19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

“Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor kërkon të pengojë integrimet transatlantike”, politikani britanik: Aleatët të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në NATO

Lordi Mark Lancaster ka kërkuar konsensus të aleatëve të NATO-s për zgjerim, duke thënë se ata duhet të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në këtë organizatë.

“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe”, tha ai gjatë Asamblesë Parlamentare të aleancës teksa prezantoi draft-raportin ku përmendet Kosova.

Gjatë Asamblesë, që po mbahet në Sofje, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Autoritetet e Kosovës bënë të ditur në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup.

Duke prezantuar draft-raportin, Lancaster përmendi edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se aleatët e NATO-s, por edhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, duhet të vazhdojnë t’i bëjnë presion Kosovës dhe Serbisë që të zhbllokojnë procesin e dialogut dhe të arrijnë normalizimin e raporteve.

Ai po ashtu foli edhe për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ai përmendi rritjen e shitjes së armëve ruse dhe kineze në Serbi dhe në entitetit e Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës.

“Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor është që të destabilizojë këtë pjesë të botës dhe të pengojë integrimet transatlantike, po ashtu për të ndërtuar varësi energjetike në sektor, duke testuar lider të caktuar. Rusia ka mbështetur agjendën e ndarjes, duke i ofruar armatim Republikës Serbe dhe Serbisë”, tha Lancaster.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Ndryshe, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Shteti kërkon që fillimisht të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe më pas të anëtarësohet plotësisht në aleancë.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe./ REL

Bashkitë shpenzuan më shumë për paga e sigurime shoqërore

Të dhënat e raportit të qeverisjes vendore kanë dalë në konkluzionet, se vitin që lamë pas bashkive iu rritën shpenzimet për shkak të politikave të reja të pagave të administratës.

Referuar raportit theksohet se në kahun e shpenzimeve të kryera nëpërmjet burimeve të veta, 61 Bashkitë shpenzuan rreth 68.3 miliardë lekë. E për ta krahasuar me një vit më parë, bashkitë kanë shpenzuar rreth 9.9 miliardë lekë më shumë ose 17% më shumë.

Por, ku janë fokusuar më tepër shpenzimet e pushtetit lokal?

Sipas të dhënave të raportit, shpenizmet vërehen në tre nën-grupe, ku spikasin shpenzimet kapitale të cilat kanë rezultuar rreth 38.7% më shumë si dhe shpenzimet për paga dhe sigurime 17.7%, kjo e fundit për shkak të rritjes së pagave gjatë vitit 2023. Ndërsa nën-grupi i fundit i cili ka kontribuar në shtimin e kostove është rritja e numrit të përgjithshëm të punonjësve të Njësive të Qeverisjes Vendore.

Ashtu siç shihet dhe nga grafiku, pjesa më e madhe e shpenzimeve për pushtetin vendor pra për bashkitë shkon për paga dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me 43.1%, pasuar nga shpenzime operative dhe të tjera me 33.3% si dhe shpenzime për investime kapitale me 23.6%.

Të zotët e punës kanë ardhur

Nga Preç Zogaj

Raportimi i fundit i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin Parlamentar të ligjeve është një fotografi kuptimplotë e arkitekturës së Republikës parlamentare. Ku pushteti legjislativ qëndron në majë. Aty japin llogari pushtetet e tjera. Kjo është hierarkia. Tjetër gjë pastaj se deputetët e listave të mbyllura nuk janë në lartësinë e templarëve të demokracisë.

Raportimi në fjalë ishte sakaq fotografia e stadit të ri të konsolidimit të SPAK; e sigurisë së moskthimit prapa. Ajo që mund të thuhet me plot gojën për hetimet e përfunduara apo në proces nga ky institucion është se të zotët e punës kanë ardhur, po punojnë, po shkojnë përpara pa ju rritur veshët prej lëvdatave të shumta, të shurdhër ndaj sirenave të politikës së vjetër, të vetëdijshëm për sfidat dhe misionin e çrrënjosjes së krimit dhe korrupsionit shumëvjeçar në sistem, të ndjeshëm e të përgjegjshëm përkundrejt pritshmërive dhe mbështetjes së madhe popullore e ndërkombëtare.

