24.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Surpriza te Kombëtarja! Silvinjo dërgon në tribunë mesfushorin e Seria A, ndaj Serbisë do mungojnë edhe…

Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti janë të sakrifikuarit e Kombëtares për ndeshjen me Serbinë. “Panorama Sport” mëson se Silvinjo ka vendosur të dërgojë në tribunë këto katër lojtarë, pasi lista e mëparshme ishte me 27 emra.

Vetëm 23 lojtarë mund të përdoren sipas rregullave të UEFA-s dhe lista aktuale i sheh jashtë saj. Surprizë mund të quhet mungesa e Berishës, mesfushori i Seria A që ishte në stol ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Pajaziti mori minuta në dy ndeshjet e para kualifikuese dhe mund të konsiderohet po ashtu befasi, ndërsa duhet të presë për mundësinë tjetër. Dajsinani, që ishte një risi nga Silvinjo, nuk do e ketë sot mundësinë për të qenë alternativë e Silvinjos.

Portieri i Egnatias më parë ka debutuar në miqësore te kuqezinjtë. Adrian Bajrami ndërkohë nuk ka fituar minuta me trajnerin brazilian deri tani, edhe pse ftesa nuk ka munguar. Ndeshja delikate nis në orën 20:45 dhe vlen për kualifikueset e Botërorit 2026.

“Kriptoramistë dhe berishistë”, kush i shërben në fakt “regjimit” Rama?

Nga Blendi Kajsiu

Në artikullin e tij “Si të dallosh një kriptoramist” kolegu Bushati ofron një manual për të dalluar kriptoramistët, ose ramistët e fshehtë. Janë ata që në publik e kritikojnë Ramën por në mënyrë private e dashurojnë atë.

Nga pikpamja politike ka shumë pak rëndësi kush është kriptoramist dhe kush vuan nga Ramofobia. E rëndësishme është kush i shërben Ramës politikisht, dhe kjo nuk është çështje ndjenjash por llogjike. Sikurse do argumentoj më poshtë urrejtja ndaj Ramës të transformon shumë lehtë në shërbëtor të zellshëm të tij.

Ndaj pyetja që duhet të shtrojmë sot nuk është kush e do apo kush e urren më shumë Ramën, por kush i shërben më shumë axhendës së tij politike. E thënë ndryshe, kush është faktori kryesor që e mban dhe e legjitimon Ramën sot në pushtet?

Përgjigja berishiste ndaj kësaj pyetje është “regjimi Rama”, kapja e shtetit, krimi organizuar, kontrolli i mediave dhe manipulimi i zgjedhjeve. Sipas kësaj teorie Rama vazhdon në pushtet sepse ne nuk jetojmë në demokraci, por jemi në një regjim autoritar apo diktatorial, si Erdogani në Turqi, Orbani në Hungari apo Maduro në Venezuelë.

Ndonëse është e pamohueshme që Rama qeveris në mënyrë autoritare dhe jo transparente, që PS-në e ka kthyer në një varrezë politike ku nuk bëzan askush, që krimi i organizuar ka penetruar në qeverisjen socialiste, shpjegimi i mësipërm nuk është i mjaftueshëm, për faktin e thjeshtë që edhe në regjimet më autoritare në Evropë opozita politike ka shënuar fitore, të paktën në kryeqytet.

Në Hungari opozita politike kritike me Viktor Orban fitoi bashkinë e Budapestit në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Po në vitin 2024 në Turqinë e Erdoganit mega-Bashkinë e Stambollit e fitoi një kandidat i opozitës. Në Venezuelën e Maduros opozita i fitoi zgjedhjet në mënyrë plebishitare aq sa Maduro u detyrua që mos të botojë asnjë procesverbal zgjedhor, të nxjerrë ushtrinë në rrugë për tu përballur me protestuesit, dhe ta dërgoj në azil politik liderin e opozitës.

Është absurde të pretendosh që Shqipëria e Ramës është më pak demokratike se Hungaria ku Viktor Orban kontrollon të gjithë sistemin gjygjësor pasi ndryshoi dy herë kushtetutën sipas midesë së tij, se Turqia e Erdoganit me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur në botë apo se Venezuela e Maduros që është në thelb një diktaturë ushtarake.

E megjithatë në këto vende opozita fiton zgjedhje, të paktën në kryeqytet. Ndërsa opozita jonë humbet thellë edhe në zemër të Tiranës ku as ajo vetë nuk denoncon manipulime dhe krim të organizuar. Kaq mjafton për të kuptuar që “regjimi” Rama nuk mbahet në këmbë thjesht nga krimi, dhuna apo manipulimi por nga alergjia që shumica e shqiptarëve kanë për berishizmin.

Nuk po pretendoj se kryeministri Rama është domosdoshmërisht dashnor i demokracisë dhe lirisë, apo se nesër ai nuk do mund të transformohej në diktator. Thjesht po argumentoj se për momentin ai nuk ka nevojë as të manipulojë zgjedhjet, as të ushtrojë dhunë mbi opozitën dhe as ta çojë liderin e saj në azil politik, sepse me të i fiton zgjedhjet, sondazhet dhe garën e popullaritet shumë lehtë.

Por nuk është ky shërbimi më i madh që berishizmi i bën projektit politik të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste. Akoma më e dobishme është narrativa berishiste se Rama është i pathyeshëm: “Askush nuk fiton përpara Ramës” na thonë berishistët. Është një mit pas të cilit fshihet dështimi politik i berishizmit.

Në narrativën berishiste Rama nuk thyhet as me zgjedhje, as me faktorin ndërkombëtar, as me mos-bindje civile, as me protesta paqësore, as me protesta të dhunëshme, as me bllokim rrugësh, as me çadra anti-sistem, as me bojkot zgjedhjesh dhe as me bojkotin e parlamentit. Të gjitha këto janë mjete që berishizmi i ka përdorur pa sukses për të arritur në konkluzionin që e propogandon pambarim se Rama është i pathyeshëm në të gjitha drejtimet.

Në historinë e sistemeve demokratike është e vështirë të gjesh një opozitë politike që i thotë vazhdimisht elektoratit se partia në pushtet është e pathyeshme në të gjitha frontet. Ashtu sikurse është vështirë të imagjinosh një shërbim më të madh politik ndaj pushtetit se sa një opozitë që fillimisht e fton popullin të dorëzohet para fuqisë së pamatë të pushtetit dhe më pas e denoncon atë si dezertor.

Po denoncimi që i bëjmë autoritarizmit, korrupsionit dhe lidhjes së krimit me pushtetin ramist –  do më thonë Berishistët – edhe këto shërbime ndaj regjimit janë? Përgjigja është po.

Nëse pranojmë se thelbi i krizës së demokracisë shqiptare është mungesa e demokracisë brenda partive politike, sikurse argumenton me të drejtë kolegu Neritan Sejamini, berishizmi shërben thjesht për të sfumuar, dhe jo për të nxjerrë në pah, reduktimin e PS-së në një varrezë politike pa mendim dhe debat. Një parti kazermë, për të përdorur termin e Preç Zogajt, duket shumë më mirë se një parti e reduktuar në aneks familjar.

Është mungesa e besueshmërisë së berishizmit që e sfumon në vend që ta denoncojë lidhjen e pushtetit Ramist me krimin e organizuar apo penterimin e këtij të fundit në ekonominë shqiptare. Ndonëse ky penetrim nuk ka filluar me Ramën, në Shqipëri janë ngritur prej kohësh televizione kombëtare dhe lokale më paratë e drogës, ai është konsoliduar gjatë pushtetit socialist.

Ama një opozitë që denoncon si kriminel edhe Suel Çelën edhe Altin Dumanin, edhe Visin e Pojës edhe Lulëzim Bashën, edhe Xhevdet Troplinin edhe analistët anti-berishist, në fakt nuk denoncon askënd. Një opozitë që nga njëra anë denoncon krimin e organizuar dhe nga ana tjetër propozon shkrirjen e institucionit që më shumë goditje i ka dhënë atij, SPAK, prodhon thjesht zhurmë.

Dhe ky është shërbimi i fundit, por jo më pak i rëndësishm, që berishizmi i bën pushtetit, reduktimi i politikës në zhurmë nëpërmjet transformimit të gjuhës politike nga dritë në dru. Berishizmi nuk e përdor gjuhën për të ndriçuar fenomenet politike, siç janë krimi, korrupsioni apo autoritarizmi politik, por si dru për të goditur kundërshtarin e rradhës.

Ky proces e drunjëzon gjuhën, i heq asaj çdo funksion llogjik dhe argumentues duke e kthyer atë thjesht në dajak për të goditur këdo që nuk bie dakord me narrativën berishiste. Ndaj ligjërimi berishist përbëhet nga një varg epitetesh dhe metaforash që funksion themelor kanë denoncimin por jo arësyetimin dhe aq më pak ndriçimin e realitetit ku jetojmë.

Masakër elektorale, farsë elektorale, besëprerë, sorosian, kriptoramist, idiot të dobishëm, analistë kriminel, narko-shtet, bandat, regjimi, këto janë termat e ligjërimit berishist që nuk synojnë argumentimin por thjesht denoncimin dhe stigmatizimin. Është e njëjta gjuhë që, sikurse ka vërejtur me të drejtë analisti Baton Haxhiu, përsëritet e pandryshuar prej tre dekadash.

