31.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Dëmton indet dhe qelizat, ja arsyet përse nuk duhet të vendosni akull mbi lëkurën e djegur! Ja çfarë duhet të bëni

Kudo që të ndodhin, në kuzhinë, zyrë apo në plazh, të djegurat shoqërohen gjithnjë me dhimbje dhe lotë. Në fakt, studimet tregojnë se të djegurat janë ndër pesë aksidentet më të rëndomta që ndodhin në kuzhinë.

 

Është pikërisht kjo e fundit që ofron edhe kurimin e të djegurave, gjithnjë në varësi të gradës së tyre. Një prej produkteve më të njohura kundër djegies që nuk mungon në asnjë kuzhinë është soda e bukës.

Të djegurat ndahen në tre kategori: djegie e gradës së parë, gradës së dytë dhe të tretë.

Djegiet e gradës së parë prekin kryesisht shtresën e jashtme të lëkurës. Këto djegie shoqërohen me dhimbje, skuqje dhe enjtje. Djegiet e gradës së dytë prekin shtresën e jashtme dhe atë poshtë saj.

Simptomat janë të njëjta me të gradës së parë por në këtë rast vërehen flluska.

Djegiet e gradës së tretë prekin shtresa të thella të lëkurës dhe lënë vraga të thella në lëkurë.

Ndjeshmëria në këtë zonë të lëkurës shuhet me djegien.

Djegiet e fytyrës, duarve, këmbëve dhe organeve gjenitale mund të jenë shumë të forta dhe të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.

A duhet të vendosni akull mbi lëkurën e djegur?

Hapi i parë dhe i menjëhershëm pas të djegurës është që ta mbani zonën e prekur në ujë të ftohtë për të paktën pesë minuta.

Ekspertët shprehen njëzëri se as akulli dhe as uji me akull nuk duhet as t’i afrohen zonës së djegur.

Ata shpjegojnë se akulli mund të dëmtojë indet dhe qelizat në lëkurë, gjë që do krahasohej me një djegie të dytë.

Pasi kanë kaluar pesë minuta, ju mund ta pastroni zonën me një krem antibiotik.

Nëse plaga formon flluskë, mos e çani atë sepse do të jeni më të rrezikuar nga infeksioni.

Kundër dhimbjes, ekspertët rekomandojnë të merrni medikamente si ibuprofeni që zbut inflamacionin dhe dhimbjen.

Olsian Çela takim me ambasadorin e BE-së, çfarë u diskutua gjatë takimit! Prokurori i Përgjithshëm ngriti shqetësimin për mungesën e infrastrukturës në disa nga prokuroritë e gjykatat

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela është takuar me ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato ditën e djeshme ku diskutuan mbi çështje që lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe rolin e saj në procesin e integrimit.

Në takim u theksua rëndësia e ndjekjes me prioritet të rekomandimeve të BE-së si dhe mbështetja që kjo e fundit mund të sigurojë për prokurorinë.

Ndërkohë ambasadori Gonzato siguroi mbështetjen e delegacionit të BE-së në Shqipëri për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve në prokurori.

Prokurori i Përgjithshëm ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e infrastrukturës së përshtatshme në disa nga prokuroritë dhe gjykatat në vend si dhe mungesën e një perspektive të qartë për zgjidhjen e problemit.

Dosja Sterilizimi, Ilir Beqaj del me valixhe nga SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, është filmuar teksa dilte me një valixhe me dokumente nga SPAK.

Ilir Beqaj u paraqit në gjykatë me valixhe, për të marrë aktet hetimore të dosjes së Sterilizimit, për të cilën akuzohet për shpërdorim detyre.

Vetë Beqaj tha për mediat se dosja është shumë e madhe.

Fillimisht Beqaj refuzoi që të paguante shumën prej rreth 10 milionë lekë për të marrë këtë dosje. Më pas Gjykata ia vuri në dispozicion.

“Të gjithë sytë në Rafah”- Ja domethënia e postimit që bëri xhiron e rrjetit, u shpërnda nga më shumë se 47 milionë njerëz në mbarë botën

Një imazh i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (AI), që paraqet kampet e palestinezëve dhe një slogan që shkruan: “Të gjithë sytë nga Rafah” ka bërë xhiron e rrjetit në të gjithë botën.