Kryetari Altin Domani i mishëron këto cilësi si i parë mes të barabartëve, por edhe si shembull për t’u ndjekur. Në paraqitjen e tij dinjitoze, korrekte dhe etike para deputetëve pamë të shkrirë në një integritetin e tij vetjak dhe fytyrën e gjithë ekipit të prokurorëve të SPAK; pamë reflektimin pa kapardisje të fuqisë madhore amerikane që qëndron fort në mbështetje të drejtësisë së re në përgjithësi dhe SPAK-ut e BKH-së në veçanti. Shqiptarët që presin si ujët e pakët fundin e xhunglës dhe pandëshkueshmërisë në vend këtë duan: një SPAK si një trup i vetëm; një BKH si një trup i vetëm. Një Amerikë që nuk i mungon asnjë çast premtimit.

Për tu kthyer te raportimi, deputetët e opozitës morën përgjigje institucionale për pyetjet e tyre. Pavarësisht se mund të mos i kenë bindur. Deputetët e shumicës gjithashtu, ku spikati përgjigjia për pyetjen nëse kishte nevojë për ndërhyrje të reja ligjore sa i takon funksionimit të SPAK dhe pavarësisë së tij. Pyetje e cila sillte jehonën e zërave, sprovave apo “nismave” të diskutuara në mjedise të shumicës qeveritare për të ndërhyrë në reformën në drejtësi, gjoja për ta bërë me të mirë, në të vërtetë për t’i ndalur hovin SPAK-ut, “Republikës së Prokurorëve”, siç është shprehur në mënyrë pezhorative kryeministri Rama. E gjithë kjo duke llogaritur “frymën e konsensusit” me grupin e Rithemelimit.

“Prokurorët e SPAK janë të pavarur e ndihen të pavarur”, u përgjigj i zoti i punës. “Këtë pavarësi ua ka garantuar ky Kuvend me ndryshimet Kushtetuese e Kornizën ligjore. Korniza ligjore aktuale na e gartanton pavarësinë institucionale”!

Kuptimi dhe nënkuptimi: S’ka nevojë për të futur duar që s’dihet ku ndalen.

Por Dumani shtroi para deputetëve disa shqetësime të tjera me rendësi publike, ku kërkohet angazhimi i drejtpërdrejtë i Kuvendit të Shqipërisë.
Një i tillë, në përmasat e skandalit, është ai i mosbashkëpunimit të institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Tendenca në rënie e denoncimeve dhe padive nga institucionet dhe agjencitë e zbatimit të ligjit ka shkuar në 40 përqind në krahasim me një vit më parë, raportoi Dumani. E dhëna është alarmante. Sa më shumë forcohet SPAK, aq më shumë struken e tërhiqen institucionet ku një ushtri të emëruarish marrin rrogat pikërisht për të luftuar korrupsionin dhe paligjshmërinë në ministri, në agjenci, në bashki, e tjerë e tjerë.
Një “enigmë” e re kjo që i shtohet asaj tjetrës sipas së cilës korrupsioni në piramidën e ekzekutivit në nivel qëndror dhe vendor ka njohur një “bum” pas fillimit nga puna të SPAK!

Është e logjikshme të mendohet se rojtarët me pagesë të zbatimit të ligjit në këto institucione rëndom bëjnë para për vete nga korrupsioni i të tjerëve, duke marrë pjesën përkundrejt symbylljes, shantazhit, fshehjes. Atyre u shkon shprehja e famshme e Monteskiesë kur për korruptimin e intitucioneve thotë “është helmuar vetë medikamenti”.

Deputetët nuk mund të rrinë si guakë përballë një dukurie të tillë. Parlamenti ka detyrimin të reagojë. Deputetët e komisionit të ligjeve dhe parlamenti duket të reagojnë, shpresojmë pozitivisht, edhe ndaj kërkesave të kreut të SPAK, siç është për shembull ajo e shtimit të hetuesve të BKH-së, një kërkesë që bëhet gjithnjë e më emergjente me rritjen e volumit të punës nga kjo zyrë. Apo shqetësimi që lidhet me mungesën e një përcaktimi të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit të tyre. Duke përjashtuar me ironi veten e tij, Dumani argumentoi domosdoshmërinë e zgjatjes së mandatit të tyre.
Për të gjitha këto ka një paketë propozimesh konkrete të depozituara në Kuvend nga grupi parlamentar i PD-së. Kjo paketë mund të shërbejë si një bazë për Parlamentin për të shtuar në të kërkesa të tjera të arsyeshme nga ato që paraqiti Dumani. Heshtja dhe mosreagimi janë joetike, të palejueshme, të dëmshme. Heshtja i bën fresk e jehonë korrupsionit.