Ky lloj ligjërimi e varfëron aq shumë gjuhën saqë ajo nuk shërben më për ta deshifruar realitetin por për ta injoruar atë. Kjo është ndoshta dhurata më e madhe që një opozitë mund ti bëjë pushtetit, sepse vdekja e gjuhës, mungesa e verbit politik, pamundëson jo vetëm llogaridhënien e pushtetit por vështirëson imagjinimin e një alternative shpresëdhënëse.

Për këtë arësye normalisht është pushteti ai që tenton ta drunjëzojë gjuhën, ta zhveshë dhe ta varfërojë atë. Gjuha e drunjtë e komunizmit shqiptar nuk ishte e rastësishme. Ajo e reduktonte ligjërimin politik tek parrullat dhe denoncimet e armiqeve të klasës, të imperializmit apo të kriptoborgjezëve sepse në këtë mënyrë reduktonte imagjinatën politike të qytetarit tek realiteti i ngushtë që e mbante në këmbë regjimin komunist.

Marrdhënia e tensionuar e regjimit komunist me veprën e Ismail Kadaresë buronte pikërisht tek pasurimi i horizontit gjuhësor dhe imagjinar që ky autor i ofronte lexuesit shqiptar. Nëpërmjet fjalorit të pasur dhe gjenialitetit artistik vepra e Kadaresë i hapte horizonte të reja imagjinatës së qytetarit shqiptar. Kjo përbënte kërcënim serioz për një sistem që mbahej në këmbë nëpërmjet varfërimit të gjuhës dhe reduktimit të horizontit politik të qytetarëve tek parrullat komuniste. Pikërisht për këtë arësye vepra e tij perceptohej shpesh si disidente, edhe kur nuk përmbante ndonjë denoncim të hapur apo të qëllimshëm të regjimit komunist.

Në këtë aspekt varfërimi i vazhdueshëm i gjuhës politike në fushatat elektorale të Partisë Socialiste, herë me tollova, herë me batuta, nuk është i rastësishëm. Metaforat dhe epitetet e Ramës në fushatën e fundit elektorale ishin ose apolitike, si “bufi kënetës” apo “meshkujt çyryk”, ose klishe të tipit “ëndërra evropiane”. Pushteti operon me një gjuhë të thatë që e varfëron mendimin sepse nuk ka armik më të rrezikshëm për të se mendimi kritik dhe imagjinata politike.

Aleati kryesor i pushtetit socialist për të varfëruar gjuhën dhe imagjinatën tonë politike është berishizmi. Në vend që ta pasurojë fjalorin dhe imagjinatën tonë politike, për të menduar një alternative më të mire, berishizmi e redukton atë tek denoncimi dhe ofendimi i armiqëve të rradhës, idiotët e dobishëm, analistët palaço apo kriminel, apo bullicat elektorale.

Nuk është rastësi që ne sot ende nuk kemi fjalorin e nevojshëm për të përshkruar regjimin politik që ka ndërtuar Rama me Partinë Socialiste. Aq e rëndë është situata saqë termi dominues që përdoret sot për të përshkruar sistemin aktual politik është fjala “regjim”.

Po ti referohesh fjalorit shqiptar fjala regjim do të thotë thjesht “mënyra e drejtimit dhe e organizimit politik, ekonomik dhe shoqëror në një shtet.” Pra kur opozita sot thotë se Rama ka ndërtuar në Shqipëri një regjim në fakt nuk thotë asgjë konkrete në lidhje me natyrën e këtij regjimi.

Koncepte të tjera si narko-shteti, që përdoren rëndom nga Berisha, shërbejnë thjesht për ta denoncuar dhe jo ndriçuar realitetin ku jetojmë. Koncepti i narkoshtetit, aq i pasaktë saqë nuk ekziston fare në literaturën politike, në fakt nuk e përshkruan mirë realitetin e qeverisjes Rama.

Në fakt nuk ekzistojnë kritere të qarta apo ndonjë indeks i narkoshteteve. Megjithatë që një vend të klasifikohet si narkoshtet nuk mjafton penetrimi i parave të drogës në ekonomi dhe politikë apo korruptimi i zyrtarëve shtetëror nga trafikantët e drogës, përndryshe jo vetëm Shqipëria por edhe Holanda dhe Belgjika do klasifikoheshin si narkoshtete. Duhet që vetë shteti ose zyrtarë të lartë të tij të jenë të përfshirë në organizimin dhe drejtimin e trafikut të drogës si një aktivitet që prodhon të ardhura të rëndësishme për shtetin.

Për momentin, ndoshta vetëm Venezuela e Nikolas Maduro i përmbush këto kritere sepse aty trafiku i drogës organizohet dhe drejtohet nga vetë ushtria e Venezuelës me pjesmarrjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë Maduro. Ndërkohë që të ardhurat e trafikut të drogës janë një burim i rëndësishëm për mbajtjen në këmbë të diktaturës ushtarake të Maduros.

Ajo që kemi në Shqipëri nuk është as diktatura ushtarake, as regjimi dhe as narkoshteti por një sistem politik, ekonomik dhe mediatik që prodhon një zhvillim përjashtues dhe jo përfshirës. Një zhvillim që pasuron një pakicë gjithnjë e më të ngushtë por që përjetohet si varfërim (material dhe shpirtëror) nga shumica e shqiptarëve.

Ndonëse ende nuk ia kemi gjetur emrin këtij sistemi (që diku tjetër jam përpjekur ta quaj dubaizim), ajo që mund të thuhet me siguri është se as koncepti i narkoshtetit dhe as koncepte bosh si “regjimi” nuk e kapin esencën e realitetit që përjetojnë shqiptarët.

Në momentin kur ende nuk kemi arritur të emërtojmë realitetin ku jetojmë imagjinimi i një realiteti ndryshe, i një alternative më të mirë, bëhet krejt i pamundur. Kjo natyrisht i leverdis pushtetit që vazhdimisht na thotë se një alternativë më e mirë se Rama nuk mund të imagjinohet në Shqipëri, sidomos kur ke përballë berishizmin me gjuhën e tij si dajak.

Ndaj dhunimi që berishizmi i bën gjuhës sonë politike i shërben përjetësimit të projektit politik të Ramës. Reduktimi i gjuhës në dru për kundërshtarin, në formën e fletërrufeve të Revolucionit Kulturor Kinez që identifikonin kriptoborgjezët, eleminon çdo mundësi për të imagjinuar një realitet më të mirë.

Nuk mund të kesh një imagjinatë të pasur me një gjuhë të varfër. Një shoqëri pa imagjinatë dhe pa gjuhë politike është ëndrra e çdo pushteti autoritar. Kësaj ëndrre të pushtetit ramist i shërben sot me zell berishizmi duke e transformuar debatin politik në një zhurmë që të vetmin parim organizues ka interesin e familjes Berisha.

Natyrisht në këtë pikë berishistët do ta denoncojnë përsiatjen time si një farsë analtike, një analizë narko-kriminale dhe kriptoramiste në shërbim të regjimit. Si mund të jemi shërbëtorë të Ramës kur ne e urrejmë Ramën me shpirt? – do më thonë ata të revoltuar.

Dhe është e vërtetë që berishistët e urrejnë Ramën me shumë shpirt, ndonëse me shumë pak mendje. Urrejtja e tyre është e pastër, e sinqertë dhe aspak politike.

Ata nuk urrejnë Ramën si fenomen politik. Nuk urrejnë autoritarizmin e Ramës, nuk urrejnë korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit të tij aspak transparent, nuk urrejnë as mungesën e meritokracisë politike. Ata urrejnë individin Rama, përndryshe nuk do rreshtoheshin përkrah korrupsionit, arrogancës dhe autoritarizmit berishist.

Por urrejtja nuk të transformon në luftëtar të lirisë dhe aq më pak në kritik të një regjimi autoritar. Përkundrazi, ajo është ndjenja themelore që çdo shërbëtor i zellshëm ka përballë një padroni të fuqishëm, shpërfillës dhe arrogant./Lapsi.al

Turizëm pa trashëgimi: Durrësi hap sezonin me muze të mbyllur

Nga Gëzim Kabashi 

Tabela e përmasave të mëdha në hyrje të muzeut Arkeologjik të Durrësit ka mbetur njëlloj si tre vjet më parë, kohë kur filluan punimet e restaurimit të tij me një financim 348 milionë lekë nga programi EU4Culture i Bashkimit Europian.

Aty ka ndryshuar tre herë vetëm data e përfundimit të parashikuar të rikonstruksionit. Fillimisht afati i përfundimit të punimeve ishte në nëntor 2023. Më vonë u shty në shkurtit 2024 dhe prillit 2025, dhe tashmë është shtyrë përsëri për fundin e muajit korrik.

Po ky nuk është muzeu i vetëm që do ti mbajë dyert e mbyllura për turistët gjatë sezonit veror të këtij viti.

Vonesat disavjeçare në restaurimet e muzeve të Durrësit, i kanë mbajtur larg syve kureshtar të publikut objektet e trashëgimisë kulturore në qytetin antik.

Muzeu Arkeologjik, i përuruar për herë të parë në vitin 2003, restaurohet për të dytën herë në 15 vjetët e fundit, dhe vonesat në punime janë të përsëritura.

“Megjithëse interesimi i turistëve të huaj ka ardhur duke u rritur, ne e ndjejmë veten në vështirësi, kur i informojmë ata se Muzeu Arkeologjik më i madh i vendit është i mbyllur,” tha për BIRN Bjordi Xhafa, një udhërrëfyes turistik nga qyteti bregdetar.

