21.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

“Musine Kokalarin e kisha shoqe qelie, ajo më tregonte se Enveri e adhuronte, kishte ndjenja për të dhe njëherë ai…”

Nga Ermira Isufaj

I ati, një diplomat në karrierë, ndërsa e ëma, e lindur në shtetin helen, bijë nga një derë e pasur…! Për shkak të pozitës së të atit, jeta deri në moshën 16-vjeçare, i kish ofruar Makbule Frashërit, gjithçka dëshironte. Puhiza e lehtë e bregdetit grek, turra vrapi bashkë me shoqet në kopshtet e mbushura me portokaj të zonës së Lipjadhës pranë Korfuzit, ishin vetëm një pjesë e përditshmërisë së vajzës së përkëdhelur, të familjes Frashëri. Por kthesa e papritur, që do të merrte jeta e saj, menjëherë pas ditës që ata do të shkelnin në tokën shqiptare, për të vizituar fisin e të atit, të cilët jetonin të shpërndarë mes Tiranës e Korçës, do t’i shembte realitetin përpara syve…! Sistemi politik i kohës, ua mbylli kufijtë dhe ata nuk mund të ktheheshin në vendin fqinj…!

Gjithçka mbeti pas krahëve, shtëpia, pasuritë, karrigia e diplomatit për Qemalin, babain e saj. Të këqijat do të përplaseshin njëra pas tjetrës, edhe pas integrimit të familjes në shoqëri. Nevoja për të takuar të vëllain në Korçë, u etiketua nga agjenturat e kohës, si tentativë arratisjeje nga Shqipëria. U prangos, duke darkuar me të vëllain dhe përfundoi në burgun e vjetër të Tiranës. Ditët e vështira në qelitë e paraburgimit, torturat nga elektroshok, te biruca e mbushur me ujë të ftohtë, derisa i binte të fikët.

Megjithatë, të privuarit nga liria për 12 vite me radhë, i shërbyen Makbules për të lidhur miqësi të reja, me ato vajza trime, të njohura për aktivitetin e tyre antikomunist. Nga bisedat personale me shkrimtaren Musine Kokalari, te vizita e papritur që ish-kryeministri Mehmet Shehu, u bëri vajzave në burg. Si iu hakërrye Mehmeti Drita Kosturit dhe biseda e tij me vetë Makbule Frashërin, që gjatë 12 viteve burgim ,humbi të atin, i cili vdiq në kampin e internimit, në Kuç të Vlorës, dhe bashkëshortin, i cili e ndau, pas divorcit të kërkuar…!

Znj. Makbule, keni lindur në Korfuz të Greqisë, gjatë kohës që babai juaj kryente detyrën e konsullit të Shqipërisë atje. Dy fjalë për babain dhe fëmijërinë tuaj…

Unë jam e bija e Qemal Frashërit. Im atë, ishte njohës i gjashtë gjuhëve të huaja, njeri i nderuar dhe me një aktivitet të spikatur diplomatik. Pas studimeve të larta në Greqi, gjatë viteve 1925-1928, ai mbajti postin e Konsullit për Shqipërinë, në Korfuz të Greqisë. Natyrisht, për shkak të punës dhe terrenit ku ai kryente gjithë aktivitetin e tij të përditshëm, u njoh edhe me vajzën greke, që do të bëhej gruaja e tij, Lemania.

Kam lindur në Korfuz dhe isha fëmija i vogël i familjes. Për shkak edhe të origjinës së sime mëje, por edhe pozitës së babait, jetonim në kushte shumë të mira. Nuk mund të harroj ato kopshtet e mbushura me portokaj të Lipjadhës, një zonë afër shtëpisë ku banonim. Gjithçka, i ngjante një jete normale, deri në moshën 16-vjeçare, aty ku e gjithë jeta e familjes, do të merrte një kthesë të papritur.

Pse, ç’ndodhi në këtë periudhë?

Babai, për shkak të studimeve disavjeçare, si edhe të postit të punës, kishte shumë vite që nuk takohej me njerëzit e tij të afërm të fisit. Thuajse, i gjithë fisi i babait, ishte i vendosur në Tiranë e Korçë, kurse ata të mamasë, ishin në Greqi.

Në vitin 1944, im atë vendos që të nisemi e gjithë familja, për në Tiranë, për të qëndruar disa ditë me njerëzit e tij të afërm, sepse ishin ndarë prej vitesh. Por ne erdhëm në Tiranë, unë isha vetëm 16 vjeçe dhe mbaj mend që pas gati një jave që donim të ktheheshim sërish për në Greqi, na u mbyllën të gjitha rrugët, nuk na lanë të dilnim nga Shqipëria.

Na i mbylli Enver Hoxha të gjitha rrugët dhe ne mbetëm këtu në Tiranë. Im atë, bëri përpjekjet e tij me njerëz të njohur, që mund të na lejonin lëvizjen nga Shqipëria dhe kthimin tonë në Korfuz, por ishte gjithçka e kotë, e pamundur.

Kështu, kaluan javë, muaj, dhe filluam të besonim se realiteti ishte ai që ishte dhe nuk e shmangnim dot. Ndaj dhe ne duhet të integroheshim në shoqërinë dhe kushtet ku ndodheshim pa asnjë kompromis.

Çdo të thoshte për ju integrimi, përshtatja në ato kushte?

Do të thoshte që duhet t’ia nisnim nga e para…! Pas pasurisë që kishim lënë pas krahëve në Greqi, shtëpisë dhe gjithçka tjetër, na duhej që të gjenim një punë, për të mbijetuar. Im atë, duke qenë se përvojën diplomatike e kishte të mirënjohur, mundi të rregullohej në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme këtu në Tiranë, kurse unë, nisa punë në punishten e pastave.

Im vëlla, ishte në profesion oficer Policie, dhe ai shkoi të punonte në Korçë, sepse aty jetonte edhe xhaxhai ynë. Kështu, rrjedha e jetës sonë nisi të hynte në normalitet, edhe pse asgjë përreth nuk kish të krahasuar me atë çka lamë pas në Greqi.

A e kishit ndier hijen e njerëzve të Sigurimit, gjatë lëvizjeve tuaja?

Sigurisht që po! Që në momentin që nuk u lejuam më të dilnim nga Shqipëria, edhe origjina greke nga ana e sime mëje, ishin faktorë që e cenonin bashkëjetesën tone, në kushte normale. Sa herë që shkoja në punë, herët në mëngjes, vija re hije të dy burrave që më ndiqnin pas, edhe pse sipas porosisë së prindërve, nuk duhet të shprehesha dhe as të flisja shumë, sidomos në ambientin e punës. Por, më e keqja, do të vinte më pas…!

E keni fjalën për arrestimin tuaj?

Pikërisht…! Isha vetëm 24 vjeçe, isha martuar dhe kisha sjellë në jetë një foshnjë, time bijë. Ime motër, kishte shkuar disa ditë më parë në Korçë, të takonte vëllain, Fuatin, sepse kishte kaluar kohë, qëkur ai ishte larguar me punë nga shtëpia, për shkak të punës së tij si oficer.

