22.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Del në ankand “Topi i Artë” i Diego Maradonës, mund të kap vlerën e 10 milionë eurove

“Topi i Artë” 1986 i vjedhur që kishte si zotërues në fillimet e tij Diego Armando Maradonën do të dal në ankand për publikun më datë 6 qershor.

Këtë gjë e ka bërë vetë të ditur gjykata gjygjësore e Nenterres, e cila pohoi se “Topi Artë” ka të drejtë të shitet nga pronari që e zotëron tani. Ai quhet Abdelhamid B, dhe e bleu këtë trofe në vitin 2016 për vetëm 1.20 euro, pa e ditur se ishte i vërteti.

Familjarët e Maradonës pretendojnë që “Topi i Artë” u takon atyre dhe se është vjedhur padrejtësisht në fundin e viteve 1980-të.

Lufton një prej sëmundjeve më të zakonshme, ja pse duhet të konsumoni mjaltin e hikrrës

Tensioni i lartë i gjakut është një prej sëmundjeve prej së cilës shqiptarët vuajnë më shumë.

Sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, tensioni i lartë i lartë i gjakut që futet tek sëmundjet kardiovaskulare bashkë me diabetin janë dy sëmundjet prej të cilave shqiptarët vuajnë më shumë.

Ushqyerja është një nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen dhe rritjen e prevalencës së hipertensionit, sëmundjes që ndryshe njihet si vrasësi i fshehur.

Ushqimet që nxisin më shumë rritjen e tensionit të lartë të gjakut janë:

  • Mishi i kuq
  • Të skuqurat,
  • Ushqimet industriale të përpunuara
  • Salcat e paketuara të domates
  • Turshitë e gatshme
  • Alkoli
  • Ëmbëlsirat e paketuara
  • Pijet energjike

Ushqimet që ulin tensionin e gjakut

Sipas studimeve, ushqimet e sugjeruara për uljen e tensionit të gjakut duhet të jenë të pasura me kalium, magnez, kalcium, acide yndyrore dhe antioksidantë që zgjerojnë enët e gjakut dhe përmirësojnë qarkullimin e tij.

Bëhet fjalë për:

  • Frutat e pyllit,
  • Drithërat e plota siç është tërshëra
  • Barishtet,
  • Panxhari i kuq,
  • Qumështi i skremuar dhe produkte të tjera të bulmetit me pak yndyrë
  • Çokollata e zezë
  • Selinoja
  • Peshku
  • Brokoli
  • Fasulet e zeza,
  • Lulerradhiqja
  • Mjalti

Mjalti dhe tensioni i lartë i gjakut

Mjalti përmban oligosakaride, një lloj karbohidrati që luan rolin e antioksidantit dhe që ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut.

Veç oligosakarideve, mjalti është i pasur me vitamina, probiotikë, minerale, amino acide dhe enzima të ndryshme që ulin tensionin e gjakut.

Ndër produktet më të rekomanduara të mjaltit kundër tensionit të lartë është ai i hikrrës.

Ky mjaltë që vjen nga fara e frutit të bimës përmban nivele të larta polifenolësh që e transformojnë atë në një mburojë të mirë kundër kolesterolit të lartë, tensionit të lartë të gjakut, sëmundjeve kardiovaskulare dhe anemisë.

Ai ka edhe plot vlera të tjera të rëndësishme. Ky mjaltë ndihmon dhe mbështet sistemin imunitar me antioksidantë, shëron kollën dhe dhimbjet e fytit dhe i bën jashtëzakonisht mirë lëkurës. /AgroWeb.org

Kthupi: Komisioni antikorrupsion i mazhorancës, rast propagande i mirëfilltë

Juristi, Rezart Kthupi i ftuar në emisionin ‘’Drejt’’ në Ora News u shpreh se komisioni antikorrupsion i PS-së është një propagandë e mirëfilltë.

Kthupi: Ky është një rast propaganda i mirëfilltë.

Qeveria është ana ekzekutive e forcës politike që sot drejton vendin, kur themi drejton vendin ka edhe shumicën parlamentare.

Kjo mazhorancë parlamentare sot është një mazhorancë që ka kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin.

Dhe ka në përbërje të kabinetit të saj në ministri që është ministria për luftën kundër korrupsionit.

Kemi një ministri ne e cila prezupozohet të luftojë korrupsionin. Korrupsioni jonë është në nivele të tilla, që qeveria detyrohet të krijojë një ministry që të koordinojë luftën kundër korrupsionit.

Pabarazi gjinore në këshillat bashkiake, gratë flasin pak dhe shpesh u kërkohet nga kryetarët që ta mbyllin gojën

Shqipëria miratoi barazi gjinore në këshillat bashkiake në vitin 2015. Gati dhjetë vjet më vonë, një studim zbulon se ende burrat flasin në mbi 70% të rasteve ndërsa gratë, kur flasin, përballen shumë më shpesh se sa burrat me urdhrin e kryetarit për ta mbyllur gojën.

Një studim mbi debatet në këshillat bashkiake të vendit i publikuar në Tiranë të enjten, zbuloi se barazia gjinore e siguruar përmes kuotave dhe detyrimit të partive politike për të prezantuar lista të mbyllura kandidatësh me përbërje të barabartë të kandidatëve  dhe kandidateve, duket se nuk është shoqëruar me një përmirësim në diskursin politik në këto këshilla, ku burrat vijojnë të dominojnë në masë dërrmuese dhe ku gratë, kur flasin, rrezikojnë 2.5 herë më shpesh se sa burrat që të ndërpriten.

Studimi me titull Kur numrat gënjejnë, me autore Marsela Dauti dhe Geldona Metaj, u realizua Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në prill të vitit 2015, kuota gjinore të barabarta në këshillet bashkiake, ndërsa vendi zbatoi një reformë administrative dhe territoriale, e cila gjerësisht u pa si një instrument që, ndërsa synonte rritjen e eficiencës në administrim, sillte dobësim të përfaqësimit politik dhe të demokracisë vendore. Reforma gjithashtu nuk i shpëtoi praktikave të ‘gerrimanderizimit’ të hartës elektorale dhe krijimit të disa bashkive të vogla dhe jofunksionale si rrjedhojë e pazareve politike mes partive që përbënin aleancën qeverisëse në atë kohë.

