18.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

“Largimi si vdekja”, si reagoi Boris Pasternak kur i kërkuan të ikte nga atdheu! U persekutua deri sa vdiq, i zhuritur për lirinë e vërtetë të njeriut

NGA SEJDO HARKA

“Gjithë jetën kam ecur mbi një shtresë të hollë akulli…”.
Boris Pasternak

Boris Pasternak, ky kolos i mendimit të lirë dhe i shkrimtarisë botërore, pasqyrim i gjallë i historisë së luftës së popullit rus, do të mbahet mend për këndvështrimin e ri ndaj saj dhe për guximin e mprehtësinë e tij, me të cilin ai godet hapur e nëpërmjet magjisë së fjalës thelbin barbar e shkatërrues të filozofisë revolucionare dhe të kolektivizmit egocentrik e konformist stalinist. Është kjo arsyeja, që regjimi i kohës e përbuzi dhe e izoloi, e përndoqi dhe e persekutoi tërë jetën, deri sa dha shpirt, i zhuritur për lirinë e vërtetë të njeriut. Ishte sistemi brutal dhe absurd stalinist, i cili e detyroi atë, siç thekson dhe vetë, që “Gjithë jetën të rendë mbi një shtresë të hollë akulli”, – plot rreziqe. Me vizionin e tij krijues, ai shkëlqeu si poet, eseist, autobiograf, por veçanërisht si romancier dhe përkthyes. Por, para se të ndalemi te vlerat e krijimtarisë së tij artistike, rikujtojmë me pak fjalë, se cili është Boris Pasternak:

Ai lindi më 10 shkurt të vitit 1890 në Moskë, në një familje intelektuale me origjinë hebreje. Babai i tij, Leonidi, ishte piktor dhe mik i Tolstoit, ndërsa e ëma, Roza Kaufman, kërcimtare. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, kreu konservatorin për kompozim e filologji dhe më pas mbaroi për filozofi, në universitetin e Moskës. Kështu ai nisi të thellojë njohuritë e tij për filozofinë neokantike të Cohenit, në Marburg, në Gjermani. Pas Revolucionit të Tetorit ai u bashkua me revolucionarët rusë, por nuk i fshehu kurrë mizoritë e atij sistemi. Pas përmbysjeve revolucionare, rikthehet në atdhe, ku me poezitë e tij të para frymëzoi poetët e rinj bashkëkohorë. Ishte koha, kur Pasternaku ëndërronte për një Rusi tjetër, Rusinë e shpirtit të lirë evropian. I dëshpëruar thellë nga dramat dhe tmerret e jetës, si dhe nga kthetrat e kolektivizimit absurd, u përpoq që, nëpërmjet ndërhyrjes te politikanët e kohës, të mënjanonte politikat shkatërrimtare sovjetike ndaj fshatit. Përmes Bukharinit ai ndërmjetësoi për të shpëtuar nga eliminimi fizik poetin Osip Mandelstam, në kohën që ai kishte shkruar një “ode” kundër Stalinit. Pasternaku, gjatë gjithë jetës përkrahu dhe mbajti qëndrim zbutës ndaj të internuarve dhe të dënuarve politikë. Është kjo arsyeja, që ai më vonë do të bëhet kurban i qëndrimeve të tilla humane. Duke parë se liria e shkrimtarisë sa vinte dhe ngushtohej, ai që nga viti 1946, vendosi të largohej nga letërsia e politizuar. Ishte koha, kur mori vrull sulmi i dhunshëm kundër intelektualëve të ashtuquajtur “deviacionistë dhe borgjezë”, siç i quante regjimi i kohës, ku bënte pjesë edhe Boris Pasternaku. Nisi të thellohej, kështu, gjuetia staliniste e shtrigave, kundër lirisë së artit dhe letërsisë ruse.

Boris Pasternaku u martua dy herë. Në vitin 1922 me Eugjenia Lurien, ndërsa herën e dytë, më 1932, u martua me Zinajda Neuhaus. Si njeri romantik, ai nuk mund të jetonte dot, siç shkruan dhe vetë, pa erën e një gruaje në apartamentin e tij. Pasternaku ishte dhe mbeti një nga poetët më të mëdhenj rusë. Nën ndikimin e së ëmës, në fillim jepet pas muzikës, për t’u kthyer më pas vrullshëm pas poezisë. Përmbledhjet e tij të para poetike janë “Binjaku në re” (1914) dhe “Mbi çdo pengesë”, të cilat do t’i jepnin atij njohjen e parë, që do të vazhdonte të rritej më tej me vëllimet: “Motër, jeta ime” (1922), “Tema dhe variacione” , “Lindja e dytë” (1931). Më pas, ai do të vazhdojë me vëllimin me ese “Lejekalimi” (1932), me të cilin do të forconte marrëdhëniet e tij me Majakovskin. Pasternaku provoi të shkruajë edhe disa poema të bukura, si: “Smid”, “Spektrale” etj. Kur ai nisi të përplasej me poezinë zyrtare ruse të kohës, filloi t’i përkushtohej përkthimit, nëpërmjet të cilit spikati me origjinalitetin e tij. Përmbledhjet e fundit poetike të tij ishin: “Trenat e mëngjesit” (1943) dhe “Hapësira tokësore”(1945), të cilat dalloheshin për hermeticitetin e mendimit dhe për gjuhën e thjeshtë. Pas kritikave të Zheleznovit, ai do të stërmundohej për të thyer akullin për botimet e reja.

Në përgjithësi, krijimtaria e tij poetike është një eksplozion ndjenjash dhe emocionesh për luftën dhe lirinë, për jetën dhe dashurinë, ku ndërthuren bukur vargu klasik me atë modern, duke qëndruar larg futurizmit majakovskian, i cili mbante brenda thirrjet për luftë, bomba dhe përmbysje revolucionare. Pasternaku u jep përparësi temave intime e shpirtërore, historisë së rishikuar, që i afrohet realitetit dhe largimit nga mitet e deformuara, të indoktrinuara dhe nga heronjtë e ndrydhur e të margjinalizuar. Në poezitë për Revolucionin e vitit 1905 dhe luftërat e mëvonshme, ai mundohet të mbajë distancë, duke i parë me një këndvështrim të ri, për t’u dhënë atyre ngjyrat e luftës bujare të popullit sovjetik. Poezitë e tij të fundit u ngjajnë pentagrameve muzikore, herë me brendi erotike dhe herë social-epike. Për të shijuar nektarin e pentagrameve të tilla poetike, mjafton të citojmë disa nga vargjet e shkëputura nga poezia e tij “Ëndërr”: “Mu shti vjeshta në qelqet dritëpaka,/ Ti me miq në hoka e kuvende,/ Dhe si fajkua që qiejsh gjuan gjak, / Zbriti zemra ime në pëllëmbën tënde. / Por iku ajo kohë, u plak. Si akull / Mëndafsh i kolltukëve u brejt anash, / Dhe ty zëri t’u bor, befas heshte / U mek ëndrra ime si jeh kambanash”.