“Koha e turit kulturor në Durrës tani nuk i kalon të dy orët, shumë, pasi përveç Muzeut Arkeologjik, edhe Muzeu Etnografik, vazhdon t’i nënshtrohet rikonstruksionit,” shtoi Bjordi.

Sipas udhërrëfyesit te ri, Termat Romake, gjithashtu nuk mund të vizitohen për shkak të punimeve restauruese në Teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Monumenti i shekullit të dytë pas erës sonë dhe teatri modern i qytetit bashkëjetojnë që nga viti 1965, kur Termat u zbuluan nga arkeologët në themelet e godinës së teatrit.

Grupet turistike të interesuara për trashëgiminë kulturore të vendit tonë, e vazhdojnë më tej udhëtimin edhe në dy shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Sidoqoftë, numri i vizitorëve në Durrësin antik është rritur nga viti.

“Që nga fillimi i  këtij viti Amfiteatri antik dhe Torra Veneciane janë vizituar nga 13,500 turistë vendas dhe të huaj gjithsej,” tha për BIRN drejtori i Qendrës Muzeore, Alban Ramohito.

“Në të dy objektet që vizitohen kundrejt biletës, në këto pesë muaj janë rreth 2,300 vizitorë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar,” shtoi ai.

Sipas të njëjtit burim, restaurimi i Muzeut Arkeologjik do të përfundojë, kur të rikrijohet pavijoni i antikitetit në katin e parë të godinës, dhe të krijohet për herë të parë pavijoni i Mesjetës, shumë pak i njohur në historinë e qytetit bregdetar.

Kati i sipërm i godinës, do të shërbejë për takime didaktike, ndërsa oborri do të kthehet në një park të vogël arkeologjik, gjithçka e parashikuar në kontratën e restaurimit.

“E gjithë kjo do të kërkojë kohën e vet,” u shpreh  drejtori Ramohito.

Durrësit pritet ti rikthehet edhe godina “Monument kulture”, që njihet si Muzeu Etnografik dhe “Shtëpia e Aleksandër Moisiut”.

“Jemi të kënaqur me cilësinë e punimeve restauruese, të cilat kanë mbërritur në stadin e instalimit të ndriçuesve”, tha për BIRN Alketa Tragaj, drejtore e Qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”.

“Po përgatisim rikthimin e fondit të veprave të artit, objekteve etnografike dhe stendave kushtuar Moisiut,” shtoi Tragaj, duke kujtuar se kur tërmeti i nëntorit 2019 dëmtoi rëndë ndërtesën, gjithçka u strehua në mjediset e teatrit.

Megjithatë, e ardhmja e banesës, e cila i është rikthyer pronarëve të ligjshëm, nuk është vendosur ende.

Drejtuesit e kulturës në Durrës po kërkojnë një zgjidhje optimale për objektin e shekullit të 19-të që ndodhet ngjitur me muret e fortifikimeve mesjetare.

Mungesën e dy muzeve më të mëdhenj të qytetit pritet ta plotësojnë sadopak ekspozitat e hapura vitet e fundit, nga disa specialistë të apasionuar pas historisë së re të qytetit.

Brunilda Liçaj, pedagoge në Universitetit “Aleksandër Moisiu” tha për BIRN, se megjithëse i mungon mbështetja financiare, ekspozita “Turistë të përgjuar”, e cila funksionon që nga viti i kaluar në qendër të qytetit ka ngjallur mjaft interesim në grupet e turistëve të huaj.

Materialet dhe intervistat janë përmbledhur në një dokumentar, që mund ti japë një shtysë tjetër vizitave në ekspozitën me objekte të vizitave në  Shqipëri të turistëve që përgjoheshin nga Sigurimi i shtetit.

Njëlloj edhe ekspozita private MuzehLab, që është hapur disa vite më parë. Megjithëse këto ekspozita janë të lavdërueshme, operatorët turistikë theksojnë se nuk mund të zëvendësojnë muzetë.

“Por mungesa e përsëritur e dy muzeve më të rëndësishëm për historinë e qytetit antik nuk mund të zëvendësohet lehtë,” tha Bjordi Xhafa./BIRN

“Nxehen” çmimet në bregdet, stepen blerësit e huaj

Çmimet e apartamenteve në zonat bregdetare të Shqipërisë vijojnë të rriten. Shtrenjtimet më të larta janë regjistruar në Lungomare, Radhimë dhe Orikum, në Vlorë. Sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të patundshme, në vijën e dytë të ndërtimit në Lungomare, çmimet e shitjes janë rritur me 33 deri në 67% krahasuar me një vit më parë.

Nga 1,500 euro/m², këtë vit çmimet variojnë nga 2,000 deri në 2,500 euro/m². Në vijën e parë të ndërtimit, çmimet arrijnë nga 2,500 deri në 3,500 euro/m², për shkak të mungesës së ofertës dhe kërkesës së lartë.

Në Radhimë, që prej vitit 2023, vijojnë zhvillimet me projekte të reja. Çmimet aktualisht variojnë nga 2,000 deri në 3,000 euro/m², krahasuar me 1,500–2,000 euro/m² në vitin 2024, që përfaqëson një rritje prej 20 deri në 33%.

Në Orikum, çmimet e apartamenteve të kategorisë së ulët janë rritur nga 800 në 1,300 euro/m² (rritje prej 63%), ndërsa çmimet maksimale kanë mbetur në nivelin e 1,500 euro/m².
Saranda ofron ende apartamente për shitje, kryesisht në resorte, me çmime që arrijnë deri në 4,000 euro/m². Në Palasë dhe Dhërmi, çmimet kanë arritur deri në 3,800 euro/m² sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimeve, Shqipëria mbetet dukshëm më e lirë krahasuar me tregjet e rajonit sipas CEO-s së “Century 21 Albania”, Jonian Antoni.
Në Mal të Zi, komplekset elitare si “Lustica Bay” ofrojnë apartamente nga 6,998 deri në 13,960 euro/m². Edhe projektet më të përballueshme, si Amma Resort në Bar, arrijnë deri në 4,385 euro/m².
Sipas tij, tregu shqiptar ka ende hapësirë për rritje çmimesh, nëse shoqërohet me përmirësim të infrastrukturës dhe politika zhvillimore të qëndrueshme.

“Diferenca e çmimeve tregon se Shqipëria ka potencial për rritje, nëse mbështetet nga zhvillimi i infrastrukturës dhe promovimi turistik”, – thotë z. Antoni.