Postimi është shpërndarë më shumë se 47 milionë herë nga përdorues të ndryshëm në Instagram duke përfshirë dhe persona të famshëm si Dua Lipa, Lewis Hamilton dhe motrat Gigi dhe Bella Hadid.

Imazhi dhe slogani u bënë virale pas një sulmi ajror izraelit dhe zjarri në një kamp për palestinezët e zhvendosur tashmë në qytetin jugor të Gazës, Rafah, në fillim të kësaj jave.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se të paktën 45 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në incident. Izraeli tha se kishte shënjestruar dy komandantë të Hamasit dhe se zjarri vdekjeprurës ndoshta ishte shkaktuar nga një shpërthim dytësor.

Pas incidentit, imazhi u bë viral pasi një i ri në Malajzi e postoi atë në llogarinë e tij të mediave sociale, zbuloi BBC Arabic.

Incidenti vdekjeprurës në fillim të kësaj jave në Rafah bëri që njerëzit të postonin video të Richard Peeperkorn, një përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në territoret e pushtuara palestineze në muajin shkurt.

Ai u tha gazetarëve asokohe se “Të gjithë sytë janë te Rafah”, duke paralajmëruar sulmet ndaj qytetit

Zyrtarët dhe aktivistët kanë përsëritur frazën e Peeperkorn që atëherë për të shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e tyre ndaj operacionit ushtarak të Izraelit në Rafah, i cili filloi tre javë më parë.

Studentët në Partis pushtuan rrugën përpara ndërtesës së Universitetit Sciences Po, me një tabelë me po të njëjtin mbishkrim: “Të gjithë sytë nga Rafah”

Në muajt që pasuan përdorimin e parë të frazës, sloganet’ Të gjithë sytë në Rafah” u shfaqën në tubime në mbarë botën dhe në mediat sociale.

Të tjerë të famshëm që kanë shpërndarë imazhin dhe sloganin përfshijnë aktorin amerikan Mark Ruffalo, aktoren indiane Priyanka Chopra dhe aktoren siriane Kinda Alloush.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Shëndetëisë atje, mësohet se të paktën 36,170 njerëz janë vrarë në të gjithë Gazën që nga fillimi i konfliktit.

“Qershori nis me 37°C”/ Meteorologia: Ja çfarë temperaturash na presin në 3 muajt e verës

Meteorologia Tanja Porja në A2 CNN ka bërë parashikimin e motit për muajin qershor.

Muajin e ardhshëm sipas saj termometri do të arrijë deri në 37 gradë Celcius, shifra këto anormale për muajin e parë të verës, por të ndikuara nga një masë ajrore që shtrihet në Mesdhe dhe vjen prej Afrikës Subsahariane.

Jemi vetëm dy ditë nga fillimi zyrtar i stinës së verës dhe po nis që në ditët e fundit të Majit me temperatura mbi 30 gradë Celcius. Vera starton shumë egër me temperatura. Pritet që në ditët e para të muajit të qershor të kemi temperaturë 37 gradë Celsius. Shume shpejt edhe në zonat malore termo0metri ngjitet në 30 gradë Celcius. Kemi një masë ajrore që na vjen nga Subsaharaja, shumë më poshtë në Afrikë. Është një masë ajrore mjaft e nxehtë dhe e thatë që vjen nga Mesdheu Lindor. Në fillim të qershorit normaliteti do ishte në 31 ose 32 gradë, por ne presim rreth 37 gradë celcius.”

Por pavarësisht se nis me temperatura mbi 35 gradë Celcius, meteorolgia theksoi se vera e këtij viti do të jetë më e butë në krahasim me vitin e shkuar.

