17.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

OBSH: COVID-19 vrau afro 13 milionë njerëz në dy vjet

Rreth 13 milionë njerëz kanë vdekur gjatë pandemisë Covid-19, sipas një raporti të ri të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Virusi u bë shpejt shkaku kryesor i vdekjeve në Amerikë, vuri në dukje studimi.

Sëmundja ishte shkaku i tretë më i lartë i vdekshmërisë globalisht në vitin 2020 dhe u ngjit në vendin e dytë në vitin 2021. Covid-19 ishte ndër pesë shkaqet kryesore të vdekjeve në të gjitha rajonet e botës, përveç Afrikës dhe Paqësorit Perëndimor.

Sipas OBSH-së, pandemia “fshiu gati një dekadë përparimi” në përmirësimin e jetëgjatësisë në vetëm dy vjet. Raporti theksoi se midis 2019 dhe 2021, jetëgjatësia globale ra me 1.8 vjet në 71.4, i njëjti nivel si në 2012. Në mënyrë të ngjashme, jetëgjatësia globale e shëndetshme ra në vitin 2021 përsëri në nivelin e 2012-ës prej 61.9 vjetësh.

Raporti i OBSH-së tha se Amerika dhe Azia Juglindore u goditën më së shumti, me jetëgjatësinë në rajone duke rënë me afërsisht 3 vjet dhe jetëgjatësia e shëndetshme me 2.5 vjet midis 2019 dhe 2021. Ndërkohë, rajoni i Paqësorit Perëndimor u “ndikua minimalisht” gjatë dy vitet e para të pandemisë, tha ai.

 

 

“Ne duhet të kujtojmë se sa i brishtë mund të jetë përparimi,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke vënë në dukje se “në vetëm dy vjet, pandemia Covid-19  fshiu një dekadë fitimesh në jetëgjatësinë”.

Covid-19 fillimisht u shfaq në fund të vitit 2019 dhe u shndërrua në epideminë më të madhe në gati një shekull. Revista mjekësore Lancet sugjeroi më parë se numri i vdekjeve të lidhura me Covid mund të jetë deri në 18 milionë.

Raporti i OBSH-së përmendi se sëmundjet jo të transmetueshme si sëmundja ishemike e zemrës, goditja në tru, kanceri, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, sëmundja e Alzheimerit, diabeti ishin vrasësit më të mëdhenj përpara pandemisë dhe përbënin 78% të vdekjeve jo-Covid në 2020-2021.

Kthesë e papritur për Zhoze Murinjon, ideohet rikthimi për herë të tretë te skuadra e…

Prej ditësh është përfolur shumë për një akord të Zhoze Murinjon me Beshiktashin, por një lajm surprizues ditën e sotme, ka bërë që e ardhja e trajnerit portugez, të marrë një devijim surprizues.

Në skenë ka dalë një rikthim i mundshëm për herë të tretë të Murinjos te Çelsi. Portugezi është pa punë pasi u shkarkua nga Roma në fillim të këtij viti.

Pas shkarkimit të Poçetinos ditën e martë, drejtuesit e Çelsit janë në kërkim të një trajneri progresiv, teksa në baste kanë filluar të vendosen lekë për një rikthim të mundshëm të Murinjos. Portugezi është shndërruar në një nga favoritët kryesorë për të marrë drejtimin e bluve. Në listë gjithashtu janë edhe emrat e Mareskës, McKen si dhe Amorim, De Zerbi dhe Frank.

Vlen të theksohet fakti se Murinjo ka drejtuar dy herë Çelsin në sezonet 2004-2007 dhe 2013-2015.

Studim/Adoleshentët që pinë kanabis janë 11 herë më të prirur ndaj problemeve të shëndetit mendor!

Adoleshentët që e pinë kanabisin kanë 11 herë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor sesa ata që nuk e pinë, kjo sipas një studimi të botuar në revistën Psychological Medicine.

“Lidhja midis kanabisit dhe çrregullimeve psikotike mund të jetë më e fortë se sa sugjeron hulumtimi i mëparshëm, i cili bazohej kryesisht në të dhëna më të vjetra kur kanabisi ishte më pak efektiv se sa është sot”-thanë studiuesit, duke paralajmëruar se adoleshentët janë veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të kanabisit.

