15.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Silvinjo e la jashtë, por Uzuni është më i kërkuari në merkato. Granada u tregon të gjithëve klauzolën

Myrto Uzuni e nisi merkaton e verës si një nga lojtarët më të kërkuar në Spanjë. Rënia e Granadës në kategorinë e dytë, ka bërë që sulmuesi shqiptar të ndiqet me shumë interes nga klubet e tjera spanjolle e jo vetëm, të cilat duan të përfitojnë nga situata.

E përditshmja spanjolle “AS” i ka kushtuar një shkrim të gjatë situatës së sulmuesit shqiptar sa i përket të ardhmes së tij dhe zërave të merkatos. Sipas saj, Sevilja dhe Rajo Vajekano vazhdojnë të jenë të interesuara për futbollistin, por nuk ka ende një ofertë zyrtare në adresë të tij.

Shkak është bërë qëndrimi i Granadës, që ka një kontratë me lojtarin dhe në të ka një klauzolë që parashikon pagesën e 12,5 milionë eurove për ta prishur marrëveshjen në periudhën kur klubi nuk është më pjesë e La Liga.

Të dy klubet për momentin nuk janë gati të paguajnë një shifër të tillë dhe vetë Granada nuk është se shtyn për largimin e Uzunit, pasi e sheh si një futbollist që do ta ndihmojë për t’u kthyer shpejt në elitë. Edhe vetë sulmuesi raportohet se është i lumtur te Granada dhe nuk po kërkon të largohet, teksa klubi i ka bërë të qartë që çdo gjë do të jetë në dorën e tij për të vendosur për të ardhmen, duke iu përmbajtur gjithsesi marrëveshjes mes palëve për shumën që duhet të sjellë në klub në rast largimi.

Propozimet e PD-së nuk rrëzohen me cinizëm, programi është dhe e bën ate shumë serioze

Nga Fitim Zekthi

Disa dekada më parë, Walker Percy, një autor amerikan mjaft i njohur, shprehej se gjithnjë e më shumë njerëz do të ndihen të lodhur nga një gjendje apo nga diçka dhe kjo mund të bëjë që vendi tyre dhe ata vetë të rrëzohen nga brenda, të bëhen cinikë, të shpotisin, të mos marrin seriozisht asgjë, të kthehen në qenie që mund të përkufizohen vetëm nga mosbesimi dhe të shikuarit e gjithçkaje si objekt ridikulizimi dhe të tërhiqen. Ata thoshte Percy në këtë mënyrë do të reduktohen në diçka shuëm më pak nga çfarë është qenia njerëzore. Mund të ndodhë që e keqja të fitojë jo prej faktit se ajo është më e fortë, por prej kësaj lodhjeje, këtij cinizmi dhe lakmisë që gjithnjë ka një rol në ngjizjen e kësaj gjendjeje. Percy ishte duke folur më së shumti për Amerikën dhe amerikanët në kohën e përballjes së rrezikut komunist.

