31.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Kulluri: Rama dhe Berisha koordinim perfekt për të fshirë Rai 3, rikthejnë luftën me SHBA, Britaninë dhe SPAK

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri, shprehet se lufta e Rithemelimit nuk është me Ramën, por me SPAK, SHBA dhe Britaninë e Madhe. Në një reagim në Facebook, Kulluri shkruan se në ditën kur kryeministrit i kanë plasur skandalet në mediat e huaja, Rithemelimi zhvilloi protestë duke e hequr tërësisht vëmendjen. Ai gjithashtu thotë që ky është një koordinim mes Berishës dhe Ramës.

Postimi i plotë:

Lufta e rithemelimit nuk eshte me Ramen por me SPAK, SHBA dhe Britanine Madhe.

Thirren demokratet per te luftuar Ramen dhe si gjithmone i sherbyen duke e hequr teresisht vemendjen nga skandalet e tij. Kjo nuk eshte rastesi por nje kordinim mes tyre ashtu sic beme me amnistine dhe me deshtimin e komisionit zgjedhore.

Pyetja eshte e thjeshte. Pse pikerisht sot ne diten qe e gjithe vemendja ishte tek Edi Rama e skandalet e tij ne mediat e huaja,
rinxjerrin ne skene Sali Berishen?

Si mund te pretendosh se po lufton korrupsionin dhe kordinon me partneret dhe kerkon te ribesh pjese te grupit parlamentar njeriun e shpallur non grata per korrupsion madhor dhe minim te demokracise nga SHBA dhe Mbreteria e Bashkuar? Si mund te pretendosh se je aleat i besueshem kur ndjek te njejtin skenar si Vuçiç me perfshirjen e non grata-ve në qeveri?!

Si mund ti kerkosh SPAK te vere para drejtesise Edi Ramen dhe nga ana tjeter e konsideron grup kriminal?

A nuk eshte ky sherbimi me i mire qe mund ti behej Edi Rames?! Natyrisht keto jane levizje te deshperuara te mirekordinuara mes Rames dhe Berishes

E qe ta bejne me te thjesht kordinimin dhe pazarin mes tyre, nuk u “duhen neper kembe” ata qe u zberthyen skenarin per te kapur SPAK, pazarin per amnistine dhe per reformen zgjedhore.

Rreth 27 njerëz të strehuar në një shkollë në Gaza, vriten nga një sulm ajror izraelit

Të paktën 27 njerëz të strehuar në një shkollë në Gazën qendrore, kanë humbur jetën tragjikisht pas një sulmi ajror izraelit.

Gazetarët vendas thanë për BBC se një avion luftarak izraelit qëlloi dy raketa në klasat në katin e fundit të shkollës në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Zyra mediatike e Hamasit tha se të paktën 27 persona u vranë dhe akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre të tmerrshme”.

Ambulancat dhe ekipet e shpëtimit dërguan të plagosurit menjëherë në një spital aty pranë.

Ndërkohë pamjet e tmerrshme të publikuara në mediat sociale treguan klasat e shkatërruara të kthyera në një morg.

Mjaft luftë! Ne jemi zhvendosur dhjetëra herë. Ata na vranë fëmijët ndërsa flinin,” bërtiti një grua e plagosur në një video që po qarkullon në rrjet.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se avionët kishin kryer një “sulm në një kompleks të Hamasit të ngulitur brenda një shkolle të UNRWA në zonën e Nuseirat”.

IDF tha në një deklaratë se kishte “eliminuar” “terroristët” e Hamasit dhe Xhihadit Islamik që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, kur rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Të paktën 36,580 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të Hamasit.

IDF tha se kishte ndërmarrë hapa përpara sulmit ajror për të “ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve të papërfshirë”.

Më herët, ushtria izraelite tha se kishte marrë “kontroll operacional” mbi zonat lindore të kampit të refugjatëve Bureij dhe qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore, pasi dhjetëra palestinezë u raportuan të vrarë.

Shtohen të sëmurët kardiakë! Në jug rastet janë shqetësuese sidomos mes moshave të reja

Shifrat janë shqetësuese jo vetëm mes të moshuarve por edhe mes moshave më të reja ka raste të shumta të infarkteve të miokardit dhe të të sëmurëve me takikardi.

Një pjesë e efekteve vijojnë të lidhen me periudhën post covid dhe numri i të prekurve nga këto simptoma është më i lartë mes pacientëve që kanë kaluar covidin.

Kardiologët thonë se shumica e rasteve janë referuar në spitalin e Fierit që ka qenë një zgjidhje për të gjithë Jugun duke reduktuar shifrat e pacientëve që merrnin ndihmë për ndërhyrje emergjente më parë në spitalin e Janinës.

“Sëmundjes e zemrës zënë vendin e parë sa i përket sëmundshmërisë së popullatës. Moshat më të prekura janë moshat mbi 70 vjeç. Numri i rasteve kohët e fundit ka qenë i shtuar. Ka pasur shumë raste të cilat ne i kemi nisur me urgjencë pasi problemet e pacientëve kanë qenë të ndërlikuara. Është fat që ne kemi një qendër hemodinamike në Fier në spitalin ” Memorial” dhe ndihma jepet e shpejtë dhe në kohën e duhur. Edhe në moshat e reja kemi pasur raste goxha të ndërlikuara me probleme kardiake të cilat kanë dashur ndërhyrje urgjente. Të gjithë faktorët janë të pranishëm stresi, ngarkesa, ushqyerja, abuzimet me alkoolin me duhanin”, u shpreh mjeku kardiolog Eshref Shehu

Sipas mjekëve shkaqet e shifrave të shtuara për sëmundjet e zemrës mund të lidhen fillimisht me plakjen e popullsisë në Jug por edhe me konsumin në rritje të alkoolit dhe duhanit. Simptomat shpesh hasen edhe mes përdoruesve të drograve dhe lëndëve psikotrope. Obezieti, kequshqyerja dhe stili sedentar i jetës gjithashtu janë faktorë me ndikim të lartë për situatat akute.

Në Gjirokastër për pasojë është shtuar numri i personave që përfitojnë pension të invaliditetit për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.Në raport me vitin 2023, në Gjirokastër janë shtuar me 30% rastet e aplikimeve për përfitim të pensionit të invaliditetit. Në 90% të rasteve aplikantët janë pacientë që kanë kaluar koronavirusin pa dallim moshe. Ndërsa numri i personave që janë prekur me sëmundje kardiake ka pasur një rritje me gati 20%.

Emrat-Dokumenti/ Nuk ndalet Gaz Bardhi me shërbime, i kërkon Lindita Nikollës heqjen e deputetëve të PD zyrtare nga funksionet në Kuvend!

Grupi Parlamentar i Rithemelimit ka njoftuar Kuvendin me anë të një shkrese lidhur me ndryshimet në Kryesinë e grupit të tyre.

Sipas dokumentit të firmosur nga Gaz Bardhi, nuk ka asnjë referencë për Sali Berishën që të emërohet kryetar grupi siç deklaroi në seancë Edmond Spaho, por kërkon sërish rikthimin e tij në grup.

Por “revolucionistët” e Rithemelimit kanë hequr nga komisionet parlamentare dhe nga organet e tjera në Kuvend deputetët Partisë Demokratike zyrtare.

Gaz Bardhi si kreu i grupit parlamentar i grupimit të Rithemelimit i cili nuk ndalet me shërbimet e tij ndaj Berishës por duke bërë njëkohësisht dhe lojën e Ramës, në emër të grupit të Rithemelimit, ka kërkuar heqjen nga Këshilli i Legjislacionit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe deputetit të PD Enkelejd Alibeajt dhe kërkon ta zëvendësojë me Dhurata Çupin.