Poezitë e tij u bënë ushqim shpirtëror për miliona lexues, siç pati dhe shumë njerëz të qarqeve zyrtare të kohës, të cilët e konceptonin atë si “egoist e njeri të shitur tek armiqtë e Rusisë”. Pasternaku, në të vërtetë, ishte adhurues i letërsisë amerikane e perëndimore. Atë ishte e vështirë ta bëje të fliste për vete. Ishte i entuziazmuar për poezinë e tij dhe, veçanërisht, për figurën e doktor Zhivagos, e cila konsiderohej si një nga figurat më simpatike të letërsisë ruse.

Për Pasternakun funksioni i filozofisë së Niçes kishte mbaruar, pasi ajo kishte pasur si qëllim të transmetonte shijen e keqe të kohës së tij. Poezia e Pasternakut frynte që nga jashtë, si një piano e ngrohtë. Ndërsa me figurën e doktor Zhivagos, ai, siç thotë dhe vetë, dëshironte t’i shlyente një borxh bashkëkohësve të tij dhe të ringjallte vlerat njerëzore, që në atë kohë ishin venitur. Ai i donte të gjitha vlerat e Eseninit, sepse i konceptonte si “era e re e botës ruse”, si dhe poetët e rinj si Jevtushenkon, i cili shquhej për talent të rrallë.

Boris Pasternak shkroi disa romane, si: “Fëmijëria e Ljuversovës”, “Doktor Zhivago” e të tjerë. Ai kurrë nuk e kishte kuptuar pse e kishin quajtur tradhtar, në një kohë kur mëkati i tij i vetëm ishte se i donte bukuritë e rralla dhe lirinë e vendit të tij si gjënë më të shtrenjtë. Ishte koha kur Albert Kamyja i shkruante Pasternakut: “Unë gjej tek ju Rusinë që më ushqen dhe më jep forcë. Kufijtë mes nesh janë të përkohshëm, sepse ekziston dhe një forcë shpirtërore dhe krijuese që na bashkon të gjithëve. Sapo kam lexuar romanin tuaj “Doktor Zhivago”, për të cilin ju shpreh solidaritetin tim.”

Ai shkroi një seri veprash, por ajo që i dha çmimin e madh “Nobel” ishte romani “Doktor Zhivago”, i cili, ende dorëshkrim, jo vetëm u ndalua të botohej, por nga kupola shtetërore e partiake staliniste dhe nga Unioni i Shkrimtarëve Rusë të kohës, u quajt “pamflet antisovjetik”. Kjo e detyroi autorin, që me guxim e vendosmëri ta dërgojë për ta botuar në disa vende perëndimore të botës. Ishte botuesi italian, Feltrinelli, i cili e botoi për herë të parë, në vitin 1957, pa marrë parasysh kritikat e shumta që vinin për këtë roman, për të ashtuquajturat “refleksione të gabuara dhe shtrembërimet që ai i bënte historisë dhe luftës së popullit rus”. Lajmi i botimit të romanit në Rusi u konsiderua si një fyerje ndaj Revolucionit dhe Pasternaku u akuzua për tradhti ndaj kombit. U kërcënua për t’u dëbuar nga Rusia. Regjimi i kohës, në vitin 1958, e detyroi atë të mos e pranojë çmimin “Nobel”, të dhënë nga Akademia Suedeze, sepse ky roman “nxinte nga vula e zezë antisovjetike.”

Kjo bëri që Pasternaku të izolohej në periferi të Moskës, ku më 30 maj të vitit 1960, vdiq i përndjekur e i vetmuar, i përbuzur dhe i nënvleftësuar nga regjimi absurd stalinist. Vdekja e tij nga kanceri në mushkëri u përshpejtua si rezultat i izolimit dhe përndjekjes që i bëri regjimi i kohës. Kur ai u varros me nderim nga mijëra njerëz që e deshën, KGB -ja sovjetike ndaloi të merrnin pjesë në funeralin e tij shumë simpatizantë dhe ushtarakë të lartë. Vlerat e vërteta të Pasternakut nisën të zinin vendin e duhur vetëm pas vitit 1987, kur Lidhja e Shkrimtarëve Rusë e ripranoi atë si Anëtar Nderi, pas vdekjes. Fryma e shkrimtarisë së tij të lirë do të çelte një udhë të re, ku do të ecin të sigurt brezat e ardhshëm të letërsisë moderne ruse. Për ta njohur më mirë personalitetin njerëzor të Pasternakut, do të na ndihmonte dhe një intervistë interesante që i bën atij gazetarja ruse Korlisli, vajza e njërit prej miqve të tij të hershëm, e cila thekson: “Sapo u afrova pranë shtëpisë së tij, u befasova nga një tabelë, ku shkruhej: ‘Jam duke punuar. Nuk pres asnjë. Ju lutem largohuni’! Megjithatë,- tregon ajo,- me guxim trokita në portën e tij. U çudita kur përpara mu shfaq Ai, me një kapele të çuditshme. Ishte tmerrësisht i bukur, me sy të errët, që dukej sikur kishte dalë nga përrallat ruse. Më pushtoi me ngrohtësi, duke më pyetur për prindërit…”.

Vepra artistike, që i dha atij emër të madh, ishte romani “Doktor Zhivago”, i cili, edhe pse në vendin e sovjetëve u ndalua që kur ishte dorëshkrim, u botua në 29 vende të botës dhe u shitën miliona kopje. Duke ecur në gjurmët e Tolstoit, Pasternaku, me këtë roman, u bë pasqyrë e gjallë e historisë moderne të popujve rusë. Shpallja e çmimit “Nobel” për letërsinë, për vitin 1958, u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë Suedeze, Andreas Österling, i cili, mes të tjerash theksoi: “Këtë herë ky çmim i jepet shkrimtarit sovjeto-rus Boris Pasternak, për arritjet e tij, si në poezinë bashkëkohore, ashtu dhe në fushën e traditës madhështore të etikës ruse. Është bërë e ditur se Pasternaku nuk dëshiron ta marrë këtë mirënjohje. Ky refuzim, natyrisht nuk e ndryshon vlerën e shpërblimit. I mbetet Akademisë Suedeze të shpallë me keqardhje se prezantimi i çmimit nuk do të bëhet.” Ndërsa më 25 tetor të vitit 1958, dy ditë pas shpalljes zyrtare, Boris Pasternaku i dërgoi këtë telegram Akademisë Suedeze: “Jam mirënjohës përtej mase, i prekur, krenar, i habitur dhe i hutuar. Duke pasur parasysh domethënien që i jepet këtij shpërblimi në shoqërinë së cilës i përkas, më duhet ta refuzoj këtë çmim që më është dhënë, ju lutem të mos e pranoni refuzimin tim, të vullnetshëm dhe me pakënaqësi…”.

