18.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

“Metamorfoza” e Edi Ramës është Luftar Hysa

Kur televizioni MCN publikoi fotot e Luftar Hysës duke dalë nga zyra e Edi Ramës të dy reaguan menjëherë publikisht. Zoti Hysa shkoi në emisionin Opinion të Blendi Fevziut duke deklaruar se qëllimi i vizitës së tij në kryeministri ishte artistik.

“Unë kam një mikun tim që është nga Skocia dhe jeton në Londër. Maksi është fotograf dhe shkruan libra. Dhe ky njeri donte të bënte një libër për Shqipërinë. Në telefonin tim i kam të gjitha bisedat me Maksin. Duke parë që Rama është edhe artist dhe i pëlqen kjo lloj fushe, mendova që e vetmja gjë që mund të bëja është t’i propozoj këtë projekt,” tha Hysa

Pra, zoti Hysa kishte shkuar në zyrën e kryeministrit për të ndihmuar mikun e tij skocez që të shkruante një libër për të promovuar Shqipërinë. Por që libri të realizohej me sukses duhej që më parë ai t’i nënshtrohej sugjerimeve dhe kritikës së komisionit letrar në kryeministri, të përbërë nga zoti Hysa dhe kryeministri Edi Rama.

Fati i librit të mikut skocez nuk u mor vesh asnjëherë. Por në atë kohë zoti Hysa angazhoi arsenal të fuqishëm mediatik për të mohuar lidhjet tij me kartelin e Sinaloas pas akuzave nga shtypi meksikan. Por edhe kryeministri u angazhua fort publikisht. I pyetur nga gazetarët në Shqipëri për takimin e tij me Luftar Hysën, Edi Rama i quajti akuzat shpifje dhe mediat e vatanit llum.

“E para nuk besoj se ka ndonjë dallim mes medias në fjalë meksikane dhe tuajës, se mund të thuhen të vërteta dhe shumë të gënjeshtra.Unë e konsideroj të neveritshme që me një copë letër që del diku, një artikull që del diku merret një familjet e tërë dhe kryqëzohet pa e pyetur fare, kush jeni, ku jeni dhe me çfarë merreni. Dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë dhe lidhet me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë. Nuk e di si bëhen këto pa asnjë kërkim dhe verifikim. Kap emra, përplasi pas murit. Ju qofshi dhe Zoti ju pastë nën kujdes juve që merreni me këtë sport. Unë nuk njoh ndonjë kartel, nuk kam lidhje me asnjë aktivitet ilegal. Nuk jetoj për të ngrënë më shumë dhe jashtënxjerrë sa më shumë, por për disa arsye të tjera. Ju kam lënë Zotin atyre që ndërtojnë të tilla fabula, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që përfshihen në këto sulme dhe goditje që shkatërrojnë jetë njerëzish. Doli një artikull atje dhe mbushet gjithë rrjeti i kanaleve të vatanit këtu me një llumhane që nuk di si i bëhet për ta frenuar” deklaroi Rama.

Por ky version i kryeministrit nuk i qëndroi shumë kohës. Një ditë më parë, kur u pyet nga gazetarët e Rai Tre nëse e kishte takuar Luftar Hysën, Edi Rama pati një qëndrim tjetër. Këtë herë mediat nuk ishin më llum dhe kryeministri nuk ishte më aq i bindur për pastërtinë e zotit Hysa.

“Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër,” tha Rama.

Megjithatë ky nuk ishte përgënjeshtrimi i vetëm i kryeministrit në lidhje me atë takim. Para gazetarëve të Rait zoti Rama pranoi se arsyeja e vizitës së Luftar Hysës në zyrën e tij ishte liçenca e kazinosë.

“Atje ka një investim të një familje vlonjate, që janë shumë të njohur në Vlorë. është një hotel me 5 yje, Marina Bay, një nga më të bukurit në Shqipëri. Dhe një ditë më telefonuan. Më thanë që është një kushëriri a i njohori ynë që jeton në Meksikë dhe që do të na ndihmojë për të operuar kazinonë. U thashë shumë mirë, ejani. Erdhën në zyrën time, i takova. Më thanë nëse kishte ndonjë ndalesë ligjore dhe më pyetën për informacione të përgjithshme mbi realizueshmërinë e kazinosë. Unë u thashë që në kemi një ligj të thjeshtë. Për të incentivuar hotelet me 5 yje, që nuk ishin në Shqipëri, kemi bërë një paketë lehtësuese taksash dhe u kemi dhënë të drejtën për të patur kazino. Ata e kishin këtë strukturë me 5 yje dhe automatikisht u jepej,” deklaroi kryeministri në Report.