Në mungesë të një reagimi pozitiv nga Kuvendi dhe qeveria, çështjen e statusit të prokurorëve dhe fuqizimit të burimeve njerësore e teknike të SPAK do të duhet ta zgjidhë me votë publiku i gjerë. Është shumë pozitive që shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë mbështesin SPAK dhe kanë besim në punën e tij. Kjo mbështetje është inkurajuese. Por nuk mjafton vetëm fjala. Shqipëria po përjeton një ngjarje të madhe, që në finalen e saj do të shënojë një histori të re që nuk e ka njohur vendi dhe demokracia jonë: historinë e sundimin e ligjit, historinë e “askush mbi ligjin”, historinë e daljes nga xhungla në demokracinë normale. Sado të vendosur të jenë prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH-së, suksesi i tyre kërkon bashkautorësinë e qytetarëve, si në një bashkudhëtim, ku qytetarët perveçse fjalën, të përdorin me zgjuarsi edhe votën për të mbrojtur e fuqizuar drejtësinë e re, i vetmi bekim për ta në periudhën që jetojmë.
Të zotët e punës kanë ardhur. Ata duhen mbështetur fort, hap pas hapi, deri në fund./ Liberale.al

SHBA, hulumtimi me shqiptarët e Kosovës zbulon qëllimet e emigrimit dhe realizimin e synimeve tyre

Një studiuese e Universitetit të Prishtinës, ka shtatë muaj që bën një hulumtim me shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Hulumtimi, që është në përfundim e sipër, bëhet për të parë se sa janë integruar ata në shoqërinë amerikane dhe sa kanë arritur t’i realizojnë qëllimet e tyre. Profesorja Mimoza Dushi, eksperte në lëvizjet e popullatës, gjatë intervistës me kolegun Artan Haraqija thotë se të dhënat e mbledhura prej saj tregojnë për një komunitet që ka shfrytëzuar shumë mirë sidomos mundësitë për arsimim.

Ajo thotë se ata janë integruar më mirë në shoqërinë amerikane se sa shqiptarët që kanë emigruar në Evropë. Profesorja Dushi, para disa vitesh, ka kryer një hulumtim të ngjashëm në Gjermani dhe Zvicër ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë në Evropë.

Zëri i Amerikës: Ju po qëndroni në Shtetet e Bashkuara për të kryer një hulumtim mbi migracionin e shqiptarëve të Kosovës në Shtetet e Bashkuara. Mund të na flisni pak për të?

Dr. Mimoza Dushi: Unë kam ardhur me bursën Fullbright dhe jam në Universitetin George Washington, aty ku realizoj hulumtimin. Kam zhvilluar intervista me një numër të konsiderueshëm emigrantësh në vende të ndryshme të Amerikës. Qëllimi i hulumtimit është për të parë se sa ndihet i integruar komuniteti shqiptar i Kosovës këtu, sa i kanë arritur qëllimet për të cilat ka ardhur dhe cilat janë përfitimet nga qëndrimi në Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu për të parë se cilat janë nevojat që ka diaspora shqiptare që të njoftoj qeverinë dhe ligjvënësit në lidhje me to. Kam realizuar më herët një hulumtim të ngjashëm, ka qenë një projekt tjetër me shqiptarët në Evropë. Projekti ka qenë i përqëndruar në Zvicër dhe Gjermani, si dy vende ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve.

Projekti i parë që është realizuar në Evropë ka përfshirë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Projekti në Amerikë ka të bëjë vetëm me shqiptarët e Kosovës, është bursë që jepet nga Ambasada Amerikane në Kosovë prandaj është i përqëndruar vetëm tek shqiptarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cilat janë gjetjet kryesore, nga puna që keni kryer deri më tani në Shtetet e Bashkuara?

Dr. Mimoza Dushi: Anëtarët e komunitetit shqiptar në Amerikë janë të arsimuar. Ata kanë shfrytëzuar mundësitë e shkollimit dhe avancimit në profesionin e tyre. Në aspektin ekonomik, nga popullsia vendase konsiderohen punëtorë. Ata janë të aftë në profesionet e tyre e kanë pozita të mira në ato profesione. Janë njerëz të besueshëm për bashkëpunime. Mirëpo, në aspektin shoqëror edhe pse ndihen të pranuar nga komuniteti vendas, ai amerikan, gjithësesi vazhdojnë të jenë të lidhur me komunitetin shqiptar.

Zëri i Amerikës: A është kjo e ngjashme edhe me gjetjet e dala nga hulumtimi që keni bërë me shqiptarët në Evropë?