Edhe kreu i PD, Lulzim Basha, është “hequr” nga Bardhi Asambleja Parlamentare për Bashkëpunimin e Europës Perëndimore dhe në vend të tij ka “emëruar” Oerd Bylykbashi

Nga ana tjetër nënkryetarët e grupit të Rithemelimit, do të jenë Ervin Salianji dhe Albana Vokshi, ndërsa zëdhënëse dhe sekretare Ina Zhupa.

Sakaq, Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Ina Zhupa, Zhani Gjergji, Saimir Korreshi dhe Sorina Koti do të jenë anëtarë të Komitetit për Stabilizim Asociimin. Por pavarësisht nga dëshirat e Berishës dhe Bardhit, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nuk ka guxuar këtë herë që të bëjë lojën e Rithemelimit, pasi tashmë për nderet që i ka bërë deri tani në mënyrë të jashtëligjshme strukturës ilegale të Rithemelimit, ajo është e kallzuar në SPAK për shpërdorim detyre.

Emrat-Dokumenti/ Nuk ndalet Gaz Bardhi me shërbime, i kërkon Lindita

“Pasi Avdyli më tha të ktheheshim në tokën jugosllave, e godita me automatik në kokë dhe…”- Dëshmia e të infiltruarit të Sigurimit, që dorëzoi në kufi njeriun që do vriste Enver Hoxhën në ’74-ën

“Antoni na tha se po të dëshironim, mund të na njihte me një djalë shqiptar, i cili para disa muajsh ishte arratisur nga Shqipëria dhe quhej Qemal Nelku. Qemali ishte nga Tirana dhe qe arratisur, siç na tha ai, për të bërë qejf në ‘botën e lirë’. Abdyli ra dakord me propozimin e Antonit dhe pas kësaj, ai na e solli vetë Qemalin. Abdyyli i tha Qemalit, se ne ishim shqiptarë të arratisur që vinim nga Nju Jorku, për t’u futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për të kryer një mision të caktuar nga organizata ‘Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare’ dhe i propozoi atij që të vinte me ne. Qemali shprehu mosbesim dhe dyshoi duke na thanë se; mund të jeni njerëz të Sigurimit, por Abdyli i nxori atij pasaportat tona amerikane dhe dokumentet e tjera”.

 

Kështu thuhet në mes të tjerash në dokumentin arkivor me proces-verbalin e hetuesisë së shqiptaro-amerikanit, Tom Mërnaçaj, njërit të Sigurimit të Shtetit, i cili në vitin 1975, u inflitrua nga Zbulimi Politik Shqiptar që vepronte i kamufluar pranë Misionit Shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, për të bërë të mundur që ai të vinte në Shqipëri me Abdyl Hakan Banushin, (me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës, ish-pjesëtar i forcave të “Ballit Kombëtar”, gjatë viteve 1943-’44, i arratisur nga Shqipëria në vitet ’50-të dhe rezident në SHBA-ës), ku ishte angazhuar në mërgatën politike shqiptarë dhe Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Tom Mernaçaj, rrëfen aventurën e tij, në gjurmë të të kërkuarit numër 1, të regjimit komunist të Tiranës, Abdyl Banushi

Dokumenti, përmbajtja e të cilit është e zbardhur më poshtë, rrëfen versionin e të infiltruarit të Sigurimit të Shtetit, Tom Mernaçaj, për arrestimin në prill të vitit 1975, të Abdyl Banushit, njeriut që tentoi të vriste Enver Hoxhën me armë zjarri. Sipas këtij versioni, pas disa tentativash për të hyrë në Shqipëri, me qëllim për të hedhur në erë statujën e Stalinit në qendër të Tiranës, si dhe ambasadën e Kinës, Abdyl Banushi, sekretari i “Frontit të Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare”, me qendër në Nju Jork të SHBA-ve, si dhe Tom Mërnaçaj, tentojnë në futen nga territori jugosllav, saktësisht në zonën e Hanit të Hotit.

Në këtë tentativë, të dy kanë si bazë të fundit shtëpinë e të atit të Tomës, që gjendej në territorin jugosllav. Të dy, Tom Mernaçaj, në dëshminë e tij para hetuesisë dhe Abdyli në kujtimet e tij, të shkruara pas daljes nga burgu, më 1991, japin versionet e tyre për këtë ngjarje. Versione që lexuesit i jepen të plota më poshtë.

                                                        D o k u m e n t i

                                                         Proces – verbal

                                     (Mbi pyetjen e dëshmitarit Tom Gjek Mërnaçaj)

Në Tiranë, më 10.IV.1976

Unë, Dhimitër Beshiri, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbaj këtë proces-verbal mbi pyetjen e dëshmitarit Tom Mernaçaj, i biri i Gjekës dhe i Marës, i datëlindjes 1953, lindur në fshatin Mali i Jushit, Shkodër, dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm, me kombësi shqiptare dhe shtetësi jugosllave, pa parti, i pa dënuar.

Mora njoftim mbi përgjegjësinë penale që kam sipas neneve 220 dhe 226 të Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë, në rast se bëj dëshmi të rreme ose, refuzoj të tregoj çka di lidhur me çështjen.

                  Dëshmitari

            TOM GJEK MERNAÇAJ

Në muajin gusht të vitit 1974, në kohën kur punoja si kamerier në një restorant të Nju-Jorkut, jam njohur rastësisht me Abdyl Hakan Banushin. Rastisi që unë t’i shërbeja atij në tavolinë. Ai më pyeti se nga isha dhe unë iu përgjigja se isha shqiptar. Në vazhdim të bisedës, ai më tha se edhe ai ishte shqiptar dhe se në Nju-Jork, kishte ardhur me shërbim, sepse ishte oficer i organeve të Sigurimit të Shtetit.

Për këtë, më nxori një dokument me një fotografinë e tij, në të cilën kishte dalë me uniformën e oficerit shqiptar, me gradën kapiten të Sigurimit të Shtetit shqiptar. Më tha se po të dëshiroja unë, ai mund të më kthente në Shqipëri. Më vonë jam takuar disa herë të tjera me Abdylin, në restorantin dhe në vende të tjera. Pasi u njoh mirë me mua, se nga isha dhe pse kisha shkuar në SHBA-ve, më tregoi të vërtetën, duke më thënë se ai ishte arratisur nga Shqipëria, si kundërshtar politik i pushtetit popullor, para afro 10 vjetësh.

Më tha se të arratisurit shqiptar atje kishin krijuar një organizatë me ermin; “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare” dhe filloi të më jepte materiale të ndryshme propagandistike, të kësaj organizate. Sipas kërkesës së tij, i kam shkuar disa herë në shtëpinë ku banonte, në lagjen Bruklin të Nju-Jorkut, në një apartament të mirë, në afërsi të plazhit. Ngaqë nuk ishte i martuar, banonte vetëm. Në shtëpi, Abdyli mbante materiale të ndryshme propagandistike, të organizatës “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare”.

Në këto materiale, të cilat unë i kam lexuar, bëhej thirrje për organizimin e një kryengritjeje të armatosur të popullit shqiptar, kundër pushtetit popullor. Në biseda me të, Abdyli më propozoi mua që të bëhesha anëtar i asaj organizate, sepse kështu do të luftoja për atdheun, për Shqipërinë. E pyeta se si ishte e organizuar kjo organizatë dhe ai më shpjegoi se organizimi i saj, ishte në mënyrë të tillë, që secili anëtar, njihte vetëm dy anëtarë të tjerë të organizatës, pra ruhej një konspiracion i madh.

Çdo anëtar i organizatës, kryente detyra të ndryshme që i ngarkoheshin nga drejtuesit e saj, të cilat siç më tha ai, do t’i njihja më vonë. Unë pranova të bëhesha anëtar i organizatës së lartpërmendur, me qëllim që të mësoja sa më shumë gjëra, rreth përbërjes dhe aktivitetit të saj konkret, kundër Shqipërisë. I thashë Abdylit, se isha dakord me propozimin e tij dhe që nga kjo kohë, ai më ka mbajtur gjithmonë pranë vetes.

