30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Ndryshimi i sëmundjeve të zemrës tek burrat dhe gratë, ja çfarë duhet të keni kujdes

Zemra e një gruaje mund të duket e njëjtë me atë të një burri, por sipas ekspertëve, ndryshimet janë të mëdha.

Për shembull, zemra e një gruaje dhe barkushet e saj janë më të vogla.

Muret që ndajnë barkushet e zemrës janë më të holla.

Zemra e një gruaje pompon më shpejt se ajo e një burri, por në çdo kontraktim të saj zemra nxjerr 10% më pak gjak.

Kur një grua është e stresuar, rrahjet e zemrës janë më të larta dhe zemra pompon më shumë gjak.

Kur një burrë është i stresuar, arteriet e zemrës ngushtohen duke nxitur rritjen e tensionit të lartë të gjakut.

Të gjitha këto fakte tregojnë se gjinia luan një rol thelbësor jo vetëm në shfaqjen e simptomave por edhe tek trajtimi dhe rezultati i tij.

Sëmundjet e arterieve koronare

Sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare.

Në Shqipëri, në vitin 2010 sëmundjet kronike përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, 55% prej tyre kishin shkaktar sëmundjet kardiovaskulare.

ISHP identifikon sëmundjet e arterieve koronare/ sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditjen në tru (sëmundjet cerebrovaskulare) si dy sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje në vendin tonë.

Kur vjen puna tek sëmundjet koronare, gratë dhe burrat përballen me faktorë të ndryshëm rreziku por edhe me simptoma.

Këtu përfshihen: problemet me vezoret, diabeti dhe tensioni i lartë gjatë shtatzanisë.

Një grua ndikohet gjithashtu nga faktori genetik në rast se babai i saj është diagnostikuar me një sëmundje të ngjashme para moshës 55 vjeç dhe nëse motra ose nëna është diagnostikuar përpara moshës 65 vjeç.

Ataku në zemër lë pasoja të ndryshme tek burrat dhe gratë.

Gratë pësojnë atak në zemër në moshë të thyer

Meshkujt janë më të rrezikuar nga një atak në zemër në moshë më të re.

Estrogjeni u ofron grave një lloj mburoje nga sëmundjet e zemrës deri kur ato të arrijnë në menpauzë.

Kjo është arsyeja përse mosha mesatare e një gruaje që preket nga ataku në zemër është 70 vjeç, ndërsa ajo e një burri është 66 vjeç.

Simptoma të ndryshme të atakut në zemër

Kur një burrë përjeton një atak në zemër ai goditet së pari nga një dhimbje e mprehtë në kraharor.

Tek gratë, simptomat e atakut në zemër shfaqen tre deri në katër javë përpara se ky problem të shpërthejë plotësisht.

Këto simptoma përfshijnë: lodhjen dramatike, mungesa e gjumit, vështirësia në frymëmarrje, djersitja, dhimbje në qafë, shpinë ose nofulla e të tjerë.

Sëmundjet koronare te femrat diagnostikohen me vështirësi

Këto sëmundje prekin direkt enët e vogla të gjakut të cilat nuk dallohen gjatë koronografisë.

Kjo është arsyeja përse gratë duhet të konsultohen me një kardiolog pavarësisht rezultatit të koronografisë.

Ataku në zemër është më i ashpër te gratë

Një grua që kalon një atak në zemër ka nevojë të qëndrojë më gjatë në spital.

Kjo për arsyen se gratë kanë probleme të tjera të padiagnostikuara apo trajtuara siç është tensioni i lartë apo diabeti./

Shkatërrohet një rrjet i trafikut të kokainës, në pranga edhe “mbreti” shqiptar. Lëndën narkotike e merrte nga Belgjika dhe Holanda! Autoritetet i konfiskojnë mijëra euro

Pesë persona, duke përfshirë një ‘mbret’ shqiptar të trafikut të drogës janë arrestuar në Francë në lidhje me një hetim për trafikun e heroinës dhe kokainës nga Belgjika dhe Holanda, sipas një deklarate nga prokurori publik i qytetit Annecy në Francë.

 

Sipas mediave, rrjeti operonte në Savoie dhe Haute-Savoie.

“Ky rrjet i trafikut të drogës drejtohej nga shtetas shqiptarë” shpjegoi prokurorja Line Bonnet në një deklaratë për shtyp.

Janë sekuestruar 3 kilogramë heroinë, 1 kg kokainë dhe disa kilogramë lloje të tjera drogash, me një vlerë totale prej 500 mijë eurosh.

Autoritetet konfiskuan gjithashtu rreth 400,000 euro para në dorë, automjete luksoze dhe llogari bankare, që përkthehet në “një humbje totale prej mbi 1 milion euro” për trafikantët.