Shkencëtarët shqyrtuan të dhënat e mëparshme mjekësore nga Universiteti i Torontos, Qendra për Varësinë dhe Shëndetin Mendor dhe ICES. Bëhet fjalë për të dhëna për 11 mijë adoleshentë nga Ontario, ku janë marrë në konsideratë edhe të dhënat për shtrimet e tyre, thirrjet e urgjencës dhe informacionet për vizitat ambulatore të mjekëve. Ata thonë se hulumtimi i tyre është i pari që sugjeron një lidhje midis përdorimit të kanabisit tek adoleshentët dhe diagnozave të mëvonshme të çrregullimeve psikotike.

“Ne gjetëm një lidhje shumë të fortë midis përdorimit të kanabisit dhe rrezikut të zhvillimit të çrregullimeve psikotike në adoleshencë. Ne ishim të befasuar sepse nuk gjetëm prova të një lidhjeje të tillë mes njerëzve në moshë madhore”-tha një nga pjesëmarrësit në studim, Andre Macdonald.

Ndërkaq, miliona amerikanë thonë se po konsumojnë marijuanë në baza ditore apo gati çdo ditë, sipas analizës së të dhënave të një ankete kombëtare. Numri i njerëzve që konsumojnë marijuanë, sipas këtij studimi, tashmë tejkalon numrin e atyre që konsumojnë pije alkoolike çdo ditë. Alkooli ende ka një konsum të gjerë, por viti 2022 shënoi herën e parë që kur konsumimi i marijuanës tejkaloi atë të konsumimit të përditshëm të alkoolit, thotë autori i studimit Jonathan Caulkins nga Universiteti Carnegie Mellon.

Programi i PD/ Basha: Me grupin e punës diskutuam për të përndjekurit dhe ish pronarët

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka vijuar takimet edhe ditën e sotme për programin e PD. Në një postim në Facebook, Basha ka diskutuar edhe për të përndjekurit të cilët vijojnë të përballen me ata që i persekutuan dhe i përndoqën. Kreu i PD jithashtu thotë se një shtyllë tjetër kryesore në program janë edhe ish pronarët ku zgjidhja e çështjes së pronës është angazhimi kryesor i PD.

Postimi i plotë:

Me grupin e punës për programin diskutuam për të përndjekurit dhe pronarët.
Edhe sot të përndjekurit përballen me ata që i persekutuan dhe i përndoqën. Që historia e genocidit komunist në Shqipëri të mos gjejë kurrë, jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim, duhet rishikuar legjislacioni për pastërtinë e figurës së zyrtarëve.
Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë aq më pak deformimi i të shkuarës, por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur.
Pronarët janë një tjetër shtyllë e PD, të cilëve u kemi një borxh të madh. Kanë 33 vite që zvarriten dhe janë degdisur në grupin më të diskredituar në Europë, sepse nuk gëzojnë një të drejtë themelore, siç është ajo e pronës.
Kjo qeveri pronat e pronarëve dhe ato publike i përdor për një grusht biznesmenësh, që u jep titullin Investitor Strategjik. 30 milionë euro qeveria i hoqi nga Fondi i Kompensimit të Pronarëve për çështjen “Beçhetti”.
Zgjidhja e çështjes së pronës është angazhimi ynë kryesor, dhe me programin tonë të detajuar kemi parashikuar hap pas hapi masat për t’i dhënë fund kësaj çështje që është e rëndësishme dhe për zhvillimin e vendit.

Basha: Simboli famëkeq me tre gishtat i përdorur nga Vuçiç, është sinjal i keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ndërsa ka folur për procesin e sigurisë në rajon, në statusin e tij në Facebook, ka reaguar edhe për shfaqjen e presidentit të Serbisë me simbolin famëkeq të të tre gishtave.
“Shfaqja e presidentit Vuçiç me simbolin famëkeq të tre gishtave, të përdorur nga ata që shkaktuan krime e genocid në Ballkan, është një sinjal i keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë”, – shkruan kryetari i PD.