Gjithsesi, manovrat politike mes partive në pushtet bënë që, ndonëse ligji parashikonte barazi gjinore, në praktikë në zgjedhjet e vitit 2015, në asnjë prej bashkive të vendit nuk pati përfaqësi të barabartë ndërsa në disa, gratë përbënin vetëm 10 apo 20% të këshilleve. Kjo ndodhi për shkak se të fortit e zonave garojnë nën emrin e partive të vogla, të cilat në mënyrë tipike fitojnë vetëm një mandat, të parin e listës, i cili është mashkull.

Situata u përmirësua në zgjedhjet pasuese falë rregullave shtesë, e megjithatë, edhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, manovrat elektorale bënë që gratë të zinin 43% të këshillave dhe jo 50%.

Pabarazia duket akoma më e lartë në analizën e debateve të zhvilluara në këshillat bashkiake.

Gjatë periudhës gusht-dhjetor 2023, periudhë në të cilën përfshihet konstituimi i këshillave të reja bashkiake pas zgjedhjeve si dhe debatet mbi projektbuxhetin e secilës bashki që zhvillohet zakonisht në dhjetor, studiuesit dhe 11 kërkuesit analizuan 49 mbledhje, debatet e së cilave u transkriptuan.

Ata numëruan 8300 raste kur këshilltarët kanë marrë fjalën dhe zbuluan se hendeku gjinor në marrjen e fjalës është i lartë.

“Burrat e morën fjalën 6,169 herë (74.33%) dhe gratë e morën fjalën 2,131 herë (25.67%)”, shënohet në studim.

“Burrat dominojnë diskutimet në të gjitha këshillat e marrë në studim. Dominimi i burrave në diskutime ndihet veçanërisht në këshillin bashkiak të Korçës (81.05%), Malësisë së Madhe (84.80%), Pukës (80.97%), dhe Sarandës (85.53%). Figura 3 paraqet numrin e herëve që këshilltarët kanë marrë fjalën—të ndarë sipas gjinisë—në secilin këshill bashkiak,” thuhet më tej në studim.

Gratë këshilltare përballen shumë më shpesh se sa burrat me ndërprerjen e fjalës, edhe pse flasin më rrallë.

“Ndërprerja e fjalës mund të vinte nga Kryetari i këshillit, këshilltarë të tjerë, apo administrata e Bashkisë. Grupi i punës evidentoi 977 raste të ndërprerjes së fjalës (11.77%),” theksohet në studim.

“Grave ju ndërpre fjala 453 herë nga 2,131 herë që e morën fjalën (21.26%); ndërkohë, burrave ju ndërpre fjala 524 herë nga 6,169 herë që e morën fjalën (8.49%). Me fjalë të tjera, grave u ndërpritet fjala rreth 2.5 herë më shpesh se burrave.”

Këshillat bashkiake në Shqipëri zgjidhen nga listat e mbyllura të partive politike. Qytetarët votojnë për një parti të caktuar, e cila nga ana e vet, përcakton kandidatët për këshilltarë. Besohet gjerësisht se mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike, pamundësia e qytetarëve për të zgjedhur se cilët prej kandidatëve duan të dërgojnë në këshill apo dominimi i diskursit publik nga krerët e partive kombëtare edhe në rastet e zgjedhjeve për pushtetin vendor, i ka bërë këshillat bashkiake institucione të dobëta, të paafta për të mbajtur llogaridhënës kryetarin apo kryetaren e bashkisë apo stafin e bashkisë. Kjo bën që këshilltarët bashkiakë të kenë pak fuqi reale për të ndikuar politikëbërjen në nivel vendor.

Studimi rendit një numër rastesh të cilësuara nga studiuesit si “praktika autokratike” në të cilat, mbledhjet e këshillave bashkiake u dominuan nga kryetari, këshilltarëve nuk iu dha përgjigje për pyetjet e ngritura apo, në një rast, një kryetare bashkie kritikonte këshilltarët se pse ata bënin pyetje.

“Gjatë analizimit të mbledhjeve vëzhguam praktika që na shqetësuan së tepërmi. Konkretisht, këshilltarët e partisë në pushtet iu kërkonin këshilltarëve të opozitës të mos ngrinin pyetje në këshill, por t’i kërkonin përgjigjet vetë në zyrat e Bashkisë; sulmuan një organizatë jo-qeveritare për të dëmtuar reputacionin dhe besueshmërinë e organizatës tek publiku; si dhe iu kundërpërgjigjën kritikave ndaj Bashkisë me falenderime drejtuar Kryetarëve të Bashkisë apo qeverisë qendrore,” thuhet në raport

Raporti vëren gjithashtu se, megjithëse mjetet ekzistojnë që këshillat bashkiake të bëjnë transmetim në internet, administratat e disa bashkive dukshëm kontrolluan transmetimet për llogari të kryetarit.

Intervistat e thelluara me gratë anëtare të këshillave vunë në dukje faktin se pozita e tyre brenda partive përkatëse është shumë më e dobët se sa ajo e burrave dhe se ato nuk ndjehen të sigurta se do të rikandidohen. Ato raportuan gjithashtu edhe për sjellje mizogjene nga burrat dhe komente të llojit “u bëre ti” apo “ju nuk dini gjë” apo te fakti se propozimet e tyre apo kërkesat e tyre për informacion thjeshtë injorohen si të parëndësishme.

Barazia gjinore në vendimmarrje është një çështje e debatuar gjerësisht në të gjithë botën ndërsa barazia numerike është shpesh më e lehtë të realizohet në vendet ku pushteti është i përqendruar në duar të caktuara dhe ku parlamentet apo këshillat kanë rol figurativ.

Aktualisht në Shqipëri, më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit të Ministrave janë gra dhe afërsisht një në çdo tre deputetë është grua gjithashtu. Edhe shumë vende me kredenciale të pakta demokratike, si Arabia Saudite, Koreja e Veriut apo Ruanda kanë përfaqësi të lartë të grave nëpër këshille apo parlamente, por kjo dukshëm tregon të kundërtën e asaj që shtiret.

“Liderët autokratë përdorin rritjen numerike të grave në politikë që të përmirësojnë reputacionin në arenën ndërkombëtare, të legjitimojnë pushtetin në sytë e publikut dhe të organizatave të shoqërisë civile, apo të zhvendosin vëmendjen nga krizat politike apo ekonomike—strategji këto që i ndihmojnë të qëndrojnë më gjatë në pushtet,” vërejnë studiueset në raport, duke iu referuar studimeve të shumta ndërkombëtare mbi keqpërdorimin e grave për të maskuar mungesën e demokracisë.

