16.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

KPA shkarkon nga detyra Alfred Ballën, kreun e KLP! Ina Rama: I hiqet mundësia për 15 vite për të kandiduar për prokuror, apo magjistrat apo inspektor

Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kaloi sot në vetting në shkallën e dytë kreun e KLP, Alfred Balla, ankimuar nga Komisioneri Publik.

 

Pas shqyrtimit KPA vendosi largimin e Ballës nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.

Trup gjykues e quan të drejtë ankimin e Komisionrit Publik. Trupi Gjykues me shumicë votash vendosi ndryshimin e vendimit numër, 675, “ndërprerje të procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën.
Balla nuk mund të pranohet si gjyqtar, ose prokuror, anëtari KLP apo KLGJ, inspektor i Këshillit të Lartë ose prokuror i përgjithshëm. Ky vendi hynë në fuqi menjëherë” u shpreh Ina Rama.

Alfred Balla u zgjodh në KLP, si kandidat i propozuar nga shoqëria civile, ndërkohë që ai me herët ka mbajtur postin e këshilltarit ligjore të Gjykatës së Lartë në vitin 2007.

Ndërkohë që Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Vettingut për Ballën, duke rikthyer në vëmendje se kreu i KLP nuk gëzon statusin e magjistratit.

Në përfundim të mandatit, Alfred Balla kërkon që të ushtrojë funksionin në një prej prokurorive të Apelit, por sipas Komisionerit Publik, Alfred Ballës i duhet hequr e drejta për 15 vite te ardhshme për të ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë pasi nuk gezon statusin e magjistratit.

Nga mësues personal i motrave të Ahmet Zogut, tek shefi i parë i shërbimit sekret shqiptar! Kush është Haki Stërmilli

Më 17 maj të vitit 1895 lindi në Dibër të madhe, Haki Stërmilli, shkrimtar i njohur, atdhetar dhe demokrat. Vinte nga një familje e madhe, por aspak konservatore.

 

Haki Stërmilli njihet si demokrat për shkak të qëndrimeve të tij të shprehura haptazi si për çështjet e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve, ashtu edhe për të drejtat e gruas në shoqëri. Pakkush e njeh rolin e tij si kryetar i shërbimit sekret shqiptar, në vitet 1923-1924, shërbim i cili në ato kohë njihej si “Sekretaria Sekrete”. Lidhja me letërsinë e shënjon në histori edhe si drejtor të Bibliotekës Kombëtare. Libri me të cilin u bë i njohur ishte “Sikur të isha djalë”, por ai shkroi edhe romanet “Burgu”, “Dashuni e besnikëri”, “Dibranja e mjerueshme”, “Agimi i lumnueshëm”, “Kalorësi e Skënderbeut” e të tjerë. “Sikur të isha djalë” është ndër më të lexuarit e të botuarit në kohën e tij. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord në historinë e letrave shqipe. Haki Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 pas një sëmundjeje të gjatë, duke qenë edhe deputet i Peshkopisë në Kuvendin Popullor.

ANGAZHIMET

Haki Stërmilli ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar në vitet 1923-1924 me dekret të Ahmet Zogut, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor. Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve në trevat e okupuara nga Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Është i njohur edhe për qëndrimin e tij demokratik e shumë përparimtar lidhur me të drejtat e femrave. Haki Stërmilli u lind në Dibër më 17 maj të vitit 1895 ku nisi shkollimin e mesëm në Manastir, por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare.

Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave të Ahmet Zogut. Në vitet 1920- 1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922, Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Hakiut për sekretar të shifrës. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti Zogu e dekretoi ministër më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe ministër i Brendshëm. Pas Lëvizjes së Qershorit, bën pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku Llazër Fundo u emërua kryetar. Me rikthimin e Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë.

Pavarësisht se Zogu donte ta kishte afër, Haki Stërmilli kishte bindje demokratike dhe nuk pajtohej me qeverisjen e tij autarkike. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik. Më vonë u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-në. Në vitin 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llambat elektrike të firmës OSRAM.

VEPRIMTARIA

Mbas pushtimit të Italisë gazeta “Fashizmi” në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimin e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar Mustafa Kruja e disa të tjerë. Për Stërmillin shënohej se “merrej me punë private”. Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalë nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në Mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet.

Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputeti Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor. Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Haki Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Botoi veprat “Dibranja e mjerueshme” (1923), “Dashuni e besnikëri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Burgu” (1935), “Sikur t’ isha djalë” (1936), “Trashëgimtarët tanë” (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigje të lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968). Romani “Sikur të isha djalë” është ndoshta i vetmi roman, ndër më të lexuarit e të botuar në kohën e tij. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvendësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XXI, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një plagë të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës.

“Nuk po përgatitemi për luftë, por…”- Ministri kroat paralajmëron: Situata në Kosovë nuk është e mirë, forcat tona janë aty për të ruajtur paqen

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç ka deklaruar se situata në Kosovë dhe rajon “nuk është ajo që do të donim të ishte”  dhe se është “jo e kënaqshme dhe jo e mirë”.

 

Anushiç i bëri komentet në ceremoninë e dërgimit të kontingjentit të 41-të të Forcave të Armatosura Kroate (HRVCON) në operacionin paqeruajtës të KFOR-it.

“Nëse situata do të ishte e mirë, nuk do të ishte e nevojshme të dërgonim forcat e armatosura në misionin e KFOR-it. Shpresojmë që NATO dhe KFOR të arrijnë të stabilizojnë situatën, që të mos ketë përshkallëzim të dhunës,” tha ai, duke shtuar se kishte disa situata që “ishin në kufi”, shkruan HRT,

Anushiç u shpreh se situatat e kohëve të fundit janë shkaktuar nga pala serbe.

“Të gjitha këto situata u shkaktuan nga pala serbe. Për këtë arsye, është e nevojshme të ruhet paqja dhe rendi në atë zonë. Prania e kontingjentit kroat dhe të gjithë të tjerëve që janë në Kosovë sigurisht që na jep të drejtën të mendojmë se siguria në Kosovë do të ruhet dhe mbrohet,” tha Anushiç.

Më tej ai tha se “Ne jemi një ushtri që është gati për parandalim, nuk po përgatitemi për ndonjë sulm ose luftë, por për parandalim. Ne duhet të jemi të fortë për të penguar këdo që mendon se mund të përsërisë ngjarjet e vitit 1991, dhe kur flasim konkretisht për Kosovën dhe sinqerisht edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, shpresoj që nuk do të ketë përshkallëzim të konfliktit”.

Njohja e Palestinës/ DW: BE me presion ndaj Izraelit! Kush janë dy shtetet që kanë nxitur iniciativën

Spanja dhe Irlanda janë dy shtete që kanë nxitur iniciativën e njohjes së Palestinës si shtet nga vende të tjera të BE. Kësaj po i bashkangjiten shtete të tjera, që kanë lidhje të ndryshme me palestinezët.

Në aspektin diplomatik Maji 2024 duhet të hyjë si muaj jashtëzakonisht i suksesshëm në historinë palestineze. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në një votim të saj aprovoi të drejta të zgjeruara për palestinezët në Kombet e Bashkuara. Vetëm e drejta e votimit i mungon tani palestinezëve për një anëtarësim të plotë. Tani ata ndodhen edhe para një hapi tjetër të rëndësishëm diplomatik. Pesë vende europiane janë gati të njohin zyrtarisht Palestinën si shtet sovran. Në këtë njohje reflektohet nga njëra anë solidariteti me popullsinë civile në Rripin e Gazës. Nga ana tjetër ky hap konsiderohet si pozicionim në favor të zgjidhjes me dy shtete në konfliktin e Lindjes së Mesme, një zgjidhje që e refuzon qeveria aktuale e djathtë e Izraelit.

Pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu bëri të ditur si objektiv të luftës asgjësimin e organizatës militante islamiste që sundon në Rripin e Gazës, Por për shkak të operacionit të ashpër izraelit, që sipas të dhënave palestineze ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 35.000 civilëve, si edhe gjendjes katastrofale humanitare, është rritur ndjeshëm presioni ndaj Izraelit kudo në botë.

Spanja: ndërmjetësuese e drejtë në Lindjen e Mesme?

Spanja dhe Irlanda duan të rrisin edhe më tej presionin kundër Izraelit duke njohur Palestinën. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka zhvilluar për këtë bisedime të shumta me partnerët europianë. Për shkak të refuzimit të Gjermanisë, ai ka përgatitur planet për një koalicion të të vullnetshmëve. I ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell ka paralajmëruar planet e Spanjës, Irlandës dhe Sllovenisë për 21 Majin.