ROMANI “DOKTOR ZHIVAGO”, PASQYRË E GJALLË E NGJARJEVE POLITIKE TË KOHËS

Romanin “Doktor Zhivago” Pasternaku nisi ta shkruajë në vitet 1910-1920 dhe e përfundoi në vitin 1955. Brendia e tij është pasqyrë e gjallë e ngjarjeve politike të Luftës së Parë Botërore, Revolucionit të Tetorit dhe të Luftës Civile të viteve 1918-1920, në Rusi. Pjesë e përmbajtjes së këtij romani janë edhe aludimet për përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet e kryera në kampet shfarosëse të bolshevikëve stalinistë. Shpesh brendia e këtij romani merr natyrë autobiografike. Nën lëkurën e protagonistit doktor Zhivago qëndron vetë Pasternaku, me historinë e tij të trishtë. Stalini, duke parë kundërshtimin antimarksist dhe kundërrevolucionar të këtij romani, orkestroi një sulm të ashpër kundër Pasternakut, edhe pse deri në atë kohë e kishte adhuruar atë për poezitë e tij dhe veçanërisht për gjuhën origjinale të përkthimeve në gjuhën gjeorgjiane, për shkak të origjinës së tyre të përbashkët. Ishte kjo ndoshta arsyeja që Stalini nuk e asgjësoi fizikisht, siç bëri me shumë të tjerë. Ky roman në vendin e sovjetëve mbeti i ndaluar, ashtu si dhe vetë autori i tij.

Pasternaku, shkruan Faik Konica, mbetet një shkrimtar me famë të madhe ndërkombëtare, romani i të cilit u bë qendër e një skandali që përfshiu shumë shërbime sekrete perëndimore të kohës. Ai, jo vetëm u përkthye në shumë gjuhë të botës, por dhe u lexua nga miliona njerëz. Ajo që e shqetëson Pasternakun në këtë roman është liria e njeriut dhe raporti i tij me shoqërinë. Populli rus luftoi për përmbysjen e një sistemi të vjetër, në emër të një lirie të vërtetë, por për fat të keq, ra në një kllapi më të errët, mbi një realitet akoma më absurd. Edhe vetë Pasternaku kishte luftuar për çmontimin e regjimit carist, por ende e ndiente veten të skllavëruar, ashtu si Sizifi, të cilin Zeusi e kishte detyruar të ngjitej e të ulej nga maja e një mali të thepisur, me gurin e rëndë mbi shpinë. S’ka gjë më të tmerrshme se sa stërmundimi për një punë që s’i shërben askujt. Këtë skllavëri mitike Pasternaku kërkon ta çmitizojë përmes mendimit universal dhe protagonizmit të doktor Zhivagos.

Ky libër nuk është vetëm një roman politiko-filozofik, por dhe një roman dashurie, ku doktor Zhivagoja vihet në mesin e dy të dashurave të tij. Nga njëra anë Tanja, me të cilën është rritur dhe martuar, ndërsa nga ana tjetër Lara, e cila i kishte rrëmbyer zemrën dhe e kishte verbuar shpirtërisht. Kjo dashuri nuk u zbeh nga mentalitetet e kohës. Romani nis me brengën që përjeton Juri Zhivagoja i mitur ditën që përcjell për në banesën e fundit nënën e tij, duke e lënë jetim. Ai tronditet aq shumë, saqë e kishte vështirë ta pranonte vdekjen e saj. Dramat e Jurit të vogël kishin filluar që herët. Edhe babai i tij, pasi kishte qenë i pasur, kishte vrarë veten, kur humbi pasurinë. I mbetur fillikat, ai u rrit nga daja i tij, derisa merret nën kujdestarinë e familjes Gromiko. Pasi mbaroi studimet për mjekësi, do të bëhej mjek i famshëm, me një shpirt të bukur dhe forca të pathyeshme. Ai ndeshet me plagët e luftës për t’i mposhtur ato. Këto plagë i shëronte jo vetëm me ilaçe dhe bisturi, por dhe me fjalën e tij të ngrohtë. Tërë jetën kishte qenë një fëmijë i pikëlluar.

Interesante është lidhja e dyfishtë e tij me Tanjën dhe Larën. Lara ishte martuar që në moshën 16-vjeçare me inxhinierin Kovarovski, i cili e keqtrajtonte. Ngaqë ai ishte pasanik dhe në moshë të madhe, ajo e trajtonte më shumë si baba, se sa si bashkëshort. Pasi ai e braktis, Lara lidhet me mendjengushtin e komunistin sektar, Pasha Antipov. Por edhe kjo lidhje nuk funksionoi. Lara ishte një grua e bukur që tërhiqte si magnet burrat e kohës. Ndërsa Pasha e kishte kokën të ngjeshur me dogma. Kur Lara vjen për të kërkuar bashkëshortin e saj, Pashën, që kishte braktisur familjen, njihet me doktor Zhivagon. Pas kësaj historie romantike fshihet dashuria e vërtetë e Pasternakut me Olgën 34-vjeçare, kur ai ishte 54 vjeç, në një spital ushtarak, pas Revolucionit të Tetorit. Është koha kur ai ndan mendime të kundërta me të tjerët për luftën.

Tashmë prek me sytë e mendjes absurditetin e tragjizmit njerëzor të kësaj lufte të gjatë shkatërrimtare. Ai sheh se, pas asaj sakrifice të madhe për lirinë e vërtetë, vjen shtypja e re sovjeto-staliniste. Në vend të shpresës së zhvillimit sheh vendosjen e dogmave morale dhe politike të një shtypjeje më të egër. Ata që nuk i pranojnë këto dogma dhe mashtrime mbyten me shtrëngata gjaku ose mbyllen në burgje të përjetshme politike. Shumë shokë të tij u detyruan të bëhen vegla të shtypjes absurde. Individi po tjetërsohej në dele kopeje. Prona e përbashkët po bëhej prona e askujt. Caristët ishin zëvendësuar me bolshevikët. Antipovi ishte tjetërsuar në gjakpirës i Armatës së Kuqe. “Armiqtë” e dogmës absurde i priste “Gulagu rus”. Këtë kishte dashur të kundërshtonte edhe Zhivago (Pasternaku), kur kishte kërkuar nga titanët e kohës të bëheshin reforma të reja. Ndaj u vu në gijotinën e seleksionit. Kështu nisi kalvari i përndjekjes së Zhivagos, i cili tashmë ishte i detyruar të merrte rrugën e vështirë të maleve të Uranit, për të shpëtuar kokën. Ishte koha kur Pasha Antipovi e akuzonte atë si përkrahës të politikës cariste. Te dashuria e dyfishtë, Juri Zhivagoja sheh lirinë e tij të vërtetë. Tanja rrit me dashuri vajzën e doktor Zhivagos që e lindi me Larën, ndërsa Pasha Antipovi përfundon me vetëvrasje. Doktor Zhivagoja kuptoi se njeriu, në atë regjim, nëse donte të ishte gjallë, duhet të hiqte dorë nga mendimi i lirë dhe jeta e tij personale.

