26.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

“Pse të mos e kalojmë grupin?!”, Jasir Asani karikon kuqezinjtë: E ndjej, do t’i shënoj Italisë

Shqipëria e nis Europianin më 15 Qershor në Dortmund, pikërisht ndaj ekipit kampion në fuqi Italisë. Ylli i kuqezinjve, Jasir Asani, duket tepër optimist në prag të kompeticionit madhor, teksa ka motivuar kuqezinjtë, në një prononcim të dhënë për “TV Klan”. Asani është optimist dhe besoj se Shqipëria i ka shanset që të bëjë surprizën e madhe.

Shënuesi i 3 golave në fushatën kualifikuese të Europianit ka ende për të dhënë. Asani beson se do të tundë përsëri rrjetën, ku ka veçuar duelin ndaj Italisë.

“Skuadra jonë ka mentalitet fituesi. Nuk është rastësi që kemi ardhur në Europian dhe duhet ta bëjmë surprizën më të madhe. Duhet t’i tregojmë të gjithë botës që me të vërtet kemi lojtarë shumë të mirë dhe staf shumë të mirë.

Pse mos ta kalojmë grupin?! Besoj se me tifozët do t’ia dalim që ndeshjen e parë.

Shumë më pyesin a do të shënosh ndaj Donarumës, Kroacisë apo Spanjës. E kam një ndjesi që do të shënoj kundër Italisë dhe kam një ndjenjë që do të bëjmë gjëra të mëdha atje”, tha Asani.

Depresioni/ Ekspertët thonë pesë ndryshimet në sjellje që tregojnë se keni një problem

Depresioni është një çrregullim i zakonshëm që ndonjëherë kalon pa u vënë re, por personi që e përjeton do ta ketë të vështirë ta përshkruajë atë dhe miqtë e familja e tij nuk do të jenë në gjendje t’i ndihmojnë. Ekspertët nga Universiteti i Kolorados në Boulder përshkruajnë një model sjelljesh që e tradhtojnë atë.

Sipas tyre, njerëzit me depresion:

  1. Nuk ngrihen nga shtrati

Të gjithëve u ndodh që ndonjëherë të mos duan të largohen nga shtrati për shkak të mërzisë apo për disa orë më shumë gjumë. Por kur pas këtij refuzimi qëndron mungesa e ndonjë motivimi, nga përgatitja në mëngjes deri te larja e dhëmbëve, atëherë mund të jetë një simptomë depresive. Depresioni nxit ndjenjën e lodhjes dhe rraskapitjes mendore deri në pikën ku aktiviteti më i thjeshtë i përditshëm duket si një punë e përditshme.

  1. Ata kanë probleme me gjumin

Lodhja fizike dhe mendore e shkaktuar nga depresioni do të ndikojë në zakonet e gjumit në një sërë mënyrash. Në disa raste, gjumi do të bëhet një “ngushëllim” dhe një mënyrë për të kaluar ditën pa dhimbje, kështu që kohëzgjatja dhe shpeshtësia e tij gjatë ditës do të rritet. Në raste të tjera, mund të shfaqen periudha të pagjumësisë dhe vështirësi në fillimin dhe mbajtjen e gjumit. Mungesa e gjumit adekuat dhe cilësor shoqërohet me rritje të nivelit të stresit dhe rrjedhimisht më shumë mendime negative dhe shqetësime.

  1. Ata përjetojnë ndryshime në oreksin e tyre

Depresioni mund të ndikojë në zakonet e të ngrënit dhe oreksin, duke rritur, ulur ose eliminuar ndjenjën e urisë. Çrregullimet e gjumit përfshihen ndjeshëm në këto ndryshime, pasi kjo e fundit kontribuon në rregullimin e hormonevë të urisë.

  1. Janë pa humor dhe nervoz

Ndryshimet e humorit me shpërthime zemërimi dhe të qara në raste të vogla ose të parëndësishme dhe më pas një periudhë qetësie është një tipar kryesor i depresionit. Ekspertët theksojnë se nëse nervozizmi apo luhatjet e humorit zgjasin më shumë se disa ditë, atëherë me shumë mundësi bëhet fjalë për depresion.

  1. Ata e kanë të vështirë të përjetojnë gëzim dhe të lidhen

Depresioni është pothuajse i ndërthurur me anhedoninë, paaftësinë për të nxjerrë gëzim dhe kënaqësi nga çdo gjë, e cila gradualisht çon në humbjen e interesit për aktivitetet e dashura më parë si hobi, shëtitjet, jeta sociale dhe seksuale. Në të njëjtën kohë shfaqen vështirësi në lidhjen me persona të tjerë si miqtë, partnerët dhe të afërmit, ngrihet një mur që pengon marrëdhëniet ndërpersonale, saqë ambienti i ngushtë nuk mund të ndihmojë.

Mungesa e mjekëve atrofizon shërbimin shëndetësor në Dibër

Nga Hysen Likdisha

Mungesa e mjekëve të familjes, por edhe e mjekëve specialistë në spitalet e bashkive mbeten një problematikë e pazgjidhur për sistemin shëndetësor në qarkun e Dibrës.

Në spitalet e bashkive ka mungesë të theksuar mjekësh specialistë si: kirurg, reanimator, obstetër-gjinekolog, por çështja më akute e sistemit mbetet mungesa e mjekëve të familjes dhe infermierëve në zonat malore.

“Fshati jonë prej vitesh vuan nga mungesa e mjekut të familjes,” deklaron Servete Jangulli, 78 vjeç, nga fshati Godvi i njësisë administrative Zerqan të bashkisë Bulqizë. “Por edhe infermierja, aktualisht është caktuar të vijë në fshatin tonë vetëm një ditë në javë, të shtunën,” shtoi ajo, ndërsa shpjegoi se edhe një mjekim të thjeshtë apo gjilpërë munda të bëjnë vetëm një herë në javë.

