24.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

U aktivizua 21 ndeshje në Serinë B, talenti shqiptar: Kam ëndërr ftesën nga Kombëtarja dhe ngjitjen në elitë

Talenti shqiptar, Kleis Bozhanaj zhvilloi një sezon mjaft të mirë në Serinë B italiane, ku u aktivizua 21 ndeshje dhe gjeti 3 herë rrugën e rrjetës, me skuadrën që u rendit në vendin e 10-të në kampionat. 19-vjeçari ka folur së fundmi për “Paraladisport”, teksa zbuloi se është të marrë ftesë nga Kombëtarja shqiptare dhe të ngjitet me Modenën në Serinë A.

Mesfushori ofensiv është aktivizuar deri më tani me ekipet zinxhir të Kombëtares kuqezi, ku ka luajtur me Shqipërinë U16, U17, U18 dhe atë U19. Me ekipet e moshave ka zhvilluar 9 ndeshje, ku ka gjetur edhe 3 herë rrugën e rrjetës.

“Nuk ishte aspak e lehtë në fillim, duke qenë se isha jashtë për më shumë se dy muaj për shkak të dëmtimeve dhe problemeve fizike. Moskryerja e plotë e përgatitjes fizike më penalizioi gjatë kampionatit, por në fund mund të them se ishte një vit me ulje-ngritje. Përfundoi mirë, por mund të bënim më mirë se aq, ama të mendojmë për gjërat pozitive dhe të ecim përpara duke parë për sezonin e ardhshëm.

Objektivi im kryesor është që të kryej një përgatitje fizike të plotë, më pas duhet të përmirësohem në aspekte të ndryshme për të qenë më i saktë. Ëndrra është ngjitja e Modenës në Serie A dhe ftesa nga Kombëtarja e Shqipërisë”, tha Kleis Bozhanaj.

Rastet e problemeve shëndetësore kur nuk duhet të hani spinaq, ja çfarë duhet të dini

Spinaqi konsiderohet si një bimë e shkëlqyer për shëndetin e organizmit.

Megjithatë, studimet kanë zbuluar se spinaqi dhe shumë barishte të tjera përmbajnë një substancë oksalat, e cila shkakton gurë në veshka dhe pengon përthithjen e ushqyesve të duhur.

Gjërat që duhet të dini për oksalatin

Oksalati është një kripë natyrale që prodhohet nga trupi dhe që gjendet tek disa bimë. Shkencëtarët besojnë se kjo kripë u jep barishteve shijen e athët për t’i mbrojtur nga ‘grabitqarët’ e ndryshëm, përfshirë njeriun.

Sasitë e oksalatit janë të ndryshme por kjo substancë gjendet që nga panxhari, arrorët e deri tek spinaqi.

Trupi e transformon vitaminën C në oksalat, që do të thotë se frutat e pyllit apo kivi mund të jenë një problem i dyfishtë për organizmin.

Kjo ndodh sepse këto fruta janë të pasura si me oksalat ashtu edhe me vitaminën C. Oksalati në vetvete nuk është diçka e keqe, sepse ai lidhet me mineralet si kalçiumi apo hekuri dhe del nëpërmjet rrugëve urinare.

Problemet që lindin me konsumin e oksalatit

Sipas të dhënave, bashkëveprimi i kalçiumit me oksalatin formon gurë në veshka kur sasia e kësaj substance është tepër e madhe.

Formimi i kristaleve është i paevitueshëm. Një tjetër problem që shkakton oksalati i tepërt është se pengon përthithjen e vlerave të mineraleve dhe vitaminave.

Për shembull, edhe pse spinaqi është shumë i pasur me kalçium, oksalati pengon përthithjen e këtij minerali.

Lajmi i mirë është se një pjesë e kësaj kripe arrin të shpërbëhet nga bakteret e stomakut, të cilat pengojnë formimin e gurëve në veshka.

Megjithatë, duke qenë se njeriu konsumon shumë antibiotikë, bakteret e mira në stomak eliminohen me shpejtësi dhe stomaku është i pambrojtur.

A duhet të hiqni dorë nga spinaqi?

Shumë njerëz kanë ndjeshmëri të lartë ndaj oksalatit. Këtu përfshihen ata që vuajnë nga inflamacioni i zorrëve ose ata që kanë kryer një bajpas gastrik.