Nuk dihet nëse kryeministri e ka në biklotekën e tij librin e skocezit. Por dihet e sigurtë që tek Marina Bay ka një kazino. Në fund të fundit libri dhe kumari janë sektorë shumë të ngjashëm me njëri tjetrin. Kryeministrit thjesht i ka rënë barra e rëndë, që në zyrën e tij t’i presë të gjithë. Edhe shkrimtarët, edhe bixhozxhinjtë, edhe ata që rrugës mund të dalin narcos./Kapitali.al

Këndesëria rithemeluese!

Nga Arbër Hitaj

Këndesi, sipas gjuhës shqipe është një shpend shtëpiak, ose mashkulli i pulës. Por ka dhe kuptim tjetër metaforik, një njeri që ngrefoset ose mendjemadh. Sipas gazetarëve me memorie këndesi ka qenë dhe pseudonim “poeti” me objektiv vetëm përdorimin e gjuhës si furçë për partinë, atë komuniste, të kuptohemi.

Këtë parentezë e bëra për të treguar se shumë elementë që kam vënë re së fundmi i lidhin rithemeluesit e rinj, me këndesat.
Fjala bie, kur një këndes dëgjon në një serial në Netflix se është një koncept narko shtet, këndesi shpërthen, eureka! Kur këndesi pyetet për detaje, nxjerr foton e filmit Narcos në Netflix. Gjeniale dhe brilante apo jo?

Me një vetësiguri ekstreme, këndesi vijon, jeta një telefilm është, dhe e mbyll me nënqeshje ironike, apo jo? Bosi i drogës i blen të gjithë, ndryshe nuk ka arsye për një njeri të thotë se në protestë ishin pak njerëz! Këndesat nuk e duan të vërtetën, dëshirojnë vetëm lavdërime, kjo rrit vetëbesimin dhe kështu mundet regjimi!

Një super ide brilantine që ende po diskutohet gjerësisht në grup është nga telenovelat turke që po bën namin Klani, “Çukur”, dhe “Rrugë e hidhur”, por për shkak se regjimi diktatorialo-narkos përgjon, madje censuron fort, ideja do të lançohet në një konferencë për mediat.

Këndesët i urrejnë librat. Shkollën e lartë e leximin. Me veten gjithmonë turfullonin, përse duhet? Pyetje me vend jepnin po përgjigje, sepse vetëm për një “intelektual” duhet të ketë nevojë partia, dy bëhen të rrezikshëm. Koha ka ecur, ka dalë youtube, librat janë vetëm për të bërë para, ose me saktë për t’i pastruar!

Koha e zgjedhjeve po afron, këndesat po bëhen gati për ta dërrmuar Edi Ramën me skenarë fiks si të filmave e telenovelave me pendito e tradhti.

Shumica po trajnohen duke ndjekur të gjitha serialet e Netflix, madje dhe me shënime. Por ka disa që janë më të thellë dhe intelektualë, po ndjekin edhe ato turke e greke disa! Me një nënqeshje ironike, këndasat kur ju konstaton se: jeta nuk është telenovelë ata po me një nënqeshje ironike therëse të përgjigjen: je gabim, si ke parë të gjitha seritë!

Gjermania autorizon kontrolle kufitare përpara Euro 2024

Policia gjermane filloi të kryejë kontrolle të përkohshme përgjatë kufijve të Gjermanisë nga e premtja, njoftoi ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser. Faeser tha se masa ishte e nevojshme për të garantuar sigurinë e Kampionatit Evropian të Futbollit të ardhshëm UEFA, i njohur si Euro 2024.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë. Nancy Faeser, përmendi terrorizmin islamik dhe huliganizmin si kërcënime të mundshme.