“…reformat e barazisë gjinore transformohen në një instrument manipulues që edhe pse duket sikur nxisin qeverisjen e mirë, në realitet e dobësojnë atë,” nënvijëzon studimi.

Shkruar nga Gjergj Erebara për Reporter.al

KLSH gjen 20 mln euro dëm dhe menaxhim jo efektiv të parave publike në janar-prill 2024

Në 4-mujorin e parë të vitit Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar 29 subjekte nga të cilat 8 të qeverisjes qendrore dhe 21 njësi të vetëqeverisjes vendore duke konstatuar një dëm ekonomik dhe menaxhim jo efektiv të fondeve në vlerën mbi 2 miliardë lekë apo rreth 20 milionë euro.

Në buletinin e parë të këtij viti KLSH nënvizon se “gjatë periudhës janar-prill 2024, janë dhënë 134 rekomandime mbi gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për total vlerën 2,107,937 mijë lekë, nga të cilat: dëmi ekonomik vlerësuar 20,790 mijë lekë, menaxhimi jo efektiv i fondeve në vlerën 2,000,168 mijë lekë dhe 86,979 mijë lekë në mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor/doganor”.

Raporti analizon se vlera e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik* në buxhetin e shtetit, është konstatuar në fushën e shpenzimeve, në zërin “Shpenzime në procedura prokurimi dhe zbatim punimesh” në shumën 20.6 mijë lekë, sa i takon shkeljeve në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit, likuidimit të faturave për zërat e punimeve të pa kryera etj, ku peshën më të madhe e zënë subjektet si: Bashkia Fier në vlerën 5.2 mijë lekë; Bashkia Shkodër në vlerën 3.66 mijë lekë; dhe Bashkia Lezhë në vlerën 1.66 mijë lekë.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë periudhës janar – prill 2024, ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 2 miliardë lekë nga të cilat: 1.85 miliardë lekë në fushën e të ardhurave (ose rreth 93% e totalit) kryesisht në të ardhurat e qeverisjes lokale” nënvizon KLSh.

Duke u ndalur në analizimin e fushave se nga ka ardhur ndikimi negativ tek bashkitë, audituesit konstatojnë se këto lidhet me detyrime për taksat dhe tarifat vendore, mos tarifimit/përllogaritjes së gabuar/mos aplikim të kamat vonesave për përdorimin e pronave të bashkisë nga subjektet private; detyrimeve të pashlyera për subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtimit të lëndëve djegëse me pakicë etj; dhe 145.9 mijë lekë në fushën e shpenzimeve (ose rreth 7% e totalit), si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keq menaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor./Monitor

BE rrëzon propagandën: Shqipëria, e fundit për pastërtinë e plazheve

“Shqipëria, Maldivet e Europës”, “Thesari i fshehur i Mesdheut”, “Perla e Adriatikut”, “Plazhet përrallore”, “Bregdeti më i bukur i Jonit”… Të tillë tituj i keni hasur me siguri në mediat apo portalet pranë qeverisë prej të paktën një viti. Të shpërndara me kujdes propaganda qeveritare ato kanë pasur si synim krijimin e një realiteti tjetër tek i cili shqiptarët duhet të besojnë.

Por reportazhet e paguara me foto të retushuara, shkrimet e porositura, editorialet e kërkuara janë rrëzuar nga një raport i Bashkimit Europian i publikuar këtë të mërkurë mbi cilësinë e ujërave të larjes në plazhe, liqene e lumenj në 27 vendet e Unionit duke përfshirë, Zvicrën dhe Shqipërinë. Ky raport i hartuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit e rendit Shqipërinë të fundit të listës sa i takon pastërtisë së ujërave të larjes qofshin këto në det, liqen apo lumenj.

Për të qenë të qartë që në fillim. Është e vërtetë se Shqipëria ka njohur një rritje të numrit të turistëve dhe vëmendjes së vizitorëve të huaj në dy vitet e fundit. Kjo lidhet se pari me investimet private në sektorin e hoteleri-turizmit, çmimet e lira në krahasim me fqinjët si dhe me reklamimin e mirë nëpërmjet rrjeteve sociale, sidomos Instagram dhe TikTok.

Ajo që duhet të kishte bërë qeveria shqiptare ishte të krijonte një mjedis të sigurt dhe të pastër. Dhe raporti i fundit e ngel atë në klasë.

Raporti

Raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit i siguruar nga lapsi.al ka analizuar gjatë vitit 2023 ujërat e larjes në dy parametra specifikë të rëndësishëm shëndetësorë: Përmbajtja e bakterit Escherichia Coli dhe Enterokoket e zorrëve.

Për këtë u analizuan mostrat e marra nga ujërat në 22 mijë lokacione ku 85% e tyre u vlerësuan të shkëlqyera. 96% e ujërave plotësonin standardet minimale të cilësisë. Cilësia e ujërave të larjes bregdetare është përgjithësisht më e mirë se ajo e lumenjve dhe liqeneve. Në vitin 2023, rreth 89% e ujërave të larjes bregdetare të BE-së u klasifikuan si të shkëlqyera.

Shqipëria

Agjencia Europiane e Mjedisit analizoi ujërat në 119 lokalcione në Shqipëri. Vetë 41.2% e ujërave ku lahen njerëzit në Shqipëri janë të një cilësie ekselente. Pjesa tjetër është klasifikuar e një cilësie “të mirë”, “të mjaftueshme” ose “të varfër”.

Ujërat më të pastra në Europë u përkasin 4 vendeve: Qipros, Austrisë, Kroacisë dhe Greqisë. Duket qesharake që në disa nga shkrimet e porositura në mediat e huaja, Shqipëria krahësohet pikërisht me Greqinë dhe Kroacinë.

“Në Austri, Belgjikë, Bullgari, Maltë, Luksemburg dhe Rumani të gjitha ujërat e larjes përmbushnin të paktën standardin minimal të cilësisë në vitin 2023. Megjithatë në 5 vende: Shqipëri, Belgjikë, Estoni, Hungari dhe Poloni, më pak se 70% e ujërave të larjes ishin me cilësi të shkëlqyer.