Ismet Fiku, 69 vjeç, po nga ky fshat, shprehet se kur banorët e tij kanë nevojë për shërbim mjekësor, ata shkojnë në spitalin e Bulqizës, i cili ndodhet 8 kilometra larg.

Burime nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë i thanë BIRN se shqetësimi kryesor i tyre ka qenë mungesa e mjekëve të familjes, pasi shërbimi është i mbuluar aktualisht me 9 mjekë ose gjysmën e e organikës. Mungesa ka edhe për infermierë, me një dyzinë vakancash aktualisht aktive.

Për të marrë ndihmë mjekësore banorët e fshatit Dushaj duhet të udhëtojë me orë të tëra për të shkuar në qendrën shëndetësore të Fushë-Bulqizë, një udhëtim i cili gjatë dimrit bëhet i vështirë për shkak të dëborës.

Dy fshatra të tjerë – Dushaj dhe Kodra e Danit në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, me rreth 1 mijë banorë, kanë mbetur gjithashtu pa shërbim shëndetësor prej gati 2 vitesh për mungesë të një infermiereje.

“Për të marrë një shërbim të thjeshtë mjekësor, fjala vjen me matur tensionin e gjakut duhet të udhëtojmë me kilometra të tëra,” shprehet Veli Selmani, 72 vjeç, banor i këtij fshati.

Dile Curri, gjithashtu 72 vjeç, nga fshati Kodra e Danit, shprehet se gjatë dimrit banorët e tij janë të detyruar ti transportojnë “me krahë: të sëmurët për ti nxjerrë në rrugë, për ti çuar në spital.

Lavdrim Gjeleka, 60 vjeç, nga fshati Gjuras, në njësinë administrative Shupenzë të bashkisë Bulqizë, shprehet se dikur në fshatin tij vinte shpesh mjeku, por tashmë ky shërbim nuk ofrohet më.

“Tani jo mjeku që nuk shihet, por na ka “humbur” edhe shërbimi infermieres,” u ankua ai. “Fshati jonë është i largët, në zonë të thellë malore dhe nuk i leverdis kujt të vijë të punojë,” shtoi Gjeleka.

Esat Tufa 70 vjeç, nga fshati Lubalesh në njësinë administrative Gjoricë, tregoi gjithashtu se përveç mjekut në fshat mungon dhe infermierja, pasi ajo u largua me punë në Tiranë tek QSUT-ja.

“Për çdo shërbim shëndetësor duhet të udhëtojmë 6 kilometra në këmbë, për të shkuar në Qendrën Shëndetësore Gjoricë, pasi mungon edhe infrastruktura e duhur rrugore,” tha Tufa.

Situata raportohet e rëndë edhe për banorët e zonës së Gollobordës të bashkisë Bulqizë, ku mungesa e burimeve njerëzore në shërbimin shëndetësor është gjithashtu kritike.

“Golloborda me dy njësi administrative, Ostren dhe Trebisht, me shtrirje të madhe gjeografike, me rreth 4,423 banorë, ndër vite ka vuajtur për mungesë të funksionimit si duhet të shërbimit shëndetësor,” tha Rami Karasani. 75 vjeç, mësues në pension nga fshati Rodovesh i njësisë administrative Ostren.

Karasani tha se edhe pse këtë vit fshatit i ka ardhur një mjek i ri, ai nuk mjafton për dy njësi administrative.

“Në fshatin Rodovesh kemi infermiere të paktën,” theksoi ai, ndërsa shtoi se kur banorët kanë nevojë “i shkojmë në shtëpi.”

Qani Mata, 28 vjeç, nga fshati Kojavec në njësinë administrative Ostren, pohon se në fshatin e tij – gati i zbrazur nga banorët, nuk bëhet fjalë për prezencë dhe as infermieri.

“Për çdo nevojë shëndetësore që kemi na duhet të udhëtojmë drejt Ostrenit, 8 kilometra larg,” shpjegoi ai.

Mungesa e mjekëve të familjes, ka bërë që mbulimi i njësive administrative, të bëhet në mënyrë sporadike. Kështu edhe ata pak mjekë që kanë mbetur në shërbimin parësor shëndetësor të banorëve mbingarkohen për të mbuluar shumë fshatra njëherësh, gjë kjo që e zbeh dukshëm punën e tyre.

Në të tilla raste, pacientët duke mos pasur qasje tek mjeku i familjes, drejtohen në spitalin e bashkisë përkatëse ose atë rajonal të Dibrës. Në ditët që mjeku nuk është në njësinë e tyre administrative, pasi e ka turnin për të shërbyer në një njësi tjetër, konsultat mjekësore banorët i marrim nga infermierët.

Spitalet e bashkive Mat, Klos dhe Bulqizë, kanë pasur në vijimësi hemorragji të mjekëve dhe specialistëve që largohen për të punuar kryesisht në Tiranë dhe Durrës, por edhe jashtë vendit. Aktualisht në spitalin e bashkisë Bulqizë mungojnë mjeku obstetër-gjinekolog, kirurg, reanimator dhe kardiolog. Thuaj se po e njëjta situatë raportohet edhe në spitalin e Klosit edhe të Matit.

Fatmirësisht mësohet se nuk ka mungesa në mjek specialistë në Spitalin Rajonal Dibër. Madje, dy mjekë specialistë që kanë mbushur moshën e pensionit – Nazmi Kaja endokrinolog dhe Dilaver Corja neuro-psikiatër, vijojnë të punojnë me kontratë pune.

“Aktualisht Spitali Rajonal i Dibrës, nuk ka asnjë problem, si nga burimet njerëzore, ilaçe, pajisjet dhe ambientet, ku spitali është rikonstruktuar,” tha Irini Shehu, drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër.