Sipas Bashës, “projektet e botës serbe të artikuluara nga Vuçiç dhe Dodik synojnë ndarjen e Republika Srpska, destabilizimin e Malit të Zi dhe Kosovës, skenar i cili nisi, por dështoi në veriun e Kosovës më 24 shtator 2023”

“Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më proaktiv në rajon dhe nuk do të ngurrojë në mbështetjen e saj ndaj Kosovës”, – shprehet Basha.

Programi i PD, Basha: Integrimi, prioritet në programin qeverisës të PD.

Kryetari i PD, Lulzim Basha,  trajtoi procesin e integrimit dhe planim e PD për këtë mision të Shqipërisë, gjatë takimit me grupin e punës për programin dhe ekspertë të fushës.

“Integrimi europian dhe përballja me sfidat e sigurisë që përballet sot rajoni dhe Europa janë prioritet të programit qeverisës së PD. Me grupin e ekspertëve diskutuam finalizimin e programit tonë”, shprehet Basha në Facebook 

POSTIMI I PLOTË:

Integrimi europian dhe përballja me sfidat e sigurisë që përballet sot rajoni dhe Europa janë prioritet të programit qeverisës së PD. 

Me grupin e ekspertëve diskutuam finalizimin e programit tonë.

Ne do të kemi një plan të qartë veprimi, koordinimi dhe bashkëpunimi për të përmbushur detyrimet që rrjedhin në rrugën drejt integrimit.
Në këto kohë sfiduese për sigurinë, vendi ka nevojë për një strategji të qartë për mbrojtjen, modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe bashkërendim me partnerët tanë për arkitekturën tonë të sigurisë, e cila do t’i kontribojë edhe shqiptarëve e jo vetëm në rajon.

Sfidat e sigurisë në rajon duhen adresuar me prioritet përballë kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia. Shfaqja e presidentit Vuçiç me simbolin famëkeq të tre gishtave, të përdorur nga ata që shkaktuan krime e genocid në Ballkan, është një sinjal i keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.

Projektet e botës serbe të artikuluara nga Vuçiç dhe Dodik synojnë ndarjen e Republika Srpska, destabilizimin e Malit të Zi dhe Kosovës, skenar i cili nisi, por dështoi në veriun e Kosovës më 24 shtator 2023.

Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më proaktiv në rajon dhe nuk do të ngurrojë në mbështetjen e saj ndaj Kosovës.

Atë që kam kërkuar për Kosovën, një financim vjetor në ndihma ushtarake, në vlerën e 50 milionë eurove do ta kemi pjesë të programit tonë.

Duhet t’i japim fund traditës së mbështetjes folklorike për Kosovën. Por të bashkërendojmë axhendat dhe faktorët politik shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Malin e Zi, për të garantuar paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Zogaj: Ekzekutivi shqiptar është pajtuar me korrupsionin, presin tërheqjen e SPAK

Preç Zogaj, President i Institutit Liberal Pashko, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, duke komentuar raportin e paraqitur nga kreu i SPAK, Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve, tha se Dumani nuk ka ngritur shqetësimin për mosbashkëpunimin me Policinë e Shtetit, përkundrazi e ka evidentuar si një institucion që ka bashkëpunimin më të shumtë, krahasuar me institucionet e tjera.

Zogaj tha se bashkëpunimi i Policisë me krimin tregon një shkallë të lartë të degradimit të institucioneve, pasi kemi të bëjmë me një institucion që duhet të luftojë krimin dhe bëhet palë me të.

“Nuk është hera e parë që eksponentë të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me krimin, është një dukuri që ndikon shumë negativisht në luftën ndaj krimit. Por duhet thënë se korruptimi i disa shefave të policisë është pjesë e atij korrupsionit kapilar që ka përfshirë institucionet në tërësi”, tha Zogaj.

Ai u shpreh se ndoshta fenomeni është më i thellë se rastet që janë publikuar, përderisa Dumani e ka paraqitur si shqetësim.

Zogaj gjithashtu e konsideroi shumë shqetësuese faktin që ka një rënie të denoncimeve në SPAK nga ana e institucioneve apo piramida shtetërore.