Në 10 vitet e fundit kemi pasur verë jo të gjatë, të nxehtë e të thatë, por përvëluese. Kjo verë nuk do të jetë e tillë megjithëse nis kaq egër. Dhe nuk do të jetë e tillë për të gjithë kontinentin evropian. Pjesa më e prekur do të jetë gadishulllli iberik dhe Europa jugperëndimore, duke përfshirë edhe Ballkanin. Greqia dhe Turqia, së bashku me Ballkanin do të kenë verën më të nxehtë. Vera e 2024 nga të gjitha sinjalet e të gjitha qendrave të parashikimit nënkupton se nuk do të jetë fare e ngjashme me një vit më parë. Do të jetë më e butë, më e moderuar.

Porja shpjegoi se mërkuri do të skuqet në Qershor dhe 20 ditët e para të Korrikut, me temperaturat që do të bien më pas në Gusht, duke sjellë edhe rreshje.

Presim që mesi i qershorit deri afër fundit të korrikut të jetë periudha me aktivitetin maksimal të temperaturave dhe nxehtësisë në Europë dhe Ballkan. Përtej korrikut do t’i rikthehemi shprehjes gusht dhe gunë. Do të jetë një gusht me një fushë termike më të lëmuar, jo me kapërcime drastike si në qershor dhe korrik. Ka sinjale për reshje. Kulmi i verës pritet të jetë qershori deri nga data 20-25 korrik. Më pas nis rënia graduale.

Shqipëria meriton më shumë/ Basha zbulon sloganin dhe simbolikën kuqezi

Nesër më 1 qershor, Partia Demokratike do të shpalosë Programin e saj në sloganin SHQIPËRIA MERITON MË SHUMË! Nga postimi i Bashës duket qartë simbolika kuqezi, që ngërthen dhe mesazhin e një oferte gjithëpërfshirëse nga ana e Partisë Demokratike për të gjithë shqiptarët nga veriu në jug, duke vendosur qytetarët në qendër të ofertës së demokratëve për qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mësohet se disa nga fushat ku është i fokusuar programi i PD janë e ardhmja e rinisë, rritja e mirëqenies, lufta kundër korrupsionit, kundër varfërisë, emigracioni, arsimi etj.

Është hera e parë që ky program shpafqet para një publiku kaq të gjerë, shumë kohë përpara zgjedhjeve parlamentare, duke shënuar një qasje të re në parashtrimin e ofertës politike, në një arenë debati dhe diskutimesh transparente dhe gjithëpërfshirëse, përmes të cilës qytetarët do të njihen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me ofertën e Partisë Demokratike.

MË POSHTË POSTIMI I KRYETARIT TË PD:

Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje

NGA FLUTURA AÇKA

Si dikush që një pjesë të jetës e ka kaluar në diktaturë, i kam ndjekur përherë me vëmendje sjelljen tonë institucionale, por edhe shoqërore, ndaj viktimave të diktaturës komuniste shqiptare dhe tani pas tridhjetë vjetësh, më duhet të pohoj se në vend të shpengimit të domosdoshëm dhe detyrues ndaj tyre, ne i shërbyem pengimit sistematik dhe fyes të tyre.

Ne të dy palët politike kemi luajtur me ishtë përndjekurit, ne të djathtët me arnime ligjesh, me duartrokitje, e duke ua përdorur kauzat dhe votat dhe ju të majtët, mbase me të drejtën tuaj ideologjike, i keni ndarë dhe përçarë në mënyrë perfide, bashkë me përdëllimet se po i dëmshpërbleni në këta dhjetë vite e fundit, kur dihet mirë se ky është një kusht i prerë i qartë për të hyrë në Europë.

Atje kemi shumë zell të shkojmë me gjithë barrën e 1430 shekujve burg që kanë vuajtur një pjesë e qytetarëve te këtij vendi, shqymje nga trupi ynë shoqëror, që nuk u quajt kurrë me emrin e vërtetë: gjenocid.

Gjenocid i pastër. Shifrat e vërteta, edhe njerëzit që e frymëzuar dhe e shkaktuan, i dini mirë, madje njërin prej urdhëruesve e të tytave të nxehta, e përcollët me duartrokitje në pension dhe e liruat nga barra para se mëkati t’i bëhej barrë.

