32.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Plani për armëpushimin në Gaza, Netanyahu përballet me presion në Izrael, por edhe nga SHBA

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet me një presion në rritje si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht për të mbështetur një plan të ri armëpushimi për Gazën.

Sipas The Guardian, anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit të kryeministrit kanë kërcënuar se do të largohen nga koalicioni nëse Izraeli “dorëzohet” përpara “fitores totale” ndaj Hamasit, ndërsa rivali i tij kryesor, Benny Gantz, ka thënë se do të japë dorëheqjen nga qeveria e unitetit emergjent nëse Netanyahu nuk angazhohet për një marrëveshje dhe plan për Gazën deri më 8 qershor.

Qëndrimi në detyrë është shansi më i mirë i Netanyahut për t’iu shmangur ndjekjes penale për korrupsion mbi akuzat që ai mohon. Të premten Joe Biden zbuloi një plan të ri për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve, për të cilin ai tha se ishte një propozim izraelit.

Në njoftimin e papritur, Biden i kërkoi Hamasit të vinte në tryezë, por fjalimi, i cili nuk ishte koordinuar paraprakisht me zyrtarët izraelitë, besohet gjerësisht se kishte për qëllim të ndikonte edhe te elementë hezitues të udhëheqjes izraelite.

Pas disa raundeve të dështuara bisedimesh, një armëpushim i dytë pas një armëpushimi njëjavor që u rrëzua në nëntor është ende larg të qenit një realitet. Katari, një ndërmjetës, tha të martën se ishte ende duke pritur për një “pozicion të qartë” nga Izraeli dhe Hamasi gjithashtu nuk ka dhënë ende një përgjigje të prerë.

BBC i kushton një artikull Sylvinjos: Si u bë ish-mbrojtësi i Arsenalit hero i Shqipërisë

Sylvinho nuk mund ta imagjinonte kurrë se do ta gjente veten të ulur para një laptopi dhe duke marrë shënime nga ndeshjet e Wycombe Wanderers (ekip në kategorinë e tretë të futbollit anglez).

Pas një darke me presidentin e FSHF-së në Milano, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester Cityt, u pajtua të merrte drejtimin e kombëtares.

Herët në 2023, ai mbërriti në zyren e tij në Tiranë së bashku me ish-mbrojtësin e Cityt dhe West Hamit, Pablo Zabaleta, dhe me ish-mesfushorin e Middlesbrough, Doriva, si asistentët e tij.

Në total ata shikuan 240 klipe të ndeshjeve për të krijuar një listë fillestare prej 70 futbollistëve, dhe më pas e shkurtuan në 39 dhe më në fund në 23, për ndeshjen e tyre hapëse ndaj Polonisë në kualifikimet për Euro 2024.

Mes tyre ishte edhe sulmuesi anësor i Wycombes, Anis Mehmeti.

Ai nuk ishte paraqitur kurrë për të rriturit e Shqipërisë deri në atë moment, por u ftua si pjesë e procesit të rindërtimit që Sylvinho filloi që nga dita e parë.

“Zaba [Zabaleta] luajti për një kohë të gjatë në Angli, kështu që ai ende ka kontaktet e tij atje dhe na solli disa informacione për Mehmetin,” tha Sylvinho për BBC Sport.

“Ne filluam ta shikonim atë në League One, por, menjëherë pas kësaj, ai nënshkroi me Bristol City në Championship, duke na bërë të mendojmë se potencialin që po shohim këtu, po e shohin edhe të tjerët”.

“Ne e dinim se kishte shumë shqiptarë si ai që luanin jashtë vendit”.

Ajo punë e palodhur dha frytet e veta.

Pavarësisht se humbi ndeshjen e parë 1-0 kundër Polonisë, Shqipëria qëndroi e pamposhtur deri në fund të kampanjës së saj, duke përfunduar në krye të grupit dhe duke siguruar kualifikimin në Euro me një ndeshje para fundit.

Një arritje e tillë i dha Sylvinhos statusin e heroit lokal.

Do të jetë vetëm hera e dytë në historinë e tyre që “shqiponjat” do të jenë në Euro, pasi debutuan në vitin 2016.