Dr. Mimoza Dushi: Ata që jetojnë këtu (SHBA), janë më shumë të integruar, sesa ata që jetojnë në Evropë. Ndoshta është afërsia më e madhe me Kosovën që ndikon ose arsyet për të cilat ata kanë emigruar. Ata që kanë emigruar në Evropë e kanë bërë me qëllimin që të qëndrojnë aty përkohësisht dhe në momentin që Kosova, do të fitonte pavarësinë, të ktheheshin. Por me kalimin e kohës ata kanë vendosur të shndërrohen në emigrantë të përhershëm, ndërsa në Amerikë, që në fillim kanë ardhur me synimin për të qëndruar gjatë.

Zëri i Amerikës: Para se të flasim mbi detajet, ju thatë se keni kryer intervista me shqiptarët e Kosovës që jetojnë në disa shtete amerikane. Mund të thoni se për cilat shtete bëhet fjalë?

Dr. Mimoza Dushi: Intervistat i kam kryer në dy forma. Në formën ballë për ballë dhe përmes internetit. Ato ballë për ballë i kam realizuar në tri shtete, në kryeqytet, në Uashington, në Nju Jork dhe në Çikago, ku ka më shumë shqiptarë. Intervistat përmes internetit i kam bërë me shqiptarë në Karolinën e Veriut, në Viskonsin, Arkansa, Dallas, Teksas, Nju Xhersi, në Virxhinia e në shtete të tjera.

Zëri i Amerikës: Keni vërejtur dallime mes shqiptarëve që jetojnë në zona të ndryshme të Amerikës, për shembull mes të atyre që jetojnë në Çikago dhe atyre që ta jetojnë për shembull në Teksas?

Dr. Mimoza Dushi: Nga bisedat konsideroj që shqiptarët që jetojnë në Çikago janë shumë më të lidhur me komunitetin. Në Nju Jork për shembull numri i shqiptarëve është më i madh dhe kjo ka bërë që ata të kenë disa forma të lidhjes mes tyre.

Zëri i Amerikës: Hulumtimin tuaj e keni ndarë në tri pjesë, mund të na flisni pak për këtë?

Dr. Mimoza Dushi: Jam përqëndruar tek nevojat që ata kanë në raport me vendin e origjinës, Kosovën. Pra ajo që kam bërë është të mbart zërin e migrantëve, në formën e rekomandimeve për ata që bëjnë politikat në Kosovë. I kam dërguar tashmë këto rekomandime, të cilat janë ndarë në tre grupe. Ndarja është bërë sipas rëndësisë që i kanë dhënë vetë ata.

E para që ata kërkojnë është mundësia të ofrojnë përvojën dhe ekspertizën e tyre për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës. Ka rrjete të profesionistëve që komuniteti këtu i ka krijuar vetë. Unë kam hasur në tri rrjete, rrjeti i mjekëve, i sipërmarrësve edhe artistëve. Që këto ekspertiza të shrytëzohen nga shteti prej nga vijnë, qeveritë atje duhet të themelojnë rrjete të profesionistëve vetë, me raste edhe t’i financojnë dhe t’i menaxhojnë. Ambasadat dhe konsulatat luajnë rol të rëndësishëm këtu pasi krijojnë bazën e të dhënave me profesionistët që i kanë të shpërndarë në vendet ku janë. Ato luajnë rolin të dyfishtë, pasi në të njejtën kohë transmetojnë nevojat që ka qeveria e Kosovës te komuniteti dhe nga ana tjetër, për qeverinë gjejnë profesionistë të caktuar. Qeveria e Kosovës tanimë e ka krijuar një program me emirn “Citizen Diplomacy Fellowship” dhe kërkon nga të rinjtë që kanë dy vjet përvojë pune në një shtet tjetër të ndihmojnë me përvojën e tyre në Kosovë. Kjo është kundërshtuar nga emigrantët këtu me arsyetimin se kërkojnë t’u jepet mundësia menjëherë pas diplomimit. Ata thonë se pas dy vitesh pune, krijojnë stabilitet dhe është vështirë të kthehen.

Kërkesa e dytë është mundësia e votimit në ambasada dhe konsulata, duke shkuar fizikisht atje. Ne e dimë që deri tani janë ofruar dy mundësi, dërgimi i fletvotimit me postë, apo duke shkuar në Kosovë. Ata kërkojnë që ambasadat të marrin rolin e mbledhjes së votave. Duke e pasur parasysh se sa e madhe është Amerika, emigrantët kërkojnë ruajtjen e mundësisë për dërgimin e fletvotimit me postë, por jo në Kosovë, por në ambasadë, pra që ambasada të jetë pikë mbledhëse.