Furnizuesi, një shtetas shqiptar me bazë në Lion, e merrte drogën nga Belgjika dhe Holanda dhe ua shpërndante shitësve në Savoie dhe Haute-Savoie, veçanërisht në Annecy.

Hetimi gjyqësor filloi në janar 2023, kur hetimi iu besua njësisë së zbatimit të drogës të Policisë Kriminale Ndërinstitucionale Haute-Savoie. Pesë të dyshuarit janë caktuar në paraburgim të përkohshëm.

Telashe për ceremoninë e hapjes së Europanit, UEFA nuk ka ende lejen për fishekzjarrët

UEFA prej vitesh mundohet të ndalojë fishekzjarrët në stadiume mes tifozëve, por kur bëhet fjalë për ceremonitë e aktiviteteve që organizon, i vlerëson si shumë të rëndësishme për të krijuar atmosferën e duhur në stadiume. Por ceremonia e hapjes së EURO 2024 në Mynih, mund të zhvillohet pa hedhjen e fishekzjarrëve.

Shkak është bërë mosdhënia e lejes nga departamenti i zjarrfikësve të Mynihut për UEFA-n, që të përdorë materiale piroteknike në stadiumin e qyteti ku do të nisë aktiviteti të premten me ndeshjen Gjermani-Skoci.

Plani i UEFA-s parashikon ndezjen e tymuesve brenda stadiumit dhe jashtë tij, për të krijuar një ambient sa më spektakolar me ngjyra. Por deri tani, bashkia nëpërmjet departamentit të zjarrfikësve, nuk ka aprovuar planin, ajo ka kërkuar që aktivizimi i fishekzjarrëve duhet të bëhet vetëm nga persona profesionistë, duke detyruar UEFA-n që të plotësojë dokumentacionin që i nevojitet për të vërtetuar se ky moment i shfaqjes, do të mbulohet pikërisht nga ekspertë dhe jo thjesht vullnetarët.

Analiza e VOA: Si zhvillmi i inteligjencës artificiale ndikon tek tregu i punës

Përparimet në fushën e inteligjencës artificiale kanë filluar të ndryshojnë të ardhmen e tregut të punës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, shumë njerëz druhen se inteligjenca artificiale do të shkaktojë humbje të vendeve të punës, ndërsa të tjerët shohin një të ardhme më të mirë si rezultat i shfrytëzimit të kësaj teknologjie nga njeriu.

Për më shumë se një shekull, automatizimi ka ndikuar tek vendet e punës në mbarë botën, duke mbyllur vende pune dhe krijuar vende të reja pune njëkohësisht.

Ekspertët po përpiqen të parashikojnë se si zhvillimi i inteligjencës artificiale do të ndikojë tek vendet e punës.

Sanjay Patnaik me Institutin Brookings thotë se inteligjenca artificiale po depërton në fusha që dikur vareshin vetëm nga njeriu.

“Më së shumti rrezikohen vendet e punës të nivelit fillestar. Analistët e marketingut, ndihmës hulumtuesit, analistët e financave. Këto profesione mund të automatizohen krejt lehtësisht, detyra që përsëriten”, thotë për Zërin e Amerikës Sanjay Patnaik me Institutin Brookings.

Disa ekspertë theksojnë mungesën e punonjësve të kualifikuar. Susanne Bieller nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës thotë se inteligjenca artificiale po e trajton këtë problem.

“Bëhet fjalë për profesione që po zhduken sepse nuk ofrohen më trajnime. Për shembull profesioni i saldatorit. Për ta kapërcyer këtë problem dhe për të përmbushur nevojat e saldimit ne ofrojmë zgjidhje robotike”.

Abigail Gilbert me Institutin për të Ardhmen e Punës thotë se ka disa gjëra që inteligjenca artificiale thjesht nuk mund t’i bëjë.

“…kërkesa e fortë dhe e vazhdueshme për komunikim, mendim kritik dhe udhëheqje brenda bizneseve. Profesionet që sigurohen nga lëndët e artit dhe shkencave humane mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme për tregun e punës”.

Shawn Daly me Universitetin Niagara thotë se inteligjenca artificiale do të vazhdojë të përhapet. Dhe se një mënyrë për të siguruar punësimin është që bëhesh ekspert në AI.

“AI do të zgjerojë aftësitë e atyre që e kuptojnë funksionimin e makinerive. Disa nga ata do të krijojnë metoda unike të punës nga gjeneruesit e imazheve, teksteve, videove dhe programeve”.