Në këto raste, oksalati akumulohet me shpejtësi në veshka. Për të kuptuar nëse duhet të hiqni dorë nga spinaqi, duhet të analizoni bakteret në stomakun tuaj për të vlerësuar gjendjen dhe aftësinë mbrojtëse të tyre. /AgroWeb.org

Gazetari Poli Hoxha: Metamorfoza ka emra nga Policia dhe politika që nuk kanë dalë

Operacioni “Metamorfoza” ka qenë temë diskutimi në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH.

Analisti Poli Hoxha tha se në këtë operacion ka të përfshirë emra nga policia dhe politika, por që sipas tij, ata janë ende në pozicione dhe nuk i kanë dalë emrat akoma.

“Hetimit vazhdojnë, vazhdon kryqëzimi i fakteve. Ka emra sidomos nga policia dhe politika që nuk janë shfaqur pasi i gjithë ky operacion është fokusuar në kapjen e kokave e këtyre organizatave. Besoj se do dëgjojmë shumë. Është hapur kutia e Pandorës, për mua është vetëm histori sepse sa vjen dhe po i afrohet simbiozës së krimit të organizuar me politikën. SPAK tashmë është përfshirë.

Sot ne e quajmë krim të organizuar, dje kanë qenë ata të fortët e zonave, por do dalin dhe do shpalosen. Duket thënë që është politika që i ka ftuar këta dhe pastaj kanë vijuar rrugën bashkë. Kokat e vërteta të krimit në Shqipëri janë me xhaketa dhe ende nuk kanë dalë”, tha Hoxha.

Zbërthimi i dosjes “Metamorfoza 2”, një nga aksionet më të mëdha të SPAK që nisi mëngjesin e 17 majit të 2024-ës çoi çmontimin e 7 bandave kriminale dhe zbardhjen e 21 ngjarjeve te ndodhura për hesap të tyre.

Paraqitja e Ballukut në SPAK/ “Do ketë mundësi të takojë “kolegët” prapë”, Sefa: Nëse drejtori i rrugëve hante dardha mbrapa shpine…

Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa, i ftuar në studion e “Open” ka komentuar paraqitjen e zv/kryeministres Belinda Balluku në ambientet e SPAK.

Ai u shpreh se Balluku do të paraqitet sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të takuar “kolegët”, duke iu referuar ironikisht prokurorëve.

Sefa argumentoi arrestimin e ish-kreut të ARRSH, Evis Berberit, duke thënë se nëse ky i fundit “hante dardha pas ministres”, ajo nuk mund të mos ketë pasur dijeni.

“Do ketë mundësi për të ritakuar kolegët, patjetër. Nëse drejtori i rrugëve mendohet se ka ngrënë dardha pas ministres, kjo nuk mund të mos ekzistonte… Zv/ kryeministrja ka bërë edhe një VKM që ka shfuqizuar gjithë njësinë monitoruese për inceneratorin”, u shpreh ai.

“Mani pulite” shqiptare: A do sjellë SPAK fundin e kastës politike në Shqipëri?

NGA ADRI NURELLARI

Funksionalizimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK-ut) dhe nisja e hetimeve e proceseve gjyqësore për nivelet më të larta qeverisëse, përfshirë ish-presidentë, ishkryeministra, ish-ministra dhe kryetarë bashkish paralajmëron një cunami të madh që po trondit themelet e elitës politike. Gjithë kjo që po ndodh në Shqipëri të kujton menjëherë Mani Pulite (Duart e Pastra) e Italisë së para tre dekadave. Bëhet fjalë për hetimin gjigant të viteve 1992-‘94, për korrupsion dhe lidhjet me mafien, i cili shkatërroi sistemin e vjetër politik italian dhe i hapi rrugën një klase të re politike. Hetimet dhe ndjekjet penale që pasuan zbulimin e skandaleve çuan në arrestimin dhe dënimin e qindra personave, duke përfshirë ish-krerë qeverie, ministra dhe drejtues të partive politike italiane. Ndër protagonistët e hetimeve, ishin liderë që dominonin jetën politike italiane për një kohë të gjatë si: Bettino Craxi, ish-kryeministër dhe lider i Partisë Socialiste Italiane; Arnaldo Forlani, ish-kryeministër dhe lider i Partisë Demokristiane si dhe Giulio Andreotti, po ashtu disa herë drejtues i ekzekutivit dhe figura qendrore e Partisë Demokristiane. Si pasojë e këtij skandali, sistemi tradicional i partive politike në Itali u shemb, duke i hapur rrugën lindjes së forcave të reja politike dhe rikonfigurimit rrënjësor të skenës politike italiane. Modeli i Italisë ka ngjashmëri të madhe me kërcënimin që po sfidon kastën politike të kalcifikuar shqiptare, e cila ngelet e kontrolluar nga triumvirati Rama, Berisha dhe Meta. Të tre këta liderë u shfaqën në jetën publike në dhjetorin e vitit 1990 dhe prej atëherë kanë alternuar postet kryesore politike të vendit me njëri-tjetrin, duke qenë figura politike dominuese për më shumë se tri dekada.