Spanja ka lidhje të ngushta me shumë vende arabe, edhe Turqinë. Pjesërisht këto lidhje kanë mbetur që nga koha e diktaturës së Francos (1939-1975) që në vitet pas Luftës së Dytë Botërore e ruajtën vendin izolimi ekonomik dhe politik mes perëndimit dhe lindjes. Pas rrëzimit të diktaturës së Francos në vitin 1975, Spanja vendosi marrëdhënie ekonomike me Izraelin, në vitin 1986 pasoi vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Në vitet e mëpasme, Spanja u ngrit si ndërmjetësuese e besuar mes shtetit izraelit dhe botës arabe. Një konferencë në vitin 1991 që u zhvillua në Madrid konsiderohet si prologu i procesit të paqes në Oslo mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Irlanda: Solidarizim për arsye historike

Edhe Irlanda është shfaqur si mbështetëse e fortë e palestinezëve që në ditët e para të luftës në Rripin e Gazës. Kur mori detyrën në mesin e prillit, kryeministri i ri, Simon Harris, ishte spanjolli Sanchez ishte kreu i parë i qeverisë që vizitoi Dublinin dhe një hap i përbashkët ishte tema kryesore e takimit. Qeveria irlandeze ngre lart për vete faktin, që angazhohet më gjatë se çdo vend i tjetër i BE për zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.

Identifikimi i fortë i Irlandës me Palestinën i ka gjurmët në historinë e vendit: Ai fillon me funksionarin britanik, Arthur Balfour, që në shekullin e 19-të, ishte përgjegjës për kolonializimin e Irlandës nga Mbretëria britanike dhe ia mohoi të drejtën e vetëadministrimit. Në vitin 1917, Balfour ndërkohë në postin e ministrit të Jashtëm britanik ishte krijues i deklaratës me të njëjtin emër Deklarat Balfour, në të cilën ai mbështet idën e një vatre për hebrenjtë në Palestinën e atëhershme të kontrolluar nga Perandoria Osmane. Pasi ky rajon pak më vonë u bë protektorat britanik, shërbyen aty shumë xhandarë që më parë kishin luftuar si grupim paramilitarist “Black and Tans” kundër kryengritësve irlandezë. Kthimi i hebrenjve në Lindjen e Mesme kryesisht myslimane në Irlandën katolike u krahasua me vendosjen e protestantëve britanikë në veriun e ishullit irlandez. Konfliktin që rezultoi më pas si konflikti i Irlandës së Veriut disa irlandezë e lidhin me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Mbështetje nga Sllovenia, Malta, Norvegjia – pozicione të ndryshme brenda BE

Për të çuar përpara projektin e njohjes së Palestinës, Spanja dhe Irlanda kanë tërhequr në koalicionin e të vullnetshmëve edhe vende të tjera. Sllovenia psh. ka bërë të ditur perspektivën e njohjes së Palestinës deri në mesin e qershorit. Edhe anëtarja tjetër e BE, Malta e ka bërë të ditur njohjen si shtet palestinez. Norvegjia është një vend tjetër që është duke menduar njohjen e Palestinës “gjatë pranverës”. Në prill në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u zhvillua një votim për anëtarësimin e plotë palestinez në OKB, por ai dështoi për shkak të vetos amerikane.

Brenda BE deri tani Palestinën e njohin disa vende të Europës Qendrore e Lindore. Njohjet janë të lidhura me kohën e socializmit, gjatë së cilës kishte lidhje ideologjike me kreun e PLO, lëvizjes palestineze, Jaser Arafat. Disa nga këto vende, si Çekia dhe Hungaria sot konsiderohen si mbështetëse të Izraelit, megjithëse mbajnë lidhje diplomatike me palestinezët. I pari dhe i vetmi vend që e ka njohur Palestinën si shtet pas hyrjes në BE ka qenë Suedia në vitin 2014.

Nuk dihet nëse koalicioni spanjollo-irlandez do të zgjerohet më tej. Në Belgjikë qeveria ende është e pavendosur. Portugalia pas ndërrimit të qeverisë në favor të qeverisë konservatore ka hequr dorë nga këto plane.