Ne, të dyja palët politike, nuk i deshëm dhe aq ish-të përndjekurit politikë, ndaj edhe i luftuam jo me plumba, por me shpërfillje të plotë, ose i kuam me ligje dhe VKM-ra që kurrë nuk i zbatuam, cave iu dhamë vetëm thërrime, ca i shantazhuam me kinse dosje, ca i graduam qe të kontrollojnë të tjerët, por më të shumtët i mbuluam me heshtje, sepse e dinim se si të përkorë që janë, nuk japin bëzamë.

Por ata kishin më shumë nevojë për dashurinë tonë dhe detyrimin që ne të ndërtonin Institucionin e Rehabilitimit të plotë, sa kohë nuk ua kthejmë dot ato 1430 shekuj jete të privuar.

Nga largësia e trojeve të tyre të epërme politike, morale, etike, emocionale, ata nuk kërkuan mëshirë, as lypën dashuri, ata, siç thotë në rreshtat e tij distopike Orwell “më shumë se nevojë për t’i dashur, donin që t’i kuptonim”.

Ne as këtë nuk e bëmë në tridhjetë vjet. As ligji për të drejtën e Informimit 119/2014, as ligji 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, as ligji 7514/1991 për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë, as ligji 8457/1991 për informacionin e klasifikuar nuk na kanë shpenguar nga faji ndaj tyre.

Sepse ua kemi lidhur duart sërish me vendime që e pengojnë zbatimin e ligjit. Sepse ua kemi plasur shpirtin me burokracira që të mos e marrin dëmshpërblimin.

Sepse ua kemi fshirë dhe po ua fshijmë me tërbim të gjitha shenjat vuajtjeve të tyre, burgjeve, kampeve, dosjeve, dëshmive.

Sepse nuk i kemi treguar me gisht vrasësit, dhunuesit, persekutorët e tyre. Shikoni Shtëpinë e Gjetheve, turpin tonë ku i kemi fshirë me të bardha keqbërësit politikë!

Sepse i kemi latyrisur shenjat, i kemi vënë gunga me ngjyra Piramidës këtu afër, ia kemi shqyer kanatet dhe po e kthejmë në fjetore artistësh shtëpinë e diktatorit, në vend që ta bënim Muzeun e Dhunës.

Po, aty ishte truri i dhunës!

Sepse, mu para hundës sonë, në rezidencën qeveritare përballë Kryesisë së Kuvendit, ngrehinës ku bëjmë ligje për drejtësi njerëzore, dy përmendore të baballarëve të diktaturës, Leninit dhe Stalinit, na qesëndisin çdo mëngjes: “Hë, more trima”?

Po, sigurisht, si mund t’i shohim ne baballarët e baballarëve të shtrirë? Komunistët vdesin në këmbë. Apo jo?

A ka gjë më të paturpshme, më kriminale, më antinjerëzore, më të dënueshme se ta bësh këtë? Në një rezidencë qeveritare që paguhet me taksat e shqiptarëve?

Më thoni, të nderuar kolegë, çfarë do të ndodhte ta shihje përmendoren e Hitlerit në oborrin e ndonjë institucioni në Gjermani dhe jo vetëm në Gjermani, por kudo në Europë?

Nëse i doni kaq shumë këta strategë, i vini në muze me përshkrimin se çfarë burrash të mirë kanë qenë, ose i vini tek oborret e vilave tuaja. Ngaqë janë në inventar, do t’i blini lirë.

Qysh tani keni filluar festimet e 80-vjetorit të çlirimit, me logo e me fonde e shaje të kuq.

E bëni në respekt të historisë. Mirë bëni!

Shoqatën e veteranëve e prisni dhe e përcillni me nderime, madje po e trashëgoni edhe me tapi.

Natyrisht, te festimet e mëdha ata do ta kenë merak edhe Komandantin e madh dhe ne do të bëjmë sikur nuk e shohim.

Ka mes jush këtu, që edhe pse kanë moshën e nipërve të veteranëve, janë me librezë veteranësh. Iu duhet, se ligji thotë se këto e këto privilegje kanë ata me librezë veterani, por jo po të ishe kalbur në burgjet e diktaturës.