Për këtë qëllim, Shtëpia e Bardhë njoftoi planet për të rritur numrin e specialistëve në fushën e inteligjencës artificiale në qeverinë federale me 500 individë deri vitin e ardhshëm./voa

Karkaleci shkatërron fushat e Myzeqesë, fermerët kërkojnë ndihmën e shtetit

Për të katërtin vit radhazi karkaleci po shkakton dëme të mëdha në të mbjellat në fushat e Myzeqesë. Fermerët në zonën e Tërbufit, Grabjanit e Plukut në Lushnje po përballen sërish me dëmtime te mëdha që karkaleci po shkakton në sipërfaqet me jonxhe, që i kalojnë 1000 hektarë në këtë zone.

Fermerët që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre ekonomik me kulturën e jonxhës e kanë të pamundur qe me mjetet dhe mundësitë e tyre financiare të përballojnë dëmtimin që shtohet çdo ditë.

Fermerët kërkojnë ndërhyrje emergjente me spërkatje për të përballuar situatën e krijuar.

Karkaleci Maroken ka disa vjet që është shfaqur në fshatrat e Lushnjës ndaj fermerët apelojnë ndërhyrjen me spërkatje për të bërë të mundur eliminimin përfundimtar.

Dërgonin qytetarët me viza false drejt Britanisë, Amerikës dhe Kanadasë/ Nis seanca në GJKKO për 26 të arrestuarit

Seanca gjyqësore për masat ndaj 26 të arrestuarve gjatë operacionit “Nomada” ka nisur këtë të diel në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, seanca drejtohet nga Erjon Çela.

Ata u vunë në pranga mëngjesin e 7 qershorit gjatë një operacioni për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Mes të arrestuarve është edhe një polic. Grupi kriminal ndihmonte qytetarët për kalim të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë me viza false.

26 të arrestuarit:

1. Bashkim Sula,
2. Njazi Ademaj,
3. Fitim Rama,
4. Ylli Brahimaj,
5. Gridi Elezi
6. Rrezart Domi,.
7. Osman Luca,
8. Artur Mici.
9. Arsen Caka,
10. Adrian Mema,
11. Maksim Domi,
12. Jugert Gashi,
13. Emiljan Marashi,
14. Roland Islamaj,
15. Behar Rexha,
16. Deila Qama,.
17. Arnold Shahu,
18. Ylli Çaushaj,
19. Eriola Spaho,
20. Murat Gjuniku,
21. Bardhyl Imeri,
22. Bajram Xhaja,
23. Fatmir Stankova
24. Arben Rushiti
25. Leonardo Lama,
26. Xhelil Alla.

“66% e të pyeturve kanë dhënë ryshfet”/ Sondazhi: Korrupsioni, alarmues dhe në rritje

Një sondazh i zhvilluar nga “Monitor”, me 503 të anketuar, tregoi se korrupsioni ngelet një shqetësim madhor për publikun shqiptar dhe tendenca e këtij fenomeni vlerësohet në rritje të mëtejshme.

Më shumë se 90% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është një çështje shumë alarmuese në Shqipëri. 8.7% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është një çështje e rëndësishme, por jo alarmuese.

Vetëm një pjesë e papërfillshme e të anketuarve, rreth 0.4%, mendojnë se korrupsioni nuk është një çështje shumë e rëndësishme, ose është pothuajse inekzistent.

76.7% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është rritur shumë në pesë vitet e fundit, 15.9% e tyre mendojnë se niveli i korrupsionit ka ngelur i njëjtë, ndërsa vetëm 5.2% e tyre mendojnë se korrupsioni është reduktuar.

Në perceptimin e qytetarëve të anketuar, institucioni më i korruptuar në vend është qeverisja/administrata qendrore. 52.9% e perceptojnë qeverisjen qendrore si pjesën më të korruptuar të sistemit.

18.3% e të anketuarve mendojnë se institucionet më të korruptuara janë ato të pushtetit lokal, të ndjekura nga institucionet e pushtetit gjyqësor, me 7.2% dhe ato të shëndetësisë, me 6.8%. 2.2% e të anketuarve perceptojnë mediat si sektorin më të korruptuar në vend.

Mes përgjigjeve të tjera, dominon alternativa se të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe vendor janë të korruptuara, ndërsa me përqindje më të ulëta janë përmendur edhe Policia, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, etj.

Forma më e përhapur e paraqitjes së korrupsionit në Shqipëri, sipas të anketuarve, është “vjedhja, përvetësimi dhe keqpërdorimi i parave publike”, me 42.5% të përgjigjeve, e ndjekur nga “ryshfeti, pranimi i parave kundrejt një favori”, me 29.4% të tyre.

