30.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

“SPAK, po të ngrejnë lak”, Flutura Açka reagon për Komisionin për Dezinformim që pritet të kaloj nesër në Parlament

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka reaguar në lidhje me Komisionit të Posaçëm për Dezinformim i cili pritet të kalojë nesër në Parlament. Me anë të një statusi në Facebook, Açka shprehet se ky është një lak për SPAK-un, ndërsa me ironi thotë se vendi bosh në Komision do t’i takojë ndonjë deledashi të opozitës ndërsa po pret që të bëhet gati tender i rradhës.

Reagimi i plotë:

SPAK, po të ngrejnë lak
Ky vendim do të kalojë nesër në Parlament, bashkë me vendimin për përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformim.
Vendi bosh do t’i takojë ndonjë dashi, deleje a deledashi (politik) të Opozitës, por nuk është mbyllur tenderi akoma.
Pritet vendimi i tretë që do të hyjë – si të gjitha zezomat kundër demokracisë – nesër me procedurë. Aty do të jenë edhe emrat, edhe thagma e arsyes pse do të jenë.
Kështu e bēn pushteti Opozitën më barrë. Mos u habisni fare.
Kjo quhet përpjekje për Integrimin tonë Europian 2030.
Por më parë do të tredhim SPAK, ta kthejmë atë në deledash. Të mos merret me vjedhjet tona, por të bluajë kashtë.
Demokracia në rrezik!!!!!

“T’ju vijë turp”, Meloni përplaset me deputetin italian në kampin e Shëngjinit

Ndërkohë që po mbahej konferenca për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Georgia Meloni në Shëngjin, ka ndodhur një incident.

Deputeti italian i partisë opozitare +Europa, Riccardo Maggi ka zgjedhur që të protestojë marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Ligjvënesi italian mbante në dorë një letër ku shkruhej ““jo Guantanamos italiane”, pasi edhe në Itali opozita e vendit e konsideron kampin e emigrantëve si burgu i Guantanamos.

Incidenti ka vazhduar edhe pas përfundimit të konferencës, ku deputeti u përball me kryeministren Meloni ku pati edhe një debat. Ai i kërkoi llogari Melonit, duke thënë se nuk keni shpjeguar si do të funksionojë qëndra e emigrantëve.

“Është një legjislacion europian dhe italian që ne kemi sjellë këtu, por ju nuk donit Piu Europa? Ne kemi sjell legjislacionin europian këtu” iu përgjigj Meloni.

Debati mes kryeministres Meloni dhe deputetit Maggi

Maggi: Keni bërë viktimat për rreth një orë, pashpjeguar si do funksiononte kjo qendër!

Meloni: Ju lutem largohuni (Gardës)

Maggi: Nëse i ndodh kjo një deputeti para kamerave, mund të imagjinoni çfarë do ndodhë personave të shkretë që do jenë të mbyllur këtu brenda.

Meloni: Është një legjislacion europian dhe italian që ne kemi sjellë këtu, por ju nuk donit Piu Europa? Ne kemi sjell legjislacionin europian këtu.

Maggi: T’ju vij turp…

Meloni: T’ju vij turp juve…(Kthehet sërish për t’u sqaruar) Unë ju kuptoj… Unë kam për shumë fushata elektorale… Nuk e dija nëse do isha në Parlament, duhet te tregoja ekzistencën time, por… solidarizohem me ju…

Maggi: Po shpenzoni 1 miliardë dollarë për të bërë një hotspot elektoral. Hiqni kapelën e kandidates dhe vendos atë të Presidentes së Këshillit.

Programi i Bashës, antidoti që i duhet Shqipërisë!