“I vetmi problem për shërbimin shëndetësor aktualisht është mjeku i familjes,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se ata “nuk paraqiten në punë – fare-fare, dhe nuk kontrollohen nga drejtorët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor të bashkive’./reporter.al

Ekspertët bëjnë thirrje për ruajtjen e zbulimit arkeologjik në Durrës

Nga Gëzim Kabashi

Ekspedita arkeologjike në territorin ku ngrihej shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës po i drejtohet përfundimit të saj, ndërsa zbulimi i strukturave të reja vijon sistematikisht.

E ardhmja e kësaj hapësire prej rreth 1.200 metra katrore ka nisur ti shqetësojë jo vetëm arkeologët që punojnë këtu që prej një muaji, por edhe intelektualë apo qytetarë të tjerë durrsakë.

Ata shprehen se i gjithë territori mund të kthehet në një park arkeologjik të vizitueshëm, pasi ndodhet thuajse në mes të rrugës nga amfiteatri drejt Muzeut arkeologjik të Durrësit.

Historiani Dorian Hatibi tha për BIRN se “duhen pritur konkluzionet e arkeologëve dhe nëse strukturat e zbuluara deri tani do të përcaktojnë edhe natyrën e ndërtimit, atëherë përpjekjet për ruajtjen e monumentit duhet të shumëfishohen”.

Në Durrës fatkeqësisht, dëmtimi i objekteve arkeologjike ka ndodhur jo pak herë, por Hatibi kujton rastin pozitiv të zbulimit të Forumit rrethor bizantin, shumë pranë godinës së Teatrit “Moisiu” dhe termave romake.

“Ishte fundi i viteve 1980 dhe godina e shkollës së vjetër “10 korriku” u prish për ti hapur rrugë ndërtimit të banesave të reja,” shtoi Dorian Hatibi.

Disa vite më vonë organizmat qendrore të arkeologjisë dhe bashkia e Durrësit bashkërenduan veprimet për të hapur monumentin e plotë, madje u sakrifikua edhe rruga lidhëse mes dy akseve kryesore të qytetit.

Aktualisht, Forumi rrethor së bashku me amfiteatrin janë objektet më të vizituara në qytetin antik.

Ndërkaq në sheshin e hapur nga misioni arkeologjik vazhdon evidentimi i strukturave të reja, të cilat po analizohen nga specialistët.

Dy hapësira me mozaikë më shumë se 60 metra katrore secila, afresket e pishinës, termat, etj. ia lenë vendin njëra tjetrës.

Bashkë me përfundimin fillestar se zbulimi ka evidentuar një vilë rezidenciale të shekullit të parë, ka lindur hipoteza paralele për mundësinë e përballjes me një institucion kulti të periudhës antike.

“Nuk duam të nxitohemi, por po i shqyrtojmë me kujdes të dhënat e deritanishme,” tha për BIRN, prof Luan Përzhita, i cili drejton grupin prej 20 specialistësh dhe studentësh në ekspeditën e Durrësit.

Ai e vlerëson pozitivisht kthimin e këtij territori në një park të vizitueshëm arkeologjik.

“Së shpejti do të paraqesim konkluzionet e plota të misionit, çka do të lejojë edhe vendimmarrësit të vendosin për të ardhmen,” tha prof Përzhita.

Në ballkonin e një prej apartamenteve që e sheh nga sipër punën e ekspeditës, dy bashkëshortë italianë që po e kalojnë pensionin në Durrës janë entuziastë për zbulimet.

“Është shumë bukur ta ndjekësh nga afër punën e arkeologëve. E ndjejmë veten me fat,” thotë Vanesa. “Uroj që të hapet për publikun, sidomos për të rinjtë dhe për fëmijët”.

Oborri i shkollës “Gjergj Kastrioti”, e cila u ngrit në vitin 1968, tashmë është nën pushtetin e arkeologëve, por në tabelën e madhe në hyrje janë shkruar të dhënat për ndërtimin e godinës së re, që do të zëvendësojë shkollën e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Në kuadër të programit të Bashkimit Europian EU4SCHOLS ngritja e shkollës pritet të realizohet me një financim prej 237 milion lekë.

Specialisti Mikel Nushi i është bashkuar ekspeditës arkeologjike dhe i vlerëson rezultatet e deritanishme, tw cila sipas tij duhet të njihen nga qytetarët dhe turistët.

“Kthimi i territorit në një park arkeologjik, do të shtonte një monument të ri e të rëndësishëm në qytetin turistik ,” tha Nushi për BIRN.

Sipas Nushit shkolla mund të ndërtohet diku tjetër sipas projektit të përcaktuar.

Disa vite më parë, edhe në vendin ku do të ndërtohej shkolla “Eftali Koçi” po në Durrës, u zbuluan disa objekte arkeologjike. Ato u ruajtën pjesërisht një qoshe të oborrit.

“Por zbulimi në hapësirën e shkollës “Gjergj Kastrioti” është i një rëndësie të veçantë historike për qytetin 3.000-vjeçar,” tha historiani Dorian Hatibi, duke përfunduar: “Njëlloj si ruajtja e tij.”/BIRN

Bujar Vreto denoncon Bashkinë Librazhd: 30% rritje e çmimit të ujit, Turp!

Nga Bujar Vreto

Ka qenë një hap i rëndësishëm për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Është për t’u përshëndetur vendimi i mirë që u mor nga Këshilli Bashkiak për mos rritjen e çmimit të ujit. Ju Këshilltarë treguat përgjegjësi maksimale që u përfshitë aktivisht në procesin vendimmarrjes për të rrëzuar kërkesën e rritjes së çmimit të ujit në masën mbi 30% të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan.

Rritja e çmimit të ujit mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme, siç janë ndërprerjet e furnizimit, ndryshimet klimatike, ose investimet në infrastrukturë të ujësjellësit por jo për tekat e shoqërisë sepse e ka mbushur me parazitë ndërmarrjen apo kanë vendosur paga marramendëse për drejtuesit. Si mundet të rrisësh çmimin e ujit Librazhasve kur uji vjen me vetë rrjedhje por kuptohet se duan të mbushin gropat e shkaktuara nga zona të tjera apo plotësojnë interesa klienteliste.

