25.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Alfred Balla sfidon vendimin e Kolegjit për përfundimin e mandatit të tij

Nga Edmond Hoxhaj

Me dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar ndër vite nga detyra me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla duket se ka vendosur në mënyrë të paprecedentë që ta sfidojë vendimarrjen e shkallës së dytë të vetingut.

Pasi nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj thirri një mbledhje plenare për të hënën me objekt “deklarimin e mbarimit të mandatit” për Ballën, ky i fundit njoftoi të premten se kishte thirrur një mbledhje të dytë të KLP-së, në të njëjtën ditë dhe orë.

Përmes llogarisë zyrtare të KLP-së në Whatsapp, Balla e thirri mbledhjen me qëllim interpretimin e vendimarrjes së KPA-së për procesin e tij të vetingut.

U përjashtua 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KPA mblidhet të hënën për të votuar përfundimin e mandatit të Alfred Ballës

“..Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla,” thuhet në njoftim.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 21 maj të largojë nga sistemi i drejtësisë Ballën për një periudhë 15-vjeçare, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Pozicioni aktual i Ballës si kryetar i KLP-së bie ndesh me vendimin e KPA.

Megjithatë, në njoftimin e shpërndarë të premten, Balla pretendon se KPA nuk ka “analizuar dhe vërtetuar fakte që të bënin të diskutueshme zgjedhjen time si anëtar jo-magjistrat i KLP, për të pasur vend për t’u zbatuar neni 149/b i Kushtetutës”.

“Gjithsesi, javës që vjen është planifikuar mbledhje e Komisionit dhe e Këshillit dhe ky problem do të analizohet e vlerësohet nga vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë,”
shton më tej Balla, duke theksuar se atij i ka mbaruar mandate, por është në pritje të emërimit të personit që do ta zëvendësojë.

I pyetur nga BIRN për axhendën paralele të propozuar nga Balla, zv.kryetari i KLP-së, Tartar Bazaj i tha BIRN se vendimi i KPA-së nuk lë vend për interpretim.

“Kam qenë i detyruar të zbatoj detyrimet kushtetuese dhe të thërras mbledhje urgjente, sepse vendimi KPA-së është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka vend për interpretim, por vetëm duhet të zbatohet në mënyrë të menjëhershme,”
tha Bazaj.

Sipas parashikimeve kushtetuese, tagrin për mbarimin e mandatit të një anëtari të KLP e ka vetë Këshilli. Baze tha se me thirrjen e mbledhjes për të hënën e kishte “ezauruar misionin e tij”. Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK në Kolegj, duke kërkuar vendosjen e sanksionit 15 vjeçar, çka u konsiderua i drejtë nga Kolegji./ BIRN

Ngjela: SPAK të mos presë kallëzime nga të korruptuarit

Spartak Ngjela, në një lidhje Skype në rubrikën “Opinion” në News24 foli në lidhje me raportimin e kreut të SPAK Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve.

Në lidhje me faktin që Dumani theksoi mungesën e kallëzimeve të korrupsionit nga ana e institucioneve, Ngjela tha se Prokuroria e Posaçme nuk duhet të presë që puna e saj të bazohet në kallëzimin e atyre që në të vërtetë janë ata që e bëjnë korrupsionin.

Ai tha se SPAK ka një detyrë të madhe për zhvillimin e Shqipërisë, pasi korrupsioni ka mpirë zhvillimin shqiptar.

“Institucionet janë të korruptuara, vijnë nga korrupsioni. Kush ka qenë ai institucion që nuk ka qenë i korruptuar në Shqipëri.
Nga institucionet do të presë SPAK? Çfarë japin shërbimet? Aty është gjëja. Këtu ishte bërë deti kos në funksion të korrupsionit. Kush merrte lugën që ia jepte shteti hante. Ministri, zv. Kryeministri e kryeministri kishin lugën më të madhe.

SPAK ka një detyrë të madhe për zhvillimin e Shqipërisë. Korrupsioni ka mpirë zhvillimin shqiptar”, tha Ngjela.

Ai foli edhe në lidhje me faktin që Dumani theksoi lidhjen e policisë me krimin.

“Nëse policia, disa organe të survejimit, si prokuroria, nuk do të ishin të korruptuara nuk do të kishte korrupsion në Shqipëri. Shpresën e kemi të gjithë te SPAK”, u shpreh ai.

Lista e Shqipërisë për Europianin, ja kur do t’i bëjë publike Sylvinho emrat e zgjedhur

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, do të bëjë publike listën e futbollistëve të ftuar për Euro 2024 vetëm ditën e hënë. Tekniku i kuqezinjve, ndryshe nga shumë homologë të tij, nuk ka publikuar ende një listë paraprake, por ka vendosur që të bëjë një gjë të tillë vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha kompeticionet kombëtare në vende të ndryshme.

Lista e trajnerit do të publikohet të hënën në orën 16:00, kur ai do të shfaqet para gazetarëve në një konferencë për shtyp për të shpjeguar zgjedhjet e tij. Nuk dihet ende nëse Silvinjo do t’i qëndrojë besnik idesë së tij që duhet të marrë pjesë në këtë eveniment me 23 futbollistë, apo do të shtojë numrin e lojtarëve të grumbulluar deri në 26.

NJOFTIMI I FSHF

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lista zyrtare me futbollistët e grumbulluar nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” do të bëhet publike të hënën më datë 27 maj, në orën 16:00.

