26.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

“Moska e përdor ndikimin e saj për…”/ Asambleja parlamentare e NATO-s: Të rritet bashkëpunimi me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor

Ligjvënësit e asamblesë parlamentare të NATO-s u kërkuan aleatëve të NATO-s që të rrisin bashkëpunimin me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Paqësorit për të kundërshtuar përpjekjet e fuqive autoritare për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për të sfiduar rendin ndërkombëtar.

Këto thirrje u bënë gjatë fillimit të punimeve tre ditore të Asamblesë Parlamentare të aleancës së NATO-s në Sofje të Bullgarisë.

“Moska e përdor ndikimin e saj jo vetëm për të formësuar politikën rajonale, por për të pasur ndikim më të gjerë edhe në Evropë”, thuhet në raportin për Ballkanin Perëndimor të hartuar nga Lord Mark Lancaster, në të cilin nënvizohet se një nga objektivat kryesore të Rusisë ishte “të parandalojë integrimin euroatlantik të rajonit”.

Sipas një komunikate të publikuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, thuhet se Lord Mark Lancaster bëri thirrje “për një angazhim të ripërtërirë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe promovimin e dialogut midis entiteteve rivale, rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë kibernetike me partnerët rajonalë dhe përforcimin e pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë për të penguar çdo kërcënim për ripërtëritje të dhunës”.

Këtë vit Asambleja Parlamentare pritet të votojë edhe për ndryshimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Aktualisht parlamenti i Kosovës është anëtar vëzhgues i Asamblesë ndërsa synon të bëhet anëtarë i asociuar.

Autoritetet në Prishtinë shpresojnë që Asambleja Parlamentare e NATO-s të votojë në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në këtë organizatë.

Ngritja e përfaqësimit të parlamentit të Kosovës në këtë organizatë po kundërshtohet ashpër nga Serbia. Kryetarja e parlamentit serb Ana Bërnabiç përmes një letre u ka kërkuar vendeve anëtare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të refuzojnë një gjë të tillë.

“Dhënia e statusit Parlamentit të Kosovës padyshim përfaqëson “shpërblim” për sjelljen e Prishtinës, e cila po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për të penguar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për të mos përmbushur detyrimet e saj nga marrëveshja e Brukselit dhe siç e dinë NATO-ja dhe KFOR-i , të cila janë të pranishme në territorin e Kosovës”, thuhet në letrën e zonjës Bërnabiç.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare konsultative për NATO-n dhe përfaqësohet nga ligjvënësit e të gjitha shteteve të Aleancës Veri-Atlantike. Asambleja përbëhet prej 274 delegatë nga 32 vendet anëtare të NATO-s/VOA

Burri i eurodeputetes italiane gjendet i vrarë në makinën e tij në Palermo, takimi i fundit i biznesmenit! Si gruaja dhe vajza e gjetën me anë të GPS

Angelo Onorato, një arkitekt 55-vjeçar, pronar i një dyqani mobiliesh dhe bashkëshorti i eurodeputetes italiane kristiandemokrate Francesca Donato, u gjet i vdekur në Palermo.

Mediat italiane raportojnë se trupi u gjet në makinën e tij në zonën e Via Ugo La Malfa, ndërsa në qafë kishte një shirit plastik.

Alarmi është ngritur nga gruaja e tij, e cila me të bijën kishin arritur të gjenin pozicionin e makinës me GPS.

Sipas raportimeve, sipërmarrësi ka pasur një takim me dikë dhe se pranë Via Ugo La Malfa, ku është gjetur makina, ka qenë vendi i zgjedhur për të biseduar.

Gruaja dhe vajza e tij Carolina gjurmuan vendndodhjen e makinës përmes GPS-it. Ato ishin të parët që do të arrinin në vendin e ngjarjes dhe do të zbulonin trupin, siç raportoi një dëshmitar i cili tha se kishte vënë re dy gra që bërtisnin pranë makinës me derën e hapur dhe se ai njohu eurodeputeten, e cili ishte shumë aktiv në Palermo.

Përveç shiritit plastik rreth qafës, biznesmeni kishte gjak në pjesën e gjoksit në anën e djathtë, e cila, sipas hetuesve, mund t’i kishte dalë nga goja . Kjo do të shpjegonte pse thashethemet e para flisnin për të shtëna me armë zjarri.

Françeska Donato, e cila mbërriti para makinës, bëri zbulimin dramatik. E dëshpëruar , ajo u bërtiti të gjithëve “se e kishin vrarë”, thanë disa të pranishëm.

Dëshmia e rrallë e të bijës së ish-kreut të “Ballit Kombëtar”: Kur Ali Këlcyra i kërkoi qeverisë greke t’i mbështeste për të hyrë në Shqipëria, ata i thanë; më mirë për ne që aty të jenë komunistët

E bija e Ali Këlcyrës, i dënuar tri herë me vdekje nga qeveria e Mbretit Zog dhe nga diktatura e Enver Hoxhës, një nga themeluesit e “Ballit Kombëtar”, rrëfen jetën e saj dhe të familjes. Që nga lindja në Paris, shtegtimet e vazhdueshme nga një shtet në tjetrin, lidhjet me të atin dhe brenga që nuk arriti të krijonte një familje të sajën. Rrugës, tek ecën përkrah Hana Këlcyrës, ajo kërkon ndjesë përse nuk mund të ecë në krahun e djathtë. “Të më falni, pse më të vegjlit duhen të rrinë gjithnjë në krahun e majtë kur ecin vetë i dytë, por unë kështu jam mësuar që fare e vogël e nuk mundem ta ndryshoj”.

Më shumë se një zakon instinktiv, nuk dija t’i jepja shpjegim tjetër gjithë kësaj, por ja që Hana e kishte. “Kur isha e vogël dhe ecja me babain në rrugë, më vinte gjithnjë në anën e majtë të tij. Për shkak se ishte i kërcënuar me vdekje, anën e djathtë, pra dhe dorën e djathtë, donte ta kishte gjithnjë të lirë. Janë të pakta vitet që kam ecur krah tij, krahasuar me pjesën tjetër të jetës, por ja që nuk kam arritur ta ndryshoj”.

Veshjet sportive, aksesorët, modeli i flokëve e gjithë ndjesitë, krejt të ndryshme nga të moshatareve të saj, e bëjnë Hana Këlcyrën, të mos i japësh kurrsesi të 75 vitet që numëron, që nga dita e lindjes. Natyrisht, që shkak për këtë është edhe mënyra e saj e jetesës.

Lëvizjet e vazhdueshme anë e mbanë botës, jetesa e gjithë këtyre viteve në Vjenë, ku ende vazhdon të banojë. Sidoqoftë, të qenit larg Shqipërisë, për thuajse gjithë jetën, të mësuarit e disa gjuhëve të huaja, nuk ka ndikuar në shqipen e vjetër që flet Hana.

Aty-këtu ka nevojë të kujtojë një fjalë apo ta shqiptojë në italisht e frëngjisht, por tërësia e gjuhës është ajo e dikurshmja, të cilën nuk e flet gati askush më. Hana (në Shqipërinë e Jugut shqiptohet Hëna), siç ishte për së pari emri i së bijës së Ali Bej Këlcyrës, është rikthyer në Shqipëri pas më shumë se 60 vitesh, kështu që ajo puna e gjuhës nuk është gjë fort e thjeshtë.