Në vitin 1922 Zhivagoja kthehet në Moskë me mendimin që të bashkojë familjen, por fatkeqësisht zhduket në një kamp përqendrimi. Kur miqtë e Zhivagos shohin një vajzë të bukur, që kishte buzëqeshjen e ngrohtë të doktorit, dëshpërohen thellë për fatin e keq të këtij mjeku që sakrifikoi gjithçka për vendin dhe njerëzit. Ishte koha kur Zhivagoja e sheh qartë zhgënjimin e tij ndaj sakrificave që kishte bërë ai dhe miqtë e tij tërë jetën. Tanja i shkruante nga Moska plot mall e dhimbje këto fjalë: “Nuk të fajësoj për asgjë.” Ndërsa Juri Zhivagoja, përmes trillit krijues të Pasternakut, shkruan: “Në dashuri dhe në luftë gjithçka është e justifikuar”. Protagonistin e bren më shumë fakti se është zhdukur mendimi i lirë. Vendin e tij e ka zënë absurdi dhe marrëzia kolektive. Shpresën për një të ardhme më të mirë për vendin e tij Boris Pasternaku do ta shprehë nëpërmjet përshkrimit të bukur metaforik, të cilin e vendos mjeshtërisht në gojën e protagonistit të këtij romani me të njëjtin emër. Doktor Zhivagoja thotë: “Po lëviz nëna Rusi. S’i rrihet në një vend, ecën dhe s’lodhet, flet dhe s’ngopet. Nuk është puna se flasin vetëm njerëzit. Mblidhen e bisedojnë yjet e pemët, filozofojnë lulet e natës e bëjnë mitingje ndërtesat e gurta…”. (161)

Kur Pasternakut i kërkuan të largohej nga atdheu, ai tha: “Për mua, largimi nga atdheu është i barabartë me vdekjen.” Shkëlqimi dhe liria që kishte pritur Boris Pasternaku, pas tri dekada luftërash, nuk erdhi kurrë. Rusia po zbehej në sytë e tij gjatë atyre trazirave të ashpra politike dhe ai gjithë jetën shkroi se madhështia e saj do të shkëlqente një ditë…

SPAK ka gati mega-operacionin me mbi 150 urdhër arreste! Në listë, prokurorë, gjyqtarë, policë e kriminelë

Një “BIG operacion” është duke u përgatitur të kryhet këto ditë nga struktura e posaçme SPAK, ku në fokus të hetimit janë mbi 150 persona të cilët mësohet se përmes aplikacionit “Sky” janë të implikuar në veprimtari kriminale.

Goditja e madhe, ka në fokus dhjetëra punonjës policie, gjyqtarë dhe prokurorë që kanë përdorur aplikacionin “SKY”, nga ku kanë hyrë në kontakt me njërëzit e botës së krimit, duke i mbështetur dhe favorizuar në aktivitetet e tyre kriminale.

Ajo që po përgatitet tanimë në zyrat e SPAK dhe që çështje ditësh pritet të zbresë në gjykatën për shqyrtimin e masave të sigurisë, është një nga dosjet më të mëdha që është krijuar ndonjëherë nga prokuroria Shqiptare.

Kulmi fillestar e ka kapur Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë operacionit “Vol-vo” me mbi 60 persona të arrestuar. Ndërsa numrin e dytë e shënoi operacioni “Rrevanshi”, me plot 50 masa arresti në burg për disa nga emrat e njohur të botës së krimit në Shqipëri dhe tre punonjës policie.

Por tashmë ajo që do thyejë limitet e çdo operacioni të kryer në ndonjëherë në Shqipëri, është ajo që po “piqet” këto ditë, ku mësohet se bëhet fjalë për rreth 150 persona, prokurorë, gjyqtarë, policë dhe eksponentë të botës së krimit, për të cilët do kërkohet arrestimi.

Sigurisht dhe në këtë ,”BIG operacion”, prova kryesore janë bisedat e zhvilluara në aplikacionin “Sky”, i cili tashmë është kthyer në gropën thithëse të disa prej anëtarëve më të njohur të botës së krimit dhe zyrtarëve të Policisë së Shtetit dhe jo vetëm.

“Mungojnë kontrollet e rregullta dhe cilësia e shërbimit”- Eksperti ngre alarmin: Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri në Ballkan, shumë më e lartë se sa në BE

Vendet e Ballkanit kanë një përqindje shumë më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet që kanë lidhje me kancerin se sa vendet e Evropës Perëndimore. Bashkim Ziberi, profesori i fizikës mjekësore në Universitetin e Tetovës dhe aktivist i shëndetit botëror, thotë në një interviste me Zërin e Amerikës se pavarësisht se numri i të prekurve me kancer në Ballkan është më i ulët se sa në BE, shkalla e vdekshmërisë në Ballkan është 60 % ndërsa në vendet e bllokut evropian është 35 %.

Gjatë bisedës me Artan Haraqija, profesor Ziberi i cili ka qenë pjesëmarrës i programit Fulbright në Institutin për Kancerin ‘Dana Farber’ të Universitetit të Harvardit, sqaron arsyet pse ekziston ky dallim i madh. Ai ndodhet këto ditë në Uashington si bashkëorganizator i takimit për shëndetin botëror që ka për qëllim të zbusë pabarazinë në zbulimin e hershëm dhe trajtimin e pacientëve me kancer në vendet me të ardhura të ulëta në raport me vendet e zhvilluara.

Ju jeni një nga bashkorganizatorët e takimit për shëndetin Global në Uashington. Mund të na flisni pak për këtë takim?

Bashkim Ziberi: Që në vitin 2018, kur isha me Fullbright në Fakultetin e Mjekësisë të Harvardit filluam të bashkëpunojmë në lidhje me shëndetin botëror. Përveç takimit vjetor që organizohet në Shtetet e Bashkuara ka dhe takime të tjera që organizohen në vende të ndryshme të botës. Ideja e këtyre takimeve është për të mbledhur aktorë të ndryshëm të fushave të ndryshme për të diskutuar, bashkëpunuar dhe rritur bashkëveprimin në luftën ndaj sëmundjeve kancerogjene. Kjo bëhet veçanërisht për të ulur pabarazinë në cilësinë e trajtimit të këtyre sëmundjeve në vendet e zhvilluara në raport me vendet në zhvillim ose siç iu themi ne, vendet me të ardhura të ulëta apo mesatare.

Vendet e rajonit përfshihen tek vendet e pazhvilluara? Ju pyes sepse dihet që pacientët që vuajnë nga kanceri në rajon kryesisht nuk gjejnë shërim në Ballkan.

Bashkim Ziberi: E dimë të gjithë që sëmundjet që kanë lidhje me kancerin janë faktori numër një i vdekjeve në botë. Në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim është faktori i parë apo i dyti. Vendet tona hyjnë në listën e vendeve në zhvillim. Ka publikime të ndryshme shkencore që nga njëra anë tregojnë se numri i rasteve me kancer në vendet tona është më i ulët se sa në vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e Evropës perëndimore, por nga ana tjetër vdekshmëria është shumë më e lartë. Nëse mbështetemi në këto të dhëna shkencore, vdekshmëria në vendet e Ballkanit është rreth 60 përqind, ndërsa në vendet e Evropës perëndimore kjo shifër është 34 apo 35 %.

Cilat janë shkaqet kryesore për këtë?