Rasti i Italisë është më flagranti për sa i përket përmbysjes së elitës së korruptuar politike prej dorës së hekurt të drejtësisë, por ka edhe raste të tjera nëpër botë. Një tjetër rast i njohur ka qenë skandali i korrupsionit në Malajzi me fondin shtetëror 1MDB, ku miliarda dollarë u zhdukën përmes korrupsionit nga qeveria e Najib Razak. Si rezultat i proceseve gjyqësore, bashkë me Razakub u rrëzua koalicioni Barisan që ai drejtonte, i cili kishte qeverisur për gati 61 vjet vendin. Një tjetër rast ishin hetimet kundër korrupsionit në Korenë e Jugut që çuan në burg presidenten Park Geun-hye për korrupsion dhe abuzim të pushtetit. Kjo ngjarje e vitit 2017 shkaktoi një ndryshim të madh në konjukturën politike duke sjellë Moon Jae-in si president. Gjithashtu zbulimi i Panama Papers në vitin 2016 ekspozoi në skema korruptive disa politikanë të lartë islandezë, duke përfshirë kryeministrin, ministrin e Brendshëm e të Financave. Skandali nxiti protesta të shumta dhe dorëheqjen e qeverisë dhe çoi në zgjedhje të parakohshme që e ndryshuan thellë realitetin politik të Islandës.

Për sa i përket SPAK-ut, që po vepron si lokomotiva e këtij ndryshimi të madh që po ndodh në Shqipëri, duhet theksuar se nuk është gjë e rrallë që një strukturë e veçantë antikorrupsion, të sjellë ndryshime radikale. Agjencia e parë e autonome qeveritare e specializuar kundër korrupsionit është Byroja e Hetimeve të Praktikave Korruptive (CPIB) e Singaporit e themeluar për herë të parë në vitin 1952. Malajzia ndoqi shembullin e Singaporit duke formuar Agjencinë Kundër Korrupsionit (ACA) në 1967 dhe mandej vijoi Hong Kongu duke themeluar në 1974 Komisionin e Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC). Efikasiteti i këtyre agjencive të posaçme kundër korrupsionit ishin shkaktare vendimtare për hovin e zhvillimit ekonomik, që patën këta “tigra të azisë” dhe bënë që modeli i tyre të huazohej e aplikohej në shumë vende.

Në rajonin tonë, institucionet më të ngjashme më SPAK-un janë Zyra për Shtypjen e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Ured za suzbijanje korupcije i organiziranog kriminaliteta USKOK) në Kroaci dhe Drejtoria Kundër Korrupsionit (Direcia Naionala Anticorupie DNA) në Rumani. USKOK-u themelua në dhjetor 2001 dhe luajti një rol vendimtar në përmbushjen e standardeve të zbatimit të ligjit që mundësuan hyrjen e Kroacisë në Bashkim Evropian. Kjo agjenci njihet si një nga agjencitë më të forta kundër korrupsionit në botë dhe deri një vit para hyrjes në BE kishte ndjekur 2,000 individë me një normë të suksesshme dënimi prej 95% të të akuzuarve duke përfshirë aty ish-Kryeministrin Ivo Sanader. Po ashtu, gjatë më shumë se dy dekadave të ekzistencës Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion e Rumanisë ka dërguar në gjyq 15,000 persona, përfshirë 1,000 policë, 400 kryebashkiakë, 160 gjyqtarë, 60 ministra si dhe dy kryeministra, Viktor Pontën dhe Adrian Nastasen.