Kampionati do të zhvillohet në dhjetë qytete gjermane. Euro 2024 fillon më 14 qershor dhe ndeshja finale është caktuar për 14 korrik. Kontrollet e përkohshme do të qëndrojnë në fuqi deri më 19 korrik.

Zyrtari i lartë i Policisë merret në pyetje në SPAK

Nga Elton Qyno

Rebani Jaupi, kryepolici që drejtoi Policinë e Tiranës gjatë periudhës Maj 2019 deri në Tetor 2021 dhe njeriu që hartoi në vitin 2020 planin për goditjen e lojërave të fatit, është pyetur në SPAK, lidhur me bisedat që ka zhvilluar biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-shefi i komisariatit Nr.2 , Oltian Bistri.

Jaupi, ka shpjeguar planin operacional “Fati i Lojërave” të hartuar prej tij në 20 shkurt 2020, i cili kishte si synim goditjen e aktivitetit kriminal të organizimit të lotarive dhe basteve sportive pa leje, pastrim të produkteve të veprave penale, fshehje të ardhurash etj.

Mekanizmi i veprimit dhe ndërhyrja në terren, shpjegohet që në territorin e komisariatit të policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 Tiranë, janë planifikuar të kontrollohen gjithsej 49 subjekte.

Në 18 shkurt 2020 Oltian Bistri komunikon me Pëllumb Gjoka dhe i ka kërkuar që të bëjë kujdes ditën e nesërme pasi policia do zhvillojë aksion për lojërat e fatit, ai ka dërguar mesazhet si më poshtë:

“….Nesër mos e hap. Këto dy tre ditë. Mos i thuaj njeriu. Po dy tre ditë. Nesër ka aksion nga operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë. Po mora vesh që do të vijnë aty tek ty, do të them vetë. Mirë është mos të jetë hapur….”.

Ndërkohë 1 ditë më pas në 19 shkurt Bistri i kërkon Pëllumb Gjokës po lidhur me zhvillimin e aksionit për goditjen e lodrave të fatit pa licencë si më poshtë: “…Nesër në darkë mbylle, ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet…”.

Në 20 shkurt 2020 në orën 00.00, Olti ka komunikuar sërish me Pëllumb Gjoka dhe i ka treguar se kur do bëhet operacioni i policisë për të cilin ka disa ditë që flet, ai dërgon mesazhet: “…E di, por tani takova të madhin edhe më tha: “…e shtymë për nesër në darkë ndaj…”

Në orën 19:25, Oltian i ka treguar Pëllumbit se do nisë aksioni dhe i kërkon që të bëjë kujdes dhe të fikë telefonat pasi mund të ketë veprime nga ana policisë:

“…tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Drejtori tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë, s’ka nevojë…”.

Sondazhet/ Basha në rritje me ritme të shpejta dhe PD një realitet shumë i rëndësishëm politik, për qeverisjen e 2025!

Nga Alban Daci

Sondazhet flasin qartë për një rritje të Bashës. Madje rritja e tij brenda një periudhe të shkurtër që kur u rikthyer, dëshmon qartë, se loja është hapur shumë për 2025. Rritja e Bashës është me ritme të shpejta dhe hapa të mëdhenj! Ndërsa rritja e Bashës ka shënuar një të dhënë tjetër të rëndësishme, atë të rënies së dinozaurëve të tranzicionit! Tashmë edhe sot Basha është një faktor vendimtar në politikë dhe nuk është ashtu siç duan ta shesin sidomos enturazhet politiko-mediatik të Rithemelimit! Në rritjen vendimtare në favor të Bashës rëndësi të madhe, do të ketë vendimi i ditës së hënë mbi legjitimitetin e PD!

Sipas analizave, PD zyrtare do të mbetet kjo që është! Nëse do të jetë kështu, rritja e Bashës deri në shtator do të jetë në shifrat 30%.

Kjo vihet re, sepse nëse Basha është drejt rritjes së sigurt në sondazhe, të tjerët janë në rënie pikiatë! Të dhënat e sondazheve sot, Bashën e nxjerrin në rreth 14% dhe vetëm para katër muajsh atë e rëndisnin në më pak se 5%.

