17.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Kreshnik Çollaku paralajmëron padi në SPAK për rrugën e Arbrit: Ky Koncesion merr miliona euro dhe është rrezik për banorët e qarkut Dibër

Nënkrytari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, paralajmëron se PD shumë shpejt do të çojë në SPAK një padi për Koncesionin e rrugës së Arbrit. Në një një postim në Facebook, Çollaku shkruan se kjo rrugë e cila po gllabëron miliona euro dhe që nuk po mbaron kurrë, është një rrezik për jetën e qyetatëve të qarkut Dibër.

Postimi i nënkryetarit të PD, Keshnik Çollaku:

Nga Rruga e Arbrit, rruga qe gllaberon milona euro e qe nuk mbaron kurre.
Rruga qe rrezikon jeten e qindra e mijra matjaneve, dibraneve e bulqizakeve qe kalojne cdo dite.
Koncesionin e Rruges se Arberit shume shpejt bashke me pafundesine e shkeljeve qe kemi gjetur ne te, do ta cojme ne SPAK.
Cdo abuzues e hajdut do te shkoje prapa hekurave.

Efektivi i dehur përplas makinën që drejtohej nga një vajzë, ja si është gjendja e saj! Pas aksidentit mjeti i policit shpërtheu në flakë

Një aksident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Raportohet se një efektiv policie, i cili ishte jashtë shërbimit, po drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe ka përplasur makinën ku udhëtonte shtetasja me iniciale A. A., e cila ndodhet në spital jashtë rrezikur për jetën.

Makina e efektivit me iniciale A. C., pas aksidentit është përfshirë nga flakët.

“Në orët e para të mëngjesit, në bulevardin “Ismail Qemali”, në afërsi të poliklinikës, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin A. C. (punonjës policie, jashtë shërbimit) është përplasur me automjetin tip “Audi” me drejtuese shtetasen A. A., e cila u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para në vendngjarje, ka rezultuar se shtetasi A. C. ka qenë në efektin e alkoolit.

Grupi hetimor dhe opgj të AMP-së, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, informon policia.

Juristi Kreshnik ⁠Spahiu: S’duhet lejuar që Rama-Berisha të krijojnë një komision Anti-Spak

Juristi Kreshnik Spahiu në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Studio Live’, tha se nuk duhet lejuar që kryeministri Edi Rama dhe Sali Berisha të krijojmë një komision anti-Spak.

Komisioni i Posaçëm Anti-Korrupsion është i njëanshëm. ⁠Nuk duhet lejuar që Rama-Berisha të krijojnë një komision Anti-SPAK. Uroj të mos ketë një marrëveshje të pazarit politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës që të konsiderohet si marrëveshje ani-SPAK.’– tha Spahiu.

Sa vlen jeta në Shqipëri?

Aksidenti i një dite më parë në Berat, ku një i ri përplasi me motor një turiste të huaj, është tregues i mungesës së sigurisë së jetës në qytetet tona. Një ditë para kësaj ngjarjeje, një tjetër i ri, në të njëjtën rrugë, bënte xhiro me motor, duke bërë shfaqje dhe duke ecur me rrotë në ajër. Skena të tilla në Berat janë të përditshme, duke treguar paaftësinë e shtetit për të pasur kontroll të plotë dhe të barabartë mbi shkelësit ligjor. Policia ‘nuk është’ asnjëherë në vendin e duhur në raste të tilla, por është gjithmonë ‘aty’ kur bëhet fjalë për të gjobitur qytetarët e thjeshtë për parkim të gabuar. Segmenti në të cilin ka ndodhur aksidenti, paraqet një rrezikshmëri të lartë për të gjithë qytetarët beratas, për shkak të rrugës së ngushtë, trotuarëve që nuk i përgjigjen volumit të këmbësorëve dhe shpejtësisë që, pavarësisht se nuk lejohet më shumë se 30-40km, tejkalohet nga shkelësit. Shpeshherë aty shohim gara dhe parakalime të rrezikshme, ndërsa policia është e pafuqishme për shkak të lidhjeve politike të këtyre personazheve.

