27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Manchester United dëshiron shkarkimin e trajnerit edhe pse fitoi Kupën FA, Ten Hag: Nuk më intereson, do të shkoj diku tjetër që të fitoj më shumë trofe

Erik Ten Hag e sheh veten shumë larg Mançester Junajtid, edhe pse arriti të fitojë Kupën FA ditën e djeshme. Thashethemet e fundit, para derbit në finale, tregonin se Junajtid ishte gati ta shkarkonte atë edhe në rast triumfi. Do të shohim në ditët në vijim nëse do të jetë kështu.

Ndërkohë, i pyetur në konferencën për shtyp, trajneri i “djajve të kuq” shprehet pak kokëfortë: “Duhet të ecim përpara, nuk jam i kënaqur, duhet të bëjmë më mirë. Pastaj nëse nuk më duan më, do të shkoj diku tjetër për të fituar trofe, sepse kjo është ajo që kam bërë gjatë gjithë karrierës sime”.

Kështu më thonë gjithmonë”, vazhdoi trajneri holandez, i cili më pas e ndërpreu konferencën për shtyp kur një gazetar i kujtoi se vendi i tetë në Premier Ligë, është një pozicion larg vendit ku duhet të ishte një klub si Mançester Junajtid: “Më vjen keq që e them, por ju nuk dini asgjë për futbollin,”- iu përgjigj Ten Hag, ku më pas filloi të justifikohej për lëndimet e shumta që ka pasur ekipi i tij.

Privati, më shumë energji se shteti! Përmbyset trendi, hidrocentralet private prodhuan më shumë se ato publike

Sektori privat prodhoi më shumë energji se hidrocentralet publike në tremujorin e parë të vitit.

Shifrat nga institute statistikave tregojnë se tre muajt e parë të viti gati 50.3% e energjisë u prodhua nga hidrocentralet private duke shënuar përmbysjen e një trendi, që nga legalizimi i koncesioneve në 2007-tën. Rritje të prodhimit ka edhe nga sektori fotovoltaik, i cili kontribuoi në 2.8% të prodhimit nga 0.6% një vit më parë.

Në totalin e saj, në tremujorin e parë energjia në dispozicion nga burimet ujore të vendit pësoi rënie në krahasim me një vit më parë.

Kjo ka detyruar KESH që të importojë 2.2 herë më shumë energji në këtë periudhë, ndërsa eksporti u ul me 10% nga një vit më parë.

Tek trendi i konsumit të energjisë, shihet se bizneset pësuan një ulje të lehtë gjatë kësaj periudhe, ndërsa familjet e rritën konsumin e tyre. Më shumë energji është përdorur gjatë kësaj periudhe në krahasim me një vit më parë, ndërsa sasia vijon të mbetet në nivelet mesatare të pesë viteve më parë.

Ndërkohë INSTAT bën me dije edhe se humbjet në rrjetin energjetik janë ulur nga 25% një vit më parë, në 21.9%. Humbjet pësuan rënie si në transmetim dhe në shpërndarje. Më së shumti përmirësimi ka ardhur në pjesën e humbjes joteknike apo siç quhen ndryshe vjedhjet e energjisë.

“Rama show me emigrantët”, Endri Hasa i kujton kryeministrit propozimet e PD për votën e diasporës: Ka frikë nga vota e lirë

Anëtari i kryesisë së PD, njëkohësisht Sekretari për Burimet njerëzore dhe Koordinimin Dixhital, Endri Hasa, përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar propagandë bajate show-n e Ramës në Itali sot. “Ai bën gjithçka për të vjedhur suksesin e atyre që me shumë sakrifica dhe pa ndihmën e asnjë qeverie në Tiranë kanë ndërtuar jetën e tyre në Europë”, – shprehet Hasa, ndërsa shprehet se kërkesat e diasporës plotësohen më së miri në propozimet e PD për vettingun dhe votën e emigrantëve.

POSTIMI I PLOTË I ENDRI HASËS:

Edi Rama vazhdon propagandën bajate dhe bën gjithçka për të vjedhur suksesin e atyre që me shumë sakrifica dhe pa ndihmën e asnjë qeverie në Tiranë kanë ndërtuar jetën e tyre në Europë.

Ata kërkesat i kanë të thjeshta: duan tu mundësohet vota dhe duan që taksat e tyre dhe pasuritë e atdheut të tyre të mos ti vjedhë korupsioni qeveritar.