Nga Ermal Peçi

Prej ditësh kanë filluar zërat qeveritarë, të cilët tentojnë të sfumojnë akuzat e Arben Ahmetaj ndaj Ramës të bëra në Rai3. Askush nuk merret me ato çfarë tha Ahmetaj, por merren personalisht me individin Ahmetaj, i cili është një i arratisur i drejtësisë. Ajo që kërcet në fakt dhe për mendimin tim është se Ahmetaj si një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës dhe ish-numri dy i qeverisë, këto akuza do të duhet t’i publikonte me fakte dhe këto intervista tek Rai3, t’i jepte përballë prokurorëve të SPAK. Mediatikisht këto akuza kërcasin fort, por nuk po ngjisin në një pjesë të opinionit publik sepse vetë Ahmetaj është një i arratisur i drejtësisë dhe duket sikur hajduti po bërtet kapeni hajdutin. Ahmetaj tha disa të vërteta, të cilat ne të gjithë i dimë, por dhe SPAK na i rikonfirmoi me urdhër arrestet e fundit ku grupet kriminale që u goditën, jo vetëm kishin ndihmuar Partinë Socialiste në zgjedhje, por disa prej tyre ishin vendosur në listë për deputet si në Lezhë edhe në Fushë Krujë. Në fakt prej 2013 skema që ka ngritur Rama është një skemë mirimange ku ai i ka të shtrira fijet në çdo ngjarje dhe në zhvillimin e jetës në Shqipëri. Ish-kryetar Bashkie, ish-deputetë, ish-ministra, ish-zëvëndës kryeministër, jo vetëm që kanë qenë persona me precedentë penalë e kriminalë, por dhe njerëz, të cilët mbanin lidhjet me bandat për të maksimizuar votën në terren. Kjo skemë, ku Rama de facto thotë se “Shteti jam unë” solli më pas emigracionin masiv prej 1 milionë shqiptarësh, shkatërrimin e ekonomisë, keq-menaxhimin e fondeve të Bashkimit-Evropian deri tek korrupsioni masiv që është dhe një nga plagët më të mëdha që ka Shqipëria sot. Por tashmë kjo është panorama që Shqipëria e prek edhe e diskuton që prej vitit 2013, e cila duket tashmë që i ka lodhur shqiptarët dhe po kërkojnë antidotin për tu shëruar nga “helmi” që ka instaluar Rama dhe kompania e tij. Shprehja e famshme e një prej sipërmarrësve më të suksesshëm që ka njohur historia. Henry Ford, i cili thoshte; mos kërko fajin por gjej mjetin e shpëtimit”, i përshtatet mjaft mirë situatës ku ndodhet Shqipëria sot. Programi paraprak i prezantuar nga Lulzim Basha, i cili ka mbledhur rreth vetes ekspertët të të gjitha fushave, njërëz të cilët kanë përfunduar studimet jashtë dhe janë rikthyer të kontribojnë në vëndin e tyre si dhe pedagogë të cilët janë zë publik por mbi të gjitha është konsultuar e diskutuar dhe me partitë si motra në Evropë është mjeti i shpëtimit për të krijuar mundësi të reja për shqiptarët dhe për t’i rikthyer dinjitetin shtetit. Lulzim Basha po i rikthehet të djathtës, atë të djathtë që PD vetëm e ka alkamuar me fjalë por në asnjë moment me vepra. Familja, prona dhe Zoti tre shtyllat e të djathtës tashmë janë rikthyer në vëmendje, por mbi të gjitha ka politika të mirëfillta për fuqizimin e familjes sepse pa një familje të fortë shoqëria është e destinuar të dështojë. Fondi për Mirëqenien e Familjes është më i detajuar, por do të doja të ndaloja tek propozimi me 20 mijë euro për fëmijën e tretë, i cili është jo vetëm një stimulim i fortë, por mbi të gjitha kur numri i popullsisë po ulet dhe numri i lindjeve ka rënë shërben si një katalizator për të ndryshuar këtë realitet. Reforma e Pronës, plaga më e madhe shqiptare, e cila ka marrë dhe po vazhdon të marrë jetë njërëzish si një nga krimet më të mëdha që i është bërë individit, por edhe ekonomisë shqiptare do të ketë një zgjidhje, e cila jo vetëm do i largohet burokracisë, ku aty ku është e lirë do të rikthehet menjëherë, nqs është e zënë do të kompesohet në vlerën e tregut dhe regjistrimi i pronave do të bëhet sipas parimit Uti Posidetis. Rritja e dyfishimit të arsimit me qëllim për të menduar për të ardhem sepse si investojnë tek brezat e sotme do të jetë pasqyra e Shqipërisë edhe mbi të gjitha fokusi i veçantë tek ekonomia si një nga sektorët, i cili është goditur më shumë. Taksa e sheshtë 9%, tatimi mbi të ardhurat personale 9% dhe gjithashtu 9% do të jetë e tatimi për biznesin ( duke përjashtuar biznesin e vogël) duke mos përfshirë dhe një sërë detajesh të tjera që ju ngelet ekspertëve të fushës t’i shpjegojnë tregon se si tregu mund të çlirohet e të marrë frymë. Këto janë vetëm disa nga pikat që prezantoi Basha para qytetarëve, të cilat realisht janë mjeti i shpëtimit të kësaj gjendje ku ndodhet Shqipëria sot. Situata ku ne jemi sot ka nevojë për antidotë në çdo qelizë institucionale, të cilët Basha me programin e tij duke se ka qëlluar në shenjë. Shënje e cila tashmë duhet të bëj bashkë vizionin me aksionin në terren për të takuar grupet e interesit, ekspertët dhe qytetarët për të ndryshuar Shqipërinë e cila meriton realisht më shumë.