E treta janë investimet kapitale, kryesisht në fushën e Teknologjisë Informative.

Zëri i Amerikës: Sa për sqarim, duan që këta të investojnë në Kosovë?

Dr. Mimoza Dushi: Po, që këta të investojnë në Kosovë. Para se t’i bëjnë investimet, ata kërkojnë që të krijohen kushte të favorshme. Ata duan siguri financiare, sigurinë e bizneseve, konkurencën e drejtë në treg dhe kërkojnë informacione të sakta në lidhje me mundësitë e investimeve. Me këtë ata kuptojnë që të krijohen kushtet që investimet e tyre të jenë të sukseshme dhe të njejtën kohë shteti të përmbushë nevojat që i ka në lidhje me investimet ekonomike. Ambasadat dhe konsulatat prap këtu mund të luajnë rol të rëndësishëm duke shpërndarë informatat në lidhje me mundësitë e investimeve te sipërmarrësit e diasporës.

Zëri i Amerikës: Ju thatë që keni vërejtur që shqiptarët e Kosovës në Shtetet e Bashkuara janë kryesisht me arsimim, të larta. Është fjala për personat që kanë ardhur me kualifikime universitare apo që kanë ardhur këtu për atë qëllim?

Dr. Mimoza Dushi: Nga intervistat që kam kryer, 60 % e të intervistuarve kanë dalë me shkollim të lartë nga Kosova. Prej tyre, 46% kanë vazhduar shkollimin edhe në Amerikë. Pra, ata ardhur me qëllim shkollimi ose kanë shfrytëzuar mundësitë për vazhdimin e shkollimit për ngritjen në profesion.

Zëri i Amerikës: Ju pyeta për këtë sepse nëse ata janë ofruar të ndajnë ekspertizën me Kosovën, fjala është për njerëz që kanë arsimim të lartë…?

Dr. Mimoza Dushi: Po, janë individë me arsimi të lartë. Ata kanë pozita shumë të mira në profesionet e tyre. Punojnë në Bankën Botërore, punojnë në qeveri, punojnë në Thesarin e Shtetit, punojnë në çështje juridike, ka shumë mjekë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë dallimet kryesore që kanë dalë nga të dyja hulumtimet, ai në Evropë dhe ky në Shtetet e Bashkuara?

Dr. Mimoza Dushi: Afërsia me Kosovën ka krijuar mundësinë që ata në Evropë të kenë kontakte më të afërta me Kosovën. Në Evropë kanë filluar të emigrojnë më herët se këtu. Atje kanë filluar të dalin në fillim të viteve të ’60, ndërsa këtu e kemi fundin e viteve të ’60. Këtu kanë ardhur jo pak për qëllime shkollimi kurse në Evropë për qëllime shkollimi janë shumë të vonshëm. Atje kanë shkuar kryesisht për qëllime pune, e kanë konsideruar vetën që janë të përkohshëm. Prandaj, ndjenja e të përkohshmes i ka penguar që të integrohen dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë

Zëri i Amerikës: Në hulumtimin tuaj ju keni përmendur edhe dallimin tjetër që gjenerata e dytë e emigrantëve shqiptarë të Kosovës në Shtetet e Bashkuara fillojnë të zëvendësojnë shqipen me anglishten?

Dr. Mimoza Dushi: Në Evropë edhe gjenerata e tretë e flasin gjuhën shqipe, por atje i kanë edukuar edhe fëmijët e tyre me bindjen që një ditë do të kthehen. Ndërsa këtu, (në Amerikë) gjenerata e dytë pak e flet gjuhën shqipe. Më lehtësisht shprehën në gjuhën angleze. Mirëpo, gjenerata e dytë e shqiptarëve të Kosovës në Amerikë, ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit kombëtar e ka shumë të fortë. Është kënaqësi të bisedosh me ta dhe janë shumë aktiv në komunitet me veprimet e tyre.

Zëri i Amerikës: Një pyetje që nuk ka pasur asnjëherë përgjigje është numri i shqiptarëve në përgjithësi apo të paktën i shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë hulumtimit që keni bërë, mund të thoni se e keni një numër?

Dr. Mimoza Dushi: Sa më shumë numra që gjejmë aq më shumë lëmsh bëhemi. Unë kam gjetur shumë burime. Kosova vetë vlerëson që ka përafërsisht 860 mijë qytetarë të saj jashtë vendit, në përgjithësi në të gjithë botën. Prej tyre, 4.9 % janë në Amerikë. Mirëpo, në burimet që i kam gjetur këtu, është një autore me emrin Maria Cuinova e cila në botimin e saj në vitin 2010 thotë se në Amerikë jetojnë 250 mijë shqiptarë të Kosovës. Ajo e përcakton që bëhet fjalë për shqiptarë të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Në bazë të cilit hulumtim ka ardhur ajo deri te kjo shifër?

