29.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

“Në Turqi si në Shqipëri, edhe fjalët i kemi njëlloj”, Muçi nuk i druhet rivalëve në Europian: Në turne është më mirë të luash me emra të mëdhenj

Ernest Muçi ka arritur të përshtatet shumë shpejt me Turqinë dhe eksperienca e tij te Beshiktash deri tani ka qenë pozitive, ndonëse ka pak muaj që është pjesë e klubit të njohur turk. Lojtari shqiptar do të ketë mundësinë të luajë për trofeun e tij të parë me këtë klub, në finalen e Kupës këtë të enjte ndaj Trabzonsporit.

“Totem TV”: ka intervistuar pikërisht sulmuesin shqiptar duke folur për eksperiencën e tij te Beshiktashi, por duke u ndalur edhe te ajo që i pëlqen më shumë futbollistit në fushën e lojës, apo edhe aventura që ka përpara këtë verë me Shqipërinë në Euro 2024.

“Unë mund të luaj në çdo pozicion në sulm por do të doja të isha më në qendër, të jem më afër mesfushorëve apo të tjerëve, të jap asiste e të jem afër portës dhe të ndihmoj ekipin q ëtë shënoj. Është e rëndësishme që të lëvizësh shumë, mua më pëlqen të ndryshoj pozicione. Këtu më japin liri dhe falënderoj trajnerët që më besojnë.

Ishte e thjeshtë për mua të përshtatesha këtu sepse vendi im është pak a shumë e njëjta kulturë e ushqime. Edhe fjalët i kemi disa turqisht. Për mua ishte shumë e lehtë, edhe për familjen time ishte një përshtatje e thjeshtë. Mënyra se si sillen njerëzit, ushqimi, koha është  e mirë. Edhe djemtë janë miqësorë dhe më bëjnë të ndjehem si në shtëpi që nga dita e parë. Ishte e lehtë të përshtatesha.

Europiani? Ishte një arritje e madhe për vendin tonë të shkonim në Europian. Grupi është i vështirë, por kur je në këto kompeticione është më mirë të luash ndeshje të mëdha. Ndaj për mua është entuziazmuese, po e pres me padurim të jem pjesë e këtyre ndeshjeve. Por tani është e rëndësishme që të jemi sa më të shëndetshëm, të mbyllim gjithçka mirë këtu në klub dhe pastaj të fitojmë Kupën. Pastaj të fokusohemi te ekipi kombëtar pasi është një event i rëndësishëm për ne si vend.

Përfaqësuesja turke? Mendoj se tani kanë talente të mëdha në radhët e ekipit. Janë të rinj por mendoj se mund të luajnë që tani në arenën më të rëndësishme. Kanë shanse të bëjnë një turne të mirë se kanë edhe lojtarë me eksperiencë gjithashtu. Arda është një lojtar i mirë e ka treguar te ndeshjet te Real Madrid dhe mendoj se ka një të ardhme të mirë”, tha ndër të tjera Muçi në intervistën e tij.

Nga ish-kryeministri, ministra, deputetë e kryetar bashkie/ Altin Dumani rendit zyrtarët e lartë të dënuar apo në hetim

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka renditur të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, që siç tha ai janë nën hetim apo të pandehur.

Në fjalën e tij, Dumani tha se “janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion:  Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish nënkryetar bashkie”.

Altin Dumani: Janë hetuar gjithsej 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në funksion: 5 magjistratë, 3 ish gjyqtarë të shkallës së parë, një ish gjyqtare i apelit dhe një ish prokuror.

5 ish kryetar bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie, dy kryetarë bashkie,  një ish ministër Finance, një ish ministër Mbrojtje, një ish ministër Mjedisi, një ish ministër shëndetësisë, një ish-zv.ministër Shëndetësie, një ish kryeministër, një ish sekretar i ministrit të mjedisit, një ish sekretar i ministrisë së drejtësisë dhe një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë.

Për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona me hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.

Janë dërguar në gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim 12 persona të pandehur në cilësinë e ish zyrtarit të lartë me funksione: 5 ish-kryetarë bashkie, një  ish gjyqtar, një ish ministër mjedisi, një ish ministër Finance, dy kryetarë bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie dhe një ish sekretar i ministrisë i ministrisë së Shëndetësisë.

Janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion:  Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish nënkryetar bashkie.

Janë në proces gjykimi 4 ish magjistratë, është në hetim një ish magjistratë në gjykatë e lartë, janë dënuar nga gjykata dy ish magjistratë.