Ai e shihte zgjidhjen te të qëndruarit aktivë, te shmangia nga cinizmi, te të mbështeturit te morali dhe te dija. Pak a shumë, kjo është sot gjithë gjendja në Shqipëri. Njerëzit, sigurisht të lodhur nga vite të tëra qeverisje e keqe dhe drejtim shumë i keq politik, në shumicën e rasteve janë bërë apatikë. Ata të lodhur nga përsëritja e të njëjtave gjëra dhe nga qarkullimi i të njëjtës gjë për gati 33 vjet me radhë janë bërë apatikë. Një pjesë e tyre shohin gjithçka me qesëndi dhe me indiferencë. Deri këtu ëhstë e kuptueshme ndonëse jo e mirë. E rëndë ëhstë kur cinizmi kthehet në mënyrë të jetuari dhe në mënyrë të vepruari dhe zhytja në këtë gjendje nuk lejon as kritikë të drejtë, as vend për debat me dije, as mundësi për të ndihmuar diçka të mirë dhe larguar një të keqe. Cinizmi për nga natyra është acidik dhe nuk ndihmon kurrë diçka të drejtë. Cinizmi është e kundërta e dijes, është në natyrën e tij dominimi nga e sipërfaqshmja.
Si shumë e shumë gjëra të tjera në vend, edhe program i Partisë Demokratike nuk mund të mos përballej me këtë gjendje natyrore të shumë e shumë njerëzve. Pa hyrë në analiza të detajshme të programit të Partisë Demokratike duhet thënë se ai program ka nisur të hartohet që nga shtatori i vitit të kaluar. Kryetari i PD-së Lulzim Basha e ktheu në një çështje të rëndësishme një gjë të tillë. Për të janë angazhuar ekspertë ndërkombëtarë të njohur (sidomos nga grupimi Kristian demokrat dhe Kristian social gjerman). Ekspertët vendas kanë qenë aty gjithahstu. Këta ekspertë kanë punuar për programin duke njohur sfidat që kanë shoqëritë sot, duke ditut sfidat që ka një vend si i yni, duke ditur sfidat që kanë vende të ngjashme me ne që kanë ardhur nga komunizmi, duke ditur sfidat që kanë vende me madhësinë tonë, duke ditur sfidat që kanë vende me përbërje demografike si i joni, duke ditur sfidat që kanë vende me probleme të pronës dhe klimës së biznesit si ne, duke njohur sfidat që kanë vende me shtresëzime kulturore si ne, duke ditur sfidat që kanë vende që kanë paligjshmëri në ekonomi apo në shtetin e të drejtës si ne etj. Janë studiuar dhe marrë në konsideratë të dhëna të pafundme, janë analizuar dhe krahasuar, janë ballafaquar ekspertë dhe qëndrime ë për muaj me radhë dhe është nxjerrë një program i cili ofron një zgjidhje brenda filozofisë së djathtë apo konservatore për Shqipërinë. Volumi i përpunimit të të dhënave dhe i diskutimit detaj pas detaji, përpjekja për të harmonizuar gjithçka brenda një përkufizimi teorik dhe brenda një kuadri realist ka qenë i jashtëzakonshëm. Kjo ndoshta nuk e bën atë programin e përsosur për Shqipërinë por e bën një përpjekje të rrallë, ndoshta të vetmen, serioze në këto 33 vite. Kurrë ndonjëherë nuk është bërë diçka me kaq përkushtim dhe skrupulozitet.
Kur programi u paraqit pati në mjaft raste një përpjekje për ta gjykuar atë si gjithnjë, si diçka të rëndomtë për qëllime propagandfistike, si “hapje thesi” për të gënjyer njerëzit, si diçka komplet jo realiste, si bashkim i kotë shifrash dhe premtimesh. Cinizmi bëri punën e vet dhe u përpoq ta shohë programin kaq thjesht dhe sipëfaqshëm pa harxhuar asnjë grimë nerva dhe kohë për të parë më thellë.
Kur presidenti Nikson mbajti fjalimin e tërheqjes nga Vietnami në 10 qershor të 1969-ës analistët dhe njerëzit e mediave po diskutonin live mbi fjalimin, mbi tërheqjen, mbi politikën e jashtme, mbi pasojat, mbi përfitimet etj. Nixon thotë se ai kishte punuar 6 muaj me ekspertët më të mirë të ushtrisë, inteligjencës, diplomacisë, kishte studiuar me stafet e tij gjithçka nga terreni në Vietnam, në Kinë, në Laos, në Kamboxhia, në Cejlon, kishte marrë në analizë çdo të dhënë për ekonominë amerikane dhe atë botërore, kishte peshuar gjithçka në lidhje me raportet gjeopolitike. Nixon thotë se cinizmi, mediat, analsitët live tani po rrëzonin apo sulmonin planin e tij pa ditur asgjë për këto të dhëna dhe punë kaq gjigande. Jo thjesht për programin e PD-së por për shumëçka në Shqipëri flitet gjerësisht me këtë lehtësi, me këtë cinizëm.
Për të qëndruar tek program i PD-së po marrim në analizë vetëm një aspekt, vetëm një të dhënë madje. Po marrim propozimim që për fëmijën e tretë, për beben e tretë qeveria do të ofrojë 20 mijë euro.
Ky propozim ra në acidin injorant të cinizmit sigurisht. U tha që është premtim kot, premtim i parealizueshëm, u tha se kjo ëhstë një gjë për gallatë. Disa, cinikët më cinikë, bënë edhe humor të zi gjasme. Pati madje edhe njerëz të fesë, të klerit që për turpin e tyre hynë në debate që i përkasin politikës dhe bënë budallallëqe, medemek humor, treguan injoirancë dhe paaftësi për të bërë detyrën që duhet.
Në të vërtetë propozimi për bonuesin prej 20 mijë eurosh është diçka e menduar tmerrësisht gjatë dhe hollë. Drama e vërtetë e Shqipërisë është plakja e popullsisë, drama e vërtëtë është ilkja nga vendi, drama e vërtetë ëhstë lindshmëria e ulët, drama e vërtetë është dobësimi dhe pamundësia për të krijuar familje dhe rritur fëmëijë. Shqipëria po arrin sot sipas INSTAT projeksionet demografike që duhet ti arrinte në vitin 2080. Shqipëtia kishte vitin e kaluar 1,3 lindje për çift që ëhtë nga më të ulëtat në Europë. Mesatarja e Europës sot ëhstë 1,46. Vetëm Spanja ëhstë më ulët se sa Shqipëria me 1,2 dhe çdo vend tjetër në Europë ëhstë më mirë se sa ne. Kjo është e llahtashme sepse ne ndryshe nga Spanja kemi edhe emigrim të lartë. Vitin e kaluar në Shqipëri kishte 30 mijë vdekje dhe vetëm 23 mijë lindje. Pra është alarm kombëtar çështja e lindshmërisë dhe e gjetjes së mundësive që të rinjtë të mund të krijojnë familje dhe rrisin fëmijë. Sigurisht që kjo kërkon politika të harmonizuara në shumë aspekte (të cilat program i PD-së i ka patur parasysh) por edhe nxitja e drejtpërdrejtë është një domosdoshmëri ekstreme.
Po të shohësh strukturën e 23 mijë lindjeve të vitit të kaluar, e cila ka ardhur në ulje vit pas viti, numri i fëmijëve të tretë është më pak se sa 2 mijë. Pra 21 lindje janë fëmijë i parë ose fëmijë i dytë.
Pra propozimi i PD-së për të dhënë 20 mijë euro për fëmijën e tretë është një domosdomshmëri dhe me kosto të ulët nga 23 mijë lindje stimuli mund të ndihmojë që vendi të kapë për tre katër vite shifrën e 28-30 mijë lindjeje dhe nga këta rreth 2 mijë mijë mund të jenë fëmijë të tretë. Duhet shpresuar dhe lutur Zotin që të ndodhë.
Kjo do të thotë se kostoja do të jetë rreth 40 milionë euro në vit. Kjo është një kosto sa vlera e makinave që blen qeveria për dy tre ministri. Atëherë pse ky cinizëm për diçka kaq serioze dhe kaq realiste? Ku hyn këtu marrëzia e mosmarrjes seriozisht prej cinikëve. Ku është këtu kostoja e papërballueshme? Programi ka analizuar çdo gjë thellësisht dhe ia vlen të vlerësohet dhe të vihet në punë për vendin, jo për PD-në. Të gjitha aspektet e programit janë trajtur me këtë lloj rreptësie dhe përkushtimi.

Jep dorëheqjen kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës! Blerina Bala qëndroi vetëm pak javë në krye të detyrës

Blerina Bala, kryetarja e komanduar e bashkisë së Himarës ka dhënë dorëheqjen. Ende nuk dihen arsyet, por Bala mori këtë post rreth dy muaj më parë, konkretisht më 29 mars.