“Unë jetoj në një hotel që është rreth 2 kilometra nga ndërtesa e Federatës, kështu që ndonjëherë kthehem në shtëpi përmes një parku të bukur dhe takoj tifozët. Zakonisht vijnë tek unë dhe më thonë ‘respekt, mister’”, thotë me buzëqeshje trajneri 50-vjeçar.

Nuk do të jetë më e lehtë në Gjermani, pas një shorti që vendosi Shqipërinë përkrah Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

“Ne nuk do të shkojmë atje për kënaqësi gjithsesi,” tha Sylvinho. “Puna jonë nuk ka përfunduar dhe, nëse kemi ndonjë shans për t’u avancuar në fazën eliminatore, do të luftojmë për të në të njëjtën mënyrë që bëmë në ndeshjet kualifikuese”.

Gjetja e lojtarit të përkryer të krahut në ligën e Koresë së Jugut

Pasi ka punuar më parë si asistent i kombëtares braziliane, midis korrikut 2016 dhe prillit 2019, futbolli ndërkombëtar nuk ishte i huaj për Sylvinhon.

Megjithatë, kjo ka qenë një përvojë krejtësisht e ndryshme nga ajo e mëparshmja.

Një nga vendimet e tij të para në krye të Shqipërisë ishte heqja e formacionit 3-5-2 të miratuar nga paraardhësit e tij dhe kalimi në 4-3-3.

Kishte vetëm një çështje me të cilën ai nuk ishte mësuar në vendin e tij: I duhej një lojtar që luan me këmbë të majtë për krahun e djathtë që sistemi të funksiononte. Por thjesht nuk e kishte një të tillë.

Kështu ai dhe stafi i tij u zhytën në bazën e të dhënave të federatës për të kërkuar një lojtar me këto karakteristika, duke dalë me dy emra – njëri prej tyre është 29-vjeçari Jasir Asani, i cili luan në Korenë e Jugut.

“Ne po shikonim video nga koha e tij në futbollin hungarez dhe unë mendoja, ‘kush është ky?’ Ai kishte gjithçka që dëshironim: ai ishte i mrekullueshëm në situatat një kundër një, mund të gjuante mirë dhe ishte i shpejtë”, ka thënë Sylvinho.

Lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut pati një ndikim të madh dhe i përfundoi kualifikueset me tre gola dhe dy asistime në emër të tij.

“Ata dinë të godasin topin nga distanca”

Sylvinho beson fort se asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur nëse ai nuk do të kishte vendosur të linte familjen e tij në Porto dhe të transferohej në një dhomë hoteli në Tiranë.

“Ata më kanë thënë se e kuptuan se kjo do të funksiononte në momentin që unë njoftova se do të doja të jetoja këtu. Më ka lejuar të kuptoj plotësisht identitetin vendas dhe të jem 100% i përqendruar te puna”, tha trajneri, takimet e të cilit kryesisht zhvillohen në gjuhën italiane.

Stili i tij agresiv në sulm ka impresionuar edhe tifozët dhe ekspertët më skeptikë, të cilët fillimisht nuk ishin të bindur nga përvojat e tij të mëparshme në krye të Lyonit dhe Corinthiansit.

Shqipëria, në veçanti, ka bërë bujë për numrin e madh të golave të bukur që kanë shënuar drejt rrugës për Gjermani.

“Ata me të vërtetë dinë ta godasin topin nga distanca, e kanë atë në vete dhe e duan atë, kështu që unë i inkurajoj ta bëjnë këtë”, tha Sylvinho.

“Nëse ata mendojnë se kjo është gjëja më e mirë për të bërë, ju lutemi gjuani në drejtim të portës!”.

Një muaj para një ataku në zemër, trupi juaj do t’ju paralajmërojë me këto 8 sinjale

Parandalimi është më i mirë se kurimi. Ky rregull i thjeshtë zbatohet për çdo sëmundje dhe është veçanërisht i vlefshëm kur simptomat nuk njihen siç duhet.