Një nga kërkesat kryesore ka qenë garantimi që të gjitha ujërat e banjës të jenë të cilësisë të paktën “të mjaftueshme” deri në vitin 2015. Në vitin 2023, kjo kërkesë është plotësuar nga 96% e të gjithë ujërave të vendeve të BE-së” – thuhet në raportin e Agjencisë Europiane të Mjedisit … që me siguri nuk do ta gjeni në shumë media shqiptare.

Zgjaten me 3 muaj afatet hetimore për inceneratorin e Tiranës

GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të shtyrë edhe me tre muaj afatin e hetimit të dosjes së incineratorit të Tiranës.

Kërkesa për më shumë kohë është bërë nga SPAK dhe vjen pas disa dëshmive të zyrtarëve të lartë

Koha në dispozicion do të shërbejë që akuza të regjistrojë akuzat për emrat e përfshirë në këtë aferë dhe për rolin që ata kanë pasur.

Pas kësaj verifikimet do të vijojnë me masën e sigurisë mbi personat që do të ketë dyshime për shkelje të ligjit.

Në 15 maj në SPAK u paraqit zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në deklaratë ajo theksoi se ka ardhur koha që kjo çështje të zbardhet për të ndarë një herë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi pafalshëm,

Për të njëjtën çështje në 30 prill për rreth 7 orë dha dëshminë edhe kryetari I bashksë së tiranës Erion Veliaj.

Ndërkaq për koncesionin prokuroria e posaçme ka ngritur akuzën për 15 persona edhe pse çështja nuk ka përfunduar.

Duket se me rritjen e temperaturave prokuroria e posaçme do të mbyll detajet për një nga dosjet më të debatuara në vend, që nisën me inceneratorin e Elbasanit, të Fierit dhe në fund me koncesionin e mbetjeve në kryeqytet.

Ora News

SPAK kontroll tek kompania e Besnik Halilit, që doli në përgjimet e Ndraghetas, sekuestrohen 11 celularë

Nga Elton Qyno – Ditar.al

Zyrat e Grupit “G.T.S” në Shqipëri që administrohen nga biznesmeni Besnik Halili, i cili zotëron monopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, i janë nënshtruar një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

Edhe pse shumë i vonuar, hetimi nr.17 i rregjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda tre viteve ka kryer një seri verifikimesh, ku është provuar se zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oligarkut të oksigjenit Besnik Halili.

Hetimi i këtij rasti ka nisur pas shkrimeve në media lidhur me bisedat e transkriptuara nga Autoritet Italiane të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se italianët e klanit mafioz “Ndragheta”, Antonio Gallo, Antonio Speziali dhe Claudio Larusa, flasin për një person shqiptar i njohur prej tyre me emrin “Nik”, i cili sipas bisedave, kishte lidhje në Bashkinë Tiranë dhe mund të siguronte leje ndërtimi të objekteve të reja që po ndërtoheshin në qëndrën e Tiranës kundrejt rryshfetit të dhënë tek punonjësit e Bashkisë Tiranë.

Po kështu, sipas bisedave, personi i cili njihej me emrin “Niku” kishte marrë pjesë dhe ishte shpallur fitues dhe në disa tendera të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, ku sipas mediave operonte kryesisht në fushën e furnizimit të spitaleve me oksigjen.

Sipas SPAK nga bisedat e zhvilluara nga shtetasit Italianë rezulton se ka dyshime, se të ardhurat me të cilat janë krijuar dhe përdorin këto shoqëri për të realizuar veprimtarinë e tyre, burojnë kryesisht nga aktivitetet e kundërligjshme të kryera në kuadër të krimit të organizuar i cili vepron në Territorin e Shtetit Italian dhe në Republikën e Shqipërisë.

Nga verifikimet e bëra nga SPAK, ka rezultuar se personi i njohur me emrin “Nik” është Besnik Halili, i cili është themeluesi dhe administratori i shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”

Halili rezulton të ketë ngritur një zinxhir kompanish si “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, ”Hydro Energy Sotira”, “Idro Energia Pulita”, “Adr-Trans”, “Green Tech”, “N3H”, “Messer Albagaz”, “Sofigaz”, “Sapio Produzione Idrogeno” ku në disa prej këtyre qëndron si pronar në hije, duke kryer dhjetëra transaksione të dyshimta.

Përmes këtyre kompanive, SPAK dyshon shumë se janë lëshuar fatura fiktive duke sjellë transaksione bankare për fshehje.

Sipas dosjes hetimore të siguruar ekskluzivisht nga Elton Qyno rezulton se nga periudha e vitit 2014 deri në vitin 2020, shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” që administrohet nga Besnik Halili, ka lidhur 223 kontrata me autoritet kontraktor, kryesisht në furnizimin me gazra teknike mjekësore, ndër të tjera me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe me Drejtoritë e Spitaleve Rajonale.

Gjatë hetimit të këtij rasti SPAK, ka kërkuar nga Agjensia e Prokurimit Publik, të gjitha kontratat që janë lidhur me këtë subjekt.

Në datën 23 shkurt 2021 informon SPAK se “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” është një shoqëri e krijuar nga shoqëria italiane S.O.L s.p.a dhe më saktë kjo e fundit ka 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

“…në këto rrethana shoqëria “S.O.L” s.p.a funksionon si një shoqëri guaskë…”-thuhet në dosjen e SPAK.

Të nisur nga dyshimet të forta se punonjës të kompanisë dhe zyrtarë shtetërorë kanë paracaktuar në tavolinë tenderat me vlera miliona euro, në datën 20 Maj 2024 SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në zyrat e biznesmenit Besnik Halili dhe tek rrethi i punonjësve të kësaj kompanie.

Gazetari Elton Qyno, ka siguruar dokumenta që tregojnë se SPAK dhe BKH, kanë kryer bastisje në zyrat e grupit “S.O.L”, duke sekuestruar prej andej kompjuterat, dokumenta dhe aparate telefonike.

Veprimet e SPAK janë kryer nga prokurori Sotir Kllapi, i cili ka autorizuar 14 oficerë të BKH-së, për ekzekutimin e veprimeve kontrolluese.

Më konkretisht kontrollet janë kryer tek zyrat e kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kontroll personal i është bërë biznesmenit Besnik Halili, të cilit i është marë telefoni dhe sende të tjera elektronike.