Kam parë shumë komente dje dhe sot, që i kërkonin llograri turistes së plagosur rëndë që të kalonte në vijat e bardha. Më shumë se sa cinike, një kërkesë e tillë është dashakeqëse. Pak muaj më parë, një çift të huajsh u dhunua nga një prej horrave që qarkullojnë lirshëm rrugëve të qytetit vetëm se ishin duke kaluar të shkujdesur te vijat e bardha, ndërsa ai u bezdis duke pritur që ata të kalojnë shpejt dhe u ndie i “fyer” kur turistët i treguan se ishin duke kaluar aty ku ka përparësi kalimtari dhe jo automjeti. Çështja e aksidenteve të kësaj natyre nuk është problem i vijave të bardha, por tregon papërgjeshshmërinë e madhe për respektimin e sinjalistikave rrugore, kryesisht shpejtësisë, tregon paaftësinë dhe kapjen e shtetit, i cili i shtrëngon dhëmbët të dobtëve, por është i paaftë dhe në bashkëpunim me të fortët, ashtu sikurse tregon se sa pak vlen jeta rrugëve të qyteteve të Shqipërisë. Ajo rrugë është jashtëzakonisht e populluar, sidomos gjatë verës dhe, duke parë mënyrën se si ecin disa personazhe të njohur në qytet, aty mund të ndodhin përditë tragjedi me përmasa edhe më të mëdha.

Përveçse masave të repta që duhen marrë, ka nevojë edhe për një sensibilizim qytetar, sepse aty mund të ishte kushdo prej nesh apo prej familjarëve tanë që kalojnë përditë në atë rrugë përballë ekspozimit të rrezikut nga njerëzit e papërgjegjshëm dhe nga një shtet që është i paaftë të kujdeset për qytetarët e tij.

Aksidenti me protagonist një vizitore të huaj njëkohësisht është një njollë turpi për turizmin, i cili mbijeton me vështirësi si pasojë e vetes dhe e mundit të vet, ndërsa autoritetet qendrore dhe vendore, pavarësisht se mburrem mëngjes dhe mbrëmje, nuk luajnë asnjë rol në përmirësimin dhe shtimin e tij. Rendi dhe siguria duhet të ishin të parat të garantuara që një shtet që mburret me 10 milionë turistë në vit, por është i paaftë të bëjë zap një qytet me vetëm një rrugë kryesore, ku njihen të gjithë dhe dihen ata që janë problematikë në thyerjen e rregullave të qarkullimit rrugor./ Nga Namir Lapardhaja

Dosja e SPAK, “Niku” i “Ndraghetës”, italianët dhe serbët po arkëtojnë miliardat nga krijimi i monopolit të oksigjenit

Nga Elton Qyno

Një hetim i nisur kryesisht në muajin janar 2021 nga struktura e posaçme SPAK, ka zbuluar krijimin e një biznesi monopol që arkëton miliarda lekë nga tregtia e oksigjenit mjekësor në Shqipëri.

Ky monopol thotë SPAK, është përqëndruar prej vitit 2018 në dy kompani, gjatë kohës kur ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte Ogerta Manastirliu.

Madje dhe pas ikjes së saj si ministre tregtia monopoli ka vijuar në vazhdim, duke mos pasur konkurencë mes kompanive të tjera private.

Nga hetimet paraprake rezulton se minimalisht nga viti 2018 e në vijim, të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë ose nga institucionet në varësi të kësaj ministrie si Spitalet Rajonale, për blerjen e barnit oksigjen i lëngshëm ose i gaztë, janë fituar nga Shoqëria “Messer Albagaz” dhe “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

Tenderat publikë ose janë fituar përmes formës së Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Messer Albagaz” + “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” ose janë fituar veç e veç.

Rezulton se së bashku dy kompanitë kanë fituar 64 kontrata publike me një shumë përfitimë në lekë prej 2.202.508.957.55 lekë të reja.

Kurse e vetme kompania “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” rezulton të ketë përfituar 129 kontrata puplike me vlerë prej 2.613.944.618 lekë të reja.

Më tej një kontratë me vlerë 60 milion e 852 mijë lekë të vjetra “GTS”, e ka fituar së bashku me subjektet tregtare “Hera” dhe “Anda”.

Por dy kontrata të tjera me vlerë financiare prej 170 060 550 lekë të rejë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” ka fituar më subjektin tregtar “Dule”, të biznesmenit Gazeli Dule për blerjen e transformatorëve për Drejtorinë OSSH Tiranë.