Bright Side përshkroi simptomat kryesore që mund të ndodhin një muaj ose edhe më herët para një ataku në zemër. Kushtojini vëmendje të madhe në rast se jeni në rrezik.

Lodhja e pazakontë

Lodhja e pazakontë është një nga simptomat kryesore që tregon një atak të afërt në zemër. Gratë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë këtë lloj simptome sesa burrat.

Aktiviteti fizik ose mendor nuk është shkaku i lodhjes dhe rritet deri në fund të ditës. Kjo simptomë është mjaft e dukshme dhe nuk do të kalojë pa u vënë re: ndonjëherë është rraskapitëse për të kryer detyra të thjeshta, si rregullimi i një shtrati ose të bësh dush.

Dhimbje barku

Pagjumësia shoqërohet gjithashtu me një rrezik të shtuar të një ataku në zemër ose goditje në tru, gjë që është më e zakonshme tek gratë. Karakteristikat e pagjumësisë shpesh përfshijnë një nivel të lartë të ankthit.

Pagjumësia

Pagjumësia shoqërohet gjithashtu me një rrezik të shtuar të një ataku në zemër ose goditje në tru, gjë që është më e zakonshme tek gratë. Karakteristikat e pagjumësisë shpesh përfshijnë një nivel të lartë të ankthit.

Vështirësi në frymëmarrje

Gulçimi është një ndjenjë e fortë e paaftësisë për të marrë frymë thellë. Shpesh ndodh tek burrat dhe gratë deri në 6 muaj përpara se të kenë një atak në zemër. Zakonisht është një shenjë paralajmëruese.

Rënia e flokëve

Humbja e flokëve konsiderohet të jetë vetëm një tregues tjetër i dukshëm i rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Më së shpeshti prek burrat mbi 50 vjeç, por disa gra mund të jenë gjithashtu në grupin e rrezikut.

Rrahje të parregullta të zemrës

Aritmia shpesh shoqërohet nga një sulm paniku dhe ankthi, veçanërisht tek gratë. Shfaqet në mënyrë të papritur dhe shfaqet ndryshe: aritmi (rrahje të parregullta të zemrës) ose takikardi (rritje e rrahjeve të zemrës). Rrahjet e parregullta të zemrës zgjasin 1-2 minuta. Nëse nuk përmirësohet, mund të ndjeni marramendje dhe lodhje ekstreme.

Djersë e tepërt

Djersitja e pazakontë ose e tepërt është një shenjë paralajmëruese e hershme e një ataku kardiak. Mund të ndodhë në çdo kohë të ditës ose të natës. Kjo simptomë prek më shpesh gratë.

Dhimbje gjoksi

Burrat dhe gratë përjetojnë dhimbje gjoksi në intensitete dhe forma të ndryshme. Tek meshkujt, kjo simptomë i referohet shenjave më të rëndësishme të hershme të një ataku të afërt në zemër, të cilat nuk duhet të injorohen. Nga ana tjetër, ajo prek vetëm 30% të grave.

Baçi: Rama ka ndërtuar qeverinë e propagandës, ti kërkojë SPAK të hetojë…

Analisti Agim Baçi tha në studion e emisionit “Open” në News24 se Kryeministri Edi Rama tregoi hipokrizinë e tij, pasi ka dalë historia që ai ka lobuar me McGonigalin, ka korruptuar një zyrtar të lartë amerikan për të shantazhuar liderin e opozitës.

Baçi u shpreh se akuzat e Arben Ahmetaj janë të rënda dhe duhej të ishte Edi Rama që t’i kërkonte SPAK që të hetonte mbi to.

“Pse kur hidhen akuza ndaj Ramës apo Qeverisë ato trajtohen sikur janë bla bla bla. Unë e pres që të ketë një reagim kritik, por ai përdori një gjuhë fyese”, tha Baçi.

Ai u shpreh se Edi Rama ka ndërtuar qeverinë e propagandës duke mos lejuar askënd që të akuzojë apo sulmojë qeverinë e tij.