Vende të tjera si Gjermania kanë marrëdhënie me Autoritetin Autonom Palestinez, por duan ta njohin Palestinën si shtet, vetëm kur ta njohë Izraeli. Por për sa kohë në zonat palestineze është faktor politik Hamasi, që nga shumë vende, edhe BE e SHBA kategorizohet si organizatë terroriste, një hap i tillë konsiderohet si i pamundur/DW

IDM, Anketa: Tetë në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni i vogël dhe i madh janë të përhapur

Anketa vjetore e opinionit publik “Besimi në Qeverisje 2023”, zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në të 61 bashkitë e Shqipërisë, zbuloi se shumica e pjesëmarrësve (81.5%) e vlerësojnë korrupsionin e madh si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”, duke shënuar një rritje me 4.8 pikë në krahasim me vitin 2022. Vetëm 15.6% e qytetarëve e shohin atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Rritje ka shënuar edhe mosbesimi ndaj prokurorisë. Një pjesë e madhe e të anketuarve (62.8%) nuk besojnë tek aftësia e prokurorisë për të trajtuar rastet e korrupsionit të madh, ose shprehin 5.9 për qind më shumë mosbesim nga një vit më parë, kur ky tregues ishte 56.9%.

Anketa IDM, 2
Anketa IDM, 2

Një shumicë po aq e madhe (81.3%) e tyre vlerësojnë korrupsionin e vogël si “të përhapur” ose “shumë të përhapur”. Vetëm 16.2% që e konsiderojnë atë “jo të përhapur” ose “aspak të përhapur”. Ndërsa 56.8% e tyre shprehën mungesë besimi tek prokuroria, se ajo mund të ndjekë në mënyrë të efektshme rastet e korrupsionit të vogël. Gjithsesi besimi është rritur me 9 % nga viti 2022, kur mosbesimi ishte 65.8%.

Nga bashkimi i të dhënave doli që tetë në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni i vogël dhe i madh është i përhapur dhe shumë i përhapur në vend. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara në vitin 2023 janë drejtësia (17.5%), shëndetësia (14.8%) dhe policia (7.2%).

“Edhe në këtë anketim vijon tendenca e gjithë këtyre viteve të fundit me përqindje shumë të larta të perceptimit, që ka publiku shqiptar në lidhje me përhapjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe atij të ulët. Mesatarja ndër vite është mbi 77 për qind e të anketuarve. Për të kuptuar shkaqet thelbësore të këtij perceptimi tepër të lartë mbi korrupsionin, duhen studiuar shumë zhvillime sociale e politike në vend”, thotë për Zërin e Amerikës, Besjana Kuçi një nga autoret e këtij studimi.

Megjithë këtë perceptim të lartë mbi përhapjen e korrupsionit, vetëm 14.7% e anketuarve pohuan se ishin dëshmitarë në rastet e korrupsionit të qeverisjes qendrore dhe 21.6% e tyre thonë se ishin dëshmitarë në korrupsion të qeverisjes vendore.

Gjatë kësaj ankete pohuan se kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime një e treta e qytetarëve (29.8%) tek zyrtarët e qeverisjes qendrore dhe po aq qytetarë për zyrtarë të qeverisjes vendore. Ndër arsyet për dhënien e ryshfetit më shumë se gjysma e qytetarëve (57.8%) pohuan se ryshfeti u ishte kërkuar, pjesa tjetër (21.7%) thanë se paguan për të marrë shërbime më të mira herën tjetër, ndërsa të tjerë (14.8%) se paguan si mirënjohje për shërbimet e marra. Vetëm një pakicë (10.9%) e atyre që paguan ryshfete, e raportuan atë tek autoritetet. Një pjesë e madhe (39%) e atyre që nuk e raportuan, thanë se e shohin ryshfetin si praktikë të zakonshme, të tjerët (32.2%) e mendonin denoncimin si të padobishëm dhe më pak (8.3%) thanë se kishin frikë nga hakmarrja.

Institucionet më pak të besuara në Shqipëri gjatë vitit 2023 janë partitë politike (25.5%), parlamenti (29.1%), gjykatat (33.4%), madje me një rënie nga 3-5 pikë krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, besimi i publikut te presidenti ka rënë me 6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Organet e drejtësisë shfaqen në këtë anketë me pamje të kundërta; gjykatat (33.4%) dhe prokuroria (33.7%) renditen si institucionet më pak të besuara për qytetarët. Por nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – SPAK (60.3%) renditet ndër institucionet më shumë të besuara, madje shënoi një rritje të konsiderueshme prej 10 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Më shumë se gjysma e të anketuarve (50.2%) pohojnë se sistemi i reformuar i drejtësisë po jep ndihmesë pozitive në zhvillimin e vendit, ndërsa në krahun tjetër, një pjesë e konsiderueshme (44.9%) e qytetarëve nuk janë dakord me këtë pohim.

