20.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

“Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, Kurti: Forcat serbe janë vendosur afër kufirit me Kosovën, kërcënimi nuk është…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po intensifikon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke paralajmëruar se ka rrezik të vërtetë për, siç tha ai, një luftë të re në rajon.

Gjatë fjalimit në Konferencën e Mbrojtjes, që po mbahet në Londër, Kurti tha se rreshtimi i Serbisë me Rusinë, “qasja shkatërruese” ndaj Kosovës, dhe armatimi i shpejt “janë tregues se qëllimi [i Serbisë] është përshkallëzimi me synim të realizimit të ambicieve të saj territoriale”.

Kurti tha se në kohën kur Evropa po përjeton një luftë, duke iu referuar luftës në Ukrainë, nuk duhet të injorohet edhe një luftë më rajon.

“Tre nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, përfshirë 48 baza operuese përreth kufirit me Kosovën, duke mos përfshirë edhe njësi të tjera të specializuara, janë të stacionuara në jug të territorit, afër kufirit me Kosovën. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, tha Kurti.

Gjatë fjalimit në konferencën në Londër, Kurti foli edhe për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit të kaluar.

Nga sulmi i një grupi të serbëve të armatosur u vra një rreshter, ndërkaq në përleshjet që pasuan në dhe përreth Manastirit të Banjskës, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kurti tha se grupi prej afër 100 individësh të armatosur kishin hyrë në Kosovë “me një plan për një konflikt më të gjatë dhe më të gjerë në pjesën veriore të shtetit tonë”.

Nuk është vetëm rreshtimi i Serbisë me Rusinë që sugjeron se qëllimi i grupit ishte të replikonte atë që Rusia bëri në Donbas më 2014”, tha Kurti. Ai iu referua konfliktit në lindje të Ukrainës që nisi më 2014 mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase. Kurti tha se “nuk ka mëdyshje” se kush është fajtor për sulmin në Banjskë.

“Sulmi në Banjskë ndodhi për shkak të shtetit të kapur në Beograd dhe për shkak të ambicieve agresive dhe ekspansioniste të krerëve të shtetit”, tha Kurti.

Ai shtoi se Kosova nuk është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që është i cenueshëm ndaj sulmeve fizike. Sipas tij, kërcënimi manifestohet edhe përmes infrastrukturës të dezinformimit “që Rusia ka ndihmuar të ndërtohet”, e cila sipas tij, përdor ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe, që çoi në çlirimin e Kosovës “për të shpifur ndaj Perëndimit”.

Në fund të vitit të kaluar ishte publikuar një raport për dezinformatat, që ishte hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në raport thuhej se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe të pasqyrojnë SHBA-në si shembull të keq./ REL

Përkujtohet Mustafa Greblleshi, shkrimtari e publicisti i dënuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje shkrimtarin, publicistin, përkthyesin, gazetarin, Mustafa Greblleshi, në ditën e ndarjes nga jeta (22 maj 1986).

Mustafa Greblleshi lindi në Tiranë më 15 dhjetor 1922. Gjatë pushtimit italian punoi për pak kohë në drejtorinë e Postë Telegrafëve. Shko me studime për letërsi në Torino të Italisë, por u detyrua t’i ndërpriste studimet. U kthye në Shqipëri dhe bashkëpunoi me gazetën “Tomorri” e më pas në redaksinë e “Rojes Kombëtare” të Gjergj Bubanit. Botimet publicistike mbanin pseudonimin e tij “Liu i Cakut”.

Me vendosjen e regjimit komunist, Mustafa Greblleshi caktohet si redaktor në gazetën “Bashkimi” deri në vitin 1946, pasi do të arrestohej si “armik i popullit” së bashku me kolegët Andrea Varfi e Petro Marko dhe do të burgosej për 19 muaj. Pas lirimit u dërgua si mësues në qytete të ndryshme, por shpejt u konsiderua i padenjë për profesionin.

U detyrua të punojë si punëtor krahu në kombinatin “Josif Pashko” dhe si bojaxhi për shumë vjet, por pa lënë mënjanë krijimtarinë letrare.

Mustafa Greblleshi ka lënë si trashëgim një numër veprash letrare si “Gremina e Dashunis”, “Albumi i një bojaxhiu”, vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Të njohura janë dhe disa përkthime cilësore si: përrallat arabe “Një mijë e një net”, “Jeta lakuriq” e Luixhi Pirandelos, “Filumena Marturano” e De Filipos. atsh/

Turi çiklistik i Shqipërisë/ Përplasen tre çiklistë në aksin Kuç-Qeparo, transportohen me urgjencë në spital

Turi çiklistik i Shqipërisë është shoqëruar me incidente në etapën e katërt të tij.

Mësohet se 3 prej çiklistëve  janë përplasur në aksin Kuç- Qeparo dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Etepa e katërt në edicionin e 81-të, përfshin itinerarin Vlorë- Himarë – Llogara.

Edicioni startoi me datë 20 të këtij muaji nga Sheshi ‘Skëndërbej’ në Tiranë, ndërsa etapa e pestë dhe e fundit e cila starton nesër në orën 10:00 nga Vlora për në Fier.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë, 3 prej çiklistëve dyshohen se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe si pasojë kanë dalë nga rruga. Të tre çiklistët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Studim i ri/ Përdorimi i përditshëm i marijuanës ka tejkaluar konsumimin e alkoolit në SHBA

Përdorimi i përditshëm i marijuanës ka tejkaluar përdorimin e rregullt të alkoolit në SHBA, sipas të dhënave nga Anketa Kombëtare për Përdorimin e Drogës dhe Shëndetin, të publikuara në revistën “Addiction”.