Unë si anëtar i këshillit Bashkiak por dhe Kryetar i Partia Demokratike Dega Librazhd nuk isha dakord por përshëndeta edhe këshilltarët e tjerë që në frymën e përgjegjësisë nuk e lejuan këtë fatalitet me votën e tyre. Si ka mundësi që kur uji vjen me vetë rrjedhje, autoritetet duan të rrisin çmimin për interesa klienteliste, për këtë isha i bindur se do shkaktoheshin debate dhe kundërshtime në komunitet. Është e rëndësishme që çdo vendim për rritjen e çmimit të ujit të bazohet në analiza të qëndrueshme dhe të drejta, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve dhe të mirën publike. Prandaj shqetësimi jonë ishte si të mbrojmë interesat e qytetarëve nga veprimet e papërgjegjshme të shoqërisë aksionere dhe për të mbrojtur interesat për qytetarët nga veprimet arbitrare në lidhje me çmimin e ujit, ishte dhe është e rëndësishme të kemi një përfshirje të gjerë dhe transparente në procesin e vendimmarrjes.

Pse shoqëria vepron në ilegalitet dhe nuk ndërmerr hapa bashkë me këshilltarët për ..

1- Transparencën: të sigurohemi që procesi i vendimmarrjes për çmimin e ujit të jetë transparent dhe të dëgjohen, informohen apo publikohen për qytetarët, pra analiza të bazuara në fakte.

2- Konsultim publik: Të organizohen sesione konsultimi publik për të dëgjuar pikëpamjet e qytetarëve dhe për të marrë parasysh nevojat e tyre në procesin e vendimmarrjes.

3- Monitorim të pavarur: Të sigurohet një monitorim i pavarur në procesin e vendimmarrjes dhe zbatimit të çmimeve të ujit për të shmangur konfliktet e interesit.

4- Transparencë financiare: Të bëhen të ditura shpenzimet dhe të ardhurat e përdorura për furnizimin dhe menaxhimin e ujit për të siguruar llogaridhënie dhe besueshmëri financiare pra sa është fondi i pagave, sa shkon për investime në rrjet, sa shkon për shpenzime operative dhe të tjera.

5- A ka pavarësi institucioni: Si mund të sigurohemi që institucioni përgjegjës për menaxhimin e ujit të jetë i pavarur dhe të kryej punën e tij në mënyrë të drejtë dhe të efektshme.

6- Përfshirje permanente e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe sigurimi i transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e ujit janë thelbësore për mbrojtjen e interesave të tyre nga veprimet arbitrare.

Partia-Demokratike Dega-Librazhd ka qënë dhe do mbetet në krahun e qytetarëve dhe do bëjë gjithcka duhet për të ruajtur interesin e tyre. Ne kemi kundërshtuar me fakte vendimin e turpshëm të këshillit pararendës (viti 2022) që transferuan asetet (pronën e ujësjellësit) të Librazhdit në Elbasan dhe Prrenjasit në Pogradec, koha na dha të drejtë ja ku jemi sot para fakteve që duan jo vetëm të rrisin çmimin e ujit gjë që mund të ndodhë sepse ne kemi vetëm 3.3% të aksioneve por dhe të marrin me tubacion burimet e trevave tona.

Zoti ju bekoftë

Arsimi, fara që duhet të mbjellim të ardhmen. Qeveria të mbështesë biznesin që investon në shkolla e universitete

Nga Patrik Sadikaj

Në 30 vitet e demokracisë, veçanërisht në 10 vite e fundit, Shqipëria ka përjetuar eksodin më të madh, ku popullsia e re ka emigruar në masë. Universitetet boshatisur, shkollat gjithnjë e me më pak klasa, ndërsa institucionet shëndetësore kanë prekur fundit nga mungesa e investimeve dhe ikja e mjekëve. Arsimi e shëndetësia janë themeli i jetës së një vendi, dhe këto të dyja ne i jemi shkatërruar përditë, pak nga pak, për të prekur sot fundin.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është e drejtë: Pse ka ndodhur kjo dramë? Padyshim që përgjigja është në politikat e gabuara të qeverive. Asnjë investim, asnjë përkujdesje për arsimin e shëndetësinë. Dy sektorët më jetikë, janë lënë në vdekje klinike, pasi politika e qeverisë ka qenë e gabuar në rastin më të keq dhe e dështuar në rastin më të mirë. Në të dyja rastet ka pasur pasoja katastrofike për vendin.

Sa i përket shëndetësisë, nevoja për të treguar gjurmët nuk ka nevojë, sepse ujku është para syve të të gjithë shqiptarëve që përplasen përditë në dyert e spitaleve. Por, plaga që kullon gjak sot, e do të sjellë vdekjen e të ardhmes nesër, është arsimi, ku qeveritë njëra pas tjetrës, kanë ndihmuar në kolapsin e plotë të sistemit, duke hequr edhe ato pak tulla që kanë mbetur.

Në qasjen e saj, qeveria, ka orientuar vëmendjen vitet e fundit tek turizmi, duke miratuar ligje pafund për të lehtësuar biznesin e turizmit, pasi kjo është në dukje reklama më e shpejtë për qeverisjen e “mirë”. Politika pafund në ndihmë të turizmit, që padyshim janë pozitive për një vend turistik si Shqipëria. Por një politikë largpamëse, nuk ka pse të mendojë vetëm për të përfitimet e momentit që sjell bumi turistik, por duhet të mendojë për jetëgjatësinë e të mirës për vendin.

Fjala vjen, a mund të jetë turizmi jetëgjatë si industri pa arsimin?