Fëmijëria e saj është ndarë mes Parisit, Këlcyrës, Egjiptit dhe Romës, vende ku i ati emigronte për t’i shpëtuar rrezikut që i kanosej prej disa qeverive. Në këtë intervistë, për të cilën kemi biseduar me Hanën shumë gjatë, kemi mësuar në vijë diagonal thuajse për gjithë jetën e saj e një pjesë të mirë të babait të saj.

Duke filluar që nga koha e parë kur një fëmijë ‘aftësohet’ të ruajë imazhe të turbullta në kujtesë, e deri te memoria e mëvonshme që Hana e ka ruajtur ende aq të mprehtë, sa është e zonja të rrëfejë edhe detaje të ngjarjeve. Përpara se t’i hyjmë historisë në brendësi, të mësojmë së pari se ç’ishte “Besëlidhja”, një nga pikat kyçe për të cilën u përmend emri i Ali Këlcyrës.

Hana tregon: “Mithat Frashëri dhe Ali Këlcyra u internuan nga anglezët, sepse nuk bashkëpunuan me Çlirimtarët (1945, në Itali). Për ironi të fatit, Ali Këlcyra bën edhe 5 muaj burg si antiitalian dhe si pjesëtar i Luftës së Vlorës, më 1920-n. Pas lirimit, kërkon të bashkojë tërë rrymat politike të emigracionit për të rrëzuar regjimin e Tiranës (viti 1946).

Meqenëse deri në këtë moment historik personi i babait konsiderohej nga krerët e emigracionit shqiptar jashtë atdheut, si i pengesë (duke marrë parasysh aktivitetin e tij politik, si kundërshtar i Mbretit), ai thoshte: Duke qenë që interesi kombëtar, mbijetesa e atdheut ishte prioritet për të, aderoi në shoqatën “Besëlidhja” e cila mundi të konkretizohet me përjashtim të Abaz Ermenjit, i cili refuzoi bashkëpunimin.

Si folës i mirë i gjuhës greke, Ali Këlcyra u ngarkua nga “Besëlidhja” të hyjë në marrëveshje me qeverinë e Athinës, për të mundësuar hyrjen e trupave shqiptare antikomuniste në Shqipëri nga ana tokësore, duke kërkuar edhe garanci nga pala greke, se nuk do ndërhynte pas tyre në Shqipëri ushtarakisht. Mbështetja e kërkuar, u refuzua nga qeveria e djathte greke e kohës.

Përfaqësuesi grek u shpreh: “Më mirë është për ne, që të jetë në Shqipëri një qeveri komuniste, sesa demokrate, me ju në përbërje. Një ditë do të bjerë qeveria komuniste e Tiranës dhe atëherë për ne do të jetë e mundur të hyjnë në Shqipëri pa luftë”.

Me këtë dështim të misionit të Ali Këlcyrës në Athinë, merr fund “Besëlidhja” sepse, personalisht Ali Këlcyra, ka qenë kundër zbarkimit me parashuta, për të cilën do të ndihmonin amerikanët, duke pasur parasysh vështirësitë e veprimeve konkrete, të gjakderdhjes së mundshme dhe ruajtjes së jetës së shumë të pafajshmëve.

Por si vijoi historia…? Cilat kanë qenë pikat kulminante të historisë politike të të atit, për shkak të të cilit rrezikohej e gjithë familja? Përse ndenji kaq shumë vite pa u kthyer në vendin e saj pas 90-ës? Këto e gjithë çka ndodhur e ndodh në jetën e saj, Hana i rrëfen në këtë intervistë ekskluzive që po e publikojmë në këtë shkrim.

Znj. Hana, e vijojmë historinë atje ku e lamë…! Ç’veprimtari ndoqi babai pas prishjes së “Besëlidhjes”?

Ali Këlcyra kthehet në Itali dhe fillon përsëri veprimtarinë në fushën e gazetarisë së emigracionit, duke nxjerrë një gazetë me ndihmën financiare të ushtarëve të “Ballit Kombëtar”. Më vonë, zgjidhet në Komitetin “Shqipëria e Lirë” (organizatë e mbështetur nga SHBA-të, për të luftuar diktaturën komuniste) dhe mbetet për vite pjesëtar i delegacionit shqiptar që emërohej ne hapjen e punimeve të Parlamentit Europian në Strasburg.

Babai ishte orator i shkëlqyer, aftësi kjo që i ishte njohur që në rini kur u krijua Parlamenti i parë shqiptar. Bënin përshtypje fjalimet e tij që deklamoheshin pa u lexuar. Kjo aftësi e tij ishte edhe më e vlerësuara nga publiku. Kishte atë që quhet “forcë tribune”.

Ndërkohë, shkruante artikuj e analiza me tema mbi Shqipërinë, si për shembull roli i gruas në Shqipëri, mbi ardhjen e komunizmit në pushtet, luftërat e ndryshme historike, momente të rëndësishme të historisë sonë etj.

E veçanta e babait ka qenë për mua, se ai jo vetëm që i ruante dhe forconte kontaktet e tij me kundërshtarët e vet politikë, por nuk mund të harroj vlerësimet që babai jepte shpesh për ta, të cilët ndonëse me ide të kundërta, i quante atdhetarë, nëse jepnin kontribute për dialog në interes të Shqipërisë.

Si shembull, mund të përmendim ballafaqimet në Berat me Mehmet Shehun e, të tjerë, vitet 1942-1943, sepse babai kërkonte që Lufta Antifashiste të mos degjeneronte në vëllavrasje midis shqiptarësh.

Pa zbërthyer momente të veçanta të historisë, bëjmë një panoramë të përmbledhur të jetës së të dyve…! Si është historia e emrit? Diku e keni Hëna Këlcyra, diku tjetër Hana Klissura?

Origjina e vjetër, historike e familjes Këlcyra, rrjedh nga familja e Muzakajve. Sa i takon transformimit të mbiemrit, transformimi ishte bërë për shkak të titullit që Mbreti i Napolit, më 1272, i kishte njohur Andrea Muzaka-s, titullin “Conte di Clissania”, që i takonte gjeografikisht Grykës së Këlcyrës (clausura, në latinisht do të thotë ‘mbyllje’).

Me kalimin e kohëve, ky emër shndërrohet në ‘clissura’, gjë e cila mund të vërehet edhe në hartat e vjetra të kohës. Me ardhjen e pushtimit osman, në shekullin e XIV-të, emri i qytetit ‘Clissura’ transformohet edhe një herë në “Këlcyra”.

Në këtë kohë, familja, për të mbijetuar, përshtatet me realitetin e ri dhe ndërron fenë, duke ndryshuar edhe emrin e të parit të familjes, nga Teodor Clissura, në Jakup Këlcyra.

Si është historia e lindjes suaj në Paris, pse lindët atje?