Takimet e drejtëpërdrejta, vizitat në vende me peshë politike e historike që lidhen me demokracinë si ai burgut të Spaçit, procesi i riorganizimit, daljet në media, qëndrimet koherente, prezantimi i programit janë të gjitha të dhëna që dëshmojnë se PD është në rrugën e duhur!

Sigurisht kur të jetë edhe lista e deputetëve me risi dhe me element të rinj, do të bëj mundur faktin se PD do të fitojë e vetme zgjedhjet! Para dy vitesh ishte në diskutim ekzistenca e PD e sot, edhe pse nuk janë sondazhe të PD, ato e nxjerrin në thuajse 14%! Po nesër? Gjithçka është e mundur deri në 2025! Loja siç duket është e hapur!

Këtë e them, sepse rritja e PD dhe po ashtu shtimi i disa partive të reja që më gjasa do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2025, bën që elektorati të jetë i fragmentizuar, me subjekte që ndoshta nuk kalojnë pragun, por dëmtojnë partitë e mëdha duke përfshirë edhe PS!
Në këtë realitet, zor se do të ketë ndonjë subjekt që i vetëm do të ketë shumicën për të qeverisur i vetëm! Këtë nuk mund t’a ketë më si opsion as vetë PS, për shkak se skandalet e shumta e kanë goditur shumë edhe pse në imazhin e saj të jashtëm si makiazh përdor forcën dhe “diktatin” për të pasur takime me pjesëmarrje masive, të cilat nuk kthehen të gjitha në votë.

Për të ketë kuptuar këtë fenomen, mjafton të përmendim mitingjet e PD në 2013 që për nga pjesëmarrja e nxirrni fituese, e pastaj rezultati përmes votës, ishte një katastrofë! Mendoj se loja politika për zgjedhjet e 2025 sapo është hapur dhe shumë ngjarje do të ndodhin deri në ditën e zgjedhjet, të cilat do të diktojnë fitore apo humbje! Sipas, meje ka shumë gjasa reale, që me PD në 2025 të ndodh ajo që ndodhi me “Fratelli d’Italia” e cila nga 4% në zgjedhjet e fundit, doli partia më e madhe në vend dhe partia më e madhe në spektrin Opozitar!
Të gjitha llogaritë na tregojnë se e njëjta gjë do të ndodh me PD, e cila në dallim nga të tjerat brenda frontit opozitar e ka të deklaruar kandidatin për kryeministër e ky është z. Basha! Prandaj, nëse gjërat shkojnë sipas analizës time, Basha do të jetë ai që do të formojë Qeverinë dhe po ashtu do të jetë PD ajo që do të caktojë rregullat e lojës për bashkëqeverisje në raport me subjektet e tjera . Thuajse e sigurt do të jetë se zgjedhjet e 2025 do të shënojnë rotacion dhe faktor kryesor mbetet PD!

Eralda Bano me ekspertët e ekonomisë Xhepa dhe Preçi: Dy mendjet më të mira në vend për ekonominë mbështesin programin e PD për uljen e taksave

Deputetja e Partisë Demokratike, Eralda Bano, shprehet se qeveria ende nuk e kupton se po dëmton çdo qytetar dhe po zhduk frymën ekonomike të çdo sipërmarrësi apo qytetari. Në një foto të postuar në Facebook me dy ekspertët e ekonomisë Prof. Dr. Selami Xhepa dhe Prof. Dr. Zef Preçi, ajo shkruan se dy nga mendjet më të mira që ne kemi si vend për çështjet ekonomike, mbështesin programin e PD dhe mendojnë se ulja e taksave do ti japë frymëmarrje çdo familje dhe sipërmarrësi.
Për këtë, Bano thotë se Partia Demokratike angazhohet që do të kanalizojë më shumë të ardhura për shtresën e mesme për konsum.