“Jemi në kushtet e një pajtimi të plotë me korrupsionin të ekzekutivit shqiptar. Është shumë shqetësuese, duket sikur vetë këto agjensi, administrata, njerëzit e ekzekutivit, janë në një lloj rrethimi dhe presin që SPAK të tërhiqet”, tha Zogaj.

Shëndetësia falas? Barra e barnave zhyt në mjerim pensionistët shqiptarë

Nurie Kuliçi punoi për 25 vjet në arsim në rajonin verior të Tropojës dhe 11 vite punë të ndryshme në Tiranë, ku u zhvendos në vitin 2006. Karriera e saj e gjatë në shërbim të komunitetit u shpërblye me një pension mujor prej 19 mijë lekësh, nga të cilat 7 mijë lekë në muaj i shpenzon për barna.

“Shpenzoj për ilaçet e tensionit, e yndyrës në gjak,”– tha gruaja 70 vjeçare. “Po ashtu prej reumatizmës duhet të marr edhe Omega 3, multivitamina…”,-shpjegoi ajo, ndërsa shtoi se nga rimbursimi i barnave që merr nga skema e sigurimit shëndetësor publik përfiton vetëm 1300 lek në muaj.

Edhe pse pensionistët janë në kategoritë e personave që përfitojnë rimbursim barnash nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një ankete online tregojnë që pjesa dërrmuese e tyre paguajnë para nga xhepi për të blerë barna.

Ky shpenzim rëndon mbi ekonominë e tyre të brishtë familjare, e cila mbështetet tek pensionet modeste të pleqërisë dhe remitancat financiare nga fëmijët emigrantë. Pesha e shpenzimeve për barna në raport me të ardhurat e pensionistëve është rritur gjatë dekadës së fundit, për shkak se rritja e pensioneve ka qenë me e vogël se inflacioni.

Që prej vitit 2017, inflacioni tek pensionistët matet i ndarë nga inflacioni mesatar në rang vendi.

“Pensionistët nuk kanë të njëjtën shportë konsumi me atë që përllogaritet për inflacionin, pasi konsumojnë më shumë ilaçe, produkte ushqimore,” – thotë Klodian Muço, ekspert i ekonomisë. “Kështu që gjithmonë inflacioni është më i ulët se sa shporta reale e shpenzimeve që bëjnë pensionistët,” -shtoi Muço.

Kosto e barnave rëndon pensionistët

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, rreth 60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri përballohen nga xhepi i qytetarëve. Kjo kosto që përllogaritet në 27 mijë lekë në vit, rëndon në mënyrë të veçantë pensionistët, për shkak të pensioneve të tyre të vogla.

Nëpërmjet një ankete online të realizuar me aplikacionin ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), Citizens.al mblodhi opinionet e dhjetëra qytetarëve në moshë pensioni dhe eksperiencat e tyre në përballimin e shpenzimeve për barna. Shumica raportuan se ilaçet ishin një nga hallkat kryesore të shpenzimeve të tyre mujore.

Nga 50 pensionistë që e plotësuan anketën, 43.8% e tyre u shprehën se barnat i blinin në farmaci me kosto të plotë, 21,9% me rimbursim të pjesshëm dhe 17,2% me rimbursim të plotë. Ndërsa, një pjesë e tyre (15%) prisnin që barnat t`ua sillnin fëmijët që i kanë jashtë vendit.

“Kostot për shërbimet shëndetësore janë tepër të larta, cilësia e ilaçeve e dobët ndaj i porosisim jashtë shtetit,” -shkroi Vera Xheka nga qyteti juglindor i Bilishtit.

Ilirjana Mandreja, një tjetër pensioniste, shprehet se një pjese e mirë e pensionit të saj dhe të bashkëshortit shkon për barna dhe shpenzime shëndetësore.

“Diku te 150 mijë lekë (të vjetra)i harxhojmë për ilaçe dhe po kaq pra 150 mijë për ujë, drita, telefon, internet”,- shpjegoi ajo. Shërbimi shëndetësor publik i mbingarkuar me pacientë i detyron pensionistët që shpeshherë të shkojnë drejt privatit për të marrë shërbime.