Spastrimi që po i bën SPAK-u moçalit të politikës shqiptare, po ndihmohet e përshpejtohet nga hetimet në shtetet e BE-së kundër bandave kriminale shqiptare të lidhura me politikanët këtu. Avancimi i hetimeve të Europol, Eurojust e vendeve partnere ndaj krimit shqiptar dhe lidhjeve të tyre politike, po bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë se kurrë më parë sot, falë deshifrimit të kriptofonëve ‘Sky ECC’ dhe ‘EncroChat’, ku shqipja del se është gjuha dytë më e përdorur pas anglishtes. Këtu vlen të vihet në dukje se shtetasit shqiptarë përbëjnë numrin e dytë të burgosurve ekstra-komunitarë në Bashkimin Evropian, pas marokenëve (por në vend të parë nëse llogaritet për kokë banori). Në Britani të Madhe fatkeqësisht zëmë vendin e parë. Këto përmasa të përfshirjes në krim shpjegojnë edhe përmasat e bumit të industrisë së ndërtimit në Shqipëri gjatë këtyre viteve që reflektohet qoftë në sasinë e ndërtimeve të reja e qoftë në rritjen e çmimeve. Në vitin 2022, industria e ndërtimit përbënte 11.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë, shifra më e lartë në krahasim me çdo vend tjetër në Europë dhe Azinë Qendrore. Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme në kryeqytet, ku në vitin 2022 u lëshua një numër rekord lejesh për ndërtime banimi, që arrinin në rreth 1.8 milionë metra katrorë. Për rrjedhojë, goditja masive ndaj krimit shqiptar nëpër botë, jo vetëm që do të ekspozojë më tutje politikanët e kriminalizuar, por edhe do të shkaktojë tërmet tek fluska e ndërtimit që ushqehet me paratë e krimit e korrupsionit.

Si përfundim, zhvillimet e fundit në Shqipëri, me SPAK-un në krye të luftës kundër korrupsionit, japin shpresa për një ndryshim rrënjësor në skenën politike. Shembulli i ngjashëm i fqinjëve italian, por edhe rastet e tjera, tregojnë se drejtësia mund të jetë me të vërtetë një forcë e fuqishme dhe efikase për të rrëzuar kastat e korruptuara të cilët kanë bllokuar qarkullimin e elitave. Fakti që mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për të liruar të dënuarit e SPAK-ut lë të kuptohet se asnjë parti nuk e ka në kontroll këtë institucion.

Ndërsa SPAK-u vazhdon punën e tij, dhe po ashtu institucionet ligjzbatuese të BE-së e vendeve partnere godasin rrjetet kriminale ndërkombëtare shqiptare të lidhura me politikën, po shtohet pritshmëria për një transformim të thellë të peizazhit politik shqiptar. Kjo valë e re e drejtësisë që po na ndodh brenda e jashtë vendit, mund të na çojë jo vetëm në spastrimin e politikës, por edhe në goditjen e ekonomisë kriminale, duke përfshirë edhe industrinë e ndërtimit, e cila ka lulëzuar në sajë të parave të pista. Nëse SPAK-u arrin të ruajë pavarësinë dhe vendosmërinë e tij dhe hetimet ndërkombëtare vazhdojnë me intensitet, ne do të përjetojmë fillimin e një epokë të re për Shqipërinë, e një etape të re historike me elita politike të rifreskuara që më në fund do e çojnë vendin drejt anëtarësimit në BE.

Rruga e opozitës për në pushtet kalon nga mbështetja për SPAK

NGA ERVIS ILJAZAJ

Rruga e opozitës për në pushtet kalon nga mbështetja
SPAK në vitet e fundit ka ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Njerëz me pushtet të politikës si ministra, ish-ministra, kryebashkiakë apo të tjerë që kanë menaxhuar paratë e shqiptarëve janë arrestuar, hetuar apo akuzuar për korrupsion si asnjëherë më parë në këto nivele. E megjithatë, opozita shqiptare, më saktë një pjesë e saj siç është Rithemelimi, ende nuk ka arritur që ta mbështesë publikisht punën e SPAK. Përkundrazi, një pjesë e mirë e Rithemelimit e konsideron atë si organizatë kriminale. Një sjellje absurde e një opozite që kërkon të vijë në pushtet, kur dihet që kauza e luftës ndaj korrupsionit duhet të jetë kauza e saj kryesore kur përballë ka një qeveri të korruptuar.