 

Bala u zgjodh në këtë post mes tensioneve brenda këshillit bashkiak, pasi dy kryebashiakët, Jorgo Goro dhe Fredi Beleri përfunduan në burg, njëri për tjetërsim pronash dhe tjetri për blerje votash.

Tensionet dy muaj më parë ndodhën pasi disa mbështetës të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg, hynë në ambientet e sallës ku po zhvillohej mbledhja e këshillit në Bashkinë e Himarës, duke kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të PS-së dhe Prefekturës së Vlorës.

Në lidhje me zgjedhjen e Balës reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkroi se zgjedhja e saj nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

Por nuk dihet se çfarë do të ndodhë tani që Blerina Bala u largua nga posti i kryetares së bashkisë Himarë.

Ceno Klosi jo më drejtori i Tatimeve pasi SPAK e vuri nën hetim për 4 vepra penale, analisti: Ka kontradikta për largimin e tij! Do ta shohim nëse do të…

Analisti Agim Baçi u shpreh se ka shumë kontradikta për largimin e Ceno Klosit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, pasi SPAK e vuri nën hetim për 4 vepra penale.

 

Në emisionin Open në News 24, Baçi tha se nuk besonte versionin se Klosi do të emërohej si zv.ministër, kjo sepse ai është thirrur në SPAK.

Baçi u shpreh se Ceno Klosi, pas lajmit të dorëheqjes, ka hapur lajmin se do të emërohej zv.ministër, por këtë nuk e cakton ish-Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.

SPAK ka deklaruar se ka nisur hetime ndaj Klosit dhe nëse z. Edi Rama do e emëronte në Qeveri, do të ishte një hall i madh.

Ka lajme kontradiktore. I pari është ai që ka hapur z. Klosi që është dorëhequr, se do të shkojë zv.ministër. Nesër është mbledhja e qeverisë dhe ne do të shikojmë nëse do të emërohet ose jo zv.ministër.

Është pak e vështirë të thuash sot nëse e kanë shkarkuar apo është dorëhequr sepse këta që shkojnë në dyert e SPAK, na dalin të dorëhequr”, tha Baçi.

Ai shtoi se se nuk ka ndodhur në asnjë rast që dikush të njoftojë dy apo tre ditë përpara se do të bëhet zv.,ministër.

Gjithashtu gazetari Sokol Bregu tha se nuk mendonte se do të kishte një detyrë tjetër.

“Ceno Klosi po hetohet për 4 akuza, ka një hetim që pohohet edhe nga SPAK. Është një hetim bazuar në dokumentet që opozita ka depozituar në SPAK”, u shpreh Bregu.

Aksidentet e pilotëve/ 15 milionë dollarë dëme, ja “shkatërrimtarët” e makinave në F1

Formula 1 është gati për ndalesën e radhës në një kampionat që po rezulton interesant dhe me surpriza, pas shpërthimit të Sharl Lëklerkut në Monako.

 

Në prag të Çmimit të Madh të Kanadasë që do të mbahet këtë fundjavë në Montreal, skuderitë numërojnë pikët në klasifikim, me Ferrarin që shpreson në hapjen e një kampionati, i cili parashikohej se s’do të kishte histori për Red Bullin.

Por ndërkohë 10 skuadrat duhet të bëjnë gjithashtu llogaritë edhe me dëmet prej më shumë sesa 15 milionë dollarë, pasi është kjo shifra e kostove për riparimet e dëmeve të shkaktuara nga pilotët në makina deri në Çmimin e Madh të Montekarlos, me aksidentet që kanë bërë. Serxho Perez, Aleks Albon dhe Daniel Rikardo, pas aksidentit në Montekarlo, kryesojnë listën si pilotët më “shkatërrimtarë”.

Fatura që Red Bulli ka paguar deri më tani për dëmet e meksikanit është plot 2.452.000 dollarë. Ndërkohë, Albon dhe Rikardo u kanë kushtuar skuadrave të tyre Uilliams dhe RB, përkatësisht 2.040.750 dhe 1.222.000 dollarë.

Ndërsa duke mbledhur kostot e riparimeve të dëmeve nga të dy pilotët, Uilliams ndodhet në vendin e parë me një total prej gati 3 milionë dollarësh. Në epokën e rregullave të limitit për buxhetin (budget cap), skuadrat janë shumë të varura nga pilotët dhe aksidentet që ata shkaktojnë duke dëmtuar njëvendëshet.

Kjo pasi çdo shpenzim i bërë nga ekipet për të riparuar makinat, ngarkohet në buxhetin e zhvillimit sezonal. Mes Uilliamsit dhe Red Bullit, këta të fundit rrezikojnë të humbasin më shumë për shkak të situatës aktuale. RB20 s’ka arritur që të ruajë dominim e vitit të kaluar me modelin RB19, që do të thotë se për Red Bullin do të jetë thelbësor zhvillimi konstant i makinës, në mënyrë që të ruajë avantazhin e lehtë që ka ndaj kundërshtarëve.

 

Por aksidenti i rëndë që shkaktoi Perez në Montekarlo rrezikon të jetë një handikap i madh për vijim e sezonit. Aksidente të tjera të mundshme nga Perez apo Maks Vershtapen, mund ta detyrojnë skuadrën që të ndërpresë azhurnimet e planifikuara, veçanërisht për pjesën e dytë të sezonit. Ndërkohë, në tabelë ju pasqyrojmë dëmet financiare që pilotët u kanë shkaktuar deri në këtë pikë të sezonit skuadrave të tyre.

