19.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Fevziu për rezolutën anti-korrupsion: SPAK i paprekshëm, Rama shpëlarje për të hyrë në zgjedhje

Gazetari Blendi Fevziu, për votimin nga mazhoranca në Kuvend të rezolutës anti-korrupsion dhe ngritjen e komisioni për këtë çështje, thotë se komisioni nuk do të ndryshojë asgjë.

Duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ai deklaroi se SPAK është më shumë i varur nga ndërkombëtarët që kanë qenë dhe garantuesit e punës së tij.

“Rama e ka perceptuar, në fokus grupe dhe sondazhe njollosja që ka marrë mazhoranca me korrupsionin, i kanë vënë një njollë shumë të madhe, e vetmja mënyrë që ai të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me një lloj shpëlarje është të flasë sa më shumë për korrupsionin dhe gjërat kundër korrupsionit edhe pse në thelb nuk do të ndryshojë asgjë.

Synon të japë përshtypjen sikur Rama po bën ç’është e mundur sikur po lufton korrupsionin.

Mund të jetë tentativë kundër SPAK, por komisioni nuk ka çfarë t’i bëjë, SPAK është i paprekshëm.

Mund të jetë një nismë anti-SPAK në vetvete, por është një nismë që nuk jep asgjë.”

Sulmet izraelite në Rafah, Këshilli i Sigurimit i OKB-së takim urgjent

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të martën një takim urgjent, pas sulmeve izraelite që kanë lënë të vrarë dhjetëra persona të zhvendosur në një kamp në Rafah të Gazës.

Sulmet e së dielës kanë lënë të vdekur 45 persona, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Sulmi ka nxitur kritika ndërkombëtare. Shumë shtete arabe e kanë quajtur sulmin si “masakër”.

Izraeli, në anën tjetër, ka thënë se po kryen hetime për këtë “aksident tragjik”.

“Nuk ka vend të sigurt në Gazë. Ky tmerr duhet të përfundojë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, Martin Griffiths, ka thënë se përshkrimi i sulmit në Gazë si “gabim”, nuk do të thotë asgjë për personat e vrarë, ata që kanë humbur familjarë, dhe ata që po tentojnë të shpëtojnë.

Mbledhja e së martës është thirrur prej Algjerisë.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell ka thënë se është “i tmerruar nga lajmi” për sulmin në Gazë, derisa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është i “indinjuar”.

Zyrtarë prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se Izraeli duhet të marrë çdo masë të mundshme për t’i mbrojtur civilët.

Ushtria izraelite ka thënë se po kryen hetime për rastin.

Aksi Fier – Seman – Darëzezë i rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve, banorët apelojnë për zgjerimin e rrugës dhe vendosjen e sinjalistikës

Rruga që lidh Fierin me plazhet në Seman dhe Darëzezë është e rrezikshme, jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për ata që ecin me motoçikleta e biçikleta. Shkaku është se ajo është shumë e ngushtë, aq sa kur shkëmbehen dy automjete, njëri prej tyre duhet të dalë jashtë asfaltit.

Qytetarët ngrenë shqetësimin sepse po afron sezoni veror dhe në këtë aks rrugor dyfishohet e trefishohet qarkullimi i mjeteve, ku në fundjava numri i pushuesve në këto dy plazhe shkon mbi dhjetë mijë pushues.

Banorët pohojnë se sinjalistika mungon si dhe në ura e kthesa mungojnë rapat mbrojtëse. Jo pak herë, në këtë aks rrugor kanë ndodhur shumë aksidente me plagosje, por edhe me humbje jete.

Banorët bëjmë apel që tashmë në prag të çeljes së sezonit turistik organet përkatëse të marrin masa duke vendosur sinjalistikën, rapat mbrojtëse, por dhe të kryejnë zgjerimin e rrugës apo xhepat që të lejojnë shkëmbimin normal të automjeteve.