Kjo sjellje e Rithemelimit nuk ndryshoi edhe pse SPAK në ditët e fundit, me firmën e drejtuesit të saj Altin Dumani, zhvilloi një nga operacionet më të rëndësishme në dekadën e fundit kundër krimit të organizuar. Disa nga grupet kryesore të krimit të organizuar në Shqipëri ranë në rrjetën e SPAK dhe të drejtësisë. Kjo nuk ishte vetëm një goditje për krimin e organizuar, por edhe një goditje për pushtetin, duke qenë se shumë prej tyre janë përdorur nga kjo qeveri si hambar votash, dhe janë të ditura lidhjet e këtyre bandave me pushtetin dhe qeverinë shqiptare.

E megjithatë, përfaqësues të Rithemelimit e konsideruan këtë operacion si fasadë. Askush prej tyre nuk pati kurajon të dalë publikisht dhe të përshëndes punën e SPAK në këtë drejtim.

Duke u sjellë në këtë mënyrë, duke mos mbështetur SPAK, opozita shqiptare po humbet një nga kauzat e saj kryesore, atë të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse nëse ke vërtet për zemër luftën ndaj korrupsionit, nuk mund të mos e mbështesë atë organ që po e lufton. Në të kundërtën, nuk je aspak i besueshëm për qytetarët shqiptar, ashtu sikurse po duket.

Për hir të mbrojtjes të liderve të tyre, që ose janë nën arrest apo nën hetim nga SPAK , Rithemelimi i cili është një pjesë e rëndësishme e opozitës në Shqipëri, po sakrifikon pushtetin e opozitës. Konflikti i interesit që kanë me SPAK për shkak se ky i fundit është duke hetuar liderët e tyre, e bënë Rithemelimin që ta konsiderojë këtë organi si organizatë kriminale. Asnjëherë Rithemelimi nuk ka për ta legjitimuar SPAK , edhe sikur të arrestojë të gjithë qeverinë. Për një arsye shumë të thjeshtë. Nëse legjitimon punën e SPAK , i duhet të legjitimojë arrestimin e liderit të saj.

Në këtë mënyrë, opozita shqiptare po mbron drejtuesit e saj, por po sakrifikon ardhjen në pushtet dhe po lë në opozitë për të katërtën herë radhazi popullin e saj opozitar.

Sepse është e qartë, që rruga e opozitës për në pushtet, madje e vetmja rrugë, kalon nga mbështetja për SPAK. Rithemelimi mund të bëjë çdo gjë. Mundet të marrë edhe logon e PD-s, mundet edhe të krijojë program të mirë apo çdo lloj aksioni tjetër politik. Nëse nuk mbështet SPAK, pushteti për opozitën do të jetë shumë i largët. Dhe kjo për disa arsye kryesore.

E para, sepse SPAK është i vetmi institucion që realisht po bënë luftën e tij kundër korrupsionit. Sigurisht mund të ketë mangësitë e tij, por themelet në këtë rrugë janë hedhur, dhe duken të forta. Me një qeveri të korruptuar përballë, gjë e cila tashmë nuk është më opinion por fakt, opozita se ka luksin që të humbasë kauzën e saj kryesore opozitare, atë luftës ndaj korrupsionit.

E dyta, SPAK gëzon një mbështetje tek qytetarët shqiptarë shumë të madhe. Këtë e tregojnë të gjitha sondazhet. Duke kritikuar SPAK, apo edhe më keq akoma, duke e quajtur organizatë kriminale, nuk është as sjellje elektorale. Është një sjellje që shkon në kundër tendencë me shqiptarët.

E treta, SPAK është një projekt ndërkombëtar dhe mbështetet fort nga aleatët e Shqipërisë, sidomos nga ShBA. Në këtë mënyrë opozita shqiptare po humbet partnerët e saj ndërkombëtarë. Pa të cilët dihet që është e vështirë të vish në pushtet. Sigurisht ata nuk janë faktori përcaktues, por ama kanë rolin e tyre të rëndësishëm në rotacionin politik në Shqipëri. Ti kesh kundra, nuk është asnjëherë e lehtë të vish në pushtet, është pothuajse e pamundur. Dhe fakt është që kjo pjesë e opozitës aktualisht është në izolim të plotë.

Dhe e fundit, sepse koha politike në të cilën jetojmë kërkon hetimin e korrupsionit të akumuluar ndër vite të politikës shqiptare. Këtë e kërkojnë shqiptarët, këtë e kërkon e ardhmja e tyre. Sot dikotomia e re politike nuk është më e majtë e djathtë, por pro SPAK dhe kundër tij.