Vetingu në politikë dhe vota e Diasporës kanë mbi gjashtë muaj qe janë depozituar në kuvend nga Partia Demokratike e Shqipërisë por vazhdojnë të mbahen bllokuara sepse të korruptuarit janë bërë bashkë.

Gjithçka që Rama bën është show, ai ka frikë nga vota e lirë e diasporës sepse ai është shkaku kryesor i emigrimit të Shqiptarëve, sepse Edi Rama është Nona e Korrupsionit!

Edi Rama duhet të largohet sa më parë!

Kur të ikë ai dhe qeveria e tij e korruptuar do të rikthehen Shqiptarët!

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë thirrje NATO-s: Mos avanconi statusin Kosovës

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.

 

Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiç. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Ndërkaq, në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviç, ia rikujtoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s kompeksitetin e çështjes duke pasur për bazë situatën në Kosovë “pasi bëhet fjalë për shkëputje të një anshme të një pjese të territorit, të një shteti të njohur ndërkombëtarisht”. Sipas Jovanoviçit, çështjet territoriale duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje.

Serbia po ashtu akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa që të formojë Asociacionin.

Kosova humbi rastin që në mes të majit të bëhej anëtare e organizatës të Këshillit të Evropës për shkak se Asociacioni u vendos si kusht. Kosova përmes një letre dërguar kësaj organizate tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim një draft-statut për Asociacionin, në këmbim të pranimit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se draft-statuti do të frymëzohej nga ai që ka paraqitur organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

Por, Kosova nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt më 16 dhe 17 maj në Strasburg. Megjithatë, Këshilli i Evropës ka thënë se po e shqyrton mënyrën se si të procedojë me rastin e Kosovës./REL

“Pas fasadës së Edi Ramës fshihet frika e tij nga vota e diasporës”/ Alibeaj: Rama po tenton të përçajë diasporën

Pasi incidentit të sotëm në takimin e Edi Ramës në Milano dhe pas dhunës së ushtruar nga militantët e tij ndaj një grupi aktivistësh që kërkuan votën e diasporës në takimin me kryeministrin, ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj shkruan se “pas fasadës së takimeve të Edi Ramës me diasporën, fshihet përpjeka e militantëve të tij, që e shoqërojnë me porosi nga Shqipëria, për të moslejuar pikërisht votën e diasporës”.

“Edi Rama dhe PS kanë frikë nga vota e diasporës, sepse keqqeverisja dhe korrupsioni i kësaj qeverie është arsye kryesore e largimit të shqiptarëve.” – vijon më tej ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Pas fasadës së takimeve të Edi Ramës me diasporën, fshihet përpjeka e militantëve të tij, që e shoqërojnë me porosi nga Shqipëria, për të moslejuar pikërisht votën e diasporës.
Ky është realiteti i një ligjërimi kryeministror që flet për gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë.
Kjo është fryma përçarëse që po mundohet të përhapet edhe në diasporë.
Edi Rama dhe PS kanë frikë nga vota e diasporës, sepse keqqeverisja dhe korrupsioni i kësaj qeverie është arsye kryesore e largimit të shqiptarëve.
Ndaj vetëm propozimet tona për votën e diasporës e zgjidhin përfundimisht këtë çështje.

 

 

Gjykata Kushtetuese Gjermane forcon të drejtat e të huajve pa nënshtetësi, shkak bëhet një djalë nga Kosova

Padia e një djali nga Kosova bëri që Gjykata Kushtetuese Gjermane të forcojë të drejtat e të huajve pa nënshtetësi por të lindur e rritur në Gjermani. Veprat penale të së shkuarës nuk janë automatikisht shkak dëbimi.

Ishte padia e një djali nga Kosova në Gjykatën Kushtetuese gjermane në Karlsruhe që e solli këtë vendim: Sipas Gjykatës Kushtetuese delikte të drogës në të shkuarën nuk mjaftojnë si arsye dëbimi.

I riu nga Kosova bën pjesë tek ata persona që në Gjermani quhen nga ana juridike “faktikisht vendas”, thuajse vendas. Fjala është për persona të huaj që nuk e zotërojnë nënshtetësinë gjermane, por ose kanë lindur në Republikën Federale të Gjermanisë ose kanë ardhur si fëmijë të vegjël dhe prej vitesh kanë hedhur rrënjë në këtë vend. Krahas të drejtës për respektimin e jetës familjare dhe private, sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në grindjen për dëbimin ata mund t’i referohen sipas juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese gjermane edhe të drejtës kushtetuese për zhvillimin e lirë të personalitetit, argumentuan gjykatësit gjermanë.