Në vitin 2022, niveli i përdorimit të marijuanës tejkaloi përdorimin e alkoolit për herë të parë, tha autori i studimit Jonathan Caulkins, studiues i përdorimit të kanabisit në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh.

Sipas rezultateve të studimit, në vitin 2022, rreth 17.7 milionë njerëz e përdorën atë çdo ditë ose thuajse çdo ditë përdorën marijuanë krahasuar me 14.7 milionë njerëz që pinë çdo ditë ose pothuajse çdo ditë.

Nga viti 1992 deri në vitin 2022, shkalla e përdorimit të rregullt të marihuanës u rrit me 15 herë.

ALBANA BUSHATI DEKORATË NGA PRESIDENTI ITALIAN

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella nderoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë”, drejtoren e shkollës “28 Nëntori” në Shkodër Albana Bushati. Kjo dekoratë e rëndësishme e Presidentit italian u akordua nga Ambasadori i Italisë në vendin tonë Fabrizio Bucci në një ceremoni zyrtare pranë rezidencës italiane në Tiranë për kontributin e drejtores Bushati në seksionin dygjuhësh në shkollën “28 Nëntori”.

Sot është kënaqësi e madhe për mua të kem këtu Albanën e cila merr këtë dekoratë kaq të rëndësishme pikërisht për angazhimin e saj sëbashku me ju në ndërtimin e së ardhmes së atyre njerëzve. Jeni ju mësuesit, është Albana e cila në një shkollë shumë të rëndësishme, ndër më të rëndësishmet ka vijuar prej vitesh dhe vazhdon ta bëjë, të punojë me përgjëgjësi të madhe për të ndërtuar njerëzit e së nesërmes sepse Albana dhe mësuesit në përgjithësi janë ata që shkurtojnë distancat mes njerëzve, janë ata që rrëzojnë muret ndarëse. Për të gjitha këto Albana e meriton këtë titull nderi sepse ka arritur bashkë me ju të ndërojë ura bashkëpunimi, të formojë të rinj, nxënësit, për të bërë njerëz të mirë të së ardhmes.

Ne italianët dhe shqiptarët kemi diçka të përbashkët se na pëlqen të qahemi dhe themi a ka të ardhme vendi dhe unë teksa shoh sytë e buzëqeshur të të rinjve në shkolla kur i vizitoj them, po ata janë e ardhmja, ka të ardhme. Falë kësaj pune Albana merr këtë titull. Ky titull nuk është vetëm i Albanës por i të gjithë mësuesve. Albana Bushati ka qenë gjithmonë palë e privilegjuar e Ambasadës dhe zyrës së saj të shkollave duke siguruar një bashkëpunim shembullor në rolin e seksionit dygjuhësh italisht-shqip të Shkodrës, model përsosmërie, një nga shkollat më të njohura në Shqipëri, gjimnazit ’28 Nëntori’.

Profesoresh Bushati i ka mirëpritur gjithmonë me entuziazëm nismat e propozuara nga Ambasada Italiane. Albana Bushati ka luajtur ndër vite rol thelbësor në promovimin e seksionit dygjuhësh në Shkodër duke siguruar kështu një numër jo të pakët nxënësish të mirë dhe duke konsoliduar përhapjen e gjuhës italiane tek brezat e rinj në Shkodër.

Profesoresh Bushati ka kontribuar gjithmonë me gatishmërinë dhe profesionalizmin e saj në zgjidhjen e problematikave që herë pas here janë paraqitur dhe falë shpirtit të saj praktik, autoritetit dhe eksperiencës të saj të gjatë është bërë një shtyllë mbështetëse për seksionin dy gjuhësh si dhe një pikë e çmuar referimi edhe për drejtorat e shkollave të seksionit dygjuhësh në qytetet e Tiranës dhe Korçës”.

Drejtorja Bushati pasi mori dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Italisë” të Presidentit italian, tha se për të dhe shkollën “28 Nëntorit” ky titull është një nder i madh që e motivon për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.

Sot është një ditë e veçantë për mua, është një nder i madh që më jepet dekorata ‘Kalorës i Italisë’. Ky nderim është rezultat i punës në skuadër të të gjithë mësuesve të seksionit dygjuhësh italisht-shqip, të mbështetjes së vazhdueshme të dhënë nga Ambasada dhe zyra e saj e shkollave si dhe shpirtit të bashkëpunimit midis tre seksioneve të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës. Puna ime në seksionin dygjuhësh ka për qëllim arritjen dhe ruajtjen e cilësisë dhe nivelin e lartë të kulturës dhe gjuhës italiane në këtë seksion, për shoqërimin e nxënësve në rrugëtimin e tyre të rritjes së arsimimit duke i kthyer njohuritë dhe aftësitë e tyre në kompetenca për të vijuar me lehtësi studimet universitare, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi ndër vite por mbi të gjitha Presidentin e Italisë Sergio Matarella, qeverinë italiane dhe Ambasadorin Bucci për mbështetjen e vazhdueshme veçanërisht në arritjen profesionale të mësuesve të seksionit dygjuhësh nepërmjet veprimtarive trajnuese nga ekspertë në fushën e metodologjive të reja të mësimdhënies si dhe në përfshirjen e nxënësve në projektet që synojnë edukimin qytetar dhe zhvillimin e mendimit kritik si qytetar europian të së nesërmes.