Altin Dumani zbulon hetimin: Një biznes shqiptar tentoi t’i krijojë akses mafies ndërkombëtare në vendin tonë! Si u zbulua

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zbuluan skemën se si një biznes shqiptar tentoi t’i krijojë akses mafies ndërkombëtare në vendin tonë.

 

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se biznesi tentoi t’i jepte akses mafies për të integruar të ardhurat në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave dhe më pas, tha Dumani, do të tranferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit.

Por, kreu i SPAK deklaroi në Komisionin e Ligjeve se skema e pastrimit të parave, u zbulua pas bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë duke bërë që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte.

Altin Dumani: Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat ndërkombëtare kriminale  si mafia italiane.

Një rast një biznes shqiptar bashkëpunoi për ti dhënë akses përfaqësues të mafias ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të tranferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit.

Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte.

Rusia mban stërvitje bërthamore afër kufirit me Ukrainën

Rusia ka nisur “fazën e parë” të stërvitjeve në qarkun jugor ushtarak, për të rritur gatishmërinë e forcave taktike bërthamore pranë kufirit me Ukrainën, tha Ministria ruse e Mbrojtjes më 21 maj.

 

Ministria tha se “stërvitjet synojnë të mbajnë gatishmërinë e personelit dhe pajisjeve të njësive luftuese të armëve bërthamore jostrategjike për t’u përgjigjur dhe garantuar integritetin territorial dhe sovranitetit të shtetit rus”.

Më 6 maj, autoritetet kishin njoftuar për planet e mbajtjes të këtyre stërvitjeve.

Perëndimi ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për “sjellje të vazhdueshme të papërgjegjshme të Rusisë”.

Në hapësirën ku po mbahen stërvitjet gjendet në rajonet jugore ruse, që janë në kufi me Ukrainën, Krimeja që Rusia e aneksoi paligjshëm nga Ukraina më 2014 dhe katër rajonet ukrainase që Rusia thotë se i ka aneksuar më 2022, dhe të cilat i kontrollon pjesërisht.

Kur u njoftua më 6 maj për mbajtjen e këtyre stërvitjeve, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se ato do të mbaheshin në përgjigje “të deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga zyrtarë të caktuar perëndimorë drejtuar Federatës Ruse”.

Në armët taktike bërthamore bëjnë pjesë bombat ajrore, kokat bërthamore për raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe municionet e artilerisë. Këto lloje armësh janë më pak të fuqishme sesa armët strategjike, që janë raketa balistike ndërkontinentale, me koka të mëdha bërthamore që mund të shkatërrojnë qytete të tëra.

Raporti i KLSH: Agjencia e Prokurimeve nuk zhvilloi asnjë hetim për PPP në dy vjet! Duhet të merren masa për…

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka të drejtë që të zhvillojë hetime administrative për kontratat konceisonare që finalizohen me nënshkrim por në dy vjet duket se nuk ka pasur asnjë të tillë.

 

Këtë e sjell në vëmendje një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka audituar APP dhe aktivitetin e saj.

“Për periudhën 2021-2022, rezultoi se nuk ka  pasur asnjë proces hetimi për kontrata koncesionare. Referuar informacionit të datës 18.7.2023, dërguar nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, për vitin 2020 është nënshkruar kontrata koncesionare datë 20.4.2020 me objekt: “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe transferim i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, me Autoritet Kontraktor Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gjithashtu, Sektori i Verifikimit të Procedurave të Konçesioneve/PPP, dhe Procedurave në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Agjencinë e Prokurimit Publik, nuk ka informacion të përditësuar nga ATRAKO, nëse janë finalizuar me nënshkrim kontrate, tre procedurat koncesionare të vitit 2022 “thuhet në raportin e auditimit.

I njëjti specifikon se APP pasi administron kontratat koncesionare nga ATRAKO,(kjo e fundit është përgjegjëse për mbajtjen e bazës së të  dhënave për të gjitha kontratat e koncesionit dhe të partneritetit publik privat, të dhëna në Republikën e Shqipërisë), vlerëson në bazë të kritereve të caktuara në rregulloren e saj të brendshme, për përzgjedhjen e kontratave që do t’i nënshtrohen hetimit administrativ.

Në këto kushte, KLSH ka rekomanduar që Agjencia e Prokurimit Publik të marrë masa në vijim që të ketë një komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve lidhur me përditësimin e informacionit për kontratat koncesionare .