Të anketuarit renditin si institucionet më shumë të besuara organizatat ndërkombëtare si NATO (76.7%), OKB (74.3%) dhe BE (74.7%), dhe më pas vijnë institucionet fetare vendase (67%), si dhe organizatat e shoqërisë civile (55.7%).

Ashtu si renditën ndër organet më pak të besuara, të anketuarit cilësojnë gjykatat (35.5%) dhe prokurorinë (35.3%) si institucionet më të ndikuara politikisht nga gjithë të tjerët ndonëse me një përmirësim në krahasim me vitin 2022 (përkatësisht 41.8% dhe 38.6% e të anketuarve). Perceptimi sa i takon ndikimit prej politikës është përmirësuar gjatë 2023 karahasuar me një vit më parë në të gjitha institucionet, por ndryshimet më të mëdha u shënuan tek mediat (-9 pikë), SPAK-u (-8 pikë) dhe gjykatat (-7 pikë).

Afro 60 për qind e shqiptarëve të anketuar mendojnë se qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë transparencë e llogaridhënie. Pjesa më e madhe tyre mendojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më shumë se sa institucionet vendase. Kontrolli i Lartë i Shtetit (58.6%) dhe parlamenti (49.5%) cilësohen si institucionet vendase më të efektshme për llogaridhënien e qeverisë, ndonëse me një rënie të konsiderueshme një vit më parë (përkatësisht -5 dhe -9 pikë).

Pasiguria e qytetarëve në jetën e përditshme është rritur po ashtu. 67.6% e qytetarëve të anketuar thonë se nuk ndjehen të sigurtë në jetën e përditshme, me një rritje të ndjeshme prej 8 pikë përqindje nga niveli 59.3% në 2022. Të anketuarit pohuan se tre arsyet kryesore të pasigurisë janë kriminaliteti, shëndetësia pa cilësi e standarte, dhe pasiguria e vendit të punës. Pjesa tjetër, 32.4%, thanë se ndjeheshin të sigurt.

Në vitin 2023, 38.3% e të anketuarve pohuan se dëshirojnë të largohen nga vendi për të emigruar, afërsisht po aq sa edhe në vitin 2022. Shumica e tyre janë të rinj, 18-25 vjeçarë dhe studentë. Ndër arsyet kryesore të dëshirës për të shkuar në një shtet tjetër ata renditin punësimin, paga më të mira, mundësi më të mira arsimimi dhe mjekimi si dhe bashkimin me pjesëtarët e tjerë të familjes. Vetëm 5.5% e të anketuarve deklarojnë se duan të zhvendosen në zona të tjera brenda vendit. Pjesa tjetër (56.2%) e të anketuarve thanë se nuk po planifikojnë të largohen nga vendbanimi i tyre.

Pjesëmarrja e qytetarëve në konsultime dhe tubime ka mbetur e ulët apo ka rënë më tej. Të anketuarit theksuan se fushat më të rëndësishme që duhen trajtuar me përparësi nga qeveria ne 5 vitet e ardhshme janë kujdesi shëndetësor (54%) dhe arsimi (38%), pasuar nga turizmi, infrastruktura e transportit dhe bujqësia. Vetëm një pakicë e tyre (10.9%) pohuan se ishin ftuar në proceset e konsultimit të qeverisë qendrore, dhe vetëm një pakicë (18.5%) kishin marrë ftesa për konsultime në nivel vendor, ndërsa pjesëmarrja aktuale ka mbetur vazhdimisht e ulët gjatë viteve, nën 25% e qytetarëve. Pjesëmarrja e tyre në një demonstratë / tubim apo nënshkrim peticioni ra në 25.2% në 2023, kundrejt 32.2% një vit më parë.

Vetëm katër nga dhjetë qytetarë (39.3%) thanë se ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike bazë. Pakënaqësitë më të mëdha lidhen me shërbimet gjyqësore, me transportin publik dhe shërbimin policor, ndërsa vlerësime më të larta kanë marrë furnizimi me ujë (47.2%), shërbimi i pastrimit (47.3%), arsimi (46.2%) dhe shërbimet shëndetësore publike (44%). Shumica dërrmuese e të anketuarve (90.7%) mendojnë se mbrojtja e të dhënave personale është e rëndësishme ose shumë e rëndësishme, por vetëm një e treta e tyre (35%) besojnë në aftësinë e aktorëve publikë për të menaxhuar të dhënat personale elektronike dhe më akoma më pak prej tyre (30.8%) pohuan të njëjtën gjë për sektorin privat.