I ri nga Kosova i ardhur si fëmijë në Gjermani

Paditësi nga Kosova kishte ardhur mjaft i vogël në Gjermani, kishte shkuar në kopsht gjerman, më pas kishte arritur të merrte dëftesën e arsimit të mesëm. Ai ishte kualifikuar si punëtor i logjistikës në Gjermani. Nga viti 2018 duhej të dilte disa herë para gjyqit për shkak të disa veprave penale të lidhura me drogën dhe pjesërisht sulmeve me lëndime të rënda trupore.

Në fillim të vitit 2022 ai u dëbua nga Gjermania në Kosovë. Zyra e të huajve vendimin e marrë për dëbimin e kishte argumentuar me rrezikun e lartë të përsëritjes së veprave penale.

Me padinë e ngritur, kosovari i ri arriti ta bëjë të vlefshme para gjykatës të qenurit “faktikisht vendas” dhe se vepra penale i ka kryer në moshën e adoleshencës. Ndërkohë ai i paraqiti gjykatës edhe përfundimin e një terapie kundër drogës dhe se ka respektuar masat e riintegrimit në shoqëri.

Kritika të kushtetuesve gjermanë për vendimet e para të gjykatave

Dy gjykata më parë e kishin refuzuar padinë e djalit nga Kosova, Gjykata Administrative dhe Gjykata Bavareze e Administratës, VGH në Mynih. Por Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe me vendimin e së enjtes (23.05.) i shfuqizoi vendimet e të dyja gjykatave. Gjykatësit gjermanë të kushtetueses në argumentimin e tyre, thanë se VGH nuk kishte verifikuar me seriozitet, nëse paditësi për shkak të rrënjëve të hedhura në Gjermani mund të merrej në konsideratë si “faktikisht vendas”. Në konsiderimin e interesave dhe verifikimin e proporcionalitetit të masave duhet marrë parasysh edhe e drejta bazë e zhvillimit të lirë të personalitetit.

Vërtet që në veprat penale të lidhura me drogën ekziston rreziku I përsëritjes, theksuan gjykatësit. Por tek personat “faktikisht vendas”, zyrat e te huajve dhe gjykatat duhet të verifikojnë më me vëmendje dhe ta arsyetojnë këtë. “Për këtë arsye kërkohet një prognozë individuale e rrezikut e lidhur me rastin konkret nën marrjen në konsideratë të fakteve aktuale”, që në vendimin e Gjykatës Bavareze të Administratës nuk është bërë si duhet, argumentoi Gjykata Kushtetuese Gjermane./DW

Vrasja e bujshme e Azem Hajdarit/ Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Izet Haxhisë, lë në fuqi dënimin me 21 vite burg

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të vitit 2022, duke lënë në fuqi dënimin me 21 vite burg të Izet Haxhisë për vrasjen e bujshme të Azem Hajdari në vitin 1998.

Izet Haxhia kërkonte prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.

Kujtojmë që në shkurt të 2022 Haxhia u dënua me 21 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.

Për drejtësinë shqiptare Izet Haxhia është bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit në 1998-ën, duke e dënuar me 21 vite burg.

Në Apel prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burg ndërsa Haxhia kërkoi shpalljen i pafajshëm.

Beteja ligjore 

Më 8 Maj 2018 Izet Haxhia preku tokën shqiptare me pranga në duar për t’u vendosur në qelitë e paraburgimit 313. Nga ajo ditë ai nisi betejën ligjore për pafajësi. Fillimisht iu pranua rigjykimi, por plot 12 kërkesa për t’iu hequr masa e arrestit me burg iu refuzuan.

Përgjatë procesit të rigjykimit Hazhia kërkoi të ballafaqohej dhe të dëshmonte në gjyq për vrasjen e shekullit edhe ish kryeministri Sali Berisha, që sipas ish-truprojës ka urdhër vrasjen e Hajdarit, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata. Më 12 shtator 1998 në një atentat mafioz u vra Azem Hadjari, krim për të cilin pas dënimit me burg përjetë të Jaho Mulosmanit, u dënua edhe Izet Haxhia.

