18.5 C
Tirana
E premte, 13 Qershor, 2025

“Të bëhet më shumë për të ulur korrupsionin”- I Ngarkuari Punë i Ambasadës së SHBA: Është absolutisht kritik për bizneset amerikane, duan të dinë se do trajtohen në mënyrë të drejtë

Flasin i Ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, z. David Wisner, dhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Grant Van Cleve

Investimet e huaja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në tendencë rritjeje, por ka ende shumë potencial për të thelluar marrëdhëniet ekonomike apo edhe tregtare midis dy vendeve.

Në një bisedë të posaçme për “Monitor”, i Ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri z. David Wisner, nënvizoi rëndësinë e stabilitetit, parashikueshmërinë, veçanërisht në taksa dhe mjedisin rregullator, për të nxitur më tej investimet e huaja amerikane në Shqipëri.

I pranishëm në bisedë, edhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Grant Van Cleve, theksoi se, informaliteti në ekonomi vijon të jetë një problematikë, ashtu sikurse problemet me titujt e pronësisë.

Z. Wisner shton se, Shqipëria është një treg i vogël, një ekonomi prej 24 miliardë dollarësh.

Sipas tij, kur ke konkurrues të mëdhenj, si Greqia dhe Italia, duhet të jesh në gjendje të tregosh se këtu është vendi ku duhet të bësh biznes.

Megjithatë, optimizimi qëndroi i lartë në narrativën e tyre, teksa pohuan disa nga pikat e forta të Shqipërisë: nivel i lartë arsimimi dhe fuqia punëtore e aftë.

Rekomandimet për qeverinë ishin lufta kundër korrupsionit dhe frenimi i emigracionit.

Si është një ditë e zakonshme juaja në Ambasadë dhe çfarë ju ka ndikuar në zgjedhjen e karrierës suaj diplomatike?

DAVID WISNER: Faleminderit për pyetjen dhe faleminderit sigurisht për mundësinë që të dy ne të flasim me ju sot. Është diçka e veçantë për ne. Më lejoni ta filloj nga pjesa e dytë e pyetjes suaj. Ajo që më ndikoi më shumë për një karrierë në diplomaci ishte mundësia për të shërbyer.

Kjo është diçka shumë e rëndësishme për amerikanët e të gjitha fushave. Kjo më lejoi të kombinoja dashurinë për gjërat që ndodhin anembanë botës me atë dëshirë për të shërbyer.

Ne mendojmë se është shumë, shumë e rëndësishme të japësh diçka mbrapsht për vendin tënd. Dhe pata një mundësi ta bëja këtë nëpërmjet këtij profesioni të mrekullueshëm, dhe kjo është arsyeja e kësaj zgjedhjeje.

Sa i përket një dite normale në Ambasadë, më duhet të them se absolutisht nuk ka një ditë normale në ambasadë.

Do të jem i sinqertë, është një nga arsyet pse e shijoj shumë profesionin tim, sepse të mban vazhdimisht duke menduar dhe duke vrarë mendjen. Ajo që do të thosha është se këtu në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ne kemi tre prioritete kryesore.

Njëri është ndërtimi i lidhjeve të mbrojtjes. Së dyti është ndërtimi i demokracisë në Shqipëri, dhe së treti janë lidhjet biznes me biznes, që mendoj se është fokusi kryesor i diskutimit tonë këtu.

Në ditë të caktuara, ne takohemi me anëtarë të ushtrisë shqiptare, flasim për NATO-n, flasim për rëndësinë që ka për Shqipërinë të përmbushë premtimin e Uellsit për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2024.

Gjithashtu flasim me anëtarë, vërtet mbresëlënës të sektorit të drejtësisë të Shqipërisë, të cilët punojnë aq shumë për të zbatuar pikat e rëndësishme nga reforma në drejtësi e vitit 2016, takohemi me politikanë, anëtarë të shoqërisë civile.

Ne punojmë me shqiptarët për të luftuar trafikimin e personave, për shembull. Dhe pastaj, sigurisht, flasim për biznesin dhe nxisim investimet amerikane në Shqipëri.

Po ashtu, nxisim shqiptarët të investojnë në Shtetet e Bashkuara, sepse janë këto investime të rëndësishme që në fund të fundit do të afrojnë më shumë vendet tona, duke u ndërtuar mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi prej më shumë se njëqind vjetësh mes nesh.

Dhe ju, zoti Van Cleve, keni kohë që jetoni në Shqipëri. A mund të na tregoni diçka më shumë për këtë?

GRANT VAN CLEVE: Sigurisht. Ndoshta si zoti Wisner, edhe unë jam thellësisht i motivuar nga shërbimi. Erdha këtu për herë të parë në vitin 1991, me një organizatë jofitimprurëse me bazë fetare.

Me kalimin e kohës, gjatë dhjetë viteve të para që isha këtu, gradualisht kalova nga puna jofitimprurëse drejt asaj fitimprurëse, ndërsa shihja vendin tuaj të rimëkëmbet.