Mund të përmend sëfundmi përfshirjen e shkollës tonë në projektin e miratuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e Italisë mbi kulturën e ligjshmërisë në shkolla. Falenderoj Sergio Alias, zyrën e shkollave pranë ambasadës së Italisë në Tiranë, mësuesit e Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme apo edhe bashkëpunimin ndërkombëtar që kanë punuar dhe vijojnë të punojnë në seksionin dygjuhësh, bashëpunëtoret Tatjana Vuçani dhe Suzana Aga për kontributin e tyre të çmuar në mbarëvajtjen e seksionit. Falenderoj institucionet e arsimit në Shqipëri dhe një falenderim shkon për kolegët e mi dhe nxënësit tanë të mrekullueshëm sepse rezultatet e punës së tyre e rrisin vlerën time si drejtore. Kjo dekoratë më motivon më shumë për të vijuar këtë rrugëtim dhe bashkëpunim në seksionin dygjuhësh. Faleminderit Italisë, një vendi mik dhe të gjithëve ju”.

Albana Bushati e cila mori dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë” drejton prej 12 vitesh shkollën e mesme “28 Nëntori” duke qenë ndër shkollat me rezultatet më të larta në vend dhe prej 34 vitesh është pjesë e arsimit shqiptar. Dy vite më parë gjimnazi “28 Nëntori” në 100 vjetorin e themelimit të saj u dekorua me titullin e lartë “Ndëri i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj./star-plus.tv

Historia e panjohur e ndeshjes së 15 majit 1951/ “Edhe pse në fushë u futën titullarët e Komitetit të Partisë duke e kërcënuar, Xhelal Juka, s’pranonte të dilte nga loja, pasi…”

Nga Namik Mehmeti

Dëshmia e rrallë: “Juka u tha; unë dal, vetëm po të më thotë kapiteni, por, Prek Gjeloshi, edhe pse komunist, i tha; mos dil Xhelal, ashtu siç bërtiste i gjithë stadiumi”!

Nga” skandalet” që etiketojë diktatura komuniste në qytetin e Shkodrës, si një kundërvënie ndaj regjimit të Partisë së Punës, me në krye xhelatin Enver Hoxha, kanë burimin edhe tek sporti e, pikërisht tek futbolli, ku emri “Vllaznia”, ishte aq reaksionar, sa vete qyteti verior, emër që prezantonte  një histori të vyer, më shumë se një shekull, me ekzakt 105 vite histori. Dhe nuk është kjo një njollë e vetme që diktatura komuniste e akuzonte “Vllazninë”, futbollistët e sportdashësit shkodranë, për shfaqje që sipas tyre, i binin ndesh ideologjisë komuniste.

Në këtë dossier, po e njohim lexuesin me këto “shfaqje të huaja” që gjithnjë e janë provokuar nga ekipet e “Dinamos” e cila përfaqësonte Ministrinë e Brendshme dhe më pak me “Partizanin”, që luante në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Ngjarja që ka ndodhur në fushën e vjetër të futbollit, aty ky do fillonte dhe emërtimi i ri i kësaj zone, “Zona Industriale”, pra më shumë se shtatë dekada më parë, në vitin 1951, ku “Vllaznia” luante përballë “Dinamos” së Ministrisë së Punëve të Brendshme, më saktësisht më 15 maj të atij viti.

Duhet të kujtojmë se “Vllaznia” pas fitoreve të dy titujve kampion, më 1946 dhe 1947, do të vazhdonte të pretendonte për të ruajtur titullin kampion, por dy kundërshtarët e saj, nuk do të ishin më “Puna” e Tiranës apo, “Puna” e Kavajës, por pikërisht dy “çadrat e mëdha”, siç i pat etiketue “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Xhevdet Shaqiri, ekipet “Partizani” e “Dinamo”. E për më tepër këto dy ekipe, do të fillonin të bënin historinë në futbollin shqiptar, që nga dita e krijimit, duke patur që në themel, futbollistë të “Vllaznisë”.

“Partizani” në vitin 1948, do të niste debutimin duke patur 6 futbollistë të Vllaznisë (L. Laçja, L. Hoxha, P. Gjeloshi, B. Kavaja, H. Bakalli, A. Tepelija), kurse “Dinamo”, e krijuar në vitin 1950, do kishte; Xh. Shaqirin, H. Bakallin e Q. Cungun. Le të kthehemi tek ajo ndeshje, e cila kaloi caqet e komenteve të futbollit, duke marrë ngjyra politike. Ja dhe skeda e dy ekipeve, e marrë nga libri i gazetarit historian, Besnik Dizdari, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”. (Libri 4, vitet 1950-1954)

“Puna” e Shkodrës: Nuti, Cufja, Bushati, Çuçiqi (Dani), Gjeloshi, Keri, Nehani, Laçja, Juka, Boletini, Dedja. “Dinamo” e Ministria e Punëve të Brendshme: Metani (Vogli), Boriçi, Sherko, Vila, Q. Cungu, Shaqiri, Bakalli, Gjinali Jareci, Peqini, Tamfizi.

Gjyqtar E. Dauti.

Golat: Tamfizi 12′, Deda 62′

Kam patur fatin e madh, që me protagonistin e këtij dossieri, të ndjerin Xhelal Juka, të njihem familjarisht, pasi shtëpia e jonë në lagjen “Parrucë”, (sot Bulevardi “ZOG I-rë”), ndahej me shtëpinë e Jukejve, me një mur dhe për më tepër, kur baba im, Et’hem Rrema Mehmeti, u afrua nga kryeministri e Ministri i Brendshëm në vitet e Monarkisë Zogiste, Musa Juka, në administratën zogiste, si nëpunës, me detyra të ndryshme nga kryetar komune, nënprefekt e prefekt, duke shërbyer nga Vermoshi, deri në Jergucat të Gjirokastrës.

Dhe për këtë qeveria komuniste porsa hyri në Tirane, e arrestoi dhe dënoi me 10 vite burg, me akuzën si “zogistë, antikomunist dhe mik i familjes Juka”.