Bashkim Ziberi: Shkaqet kryesore janë në cilësinë e trajtimit të pacientëve. Duke filluar nga zbulimi i hershëm që është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm, më pas janë kontrollet e rregullta, mundësitë që u jepen njerëzve tek ne për të bërë analiza të rregullta dhe deri tek cilësia e shërbimit që u ofrohet pacientëve pasi diagnostikohen. Të gjithë këta elementë së bashku e përbëjnë atë ciklin që për fat të keq tek ne nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo reflektohet edhe me numrin e lartë të vdekshmërive në raport me vendet e zhvilluara.

 Ju keni përvojë në kërkimet shkencore që kanë të bëjnë me trajtimin e sëmundjeve që kanë lidhje me kancerin me anë të nanogrimcave. Mund të flisni pak për këtë teknikë dhe të njejtën kohë a po shfrytëzohet kjo teknikë në ndonjë prej klinikave në Maqedoninë e Veriut, apo në rajon?

Bashkim Ziberi: Jo, në vendet e Ballkanit as që mendohet të zhvillohet ndonjë teknikë e tillë. Metodat dhe teknikat standarde që ekzistojnë janë ato që përdoren për diagnostikimin dhe trajtimin dhe që shrytëzohen atëherë kur kanceri është zhvilluar. Kur është fjala për nano-teknologjinë dhe nano-grimcat, ato mund të përdoren në të dyja rastet: për diganostikim dhe trajtim. Për këtë metodë, që të zbulosh sëmundjet kancerogjene, të duhet vetëm një grumbull i vogël qelizash kancerogjene. Pjesa e nano-teknologjisë dhe nano-grimcave ka marrë hov të madh në fusha të ndryshme, në grupe të ndryshme shkencore për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene. Një pjesë e mirë e tyre janë akoma në fazën e studimeve para-klinike dhe klinike. Për shembull, për atë pjesën me të cilën jemi marrë në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard, në Institutin e Kancerit Dana-Farber, kolegët vazhdojnë ta ndjekin këtë çështje dhe momentalisht janë në fazën e krijimit të studimit klinik me 25 pacientë.

Ju përmendët se shkalla e vdekshmërisë në vendet e rajonit është shumë më e lartë se sa në vendet e BE-së, por e dini se cili është lloji i kancerit që prek më së shumti banorët e Ballkanit?

Bashkim Ziberi: Në vendet tona kanceri numër një është ai i mushkërive dhe në pjesën më të madhe ka të bëjë me konsumimin e lartë të duhanit. Lloji tjetër është kanceri i gjirit tek gratë, pastaj kanceri i zorrës së trashë, e kështu me radhë. Duhet përmendur se një pjesë e këtyre llojeve të kancereve kanë mundësi të mira shërimi nëse mund të zbulohen me kohë. Ka edhe lloje të tjera të kancereve që janë më vdekjeprurës dhe që janë në përqindje më të vogël tek pacientët, por që vdekshmëria është mbi 95 % siç është kanceri i pankreasit.

Sa mendoni se janë në gjendje autoritetet shëndetësore në vendin tuaj t’i përgjigjen sfidave rreth sëmundjes? Thatë që shumica e rasteve ka të bëjë me zbulimin e vonshëm të kancerit; pse ndodhë kjo? Nuk ka vetëdijësim tek popullata apo ka diçka që mund të bëjnë autoritetet shëndetësore?

Bashkim Ziberi: Janë të dyja nga pak. Popullata ka paragjykime për pacientët që kanë sëmundje nga kanceri. Sensibilizimi i popullatës duhet të fillojë që herët. Për shembull, një pjesë e fëmijëve tek ne, si vajzat në klasat e teta apo nënta nuk e marrin vaksinën HPV sepse mendojnë që është kundër fertilitetit.

Ka të bëjë kjo me keqinformim?

Bashkim Ziberi: Ka të bëjë me keqinformim, ka të bëjë me paragjykimin tek popullata që nuk kanë besim tek autoritetet. Por, nga ana tjetër nuk diskutohet se autoritetet mund të bëjnë më shumë nëse ata do të kishin një strategji afatgjatë për të diagnostikuar sëmundjet kancerogjene. Për shembull, një çështje është ajo e mamografisë. Pacientët tek ne duhet të presin me muaj e vite e shpesh nuk ka fare vizita në dispozicion për të bërë një kontroll të mamografisë.

Ka mjekë të mjaftueshëm dhe pajisje të duhura për trajtimin e pacientëve?

Bashkim Ziberi: Pajisjet janë një prej problemeve që përmenda dhe ajo nuk diskutohet. Edhe kur ato janë, nuk janë të siguruara në formën që të përmbyllin atë mozaikun, atë ciklin e plotë të kontrolleve që duhet të bëjnë pacientët.

E keni fjalën për mirëmbajtjen e tyre?

Bashkim Ziberi: Po edhe për mirëmbajtjen e tyre sepse nuk përfundon puna vetëm me sigurimin e paisjeve. Në Maqedoni kemi tre akseleratorë pasi 50% e pacientëve që diagnostikohen me kancer marrin terapi të rrezatimit. Tre i kemi në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, një në spitalin Tetë Shtatori (në Shkup) që do të vihet në funksion. Kemi 1 akselerator në Shtip dhe Manastir që ka 3 apo 4 vite që nuk janë në funksion për shkak të stafit teknik që mungon. Kurse, në Tetovë, nuk e kanë menduar fare që në Klinikën Universitare të Tetovës të vendoset një pajisje e tillë.

Nuk ka staf teknik sepse nuk i punësojnë apo mugojnë sepse nuk ka persona të kualifikuar?

Bashkim Ziberi: Mungojnë personat e kualifikuar për profesione të tilla, por mungon edhe strategjia e institucioneve publike për të krijuar kuadro të tillë.

Ju jeni profesor i Fizikës mjeksore në Universitetin e Tetovës. Pse ka mungesë, për shkak se është një fushë e vështirë?

Bashkim Ziberi: Tek ne nuk përceptohet ashtu siç duhet roli i fizikanit mjekësor. Për shembull në Spitalin e Tetovës ne kemi pajisjet e rrezatimit, rentgen, ultra-tinguj, mamograf dhe nuk kemi asnjë fizikan të fushës së mjekësisë. Me rregulla ndërkombëtare duhet të kemi deri në 3 fizikanë mjekësorë, pra nuk përcaktohet siç duhet ky rol. Në përgjithësi, në fushat e shkencave të natyrës ne kemi vështirësi të krijojmë kuadro për shkak të mungesës së perspektivës, pasi të rinjtë nuk e shohin të ardhmen tek arsimi. Kjo bën që të mos kemi studentë, të mos kemi as pedagogë dhe as te pjesa e profesionistëve të fizikanëve mjekësor. Pozita e fizikanit mjekësor është më e avancuar pasi fillimisht duhet përfunduar fizikën e përgjithshme.

Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ndodhen në listën e 1 mijë universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së Shangait. Cila është arsyeja?