Kërkesa e huaj, me buxhete mes 80–130 mijë euro
Në tërësi, kërkesa për tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet dominohet nga blerësit e huaj, nga shtete si Çekia, Polonia, Hungaria dhe shqiptarë të diasporës. Sipas Jonian Antonit, vetëm rrjeti i “Century 21” regjistron deri në 9,000 kërkesa në vit për prona në bregdet, ndërsa realizohen rreth 700–800 transaksione – më pak se 10% e kërkesës.
Sipas tij, potenciali i tregut është ende i paeksploruar dhe për momentin nuk ka rrezik për mbiofertë. “Nëse do të arrijmë të gjenerojmë interes nga pesë vendet kryesore të Europës, do të nevojiten shumë më tepër ndërtesa për të përmbushur kërkesën reale”, – deklaron ai.
Shumica e blerësve të huaj vijnë nga vende pa dalje në det si Çekia, Polonia dhe Hungaria dhe përfaqësojnë shtresën e mesme, me buxhete që lëvizin nga 80,000 deri në 130,000 euro. Kërkesat fokusohen në apartamente 1+1 dhe 2+1, të cilat përbëjnë 90% të shitjeve.
Rreth 70% e blerësve i përdorin për pushime disa javë në vit, ndërsa pjesën tjetër e japin me qira ditore, duke e konsideruar si një investim të qëndrueshëm.
Në Sarandë vijon rënia e kërkesës nga çmimet e larta
Në Sarandë, sipas agjencive të pasurive të patundshme, kërkesa hyn në vitin e dytë të rënies nga çmimet e larta.
Në këtë qytet, kërkesa për prona po bie për shkak të çmimeve të larta. Sipas Eron Çumanit, drejtues i agjencisë “Saranda Property”, çmimet e apartamenteve në ndërtesa të ndërtuara para 10 vitesh nisin nga 1,500 euro/m², ndërsa për ndërtimet e reja me distancë 500–1,000 metra nga deti variojnë nga 2,000 deri në 2,500 euro/m².
Në vijën e parë të ndërtimit, çmimet për apartamentet në ndërtim shkojnë nga 3,000 deri në 3,500 euro/m².
Z. Çumani thekson se 90% e kërkesës vjen nga shtetas europianë, por kjo kërkesë ka rënë me 30% krahasuar me vitin 2024. Kjo është rënia e dytë radhazi, pasi në vitin 2024, kërkesa ishte ulur me 50% në raport me 2023. Sipas tij, rënia e kërkesës lidhet drejtpërdrejt me çmimet e larta.
“Çmimet e shitjes nuk kanë pësuar ulje dhe ndërtuesit nuk po i rishikojnë ato. Ndërkohë që të huajt kërkojnë të blejnë prona nën 2,000 euro/m², shumica e transaksioneve në këtë fashë ndodhin për prona të ndërtuara 8–10 vite më parë, ose nga stoku i pashitur.
Transaksionet mbi 2,000 euro/m² janë të pakta”, thotë ai.
Z.Çumani shton se arsyeja kryesore që të huajt blejnë në Sarandë janë çmimet më të ulëta krahasuar me rajonin. Por për prona me çmime nga 3,000 deri në 4,000 euro/m², zakonisht në resorte, kërkesa do të vijojë të bjerë, pasi mungojnë projektet infrastrukturore që ta justifikojnë këtë çmim.
Ai thekson se është e domosdoshme që ndërtuesit të rishikojnë çmimet, për të ndihmuar në stabilizimin e tregut.
Edhe Ilir Konomi nga “Albanian Property Group”, konfirmon të njëjtën tendencë për Sarandën. Ai shprehet se finalizimi i transaksioneve të shitjes është më i ulët se vitin e kaluar, për shkak të çmimeve të larta.
“Pronat e mira në Sarandë ofrohen me çmime që variojnë nga 1,800 deri në 2,000 euro/m². Blerësit e huaj kërkojnë të blejnë me çmime më të ulëta se kaq.
Edhe pronat që po ndërtohen në vijën e tretë dhe të katërt të ndërtimit, pranë kanalit të Çukës, po ofrohen me çmime të larta. Me këto çmime, blerësit në Sarandë hezitojnë. Në tërësi për bregdetin konstatohet hezitim prej blerësve”, pohon ai. Vlora dhe Orikumi, rritje të kërkesës nga emigrantët për dhënie me qira
Në zonat bregdetare të Vlorës, si Lungomare, Radhimë dhe Orikum, është shënuar rritja më e lartë e çmimeve të apartamenteve. Sipas agjentëve imobiliarë, shtrenjtimi i çmimeve po ndikohet nga kërkesa e lartë.
Aurela Xhaferaj, agjente imobiliare në agjencinë “Century 21 Aulona”, thekson se rreth 90% e kërkesës për prona në këto zona vjen nga shtetas të huaj, kryesisht italianë dhe emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ajo shton se këto blerje kryhen më së shumti për qëllime investimi, si për dhënie me qira në platforma si Airbnb, ashtu edhe për rishitje në të ardhmen.
“Rritja e çmimeve është ndikuar drejtpërdrejt nga kërkesa e lartë për prona, veçanërisht në vijën e parë të Lungomares, ku nuk ka më ofertë. E njëjta situatë është edhe për vijën e dytë në këtë zonë.
Kjo mungesë e ofertës ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve”, – thotë znj. Xhaferaj.
Sipas saj, investitorët parapëlqejnë prona që mund të jepen me qira, si për afat të gjatë, ashtu edhe për qira ditore. “Përveç qirasë ditore, edhe qiratë afatgjata janë shumë të leverdishme.
Një apartament 2+1 i mobiluar jepet me qira nga 600 deri në 650 euro në muaj. Vetëm gjatë 2–3 viteve të fundit, çmimet e qirasë mujore janë rritur ndjeshëm”, shton ajo.
Ndërkohë, blerësit vendas janë më të fokusuar në prona me çmime më të ulëta brenda në qytet, ku çmimet variojnë nga 800 deri në 1,000 euro/m².
Apartamentet në Gjirin e Lalëzit, me çmime deri në 3,500 euro/m²; Më tepër blerje nga vendasit
Çmimet e shitjes së apartamenteve në vijën e parë të komplekseve rezidenciale në Gjirin e Lalëzit kanë arritur deri në 3,500 euro/m². Vitin e kaluar, çmimet varionin nga 2,400 deri në 3,300 euro/m², ndërsa këtë vit, ato luhaten nga 2,500 deri në 3,500 euro/m².
Sipas të dhënave të agjencive të pasurive të patundshme, kjo përfaqëson një rritje çmimesh prej 4 deri në 6%.
Sipas Klajdi Memajdinit, nga agjencia “Devinf”, kërkesa për apartamente në këtë zonë ka mbetur e qëndrueshme krahasuar me një vit më parë. Interesi më i madh për blerje vjen nga qytetarët vendas, të cilët e shohin pronën si një mundësi investimi.
“Blerësit kryesorë janë vendas, përfshirë sipërmarrës të shtresës së pasur dhe të mesme, por edhe profesionistë nga fusha si mjekësia, ekonomia dhe drejtësia. Kërkohen veçanërisht apartamente në komplekse me infrastrukturë të mirë, siguri dhe akses të drejtpërdrejtë në plazh”, – thekson z. Memajdini.
Ai shton se tipologjitë më të kërkuara janë 1+1 dhe 2+1, të cilat përdoren si për pushime familjare, ashtu edhe për qëllime investimi në qira sezonale.
“Në këtë zonë, ardhja e turistëve nis që në muajin mars dhe dhënia e pronës me qira ditore është mjaft e leverdishme. Pjesa më e madhe e qiramarrësve janë shtetas shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia”, – përfundon ai.
Golemit i rikthehen blerësit vendas nga shitjet me këste, por çmimet janë në rritje
Prej vitit 2024, çmimet e shitjes së apartamenteve në Golem (si në vijën e parë ashtu edhe të dytë të ndërtimit) ofrohen mbi 900 euro/m². Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në vijën e parë çmimet kanë arritur deri në 2,000 euro/m², nga 1,500 euro që ishte çmimi maksimal vitin e kaluar, një rritje prej 33%, e ndikuar kryesisht nga mungesa e ofertës dhe shtimi i kërkesës.
Në vijën e dytë të ndërtimit, çmimet variojnë nga 900 deri në 1,500 euro/m² dhe nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar.
Arian Gjuzi, nga agjencia imobiliare “Century 21 EON”, thotë se në Golem, kërkesa për prona mbetet e lartë. Sipas tij, risia e këtij viti është rikthimi i blerësve vendas, të cilët mbizotëronin në treg 10–15 vite më parë, kur çmimet ishin më të ulëta.
“Që prej vitit 2023 në Golem po zhvillohen shumë projekte të reja rezidenciale me parametra modernë, duke përfshirë pishina dhe ambiente të gjelbra. Në këto komplekse ofrohet gjithashtu mundësia e blerjes me pagesë me këste.
Kjo ka ndikuar në rikthimin e interesit të blerësve vendas, në nivele të ngjashme me ato të 10–15 viteve më parë, kur çmimet ishin ekonomike”, shprehet z. Gjuzi.
Ai shton se në përgjithësi, kërkesa për blerje në Golem dominohet nga europianë, kryesisht çekë, polakë dhe hungarezë. Sipas tij, si të huajt edhe vendasit, blejnë kryesisht për qëllime investimi, për t’i dhënë me qira ditore.
Më tej, në zonat bregdetare të Durrësit, konkretisht tek Ura e Dajlanit, çmimet e shitjes kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me një vit më parë, duke u luhatur nga 1,000 deri në 1,300 euro për metër katror. Sipas agjentëve imobiliarë, në këtë zonë pritet të zhvillohen projekte të reja rezidenciale.
Ndërkohë, pranë Shkumbinit të Kavajës, çmimet e pronave me pamje nga deti variojnë nga 1,700 deri në 2,000 euro/m². Çmimi maksimal është rritur me 200 euro/m², apo rreth 11% më shumë se vjet.
Çmimet e pronave brenda qytetit të Durrësit vijojnë të mbeten të larta, në nivelet 2,000 deri në 2,500 euro/m². Sipas agjentit imobiliar Arian Gjuzi, këto çmime të larta ndikohen nga oferta e kufizuar dhe kërkesa e qëndrueshme. Çmimet në Qerret, në rritje deri në 40%, dominon kërkesa nga të huajt
Çmimet e shitjes së apartamenteve në Qerret kanë shënuar rritje edhe këtë vit. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet kanë arritur deri në 2,000 euro/m², apo 33% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në vijën e dytë, çmimet shkojnë deri në 1,700 euro/m², që përfaqëson një rritje prej rreth 40% krahasuar me 2024-n.
Në ndërtimet e reja në Qerret, pranë fshatrave turistike, çmimet e shitjes variojnë nga 1,000 deri në 1,400 euro/m².
Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, rritja e çmimeve është ndikuar nga kërkesa në rritje, kryesisht nga shtetas të huaj. Nga ana tjetër, oferta në treg është përmirësuar në aspektin e zhvillimit urbanistik, me ndërtimin e rezidencave të banimit me 5 deri në 7 kate, të pajisura me ambiente pishine dhe gjelbërim.
Arian Gjuzi, nga agjencia “Century 21 EON”, pohon se rreth 90% e ndërtimeve në këtë zonë po blihen nga të huaj, kryesisht për shtëpi pushimi dhe qëllime investimi, ndërsa kërkesa nga vendasit mbetet e ulët.
Sipas tij, për shkak të kërkesës së lartë në këtë zonë, pritet që në vitet e ardhshme, çmimet të rriten edhe me 20 deri në 30%.
Në zonat bregdetare, tendenca e çmimeve të shitjes së vilave është në rritje. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në zonat bregdetare, çmimet e shitjes së vilave për këtë vit kanë arritur deri në 1,8 milionë euro për njësi.
Klajdi Memajdini, nga agjencia imobiliare “Devinf”, tha se rritje kanë shënuar çmimet nga rishitja e vilave. Sipas tij, në Gjirin e Lalëzit vilat me sipërfaqe të mëdha po rishiten me çmime nga 2,5 milionë deri në 2,8 milionë euro.
Në Gjirin e Lalëzit, blerësit kryesorë të vilave janë shqiptarë vendas dhe të diasporës.
“Te vilat me sipërfaqe të mëdha, investimi bëhet për qëllime banimi. Vilat bashkëngjitur blihen për dhënie me qira, sepse kërkesa e lartë. Çmimet e qirasë nisin nga 300 euro nata, minimalisht jepet për afat 4 deri në 5 ditë. Familjet e mëdha vijnë për qëllime pushimi”, pohon ai./MONITOR

Njohja e shtetit palestinez, pse Izraeli po pengon pajtimin dhe çfarë po kërkon Europa?