Thuhet se ata që e bëjnë, nuk e konsumojnë vetë historinë, sepse ikin. Kjo vlen vetëm për ish-të përndjekurit politikë, po jo për veteranët tanë. Ne, të nderuar kolegë, duhet të ndërtojmë Institucionin e Rehabilitimit, të vërtetë, gjithëpërfshirës, efektiv, në mënyrë të tillë që institucionet e rehabilitimit të jenë apolitike, të kenë lidhje dhe të japin e marrin mes tyre, jo t’ia hanë dheun njëri-tjetrit, siç ndodh në të vërtetë sot mes Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, i cili trajtohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Punëve Sociale për çështjet e dëmshpërblimeve, kur në fakt kauza e tij është mirëfilli politiko-historike, por e çoi atje që t’ia heqim palcën tmerrit. Pra, nuk ka lidhje me Institutin e ish-të Përndjekurve dhe Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Diktaturës, puna e të cilit sabotohet nga të gjitha anët nga një molepsje me burim fshirjen e së vërtetës. Pra, nuk ka lidhje fare mes Institutit të ish-të Përndjekurve, Institutit të Studimeve dhe Autoritetit për Informim të Dokumenteve të ish-Sigurimit, institucion që ka detyrimin ligjor të ndihmojë dy të parët në zbardhjen e të vërtetave të 3000 mijë dosjeve, të 7000 varreve të të pagjeturve dhe vrasësit dhe persekutorët me emër dhe mbiemër. Ata edhe punën, edhe partitë, edhe përkujtimet i kanë të ndara.

Përse nuk e kemi ne hartën e institucioneve të diktaturës që të trajtohet edhe nga Ministria e Turizmit? Duket cinike, por këtu ka Turizëm Gjenocidal, si në Afrikën e Jugut, në Poloni, në Berlin.

A nuk mundet të jetë muze i diktaturës, burgu i tmerrshëm i kaushëve të Burrelit, me histori tetëdhjetë e pesëvjeçare, vendi që u bë varri i arkitektit të vet, i tillë që të kujton tragjeditë e vjetra.

Për shkak të dendurisë së madhe të të burgosurve në qelitë e tij, edhe hahej, edhe flihej, edhe përmirrej, edhe pëgërej në të njëjtin vend. Dëshmitë e familjarëve për ish-të burgosurit që nuk e ndërruan zakonin të flinin vetëm në brinjë, ngaqë nuk ishin mësuar të flinin në shpinë nga mungesa e vendit, janë rrëqethëse.

A nuk e meritonte 40-vjetori i Revoltës së Qafë-Barit respektin tonë? Nuk meritonte respekt Sokol Sokol, i cili para togës së pushkatimit në Kuç të Shkodrës u kërkoi ekzekutorëve që ta hapte vetë varrin e tij me kusht që të mos e vrisnin pas shpine, sepse nuk donte në trup plagë dezertorësh.

Sepse kishte një kauzë shumë të lartë: Lirinë!

A nuk e meritonte respektin tonë, ai dhe Tomë Ndoja, dy martirët e revoltës, për të cilët nuk ishte i mjaftë pushkatimi, por ministri i Brendshëm i kohës urdhëroi t’i shkuleshin edhe sytë e të jepeshin për studime shkencore.

Po ata që dolën nga galeritë të vdekur e me kokë të shtypur, po ata që u shqyen nga ujqërit, sepse pas lirimit duhet të ktheheshin në këmbë maleve nëpër dimër për të mbërritur në shtëpi?

Pse u dhunua Spaçi nga barbarët, duke ia fshirë të gjitha gjurmët me mjetet e rënda të minierës përbri?

Dhe që të mos shqetësohet kanakari i politikës atje, do ta çojmë muzeun e Spaçit në Rreps? Kjo është e dënueshme dhe PD duhet ta çojë menjëherë në SPAK, se ky është korruptim sa të tjerat, sepse është korruptim historik dhe bën dëm edhe më të madh.

Njëlloj edhe me burgun e Qafë-Barit, ku dheu i minierës tani është bërë pirg në vendin ku dikur bëhej apeli?