Për të gjitha këto arsye, nëse opozita shqiptare nuk është e gatshme të sakrifikojë njerëzit e saj në emër të një kohe të re politike që e kërkon e ardhmja e Shqipërisë, nuk ka për të ardhur kurrë në pushtet. Të mbrosh njerëzit e tu nga drejtësia mundet të jetë njerëzore, por nuk është aspak politike. Nëse vazhdon kështu, opozita shqiptare do të ketë rreth saj një numër të caktuar votash dhe militantësh, por asnjëherë shumicën e shqiptarëve për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.

Fatkeqësisht edhe luftën kundër korrupsionit po e merr si kauzë Edi Rama, pikërisht sepse opozita nuk është në gjendje të bëjë sakrificat e saj. Njeriu që duhet ë japë llogari për korrupsioni e qeverisë së tij, paradoksalisht po e kthen atë në kalë beteje. Madje po kërkon dhe aleancë politike me Rithemelimin për këtë arsye. Kjo po, që është një fasadë politike, dhe jo aksioni i SPAK kundër krimit të organizuar.

Shteti në funksion të bandave, por Edi Rama vijon të flasë për përgjegjësi personale

Nga Desada Metaj

Operacioni i madh, ndalimet dhe urdhërarrestet ndërkombëtare për ata që konsiderohen bosët e botës së krimit dhe të “paprekshmit” nga ligji dhe shteti ka dëshmuar qartë se pjesa më e madhe e akteve banditeske janë planifikuar dhe ekzekutuar nga njerëz me pushtet politik.

Në vorbullën e madhe të emrave të përfshirë në vrasje, trafik të lëndëve narkotike dhe krime të tjera spikasin ato të ish deputetëve socialistë. Edhe pse vëmendja e publikut është fokusuar tek “giallo” e ngjashme me filmat me mafiozë, nuk mund të lë pa përmendur dy emra kyç të këtij skandali. Ish deputetët e PS-se Arben Ndoka dhe Rrahman Rraja. I pari dorëzoi mandatin në vitin 2015 pasi u mësua se ishte dënuar në Itali për trafik të qënieve njerëzore. Rraja dorëzoi mandatin një vit më parë, pas bërjes publike të videos ku dy vëllezërit e tij Xhelal dhe Përparim Rraja dhe i biri Rexhep Rraja rrihnin dy qytetarë në lokal pasi ishin ankuar në polici në lidhje me dëmet që i kishin shkaktuar shpërthimet nga gurorja në pronësi të vëllait të deputetit. Pak vite më parë i biri i tij Rexhepi u përfshi në një tjetër skandal, atë të dhunimit të një vajze pasi ajo kishte depozituar ankesë ndaj tij në polici.

Sa më lart është vetëm pjesa e dukshme dhe më e “pafajshme” e dy ish deputetëve të PS. Në dosjen e fundit qartas vëllai i ish deputetit Rraja, në bashkëpunim me Durim Bamin i forti i Niklës, Endrit Doklen dhe Marklen Hakën organizojnë planin për vrasjen e ish deputetit Ndoka. Thënë ndryshe, nuk është thjesht luftë mes banditësh të rëndomtë, por luftë mes bandave të deputetëve socialistë.

Edhe pse pak e trajtuar në media dhe opinionin publik, mendoj se ky duhet të jetë dhe shqetësimi më i madh për shoqërinë tonë. Si ka mundësi që dy ish deputetë të PS gjatë periudhës që kjo e fundit ka drejtuar vendin kanë drejtuar organizata të mirëfillta kriminale? Si është e mundur që të gjithë institucionet e këtij vendi, policia, prokuroria apo shërbimet sekrete nuk kanë mundur të identifikojnë asnjë problem për dy ligjvënës që në kohën që ngrinin kartonin për qytetarët në parlament merrnin vendime për vrasje dhe trafiqe?

Përgjigjet sigurisht që s’mund ti gjesh në një vend ku kryeministri pretendon se përgjegjësia është personale. Edhe kur gjithë shteti është në funksion të bandave siç ka ndodhur me Arben Ndokën dhe Rrahman Rrajën prapë përgjegjësia mbetet personale. Por siç thotë Elisa, “ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë”. Me shpresën se këtë herë bandat nuk do të kenë në shenjë regjizorin, meqë skenaristët janë ose pas hekurave ose në kërkim.