Në të njëjtën kohë, kisha krijuar një lidhje të thellë të dashurisë për popullin shqiptar dhe dashurisë për atë që po ndodhte këtu. Kështu që ishte një privilegj të isha pjesë e evolucionit të vendit në shumë etapa. Por ajo lëvizje nga jofitimprurësja në aktivitete tregtare ndodhi kur kuptova se Shqipëria ishte ngritur në këmbë.

Mendova, mirë, mund të kthehem në shtëpi dhe të bëj atë që fillimisht kisha planifikuar, që ishte zhvillimi i pasurive të patundshme, dhe kuptova se kishte një mundësi për ta bërë këtë këtu.

Kështu që u përfshiva në sektorin e ndërtimit, sektorin e zhvillimit të tokës, për një periudhë, si dhe duke bërë disa konsulenca dhe lobime me qeverinë në emër të një numri organizatash.

Kështu që gjithmonë kam qenë në mes të ndihmës dhe dhënies së ideve dhe rrjetëzimit për një audiencë më të gjerë dhe më pas kam bërë aktivitete specifike tregtare.

Dhe tani jeni kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Çfarë ju shtyu të pranoni këtë rol?

GRANT VAN CLEVE: Kjo na çon në fazën tjetër. Kishte një hendek nga viti 2010 deri në 2021, kur isha jashtë vendit dhe po përqendrohesha te fëmijët dhe disa mundësi arsimore, dhe gjatë rrugës zbulova një lloj karriere të re.

Kjo u përkthye në një dhjetëvjeçar shumë të suksesshëm të përfshirjes në startup-e në Kaliforni, në Amerikë.

Por ajo që ishte e rëndësishme është se kur njerëzit më kontaktuan në vitin 2021 pas Covid dhe thanë se Shqipëria po fokusohet vërtet në ato drejtime dixhitale që mund të na çojnë në nivelin tjetër, të ngadalësojnë largimin e trurit, të japin një mundësi për të kombinuar jetesën tonë këtu si vend me njerëzit me cilësinë inteligjente të të mësuarit të gjuhëve. Ata besonin se kjo mund të jetë një shtyllë qendrore për zhvillimin e Shqipërisë si ekonomi.

Kështu që ata thanë, Grant, ti e do këtë vend. Ke këtë karrierë të re, kthehu dhe bëje këtë karrierë këtu. Kjo çoi në një mundësi tjetër. Vizita ime prej 10% të kohës u bë 40% e kohës.

Tani ndoshta 70% të kohës jam këtu, e cila më lidh me Dhomën dhe kur lajmi, si dikush që e njihte kulturën, kishte lidhje të gjera biznesi, rrjetëzimi dhe lobimi siç e përmenda, ishte një përshtatje e mirë.

Kështu që më kërkuan të konsideroja kandidimin për të qenë president. Nëntorin e kaluar u zgjodha nga anëtarët.

Zoti Wisner, cilat aktivitete ose projekte keni mbështetur deri tani në Shqipëri?

DAVID WISNER: Jemi vërtet të emocionuar se që nga viti 2020, kemi parë një rritje të Investimeve të Huaja Direkte nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Investimet janë trefishuar duke arritur deri në 300 milionë dollarë. Është shënuar dhe një rritje prej 60% e eksporteve amerikane në Shqipëri vetëm vitin e kaluar.

Ka kompani të mëdha amerikane, në sektorin e mikpritjes dhe në sektorin e energjisë së rinovueshme, që po shohin mundësi këtu, në faza të avancuara.

Disa janë tashmë këtu. Dhe jemi shumë të kënaqur për këtë prirje. Ka mundësi reale për partneritete të dobishme për të dyja palët.

Dhe mendoj se jemi veçanërisht të interesuar që të sjellim, siç tha edhe Grant, atë pjesë të dijes amerikane këtu, për të bërë biznes në Shqipëri dhe për të mësuar nga shqiptarët, të cilët në fakt dinë vërtet shumë për biznesin.

Z.Van Cleve, si e shihni klimën e biznesit këtu në Shqipëri? Dhe cilat janë mundësitë, por edhe sfidat, me të cilat janë përballur investitorët, ose bizneset amerikane këtu?

GRANT VAN CLEVE: Pyetje me vend, Deada. Do të anoj drejt optimizmit. Siç mund ta dini, Dhoma Amerikane e Tregtisë këtu bën një indeks biznesi dhe ai po lëviz në drejtimin e duhur. Fatkeqësisht, ende është nën 50% të perceptimit të biznesit, por besoj se klima është në fakt më e mirë se kaq.

Besoj se po ndodhin disa ndryshime legjislative. Përmenda më parë fjalën “jetueshmëri”. Mendoj se njerëzit janë të interesuar të jetojnë këtu.

Mund të ketë nomadë dixhitalë, punëtorë në distancë, shefa ekzekutivë dhe zyra rajonale që do të mendonin seriozisht për të jetuar në Shqipëri. Mendoj se regjimi rregullator po përmirësohet. Taksat ndoshta nuk janë më të mirat në rajon, por janë ende konkurruese.

Po ngjitemi edhe 4 ose 5 pikë në indeks. Ky është një lajm i mirë, diçka për t’u emocionuar. Por ende ka shifra që tregojnë se ka sfida. Ne ende kemi informalitet në ekonomi.