Me rrëzimin e qeverisë së imzot Fan Nolit, ai largohet nga atdheu për në Itali (viti 1925) dhe, më pas vijon për në Vjenë, ku qëndron deri në kohën e atentatit, që iu bë Mbretit Zog tek opera e qytetit. Pas atentatit, autoritetet ftojnë emigrantët politikë shqiptarë, të largohen nga Vjena, gjë e cila e shtyn babanë të ikë drejt Parisit, ku vendoset deri më 1939. Prandaj unë linda në Paris, në 1936.

Për sa kohë jetuat në Paris?

Në moshën 3 vjeç e gjysmë u kthyem në Shqipëri bashkë me prindërit e mi.

Arrini të kujtoni diçka nga ardhja juaj e parë në atdhe?

Jemi kthyer në Shqipëri në ’39-n nga Parisi dhe nëpërmjet Italisë, arritëm në Brindisi. Mandej në Sarandë, me një udhëtim që zgjati rreth 10 ditë. Kujtoj si fillim përshtypjen që më bënin dritaret e rrumbullakëta të vaporit e, pastaj errësirën që gjetëm në Këlcyrë, sepse nuk kishte elektricitet.

Shandanët që mbanin personeli i shërbimit në shtëpinë e xhaxhallarëve të babait, ishin shumë të lartë, ndërsa unë shumë e vogël dhe kjo më krijoi një ndjesi frike prej hijes që bënin.

Gjatë gjithë asaj nate të parë, ndjeva frikë. Pastaj në mëngjes, pamja e parë që pashë nga dritarja e dhomës sime rozë, ishte ajo e sarajeve të vjetra të familjes: gjithçka m’u ngulit në kujtesë e prej asaj dite unë mbaj mend gjithçka.

Kthimi juaj në Shqipëri përkon me kohën e pushtimit italian… Pse u kthyet pikërisht atëherë?

Gjatë periudhës fashiste, babai e kishte të pamundur hyrjen në Itali, pasi ai si ‘social-demokrat’, bashkëpunonte me ajkën e social-demokracisë italiane, sidomos me figurat e saj historike, si; Pietro Nenni, ish-Presidenti Saragatt etj., duke kontribuar edhe me shkrimet e tij antifashiste nga Parisi. Pas 7 prillit, babai ishte në dilemë nëse duhet të vazhdonte mërgimin si kundërshtar i fashizmit apo të kthehej në vendlindje.

Vendimin e ka marrë pasi kontaktoi me kolonelin britanik, Hill (i mbiquajtur mik i Shqipërisë), i cili e këshilloi të kthehej: “E ke luftuar qeverinë mbretërore kaq gjatë dhe nuk ia arrite qëllimit nga jashtë. Rezistenca është e mundur vetëm nëse ajo bëhet nga brenda. Nëse do të kontribuosh për rezistencë ndaj pushtimit, duhet të kthehesh pranë njerëzve të tu”. Me këto fjalë, u sqarua dilema e tij për t’u kthyer.

Ali Këlcyra ka qenë një nga deputetët e parë të Parlamentit shqiptar. Si i ka hyrë fillimisht politikës?

Marrëdhëniet e para me politikën kanë qenë për shkak të shkollimit të tij dhe njohurive të gjuhës franceze. I bëri Mbretëreshës Sofie (bashkëshorte e Mbretit Ëied), fjalimin e parë në frëngjisht, meqenëse ajo nuk dinte shqip (1913).

Rikthehemi te Këlcyra, vendi që pas më shumë se gjysmë shekulli ju ka rikthyer së fundmi disa herë në Shqipëri. Cilat janë kujtimet e para atje?

Pas dy javësh çmalljeje në Shqipëri pranë familjes, me arsyen e një ‘shëtitjeje njohëse’ të vendit për mamanë, e cila nuk e njihte shumë vendin, babai dhe nëna, vizitojnë shumicën e qyteteve të jugut, deri në Elbasan e Tiranë, duke marrë kontaktet e para me miqtë e tij dhe personalitete të tjera të rëndësishëm të kohës, me qëllim krijimin e një organizate antifashiste.

Në ata 6 muaj që ndenja pa prindër aty, lidhja me Këlcyrën u bë aq e fortë dhe nuk u ndërpre më kurrë. Nëse marrim një makinë dhe vemi tani atje, ju do e kuptoni se unë nuk jam më njeriu që isha pak orë më parë. Nuk mund të harroj piknikët që bëja me “vëllain” tim “gomarin”.

Është për të qeshur kjo historia e vëllait, sepse kështu thërrisja gomarin që kishte lindur në Këlcyrë, në po atë orë e në po atë ditë, që unë kisha lindur në Paris (jeta na tregon se ndonjëherë kafsha, mund të të kthehet edhe në vëlla).

Shëtisja në fshatra, isha e mirëpritur kudo në sofrat e fshatarëve të katundeve përqark dhe kjo më shijonte shumë, edhe pse në protokollin e shtëpisë sonë, kjo ishte fort e zakonshme. Në tryezat tona zakonisht nuk duhet të qeshje, të ngrije zërin e të vije bërrylat mbi tryezë.

Të gjitha këto për një fëmijë ishin të bezdisura, të padëshiruara, prandaj edhe kënaqesha me lirinë që shijoja në shtëpitë e fshatarëve, edhe pse gjellët më të mira të tyre, mund të ishin çorba me trahana të bardhë, qepa, dhalla, apo buka e misrit.

Një kujtim tjetër interesant është se shumë plaka të fshatit, qanin sa herë që më takonin. Pasi pyes; ‘gjygjyshin’ (kështu i thërrisja xhaxhait të tim eti, Muhamet bej Këlcyrës), më tregon se arsyeja e lotëve, ishte ngase nuk kisha lindur djalë.

Theksoj që “oxhaku” i Këlcyrës, rrezikonte të shuhej nga mungesa e djemve. Kështu, një ditë të bukur, shkova te berberi e preva flokët shkurt, në mënyrë që të mos qanin më, sepse unë ndihesha tashmë djalë.

Ç’ngjau kur u kthye babai, sepse kishte ardhur edhe koha e luftës italo-greke…?!

Në mbrëmje, përpara shpalljes së luftës me Greqinë, autoritetet italiane kërkojnë bashkëpunimin me babain kundër grekut, kështu duke luftuar kundër tyre, babait do t’i jepej mundësia të hakmerrej për djegien e Sarajeve, nga ushtria greke më 1914-ën, kur xhaxhai, Muhamet beu, refuzoi të nënshkruajë njohjen e kufirit greko-shqiptar, sipas vijës Përmet-Këlcyrë.

Babai refuzoi të bashkëpunonte mbi këtë bazë, sepse ai mbi të gjitha besonte në fqinjësinë e mirë të krijuar gjatë viteve të Mbretërisë, ndërsa ndërhyrjen italiane e shihte si të pasuksesshme.

Nisur nga njohja që ai kishte mbi Greqinë dhe historinë e saj, babai shprehet: “Ushtria italiane nuk është e përgatitur për një ballafaqim të tillë ushtarak, pasi ju i keni ende të veshur ushtarët me rroba verore. Greku mund të shesë gjithçka, por jo vendin e tij”, u tha përfaqësuesve italianë babai.