Normalisht që jo. Përtej fasadës së numrave të turistëve me të cilët krenohet qeveria, turizmi shqiptar është vite dritë larg turizmit që duhet të jetë. Dhe për këtë ka pikërisht ndikim thelbësor arsimi sepse mungesa e njerëzve të kualifikuar, sjell një turizëm të pakualifikuar.

Atëherë qeveria, pse nuk mendon pak më thellë e të ndërtojë turizmin përmes arsimit meqë sot është problemi më i madh për shoqërinë.

Nga Shqipëria nuk ikën sot rinia se nuk ka turizëm të mirë, por sespe nuk ka arsim të mirë.

Emigrantët vijnë në Shqipëri për 10 ditë turizëm, por nuk kthehen të shkollojnë fëmijët këtu sepse nuk ka shkolla të mira. Nuk ka shërbime në shëndetësi dhe institucione sociale.

E pra, një qeveri e mirë, duhet të mendojë si të mbajë popullin këtu, jo të krenohet se ata vijnë për turizëm në vendin e tyre.

Po çfarë duhet bërë?

Është fare e thjeshtë: Politika afatgjata zhvillimi dhe lehtësim të atyre që duan të kontribuojnë në arsim apo dhe shëndetësisë.

E dini që për të hapur një shkollë jopublike në Shqipëri, shteti nuk krijon asnjë lehtësi. Pra jep ndihmë për biznesin e turizmit që gjeneron miliarda dhe asgjë për ata që ndërtojnë shkolla e kampuse për të ardhmen.

Një resort apo hotel me 5 yje, trajtohet me privilegje e mbështetet me fonde, ndërsa një shkollë, përkundrazi ngarkohet me barra të rënda fiskale, që në fund të ditës bien mbi qytetarët shqiptarë. Disa e paguajnë shtrenjtë shkollimin jashtë vendit, ndërsa ata që nuk kanë përfundojnë në shkollat .e tre turne të arsimit publik.

Nuk ka nevojë vërtet për shpikje, mjafton të shohësh si e kanë ndërtuar arsimin e suksesshëm SHBA dhe Angli, që janë elita e institucioneve të arsimit në botë.

Qeveritë ndër shekuj, kanë mbështetur investimet në arsim, duke i lehtësuar nga taksat e duke iu krijuar hapësirat e duhura që të zhvillohet si sektor privat e publik dhe rezultati është mbresëlënës sepse sot krejt bota do të shkollohet në këto dy sisteme.

Në Shqipëri, për të ndërtuar një kampus apo një institucion shkollor, shteti nuk jep asnjë dorë e madje asnjë lehtësi. Investitorët në arsim, duhet të blejnë toka miliona euro apo dollarë, ndërsa shteti ofron pronat e veta vetëm për bizneset fitimprurëse.

Në SHBA, qeveria i lut investuesit e arsimit për tu dhënë toka në përdorim për shkolla, sepse e di që në këto toka mbillet një e ardhme më e mirë. E njëjta ndodh dhe në Angli apo vende të tjera europiane, ku arsimi shikohet si një investim për të ardhmen, krejt ndryshe nga ne ku qeveria sheh se ku është fitimi më i shpejtë dhe pa të ardhme.

Ligjvënësit tanë, duhet të marrin iniciativa të tilla si në SHBA e Angli e të ndërtojë nisma ligjore që të sjellin zhvillim për arsimin, pasi fushat e tjera më pas do të kenë efekt zinxhir zhvillimi.

Nëse do të mendohet për arsimin, atëherë Shqipëria do bëhet më e mirë, do ketë turizëm më të mirë, infrastrukturë më të mirë, shëndetësi më të mirë, qëndra sociale e padyshim një Shqipëri shumë më të mirë, në të cilën do të ktheheshin rë rinjtë, ata që kanë ikur për një jetë më të mirë, mjekët, dhe nuk do të kishte më askush dëshirë që të largohet nga vendi vet.

Mjafton kaq pak, për të bërë shumë./ BalkanWeb.com

Llazot dhe Sakot përjashtohen nga tenderat publikë për mashtrim

Dy nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në Shqipëri gjatë viteve të fundit janë skualifikuar për një periudhë gjashtë mujore nga marrja e kontratave shtetërore për shkak se kanë mashtruar. Bëhet fjalë për kompanitë 2T dhe Llazo.

Dorëheqja e kreut jetëgjatë të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, në shkurt të këtij viti, duket se ka sjellë ditë të vështira edhe për kompaninë e vëllait të tij. Agjencia e Prokurimit Publik e ka përjashtuar për 6 muaj nga pjesëmarrja në tenderat publikë, shoqërinë e zotëruar nga Artan Sako dhe Dritan Troksi.

Sipas vendimit të marrë një javë më parë, APP ka vërtetuar se shoqëria ndërtuese ka paraqitur të dhëna të rreme, në bazë të të cilave është shpallur fitues në tenderat për ndërtimin e godinës së re të Universitetit “Aleksandër Mosiu” në Durrës, për rikonstruksionin e godinës së Hipotekës në Tiranë dhe për rehabiltimin e digës së rezervuarit të Pacomit në Përmet.

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, shoqëria “2T” ka fshehur faktin se, në momentin e zhvillimit të këtyre procedurave tenderuese, ka pasur në fuqi masë administrative gjobë nga Inspektorati i Punës. Partia Demokratike ka akuzuar shpesh se kompania “2T” ka fituar miliona euro publike, për shkak se vëllai i njërit prej aksionerëve të saj ishte vëllai i komandantit të Gardës.