Ndaj, edhe unë ia besova vajzën mamasë sime dhe vendosa që t’u bashkohesha të dyve, thjesht e vetëm për t’u takuar. Kishim lidhje të fortë me njëri-tjetrin. Shkuam për të ngrënë darkë në një lokal, isha vetëm unë edhe vëllai.

Gjatë darkës, erdhën dy njerëz të Sigurimit, që iu afruan tryezës sonë, dhe mua menjëherë më vunë prangat: akuza ishte: “Tentativë arratisjeje nga Shqipëria”.

Sipas tyre, duke qenë se shteti nuk na la të ktheheshim në Greqi, unë kisha gjetur një mundësi, për t’u arratisur përmes Korçës, ndaj dhe më arrestuan. Fillimisht më çuan në Drejtorinë e Sigurimit të rrethit Korçë, më pas më transferuan menjëherë, për në burgun e vjetër të Tiranës.

Dolët në gjyq?

Përpara se të dilja në gjyq, në ato birucat e vogla të burgut, kam kaluar net të tmerrshme dhe tortura nga më çnjerëzoret. Më kanë vendosur tri herë në elektroshok, një herë tjetër më futën në një birucë të mbushur me ujë të ftohtë akull, duke më lënë atje për 24 orë rresht, derisa më binte të fikët. Më torturonin, duke më kërkuar të shpjegoja se; pse doja të arratisesha, cilët ishin bashkëpunëtorët e mi…?!

Por unë nuk kisha bërë asnjë tentativë të ngjashme, sepse isha e re, kisha një fëmijë të vogël…! Pas torturave në birucë, erdhi dita që dola në gjyq. Prokuror ishte Aranit Çela, i cili së bashku me trupin gjykues, më shpalli “armike të popullit”, me akuzën e tentativës për arratisje nga Shqipëria dhe agjitacion e propagandë. Pretenca u dha për 15 vjet, por më pas ma ulën në 12 vite heqje lirie.

Aty, në burgun e vjetër të Tiranës, patët mundësi të njiheshit me të tjera bashkëvuajtëse tuajat?

Kam ndarë ditët e burgut, me Musine Kokalarin, Drita Kosturin, të fejuarën e Qemal Stafës, Lavdije Petrelën, Neta Pacin, e shumë gra të tjera të njohura, të cilat përpara se të gjendeshin përballë hekurave të burgut, ishin bërë të famshme për aktivitetet e tyre antikomuniste…! Ndaj dhe u etiketuan si disidente të pushtetit popullor e u burgosën.

Cilat ishin bisedat që ndanit me njëra-tjetrën?

Ne takoheshim shpesh me njëra-tjetrën, sepse nuk ishte vetëm ambienti i përbashkët që na lidhte, por edhe puna. Ne të gjitha punonim në rrobaqepësinë e burgut, qepnim uniformat e ushtarakëve.

Më pas, kur burgu i Tiranës u suprimua dhe u detyruan që të na transferonin, ata na dërguan bashkërisht të gjithave, për të punuar në Fermën e Kamzës, e më pas na dërguan në Burgun e Kuçovës. Musineja ishte një femër që i kishte shoqet e rralla. Nuk ishte vetëm e ditur, e lexuar, por edhe shumë bashkëpunuese…!

Madje, sa herë ne femrat donim t’i bënim lutje drejtorisë së burgut për një kërkesë të caktuar, gjithmonë ia besonim Musinesë këtë gjë, sepse ajo përpilonte siç duhet dhe me fjalët e zgjedhura, atë mesazh që ne donim të përcillnim. Shpesh dilnim edhe në biseda edhe më personale.

Kujtoj një ditë, kur Musineja më tha se e kishte arrestuar vetë Enver Hoxha, sepse ai kishte ndjenja për të dhe i ishte shprehur se; donte të martohej me Musinenë. Ajo thoshte që nuk e pranonte diçka të tillë, sepse nuk kishte asnjë qëllim martese me Enverin. Duke qenë se ky qëllim nuk iu realizua, ai u hakmor duke sajuar gjithfarë akuzash, derisa ajo u dënua.

Po e fejuara e Qemal Stafës, Drita Kosturi, çfarë natyre kishte?

Çuditërisht ajo ishte më e heshtura nga të gjitha ne, fliste shumë pak, ishte natyrë e qetë. Por edhe ajo i ndante kujtimet e saj me ne, duke na treguar se sa herë dilnin xhiro me Qemal Stafën, si ajo e adhuronte atë për përgatitjen dhe maturinë që kishte ai djalë, etj.

Duke qenë një nga krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, qysh prej krijimit të saj, kjo nënkuptonte një raport të denjë, mes Qemalit dhe Enver Hoxhës, por asnjë rrethanë sipas saj, nuk e përligjte vrasjen e Qemal Stafës.

Teoritë që qarkulluan më pas, ishin nga ato të eliminimit të tij nga vetë Enveri, për shkak të rivalitetit politik, deri te vrasja nga pushtuesi italian, por këtë të fundit Drita nuk e besonte…!

Gjatë qëndrimit tuaj në burg, ju vizitoi ndonjëherë ndonjë pushtetar i kohës?

Po, një prej tyre ishte Mehmet Shehu. Vinin në mënyrë të beftë, për të inspektuar situatat, herë pas here. Ka hyrë edhe në qelinë time dhe më ka pyetur se; pse doja të arratisesha, cilët ishin bashkëpunëtorët e mi, por unë i shpjegova se isha ende një nënë e re me një foshnjë të vogël në krah, e një familje të sapondërtuar dhe nuk kisha kushte të atilla, që t’i linin shkas arratisjes sime.

Ndërsa, kur na mblodhi ne të gjitha grave, mbaj mend që iu drejtua Drita Kosturit, duke i thënë që; do e vendoste të hapte me duart e saj varrin e vet, sepse do e pushkatonin…! Drita, ashtu e qetë siç ishte, ia ktheu se edhe atë e bënte, pa asnjë mëdyshje…!

Pas burgosjes, çfarë ndodhi me bashkëshortin e prindërit tuaj?

Sapo më arrestuan, një nga këta persona që iu bashkua akuzave për arratisje, ishte edhe im shoq, Laze Alia, me profesion oficer. Ai më kërkoi divorcin, derisa më ndau. Ndërsa babai, duke qenë se vinte shpesh për të më takuar në burg, më sillte edhe vajzën ndonjëherë; por e arrestuan, me akuzën se ishte prindi i një të deklasuare dhe “armike të pushtetit popullor”.

Atë e internuan në Kuç të Tepelenës, derisa u sëmur rëndë dhe, pas 10 viteve në kamp internimi, ai vdiq. Lajmi i humbjes së tim ati, më erdhi në burg dhe nuk kishte dhimbje më të madhe për mua. Doja të mbytesha në pusin e burgut, isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe punonjësit e burgut, pasi e konstatuan këtë, e gozhduan grykën e pusit me dërrasa.

Ju përfituat nga një amnisti e vitit 1964 dhe kështu dolët nga burgu… por, tanimë pa bashkëshortin në krah, dhe me babain e vdekur…?!