Një përqindje shumë e lartë operon në mënyra që nuk kontribuojnë në sistemin e taksave. Kjo e bën më të vështirë për kompanitë.

Ende kemi probleme me titujt e pasurive të paluajtshme, që janë sfiduese. Ende kemi probleme me inspektimet. Të gjitha këto kanë kosto për biznesin. Por pjesa më e keqe është se krijojnë hezitim, e dini, ashtu si kur je në makinë dhe ke këmbën te gazi apo te frenat.

Ka mënyra që nuk do të ishte shumë e vështirë që Shqipëria t’i bënte investitorët ta hiqnin këmbën nga frenat dhe t’i jepnin gaz, por kjo kërkon punë.

Besoj se ka një vullnet në qeveri për të ndryshuar disa nga këto gjëra. Mendoj se ka reflektime mes shqiptarëve të zakonshëm për mënyrat në të cilat ne ende kemi informalitet.

Por e imagjinoj që mund t’i kapërcejmë ato gjëra. Mendoj se mundësitë janë më të mëdha se ato sfida. Dhe nga ato sfida, shumica e tyre janë të zgjidhshme.

Si mund t’i thellojmë marrëdhëniet ekonomike apo edhe tregtare midis dy vendeve?

DAVID WISNER: Mendoj se stabiliteti, parashikueshmëria, veçanërisht në taksa dhe mjedisin rregullator, janë absolutisht kritike. Do të jem i sinqertë, sa herë që një biznes amerikan vjen dhe flet me ne, këto pika janë në krye të listës.

Çështjet e pronësisë së tokës, natyrisht, janë masive. Sepse duhet të dish se ajo që është nën këmbët e tua do të jetë e jotja edhe nesër, dhe se nuk po qëndron mbi një pikëpyetje.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Përparimi që është bërë në reformën e drejtësisë dhe, sigurisht duhet bërë më shumë për të ulur korrupsionin, është absolutisht kritik për bizneset amerikane. E dëgjoj këtë gjatë gjithë kohës. Bizneset duan të dinë se do të trajtohen drejtësisht.

Nuk duan të kenë avantazh, nuk duan trajtim të veçantë, por duan të dinë se do të jenë në gjendje të përdorin paratë e tyre, në një mënyrë të drejtë dhe konkurruese.

Shqipëria është një treg i vogël, një ekonomi prej 24 miliardë dollarësh. Dhe kur ke konkurrentë të mëdhenj, si Greqia dhe Italia, duhet të jesh në gjendje të tregosh se këtu është vendi ku duhet të bësh biznes.

Dhe siç tha Grant, mendoj se padyshim ekziston vullneti dhe pastaj do të jetë shumë, shumë e rëndësishme, që ky vullnet të pasohet nga veprime në çdo anë.

Shqiptarët janë shumë të talentuar. Ka një nivel të lartë arsimimi këtu. Janë njerëz mbresëlënës, me aftësi të mëdha gjuhësore.

Një gjë që më ka magjepsur vërtet këtu është se, po, Shqipëria ishte e mbyllur për 45 vjet, por në 30 vitet e fundit, ka njerëz që kanë vizituar të gjithë botën, kanë mësuar gjëra nga jashtë, kanë sjellë ide këtu.

Ka një fuqi punëtore shumë të aftë. Dhe thjesht duhet bërë më shumë për ta kultivuar këtë dhe për ta avancuar.

 

Ju përmendët disa nga cilësitë e shqiptarëve, por a ka ndonjë aspekt të kulturës shqiptare që ju ka lënë përshtypje? Kjo është një pyetje për të dy ju.

GRANT VAN CLEVE: Mendoj se ne të dy e kemi përsëritur çështjen e gjuhës që unë e vlerësoj, arritjet tuaja arsimore lokale dhe jashtë vendit, sakrificat që njerëzit po bëjnë si familje drejt këtyre qëllimeve. E di që kjo nuk është unike për Shqipërinë, por mendoj se këtu i kemi në një masë të lartë.

Gjuha është pothuajse një gjë unike. Është vërtet mahnitëse sa të aftë janë ata në këtë drejtim. Mund të ndihesh vërtet rehat, duke jetuar këtu dhe siguria është e lidhur me atë ndjenjë mikpritjeje dhe krenarie.

Dhe mendoj se ka një shkathtësi. Më kujtohen ditët e mia të para këtu, kur jetoja me një familje në vitin 1991 dhe zonja e shtëpisë shkonte me biçikletë çdo ditë në punë, kontrollonte cilësinë në një fabrikë.

Shumicën e mbrëmjeve, bashkëshorti merrej me biçikletën, si e si ta rregullonte që të punonte, diçka me zinxhirin a tjetër…

Ka një aftësi për të parë një situatë dhe për të thënë: si mund ta zgjidh këtë? Dhe mendoj se shqiptarët e përforcuan këtë, duke shkuar duarbosh në emigracion në Itali dhe Greqi dhe vende të tjera, dhe përfunduan duke gjetur rrugën e tyre, pa pasur ndonjë avantazh.

Kështu që mendoj se kjo shkathtësi çon në sipërmarrje, çon në aftësinë për të zgjidhur problemet nëse angazhohen për këtë.