Por ne këtu, dhe ca atje jashtë, na ka mbytur keq e ngimja dhe padija, ndaj po e mbyll me fjalët Orwell-it siç e nisa, kur thotë se ndonjëherë “liria është skllavëri dhe padija është pushtet”, dhe mjerisht me ne shqiptarët kjo ka ndodhur së paku në tetëdhjetë vitet e fundit të shtetit, duke e ndërtuar atë mbi plagët e të tjerëve.

Profesionet e lira, parapaguajnë tatimin e shtuar

Nga Elira Kadiu

Që nga 1 janari i këtij viti, rreth 17 mijë profesionistë të lirë dhe të vetëpunësuar në Shqipëri do të tatohen 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për fitimet mbi këtë shumë.

Fillimisht u tha se shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke ulur një referencë prej 30% që janë shpenzime të zbritshme, mbi fitimin e gjeneruar. Formula e përllogaritjes së kësaj skeme të re tatimore, do të aplikohet vetëm mbi pjesën e mbetur të fitimit, pasi nga totali i të ardhurave vjetore të jenë zbritur kostot e shpenzimeve që përllogariten deri në 30% si dhe paga minimale.

Profesionistët e lirë kanë ngritur shqetësimin se ligji nuk po zbatohet në mënyrë korrekte, pasi nuk po aplikohet kjo zbritje.

Aktualisht ato po parapaguajnë taksa shtesë, të cilat Drejtoria e Tatimeve deklaroi se do të zbriten dhe rimbursohen në momentin e deklarimeve vjetore, pra në mars 2025.

Administrata Tatimore me anë të një shkrese të dërguar bizneseve ka sqaruar se për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023.

“Ju inkurajojmë të pasqyroni saktë të dhënat në Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi Fitimin apo Tatimit te Thjeshtuar mbi Fitimin, për vitin 2023, në lidhje më të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, pasi këto të dhëna do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024” – citohet në shkresën e tatimeve.

Sipas listës së publikuar në Fletoren Zyrtare, me vendimin nr 753, të datës 201.12.2023 në këtë taksim progresiv përfshihen 26 lloje aktivitetesh, të ndarë në 169 profesione. Përmendim këtu disa prej tyre si fotografi, videograf, prodhues të programeve, regjistrues të audiove për muzikë, aktivitete të IT, siguruesit, financier, ndërmjetësues financiar, prodhues filmash etj.

Për ta bërë sa më konkrete sesa para do t’i hiqen nga xhepat profesionistëve të lirë, Citizens kontaktoi disa prej tyre.

“Operoj në fushën e shërbimeve të fotove dhe videove, fitimi mesatar mujor është rreth 500 mijë lekë të vjetra në muaj”, – thotë Xhemali Moku, fotograf.

Me tatimin e ri ai do të paguajë 7,500 lekë në muaj tatim mbi fitimin pas zbritjes së shpenzimeve, çka do të thotë nga 50,000, ai do të marrë tashmë 42 500 lekë.

“Operoj në fushën e marketing service dhe operoj me nipt. Fitimet e mia variojnë në bazë të projekteve dhe mund të jenë nga një mijë deri në 1500 euro” – rrëfen Marjana Murja.

Me taksimin 15%, për fitimin prej 1500 euro në muaj, Marjana do të humbasë plot 225 euro. Nëse do të ruajë këtë ritëm fitimi, në fund të vitit ajo do të paguajë 2700 euro taksim.

Për t’i shpëtuar kësaj forme taksimi shumë të rinj të vetëpunësuar kanë zgjedhur shtetin fqinj Kosovën.
“Tatimi në Kosovë është progresiv, fillon nga zero përqind deri në dhjetë përqind dhe transparenca është shumë më e madhe. Në kohë reale e di sa kontribute pensionale ke në llogarinë tënde, sesi mund ti menaxhosh ato në të ardhmen” – tregon për Citizens, Natasha Paja, e cila punon si grafik – dizajner.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” në Gjykatën Kushtetuese

Më 18 Qershor 2024, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë tre paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” .