“Më duhet të bëja një analizë se isha e sëmurë, më tha hajde pas një muaji. Po ç’vlerë kishte ajo analiza pas një muaji? U detyrova t’i bëj në privat”, -tregoi Ilirjana Mandreja.

Ndërkohë, Ilir Mehmeti përllogarit se shpenzimet mujore për ilaçe i zënë 35% të pensionit prej 16 mijë lekësh.

“Marr një ilaç për prostatën që vete 16 mijë lekë, 10 mijë lekë shkojnë këto të diabetit. 25 mijë lekë më bëjnë fishat e diabetit,”– shpjegoi ai.

“Pra shkojnë gati 52 mijë lekë me gjithë holluesin e gjakut e ndonjë paracetamol,” -rrëfeu Iliri, i cili thotë se nuk përfiton asgjë me rimbursim.

Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) pensioni mesatar në vitin 2023 ishte 15,569 lekë dhe pësoi një rritje prej vetëm 444 lekësh nga një vit më parë.

Sipas Bankës Botërore, kufiri i varfërisë në vendin tonë është 6.7 dollarë në ditë për person, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve e prekin këtë prag.

“Aktualisht INSTAT-i në 2022 e ka llogaritur 640 lek të reja në ditë, që nënkupton që gati 40% e popullsisë shqiptare jeton me më pak se sa kaq para,” -shpjegoi Klodian Muço.

Rritja e papërballueshme e çmimeve

Përveç kostove të larta të barnave që paguajnë nga xhepi, pensionistët shqiptarë përballen me rritjen e çmimeve te produkteve të shportës, që u gllabëron një tjetër pjesë të konsiderueshme të pensionit, duke i vendosur në vështirësi për t’u ushqyer.

“Këto më të thjeshtat, një mollë, një banane, një supë, një vezë, një çaj, një kos, asgjë tjetër”, tha Nurie Kuliçi, duke numëruar produktet e shportës që kishte blerë herën e fundit në treg. “Po të mos më dërgojë ai fëmijë ndonjë lek, unë as bukën mujore nuk e siguroj,”- u ankua ajo.

87,5% e pensionistëve që iu përgjigjën anketës së Citizens.al, u shprehën se në fund të muajit nuk ju mbeten para, ndërsa 72,1% e tyre u shprehën se i ndihmojnë fëmijët me para, për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërkohë, 14% e tyre raportojnë se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.

Gjatë viteve të fundit, kostoja e produkteve është rritur edhe për shkak të inflacionit të lartë të shportës së ushqimeve. Në qershor të vitit 2022, inflacioni kapi vlerën 7.4%, në nivelin më të lartë në Shqipëri që nga vitit 1998.

Ushqimet ishin një nga kategoritë që u ndikuan më shumë nga kjo rritje e çmimeve, ku buka dhe drithërat u shtrenjtuan me 20%, vaji dhe yndyrat me 30%, ndjekur nga bulmeti me 19% dhe mishi me 9%. Edhe pse me ritme më të ulëta, edhe në vitin 2023 dhe 2024 kurba e çmimeve ka qenë në rritje.

“Nuk i arrijmë dot, djathërat e shtrenjtë, mishi që është 25-26 mijë lekë, filetoja e viçit, janë gjëra që ne nuk i shohim”, – tregon Ilirjana Mandreja, e cila rrëfen se për të blerë produktet e shportës ajo gjurmon tregjet e një cilësie të dobët, por që shiten lirë. “Jo vetëm marrim më pak, por marrim dhe cilësinë më të dobët,”- shtoi ajo.

Për Ilirjanën dhe bashkëshortin e saj mjaft produkte bazë janë kthyer në luks, ndërsa për shkak të pamundësisë ekonomike ka reduktuar edhe sasinë e produkteve që blen.

Pensionet në vendnumëro

Informaliteti dhe puna në të zezë në treg ul numrin e kontribuuesve në skemën e Sigurimeve Shoqërore dhe ndëshkon pensionistët.

Nurie Kuliçi ka punuar 11 vite si kameriere dhe banakiere në të zezë, pa kontratë. Si pasojë, masa aktuale e pensionit i referohet vetëm viteve të punës si mësuese.