Një konferencë e planifikuar në Arabinë Saudite këtë muaj, për të cilën mbështetësit e Palestinës shpresonin se do t’i shtynte qeveritë perëndimore të njihnin një shtet palestinez, ka dobësuar ambicien e saj.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Palestinën, do të mbahet në New York nga 17 deri më 20 qershor, nën bashkëpresidencën e Francës dhe Arabisë Saudite.

Ndryshimi i qëllimeve të konferencës tregon një tërheqje nga një vizion i mëparshëm që do të shënonte një deklaratë të përbashkët të njohjes së Palestinës si shtet nga një grup i madh vendesh, përfshirë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Emmanuel Macron, presidenti francez dhe bashkë-sponsorizues i eventit tha se njohja e Palestinës është “një detyrë morale dhe kërkesë politike”, por zyrtarët francezë u shprehën se konferenca nuk do të çojë në njohjen e Palestinës si shtet.

Tashmë shihet si një çmim për të paguar lidhur me armëpushimin e përhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve izraelite, reformën e Autoritetit Palestinez, rindërtimin ekonomik dhe fundin e sundimit të Hamasit në Gaza.

Franca dhe Arabia Saudite kanë ngritur tetë grupe pune për të përgatitur një zgjidhje me dy shteteve ndërsa Macron po organizon një konferencë të shoqërisë civile nën flamurin e Forumit të Paqes në Paris.

Izraeli dhe SHBA-të kanë marrë pjesë në takimet përgatitore për konferencën, por nuk kanë komentuar, duke nxitur spekulime se mund të bojkotojnë konferencën.

Izraeli ka luftuar shumë për të parandaluar palestinezët pa shtetësi që të arrijnë vetëvendosjen. Sondazhet tregojnë se vetëm një e pesta e elektoratit izraelit tregon një zgjidhje me dy shtete dhe 56% e izraelitëve hebrenj mbështetën “transferimin e qytetarëve arabë të Izraelit në vende të tjera”.

Izraeli ka miratuar gjithashtu plane për të ndërtuar 22 vendbanime të tjera në Bregun Perëndimor – zgjerimi më i madh në dekada. Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ishte “një veprim strategjik që pengon krijimin e një shteti palestinez”. Iniciativa e Macron është cilësuar si “katastrofike” nga ambasadori i Izraelit në Francë, Joshua Zarka.

Njohja e një shteti palestinez më parë shihej si rezultat i një plani të dështuar dy-shtetëror të viteve 1990. Megjithatë, qeveritë në Evropë ngrenë pikëpyetje nëse Izraeli ka ndonjë qëllim për të lehtësuar kontrollin e tij mbi palestinezët.

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njohën shtetin palestinez vitin e kaluar. Macron ka këmbëngulur se do të njihte vetëm një shtet palestinez pa Hamasin – i njëjti qëndrim si Mbretëria e Bashkuar.

Në një letër të hapur drejtuar Macronit, The Elders, një grup ish-diplomatësh të lartë të OKB-së, thonë se njohja është “një hap thelbësor transformues drejt paqes” e cila duhet të merret si çështje parimore, e ndarë nga negociatat e shtetësisë palestineze dhe se si apo kur duhet të çarmatoset Hamasi.

Anne-Claire Legendre, këshilltarja e presidentit për Lindjen e Mesme, u shpreh se konferenca duhet të shënojë një moment historik për zgjidhjen mes dy shtete.

“Ne duhet të kalojmë nga fjalët në vepra dhe duhet të kalojmë nga fundi i luftës në Gaza në fund të konfliktit”, tha ajo.

Legendre u takua këtë javë me zyrtarë izraelitë për të diskutuar lidhur me konferencën. Ajo u takua gjithashtu me kryeministrin palestinez, Mohammad Mustafa.

Mediat izraelite raportuan se zyrtarët francezë thanë se: “Njohja e një shteti palestinez mbetet në tryezë, por jo si produkt i konferencës. Kjo do të mbetet një temë dypalëshe midis shteteve”.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, i cili pritet të marrë pjesë në konferencë, ndodhet nën presion nga deputetët për të ndëshkuar ashpër Izraelin, ndërsa po i kërkohet të sqarojë kushtet për njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.

Hamish Falconer, ministri i Lindjes së Mesme, u tha deputetëve këtë javë se mendimi i Mbretërisë së Bashkuar po evoluonte.

“Një arsye pse qëndrimi tradicional i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ka qenë që njohja e një shteti palestinez duhet të vijë në fund ose gjatë një procesi zgjidhjeje me dy shtete ishte shpresa se ne do të ecnim drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Shumë mendje kanë ndryshuar për shkak të retorikës së qeverisë izraelite – deklaratave të qarta nga kaq shumë njerëz se ata nuk janë më të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete”, u shpreh ai.

Por britanikët po kërkojnë angazhime të forta në konferencën mbi qeverinë e ardhshme të Palestinës, përfshirë përjashtimin e Hamasit nga çdo qeverisje e ardhshme e Gazës, diçka që vetë Hamasi duket se e ka pranuar në planet e ndryshme të hartuara nga shtetet arabe.

Një numër gjithnjë e në rritje i deputetëve konservatorë janë ndarë nga grupi i tyre i parë për këtë çështje dhe tani mbështesin njohjen, përfshirë ish-prokurorin e përgjithshëm Sir Jeremy Wright.

Franca shpreson që një grup shtetesh perëndimore që njohin një shtet palestinez të balancohet nga shtetet myslimane që normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Megjithatë, njohja e Izraelit nga Arabia Saudite duket e pamundur. Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ka pohuar vazhdimisht se Izraeli po kryen një gjenocid, një pikëpamje që ndahet gjerësisht nga opinioni publik saudit./”The Guardian”

“Pallati i Ëndrrave” dhe pasaporta evropiane e PS-së

NGA ADRI NURELLARI

Kaluan tashmë disa javë nga zgjedhjet parlamentare, nga Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian si dhe “Giro d’Italia”, që përshkoi Shqipërinë mes flamujve dhe ngazëllimit. Kjo ishte ëndrra e madhe kolektive e orkestruar nga lart: një ëndërr e kontrolluar, e filtruar, e paraqitur me dronë dhe e stolisur me simbole integrimi. Por pas kësaj vjen zgjimi, i ngadaltë, por i pashmangshëm, si ai mëngjesi i rëndë pas një nate lozonjare me shumë alkool. Gradualisht qytetarët po çohen nga ëndrra e kuruar deri në detaj nga PR-i i pushtetit për pasaportën evropiane dhe drita e fortë e përditshmërisë së paszgjedhjeve na përplas fort në fytyrë realitetin e hidhur: çmimet që ngrihen si taksat dhe temperatura e verës; trafiku i padurueshëm që avancon me solemnitetin e një marshi funebër; shërbimet publike të degraduara ku koha që iu duhej kushtuar qytetarëve harxhohet për fushatat partiake digjitale, qeveritarët që fluturojnë me eskorta, ndërsa qytetarët presin ambulancën; kurset e gjermanishtes për të marrë “Ausweis” po zëvendësojnë dyqanet e lagjes që mbyllen një nga një; rrugët e përuruara me pompozitet që rezultojnë të papërfunduara dhe si për ta plotësuar panoramën, emrat e rinj që po nisen drejt SPAK-ut pas zgjedhjeve përforcojnë moton e vjetër të pushtetit: “Një bie, mijëra ngrihen”.

Në këto rrethana, sistemi politik shqiptar, me gjithë maskën demokratike që mban, ngjan gjithnjë e më shumë me “Pallatin e Ëndrrave” të Kadaresë, një aparat shtetëror që nuk kontrollon vetëm veprimet, por edhe mendimet, ëndrrat, frymëmarrjen shpirtërore të njerëzve. Në atë roman, shteti kishte ngritur këtë institucion, Tabir Sarajin, për të përpunuar ëndrrat e qytetarëve, për t’i parandaluar, frikësuar, kontrolluar. Sot, në Shqipëri, pushteti e bën këtë jo me analizë ëndrrash, por me mbjelljen e frikës, me fikjen e shpresës duke proklamuar se të gjithë janë njëlloj, me ndëshkimin e guximit si dhe promovimin e heshtjes. Është një sistem që nuk ndalon të protestosh, por të bën të ndjesh se s’ia vlen të përpiqesh, ose thënë ndryshe, të jep të drejtën të flasësh, por të hequr çdo arsye për ta ngritur zërin. Me pak fjalë, elita shqiptare ka ndërtuar një version postmodern të këtij pallati. Jo më me përzgjedhës dhe interpretues ëndrrash në Tabir-Saraj, por me sondazhistë të përhershëm, strategë fushatash, analistë me pagesë, gazetarë militantë të koordinuar që vëzhgojnë çdo puls të tensionit publik dhe e relativizojnë duke i dhënë formën më të parrezikshme të mundshme.