Forma të tjera të manifestimit të korrupsionit të përzgjedhura nga anketuesit janë klientelizmi, dhënia e favoreve ndaj pronës publike në këmbim të favoreve personale; vonesa e përgjigjeve në kërkesat zyrtare me qëllim marrjen e një “shpërblimi”; pastrimi i parave, duke lehtësuar legalizimin e fondeve të paligjshme; keqpërdorimi i burimeve natyrore/pronës publike; nepotizmi, punësimet farefisnore ose me orientim politik, etj.

“Për shkak të ambientit të përgjithshëm të korruptuar në administratë dhe sidomos formës klienteliste të ofrimit të shërbimeve, mbështetjes, pjesëmarrjes në projekte etj., sistemi nuk të lejon të zgjerohesh dhe dekurajohesh të jesh pjesë e gjithçkaje që lidhet me fondet publike dhe institucionet shtetërore, sepse je i destinuar të mos fitosh asnjë projekt, je vetëm numër për fasadë.

Një tjetër formë e korrupsionit, edhe po fitove, është moskryerja e pagesave në kohë, pasi ke bërë shërbimin; duhet t’i biesh mbrapa nëpër zyra që të harxhon kohë dhe energji (pra, kosto) pa garanci që i merr; shto këtu pamundësinë që ta kërkosh të drejtën në gjykatë për shkak të kostove shtesë që ka ky proces dhe që po ashtu nuk garanton drejtësi gjykimi.

Aq shumë është përhapur ndikimi dhe klientelizmi, ku me klientelizëm përfshihen edhe militantët e partisë, sa që tregu dhe hapësirat janë mbyllur edhe nga institucionet ndërkombëtare në thirrjen e projekteve që bëjnë”, – shprehet një e vetëpunësuar në Tiranë.

66% e të anketuarve kanë dhënë ryshfet

Pothuajse 66% e të anketuarve në sondazhin e “Monitor” shprehen se kanë dhënë të paktën një herë ryshfet.

Në 95.5% të rasteve, ryshfeti është dhënë në formën e parasë së gatshme, ndërsa në pjesën e mbetur, ryshfeti është dhënë në formën e favoreve/shërbimeve të tjera apo në formën e të mirave materiale.

“Perceptimi im për korrupsionin në Shqipëri është i tillë: duket sikur korrupsioni është në çdo individ, në shërbime publike, por edhe në private (p.sh. spitale, laboratorë, banka, shkolla). Më vjen keq të pohoj që jemi përgjithësisht shoqëri e korruptuar. Kërkojmë përfitime, të panevojshme, thjesht se është bërë “zakon”, shprehet drejtuesja e një biznesi të vogël të shërbimeve në Tiranë.

Sektori më i korruptuar, sipas përgjigjeve të të anketuarve, është shërbimi shëndetësor. 62% e personave që kanë paguar ryshfet, e kanë dhënë atë për shërbime mjekësore.

Shërbimi me nivelin e dytë më të lartë të korrupsionit, sipas sondazhit, është Kadastra. 14.6% të anketuarve janë përgjigjur se kanë dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti pronësie në hipotekë.

“Korrupsioni më i madh, më i prekshëm, ulëritës është në Drejtorinë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Vlorë. Nuk njohin as ligje, as gjykata, as prokurori, asgjë. Provoni të rifreskoni kartelën e një toke dhe keni për ta parë”, – shprehet një subjekt i anketuar në sektorin e shërbimeve.

Vijon marrja e dokumenteve në administratën publike, ku shprehen se kanë dhënë ryshfet 8.2% e të anketuarve.

Vijojnë proceset gjyqësore, me 5% dhe procedimi policor apo hetimor, me 2.7% të përgjigjeve dhe marrje leje ndërtimi, me 1.8% të përgjigjeve.

Ndër rastet e tjera me më pak raste të dhënies së ryshfetit përfshihen shërbimet e tatimeve, doganave, Qendrës Kombëtare të Biznesit, marrja në punë, tenderët, etj.

“Jam profesionist i lirë, kontabilist i miratuar. Puna që kryej më detyron që të jem në kontakt dhe marrëdhënie të vazhdueshme me administratën tatimore shtetërore e lokale dhe QKB, në të cilat korrupsioni është aktualisht endemik dhe nuk mund të kryesh punë apo të marrësh shërbime, nëse nuk u nënshtrohesh akteve korruptive që praktikohen nga punonjësit e këtyre institucioneve.

Kjo mënyrë të punuari na penalizon shpesh në marrëdhënie me klientët tanë, pasi shumë prej tyre nuk e kuptojnë këtë lloj sjellje të administratës dhe ngrenë dyshime ndaj punës sonë të përditshme.