Në muajin shtator-tetor 1974, së bashku me Abdylin, kam shkuar në zyrat e Komitetit “Shqipëria e Lirë” në Nju-Jork, ku jam njohur dhe kam zhvilluar biseda të ndryshme me drejtuesit e këtij komiteti, Rexhep Krasniqi, Vasil Gërmenji, Mexhit Dibra dhe Hamdi Uruçi, që vinte shpesh në këtë Komitet, për të cilat më vonë si nga Abdyli, ashtu edhe nga ata vetë, mora vesh se ishin drejtuesit e organizatës “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare”. Po kështu mësova, se edhe Abdyl Banushi, së bashku me Idriz Lamajn, ishin në kryesinë e organizatës së lartpërmendur.

Gjatë bisedave që kam bërë në Komitetin “Shqipëria e Lirë” me Abdylin, Rexhepin, Vasilin, Hamdiun, Mexhitin, etj., kam mësuar se kjo organizatë, është organizatë e aksioneve konkrete kundër pushtetit popullor në Shqipëri. Ata më thanë se anëtarët e saj, kanë kryer disa aksione kundër pushtetit popullor dhe konkretisht, kanë hedhur lëndë eksplozive në Ambasadat e RPSH-së në Romë e Paris, kanë dërguar grupe diversantësh në Shqipëri, për të kryer aksione, për të cilat flitet edhe në materialet propagandistike të organizatës, një pjesë e të cilave, ne i kemi marrë me vete dhe që na u kapën në kufi, në kohën e arrestimit.

Jam interesuar për të mësuar se cilët ishin personat konkretë që i kishin kërkuar këto aksione dhe këto kam mundur t’i mësoj, vetëm në kohën kur Abdyl Banushi, më propozoi që së bashku të vinim ilegalisht në Shqipëri, për të kryer disa detyra me rastin e 29 Nëntorit të vitit 1974, 30 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, për të cilat siç më tha ai, kishte vendosur kryesia e organizatës, detyrë që siç do të shpjegoj me hollësi, e pranova me qëllim që të dorëzoja atë, Abdylin, në organet kompetente shqiptare…!

…Më datën 26 mars 1975, u nisëm nga Nju Jorku me aeroplan, për në Monreal të Kanadasë, ku mbërritëm rreth orës 14:50. Po atë datë, më orën 22:30, me avionin “Air Canada”, u nisëm për në Athinë, ku mbërritëm rreth orës 14:30, të datës 27.03.1975. Pasi zumë vend në hotel “Aspasia”, i dërgova një letër gruas sime, Paulinës, në Nju Jork, së cilës i thosha se isha mirë me shëndet dhe se ndodhesha në Athinë. Të nesërmen Abdyli më tha që të shkonim në Llavria, për të takuar shokun e tij, Anton Gjelajn, i cili është arratisur nga Shqipëria, 4-5 vitet e fundit.

Pasi mbërritëm në Llavrio, Abdyli më tha që të shkoja në shtëpinë e Antonit, për ta takuar atë, pasi ai vetë nuk desh të takohej me vjehrrin e Antonit, me të cilin ai banon një shtëpi dhe e mora me vete, për ta takuar me Abdylin, i cili na priste në një bufe, që ndodhej aty pranë. Abdyli i tregoi Antonit, arsyen e ardhjes sonë nga Nju Jorku dhe i kërkoi atij, që sipas marrëveshjes që kishin bërë, të vinte edhe ai me ne, për të kryer misionin e ngarkuar për në Shqipëri. Antoni tha se do të ishte dakord për të ardhur, por ato ditë, do të nisej për në Kanada, së bashku me familjen e tij, sepse i ishin aprovuar dokumentet për emigrim.

Ai na tha se po të dëshironim mund të na njihte me një djalë shqiptar, i cili para disa muajsh ishte arratisur nga Shqipëria dhe quhej Qemal Nelku. Qemali ishte nga Tirana dhe qe arratisur, siç na tha ai, për të bërë qejf në “botën e lirë”. Abdyli ra dakord me propozimin e Antonit dhe pas kësaj ai na e solli vetë Qemalin. Abdyyli i tha Qemalit se ne ishim shqiptarë të arratisur që vinim nga Nju Jorku për t’u futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për të kryer një mision të caktuar nga organizata “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare” dhe i propozoi atij që të vinte me ne.

Qemali shprehu mosbesim dhe dyshoi duke na thanë se mund të jeni njerëz të Sigurimit, por Abdyli i nxori atij pasaportat tona amerikane dhe dokumentet e tjera. Qemali tha se; ju besoj, por nuk mundem me ardh me ju, se kam frikë se më kapin dhe më dënojnë rëndë. Në mbrëmje, unë, Antoni, Abdyli dhe Qemali shkuam në Athinë, në dhomën e hotelit ku ne kishim zënë vend dhe biseduam përsëri me Qemalin. Abdyli e pyeti atë mbi situatën në Shqipëri. Qemali i tregoi mbi dënimin e të birit të Teme Sejkos, për një zhurmë të disa të burgosurve, etj.

Abdyli përsëri i propozoi Qemalit, për të ardhur me ne në Shqipëri, por ky i fundit, nuk pranoi. Ai na tha se në Tiranë, kishte vëllain e tij, Hamit Nelkun, që banon në lagjen “Ali Demi” dhe se ai kishte dëshirë të arratisej nga Shqipëria, prandaj po të doni ju jap një letër që kur ta takoni t’ia jepni dhe po të mundeni, ndihmojeni që të arratiset jashtë shtetit. Abdyli e mori letrën…! Abdyli e pyeti Qemalin, nëse e njihte Osman Kazazin, i cili banonte në Tiranë dhe ai iu përgjigj se e njihte dhe se banonte pranë shtëpisë së tij, në lagjen “Ali Demi”, për të cilën i dha edhe adresën e tij të shkruar në një letër, që edhe kjo na u kap në kohën e arrestimit…!

Në datën 29 mars 1975, u nisëm nga Athina për në Janinë, ku ndenjëm dy ditë në hotelin “Olimpik”. Në mbrëmje Abdyli, mori në telefon Nikolla Plasotin (lidhje e organizatës, njeriu që siguronte lëndët eksplozive dhe armët, shënimi ynë) dhe Lefter Guvelin. Lefteri, nuk ndodhej në shtëpinë e tij, pasi kishte shkuar në Athinë, kurse Nikolla, na doli vetë në telefon dhe na tha se të nesërmen në drekë, do të vinte të na merrte me makinën e tij, për në Igumenicë. Nikolla punonte shofer taksie, në Igumenicë. Të nesërmen Nikolla, erdhi dhe na mori në Janinë.

Rrugës Abdyli qëndroi në shtëpinë e Lefter Guvelit, ndërsa unë me Nikollën, shkuam në shtëpinë e tij. Në mbrëmje Nikolla më tregoi një letër që Abdyl Banushi, ia kishte dërguar nga Nju Jorku, më të cilën e akuzonte Nikollën, se punonte për dollarë dhe jo për patriotizëm, për çlirimin e Shqipërisë nga komunistët, dhe më tha se ishte i pakënaqur, nga kjo letër e Abdylit…!

…Më 2 prill, erdhi përsëri Abdyli, i cili e pyeti Nikollën, se nga ishte më mirë për të kaluar kufirin ilegalisht, për në Shqipëri. Nikolla i tha se; për këtë, pyet Lefterin. Të nesërmen unë me Nikollën, shkuam në shtëpinë e Lefterit, ku ishte edhe Abdyli. Sipas njoftimit të Nikollës, aty erdhi edhe një person tjetër, që quhej Gaqo Gaqi. Biseda mes tyre, u zhvillua në greqisht, pasi Gaqo nuk dinte shqip dhe unë nuk kuptova asgjë nga biseda e tyre. Në fund Abdyli më tha, se kufirin do ta kalonin afër Janinës. Unë i thashë se isha dakord, se ata e njihnin vendin.