Siguria e punëtorëve në rrezik, 5 persona humbën jetën në punë në maj

Një tjetër punëtor ndërtimi në Tiranë humbi jetën në vendin e punës paraditen e kësaj të hëne.

Adrian Fejzullahi ishte paraqitur në punë si çdo ditë tjetër, por pa e ditur se nuk do të kthehej më në shtëpi.

Rreth orës 08:20 minuta në rrugën “Aleksandër Mojsiu” 53-vjeçari ra nga kati i 7 i pallatit teksa ishte duke ngjitur kovat me llaç.

Në këtë pallat nuk dihet nëse Inspektorati i Punës ka kryer ndonjëherë kontrolle për respektimin e kushteve të sigurisë, por lehtësisht është e dallueshme që mungojnë skelat dhe rrjeta mbrojtëse.

Disa persona janë shoqëruar në polici për incidentin e regjistruar në këtë fillim jave i cili ishte fatal për 53-vjeçarin.

Me humbjen tragjike të Adrian Fejzullahut, shënohet viktima e 5 ër këtë muaj si pasojë e aksidenteve në punë.

Më 9 maj në Shëngjin të Lezhës Emiliano Frroku humbi jetën pasi ra nga kati i 9 i pallatit teksa ishte duke montuar vinçin.

Dy ditë më pas, Preng Gjoni po punonte në një pallat në ndërtim në Kune të Lezhës teksa u godit për vdekje nga një dërrasë e cila u shkëput nga lartësia e godinës.

Më 21 Maj, vagonistin Armando Peshku e zuri poshtë një masiv shkëmbor në minierën e Theknës së Martaneshit, ndërsa kolegu i tij mbeti i plagosur.

Jurgen Veshi më 22 maj humbi jetën në guroren në Brataj të Selenicës pasi një masiv guri u shkëput nga mali dhe e zuri poshtë.

Kosova, anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO, Beogradi reagon ashpër: Perëndimi shpërbleu fëmijën e vet

Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviç tha se pranimi i Kosovës si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s “e ekspozoi të gjithë politikën e standardeve të dyfishta të Perëndimit”.

Ai e akuzoi Perëndimin se “edhe një herë e shpërbleu fëmijën e vet”.

“Cilat janë sanksionet perëndimore ndaj Prishtinës, gjatë së cilës e ashtuquajtura Kosovë merr liberalizimin e vizave, merr pjesë në të gjitha tubimet ndërkombëtare dhe avancon drejt disa organizatave ndërkombëtare?”, tha Petkoviç.

Ai shkoi edhe më tej, duke thënë se kohët e fundit Perëndimi “po ushtron presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë me Aleksandër Vuçiçin në krye është gjemb në sytë e shumë fuqive perëndimore”.

E zbulon trajneri i Sivasporit, dy skuadra gjigante kërkojnë të “rrëmbejnë” Rei Manajn

Rei Manaj zhvilloi një sezon spektakolar me turqit e Sivasporit, teksa është gati për të hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Në një prononcim të dhënë së fundmi, trajneri i Sivasporit, Bulent Ujgun ka bërë të ditur ofertat e transferimit për Rei Manajn.

Ujgun deklaroi se Manaj ka marrë një ofertë maksimale prej 9 milionë eurosh. “Mund të them se dy skuadra të mëdha duan ta blejnë Manajn.

Oferta prej 6 milionë eurosh erdhën nga Franca dhe Italia, dhe 9 milionë euro nga Katari.

Presidenti dhe menaxhmenti ynë ranë dakord për një tarifë transferimi prej 15 milionë euro. Por nuk e di se çfarë do të ndodhë dhe çfarë do të përfundojë.

Nuk mendoj se është e drejtë të japim emrat e tyre pasi nuk ka ofertë zyrtare. Mund të them se dy nga skuadrat tona të mëdha duan të blejnë. Ata gjithashtu thanë se edhe një ekip nga Stambolli dëshiron të blejë.