Kjo dëmton konkurrencën e lirë dhe favorizon informalitetin, që vetë administrata shtetërore e ushqen dhe mban gjallë”, – shprehet një kontabilist nga Tirana.

Reforma në Drejtësi ka filluar të japë rezultate

69% e të anketuarve mendojnë se në vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë përparim në luftën ndaj korrupsionit, ndërsa 19.9% mendojnë se ka pasur disi përparim. Vetëm 3.8% e të anketuarve mendojnë se ka pasur përparim të dukshëm në luftën ndaj korrupsioni.

Megjithatë, në mënyrë specifike, për reformën në drejtësi, shumica e të anketuarve mendojnë se ajo ka filluar të japë efektet e saj në luftën ndaj korrupsionit, të paktën pjesërisht.

Pyetjes “A mendoni se Reforma në Drejtësi po lufton korrupsionin (ose ka filluar të japë rezultate kundër korrupsionit)?” 11.1% e të anketuarve i janë përgjigjur “Po”, ndërsa 44.3% e tyre e tyre kanë zgjedhur alternativën “Po, por jo shumë”.

Ndërkohë, 38.4% e të anketuarve mendojnë se Reforma në Drejtësi nuk po e lufton ose nuk ka filluar të japë rezultate kundër korrupsionit.

“Unë jam avokat dhe korrupsionin e ndiej në sistemin gjyqësor. Në vlerësimin tim, është shumë e rrallë të realizosh të drejtat e klientëve, edhe pse ata kanë të drejtë, pa ndikim të paligjshëm dhe pa korrupsion.

Duke qenë se ende nuk jam bërë pjesë e këtij llumi e kam të vështirë t’i mbijetoj tregut, sepse nuk vlerësohet shërbimi apo profesionalizmi apo edhe e drejta, por në 90% të rasteve, sa paguan dhe kush paguan”, – thotë një avokat nga Durrësi.

72% të bizneseve u është kërkuar ryshfet në 12 muajt e fundit

33.6% e pjesëmarrësve në sondazh (169 subjekte) ishin biznese ose të vetëpunësuar.

Pjesa më e madhe e bizneseve të anketuara kishin aktivitet në sektorin e shërbimeve, me 60.9% të totalit, e ndjekur nga tregtia, me 14.2%, sektori i hotelerisë dhe bar-restoranteve, me 7.7%, transporti, informacioni dhe komunikimi me 6.5%, industria përpunuese, me 5.3%, ndërtimi, me 3.6%, etj.

71.6% e bizneseve janë përgjigjur se u është kërkuar të paktën një herë të japin ryshfet në 12 muajt e fundit, ndërsa vetëm 28.4% e bizneseve shprehen se nuk u është kërkuar një gjë e tillë.

“Korrupsioni shkatërron industri të tëra. Në industrinë ushqimore, sektorë të tërë funksionojnë në ilegalitet dhe mungesë fiskale për shkak të korruptimit të drejtorëve dhe specialistëve të institucioneve shtetërore”, – shprehet drejtuesi i një kompanie të industrisë përpunuese.

Në 43% të rasteve, ryshfeti ka pasur një vlerë në intervalin 10-20% të shërbimit apo të kontratës së marrë, në 19.8% të rasteve në intervalin 20-30%, në 18.2% të rasteve, mbi 30% të vlerës së shërbimit apo kontratës dhe në 17.4% të rasteve, më pak se 10%.

“Në një pjesë të angazhimeve për shërbimet e dhëna në entitete shtetërore më është kërkuar 40 – 60% e vlerës së shërbimit si ryshfet për të më përfshirë në shërbim (firmosur kontratën e shërbimit).

Kjo është bërë nga një zyrtare e lartë drejtuese në shoqëri aksionere sh.a. të mëdha. Strategjia e marrjes së punëve nga shteti, për sa u përket shërbimeve ka kosto të konsiderueshme ryshfeti”, – shprehet një sipërmarrës në anketim.

“Për t’u regjistruar si biznes jo vetëm kam duruar një sorollatje prej tre muajsh nga sistemet online të QKB-së, por më është dashur që të paguaj para për të mos humbur afatet ligjore të dokumentacionit, ku do detyrohesha t’i noterizoja dhe një herë dhe të merrja vulat apostile përsëri dhe të gjithë dokumentacionin nga Dhoma e Tregtisë.

Tani kam 3 muaj që pres të marr licencën, edhe pse dokumentacioni është i saktë. Deri tani, kam 6 muaj që paguaj qira jo të vogël dhe sigurime dhe taksa pa mundur të ushtroj as edhe një ditë aktivitet.