Lefteri bëri një letër për t’ia dërguar një fshatari që banonte afër kufirit, i cili me sa më kujtohet, quhet Vasil. Këtë letër e mori për t’ia dërguar atij, së bashku me 50 dollarë, Gaqo Gaqi. Në mbrëmje unë dhe Nikolla, u kthyem në shtëpinë e këtij të fundit, kurse Abdyli, ndenji në shtëpinë e Lefterit. Më datën 4 prill 1975, Nikolla, me porosinë e Abdylit, shkoi në shtëpinë e Gaqit, ku mori një automatik, dy pistoleta, një busull, etj., të cilat ne i kishim lënë aty, në muajin nëntor të vitit 1974. Pasdite unë dhe Nikolla, shkuam përsëri në shtëpinë e Lefterit, ku erdhi pas pak Abdyli me Gaqon.

Nikolla i tha Abdylit, për letrën që ai i kishte dërguar nga Nju Jorku, në të cilën e akuzonte se punonte vetëm për dollarë dhe jo për patriotizëm dhe i kërkoi Abdylit, t’i paguante shpenzimet që kishte bërë, për përdorimin e taksisë ato ditë. Abdyli u inatos për këtë çështje dhe ngulte këmbë se atë letër, të cilën Nikolla ia paraqiti atij, nuk e kishte shkruar ai. Në praninë tonë u lexua letra, e cila ishte shkruar me makinë shkrimi dhe mbante emrin e Abdyl Banushit. Në grindje e sipër, Nikolla u zemërua dhe u largua.

Lefteri tha se; kur fillon një punë ters, ajo kështu do përfundojë. Zemërimi i Nikollës, na hoqi mundësinë e ndihmës që do të na jepnin ai dhe shokët e tij, për t’u futur ilegalisht në Shqipëri, nga territori grek, nëpërmjet Konispolit. Unë ju luta Lefterit, që të na jepte armët dhe lëndët eksplozive, sepse, do të përpiqeshim për t’u futur ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet Jugosllavisë. Ai ra dakord dhe pasi morëm armët prej tij, u nisëm me autobus nga Janina, për në Athinë. Para se sa të ndaheshim me të, Gaqi na tha se ishte i gatshëm, për të na ndihmuar, sikur ne t’i shkonim atij, edhe me 20 veta.

Në Athinë mbërritëm në datën 5 prill 1975 dhe që aty me tren, u nisëm për në Shkup. Pas grindjes me Nikollë Plasotin, në bisedë me Abdylin, me qëllim që të mos dështonte plani që kisha, dorëzimin e tij, në organet kompetente shqiptare, i thashë se në Shqipëri, mund të futeshim ilegalisht nëpërmjet zonës kufitare të Hotit, në afërsi të Shkodrës, ku kam njerëzit e mi. Abdyli e pranoi këtë mendim dhe për këtë arsye, ne u nisëm për në Jugosllavi, me tren. Mbas mbërritjes në Shkup, u nisëm të nesërmen në Titograd, ku mbërritëm më datën 7 prill 1975 dhe prej aty, shkuan në shtëpinë time në Titograd.

Në biseda me babain tim, Abdyli i tha atij, se kishim ardhur për të hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe do të kryenim detyra kundër pushtetit popullor. Meqenëse babai tha se nuk e kishte për qejf këtë punë, unë i bëra me shenjë Abdylit, që të shkonte të flinte, pasi me babain, do të bisedoja vetë. Kur mbetëm vetëm, i tregova babait, qëllimin e vërtetë të ardhjes sime në Shqipëri, për të dorëzuar Abdylin, si njeri të rrezikshëm për pushtetin popullor. Ai u frikësua shumë, se mos ndodhte ndonjë gjë në kufi, por unë e qetësova, duke i thënë se do të isha i kujdesshëm dhe se kjo që po bëja, ishte në dobi të atdheut.

Të nesërmen, gjatë gjithë ditës, kemi qëndrue në shtëpi dhe në mbrëmje, unë, Abdyli dhe babai, u nisëm në drejtim të kufirit. Nga Titogradi, deri në fshatin Drume, shkuam me taksi, ndërsa që aty, e deri në kufi, udhëtuam në këmbë, duke na udhëhequr babai, i cili e njeh mirë atë zonë kufitare. Kur iu afruam rreth një km. vijës së kufirit, babai, pasi na udhëzoi për rrugën që duhet të ndiqnim më tej, u nda me ne. duke u kthyer për në shtëpi, ndërsa ne vijuam rrugën, për në kufi. Rrugës mua më humbi pistoleta, pasi u rrëzova nga një shkëmb i vogël, për të cilën nuk i thashë gjë Abdylit.

Në vazhdim të udhëtimit unë mbaja në dorë automatikun, ndërsa Abdyli pistoletën. Kufirin e kaluam në vendin e quajtur Fjerkuqe, nën linjën e tensionit të lartë Shqipëri-Jugosllavi. Kjo ishte natën e 7 prillit 1975, në të gdhirë. Si ecëm ca, arritëm te kloni (gardhi i telave) i kufirit, për të cilin unë kisha dijeni, se ndodhej aty. Abdyli sapo e pa klonin, më tha se; më tradhtove, pasi unë e kisha siguruar atë, se në atë zone, nuk kishte klon. Unë i thashë se; nuk të kam rrejt, se si unë dhe baba, nuk e kemi ditur këtë gjë. Ai më tha që të ktheheshim, për të gjetur ndonjë vend pa klon, sepse duke kaluar klonin, do të diktoheshim dhe do të na kapnin rojet e kufirit.

Ne, vazhdoi Abdyli, bëmë gabim që lamë shkallën, tek Lefter Guveli në Greqi. Këto shkallë, para se të niseshim nga Nju Jorku, (Abdyli më ka treguar mua, një palë shkallë të përgatitura prej tij dhe tha se me anën e këtyre, kalohet lehtë kloni. Këto shkallë ishin të çmontueshme dhe fare të lehta). Mbasi Abdyli më tha të ktheheshim, unë i thashë se isha dakord dhe ai filloi të ecë, në drejtim të tokës jugosllave.

Në këtë moment, unë e godita me trupin e automatikut në kokë, për ta rrëzuar në tokë, pa ndjenja. Pas goditjes ai ra në tokë dhe unë iu hodha sipër për t’i hequr pistoletën, të cilën e mbante në brez. Ia mora dhe qëllova disa herë me të, se sa nuk më kujtohet, me qëllim që të vinin rojet e kufirit, për të na marrë dhe çuar në postën kufitare. Me pistoletën kam qëlluar në ajër. Pas pak erdhën rojet, të cilët na morën dhe në çuan në postë”.

Tom Mernaçaj, njeriu që dorëzoi Banushin, u akuzua për agjitacion dhe propaganda dhe u lejua të kthehej në SHBA-ës!

Tom Gjek Mernaçaj, njeriu që rrezikoi duke neutralizuar forcërisht dhe duke dorëzuar tek autoritetet shqiptare Abdyl Banushin, një nga krerët e organizatës “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare”, me qendër në Nju Jork të SHBA dhe autor i vendosjes së lëndëve eksplozive në Ambasadat shqiptare në Romë e Paris, është lënë i lirë në prill 1976, pas fiks një viti në burg.