Në të njëjtën orë trajneri Silvinjo do të dalë në një konferencë zyrtare për median në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” përballë gazetarëve ku do të flasë për listën e lojtarëve, përgatitjet, dy ndeshjet miqësore dhe finalet e “EURO 2024”.

Lojtarët fillimisht do të grumbullohet në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë. Kombëtarja ka edhe dy ndeshje miqësore në program ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”.

Më datë 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit, në kampin bazë në SportCentrum Kaiserau, në afërsi të Dortmundit.

Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” (Dortmund).

Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

DW: A është Gjermania e përgatitur për pandeminë e ardhshme?

Vendet anëtare të OBSH-së kanë filluar një raund të ri bisedimesh për të nënshkruar një pakt global pandemie. Ndërkohë në Gjermani shtrohet pyetja: A janë nxjerrë mësimet e duhura nga pandemia e Coronës?

Bota e përballoi në përgjithësi pandeminë e virusit të Coronës, dhe është duke u përgatitur për pandeminë tjetër. Një pakt global pandemie kërkon që të lidhë vendet më mirë me njeri-tjetrin. Një skicë për këtë pakt është duke u diskutuar aktualisht nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Shumë skencëtare dhe shkencëtarë nuk e venë në dyshim se pandemia tjetër do të vijë. Përveç SARS-CoV-2 kandidatë pandemie diskutohen të jenë viruset e gripit, SARS-CoV-3 ose lija. „Gripi i shpendëve do të ishte i pakëndshëm”, thotë mikrobiologu Emanuel Wyler nga qendra Max-Delbrück në Berlin. “Lija do të ishte një tmerr i vogël, megjithëse ka pak mundësi të ndodhë”. Por fruthi ose bakteret shumë rezistente mund të vijnë gjithashtu. Lista është e gjatë.

Një botë që është duke u ndërthurur gjithnjë e më shumë dhe ndryshimi i klimës bëjnë që sëmundjet infektive të përhapen gjithnjë e më shumë. Shtimi intensiv i mishit dhe depërtimi i njeriut në territoret ku jetojnë kafshët e egra favorizojnë përveç kësaj zoonosat, sëmundje që transmetohen midis njeriut dhe kafshës.

Edhe Gjermania do të prekej nga një pandemi e re. Arsye kjo që shumë vetë të pyesin a janë nxjerrë mësimet e duhura nga pandemia e Coronës? Dhe a janë bërë tani përgatitje më të mira?

Vend me rrezik të madh: Spitalet

Imazhet e pandemisë që kanë mbetur në mendjet e njerëzve janë pavionet e urgjencës në spitale dhe personeli i mbingarkuar i spitaleve. Edhe në pandeminë e ardhshme çelësi kyç do të jetë pyetja sa të përgatitura janë për dyndjen e ardhshme klinikat në Gjermani. “Kujdesi shëndetësor gjatë një krize të jashtëzakonshme shëndeti funksionon mirë vetëm nëse spitalet funksionojnë mirë edhe gjatë gjendjes së zakonshme,” thotë Christian Karagiannidis, i cili punon si mjek urgjence në klinikën pulmonare në Këln-Merheim. “Aktualisht ne nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi.”

Rezerva me shtretër të lirë për ngjarjet e paparashikueshme nuk është krijuar. Nga gati 1700 spitalet që ka Gjermania gjithsej, 500 e mbajtën ngarkesën kryesore me pacientë corone gjatë pandemisë së Coronës. “Pjesa tjetër nuk mori pjesë në shërbim.”

Në mënyrë që në të ardhmen puna të kryhet nga më shumë duar, Ministria gjermane e Shëndetësisë është duke u munduar të krijojë një hartë spitalesh. Edhe Christian Karagiannidis merr pjesë në komisionin qeveritar për reformimin e spitaleve. Ai mendon se vendimtar është krijimi i nivelit të mesëm. Pra më shumë klinika, që kanë të paktën dhjetë shtretër urgjence me mundësi për frymëmarrje artificiale dhe me “specialet” si katheter zemre dhe vend për uljen e helikopterëve. Vetëm se për këtë duhen bërë bashkë qendrat e vogla, që do të thotë se klinika të ndryshme duhet të mbyllen. “Njerëzit e kanë shumë të vështirë këtë,” thotë Karagiannidis.

Një problem tjetër: Ndërkohë që personeli infermier u duartrokit në fillim të Coronës, ai është lënë tani në harresë dhe është duke u plakur. Në landin e Renanisë Veriore – Vestfalisë, (NRW), landit gjerman me popullsi më të lartë, sipas Dhomës Ekonomike të Infermierisë, një në tre infermierë e ka mbushur moshën 55 vjeç dhe pritet të dalë në pension. Vetëm 15 përqind e infermierëve kanë moshën nën 30 vjeç. Sipas raportit të infermierisë të Shoqërisë së Sigurimeve Shëndetësore, DAK, mungon fuqia e re punëtore që do të zëvendësonte vendet e lira të punës që pritet të hapen vitet e ardhshme, për shkak të daljeve në pension. Ekziston kështu rreziku për një pikë kthese në personelin e infermierisë.

Shpresë jep fakti që gjatë pandemisë spitalet mësuan të punojnë me njëri-tjetrin, dhe të mos bëjnë konkurencë, thotë Christian Karagiannidis. Përveç kësaj, është krijuar ndërgjegja se rezervat e maskave dhe medikamenteve janë ide e mirë.

Një mësim: bazohu tek rezervat

Kijimi i rezervave mund të funksionojë për spitalet, por në nivel kombëtar ekziston një problem zbatimi në këtë pikë. Në fillim të pandemisë së Coronës, në qershor 2020, qeveria gjermane vendosi krijimin e „Rezervave kombëtare për mbrojtjen e shëndetit”.