Nëse kanë një mentalitet “që është e vështirë për mua, sepse kam një disavantazh ose është e vështirë për mua, çfarë do të më japë shteti?”, ata do të jenë të dobët. Por nëse përdorin atë shkathtësi që kanë, besoj se shqiptarët mund të jenë një forcë reale për transformimin e biznesit.

DAVID WISNER: Do të shtoja gjithçka që kemi thënë, se sa jashtëzakonisht mikpritës janë shqiptarët.

Po, jemi krenarë për këtë.

DAVID WISNER: Dhe keni shumë të drejtë. Jashtëzakonisht mikpritës. Një gjë tjetër që do të thosha është ndjenja e ambicies. Kam vërejtur se njerëzit këtu nuk janë të kënaqur.

Ata duan më shumë. Ata duan më mirë. Ajo ambicie është absolutisht kritike për përmirësimin personal. Dhe është diçka që frymëzon të tjerët të angazhohen me ju.

Kam vënë re me angazhimet e mia me shqiptarët e përditshëm këtu që ata të frymëzojnë.

Zoti Wisner, a keni ndonjë rekomandim për qeverinë shqiptare, për të rritur investimet e huaja këtu në Shqipëri?

DAVID WISNER: Do nënvizoj atë që thashë më herët – duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhimin dhe përkushtimin ndaj tij.

Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne. Por nëse e dimë që mund të konkurrojmë, do të konkurrojmë.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zgjidhja e disa çështjeve të pronësisë së tokës do të jetë me rëndësi kritike.

Dhe, natyrisht, të gjitha përpjekjet që qeveria po bën për të mbajtur të rinjtë shqiptarë këtu do të jenë absolutisht thelbësore, sepse në një ekonomi të dijes, siç është Europa, dhe është e ardhmja e saj, të kesh të rinj të motivuar, të jashtëzakonshëm, do të jetë absolutisht thelbësore.
Mesazhi i z. WISNER
Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhimin dhe përkushtimin ndaj tij. Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne. Por nëse e dimë që mund të konkurrojmë, do të konkurrojmë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zgjidhja e disa çështjeve të pronësisë së tokës do të jetë me rëndësi kritike. Dhe, natyrisht, të gjitha përpjekjet që qeveria po bën për të mbajtur të rinjtë shqiptarë këtu do të jenë absolutisht thelbësore, sepse në një ekonomi të dijes, siç është Europa, dhe është e ardhmja e saj, të kesh të rinj të motivuar, të jashtëzakonshëm, do të jetë absolutisht thelbësore.

Z.Van Cleve, si e shikoni zhvillimin e ekosistemit të startup-eve këtu në Shqipëri? Duke marrë në konsideratë se keni qenë të angazhuar në këtë sektor. Dhe, cilat janë potencialet e zhvillimit të sektorit teknologjik këtu?

GRANT VAN CLEVE: Pyetje me vend. Mendoj se qeveria ka të drejtë që e konsideron një fushë për rritje katalizuese, ose për zhvillim të shpejtë.

Siç u tha më parë, ajo ndjenja e ambicies, çështja arsimore, do të thotë se ka potencial për këto vende pune dixhitale, ku merr një sasi të caktuar dije. Ajo dije mund të transferohet lehtë.

Sistemi arsimor po fut kodimin në shkolla. Po bëjmë hapa përpara. Kanë prioritet disa institucione trajnimi të shkëlqyeshme botërore që janë këtu në sektorin privat si Holberton dhe Coding Dojo dhe të tjerë, për fëmijë, adoleshentë, të rritur.

Ka një ndjenjë që ne mund të krijonim forcat e punës të nevojshme, dhe pastaj këto forca të punës mund tërheqin vende pune. Kompanitë shqiptare në sektorin e IT-së po rriten shumë shpejt.

Disa prej tyre janë amerikane. Mund të jenë shqiptarë diaspore që janë kthyer këtu. Disa janë kompani më të mëdha që po fillojnë të krijojnë partneritete me ta.

Ka një shembull tani, Wolt, që sapo erdhi si pjesë e DoorDash, një kompani amerikane e madhe. Ata janë gjigantë. Mund të mos keni një qendër gjigante Amazon këtu, por mund të keni kompani si ato që vijnë në treg dhe shtojnë cilësinë dhe ndjenjën e konkurrencës.

Këta janë faktorë që na bëjnë të besojmë se tregu mund të jetë i madh. Nuk ka arsye që Shqipëria të mos marrë më shumë nga ky treg, dhe ne mund t’i trajnojmë relativisht lehtë.

Gjithashtu, ka disa nxitje nga qeveria në këtë sektor. Jam optimist për rrjedhën e zhvillimeve. Ende ka punë për të bërë. Kemi 2 kodues për 1,000 njerëz, ndërsa kryesuesi në Ballkanin Perëndimor ka 7.

Dhe mund ta përdorim këtë si trysni. Nga ana tjetër, Izraeli ka 22 për 1,000. Pra, ka një hendek. Ka punë për të bërë, por nuk ka arsye që 2 të mos bëhen 3, 4, ose 5, dhe këto kompani të prodhojnë cilësi, që tërheqin më shumë. Mund të rritet shumë shpejt.