Bashkim Ziberi: Universitetet tona të rajonit dhe universitetet në shqip nuk janë as në listën e 2 mijë universiteteve më të mira. Pra, nuk janë fare në listën e Shangait. Kjo ka të bëjë me mungesën e cilësisë. Duke filluar nga pjesa infrastrukturore dhe pjesa e kuadrit dhe pjesa e strategjisë për të zhvilluar arsimin në tërësi, përfshirë arsimin e lartë dhe hulumtimin shkencor sepse janë ngushtësisht të lidhura në mes vete./voa

“Putin nuk do të ndalet në Ukrainë”- Paralajmëron Biden: E gjithë Evropa është e kërcënuar!

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përsëritur të shtunën mbështetjen e fuqishme për Kievin teksa e lufton pushtimin rus, dhe ka paralajmëruar që Kremlini nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse fiton.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.

Presidenti rus, Vladimir “Putin nuk do të ndalet në Ukrainë… E gjithë Evropa është e kërcënuar. Ne nuk do të lejojmë të ndodhë diçka ashtu”, ka thënë Biden.

“Shtetet e Bashkuara janë duke mbështetur Ukrainën. Nuk do ta braktisim, e përsëris”.

Macron e ka falënderuar Bidenin për këto qëndrime.

“Faleminderit zoti president, që jeni president i fuqisë më të madhe të botës dhe që e kryeni këtë detyrë me besnikërinë e një partneri që respekton evropianët”.

Macron e ka mirëpritur Bidenin në Paris, duke konsideruar që vizita e zyrtarit të lartë amerikan shpërfaq lidhjet e fuqishme mes dy shteteve për çështjet e sigurisë globale.

Biden është pritur me nderime të larta dhe dy presidentët më pas kanë kryer homazhe te ushtarët e rënë gjatë luftës, si dhe janë takuar me veteranë të Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia zyrtare ka nisur në Harkun e Triumfit në Paris.

Më pas, të dy, bashkë me zonjat e para, janë nisur drejt Pallatit Elysee për një drekë pune.

Biden është në Francë prej 5 qershorit, dhe bashkë me Macronin, kanë marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave ushtarake të forcave aleate në Normandi, veprim që më pas ka rezultuar me mposhtjen e nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Përgjatë përkujtimit të ngjarjeve historike, Biden ka bërë thirrje për mbrojtje të demokracisë në vendin e vet dhe përtej.

Në Francë, Biden është takuar edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, Biden ka prezantuar edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.

Macron, në anën tjetër, i ka thënë Zelenskyt më 7 qershor se është duke finalizuar atë që e ka përshkruar si “koalicionin më të gjerë ndonjëherë” të instruktorëve ushtarakë për Ukrainën.

Kievi i bën thirrje vazhdimisht Evropës për ta ndihmuar ushtarakisht, sidomos pasi Rusia ka shënuar disa fitore në fushëbetëjë, vecanërisht në rajonin e Harkivit.

Megjithatë, zëdhënësi i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, John Kirby, u ka thënë gazetarëve më 7 qershor që, për shkak të ndihmës së miratuar së fundmi nga SHBA-ja, ukrainasit kanë arritur të përmbysin disa avancime ruse, sidomos rreth Harkivit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më 7 qershor në Shën Petersburg se, Rusia është “e gatshme për bisedime” me disa kushte, përfshirë “realitetin e të sotmes”, referencë për aneksimin ilegal të Krimesë dhe katër rajoneve në juglindje të Ukrainës.

Megjithatë, lideri i Kremlinit ka pretenduar se Evropa është “e pambrojtur”, për shkak të mungesës së një sistemi të hershëm të paralajmërimit.

Ai ka thënë se Rusia ka “disa herë më shumë” armë bërthamore sesa që janë aktualisht në kontinentin evropian “madje edhe nëse SHBA-ja bart të vetat”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

FOTO/ Kombëtarja në EURO 2024 vlen mbi 110 milionë euro, ja çmimet e kartonit të secilit prej futbollistëve kuqezi

Trajneri Silvinjo ka zyrtarizuar sot listën e futbollistëve që do të marrin pjesë në EURO 2024, duke bërë përzgjedhjen përfundimtare të 26 kuqezinjve për turneun. Një përzgjedhje e cila sipas ekspertëve të “Transfermarkt”, kalon vlerën 110 milionë euro.

Duke përllogaritur vlerat e kartonit sipas këtij portali për secilin nga futbollistë kuqezi, vlera e 26 lojtarëve të Shqipërisë që janë grumbulluar për këtë turne është 111,6 milionë euro.

Më shumë se gjysmën e kësaj shume e mbulojnë katër emrat e parë në listë me Armando Brojën i cili vlerësohet 22 milionë euro nga “Transfermarkt”. Jo shumë larg pas tij, me 18 milionë euro, vlerësohet Kristjan Asllani, ndërsa vendi i tretë i ka shkuar tashmë Ernest Muçit, i cili ka pësuar një rritje të rëndësishme duke u vlerësuar me 13 milionë euro. Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti është në kuotën e 10 milionë eurove në vendin e katërt në këtë klasifikim.

Sa u përket lojtarëve me vlerën më të ulët, Amir Abrashi është ai që ka kartoni me vlerësohet më pak, vetëm 200 mijë euro. Pak më sipër tij janë Gjasula dhe Aliji, vlera e kartonëve të të cilëve është aktualisht 400 mijë euro. Etrit Berisha me 500 mijë euro është futbollisti tjetër i kësaj liste që vlerësohet nën 1 milionë euro nga ekspertët e “Transfermarkt”.

Keni gjatë gjithë kohës uri? Këto janë tre arsyet që shkaktojnë këtë ndjenjë

Një nga ankesat më të zakonshme të atyre që përpiqen të humbin peshë është se ata janë vazhdimisht të uritur, kështu që shpesh hanë vakte jo aq të shëndetshme.

Në fakt, mund të na ketë ndodhur të gjithëve që të ndjejmë ndjenjën e urisë edhe pak kohë pas një vakti.

Por pse mund të jetë kështu? Shikoni tre arsye të mundshme sipas ekspertëve…

Mungesa e gjumit

E vërteta është se tek shumë njerëz mungesa e gjumit mund të çojë në një rritje të ndjenjës së urisë dhe kjo për shkak se hormonet natyrore të trupit janë të çrregulluara. Kështu, si rezultat, ata mund të ndjejnë papritur një paaftësi për t’i rezistuar ushqimeve të shijshme, duke rezultuar në shtim në peshë.

Marrja e pamjaftueshme e ujit

Uji është një nga mjetet bazë për të frenuar oreksin e dikujt për ushqim pasi shkakton ngopje. Në fakt, sipas hulumtimeve, femrat që kanë konsumuar gjysmë litër ujë 30 minuta para drekës, pas një periudhe prej tetë javësh, kanë ulur oreksin dhe kanë humbur peshë.

Marrja e lartë e sheqerit

Studime të ndryshme kanë konfirmuar se marrja e tepërt e sheqerit duket se rrit oreksin, pikërisht sepse shkakton më shumë prodhim të grelinës. Pra, me uljen e marrjes së sheqerit, zvogëlohet edhe dëshira e vazhdueshme për të ngrënë.