Ëndrrat si “pasaporta evropiane” nuk interpretohen më në emër të shtetit absolut, por fabrikohen paraprakisht nga vetë pushteti, për t’u projektuar si dëshira kolektive. Pushteti, përmes PR-it dhe mediatizimit, i shet publikut një realitet të “ëndërruar”: Shqipëria që po ecën përpara, reformat që po japin fryte, rinia që po rikthehet. Por pas këtij iluzioni, ndodhet një vend që po zbrazet, institucione të kapura dhe një popull që nuk flet më me fjalë a vota, por me ikje. Ky është autoritarizmi i epokës së “deformimit të normalizuar”, ku kontrolli është aq i përbrendësuar, sa njerëzit s’e dallojnë dot më, por veç dorëzohen.

Nuk kemi të bëjmë me një parti-shtet dosido si qëmoti, por me një aparat të ndërtuar për të kolonizuar vetë imagjinatën e qytetarëve. E vetmja ëndërr e lejuar është ajo që garanton vazhdimësinë e sovranit. Ato që ëndërrojnë ndryshe, dëshirojnë ndryshim dhe konkurrencë të ndershme, përfundojnë duke u përjashtuar, etiketuar ose mbytur në një det indiference të qëllimshme. Por përtej propagandës së lyer me euro-yje dhe “manifakturimit të miratimit” që na u servir në këto zgjedhje, lind pyetja: çfarë bilanci real ka PS-ja në procesin e anëtarësimit? A është e bazuar kjo krekosje delirante europianiste që na shurdhoi gjatë fushatës dhe që me gjasë do të hutonte e skuqte nga sikleti vetë Robert Schumanin dhe Jean Monnet-në?

Partia Socialiste ka qeverisur Shqipërinë për 21 vjet e 10 muaj, duke qenë forca më jetëgjatë në pushtet gjatë pluralizmit. Vendeve të bllokut lindor iu janë dashur mesatarisht 16.5 vite për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian që nga momenti i rënies së komunizmit. Pra, po të lëmë mënjanë përgjegjësitë e 13 vjet qeverisje të PDsë dhe Berishës, PS-ja, po të kishte qenë përnjëmend ky fanar euroatlantik siç e ambalazhon sot kryeministri, ne duhet të ishim tashmë të integruar qëmoti. Gjatë fillimit të viteve ‘90, PS-ja (pasardhëse e PPSH-së) nuk kishte një orientim të qartë drejt BE-së, madje retorika e saj ishte shpeshherë antiperëndimore. Duke u përqendruar më shumë në mbrojtjen e trashëgimisë të së majtës sesa në mbështetjen aktive të reformave euroatlantike, qasja e saj ngjante më tepër me një politikë izolacioniste sesa evropiane. Me ardhjen në pushtet në vitin 1997, pas kolapsit shtetëror të shkaktuar nga kriza e skemave piramidale, qeverisja e Partisë Socialiste u dominua nga një klimë e thellë pasigurie, paqëndrueshmëri institucionale dhe korrupsion kapilar. Shqipëria u perceptua si “shtet i dështuar”, ndërsa mungesa e sundimit të ligjit dhe kontrollit demokratik bëri që vendi të mbetej për shumë vite jashtë procesit të integrimit. Gjatë kësaj periudhe, megjithëse u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, reformat e kërkuara nga BE-ja për zgjedhje të lira e të ndershme, administratën publike të depolitizuar, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit u zbatuan me ritëm të ngadaltë dhe shpesh formalisht. Vlerësimet e BE-së në atë kohë theksonin se, ndonëse kishte retorikë politike prointegrimit, qeveria socialiste e Nanos nuk arrinte të siguronte rezultate konkrete, duke e mbajtur Shqipërinë jashtë orbitës së zgjerimit të BE-së. Nën lidershipin e Ramës, Partia Socialiste e Shqipërisë në përgjithësi është pozicionuar publikisht si prointegrimit evropian, megjithatë ka pasur plot momente ku veprimet, taktikat politike ose lëvizjet institucionale kanë qenë pengesë reale për procesin e integrimit. Pas mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, për shkak të pretendimeve për manipulim zgjedhjesh (déjà vu e ngjashme me atë që po bën Partia Demokratike sot), PS-ja ndërmori bojkotimin e Kuvendit që bllokoi përparimin në reformat e integrimit evropian.

Vendimi për bojkotimin e Kuvendit shkaktoi përplasje brenda PS-së dhe formimin e një fraksioni disidentësh të përbërë nga figura si Blushi, Malaj, Harasani, Islami, Bello, të cilët bënin asokohe thirrje për kthim në parlament pikërisht për të mos bllokuar procesin e integrimit. Obstruksionizmi i PS-së vazhdoi edhe pas rikthimit në Kuvend, duke refuzuar votimin e tre ligjeve të shumëpërmendura që kërkonin tre të pestat e votave dhe që ishin parakusht për fitimin e statusit të vendit kandidat. Bëhej fjalë për ligjin për Gjykatën e Lartë, statusin e nëpunësit civil dhe rregulloren e Parlamentit, të cilat PS-ja i votoi vetëm më 30 maj të vitit 2013 (megjithëse fillimi i marsit ishte afati maksimal që kishte vendosur Brukseli në mënyrë që Këshilli i BE-së të merrte në shqyrtim kandidaturën e Shqipërisë), me parakushtin që të hynin në fuqi në tetor, vetëm e vetëm që PD-ja të mos merrte ndonjë meritë për integrimin. Shqipëria e mori më në fund statusin e vendit kandidat në qershor të vitit 2014, megjithëse kishte aplikuar që në prill të vitit 2009, duke shënuar një rast të paprecedentë në historinë e zgjerimit evropian për shkak të refuzimeve të shumta.

PS-ja, kur erdhi në qeverisje, u karakterizua nga një zbatim selektiv i reformave të premtuara dhe afera të mëdha korrupsioni. Po ashtu, një nga pengesat më serioze për integrimin evropian të Shqipërisë ka qenë fenomeni i korrupsionit elektoral, sidomos përmes blerjes së votës, presionit ndaj administratës publike dhe bashkëpunimit me elementë të krimit të organizuar në fushata. Ky fenomen, i ilustruar më së miri me dosjet famëkeqe “184” dhe “339”, ka minuar besimin publik në procesin demokratik dhe ka ngritur alarme të përsëritura në raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të OSBE/ODIHR, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Gjatë mandatit të dytë pati kriza të mirëfillta të institucioneve dhe të pluralizmit, me polarizimin e skajshëm, ku shije të hidhur lanë veçanërisht zgjedhjet lokale pa opozitë në 2019 dhe krijimi i një parlamenti njëngjyrësh, pa opozitë reale, që çoi edhe në një reformë zgjedhore të njëanshme, pa konsensusin e opozitës. Me kontrollin e shumicës së institucioneve, PS-ja zvarriti reformën e drejtësisë dhe u përpoq të vendoste nën kontroll të plotë institucionet kyçe. Prandaj, raportet evropiane theksuan “mungesën e konsensusit politik” dhe “përqendrimin e pushtetit në dorën e ekzekutivit” si shkaqe kryesore për refuzimin e përsëritur të çeljes së negociatave. Mandati i tretë gjithashtu u karakterizua nga centralizimi i pushtetit, mungesa e dialogut politik dhe vazhdimi i korrupsionit. Rënia prej 16 pozicionesh, nga vendi i 83-të në 2021 në të 99-in në 2024 në indeksin e “Reporterëve pa Kufij” për lirinë e mediave, ilustron qartë përkeqësimin e klimës demokratike. Po ashtu, sundimi i ligjit u minua seriozisht përmes ndërhyrjeve politike në institucionet e drejtësisë, duke cenuar pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Konkretisht, emërimet e vonuara dhe të politizuara në Gjykatën Kushtetuese (PS-ja shmangu qëllimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe procedurave të përbashkëta me Presidentin për të vonuar ose manipuluar renditjen e kandidatëve), kapja de facto e KLGJ-së, KLP-së dhe KEDsë përmes kontrollit parlamentar, si dhe hetimet selektive nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, kanë krijuar një sistem drejtësie goxha të varur dhe të njëanshëm. Pas çdo ëndrre të zbukuruar me yje e flamuj evropianë, indekset e ndryshme demonstrojnë mosevropianizimin e Shqipërisë dhe mosarritjen e kritereve të Kopenhagenit për anëtarësim. Për sa i përket nivelit të demokracisë, nga 2013 në 2024, në renditjet më prestigjioze ndërkombëtare, Shqipëria ka mbetur “pjesërisht e lirë” sipas “Freedom House” dhe ka përjetuar një autokratizim të qëndrueshëm sipas V-Dem, duke rrëshqitur nga demokracia liberale drejt një regjimi elektoral hibrid me institucione të dobëta dhe liri të kufizuara. Nëse flasim për ekonominë, llogaritjet tregojnë se Shqipërisë do t’i nevojiten rreth 80 vjet për të arritur mesataren e PBB-së për frymë të BE-së, duke u bazuar në ritmet aktuale të rritjes së Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të BE-së. Indeksi i Drejtësisë i nxjerrë nga “World Justice Project” (WJP) në 2021 e rendiste Shqipërinë në vendin e 83-të, ndërsa në 2024 në vendin e 89-të, duke shënuar një rënie prej 6 vendesh.