Po kështu baba kishte kalue disa vite burgu me vëllain e Xhelalit, Nuh Jukën dhe unë kur fillova detyrën si gazetar.
E kjo njohje më afroi aq shumë me Xhelalin, që në bangot e shkollës së mesme e, deri në ditët që ai u nda nga jeta, duke më ushqye më shumë histori e episode të karrierës së tij sportive, si futbollist i trajner i “Vllaznisë”.

Dhe episodin e këtij dossieri, e kam pas ruajtur ne shënimet e kronikave futbollistike, e kam dëgjuar edhe nga bisedat me kushërinjtë e mi; Shefqet e Tahir Puka, të njohur në historinë e sportit shqiptar, si futbollistë, atletë e gjyqtarë të futbollit, nga veteranët e nderuar të futbollit shkodran, si; Muhamet Halili, Ibrahim e Feti Dizdari, Ahmet Ashikja, nga gazetari i mirënjohur Rifat Uruçi dhe nga sportdashës të “Vllaznisë”, të cilët e kanë përjetuar këtë ngjarje.

Atëherë edhe ne ndiqnim “Vllazninë” duke hyrë ne fushën e vjetër, me mbështetjen e një sportdashësi, që na merrnin përdorë plot mirësi e zinim vend, pas portës së portierit kundërshtar.

E në atë moshë 10 vjeçare, diçka kujtonim me kalimin e viteve, se protagonisti i këtij dossieri Xhelal Juka, së bashku me shokët e tij të skuadrës dhe drejtuesit e sportit në Shkodër, do të shkruante një histori të padëshirueshme për sportin socialist, e mbi të gjitha për rendin diktatorial.

Dy skuadrat që nuk gëzonin simpatinë e mbështetjen e qytetarëve shkodran, “Dinamo” e, më pak “Partizani”, gjithnjë në përballjet e tyre në Shkodër, do të ishin jo vetëm në nivel lartë futbolli, por edhe me incidente që provokoheshin, nga gjykime të njëanshëm të gjyqtarëve të futbollit, kryesisht që zgjidheshin nga Tirana.

Kështu ndodhi dhe në 15 Majin e vitit 1951, pra 73 vite më parë.

Ajo që i irritonte sportdashësit shkodranë në ndeshje të tilla, ishte edhe angazhimi i shumë forcave policore dhe atyre të Sigurimit të Shtetit, pasi dihej pozicionimi i kryeqendrës së Veriut, si qytet antikomunist. Ndeshja fillon shpjet në kërkim të golit, ku më parë i gëzohen dinamovitët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi Tamfizi, tund rrjetën e portierit Nuti, në minutën e 12′.

Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Gjyqtari i takimit E. Dauti, me dashje apo për paaftësi, lëkundet në dhënien e vendimeve të tij, si në rastin më flagrant të një pozicioni jashtë loje, të sulmuesit dinamovit, Sabri Peqini, ku vijërojtësi nuk sinjalizoi.

Kjo bëri që skuadra të reagojë e protagonist bëhet Xhelal Juka.

Për këtë padrejtësi të gjyqtarit, reagimi i Jukës “prishi” atmosferën e ndeshjes dhe dënohet me përjashtim të tij nga fusha. Juka nuk pranon të zbatoj vendimin e gjyqtarit Dauti dhe për më shumë se 15 minuta, ndeshja ndërpritet dhe dialogu me gjyqtarin Dauti, përshkallëzohet.

Tashmë janë sportdashësit ato që reagojnë në mbështetje të Jukës dhe të “Vllaznisë” (asokohe “Puna” e Shkodrës). Ndeshja ndërpritet për afro 15 minuta dhe dialogu në mes gjyqtarit të ndeshjes e futbollistit Juka, zhvendoset edhe me futbollistët e tjerë shkodranë.

I takonte kapitenit të skuadrës, Prek Gjeloshi, një futbollist i cili ka bërë sakrifica për të përfaqësuar ekipin e qytetit, duke ardhur në stërvitje në këmbë, nga Fabrika e Çimentos, (fshati Zues), kishte fituar besimin e shokëve, duke qenë shpirti i skuadrës.

Pritej që Preka të bindte shokun e tij, të zbatonte vendimin e gjyqtarit. Po kështu nga Preka, besonin drejtuesit e Degës së Punëve Brendshme dhe ato të organeve të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës e të pushtetit, se situata do të qetësohej.

Në fushë kishte zbritur zv/kryetari i Degës së Brendshme, sekretari i dytë i Komitetit Partisë Rasim Tahiri, drejtuesi e sportit shkodran, Isa Miloti, kuptohet të gjithë këto me triskën anëtarësisë së Partisë Punës në xhep, ku një skandal i pritshëm, që mund të merrte përmasa të një revolte, atyre do t’i kushtonte shtrenjtë.

Sportdashësit shkodranë, sidomos ato të vetmes tribunë në fushë, në një kor vazhdonin të thërrisnin; “Juka – Juka”. Ky emër e bënte edhe më shqetësuese ngjarjen, pasi Xhelal Juka, ishte nipi i ish Kryeministrit e ish Ministrit të Brendshëm e njiherit ish – Kryetar i Bashkisë në Shkodër, në vitet e Monarkisë së Zogut, Musa Jukës.

Situata, edhe pse u afruan forca shtesë policore, nuk e ndali protestën të kthehej në një revoltë, edhe pse në fushë ka zbritur i pari i Komitetit të Partisë, Tonin Jakova.