Ndërsa sipas SPAK, emrat kryesorë që janë personat të cilët hartojnë ofertat ekonomike dhe përgatisin dokumentacionin për të marë pjesë në procedurat konkuruese të hapura nga Ministria e Shëndetësisë, janë dy punonjësit e kompanisë “GTS”, Ervin Tushe dhe Alban Zoraqi.

Sipas dosjes hetimore përqëndrimi i të gjithë tenderave të blerjeve të oksigjenit të kompresuar dhe oksigjenit të lëngshëm, është bërë në dy kompanitë me pronarë shqiptarë, italianë dhe Serbë.

Fituesja e miliardave nga tregtia e Oksigjenit mjekësor është “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, e cila zotërohet nga oligarku shqiptar Besnik Halili i përmendur si “Niku” në përgjimet e mafias e prokurorisë për mafian “Ndragheta” dhe dy italianët ortakë të kompanisë “SOL” Giovvani Annoni dhe Giulio Fumagalli Romario.

Ndërsa mjaft miliarda arkëtohen dhe nga kompania “Messer “Albagaz” e cila është rregjistruar në shtator 2007, ku pranar i së cilës është një shoqëri Serbe, e quajtur “Messer Tehnogaz AD” e përfaqësuar në Shqipëri nga shtetësja Biljana Juzbasa.

Ndërkohë sipas SPAK, administrator i kësaj kompanie është një shtetas Bullgar, i quajtur, Vladimir Vladimirov (Në Foto).

Pavarësisht faktit se administrator i shoqërisë Serbe “Messer “Albagaz” është Bullgari Vladimir Vladimirov, rezulton se për çdo transaksion që tejkalon shumën 10 mijë Euro kërkon miratimin e Menaxherit Teknik, që në këtë rast është Stojan Angjellari ose Shefit të Financës, Migel Zallemi.

Ndërkohë hetimi ka zbuluar se kjo shoqëri rezulton se në vitin 2010 ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e aktivitetit të shoqërisë “Sofigaz” në shumën 3 milion e 500 mijë euro.

“Sofigaz” në korrik 1996 rezulton të jetë e regjistruar me ortakë Adrian Strazimiri, Stojan Angjellari dhe Pirro Gjinari.

Po në vitin 1996, këto shtetas transferojnë 80 për qind të kuotave te shoqëria Italiane “Multigaz Est srl”.

Me ndryshimet e bëra në Qendrën Kombëtare të Biznesit në datën 10 shkurt 2011 rezulton se shoqëria “Sapio Produzione Idrogeno Ossigeno srl” rezulton se është ortak i vetëm i shoqërisë “Multigaz Est srl”.

Aktualisht mësohet se aksioner të kompanisë “Sofigaz” të jetë shoqëria Italiane “Sapio Produzione Idrogeno Ossigeno srl” në kuotën 90 për qind, dhe Ardian Strazimiri në kuotën 10 për qind.
Nga sa më sipër, thuhet në dosjen e SPAK, Stojan Angjellari, është themelues i shoqërisë “Sofigaz” dhe njëherësh Menaxher Teknik i shoqërisë Serbe “Messer Albagaz”.

Për thellimin e hetimeve në datën 20 Maj 2024, SPAK dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë kryer një kontroll në ambientet e zyrave të “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, duke sekuestruar dokumente, kompjutera dhe telefonat e 12 personave mes të cilëve biznesmenit Besnik Halili, gruas së tij Luneda Sufali, vëllait të tij Ergys Sufali dhe personave të tjerë si Aldo Muça, Gerti Idrizi, Elona Hoxhafi, Ervin Tushe, Alban Zoraqi, Ardian Strazimiri, Migel Zallëmi, Stojan Angjellari dhe Ela Strazimiri.

Patriotizmi, streha e fundit e korrupsionit

Nga Ervis Iljazaj

Edhe pse emisoni Report i Rai 3 është një emison që shfaqet për publikun Italian, nuk ka dyshim se jehona e tij ishte më e madhe në Shqipëri se sa në Itali. Ky emision investigativ nuk është se solli ndonjë gjë të re në raportin e krimit me politikën në Shqipëri, përveçse deklarimeve të Arben Ahmetaj, i filmuar gjatë një darke italiane me verë dhe spageti.