Nuk kishte trishtim më të madh për mua. Kalova 12 vite të mbyllura në qeli, mes torturave që më kanë lënë gjymtime trupore edhe sot. Vitet aty brenda, i ngjanin një ferri të vërtetë, por edhe kostoja që pagova ishte shumë e shtrenjtë…! Një familje e ndarë, e divorcuar nga bashkëshorti dhe babai i vdekur në kampin e internimit në Kuç të Vlorës.

M’u deshën shumë përpjekje që të nisja një jetë të re dhe gjithçka nga fillimi. Nisa të punoja si punëtore e Fabrikës së Qelqit e, më pas, me kalimin e viteve, ndjeva peshën e atyre vuajtjeve të më vinin përfund…!

Memorie.al

Çdo vit po krijohen gjithnjë e më pak biznese të reja/ INSTAT: Shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve më e ulëta që nga 2010-ta

Çdo vit po krijohen gjithnjë e më pak biznese të reja. Shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja (bizneset e reja si përqindje ndaj totalit të ndërmarrjeve aktive) në vitin 2023 ishte më e ulëta së paku që nga viti 2010 kur raportohet treguesi nga INSTAT.

Ndërmarrjet e reja që u hapen në vitin 2023 përbënin 10.5 % të ndërmarrjeve aktive në vend, rreth 130 mijë. Treguesi shënoi nivelin më të ulët që nga viti 2010 dhe ishte i njëjtë më vitin 2020 kur ekonomia ishte në krizë nga masat izoluese si rrjedhojë e pandemisë Covid-19.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, numri më i madh i ndërmarrjeve të reja vitin e kaluar ishte në sektorin e shërbimeve. Vitin e kaluar u çelën gjithsej rreth 13 mijë biznese të reja, ku 84% e tyre ishin në sektorin e shërbimeve dhe vetëm 16 për qind në sektorin e prodhimit.

Më zhvillimin e vrullshëm në sektorin e turizmit dhe nënçmimin e euros ka një transferim të ekonomisë nga prodhimi drejt shërbimeve. Kjo zhvendosje po reflektohet në uljen e eksporteve të mallrave dhe me uljen e konkurueshmërisë së prodhimit vendas me importin.

Rënia e euros, kostot më të larta të burimeve njerëzore dhe kërkesa e ulët nga jashtë i ka vënë në vështirësi prodhuesit shqiptarë.

Në përgjithësi kushtet fiskale dhe administrative mund të ndikojnë në një ritëm më të ulët të hapjes së bizneseve të reja dhe sidomos barra rregullatore që ka të bëjë me marrjen e lejeve dhe licencave.

Gjithashtu bizneset e reja janë të varur shumë burimet e njerëzore dhe aftësitë e tyre.

Ekonomia e Shqipërisë pas tre dekadash tranzicion po shkon drejt konsolidimit, në vend të njësive të vogla të shitjes me pakicë tani ka përqendrim në rrjetet e mëdha. Por në Shqipëri zhvillimet demografike po ushtrojnë presion të dyfishte në biznese.

Reduktimi i popullsisë dhe varësia ndaj moshave të vjetra po ndikon në një kërkesë më të ulët për mallra për bizneset e tregtisë. Nga ana tjetër bizneset në tërësi, por edhe ato të reja e kanë të vështirë të gjejnë punonjës për shkak të emigracionit të lartë te të rinjve.

Niveli i lartë i shkollimit dhe aftësitë e punës në popullatë mund të inkurajojnë hapjen e bizneseve të reja, të cilat mund krijojnë një mjedis më të favorshëm për sipërmarrjen dhe inovacionin.

Qarqet me emigracion të lartë dhe me popullsi më të plakur kishin uljen më të madhe të stokut të bizneseve vitin e kaluar sipas të dhënave të fundit të INSTAT./Monitor

Shqiptarët e Francës, “lufta” për të zënë një vend në Enciklopedi

NGA LEONARD VEIZI

Ata nuk kanë “luftuar” me qëllimin e vetëm për të bërë emër aq sa të pranoheshin në një Enciklopedi. Kjo me siguri do të ishte fatale për ta. Sepse nuk do të kishin arritur të bënin atë që kanë bërë. Ose më saktë: Ata nuk kanë pasur asnjëherë nevojën të jenë pjesë e ndonjë enciklopedie. Por vetë Enciklopedia kishte nevojë për emrat dhe punën e tyre. Dhe ky është një bashkëpunim i ndërsjellë, por i pa sigluar me numra protokollesh apo nene kontratash e vulë noterie.

Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Kjo do të thotë se në letrat shqipe është shtuar një vëllim voluminoz me titullin: Enciklopedia: Personalitete shqiptare të Francës.

Në historinë e gjatë të marrëdhënieve shqiptaro-franceze mund të kujtosh plot bëma dypalëshe. Sepse nëse në Konferencën e Londrës, – andej nga viti 1913, – pala franceze nuk mbajti ndonjë qëndrim admirues ndaj shqiptarëve, shqiptarë si kundërpeshë, nja 7 vite më pas, dërguan një ekzekutor për të vrarë një tjetër shqiptar, por e rëndësishme ishte që atentati të bëhej në zemër të Parisit. Dhe shqiptarët dhe Shqipëria bashkë me ta, me hallet dhe problemet e saj të shumta, zuri aperturat e mediave franceze. Kështu që francezët kthyen kokat sërish nga vendi i vogël ballkanik, buzë Adriatikut e përballë Italisë, ku ushtritë e të dy vendeve si pjesë e Antantës e kishin konsideruar Principatën që krijuan në Londër, si një një arenë luftimesh përballë Frontit Qendror, nominalisht me Austro-Hungarinë.

E si vinë kohët. Rrotullohet globi.

Pikërisht në vitet e Luftës së Madhe, francezët kishin një tjetër qasje ndaj Shqipërisë, sepse motivuan Republikën e Korçës dhe hapën të ashtuquajturin Lice Francez. Që prej asokohe qytetit të Korçës, – ku u rehatuan trupat e Divizionit 76 të Këmbësorisë franceze të kolonelit Dekoen, i cili ishte në varësi të gjeneralit Sarrail, – i mbeti emërtimi që do ta ndiqte pas gjithmonë: “Parisi i Vogël”.

Por Franca ka qenë një vend pritës për shumë shqiptarë të njohur që kanë kontribuar në fusha të ndryshme qoftë në art e në shkencë, po aq dhe në politikë e biznes Shqipëria gjithashtu i ka pritur me dashamirësi francezët. Dhe kjo ka ndodhur edhe në Janinë, kur detashmentët e Napoleon Bonapartit atashoheshin pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës. Kjo ka ndodhur edhe më parë se kaq, kur pinjolli i derës së madhe të Topiajve, për shkak të gjakut nga nëna e tij franceze Helena, vajzë e Robertit të Anzhuinëve, kishte marrë emrin e gjyshit të tij, Karl. Dhe historia do të vazhdonte edhe më pas se kaq, me dashuri, mblesëria të tjera e përzierje gjaku.

Por nuk mbaron me kaq.