Është përfundimisht një situatë e tmerrshme!” – shprehet një profesioniste e shërbimeve nga Durrësi.

Në 38.7% të rasteve kur është dhënë ryshfet, është dhënë për shërbime tatimore, e ndjekur nga entet prokuruese publike (shërbime tenderësh) me 22.2%, për leje ndërtimi, me 18% të rasteve dhe për shërbime doganore, në 14.7%.

“Punonjësit në administratë i referojnë qytetarët për shërbimet e nevojshme në zyrat e tyre private, ose aty ku marrin shpërblim”, shprehet drejtuesi i një biznesi të vogël në Durrës.

Shërbimet apo institucionet e tjera ku bizneset deklarojnë se kanë dhënë ryshfet përfshijnë inspektoratet, ente licencuese, zyrat e regjistrimit të pasurive, bashkitë, etj.

“Rasti më flagrant është në shpërndarjen e granteve për startup-et, të cilat i fitojnë 100 persona, të cilët fusin të njëjtat projekte”, – shprehet një sipërmarrës i ri në sektorin e transportit, informacionit dhe komunikimit nga Tirana.

“Korrupsioni po vret nismën e lirë”

Sipas bizneseve, arsyeja kryesore që i shtyn drejt korrupsionit është nevoja për të përshpejtuar procedurat burokratike, në 39.1% të rasteve, shmangia e ndëshkimeve, gjobave, taksave, me 35.5% të përgjigjeve, aksesi në shërbime të veçanta në 8.3% të rasteve, aksesi në pronë publike me çmime më të ulëta se ato të tregut, në 5.3% të rasteve, etj.

Përgjigjet e tjera përfshijnë nevojën për të marrë shërbimin që subjektit i takon me ligj, sigurimi i mbijetesës apo vazhdimësisë në biznes, etj.

“Inspektorët ose bëjnë sikur nuk i dinë ligjet, ose i interpretojnë edhe kur nuk janë juristë. Ligjet gjithashtu janë të vjetër, me shumë VKM që bien ndesh me njëri-tjetrin. Hapësirat që lënë janë të mëdha.

Këta inspektorë, kur shkojnë te bizneset e mëdha, mbyllin sytë dhe te të vegjlit kontrollet bëhen aq të shpeshta, sa detyrohesh të japësh ryshfet për të mos humbur ditën e punës dhe për të larguar kërcënimin e gjobës dhe interpretimin e ligjit.

Gjobat e rritura dhe me fushata këtë bëjnë”, shprehet një sipërmarrës në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor në Tiranë.

“Korrupsioni prish rregullat e lojës e për rrjedhojë, klimën e biznesit. Shanset e barabarta janë vetëm propagandë, ndërkohë në praktikë, pabarazia në mundësitë për të bërë biznes është e dukshme”, shprehet një i vetëpunësuar në sektorin e shërbimeve në Elbasan.

Pothuajse 80% e bizneseve janë përgjigjur se korrupsioni është pengesë për investimet e tyre, ndërsa më pak se 12% e tyre mendojnë se korrupsioni nuk është pengesë për të investuar.

“Si pasojë e korrupsionit në Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) janë mbyllur gjithë iniciativat private, ashtu si dhe e imja. Unë jam projektues në ndërtim dhe mbikëqyrës punimesh.

Sistemi i mbyllur që ka bërë FSHZH, ku vetë siguron fonde, vetë projekton, vetë tenderon, vetë zbaton dhe vetë mbyll gjithë punët me supervizorë, është kthyer në një mekanizëm ku askush nga tregu privat nuk mund të hyjë.

Këtë ka bërë korrupsioni: ka krijuar kudo monopole dhe ka vrarë iniciativën e lirë në çdo sektor”, – shprehet një profesionist në sektorin e shërbimeve profesionale nga Tirana.

“Të korruptuarit të paguajnë për dëmin e bërë”

Një nga pyetjet e shtruara në sondazh ishte se cila është masa më efektive për të bërë të përgjegjshme administratën publike ndaj fenomenit të korrupsionit.

39.3% e të anketuarve mendojnë se skenari që do të mundësonte një ulje më të shpejtë të korrupsionit në Shqipëri do të ishte rotacioni politik, i ndjekur nga përmirësimi i administratës në aspektin e performancës ndaj korrupsionit pa një ndryshim në kreun e Qeverisë dhe të mazhorances qeverisëse, me 22% të përgjigjeve dhe “një ndryshim të personave në nivelin më të lartë të Qeverisë, pa një ndryshim në mazhorancën qeverisëse”, me 11.9% të përgjigjeve.