Në këto rrethana e me këtë model qeverisës, e vetmja shpresë reale për t’u anëtarësuar mbetet hyrja “si me mik”, duke mbajtur hundën mbyllur me gishta për të mos nuhatur kundërmimin e keqqeverisjes së kalbur dhe të konsumuar të PS-së. Jo përmes përmbushjes së plotë të kritereve, por falë rrethanave gjeopolitike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe nevoja Brukselit për të mbajtur gjallë ëndrrën e zgjerimit si instrument stabiliteti dhe paqeje në kontinent. Prandaj, neve që e duam sinqerisht integrimin, s’na mbetet gjë tjetër veçse të lutemi me sarkazëm: Mbahu, Putin, mos lësho pe, shtrëngoje edhe pak rripin, sa të hyjmë ne në BE! /Gazeta Panorama

Albania 2.1 e Vini Mass/ Kullë te shtëpia e Kadaresë dhe hotel mbi Gjipe

Në festivalin ndërkombëtar të arkitekturës “Bukë dhe Zemër” arkitekti holandez Vini Mass, mik i afërt i kryeministrit Edi Rama dhe autor i disa projekteve në Tiranë, prezantoi për publikun një seri idesh të reja urbane që ai i përmbledh me emrin “Albania 2.1”.

Përballë një salle plot me arkitektë nga Japonia, SHBA, Evropa dhe Koreja e Jugut mes të cilëve ishte edhe kryeministri Rama, Mass ekspozoi disa projekt-ide që përfshijnë:

Një kullë e re pas godinës me kokën e Skënderbeut

Një nga projektet provokuese ishte një kullë e re e planifikuar pas godinës së krijuar sipas bustit të Skënderbeut, në truallin që ndodhet pranë ose mbi pallatin ku kanë jetuar dikur Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Kjo ndërhyrje u shfaq si pjesë e një vizioni për “kompletimin e koleksionit të qytetit” dhe për të “shtuar aventura të reja urbane”.

“Kjo do të thotë që duhet të gjejmë vende brenda këtij koleksioni. Hapi tjetër është të imagjinojmë, të shtojmë këtë aventurë… kështu që kjo mund të kthehet gradualisht në diçka në këtë cep” tha Vini Mass, në festivalin “Bukë dhe Zemër”.

Vetëm se në atë “cep” siç e quan arkitekti i huaj, ndodhet pallati në shtëpinë ku kanë jetuar Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare që mbart një peshë të rëndësishme simbolike për zonën. Gjithsesi pallati në fjalë tashmë është rrethuar nga kullat gjigande dhe nuk është e qartë nëse kulla e re që projekton Vini Mass parashikon shembjen e tij. Fotoja gjithsesi u shfaq vetëm një fraksion sekonde në prezantim.

Dy linja metroje për Tiranën: Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim

Në të njëjtin vizion “Albania 2.1”, Mass kërkoi publikisht ndërtimin e dy linjave metroje për Tiranën, një në drejtimin veri-jug dhe një tjetër lindje-perëndim, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri për qytetin që po zgjerohet në mënyrë të pakontrolluar.

“Ne duhet t’u kërkojmë zhvilluesve tanë të paguajnë , u shpreh Mass, ndërsa ndërthurte në ekran takimet e liderëve europianë me zhvillimin e Tiranës, – Po, dy linja metroje ju lutem. Në versionin 2.1. Veri-jug, lindje-perëndim” tha ai ndërsa hidhte me shpejtësi shikimin nga Edi Rama.

Hotel mbi kanionin e Gjipës – në tokat e gjyshërve të Edi Ramës

Screenshot

Më tej, Mass zbuloi një tjetër projekt: një hotel i ngritur mbi kanionin e Gjipës, në një pozicion tepër të ndjeshëm ekologjikisht, për të cilin ai vetë pranoi se kishte ngurruar në fillim.
“Kur më kërkuan të bëja një hotel atje — në atë vend — mendova: ‘Nuk mund ta bësh këtë.’ Duhej ta ngrinim sipër kanionit, për ta lënë të lirë poshtë.” – Vini Mass.

Gjipeja është një zonë e mbrojtur dhe një nga perlat natyrore të bregdetit shqiptar, por opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se nëpërmjet korruptimit të vartësve të tij po e kalon pronën në emër të familjarëve të tij. Vetë Edi Rama nuk e ka mohuar trashëgiminë, por ka thënë se ia ka lënë të vëllait pjesën e tij në Gjipe, një hapësirë toke në bregdet që shkon deri në 224 mijë metra katrorë tokë.

“Toskana shqiptare”

Një tjetër ide nga Mass përfshinte instalimin e një sistemi të sofistikuar ujitjeje për ta shndërruar terrenin agro-kulturor në një peizazh bujqësor të stilit italian.

“Ju keni një thesar këtu — ujin. Bëni vija shkurresh mes parcelave. Në vend që të shkoni ju në Toskanë, le të vijë Toskana këtu!” – u shpreh Vini Mass.

Në fund të prezantimit të tij, Mass propozoi që ndërtimet e ardhshme në Shqipëri të përfshijnë ruajtjen e ujit në bodrume, shfrytëzimin e energjisë diellore dhe krijimin e një arkitekture që buron nga bujqësia — si një kombinim mes dizajnit bashkëkohor dhe vetëqëndrueshmërisë lokale.

“Imagjinoj, Edi, që sistemi yt i ujit këtu është aq i kujdesshëm, sa ndërtesat e ardhshme mund ta ndihmojnë atë. Bodrumet mund të magazinojnë ujin… dhe qyteti mund të ndërtohet sipër kësaj.” – Vini Mass.

Vini Mass është një nga arkitektët më të njohur holandezë në skenën ndërkombëtare të dizajnit urban, bashkëthemelues i studios së famshme MVRDV, një zyrë arkitekturore me bazë në Rotterdam. Ai është i njohur për projektet e tij konceptuale, vizionin futurist dhe afërsinë me liderë politikë, mes tyre edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me të cilin ka një marrëdhënie të hershme bashkëpunimi që daton nga fillimi i viteve 2000.

Screenshot

Vini Mass ishte autori i planit të parë për rikualifikimin urban të Sheshit Skënderbej, financuar nga Qeveria e Kuvajtit. Projekti nuk u realizua për shkak të kundërshtive politike dhe ndryshimeve në pushtet.

Në vitin 2014, ai u rikthye në Tiranë dhe u përfshi në projekte të reja. Në vitin 2018, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) kontraktoi MVRDV për restaurimin e Piramidës së Tiranës – ndërtesës që dikur ishte mauzole për diktatorin Enver Hoxha. Projekti kishte si synim hapjen e strukturës për publikun dhe kthimin e saj në një qendër inovacioni për të rinjtë.

Në një shkrim të INA Media raportohej se burime konfidenciale nga brenda AADF pranuan se lista e studiove ndërkombëtare për Piramidën iu propozua nga vetë kryeministri Edi Rama dhe përfshinte MVRDV.
Mass është arkitekt i DownTown One, një nga godinat më të larta të ndërtuara ndonjëherë në Shqipëri, në bashkëpunim me Kastrati Construction. Projekti fillestar parashikonte 37 kate për banim dhe zyra, por më pas u shtuan kate për hotel.

Një tjetër projekt i firmës së tij është Kulla e Skënderbeut, pranë Hotel Tiranës, e konceptuar me elemente që sjellin siluetën e heroit kombëtar, por duket se Mass ka parë edhe një mundësi tjetër në sheshin pas kësaj kulle dhe kërkon të ngulë një tjetër fasadë betoni nga pas./Lapsi.al

Shpopullimi i Shqipërisë/ “Barra” e turistëve, nuk ka kush t’u shërbejë

Promovimi ndërkombëtar në mediat e huaja, por edhe efekti i rrjeteve sociale e kanë kthyer Shqipërinë në një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë të turizmit.

Kontratat me garanci kanë ardhur në rritje dhe grupet e organizuara po diversifikohen çdo vit, ku pas polakëve e çekëve tashmë, turistët spanjollë, portugezë, francezë apo izraelitë po rriten dukshëm.

Suksesi i papritur duket se na gjeti të papërgatitur në disa drejtime, duke shtuar presionin për ndërhyrje të shpejta nëse duam që rritja të jetë e qëndrueshme. Operatorët turistikë presin që viti 2025 të shënojë një tjetër rekord të vizitorëve të huaj me rritje të turistëve të huaj mes 10-15%.

Sfidë mbetet infrastruktura rrugore dhe aeroportuale për të përballuar këtë fluks, fuqia punëtore e kualifikuar në mungesë apo operimi i sektorit pa një lidhje të qartë me industritë mbështetëse për të maksimizuar përfitimin e ekonomisë.

Numri i të huajve që vizitojnë Shqipërinë po rritet dhe ky padyshim është një lajm i mirë, por paralelisht po shtohet presioni për t’i mbajtur ata. E kapur në një fluks në rritje nga viti në vit, Shqipëria duket se nuk po arrin të përballojë në disa raste kërkesat që sjell me vete një turizëm me rritje të shpejtë.

Tendenca po shihet në disa drejtime, duke nisur së pari nga infrastruktura e pamjaftueshme në rrugë, ajo aeroportuale apo në marina. Së dyti, një bujqësi në tkurrje ka zhvendosur balancën në anën e importeve.

Pra, të huajt “po i ushqejmë” me produktet e tyre të shërbyera shqiptarçe. Kjo e ul ndjeshëm ndikimin real që turizmi do të kishte në ekonomi.

Nëse bujqësia dhe agropërpunimi do të ishin të përfshira me një strategji më të mirëmenduar në zinxhirin e industrive mbështetëse, vlera që do të merrte ekonomia do të ishte më e lartë. Së treti, të huajve po u shërbejnë “të huajt” të sjellë me kontrata nga vende të tjera, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

Vijnë turistët e parë “të verës”, kontratat me garanci në rritje, diversifikohen grupet

Turizmi i organizuar po njeh rritje nga viti në vit dhe paralelisht me këtë edhe turizmi individual ka pasur të njëjtën tendencë. Tregjet që pëlqejnë Shqipërinë mbeten të qëndrueshme, teksa vijojnë të shtohen edhe grupe të reja.