“Për Edi Ramën kanë rëndësi vetëm oligarkët”, Orjola Pampuri: Pagat dhe pensionet e qytetarëve qëndrojnë në vend

Nënkryetarja e PD, Orjola Pampuri, shprehet se në Shqipëri vetëm pagat dhe pensionet qëndrojnë në vend, ndërsa shtrenjtësia e jetesës vijon të rritet. Ne postimin e saj në Facebook, Pampuri thotë se kjo vjen nga politikat ekonomike dhe sociale të ndjekur nga qeveria Rama, e cila çon miliona euro për afera korruptive dhe një grusht të vogël oligarkësh, ndërsa lë pas dore mirëqenien e shqiptarëve.
Deputetja e PD, sjell në vëmendje të dhënat e fundit të INSTAT për rritjen çmimit të mobilerive, gjë që do të ndikojë në në shtrenjtimin e produkteve të mirëmbajtjes së shtëpisë. Sipas saj, Partia Demokratike zotohet se në programin e saj ekonomik do t’i japë zgjidhje shqetësimeve dhe halleve të njerëzve, si një detyrim politik dhe moral.

Postimi i plotë i nënkryetares së PD, deputetja, Orjola Pampuri:

Në këtë vend vetëm pagat dhe pensionet qëndrojnë në vend.
Shtrenjtësia e jetesës në Shqipëri shkon në proporcion të zhdrejtë me të ardhurat e qytetarëve shqiptarë.
Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e politikave ekonomike dhe sociale të ndjekur nga qeveria Rama, e cila, duke investuar miliona euro për afera korruptive si ajo e inceneratorëve apo koncensionet abuzive në shëndetësi, ka lënë pas dore mirëqenien e njerëzve.
Për Edi Ramën dhe qeverinë që ai drejton nuk kanë rëndësi qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, por vetëm një grusht i vogël oligarkësh, të lidhur me pushtetin dhe pjesë të tjera të politikës, si garanci e mbajtjes në këmbë të një sistemi korruptiv që ka 34 vite që i varfëron shqiptarët dhe i detyron të largohen nga ky vend.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, mobileritë dhe arredimi kanë pësuar një rritje të lartë prej mesatarisht 6 për qind duke filluar nga viti 2022 dhe kjo do të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të mirëmbajtjes së shtëpisë, ndërkohë që produktet me bazë drurin janë të rëndësishme për familjet shqiptare.
Ky shtrenjtim i gjithçkaje në këtë vend dhe pamundësia për të përballuar jetën, janë një ndër arsyet e shumta që shqiptarët largohen drejt vendeve të tjera për një jetesë më të mirë.
Ajo që duhet të bëjmë ne, është të largojmë Edi Ramën dhe qeverinë e tij dhe t’u mundësojmë shqiptarëve një jetë më të mirë në vendin e tyre.
Për këtë arsye, Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet se në programin e saj ekonomik do t’i japë zgjidhje shqetësimeve dhe halleve të njerëzve, si një detyrim politik dhe moral, për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga mendësia e politikës që vjedh njerëzit për të mbajtur pushtetin.
Për Partinë Demokratike të Shqipërisë, një individ i fuqishëm në aspektin ekonomik, do të thotë një shoqëri më e mirë dhe më e qëndrueshme, do të thotë një Shqipëri e begatë dhe e jetueshme, dhe këtë do ta realozojmë sepse ua kemi borxh shqiptarëve!

Hasa: PD do t’i ofrojë një alternativë të besueshme shqiptarëve, koalicionet mbi parime

Endri Hasa

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Endri Hasa ka deklaruar në studion e RTSH24 se bashkimi i kësaj force politike pas çarjes së saj, mbetet një utopi.

Sipas Hasës, ai e ka konstatuar këtë qëndrim që pas përplasjes mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe liderit historik të së djathtës, Sali Berisha.

Në një moment të caktuar disa anëtarë të kryesisë i kërkuan z. Basha të bënte një hap pas për t’i dhënë mundësi një bashkimi hipotetik me ata që kishin humbur rrugën praktikisht në PD. Pasi Basha e bëri këtë hap pas, unë nuk e kam thënë në media, sot është dita ta them, kam qenë nga të vetmit anëtar i kryesisë që në ditën që është bërë mbledhja kam thënë që; “këto përrallat me bashkim mbeten përralla, sepse ndarja është ideologjike. Nuk ka bashkime mekanike dhe matematikore”, theksoi Hasa.