Kompania tjetër e skualifikuar, Llazo shpk është po ashtu një nga peshkaqenët e fondeve publike. Me seli në Bishqethëm të Lushnjes, kompania e zotëruar nga Aldi dhe Anea Llazi ka përfituar miliarda lekë nga institucionet shtetërore gjatë viteve të fundit. Sipas vendimit të APP-së, kjo kompani ka mashtruar të paktën në katër tendera duke mos deklaruar gjobën nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Azilet me kushte skandaloze dhe të pa certifikuar, ankesat “shmangen” me ilaçe për gjumë

Të moshuarit e akomoduar në azile shtyjnë ditët e fundit të jetës në kushte të papërshtatshme, në mungesë kujdesi nga mjekët e specializuar dhe pa asnjë program social, ditor. Asnjë nga 21 shtëpitë private të të moshuarve nuk është legalizuar apo certifikuar nga autoritetet, që e “pasojnë” përgjegjësinë te njëri-tjetri. Personeli përdor “qetësuesit” nervorë për të “amortizuar” ankesat dhe për të shtuar orët e gjumit.Në periferi të kryeqytetit, në një rrugicë të ngushtë, rrethuar nga shtëpi private, në afërsi të varrezave të Tufinës, mund të jetë një vend ideal për të jetuar në paqe, sidomos për ata që nuk e duan zhurmën dhe kaosin e Tiranës, një qytet në rritje dhe në zhvillim herë kaotik e herë të strukturuar; një strehëz për ata që shumicën e jetës e kanë hedhur pas krahëve dhe që duan një vend për t`i jetuar në paqe vitet që iu kanë mbetur. Pikërisht në këtë zonë ndodhet një ndërtesë e hirtë, trekatëshe, që shërben si azil privat, i njohur për të ofruar mbështetje dhe kujdes për të moshuarit.

Ermela Agolli është një 36-vjeçare nga Tirana. Ajo ka punuar si infermiere pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Prej disa muajsh ka siguruar një kontratë dhe vizë pune në shtetin gjerman. Ermela thotë se vendimi për të emigruar ka qenë një zgjedhje e detyruar, por e vështirë, për shkak se asaj i duhet të kujdeset edhe për gjyshen e saj, e cila i ka kapërcyer të tetëdhjetat.

“Kam ardhur të regjistroj gjyshen përkohësisht në këtë azil privat, pasi më në fund më doli viza dhe do largohem në Gjermani”, – shprehet e reja nga Tirana, teksa pret me dokumente në dorë administratoren e azilit privat.

Ermela nuk ka mundur ta regjistrojë familjaren e saj në një azil publik, për shkak të kërkesës së lartë dhe numrit të ulët të kapaciteteve që kanë azilet publike.

standardet e duhura.

“Babai im nuk ka vuajtur kurrë nga çrregullimet mendore, por ai po merr ilaçe dhe unë nuk jam vënë në dijeni. Jam rikthyer pas dy muajsh për ta vizituar babanë dhe në komodinën e tij gjeta pakon me ilaçe skizofrenie”. Kështu e nis bisedën Entela Deçka, tashmë emigrante në Gjermani, e cila është kthyer përkohësisht në vendlindje për t’i ardhur në ndihmë të atit.

Ajo thotë se historia fillon në nëntor të vitit 2022, me ardhjen e Gjergjit në azilin privat, në Tiranë. Familjarët e tij nuk mund të kujdeseshin për të, pasi kanë emigruar prej vitesh në Itali e në Gjermani. Vetmia dhe gjendja shëndetësore e babait i detyroi që të kërkonin ndihmë dhe strehim në një qendër të specializuar për të moshuarit.

“Im atë pësoi trombozë në këmbën e majtë dhe ka qëndruar disa muaj në spital. Më pas, mua më duhej të kthehesha në vendin ku jetoj dhe punoj. Bashkë me tim shoq në internet gjetëm këtë azilin privat, që ofron edhe shërbim të specializuar”, – vijon bisedën vajza e Gjergjit.

Pasi menduan se e kishin sqaruar gjendjen shëndetësore, nevojat për shërbim dhe kujdes, ata e sistemuan të moshuarin në këtë azil. Por, teksa mendonin se problemet më të mëdha i moshuari mund t’i kishte për shkak të trombozës së pësuar kohë më parë, ata u gjenden përballë një surprize të pakëndshme, kur mësuan se ai po trajtohej edhe me barna për skizofreninë. Të afërmit e Gjergjit tregojnë se ai nuk ka vuajtur ndonjëherë nga ndonjë sëmundje mendore apo çrregullime të tjera, psikologjike.

“Ai është 76 vjeç dhe kurrë nuk ka shfaqur probleme me personalitetin. Nuk mund të trajtohet me ilaçe të tilla pa një vizitë të specializuar”, – shprehet Entela Deçka.

E shqetësuar për trajtimin e tij, ajo shton se ka komunikuar vazhdimisht me pronaren e azilit dhe është përpjekur që të sigurojë prej tyre raporte të vizitave mjekësore, analiza shëndetësore dhe dokumente, që konfirmojnë nga ana e azilit në fjalë nevojën për trajtimin me medikamente për çrregullime skizofrenie.

“Unë nuk kam paguar asnjë faturë të vizitave të mjekut psikiatër, ashtu siç kam paguar për seancat fizioterapeutike. Kjo do të thotë se ai kurrë nuk është vizituar nga një neuropsikiatër, madje i kam kërkuar edhe emrin e mjekut, që e ka vizituar”, – shton më tej Entela, vajza e Gjergjit.

Dëshmi: Medikament Treana, 10 mg, pranë shtratit, siguruar rastësisht nga familjarët

Me gjithë kërkesat e vazhdueshme për t’u informuar mbi ecurinë shëndetësore të babait, Entela thotë se ka hasur në refuzimin e vazhdueshëm dhe në mungesë transparence nga pronarja e azilit privat, edhe pse ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha raportet dhe shënimet e mjekëve, që e kanë vizituar babanë e saj.