Pajisjet mbrojtëse dhe produket mjekësore që do të bliheshin gjatë pandemisë, duhet të magazinoheshin nga qendra. Në faza të tjera rezervat duhet të plotësoheshin me medikamente dhe produkte mjekësore të prodhuara në Gjermani. Kështu u mendua të mënjanohej mungesa e furnizimeve në të ardhmen. Por katër vjet më vonë ky projekt ndodhet ende në fazën fillestare. Maskat, afati i të cilave ka kaluar, eliminohen.

“Kjo mund të krijojë stërkëmbsha edhe herën tjetër,” thotë Philipp Wiesener, i cili është përgjegjës për menaxhimin e krizave kombëtare dhe mbrojtjen e shëndetit të popullsisë në organizatën humanitare Kryqi i Kuq Gjerman.

Gjatë Pandemisë së Coronës u pa se brenda një kohe të shkurtër u krijua një numër i madh qendrash vaksinimi dhe u vaksinuan grupe të mëdha popullsie, thotë Wiesener. Një rezervë, e cila mund të përdoret herën tjetër.

Një pikë e rëndësishme: vaksinat

Pandemia e Corinës nuk shkaktoi dëme të mëdha dhe kjo ka të bëjë me qasjen e shpejtë tek vaksina e duhur. Një rastësi në favor ishte fakti se vaksina nuk ndodhej në fokus të shkencës. Teknologjia mRNA duhej faktikisht të ndihmonte për shërimin nga kanceri. „Ishte fat i madh që zhvillimi i teknologjisë mRNA ishte kaq përpara,” thotë Emanuel Wyler. Dhe shton me optimizëm: „Por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të kemi fat edhe herës tjetër.”

Gjatë Pandemisë vaksinat mRNA u treguan të ishin instrument fleksibël. Ato funksionojnë vetëm kur dihet kundër cilave struktura të mikrobit duhet të luftojnë. Nëse pandemia e ardhshme do të ishte SARS-CoV-3, atëherë njerëzit do ishin të përgatitur mirë. Por nëse shpërthen lija për shembull, kjo gjë nuk do të ishte shumë qartë, thotë biologu molekulave, Wyler. Përveç kësaj, njerëzimi nuk ka imunitet nga kjo sëmundje. Një „tmerr i vogël”, pra.

Por çështja është edhe nëse gjermanët do të vaksinohen herës tjetër, në përgjithësi.

Shoqëria është bërë më skeptike

Sepse pak para heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të Coronës, në maj 2023, më shumë se 20 përqind e popullsisë në Gjermani nuk ishte vaksinuar. Dhe jo më pak se kaq përqindje popullsie nuk do të ketë të ardhmen besim për masat që do të merren. Në një sondazh zhvilluar nga ekipi i drejtuar nga psikologia Cornelia Betsch, në Universitetin e Erfurtit në fund të vitit 2022, një e treta e gjermanëve të pyetur thanë se në pandeminë e ardhshme nuk do të bashkëpunojnë në marrjen e masave mbrojtëse. Po ashtu që e treta e të pyeturve qortuan politikanët për mënyrën si e trajtuan pandeminë.

Pandemia tregoi hapur shumë probleme: Njerëzit me të ardhura të ulëta dhe pak arsim ishin në disfavor në mënyrë sistematike. Digjitalizimi i sistemit të shëndetësisë dhe shkollave është shumë mbrapa. Shumë fëmijë dhe të rinj vuajnë edhe sot nga mbyllja e shkollave. Shumë shkencëtarë kritikojnë mungesën e nxjerrjes sistematike të të dhënave për vlerësimin e masave të marra.

Mjekët e urgjencës mësuan të mendojnë me skenare. Për Christian Karagiannidis është e qartë cili është hapi parë: „Ne duhet të provojmë një herë çfarë do të ndodhte nëse pandemia tjetër do të shpërthente tani. Dhe të shohim sa të përgatitur jemi.” Duke filluar me: Parlamenti shpërbëhet. Për këtë: Kush e merr vendimin se vendi ndodhet në krizë? Si do të reagonim ne për këtë? Çfarë ndodh me shkollat? A i kemi në dispozicion të dhënat kryesore, në kohë reale. “Faktikisht nevojitet një skenar i tërë për të parë ku janë pikat e dobta. Deri tani kjo nuk ka ndodhur./ DW

Nga ulja e peshës dhe kolesterolit, tek forcimi i kockave, ja përfitimet që merrni duke ngrënë 4 bajame në ditë

Bajamet janë ndër arrorët më të mirë për organizmin. Ato janë të pasura me magnez, kalium, fibër dhe proteinë, të cilat janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e funksionit të shumë organeve në trupin e njeriut.

Ekspertët thonë se këto fruta të thata duhen konsumuar rregullisht për të ofruar një larmi përfitimesh duke nisur që nga ulja e kolesterolit e deri tek rënia në peshë.

Këto përfitime mund të merren edhe duke konsumuar një sasi të vogël bajamesh çdo ditë.

Përfitimet që merrni duke ngrënë 4 bajame në ditë

Duke ngrënë 4 bajame në ditë, trupi juaj do të marrë 6 përfitime direkte.

Zemër e fortë

Antioksidantët,  flavonoidët dhe vitamina E tek bajamet ulin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës dhe e bëjnë atë më të fortë.

Ekspertët thonë se ngrënia e rregullt e bajameve ul rrezikun e atakut në zemër me 50 përqind.