Më tej kontrolli është kryer dhe tek bashkëshortja e Besnik Halilit, Luneda Sufali, e cila ka qënë ish-punonjëse e kompanisë së tij. Sufali aktualisht drejton Shërbimin Social Shtetëror.

Luneda Sufali ka ka qenë Drejtore e administratës në kompaninë private “GTS”, para se Edi Rama ta emëronte në 2014 në krye të Lojërave të Fatit. Karriera e saj ka vijuar me ngjitje që prej asaj kohe.

Në nëntor të vitin 2015, për arsye të pasqaruara, Sufali jep dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe emërohet Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.

Më pas, në nëntor 2017, zonja Sufali emërohet Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndoshta për rastësi, por paralel me progresin në karrierë të Sufalit, kompania “GTS” forcon pozitat e saj në tenderat publikë të oksigjenit mjekësor, aq sa sot ka arritur të jetë në fazë “monopoli”.

Kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe vëllai i Besnik Halilit, Ergys Halili, i cili është administrator i kompanisë “NCI”, kjo e fundit ka kryer dhjetëra transferta të shumta parash me shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.

Telefonat dhe kompjuterat i janë marë shtetasit Aldo Muça, administrator i kompanisë “N3H”, shoqëri e cila ka transferta të shumta bankare me kompanitë e administruara nga Besnik Halili.

Kontrollit i është nënshtruar dhe Gerti Idrizi, i cili është punonjës i “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe figuron si përfaqësues ligjor në QKB tek të gjitha shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.

Valës së kontrollit nuk i ka shpëtuar dhe Alban Zoraqi, Elona Hoxhafi, të cilët janë financierët kryesorë dhe njerëzit që kanë kryer veprime të transfertave bankare tek të gjitha kompanitë e administruara nga Besnik Halili.

Gjithashtu kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe tek Ardian Strazimiri, administrator i kompanisë “Sofigaz”, i cili rezulton në marrëveshje me Besnik Halilin, për përcaktimin paraprak të ofertave në procedurat e tenderave publikë.

BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.

Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri. Kjo kompani në shumë raste rezulton të jetë fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.

Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.

Hetimet për këtë rast vijojnë dhe në ditët në vijim do ketë zhvillime.

Personat e kontrolluar

1. Besnik Halili administrator i shoqërisë “G.T.S-Gazra Teknike Shqiptare”.

2. Luneda Sufali partnerja e Besnik Halilit

3. Ergys Halili vëllai i Besnik Halilit, njëherësh administrator “NCI”

4. Aldo Muça administrator i “N3H”

5. Gerti Idrizi përfaqësuesi i të gjitha kompanive të Halilit në QKB

6. Elona Hoxhafi financiere e të gjitha kompanive të Halilit

7. Ervin Tushe hartues i specifikimeve tekenike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga “G.T.S”.

8. Alban Zoraqi financier i autorizuar në të gjitha kompanitë e Halilit.

9. Ardian Strazimiri administrator i shoqërisë “Sofigaz”.

10. Migel Zallëmi shefi i financës në kompaninë “Messer Albagaz”.

11. Stojan Angjellari menaxheri teknik i shoqërisë “Messer Albagaz”.

12. Ela Strazimiri specialiste e financës në shoqërinë “Messer Albagaz”.

Bashkimi Europian jep dritën jeshile, pritet vendosja e FRONTEX-it në territorin e Serbisë

Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka dhënë dritën e gjelbër për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë në veprime të përbashkëta për kontrollimin e migrimit ilegal.

Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e migrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it.

BE-ja ka njoftuar se Këshilli e ka miratuar këtë vendim të enjten në Bruksel.

“Marrëveshja do t’u mundësoj BE-së dhe Serbisë që të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do t’i ndihmojnë Serbisë për të menaxhuar valët e migrimit, të veprojë kundër imigrimit të paligjshëm dhe të luftojë kundër krimeve tejkufitare”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.

BE-ja edhe deri më tash ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë. Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.

FRONTEX është agjencia e BE-së përgjegjëse për zbatimin e menaxhimit të integruar evropian të kufijve, funksionimin efektiv të kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së në koordinim me autoritetet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit (Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Norvegjia).

Agjencia është përgjegjëse për menaxhimin e kufijve, sigurinë e brendshme brenda BE-së dhe menaxhimin e migracionit, duke përfshirë një politikë efektive të kthimit, duke ruajtur lëvizjen e lirë të personave brenda unionit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore.

Bashkimi Evropian tashmë ka marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Për Bashkimin Evropian marrëveshjet me vendet fqinje për t’i mundësuar FRONTEX-it të veprojë në territorin e tyre, janë identifikuar si të domosdoshme për të penguar që ato të jenë rrugë transiti për imigrimin masiv ilegal për në vendet e BE-së.

E ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike” që ndiqet nga migrantët, vazhdon të jetë shqetësuese për BE-në, e cila ka për qëllim që numri i imigrantëve ilegal që kalojnë përmes saj drejt BE-së, të zvogëlohet.

Për shkak të numrit të madh të imigrantëve ilegalë që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, Sllovenia ka suspenduar zbatimin e rregullave të Schengenit në kufirin me Kroacinë dhe ka vendosur kontrollet kufitare në atë pikë kalimi.

Pos bashkëpunimit me FRONTEX-in, BE-ja pret nga vendet e rajonit që t’i përshtaten dhe politikës së vizave të BE-së për qytetarët e vendeve të treta. Kjo ka për qëllim parandalimin e futjes me lehtësi të imigrantëve pa viza në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe kalimin ilegal në vendet e BE-së, si në Kroaci apo Hungari.

BE-ja pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në menaxhimin e përbashkët të imigrimit, pasi qytetarët e tyre gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në vendet e bllokut./rel

“Zervistët i prenë kokën djalit dhe më pas të atit”- Si u masakruan Nuh Muhedini bashkë me të babain pak ditë pas martesës! Zbardhet dëshmia e nënës së tij

HAJREDIN ISUFI & ENVER KUSHI/ Sali Muhedini nga Paramithia ishte pinjolli i një familjeje nga paria e shqiptarëve të qytetit të Paramithisë. Lindi në 1878 dhe ishte i biri i Afuz Muhedinit, kryebashkiak i Paramithisë para vitit 1913, në kohën e Perandorisë Osmane. Afuz Efendiu e mbajti atë detyrë deri në 23 shkurt 1913, kur Greqia aneksoi krahinën e Çamërisë.