“Ka ardhur koha që Matura Shtetërore të ndalet, pasi nuk funksionon më”/ Karabina: PD dyfishon buxhetin e arsimit, rrit cilësinë dhe decentralizon vendimmarrjen

Zëdhënësja për shtyp e PD, Mirela Karabina, ishte e ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News me gazetaren Sonila Musain mbi Maturën Shtetërore, problematikat me provimin e parë të gjuhës së huaj dhe Programin e PD-së.

Sipas Karabinës, Matura Shtetërore ka ardhur koha që të ndalet, pasi nuk ka më asnjë funksion përveç stresit për maturantët dhe familjarët e tyre

Matura Shtetërore është jashtë vëmendjes duke e lënë në rrjedhë të lirë, dhe kjo në dëm të maturantëve dhe në dëm të shoqërisë. Keqadministrimi, kopjimi masiv në vite, teza që del sapo fillon provimi, teste me probleme në konceptim kanë konpromentuar procesin duke i dhënë maturantëve modelin e gabuar të Provimeve të Shtetit.
Matura Shtetërorë ka tashmë 18 vjet dhe për cdo vit dëshmon se ka ardhë koha që të ndalet pasi nuk ka më funksion, përvecse stres për maturantët dhe familjet e tyre.” – u shpreh ajo.

Njëkohësisht ish-ministrja e Arsimit, Mirela Karabina, tha se “pabarazia në arsimim është reflekturar në pabarazi dhe fiktivitet në vlerësim duke i vënë maturantët në pozita të pabarabarta, duke i ndryshuar preferencën e tyre për studime të mëtejshme”.

Ajo u ndal edhe te programi i PD për arsimin, ku “dyfishimi i buxhetit të arsimit nga 2.4% ne 5 % të PBB do të hapë mundësinë për rritje të cilësisë së arsimimit përmes stafeve të kualifikuara, mjeteve mësimore dhe infrastrukturës digjitale”.

Programi i Partisë Demokratike për arsimin “Mendje e shëndoshë, trup i shëndoshë” është një program për transformim tërësor për të ndryshuar gjendjen e rëndë që ka kapluar arsimin.

Dyfishimi i buxhetit të arsimit nga 2.4% ne 5 % të PBB do të hapë mundësinë për rritje të cilësisë së arsimimit përmes stafeve të kualifikuara, mjeteve mësimore dhe infrastrukturës digjitale.

Shkollë gjatë gjithë ditës është projekti i PD-së ku shkolla përgjatë orarit 08.00-16.00 do të ofrojë jo vetëm mundësinë e përvetësimit të kurrikulës bazë për një pjesë të ditës, por dhe aftësim dhe zhvillim të prirjeve të nxënësve përmes klasave të tekonolgjisë, gjuhës së huaj, klasave të artit dhe sporteve e të tjera.

Decentralizim të procesit të Maturës shtetërore duke e kthyer atë në shkollë.

Mësimi dual në arsimin e mesëm profesional 50% në klasë njohuri akademike dhe 50% në praktikë duke praktikuar njohuritë do të mundësojë mirëformim profesional të nxënësve për tregun e punës.
Trajnim/praktike punë e paguar 1 vjeçare për 10 mijë te rinj pas shkollës së mesme, si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës me qëllim mbështetjen dhe aftësimin profesional të të rinjve në këtë fushë.
Problemet ne testin e Maturës janë pasoja. Partia Demokratike me programin e saj merret me shkakun e problemit dhe ofron zgjidhje.” – u shpreh Karabina, duke përmendur pjesë të programit të PD për arsimin.

“KLSH gjeti 150 raste ku shkeli ligjin”, Joni Myshketa: Kryeinspektori ndërtimor në bashkinë e Durrësit, Dorian Mema, të japë dorëheqjen

Kryetari i degës së PD, Joni Myshketa, në një deklaratë për mediat ka sjell në vëmendje raportin e KLSH ku kërkohet shkarkimi i kryeinspektorit Ndërtimor në bashkinë e Durrësit, Dorian Mema. Myshketa shprehet se KLSH ka evidentuar të paktën 150 raste të shkeljeve të detyrimeve të tij ligjore, pasi Mema në cilësinë e titullarit, nuk ka vepruar me prishjen e 35 objekteve të paligjshme, me gjobitjen e 97 subjekteve për shkelje të ligjit mbi territorin, si edhe nuk ka kërkuar mbështetje të specializuar për të zbatuar vendimet e prishjes për 17 objekte të tjera.