Kolesterol i ulët

Bajamet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës E dhe kjo e fundit është një antioksidant i fuqishëm.

Antioksidantët mbrojnë qelizat nga dëmtimet e shkaktuara prej radikaleve të lira, ulin kolesterolin në gjak, pastrojnë enët e gjakut dhe pengojnë aterosklerozën.

Mendje e mprehtë

Antioksidantët dhe substancat e tjera që gjenden tek bajamet janë të rëndësishme për shëndetin e trurit.

Konsumi ditor i bajameve përmirëson aktivitetin dhe funksionet e trurit dhe e bën atë më të mprehtë.

Kockat dhe dhëmbët

Bajamet përmbajnë fosfor dhe ky mineral i bën kockat dhe dhëmbët më të fortë.

Ekspertët këshillojnë se njerëzit që vuajnë nga osteoporoza duhet të konsumojnë bajame çdo mëngjes.

Mbipesha

Bajamet përmbajnë shumë fibër e cila ju mban të ngopur për shumë gjatë duke penguar ngrënien e tepërt.

Fibra rregullon tretjen dhe pengon akumulimin e depozitave dhjamore.

Ekspertët thonë se nëse njeriu ha bajame të paktën dy herë në javë ka 30% më shumë gjasa për të mos shtuar në peshë.

Sheqernat në gjak

Këto arrorë janë të domosdoshëm për uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe të rëndësishëm për shëndetin e diabetikëve.

Bajamet dhe nën produktet e tyre rekomandohen kundër diabetit nga shumë ekspertë të fushës./AgroWeb.org

“Vëllai iku në Gjermani e më pas në Luftën e Vietnamit”- Dëshmia e trishtë e vajzës së ish-kolonelit të Zogut: Pas arratisjes së tij, nënën e lanë në kampin në Savër ku vdiq 1 vit më vonë, kurse mua e motrën…

Kur unë isha vetëm pesëmuajshe, na morën në shtëpi, na hipën në një makinë dhe na çuan fillimisht në kampin e Beratit. Nënës i thanë që motivi i internimit ishte pikërisht babai i arratisur, i cilësuar si tradhtar i atdheut. Në këtë kamp famëkeq dërgonin familjet më elitare të vendit, dhe që ishin rrezik serioz për regjimin e asaj kohe. Kaluam muaj të tërë së bashku me nënën e vëllain. Ndërsa motra e madhe ishte e martuar me një shtetas italian dhe ajo qëndroi në Tiranë. Në kamp, nëna më ushqente me qumështin e gjirit, sepse ky ishte ushqimi i vetëm”.

Kështu shprehet në një intervistë ekskluzive për ne, Rudina Dema, e bija e kolonel Hysni Demës, ish-ushtarak i lartë i periudhës së Monarkisë së Zogut me gradën e kolonelit, i cili pasi shërbeu në funksionin e komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Shqiptare në vitet 1943-’44, me mbarimin e Luftës, u detyrua që të largohej nga Shqipëria, duke u vendosur fillimisht në Greqi, e më pas në Belgjikë, etj., ndërsa e gjithë familja e tij, u burgos dhe u internua, deri në vitin 1991, kur dhe u shemb regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Për të gjitha këto, etj., na njeh me intervistën e saj, Rudina Dema, njëra nga vajzat e kolonelit të njohur, me origjinë nga fshatrat e Peshkopisë.

Znj, Rudina, cila është historia e juaj dhe e familje

Unë jam e bija e Hysni Demës. Im atë ishte kolonel dhe komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shkak se në vitet 1944-1945, u organizuan disa kryengritje të armatosura antikomuniste, sidomos në zonat veriore, dhe një prej tyre edhe në Dibër, vendi i origjinës së tim eti, babai u shënjestrua si organizator i tyre.

Në atë kohë, pra pas mbarimit të Luftës, ne jetonim në një shtëpi në Tiranë dhe një nate trokasin në derë një grup partizanësh, të cilët nxjerrin jashtë time më, shtatzënë me mua, të veshur me rrobat e gjumit, në mes të rrugës, së bashku me vëllain e vogël. Nga presioni emocional dhe goditjet që pësoi, disa ditë më pas, ajo më lind mua, në banjën e shtëpisë…!

Kur unë isha vetëm pesëmuajshe, na morën në shtëpi, na hipën në një makinë dhe na çuan fillimisht në kampin e Beratit. Nënës i thanë se; motivi i internimit, ishte pikërisht babai i arratisur, i cilësuar si tradhtar i atdheut. Në këtë kamp famëkeq, dërgonin familjet më të njohura të vendit, të cilat konsideroheshin se rrezik serioz për regjimin komunist të asaj kohe.

Kaluam muaj të tërë së bashku me nënën e vëllain. Ndërsa motra e madhe, ishte e martuar me një shtetas italian dhe ajo qëndroi në Tiranë. Në kamp, nëna më ushqente me qumështin e gjirit, sepse ky ishte ushqimi i vetëm.

Sa kohë qëndruat në kampin e Beratit?

Kemi qëndruar rreth një vit në atë kamp. Nëna bënte punë nga më të vështirat dhe më të rëndomtat. Në anën tjetër, ajo duhet të më ushqente mua me gji dhe, ndërsa në mëngjes shkonte në punë, për mua kujdeseshin gratë e tjera të persekutuara, në atë kamp. Pas Beratit, episodi i internimeve do të vazhdonte në kampe të tjera, sigurisht me një kalvar të gjatë mundimesh e persekutimesh çnjerëzore.