Në fund të fundit, bordi ynë do të vendosin nëse është e nevojshme ekonomikisht, ne do të marrim vendimin në përputhje me rrethanat dhe të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”, u shpreh trajneri i Sivasporit.

Pse nuk duhet të pini kafe me stomakun bosh, ja efektet anësore që ju shkakton

Shumë njerëz janë mësuar ta pinë kafenë e mëngjesit me stomakun bosh, gjë që nuk është e mirë për trupin e tyre.

Po sikur kafeja të ketë efekte pozitive në humor, funksionin e trurit dhe performancën atletike. Nëse e pini kafenë me stomakun bosh ose e zëvendësoni mëngjesin vetëm me kafe, po i privoni trupit tuaj lëndët ushqyese që i nevojiten.

Edhe nëse nuk ndiheni të uritur kur zgjoheni ose para se të pini kafenë, përpiquni të hani diçka për të mbajtur të qëndrueshme sheqerin në gjak.

Shikoni dy efekte të tjera të pirjes së kafesë me stomakun bosh:

Shtim në peshë

Një tjetër efekt anësor i rëndësishëm i pirjes së kafesë me stomakun bosh është rritja e mundësive për të fituar peshë.

Sidomos ata që mendojnë se duke zëvendësuar mëngjesin me kafenë, po ulin oreksin, duhet të dinë se po prishin nivelet e insulinës, duke u bërë që të dëshirojnë ushqime me përmbajtje të lartë yndyre dhe sheqeri.

Probleme me stomakun

Së fundi, antioksidantët që përmban kafeja në sasi të mëdha lidhen me një lloj acidi (acidi gjenik i klorit) që gjendet edhe në shumë fruta.

Një filxhan kafe e thjeshtë me stomakun bosh stimulon sekretimin e acidit klorhidrik në traktin tretës. Acidi klorhidrik shpërbën ushqimin në stomak. Por kur stomaku është bosh, është e mundur që pirja e kafesë të çojë në një nivel të shtuar të acidit në stomak, fryrje dhe të vjella.

Shëndetësia llaç e tulla/ Mbi 60 për qind e fondeve buxhetore shkojnë për ndërtim objektesh

Në një hark kohor prej 10 vitesh, nga 2014 deri në 2024, rreth 60% e investimeve publike në sektorin e shëndetësisë shkojnë për ndërtime dhe rikonstruksione objektesh si spitale, qendra shëndetësore e të tjera, ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale i kushtohen blerjes së pajisjeve mjekësore.

Një përqindje shumë e vogël e fondit për blerjen e pajisjeve mjekësore, ngre pyetje mbi ofrimin e shërbimit shëndetësor cilësor ndaj qytetarëve dhe mungesa e pajisjeve të domosdoshme mjekësore në spitalet publike, i detyron shpeshherë individët që t’i drejtohen spitaleve private.

Sipas një raporti të NDI Albania dhe Shoqatës Together for Life, investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit përbëjnë 58% të totalit të investimeve publike në shëndetësi, ndërkohë që ato me financim të huaj zënë 42%. Planet fillestare të përcaktuara në miliard lekë për investimet publike, janë realizuar më pak nga sa ishte parashikuar. Konkretisht, planifikimi mesatar i investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për vitet 2014-2024 është 27 miliardë lekë, ndërsa janë realizuar 20 miliardë lekë, kjo duke marrë parasysh masën shumë të ulët të investimeve në 2014-ën.

Ndërkohë, referuar ndarjes rajonale të investimeve publike për 10 vite, rreth 82% e fondit total të investimeve është shpërndarë në qytetin e Tiranës, ndërsa mesatarisht 2-2.4% e fondit në qytetet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Lezhë dhe Berat. Pjesa e mbetur e investimeve publike i takon qyteteve të tjera të Shqipërisë, me një fond minimal prej 1% të të gjithë totalit në bazë vjetore.