Një vit më parë, pasi kishin kaluar në tokën shqiptare në Han të Hotit, ai kishte qëlluar me qytën e automatikut shokun e vet, duke e rrëzuar përtokë e dërguar përfundimisht drejt burgut të pashmangshëm. Në dokumentin, përmbajtja e të cilit do të jetë më poshtë, thuhet se fillimisht Tom Mernaçaj është mbajtur në burg për shkak se kishte pranuar të bëhej anëtar i organizatës “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare” dhe se është lënë i lirë pasi ka kryer akt patriotik, duke dorëzuar Banushin para drejtësisë shqiptare.

         D o k u m e n t i

           V E N D I M

(Mbi pushimin e çështjes)

Në Tiranë, më 10.IV.1976

Unë Dhimitër Beshiri, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi studiova materialet në ngarkim të të pandehurit Tom Gjek Mernaçaj.

                                                       K O N S T A T O V A

Në datën 8.IV.1975, është filluar çështja penale dhe është marrë në përgjegjësi penale, në gjendje arresti, Tom Gjek Mernaçaj, për arsye se në orën 01:30, të datës së mësipërme, është kapur në flagrance, nga rojet kufitare të postës së Hotit, Shkodër, duke hyrë ilegalisht në territorin e RPSH nëpërmjet Jugosllavisë, krim ky i parashikuar nga neni 255/1 i Kodit Penal të RPSH.

Nga hetimet e mëvonshme, në muajt gusht-shtator 1974, Tom Gjek Mernaçaj, sipas propozimit të të pandehurit Abdyl Banushi, ka pranuar të bëhet anëtar i organizatës “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare” dhe për këtë arsye, u mor i pandehur, për krimin e parashikuar nga neni 73/1, në lidhje me nenin 76, të Kodit Penal.

Nga tërësia e materialeve të grumbulluara në dosjen hetimore, gjatë hetimit rezulton e provuar, se; i lartpërmenduri, që në momentin kur mësoi se organizata “Fronti i Rezistencës Anti-staliniste Shqiptare”, zhvillonte veprimtari terroriste kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe se vetë i pandehuri Abdyl Banushi, paraqiste rrezikshmëri të theksuar për vendin tonë, vendosi ta dorëzonte atë në organet tona.

Vepër të cilën ai e realizoi në datën 8 prill 1975, kohë kur sapo u futën në territorin shqiptar, e goditi atë në kokë dhe ua dorëzoi rojeve tona kufitare, duke kryer në këtë mënyrë një akt patriotik në shërbim të RPSH-së. Nga sa sipër, konkludohet se vepra e kryer nga i pandehuri Tom Gjek Mernaçaj, nuk përbën figurën e krimit, për të cilën është marrë i pandehur dhe për këtë arsye, në bazë të nenit 196/1, në lidhje me nenin 98, pika 5 të Kodit të Procedurës Penale:

                       V E N D O S A

Të pushoj çështjen penale në ngarkim të Tom Gjek Mernaçajt.
Këtë vendim t’ia komunikoj të lartpërmendurit, duke i marrë edhe nënshkrimin e tij. Memorie.al

                                     HETUESI                       

                               Dhimitër Beshiri

Vendimi m’u njoftua sot, më datë 10.4.’76.

                      Tom Gjek Mernaçaj

Raporti i OKB: Refugjatët dhe migrantët rrezikojnë jetën përmes rrugëve të rrezikshme nga Afrika për në Evropë

Çdo vit shumë nga qindra mijëra refugjatët dhe migrantët nga kontinenti afrikan, që kërkojnë azil, apo punë në Evropë, përballen me vdekjen, ngaqë ekzistojnë pak shërbime për t’i ndihmuar ata në këtë rrugëtim të rrezikshëm, sipas një raporti të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatë UNHCR, të publikuar të martën.

 

“Mungesa e shërbimeve kritike po i ekspozon refugjatët dhe migrantët ndaj pasojave të rënda deri në vdekje dhe gjithashtu po i detyron ata të përdorin itinerare dytësore të rrezikshme,” deklaroi i dërguari i posaçëm i UNHCR-së për situatën në pjesën qendrore të Mesdheut gjatë një konference shtypi në Gjenevë.

“Disa refugjatë dhe migrantë po shpërfillin rreziqet dhe shumë prej tyre janë viktima të trafikantëve”, tha ai.

Raporti vë në dukje vështirësitë me të cilat përballen refugjatët dhe migrantët të cilët rrezikojnë jetën duke përshkuar terrene të vështira që shtrihen nga Afrika Lindore dhe Perëndimore drejt bregut të Afrikës Veriore përgjatë Atlantikut dhe prej pjesës qendrore të Detit Mesdhe për në Evropë.

Sipas UNHCR-së, refugjatët dhe migrantët nga rreth 20 shtete të ndryshme afrikane “vdesin ndërkohë që kalojnë nëpër shkretëtirë apo përgjatë zonave kufitare.” Veç banorëve nga pjesa qendrore e Afrikës, sipas raportit, një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve nga shtetet e Azisë dhe Lindjes së Mesme, përfshirë nga Bangladeshi, Pakistani, Egjipti dhe Siria shkojnë në Afrikën Veriore me destinacion përfundimtar Evropën.

Raporti thotë se shumica e refugjatëve dhe migrantëve “gjatë rrugëtimit përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” përfshirë “dhunë seksuale dhe gjinore, rrëmbehen në shkëmbim të pagesës, torturohen dhe keqtrajtohen fizikisht.”

“Shërbimet që do t’u ofronin mbrojtje përgjatë këtij rrugëtimi për të zvogëluar rreziqet me të cilat përballen, siç janë ndihma e menjëhershme humanitare, strehimi për ata që kanë përjetuar dhunë dhe qasja në drejtësi, shpeshherë nuk ekzistojnë”, deklaroi zoti Cochetel.

“Në shumë shtete, shërbimet që ekzistonin gjatë viteve 2022 dhe 2023 nuk ekzistojnë më. E tillë është situata në Marok, në Mauritani, në Sudan për shkak të konfliktit, në pjesën veriore të Nigerit dhe në pjesën jugore të Algjerisë. Këto janë rrugët kryesore nëpër të cilat kalojnë migrantët dhe refugjatët”, tha ai.

Përpos konfliktit në Sudan, gjatë vitit 2023 një mori krizash të tjera i detyruan njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre.

“Fatkeqësisht, nuk mund të përjashtojmë situata të tjera të rrezikshme në vitin 2024”, paralajmërojnë autorët e raportit. “Nuk mund të përjashtojmë as nevojën e njerëzve për të ikur apo braktisur, shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë apo të kushteve më të mira të jetës për veten dhe familjet e tyre.”

Sipas zoti Cochetel, mungesa e fondeve kërcënon edhe ofrimin e disa shërbimeve të kufizuara, siç janë misionet për kërkim-shpëtim.

“Në të kaluarën, roja bregdetare në Agadez të Nigerit shpëtonte njerëzit e mbetur në shkretëtirë të braktisur nga trafikantët. Por misione të tilla shpëtimi,” thotë ai, “nuk ekzistojnë më përgjatë këtij korridori.”

“Vendi i vetëm në kontinentin afrikan ku zbatohet ky koncept është Xhibuti,” deklaroi zoti Cochetel.

Ai tha se projekte të tilla të kërkim-shpëtimit duhet të kryhen në formë partneriteti me autoritetet e Nigerisë, në pjesën jugore të Marokut, Mauritanisë dhe zonave tjera në shkretëtirë.

“Na duhet një zgjidhje e tillë për të shpëtuar jetë dhe për t’u ofruar siguri njerëzve që braktisen” nëpër këto rrugë, deklaroi ai.

Që nga publikimi i raportit të kaluar në korrik të vitit 2022, UNHCR-ja thotë se rreth 3,045 individë kanë humbur jetën, apo figurojnë si të zhdukur nëpër këto korridore që kalojnë nëpër Mesdheun qendror dhe perëndimor dhe në rrugët detare të Afrikës veri-perëndimore.