Postimi i plotë:

Si është e mundur që pas 11 vite në pushtet, ende kjo qeveri “jo-mafioze” nuk e kupton se po dëmton çdo qytetar dhe po zhduk frymën ekonomike të çdo sipërmarrësi apo qytetari?
Dy nga mendjet më të mira që ne kemi si vend për çështjet ekonomike, Prof. Dr. Selami Xhepa dhe Prof. Dr. Zef Preçi, mendojnë se ulja e taksave do ti japë frymëmarrje çdo familje dhe sipërmarrësi. Partia Demokratike angazhohet që do të kanalizojë më shumë të ardhura për shtresën e mesme për konsum.
Të punosh për qytetarët do të thotë të vendosësh më shumë të ardhura në dispozicion për bizneset dhe për investimet. Do të thotë të mos mbysësh frymën e qytetarëve me taksa dhe do të thotë ulje e informalitetit si dhe mundësimin e zhvillimit të tregut edhe të gjithë ekonomisë në terësi.

“Investojmë në Start Up”, Hasa për programin e PD: Me 4 kampuse të inovacionit të trajnuar, përgatisim 25 mijë të rinj për tregun e punës me një pagë prej 2 mijë eurosh

Investimet në Star Up për të rinjtë është një nga pikat e programit të PD. Në një intervistë për mediat, Sekretari Ekzekutiv për Burimet Njerëzore dhe Koordinimin Dixhital, Endri Hasa, foli për këtë pjesë të programit ku tha se parashikohet ndërtimi i 4 kampuseve të inovacionit të trajnuar.

Hasa thotë se në bashkëpunim me universitetet, për 4 vite do të trajnohen 25 mijë të rinj në teknologji të avancuar që do të jenë të aftë për tregun e punës dhe do marrin një pagë mesatare prej 2 mijë eurosh.

Fjala e Endri Hasës:

Të investosh në Start Up të reja, të investosh në biznesin e të rinjve deri në 30 vjeç, të investosh në teknologjitë e reja. Ne parashikojmë të ndërtojmë 4 kampuse në Shqipëri të inovacionit të trajnuar, shkolluar, në bashkëpunim me universitetet, do trajnohen 25 mijë të rinj në 4 vite në teknologji të avancuara, dhe që do punojnë në profesionet më të mirëpaguara sot në botë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ne do të përgatisim një treg për 25 mijë të rinj që kur të jenë në tregun e punës do të marrin një pagë mesatare prej 2 mijë eurosh në muaj. Dhe kur këta individ që shteti investoi për t’i trajnuar, u jep mundësinë që këta të rriten profesionalisht, të jenë të aftë për tregun e punës, të jenë të aftë për tregun global të punës do të sjellin të ardhura në Shqipëri.

Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare, në rënie të ndjeshme

Numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare pësoi rënie të ndjeshme në tremujorin e këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në fund të muajit mars numri i përdoruesve aktivë të këtyre shërbimeve arriti në 2.52 milionë, në rënie me 3.5% krahasuar me fundin e vitit 2023 dhe me 8.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia madje shënon edhe numri i përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare. Numri i përdoruesve zbriti në 2.02 milionë, me një rënie prej 2.8% nga fillimi i vitit dhe 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e numrit të përdoruesve aktivë mund të shpjegohet me një sërë faktorësh. Tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund të shpjegojnë në një horizont krahasimi më afatgjatë rënien e numrit të përdoruesve aktivë. Për shembull, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 numri i përdoruesve aktivë ka rënë me më shumë se 27%.

Megjithatë, nga ana tjetër, përkohësisht ky efekt duhet të jetë kompensuar nga rritja e fortë e turizmit hyrës. Turistët e huaj në përgjithësi përdorin karta SIM shqiptare gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Gjatë tremujorit III 2023 numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare shënoi një rritje të fortë nga 2.19 milionë në 2.56 milionë. Por, në tremujorin IV 2023 numri i abonentëve aktivë shënoi menjëherë një rënie të fortë në 2.08 milionë, çka lë të kuptohet se turizmi ka një ndikim të konsiderueshëm në numrin e përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.

Megjithatë, duke parë rritjen vjetore të numrit të turistëve të huaj që raportojnë statistikat zyrtare, rënia e numrit të përdoruesve aktivë me bazë vjetore duket e vështirë për t’u shpjeguar. Një prej shkaqeve të tjera mund të jetë amortizimi gradual i efektit të bashkimit mes operatorëve One dhe Albtelecom.

Nga ana tjetër, shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek internet dhe rënien e shërbimeve të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara.