“1 pompist mori 50 mln lekë paga”, Gjergji Nika shpjegon skemën abuzive në UKV: Janë edhe 120 punonjës gati për gjyq, shuma mund të shkojë në 8 mln euro

“1 pompist mori 50 mln lekë paga”, Gjergji Nika shpjegon skemën abuzive në UKV: Janë edhe 120 punonjës gati për gjyq, shuma mund të shkojë në 8 mln euro

Kreu i Grupit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vlorës, Gjergji Nika, i cili ishte i pari që denoncoi skemën abuzuese me vjetërsinë e punës të punonjësve në Ujësjellësin e Vlorës. Në një video të shpërndarë në Facebook, nga mbledhja e Këshillit Bashkiak ku këshilltarët e PD kërkuan ngritjen e një Komisioni Hetimor, Nika shprehet se personat që kanë marrë lekët janë anëtarë socialist që nuk mungojnë në asnjë takim të PS.

Nika gjithashtu shpjegoi skemën e vjedhjes me raste konkrete, ku jë prej tyre është një pompist i cili ka fituar 50 milionë lekë të vjetra paga. Ai gjithashtu tha se kjo skemë pritet që ta çojë në kolaps UKV, pasi deri më tani janë 50 nënpunës që kanë fituar gjyqin dhe 120 të tjerë janë në rradhë për gjyqe dhe shuma mund të shkojë deri në 8 milionë euro.

POSTIMI I PLOTË i KREUT TË KËSHILLTARËVE TË PD NË BASHKINË VLORË, GJERGJI NIKA:

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Vlorë, pas kërkesës së opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimorë për abuzimet me vjetërsinë e punës e punonjësve në UKV

Ngaqë jam qytetar po rri deri këtu, se mos të isha qytetar do kisha kaluar më tutje me gjërat, do kisha nxjerr dhe emrat që ata që i kanë marrë lekët, janë ata që rrinë në mbledhjet tuaja në vend të parë. Ata që i kanë marrë lekët, personat, janë anëtarët e Partisë Socialiste, strukturat tuaja nëpër rajone që rrinë edhe në vend të parë po të shikosh në fotot e Partisë Socialiste. Atëherë pse duhet ta kaloni këtë Komision? Po ua them unë pse duhet ta kaloni. Sepse zotërinj të nderuar është e pamundur që një njeri i cili është pompist të fitojë paga 50 milionë lekë të vjetra. Ky është vendim përmbarimi, ka marrë lekët. Keni moral, apo s’keni moral? Ja ku janë 11 milionë lekë të reja, ju rekomandoj të jepni dorëheqjen, të hidhni në gjyq institucionet tuaja, të merrni ato 120 milionë dhe ikni bëni plazh, që të gjithve me rradhë. Urdhëroni tjetrën, këto janë debituar nga llogaria. Urdhëroni te Fi Bank, keni të debituara 11 milionë lekë të reja, tjetër personi x. Ky është vërtetim banke, nuk janë shakara.
50 veta të tjerë kanë fituar gjyqin, 120 të tjerë janë gati për gjyq. Më thoni ju një vjetërsi me 2%, sa i bie të vete 120 milionë? Duhet personi ta ketë rrogën 15 mijë euro dhe të ketë punuar 50 vite. Ma llogarisni, i keni të debituara dhe i keni me fakte. Po ju them, kjo 50 milionë lekë të reja ose 500 mijë euro, do përkthehet në 5 milionë euro për 6 muaj, në 8 milionë euro dhe mos më thoni që nuk ua kam thënë.

 

Shqipëria ka nevojë për programin e djathtë të PD së Lulzim Bashës!

Nga Namir Lapardhaja

Shpeshherë në diskursin politik shqiptar, nuk ka pasur kurrfarë rëndësie programi, për arsye të mbizotërimit të një populizmi të thellë, i cili nuk i ka fituar zgjedhjet si pasojë e atyre që ka premtuar, por si rezultat i shfaqjes dhe show-it. Edi Rama është shembulli më i mirë i kësaj. Duke mos pasur asnjë program, ai është shfaqur në fushatë elektorale një herë me def e çitjane, pastaj me timon dhe tepsi. Pasojat e kësaj sjelljeje teatraleske shqiptarët i vuajnë përditë, ndërsa gjysma e qeverisë është nën hetim për korrupsion nga SPAK, kurse pjesa tjetër në pritje për t’u thirrur nga Prokuroria e Posaçme. Nuk është rastësi që programi i Partisë Demokratike të Shqipërisë vjen në një kontekst të polarizimit ekstrem të debatit politik jo te hallet dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, por te hallet dhe shqetësimet e politikanëve. Edi Rama përditë në media i duhet të mbrohet nga akuzat për korrupsion të njerëzve të tij të afërt, duke u justifikuar në çdo dalje se pyll pa derra nuk ka, Sali Berisha nga ballkoni i katit të 8-të i duhet përditë të sulmojë SPAK dhe GJKKO-në, Ilir Meta ka marrë malet, sepse mendon se i ka shpëtuar hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pjesa tjetër që u vete nga prapa këtyre të treve, vijojnë me shpresat “bëje Zot ëndërr”, duke pritur që t’i bien ‘ato’ dashit dhe ata të kapin ç’të kapin. Pikërisht në këtë kontekst, PD e drejtuar nga Lulzim Basha, paraqiti përpara shqiptarëve një program ambicioz, të djathtë, me në qendër nevojën e njerëzve për të dalë nga kriza ekonomike, me orientim të qartë te individi i shëndoshë dhe familja e fortë. Iniciativa për themelimin e Fondit për Mirëqenien e Familjes, i cili pritet të marrë përsipër gjithçka që ka të bëjë me familjen, duke filluar nga çiftet e reja dhe shkollimi i fëmijëve, është një praktikë e mirënjohur perëndimore, e cila do ishte lehtësisht e realizueshme nga një qeveri e cila ka vullnetin e duhur për t’i adresuar shqetësimet e njerëzve siç duhen dhe ka forcë që të jetë e ashpër ndaj korrupsionit, sepse vetëm kështu lekët që pushtetarët vjedhin, do të shkonin për të ndihmuar familjet shqiptare. Premtimi i PD-së për taksën e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhurat personale 9%, dividenti me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, pritet t’i japë frymëmarrje sipërmarrjes, duke oksigjenuar gjendjen ekonomike dhe duke e nxjerr atë nga kriza e kamxhikut të arbitraritetit të sotëm. Zgjidhja e problematikës së stërzgjatur të pronës, nëpërmjet krijimit të obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut dhe qartësia e një fature financiare të majmë për shtetin shqiptar, do të bënte që PD t’i shlyente përfundimisht gabimet e së kaluarës, që ka bërë me pronën dhe pronarët, njëkohësisht do t’i kthente kësaj shtrese, historike mbështetëse ndaj saj, një detyrim moral dhe financiar. Ashtu sikurse premtimi për të zgjidhur statusin e të përndjekurve politik, duke e njehsuar atë me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-ushtarakut, i shërbejnë qartësisë së orientimit të djathtë të PD. Thelbi i programit të paraqitur nga PD-ja, Basha dhe ekspertët e tij, është krijimi i shtresës së mesme, gjë që ka munguar deri më sot, e cila është baza e një shoqërie të fortë, ndërkohë që forcimi i saj do ta transformonte ekonominë shqiptare dhe do t’i bënte njerëzit të jetonin të lirë nga vargonjtë dhe nga pengmarrja 30-vjeçare e një politike që i përdor dhe i vjedh njëkohësisht. Sikur vetëm kaq të realizonte PD, do të jepte një kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar. Sigurisht që ka një skepticizëm të thellë që vjen si pasojë e një politike që shpeshherë i ka tradhtuar aspiratat dhe shpresat e njerëzve, por në kushtet e një narrative ku politika dhe politikanët flasin vetëm për hallet dhe problemet e tyre, alternative e paraqitur nga PD-ja ngelet e vetmja rreze drite në errësirën e pafundme të tunelit politik.