Ai nuk u besoi italianëve, të cilët mendonin se lufta do të zgjaste vetëm 3 javë, përkundrazi…! Me fillimin e luftës, më dërgoi mua në Vlorë, sipër një kamioni e nga andej, në Fier tek tezet.

Cili ishte rezultati i refuzimit të bashkëpunimit?

Internimi i tij. Kam qenë prezent kur ka ardhur makina e xhandarmërisë dhe e ka arrestuar. Kur pashë që i vunë prangat, atë çast humba krejt besimin te ai. Deri atë minutë, babain e kisha konsideruar zot, ai ishte gjithçka. Që nga ajo ditë, nuk kam shkuar më te babai për çdo problem që mund të kisha.

Ndërkaq, pas internimit të tij në Itali dhe vajtjes sonë atje, italianët na dogjën shtëpitë, dyqanet (së pari u dogjën 7 e mandej 44 të tjerë), për të cilat nuk na u kthye asnjëherë dëmshpërblim.

Ndërkaq ju ishit rritur, çfarë bëhej me shkollimin tuaj?

Kam mësuar të shkruaj e të lexoj në Itali, në kohën kur internuan babain. Tre muaj pas internimit të tij, u lejuam të vendosemi në Itali, me babain, në Cortona (Arezzo), ku unë fillova të mësoj shkrim e këndim, në gjuhën italiane.

Por në Itali, në këtë periudhë, nuk ndenjët gjatë, kështu që mësimet do vijonin në Shqipëri…?

Mësimet vazhdojnë në shtëpi privatisht, me një mësues nga Lunxhëria, Z. Lekdusha, si edhe një guvernante zvicerane, për gjuhën gjermane, të cilën e thërrisja ‘nani’-emër që zakonisht thirren guvernantët në Europën veriore.

Ndërsa gjuhën frënge, e kam mësuar me mademoiselle Badel. Deri në klasën e tretë, provimet i jepja në shkollën fillore të Fierit. Tre muajt e parë të klasës së 4-ët, i kam kryer privatisht në Shkodër, para largimit tonë nga atdheu, në 22 nëntor 1944. Nga Ani Jaupaj/ Memorie.al

Biden i vendosur: Nuk kam ndërmend të dërgoj trupa amerikane në Ukrainë

Presidenti i SHBA, Joe Biden, është shprehur se nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, duke iu përgjigjur indirekt akuzave të kundërshtarit të tij republikan Donald Trump.

 

“Nuk ka ushtarë amerikanë në luftë në Ukrainë. Jam i vendosur që kjo do të mbetet, por ne qëndrojmë fort pranë Ukrainës dhe do t’i qëndrojmë asaj”, tha presidenti amerikan, duke folur para klasës së diplomuar të Akademisë Ushtarake të SHBA në Ëest Point, në veri të Nju Jorkut.

Presidenti rus Vladimir Putin, të cilin ai e përshkroi si një “tiran brutal”, “ishte i sigurt se NATO do të shpërbëhej” pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, por “përkundrazi, aleanca më e madhe e mbrojtjes në historinë botërore është më e fortë se ka thënë ndonjëherë Biden.

SHBA ka rifilluar dërgimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën pas një pauze disamujore për shkak të mosmarrëveshjeve në Kongresin amerikan. Dje, në fakt, Uashingtoni njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake, në vlerën 275 milionë dollarë, për Ukrainën, për ta mbështetur atë në përpjekjen e saj për të zmbrapsur sulmin rus pranë Kharkiv.

I vodhi një pasagjeri orën me vlerë 20 mijë euro, arrestohet punonjësi i aeroportit të Rinasit

Rinas

Vodhi një orë të shtrenjtë, në një prej bagazheve të udhëtarëve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari, punonjës për ngarkim-shkarkimin e bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve në Rinas.

Sekuestrohet ora me vlerë rreth 20 000 euro.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Djali iu zhduk kur ishte 12 vjeç, nëna e Xhevahir Gezdarit: Kam 29 vite që i shtroj pjatën në tavolinë

Në episodin “Fëmijëri e humbur” të podcastit “Fol me Anila Hoxhën”, u fol për fëmijët e zhdukur. Si shembull është sjellë ai i Xhevahir Gezdarit, nëna e te cilit prej vitit 1995 thotë se vazhdon të shtrojë në tavolinë dhe pjatën e tij. Humbja e fëmijës është rasti tipik kur u hetua dhe kompania e huaj që ishte vendosur ne fshatin Tagan dhe më pas u largua.

Do ndjekim rrëfimin e nënës së Xhevahirit, nga fshati Tagan e cila për 29 vjet nuk ka ndalur së kërkuari fëmijën që e nisi për në shkollë dhe që kurrë nuk u kthye.

Si quhesh ?

Vera.

Sa vjeç ishte djali kur u zhduk?

Vera Gezdari: 12 vjeç.

Si quhet djali?

Vera Gezdari: Xhevair.

Në çfarë viti u zhduk?

Vera Gezdari: Më 5 prill, 1995.

Çfarë mban mend nga ajo ditë? Në çfarë klase ishte djali?

Vera Gezdari: Në klasë të tretë. Çuni u nis për në orën 10. Erdhi kjo vajza (Havie, e motra e Xhevairit) prej shkolle dhe tha “ku është Xhevairi?”, se kishte datëlindjen kjo. Edhe i thashë `o Xhevair hajde shpejt, vjen edhe Havia edhe …` `po, po mami do të vij`. Në orën 15:00 ( ora 3 e pasdites) i lëshonte ajo mësuesja dhe nuk erdhi, nuk u kthye më po atë ditë.

Për çfarë dyshuat ju si familje ?

Vera Gezdari: Vallahi kanë kërkuar gjithandej, por nuk e di. Ka shkuar Hafuzi( bashkëshorti), edhe kjo Havi, kanë shkuar në Tiranë , kanë biseduar ku e di unë.

Shkuat në polici të nesërmen? Çfarë shpresoje ti si nënë teksa prisje?

Vera Gezdari: Shpresoja se do të vijë , jo se do të largohet ai. Se besonim. S’na ka bërë vaki të na marrë dikush fëmijën.

Kishte dëshmitarë? Çfarë treguan banorët?

Vera Gezdari: Nuk kallëzuan asnjë fjalë, nuk kanë kallëzuar.

Kush e kishte parë për herë të fundit Xhevairin?

Vera Gezdari: Këto mësuesit kanë thënë “hajde të hymë Brenda. Ka ra poshtë se është një breg . Ka ra poshtë”.

Ku po shkonte?

Vera Gezdari: Se di, a ka shkuar në shkollë. Ata thanë se nuk ka ardhur, nuk ka mbërritur aty.

Mendon se është gjallë Xhevairi?

Vera Gezdari: Besoj prej Zoti. Se prej njeriut jo. Inshallah Zotit është mirë.

Vazhdoni kërkimet si familje?

Vera Gezdari: Vallahi e ka kërkuar kjo vajza. Unë nuk mund të shkojë. Unë jam me tension edhe nuk kam qenë mirë.

Kur të pyesin sa fëmijë ke, sa fëmijë thua?

Vera Gezdari: 9 fëmijë kam. I ka Zoti.

Ku përfshin edhe Xhevairin?

Vera Gezdari: Po.