“Isha e detyruar, isha me katër fëmijë të vegjël, im shoq ishte i sëmurë,” -rrëfeu ajo, ndërsa theksoi se i “duhej buka e fëmijëve”.

Ndërsa pagat e administratës kanë pësuar një rritje të ndjeshme, pensionet kanë ngecur në vend dhe kanë pësuar një rritje me vetëm 6%, krahasuar me ato para pandemisë.

Ilir Mehmeti, me profesion topograf prej vitit 1975, doli në pension 4 vite më parë. I pakënaqur për masën e pensionit prej 21. 900 lekë, ai thotë se u penalizua nga pagesat me dy bilance.

“Një pjesë të pagës na e jepnin në bankë, një pjesë në dorë, ndaj edhe pensionet dalin të vogla,” -shpjegoi ai. “Tani kur vjen në fund thotë jo të kishe paguar më shumë,”– shtoi Iliri.

Sipas skemës aktuale publike të pensioneve, nevojiten 35 vite sigurime shoqërore si kontribute për të përfituar pension të plotë, ndërsa periudha minimale për të siguruar pensionin është 15 vite.

Në vitin 2023, Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është shtuar numri i personave që kanë dalë në pension të pjesshëm, pasi nuk kanë mundur të plotësojnë vitet e plota të punës. Mesatarisht, qytetarët që dolën në pension në vitin 2023 kishin punuar me sigurime për 26,8 vite, shumë më pak se sa kriteri ligjor prej 35 vitesh për pension të plotë.

Sipas Klodian Muços është e vështirë të themi sa duhet të jetë një pension për të qenë dinjitoz, por ai sugjeron se së paku duhet të jetë sa minimumi jetik i propozuar nga “Avokati i Popullit”. Mirëpo, vendi ynë ende nuk ka një minimum jetik të përcaktuar, por ofron një ndihmë sociale prej 8 mijë lekësh në muaj, duke mos garantuar kësisoj mirëqenie të qytetarëve.

“Aktualisht pensioni mesatar në Shqipëri është më pak se sa minimumi jetik, llogaritet diku te 18800 mijë lekë, por në qoftë se do ti ndanim pensionet pastaj në pension qyteti dhe pension fshati janë shumë më të ulët se sa minimumi jetik,” -tha ai.

Pensionet dhe kontribuuesit në skemë

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në skemën e pensioneve për vitin 2023 ishin 590,649 persona, nga të cilët pensionistët e qytetit u shtuan me 22,330 persona, ndërsa pensionistët e fshatit u pakësuan me 4,414 persona. Në total, skema u rrit me 17,913 përfitues më shumë se sa viti 2022.

Sipas Klodian Muços, plakja e shpejtë e popullsisë rrezikon të fusë në krizë sistemin e pensioneve.

“Në 1990 katër persona punonin dhe vetëm njëri përfitonte një pension pleqërie. Aktualisht kemi 1.17 kontribuues për një përfitues”, -tha Muço. “Në qoftë se nuk do të kemi ndërhyrje reale konkrete me shumë gjasa në 2030-ën, skema kalon ‘default’, pra skema nuk përballohet më”, -sqaroi ai.

Besnik Keta, ish minator për 3 dekada në minierën e Batër-Martaneshit, doli në pension të parakohshëm në vitin 2001 dhe përfitoi vetëm 5,100 lekë. Kur doli në pension të plotë në vitin 2005, përfitoi vetëm 12 mijë lekë pension mujor.

“Unë e kontestova këtë, gjashtë muaj nuk e mora pensionin fare. Kisha bindjen e plotë që m’i kanë llogarit keq. Doli që më kishin mohuar 32 mijë lekë të vjetra në atë kohë. Nga 120 shkoi 152”, – rrëfeu Keta.

Mirëpo, insistimi i tij nuk përfundoi këtu. Në 2019 ai u bë pjesë e protestave të minatorëve për më shumë të drejta.