Drejtësia ftoi në këtë proces të ishin edhe familjarët e ish-deputetit në pozicionin e trashëgimtarëve të viktimës, por ata zgjodhën të braktisin procesin dhe nuk u përfaqësuan as me avokat.

Kërcënimet atomike të Moskës dhe kritika nga perëndimi/ DW: A do të kishte kuptim për Rusinë vënia në përdorim e armëve të tilla?

Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia po zhvillon manovra me armë taktike atomike. A do të kishte kuptim për Moskën vënia në përdorim e armëve të tilla?

Rusia i ka filluar manovrat me armë atomike të bëra të ditura që në fillim majit. Faza e parë e stërvitjes që zhvillohet në jug të vendit në afërsi të kufirit ukrainas, përfshin përgatitjen dhe përdorimin e armëve atomike jo-strategjike, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Moskë. Stërvitje të tilla zhvillohen për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ato zhvillohen nga njësitë e “Departamentit Jugor Ushtarak” të mbrojtjes ajrore me pjesëmarrjen e forcave të armatosura ajrore dhe detare.

Qëllimi është “rritja e gatishmërisë e forcave atomare jo-strategjike. Krahas territorit rus, mbrojtja ajrore ruse shtrihet edhe në Gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si dhe në rajonet, Kherson, Donjeck, Luhansk e Zaporishja, që në vitin 2022 u pushtuan pjesërisht e pas referendumeve të inskenuara, presidenti Putin i deklaroi ato si pjesë të territorit rus.

Kërcënimet atomike të Moskës dhe kritika nga perëndimi

Përfaqësues të vendeve perëndimore e kanë kritikuar udhëheqjen e Moskës për shkak të kërcënimeve atomike. Edhe nëse presidenti Putin nuk ka kërcënuar hapur me sulm atomik, ai e ka paralajmëruar Perëndimin nga mundësia e një lufte atomike në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me Rusinë. Ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Dmitri Medvedev përkundër kësaj ka kërcënuar disa herë me përdorimin e armëve atomike. Më 6 maj ai u shpreh ngjashëm. Vendimin për zhvillimin e manovrave me armë taktike atomike ai e lidhi me debatin në perëndim, nëse është e lejueshme të dërgohen trupa tokësore perëndimore në Ukrainë.

Edhe zëdhënësi i Putinit, Peskov manovrat atomike i lidhi me deklaratat e politikanëve perëndimore për dërgim të mundshëm të trupave tokësore në Ukrainë dhe përmendi këtu sidomos presidentin francez, Emmanuel Macron. Peskov bëri fjalë për një ”raund të ri të përshkallëzimit”.

Çfarë janë armët taktike atomike?

Armët taktike atomike dallohen nga ato strategjike. Ato kanë një rreze më të vogël veprimi dhe kanë më pak fuqi, mund të bëhet fjalë për artileri, por më shpesh për raketa balistike dhe raketa të tjera luftarake. Ato startojnë nga sisteme si konvencionale edhe nga ata të përgatitur me koka nukleare.

Si armë atomike taktike konsiderohen sisteme raketash me bazë tokësore me një rreze veprimi deri në 500 km si edhe raketa me bazë detare ose ajrore me një rreze veprimi 600 km. Në klasifikimin e tyre nuk ka kufij të qartë.

Përdorimi në Ukrainë “nuk ka kuptim”

Ekspertë të pyetur nga Deutsche Welle janë të mendimit, se nuk ka gjasa përdorimi i armëve atomike në Ukrainë dhe përveç kësaj ai është i pakuptimtë. “Në kuptimin ushtarak përdorimi i armëve atomike nga Rusia në Ukranë nuk ka asnjë kuptim në rrethana të tilla”, thotë Pavel Podvig, drejtues studimor në Institutin e OKB-së për Studime e Çarmatimit. Në këtë drejtim nuk ka ndryshuar gjë, thotë ai.

Rusia nuk do të ushtrojë sulmin në një manovër të tillë, por procedurën për përdorimin e armëve, thotë eksperti  Podvig. “Pasi normalisht kokat shpërthyese jo-strategjike ruhen të ndara nga raketat dhe avionët, nga të cilët mund të startohen.” Podvig shpreson, që kjo manovër për shkaqe sigurie të zhvillohet me pajisje ushtarake imituese.