Iluzioni i mrekullisë turistike në Shqipëri, miti i propagandës dhe realiteti i fakteve

NGA ADRI NURELLARI

E vetmja temë që i bën karshillëk bujës së hetimeve të SPAK-ut sot janë lajmet e panumërta për “mrekullinë” turistike, ku sipas qeverisë, vitin e kaluar na kanë nderuar plot 10.1 milionë turistë. Megjithatë, ekonomia jonë duket se nuk është në dijeni të këtij “bekimi” turistik. Në vend që të përjetojmë një bum ekonomik për shkak të këtij hovi, të dhënat zyrtare demaskojnë propagandën e qeverisë, duke demonstruar një ekonomi që mezi lëviz. Me sa duket, qenkemi fatkeqë dhe të “huajt tinëzarë” që po na vizitojnë qenkan turistë të mistershëm, të cilët janë mjeshtra në artin e udhëtimit pa lënë asnjë gjurmë në ekonominë tonë. Kur përpiqemi të gjejmë impaktin ekonomik të këtyre miliona turistëve, me të cilët qeveria krenohet anembanë botës, është njësoj si të kërkosh ujë në shkretëtirë: nuk ka asnjë shenjë domethënëse të ndikimit të tyre. Në vend që të sjellin begati, këta miliona turistë të padukshëm duket se kanë zgjedhur të mos shpenzojnë asgjë dhe madje të mos flenë fare. Le të zhytemi në këtë komedi të absurdit dhe të zbulojmë ku fshihet e vërteta pas këtij bumi imagjinar turistik, duke bërë një analizë hulumtuese.

Në kërkime rigoroze shkencore në përdorim triangulimin, i cili nënkupton përdorimin e metodave, burimeve të të dhënave apo teorive të ndryshme për të testuar besueshmërinë apo vlefshmërinë e rezultateve. Ashtu si një grup detektivësh që bëjnë hetimet e tyre nga kënde të ndryshme për të zgjidhur një mister, triangulimi përdor metoda dhe burime të ndryshme për të vërtetuar një tezë. Në rastin tonë, për të shqyrtuar e vërtetuar nëse vendi ynë ka pasur apo jo me të vërtetë 10.1 milionë turistë të huaj, do ishte mirë të shikojmë disa të dhëna alternative sikurse janë pasojat e shkaktuara në ekonominë tonë, numri i fjetjeve, kapacitetet tona për të pritur gjithë këtë numër të madh si dhe vendet e origjinës nga vijnë për të dalluar turistët e vërtetë që vijnë në Shqipëri për të eksploruar e pushuar nga bashkëkombësit tanë që kanë shtetësi të huaj e kthehen në gjirin e familjes. Kur flitet për zhvillim të vrullshëm të turizmit dhe miliona turistë të huaj, mendja menjëherë të shkon tek impakti ekonomik begatues që do duhej të vinte për pasojë. Mirëpo aty INSTAT-i nxjerr të palarat duke vënë në dukje se kjo magji e turizmit shqiptar nuk ka lënë gjurmë domethënëse në ekonomi. Sipas INSTAT-it, për vitin 2023, rritja ekonomike e vendit ishte vetëm 3.44%, pra goxha më e vogël se ajo e vitit pararendës 2022, kur patëm një rritje prej 4.84%. Këtu, është mirë të analizojmë se sipas INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.5 milionë, duke u rritur me 32,6%, në krahasim me vitin 2021 ndërsa në 2023 shkoi 10.1 milionë ose 34% më shumë nga viti pararendës. Kryeministri Rama proklamonte triumfalisht në 2022 se atë vit turizmi përbënte 17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 4% që ishte para rotacionit. Pra, nëse hipotetikisht llogarisim këtë shtim të hovshëm prej 34% të turizmit në vitin 2023 (dhe sikur të merrnim të gjitha të dhënat të tjera të pandryshuara) do duhej që rritja e PBB-së prej turizmit “të shpërthyer” të shkonte 5.78% (17% x 0.34)

Mirëpo realisht kemi pasur një rritje modeste prej vetëm 3.4% dhe ai kryesisht falë fluskës së shtuar të ndërtimeve. Kjo do të thotë se milionat e shtuar të vizitorëve të huaj i kanë parë me gjasa policët kufitarë dhe sportelistët e “Kastratit” në aeroport apo te trau i autostradës së kombit, sepse kamerierët, shitësit dhe recepsionistët e hoteleve nuk i kanë parë hiç.