Një nga autoritetet lokale, i drejtohet Xhelalit: “Duhet të dalësh nga fusha, pasi situata për shkakun tënd, po kalon përmasat e një ndeshje sportive. Ndryshe do të mbani mbi shpatulla një akuzë të rëndë, aq më tepër se dihet biografia e familjes tënde”.

Xhelali përgjigjet: “Si të urdhërojë kapiteni i skuadrës, Prek Gjeloshi”. Preka, ndonëse komunist, me një gjakftohtësi dhe për të mbrojtur shokun e tij, ashtu dhe për të qenë në një kor me tifozët dhe padrejtësinë që i behej ekipit, i përgjigjet: “Mos dil Xhelal”!

Kjo përgjigje erdhi edhe nga sinjali që dha, (duke tundur gishtin) sekretari i Komitetit të Partisë, Rasim Tahiri, një qytetar shkodran, që “Vllazninë”, deri në ditët e fundit të jetës së tij, e kishte pikë të dobët dhe në zemër, por që gëzonte edhe respektin e qytetarëve shkodran.

Po kështu një tjetër kuadër, me triskën e Partisë së Punës në xhep, qytetari i një familje të njohur shkodrane, Isa Miloti, u bë palë me protestuesit. Ushtoi thirrja nga katër anët e fushës së futbollit: “Mos u dorëzo Rasim Tahiri, mos nigjo Rasim Tahiri”

Një krisje revolveri në ajër, nga forcat e policisë, që ishin shtuar në numër, ngriu thirrjet e sportdashësve dhe pas asaj qetësie, futbollistët shkodranë, u rikthyen në lojë, kur Juka kishte marrë drejtimin nga dhomat e zhveshjes, duke u duartrokitur nga tifozët.

Ndonëse me 10 futbolliste, “Puna” e Shkodrës, nuk i zhgënjeu sportdashësit e saj dhe arriti të barazojë rezultatin. Goli i sulmuesit, Simon Deda, të cilin “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, kishte vënë në listën e “rekrutuarve”, realizuar në minutën e 56, solli në mes asaj mjegullnaje, një qetësim për momentin të situatës.

Pas përfundimit të ndeshjes, turma e sportdashësve shkodranë, priste daljen e futbollistëve, të cilët i shoqëruan në këmbë, deri tek zemra e qytetit, ‘Kafja e Madhe’. Dhe kori; “Juka, Juka” do të ishte “simfoni” që zgjoi më tej kureshtjen e familjeve shkodrane, duke u dalë nëpër dritaret e shtëpive të tyre. Ndërsa ekipi i “Dinamos” dhe treshja e gjyqtarëve kryeqytetas, u shoqëruan nga forcat e rendit, deri në dalje të Urës së Bahçallëkut.

Por ndeshja ndonëse kishte lënë pas shijet e pakënaqësisë, ajo do të kishte një vazhdimësi në zyrat e Komitetit Partisë së rrethit, atij ekzekutiv dhe të Degës së Punëve të Brendshme. Pa arritur në Federatën e Futbollit relacioni i gjyqtarit, filloi “prerja e kokave”, më parë të kuadrove që ishin protagonistët, në atë arenë që u quajt antisportive.

Rasim Tahiri, përjashtim nga partia dhe pesë vite internim, po kështu Isa Miloti, (axha i ish-futbollistit dhe trajnerit të njohur Auron Miloti), dorëzim i triskës partisë dhe zbritje në detyrë, Xhelal Jukën e Prenk Gjeloshin, me dy ndeshje pezullim nga kampionati. Kam patur rastin ta kujtoj e rikujtoj këtë ngjarje, që la gjurmë në historinë e futbollit shqiptar e atij shkodranë, me shumë nga futbollistët.

Dhe Xhelal Juka kujtonte: “Ishte disi befasues dënimi i ‘rezervuar’ i imi dhe Prekës, në krahasim me kuadrot drejtuese. Por më shumë ishte dënimi moral që ju bë ‘Vllaznisë’, në mbledhjet e kolektivave e ndërmarrjeve shtetërore, në kooperativat bujqësore, ku instruktorë të Komitetit Partisë e të pushtetit lokal, ishin shpërndarë nga Vermoshi deri në Bisht të Jubës, (kufiri me rrethin e Lezhës), duke dënuar këtë shfaqje antisportive, që njolloste sportin shqiptar.

U porositem që këtë skenë, të mos i jepnin vazhdimësi në bisedat me sportdashësit, bile as në familjet tona. Unë i shmangesha takimeve në Kafen e Madhe e, ambiente të tjera publike, dhe për këtë isha i porositur nga njerëz të veshur me pushtet. Dhe ajo që më rëndonte më shumë, ishte mbiemri Juka, mbiemër ky që më kërcënonte por, edhe paralajmëronte për të pa pritura.

Por ndarja nga futbolli, nuk erdhi vetëm nga biografia, por nga një aksident në një ndeshje me Tiranën, në dyluftim me portierin Bonati, grushtimi i tij, nuk arriti në drejtim të topit, por drejtë nofullave të mia, një frakturë që më detyrojë për disa javë, të ushqehesha me lëngje.

Por të keqen mundoheshin të ma largonin tifozët shkodranë, që më vizitonin kohë pa kohe, në pavijonin e kirurgjisë. Trajtimi në sallën e operacionit nga mjeku kirurg, i mirënjohuri Doktor Mborja, ishte perfekt, por pa shpresë se do të veshja këpucët e futbollit, që i vara në gozhdë, në moshën 27 vjeçare”.