Shumëkush e konsideron Araben Ahmetaj si një pentito, apo ka dhe nga ata që shkojnë më tej, që e konsiderojnë një aset kombëtar për t’u marrë në mbrojtje. Në fakt, këta politikanë që flasin pas pilafit, nuk janë shumë për tu besuar dhe për tu marrë në konsideratë. Edhe për faktin se Arben Ahmetaj nuk është një pentito. Të jesh pentito duhet të bashkëpunosh me drejtësinë dhe të pranosh përgjegjësitë e tua penale, dhe më pas të tregosh shokët. Por Ahmetaj nuk pranon asgjë nga këto. Nuk mund të jesh pentito kur thua unë kam qenë pjesë e një organizate korruptive, por unë s’kam asnjë përgjegjësi, vetëm të tjerët kanë. Që nga ky moment Ahmetaj duhet marrë me rezerva.

Arben Ahmetaj ka patur në dorë paratë e shqiptarëve, ka firmosur fonde apo tendera të cilat sipas vetë deklarimeve të tij kanë shkuar në duart e mafias apo edhe të krimit. Është një njeri, një politikan nga më të papërgjegjshmit që ka patur ndonjëherë politika shqiptare. Dhe nuk duhet aspak ta kthejmë në një hero, por thjesht ta shohim si një politikan që mbart mbi supe mëkate të mëdha të bëra ndaj shqitarëve. Prandaj nëse kërkon vërtetë të ndihmojë Shqipërinë, pas shumë dëmesh që i ka shkaktuar, le të bashkëpunojë me drejtësisë, të pranojë përgjegjësitë e tij penale, të nxjerrë emrat e shokëve, dhe pastaj ndoshta mund të kthehet në një njëri që ndihmon popullin e tij. Por sigurisht që nuk është nga ata. Sepse të ishte i tillë nuk arratisej, por qëndronte këtu dhe përballej me drejtësinë.

A janë të vërteta ato që thotë ai nga arratia? Edhe mund të jenë. Por që kjo qeveri është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin, nuk është nevoja të na e thotë Arben Ahmetaj. Atë na i ka thënë SPAK-u me hetimet e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ku në përgjime dalin qartë lidhjet e krimit me pushtetin. Madje në grupin parlamentar të Partisë Socialistë ka patur emra të shumtë që vijnë nga bota e krimit sipas hetimeve të SPAK.

Problemi është se kësaj here për qeverinë dhe Ramën nuk janë ato çfarë thotë Ahmetaj, por sepse ato janë thënë në një televizioon të huaj, i Italisë fqinje. E pikërisht për këtë arsye Edi Rama është angazhuar personalisht. Sepse këto gjëra Ahmetaj i ka thënë edhe në një television shqiptar, por askush se vuri ujin në zjarr.

Edi Rama e di fare mirë që problemi më i madh i tij dhe i qeverisë së tij, është korrupsioni dhe lidhjet e pushtetit me krimin. Këto akuza kanë filluar të qarkullojnë edhe në zyrat e selive diplomatike në Shqipëri. Problemi i Edi Ramës është pikërisht humja e asaj figrue që ai do të përcjellë te ndërkombëtarët për veten tij. Sepse një nga arsyet që qëndron ende në pushtet është edhe mbështetja ndërkombëtare. Problemi i tij nuk është reagimi i shqiptarëve për korrupsionin, sepse në mënyrë të ndryshme votën e shqiptarëve e kontrollon. Problemi i tij është reagimi i ndërkombëtarëve, nëse ai vjen.

E prandaj si çdo politikan që akuzohet për çështje të tilla, dokumentarin e një emisioni të huaj e konisderoi si hedhje balte mbi Shqipërinë, mbi nderin apo mbi flamurin shqiptar. Ky qëndrim, tregon vërtet se Rama është shqetësuar për këtë dokumentar. Asnjë lidhje nuk ka ai dokumentar me nderin apo me baltosjen e shqiptarëve. Emisioni Report i Rai 3, është një emision që çdo javë bënë investigime për korrupsionin në Itali, për mafien apo për abuzime të ndryshme. Me këtë llogjikë, ata hedhin baltë çdo javë për vendin e tyre, Italinë.