Anketa “Besimi në Qeverisje” vëren se opinioni publik po ndikohet nga përparimi në procesin integrues në BE, ndërsa autorët pohojnë se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, dhe shumica e përgjigjeve nga qytetarët janë nxitur prej hapave të ndërmarra për ta luftuar atë, krahas hetimeve penale, ku janë përfshirë zyrtarë të të lartë si ish-ministra dhe deputetë.

Basha shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të kryetarit të Shoqatës të të Përndjekurve Politik, Tanush Mulleti

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Tanush Mulletit, pinjoll i denjë i një prej familjeve më fisnike të Tiranës dhe përfaqësues i një brezi të përndjekurish politikë që treguan dinjitet, largpamësi dhe kurajo.

Basha shprehet se “Mulleti si kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, bëri gjithçka që shtresa nga e cila vinte të trajtohej me dinjitet dhe të kishte rolin që i takonte në shoqërinë shqiptare”.

Postimi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha:

Ndarja nga jeta e Tanush Mulletit, pinjollit të denjë të një prej familjeve më fisnike të Tiranës, është një lajm i trishtë jo vetëm për familjarët dhe të afërmit, por edhe për miqtë, bashkëpunëtorët dhe bashkudhëtarët e kauzës së lirisë dhe dinjitetit kombëtar.

Tanush Mulleti ishte përfaqësues i denjë i një brezi të përndjekurish politikë që treguan dinjitet, largpamësi dhe kurajo. Si kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë ai bëri gjithçka që shtresa nga e cila vinte të trajtohej me dinjitet dhe të kishte rolin që i takonte në shoqërinë shqiptare.

Njerëz të tillë fisnikë dhe të virtytshëm që vuajtjet e patregueshme të përndjekjes i kthyen në forcë dhe në guxim për të dëshmuar realitetin e kobshëm të diktaturës, meritojnë nderimin dhe mirënjohjen më të thellë të qytetarëve dhe vendit.

U prehtë në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi i tij!

Ministrja gjermane në vizitë të paparalajmëruar në Kiev, ja arsyeja

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, mbërriti në Kiev mëngjesin e së martës në një vizitë befasuese, për ta mbështetur Ukrainën.

 

Vizita e saj nuk ishte paralajmëruar paraprakisht për shkaqe sigurie.

Ministrja gjermane bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, në një kohë kur Rusia po kryen një ofensivë të re në rajonin e Harkivit.

Kjo është vizita e shtatë e Baerbockut në Ukrainë, prej se Rusia e nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt 2022.

Gjermania është njëra prej mbështetësve më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtuesit rus.

Në fillim të këtij muaji, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius , tha se vendi i tij do t’ia dërgojë Ukrainës tre sisteme të tjera raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, të njohura si HIMARS.

HIMARS është një raketahedhës i vendosur në kamion, i cili mund shkrep raketa të shumëfishta përnjëherë.

Në prill, Qeveria gjermane njoftoi se do t’ia dërgonte menjëherë Ukrainës një kundërajror Patriot, një sistem mbrojtës ajror, me të cilët presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë ta furnizojnë Kievin.

Ushtria ukrainase është duke u përballur me trysni të madhe në javët e fundit nga një ofensivë e re e Rusisë në rajonin e Harkivit. Trupat e Kievi po përballen po ashtu me mungesë të municioneve. Rusia pretendon se i ka marrë nën kontroll një sërë vendbanimesh gjatë kësaj ofensive./REL

I paudhë që duhet të ndëshkojë drejtësia dhe Zoti!

Nga Azgan Haklaj

Në teracën e bashkisë së metropolit të vendit, pikërisht në lartësinë e objekteve kryesore të tre besimeve religjioze kombëtare, Xhamia e E’them Beut, Katedralja Katolike dhe Katredalja Ortodokse që qëndrojnë në harmoni pranë e pranë një provokim i shëmtuar ju servir publikut shqiptar. Shefi i orgjive e përvesiteteve të G -99-ës e fatkeqësisht kryebashkiak i Tiranës Erjon Veliaj inskenoi një ceremoni martesë të të njëjtës gjini (femërore).

Nuk është intensioni im as njerëzor dhe as politik të paragjykoj orientimet ndryshe dhe as të bëhem unison me Ilir Metën e Belon e foltores që mezi pritën të bënin prononcime të bujshme paraelektorale kundër Erjon Veliajt e PS-së.
E vërteta ime është origjinale dhe personale por e bazuar totalisht si në ligjet kushtetuese të vendit po aq dhe në kodit zakonor shqiptar.