Qeveria jep qindra mijë metra tokë dhe godina të institucioneve shtetërore për ndërtim kullash tek privatët

Klodian Tomorri

Në rrugën Dora d’Istria, në afërsi të hyrjes së Parkut të Liqenit, aty ku sot gjendet godina e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shumë shpejt do të hedhë shtat një kullë e lartë shumëkatëshe. Godina dhe toka përreth saj janë pronë shtetërore, por kulla do të ndërtohet nga privatët. Mekanizmi se si është gjetur nga ministria e Ekonomisë me bekimin e qeverisë.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të propozuar nga Blendi Gonxhja, i cili i hap rrugë tjetërsimit në seri të tokave shtetërore dhe betonizimit masiv të Tiranës duke futur dhe qeverinë direkt në sektorin e ndërtimit. Ajo e Kadastrës është vetëm njëra nga pronat. Vendimi me numër 328 transferon rreth 200 mijë metër katrorë tokë shtetërore tek Korporata e Investimeve Shqiptare dhe autorizon këtë të fundit që të hyjë në marrëveshje zhvillimi me ndërtuesit privatë.

“Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, apo subjekte të krijuara prej saj, për hapjen e procedurave konkurruese përzgjedhëse dhe negocimin me subjekte private apo publike për lidhjen e marrëveshjes/kontratës për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të investimit,” shkruhet në vendim.

Ashtu si pronarët privatë të tokave edhe Korporata e Investimeve do të hyjë në marrëveshje me ndërtuesit për të zhvilluar këto prona. Pjesa që do të përfitojë shteti në sipërfaqe ndërtimi ose vlerë monetare, në varësi të procedurës së zhvillimit, do të përcaktohet përmes konkurrimit. Por cila prona transferohen me vendimin e qeverisë?

Bëhet fjalë për godinat dhe tokat e një sërë institucioneve shtetërore nga zona e Liqenit, Zogu i Zi, Komuna e Parisit dhe periferia e lakmuar e Tiranës. Sipas vendimit, Korporata do të marrë pronat Institutit të Studimeve Teknologjike në Ndërtim, ato të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tek Liqeni, drejtorisë së Tatimeve, Autoritetit të Aviacionit Civil dhe një sërë institucioneve të tjera.

“Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave,” thuhet në vendimin e qeverisë. Tre muaj më parë, qeveria miratoi një vendim të posaçëm, që i hapte rrugë kësaj skemë, ndërkohë pak javë më parë miratoi edhe mekanizmin ligjor për prishjen e objekteve shtetërore.

Megjithatë ky është vetëm transhi i parë i transferimit të tokave shtetërore tek privatët për ndërtim pallatesh dhe përfshin 200 mijë metra katrorë. Por skema është shumë më e madhe se kaq.

Korporata e Investimeve Shqiptare ka nisur një projekt të posaçëm, që quhet Projekti i Zhvillimit të Pronave Qeveritare. Detajet e projektit mbahen të fshehta, por ai parashikon ngritjen e kullave shumëkatëshe kudo në godinat e institucioneve shtetërore të Tiranës. Tanimë as godina e qeverisë nuk është më e sigurtë./kapitali.al

Më në fund PD me një program të djathtë. Lulzim Basha djathtaz!

Nga Reldar Dedaj

Lulzim Basha ka kapur kohën politike. Kreu demokrat është futur dalëngadalë në stinën vendimtare të jetës së tij. Ndoshta edhe si nevojë personale, por më shumë se gjithçka tjetër si detyrim moral ndaj shoqërisë, ai u dorëzoi shqiptarëve me datë 1 Qershor, për herë të parë në historinë e vendit që nga shembja e diktaturës komuniste, një program politik plotësisht të djathtë. Basha është i bindur se PD s’mund të jetë një alternativë në raste të jashtëzakonshme që pret të vijë në pushtet veçse aksidentalisht. As një parti populiste dhe sigurisht, ruajna Zot, të mendohet të jetë një forcë politike pa identitet. PD, ka menduar me gjasë ai, duhet të kompaktësohet sa më shpejt dhe për këtë biem dakord të gjithë, duke ia lënë të kaluarën historisë me vullnetin për të ndërtuar një histori për të ardhmen.