Në cilin kamp përfunduat më pas?

Fillimisht na çuan në Kuçovë. Aty ime më thotë, që kujton dhimbjen më të madhe të punës së krahut. I detyruan të gjitha gratë, që të punonin me orare të zgjatura, për hapjen e fushës së Aviacionit të Kuçovës. Isha vetëm një vjeçe e pak, dhe nëna punonte me mish e shpirt, që të plotësonte normat e ditës dhe të stimulohej me ndonjë ushqim më tepër…! Pasi përfundoi ky projekt, na çuan në kampin e Porto-Palermos.

Ishte si një kullë në majë të një kodre të lartë e, që kufizohej nga male në të katërt anët. Në kala, rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë. Dritaret ishin shumë të vogla. Ambienti ishte gjithmonë në terr, lagështirë. Për të fjetur, si dyshek kishim rrasat e gurit, pinim ujë të kripur dhe me krimba, nga pusi që ishte në hyrje të kalasë.

Familjet më të njohura të vendit, të ish-funksionarëve të lartë që nga koha e krijimit të shtetit shqiptar dhe më pas, ishin internuar në atë kamp, si: familja e Gjon Marka Gjonit, vjehrra e ish-deputetes e krye-parlamentares Jozefina Topalli, Maria dhe vajza e saj, Suzana Topalli, xhaxhai i Jozefinës, Nush Topalli, etj. Maria me të bijën, më kanë rritur dhe janë kujdesur ditë të tëra për mua.

Çfarë lloj përkujdesjeje ofronte familja Topalli, kundrejt jush?

Bëhet fjalë për vitet 1946-1950, isha afërisht pesë vjeçe. Duke qenë se isha ende një vajzë e vogël dhe nëna duhet të largohej për në punë që herët në mëngjes, kujdeseshin gratë e tjerë të persekutura për mua, siç ishte familja Topalli. Nëna shkonte në këmbë në mal dhe mblidhte dru, të cilat i mbante në kurriz. Ditë për ditë ishte thuajse kjo lloj pune, dhe të tjera punë krahu, që kryheshin nëpër fusha të hapura.

Mbaj mend që, kur vinte nëna nga puna, më sillte lëndë dushku, një lloj kokrre të ngjashme si gështenja, që ajo më pas i piqte dhe m’i jepte për të ngrënë mua, apo vëllait. Shpeshherë ato na sëmurnin, sepse ishin të destinuara për konsum nga kafshët (sidomos për derrat) dhe jo për ne.

Por në ato kushte mbijetese, duhet të gjendeshin forma nga më të ndryshmet, për të jetuar. Ndërsa Maria Topalli, me të bijën, kujdeseshin për mua, njësoj sikur të më kishin pjesëtaren e tyre të familjes. Më ushqenin, më vishnin e më ndërronin.

Si ndodhi më pas që të liruan?

Nëna më thoshte shpesh, duke më arsyetuar edhe situatën në të cilën gjendeshim, se për sa kohë që Hysniu, babai, nuk ishte bërë më i gjallë e nuk kishte organizuar kryengritje të tjera, nuk cilësohej më i rrezikshëm për regjimin komunist.

Me rritjen time në kamp, si fëmijë që isha, edhe mund të më lironin, sepse nuk përbëja rrezik. Ndërsa nënën, nuk e lejuan. Kur unë isha rreth gjashtë vjeçe e gjysmë, më liruan nga kampi i Porto-Palermos.

Mamaja më kishte ngjitur emrin tim, në një letër poshtë fustanit që kisha veshur. Dhe ashtu, më lëvizin prej andej dhe më sjellin në Tiranë, ku gjendej motra ime e madhe. Nënën dhe vëllain, rreth 14 vjeç asokohe, nuk i lejuan të lëviznin, ata vijuan të ishin të internuar në kamp.

Njerëzit që më shoqëronin, më lanë në Tiranë, dhe nuk kam për ta harruar asnjëherë, një dyqan të një zanatçiu krutan, që ishte ngjitur me shtëpinë tonë të vjetër, i cili më sheh duke qarë, dhe më afrohet për të më ndihmuar.

Unë i tregova letrën që nëna më kishte fshehur poshtë fustanit dhe nuk vonoi shumë, që punëtori të më çonte në derën e shtëpisë së vjetër, ku jetonte ime motër, me të shoqin. Pasi më përqafoi dhe të dyja u ngashëryem në të qara, menjëherë më mori përdore dhe më dërgoi tek një berber, i cili më qethi tullac. Më pas, më nxori në oborr të shtëpisë, më zhveshi lakuriq dhe më lau me ujë të ngrohtë.

Duke iu gëzuar realitetit dhe vijueshmërisë së ditëve, besova se ferrit i kishte ardhur fundi, por në fakt isha gabuar rëndë. Arratisja e vëllait tim, Sazanit, nga kampi i Porto-Palermos, do të më kushtonte shumë. Këtë herë do të rikthehesha bashkë me motrën, Majlindën.

Ju u rikthyet sërish në kamp internimi, pas thuajse dy vitesh. Këtë herë çfarë, kishte ndryshe?

Arratisja e Sazanit nga kampi i Porto-Palermos, kishte gjunjëzuar keqas edhe nënën, të cilën e kishin varur me kokë poshtë, në hyrje të kalasë. E kishin lënë për ditë të tëra jashtë, në të ftohtë, sepse i kërkonin të dëshmonte për arratisjen e të birit, ata dyshonin se mos ai, ishte arratisur për t’u bashkuar me babanë në male dhe për të vijuar lëvizjen e rezistencës antikomuniste.