 

A keni ndonjë mesazh për audiencën tonë, ose për qytetarët shqiptarë, autoritetet lokale, apo qeverinë?

DAVID WISNER: Ne besojmë me vendosmëri se Dhoma është një zë kyç për sektorin privat. Dhe, sa më shumë që Dhomat mund të jenë të lira për të bërë llojin e punës që bëjnë, përkrahja për bizneset, për rritjen e vërtetë të sektorit privat, organik dhe të pavarur është tërësisht kritike.

Ky është qartësisht roli që luan Dhoma Amerikane, por unë do të thosha se kjo gjë është edhe më e gjerë se kaq. E di që kjo përfshin edhe Dhomat e tjera që janë të pranishme këtu.

Ne amerikanët, vërtet besojmë në fuqinë e tregut të lirë dhe sa më shumë liri që mund të kemi, që këto organizata mund të kenë, mendoj se është vërtet e rëndësishme.

Ne presim me padurim që më shumë kompani amerikane të bashkohen në Dhomë gjatë viteve të ardhshme, që Dhoma të jetë një zë për rritjen e përgjegjshme të sektorit privat në këtë vend, dhe një organizatë, që padyshim, mund të ndihmojë në shumëfishimin e mesazhit të vlerave ose interesave amerikane në rajon, në Shqipëri në veçanti.

GRANT VAN CLEVE: Unë do të theksoj të njëjtën gjë. Mendoj se ka një bashkëpunim të mirë me shtetin në drejtim të këtyre gjërave. Ka njerëz vizionarë, por ne duhet të lëmë hapësirë për sektorin privat të sjellë energjinë dhe sipërmarrjen. Do të inkurajoja shqiptarët: Nëse jeni këtu, mos u largoni.

Nëse nuk jeni këtu, mendoni rikthimin. Sepse këtu ka potencial, ka mundësi, ndonëse ende ka sfida. Por jam i bindur se do t’i përballojmë shumë prej këtyre sfidave.

Dhe kur vendi po bëhet tërheqës në tregun global, kur turizmi po rritet, kur puna në distancë po tërheq më shumë të huaj këtu, transferimi i dijes, të ardhurat nga ky transferim, ndërhyrja e kapitalit nga Amerika dhe nga vende të tjera; të gjitha këto tregojnë se kemi një periudhë të vërtetë zhvillimi, përballë nesh.

Ka gjithnjë një përzierje optimizmi dhe pesimizmi, por do kthehem aty ku e nisa. Mendoj se duhet të jemi optimistë dhe madje të fillojmë të marrim disa hapa të guximshëm./Monitor

Çollaku pyet kryenegociatoren Dhuka: Sa e ndihmojnë qeverinë shqiptare akuzat e një ish zëvendëskryeministri karshi kryeministrit për lidhje me mafien dhe krimin e organizuar?

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Europiane është zhvilluar seancë dëgjimore me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren znj. Majlinda Dhuka. Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, në fjalën e tij është shprehur se lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin është pengesa politike që Shqipëria nuk po i përgjigjet dot për të përmbushur standardin jetik për aleatët tanë strategjikë.
Në lidhje me këtë, Çollaku pati dhe një pyetje të drejtpërdrejtë për zonjën Dhuka, ku ku tha se sa e ndihmojnë qeverinë shqiptare akuzat e një ish zëvendëskryeministri karshi kryeministrit për lidhje me mafien dhe krimin e organizuar në trafiqet ndërkombëtare të drogës.

Fjala e Nënkryetarit të PD, deputeti, Kreshnik Çollaku:

Pra ju e dini që ka një dekret të presidentit Biden, ku aktorët e korruptuar në Ballkanin Perëndimor kategorizohen rrezik jo vetëm i sigurisë kombëtare të vendeve përkatëse, por dhe i aleancës Euro-Atlenatike. I njëjti qëndrim ndahet përgjithësisht dhe nga Mbretëria e Bashkuar. E njëjta frymë edhe pse e thënë ndryshe përcaktohet dhe në kërkesat që ka Bashkimi Europian. Pra, lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin është pengesa politike që vendi nuk po i përgjigjet dot për të përmbushur standardin jetik për aleatët tanë. Në këtë pikëpamje unë doja t’u bëja një pyetje të drejtpërdrejtë, nuk jam as prokuror, as polic, as hetues. Sa e ndihmojnë qeverinë shqiptare akuzat e një ish zëvendëskryeministri karshi kryeministrit për lidhje me mafien dhe krimin e organizuar në trafiqet ndërkombëtare të drogës?

“Presim tifozët tanë në çdo ndeshje”, Asllani: Jemi përgatitur mirë për Europianin, fokusi ynë është tek Italia

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani foli pas fitores 3-0 në miqësoren me Lihtenshtejnin, duke theksuar se fokusi është tek Italia, ndërsa janë të përgatitur mirë për Evropianin.

 

Ndërsa i falenderoi tifozë,  Kristjan Asllani tha se presin tifozët në çdo ndeshje.