Çudi e madhe me Francën. Nuk ka udhëheqës e politikanë të rëndësishëm shqiptar, që të mos e ketë bërë një kalim nga Franca, e më konkretisht nga Paris. Ka nga ata që kanë bërë nga një fakultet e nga një master, ka të tjerë që janë specializuar në pak muaj, por ka raste kur nuk kanë kaluar dot as vitin e parë e janë kthyer pas. Por hajër kanë bërë në Shqipëri, sepse në fund të fundit kanë qenë frankofonë e frëngjishtfolës.

Edhe kjo është një status, sigurisht.

Për të ndërtuar urën madhështore që do të lidhte Tiranën me Parisin, kanë punuar me thonj e dhëmbë, apo me mish e shpirt, disa qindra personalitete shqiptare, por dhe franceze gjithashtu. Edhe ura është e ngritur tashmë. E fortë që në themele. E fortë dhe në lartësi.

Kontributet e shqiptarëve të njohur në Francë janë të shumta dhe të ndryshme. Ata kanë sjellë një pasuri kulturore dhe intelektuale në shoqërinë franceze, duke forcuar lidhjet midis dy vendeve tona. Historitë e tyre janë një dëshmi e forcës, talentit dhe përkushtimit të shqiptarëve kudo që ndodhen në botë.

Por deri dje, i gjithë ky kontribut dukej si i shpërndarë e krejt pa kontroll.

Sot, ne kemi në duar një Enciklopedi, ku të gjithë zërat shqiptarë që kanë dhënë kontribut në Francë, janë të mobilizuar në të njëjtin formacion tek: Enciklopedia “Personalitete shqiptare të Francës”.

Mentor Hoxha, koleg i hershëm dhe po aq mik i vjetër, me këmbëngulje e skrupulozitet, ka arritur të bëjë bashkë disa qindra emra, që deri dje kanë qenë të shpërndarë gjithkund, në Gjendje Civile, në numra amzash, në raporte ndërkombëtare gjithfarësh, por dhe në sistemin TIMS.

Sot sipas një rendi alfabetik, i gjen të gatshëm, me “kurrikulumin” e tyre jetësor dhe atë akademik. Dhe kjo nuk është pak, por të kemi parasysh se për Enciklopedi punohet me grupe pune. Ndërsa Mentor Hoxha ia ka dalë krejt i vetëm duke punuar ditë e natë mbi këtë projekt për të paktën 7-të vite me radhë.

Dhe siç shprehet vetë autori: Franca ka pasur një rol kryesor në disa nga ngjarjet më madhore të historisë shqiptare dhe në formimin e elitës politike, diplomatike, akademike, shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe sportive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Por autori Hoxha, është treguar fort i kujdesshëm, për të vendosur në fundin e çdo faqeje të enciklopedisë referencat të cilat i kanë mundësuar atij punën e ekipit.

Në 520 faqet e enciklopedisë voluminoze janë dy kapituj. Ndërsa në pjesën e parë të librit autori ka bërë një përmbledhje nga 100 dosierë që i ka botuar në shtypin shqiptar të ditës, në kapitullin e dytë autori është përqendruar në listimin e 489 emrave, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar herë për Shqipërinë, herë për Francën dhe herëherë fama e tyre i ka kaluar kufijtë e dy shteteve për t’u bërë të përbotshëm.

“Institucionet publike dalin në ankand”; 28 prona shtetërore do të rizhvillohen nga privatët

Nga Arbjona Çibuku 

Pasi ra në gjumë për 4 vite, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC), një shoqëri aksionere e themeluar në 2020, “fitoi” pronësinë e 28 godinave shtetërore me një sipërfaqe prej 198 mijë m2, në zonat më të lakmuara të Tiranës.

AIC ka hapur garën për projekt ide për zhvillimin e katër nga këto prona publike, përmes së cilës parashikon që godinat dhe trualli i institucioneve me rëndësi, sikurse janë Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Zyra Vendore e Arsimit parauniversitar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës të jepen për zhvillim tek privati.

Konkursi me emrin “Energjizimi i qyteteve: Zhvillimi Inovativ i Pronës Publike” parashikon “ri-zhvillim multifunksional” të katër institucioneve me sipërfaqe mbi 20 mijë m2.

Në hyrje të dokumentit Korporata e Investimeve Shqiptare, shpjegon se ka si qëllim të ridimensionojë vlerën e pronave shtetërore të fjetura pasi “pronat dhe tokat e papërdorura shtetërore që kanë mbetur të pashfrytëzuara janë një pasuri e veçantë”. Nëpërmjet kësaj nisme AIC propozon një formule “win-win” me privatët, tek të cilëve sipas VKM  nr. 328 mund t’i shesë, japë me qira apo “leasing” pronat shtetërore.

“Në këmbim të së drejtës për të zhvilluar këto prona, partneri privat do të mbulojë kostot e zhvillimit të klasterave të rinj të administratës publike për të plotësuar nevojat e institucioneve publike. AIC përfiton nga tarifat e ndërmjetësimit për identifikimin dhe konsolidimin e pronave, projekt-idetë për zhvillimin e pronave dhe krijimin e aseteve të reja për administrim. Gjithashtu fiton pozicionim strategjik në tregun e pasurive të paluajtshme”, – thotë në dokument AIC.

Parkingu i delegacioneve dhe Autoriteti i Aviacionit Civil tek “Komuna e Parisit”

Dokumenti i AIC, propozon për ndërtimet në zonën e Komunës së Parisit, një parcelë toke prej 9,400 m2 e cila më herët ka shërbyer si parkim për automjetet shtetërorë. Zona përmban blloqe apartamentesh të ndërtuara nga vitet 1950 deri sot.

Në dokument renditen nevojat e institucioneve, ku përmenden përpos sallave të takimeve, edhe restorante, kopësht për fëmijë dhe palestër.

Zona për ri-zhvillim – Autoriteti i Aviacionit Civil – Komuna e Parisit

Klasteri i Administratës Publike do të akomodojë zyrat, hapësirat e punës dhe nevojat plotësuese për institucione të ndryshme dhe agjenci qeveritare nën Kryeministrinë, Ministrinë e Turizmit dhe
Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Konkretisht sipas dokumentit nevojat e administratës janë 20 salla takimesh, biblioteka por edhe një palestër prej 200m2, një restorant dhe kopësht për fëmijë.

Zyra e Arsimit Parauniversitar në Bulevardin “Zhan D’Ark”

Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, janë një tjetër pronë shtetërore që është hapur për zhvillim. Siti i propozuar ndodhet përgjatë Bulevardit, në një truall me sipërfaqe 2840 m2, ku janë planifikuar edhe ndërtime të tjera kullash.

Këto ndërtime, sipas dokmentit do të “kontribojnë në energjizim e aspekteve ekonomike, sociale dhe kulturore”.

Tenderi parashikon ndërtimin e një kullë 35-41 kate në këtë zonë.

“Institucionet që administrojnë pronën dalin në ankand”

Foto: Trualli rreth Agjencisë së Kadastrës që do jepet për rizhvillim;

Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me një sipërfaqje trualli 5,000 m² dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave prej 3,000 m2 do të jepen për zhvillimi multifunksional nën një ofertë të vetme.

Sipas dokumentit, siti i propozuar për zhvillim ndodhet përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, pjesë e Unazës së Dytë të Tiranës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 3,000 m².