Thua që Xhevairi është gjallë ?

Vera Gezdari: Xhevairi është gjallë.

Po kush e ka rrëmbyer?

Vera Gezdari: Nuk e di, se di. Nuk i vendos akuzë kurrkujt sepse nuk e di.

U ngrit fshati për të kërkuar në atë kohë ? Prej 1995?

Vera Gezdari: Jo jo, veçse ka ardh një shef dhe i thashë unë ‘dëgjo ju jeni shefa , i dini rrugët tuaja ku i keni dhe ku si keni, se unë nuk jam marrë me këtë punë”. Tha “oj nëne nuk e di. Edhe unë nuk di gjë”.

Pastaj më pas, ju informuan se çfarë po ndodh?

Vera Gezdari: Mbrapa iku. Ne e kërkuam edhe tek motra në Durrës. Nuk ishte kurrkund as tek motra . E kërkuam nëpër Tiranë . Ku të shkonim. Sdinim gjë. Se di. Sesi është puna. A ka ndodh në shkollë , a ka shkuar në shkollë , a ska shkuar në shkollë. Nuk e di kush.

I pyetët banorët, i pyetët mësuesit?

Vera Gezdari: Ne i pyetëm mësuesit .

E ke parë ndonjëherë në ëndërr djalin?

Vera Gezdari: Vallahi jo.

Që kur është zhdukur?

Vera Gezdari: Jo jo, asnjëherë. Se nuk më del sesi qaj dhe nuk del. Fëmijë se nuk i ka shkuar…

Brenga jote më e madhe është se nuk di se çfarë ndodhi me djalin?

Vera Gezdari: Po,po.Brenga e madhe është shumë e zorshme kjo, se ti thuash të vijë çuni . Kjo është puna, veçse inshallah të vijë cuni se kjo është.

Ende shpreson ?Megjithëse nga 1995 deri sot në 2024 nuk ka asnjë shenjë për të?

Vera Gezdari: Jo, jo asnjë .

Çfarë ke besuar gjatë këtyre viteve? Fëmijët e tjerë u rritën, krijuan familje , gëzoheshe natyrisht për jetën e fëmijëve të tu.

Vera Gezdari: Vendosja psh. bukën, sofrën , bëja festa, lugën atij ia vendosja , pjatën atij. S’ishte ai.

Prej sa vitesh e ndoqe këtë ritual, që vendosje pjatën, lugën e tij?

Vera Gezdari: Deri tani.Vazhdoj prapë po ashtu.

Si vazhdon ?

Vera Gezdari: Vazhdoj inshallah hapet porta të vijë.

Kur shtron bukën vendos edhe pjatë për Xhevairin akoma?

Vera Gezdari: Po, për Zotin ia vendos m’u aty. Inshallah të vijë do Zoti të vijë. Se jemi me brenga mjerë ku i bie kjo.

E kanë rrëmbyer ? E kanë vrarë? Çfarë i ka ndodhur?

Vera Gezdari: Nuk e di .

I ka ndodhur një aksident? Ka rrëshqitur në përrua? Çfarë të thotë ty, zemra e nënës?

Vera Gezdari: Jo, jo, zemra thotë që është shëndoshë e mirë. Nuk e di. Unë po them të jetë shëndoshë e mirë. Se di, se nuk ka shkuar me makinë do rrëzohet ky. Ai ka shkuar në shkollë.

Çfarë mban mend nga Xhevairi? Ke ruajtur diçka nga Xhevairi?

Vera Gezdari: Jo, nuk m`i dhanë fletoret. Se shkova i mora ato fletoret , librat, por nuk mi dhanë. Se ai i ka marrë me vete krejt në çantë . S’ka lënë gjë aty.

Si për Xhevahirin që sot do ishte 41 vjeç, asgjë nuk dihet edhe për Juljan Celën, humbur në zonën e Laprakës dhe për të cilin hetimet janë rifilluar dhjetra herë. Për Bleona Matën 6 vjeçaren që humbi në Zapod ka patur ndër vite dhjetëra pista që janë rrëzuar po me aq dështim. Familjet e fëmijëve si ata, vazhdojnë të kërkojnë dhe për një motër si Havia që ja ka kushtuar jetën gjetjes së vëllait, asgjë tjetër nuk ka më rëndësi në jetën e saj.

Intervista me Havie Gezdari, e motra e Xhevairit:

Havie sa vjeçe je? Jeta jote ka ndryshuar dhe është kthyer në mision të kërkimit të vëllait. Ne bashkë po shkojmë 20 vjet që njihemi.Tanimë që e ke kthyer këtë gjë në kërkim të Xhevairit. Sa të ka ndikuar kjo ngjarje? Po të pyes sepse unë e di që gati-gati e ke `stopuar` jetën dhe e ke kthyer në një mision për gjetjen e Xhevairit.

Havie Gezdari: Unë jam më e madhe se Xhevairi. Kjo histori dmth. unë isha për vete fëmijë për vete .

Sa vjeçe ishe?

Havie Gezdari: Adoleshente. Edhe kur isha unë fëmijë për vete më ra si e papritur që nuk e prisja asnjëherë. Edhe atë ditë kisha edhe datëlindjen, faktikisht. Edhe më tha Xhevairi “që do iki në shkollë dhe do kthehem së shpejti”. Ai ishte i lidhur shumë me mua. Isha shumë e lidhur me atë për çdo gjë, për gjithçka. M`i tregonte gjithçka. Edhe kur shkonte, edhe kur lozte me kalamajtë. Dmth. kur u kthente në shtëpi m’i tregonte. Ishte i rregullt kështu,kur kthehej në shtëpi. Thonte psh. `gjysmë orë do largohem me shokë , shoqe dhe do vij do kthehem`.

Çfarë ndodhi atë ditë? Çfarë mban mend?

Havie Gezdari: Atë ditë,Xhevairi u nis për në shkollë nga ora 9:50, dicka e tillë. Shumë pranë shkollës,3 0 metra larg shkollës e ka parë zysha dhe kanë qenë 2 mësues, e kanë parë ato që po zbret Xhevairi , po afrohet për në shkollë edhe i ka futur të gjithë nxënësit brenda. Dhe këtë informacion i kam marrë me anë të shokëve dhe shoqeve të Xhevairit, që në atë kohë kanë qenë në kohën e pushimit. Edhe në momentin që janë futur brenda ato nuk ka parë njeri më gjë. 20-30 metra larg shkollës ka qenë.

Po afrohej apo po ikte nga shkolla?

Havie Gezdari: Po afrohej në shkollë. Dmth. në orën e pushimit të nxënësve.

Dhe çfarë ndodhi më pas? Kur e kuptuat ju?

Havie Gezdari: Kur jam kthyer nga shkolla, unë edhe i thashë mamit “po Xhevairi a ka ardh?” Jo-tha, edhe sikur kisha një “pse”. Sepse ai më tha që do kthehem edhe ai …pse . ..edhe tha mami `lëre se ndoshta po loz me kalamajtë` .Edhe unë ndenjta nja gjysëm ore- 1 orë a kështu edhe u nisa drejt shkollës. Aty kur shkova tek shkolla, ishte e mbyllur me celës. Aty sikur spo ndihesha mirë. Sepse ai nuk largohej asnjëherë pa më thënë asnjë gjë që do largohej. Dhe atë natë kërkuam,pritëm pastaj dolëm, u err, pastaj shkuam deri në Mullet se atje është qendra, shkuam atje tu prit. Ndoshta mos ka shkuar tek ndonjë kushuri a tek xhaja, tezja, por nuk rezultoi. Pastaj në polici ka shkuar babi të nesërmen që ka denoncuar.