“Kush pati mbushur moshën 65 vjeç në atë kohë i dhanë 1% deri në 20 vite pune. Dhe unë mora 65 mijë lek në atë kohë. Sot ka shkuar 75 mijë lek plus. Sot vetëm prej këmbënguljes për të drejtat e mia e kam pensionin 39 mijë lekë,” -rrëfen me krenari Besnik Keta, edhe pse ndjen dhimbje për kolegët e tij të nëntokës të cilët rrallë marrin 30 mijë lekë pension.

Pas një jete dedikuar arsimit, Nurie Kuliçi ndjehet gjithashtu e zhgënjyer nga pensioni që përfiton.

“Tërë ata nxënës që janë në çdo cep të botës sot, janë të dalluar se kam lënë shpirtin me ta sikur të kishin qenë fëmijët e mi,”– tha ajo. “Nuk është jetë kjo, thjesht frymojmë”, -përfundoi Kuliçi.

Citizens Channel

Pse iu përgjigja ftesës që të jem në protestën e organizuar në Londër për votën e Diasporës

Nga Av. Naim Hasani

Nesër në orën 16:30 para ambasadës shqiptare në Londër do të mbahet një protestë sensibilizuese ndaj klasës politike shqiptare për t’i dhënë të drejtën shqiptarëve në Diasporë të votojnë.

Unë si qytetar i Republikës së Shqipërisë do të jem nesër përpara përfaqësisë sonë diplomatike në një protestë demokratike, si një e drejtë e secilit prej bashkatdhetarëve tanë për të kërkuar të ketë të drejtë të votojë në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025.
Të nderuar miq! Jam ftuar në këtë protestë për të marrë pjesë dhe me kënaqësi konfirmoj prezencën time, për të ngritur zërin ndaj padrejtësisë, pamundësisë dhe mohimit që klasa politike shqiptare na ka bërë këto 34 vite për të mos patur të drejtën të vendosim edhe NE kush do të qeverisë vendin tonë.

Vëllezër e motra! Ky është minimumi i detyrimit që klasa politike na ka përkundër mbrojtjes së të drejtave tona në Diasporë.

Dua të theksoj faktin se, kanë kaluar shumë vite që kjo e drejtë nuk na është dhënë. Sot kur klasa politike e tranzicionit ende aktive dhe që luan fort në tapetin politik për të mbajtur peng vendin e nuk po bën asgjë, ose është inaktive për të na dhënë të drejtën e votës (arsyet dihen), kur madje ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që kjo të ndodh dhe është një detyrim për politikën shqiptare, e sërish nuk ka ende asnjë kompromis për vendimmarrje.

Nesër do të jem në protestë si shqiptar për të kërkuar të drejtën time. Pse jo, do të jem dhe si përfaqësues i opozitës, i PD sepse është fakt që kjo forcë politike që prej vitit 2016 ka kërkuar që qytetarëve shqiptarë në Diasporë t’u mundësohej e drejta e votës.
PD dhe kryetari Basha kanë qenë dhe janë të vendosur që vota e bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë në emigracion, të ketë peshë të plotë në vendimmarrje të rëndësishme politike!
Të protestojmë që të votojmë edhe për të reaguar ndaj keqqeverisjes së Rilindjes nga viti 2013, por dhe mungesës së shpresës që ata bashkatdhetarë tanët patën që ikën dhe erdhën me gomone përmes kanalit të Lamanshit, kur panë që segmente të opozitës duan të ruajnë tarafet e tyre 34-vjeçare në politikë dhe jo të jenë alternativë qeverisëse e besueshme.

Vëllezër dhe motra! Vetëm Ne do të mund të bëjmë ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri nëse do të na mundësohet e drejta të votojmë dhe vendosim.
Nesër duhet të jemi të gjithë aty duke ngritur zërin ndaj një padrejtësie që na është bërë për gati 3 dekada e gjysëm. Askush nuk ka pse kompleksohet.
Të protestosh dhe kërkosh të votosh në vitin 2025 është veçse një e drejtë e jona dhe asgjë tjetër.

Kush realisht e kërkon këtë të drejtë duhet që të jetë pjesë e kësaj proteste, kush tjetër kërkon që të shfrytëzojë një të drejtë proteste për të bërë pazar siç dhe ndodhi me flakadanët e një segmenti të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë ka të drejtë të shqetësohet dhe të mos marr pjesë, por jo të na akuzojë Ne pse protestojmë për të kërkuar një të drejtë tonën mohuar në mënyrë të turpshme përgjatë gjithë tranzicionit prej rënies së diktaturës.