Padia e parë në Kushtetuese u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin Mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).
Kontabilisti Sotiraq Dhamo shpjegon për Citizens se muk ka mundësi të barazohen të ardhurat nga biznesi me të të ardhurat nga paga, sepse personi fizik që rregjistrohet në QKB, mer përsipër të mbulojë çdo kosto të tij, përfshirë edhe lejet e zakonshme, pasi edhe lejen e paguan vetë.

“Taksimi i ri është diskriminim me bizneset tregtare sepse janë në të njëjtat kushte. Ata shesin mallra, këta shesin shërbime” – thekson ai.

Dhamo shton se kritikohet edhe metodat e shpenzimeve afrofe, pasi ligji thotë se bizneset e vogla mund të zgjedhin një regjim të thjeshtuar, që do të thotë një tregtar që shet mallra në market, ka të drejtë që 90% nga xhiro vetë ti quaj shpenzime dhe mbi 10% që ngelet të llogaritet pjesa e tatueshme.

“Shërbimet profesionale, si kontabilist, auditues dhe avokat konsiderohen si shpenzime 30%, quhet fitim 70%. Nuk ka biznes të ketë fitime 70% dhe të tatohet 70% “- përfundon ai./ https://citizens.al/2024/05/30/profesionet-e-lira-parapaguajne-tatimin-e-shtuar/

Rritja e shpenzimeve, “tkurr” kursimet e shqiptarëve

Depozitat në paranë e gjerë kanë vijuar rënien me ritme të shpejta edhe në muajin prill, duke konfirmuar një tendencë recesioni gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti. Që prej fillimit të vitit aktual, depozitat janë “tkurrur” me 2.3%.

Shifrat e prillit flasin për 1.29 trilionë lekë depozita, nga rreth 1.30 trilionë lekë të muajit paraardhës. “Tkurrja” e depozitave në paranë e gjerë ka nisur që në muajin prill të vitit të kaluar, duke u ndalur në gusht dhe një kthesë pati edhe në tetor dhe dhjetor të vitit që lamë pas. Në muajin e katërt të këtij viti, depozitat në paranë e gjerë janë tkurrur me 0.85%, ose 11 miliardë lekë krahasuar me një muaj më parë. Ndërsa, krahasimisht me muajt e tjerë vëmë re se rënia përllogaritet në 1.9% me shkurtin dhe 2.3% me janarin.

Krahas analizës së përgjithshme, “Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar trendin e lëvizjes së depozitave në lekë dhe në valutë. Sa i përket kursimeve në lekë, rënia mujore përllogaritet në 1.2% ku depozitat kanë zbritur pranë 580 miliardë lekëve, nga 587 miliardë që regjistroheshin në muajin mars. Nga ana tjetër, depozitat në valutë kanë zbritur pranë 708 miliardë lekëve duke regjistruar një rënie më të vogël se ato në lekë, prej 0.56%.

Kjo rënie e përgjithshme e depozitave në paranë e gjerë ka ardhur si pasojë e kontributit negativ të shumicës së agregatëve monetarë. Sipas analizës, vetëm depozitat pa afat rezultuan me rritje 0.4%. Por, kjo rënie e depozitave totale mund të shpjegohet edhe nga faktorë të tjerë si rritja e shpenzimeve konsumatore si pasojë e rritjes së çmimeve që i detyron konsumatorët të konsumojnë më shumë sesa të kursejnë.

Juria e shpall fajtor/ Donald Trump, ish-Presidenti i parë amerikan që dënohet për vepra penale

Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale, pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila tha se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin, në këmbim të heshtjes së saj.

Ish presidenti Trump u shpall fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.

Nderkohe Trump, 77 vjeç, ka mohuar akuzat dhe pritet të apelojë vendimin.

Ish-presidenti amerikan u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, ndërsa ka thënë se “vendimi është i turpshëm dhe gjyqi i montuar”.

“Ky ishte një gjyq i montuar nga një gjykatës i cili ishte i korruptuar…Kjo nuk ka marrë fund, do të vazhdoj të luftoj deri në fund…Verdikti i vërtetë do të jetë më 5 nëntor”, ka shtuar ai.