Disa ditë më vonë, njerëz të Sigurimit të Shtetit vijnë në shtëpinë e motrës, atje ku më kishin lënë dhe më marrin sërish, për të më çuar në kamp, e për t’u bashkuar me nënën, të cilën në formë dënimi, e kishin zhvendosur nga kampi i Porto-Palermos, në Savër të Lushnjës. Unë isha e vogël, rreth shtatë vjeçe e gjysmë, por nuk kam për ta harruar kurrë, fytyrën e nënës, lotët dhe përqafimin e saj, pas ribashkimit tonë në ato kushte.

Duke qenë se e konsideroja veten disi më të rritur, fillova edhe unë punë në fushë. Mblidhja kallinj gruri, punoja për të plotësuar normën, nga mëngjesi në darkë. Ndërkohë që disa njerëz zemërgjerë më jepnin dorë, duke më ndihmuar.

Ditët kalonin, unë rritesha në kamp, dhe jeta jonë ishte po e njëjta mynxyrë. Gjatë kësaj kohe, kisha nisur edhe shkollën tetëvjeçare. Shkoja këmbëzbathur, për të ndjekur ato pak orë mësimi dhe kthehesha në fushë, për të mbledhur kallinjtë e grurit.

Lëvizjet dhe jeta juaj atje ishte e kontrolluar, por çfarë kujton ndonjë episod të veçantë që të ka mbetur në mendje?

Kaluan thuajse 20 vite në kampin e Lushnjës. Bashkë me nënën dhe motrën, jetonim atë përditshmërinë aty, me punë, dhe shpesh ndonjë përpjekje e cunguar, për shkollim. Rreth viteve 1970, njerëzit e Sigurimit aty brenda në kamp, ia kishin frikën ndonjë revolte të mundshme dhe acarimit të situatave.

Ndaj na spostuan nga Savra, në Belsh të Elbasanit. Na ri internuan, në një kamp tjetër, me kushte më të vështira dhe më të mbyllur, për nga ana e sigurisë. Për të pestën here, do të përjetoja një tjetër eksperiencë të hidhur, duke shkelur në kampin e radhës, që për fat do të rezultonte dhe i fundit.

A është e vërtetë që në Belsh, të internuan vetëm ty dhe motrën, ndërsa nëna juaj, Vasfia, mbeti në Savër?

Po, është e vërtetë dhe kjo është pjesa më e dhimbshme. Ne dy vajza të reja, që na marrin dhe na degdisin në një tjetër zonë të panjohur. Nëna nuk erdhi me ne dhe unë kurrë nuk e mësova arsyen, se pse ajo nuk u lejua që të bashkohej me ne. Vetëm një vit më vonë, mësuam se nëna ndërroi jetë në atë kamp, ndërsa ne bijat e saj, nuk patëm mundësi, as që t’i hidhnim një grusht dhe…!

Nisëm të punonim në një kooperativë bujqësore. Punoja me kazmë gjithë ditën dhe duart më kullonin gjak. Pas thuajse 30 vitesh të kaluara, duke lëvizur nga njëri kamp në tjetrin, në fillim të viteve ’80-të na lirojnë. Tashmë isha pa nënë, e cila më vdiq në kampin e Lushnjës, pa baba, të cilin nuk e kisha njohur kurrë, përveçse e kujtoj portretin e tij, të vagullt, pa vëlla, i cili ishte arratisur në moshën 14-vjeçare dhe, siç mësova më vonë, ai përmes Jugosllavisë, me pasaportë false, ishte arratisur për në Gjermani.

Aty ishte martuar me një shtetase gjermane, kishte studiuar në një akademi ushtarake, nga më të njohurat në Gjermani dhe, pasi ishte vlerësuar me grada ushtarake, ka marrë pjesë në luftën e Vietnamit. Motra, menjëherë pasi dolëm nga kampi, vazhdoi jetën e saj, duke u rimartuar sërish, ndërsa fëmijëria dhe rinia ime, u ngrysën në dyert e atyre kampeve famëkeqe.

Çfarë të ka mbetur sot për të kujtuar nga e kaluara jote?

Vetëm dhimbje dhe ditë të vështira. Fëmijëria ime, pa fëmijëri dhe rinia që më kaloi, në punë krahu të rëndomta. Mbeta pa prindër, pa vëlla, për të cilin ende sot, më djeg shpirti. Ai jeton prej shumë vitesh në Amerikë dhe, që prej shkëputjes sonë nga kampi, nuk kemi mundur të takohemi dot.

Pas daljes nga kampi i Elbasanit, erdha në Tiranë dhe përmes disa njohjeve familjare, fillova punë në Kombinatin e Tekstilve “Stalin”. Në moshën 38-vjeçare, u martova me shkuesi dhe nga kjo martesë, sot kam një vajzë. Memorie.al

Diçka mbi te djathtën apo konservatoren dhe krizën tonë

Nga Fitim Zekthi

Siç janë ngatërruar apo çuar mbrapsht shumë gjëra tek ne, po ashtu është ngatërruar apo ccuar mbrapsht plotësisht është ccështja e themeleve mbi të cilat qëndron konservatorizmi, buron dhe ushqehet, merr jetë dhe ngrihet e djathta si ide politike, konservatorizmi si bashkësi vlerash politike. Duke ngatërruar themelet apo duke mos patur parasysh fare këto themele ideja e djathtë apo konservatorimzi tek ne kuptohet në forma apo sjellje të ngjashme me komunizmin, me totalitarizmin apo me ccdo gjë tjetër afër sistemeve të bjerruna politike, qeverisjeve apo partive, organizatave apo politikanëve që duke folur për konservcatorizmin apo duke folur si konservatorë në fakt e kanë përccudnuar atë.