Ai gjithashtu i bëri thirrje bashkisë të zbatojë rekomandimet e KLSH dhe institucioneve të drejtësisë të veprojnë brenda të gjithë tagrit ligjor duke ushtruar me seriozitet funksionet e tyre.

DEKLARATA E KRYETARIT TË DEGËS SË PD, DURRËS, JONI MYSHKETA

 

KLSH: Të shkarkohet kryeinspektori i Durrësit, toleroi 100 objekte pa leje.
 
Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon shkarkimin nga detyra të Kryeinspektorit Ndërtimor të Bashkisë së Durrësit, Dorian Mema, pasi ka evidentuar të paktën 150 raste të shkeljeve të detyrimeve të tij ligjore.
Kontrollorët shtetërorë thonë se Mema, në cilësinë e titullarit, nuk ka vepruar me prishjen e 35 objekteve të paligjshme, me gjobitjen e 97 subjekteve për shkelje të ligjit mbi territorin, si edhe nuk ka kërkuar mbështetje të specializuar për të zbatuar vendimet e prishjes për 17 objekte të tjera.
Të dhënat janë publikuar në Raportin e Auditit Financiar dhe të Përputhshmërisë të zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Bashkinë e Durrësit dhe të përfunduar së fundmi.
Në auditimin e KLSH-së, janë konstatuar shkeljet, në mënyrë të përmbledhur;
– Në 35 raste, edhe pse ka procesverbal konstatimi për ndërtime pa leje, të mbajtura nga Inspektorët e terrenit, nga Kryeinspektori i IMT-së nuk është vijuar procedura brenda afatit 10 ditor për nxjerrjen e vendimit për “Prishje e Objektit të Kundërligjshëm” dhe vendimin për “Dënim me Gjobë”, çka ka bërë mosrespektim të afateve të parashikuara në ligj dhe mosvijimin e procedurave për nxjerrjen e vendimeve për subjektet që kanë ndërtuar pa leje ndërtimi për qëllim fitimi.
– Në 94 raste, nga Kryeinspektori i IMT-së nuk është vijuar procedura për nxjerrjen e “Urdhrit të Ekzekutimit për Prishjen e Objektit të Kundërligjshëm“, që do të thotë se objektet e konstatuara të Kundërligjshëm, për të cilat ka një vendim prishje, vijojnë të pa ekzekutuara nga IMT-ja e Bashkisë Durrës, duke u bërë shkaktar i rritjes së numrit të ndërtimeve informale që kalojnë në procesin e legalizimit, ku subjektet kanë përfituar parcela ndërtimore në pronësi publike, në zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit.
 Në 17 raste nga Kryeinspektori i IMT-së nuk është bërë “Kërkesë për mbështetje” drejtuar Institucioneve ligjzbatuese, në lidhje me ekzekutimin e Urdhrit të Ekzekutimit për prishjen e objektit të kundërligjshëm, çfarë ka bërë që objektet e konstatuara të Kundërligjshëm për të cilat ka një vendim prishje. vijojnë të pa ekzekutuara nga IMT-ja e Bashkisë Durrës,
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje edhe në aktivitetin e disa inspektorëve ndërtimorë, duke rekomanduar masën administrative “vërejtje” për katër prej tyre.
 
Kjo eshte filozofia e ushtrimit te detyrës shteterore nga rilindja.
Jo ne shërbim te qytetarir por te çifligarit pasi zyrat e shtetit trajtohen si prone e trashëguar nderkohe qe kemi pasur me qindra arrestime te qytetareve ne nevoje duke u burgosur e gjobitur vetëm se ne përpjekje per te meremetuar çatitë qe pikonin pa nderhyre ne asnjë rast a cast ne strukturat e banesave dhe vetëm per nevoja emergjente e jo fitimi, nderkohe qe behet nje sy qorr e nje vesh shurdh kundrejt paligjshmërisë ne ditën perdiell.
Natyrshem lind pyetja: pse nuk zbatohet ligji ne këto raste, disa te nenes e disa te njerkës?
 