Shumica e të anketuarve, 56.9% e tyre, mendojnë se masa më efektive për të bërë të përgjegjshme administratën publike ndaj korrupsionit do të ishte vendosja në vendim e detyrimit për të dëmshpërblyer publikun për dëmin e bërë. 25.4% e të anketuarve mendojnë se masa më efektive do të ishte ashpërsimi i dënimeve për këto vepra penale.

Një pjesë e votuesve mendojnë se aplikimi i të dyja masave të mësipërme do të ishte efikase, ndërsa masa të tjera të sugjeruara janë privatizimi sa më i gjerë i shërbimeve, rritja e cilësisë së arsimimit, meritokracia, transparenca më e madhe, vullneti më i fortë politik i qeverisë, etj.

Metodologjia

Sondazhi u zhvillua në faqen e internetit të “Monitor” dhe kanalet e saj të medias sociale gjatë muajit maj. Anketa e sondazhit u plotësua gjithsej nga 503 subjekte të anketuar.

66.4% e të anketuarve ishin individë, pa angazhim në biznes, ndërsa 33.6% ishin subjekte biznesi ose të vetëpunësuar.

66.6% e të anketuarve ishin meshkuj, ndërsa 33.4% ishin femra. 77.5% të anketuarve deklaruan se banojnë në Tiranë, 6.4% në Durrës, 3.2% në Shkodër, 3% në Korçë dhe Elbasan, etj.

Grupmosha kryesore e pjesëmarrësve në sondazh ishte 40-49 vjeç, me 34.1% të pjesëmarrësve, e ndjekur nga 30-39 vjeç, me 32.3%, 50-59 vjeç, me 15.6% dhe 20-29 vjeç, me 13.4%./ Monitor.al

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët

Nga dr. Hasan Bello

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët dokumentohen të paktën dy-tre shekuj përpara lindjes së shtetit shqiptar. Në shekullin e XVII-të disa murgj të manastireve ortodokse të Shqipërisë së Jugut shkuan në Rusi për të kërkuar ndihma nga kisha ruse. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XVII-të dhe në fillim të shekullit XVIII-të filluan kontaktet e para politike të disa shqiptarëve me autoritetet shtetërore ruse, duke nisur që nga Petri i Madh për të vijuar me perandorë të tjerë. Këto kontakte u intesifikuan me depërtimin dhe rritjen e influencës ruse në Ballkan.

Sipas studiuesve të ndryshëm politika antishqiptare e Rusisë u shfaq haptazi në vitin 1696 pas nënshkrimit të “aleancës së shenjtë” në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë, Rusia e shtriu influencën e saj në Himarë dhe në disa fise katolike në Shqipërinë e Veriut (kryesisht në Mirditë), duke përdorur edhe ndikimin që ajo kishte te fiset malazeze.

Nëpërmjet “misionarëve” të ndryshëm që ajo dërgoi në Shqipëri dhe Ballkan, Rusia krijoi lidhje të drejtpërdrejta me krahinat shqiptare dhe i nxiti ato në vitet 1701-1704 në kryengritje. Në vitin 1711, Petri i Parë shpërndau një manifest ku i ftoi shqiptarët dhe popujt ballkanikë që t`i bashkoheshin ushtrisë së tij kundër osmanëve.

Aleanca pro-ruse që u krijua në këtë periudhë mes fiseve ortodokse malazeze dhe fiseve katolike shqiptare, ishte në kundërshtim me politikën e një fuqie tjetër rajonale, Venedikut. Prandaj, kundër kësaj aleance anti-osmane u ngrit peshkopi katolik i Tivarit, Visk Zmajeviq. Këto qëndrime do të ndryshojnë në varësi të koniukturave të kohës.

Kulmi i bashkëpunimit politik mes disa shqiptarëve dhe rusëve arriti në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-të. Kështu, në Kuvendin e Përgjithshëm të himariotëve të vitit 1759, i cili u mbajt nën ndikimin e propagandës ruse, u vendos që popullsia ortodokse shqiptare e këtyre krahinave të kërkonte protektoratin e Rusisë. Për këtë u caktua një delegacion i cili do të shkonte në Peterburg për të kërkuar udhëzime dhe armë kundër osmanëve.
Në shkurt të 1760 himariotët zhvilluan bisedime sekrete me rezidentin rus në Stamboll, A.M.Obreskov për të cilën u informua edhe perandoresha ruse Elizabeta Petrovna. Në këtë periudhë u vendosën kontakte edhe ndërmjet agjentëve rusë dhe disa shqiptarëve katolikë nga Shqipëria e Veriut. Në mars të 1762, Jakov Suma nga Shkodra shkoi në Peterburg dhe u takua me Petrin III dhe si “përfaqësues i gjithë shqiptarëve” kërkoi që të formohej një regjiment shqiptar i ushtrisë ruse për të luftuar kundër Perandorisë Osmane.