Liria fetare, besimi në Zot ka një rol qendror në idenë e djathtë, konservatore. Imperativi I mbrojtjes së lirive fetare nuk është një tundje koke, koke Wiliam Bar ndaj devocionit. Ai reflekton bindjen se fetja ëhstë e domosdoshme për të patur një ssistem qeverisës që mbron liritë dhe dinjitetein. James Madison, një nga mendjet më të rëndësihme të mednimit konservator thoshte se “liritë fetare nuk janë një e drejtë e njerëzve” por një “detyrë ndaj Zotit” dhe një detyrë “ që I paraprin për nga rëndësia në shkallë dhe në rend kohor asaj të proklamimeve për shoqëri civile”.

Kjo bën të mundur ose synon të bëjë të mundur një shoqëri ku njerëzit dhe sigurishst sistemi politik të qëndrojë mbi dy kolona. Njëra ëhstë besimi tek Gjërat e Përjetshme dhe tjetra është Imagjinata Morale. Gjërat e Përjetshme janë vlerat, është kuptimi mbi njeriun dhe Zotin, është kuptimi mbi botën e këtushme dhe tjetrën etj. Imagjinata Morale është idelai, ëhstë ëndërra, është synimi që ka në kokë ccdokush për shoqërinë dhe veten duke nisur nga mësimet e teksteve dhe të Zotit.

Nga ky botëkuptim rrjedhin edhe kuptimet mbi sjelljen e individëve në politikë. Nisur nga ky botëkuptim Edumdn Burke shkruajti se “Njerëzit janë të kualifikuar për shoqëri civile

Rezolutë edhe për krimet serbe në Kosovë!

Nga Alban Daci

Ngjarjet e krimeve të Serbisë në Kroaci, Bosnje e Kosovë, përveç se kanë të njëjtat metoda në kryerjen e tyre, kanë edhe të njëjtët përgjegjës! Konkretisht politikën zyrtare të asaj kohë të lidershipit të Serbisë!

Protagonistët janë të njëjtët, përmasat janë të njëjta dhe metoda është po e njëjtë, horror përtej çdo imagjinate të një bote të civilizuar! Në thelb të masakrave në këto vende mbetet përkatësia etnike dhe idea e Serbisë së Madhe duke i intimiduar, masakruar njerëz të pafajshëm dhe duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre me qëllimin final për të pasur vetëm një enti të pastër, atë serbe.

Aprovimi i rezolutës së OKB për krimet në Bosnjë është një simbolikë e madhe për aktualitetin, sepse ngushëllon sadopak familjet e viktimave, por në të njëjtën kohë edhe e vendos Serbinë përpara përgjegjësisë qe politika aktuale të jetë e përgjegjshme, të heq dorë nga e kaluara e errët e bashkë me këtë të fundit të pranojë fqinjësinë e mirë dhe paqen me popujt që e rrethojnë!

Kjo rezolutë ka edhe një domethënie më madhe, për faktin se politika aktuale e Serbisë, jo vetëm nuk dëshmon asnjë lloj pendesë, por vazhdon të ketë hijen e Regjimit të Kaluarën të Millosheviç, qoftë per faktin se Presidenti i Serbisë gjatë votimit mbajti flamurin serb në shpinë, por edhe për qasjen e gabuar që vazhdon të ketë si në Bosnjë apo edhe në Kosovë!

Forcat militare e paramilitare serbe vranë civil të pafajshëm, të moshuar, gra, fëmijë, përdhunuan dhe dëbuan qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Po ashtu janë të dokumentuara masakrat e Rahovecit, Krushës së Madhe, Reçakut, varri masivë i Malishevës, Masakra e Suharekës, Masakra e Izbicës, Masakra e Pusto Sellës, Masakra e Gjakovës, Masakra e Mejes e plotë të tjera!

Shqipëria duhet të lobojë që OKB të votojë edhe një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë në vitet 1998-1999. Kjo për tu mos harruar kurrë dhe për dinjitetin e atyre mijëra të pafajshme që i pordhonuan, maskrakuan dhe i dëbuan vetëm pse nuk ishin serbë, por ishin shqiptarë.

KESH shet energji me çmim pothuajse 2 herë më pak se bursa, humbja llogaritet në mbi 2 mln euro për 1 javë

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare në periudhën 6-12 maj ka shitur një sasi energjie prej 60 mln kwh, ndërkohë që çmimi që KESH ka aplikuar është 54 euro/MWH.

Kjo sasi energjie nuk është shitur referuar çmimit në bursë, që pothuajse është dy herë më i lartë se ai që ka aplikuar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.

Energjia është shitur përmes platformës elektronike www.trading.kesh.al.

  • foto galeri
  • foto galeri

ti bëhet një krahasim çmimit të aplikuar nga KESH me atë që për të njëjtën periudhë ka pasur në bursën hungareze HUPX, diferenca mesatare është 37 euro/MWH.

Pra në bursën hungareze çmimi mesatar llogaritet 91 euro, ndërkohë që KESH ka aplikuar çmimin 54 euro/MWH.

Nuk dihet se kujt burse apo situate mund t’i jetë referuar KESH për caktimin e çmimit të energjisë, por nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se Korporata ka humbur 2.3 mln euro.