Për tremujorin e parë të vitit, trafiku i të dhënave (internetit) u rrit me 25.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa përdorimi mesatar mujor i të dhënave për përdorues u rrit me 31.8%.

Nga ana tjetër, totali i thirrjeve telefonike dalëse ra me 2%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara u tkurr me 6.3%. Këto shifra tregojnë se edhe komunikimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë te aplikacionet OTT, të bazuara te interneti.

Këtë vit, pritet që operatorët shqiptarë të komunikimeve celulare të ofrojnë për herë të parë shërbime të teknologjisë 5G.

Në muajin prill, AKEP mbylli procedurën e këshillimit publik për dhënien e të drejtave të përdorimit të frekuencave në brezin 3.5 GHz, të parat që do të përdoren për ofrimin e teknologjisë së komunikimit të lëvizshëm 5G në Shqipëri. Tani pritet që AKEP të shpallë tenderin për dhënien në përdorim të këtyre frekuencave.

Sipas AKEP, gjenerata e sistemeve celulare 5G e rrit shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit të frekuencave. /E.Shehu

Qeveria vs Biznes

Monitor.al

Qershori do të jetë shumë i zënë për Gjykatën Kushtetuese, një institucion që ka si funksion parësor interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Vetëm nga grupet e interesit të bizneseve pritet të shqyrtojë tre çështje:

1. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është paditur 4 herë në Kushtetuese nga grupi parlamentar i PD-së, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar IEKA, nga avokati Lulzim Alushaj dhe 151 profesionistë të lirë, si dhe nga Shoqata e Autoshkollave.

2. Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive ka ankimuar ndryshimet e ligjit 61/2012 “Për Akcizën në Republikën e Shqipërisë”, që sollën nga 1 janari 2023 dyfishimin e akcizës për prodhuesit e birrës.

3. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar korrikun e kaluar, me rritjen e çmimeve të referencës.

Pa i hyrë analizës nëse këto grupe interesi kanë apo jo të drejtë, nëse Gjykata Kushtetuese funksionon me paanshmëri, pa presion politik apo qeveritar, apo nëse sipërmarrjet kanë besim të lartë te drejtësia, ka një element që të bën përshtypje: mungesa e dukshme e dialogut mes institucioneve qeverisëse e ligjbërëse dhe grupeve të interesit.

Kjo tendencë është tërësisht në linjë të kundërt me atë që tenton të propagandojë qeveria në vend, e cila madje së fundmi riaktivizoi dhe Këshillin Ekonomik Kombëtar, që synon të promovojë një politikë të re ekonomike dhe fiskale.

“Ky është fillimi i një kuvendimi, për të cilin unë jam shpresëplotë. Gjithmonë e më shumë nevoja për bashkëpunim, për bashkërendim të perspektivave në një hapësirë, në një tryezë të përbashkët për përputhje të profileve të ndryshme dhe qasjeve të ndryshme është e domosdoshme”, do të shprehej kryeministri Edi Rama, në takimin e parë të këtij këshilli.

Fjalët mund të jenë inkurajuese, por veprat jo. Prej vitesh ka paqëndrueshmëri të lartë te sistemi fiskal. Taksat ndryshojnë vazhdimisht edhe në mes të vitit, duke shtuar pasiguritë për bizneset.

Ndonëse ka një paketë fiskale, që teorikisht diskutohet çdo fund viti bashkë me projektbuxhetin e vitit pasardhës, ndryshimet kalojnë në pjesën më të madhe pa u konsultuar me grupet e interesit, ose vetëm me një pakicë prej tyre.

Bizneset nuk janë më ato të fillimviteve ’90. Në këto dekada janë rritur, janë strukturuar, janë formalizuar, janë diversifikuar, po investojnë jashtë vendit dhe po përpiqen të mbijetojnë në një ekonomi që është bërë gjithnjë e më konkurruese, për shkak të hapjes së vendit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Është detyra e institucioneve qeverisëse e ligjbërëse që të ndihmojnë ekonominë të bëhet sa më konkurruese, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke krijuar një sistem të qëndrueshëm fiskal, me ligje të drejta, rregulla loje të barabarta, që nxisin investimet dhe promovojnë sipërmarrjet.