Prapë në vijim të analizës së pasojave ekonomike, me logjikën “ku ka tym ka zjarr”, pritet që shtimi masiv i disa miliona turistëve do të shtojë edhe konsumin në vend, se fundja jo të gjithë vizitorët e huaj vijnë me “bukë me vete”. Mirëpo ardhja masive e pretenduar e turistëve të huaj rezulton se nuk pati efekt të lartë tek konsumi final. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, konsumi i popullatës u rrit zbehtë me vetëm 2.96% (nga 7.37% rritje të vitit të mëparshëm), duke shënuar nivelet më të ulëta, që nga koha e pandemisë. Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar, BIRN-i nxori në pah se paradoksalisht, ndërkohë që rritej numri i vizitorëve të huaj, kishte një rënie të ndjeshme të konsumit të rrymës elektrike. Në gjithë botën shtimi me miliona i numrit të turistëve do të duhej të çonte në shtim me miliona të kilovatorëve të harxhuar në vend për ajër të kondicionuar, larje, gatim etj..

Në vazhdim të qasjes së triangulimit, shohim një tjetër fakt që e nxjerr lakuriq propagandën shtetërore dhe që është raporti mes numrit të turistëve të huaj, që pretendohet se janë futur në Shqipëri dhe numrit të fjetjeve. Në Shqipëri raportohet se janë futur 10.1 milionë turistë të huaj, por janë bërë vetëm 6 milionë fjetje. Duket se turistët tanë preferojnë të flenë në qiell të hapur duke numëruar yjet, ndryshe nga ata që shkojnë në Mal të Zi dhe Kroaci, që duket se kanë nevojë për një shtrat. Institutet respektive shtetërore statistikore tregojnë se në Mal të Zi, në vitin 2023, pati 2.6 milionë mbërritje nga jashtë dhe 16.3 milionë netqëndrimi (6.2 netfjetje për vizitor) ndërsa në Kroaci pati 20.6 milionë vizitorë dhe 108 milionë netqëndrimi (5.2 natë për vizitor). Kjo dëshmon më së miri që pjesa më e madhe e atyre të raportuar me shtetësi të huaj që janë futur në Shqipëri ose kanë fjetur në shtëpitë e tyre sepse janë vendës, ose kanë kaluar transit nëpër vendin tonë brenda ditës, pa u ndalur për të fjetur.

Për të kuptuar sa farsë është historia e 10.1 milionë turistëve, mjafton të shikojmë kapacitetet akomoduese të Shqipërisë. Sipas INSTAT-it në gjithë vendin ka pasur 1580 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) që vënë në dispozicion rreth 48 mijë dhoma dhe rreth 109 mijë shtretër. Platforma “AirBnb” e akomodimit familjar nuk sjell ndonjë ofertë të madhe dhe nuk bën ndonjë diferencë sepse sipas të dhënave të “AirDNA”, në Shqipëri ka 15512 prona për akomodim që kanë gjeneruar diku te 53.8 milionë USD xhiro në 2023.

Kroacia në vitin e kaluar kishte 438 mijë dhoma të disponueshme për turistët me një total prej 1.2 milionë shtretër të përhershëm. Pra, formalisht i bie të ketë 10 herë më shumë shtretër për të pritur vetëm 2 herë më shumë turistë se Shqipëria. Fryrjen e shifrave të qeverisë e tregon edhe rasti i Antalias, që është aq shumë e preferuar për udhëtarët shqiptarë. Vitin e kaluar ky rajon mesdhetar me 600 kilometra bregdet arriti rekordin e vet, duke pritur 15.5 milionë turistë (50% më shumë se shifra e Shqipërisë), ndërkohë që ka një kapacitet prej 640 mijë shtretërve (6 herë më shumë se Shqipëria), ndër të cilët 400 mijë janë në hotele me 5 yje. Me pak fjalë, sikur pjesa më e madhe e 10.1 milionë shtetasve të huaj që kanë kaluar kufirin për Shqipëri vitin e huaj, të mos ishin bashkatdhetarë që ktheheshin në shtëpitë e tyre apo që tranzitojnë nëpër territorin tonë, por të ishin turistë të mirëfilltë që duan të pushojnë disa ditë tek ne, ne faktikisht nuk do të kishim kapacitete se ku t’i mbanim me akomodim këto numra kaq të mëdhenj.

Për më tepër, analiza e vendeve të origjinës së “turistëve të huaj” na e sqaron akoma më mirë se sa i vërtetë është bumi turistik shqiptar. Sikurse e vë në dukje me të drejtë studimi i UNDP-së me titull “Turizmi dhe Mikpritja në Shqipëri 2022: Një vlerësim i trendeve dhe performancës së turizmit”, më shumë se 70% e atyre “të huajve” që futen zakonisht në Shqipëri janë bashkëkombës shqiptarë, ose nga rajoni (Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës në Serbi) ose nga mërgata (Italia, Greqia, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj.). Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit lidhur me statistikat e turizmit tregojnë se në vendin tonë vitin e shkuar kanë hyrë rreth 4.4 milionë qytetarë të Kosovës. Kjo shifër tregon qartë jo vetëm për dominimin e turizmit patriotik dhe zotërimit të pronave në Shqipëri prej kosovarëve (të cilët i vizitojnë rregullisht nëpër fundjava), por edhe për një numër të madh udhëtarësh kosovarë transit, të cilët futen nëpër Shqipëri për të udhëtuar drejt Perëndimit, qoftë duke vijuar për Mal të Zi apo Itali me traget e qoftë duke shfrytëzuar linjat e shumta ajrore me çmime të ulëta që udhëtojnë prej Rinasit.