 

Është me interes të citojmë historianen greke E. Nikolaidu, e cila në veprës e saj “Alvaniqi qimisi sto Vilajeti Joaninon…(1908-1912)”, Janinë 1984, mes të tjerave shkruan, se Tahir Mete ishte takuar me Ismail Qemalin në vitin 1912. Ka dëshmi, se bashkë me Tahir Meten ka qënë dhe Afuz Muhedini. Në një dokument të vitit 1921, ku përfaqësuesit e Komiteteve të Bashkuara të Shqiptarëve iredent, i drejtojnë një memorandum Bonin Longarit, ambasadorit të Italisë dhe anëtar i Konferencës së Paqes shkruhet: ” Të quajturit Afuz Muhedini dhe Tahir Mete Mazreku, nga Paria e Çamërisë vdiqën nga rrahjet në burgun e Janinës, muajin e kaluar.” Nga të njëjtat burime mësojmë, se në qelitë e Janinës nga Paria e Filatit dhe e Paramithisë janë Haki Musai, Musa Demi, Qamil Izeti, Abdi Rojba, Kasem Rusi, Damin Mete, Haxhi Braho… etj.(AQSH, Fondi 251, v.1921, D.44, Fq. 86-88).

Sali Muhedini ishte një pronar i madh tokash dhe dyqanesh jo vetëm në qytetin e Paramithisë por edhe në Janinë. Sali Muhedini është nga figurat kryesore të Paramithisë mes bashkëqytetarëve të tij, si Xhemil Mullai, Aqif bej Dino, Ibrahim Pronjo, Imami Refik Bako, Isuf Pronjo etj, që gëzonte respektin e bashkëqytetarëve të Paramithisë e të rrethinave, pa dallime fetare. Edhe ai vazhdoi traditën e familjes së tij, veçanërisht të të atit, Afuz Muhedinit. Për këtë po citojmë nga burimet arkivore shqiptare, një dokument të rëndësishëm të vjeshtës së vitit 1923, ku përfaqësuesit shqiptarë të Çamërisë, i drejtohen kryetarit të Qeverisë, Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Bujqësisë dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Greqisë, në Athinë.

Në këtë ankesë ngriheshin shumë probleme për gjëndjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve të Çamërisë nga veprimet e Qeverisë së Athinës. Atje theksohej, se sigurimi publik dhe rendi ishte tronditur nga masat shtypëse të organeve greke, për shpronësimet e pronave, për shtimin e grabitjeve të këtyre pronave etj.etj. Mes firmëtarëve të Parisë së Çamërisë, krahas Nushi Pronjos, Myftiut të Margëlliçit, Myftiut të Filatit, Musa Demit etj. është dhe Sali Muhedini, që përfaqëson Parinë e Paramithisë. Ky dokument gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, të Shqipërisë. (F.251,V.1923, D.203, Fq. 278-279) dhe është në gjuhën greke.

Është me interes të citojmë një fakt nga autori grek, Pavlidis, i cili në veprën e tij, shkruan, se peticioni për gjendjen e shqiptarëve të Çamërisë në vitet 1923-1924, nënshkruar nga Paria e Shiptarëve të Çamërisë, ka kaluar në fshehtësi të plotë, pa rënë në sy të autoriteteve vendase. U mendua, që në arkat e ambalazhuara me vezë, peticioni të futej në një guackë veze dhe që andej të kalonte në Gumenicë e më pas në Itali. Këtë informacion Pavlidis e kishte mësuar nga e shoqja e Isuf Musait, nga Paramithia, e cila mburrej me mprehtësinë e të shoqit të saj, për të kaluar peticionet jashtë Çamërisë.

PARAMITHIA NË TRAZIRAT E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Në pranverën e vitit 1941 Çamëria u pushtua nga forcat fashiste italiane, megjithëse Paramithia ishte bastion i dinenjve, vëllezërve Nuri Dino dhe Mazar Dino dhe mbështës të flaktë të pushtuesit fashist, ndikimi i tyre në masën e shqiptarëve të qytetit e të rrethinave ishte i papërfillshëm. Shqiptarët e Paramithisë nuk u pajtuan me veprimet hakmarrëse që kishin filluar vëllezërit Dino kundër të krishterëve në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e 72 martirëve të Çamërisë në vitin 1913. Sali Muhedini dhe paria e shqiptarëve të Paramithisë dhe të fshatrave shqiptare përreth, si Gardhiqi, Karbunara, Njihori dhe Minina etj, u distancuan nga veprimet e klanit të dinenjve, Mazar Dino e Nuri Dino.

Historiani paramithjot, V. Pavlidis, shkruan në veprën e tij, se “distancimi nga klani i dinenjve në fund të vitit 1941 u duk qartë edhe në parinë e qytetit të Filatit nga Musa Demi, Shuaip Mete Llaja, fisi i dojakëve në Filat, nga paria e shqiptarëve të Koskës, Spatarit, Dolanit, Varfanjit. Madje edhe ata që beu i konsideronte si miq të vërtetë, u distancuan prerazi nga fryma e urrejtjes dhe përçarjes, që synonte të realizonte Mazar Dino. *V. Pavlidis, “I alvano tsamides tis periohes Paramithios”, fq. 39-40). Në vitin 1942, Sali Muhedini, në moshën 64 vjeçare, u caktua kryetar i bashkisë së Paramithisë. Në fillim agai i Paramithisë e refuzoi këtë detyrë, por ishte insistimi jo vetëm i parisë myslimane për ta marrë drejtimin administrativ të qytetit e të rrethinave, por edhe i atij ortodoks të qytetit. Arsyeja ishte se Sali Muhedini shquhej për ndershmëri dhe karakter të fortë. Ai, bashkëqytetarët e tij myslimanë, ortodoksë, vlleh, hebrenj, i shihte si një familje e madhe në qytetin e tij, pa dallime fetare dhe me dashuri e respekt.

Në vitin 1942-1943 fshatrat e krishtera malore të Paramithisë, si Selani, Llabanica, Popova etj, sulmoheshin shpesh nga forcat italiane e më pas nga ato gjermane dhe familjet e krishtera të atyre fshatrave izoloheshin e shpesh përballeshin me krizën e urisë.