  • foto galeri

Me çmimin që ka shitur energjinë, KESH ka arkëtuar 3.2 mln euro, ndërkohë që nëse i referohemi çmimit të bursës ndërkombëtare do të arkëtonte minimalisht 5.5 mln euro.

Dhe paradoksi tjetër është fakti se ndërsa KESH shet energjinë, vijon përgatitjet për kolaudimin dhe vënien në punë të dy anijeve që duhet të prodhonin energji.

Dhe për dy anijet e emërtuara “Tigri1” dhe “Tigri3” kontrata parashikon që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të paguajë 68 milionë dollarë, edhe nëse dy anijet nuk do të vihen asnjë ditë në punë.

Rreth 3 javë më parë, emisioni Vetting në News24, denoncoi abuzimet miliona euroshe nga tre institucionet kryesore të varësisë së Ministrisë së Energjisë, OSHEE, OST dhe KESH.

Nuk janë pak, por 1.1 miliardë euro buxhet nga të cilat, fati i 670 milionë Eurove nuk dihet për shkak të bilanceve të padeklaruara nga OSHEE dhe KESH, vetëm për vitin 2021 – 2022.

Ndërkohë 257 milionë euro tendera janë dhënë vetëm për një apo dy kompani në garë, ku jo rastësisht njëra prej tyre gjithmonë përjashtohet nga tenderi, duke i hapur rrugën konkurruesit tjetër që mbetet i vetëm për oferta që fitohen zakonisht në 99% të vlerës së fondit limit.

Dhe duket se KESH po vijon në të njëjtën rrugë, duke vijuar abuzimet dhe shpërdorimet, për një mall që kur ka thatësirë Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e linjës, Belinda Balluku, shfaqen kërcënues në publik herë duke paralajmëruar rritjen e çmimit për konsumatorët dhe herë duke i kërkuar qytetarëve, që të sillen si në kohë “lufte”, duke ulur konsumin.

Vendi në vështirësi për mësues, në Veri nuk ka kush të japë matematikë!

Burimet njerëzore janë kthyer në një problem të madh për zhvillimin e qëndrueshëm, por tashmë po vuan edhe sektori publik që në të kaluarën kishte konkurencë të fortë për vendet e punës.

Të dhënat e kësaj jave nga Portali Mësues për Shqipërinë tregojnë se në të gjithë vendin ka 222 vende të paplotësuara për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letersisë. Mungesa ka thuajse në të gjithë bashkitë e vendit, po në ato të veriut situata është emergjente.

Problematika më e madhe është në Bashkitë e Kukësit dhe Dibrës, ku janë edhe mungesat më të mëdha, të cilat nuk po plotësohen, sidomos mësues matematike.

Në Kukës aktualisht ka 29 vende bosh për mësues matematike dhe në Dibër 23 të tillë. E treta vjen bashkia e Tiranës ku mungojnë 11 mësues matematike në arsimin parauniversitar. Këto vende ishin të lira se paku që në fillim të muajit mars, kur Monitor bëri verifikimin e fundit.

Në profilin e gjuhës dhe letersisë shqipe mungojnë 64 mësues, ku me mungesat më të mëdha është bashkia e Durrësit me 9 vende vakante, Kukësi me 7 dhe Puka me 6.

Gjuha dhe matematika janë lëndët bazë në arsimin parauniveristar, por siç shihet mangësitë më të mëdha janë për mësues matematike. Mungesat më të mëdha rajonale i ka Veriu. Gjimnanzet e njësive administrative në Kukës dhe Dibër ushtrojnë aktivitet mësimor në një pjesë të konsiderushme pa mësues matametike të profilit.

Emigracioni i jashtëm dhe lëvizjet e brendshme i kanë krijuar këto mungesa. Të rinjtë nga qarqet që përfundojnë shkollën për mësuesi nuk preferojnë të rikthehen në vendlindje. Nga ana tjetër profesioni i mësuesit nuk është i mirëpaguar që të tërheqë punonjës nga rajonet që kanë tepricë në mësues matematike.

Por situata për mësues matematike duket se është problematike në të gjithë vendin, pasi edhe Bashkinë e Tiranës tashmë janë 11 vende vakante, të cilët nuk po mund të plotësohen prej muajsh.

Mësuesit e matematikës që kishin mbaruar studimet në vitet 1990 kishin cilësi të lartë, pasi në kohën e komunizmit gjimnazistët me arritjet më të larta studionin në shkencat e natyrës, teksa pas viteve 2000 ka ndodhur e kundërta. Nxënësit e gjimazit  me mesatare të dobët vazhduan studimet për vendet e mbetura bosh në degën e matematikës.

Gjithashtu kjo degë rrezikon të mbyllet plotësisht pasi vitin e kaluar numri i nxënëseve që ndoqen studimet ishte i ulët. Në vitin e akademik 2023-2024 degët që lidhen më mësuesinë, si Fizika, Historia, Gjuhë -letërsia, arkeologjia, Biologjia, Filozofia kishin mbi 70-80 për qind të kuotave të lira në raundin e parë, teksa dega e matematikë në fakultetin e shkencave është në rrezik mbyllje nga mungesa e studentëve.

Në këto kushte një gjimnazist me mesatare 5 që studion për matematikë nuk garanton cilësi në mësimdhënie në të ardhmen. Aktualisht lënda e matematikës në shumicën e shkollave jepet nga brezi që ka mbaruar para viteve 1990. Me daljen e këtij brezi në pension lënda e matematikës rrezikon të mbetet pa mësues ose në rastin më të mirë do të jepet nga maturantët që kishin rezultatet me të dobëta./B.Hoxha/ Monitor.al