Kjo është një ndër cështjet më enigmatike. Është hapur ,është rihapur është hetuar nga komisariati nr. 1, ka patur një letërkëmbim me të huajt. Pse me të huajt? Pse u përfshinë të huajt?

Havie Gezdari: Të huajt u përfshinë për arsyen sepse kishin një firmë italiane-franceze, ishin të përzier si firmë.

E cila, ishte vendosur këtu në zonë?

Havie Gezdari: Ishte vendosur në oborrin tim këtu. Sapo kishte ardhur. Kishte një javë.

Sa punonjës kishte?

Havie Gezdari: Një javë kishte që kishte ardhur. Pastaj ndodhi ajo e vëllait të mërkurën , të shtunën u larguan ata. Firma sikur kërkonte naftë. Kishte makineri. Por së bashku me shqiptarë,nuk ishin vetëm të huaj.

U pyetën këta shtetas apo ikën pa asnjë gjurmë?

Havie Gezdari: Thanë që është një firmë fantazmë. Nuk i dimë adresën edhe këto shqiptarët që ishin bashkëpunim me këto, thanë në polici që janë pyetur dhe thonë që sdimë gjë. Dhe ne dyshojmë tek ajo firmë. Jo, sepse e dimë të saktë. Po thjesht e dyshojmë për arsye sepse nuk kemi as hasmëri asnjë lloj gjëje.

Dhe më pas çfarë ndodhi me hetimet?U pushuan?

Havie Gezdari: Asnjë gjë. Pastaj u pushuan. Një herë, një herë i rifilluan. Pastaj i pushuan.

Tani cështja është e pezulluar, është mbyllur?

Havie Gezdari: E pezulluar.

Ka dhënë vendim gjykata që Xhevairi është i zhdukur? Çfarë gjurmësh keni gjetur?

Havie Gezdari: Asnjë lloj gjëje. Për momentin deri tani. Kam trokitur psh. po asnjë lloj gjëje .

Nuk ka asnjë lloj gjurme? Çfarë thotë policia ? Prokuroria?

Havie Gezdari: Jemi në kërkim. Kaq. Jemi në kërkim. Në gjendjen civile rezulton emri. Ne do ta kërkojmë deri sa të kemi mundësi. Do ta kërkojmë. Deri në momentin e fundit. Pastaj thjesht është i rrëmbyer, përderisa nuk ka lënë asnjë lloj shënje, as në rrugë, as në shkollë, as në ndonjë vend. Dyshoj për rrëmbim.

Keni bërë ndonjë identikit tjetër?Si mund të jetë Xhevairi sot?

Havie Gezdari: Me imagjinatë e mendoj shpeshherë, sjemi as në tokë as në qiell.Se po të dish se ku largqoftë, një vdekje sic im atë është larguar nga jeta dhe e di që shkoj tek varri edhe e qaj por ky sështë …(qan) dhe kjo më bën që të vazhdoj.

Në qoftëse një ditë e gjen,çfarë do të bësh ndryshe ditën e nesërme?

Havie Gezdari: Do ndryshoj jeta ime. Kjo është.

Në çfarë kuptimi do të ndryshojë?

Havie Gezdari: Në të gjitha anët e jetës. Dmth. do të rilind për së dyti. Një jetë e re./TCH

Srebrenica kujtesë për historinë tonë kombëtare!

Nga Azgan Haklaj

Kalimi i rezolutës për njohjen e genocidit në Srebrenicë ishte një drejtësi e vonë por që vjen në një kontekst global shumë të favorshëm për vet faktin se raste të reja e të pa precedent genocidi po ndodhin edhe sot.
Ukraina dhe Gaza e deshmojnë këtë konstatim të dhimbshëm, ndaj ngelet lapidar fraza e thjeshtë por kuptimplotë e ish-presidentit (të ndjerë) të Bosnjës Alia Izetbegoviç:

“Kur genocidi harrohet rrezikon të përseritet”.

Por nuk është ky intensioni im kryesor në këtë shkrim.
Po e përshtas shqiptarisht këtë kontekst me historinë tonë dhe me rastet sistematike sidomos në shekullin e kaluar të genocidit kundër shqiptarëve në trojet e tyre etnike ne Kosove, Çamëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi për të ardhur deri në ditët e sotme të një politike dinake genocidale ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës.
Ka qenë shpesh rasti që shteti dhe diplomacia jonë të gjejë momentet oportune për ti ngritur, argumentuar e adresuar në organizatat e duhura ndërkombëtare.
Masakrat e fillim shekullit të kaluar por dhe ato të viteve 40-të në Çamëri, si dhe të ngjashmet e Bihorit e Tivarit në Mal të Zi janë raste të pastërata genocidi dhe nuk ka asnjë pretendim që mund ti justifikojë.
Por politika e diplomacia jonë asnjeherë nuk ka qënë stabile e këmbëngulëse në adresimin kurajz e të ligjshëm ndërkombëtar të këtyre prioriteteve.
Fatkeqësisht është vepruar me kompleksitetin e inferioritetit e shpesh të servilizmit për interesa okulte partiake të çastit.
E kundërta duhet të ndodhë.
Askush nuk na ndalon që të ngremë zërin tonë në mënyrë shkencore, diplomatike e politike për genocidin e ushtruar ndaj nesh bazuar në të gjithë konventat që rregullojnë ligjet njerëzore e shtetërore ndërkombëtare.
E më e keqja është “harresa” me dashje e cila pjell sot në rajon ambicie të njëjta në përmbajtje nga pasardhës të aktorëve të vjetër satrapë të Ballkanit tashmë të veshur me kostum modern “europianizmi”.
Në themel të poltikës se tyre realisht është skema e Çubriolloviçit, Andriçit, Moleviqit, Rankoviçit, Millisheviçit, apo e monarkofashistëve e andartëve grekë të dikurshëm.
Mjaftojnë provokimet aktuale të hapura e të nëndheshme të Beogradit e Athinës për të deshmuar këtë konstatim.
Jam i ndërgjegjshëm që ne nuk kemi potencial global si shtet e as tagër të lartë pankozmik por mundesitë kanë qenë dhe janë evidente.
Sot jemi shtet i NATO-s, kandidat për në BE si dhe pjesmarrës aktivë në të gjithë organizatat e forumet e rendësishme ndërkombëtare, pa permendur faktin se aleati strategjik i shqiptarëve janë SHBA-të.
Kemi rrahur çekiçin në Këshillin e Sigurimit për interesa të supërfuqive por nuk kemi guxuar të proklamojmë të vërtetat e trishtuara shqiptare shkaktuar nga fqinjët.
Mirë që qeveria e diplomacia merret me problemet madhore të globit por kjo është e zhvleftësuar dhe duket snobizëm e protagonizëm mediokër teksa ata nuk guxojnë tekstualisht të kërkojnë njohjen e genocidit grek ndaj popullsisë çame.
Organizohen në Tiranë samite të zhurmëshme ndërkombëtarësh por nuk formulohet e aprovohet një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë kundër genocidit serb në Kosovë.
E kur kjo nuk ndodh atëherë na serviret Beleri nga Athina që ka vrarë oficerët shqiptarë në Peshkëpi e na vriten oficerët e policisë së Kosovës në Banjskë.
Kjo është jo vetëm e turpshme por e pafalshme.
E më keq akoma kur kushtetuta e obligon shtetin tonë për kujdes kombëtar ndaj shqiptarëve amandamentet e kryetarit të PD-së Lulzim Basha mbahen në sirtarët e Edi Ramës e Lindita Nikollës.
Nuk ka guxim ky shtet e Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një ndihmë simbolike për shtetin e kërcënuar të Kosovës një shifër e tillë vidhet në 24 ditë nga “inceneratorët” e drejtorët e Erjon Velisë e Belinda Ballukut.
Po i mbyll këto rreshta me një theksim të shkrimtarit tonë përbotnisht të shquar Ismali Kadare në një prononcim të 15-viteve me parë “Koha po punon për shqiptarët por jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojne ose nuk duan ta kuptojnë”.
Fatkeqësisht janë udhëheqësit politikë në qeverisje që nuk duan ta kuptojnë në vendin tonë ose më keq akoma me qëllim e keqkuptojnë dhe e shpërdorojnë.
Srebrenica foli…dhe Kutia e Pandorës u hap.
Në brendësi të kësaj kutie qëndron i arkivuar edhe genocidi serb e grek kundër shqiptarëve etnikë.
Nuk ka më falje e padituri të institucioneve të shtetit.
Më e vogla është poshtërsi e më e madhja është tradhëti kombëtare.
Koha të flasim hapur dhe të shpalosim botërisht të vërtetat e trishtuara dhe të drejtat e shqiptarëve ka ardhur.