Partia Demokratike në përgjithësi dhe veçanërisht kryetari i saj, Lulzim Basha e ka kuptuar më mirë se askush tjetër nevojën për t’i dhënë shqiptarëve jo vetëm një program politik të realizueshëm dhe konkret, por shumë më tepër se kaq, një alternativë për të ardhmen, një vizion për Shqipërinë e së nesërmes. Ai është i vetëdijshëm se kushtet kanë ndryshuar, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar, shoqëria ka ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e të bërit politikë sigurisht që ka ndryshuar. Atëherë, për të mbetur një forcë alternative e ndryshimit, së pari; PD ka menduar të ndryshojë vizionin e saj për vendin. Nuk ka qenë e vështirë, sidomos tani, kur hijet e vjetra të regjimit të shkuar dhe mbetjet e tridhjetë viteve tranzicion vazhdojnë e qëndrojnë sot e kësaj dite poshtë ballkonit të ish-kryeministrit Berisha. PD dhe Lulzim Basha nëpërmjet këtij programi politik treguan se kanë frymën për të ngritur një parti të djathtë, një parti të djathtë, tek e cila të ketë vërtetësi, një parti që nuk merret me kauza rastësore, por merret me probleme që i interesojnë qytetarit. Një parti, e cila nuk mund të jetë e kryetarit, një parti më e madhe se kryetarit dhe më e madhe se vetvetja.

Ajo çfarë ra më shumë në sy se gjithçka tjetër përgjatë prezantimit të programit të Partisë Demokratike ishte hapja e saj ndaj figurave të reja dhe fjala nuk është për politikanë karriere, por për profesionistë me karrierë të spikatur në fushat e tyre përkatëse, brenda dhe jashtë vendit. Lulzim Basha e kishte kuptuar se vetëm një transformim real dhe i vërtetë i PD-së, do të tërhiqte si një forcë magnetike njerëzit më të aftë që mund të farkëtonin ndryshimin, duke punuar në emër të qytetarëve dhe jo të një grupi të vogël që mban monopolin politik, ekonomik dhe mbi gjithçka që s’e ka për asgjë për t’u bërë palë me krimin e organizuar për të qëndruar në pushtet.

Formulimi i një programi me orientim të qartë të djathtë, që i flet jo vetëm elektoratit tradicional të PD-së – të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve – por në mënyrë të veçantë edhe të rinjve, grave dhe diasporës është gur themeli për ndryshimin rrënjësor të kësaj force politike sot dhe për ndryshimin e Shqipërisë nesër.

Në programin e PD-së, familja shqiptare është qendra e gravitetit, duke filluar nga çiftet e reja tek fëmijët dhe shkollimi i tyre. Fondi për Mirëqenien e Familjes do të nisë me një politikë të re për të mbështetur rritjen dhe fuqizimin e shoqërisë tonë me subvencione të drejtpërdrejta. 2 mijë Euro për çdo bebe, 20 mijë Euro për fëmijën e tretë për çdo familje të re shqiptare. 30 mijë çifte shqiptarësh që sot e kanë të pamundur që të blejnë një banesë, do ju zerohet interesi i kredisë që do të marrin në funksion të familjes shqiptare.

Për shtresën e mesme shqiptare, për profesionistët shqiptarë, për biznesin e vogël shqiptar dhe për sipërmarrjen e ndershme shqiptare PD nuk mund dhe nuk do të qëndrojë duarkryq. Ekonomia shqiptare meriton më shumë, sipërmarrja shqiptare meriton më shumë dhe pa asnjë hezitim PD do t’i japë taksën e sheshtë. Taksa e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhuart personale 9%, dividenti me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, me synimin gjithmonë për t’i dhënë fund kamxhikut të arbitraritetit që është sot një nga shkaqet kryesore të mbylljes të sipërmarrjes shqiptare, të shpunësimit të shqiptarëve, të emigracionit të trurit dhe të varfërisë dhe të gjendjes së keqe ekonomike.

Në Kuvendin Programor, Basha e cilësoi përmbushjen e reformës së pronës si “ditën e parë të shqiptarëve të lirë dhe Shqipërisë europiane.”