Pergjigja eshte e thjeshte:

O me urdhër nga krye çifligari i vendit qe sic del dhe ne denoncimet e ish nr 2 te tij, i cili zyrat e shtetit i përdor per takime private me persona me rekorde te theksuara kriminale.
 
O përmes zarfeve korruotive qe doraviten per te kthyer kokën nga ana tjetër kundrejt paligjshmërisë ulur këmbëkryq ne cdo institucion.
Kjo nuk eshte përgjegjësi personale, por nje fryme kolektive.
 
Eshte detyra jone si opozite si Parti Demokratike te denoncojmë cdo afere, cdo rast abuzimi me pushtetin kundrejt qytetareve dhe vete shtetit.
 
Thirrja ime eshte per cdo qytetar te ndershëm, pa asnjë dallim a ngjyrim politik, pasi eshte kjo e fundit qe këta 34 vite na ka ndare pikërisht per te na sunduar me lehte, te bëhemi bashke jo per partitë, por per veten tone, per fëmijët tanë per vendin tone te bekuar qe po mbetet shterpe fale zullumit te rilindjes.
 
I Kerkojme me force Bashkise te zbatoj ligjin dhe rekomandimet e KLSH.
I bëjmë thirrje institucioneve te drejtësisë te veprojnë brenda te gjithë tagrit ligjor duke ushtruar me seriozitet funksionet e tyre.
 
Partia Demokratike eshte besimplote dhe mbështet pa kushte drejtësinë e re jo vetëm përmes retorikes politike, por përmes akteve konkrete, amendamenteve, e nismave te paraqitura ne kuvendin e republikës ne mbështetje te saj.
 
Vetëm nje sistem i forte, i pavarur dhe pa ndërhyrje politike mund te ktheje ne shinat e normalitetit ligjor Shqipërinë pro perëndimore.

Zëri i Amerikës publikon Barometrin e Sigurisë: Rritet perceptimi mbi korrupsionin, si kërcënimi më i madh për sigurinë e Shqipërisë

Në Tiranë, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi sot anketën kombëtare Barometri i Sigurisë 2024, sipas të cilit, shumica e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë.

Në studim thuhet se nga viti në vit është rritur numri i qytetarëve që e nënvizojnë korrupsionin si kërcënimin më serioz të sigurisë. Në vitin 2024 është 45 për qind, në vitin 2022 ishte 39 për qind, ndërsa në vitin 2020 ishte 37 për qind. Këtë vit, afro 22.5 për qind e të anketuarve e cilësojnë korrupsionin si kërcënimin e dytë më të madh për sigurinë.

“Mendoj se njerëzit gjithnjë e më shumë po konstatojnë që korrupsioni ka veti gërryese në përgjithësi në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë. Korrupsioni shihet si një problem shumë i madh në shoqëri, edhe pse është një veprimtari e fshehtë dhe njerëzit e mendojnë në mënyrë të tërthortë. Kemi një shkallë të lartë të angazhimit në korrupsion të zyrtarëve të niveleve më të larta. Shumë emra nga të gjithë nivelet janë tashmë para drejtësisë dhe kjo e ka bërë më të prekshëm për qytetarët. Nga kjo e fundit buron edhe besimi i lartë tek SPAK-u”, thotë për Zërin e Amerikës Arjan Dyrmishi, një nga autorët e studimit dhe drejtues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Kërcënimi i dytë më i madh i sigurisë në Shqipëri, pas korrupsionit, cilësohet krimi i organizuar nga afro 24 për qind e të anketuarve. Gjithashtu ky vlerësim është në rritje krahasuar me vitet e mëparshme, përkatësisht 19.2% në 2022 dhe 20.3% në 2020.

“Korrupsioni është perceptuar si kërcënimi më serioz për sigurinë në çdo edicion të Barometrit Shqiptar të Sigurisë. Prandaj, nuk është befasuese që besimi në institucionet demokratike dhe elitën politike mbetet i ulët”, theksohet në studim.

Qytetarët shprehin në anketë një pasiguri të ndjeshme politike, teksa pjesa dërrmuese e të anketuarve pohojnë se nuk ndihen të përfaqësuar nga Kuvendi, qeveria dhe pushteti vendor. Vetëm 8.3% e të anketuarve thanë se ndjehen të përfaqësuar nga parlamenti, 11% e tyre pohuan kështu për pushtetin qendror dhe 16% të tjerë ndjehen të përfaqësuar në qeverisjen vendore.