Hasa vuri në dukje se bashkimi politik apo koalicionet bëhet për parime dhe jo për llogari në tavolinë.

Partia Demokratike është besimplotë se duke qenë në anën e duhur të historisë duke qenë me njerëzit dhe për njerëzit. Kjo nuk bëhet duke bërë llogari në tavolinë. Politika nuk bëhet duke bërë matematikë.

Për këtë kam qenë i mendimit që nuk ka bashkime që mund të jenë mekanike sepse në politikë që të ngjizet diçka, madje kam qenë kundër koalicioneve që janë thjesht të ngjizura.

Që të në ngjizet diçka në politikë duhet një reaksion kimik, është si kimi ose ka një qasje të përbashkët që ti të jesh të besueshëm. Nuk mund që një i ekstremit të djathtë të ngjizet me një të ekstremit të majtë dhe të prodhojnë dy. Bashkimet bëhen për parime nuk bëhen për numra”, u shpreh Hasa.

Ai theksoi se kryedemokrati Basha ka punuar përgjatë kësaj kohe për një ofruar një alternativë të re për shqiptarët.

Z. Basha ka punuar përgjatë kësaj kohe për t’iu ofruar një alternativë shqiptarëve për të zgjedhur ekipe individësh në zonat e tyre, njerëz që janë në terren me qytetarët dhe që janë afër tyre, jo njerëz që duan të mbyllen brenda katër mureve të Parlamentit.

Ky është prioriteti ynë. Prioriteti është që të ofrojmë diçka që njerëzit ta pranojmë. Njerëzit besojnë te individët e pastër dhe ne e kemi bërë për parime.

Siç ndodhi edhe me Amnistinë. Kur ne dilnim dhe thoshim që do të lirohen zyrtarë të korruptuar, do të lirohen personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme. Ata që miratuan amendamentet bënë një goditje ndaj reformës në Drejtësi, nxorën njerëz që ishin të dënuar nga SPAK dhe GJKKO”, shpjegoi Hasa.

Drejtësia e re/ I ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA: Është koha të ndërmerrni hapa më të ndërlikuar! Çështjet e prapambetura, vonesë për qytetarët

I Ngarkuari me Punë i ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner ka inkurajuar aktorët e drejtësisë që të ndërmarrin hapa më të ndërlikuar.

Në aktivitetin me temë “Strategjia e çështjeve të prapambetura në gjykata”, Ëisner tha se kjo strategji është për t’u vlerësuar dhe se do të ndihmojë qytetarët.

Diplomati i lartë amerikan tha ndër të tjera se stoku i dosjeve në drejtësi është vonesë e drejtësisë për qytetarët, e tashmë ka ardhur momenti që të merren vendime për të adresuar këtë problematikë.

“Kur flasim për çështje gjyqësore të prapambetura tingëllon si një problem teknik. Ne të gjithë kemi parë imazhin e dosjeve të çështjeve të grumbulluara pirg në sallat e gjyqeve, por numri i çështjeve gjyqësorë të prapambetura është vonesë e drejtësisë për qytetarët e zakonshëm.

Sekretari i Shtetit tha se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, por nëse do të jetë e suksesshme ju do ti mundësoni sistemit të drejtësisë që të japë drejtësi të vërtetë.

Zgjedhjet tuaja e vendosin sistemin e drejtësisë në themelet të forta dhe do të gjenerojë një të ardhme në drejtësinë që plotëson nevojat e gjithë shqiptarëve.

Është për t’u theksuar që disa prej hapave që keni ndërmarrë për të përmirësuar situatën kanë qenë të dhimbshme, sepse Vettingu shkaktoi ndërprerje të punës por ishte i domosdoshëm. Tani është koha për hapa të ndërlikuar që janë po aq të rëndësishëm. Ju nxis të rrokni hapet e vështirë që trajtojnë sfidat e tjera.

SHBA do t’ju ndihmojnë për të krijuar reforma të suksesshme për t’i harmonizuar me Kushtetutën. Ne vazhdojmë të nxisim më shumë bashkëpunim ndërmjet gjithë grupeve të interesit që është kritik.

Vazhdoni të punoni për të gjetur zgjidhje, jam besimplotë që do punoni për një të ardhme më të mirë”, u shpreh ndër të tjera Wisner.