Pak kohë më parë, dhomat e huaja të tregtisë në Shqipëri u bënë bashkë për të shprehur hapur shqetësimin mbi ambientin për të bërë biznes në Shqipëri, duke e cilësuar atë si joefektiv dhe duke bërë thirrje për përmirësim të konsiderueshëm nëpërmjet reformave gjithëpërfshirëse.

A kanë të drejtë prodhuesit vendas të birrës që ankohen, në një treg që po pushtohet gjithnjë e më shumë nga importet? A duhet t’i mbrojë ende shteti direkt me tarifa, apo mos duhet t’i ndihmojë të bëhen më konkurrues?!

A kanë të drejtë profesionet e lira që ankohen për zbatim të padrejtë të ligjit dhe veçim të tyre nga pjesa tjetër e subjekteve të vogla?! Këto dilema mund të ishin zgjidhur, nëse do të kishte pasur më shumë dialog.

Trokitja gjithnjë e më e shpeshtë në Gjykatën Kushtetuese është një sinjal se shteti ende nuk po e merr seriozisht sipërmarrjen në vend, apo vihet në lëvizje vetëm kur has në rezistencë, siç ndodhi së fundmi kur tatimet “toleruan” me zbritjen apriori të shpenzimeve prej 30% të profesioneve të lira, ndonëse ata vetë nuk e kishin parashikuar në udhëzime që të zbatohej që tani.

Çfarë duhet të bëjnë sipërmarrjet ndaj një shteti që i trajton në pjesën më të madhe si “armik”?!. Kaq të paafta janë institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese që në vijimësi prodhojnë gabime dhe të krijojnë shqetësim në mjedisin e biznesit?!

Jo vetëm ju hidraton, ja përfitimet e jashtëzakonshme që merrni nga konsumi i shalqirit

Pavarësisht besimit popullor se shalqiri është vetëm ujë dhe sheqer, ai në fakt është një ushqim shumë i ushqyeshëm, i pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë, ndërsa ka shumë më pak kalori sesa shumë njerëz gabimisht besojnë.

A e dini se për 150 gram, shalqiri përmban: 43 kalori, 0 gram yndyrë, 2 gram natrium, 11 gram karbohidrate (përfshirë 9 gram sheqer) dhe 1 gram fibra?

Gjithashtu siguron 17% të nevojave ditore të një të rrituri në vitaminë A, 21% në vitaminë C, 2% në hekur dhe 1% në kalcium. Përmban gjithashtu tiamin, riboflavinë, niacinë, vitaminë B-6, folate, acid pantotenik, magnez, fosfor, kalium, zink, bakër, mangan, selen, kolinë, likopen dhe betainë.

Përveç elementeve ushqyese, shalqiri na mbron nga sëmundje që as nuk i kishim imagjinuar.

Astma:
Rreziku i zhvillimit të astmës është më i ulët tek njerëzit që konsumojnë një sasi të madhe të disa lëndëve ushqyese. Një nga këto lëndë ushqyese është vitamina C, e cila gjendet në shumë fruta dhe perime, përfshirë shalqirin.

Presioni i gjakut:
Hulumtimi i botuar në Gazetën Amerikane të Hipertensionit zbuloi se suplementet e ekstraktit të shalqirit reduktojnë presionin e gjakut tek të rriturit e moshës së mesme obezë me hipertension para hipertensioni ose hipertension të fazës 1. Gjithashtu është treguar se përmirëson funksionin e arterieve. Së fundi, një dietë e pasur me likopen mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës.

Hidratimi:
Shalqiri përbëhet nga 92% ujë dhe i pasur me elektrolite, dhe është një ushqim ideal për të shmangur dehidratimin.

Lëkura: Shalqiri përmban vitaminë A, një lëndë ushqyese e nevojshme për prodhimin e sebumit (vaj natyral), i cili i mban flokët të hidratuar. Vitamina A është gjithashtu e nevojshme për rritjen e të gjitha indeve të trupit, duke përfshirë ato të lëkurës dhe flokëve. Marrja e duhur e vitaminës C është gjithashtu thelbësore për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kolagjenit. Shalqiri gjithashtu kontribuon në hidratimin e përgjithshëm, i cili është jetik për lëkurë dhe flokë të shëndetshëm.