Shumica e të anketuarve, konkretisht 82 për qind e tyre, mendojnë se drejtuesit e qeverisë shkelin ligjin ose abuzojnë me pushtetin, dhe 71.6% e qytetarëve pohuan se krimet e kryera nga zyrtarët e qeverisë mbeten të pandëshkuara.

Veprimtaria e qeverisë shqiptare, sipas anketës, ndikohet nga pronarët e bizneseve të mëdha, ndërsa ndikimi i vullnetit të qytetarëve ndaj hapave të qeverisë është i vogël. Vetëm 7 për qind mendojnë se Kuvendi dhe qeveria zbatojnë vullnetin e votuesve, ndërsa 45.7% pohuan se qeveria ndikohet në punën e saj nga pronarët e bizneseve të mëdha.

Gjysma e të anketuarve nuk besojnë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të lira dhe të ndershme, apo nëse do të fuqizojnë qytetarët për të zgjedhur lirisht alternativat politike.

Shumica dërrmuese, tre të pestat e të anketuarve, pohuan se në përgjithësi Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. Megjithatë, rreth një e treta e tyre, thonë se performanca (efektshmëria) e qeverisë është e mirë ose shumë e mirë, një e tretë tjetër se është e keqe ose shumë e keqe, por një e treta e mbetur pohuan se performanca e qeverisë nuk është as e mirë as e keqe.

Një kapitull më vete anketa trajton punën e drejtësisë së re kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rreth dy të tretat thonë se SPAK-u është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm rreth 18 për qind e të anketuarve mendojnë se SPAK nuk është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të anketuarit janë pothuajse njëlloj të ndarë sa i takon pavarësisë nga politika të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK-ut. Mbi 53 për qind e të anketuarve pohuan se vendimmarrja e SPAK-ut nuk ndikohet nga politika. Ndërsa afro 47 për qind e të anketuarve thonë se SPAK-u ndikohet nga politika. Një përqindje më e lartë, afro 58 për qind e të anketuarve, mendojnë se vendimmarrja e Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndikohet nga politika.

Siguria ekonomike pasqyrohet problematike po ashtu nga qytetarët. Një e treta e të anketuarve pohuan se situata financiare në familjet e tyre është e mirë dhe shumë e mirë, ndërsa për dy të tretat e tyre financat familjare nuk janë as mirë as keq, keq dhe shumë keq. Vetëm një e pesta mendojnë se ekonomia familjare dhe ajo e vendit në tërësi është më mirë se sa një vit më parë.

Shumica e qytetarëve të anketuar pohuan se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është rritur gjatë pesë viteve të fundit për shkak të politikave të qeverisë. Ndërsa vetëm rreth një e pesta e të anketuarve thanë se qeveria i merr parasysh pikëpamjet e qytetarëve kur harton apo reformon politikat ekonomike.

Papunësia është renditur po ashtu si një problem kryesor ekonomik. Vetëm një e pesta e të anketuarve pohuan se qeveria ka bërë përpjekjet e duhura për të krijuar në Shqipëri vende pune për të gjithë. Pjesa dërrmuese e tyre pohuan se mbështetja e qeverisë për të papunët është e pamjaftueshme, ndërsa vetëm 15 për qind e të anketuarve thanë se qeveria i mbështet ata. Një e treta e të anketuarve mendojnë se është e lehtë të gjesh një punë në Shqipëri, ndërsa për dy të tretat e qytetarëve kjo nuk është e lehtë. Po ashtu një e treta pohuan se punëdhënësit privatë japin kushte pune dhe paga të mjaftueshme, ndërsa dy të tretat thonë se jo. Megjithatë, tre të pestat e të anketuarve thonë se shqiptarët duhet të bëjnë përpjekje për të gjetur punë dhe punuar në Shqipëri, por një përqindje e konsiderueshme thonë se duhet të kërkojnë punë në vende të tjera.

Sa i takon sigurisë ushqimore, një e treta e të anketuarve pohuan se gjatë vitit të kaluar e kanë pakësuar sasinë e ushqimit, sepse nuk kishin mjaftueshëm para për të blerë. Afro gjysma e të anketuarve thonë se ishin të shqetësuar se ushqimi do të mbaronte para se të merrnin para për ta blerë përsëri. Një e katërta e të anketuarve thonë se janë më të shqetësuar mbi plotësimin e nevojave të tyre për ushqim vitin e ardhshëm. Pjesa dërrmuese dyshojnë po ashtu se kontrollet e sigurisë ushqimore nga institucionet shtetërore nuk janë të duhurat, dhe se produktet ushqimore që shiten në tregjet shqiptare nuk janë të sigurta.