Në luftën turko-ruse në vitin 1768 një numër shqiptarësh (kryesisht himariotë) hynë në shërbim të flotës ruse në Detin Mesdhe. Në luftimet që u zhvilluan në gusht të vitit 1773, kundëradmirali rus A.Elmanov raportonte se kishin marrë pjesë katër batalione shqiptarësh (1020 veta), të cilët shkatërruan dhe pushtuan kështjellat osmane Stançio dhe Butrint. Kjo dukuri do të vihet re edhe në luftërat e tjera, duke bërë që një pjesë e tyre të vendoset në Odesë. Kështu u krijua edhe kolonia shqiptare e rusisë.

Edhe Ali Pashë Tepelena u përpoq të bashkëpunonte me rusët, me qëllim që ata të mbështesnin projektin e tij politik për të fituar pavarësinë e Pashallëkut të Janinës. Por pavarësisht premtimeve të princit G.A.Pomtekim, ky projekt bindte ndesh me preferencat ruse në Ballkan. Luftën kundër suliotëve dhe himariotëve në vitin 1798, Ali Pashë Tepelena e filloi me pretekstin se ata ishin pro-rusë. Në fakt kjo ishte e vërtetë. Por megjith shtypjen e tyre në vitin 1803, ndikimi rus në territoret shqiptare nuk u zhduk. Përkundrazi, ai u rrit akoma më shumë në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të dhe arriti kulmin gjatë shekullit XX-të.

Maturantët zhvillojnë të hënën provimin e Gjuhë-Letërsisë/ 20 pyetje me zgjedhje, 12 me shtjellime dhe një ese

Maturantët do të testohen të hënën për njohuritë e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

Mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë të përzgjedhur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore si hartuesit e tezave janë ngujuar në mjediset e institucionit për të shmangur publikimin e pyetjeve para datës së provimit.

Teksa maturantët po përgatiten me modelet e testeve, të cilat strukturohen me 20 pyetje me zgjedhje, 12 me shtjellim si dhe eseja.

Sipas përgjegjësit të departamentit të gjuhësisë në Fakultetin e Filologjisë, Shezai Rrokaj, vlen që të rritet pesha e esesë në provim.

Kopertina e THE ECONOMIST/ Një triumf për demokracinë indiane

Rezultati tronditës i zgjedhjeve do ta ndryshojë vendin – përfundimisht për mirë – shkruan “The Economist” në analizën kryesore të kopertinës së javës

Elektorati më i madh në botë sapo ka treguar se si demokracia mund të qortojë elitat politike të paprekura, të kufizojë përqendrimin e pushtetit dhe të ndryshojë fatin e një vendi. Pas një dekade në detyrë, Narendra Modi pritej të arrinte një fitore bindëse në zgjedhjet e këtij viti; megjithatë më 4 qershor u bë e qartë se partia e tij kishte humbur shumicën e saj parlamentare, duke e detyruar atë të qeverisë përmes një koalicioni.

Rezultati e prish pjesërisht projektin Modi për të rinovuar Indinë. Gjithashtu rezultati i fundit do ta bëjë politikën më të rrëmujshme, e cila ka tronditur tregjet financiare. E megjithatë premton të ndryshojë Indinë për më mirë. Ky rezultat ul rrezikun e rrëshqitjes së vendit drejt autokracisë, por e forcon demokracinë indiane dhe, nëse zoti Modi është i gatshëm të përshtatet, hap një rrugë të re drejt reformave që mund të mbështesin zhvillimin e tij të shpejtë.

Drama që shpaloset mes një vale përvëluese nis me rezultatet e zgjedhjeve. Partia Bharatiya Janata (bjp) e z. Modi synoi të merrte deri në 370 vende në dhomën e ulët e përbërë prej 543 anëtarësh, një shumicë edhe më e madhe se në 2014 ose 2019.

Në vend të kësaj, partia e tij fitoi vetëm 240 vende. Ajo humbi vende ndaj partive rajonale në qendrat e saj në Uttar Pradesh dhe më gjerë, duke reflektuar një ringjallje të politikës së bazuar në kastë dhe, me sa duket, shqetësimi vjen për mungesën e vendeve të punës. Ndërsa partnerët e tij të koalicionit ishin më parë shtesa opsionale, ai tani do të mbështetet tek ata për të qëndruar në pushtet. Besnikëria e tyre nuk është më e garantuar – thuhet në përmbledhjen e analizës kryesore të javës nga The Economist.