Bejko: Përgjegjës politik për rritjen e korrupsionit kryeministri, Qeveria ka pasur mundësi ta luftojë

Nënkryetari i Partisë Demokratike Roland Bejko në MCN Live ka komentuar miratimin nga PS të rezolutës antikorrupsion për të cilin u shpreh se kjo qeveri ndodhet në përfundim të mandatit të saj të tretë dhe ka pasur kohë mjaftueshme për të luftuar korrupsionin.

Ai tha se përgjegjës politik për rritjen e korrupsionit është vetë kryeministri, ndërsa e konsideroi këtë si një propagandë nga ana e Ramës duke parë që jemi dhe në një vit elektoral. Sipas tij, opozita ka kërkuar vetingun e politikanëve, por maxhoranca e ka kthyer dialogun në pazar politik.

“Ne tashmë jemi futur në vitin elektoral dhe Rama, kjo qeveri përmbyll mandatin e tretë që do të thotë se qeveria ka pasur të gjitha kushtet dhe mundësitë për të luftuar korrupsionin. Madje opozita ka qenë ajo që krahas halleve ka bërë denoncimet e saj, madje dhe qytetarët kanë ulëritur për nivelin e korrupsionit në Shqipëri.

Pra nuk ka ndryshuar asgjë në klimën e korrupsionit dhe madje një raport i bërë ka dalë që gati 82% e qytetarëve kanë paguar për marrjen e shërbimeve, kjo shifër është 4.8% më e lartë se 2022, pra kemi një përkeqësim të shërbimeve dhe gati 30% e qytetarëve shqiptarë kanë pranuar se kanë dhënë para për të marrë shërbimin e kërkuar.

Çfarë po ndodh me Ramën, pra e bënë këtë për porpagandë sepse është vit elektoral dhe perceptimi i qytetarëve që është dhe problemi më i madh i tyre ka bërë që të ketë një reputacion negativ.

Rama duke parë që funksionarë të lartë po parakalojnë përditë në SPAK, kjo do të thotë se është në qeveri që disa janë në hetim, disa presin radhën, pastaj shifrat që janë alarmante, mos të flasim për inceneratorët, skema 5D, janë vetë ata që alokojnë fondet dhe i marrin vetë ata.

Rama e ka kuptuar këtë dhe do të shpëtojë veten sepse nuk ndodh në botë, që në një institucion vartësit të hanë kumbulla dhe dardhë pa dijeninë tënde. Edi Rama ka qenë ai që në 2013 artikulonte tezën që sistemi i korrupton njerëzit, sot del me tezën që njerëzit korruptojnë sistemin, por jo ne jemi në faktin që vetë ai është arkitekti i këtij sistemi. Përgjegjësin e ka kryeministri në mos penale, e ka morale dhe politike.”

Më tej ai shtoi se kjo bëhet për të rritur dialogun, pse ka munguar dialogu sepse qeverisja ka qenë beter dhe opozita është detyruar të bëjë protesta të mëdha për të fituar të drejtën e saj.

“Madje qeveria juaj ka miratuar në kuvend dhe ligje të posaçme për interesat e veta. Detyruat opozitën të ndërmerrte akte radikale. Në vend të kontrollonte parlamenti qeverinë ndodhte e kundërta, kjo tregon mungesën e demokracisë. Parlamenti vazhdon të jetë në dorë të kryeministrit. Këto janë truke të Ramës.

Opozita do që të luftojë korrupsionin por nuk na duket seriopz nga ana e maxhoracës, prandaj duhet parë. Deputeti përballë drejtësisë së re ne kërkojmë të jetë njësoj si qytetari. E dyta ne kemi kërkuar aty vetingun e politikanëve, por ju dialogun e keni kthyer në pazar politik. Nëse qeveria ulet dhe merr seriozisht kërkesat tona atëherë na ka futur në tryezë. Ne jemi dakord për luftën ndaj korrupsionit por nuk na duket serioze.”