Foto: Trualli për rizhvillim multifunksional i Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Aktualisht, aty ka një ndërtesë institucionale, e cila sipas dokumentit do të shembet “për shkak të dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit 2019”.

Zona e përzgjedhur për rizhvillim do të shërbejë si siti për ndërtimin e një kulle multi-funksionale, referuar dokumentit. Programi Paraprak parashikon, konvikte, godinë multi-funksionale me 25-40 kate, me njollë ndërtimi 800 deri në 1200 m2 dhe me një sipërfaqe totale ndërtimi nga 30,000-40,000m2 .

“Çdo gjë në kuriz të interesit publik”

Modeli i zhvillimit të Tiranës sipas Planit Urbanistik “Tirana2030” duket se po shtrihet në nivel kombëtar, me vendime të marra tashmë nga qeveria. Urbanistja Doriana Musai shprehet se “TR2030, është instrumenti që ka hapur qytetin në një shesh ndërtimi, pa kritere mbrojtëse, konservimi, distancimi aq më pak urbanizimi”. Musai shton se duke e trajtuar qytetin vetëm si instrument ekonomik, “ka shndërruar urbs-in në një lavatriçe të madhe pastrimi paraje duke mos konsideruar aspektin njerëzor”.

Këtë lëvizje të re të qeverisë ajo e sheh të ngjashme me modelin e PPP-ve, ku përmend stadiumin apo teatrin, ku në emër të interesit publik përfitojnë privatët.

“E drejta e zhvillimit të pronës shtetërore- e cilësuar si e tillë në dokumente mund të transferohet sipas ligjit të planifikimit urban, në hapësirë, pra jo domosdoshmërish duhet ndërtuar aty ku ndodhet prona”, thotë ajo dhe shton se në vend që të ndërtohen në çdo cep të mbetur bosh, “mund të projektojmë në mënyrë të zgjuar duke grupuar këto hapësira për administratën në një njësi, apo zonë të vetme”.

Në dokument rizhvillimi i këtyre hapësirave përmes ndërtimit të kullave justifikohet me interes publik, por Musai argumenton se “nuk lexohet asnjë interes publik të përfaqësuar apo marrë parasysh nga propozimi”.

“Zyrat e administratës nuk cilësohen si interes publik. Këtu bëhet fjalë për prona shtetërore, ku shteti i jep në këmbim të zhvillimit, privatit, i cili ndërton objektin multifunksional dhe i jep disa hapësira shtetit në këmbim; pra shtetit, jo Publikut”, thotë më tej Musai.

Sa i përket Korporatës së Investimeve Shqiptare e cila u themelua në 2020 dhe për 4 vite “ishte në gjumë”, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shprehet se “institucione të tilla zhvilluese publike nuk kanë demonstruar të jenë eficiente dhe dobishme”.

Sipas Xhepës, ajo krijon dhe implikime financiare për buxhetin pasi “sigurimi i kredive kërkon garanci sovrane”, po ashtu ai shton se “mbetet i paqartë roli institucionit në menaxhimin e aseteve të reja të krijuara”.

Konkursi i hapur nga kjo korporatë është bazuar në tre ligje, atë të Pronave të paluajtshme të shtetit (2001), të prokurimit publik (2020) dhe të korporatës së investimeve shqiptare (2019).

Një VKM e ditëve të fundit, e datës 29 Maj, ka bërë transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, të pronave shtetërore.

Dokumenti justifikon ndërhyrjen me nevojën për më shumë zyra për administratën. Musai thotë se kjo nevojë  në kohën e digjitalizimit masiv, duhet të jetë në tkurrje dhe jo në rritje.

Ajo sjell në vëmendje fushatat e qeverisë për të hequr sportelet dhe zvogëluar hapësirën fizike, për të shfrytëzuar më shumë atë digjitale.

“Transformimi i hapësirave dhe godinave  të vjetra në zona të zhvilluara në objekte referencë për qytetin dhe Rritja e vlerave imobiliare në zonat përreth janë objektiva që stimulojnë nga lart poshtë xhentrifikimin”, thotë më tej Musai.

“Institucionet publike dalin në ankand”; 28 prona shtetërore do të rizhvillohen nga privatët

Drejt ‘’bashkimit’’ në ngjashmëri, rreth Berishës dhe politikës së tij

Nga Ervis Iljazaj

Bashkimi i disa deputetëve me Gazment Bardhin në krye me grupin e Rithemelimit, u konsiderua si ‘bashkim’ në diversitet. Sepse qëndrimet e tyre ishin të ndryshme. Rithemelimi, ose ata që konsiderohen si berishistë kishin qëndrime thelbësisht të ndryshme me deputetët e tjerë që ju bashkuan rishtazi. Për shembull, Gazment Bardhi dhe deputetët e tij kanë besim te SPAK, ndërsa Berisha e konsideron atë si organizatë kriminale. Kanë ndryshim edhe në qëndrimet ndaj ndërkombëtarëve. Berisha kohët e fundit është deklaruar ‘’sovranist’, ndërsa deputetët e tjerë kanë besim te Amerika dhe zyrtarët e saj në Shqipëri.

Madje edhe për vetë liderin e bashkimit kishin qëndrime të ndryshme. Disa me Gazment Bardhin në krye, për shumë kohë nuk e pranonin Berishën si kryetar të tyre. Për këto arsye, ‘’ bashkimi’’ u pagëzua me emrin ‘’ bashkim në diversitet’’.

Mirëpo partitë politike janë bashkim në ngjashmëri. Sepse, ato janë grumbullim njerëzish me vullnet të lirë rreth vizoneve, vlerave dhe qëndrimeve të njëjta. Sigurisht mund të ketë nuanca politike të ndryshme, por jo element thelbësore. Prandaj ekzistojnë parti të ndryshme politike. Në të kundërtën, do të ekzistonte një parti e vetme, dhe rreth saj do të mblidheshin grupe me qëndrime të ndryshme. Dhe kështu, do të krijohej një parti e vetme ‘’ ne diversitet’’.

Prandaj parti të tilla, që kanë brenda tyre qëndrime thelbësisht të ndryshme për çështje të caktuara nuk mund të vazhdojnë gjatë. Ose krijojnë parti të reja, ose qëndrimet e tyre bashkohen. Dhe pikërisht kjo gjë po ndodh edhe brenda Rithemelimit.

Të gjithë ata që ju bashkuan, me qëndrime ‘’diverse’’, ngadalë po shkojnë drejt bashkimit në ngjashmëri. Dhe kjo është normale brenda një partie politike. Ngjashmëria që ata po shfaqin është pikërisht rreth liderit Sali Berisha dhe politikave të tij.

Sot seanca plenare në parlament, edhe pse ishte thirrur për kritika ndaj qeverisë dhe punës së saj, edhe pse protesta zhvillohej për narkoshtetin dhe programin e “Rai 3”, protagonisti kryesor sot ishte Sali Berisha. Kështu ndihmuan edhe qeverinë, duke qenë se fokusi nuk ishin më bëmat e saj dhe të Edi Ramës. Të gjitha fjalimet në parlament të Rithemelimit kishin në qendër të tyre Sali Berishën dhe gjyqin e tij. Jo vetëm kaq, por Gazament Bardhi, pikërisht në ditën e sotme që do të duhej të flitej për lidhjet e krimit me politikën, kërkoi që Sali Berisha të rifutej në grupin parlamentar, edhe pse ai për dy vite me radhë ishte mbrojtësi kryesor publik i përjashtimit të tij. Por ky është një diskutim tjetër.