Një tjetër element që është nënvizuar tek përfundimet nga ana e audituesve të KLSH është fakti që nga verifikimi i dokumentacionit të administruar nga subjekti mbi planet e verifikimit për procedurat e prokurimit publik, procedurat e Konçesioneve/PPP dhe procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për vitet 2022 dhe 2023, u konstatua se: APP si institucion verifikues ende nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për monitorimin procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, me qëllim dhënien e sigurisë për mirëmenaxhim të fondeve publike në këto procedura prokurimi.

“Megjithëse APP ka ndërmarrë në kohë dhe ka ndjekur në vijimësi gjithë veprimet e nevojshme konform kërkesave të legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar, për të përmbyllur procesin e implementimit të sistemit të komunikimit dhe të informacionit ende nuk ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga AKSHI, pasi nevojitet asistenca e një specialisti IT, në rolin e administratorit të SIK-së, si person përgjegjës për aspektet e sigurisë që lidhen me implementimin, instalimin dhe operimin e sistemit. Për këtë arsye APP, me shkresë nr. 9550/1 prot, datë 14.12.2023, i është drejtuar Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të caktuar një nga specialistët IT të atashuar në APP, në rolin e administratorit të SIK por nuk ka marrë një përgjigje nga AKSHI. Nisur nga të dhënat statistikore për periudhë 2021-2023 rezultojnë të jenë në total 35 kontrata të nënshkruara për procedurat e prokurimit në këtë fushë. Mosveprimet e mësipërme vijnë në kundërshtim me nenin 14 të ligji nr. 36/2020 “Për Prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare” thuhet në raport.

KLSH ka kërkuar nga Agjencia e Prokurimit Publik të vijojë bashkëpunimin me Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për caktimin e specialistit të IT-së në APP, në rolin e administratorit të Sistemit të Informacionit të Klasifikuar, si personi përgjegjës për aspektet e sigurisë që lidhen me implementimin, instalimin dhe operimin e këtij sistemi. –

“Nga ana e APP-së të merren masa për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar nga AKSHI me qëllim përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i informacionit të klasifikuar, si dhe të marrë masa për nisjen e punës për verifikimin e zbatimit të procedurave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, pas fazës së nënshkrimit të kontratës së prokurimit” thuhet në raport. /Monito

“Kemi sekuestruar 41 milionë euro pasuri”- Altin Dumani: Jemi prokurorë, po jo inkuizitorë! Nga 2817 të paraburgosur, vetëm 8.5% janë për llogari të SPAK

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar në Komisionin e Ligjeve, duke folur me shifra për punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Dumani tha se në total janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri.

Sipas Dumanit, numri total i të paraburgosurve është 2817, dhe vetëm 237 të paraburgosur janë për llogari të SPAK. Pra zënë vetëm 8.5%.

Në fjalën e tij, kreu i Prokurorise se Posaçme u shpreh se “jemi prokurorë por në asnjë rrethane nuk jemi inkuizitorë”, duke shtuar se “detyra jonë është të hetojmë, të mbledhim prova dhe të akuzojmë”.

Dumani:  SPAK ka hetuar 863 materiale nga e cila është vendosur mosfillimi i procediemit penal për 113 penale. Janë hetuar 750 procedime nga të cilat janë mbartur 451 procedime. Janë regjistruar 299 procedime të reja

Janë dërguar në gjykatë 53 kërkesa me 296 të pandehur. 11 kërkesa për gjykim me 109 të pandehur për krim të organizuar dhe   38 kërkesa për gjykim me 142 të pandehur për korrupsion.

Për 29 procedime panel është paraqitur kërkesë për pushim.

Është vendosur pezullimi i hetimeve për 24 procedime penale.

Nga 575 persona në hetim 457 prej tyre janë hetuar me masë sigurimi, ndërsa 118 persona në hetim janë hetuar në gjendje të lirë.

Janë sekuestruar pasuri me vlerë 41 milionë euro

Jemi prokurorë por në asnjë rrethane nuk jemi inkuizitorë.

Detyra jonë është të hetojmë, të mbledhim prova dhe të akuzojmë.

Duke pasur parasysh shumë mirë se shumë nga subjektet tona janë zyrtarë që përfaqësojnë shtetin shqiptar.

Shifrat janë kokëforte, paçka se e jetojmë krimin e organizuar, sot ndër më të fuqishmit në botë masa arrest me burg me kërkesat tona zë vetëm 49 % të totalit për të cilat është kërkuar ose jo një masë sigurimi.