“Marrim përsipër brenda 2 viteve të para të qeverisjes tonë, krijimin e obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut për të gjithë pronat e shpronësuara të regjimit komunist të pagueshme çdo vit në masën 1/20, të tregtueshme që nga moment i emetimit, emetimi me vlerë të plotë i obligacionit të shtetit shqiptarë për të gjithë pronarët e shpronësuar të Shqipërisë. Për të gjithë ata të shpronësuar nga regjimi komunist, për të gjithë ata që e shohin por nuk e prekin dot pronën për shkak të 7501, për të gjithë ata të cilët pronën e kanë parë të zënë e të zhvilluar gjatë procesit të ndërtimeve informale, me një të rënë ne do të marrim përsipër jo vetëm barrën financiare të konsiderueshme por dhe zgjidhjen e problemit të titujve sipas parimit kush e ka e gëzon, kujt i është zënë do të shpërblehet me vlerën e tregut me obligacionin shqiptar për pronarët. Dita kur ky akt, kur kjo reform e munguar do të përmbyllet, është dita e parë e Shqipërisë së zhvilluar, është dita e parë e shqiptarëve të lirë, është dita e parë e Shqipërisë europiane”, tha kreu i PD-së.

Në programin e Partisë Demokratike një vëmendje të veçantë ka edhe statusi i të përndjekurve politikë. Kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha tha se do të angazhohet personalisht që statusi i ish-të përndjekurve të jetë i barabartë me atë të ish-ushtarakut. Për PD-në, të përndjekurit politikë janë guri dhe emblema e qëndresës, edhe pse kjo forcë politikë, sipas tij, i ka përdorur dhe tradhtuar vazhdimisht në këto 34 vite.

Gjithashtu, Partia Demokratike garanton mbështetje e angazhim të plotë e aktiv në të gjitha nismat rajonale që synojnë integrimin euroatlantik të rajonit, si dhe mbështet totalisht e pa rezerva nisma si Procesi i Berlinit, duke dekurajuar çdo format tjetër me destinacion të paqartë dhe që rrezikon të devijojë nga parimet e integrimit në BE.

Programi i Partisë Demokratike për Shqipërinë e së nesërmes zbulon se ligjerimi i tanishëm i kastës politike 30-vjeçare është vjetëruar kaq shumë, sa duket si një zë i largët patriarkal që nuk dëgjohet dot më nga të rinjtë, është si një zë i huaj, jehonë e një bote të mplakur mendërisht, që vjen si ndëshkim dhe që i ngjason atyre zërave që dalin prej altoporlantesh të propagandës së regjimit në stacione trenash, reparte ushtarake apo konvikte./Liberale.al/

BIRN: Policët e Rinasit krijuan skemë për kalimin e paligjshëm në BE

Prokuroria e Tiranës njoftoi të martën më 4 qershor rezultatet e një hetimi ndaj tetë punonjësve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Nënë Tereza, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt përfitimit, kanë mundësuar kalimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, të personave të cilët e kishin të ndaluar të udhëtonin drejt atyre shteteve, pasi ishin deportuar prej andej. Tetë punonjësit e policisë kufitare të Rinasit akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim. Po ashtu, prokuroria ka regjistruar procedim për korrupsion aktiv dhe ndaj pronarit të një agjencie udhëtimesh.

Prokuroria sqaron se kjo skemë është zbuluar pas këqyrjes së telefonave të shtetasit E.S., të ndaluar për veprën penale “prodhim dhe shitja e narkotikëve”.

“Në varësi të problematikës, për rastet të cilat personat janë kthyer në kategorinë INAD ose deportiv nga vendet e BE-së, punonjësi i policisë B.T. jep udhëzime mbi itinerarin e udhëtimit që duhet të kryej pasagjeri, duke vendosur si destinacion fillestar aeroportet e vendeve që nuk janë në BE dhe më pas kryerjen e fluturimeve tranzit drejt vendeve të BE-së. Në lidhje me rastet të cilat kanë problematika të tjera, në varësi të tyre përcaktohen vlerat monetare në këmbim të lejimit të kalimit, të cilat variojnë nga 50 euro (per persona të cilët nuk kanë asnjë problematike, por mashtrohen prej tyre) deri në vlerat e 500 eurove apo më shumë për ata që kanë problematika të tipit, nuk lejohen të udhëtojnë pasi janë të kthyer në kategorinë INAD apo deportiv nga shtetet e tjera, anëtare të BE-së”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, kjo veprimtari është e mirëmenduar dhe e strukturuar, duke mundësuar kalimin drejt BE-së të personave që nuk iu lejohej dalja nga territori i Shqipërisë.