Me sa duket muaji i mjaltit midis qeverisë dhe Rithemelimit mbaroi. Tashmë do të shohim përsëri flakadanë dhe tym në seancat parlamentare. Nuk do të ketë ndoshta më komisione apo reforma bipartizane. Nuk dihet ende se çfarë bëri që Rithemelimi të ndryshoi kurs. Diçka nën rrogoz ka luajtur dhe ka prishur ‘’dialogun’’ midisit Rithemelimit dhe Partisë Socialiste. Ose asgjë nuk ka ndryshuar, dhe kjo e gjitha është një fasadë për të mbajtur gjallë ‘’dialogun’’. Kjo mbetet për t’u parë.

Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se bashkim në diversitet s’ka dhe nuk mund të ketë më. Të gjithë do të shkojnë dhe do të bashkohen rreth Berishës dhe politikës së tij. Në parlament kryefjala e diskutimeve të rithemelimit, nëse do të ketë, do të jetë vetëm Berisha dhe asgjë tjetër. Të gjithë do të jenë në garë se kush do të tregohet më shumë i gatshëm që ta mbrojë atë dhe politikat e tij. Sepse ëndrra e atyre që ju bashkuan në diversitet, tashmë ka mbaruar. Ata që menduan se do të luanin me Berishën, ose kanë qenë naiv ose nuk e kanë njohur fare. Tashmë ata, nga Gazment Bardhi i pari do të jenë më berishistë se Flamur Noka, i cili për hir të vërtetës është më dinjitozi, sepse ka qenë koherent në qëndrimet e tij. Të gjithë do të jenë në radhë dhe do të kapërdijnë gjithçka që kanë thënë. Në të kundërt, emrin në listat e 2025 ta harrojnë. Madje, shumë shpejt do ti shikojmë poshtë ballkonit me bluzën Free Berisha, apo të quajnë Altin Dumanin kreun e një organizatë kriminale. Nëse nuk e bëjnë, duhet ta gjejnë fatin e tyre politik diku tjetër. Por edhe rrugë të tjera politike nuk duken shumë në horizont. E vetmja rrugë që kanë për të ekzistuar në politikë është lista ‘Berisha 2025’.

/Liberale.al/

Shteti që e trajton biznesin si kulak dhe mikroborgjez

Business man afraid of his own shadow monster concept on grungy background

Qershori do të jetë shumë i zënë për Gjykatën Kushtetuese, një institucion që ka si funksion parësor interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Vetëm nga grupet e interesit të bizneseve pritet të shqyrtojë tre çështje:

1. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është paditur 4 herë në Kushtetuese nga grupi parlamentar i PD-së, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar IEKA, nga avokati Lulzim Alushaj dhe 151 profesionistë të lirë, si dhe nga Shoqata e Autoshkollave.

2. Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive ka ankimuar ndryshimet e ligjit 61/2012 “Për Akcizën në Republikën e Shqipërisë”, që sollën nga 1 janari 2023 dyfishimin e akcizës për prodhuesit e birrës.

3. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar korrikun e kaluar, me rritjen e çmimeve të referencës.

Pa i hyrë analizës nëse këto grupe interesi kanë apo jo të drejtë, nëse Gjykata Kushtetuese funksionon me paanshmëri, pa presion politik apo qeveritar, apo nëse sipërmarrjet kanë besim të lartë te drejtësia, ka një element që të bën përshtypje: mungesa e dukshme e dialogut mes institucioneve qeverisëse e ligjbërëse dhe grupeve të interesit.

Kjo tendencë është tërësisht në linjë të kundërt me atë që tenton të propagandojë qeveria në vend, e cila madje së fundmi riaktivizoi dhe Këshillin Ekonomik Kombëtar, që synon të promovojë një politikë të re ekonomike dhe fiskale.

“Ky është fillimi i një kuvendimi, për të cilin unë jam shpresëplotë.

Gjithmonë e më shumë nevoja për bashkëpunim, për bashkërendim të perspektivave në një hapësirë, në një tryezë të përbashkët për përputhje të profileve të ndryshme dhe qasjeve të ndryshme është e domosdoshme”, do të shprehej kryeministri Edi Rama, në takimin e parë të këtij këshilli.

Fjalët mund të jenë inkurajuese, por veprat jo. Prej vitesh ka paqëndrueshmëri të lartë te sistemi fiskal. Taksat ndryshojnë vazhdimisht edhe në mes të vitit, duke shtuar pasiguritë për bizneset.

Ndonëse ka një paketë fiskale, që teorikisht diskutohet çdo fund viti bashkë me projektbuxhetin e vitit pasardhës, ndryshimet kalojnë në pjesën më të madhe pa u konsultuar me grupet e interesit, ose vetëm me një pakicë prej tyre.

Bizneset nuk janë më ato të fillimviteve ’90. Në këto dekada janë rritur, janë strukturuar, janë formalizuar, janë diversifikuar, po investojnë jashtë vendit dhe po përpiqen të mbijetojnë në një ekonomi që është bërë gjithnjë e më konkurruese, për shkak të hapjes së vendit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Është detyra e institucioneve qeverisëse e ligjbërëse që të ndihmojnë ekonominë të bëhet sa më konkurruese, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke krijuar një sistem të qëndrueshëm fiskal, me ligje të drejta, rregulla loje të barabarta, që nxisin investimet dhe promovojnë sipërmarrjet.

Pak kohë më parë, dhomat e huaja të tregtisë në Shqipëri u bënë bashkë për të shprehur hapur shqetësimin mbi ambientin për të bërë biznes në Shqipëri, duke e cilësuar atë si joefektiv dhe duke bërë thirrje për përmirësim të konsiderueshëm nëpërmjet reformave gjithëpërfshirëse.

A kanë të drejtë prodhuesit vendas të birrës që ankohen, në një treg që po pushtohet gjithnjë e më shumë nga importet?

A duhet t’i mbrojë ende shteti direkt me tarifa, apo mos duhet t’i ndihmojë të bëhen më konkurrues?!

A kanë të drejtë profesionet e lira që ankohen për zbatim të padrejtë të ligjit dhe veçim të tyre nga pjesa tjetër e subjekteve të vogla?! Këto dilema mund të ishin zgjidhur, nëse do të kishte pasur më shumë dialog.

Trokitja gjithnjë e më e shpeshtë në Gjykatën Kushtetuese është një sinjal se shteti ende nuk po e merr seriozisht sipërmarrjen në vend, apo vihet në lëvizje vetëm kur has në rezistencë, siç ndodhi së fundmi kur tatimet “toleruan” me zbritjen apriori të shpenzimeve prej 30% të profesioneve të lira, ndonëse ata vetë nuk e kishin parashikuar në udhëzime që të zbatohej që tani.

Çfarë duhet të bëjnë sipërmarrjet ndaj një shteti që i trajton në pjesën më të madhe si “armik”?!.