Asnjë lidhje nuk ka reputacioni i një kryeministri me reputacionin e një kombi apo një populli. Asnjë lidhje nuk ka respekti ndaj një kombi me respektin apo jo të kryeministrit të tij.
Ai ishte thjesht nëj dokumentar gazetaresk. Sigurisht çdo kanal televiziv ka linjën e tij editoriale. E rëndësishme është që mos të paraqesë gënjeshtra apo të jetë profesionalisht jo korrekt nga ana e deontologjisë gazetareske.
Ato që thuhen në atë dokumentar ndoshta s’janë të vërteta, por është thjesht një punë gazetareske e cila nuk lidhet fare me kombin shqiptar dhe reputacionin e tij. Madje përkundrazi, nëse ato që thuhen janë të verteta dhe vërtetohen, i bëjnë një shërbim shumë të madh shqiptarëve. Por dihet, patriotizmi është streha e fundit e të korruptuarave.

DEMOKRACI pa garë në universitete! Shumica e kandidatëve as fushatë dhe as kundërshtarë, në rrethe ka më shumë rivalitet

Pa fushatë universitetet publike pritet të zgjedhin drejtuesit e rinj. Në Tiranë nga 6 institucione të arsimit të lartë, vetëm në Universitetin e Arteve do të pritet me kureshtje votimi më 21 qershor se kush do të fitojë mes Artan Peqinit dhe Erald Bakallit.

Më 27 maj, gati një javë pas afateve ligjore për nisjen e fushatës për organet drejtuese universitare, Akli Fundo zv rektori i universitetit politeknik hyn i vetëm në zgjedhjet për drejtimin e universitetit Politeknik të Tiranës, pasi rektori aktual Andrea Maliqari nuk ka të drejtë rikandidimi.

Edhe rektori i Mjekësisë Arben Gjata, nuk mund të rizgjidhet, por Xheladin Draçini pas dy mandatesh si Dekan i Fakultetit të Mjekësisë do të jetë në krye të institucionit të arsimit të lartë shëndetësor pasi është i vetëm në procesin zgjedhor. Ai ka zgjedhur që të krijojë një profil online për të prezantuar veten..

Fitoren e një mandati të dytë e ka të sigurtë pavarësisht numrit të votave edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i cili në zgjedhjet e këtij viti nuk ka kundërshtar; ndryshe nga gara e fortë e katër viteve më parë me Mynyr Konin.

Gjithashtu në universitetin Bujqësor do të shërbejë për 4 vite të tjera Fatbardh Sallaku, sepse nuk ka një kandidat të dytë aspirant. E njëjtë paraqitet situata edhe në universitetin e sporteve, ku rikandidon i vetëm Agron Kasa.

Zgjedhjet duket se janë më funksionale në rrethet e Shqipërisë. Në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës dhe në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë ka nga katër akademik në garë, teksa largohen rektorët aktual Roland Zisi dhe Kseanela Sotirofski, pasi kanë plotësuar dy mandate. Me 3 kandidatë ka garë universiteti Fan Noli në Korçë. Universiteti Luigj Gurakuqi në Shkodër ka një përballje për karrigen e rektorit mes drejtueses aktuale Rajmonda Këçirës që kërkon një mandat të dytë, si dhe rivalizohet nga akademiku i njohur Tonin Gjuraj dhe Nertila Ljarja.

Ndërsa problematika shfaqet në Universitetin Aleksandër Xhuvani largohet Skënder Topi nga rektorati dhe kandidon zv rektorja Elvira Fetahu, teksa nuk është pranuar nga komisioni zgjedhor kandidatura e Majlinda Perriu, e cila ka hequr dorë nga detyra si prefekte e qarkut të Elbasanit, për këtë aspiratë dhe që e quan vendimin e përjashtimit të paligjshëm dhe fitoren e paracaktuar pa garë. Si dhe në universitetin Eqrem çabej në Gjirokastër ka vetëm një kandidaturë për rektor, ajo e zv rektorit Jango Canaj.

VOA: Partia katalanase Junts i kërkon Spanjës njohjen e Kosovës

Partia katalanase e zotit Carles Puigdemont, “Junts per Catalunya” (Së bashku për Katalonjën), dërgoi një propozim në Parlamentin e Spanjës, me kërkesën që qeveria spanjolle ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që u shpall me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Partia Junts, e cila nuk është pjesë e qeverisë spanjolle, por votat e së cilës janë thelbësore për qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez, thekson në propozimin e saj se Kosova është shtet që është njohur nga 104 nga 193 shtete anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe 22 nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Në letër mes tjerash përmendet edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila në muajin korrik të vitit 2010 tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh më të drejtën ndërkombëtare.