Kurse eksperti Nikolai Sonov, studiues në Qendrën Vjeneze për Çarmatimin dhe Kundër Proliferimit, (VCDNP) është i mendimit, se “asnjëherë” nuk ka pasur plane për përdorimin e armëve atomike në Ukrainë. Këto plane nuk ekzistonin as në vjeshtën e vitit 2022, kur ushtria ruse u tërhoq nga rajonet e Kharkivit dhe Khersonit. Në mediat amerikane ka pasur raportime të tilla, se gjoja kjo është temë në Federatën Ruse. Por tani ushtria ruse ka fituar superioritet në shumë drejtime kundër asaj ukrainase dhe po përparon në disa rajone në drejtimin lindor, shprehet Sokov. Madje Kievi pret një zgjerim të sulmeve ruse.

Stërvitja atomike “paralajmërim për perëndimin”

Kërcënimet ruse kanë një sfond tjetër. “Përshkallëzimi nuklear” është një frazë, të cilit perëndimi i trembet  shumë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Madje kjo shihet si arsyeja kryesore, sipas disa politikanëve perëndimorë dhe ekspertëve, pse furnizimi me armë i Ukrainës përparon ngadalë dhe i kufizuar.

Mathieu Boulègue nga Qendra Amerikane Wilson Center thotë se Moska tek kjo bazohet. Ai nuk beson se manovra lidhet vetëm me “qëndrimin e Francës”, kur Macron nuk e përjashtoi para disa javësh dërgimin e trupave tokësore, por është pjesë e “frikësimit të vazhdueshëm dhe mprehjes së shpatave nga ana e Kremlinit”, me qëllim që të thyejë vendosmërinë e perëndimit për mbështetjen e Ukrainës.

Ekspertët janë të mendimit, se manovrat ushtarake të Rusisë janë më shumë “një sinjal dhe paralajmërim që i drejtohet perëndimit”. Ky sinjal politik nuk përmban asgjë të mirë, megjithatë duhen bërë përpjekje për ta kuptuar atë me kthjelltësi”, thekson eksperti Pavel Podvig./DW

“Një i papërgjegjshëm që reciton për të vjedhur suksesin e shqiptarëve të ndershëm nëpër botë”, Basha: Rama fajëson gjithkënd për dështimet e fajet e tij. Vota e diasporës detyrim kushtetues

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama në Itali. Sipas Bashës ai fajësoi këdo për dështimin e tij dhe shpopullimin e vendit, duke u shfaqur si “një i papërgjegjshëm që reciton për të vjedhur suksesin e shqiptarëve të ndershëm nëpër botë”.

Bashkëngjitur postimi i kreut të PD:

Vetëm pellazgët dhe ilirët mbetën pa u fajësuar për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës, për dështimet, për premtimet e pambajtura, për shpopullimin dhe mohimin e të drejtave të atyre që shpërnguli përgjatë qeverisjes së tij nga vendlindja.

Një i papërgjegjshëm që reciton për të vjedhur suksesin e shqiptarëve të ndershëm nëpër botë, për të mbuluar njollat e turpit të pushtetit të tij të korruptuar në çdo qelizë dhe për të fshehur dështimet e qeverisjes së tij, nuk bën gjë tjetër vetëm se shton agoninë e një sistemi të vdekur.

Koha që cirku dhe ahengu të marrë fund dhe të rikthehemi te propozimet politike. Vota e diasporës, detyrë kushtetuese dhe borxh ndaj bashkatdhetarëve tanë.
Propozimet e PD-së i japin zgjidhje aspiratës së emigrantëve për të vendosur për Shqipërinë e përbashkët.

Llogaritë për në Champions, Roma arrin të kualifikohet vetëm nëse Atalanta del e pesta

Me fitoren e Europa Ligës nga skuadra e Atalantës ka nisur edhe festa e Romës. Ose është gati të shpërthejë. Sepse verdhekuqtë edhe duke qenë të gjashtët në klasifikimin e përgjithshëm të Serisë A janë një hap larg pjesëmarrjes në Champions.

Por çfarë duhet? Duhet thjesht që zikaltrit e Atalantës ta mbyllin kampionatin në vendin e pestë. Një skenar i mundshëm, por jo i sigurt duke parë që janë vetëm -2 nga Bolonja dhe Juventusi që ndodhen respektivisht në vendin e tretë dhe të katërt. Kështu që ekipit të De Rosit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë tifo për Torinon dhe Fiorentinën, dy rivalët e radhës për “Dean”.

Pra Roma shkon në Champions vetëm nëse Atalanta del e pesta.