Prokuroria ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj një kontrollori, specialist i seksionit të kufirit pranë Komisariatit të Policisë Kufitare në Aeroportin e Rinasit të akuzuar korrupsion e shpërdorim detyre, si dhe ndaj pronarit të agjencisë së udhëtimeve që dyshohet se ka korruptuar punonjësit e policisë kufitare.

Ndërkohë, është kërkuar caktimi i masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ndaj tre kontrollorëve; si dhe “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për katër kontrollorë të tjerë./BIRN

Gazetari Rigels Seliman ngre alarmin: Shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur dhe grabitur

Kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman ka ngritur alarmin, teksa shprehet se qytetarët shqiptarë nuk janë të varfër, por të vjedhur. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, gazetari i politikës, Z.Seliman thekson se ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve dhe se siç pohon ai, po e çon në greminë ekonominë e vendit. Zoti Seliman ndër të tjera nënvizon se vetëm për shkak të keqqeverisjes, sipas tij, sot Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta, madje edhe në rajon.

“Nëse nuk do të ishim të vjedhur e të keqqeverisur, edhe me këtë nivel të ulët zhvillimor që ka Shqipëria, mirëqenia do të duhej të ishte shumë më e lartë. Në vend të përqendrimit të investimeve vetëm tek ndërtimi, për kulla dhe pallate, duhet një politikë e përgjegjshme dhe efektive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase, që ndërtojnë sipërmarrje me peshë, fabrika dhe teknologji të reja, duke hapur vende të reja pune dhe garantuar një ekonomi të qëndrueshme. Ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht në kryeqytet, ku studimet dhe monitorimet tepër serioze vërtetojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes në Tiranë, të paktën mbi 20 herë mbi normat e lejuara, duke rritur ndjeshëm sëmundshmërinë. Ndërsa qytetet përmbyten nga kullat dhe betoni, çifteve të reja u duhen 50-70 vite kursime për të blerë një apartament në periferi. Vetëm për shkak të keqqeverisjes, sot jemi vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta edhe në rajonin tonë. Këtë grabitje të qytetarëve e vërteton edhe krahasimi me vendet e tjera të rajonit”, shkruan gazetari Rigels Seliman.

“Shqiptarët të neveritur nga qeveria Rama”/ Pampuri: Programi i PD-së 100% i realizueshëm

E ftuar në Ora News, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri, tha se programi i PD-së është i mirëmenduar, i diskutuar me grupet e interesit dhe i realizueshëm 100%. Sipas deputetes Pampuri, me rëndësi janë prioritetet dhe PD premton që prioritetet e saj të jenë interesat e njerëzve, jo tenderat dhe koncensionet korruptiv si të mazhorancës socialiste.

“Është një program i mirëmenduar, i diskutuar dhe 100% i implementueshëm. Nuk është thjesht një program elektoral ku ne premtojmë dhe nuk dimë se ku do t’i marrim këto para për t’i vendosur. Thjesht ka nevojë për të vendosur prioritete. Sot prioritete janë koncensionet, inceneratorët, tenderat, PPP-të. Në qoftë se do të rishikohen këto, 53 milionë euro që paguhen për koncensionet korruptive sot, mund të mbulojnë shumë mirë shumë nga propozimet e PD-së.” – u shpreh nënkryetarja demokrate.