FMN: Inteligjenca Artificiale rrezikon 26-40% të vendeve të punës në vendet në zhvillim si Shqipëria

Inteligjenca Artificiale do të prekë pothuajse 40% të vendeve të punës në mbarë botën, duke zëvendësuar disa dhe duke plotësuar të tjerat. Ne kemi nevojë për një ekuilibër të politikave për të shfrytëzuar potencialin e ri, u shpreh nëpërmjet në blogu, Kristalina Georgieva, Drejtoreshë Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ajo tha se bota është në prag të një revolucioni teknologjik që mund të nxisë produktivitetin, rritjen globale dhe të rrisë të ardhurat në mbarë botën. Megjithatë, mund të zëvendësojë vendet e punës dhe të thellojë pabarazinë.

Përparimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale ka mahnitur botën, duke ngritur pyetje të rëndësishme në lidhje me ndikimin e mundshëm në ekonominë globale. Efekti neto është i vështirë për t’u parashikuar, pasi IA do t’i  prekë ekonomitë në mënyra komplekse.

FMN sugjeron se shtetet duhet të krijojmë një seri politikash për të shfrytëzuar në mënyrë të sigurt potencialin e madh të IA në dobi të njerëzimit.

Shumë studime kanë parashikuar gjasat që vendet e punës të zëvendësohen nga IA. Megjithatë në shumë raste, IA ka të ngjarë të plotësojë punën e njerëzve. Gjetjet e analizës së FMN janë befasuese.

E para, pothuajse 40% e punësimit global është e ekspozuar ndaj IA.

Historikisht, automatizimi dhe teknologjia e informacionit kanë tendencë të ndikojnë në detyrat rutinë, por një nga gjërat që e veçon IA është aftësia për të ndikuar në punë me aftësi të larta.

Si rezultat, ekonomitë e përparuara përballen me rreziqe më të mëdha nga IA, por edhe më shumë mundësi për të shfrytëzuar përfitimet e saj, krahasuar me tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.

Në ekonomitë e përparuara, rreth 60% e vendeve të punës mund të ndikohen nga IA. Përafërsisht gjysma e punëve të ekspozuara mund të përfitojnë nga integrimi i IA, duke rritur produktivitetin.

Për gjysmën tjetër, aplikacionet e IA mund të ekzekutojnë detyra kyçe të kryera aktualisht nga njerëzit, të cilat mund të ulin kërkesën për punë, duke çuar në paga më të ulëta dhe reduktim të punësimit. Në rastet më ekstreme, disa nga këto punë mund të zhduken.

Në tregjet në zhvillim dhe vendet me të ardhura të ulëta, ekspozimi i IA pritet të jetë përkatësisht 40% dhe 26%. Këto gjetje sugjerojnë se tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim përballen me më pak ndërprerje të menjëhershme nga IA.

Në të njëjtën kohë, shumë prej këtyre vendeve nuk kanë infrastrukturën ose fuqinë punëtore të aftë për të shfrytëzuar përfitimet e IA, duke rritur rrezikun që me kalimin e kohës teknologjia mund të përkeqësojë pabarazinë midis kombeve.

Inteligjenca Artificiale mund të ndikojë gjithashtu në pabarazinë e të ardhurave dhe pasurisë brenda vendeve. Do të krijohet polarizimin brenda grupeve të të ardhurave, me punonjësit që mund të shfrytëzojnë IA duke parë një rritje në produktivitetin dhe pagat e tyre.

Hulumtimet tregojnë se IA mund të ndihmojë punëtorët me më pak përvojë të rrisin produktivitetin e tyre më shpejt. Punëtorët e rinj mund ta kenë më të lehtë të shfrytëzojnë mundësitë, ndërsa punëtorët e moshuar mund të luftojnë për t’u përshtatur.

Efekti në të ardhurat nga puna do të varet kryesisht nga shkalla në të cilën IA do të plotësojë punëtorët me të ardhura të larta. Nëse IA plotëson ndjeshëm punëtorët me të ardhura më të larta, mund të çojë në një rritje jo të barabartë të të ardhurave të tyre nga puna.

Për më tepër, përfitimet në produktivitet nga bizneset që aplikojnë IA ka të ngjarë të rrisë kthimet e kapitalit, të cilat gjithashtu mund të favorizojnë ata që ftojnë më shumë. Të dyja këto dukuri mund të përkeqësojnë pabarazinë.

Në shumicën e skenarëve, IA ka të ngjarë të përkeqësojë pabarazinë e përgjithshme, një prirje shqetësuese që politikëbërësit duhet ta trajtojnë në mënyrë proaktive, për të parandaluar që teknologjia të nxisë më tej tensionet sociale.

Është thelbësore që vendet të krijojnë rrjete gjithëpërfshirëse të sigurisë sociale dhe të ofrojnë programe rikualifikimi për punëtorët e cenueshëm. Duke vepruar kështu, tranzicioni i IA mund të bëhet më gjithëpërfshirës.

Për të ndihmuar vendet të hartojnë politikat e duhura, FMN ka zhvilluar një indeks të Përgatitjes së IA, që mat gatishmërinë në fusha të tilla si infrastruktura dixhitale, politikat e kapitalit njerëzor dhe të tregut të punës, inovacioni dhe integrimi ekonomik.