Numri total i të paraburgosurve është 2817, dhe vetëm 237 të paraburgosur janë për llogari të SPAK. Pra zënë vetëm 8.5%. E përsëris që ky numër është më pak se 9% e totalit.

Norvegjia njeh Palestinën si shtet, kryeministri i vendit: E vetmja zgjidhje për konfliktin në Lindjen e Mesme

Norvegjia ka njohur Palestinën si shtet. Këtë e ka konfirmuar kryeministri Jonas Gahr Støre të mërkurën në mëngjes, raportojnë mediat vendase.

 

“Qeveria ka vendosur që Norvegjia të njohë shtetin e Palestinës”, thotë Jonas Gahr Støre në një konferencë për shtyp të mërkurën, ndërsa theksoi se njohja do të hyjë në fuqi më 28 maj.

“Prandaj Norvegjia do ta konsiderojë Palestinën si një shtet të pavarur, të pavarur me të gjitha të drejtat dhe detyrat që kjo nënkupton që ju mundeni”.

Kryeministri thotë se e vetmja zgjidhje e mundshme për konfliktin në Lindjen e Mesme është zgjidhja me dy shtete.

“Palestinezët kanë një të drejtë themelore të pavarur për shtetin e tyre. Si palestinezët ashtu edhe izraelitët kanë të drejtë të jetojnë në paqe”, thotë ai.

“Ata që liruan të korruptuarit pyesin kreun e SPAK”, Basha: PD-ja qëndron e vendosur në mbështetje të SPAK-ut dhe BKH-së. Të votohet nisma e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke reaguar për mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku po raporton kreu i SPAK, Altin Dumani, kërkoi edhe njëherë që Kuvendi të përfshijë propozimet e PD për fuqizimin e SPAK që mbahen në sirtar në mënyrë të pashpjegueshme.
“Ata që liruan me amnisiti të korruptuarit e dënuar nga SPAK/GJKKO po marrin në pyetje SPAK-un. Nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përkundrazi, mbajnë bllokuar nismat ligjore të PD-së për t’i ardhur në ndihmë SPAK-ut dhe BKH-së”, shkruan Basha në Facebook.

POSTIMI I PLOTË:

Ata që liruan me amnisiti të korruptuarit e dënuar nga SPAK/GJKKO po marrin në pyetje SPAK-un. Nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përkundrazi, mbajnë bllokuar nismat ligjore të PD-së për t’i ardhur në ndihmë SPAK-ut dhe BKH-së.

Bëjnë sikur kërkojnë shpejtësi hetimi për korrupsionin nga SPAK-u, por fusin kokat poshtë tavolinave për nismën e PD-së për heqjen e imunitetit. Sepse duan t’u japin kohë të largohen të korruptuarve siç bënë me Arben Ahmetajn.

PD-ja qëndron e vendosur në mbështetje të SPAK-ut dhe BKH-së nëpërmjet propozimeve dhe amendamenteve të saj. Vetëm kështu do dalë në shesh e vërteta e atyre që duan vërtet drejtësi dhe hipokritëve të politikës 34-vjeçare që fshihen pas gishtit dhe në momentin e parë bëjnë gjithçka për ta sabotuar punën e drejtësisë.

Çfarë po ndodh? Një tjetër kryebashkiak socialist paraqitet në SPAK, zbardhet arsyeja

Leonard Hide, kryebashkiaku i Libohovës është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Më 18 Mars 2024 do të mbahej dhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme ndaj Hides, i cili akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në kohën kur ka qenë shef krimesh në komisariatin e Gjirokastrës.

Nga ana e tij, SPAK ka përfunduar hetimet dhe kaluar kërkesën për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të kryebashkiakut të Libohovës Leonard Hide dhe disa personave të tjerë mes të cilëve edhe funksionar policor.

Hide dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

Dyshimet janë gjithashtu se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie.

Ata kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”.

Në të njëjtën dosje me Hide janë edhe disa të pandehur të tjerë. Hide mori mandatin si kryebashkiak i Libohovës, nga zgjedhjet lokale të majit të vitit 2023, ku fitoi me 1401 vota përkundrejt kundërshtarit të tij.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi paraqitet në SPAK

Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme.

Nuk dihet arsyeja, por Bufi është kallëzuar në SPAK për dy vepra penale nga ana e Bufit, “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Sipas kallëzimit, kryebashkiakia ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.

Po ashtu rreth një vit më parë dega e PD Roskovec ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, duke e akuzuar për abuzim me tenderat.