NJË HISTORI KARRIERE E FUTBOLLISTIT XHELAL JUKA

Xhelal Juka, (lindi me 5 prill 1926 dhe vdiq më 7 shkurt 2012), një pinjoll i një dinastie, që shkroi emrin në historinë e qytetit verior, për nga vlerat e atdhedashurisë, patriotizmit, simbol i bashkëjetesës fetare, i adhurimit të kulturës perëndimore, i përkushtimit për ta bërë kryeqendrën e Veriut, një qendër me vlera tregtare.

Nga Fisi Juka, përveç Musa Jukës, me kalimin e viteve, ishin të tjerë pinjoll që shkruan historinë, jo vetëm në Shkodër e në gjithë Shqipërinë, por edhe përtej Adriatikut, si në; Itali, Francë, Amerikë, Kanada, etj, si motrat Safete e Lumi Juka, Qemal Juka, Zyber Juka, Galip Juka etj., ku të gjithë me Xhelalin dhe me trashigimtarët e tyre ndjenë, luftën klasore, vuajtjet në burgjet e diktaturës komuniste dhe në internime.

Dhe në sa protagonisti i këtij shkrimi dossier, Xhelali, duke qenë i pasionuar pas futbollit, i besoj këtij sporti, për të mbajtur të gjallë vlerat e fisit Juka.

Ai rreshtohet me “Vllazninë” që në moshën 17 vjeçare dhe për krah legjendave më në zë të “Vllaznisë”, Xhelali, duke qenë i lindur për futbollin, preferoi që në përfaqësimin e parë me ekipin kundër “Tiranës”, rolin e sulmuesit, duke mbajtur në shpinë nr. 9. U prezantua si një talent më të dhëna teknike të përsosura, por dhe me një shpirt gare, sakrifice e frymëzimi për ekipin “Vllaznia”, në gjirin e të cilës, luajti deri në vitin 1953, i padiskutueshëm në formacionin e “Vllaznisë”, në fitoren e dy titujve të Kampionatit Kombëtar, 1945 dhe 1946.

Xhelali ishte problem për çdo mbrojtje kundërshtare, pasi ai kishte aftësinë e dublimit, të zgjidhjes me shumë finesë të situatave të vështira para portës, duke befasuar si mbrojtësit e portierët. Në sezonin futbollistik, 1953-’54, u afrua tek “Partizani”, ku fitoi Kupën e Shqipërisë, por u largue për arsye shëndetësore, por pa i mohuar edhe anën e biografisë.

Në vitet 1959-1972, i afrohet roli i trajnerit të ekipit të rinjve të “Vllaznisë”, ndonëse pa kryer një shkollë përkatëse, sfidon kolegët e tij, në gjithë Shqipërinë, pasi me intuitën dhe punën e palodhur, por të pa shpërblyer, i falë ekipit të “Vllaznisë”, një brez futbollistësh që do të sillnin rifreskimin e një “Vllaznie”, të mpakur e pa aftësi, për të mbajtur të gjallë traditën e futbollit shkodran, por dhe për të përmbysur nga froni, ekipet “Dinamos” e “Partizanit”.

Emrat e Selami Danit, Esat Rakiqit, Ramazan Rragamit, Sabah Bizit, Din Zhegës, Paulin Ndojës, Ismet Hoxhës, Çesk Ndojës, Halil Pukës, Suat Durajt, Millan Vasos, etj., do të jenë përcaktues në fitoren e dy titujve të Kampionit Kombëtar; 1971 – ‘72, dhe 1973-‘74 dhe të Kupës e Shqipërisë’ në vitin 1972.

Dhe shpërblimi i punës së tij, do të jetë i dyfishtë’ pasi tek “Vllaznia”, i është besuar roli i trajnerit të dytë, kjo preferencë edhe “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, legjendës Xhevdet Shaqiri, në rolin e trajnerit të “Vllaznisë”.

Kolegët e Jukës, me të cilët kam patur rastin të shkruaj e të i intervistojë, si; Rifat Rusi, Skënder Jareci, Xhavit Demneri, Ernest Halepiani, Zyhdi Bakalli; etj., atë përmbysje që i afroi “Vllaznia” futbollit shqiptar, ishte pa dyshim edhe kontributi i çmuar i Xhelal Jukës. Të këtij mendimi, mund ishin edhe drejtuesit e organeve të partisë e të pushtetit në Shkodër, por që nuk i dhanë meritat e mirënjohjen, që i takonte.

Dhe pas këtyre sukseseve me “Vllazninë” si trajner, nuk do të befasohej edhe me vendimin absurd, që në emër të luftës klasore, të mos ulej në bankinën e “Vllaznisë”. Nuk ishin vetëm trofetë e dy titujve kampion kombëtar e, të Kupës së Shqipërisë, por Xhelali me “Vllazninë” fitoi dhe Kupën e Gazetës “Bashkimi”, ku sfidoi skuadrat e kryeqytetit dhe do të ishte edhe gazetari i “Zërit të Popullit”, Cani, që do të vlerësonte trajnerin Juka, për këtë sukses.

Por këto elozhe shuheshin shpejtë dhe nuk harrohej që t’i hidhej baltë punës e karrierës e tij, pasi vihej përballë mbiemri Juka, që shqetësonte drejtuesit e organeve partiake të diktaturës komuniste. As që bëhej fjalë për të shpërblyer djersën e sakrificat e tij, duke i dhënë mundësinë për të luajtur një ndeshje ndërkombëtare, jo më larg se Mali i Zi, ku “Vllaznia” shkëmbente takime miqësore, por edhe kur veteranët e “Vllaznisë” luanin në Podgoricë, emri i Xhelal Jukës, nuk ishte i preferuar nga Komiteti i Partisë që përpilonte listat, duke preferuar më shumë funksionarë, se vetë futbollistët.