Nëse Ilir Meta ka hallin e diskretitimit të Veliajt që i dogji bashkëpunëtorin në hajni Arben Ahmetaj që nga koha i impulseve te Dhimitraq Raftit, Belo ka shtysen e vjehrrit Artan Shkreli i cili u injorua nga Veliaj për të marrë pjesë në kullizimin e Tiranës.
Pra që të dy nuk nisen nga skandali kundër ligjit dhe dinjitetit shqiptar por nga interesa okulte e meskine.
Erjon Velaj duhet të bëhet përgjegjës se ka shkelur ligjin dhe kushtetutën e Shqipërisë.
Atë nuk e shpëton dot kjo lojë për të injoruar skandalin e shekullit që ka shënuar me taksat e qytetarëve me inceneratorin e Tiranës dhe 5 D-në.

Me besim te SPAK-u që do i shkojë në fund hetimit i drejtohem Veliajt si shqiptar:
Ke humbur totalisht e përjetësisht të drejten jo vetëm për të drejtuar Tiranën por edhe për të qënë banor i thjeshtë i saj.
Në anët tona kur të paudhët kryenin vepra të tilla që cënojnë kanunin, nderin dhe moralin, komuntiteti e pleqësia mblidheshin dhe jo vetëm i përzinin përgjithmonë por i digjnin të gjitha pronat e tyre.
E sot meqë nuk jemi në shekujt kur vendoste kanuni e pleqësia le të flasë e të vendosë me ashpërsi drejtësa.

“Shtrimet në spitale rriten, buxhetimi për Shëndetësinë jo”, Oriola Pampuri: Pagesat për 4 PPP e padobishme shkon në 50 mln euro, ndërsa Urgjenca akoma nuk rinis punë

Nënkryetarja e PD, Oriola Pampuri, në një postim në Facebook, shkruan se që shtrimet në spitale në të gjithë vendin rriten me vlerë dyshifrore nga viti në vit, ndwrsa buxhetimi qëndron në vendnumëro. Pampurit shprehet se gati dy herë më shumë se sa investimet në Shëndetësi shkojnë cdo vit pagesa për 4 koncesionaret PPP, plot 50 milionë euro.

Ajo më tej thotw se këto koncesione vazhdojnë të jenë të padobishme dhe këtë e tregojnë kostot e rritura për barna të rimbursueshme nga buxheti i shtetit dhe rritja e shpenzimeve jashtë sistemit, pra “para nga xhepi” i shqiptarëve me mbi 60% për trajtime ndaj sëmundjeve të cilat dhe nga ana e tyre janë rritur nga viti në vit.

Deputetja e PD gjithashtu sjell në vëmendje deklaratën e ministres së Shëndetësisë se Urgjenca e Spitalit të Ri të Tiranës do të riniste të funksiononte, ndërkohë po afron fundi i Majit dhe akoma nuk hapur.

Postimi i Nënkryetares së PD, deputetja, Oriola Pampuri:

Ndërkohë që shtrimet në spitale në të gjithë vendin rriten me vlerë dyshifrore nga viti në vit, buxhetimi qëndron në vendnumëro.

Në fakt kjo është situata në Shëndetësi, në kontradiktë nevojat përkundrejt shpenzimeve buxhetore. Gati dy herë më shumë se sa investimet në Shëndetësi shkojnë cdo vit pagesa për 4 koncesionaret PPP, plot 50 milion euro.

Megjithatë pavarësisht se kanë thuajse sa qeveria që rëndojnë buxhetin e shtetit, sikundër check-up këto koncesione vazhdojnë të jenë të padobishme. Këtë e tregojnë kostot e rritura për barna të rimbursueshme nga buxheti I shtetit nga njëra anë dhe tjetra me rritjen e shpenzimeve jashtë sistemit, pra “para nga xhepi” i shqiptarëve me mbi 60% për trajtime ndaj sëmundjeve të cilat dhe nga ana e tyre janë rritur nga viti në vit. Pra efekti parandalues që do të duhet të kishim nga diagnostikimi në kohë nëpërmjet check-up i cili targeton pikërisht popullsinë më potenciale për patologji kronike e të rënda, është në fakt një dështim i plotë.

Sipas të dhënave të INSTAT, mbi 40% e shtrimeve ndodhin në QSUT dhe një pjesë e konsiderueshme janë prej rritjes së sëmundjeve kronike.