Dr. Mimoza Dushi: Ajo ka burime të ndryshme, por të gjitha këto janë vlerësime. Në regjistrimin e popullsisë së Amerikës, sipas Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë, në vitin 2020 janë regjistruar mbi 230 mijë shqiptarë të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe prej tyre përafërsisht 4700 janë shqiptarë të Kosovës. Në fakt fjala është për kosovarë. Kjo duhet të jetë një shifër e pas pavarësimit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Sepse nga atëherë kanë filluar të mbajnë shënime për banorët e Kosovës?

Dr. Mimoza Dushi: Po, sepse ka shumë që kanë ardhur edhe përpara, por janë identifikuar edhe si jugosllavë sepse në pasaportat tona nuk ka shënuar prej cilës Republikë apo cilës Krahinë ke ardhur. Ka edhe raporte të tjera që i kanë bërë shoqatat hulumtuese ose institucionet hulumtuese amerikane, për nevojat e shoqatave shqiptare. Në bazë të këtyre raporteve në Amerikë jetojnë 500 mijë shqiptarë të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Pra, në përgjithësi mund të themi se fjala është për një shifër që shkon nga një çerek millioni deri në gjysëm milioni shqiptarë?

Dr. Mimoza Dushi: Po, por mendoj se është një numër paksa i fryrë

Zëri i Amerikës: Besoni se regjistrimi i popullësisë që bëhet tani nga Kosova mund të ndihmojë pasi ju ka ofruar mundësinë e regjistrimit edhe atyre që jetojnë jashtë vendit?

Dr. Mimoza Dushi: Po, është mundësi shumë e mirë për diasporën. Ndoshta është mundësia e fundit për shkak se rregullat e regjistrimit pothuajse çdo herë ndryshojnë. Kjo mundësi është dhënë, mirëpo kam rezerva për rezultatet që do të dalin.

Zëri i Amerikës: Për çfarë arsye keni rezerva?

Dr. Mimoza Dushi: Për arsye se me të njëjtin standard është kërkuar të regjistrohet popullsia brënda dhe jashtë Kosovës. Ai standard është numri i letërnjoftimit. Ne e dimë që ata që jetojnë jashtë jo domosdoshmërisht ta kenë atë numër. Gjatë punës sime në terren kam hasur në shumë shqiptarë që kanë treguar gatishmëri që të regjistrohen, por që nuk kanë mundur ta finalizojnë procesin e regjistrimit përmes internetit për shkak të kësaj kërkese, pra të numrit të ID-së./VOA

VIDEO/ Bajer Leverkusen nuk fal kundër Kaserslauternit, Granit Xhaka i dhuron Kupën “aspirinave”

Bajer Leverkusen ka triumfuar në finalen e Kupës së Gjermanisë, duke mposhtur skuadrën e Kaiserslautern me rezultatin minimal 1-0.

Ishte një eurogol i Granit Xhakës në minutën e 17-të, që i dha fitoren ekipit të Çabi Alonsos, duke koleksionuar trofeun e dytë këtë sezon, pas Bundësligës.

Kjo ishte edhe ndeshja e fundit i një sezoni magjik për Bajer Leverkusenin, ku në më shumë se 50 ndeshje, regjistroi vetëm një humbje të vetme, duke thyer rekorde të shumta dhe dalë jashtë pritshmërive.

REZULTATI | KAISERSLAUTERN-BAJER LEVERKUSEN 0-1

17′ Xhaka

GOLI I XHAKËS 0-1 (VIDEO)

FORMACIONET ZYRTARE:

KAISERSLAUTERN (4-2-3-1): Krahl; Pushaçz, Elvedin, Tomiak, Zimer; Rashl, Kaloç; Redondo, Riter, Zolinski; Hansilik | Trajner: Friedhem Funkel

BAJER LEVERKUSEN (3-4-2-1): Hradecki; Kosounou, Tah, Trapsoba; Frimpong, Andrih, Xhaka, Grimaldo; Hofman, Virc; Shik | Trajner: Çabi Alonso

A mund të hani shumë shalqi? Njihuni me rreziqet e konsumimit të tepërt…

Shalqiri shihet shpesh si një nga pjesët më të mira të verës, por sa shumë shalqi është i tepërt?