Kaq të paafta janë institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese që në vijimësi prodhojnë gabime dhe të krijojnë shqetësim në mjedisin e biznesit?!/ EDITORIAL MONITOR.AL

Mikrokreditë, 150 mijë familje të prekura! Zef Preçi: As regjimi komunist nuk ua merrte frymën kështu shqiptarëve

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka folur mbi situatën ekonomike në vend. Duke u ndalur te mikrokreditë, ai theksoi se ato janë shndërruar në skema mashtruese. Po flitet gjithashtu edhe për kredi digjitale që e merr për 11 minuta, gjë të cilën ai e cilësoi si reklamë mashtruese.

Preçi theksoi se Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera në vend duhet të monitorojnë institucionet financiare që abuzojnë me qytetarët.

Eksperti i ekonomisë shpjegoi se ky rrjet përfshin jo vetëm institucionet bankare financiare, por edhe një numër përmbaruesish privatë, gjë e cila ka prekur 150 mijë familje.

“Banka e Shqipërisë nuk mund ta konsiderojë veten jashtë kësaj përgjegjësie për monitorimin dhe licencimin dhe mbikëqyrjen e dinamikës. Në vitin 2016 është miratuar me mbështetjen e FMN-së një përpjekje për të ulur kreditë e këqija. Ajo që ka ndodhur pas kësaj është subjekt hetimi”
– u shpreh Preçi në studion e RTSH24.

Por nga ajo që është bërë publike duket se ka një rrjet që përfshin jo vetëm institucionet bankare financiare, por përfshin edhe një numër përmbaruesish privatë, përfshin mbikëqyrjen mendoj të Bankës së Shqipërisë, Ministrinë e Drejtësisë, gjykatat dhe ka një heshtje që është shqetësuese. Ky fenomen duke prekur një numër të madh familjesh është problem social, rrezikon të shndërrohet në problem politik, bëhet burim tensionesh.

Janë 150 mijë familje të prekura. Kjo nuk do të thotë se secili që ka marrë para borxh nuk ka detyrimin për t’i rikthyer ato por kjo nuk do të thotë nga ana tjetër që të përdorësh arbitraritetin e përmbarimit për të nxjerrë detyrimin.

Edhe në regjimin e shkuar që ka qenë totalitar dhe pa mëshirë për të drejtat njerëzore kur vinte puna për sekuestrimin, mundësia për të mbajtur frymën gjallë sigurohej një minimum të ardhurash nga rroga që të ushqente familjet. Sot kur merr dikush një hua të vogël firmos vetëm kundrejt kartës së identitetit, askush nuk pyet se sa e ke rrogë, sa të ardhura ke etj. Madje tani flitet për kredi dixhitale, mund t’i marrësh për 11 minuta. Reklama mashtruese”, u shpreh Preçi.

Largimet politike nga puna/ Dëmi i madh që i është shkaktuar buxhetit të shtetit! Gjykatat e mbushura me dosje

EMISIONI VETTING

Vetting ju solli një rast se si pushteti abuzon me nëpunësit e tij në Rrogozhinë, ku për shkak të ndërhyrjes në zgjedhje kryebashkiaku Edison Memolla është nën hetim nga SPAK.

Por ky nuk është rast i veçuar. Qindra raste të tjera janë humbur nga shteti përballë qytetarëve duke i kthyer shkarkimet politike në një fenomen i cili ka rënduar buxhetin e shtetit.

Rreth 17 miliardë lekë kanë dalë nga buxheti i shtetit për shkarkimet e padrejta nga puna gjatë dekadës së fundit. Këtë faktë e ka deklaruar Ministria e Ekonomisë dhe Financave për përmes një përgjigjeje zyrtare, për emisionin “Vetting”.

Që nga viti 2013 deri në vitin 2022 janë gjykuar nga ana e Gjykatës Apelit administrativ 9566 çështje. Sipas burimve zyrtare të informacionit nga ana e e kësaj gjykate “ gjatë periudhës 04.11.2013 deri 31.12.2022 rezulton që Gjykata Administrative e Apelit ka disponuar me vendime rreth 9566 çështje administrative me objekt “Marrëdhënie pune” apo “Dëmshpërblim page”, të lidhura me largimet nga puna nga Administrata Publike.

Në përgjigjen zyrtare të Gjykatës Administrative të Apelit theksohet se volumi i çështjeve që duhet të trajtohen është shumë herë më i lartë.

Vetëm për vitin 2021, sipas burimeve zyrtare të Gjykatës Apelit Administrative, “janë regjistruar 19.302 çështje, prej të cilave vetëm 887 janë gjykuar, ndërsa presin në radhë për t’u gjykuar edhe 18.415 çështje të cilët do të gjykohen në vitin 2024 e në vazhdim.

ANALIZA VJETORE E GJYKATËS ADMINISTRATIVE TË APELIT PËR VITIN 2021

Sipas burimeve zyrtare vihet re se numri më i lartë i çështjeve gjyqësore për largime nga puna është regjistruar në rrethet e Tiranës dhe Vlorës, çështje të cilat janë dërguara nga gjykatat e shkallës së parë. Ndërkohë që numri i çështjeve me një vendim final vijon të mbetet shumë i ulët duke kapuç shifren e vetëm 682 vendimeve.

Sipas eksperteve gjyqësorë çështjet që kanë shkuar në apel për marrëdhënie pune kërkojnë një kohë jashtëzakonisht të gjatë për t’u trajtuar. Kjo shikohet edhe nga të dhënat zyrtare që Gjykata e Apelit ka deklaruar për emisionin “ Vetting”.

Vetëm 1 çështje është mbyllur brenda një viti, po kështu një çështje brenda dy vitesh ndërsa 125 çështjeve u janë dashur mesatarisht 1565 ditë ose 4 vite e dy muaj.


Në vitin 2015

Për vitin 2015, nga 1032 denoncime për largime të padrejta nga puna, vetëm 320 çështje i ka fituar shteti kundër ish punonjësve me kod pune ndërsa ka humbur 712 raste të largimit të padrejtë nga puna. Në çështjet në marrëdhënie pune me shërbim civil nga 48 raste, shteti ka fituar vetëm 17 raste kundrejt 31 të ish punonjësve të administratës publike. Intesant është fakti që nga 75 raste të largimit nga puna të punonjësve të policisë së shtetit, vetëm 29 janë fituar nga shteti, ndërsa kanë fituar gjyqin 46 raste nga ana e paditësve që kanë qenë punonjës me uniformë.

Në vitin 2016

Në vitin 2016 në bazë të Kodit të Punës nga 2472 çështje gjyqësore për largim të padrejtë nga puna, shteti ka fituar vetëm 651 çështje ndërsa individi 1821çështje gjyqësore. Të njëtin trend ka pasur edhe kundrejt Punonjësve Civil ku nga 36 çështje të gjykuara, 9 gjyqe janë fituar nga shteti dhe 27 nga qytetarët e larguar padrejtësisht nga puna. Një shifër rekord ndëshkimesh për punonjësit e policisë së shtetit ka pasur në vitin 2017, por që më pas janë evidetuar si të padrejta nga a e gjykatës e cila i ka dhenë të drejte të larguarve padrejtësisht nga puna. Gjatë vitit 2016, nga 63 punonjëset policie të larguar nga puna, 58 policë kanë fituar gjyqin kundër shtetit ndërsa shteti ka fituar vetëm 5 gjyqe. (fa5 GJAA)

Vitin 2017 të gjithë e mbajnë mend për vitin e reformave dhe shkarkimeve, por a ishin realisht reforma?!