“Kjo është një përgatitje, janë ndeshje që të marrim benzinë në këmbë për ne që kemi luajtur më pak dhe kemi bërë një ndeshje të mirë, kemi qarkulluar mirë dhe kemi bërë 3 gola. 3 golat janë bërë nga sulmuesit që të marrin edhe ata besim, kjo është një gjë shumë e mirë. Jemi një grup kompakt, sot erdhi edhe kapiteni ynë Xhimi. Jemi përgatitur mirë për Europianin dhe të arrijmë sa më mirë në ndeshjen e parë. Presim tifozët tanë në çdo ndeshje, i falenderojmë dhe ata që ishin me ne. Do të jetë një ndeshje si kjo, të marrim akoma benzinë në këmbë dhe fokusi është tek Italia. Sigurisht që do të japim shpirtin dhe zemrën por ajo që do të dalë nuk i dihet, por ashtu siç thash çunat po përgatiten mirë të gjithë po përgatitemi mirë që të dalim sa më mirë në ndeshjen e parë”, deklaroi Asllani për mikrofonat e FSHF-së.

FOTO/ Mbështetësit braktisin Rithemelimin, dështon protesta para bashkisë së Tiranës

Kjo foto me dron tregon pjesëmarrjen e ulët në protestën para Bashkisë së Tiranës. Vetëm një grusht militantësh i janë përgjigjur thirrjes së Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë për të protestuar.

Të gjitha protestat e Rithemelimit kanë përshkallëzuar në dhunë e disa protestues janë vënë në hetim për hedhjen e bombave molotov duke rrezikuar jetën e efektivëve të policisë.

“Shtatë nga dhjetë evropianë mendojnë se vendi i tyre strehon shumë emigrantë”/ DW: Menaxhimi mbetet një çështje thelbësore për të ardhmen e Evropës

Rreth 60,000 emigrantë të paligjshëm kanë hyrë në Evropë në gjysmën e parë të këtij viti. Gjithnjë e më shumë evropianë e mendojnë se ky fluks është i papërballueshëm.

 

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë ndihme prej 20 milionë eurosh për të mbështetur pritjen e emigrantëve të paligjshëm në Ishujt Kanare, një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë.

Ky financim do të mbulojë shërbime të ndryshme, përfshirë këshillimin, përkthimin, transportin, kujdesin shëndetësor, strehimin dhe mirëmbajtjen.

Përfytyrime të ndryshme

Opinionet publike ndryshojnë në të gjithë Evropën. Në Greqi, Qipro, Islandë, Gjermani dhe Austri, shumica dërrmuese besojnë se vendi i tyre strehon shumë emigrantë.

Konkretisht, 90% e grekëve, 84% e qipriotëve, 78% e islandezëve, dhe 77% e gjermanëve dhe austriakëve janë të këtij mendimi.

Në Spanjë 70% e njerëzve mendojnë se vendi i tyre është i mbingarkuar me emigrantë.

E njëjta përqindje regjistrohet edhe në Francë, ku sfidat e multikulturalizmit po bëhen të dukshme.

Në anën tjetër në vende si Rumania, Danimarka, Sllovakia dhe Portugalia këtë shqetësim e shprehin rreth 57% të popullsisë.

Temë kryesore e fushatës elektorale për Parlamentin Evropian

Liderë politikë si Viktor Orbáni i Hungarisë e kanë kritikuar qasjen e burokratëve evropianë ndaj migraciomit duke e quajtur atë si “vetëvrasëse”.

Ndërsa emigracioni vazhdon të formësojë peizazhin politik, debati mbi menaxhimin e tij mbetet një çështje thelbësore për të ardhmen e Evropës dhe një nga temat kryesore të fushatës elektorale për zgjedhjet për Parlamentin Evropian./DW

Grumbulluesit do ulin me 15% çmimin e blerjes së qumështit të lopës dhe deles nga blegtorët! Ja çfarë pritet

Nga muaji qershor, blegtorët e fermave të vogla në Lushnjë dhe Fier janë lajmëruar për një rënie tjetër të çmimit të qumështit të lopës dhe të deles, që u grumbullohet nga fabrikat e përpunimit.

 

Sipas blegtorëve të zonës së Myzeqesë, qumështi i lopës nga fermat e mëdha dhe të mesme po grumbullohet me çmim 65 deri në 67 lekë pa TVSH për litër nga 78 lekë pa TVSH që ishte më parë. Ndërsa nga fermat e vogla, qumështi po grumbullohet me çmim 60 lekë pa TVSH për litër.

Blegtorët e fermave të vogla pohuan se nga muaji qershor janë lajmëruar nga grumbulluesit se qumështi i lopës do t’u blihet me 55 lekë për litër pa TVSH apo 15% më pak sesa shitet.

Rënie e çmimit është lajmëruar edhe për qumështin e deles, nga 120 lekë për litër pa TVSH që shitet aktualisht, çmimi pritet të bjerë në 100 lekë për litër pa TVSH apo 16% më pak.

Rënie e çmimeve të qumështit është lajmëruar edhe nga grumbulluesit e zonës së Korçës, sipas Taulant Pupës drejtuesit të fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001” në Nizhavec të Pogradecit.

“Është lajmëruar për një rënie të çmimit të qumështit të lopës nga 60 lekë në 57 lekë për litër pa TVSH, të deles nga 140 në 130 lekë për litër pa TVSH, dhe të dhisë nga 90 lekë në 80 lekë për litër pa TVSH ”, tha ai.