Lulzim Basha poston foto nga univeristeti i Holandës: Të vendosur për kjimin e standardeve europiane për studentët dhe pdeagogët shqiptarë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Holandë, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e pritjes për ish-studentët e Universitetit Utrehtit, ku ka studiuar bashkë me bashkëshorten e tij, Aurelën.

Basha ka ndarë një foto nga eventi, teksa shkruan se është mirënjohës për kohët e arta të studimeve në këtë tempull të dijes dhe shkencës, duke shtuar se është i vendosur për krijimin e standardeve europiane për studentët dhe pedagogët shqiptarë.

Basha dhe Aurela kanë ndjekur studimet e plota dhe janë diplomuar në Universitetin e Utrecht, në Holandë. Pas studimeve Basha ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Misionin e OKB-së në Kosovë, derisa vendosi të kthehet në Shqipëri dhe të angazhohej në politikë.

Postimi i kreut të PD:

Përherë emocionues dhe i bukur rikthimi bashkë me Aurelën në Universitetin e Utrechtit në mbrëmjen tradicionale të Rektorit bashkë me ish-studentë dhe profesorë. Mirënjohës për kohët e arta të studimeve në këtë tempull të dijes dhe shkencës – i vendosur të krijojmë standarte europiane për studentët dhe pedagogët shqiptarë.

PD shënjestron dështimet e qeverisë Rama: 100 ekspertë në punë për zbatimin e prorgramit të PD, sigurojmë mirëqenie për familjet shqiptare

Partia Demokratike ka publikuar një video në rrjetet sociale përmes së cilës rreshton disa nga dështimet më serioze të qeverisë Rama, ashtu siç ato janë pasqyruar nga mediat dhe raportet ndërkombëtare.
Në përgjigje të kësaj fatkeqësie kombëtare, PD shprehet se programi i saj i hartuar në bashkëpunim me 100 eskpertë vendas dhe të huaj, është zgjidhje dhe alternativa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Akademikë, juristë, mjek, arsimtarë, inxhinierë, ekspert në fushën e teknologjisë së informacionit, të përndjekur e pronarë, ekspertë të bujqësisë, ishin pjesë e prezantimit të vizionit të PD për të luftuar korrupsionin dhe varfërinë e shkaktuar nga qeverisja e Ramës në Kuvendin e 1 qershorit.
Sipas PD ekipi ka vizionin, përgatitjen dhe vendosmërinë për ta zbatuar këtë program dhe të hap një horizont të ri mirëqënieje dhe shprese për familjet shqiptare.

Postimi i plotë:

“Shqipëria lëngon për shkak të një qeverie të papërgjegjshme, që e ka kthyer korrupsionin në sistem, eksporti kryesor i së cilës janë shqiptarët nëpër botë.
Çdo shtresë e shoqërisë, çdo familje, çdo i ri dhe e re, e ndjen peshën e rëndë të politikave të gabuara dhe prioriteteve korruptive.

Shqiptarët nuk i meritojnë koston e papërballueshme të jetesës, taksimin mbytës, arrogancën dhe klientelizmin që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe rrisin varfërinë.
Shqiptarët meritojnë më shumë!

Prandaj, në respekt dhe dhembshuri për nevojat e bashkëqytetarëve tanë, më shumë se 100 ekspertë, vendas e të huaj, kanë punuar intensivisht për t’u dhënë zgjidhje problemeve të shqiptarëve përmes programit të Partisë Demokratike. Një ekip që ka vizionin, përgatitjen dhe vendosmërinë për ta për ta zbatuar planin tonë, përmes një kuluture politike me fytyrë njerëzore, e cila hap një horizont mirëqenieje dhe shprese për të gjitha familjet shqiptare.”

Ashtu sikurse është diskutuar gjerësisht këtë javë, programi i PD është ndarë në 10 blloqe kryesore, sikurse 10 ishin dhe tavolinat e ekspertëve në Kuvend, të cilat shpalosën propozimet kryesore të demokratëve për shqiptarët.
Ja një përmbledhje e tyre:

1. FONDI PËR MIRËQENIEN E FAMILJES
2 000 € për çdo bebe; 20 000 € për fëmijën e tretë; 30 000 çifte të reja shqiptare marrin subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpinë.

2. MENDJE E SHËNDOSHË, TRUP I SHËNDOSHË
Drekë për nxënësit në gjithë shkollat 9-vjeçare dhe të mesme; Shkollë gjatë gjithë ditës, kurse kompjuteri, gjuhë të huaj, klasa arti dhe klasa sportive deri në orën 16:00.

3. NEXTGEN
Trajnim/ Praktike pune e paguar 1 vjeçare për 10 000 të rinj pas shkollës së mesme; 4 Kampuse për 25 000 të rinj për Teknologjinë e Informacionit dhe programimit.

4. TAKSË E SHESHTË 9%
Tatim fitimi 9% Profesionet e lira 9% Tatim për të ardhurat personale 9% Dividenti me taksën e sheshtë 9%

5. REFORMA E PRONËS
Kthim i menjëhershëm i pronës aty ku është e lirë; Kompensim me vlerë tregu ku është zënë; Lëshimi i obligacionit/ bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës; Regjistrim i pronave me parimin Uti Posidetis.

6. MBËSHTETJE PËR FAMILJET FERMERE
Çdo vit do të akordohen 100 milionë € subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë; 50 milionë € në infrastrukturë, për mbështetje të drejtëpërdrejtë (Përfitues 150 mijë fermerë)

7. RRITJE E PENSIONEVE
Bonus periodik
STATUSI I TË PËRNDJEKURIT
Me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-ushtarakut.

8. KRIJOHET XHANDARMËRIA KOMBËTARE
5000 djem dhe vajza të moshës 18-22 vjec që angazhohen në 4 vite shërbim aktiv në forcat e armatosura, bashkë me trajnimin marrin një profesion, ose diplomohen me shpenzimet e shtetit. (Paguhen si rezervistë deri në moshën 45 vjeç)

9. GJYKATA E AUDITIT
Shteti merr përsipër të zerojë çdo detyrim të qytetarëve në problematikat me natyrë administrative në raport me institucionet e shtetit.
NJËSIA E ZBULIMIT TË PASURISË SË VJEDHUR

10. UDHËTIMI PA VIZA NË AMERIKË
Brenda mandatit të parë.

“Taksa 9% do zhvillojë ekonominë”/ Sefa për programin e PD: Ja si do ta ndihmojmë drejtësinë për uljen e stokut të dosjeve të prapambetura…

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Indrit Sefa, në një intervistë për Ora News foli për programin e PD, duke prezantuar disa nga propozimet kryesore për ekonominë dhe drejtësinë.

Sipas tij, taksa progresive e qeverisë Rama ka goditur ekonominë, në vçanti shtresën e mesme, duke dëmtuar iniciativën e lirë. Ai theksoi se taksa e sheshtë 9% e propozuar nga PD do rrisë ekonominë.