E njëjta mund të thuhet për një pjesë të mirë të 745 776 shtetasve të Maqedonisë së Veriut, 101 949 shtetas të Serbisë, apo 636 962 të Malit të Zi që janë raportuar se kanë hyrë vjet. Për Malin e Zi duhet bërë njëfarë diference se aty një pjesë e mirë nuk janë detyrimisht shqiptarë, por edhe të kombësive të tjera të këtij shteti që vijnë për dy arsye të tjera. Së pari, për të shfrytëzuar linjat e lira të Rinasit (fundja Rinasi është vetëm 140 km larg Podgoricës) por së dyti, është shtuar numri i malazezëve që vijnë e ikin në Shkodër e rrethina brenda ditës së diel, duke qenë se me ligj në vendin e tyre të gjitha lokalet e dyqanet janë të mbyllura të dielave.

Gjithashtu, kur shikohen vendet e tjera të origjinës, prapë duket qartë se sipas të gjitha gjasave dominojnë bashkëkombësit tanë shqiptarë që kanë shtetësi të vendeve të Evropës. Në plan të parë është Italia me 950 955 mbërritje, ndërkohë që sipas ISTAT-it italian, numri i shqiptarëve që kanë marrë shtetësi italiane në tri dekada emigracion është 230 mijë (me gjasa numri është edhe më i madh po të shtohen fëmijët e tyre që kanë lindur në Itali e janë me dyshtetësi). Besoj se e njëjta analizë për kombësinë e vizitorëve vlen edhe për 667 565 shtetasit grekë që janë raportuar se kanë hyrë në Shqipëri më 2023. Me të njëjtën logjikë mund të identifikohen si diasporë shqiptare me origjinë nga Kosova dhe ish-republikat e tjera jugosllave edhe te qindra mijëra hyrje në territorin e Shqipërisë prej shtetasve të Gjermanisë, Zvicrës apo shteteve të Skandinavisë.

Unë besoj se kontribuuesi kryesor i shtimit të numrit të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rritja e lidhjeve ajrore të Rinasit nëpërmjet kompanive me kosto të ulët si “Wizzair”, “Ryanair”, “Eurowings” apo “Transavia”, të cilët e kanë çuar numrin e pasagjerëve të këtij aeroporti në 7.2 milionë. Rinasi sot ka mesatarisht 94 fluturime çdo ditë drejt 91 destinacioneve pa ndalesë në 25 vende, ndërkohë që në 2019 kishte vetëm 36 destinacione dhe 3.8 milionë pasagjerë. Nëse imagjinojmë një shqiptar me shtetësi të huaj nga Ulqini, Prizreni apo Struga, që ka kapur një biletë të lirë vajtje-ardhje nga Rinasi, duhet pasur parasysh që në përllogaritjet tona kufitare qeveritare, ai rezulton dy herë në regjistrin e turistëve për çdo udhëtim. Njëherë pasi ka kaluar kufirin për të hyrë në Shqipëri dhe njëherë tjetër në Rinas pas fluturimit të kthimit. Falë numrit të madh të destinacioneve të linjave të lira, madje ka edhe një numër në rritje udhëtarësh të huaj transit që vijnë te ne fare kalimthi, sepse e kanë Rinasin si ndalesë të përkohshme të ndërmjetme të kombinuar me një fluturim drejt një destinacioni tjetër final me fluturim “low-cost”.

Faktori i dytë i shtimit të hyrjeve lidhet disi me të parin, e ka të bëjë padyshim me përmasat e alarmante që ka marrë emigracioni ynë. Sipas Eurostatit, në periudhën 2002-‘22 ka pasur 604 mijë shtetas të Shqipërisë (22% e popullsisë zyrtare që kemi sot) që janë pajisur me pasaportë të një shtetit të Bashkimit Europian. Vetëm në vitin 2022, e kanë marrë shtetësinë në një vendi të BE-së 50 mijë shtetas të Shqipërisë, duke u renditur të tretët në Europë, pas marokenëve dhe sirianëve (Italia dha 75.8 % të shtetësive, Greqia 19.2%, Suedia 1.2% etj.). Ulja e kostos së transportit falë fluturimeve të lira, por edhe falë përmirësimit të cilësisë së rrugëve, ka bërë që ata të vijnë më dendur për të takuar të afërmit që iu kanë ngelur në vendlindje. Pa dashur të tingëlloj nihilist, më duhet ta pranoj që faktet janë kokëforta dhe se rritje graduale të numrit të pushuesve të huaj ka pasur, por rritja është e zbehtë dhe shumë larg asaj mrekullie masive që është trumbetuar gjithë pompozitet nga qeveria dhe grupet e interesit rrotull saj. Pra, rritja reale e vizitorëve që vijnë për të pushuar apo eksploruar vendin ka distancë shumë të madhe prej panoramës së lavdishme që përpiqet të pikturojë kryeministri piktor. Përtej bashkëkombësve nga trungu etnik dhe nga diaspora, që zënë pjesën dërrmuese të shtetasve të huaj që futen, Shqipëria mund të thuhet se ka përjetuar një rritje të qëndrueshme të turistëve nga Europa Lindore, si Polonia, Çekia dhe Ukraina. Së fundmi ka nisur edhe me qytetarë nga vende të tjera evropiane me të ardhura të larta, si Spanja, Belgjika, Holanda etj.. Ama këtu nuk bëhet fjalë për shtim me disa miliona, por me qindra mijëra.