Sali Muhedini e përjetonte vuajtjen dhe shqetësimin e familjeve të krishtera dhe bashkë me agallarët e Paramithisë dhe fshatrave, bëri ç’është e mundur, që t’i furnizonte fqinjët e tyre të krishterë në këto ditë të vështira me bereqet.* V. Pavlidis ” I alvanotsiamidis”…. Sali Muhedini, ishte agai i Paramithisë, që dallohej për bujarinë dhe humanizmin e tij. Ai në familjen e tij merrte edhe fëmijë të krishterë, që nuk ishin në gjëndje të mirë ekonomike dhe i mbante bashkë me fëmijët e tij, duke i dërguar në shkollë bashkë me fëmijët e tij dhe njësoj të veshur e të mbathur si ata. Kur biseduam para disa vitesh me të krishterë të moshuar, që e kishin njohur nga afër Sali Efendiun, siç e quanin ata, na emocionuan me fjalët zemrës e vlerësimet që shprehnin bashkëqytetarët e tyre të krishterë.

Njëri prej tyre që do t’ia ruajmë anonimatin, na tha: “Ai ka qënë për ne Perëndia. Kushdo që kishte ndonjë hall, Sali Efendiu ja zgjidhte menjëherë. Sali Efendiu në Paramithi as edhe një mizë nuk ka shkelur. Vritej Sali Efendiu? Ah! Ah ç’burrë ka qënë ai!”

SALI MUHEDINI DHE DJALI I TIJ NUHU NË MBROJTJE TË BASHKËQYTETARËVE TË TYRE HEBRE

Në Paramithi kishte disa familje hebrenjsh të ardhur në atë qytet shumë vite më parë nga Janina. Fëmijët e tyre mësonin në shkollën e Paramithisë, bashkë me fëmijët e komuniteteve të tjera të qytetit. Nuh Muhedini vazhdonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Janinë. Ai kishte shumë shokë hebrenj, që nga gjnimnazi i Paramithisë. Njëri prej tyre, që e kishte si vëlla, ishte Sione djali i Erza Bakallos, që edhe ai vazhdonte studimet për mjekësi bashkë me Nuh Sali Muhedinin.

Në vitin 1943 ndaj izraelitëve, kishin filluar përndjekjet dhe çdo ditë jeta e tyre, pa marrë parasysh moshën dhe seksin rrezikohej. Një ditë me shumë ndrojtje, ai iu afrua shokut të fëmijërisë, Nuh Muhedinit dhe me një zë të dridhur i tha:- Kam jetën e familjes në rrezik. A mund të ndërhysh tek babai yt, Sali Eefendiu, të na vijë në ndihmë në këto orë të zeza që kalojmë? – Dhe nga sytë e djalit hebre rrodhën pika loti, që tregonin se ishte tronditur dhe e kishte parandjerë rrezikun që i kanosej familjes së tij.- Çfarë ndihme mund t’u ofrojë babai im? – Ndihma e vetme që mund të na bëjë ai dhe askush tjetër, është të na lëshojë disa letërnjoftime (pasaporta) me emra myslimanësh ose të krishterësh që të largohemi nga qyteti në fshatrat greke në thellësi të Greqisë.

Nuhu ia tha menjëherë të atit problemin që kërkonte ndihmën e kryebashkiakut dhe menjëherë ai i tha të birit t’i thoshte djalit hebre, se do të bënte çmos ta ndihmonte dhe se ishte në nderin e tij, të përpiqej për të mirën e bashkëqytetarëve të tij. Siç kemi mësuar nga dëshmitë e familjarëve të Sali Muhedinit, që mundëm t’u shpëtonin masakrave të bandave të Zervës së 27 qershorit 1944. Sali Muhedini pajisi 5 familje hebrenjsh me dëshmi, identitetet e të cilëve i kishte shënuar në letërnjoftime me disa emra myslimanësh e disa me emra të krishterësh. Hebrenjtë në Paramithi flisnin rrjedhshëm shqip dhe greqisht dhe në të folurit nuk dalloheshin nga vendasit.

Në disa burime historike e dëshmi të besueshme, apo botime që flasin enkas për vitet e luftës në Çamëri, marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve, marrëzitë në vitet e luftës nga elementë të veçantë, shqiptarë të Çamërisë e të krishterë, të cilët të verbuar nga propaganda nacionaliste këtej dhe andej kufirit, shkelën besën, mohuan bukën që kishin ngrënë, në shtëpitë e njëri- tjetrit. E bëmë këtë parantesë, se për Sali Afuz Muhedini, nuk kemi hasur asnjë akuzë, qoftë nga nacionalistë ekstremistë, që janë në vitet e luftës në Çamëri, me përjashtim të të krishterit nga Paramithia Vasil Krapsiti. Ai është autor i disa librave. Është njeri me kulturë. Ka studiuar në shkollën “Zosimea” të Janinës e më pas vazhdoi për filozofi në Universitetin e Athinës. Pavarësisht kulturës, ai mbetet një nacionalist ekstremist, thënë ndryshe një grek “patriot i rremë”. Ai në veprat e tij: “Historia e Paramithisë”, “Historia e Margëlliçit”, “Myslimanët Çamë të Thesprotisë”, vetëm vjell vrer e mllef për shqiptarët çamë. Në mënyrë të veçantë, kur shkruan për historinë e Paramithisë, në qendër të sulmeve vë Sali Muhedinin dhe bijtë e tij, e në mënyrë të veçantë Nuhun.

Ai çamët, bashkëqytetarët e tij edhe Sali Muhedinin i quan “bisha të egra”, “instrument të turpshëm të forcave fashiste” “mbështetës të devotshëm të kriminelit Mazar Dino”. (në imerologio “Ditari”). Një dëshmi autentike është dhe një bashkëbisedim që bëri Vasil Krapsiti me Nuh Muhedinin, vetëm 2-3 muaj para pushtimit të Paramithisë nga batalionet e Napoleon Zervës dhe paramilitarët nacionalistë, që ishin armatosur enkas në sulmin që përgatitej për pushtimin e Paramithisë. Atë takim Krapsiti e përshkruan në “Imerologio” (Ditar), ku shkruan: “Në mëngjesin e së dielës të 23 marsit 1944, më ndali Nuh Muhedini, djali i Sali Muhedinit, kryetarit të bashkisë, të cilin e urrej e më tha: “Nëse rrezikohemi ne myslimanët, do të na mbroni ju bashkëqytetarët e krishterë për të shpëtuar jetët?”.