Shpenzimet publike për shëndetësinë dhe politikat e mbulimit ndikojnë drejtpërdrejtë pagesat nga xhepi i familjeve si pjesë e shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore. Të dhënat më të fundit tregojnë se shpenzimet për kujdes shëndetësor nga pagesat e xhepit të familjeve, kanë pësuar rënie. Këtë vit pritet që këto shpenzime të jenë 35%.

Me kalimin e viteve, buxheti për shëndetësinë është rritur dukshëm. Gjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë u rrit 57%, duke arritur vlerën e 65 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 95 miliard në vitin 2023. Për këtë vit, buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale është rreth 98 miliardë lekë, 4.06% e PBB ose 13.4% i shpenzimeve të buxhetit të shtetit./Scan

Sabah Sheta: Duhej të vinte Rama në Krujë që bashkia të kujtohet për disa nga gropat e rrugëve

Kryetari i degës së PD, Krujë, Sabah Sheta, shprehet se me ardhjen e kryeministrit Rama në qytet, bashkia u kujtua që të pastrojë rrugët dhe të mbush disa nga gropat. Në postimin e tij në Facebook, Sheta thotë se kompania e kontraktuar nga ARRSH për mirëmbajtjen e rrugës Fushë-Krujë-Qafë Shtamë, nuk ka investuar kurr mbi këtë aks.
Ai gjithashtu thotë se procesi i Rindërtimit në Bashkinë Krujë ka 6 muaj që ka përfunduar dhe qytetarët nuk futen në banesa dhe pse i kan dhene dhe letrat ne dore.

POSTIMI i PLOTË:

Festë në Krujën tonë se na erdhi udhëheqësi, u pastruan rrugët dhe mbushën disa gropa me asfalt, bëmë dasëm pa dhëndërr…
“Festë” e madhe sot në Krujë. Entuziazëm tek rilindasit dhe patronazhistët sepse do të vinte i gjati, “naltmadhnia” i tyne Edi nga Tirana. Qytetarëve të pezmatuar dhe të painteresuar nga kjo vizitë diçka iu bëri përshtypje e siç duket sa për sot iu shërbeu. Rrugës nga do të kalonte kryerilindasi kryeministër, nisën të hiqen mbeturina e hedhur anash e tek-tuk duhej të mbulohej ndonjë gropë që të mos tronditej udhëheqësi. Ja pra që vizita e dha një minimum efekt, e krutanët “luten” që i gjati të vij çdo ditë në qytetin e tyre sepse ndoshta do të pastrohej e gjithë zona e asfaltohej aksi i rrugës i lënë nën mëshirë të fatit ku edhe pse për mirëmbajtjen e rrugës Fushë-Krujë-Qafë Shtamë duhet të jetë një firmë e kontraktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për mirëmbajtje, gjendja është skandaloze.
Pyetja që i shtrojmë kryeministrit në ikje Edi Ramës dhe ministres infrastruktures Balluku është: Ku shkojnë paratë e kontraktuar nga ARRSH për firmën që mirëmban rrugën Fushe Kruje-Qafeshtame kur mbi këtë aks rrugor nuk ka asnjë investim për mirëmbajtjen të saj apo riparim të dëmeve nga 10 vjet: Apo thjesht vidhen??
Në Krujë sot kishte festë nga rilindasit, veçse për çfarë festohej nuk e dinte askush, madje as vetë ata. Ishte si një dasëm pa dhëndurë ose më saktë dhëndërri “martohet” çdo muaj por nuse nuk po merr. Kjo po ndodh me krutanët sepse kryeministri vjen në Krujë për Rindërtimin bën shoë mediatik dhe shtëpitë familjeve të dëmtuara nga tërmeti nuk po iu jepen.
Procesi i Rindërtimit në Bashkinë Krujë ka 6 muaj që ka përfunduar dhe qytetarët nuk futen në banesa dhe pse i kan dhene dhe letrat ne dore: Per këtë spektakël të kryerilindasit Rama të cilin nuk dihet edhe sa herë do e shohim në qytetin tonë. Madje banorët po jetojnë me qera ku as bonueset nuk iu jepen më nga 8 muaj!
Kjo që po ndodh me qytetarët e dëmtuar nga tërmeti në Krujë, është e turpshme dhe e patolerueshme. Rama dhe rilindësit siç duket kanë ndërmend ta vazhdojnë këtë shoë mediatik deri në një “dasmën” e madhe që Rama do të organizojë pak para zgjedhjeve për ta shfrytëzuar për fushatë elektorale.
Ky është një tregues që kryeministri nuk është aspak i interesuar për hallet e banorëve që nuk po futen në shtëpi, por për interesin e tij elektoral, ku për të çdo gjë është matematikë elektorale.
Dega e PD Krujë i bën thirrje pushtetit vendor dhe atij qendror që të futin banorët në banesat e tyre. Përsa kjo nuk po ndodh?!. Është për llogari elektorale, apo largqoftë korruptive ku banorëve do iu duhet dhe të paguajnë për të gëzuar shtëpitë e tyre?! Përgjigjia pritet nga autoritetet…