“Ne kemi vendosur që të kemi një taksim të sheshtë me një nivel taksimi, që është 9%. Kjo është një nga taksat më të ulëta që ka sot rajoni i Ballkanit. Dhe ne mendojmë që kjo do të rrisi dhe do të zhvillojë motorin ekonomik të Shqipërisë, duke rritur iniciativën e lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë suprimuar dhe janë goditur taksat e jashtëzakonshme dhe progresive të qeverisë të PS e cila për shtresën e mesme e ka çuar deri në 23%. Kjo ka detyruar që profesionistët e lirë të largohen nga vendi. Ne mendojmë që ky taksim do i japi mundësi qeverisë shqiptare të shtojë të ardhura, pasi qytetarët nuk do të kërkojnë të bëjnë më evazion fiskal. Por duke pasur nëj barë më të lehtë fiskale, ata do të detyrohen dhe do jenë më të prirur dhe të adresuar për të paguar taksat dhe detyrimet tatimore” – tha Sefa.

Po ashtu Sefa u ndal edhe te propozimet për të lehtësuar punën e drejtësisë, për sa i përketë dosjeve të prapambetura, për të cilat deklaroi se qeveria e ardhshme do të heq dorë nga rekurset dhe ankimimet në të cilat shteti është palë. Duke iu referuar propozimit të PD, ai tha se urdhrat e ekzekutimit nuk do të bëhen në gjykatë, por te noteri si një funksionar publik.

“Kemi paketën për drejtësinë e cila i lehtëson qytetarët shqiptarë nga një tmerr i jashtëzakonshëm. Sot edhe si pasojë e reformës në drejtësi dhe mos parashikimit të pasojave të reformës në drejtësi, ne kemi gjyqe që vazhdojnë me vite, domethënë me 5, 6, 7 e deri në 10 vite në procese gjyqsore. Ne me propozimet tona mendojmë që një pjesë e madhe e këtyre dosjeve të stokt që ka gjykata sot prej 114 mijë dosjesh do të reduktohen, pasi qeveria do të marri përsipër heqjen dorë nga rekurset, ankimet e të gjitha çështjeve që janë me palë shtetin.
Edhe dosjet e tjera që janë lëshim urdhrash ekzekutimi, që lidhen drejtpërdrejtë me ekonominë e subjekteve dhe individëve, nuk do bëhen më në gjykatë, por do të bëhen tek noteri si një funksionar publik, i cili është i licensuar nga ministria. Dhe këto do të lehtësojnë stokun e dosjeve që ndodhen në gjykatë, duke i dhënë mundësi që çështjet e qytetarëve shqiptarë të adresohen nga gjykata ose të shqyrtohen nga gjykata në një kohë më të shkurtër, duke ulur kohën e shqyrtimit të çështjeve në dy ose maksimumi në 3 vite. Nga 7-8 ite që është sot, në 2 ose 3 vite”
– vijoi Sefa.

Bejko: Prezantimi 1 vit përpara i porgramit nga PD është akt emancipues, propozimet janë tërësisht të realizueshme

Në një intervistë për mediat, nënkryetari i PD, Roland Bejko, ka folur për programin e Partisë Demokratike që u prezantua në Kuvendin e datës 1 qershor. Bejko e cilësoi empacipuese prezantimin e programit 1 vit para zgjedhjeve, duke i dhënë kështu kohë qytetarëve dhe grupeve të interesit për t’u njohur me të.

Sipas nënkryetarit të PD, kjo lëvizje është një dorashkë sfide ndaj partive të tjera, të cilat do të duhet të prezantojnë edhe ato programe, e jo të shkojnë me tallava e timon përpara qytetarëve.

“Është dhe një moment emancipues për shoqërinë tonë, sepse duke e filluar debatin shpejt, do të bësh të mundur që edhe ata që sot janë indiferent ndaj lajmit që Partia Demokratike ka nxjerr një program, nesër do të bëjmë duke e vazhduar dhe e thelluar debatin, nesër do të bëhen kuriozë të dëgjojnë çfarë përfitojnë, ku janë të përfshirë në këtë program, ku gjenden interesat e mia në këtë program të kësaj force. Dhe nëse do të mbarojnë dhe këto ironitë dhe shpotitë e këtyre të tjerëve, pastaj do të bëhet faza e tretë që do të jetë faza e pranimit të programit. Dhe në fund do të vij faza e gjykimit dhe e votimit. Pra, do të mbahet një qëndrim për programin, do s’do sepse një diskutim për një kohë të gjatë do të bëj që dhe aktorët e tjerë politik, faktorët e tjerë politik, partitë e tjera politike dhe këto të dalin me program. Pra, nuk do të flitet më, nuk do ta ketë të lehtë të shkojë me tallava, me timon dhe tepsi kushdo që pretendon se e ka mbaruar çështjen e zgjedhjeve, por do të jetë i detyruar të dali me teza, me vizion, me program. Sepse ne i hodhëm dorashkat, ne e bëmë sfidën dhe qytetarët janë të interesuar, do thonë: ne po dëgjojmë Partinë Demokratike, por prit të dëgjojmë dhe partitë e tjera.” Tha ai.

I pyetur nëse kishte ndonjë pjesë të programit që për të është e panegociueshme, Bejko u përgjigj duke vendosur prioritetin tek antikorrupsioni, që sipas të cilit është edhe fusha nga e cila do të gjenerohen fonde shtesë për të garantuar mirëqëverisjen.

“Pika e panegociueshme për mua është antikorrupsioni, pra merr reforma strukturore e shtetit që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe me ndarjen e qartë të pushteteve. Këtë e kemi tek pika e parë e programit të Partisë Demokratike, sepse as reforma mbi pronën, as reforma mbi familjen, as reforma mbi shtetin efikas, as ekonomia vet nëse nuk luftojmë korrupsionin. Bara më e rëndë, taksa më e rëndë, gjëma më e madhe që i ka bërë këtij populli kjo qeveri, por dhe qeveritë e mëparshme, është pikërisht korrupsioni. Si korrupsioni i vogël i ryshfeteve, ashtu dhe korrupsioni i madh me abuzimet me fondet publike. Prandaj është urgjente me çdo kusht e drejtësisë dhe ne kemi propozuar jo vetëm që do ta mbështesim drejtësinë e re dhe do të krijojmë të gjithë klimën që kjo drejtësi të zhvillohet dhe të punojë si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu dhe në aspektin e burimeve financiare, por edhe në ndërtimin e godinave të infrastrukturës. Se pa këto kushte, nuk punojmë dot, nuk jemi efikas në reforma. Nuk mund të flasim që do të ketë sukses reforma, nëse nuk bëhet lufta kundër korrupsionit. Për këtë arsye, KLSH që kemi sot, e kemi propozuar për ta kthyer në gjykatë të auditit që do të thotë vendimet e tij nuk do të jenë vetëm rekomanduese, por konkluzionet e raportit të KLSH do të jenë detyruese. Domethënë do të merret vendim nga gjykata e auditit siç e kanë dhe disa nga vendet e Bashkimit Europian. Por jo vetëm kaq, do të ndiqet paraja e pist, do të ndiqen investimet me abuzimet publike dhe të gjitha këto do t’i kthehen qytetarëve, do t’i kthehen shtetit, do të kthehen në të mirë publike.”– vijoi Bejko.