Përgjigja e Vasilit ishte e menjëhershme: “Jo se mbi ju rëndon ndërgjegja e grupit”-Cila është barra jonë, e shumicës së myslimanëve të Paramithisë, që ndaj të krishterëve kanë shprehur e shprehin ndjenja njerëzore e miqësore e mbështetje në ditë të vështira? Bashkëbiseduesi ia ktheu menjëherë: “… Vetëdija e grupit është anonim.. me një fjalë përgjegjësia për krimet që u bënë ndaj të krishterëve këto 2- 3 vjet mbi ju të gjithë myslimanët e Thesprotisë (Çamërisë)

V. KRAPSITI NË “IMEROLOGIO” (DITAR) CILI ËSHTË AUTORI I KËTYRE SHËNIMEVE?

Në “Imerologio” (Ditarin), më 22.11.1940, ai shkruan, se ishte caktuar nga Komanda e Xhandarmërisë, me këto detyra: Të mblidhte informacione për gjëndjen e të krishterëve në Filat, Gumenicë me 28 tetor kur Italia sulmon Greqinë, të survejonte myslimanët e Paramithisë, që shkonin në kafenenë e qytetit e kalonin orë të tëra, të survejonte Nuh Muhedinin, se e kishte shënuar në listën e atyre militantëve të Paramithisë, që propagandonte për një “Shqipëri të madhe”. Kuptohet, se akuzat e V.Krapsitit ishin të gënjeshtërta, të pavërteta.

Ato ishin shpifje të turpshme, që dilnin nga goja e një greku nacionalist. Ndryshe nga shpifjet e akuzat që shkruan Krapsiti për Sali Muhedinin dhe u masakrua siç tregonte një nga shokët e Vasil Krapsitit, një tjetër historian paramithjot, edhe pse ishte në strukturat e larta të EDES-it, mik i Napoleon Zervës, për vrasjen e Sali Muhedinit ai ka shprehur dhimbje dhe ka shkruar: ” Vrasja e Sali Efendi Muhedinit ishte tërësisht e padrejtë”. V. Pavlidis, “I alvanotsamidis”. f.140.”

MASAKRIMI I SALI MUHEDINIT DHE I NUHUT

Dita e 27 qershorit 1944, ose e premtja e zezë e Paramithisë, është nga ngjarjet më të kobshme në historinë e këtij qyteti martir dhe kujtesën tragjike të Çamërisë. Historiani grek Jorgos Margaritis, në librin e tij “Bashkëpatriotë të padëshiruar”,(Tiranë, 2008) mes të tjerash shkruan, se qyteti atë ditë i ngjante një thertoreje. Le të ndalemi në fundin tragjik të Sali Muhedinit. Këtë ditë në shtëpinë e tij shkuan një grup nga Paria e Krishterë e Paramithisë, për ta uruar për martesën e Nuhut, djalit të tij. Sali Muhedini i priti me gëzim miqtë e krishterë dhe zonjat e familjes i gostitën me gjithë të mirat. Nuhu ishte i gëzuar dhe shoqëronte gjatë bisedës me ndonjë fjalë të rrallë edhe të atin. Kur po i përcillte miqtë e krishterë, Sali Muhedini në rrugicën pranë shtëpisë, pa se andartët grekë po keqtrajtonin një paramithjot. Ai foli me zë të lartë që të ndalnin keqtrajtimin e çamit mysliman. Kaq u desh, që “miqtë”, që erdhën për urim, ta tërhiqnin zvarë Kryebashkiakun dhe mikun e tyre, që i mirëpriti në shtëpinë e tij.

Të njëjtën gjë bënë edhe me Nuhun. Ata i çuan në shkollën e mesme të qytetit, që nuk ishte larg shtëpisë së Muhedinëve. Nuk e dimë ç’mund të ketë ndjerë babai i gjorë dhe një nga autoritet e qytetit, Sali Muhedini, kur zervistët i prenë kokën në sy të tij, Nuhut. Ndoshta ka bërtitur me zë të lartë për këtë vepër makabre. Por krahët i kishte të lidhur dhe koka e përgjakur e Nuhut ishte jo larg të atit. Më pas zervistët i prenë kokën dhe e coptuan Sali Muhedinin. E shoqja e tij shkon më pas në vendin, ku ishte bërë krimi i tmerrshëm. Në një dëshmi të dhënë prej saj në Tiranë, një gazetari të gazetës “Bashkimi”, në vitin 1945, ajo pohon se i mblodhi një nga një copat e trupave të të birit dhe bashkëshortit të saj të nderuar.

E kisha të vështirë thotë ajo, t’i dalloja pjesët e coptuara të tim biri dhe burrit tim. E dhimbshme kjo ngjarje. Tronditëse, përtej kësaj fjale. Ulëritëse deri në kupë të qiellit. Në 80 vjetorin e Genocidit grek ndaj popullsisë së pafajshme çame, i bëjmë apel opinionit të shëndoshë të Greqisë fqinje, që të paktën të pranojnë krimin e tmerrshëm dhe të na lejojnë të vemi t’u bëjmë homazh qindra viktimave, nënave e grave të reja, pleqve e burrave, fëmijëve të pafajshëm. Këtë e kërkon koha. Këtë e kërkon ndërgjegja e trazuar e vendit fqinj. Këtë e kërkon Europa Demokratike.

Këtë e kërkon e ardhmja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, që kjo e fundit të çlirohet nga makthet e të shkuarës, të shkaktuara jo nga populli grek, por nga nacionalistët ekstremistë, që për fat të keq edhe në ditët tona ngrenë krye. Në këtë shkrim u përpoqëm të hedhim dritë, në prag të 27 qershorit, për një nga figurat e shquara, jo vetëm të Paramithisë dhe të rrethinave të saj, por edhe të Çamërisë, Sali Muhedinin, emri i të cilit vazhdon të kujtohet me respekt nga bashkëqytetarët e tij, shqiptarët çamë myslimanë, të krishterët, grekë, vllehë, apo hebrej.