Qeveria më e korruptuar do luftojë korrupsionin!

Nga Ermal Peçi

Udhëtimi nëpër diasporë nuk është vetëm nisja e fushatës, por edhe një lëvizje propagandistike për të zhvendosur vëmendjen nga problemet shumë të mëdha që ka qeveria Rama. Një mënyrë për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga korrupsioni qeveritar, drejtuesit partiak-policor, të cilët janë të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe nga një sërë hetimesh ndaj figurave më të fuqishme politike të Partisë Socialiste si Erion Veliaj. Ajo që erdhi pas 14 majit përtej gëzimit të madh që pati brenda PS po sjell dhe hidhërimin për mënyrën se si e kanë marrë këtë pushtet politik, si kanë bashkëpunuar me krimin dhe si korrupsioni ka kapur çdo ind të qeverisë Rama. Shprehja e Lord Acton, i cili ishte një historian e politikan britanik, i cili thoshte se “Pushteti tenton të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”. Pushteti absolut i Ramës tashmë ka korruptuar çdo qelizë edhe të gjendur përballë SPAK po tentojnë çdo mekanizëm për të shpëtuar veten edhe bashkëpunëtorët e tyre. Siç ishte edhe rasti i amnistisë penale ku në ndihmë të Ramës për të liruar të dënuarit e GJKKO-së erdhën në ndihmë e deputetët e Berishës me në krye Gazment Bardhin, i cili tashmë nuk mban më asnjë përgjegjësi për deklaratat politike që bën në publik. Në këtë realitet politik duket po aq sa ironike që qeveria, e cila është më e korruptuara në këto 33 vite propozon një rezolutë anti korrupsioni. Ata që duhet të krijonin reforma, ata të cilët duhet të luftonin korrupsion ishin shtytësit e parë, të cilët e panë veten e tyre si sikur, “ata ishin shteti”, dhe futën duart e tyre në çdo pasuri për ta vjedhur e për ta bërë “Pazar”pushteti. Pavarësisht fjalëve dhe mënyrën si si duan ta shesin e ta propagandojnë mënyrën se si po kërkojnë ta kapin SPAK-u dhe t’i lidhin duart është e qartë që kjo qeveri nuk ka asnjë qëllim të luftojë atë që ata e krijuan po vetë, korrupsionin që është kryefjala. Prandaj nëse do të duan të luftojnë korrupsionin, krimin, politikanët e korruptuar mjaftojnë të pranojnë propozimet dhe amendamentet e Bashës për të fuqizuar SPAK-u dhe për të forcuar goditjen e këtij institucioni, i cili po rrit besimin e shqiptatëve në drejtësi.