“Sa herë që e pyes, përgjigjja e saj është se ajo i mbulon të gjitha detyrat e mjekut, të infermierit dhe të psikologut dhe se informacioni është nën kontrollin e saj”, – shton Entela.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, INA Media iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes kërkesës për informacion, për të kuptuar më shumë në lidhje me cilësinë e shërbimit, që ofrohet dhe mbi kontrollin ndaj qendrave jopublike.

“Shërbimi Social, Shtetëror, në zbatim të ligjit 121/2016, monitoron vetëm Institucionet Publike, të financuara plotësisht apo pjesërisht nga buxheti i shtetit, për të moshuar”, – thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk e ka detyrim kontrollin e azileve private, prandaj në vijim të kërkesës për informacion pyesim mbi kriteret, që duhet të plotësojë një azil privat për t’u certifikuar.

“Nuk janë miratuar kriteret dhe nuk ka filluar ende procesi i certifikimit të qendrave të përkujdesit për të moshuar”, – nënvizon Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.

Këto pak rreshta të përgjigjes zyrtare nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tregojnë se këto azile private janë në proces certifikimi. INA Media kërkoi të dhëna te një tjetër institucion shtetëror. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, janë rreth 500 të moshuar rezidentë, që përfitojnë akomodim në struktura private.

Deri këtu kemi kuptuar se këto subjekte private, që ofrojnë shërbim akomodimi për të moshuarit, operojnë në bazë të një licence të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Ndërsa presin dritën jeshile të certifikimit nga ana e ministrisë, shtohen dyshimet për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë.

“Përveç hapësirave të mjediseve të përshtatshme, që i lehtësojnë të moshuarit në përmbushjen e nevojave të tyre, evidentohen edhe raste të mungesës së punonjësve socialë apo psikologëve”, – nënvizon Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore, mbi raportin e kryer për njësitë akomoduese, private.

Sa iu takon pretendimeve të familjarëve të Gjergjit për përdorimin e medikamentit Treana, mjekja psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3, Arjana Rreli, pohon rrezikshmërinë e lartë që shkaktojnë medikamente të tilla për grup-mosha të caktuara.

“Për shkak të efektivitetit modest dhe të efekteve anësore, që rrezikojnë pacientët, Olanzapine dhe Risperidone së pari duhet të jenë mjekime në trajtimin e të moshuarve, por duhet të përjashtohen, në rastet kur pacientët kanë problematika serioze të shëndetit”.

Sipas familjarëve të pacientit në fjalë, ai është trajtuar pranë QSUT-së për muaj me radhë nga një trombozë e venave të thella, që ndryshe njihet edhe si mpiksja e gjakut dhe kurrsesi nuk duhet trajtuar me medikamente të tilla.

Më tej, mjekja Arjana Rreli shton se këto mjekime nuk duhen përdorur në vazhdimësi, sepse krijojnë një rrezik serioz për jetën e këtyre pacientëve.

“Rastet, kur parashikohet të përdoren këto lloj medikamentesh, janë ato raste, që paraqesin rrezik serioz të dëmtimit fizik të personave, me të cilët këta të sëmurë jetojnë ose punojnë”.

Sipas familjarëve, për afro një vit të qëndrimit në këtë azil, Gjergji nuk ka mundur të lëvizë nga shtrati për shkak të trombozës dhe për pasojë nuk ka shfaqur asnjë rrezik për personat e tjerë të azilit.

INA Media ka siguruar recetën mjekësore, që është lëshuar për pacientin, në të cilën përshkruhet medikamenti, që trajton sëmundje të rënda të shëndetit mendor.

Receta, që përshkruan medikamentin Treana 10 mg

Sipas mjekes psikiatre, Arjana Rreli, janë një sërë faktorësh, që duhen vlerësuar, përpara se një pacient të trajtohet me medikamente të tilla.

“Duhet bërë edhe rivlerësimi i rregullt i terapisë. Së pari, duhet të konsiderohet mosha. Së dyti, sëmundjet e përgjithshme, që ka pacienti; së treti, statusi fizik, aktual; e së katërti, duhet parë, nëse kemi më shumë benefite apo dëmtime gjatë përdorimit të këtyre medikamenteve”, – shpjegon mjekja, Rreli.

Mjekja psikiatre liston edhe medikamentet me rrezikshmërinë më të lartë dhe efektin më të ulët, si dhe rëndësinë që kanë në dozimin e tyre te pacientët në moshë të madhe:

“Antipsikotiku Haloperidol është mjekimi me rrezikun më të lartë – me vdekshmëri, i ndjekur nga RisperidoneOlanzapine, acidi valproik dhe, në fund, Quetiapine”.

Në këtë situatë, sipas familjarëve, ilaçet antipsikotike janë përdorur për t`i mbajtur të qetë dhe për t`i mbajtur nën kontroll sjelljet e të moshuarve në azil, pavarësisht se ata nuk kanë diagnoza të një sëmundjeje psikopatie.

Për t`i vërtetuar pretendimet e familjes së Gjergjit, INA Media vizitoi godinën dykatëshe, ku janë akomoduar edhe rreth 20 të moshuar të tjerë.

“Janë edhe disa të moshuar të tjerë, që marrin qetësues. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Unë ua jap çdo darkë, pasi i qetëson dhe flenë më të qetë. T’i menaxhosh sjelljet e tyre, është e pamundur”, – na tha M.M. , administratorja e azilit privat.

Ne iu drejtuam edhe zyrtarisht azilit privat, për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si sigurohen këto ilaçe, kushtet, që ofron kjo strukturë, si dhe rreth stafit që punon aty, por nuk morëm asnjë përgjigje.

Në lidhje me këtë pohim dhe faktin se këta të moshuar trajtohen me Olanzapine për të pasur një gjumë të qetë, specialistja Arjana Rreli e cilëson praktikë shqetësuese, pasi ilaçet antipsikotike përdoren për trajtimin e individëve me çrregullime të caktuara, mendore, siç mund të jetë edhe skizofrenia.