“Refuzimi spanjoll për ta njohur një shtet që shfrytëzoi të drejtën e tij legjitime për Vetëvendosje, është një pengesë për politikën evropiane të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe ky refuzim është një faktor destabilizues në këtë zonë në një kontekst të shënuar nga luftë në Ukrainë, të cilën kjo pjesë e Evropës e përjeton me ankth të veçantë. Në këtë kuptim, nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ndajë të njëjtën strategji si Rusia, Kina ose Bjellorusia me refuzimin për ta njohur Kosovën”, thuhet mes tjerash në propozim.

Partia Junts, kujton faktin e nga janari i këtij viti Spanja njohu pasaportat e Kosovës, qytetarët e së cilës tani mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Në propozim theksohet se njohja e Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së, i mundëson asaj përparimin në procesin e integrimeve, ndërsa shprehet shqetësimi se disa shtete anëtare po përdorin mjete institucionale për të ndërlikuar procesin integrues të rajonit, përfshirë Kosovën.

“Për këto arsye dhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës në mbrojtje të së drejtës së saj për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës”, thuhet në propozimin që u publikua pak ditë pasi Spanja vendosi njohjen e shtetësisë së Palestinës.

Nuk është e qartë se çfarë ndikimi mund të ketë në qasjen e ngurtë të qeverisë spanjolle një propozim i tillë, duke pasur parasysh se Madridi përballet me përpjekjet e Katalonjës për pavarësi nga Spanja.

Partia Junst shfrytëzoi votat e saj për qeverinë e kryeministrit Sanchez për të siguruar një ligj kundërthënës, i cili amniston qindra katalanas, që ishin përfshirë në përpjekjen për shkëputje të Katalonjës në vitin 2017./VOA

Dy lojtarë shqiptarë jashtë Euro 2024, trajneri i Zvicrës redukton listën

Zvicra vijon përgatitjet në prag të Europianit. Tekniku i helvetëve, Murat Yakin publikoi disa ditë më parë listën provizore prej 38 të grumbulluarve, ndërsa sot numri një i pankinës largoi 4 lojtarë. Bëhet fjalë për 2 futbollistët shqiptarë, Uran Bislimi dhe Albian Hajdari, ndërsa në Euro 2024 s’do jenë as Filip Ugrinic e Kevin Mbabu.

“Ata u përfshinë në mënyrë shembullore në grup, brenda dhe jashtë fushës dhe kontribuan për të siguruar që cilësia dhe intensiteti i dhjetë ditëve të fundit të stërvitjes të ishte shumë i lartë. Në fund të fundit, u dhashë përparësi lojtarëve të tjerë në pozicionet e tyre për arsye taktike dhe strategjike. Filipi ka shumë konkurrencë në mesfushë.

Në anën e djathtë të mbrojtjes, i dhashë përparësi Leonidas Stergiou, i cili e mbylli sezonin e tij bindës në Stuttgart me një kualifikim në Ligën e Kampionëve dhe i cili mund të përdoret në mënyrë fleksibël si në mbrojtjen me tre lojtarë si qendërmbrojtës sesa në sistemet e tjera në anën e djathtë”, shpjegon Yakin. Numri i lojtarëve të lejuar në Europian është 26.

Mbron nga diabeti dhe redukton rrezikun e sulmit në zemër, katër arsye pse duhet të konsumoni kos çdo ditë

Përfitimet nga konsumi i kosit janë të jashtëzkonshme. Përveç kalciumit dhe proteinave, një porcion kosi përmban edhe të ashtuquajturat baktere “të mira” që mbështesin funksionin e mirë të zorrëve dhe imunitetit, përmirësojnë tretjen dhe mbrojnë kundër depresionit.

Ja katër arsyet për të ngrënë kos…

1. Sipas disa studimeve, konsumimi i rregullt i kosit dhe produkteve të qumështit me pak yndyrë na mbron nga rreziku i zhvillimit të diabetit të tipit 2.

2. Një studim i vjetër me mbi 120,000 njerëz që nuk ishin obezë ose kishin sëmundje kronike, tregoi se konsumimi i rregullt i kosit i mbronte ata nga shtimi i peshës, ndoshta për shkak të ndryshimeve në mikrobiomën e zorrëve.

3. Studime të tjera kanë treguar se ngrënia e kosit për katër javë i sjell dobi trurit.

4. Probiotikët e kosit reduktojnë rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru tek njerëzit që hanë vetëm dy racione në javë.