Kjo panoramë tregon qartë që politikat publike, programet dhe strategjitë e qeverisë bëhen thjeshtë për fasadë, ndërkohë papërgjegjshmëria dhe babëzia për të abuzuar me fondet publike po merr jetë njerëzish.

Makutëria e qeveritarëve të korruptuar të një modeli qeverisës gati 30 vjecar, imun nga pandëshkueshmëria, imun nga shteti i së drejtës, imun nga drejtësia kanë vepruar me arrogancë të plotë në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të shëndetit e jetës së njerëzve.

Sot ish ministra do të duhet të jenë përgjegjës jo vetëm politikë por dhe para drejtësisë për shkatërrimin e Shëndetësisë por dhe për gjendjen që është shërbimi parësor e dytësor në të gjithë vendin.

Po afron fundi i Majit, dhe premtimi i Ministres së rë të Shëndetësisë se Urgjenca e Spitalit të Ri të Tiranës do të riniste të funksiononte, është jo vetëm një sfidë publike e saj, por tregon një model se ku shkon papërgjegjshmëria dhe mungesa e transparencës së qeverisjes.

Plot 17 milion euro ishte fatura e parë që shqiptarët paguan për rikonstruksionin e godinës, ndërkohë pas Zjarrit pa fajtorë, me gati 4 muaj pa ofrim shërbimi urgjence, apo dhe gati më shumë se gjysma e godinës jashtë funksionit, dhe me një faturë të kripur ndërhyrjerje pa transparencë, qytetarët sërisht janë në pritje se kur do të rinisë.

Emri/ Lejonte ndërtimet pa leje në Ksamil, e pëson keq përgjegjësi i IKMT! Si e futi në kurth 40-vjeçarin telefonata anonime

Gjykata e Sarandës ka pranuar pak ditë më parë kërkesën e Prokurorisë së këtij qyteti për dërgimin në gjyq të çështjes në ngarkim të ish Përgjegjësit të IKMT Sarandë, 40-vjeçari Julian Preni, të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Hetimi nisi pas një telefonate anonime në Komisariatin e Sarandës në 29 prill 2020, ku një person denoncoi se në 28 shkurt të atij viti, përgjegjësi i IKMT Sarandë, Julian Preni kishte marrë ryshfet 6000 euro nga një biznes në Ksamil për të mos prishur disa mure të ndërtuara pa leje. Veprimet hetimore i kreu SPAK, duke marrë në pyetje disa persona, këqyrur telefonat celularë apo duke kryer përgjime dhe deri edhe kontroll banese të Julian Prenit.

Duke mos gjetur elementë të veprës penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK ka shpallur moskompetencë duke e transferuar dosjen në Prokurorinë e Sarandës për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Sarandës ndërkohë ka vijuar hetimet ndaj Prenit duke kërkuar informacion në lidhje me dy objekte që i pandehuri ka në proces legalizimi në Njësinë Administrative Ksamil dhe që dyshohet se mund të jenë ndërtuar nga ai në kohën që ka qenë në detyrë pranë IKMT.

Sipas Prokurorisë, bazuar në dosjen personale të ish punonjësit të IKMT Julian Preni, rezulton se prej Janarit 2016, është transferuar si Inspektor i Inspektimit në Terren, detyrë të cilën e ka kryer deri më 1 korrik 2019, kur rezulton se është komanduar edhe në detyrën e Përgjegjësit të IKMT, Sektori Sarandë.

Këtë detyrë, ai e ka kryer deri më datë 21.5.2020. Sipas Prokurorisë, pavarësisht nga koha e kryerjes së ndërtimeve të cilat ka në proces legalizimi i pandehuri Julian Preni, ato ndërtime, si pa leje, duhet të ishin prishur nga i pandehuri, duke qenë se ka qenë në detyrë për inspektimin e territorit, e aq më tepër si Përgjegjës i komanduar i IKMT, Dega Sarandë. Për këtë arsye ndaj tij është ngritur akuza “shpërdorim detyre”.

Julian Preni aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi është arrestuar me urdhër të SPAK në 26 tetor 2023 për një çështje tjetër penale ku akuzohet për “korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Para pak ditësh SPAK ka mbyllur hetimet duke dërguar çështjen në gjyq. Sa i përket procesit në Sarandë, Preni nuk ka pranuar të paraqitet duke u përfaqësuar vetëm nga avokati.