Për sigurinë shëndetësore, shumica e të anketuarve beson se shërbimi në spitalet publike është mesatar, por një e treta thonë se zgjedhja e tyre e parë do të ishte një spital privat. Një pjesë e qytetarëve pohuan se i shmangen marrjes së shërbimeve mjekësore për shkak se nuk i përballojnë dot pagesat, dhe se përdorin terapi alternative për të shmangur spitalin. Mbi dy të tretat e të anketuarve pohuan se janë të shqetësuar mbi aftësinë e tyre për të paguar faturat mjekësore në rast të sëmundjes ose aksidentit. Ndërsa vetëm një e treta e të anketuarve besojnë se barnat, që shiten në Shqipëri, janë të sigurta dhe jo të dëmshme për shëndetin e tyre.

Integrimi në BE mbetet përparësi kryesore e shoqërisë shqiptare. Të anketuarit thuajse njëzëri mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe pohuan se kjo do të jetë një gjë e mirë për Shqipërinë dhe shumica e qytetarëve thonë se Shqipëria duhet të ndjekë reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e BE-së. Afro dy të tretat besojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së brenda pesë ose dhjetë viteve të ardhshme, rreth një e treta mendojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së brenda njëzet vitesh.

Sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare, shumica e qytetarëve shqiptarë, 78 % e tyre i veçojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vendin me më shumë ndikim pozitv ndaj Shqipërisë, krahasuar me vende të tjera. Më pas vjen Turqia, ndërsa vendet me ndikimin më negativ ndaj Shqipërisë, sipas tyre, janë Rusia dhe Irani. Shumica e të anketuarve kërkojnë marrëdhënie më të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës, megjithatë një përqindje më e lartë 84.8% mbështetin koordinimin dhe njëjtësimin e politikës së jashtme ndërsa 70.5% bashkimin e tyre. Një përqindje shumë e madhe e qytetarëve mendojnë se Serbia është një kërcënim i sigurisë për Shqipërinë, megjithatë shprehen se mes dy vendeve duhet të ketë një bashkëpunim më të madh. Ndërsa për raportet Kosovë – Serbi, shumica e të anketuarve pohuan se të dyja vendet do të arrijnë në të ardhmen e afërt një marrëveshje përfundimtare mbi normalizimin e marrëdhënieve, por më shumë se një e treta mendojnë se kjo nuk do të ndodhë kurrë./ Zëri i Amerikës

Borrell: BE-ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë!

Bashkimi Evropian (BE) mbështet plotësisht planin e paraqitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që do të mundësonte një armëpushim të qëndrueshëm në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare, tha kryediplomati i bllokut, Josep Borrell në një deklaratë.

Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, mes tjerash përfshin armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

“Bashkimi Evropian vlerëson përpjekjet e vendosura të SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit në lehtësimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, njëkohësisht duke garantuar sigurinë e Izraelit, për të cilën BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar”, thuhet në deklaratë.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë. “Nevojitet urgjentisht një armëpushim i qëndrueshëm, për të siguruar mbrojtjen e civilëve, lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve, siguria dhe mirëqenia e të cilëve është shqetësuese, dhe për të rritur rrjedhën e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në Gazë”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Në fund, BE-ja u ka kërkuar palëve të pranojnë dhe përmbushin propozimin trefazor duke thënë se “është e gatshme të kontribuojë në ringjalljen e një procesi politik për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, dhe të mbështesë një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës”.

Përfitoi 17 transferta në vlerë rreth 200.000 euro, Prokuroria e Tiranës, kërkon sekuestrimin e llogarive

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e llogarive bankare të një personi, pasi ka dyshime për pastrim parash.

 

Organi i akuzës me anë të një njoftimi sqaron se përgjatë periudhës Janar 2021-Prill 2024, rezulton se ky persona ka përfituar 17 transferta, në vlerën totale 159,983 paund ose rreth 200 mijë euro, nga persona të ndryshëm.

“Një ndër personat që kanë kryer transferta bankare janë kryer nga një shtetas i huaj, i cili deklarohet si shok i djalit të shtetasit D.Ll., i cili dyshohet se në vitin 2022 është hetuar në Angli për përdorimin e personave të tretë përmes kërcënimin me dyshimet për pastrim parash”, sqaron Prokuroria.