Ne do të hedhim një vështrim se çfarë ndodh nëse e teproni aksidentalisht. Nëse e doni shalqirin dhe e prisni me padurim sezonin e verës çdo vit në mënyrë që të kënaqeni, nuk jeni vetëm. Është fruti i pestë më i popullarizuar! Ka vetëm diçka për marrjen e një kafshimi të freskët dhe të lëngshëm që ngjall ndjenjën nostalgjike të verës së fëmijërisë.

Përpara se të filloni ta blini atë me shumicë dhe ta hani atë në çdo rast, ia vlen të dini se shumë gjëra të mira mund të kenë rezultate negative. Është e mundur të hani shumë nga ky frut vere, por cili është kufiri? Sa shumë shalqi është shumë? Ne jemi gati të zbulojmë. Ndërsa shalqiri është një mënyrë mjaft e shëndetshme për të mposhtur nxehtësinë, mund ta teproni, veçanërisht për shkak të përmbajtjes së tij të sheqerit, megjithëse ka rreziqe të tjera.

Sipas Udhëzimeve dietike të USDA-së, është më mirë të kufizoni konsumin tuaj në dy tasashalqi, ekuivalenti me 300 gramë, nëse ky është i vetmi frut që do të konsumoni në çdo ditë të caktuar. Kjo do t’ju lejojë ende të përfitoni nga përfitimet ushqyese që mund të ofrojë shalqiri. Siç u përmend, çdo gjë më shumë se 300 gram është shumë. Sa më shumë të hani, aq më shumë ka të ngjarë të përjetoni rreziqet e lidhura.

Shalqiri është një frut me indeks të lartë glicemik, që do të thotë se mund të rrisë nivelet e sheqerit në gjak më lart dhe më shpejt se frutat e tjera. Njerëzit me dieta me indeks të lartë glicemik janë në një rrezik më të lartë të problemeve kardiovaskulare dhe diabetit të tipit 2. Ngrënia e tepërt e shalqirit mund të shkaktojë probleme me stomakun dhe tretjen si diarre, fryrje, fryrje dhe gazra.

Alibeaj: PD nuk ndodhet në konflikt për vulën, por ndarja është mes interesit publik dhe atij privat

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se çështja që ndodhi me këtë parti nuk ka lidhje me vulën, selinë apo siglën, por një çështjes ndarjeje mes interesit publik dhe atij privat.

Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Alibeaj tha se ato vlera që përbëjnë një forcë politike që nis me interesin publik, është mënyra që na bën të besueshëm të shqiptarët, pasi vula nuk të jep fitoren, thjesht të jep një konfirmim te mbështetja që kemi pasur ne te këto vlera.

“Një shumicë dërrmuese e shqiptarëve sot duan alternativë, duan ndryshim. Testi real që kemi ne është sa do të mund ne të thithim, të bindim këta qytetarë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Alibeaj.

Ai u shpreh se jemi në test çdo ditë, duke shtuar se sondazhet tregojnë se 70% e shqiptarëve mbështesin SPAK dhe PD zyrtare është e vetmja që mbështet publikisht Prokurorinë Speciale.

“Ne kemi mbështetur SPAK me një paketë, jemi jashtë konfliktit të interesit me drejtësinë dhe shqiptarët duan pikërisht këtë, një politikë jo në konflikt interesi me drejtësinë, por në shërbim të qytetarëve”, tha Alibeaj.

Alibeaj: Më e rrezikshme se çdo kërcënim ndaj SPAK është krijimi i ndjesisë se janë të vetmuar

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Enkelejd Alibeaj, në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, tha se mbështetja ndaj SPAK shkon edhe më shumë se sa miratimi i kërkesës për zgjatjen e mandatit.

Alibeaj tha se që të kemi një prokurori të suksesshme duhet që të kemi prokurorë që të ndjehen të qetë në punën e tyre, pra të mos mendojnë se çfarë do të ndodhë me karrierën e tyre.

Në këtë kuadër, Alibeaj tha se PD ka paraqitur në Kuvend një projektligj që prokurorët e SPAK të ruajnë statusin e tyre, qoftë financiar, dhe të kalojnë si Prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Alibeaj: PS, Foltorja dhe PL janë rreshtuar kundër SPAK

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, Sekretar i Përgjithshëm në PD-në zyrtare, në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 tha se mungesa e burimeve njerëzore vështirëson punën e SPAK.

Referuar sulmeve ndaj SPAK, Alibeaj theksoi se njerëzve të drejtësisë nuk i bëjnë përshtyrpje etiketime të tilla.