“Benzodiazepinat dhe opioidet japin përgjigje më të ekzagjeruara në sistemin nervor te moshat e mëdha dhe mund të japin efekte anësore, serioze, por edhe antipsikotikë të tjerë, si ClozapineLeponex, shkaktojnë probleme me gjakun, agranulocytosis dhe neutropeni”, – theksoi Rreli.

Specialistët pohojnë se medikamentet qetësuese duhen përjashtuar te pacientët që vuajnë nga një sëmundje tjetër.

Receta e mjekut vërteton se Gjergji është trajtuar me Treana 10 mg, një ilaç që përdoret për të trajtuar gjendje të rënduar, shëndetësore. Si çdo ilaç, Treana 10 mg mund të ketë efekte anësore dhe ndikime të ndryshme te pacientët.

“Konsiderohet shumë i rrezikshëm përdorimi i benzodiazepinave, ku hyjnë valiumi, lorani, ksanaksi, ndaj studiuesit shpesh rekomandojnë, që të shmangen benzodiazepinat në këto grup-mosha për shkak të rënies së funksioneve njohëse, riskut për pneumoni, për demencë, për fraktura, për shkak të reaksionit, që këto japin – deri në vdekshmëri”, – u shpreh Arjana Rreli, mjeke psikiatre.

Sipas specialistëve, është shumë e rëndësishme konsulta me mjekun për të diskutuar përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të këtij ilaçi, si dhe për të marrë udhëzime të detajuara mbi dozën dhe frekuencën e përdorimit të tij. Gjithashtu, kujdesi mjekësor duhet të ndiqet gjatë përdorimit të Treana 10 mg. Pacientët duhet të ndjekin rekomandimet e mjekut dhe duhet të bëjnë kontrolle të rregullta, për t`u siguruar që ilaçi po vepron në mënyrën e duhur dhe nuk shkakton efekte të pakëndshme, anësore.

Familjarët e Gjergjit ngrenë një tjetër shqetësim rreth ushqimit që konsumohet në azil.

“Në çdo bisedë që kam me babanë në telefon, për çudi ai nuk e ka përmendur konsumimin e mishit, të frutave ose të perimeve, por në vend të tyre më ka përmendur vetëm çajin, kosin dhe djathin”.

Ky koment i vajzës së Gjergjit shton peshën në dyshimet dhe në shqetësimet rreth ushqimit dhe trajtimit të tij në azil. Madje, ajo shton se kequshqyerja dhe përdorimi i medikamenteve, që trajtojnë psikopatinë, kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij, shëndetësore.

Foto e ushqimeve të mykura
Analiza laboratorike, që tregojnë nivelin e ulët të hemoglobinës

Historia e Gjergjit është një skenar, që sugjeron shqetësime të thella rreth praktikave dhe transparencës në azilet private në Shqipëri.

Çështja e përdorimit të ilaçeve antipsikotike pa diagnoza të qarta dhe në kundërshtim me gjendjen shëndetësore të pacientëve është një sfidë serioze për kujdesin shëndetësor, mendor në vendin tonë.

Denoncimi nga kryetarja e grupit të këshilltarëve të PD, në bashkinë Tiranë, Enriketa Papa: Miliona euro vjedhje, por bashkia nuk jep 2.2 milion lekë për fëmijët në nevojë

Kryetarja e grupit të këshilltarëve të PD më bashkinë Tiranë, Enriketa Papa, ka denoncuar gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë në KB Tiranë, faktin që 100 fëmijëve nuk iu është dhënë 220.000 leket te 1 viti, ne kuader te projektit “Bejme detyrat ne shtepi” si kompesim i bukes se perditshme per 11 shkolla ne Tirane. Sipas zonjës Papa, bashkia është kapur në flagrancë duke vjedhur miliona euro, por nuk gjen dot 2.2 milion lekë për fëmijët në nevojë.

Postimi i plotë i Enriketa Papës:

Ne mbledhjen e komisionit te arsimit ne Keshillin Bashkiak te Tiranes, po diskutojme se pse nuk u jane dhene 220.000 leket te 1 viti, 100 femijeve ne Tirane ne kuader te projektit “Bejme detyrat ne shtepi” si kompesim i bukes se perditshme per 11 shkolla ne Tirane.
100 femijeve nga kategorite me vulnerabel ne Tirane nuk ju eshte dhene kompesimi i bukes se perditshme ne shkolle, sepse drejtorite e Bashkise Tirane, nuk jane marre vesh me njera-tjetren. Nderkohe qe 100 femijet dhe familjet e tyre jane privuar nga ky kompesim, Bashkia Tirane i ka gjetur 6 milione euro per nje incinerator qe nuk ekziston.
Por per 100 femije te kategorive sociale nga me vulnerablet , nuk ka gjetur dot 2,2 milione leke te vjetra!

Denoncimi i PD Vlorë: Skema e PS për të vjedhur në Ujësjellësin e bashkisë

Partia Demokratike, dega Vlorë denoncon sërish vjedhjen që po legjitimohet nga këshilltarët socialistë në bashkinë Vlorë, në Ujësjellësin e këtij qyteti.
Përmes një deklarate në Facebook, PD Vlorë deklaron se PS po përdor një skemë vjedhjeje me vjetërsinë në punë.

Postimi i plotë i PD, Vlorë:

Keshilltarët Socialistë te Bashkise Vlorë legjitimojnë vjedhjen në Ujësjellesin e Vlorës.
Propozimi jonë për ngritjen e Komisionit të përkohshëm u rrezua nga votat e Këshillit Bashkiak nga PS, vjedhjen me vjetërsinë në punë, nga ana tjetër institucioni udhëzon punonjës te hedhin ne gjyq dhe të fitojnë gjyqe deri ne 120 Milion Lekë, jane 50 persona qe kane fituar gjyqin dhe 120 te tjerë ne proces.