Njoftimi: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi sekuestrimin e llogarive bankare të shtetasit D.Ll. për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është marrë informacioni se shtetasi D.Ll, përgjatë periudhës Janar 2021-Prill 2024, rezulton të ketë përfituar 17 transferta, në vlerën totale 159,983 GBP, nga persona të ndryshëm.

Një ndër personat që kanë kryer transferta bankare janë kryer nga një shtetas i huaj, i cili deklarohet si shok i djalit të shtetasit D.Ll., i cili dyshohet se në vitin 2022 është hetuar në Angli për përdorimin e personave të tretë përmes kërcënimin me dyshimet për pastrim parash.

Bazuar në informacionet e mësipërme Prokuroria pranë Gjykatës të Shkallës të Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.3308 për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal dhe ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që kjo shumë monetare, e cila dyshohet si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohet apo të fshihet, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare.

“Me programin tonë luftojmë korrupsionin, garantojmë mirëqeverisje”/ Basha: Pushteti i Ramës e keqja më e madhe për vendin, Shqipëria meriton më shumë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një postim në Facebook, ka shpërndarë sot disa nga propozimet e prezantuar të shtunën e kaluar në Kuvendin Programor të PD.

Bashkë me 100 eskspertët që kanë punuar në hartimin e programit, Basha trajtoi një nga çështjet më shqetësuese të viteve të fundit, që është korrupsioni.

Basha shkruan se “Edi Rama e ngriti në sistem korrupsioin”, duke shtuar se PD “do të bëjë gjithçka për t’u dhënë njerëzve atë që u ka munguar, sepse Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë”.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Në programin qeverisës të Partisë Demokratike të Shqipërisë, lufta kundër korrupsionin, që pushteti i Edi Ramës ngriti në sistem, si e keqja më e madhe prej së cilës shqiptarët duhet të shkëputen një herë e përgjithmonë, është prioritet kryesor, sepse ne besojmë fort te mirëqeverisja që buron nga ndershmëria publike në dallim nga ata që të pandershmen e bënë modë dhe model të ngjitjes së shkallëve të karrierës së pushtetit.
Vetëm një program me prioritet të qartë shërbimin dhe shërbesat e qytetarëve, një program që lehtëson aksesin publik në administratë, duke ia lehtësuar dhe jo duke ia vështirësuar jetën atyre, është ajo që i ka munguar më së shumti këtij vendi.
Ndaj ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë njerëzve atë që u ka munguar, sepse Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë!

Propozimet kryesore të PD për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen:

– Themelimi i Njësisë së Zbulimit dhe Rekuperimit të Aseteve dhe Pasurive të Vjedhura, me anë e të cilës do gjurmohen pasuritë e vjedhura nga zyrtarët e korruptuar, kudo që ato janë fshehur, brenda dhe jashtë vendit, për t’ia kthyer shtetit;

– Ngritja e Gjykatës së Auditit, transformimi i KLSH-së në një gjykatë auditi pra nga një insistucion rekomandues, në një gjykatë me të drejta të plota vendimmarrëse, ekzekutivi i të cilave do të jetë detyrues;

– Shqipërisa në 5 rajone, në përputhje me kërkesat e BE-së, për të fuqizuar zhvillimin ekonomik në gjithë territorin;

– Pushimi i të gjitha gjyqeve kundër mijëra qytetarëve që janë në gjyq me shtetin, që ata të fitojnë të drejtat e mohuara, duke lehtësuar kësodore edhe sistemin gjyqësor, i cili mbart mbi 25 mijë çështje të tilla;

-Qasje inovative për rezultate të shpejta dhe të prekshme nga reformat: ato do jenë gjithëpëfshirëse, do fillojnë në të njëjtën kohë në disa fronte, dhe me një mekanizëm matës për zbatimin.

Arrestimi i shqiptarit në kufirin mes Kosovës e Serbisë, DASH thirrje: Institucionet e Beogradit të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90, dhe bën thirrje për një proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj tij, dhe personave tjerë të arrestuar nën dyshimet e njëjta.

 

Një zëdhënëse e DASH-it e ka dhënë këtë deklaratë, në kërkesën për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 1 qershor.

Një gjykatë në Beograd ka marrë vendim ndaj tij për paraburgim prej 30 ditësh.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë më 1 qershor se Mustafa dyshohet se, në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre zyrtarëve policorë.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

Ministria e ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit +383 46 51 00 51, për të gjithë shtetasit e Kosovës që mund të ballafaqohen me vështirësi gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

Së fundmi, atij i është vazhdaur masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./RE