Komponenti i politikave të kapitalit njerëzor dhe të tregut të punës, për shembull, vlerëson elemente të tilla si vitet e shkollimit dhe lëvizshmërinë në tregun e punës, si dhe përqindjen e popullsisë që mbulohet nga rrjetet e sigurisë sociale.

Komponenti i rregullores dhe etikës vlerëson përshtatshmërinë ndaj modeleve dixhitale të biznesit të kuadrit ligjor të një vendi dhe praninë e një qeverisjeje të fortë për zbatimin efektiv.

Duke përdorur indeksin, stafi i FMN-së vlerësoi gatishmërinë e 125 vendeve. Gjetjet zbulojnë se ekonomitë më të pasura, duke përfshirë ekonomitë e përparuara dhe disa ekonomi të tregut në zhvillim, priren të jenë më të pajisura për adoptimin e IA sesa vendet me të ardhura të ulëta, megjithëse ka ndryshime të konsiderueshme midis vendeve.

Singapori, Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka treguan rezultate më të larta në indeks, bazuar në katër kategoritë e gjurmuara.

FMN këshillon që ekonomitë e përparuara duhet t’i japin përparësi inovacionit dhe integrimit të IA, ndërsa zhvillojnë korniza të fuqishme rregullatorë.

Për tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, prioriteti duhet të jetë vendosja e një themeli të fortë nëpërmjet investimeve në infrastrukturën digjitale dhe një fuqie punëtore kompetente digjitale.

Epoka e Inteligjencës Artificiale është pranë nesh dhe është ende në dorën tonë për të siguruar që ajo të sjellë prosperitet për të gjithë, evidentoi analiza e FMN./Monitor

Të pasur nga natyra, të varfër nga politika

I vetmi produkt i qëndrueshëm i politikave qeverisëse në vite është emigrimi i lartë i shqiptarëve, i krahasueshëm me vende që janë prej të paktën një dekade në konflikt të dhunshëm, duke ia rrënuar vendit edhe pasurinë njerëzore.

 

EDITORIAL MONITOR /  “Nëse do të bëhej një tabelë ku të renditen vendet në raport me burimet natyrore që ato kanë, në krye të saj me siguri do të ishte Rusia.

Ajo ka gjithçka: naftë, gaz, diamant, platin, ar, argjend, të gjitha metalet që përdoren në industri, dru të fortë dhe një tokë jashtëzakonisht të pasur.

Por vendet nuk konsiderohen të pasura, në raport me burimet e tyre natyrore. Të pasura janë ato vende, qeveritë e të cilave kanë politika që nxisin krijueshmërinë, iniciativën, shpirtin e sipërmarrjes te njerëzit dhe vlerësojnë dëshirën për të arritur më shumë për familjet e tyre”.

Kjo është një pjesë e fjalës së ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, e mbajtur në vitin 1975. Ndonëse kanë kaluar dekada që atëherë, thëniet e saj mbeten shumë aktuale, sidomos për Shqipërinë.

Vendi ynë është rasti tipik se si pasuritë e shumta natyrore, në raport me popullsinë dhe sipërfaqen, nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së popullatës së saj, që edhe sot vijon të mbetet ndër më të varfrat në Europë.

Kemi fushën më të madhe naftëmbajtëse në tokë në Patos-Marinzë, por ende pas gati dy dekadash, kompania që e shfrytëzon me koncesion nuk paguan tatimfitimi.

Burimet e shumta të kromit, në pjesën më të madhe, janë bërë shkak konfliktesh prej informalitetit të shfrytëzimit, apo burim aksidentesh si rrjedhojë e masave të dobëta të sigurisë.

Kemi ujë me shumicë, diell, por sërish importojmë në vit mesatarisht 20-50% të energjisë që na nevojitet, sepse nuk arrijmë që të bëjmë diversifikimin e burimeve.

Të dhënat sot janë kokëforta:

-Ekonomia nuk ka prodhuar mirëqenie. Shqipëria mbetet me të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulët në Europë, sipas Eurostat. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian.

Ky tregues është më i ulëti në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen). Diferenca është e dukshme me Malin e Zi, me 50% të mesatares së BE-së, apo Serbinë (44%).

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje, e vendos Shqipërinë në fund, me 41%, nga 63% në Mal të Zi dhe 53% në Serbi.

-Me gjithë këto pasuri, shqiptarët nuk arrijnë të plotësojnë as nevojat minimale për të jetuar. Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) bëri të ditur së fundmi se një personi që jeton në Shqipëri i duhet të harxhojë 4.4 USD në ditë (sipas indeksit të fuqisë blerëse) vetëm për ushqim, për të plotësuar nevojat e një diete normale.

Kjo kosto është më e larta në Europë dhe në rajon. Madje, në renditjen globale me 163 vende, Shqipëria renditet në vendin e 28 për kostot e larta të dietës ushqimore ditore.

Një familje që shpenzon mbi 40% të buxhetit për t’u ushqyer, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Europian nënkupton që ka pak të ardhura në dispozicion dhe ato i çon fillimisht për ushqime e shërbime të tjera të domosdoshme, duke i mbetur pak për të shijuar jetën.

Lista është e pafund, me Shqipërinë që pothuajse gjithnjë është në fund të renditjes, që nga përdorimi i buxhetit për mbrojtje sociale, për arsimin, shëndetësinë, pagën minimale, pagën mesatare e deri te tregues të tillë si indeksi i lumturisë, që mat cilësinë e jetesës, apo te perceptimi i korrupsionit.

Një shtet nuk e bën të pasur shumëllojshmëria e burimeve natyrore, por cilësia e politikëbërjes. Dhe shifrat e tregojnë qartë që vendi nuk po menaxhohet me politika zhvillimi, që synojnë rritjen e mirëqenies së popullatës, por është peng i një zhvillimi të pastudiuar, shpesh për interesa të një pakice.

I vetmi produkt i qëndrueshëm i politikave qeverisëse në vite është emigrimi i lartë i shqiptarëve, i krahasueshëm me vende që janë prej të paktën një dekade në konflikt të dhunshëm, duke ia rrënuar vendit edhe pasurinë njerëzore./ Monitor.al

Euro 2024/ Mësohen dy futbollistët e parë që Sylvinho ka ftuar për në Gjermani (FOTO)

E hëna në orën 16:00 do shuajë shumë pikëpyetje sa i takon futbollistëve që do përfaqësojnë Kombëtaren kuqezi të futbollit në Euro 2024. Sylvinho do shpallë listën dhe do dalë para medieve, teksa pritet që të jenë 26 emra që do përfaqësojnë kombin.

Tanimë janë zbuluar edhe dy emrat e parë që Sylvinho ka thirrur. Në Tiranë prej më shumë se 24 orësh kanë mbërritur Jasir Asani dhe Armando Broja. Dyshja paraditen e sotme është stërvitur në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet.

Kështu, Asani dhe Broja kanë konfirmuar veten si pjesë e listës paraprake për në Gjermani. E hëna do i japë më shumë përgjigje dilemave për sa i përket listës.