128769, është vënë në përgjim parandalues me sugjerim të Luan Hamzallarit, shef i seksionit të vrasjeve në DVP Shkodër më datë 2 shtator 2020.

Po ashtu edhe nga deklarimi i Luan Hamzallarit, i cili është pyetur në 20 prill 2024, Hamzallari i pyetur lidhur me veprimet e tij në kuadër të parandalimit të ngjarjeve kriminale në DVP Shkodër të Ibrahim Licit, është pyetur nëse i është dhënë ndonjëherë nga Ardrit Hasanbegaj apo eprorët e tij, numra telefonik me qëllim që ti vinte në përgjim parandalues.
Luan Hamzallari ka deklaruar:
“….Kujtoj që ka ndodhur një herë me Ardritin.

Ardrit më ka dhënë një herë një numër telefonik të Ibrahim Licit të cilin e kishte shënuar në letër dhe më ka thënë ky është numra Ibrahim Licit.

Unë kam marrë këtë numër, kam plotësuar një informacion model SK2 dhe kam përpiluar kërkesën për përgjim apo shtesë në përgjim parandalues.

Numrin telefonik dhe periudhën nuk e kujtoj, por di që ka ndodhur një herë kjo gjë.

Ditën që ma ka dhënë numrin, kam bërë edhe informacionin për përgjim parandalues.

Por di të them me bindje se ka qenë pas vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi (Ndoji), ku Ibrahim Lici ishte autor i dyshuar….”.

Sipas SPAK deklarimi i Luan Hamzallarit përputhet edhe me të dhënat e përftuara nga aktet e marra, pasi siç rezulton, për numrin e mësipërm është përpiluar SK2 nga Luan Hamzallari dhe po këtë ditë është dërguar informacion për vënien në përgjim.

“Ulja e lindshmërisë plagë sociale”/ Jupi: Programi i PD ndihmon familjen dhe forcon gruan

Anëtarja e Kryesisë së PD, Taulanda Jupi, në një intervistë për mediat ka folur për mbështetjen që do të kenë gratë me programin e PD. Duke sjell në vëmendje statistikat e INSTAT ku për tremujorin e fundit rezultoi se kishim më shumë vdekje sesa lindje, Jupi tha se problemi është tek mungesa e mbështetjes për gratë dhe familjet e reja.

Për këtë, ajo u shpreh se nismat e PD në mbështetje e tyre nisin që nga gratë e dhunuara e deri tek dhënia e mundësive për t’u vetpunësuar në biznes apo në artizanate. Jupi më tek përsëriti dhe zotimin tjetër për familjen, ku për fëmijën e parë dhe të dytë do jepen 2 mijë euro dhe për të tretën 20 mijë euro.

Fjala e Taulanda Jupit:

Gruaja shqiptare sot ndodhet në një nga situatat më të vështira që mund të jetë gjendur në këto 34 vite. Po t’i referohemi të dhënave qoftë të INSTAT, qoftë të Eurostat, papunësia tek gratë ka një rritje të konsiderueshme. Gruaja sot është e varur ekonomikisht. Gruaja sot nuk duhet të shihet vetëm në qendra të mëdha siç është Tirana, Durrësi, por duhet të shihen se si jetojnë dhe në zonat rurale, çfarë të ardhurash kanë, sa mundësi punësimi kanë, sa mundësi arsimimi kanë vajzat. Sot gratë kanë pasiguri për të ardhmen dhe i bën të pasigurta për të planifikuar jetën etyre familjare, për të lindur fëmijë. Dhe padyshim mungesa e të gjithë mbështetjes sociale që shteti i jep sot, shkakton edhe një nga plagët më të mëdha që shoqëria shqiptare po vuan sot, uljen e lindshmërisë.

Unë do të doja të përqendrohesha tek ato nisma të cilat Partia Demokratike ka paraqitur për gratë dhe për vajzat. Një nga pikat që PD ka propozuar në programin dedikuar grave dhe vajzave, është investimi dhe ndihma ekonomike për gratë e dhunuara, duke u ofruar atyre streh dhe duke u ofruar atyre punësim për një kohë të caktuar sa ato të dali nga ky rrethi i dhunës. Mundësi për investimin dhe ndihmë për gratë të cilat merren me artizanat. Dhe padyshim që këtu ne kemi ndikuar jo vetëm në punësimin e një gruaje që ngre një biznes, por ne ashtu siç e kemi vënë re, gratë që ndërtojnë një biznes punësojnë gra të tjera. Kështu ky është një investim zinxhir jo vetëm për një grua që merret me biznes, por për çunësimin e shumë grave të tjera. Padyshim rishikimi i mundësive të lehtësimit qoftë fiskale, qoftë të zërave të tjerë të punësimit për të gjithë ato biznese kanë të punësuar gra dhe vajza.

Duhet të theksoj këtu dhe njëherë mbështetjen për familjen, se padyshim mbështetja për familjen shkon te çdo grua dhe te çdo vajzë. Mbështetja për familjen do të jetë 2 mijë euro shpërblim për bebebn e parë, 2 mijë euro për beben e dytë dhe 20 mijë euro për beben e tretë. Në kushtet kur për herë të parë që nga vitet 1991, Shqipëria në tremujorin e parë ka shënuar një numër më të lartë të vdekjeve sesa të lindjeve. Pra, jemi në minus në shtimin natyror të popullsisë. Dhe kjo ndihmë që do u japim është një koncept për t’iu gjendur pranë grave dhe vajzave, sidomos nënave të reja të cilat duan, apo zgjedhin të bëjnë fëmijën e tretë.