Ervin Resuli ekspert i bujqësisë pohon se çmimi i grumbullimit të qumështit të lopës 55 lekë për litër është i barabartë me koston ushqyese të kafshëve.

Sipas tij në ditë vetëm për ushqimin e një lopë fermeri shpenzon 1,200 deri 1,300 lekë, ndërsa fitimi neto, pa përfshirë kostot e fermerit për mbajtjen e fermës dhe shlyerjen e kredive, llogaritet të arrijnë deri 3 euro në ditë apo rreth 1 mijë euro në vit.

Ervin Resuli parashikon se rënia e çmimit të qumështit veçanërisht të të imtave do të sjellë tkurrje të tufave të bagëtive dhe falimentime te blegtorët.

“Në 2023 kur qumështi i të imtave i prodhuar nga fermeri u shit me çmime të larta prej 120 deri 180 lekë, shtoi numrin e krerëve të të imtave, pasi për fermerin ishte e leverdishme mbajtja e bagëtive. Për vitin 2024 kemi rënie të çmimit të qumështit të të imtave, por kemi edhe tkurrje të tufave të të imtave. Nëse fermeri e shet qumështin e deles apo të dhisë nën 140 lekë për litër, për të falimentimi është i garantuar”, nënvizon Resuli.

Në muajin prill për shkak të konfliktit me çmimet nga fabrikat nuk u ble qumësht te fermat e mëdha dhe të mesme. Të vetmit që shisnin qumësht me çmim 60 lekë pa TVSH për litër ishin fermat e vogla.

Ulja e çmimit të shitjes detyroi blegtorët të dalin dy herë në protestë, në mbrojtje të prodhimit tyre, duke kërkuar më tepër subvencione nga shteti shqiptar.

Pavarësisht uljeve të herëpashershme të çmimit, drejtuesit e fabrikave përpunuese pohojnë se çmimi i qumështit të lopës së prodhuar në vend është 38 cent për litër më i shtrenjtë sesa qumështi i importuar si lëndë e parë, nga Sllovenia, Serbia apo Hungaria, dukë përfshirë taksat dhe kostot e transportit.

Si për ekspertët dhe përpunuesit arsyeja kryesore e kostos së lartë të prodhimit vendas mbeten subvencionet e ulëta në vend krahasuar me rajonin./Monitor

Italia i dhuron Ukrainës një ‘MAMBA’, i vetmi sistem i prodhuar në Europë që mund të përgjojë raketat balistike

Italia do të dërgojë një sistem të dytë të mbrojtjes ajrore SAMP/T në Ukrainë – i vetmi sistem i prodhuar në Evropë që mund të përgjojë raketat balistike.

E njohur edhe si MAMBA, është një bateri franko-italiane që mund të gjurmojë dhjetëra objektiva dhe të përgjojë 10 menjëherë.

Roma dhe Parisi bashkërisht dorëzuan sistemin e parë në vitin 2023, por Ukraina u ka bërë vazhdimisht thirrje partnerëve që të ofrojnë më shumë ndihmë me mbrojtjen ajrore, pasi përballet me një breshëri në rritje të sulmeve ruse mbi qytetet dhe infrastrukturën energjetike.

Italia ka miratuar tetë paketa mbështetëse për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit.

Ministri i Jashtëm i saj tha se SAMP/T do të jetë pjesë e një pakete të nëntë në përgatitje, por nuk dha një kornizë kohore për dorëzimin.

Të gjitha dërgesat deri më tani janë mbuluar nga sekreti zyrtar dhe qeveria nuk e ka bërë kurrë publike listën e saktë të armëve që ka dërguar në Ukrainë.

Shihni televizionet kombëtare për të kuptuar se kë “opozitë” do përballë Edi Rama!

Për ata që mendojnë se Edi Rama ka frikë Berishën dhe i tutet revolucionit, mjaftojnë të kqyrin me kujdes dhe me mendje të ftohtë kohën për partitë politike në televizionet kombëtare në muajin prill.

Autoriteti i Mediave Audiovizive paraqet në mënyrë strikte prezencën mediatike që zënë të gjithë grupimet politike, ku ajo që vihet re është hapësira e madhe që zë Rithemelimi i Berishës (42.9%), çka është më shumë se sa së bashku prezenca e pushtetit (PS, 18.41%) dhe PD zyrtare (17.51%). Kjo gjë nuk është vetëm për muajin prill, por për çdo muaj të vitit.

Ky është realiteti i qartë se kë do Edi Rama të ketë mëngjes dhe mbrëmje t’i bëjë “opozitën” dhe ta shajë me rrënjë e dhëmballë, me premtimin se “radhës tjetër do ta hedhim qelbësirën”.

Nuk e di për ju, por unë nuk kam parë ndonjë regjim të ngjashëm në botë, i cili, në vend që ta shtypë “opozitën”, i jep kaq hapësirë mediatike, pikërisht në televizionet kombëtare, të cilat jo vetëm që e kanë detyrim ligjor për të mbajtur një kohë të barabartë për partitë politike, por që dihet se pronarët e tyre, në përgjithësi, janë klientë të rregullt të qeverisë dhe ndër përfituesit më të mëdhenj të tenderave dhe koncensioneve publike.