Së fundmi, kjo temë padyshim meriton thellim të mëtejshëm e nuk mund të shterohet me një artikull të vetëm, sado të gjatë. Ajo që vlen të theksohet në përmbyllje është se kjo qeveri ka interes ta pompojë në maksimum idenë e “kampionit” të turizmit, si një arritje të sajën, sidomos tani që po futemi në një vit elektoral. Asaj i intereson ta ushqejë përrallën e “marshimit të turizmit” edhe për të furnizuar sektorin e ndërtimit, i cili sjell jo vetëm taksa për shtetin, por edhe përbën një burim të majmë ryshfetesh si dhe një destinacion të favorshëm për pastrimin e parave të krimit e korrupsionit. Ky “sukses” i nevojitet gjithashtu edhe për të fshehur dështimet në të gjitha sektorët e ekonomisë e shërbimeve publike, braktisjen masive të vendit dhe skandalet e panumërta. Kjo përpjekje e propagandës së qeverisë është amplifikuar akoma më shumë prej mediave të Shqipërisë, që zotërohen kryesisht nga ndërtues. Këta të fundit kuptohet që kanë natyrshëm interes që ta sheqerosin këtë iluzionin e hovit turistik të Shqipërisë sepse ashtu shesin më shumë apartamente.

Shqipëria jep vetëm 0,05 euro për banorë për strehimin, ndër nivelet më të ulëta në Europë

Shqipëria ka nevoja të mëdha për strehim social, por fondet publike që jepen për këtë shërbim janë nga më të ulëtat në Europë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.

Në vitin 2021, shpenzimet publike për strehimin ishin vetëm 0,05 euro për frymë në Shqipëri. Vendi ynë në këtë tregues lë pas Malin e Zi, Turqinë dhe Bullgarinë.

Në Europë, shpenzimet më të larta për frymë në drejtim të strehimit i ka Irlanda me 373 euro për frymë, Finlanda me 339 euro për frymë, Danimarka dhe Franca me 316 dhe 210 euro secila (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në krahun tjetër, shpenzimet më të ulëta për frymë i kanë vendet e Rajonit të Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Studimet e brendshme referojnë se raporti i numrit të përfituesve kundrejt numrit të aplikantëve është për të gjitha bashkitë shumë i ulët.

Kategoritë vulnerabël me numrin më të madh për strehim social janë: familjet me shumë fëmijë, përfituesit e ndihmës ekonomike, çiftet e reja, familjet egjiptiane, gratë kryefamiljare.

Pjesa më e madhe e aplikimeve është përqendruar tek programi Banesa me kosto të ulët ( kredi e lehtësuar).

Shqetësuese është përqindja e bashkive që nuk kanë asnjë sistem për regjistrimin e të dhënave.

Strehimi është një shërbim që i takon pushtetit vendor, po vit pas viti bashkitë çojnë gjithnjë e më pak fonde për këtë shërbim.

Shqipëria ka një strategji për Strehimin Social 2016-2026, por shkrirja e Ministrisë së Zhvillimit Urban e ka lënë këtë fushë përgjegjësisë pa vëmendje.

Qeveria shqiptare konsideron sfidë kryesore njohjen e qartë e ofertës dhe kërkesës për strehim social.
Programet e strehimit social që aplikohen tërheqin familjet me të ardhura mesatare 6 deri në 8 herë më të larta se kufiri i varfërisë.

Një prej programeve më të mëdha, programi me banesa me kosto të ulët, nuk është i përballueshëm për të varfrit dhe për këtë arsye ata nuk përfitojnë nga ky program. Gjithashtu, procedurat bankare janë tepër të gjata dhe të kushtueshme.

Nëpunësit e njësive vendore dhe punonjësit e bankave shpesh u japin përparësi miqve dhe nëpunësit e njësive vendore i nxisin individët të bëjnë kërkesë për strehim social edhe nëse këta nuk i përmbushin kriteret e vendosura me ligj.

Programi i banesave sociale me qira ka më shumë gjasa të ketë në fokus familjet me të ardhura të ulëta. Por megjithatë, njerëzit që jetojnë afër ose nën kufirin e varfërisë nuk mund ta përballojnë këtë program. Ndërsa, subvencionet e strehimit shihen si zgjidhje e përkohshme e problemeve të strehimit./B.Hoxha

 

Monitor.al

Treguesi i besimit në ekonomi pësoi rënie për muajin maj

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rënie të lehtë me 1.1 pikë në muajin maj, pas përmirësimit të dy muajve të mëparshëm.

Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i tij qëndron në nivele të larta, pranë nivelit më të lartë historik dhe rreth 13 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rënia e treguesit të besimit në maj u ndikua nga nivele më të ulëta besimi në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të konsumatorëve. Nga ana tjetër, besimi u rrit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë.

Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rënie të lehtë me 0.6 pikë përqindje në muajin maj, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të kaluar. Niveli i tij qëndron aktualisht 6.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e treguesit këtë muaj u ndikua kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për prodhimin industrial aktual.

Vlerësimet e bizneseve për nivelin e porosive në përgjithësi regjistruan rënie të lehtë. Nga ana tjetër, bizneset presin që prodhimi industrial në të ardhmen të shënojë rritje. Pritjet për çmimet në të ardhmen u ulën në krahasim me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim  vijoi një prirje të lehtë rënëse për të tretin muaj rresht, por niveli i tij qëndron 20 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Rënia me 0.6 pikë në muajin maj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues. Nga ana tjetër, porositë aktuale janë vlerësuar me rritje. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje të lehtë këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje për të tretin muaj radhazi, duke u ngjitur me 2.1 pikë përqindje në maj. Niveli i tij aktualisht qëndron 24 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Në rritjen e treguesit kontribuuan vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 1.3 pikë përqindje në muajin maj, duke vijuar prirjen rritëse që nga muaji mars i këtij viti. Niveli i këtij treguesi qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rritjen mujore ndikuan kryesisht pritjet më optimiste për punësimin në të ardhmen.

Vlerësimet për ecurinë aktuale të biznesit qëndruan në nivel të njëjtë me muajin e kaluar. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje.

Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie me 4.9 pikë përqindje në muajin maj, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të fundit. Treguesi qëndron shumë pranë nivelit të mesatares historike këtë muaj.

Konsumatorët vlerësuan më dobët situatën e tyre financiare, situatën ekonomike të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha. Pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen janë rritur në muajin maj.

Monitore.al