“Por, shifrat e vërteta ka gjasa të jenë më të larta meqë shumë prej incidenteve nuk dokumentohen,” thuhet në raport.

Ndonëse raporti ka për synim të tërheqë vëmendjen e qeverive për nevojën e shërbimeve, zoti Cochetel thotë se qëllimi i raportit është të ofrojë informacione të dobishme për shërbimet ekzistuese për refugjatët dhe migrantët të cilët janë “të humbur, të bllokuar apo të keqtrajtuar nëpër këto rrugë.”

Raporti, thotë ai, përmban koordinata orientimi gjeografik dhe numra telefoni në aplikacionin ‘WhatsApp’ që refugjatët dhe migrantët mund t’i shfrytëzojnë për të gjetur shërbimet që mund t’u shpëtojnë jetën./VOA

Gazetari Rigels Seliman: ‘Trekëndëshi i Bermudës’ Rama-Berisha-Meta po shkërmoqet, Lulzim Basha shpresa e vetme e shqiptarëve

Kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman shprehet se “Trekëndëshi i Bermudës” Rama-Berisha-Meta po shkërmoqet. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, gazetari i politikës, Z.Seliman thekson teksa i referohet programit premtues siç e quan ai atë të Partisë Demokratike zyrtare, se shpresa e vetme e shqiptarëve, sipas tij, është kreu i PD, Lulzim Basha.

“Në Shqipëri, korrupsioni dhe krimi është një problem i theksuar që prek shumë sfera të jetës së përditshme, duke përfshirë qeverisjen, biznesin, dhe shoqërinë civile. Kjo shpesh pengon zhvillimin ekonomik, sjelljen e drejtësi sociale dhe mundëson diskriminimin e qytetarëve. Institucionet qeveritare duhet të ndërmarrin masa të fuqishme për të zbatuar ligjet dhe rregulloret kundër korrupsionit dhe për të rritur transparentësinë dhe llogaridhënien në të gjitha nivelet e administratës. Gjithashtu, ka nevojë për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në këtë luftë për të siguruar që çdo shtresë e shoqërisë të jetë e përfaqësuar dhe e mbrojtur në rrugën drejt një vendi më të integruar dhe më të ndershëm. Por korrupsionin e krimi nuk mund të luftohet nga zyrtarë që kanë dhënë prova që nuk mund t’i shpallin luftë atij. Bëhet fjalë për ‘Trekëndëshin e Bermudës’ Rama-Berisha-Meta, sic e ka etiketuar kryedemokrati Lulzim Basha, që në këto 30 e kusur vite demokraci kanë drejtuar Shqipërinë. Pra ka ikur koha e tyre dhe se ‘Trekëndëshi i Bermudës’ po shkërmoqet dhe s’mund t’iu ofrojë gjë shqiptarëve. Shpresa e vetme qe i’u ka mbetur qytetarëve shqiptarë, teksa shohim edhe programin premtues të Partisë Demokrartike, është kreu i PD, Lulzim Basha. Këtij të fundit duhet t’i jepet mundësia për të drejtuar vendin dhe kjo mundësi do të vijë shumë shpejt, në zgjedhjet parlamentare të ardhshme”, shkruan ndër të tjera kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman.

“Programi ekonomik i PD mbështet familjen”/ Xhepa: Taksa e sheshtë ndihmonë ekonominë

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, prezantimin e një dite më parë të programit ekonomik nga kryedemokrati Lulzim Basha në një tryezë me ekspertë dhe shpalosjen për zgjedhjet 2025 e cilësoi si të pazakontë që programi i një partie të prezantohet një vit para fushate.
Në një intervistë për MCN Live, ai tha se e sheh si risi pozitive prezantimin kaq kohë para, por shton se bëhet në mënyrë që të dialogohet me grupet e interesit dhe qytetarët për adresimin e problemeve.
Sipas tij, dje u shpalos një pjesë e programit që lidhet me axhendën dhe reformat ekonomike dhe se programi i paraqitur është një program mjaft ambicioz reformash.

 

“PD paraqiti një program që parashikon rikthimin tek taksa e sheshtë, bëhet fjalë për një reformë më të madhe se sa norma 9%.
Barra tatimore bie vetëm mbi disa grupe tatimore, jo mbi të gjithë agjentët ekonomikë. Një kthim i taksës së sheshtë, nuk duhet parë me skepticizmin për qëndrueshmërinë fiskale të buxhetit.
Nga pikëpamja e trajtimit fiskal kemi bërë eksperimente të mëdha në 30 vite tranzicion, kjo ka qenë një kosto e madhe për biznesin dhe sipërmarrjen në Shqipëri.
Rivendosja e një praktike që është taksa e sheshtë i shkon për shtat nevojave që ka ekonomia sot.
Ne kemi sot një sistem tatimor që taton të pasurit, ku të ardhurat e tyre tatohen 8%, grupi i të punësuarve deri në 23% dhe profesionistët e lirë deri në 25%.
Tatimi progresiv i PS se po tatohen më shumë të pasurit, nuk është i vërtetë. Gjithë barra e rëndë tatimore në këto vite ka rënduar vetëm shtresën e mesme.
Taksa e sheshtë rikthen një taksim progresiv, kush fiton më shumë paguan më shumë. Nuk është e vërtetë që me programin tonë favorizohen më të pasurit se tatimi i tyre rritet nga 8 në 9%.
Ndërkohë po njëlloj do të mbrohen ata me të ardhura më të ulëta pasi do të përjashtohen nga tatimi. Jep hapësirë dhe frymëmarrje për shkallën e mesme.
Deri tani ka ndodhur një hollim i tejskajshëm i shtresave të mesme. Zgjerimi i klasës së mesme bashkë me një frymëmarrje që krijohet për ekonominë, e ndryshon ekuilibrin e ekonomisë, duke e futur në një trajektore më të lartë potenciale.”

Sa i takon premtimit se me lindjen e fëmijës së tretë përfitohet bonusi prej 20 mijë euro, Xhepa cilësoi si element thelbësor të programit tragetin ndaj familjes dhe mbështetjen ndaj saj.

“Prirjet demografike në Shqipëri janë shqetësuese, për shkak të trendëve të shtimit të popullsisë.
Nëse këto trende vazhdojnë në te ardhmen, shumë balanca në Shqipëri do të viheshin në dyshim rëndë.
Është një shqetësim që duhet marrë me shumë seriozitet.”

Marku: Rama vë në dispozicion territorin tonë për burgjet e Europës, do të rehabilitojë figurën përtej kufirit

Kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Lezhë, Alfrida Marku, për protestën e një grupi aktivistësh në Shëngjin kundër ngritjes së kampeve për refugjatët gjatë vizitës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, thotë se vjen për shkak se që në fillim lezhianët e kanë kundërshtuar një marrëveshje të tillë.

Në një lidhje për MCN Live, Marku tha se Meloni ishte në Shqipëri për interesa të vendit të saj dhe interesa politike dhe se ajo i fitoi zgjedhjet në vendin e saj me kauzën e emigracionit.

Sipas saj, vendi ynë nuk përfiton asgjë, përkundrazi për vendin tonë rëndohet situata.

“E gjitha është përpjekje e kryeministrit të Shqipërisë për të rehabilituar figurën e tij politike. Lezha është nën qeverisjen e krimit dhe korrupsionit.

Gjithçka është përpjekje e Edi Ramës për të rehabilituar figurën e tij përtej kufirit, ndërkohë që vendin tonë ia ka dorëzuar krimit dhe korrupsionit.

Emigrantët shqiptarë janë dhe taksapaguesit më të rregullt në shtetin shqiptar dhe kudo dhe nuk është kjo mënyra e vetme për ti rikthyer mirënjohjen shtetit italian.