Në vitin 2017 nga 1847 qytetarë të larguar nga puna, 1362 vendime gjykate janë dhënë në favor të tyre dhe vetëm 485 në favor të shtetit. Vlen të theksohet një tjetër fakt, në këtë vitë nga ana e Gjykatës së Apelit janë kthyer për rigjykim 141 prej këtyre çështjeve, të cilat pritet të rigjykohen.

I njëjti trend ndiqet edhe në vitet pasardhëse ndërsa dëmi në buxhet duket të jetë kolosal ndërsa këto valë shkarkimesh janë pasojë e një vale të mëparshme emërimesh kryesisht në saj të fushatave elektorale.

Shkarkime elektorale, punësime elektorale!

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në administratën publike në Shqipëri arriti një rekord në vitin 2022, me 184,111 të punësuar, duke shënuar një rritje prej 8 për qind gjatë pesë viteve të fundit. Një nga arsyet për fryrjen e administratës qendrore dhe vendore janë edhe punësimet elektorale.

Sipas një analize të realizuar nga BIRN, ka fryrje të stafit administrativ të bashkive me 1,544 punonjës të rinj, të barabartë me 9% të numrit total të të punësuarve. Pak më shumë se ¼ e këtyre punonjësve ishin të punësuar të përkohshëm brenda një viti ndërsa fryrjen më të madhe e ka regjistruar bashkia e Cërrikut, duke shtuar 94 punonjës ose 32 % të numrit total të punonjësve të saj.

Por në të njëjtën kohë që administrata fryhet para çdo pale zgjedhjesh me punonjës të rinj, buxheti i shtetit vijon të dëmtohet për shkarkimet e padrejta, duke e kthyer këtë proces si një buxhet më vete që rëndon xhepat e shqiptarëve./ News24

“Lajthit” Vulin: Shqiptarët janë këmbësoria e NATO-s, ndaj i çojnë si mish për top

Serbia vazhdon që të sillet si Rusia përpara nisjes së luftës në Ukrainë, duke tentuar të fabrikojë pretekste për konflikt.

Zëvendëskryeministri Aleksandër Vulin tregon që problemin më të madh e ka me shqiptarët, teksa pretendon se janë këmbësoria e NATO-s, me aleancën e fuqishme perëndimore që sipas tij është kërcënim për Serbinë.

Politikani i sanksionuar nga Amerika shkon deri aty sa thotë se kryeministri Albin Kurti po bën gjithçka në Kosovë për të provokuar Serbinë që të nisë një luftë, që më pas, sipas tij, të shfaqet NATO dhe të thotë: “Tani do ta mbrojmë ne Prishtinën’.

“Kështu e shikoj unë pranimin e të ashtuquajturës Kosovë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, edhe pse duhet të pranoj se ishte jashtëzakonisht logjike për mua sepse shqiptarët janë këmbësoria e NATO-s, ndaj i duhen gjithmonë që t’i çojnë si mish për top, për të pastruar fushat e minuara në Ukrainë. Kjo do të bëhet nga shqiptarët, pasi nuk do jenë belgë apo nga ndonjë shtet tjetër”, pretendon Vulin.

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thotë se bota po shkon drejt një lufte të madhe. Ai pati këtë qëndrim lidhur me takimin e botës serbe.

I shpallur fajtor për 34 akuza, ekspertët flasin mbi mundësinë e dënimit me burg të ish-presidentit Trump

Ish-presidenti amerikan Donald Trump përballet me mundësinë e dënimit me burg pasi një juri e Nju Jorkut e shpalli atë fajtor lidhur me akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels. Siç njofton nga Nju Jorku korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh, procesi ligjor ka shkaktuar pasiguri në fushatën e tij presidenciale dhe shanset për të fituar zgjedhjet.

Donald Trump u shpall fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit në një përpjekje për të fshehur informacionin e dëmshëm mbi të përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Vendimi ka ngritur shumë pyetje mbi ecurinë e fushatës nga zoti Trump, nëse ai detyrohet të vuajë një dënim me burg për këtë. Ish-prokurori federal Steven Cohen nuk pret që zoti Trump të burgoset së shpejti.

“Do të ketë mocione intensive pas gjyqit dhe më pas do të ketë një apel dhe ai apel do të marrë muaj, ndoshta më shumë se një vit. Pra mendoj se do të jetë kjo që do ta intensifikojë më shumë dramën politike, të paktën fillimisht, se sa historitë mbi fatin e zotit Donald Trump si pasojë e vendimit”, thotë Steven M. Cohen, profesor i Universitetit Juridik të Nju Jorkut.

Dënimi i Trump është caktuar të shpallet më 11 korrik. Ekspertët ligjorë thonë se kohëzgjatja e çdo dënimi me burg ka të ngjarë të jetë shumë më e vogël se maksimumi prej 20 vjetësh, që parashikon ligji për 34 akuzat ndaj tij.

“Duke pasur parasysh moshën e tij, mungesën e historisë kriminale dhe rezultati këtu me të vërtetë flet vetë se ai në fakt nuk pritet të përballet me një dënim të gjatë”, thotë avokati Joseph Tully.

Të tjerë theksojnë dënimin me burg që tashmë e ka kryer ish-avokati i tij, Michael Cohen, si precedent për dënimin e zotit Trump.

“Është shumë e rrallë që një vartës i përfshirë në një komplot kriminal të dënohet me burg dhe jo shefi i tij. Donald Trump ishte në krye të këtij komploti kriminal. Michael Cohen kreu një dënim serioz me burg. Ai kaloi muaj të tërë prapa hekurave. Pra, ekziston një precedent për gjykatësin që të dënojë zotin Trump me burg”, thotë Abbe Smith nga Universiteti Georgetown.

Alternativat ndaj dënimit me burg, përfshijnë dënimin me kusht, arrestin shtëpiak dhe dënimin me gjobë. Por ka shumë të ngjarë që dënimi të mos kryhet deri pas përfundimit të procesit të apelimit, i cili mund të përfundojë pas ditës së zgjedhjeve në nëntor.

Çfarëdo dënimi që do të marrë muajin e ardhshëm, ai pritet të ketë ndikim në dënimet për tre çështjet e tjera penale me të cilat zoti Trump përballet.

“Ky verdikt gjyqësor, nëse nuk përmbyset para gjyqeve të ardhshme, do të rezultonte në dënime të mundshme më të larta me burg në gjyqet e ardhshme. Pra vendimi do të ketë pasoja sepse tregon precedent penal. Historia kriminale merret parasysh në caktimin e dënimit”, thotë Preet Bharara, ish-Prokuror federal i Nju Jorkut.

Nga akuzat e tjera federale dhe shtetërore me të cilat përballet ish Presidenti Trump, data e gjyqit mbi dokumentet sekrete në Florida është shtyrë më tej./VOA