Ashtu sikurse nuk kam dëgjuar për ndonjë regjim, i cili ditën shahet nëpër ekrane dhe televizione, ndërsa natën i shpërblen me leje për kulla ata që e shajnë dhe ata që e financojnë këtë sharje!

Arsyeja e këtij realiteti është shumë e thjeshtë: Edi Rama investohet me gjithçka për t’u lënë përballë shqiptarëve një “alternativë” anakronike që duket sikur ka dalë nga çmendina, krijon realitete paralele, nuk flet për shqetësimet e njerëzve, por për hallet e saj dhe betejën nuk e ka me qeverinë dhe Edi Ramën për t’i marrë pushtetin, por me drejtësinë dhe Altin Dumanin për t’i shpëtuar burgut.

Është e natyrshme që Ramës dhe kujtdo pushteti në kushte të tilla nuk i intereson një opozitë e arsyeshme, me figura të pastërta dhe me një ligjërim që orientohet te alternativa, programi dhe njerëzit, sepse kështu do ishin të rrezikuar, për shkak të pasqyrës përballë që do t’i nxirrte shumë keq në sytë e opinionit publik.

Si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, kështjella iluzive prej rëre që ndërton Berisha nga kati i 8-të dhe njerëzit e tij të Rithemelimit që flasin mëngjes e mbrëmje përçart nëpër ekranet televizive të oligarkëve të pushtetit, del dhe e pshur Spiropali të enjten e javës që vjen me një fjalim në Kuvend, duke iu dhënë leksione “ndershmërie”, antikorrupsioni dhe respektimi të institucioneve të drejtësisë pikërisht atyre që venë pas një të dizenjuari “Non grata” pikërisht për korrupsion madhor, minim demokracie dhe shantazh drejtësie./NGA NAMIR LAPARDHAJA

Prefekti i Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo shkon në SPAK

Prefekti i Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK.

Ai është futur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i vetëm rreth orës 10:00.

Nuk dihet ende pse Vangjel Tavo është thirrur për tu marrë në pyetje nga SPAK.

Diabeti/ Si ndryshojnë simptomat tek gratë dhe tek burrat? Ja çfarë thonë ekspertët

Tek gratë, diabeti mund të shfaqet në formën e infeksioneve dhe çekuilibrit hormonal që shpesh ndikojnë në sistemin riprodhues.

Edhe pse këto nuk mund të jenë një shenjë e sigurt e diabetit, ato mund të jenë shenja paralajmëruese të hershme.

Bazuar në kërkime të ndryshme, këto janë disa nga simptomat që mund të tregojnë më shumë rreth diabetit tek gratë.

Infeksion i traktit urinar

Shpesh diabeti ndikon në aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar infeksionet.

Në këtë rast mund të bëjë që fshikëza e urinës të ketë probleme me zbrazjen e plotë, gjë që nganjëherë çon në infeksion të traktit urinar tek gratë.

Ju mund të vini re një nevojë të vazhdueshme për të urinuar dhe një ndjesi djegieje sa herë që urinoni.

Sindroma e vezoreve policistike

Sindroma e vezoreve policistike është gjithashtu e lidhur ngushtë me diabetin e tipit 2.

Për shkak se kjo sindromë bën që trupi juaj të prodhojë më shumë insulinë, gjë që mund të ndikojë në shfaqjen e diabetit, veçanërisht tek gratë mbi 40 vjeç.

Simptomat E Përbashkëta Të Grave Dhe Burrave

Disa simptoma shfaqen njësoj si tek burrat dhe gratë janë :

  • urinim i shpeshtë
  • uri ose etje e vazhdueshme
  • lodhje
  • mpirje në duar ose këmbë
  • shikim i paqartë
  • humbje ekstreme e peshes

Nëse keni një histori familjare të diabetit ose nëse jeni diagnostikuar me prediabet, monitoroni nga afër sheqerin në gjak dhe kërkoni kontrolle të shpeshta me mjekun tuaj.

Diabeti Tek Gratë Shtatëzëna

Diabeti gjatë shtatëzanisë quhet ndryshe diabeti gestacional.

Sipas mjekëve, ai shfaqet në tremujorin e dytë dhe testimi kryhet midis javës së 24 dhe 28 të shtatzënisë.

Diabeti gestacional mund të menaxhohet me një regjim të rregullt ushtrimesh dhe një regjim të shëndetshme ushqimor, megjithëse ndonjëherë mund të jetë e nevojshme të merret edhe insulinë.

Për sa kohë që gjendja trajtohet, rreziku i komplikimeve anësore gjatë shtatzanisë është i ulët.

Megjithatë është e këshillueshme që edhe pas shtatëzanisë të monitoroni nivelin e sheqerit në gjak, pasi gratë me këtë lloj diabeti janë më të priruara për të zhvilluar diabet të tipit 2 edhe më vonë gjatë jetës.

Nëse jeni të shqetësuar se mund të keni diabet, sigurisht që duhet të kosultoheni me mjekun tuaj për të kryer analizat dhe trajtimin e nevojshëm.