Kryeministri i vendit tonë po bën një përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar imazhin e tij politik. Banorët e Lezhës kanë qenë skeptik që në fillim për këtë marrëveshje.

Kampet që po ngrihen tek ne janë burgje. Kryeministri Rama po e vë në dispozicion territorin e Shqipërisë për burgjet e Europës.

Kryeministri vihet në dispozicion për të zgjidhur hallet e Bashkimit Europian në kurriz të Shqipërisë.

Këta emigrantë do tentojnë për të gjetur një mënyrë doemos për të dalë jashtë Shqipërisë, sepse në fund të fundit vullneti i tyre ishte të iknin në vendet europiane dhe jo të vinin në Shqipëri, duke i hapur rrugë trafikut të qenieve njerëzore.”

A është Shqipëria një shtet mafioz?

NGA GJERGJ EREBARA

Në pranverën e vitit 2000, një revistë italiane me emrin Limes, deklaroi se, sipas këndvështrimit të saj, rreziku i madh për Italinë ishin një numër “shtetesh mafioze” që po zhvilloheshin në anën tjetër të Ballkanit. Limes është termi që romakët përdornin për kufijtë e perandorisë dhe për telashet që shfaqen në ata kufij.

Revista përmendte grupet kriminale të dala nga rënia e ish-Jugosllavisë, persona me eksperiencë ushtarake dhe akses të bollshëm në informacion dhe në armë, të fuqizuara nga përdorimi i huliganëve dhe gangsterëve në luftërat civile në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Ajo përmendte transformimin e Malit të Zi në një republikë kontrabande cigaresh si dhe të Shqipërisë, në një republikë kanabisi dhe trafiku qeniesh njerëzore.

Përdorimi i termit “Shtet Mafioz” për Shqipërinë në atë kohë u pa i ekzagjeruar. Grupet kriminale shqiptare ishin në këtë kohë relativisht të reja.

Sot jemi 24 vjet pas atij botimi dhe situata duket shumë ndryshe. Kryeministri Edi Rama u pyet në një intervistë, e para në aq kohë sa mbahen mend ku gazetari nuk ishte 120% në shërbim të kryeministrit, mbi opinionin e shumë personave, që e përshkruajnë Shqipërinë si “shtet mafia”.

“Duhet të jenë burime të ndotura,” deklaroi Rama duke iu referuar deklaratave të Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministrit të tij, sot në arrati. Të nesërmen e intervistës, Rama iu kundërvu Ahmetajt edhe më ashpër, ndërsa mediat pranë tij nxorrën lajme arkive për të shënjestruar personin që për më shumë se 15 vjet ka qenë fare pranë Edi Ramës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp të mërkurën në Gjadër me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, Rama tentoi të argumentojë më thellë se pse, sipas tij, nuk ekziston diçka që të mund të quhet “mafia shqiptare”, siç ekziston mafia napoletane.

E para, le të shohim përkufizimet: Është Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, e ratifikuar edhe nga Shqipëria, që ka një përkufizim se çfarë është një grup kriminal i organizuar, termi zyrtar me të cilin është përkthyer në shqip. Përkufizimi është që kemi të bëjmë me grupe prej tre apo më shumë personash, bashkëpunimi i të cilëve për kryerjen e krimeve të rënda, të cilët dënohen me mbi 4 vjet burg, është i vazhdueshëm në kohë dhe ku anëtarët kanë role të kombinuara.

Sa i përket mafias, është Europol ai që ka dhënë një përkufizim lehtësisht të kuptueshëm, duke iu referuar grupeve mafioze historike të Italisë, Cosa Nostra, Camorra dhe Ndrangheta. Dallimi thelbësor mes grupeve të strukturuara të krimit dhe grupeve mafioze duket se qëndron te aftësia e këtyre të fundit për të kontrolluar territor dhe për ta shfrytëzuar atë; për të mbajtur veten në bazë të një kodi nderi, me bazë krahinore apo familjare; te aftësia për të manipuluar proceset zgjedhore dhe për të instaluar përfaqësues të vet në pozicionet administrative në territoret që ata kontrollojnë. Nuk është e domosdoshme që një grup mafioz të ketë një kumbar apo një këshill, siç supozohet se kanë grupet mafioze italiane apo italo-amerikane.

Në fakt, ideja e mafias si një strukturë e unifikuar, me rregulla të forta të caktuara dhe të zbatuara nga udhëheqës të plotfuqishëm, të cilëve u referohen me emrin Kumbar apo Padrino, këto janë më së shumti krijesa të letërsisë se sa të jetës reale.

Në jetën reale, mafia përbëhet nga grupe të ndryshme kriminale, të cilat shpesh bashkëpunojnë ose luftojnë njëra-tjetrën dhe, përmes bashkëpunimit, shtrijnë aktivitetin në një territor të gjerë, me veprimtari kriminale në njërën anë dhe me aktivitete në ekonominë e ligjshme si maskë apo si mjet pastrimi parash për të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme.

Strukturat mafioze dallojnë nga grupet e strukturuara kriminale edhe për faktin që ato kanë burime financiare shumë të fuqishme, të cilat u mundësojnë të kompromentojnë strukturat shtetërore të pushtetit. Aftësia e tyre për të kontrolluar territorin vjen para së gjithash nga fuqia financiare e përdorur për të korruptuar strukturën e vetme ligjore të një vendi që ka për detyrë kontrollin e territorit: Policinë e Shtetit. Apo për t’u maskuar me strukturat e pranuara nga shoqëria si legjitime për ushtrimin e pushtetit, si partitë politike apo organizatat e shoqërisë civile.

Ndryshe nga strukturat e krimit të organizuar, strukturat mafioze, për shkak të tiparit familjar, fisnor apo krahinor mbi të cilin operojnë, janë në gjendje të mbijetojnë më lehtë përballë goditjeve të agjencive ligjzbatuese, përmes promovimeve brenda strukturave apo përmes rekrutimeve të reja. Me pak fjalë, nëse anëtarët e një organizatë kriminale bien në burg, organizata mbaron me aq. Një grup mafioz, kur i goditen disa anëtarë, apo kur i goditet drejtuesi, është në gjendje të ruajë si kapitalin monetar apo fizik të akumuluar, ashtu edhe lidhjet dhe njohuritë mbi linjat e aktiviteteve kriminale për shkak se të arrestuarit mundet, ose të drejtojnë nga burgu, ose të zëvendësohen nga anëtarë të tjerë të familjes kriminale.

Hetimet vendëse apo të huaja, si dhe fakte të njohura botërisht mund të na ndihmojnë ne të shohim grupet kriminale shqiptare, ekzistenca e të cilave është e njohur dhe tiparet që ato shfaqin, pra nëse operojnë në nivel të grupit kriminal apo kanë marrë tiparet e grupeve kriminale mafioze.

Ndërsa procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbart përkufizime, të cilat ndihmojnë për të konstatuar ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal apo lidhjeve kriminale të një zyrtari. Sipas këtij përkufizimi, kontaktet me personat e dyshuar por të padënuar për krime të rënda, përbëjnë argument për shkarkimin e një zyrtari të drejtësisë për mungesën e pastërtisë së figurës, me përjashtim të rasteve kur një proces i rregullt gjyqësor i ka shpallur ata të pafajshëm.

Ishte ky përkufizim që m’u kujtua kur, në intervistën me RAI-n, kryeministri Edi Rama doli në mbrojtje të Artur Shehut, një figurë e përfolur gjerësisht si eksponent i krimit të organizuar, duke deklaruar se ai nuk ka qenë kurrë i dënuar. Një person tjetër, një gjyqtar nga Vlora, paraqiti të njëjtin argument gjatë procesit të vetingut, argument që në rastin e tij nuk piu ujë.