Një mjeshtër sporti i lindur, por pa ia dhënë këtë titull, me një çertifikatë nga Federata Shqiptare e Futbollit, Xhelalit nuk i bënte përshtypje. Gazetari i mirënjohur, kolegu im, Besnik Dizdari, i pranishëm në një festim të 60 vjetorit të krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kishte mbetur i befasuar, edhe pse Xhelali ishte ftuar në këtë përkujtimore, emri i tij, nuk u lexue nga titullari i Federatës së Futbollit.

Dhe reagimin e “Mjeshtrit të Merituar”, Muhamet Vila dhe të shokëve të Xhelalit, për këtë neglizhencë me qëllim apo edhe në një moment harrese nga Federata, gazetari Dizdari, e shpreh me nota nostalgjie e mirënjohje, për këtë gjest miqësor të shfaqur në një takim solemn, të futbollit shqiptar.

“Dashuria fillon në shtëpinë tënde dhe drejtësia në shtëpinë e fqinjit”. Se si mu kujtua kjo sentencë e Çarl Dikens, dhe pata përshtypjen që Vilës e, dikujt aty afër, iu thye gëzimi i madh, sepse donin që edhe shoku i tyre, dikur kundërshtar në fushën e blertë, meritonte shumë më tepër.

Aq më tepër në rastin e Jukës, pionierit të Kombëtares së Shqipërisë, qysh në moshën 19 vjeçare, futbollist i sakrificës së jashtëzakonshme, sulmues i papërmbajtshëm në kohën e vetë, lojtar jo vetëm i “Vllaznisë”, por edhe trajneri aq i talentuar i saj, do të thoja, e njeriu me jetë aq të pastër, brenda e jashtë fushës se blertë…”!

Dhe më se e vërtetë kjo, se emri i Xhelalit kishte hyrë në zemrat e familjeve shkodrane, në zemrat e kolektivit punonjës të Parkut Automobilistik të Shkodrës, ku Xhelalit i ishte afruar një punë normisti, pasi dëshira e tij, për të ndjekur një shkollë të lartë dhe për të punuar si mësues i Edukimit Fizik, i ishte mohuar kategorikisht.

Mund të radhisim disa fakte e statistika nga biografia e tij sportive, por veçojmë ndeshjen e parë ndërkombëtare të Shqipërisë me Malin e Zi, e luajtur në Shkodër, 78 vjet më parë, më 22 shtator 1946.

Trajneri jugosllav, L. Broçiç, që i ishte besuar përgatitja e Kombëtares Shqiptare, për Lojërat Ballkanik të atij viti në Tiranë, më shumë se gjysma e ekipit, plot 6 futbollistë të “Vllaznisë”, ishin në formacion e saj, pikërisht nga mbrojtja në sulm; Muhamet Dibra, Prek Gjeloshi, Bimo Fakja, Xhelal Juka, Loro Boriçi dhe Pal Mirashi.

Siç dihet Shqipëria fitoi 5-0, ku Juka shënoi dy gola në 60′ e 62′. Por kalvari i pengjeve të tij (siç thoshte ai vetë), filloi me këtë kombëtare, ku ndonëse ishte i shpallur në listën e Broçiçit për Ballkaniadën, nuk u rrjeshtue në ekip.

Por edhe një peng i imi, ishte se kur komentoja në gazetën “Sporti Popullor” ndeshjet e “Vllaznisë” në stadiumin “Vojo Kushi”, (sot “Loro Boriçi”), intervistat pas ndeshjes me Xhelal Jukën, emrin i Xhelalit retushohej. Memorie.al

FIRENZE 7.O5.2024

“Komisionet e subjekteve të SPAK-ut, atentat ndaj institucioneve të drejtësisë”/ Gaba: Një vit përpara zgjedhjeve, Kryeministri i qeverisë më të korruptuar në Evropë, kërkon të fitojë pafajësinë

Lidhur me rezolutën dhe komisionin e propozuar nga PS-së për të monitoruar dhe kontrolluar SPAK-un, ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i kryesisë së PD-së, Gentian Gaba.

Gaba shprehet se një vit përpara zgjedhjeve të vitit 2025, kryeministri i qeverisë më të korruptuar në Evropë kërkon të fitojë virgjërinë dhe pafajësinë e humbur, duke propozuar një rezolutë kundër korrupsionit me stilin e OFL-së së dështuar.

“Rezolutat dhe komisionet e subjekteve të SPAK, pak muaj para zgjedhjeve, teksa dinamika e SPAK ka kapur ritmin kërcënues për të korruptuarit në qeveri e bashki, janë një atentat ndaj institucioneve të drejtësisë.” – shprehet Gaba.

Më poshtë postimi i plotë:

 

Ne 2020-en, 1 vit para zgjedhjeve te 2021-shit, Edi Rama krijoi lodren e OFL-se, nje hile sa propagandistike dhe penguese per drejtesine e sapo ngritur, per te mbushur SPAK me dosje, ne qellim pengimin e revanshit te drejtesise ndaj korrupsionit qe atehere gelonte siç gelon tani. E vetmja gje qe ka mbetur nga operacioni mediatiko-juridik i OFL-se, jane pamjet e kesaj zonje me syze, si kujtesa e talljes se Rames me qytetaret, me taksat dhe institucionet e tyre.