Më tej deputetja e PD-së, tha se shqiptarët kanë nevojë për një alternativë dhe ofertë të besueshme të prezantuar nga një ekip i mirë, gjë që PD-së do t’ua garantojë dhe do t’ia bëjë realitet, sepse ata janë të neveritur me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

“Besoj që shqiptarët kërkojnë më të mirën për t’u përfaqësuar. Besoj që shqiptarët një alternativë të mirë, një ofertë të mirë dhe këtë ofertë të prezantuar nëpërmjet një ekipi të mirë. Shqiptarët nuk duan më figura që i kanë premtuar diellin t’ia sjellin në dorë dhe s’i kanë sjellë asgjë. Shqiptarët duan premtime realiste, figura të pastërta, një program dhe alternativë të mirë. Besoj se me Edi Ramën dhe qeverinë e tij jo vetëm që janë të lodhur, por janë të neveritur për shkak të të gjithë mashtrimeve.” – vijoi Pampuri.

Bejko: Drejtësia po i troket te dera sistemit të korruptuar, qytetarët të mbështesin SPAK

Roland Bejko, nënkryetar i PD-së zyrtare, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, duke komentuar reportazhin e emisionit “Report” në RAI3 mbi Shqipërinë, tha se kur akuzat i bën një bashkëpunëtor i afërt me Kryeministrin Edi Rama, në rastin konkret Arben Ahmetaj, janë më të besueshme për opinionin publik.

Ai u shpreh se drejtësia po i troket sistemit te dera, ndërsa theksoi se ky sistem i korruptuar do të rrëzohet. Bejko tha se korrupsioni është kthyer në problem jo thjesht për Shqipërinë, por për të gjithë Rajonin, pasi mund të çojë në destabilizimin e gjithë Rajonit.

Bejko ka kërkuar që qytetarët të mbështesin SPAK-un, si rrugën e vetme për të luftuar korrupsionin.

“Kush e thërret protestën sot? Ai që po hetohet për korrupsion, që nuk ka kartën morale. Korrupsionin mund ta luftojë SPAK, i cili do të rrëzojë këtë klasë të korruptuar politike, ndaj qytetarët duhet të mbështesin Prokurorinë Speciale. Ju mendoni se me protesta do të rrëzohet Edi Rama?”, tha Bejko.

Ai u shpreh se sot PD e drejtuar nga Lulzim Basha ka kartën morale, pasi asnjë prej zyrtarëve të saj nuk ka frikën se u troket SPAK te dera, për ti thirrur dhe të japin llogari.

Bejko tha se ato që thuhen në reportazh nuk janë të reja, janë thënë edhe më parë në mjedisin shqiptar, edhe pse sot kanë një tjetër peshë pasi i thotë një prej bashkëpunëtorëve të Edi Ramës.

Ai tha se Edi Rama është i njëjti, si në kohën kur kanabizohej Shqipëria ashtu edhe sot. Në këtë kuadër, Bejko u shpreh se Rama e bën të zezën të bardhë dhe anasjelltas, tashmë kjo dihet, mjafton të kujtoni kohën kur Shqipëria kanabizohej dhe ai e mohonte këtë gjë.

Bejko tha se të gjitha pushtet në Shqipëri janë akaparuar, me përjashtim të BKH-së, SPAK dhe GJKKO.

Lidhur me faktet dhe provat për akuzat që artikulohen në reportazhin e RAI3, Bejko tha se këto fakte e prova i gjejnë organet e posaçme, s’mund ti gjejë opinioni publik.

“Që Edi Rama është në dijeni të gjithçkaje dhe ato që thotë Arben Ahmetaj nuk mund të mbulohen kjo dihet. Vetë socialistët ndjehen të tradhëtuar nga Edi Rama. Shumica e elitës së PS-së që janë në pushtet janë të korruptuar. Shumica e shqiptarëve janë të zhgënjyer, por Rama do tu tregojë socialistëve dhe shqiptarëve se kanë vjedhur, pasi kemi 400 të larguar si pasojë e dekriminalizimit, por ai është i ndershëm, ndërsa të tjerët kanë vjedhur pas kurrizit të tij.

Madje edhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm për luftën ndaj korrupsionit e bën për të treguar se do të luftojë korrupsionin, edhe pse ka institucione të tjera që e luftojnë këtë fenomen”, tha Bejko.