Alibeaj tha se SPAK ka nisur të japë frutet e veta gjatë 3 viteve.

Referuar raportit të paraqitur nga Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve, Alibeaj tha se institucionet e pavarura të drejtësisë vijnë të raportojnë për gjendjen e kriminalitetit, por jo që të japin llogari.

“Ajo se çfarë vura re në debatin e panatyrshëm në Komisionin e Ligjeve është se grupet Parlamentare të PS, Foltores dhe PL kanë krijuar raporte tensioni me SPAK. i vetmi grupim që është në mbështetje të SPAK është Partia Demokratike”, tha Alibeaj.

Ai tha se Altin Dumani mbajti një qëndrim dinjitoz, profesional, të një funksionari publik, koshient për peshën e madhe që ka, por edhe faktit që do të përballej me sulme të papërshtatshme.

Muratorët e ferrit dhe fytyra e re e PD-së!

Nga Ermal Peçi

Ajo që SPAK tregoi këto ditë është as më pak edhe as më shumë, por ajo që flitej në “parlamentin e popullit” çdo ditë.
Në vetëm disa përgjime të bëra publike që mendohet që nuk janë as dy të dhjetat e dosjes, na dalin të përfshirë me grupet e organizuara ish-deputetë edhe deputetë të Partisë Socialiste.
Edi Rama njeriu i cili i premtoi parajsën shqiptarëve kishte zgjedhur pranë vetes, edhe këta muratorët e ferrit. Ferr që shqiptarët panë me sytë e tyre. Panë ferrin se si policia që predispozohet që duhet t’i mbrojë, bashkëpunonte me krimin jo vetëm në kontrollin e lojërave të paligjshme, drograve por edhe në eleminimin e kundërshtarëve.
Parajsën që Rama ia premtoi para 2013-ës për shqiptarët duket një kujtim i largët dhe i pa mundur!
Shqiptsrët po shohin gjithashtu ferrin që është ngritur për ta nga ky sistem politik, i cili ka 33 vite që kontrollon edhe monitoron jetën e shqiptarëve. Vetëm fal Altin Dumanit, kreut të SPAK, sot shqiptarët po shikojnë se çfarë është gatuar jashtë syrit të publikit nga bashkëpunimi politik-krim. E njëjta panoramë u pa edhe në Komisionin Parlamentar ku deputetët të cilët janë në konflikt interesi për shkak se pjesa më e madhe ndodhen nën hetim, mundoheshin për ta vënë në pozita e për ta intimiduar me diskursin e tyre publik.
Në këtë panoramë ku trupi i stukuar i qeverisë po nxjerr dita- ditës kalbëzimin që ka përqafur, duket se Shqipërisë po i vjen si ofertë politike një altetnativë me fytyra dhe koncepte të reja. Në ethet e hetimeve penale të cilat kanë përfshirë Partinë Socialiste, Rithemelimin e Berishës edhe Partinë e Lirisë, mesa duket dielli po lind për Partinë Demokratike pas sulmeve të ashpra nga të tre kundërshtarët e PD-së por edhe SPAK-ut. Prej disa ditësh kryetari i PD-së Lulzim Basha ka nisur një sërë takimesh të cilat kanë në fokus programin dhe ofertën politike që do t’i japi Shqipërisë.
Një fytyrë më njërëzore por edhe një rimëkëmbje ekonomike…!
Aktualisht i gjithë ky është një proces i cili po shqyrtohet edhe palët po rrahin mendime dhe do të bëhet publik në 1 qeshor. Nga figura të njohura te fushave të caktuara të jetës deri tek ekspertët e rinjë, po gërshetohen idetë për t’i dhënë Shqipërisë një ofertë sa më të mirë politike dhe një program ekonomik sa më efikas larg burokracive.
Atë që thoshte Joel Barker, një nga inspiruesit më të mëdhenjë amerikan:
“Kur hidhni ndonjë ide të re në pellgun e botës, ju merrni një efekt valëzues” .
Duhet të jeni të vetëdijshëm se do të krijoni një kaskadë ndryshimesh. Kjo kaskadë ndryshimesh do të jetë e ardhmja e Shqipërisë me ide të reja dhe të aplikueshme, me figura të pa shantazhueshëm nga klasa politike 33 vjeçare, të pa përfshirë në aferra dhe mbi të gjitha me një dashuri për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Kjo do të jetë oferta politike dhe fytyrat e reja të PD-së, përballë muratorëve të ferrit!