Për të gjykuar situatën nëse Shqipëria ka thjesht nivel të lartë kriminaliteti, apo ka përfunduar në pikën e shtetit mafia, mundet të shikojmë ekzistencën e grupeve të njohura të krimit të organizuar, nga veriu në jug, llojet e aktiviteteve të tyre si dhe tiparet e veprimtarisë së tyre.

Në plan të përgjithshëm mund të themi se kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, trafikimi i kokainës, bixhozi dhe, gjatë viteve të fundit, prokurimet publike, falsifikimi i dokumenteve të pronësisë në tokat me perspektivë zhvillimore si bregdeti i Velipojës, i Shëngjinit, i Lalzit, Durrësit e Vlorës, janë fushat kryesore të veprimtarisë së grupimeve kriminale shqiptare.

Edhe pse Rama mund ta mohojë nga mëngjesi deri në darkë, numri i personave me të shkuar kriminale të tillë që klasifikohet si krim i organizuar, të dënuar apo të dyshuar, të cilët sot si magjistarë janë në gjendje të investojnë në sektorin e ndërtimit, është i lartë. Edhe aksesi në vendimet e niveleve më të larta të qeverisjes, pra vendimmarrjes së vetë Edi Ramës, i personave të njohur për aktivitet kriminal është gjithashtu i njohur.

Mundet që ta nisim nga veriu në jug: në Shkodër njihet ekzistenca e familjeve kriminale Bajri dhe Liçi, ndërsa pak më në jug, në Velipojë, njihet grupi i Pëllumb Gjokës. Nga sa është hetuar në të shkuarën nga prokuroria shqiptare, por edhe nga dosjet e bujshme të kohëve të fundit, Metamorfoza apo dosja e shtatë bandave, këto grupe dukshëm kanë burime ekonomike të fuqishme. Dhe kur një eksponent i tyre arrestohet apo goditet, grupi vijon.

Kontrolli i tyre mbi territorin dallohet para së gjithash nga historia e kamerave të paautorizuara të përgjimit, si dhe nga hetimet që kanë zbuluar se këto lloj grupesh kriminale janë në gjendje të kontrollojnë tregjet, ku zhvasin tregtarët nën emrin e “mbrojtjes”, apo kontrollojnë plazhin e Velipojës. Lidhjet politike të këtyre grupeve janë gjithashtu të dukshme si në nivel vendor, ashtu edhe në nivel qendror.

Në Lezhë, dosja e fundit e zbardhur nga SPAK falë asistencës së Europol dhe Eurojust dhe të dhënave të siguruara nga aplikacioni Sky ECC, tregon se familja Ndoka dhe kreu i saj, ish-deputeti socialist Arben Ndoka, kontrollon territor në bashkëpunim me rrethin e tij të ngushtë familjar. Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë vetëm një numër nën kontroll apo në bashkëpunim me grupet kriminale. Kanabisi mbillet gjithandej dhe familjarët më të ngushtë të një deputeti aktual socialist akuzohen se janë në biznesin e prodhimit dhe trafikimit të drogës.

Një grup i lidhur me Ndokën me bazë pak më në jug dhe që drejtohej nga Ervis Martinaj, aktualisht i zhdukur, e bënte qesharake idenë që Policia e Shtetit e kontrollon territorin.

Në Fushë-Krujë, dosja e shtatë bandave tregonte se si Durim Bami dhe familja Rraja ishin njëkohësisht grup kriminal, parti politike dhe autoritet shtetëror. Për aq sa pëmend vetë Durim Bami (aktualisht në arrati), gjatë pranverës së vitit 2020, kohë kur i përkasin përgjimet, ai vetë kishte mijëra dhe mijëra rrënjë kanabis të mbjella, nga bregdeti i Adriatikut deri në zonën e Qafështamës në Malësinë e Krujës. Ndërsa pak më në lindje, në zonën e Matit, personazhe të tjerë të krimit kultivonin drogë.

Në Shijak, të dhënat e publikuara nga tabloidi gjerman BILD në vitin 2019 sugjeruan se vëllezërit Avdylaj kanë emërtuar Ilir Ndraxhin si deputet në listat e Partisë Socialiste.

Në lidhje me Elbasanin, është e gjithëpranuar tashmë se qyteti është nën kontrollin efektiv të grupeve kriminale, ndërsa Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara sanksionoi në vitin 2022 ish-deputetin Aqif Rakipi për arsye se “ushtron ndikim politik në një grup të krimit të organizuar” në zonën e Elbasanit si dhe kryen emërimet në administratën publike në qarqet Tiranë e Elbasan.

Në rastin e Vlorës, moria e blloqeve absurde të pallateve bosh si dhe dosja italiane e kushërinjve të Saimir Tahirit besoj se mjafton për të dalë në konkluzionin se krimi kontrollon territor, ndërsa shteti shqiptar mundet të luajë vetëm rolin e turistit.

Shembuj të rinj ofruan edhe rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin vendor në vitin 2023, ku grupe të ndryshme të lidhura me aktivitete kriminale dhe që funksionojnë në nivel familjar, ishin në gjendje të zgjidhnin veten apo familjarët e tyre në këshillet bashkiake, si dhe të ndryshojnë parti. Një herë konkurrojnë për njërën parti dhe pastaj për tjetrën, sipas dëshirës. Rezultatet për zgjedhjet për këshill sugjerojnë se partitë politike janë mysafire në shtëpinë e strukturave të gatshme kriminale, të cilat, përmes ryshfetit apo dhunës në territoret e veta, janë në gjendje të ndikojnë proceset zgjedhore.

Dosja e shtatë bandave, e cila formalisht mbetet sekret hetimor, por që përmbajtja e së cilës është publikuar gjerësisht nëpër portale, jep mundësinë, mes të tjerash, që të shohim se si krimi i organizuar e sheh këtë punën e kontrollit të territorit.

Emiljano Shullazi shfaqet si më elokuenti në dosje sa i përket gjykimeve të karakterit politik. Në një rast, kur dyshohet se po përgatitet të porosisë një vrasje në Durrës, ai thotë: “Vlla Tirana është pak problem, ama sa kalon Kaza Italia nuk e rruan kush. Andej nga kam hall unë nuk kalon policia vetëm një herë në ditë.”

Ndërsa në një rast tjetër, që tregon kontrollin e krimit mbi territorin, një i dyshuar komunikon një grup për t’i thënë se disa po planifikojnë “të ruajnë” (supozohet për ta vrarë), një person, të cilit, nuk i afrohen dot për shkak se banon në zonën e këtij grupi kriminal. Episodi sugjeron se grupe të ndryshme kriminale marrin leje nga njëri-tjetri për të aksesuar territoret përkatëse, ndërsa Policia e Shtetit, e cila, në letra ka më shumë efektivë se sa mundet të ketë kriminelë të organizuar në vend dhe ka një buxhet vjetor prej mbi 400 milionë eurosh, nuk ekziston asgjëkundi.

Dosja e shtatë bandave, sado voluminoze të jetë, mbart në fakt vetëm 15 muaj aktivitet kriminal të rreth 50 apo 60 eksponentëve të krimit. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur para janarit të vitit 2020, kur fillojnë komunikimet në Sky ECC të kapura nga autoritetet dhe çfarë ka ndodhur pas marsit apo prillit të vitit 2021, kur këto komunikime ndërpriten.

Ne nuk e dimë gjithashtu se çfarë aktiviteti kriminal duhet të kenë kryer të tjera struktura të krimit, të cilat, për një arsye apo një tjetër, kanë zgjedhur të mos komunikojnë me Sky ECC. Megjithatë, dosja sugjeron se krimi i organizuar në Shqipëri është shumë më i gjerë se sa tetëmbëdhjetë episodet kriminale të zbardhura në të dhe që kryeministri Rama nuk bind kënd me viktimizimin se po i bien në qafë me gjysmë të vërteta.