– Nje vite para zgjedhjeve te 2025-es, kryeministri i qeverise me te korruptuar ne Europe, kryeministri i inceneratoreve, kryeministri i dosjes 5D dhe dhjetra thagmave multimilioneshe me te cilat jane shqyer arkat e shtetit nga banda plackitese ne pushtet, kryeministri qe kriminalizoi institucionet duke futur perdhunues, trafikante dhe vrases (siç provoi operacioni i fundit i SPAK), kerkon te fitoje virgjerine dhe pafajesine e humbur duke propozuar nje rezolute kunder korrupsionit me stilin e OFL-se se deshtuar me sukses para zgjedhjeve te shkuara. Rezolutat dhe komisionet e subjekteve te SPAK, pak muaj para zgjedhjeve, teksa dinamika e SPAK ka kapur ritmin kercenues per te korruptuarit ne qeveri e bashki, jane nje atentat ndaj institucioneve te drejtesise. Ujku kerkon qe me vote parlamentare t’i vare edhe njehere vetes melcite ne qafe, ne menyre qe te vazhdojne e te kafshojne çdo gje qe eshte e shqiptarve per te nginjur skoten e tyre te vogel por te majmur.

Studentët po tkurren me shpejtësi, 2022-23, diplomat “Bachelor” rënie vjetore me 13.8%

Numri i diplomave në sistemin universitar shënoi rënie drastike në vitin akademik 2022-2023, duke sinjalizuar se ekonomia e vendit do të përballet me mungesë ekspertësh pothuajse në të gjitha fushat në të ardhmen e afërt.

Të dhënat e zyrtare të INSTAT referojnë se në vitin në vitin akademik 2022-23, u diplomuan  në 13,808 studentë në ciklin e studimeve “Bachelor” me rënie vjetore 13,8 për qind.

Në arsimin e lartë u diplomuan gjithsej 27.991 studentë. Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 49,3% e studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 44,6%.

Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 18.241 studente femra, ose 65,2% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.

Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 25,4% ose një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve, si për femrat dhe për meshkujt.

Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 22,5% të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë më e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 22,9% të të diplomuarave.

Analizuar për secilën fushë veças, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82,6%), ndjekur nga “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” (80,5%) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79,7%).

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” (68,8%), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (62,5%), dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit” (58,5%).

Në vitin shkollor 2022-23, u diplomuan në arsimin zyrtar 83.548 nxënës dhe studentë, 34,1 % në arsimin 9 vjeçar, 32,4% në arsimin e mesëm dhe 33,5% në arsimin e lartë.

Arsimi Parauniversitar (deri i mesëm i lartë) Në vitin shkollor 2022-23, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 28.488 nxënës, nga të cilët 52,6% ishin djem dhe 47,4% vajza.

Në arsimin e mesëm u diplomuan 27.069 nxënës, 47,2% djem dhe 52,8% vajza. Në arsimin profesional u diplomuan 3.212 nxënës, 82,3% djem dhe 17,7% vajza. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 11,9% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.


/Revista Monitor

Nxitja e rritjes së AI, Google do të investojë një miliard euro në Qendrën Finlandeze të të Dhënave

epa07670237 A Google logo is displayed at the Google offices in Berlin, Germany, 24 June 2019. EPA/HAYOUNG JEON

Google në pronësi të Alphabet do të investojë 1.1 miliardë euro të tjera në një zgjerim të kampusit të qendrës së të dhënave në Finlandë për të nxitur rritjen e biznesit të Al në Evropë.

Vitet e fundit, shumë qendra të të dhënave janë vendosur në vendet nordike për shkak të klimës më të ftohtë, taksave më të ulëta dhe disponueshmërisë së bollshme të energjisë së rinovueshme.

Edhe kapaciteti i energjisë së erës në Finlandë është rritur me shpejtësi në vitet e fundit, me 75 për qind vetëm në vitin 2022, transmeton ReuterS.

Prandaj, ka kapacitet të rinovueshëm në dispozicion për qendrat e të dhënave si Google.

Analistët besojnë se konsumi i energjisë së qendrës së të dhënave do të rritet masivisht për shkak të rritjes së shpejtë të përdorimit të Al.

“Nxehtësia që del nga qendra jonë finlandeze e të dhënave do të drejtohet në rrjetin e ngrohjes qendrore në Hamina aty pranë, duke mbuluar familjet lokale, shkollat ​​dhe ndërtesat e shërbimeve publike,” tha Google në një deklaratë.

Ndryshe, përveç investimit finlandez, gjiganti i teknologjisë njoftoi se do të ndërtojë edhe qendra të tjera të të dhënave në Holandë dhe Belgjikë.

Jupi: PD mbështet SPAK dhe ka pritshmëri të larta për hetimet ndaj Veliajt dhe Ramës

E ftuar në A2 CNN, anëtarja e kryesisë së PD, Taulanda Jupi, u shpreh se PD mbështet SPAK nëpërmjet propozimeve të saj dhe i bën thirrje kryetares së Kuvendit që t’i fusë në rendin e ditës nismat ligjore të PD.

Jupi u shpreh se “presim nga SPAK të bëjë përgjegjës Erjon Veliajn dhe këdo tjetër që abuzon me pushtetin dhe besimin e qytetarëve duke shkuar drejt Edi Ramës i cili është koka e kësaj piramide korrupsioni”.

“Mbështetje ndaj SPAK në burime njerëzore, financiare dhe logjistike duke i bërë thirrje Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla të fusi në vijim në rendin e ditës për diskutim dhe miratim nismat ligjore të propozuara nga Partia Demokratike 1- VETTINGUN në politikë dhe 2 -Heqjen e imunitetin të deputeteve, nisma përmes të cilave tregojmë se jemi me akte jo me fjalë në mbështetje të SPAK dhe drejtësisë.” – tha Jupi.

“Duhet të japim gjithë mbështetjen që ky institucion kërkon sepse sot SPAK po tregon se po përpiqet të funksionojë i pavarur, përtej pushtetit, përtej një kaste politike që ka kontrolluar sistemin e drejtësisë për 34 vite.” – përfundoi zyrtarja demokrate.