“Kanë nisur të vijnë turistët e parë të organizuar, sipas kontratave me garanci që kemi nënshkruar. Të parët janë polakët dhe më pas këto javë presim të vijnë edhe grupe të tjera.

Golemi dhe Durrësi janë konsoliduar si destinacione, sepse u bënë më shumë se një dekadë që kanë turizëm të organizuar.

Tregjet që po vijnë të organizuara janë diversifikuar nga viti në vit, por disa janë të qëndrueshëm. Tregu spanjoll është me rritje këtë vit, edhe portugezët.

Në rritje janë edhe turistët hungarezë dhe sllovakë. Po kështu janë edhe izraelitët, ku njëra nga linjat e fluturimeve po operon edhe si charter”, – tha Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Edhe për Arben Çipën, administrator i “Sipa Tours”, ky vit pritet të jetë pozitiv, duke pasur parasysh ecurinë e mirë që ka pasur në muajt e parë të vitit.

Prilli, sipas tij, ishte me rritje rreth 10% në raport me prillin 2024, të paktën nga përshtypjet e marra nga strukturat në Jug të vendit, konkretisht në Ksamil dhe në Sarandë.

“Kryesisht janë europianë, por sidomos po vijnë francezë. Janë një grup që dominon këtë vit për këtë periudhë. Janë mosha relativisht të reja, me qëndrime javore”, – shprehet Çipa.

Shumë turistë, pak rrugë, edhe më pak aeroporte, kujdes i shtuar për shërbimet detare

Një nga problematikat e ngritura këtë sezon ishte ajo e mosnisjes në operim e aeroportit të Vlorës. Pritshmëria ishte që të paktën në sezonin veror të fillonte operimi i linjave charter dhe në bazë të këtij premtimi vitin e shkuar u nënshkruan edhe kontrata me garanci me strukturat akomoduese në Vlorë. Por, tashmë, kjo nuk është e mundur.

“Është një problem shumë i madh për ne mosfillimi i fluturimeve nga Vlora. Ne i nënshkruam këto kontrata duke marrë parasysh që na u premtua nisja e fluturimeve në disa biseda të vitit të shkuar, kur na u tha se për charterat ndoshta do të ishte e mundur ulja.

Tashmë jemi përpara faktit dhe kjo na ka sjellë shqetësime. Në raste më ekstreme, kur marrëveshjet nuk respektohen, mund të shkojnë në gjyqe, por ne po negociojmë me agjencitë e huaja që të paktën ulja e charterave këtë verë të bëhet në Tiranë.

Kuptohet që janë operatorët turistikë shqiptarë që marrin kostot e transportit përsipër” tha z. Kasa.

Por duket se edhe devijmi i fluturimeve në Tiranë është sfidues pasi Aeroporti i Tiranës po punon thuajse me kapacitet maksimal dhe nuk ka frekuenca të disponueshme për fluturime të paparashikuara.

Nga ana tjetër, edhe infrastruktura rrugore, pavarësisht investimeve, nuk e përballon dot ritmin e rritjes së turizmit në vend.

“Nuk mund të them që nuk janë bërë rrugë, ka pasur investime serioze por mendoj se nuk mjaftojnë për të përballuar këtë rritje të fluksit që kemi.

Ne presim që këtë vit të shkojmë në 14 milionë turistë dhe ky është një numër i konsiderueshëm dhe mendoj se Shqipëria nuk ka infrastrukturë për të përballuar këtë. Po kështu, disa destinacione shumë popullore mbeten me një akses që lë për të dështuar.

Po sjell si shembull infrastrukturën rrugore që të çon për te Lumi i Shalës, kemi kërkuar të ndërhyhet prej vitesh. Po kështu edhe Golemi, i cili mbetet peng i trafikut”, – nënvizon kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

Shqipëria njëkohësisht vuan për marina të mirëfillta turistike, diçka që kufizon ndjeshëm një segment të turizmit që orientohet tek ai më luksoz. Gjithsesi, përtej kësaj, rritja e turizmit kërkon një vëmendje të shtuar edhe ndaj shërbimeve detare për të ofruar siguri dhe standarde.

“Duhet të ketë vëmendje te shërbimet e detit. Flas këtu për të gjitha shërbimet ku duhet të operohet me rregull, norma dhe në zbatim të një kuadri rigoroz. Duhet të funksionojë ligji dhe kontrolli për të gjithë skafet, anijet dhe të gjithë mjetet e ujit”, – shprehet z. Çipa.

Të huajve po u shërbejnë “të huajt”, por problem gjetja e forcës së kualifikuar të punës

Turizmi po orientohet qartësisht drejt gjetjes së një zgjidhjeje jashtë kufijve të Shqipërisë në lidhje me forcën punëtore. Bëhet fjalë për plotësimin e pozicioneve që nuk kërkojnë ndonjë kualifikim të veçantë.

“E kemi gjetur një zgjidhje. Po sjellim të huaj nga vendet e treta duke nisur nga Afrika, vende si Nepali, Filipinet. Kemi vendosur kritere në kontratat e nënshkruara në mënyrë që të jemi të sigurt dhe të kemi qëndrueshmëri, sepse edhe kjo ka koston e saj.

Sigurisht bëhet fjalë për forcë punëtore që duhet për pozicione që nuk kërkojnë kualifikim, pra të natyrës punonjës pastrimi, mirëmbajtje, sanitare, të cilët janë gjithashtu shumë të rëndësishëm në shërbim” pohon z.Çipa.

Edhe z. Kasa ka të njëjtin qëndrim duke nënvizuar se për strukturat akomoduese është më e vështirë gjetja e stafit të kualifikuar.

“Strukturat janë gati dhe tek-tuk mund të kenë probleme me stafin, por e kanë zgjidhur thuajse, sepse po marrin punëtorë të huaj, të paktën për ato pozicione që nuk duan kualifikim.

Pra problem mbetet stafi i kualifikuar që është i vështirë për t’u gjetur” shprehet ai. / Nertila Maho / MONITOR 

Familja e Charles de Gaulle i dhuron shtetit francez dorëshkrimin e Apelit të vitit 1940

Familja vendosi gjithashtu të dhurojë “gati 1,300 dokumente të shkruara me dorë ose të shtypura në makinë shkrimi të Gjeneralit de Gaulle”, i cili vdiq në vitin 1970, tha Artcurial.

Dorëshkrimi i Apelit, të cilin ai e dorëzoi nga Londra më 18 qershor 1940 , nëpërmjet BBC-së, ishte ekspozuar për herë të parë para këtij ankandi, por nuk ishte në dispozicion për shitje.

Dy fletët me dy anë, me shumë korrigjime të shkruara me dorë, fillimisht u mbajtën nga Yvonne de Gaulle , gruaja e gjeneralit, dhe më pas kaluan nëpër kasafortat e bankave.

Charles de Gaulle , i cili ishte graduar gjeneral gjatë luftimeve kundër pushtimit gjerman që filluan në maj 1940, fluturoi nga Franca për në Angli më 17 qershor, duke kundërshtuar zgjedhjen e Philippe Pétain si kreu i qeverisë së Francës së pushtuar nga nazistët dhe idenë e një armëpushimi.

Më 18 qershor, në orën 6:30 pasdite, ai u bëri thirrje të gjithë francezëve që kishin bërë të njëjtën zgjedhje ta ndiqnin atë dhe në një fjalim të zjarrtë tha: “‘Çfarëdo që të ndodhë, flaka e rezistencës franceze nuk duhet dhe nuk do të shuhet’”.

Vonesat e fluturimeve, shtetet e BE-së synojnë të ulin kompensimin

Vendet e Bashkimit Evropian e kanë miratuar një plan që u mundëson kompanive ajrore të bëjnë vonesa më të gjata të fluturimeve para se t’iu duhet t’i kompensojnë pasagjerët.

Aktualisht, pasagjerët në Evropë kanë të drejtë të fitojnë kompensim mes 250 deri në 500 euro, varësisht prej distancës së fluturimit, për vonesat prej tri orësh e më tepër.

Mirëpo, agjencitë ajrore ankohen se kjo rregullore u kushton shumë, dhe shpesh detyrohen që t’i anulojnë fluturimet, për shkak të efekteve zinxhir.

Shumica e vendeve të BE-së janë pajtuar të enjten që t’i ndryshojnë rregullat, duke tejkaluar kundërshtitë e Gjermanisë, në veçanti, pas disa orësh të negociatave në Luksemburg.

Sipas sistemit të ri, pragu i kompensimit do të rritet në katër orë për fluturimet deri në 3.500 kilometra, apo për fluturimet brenda Bashkimit Evropian, dhe shuma do të jetë 300 euro.

Për fluturime më të gjata, e drejta e kompensimit prej 500 eurosh do të zbatohet pas një vonese prej gjashtë orësh.

Organizata Evropiane e Konsumatorëve BEUC e ka kritikuar planin, duke thënë se “pragu i ri do t’iu pamundësojë shumicës së pasagjerëve të drejtën për kompensim” pasi shumica e vonesave janë mes dy dhe katër orësh.

Ajo u ka bërë thirrje ligjvënësve evropianë – që ende nuk e kanë miratuar tekstin – që t’i kenë parasysh të drejtat e pasagjerëve.

Kompromisi nuk i ka kënaqur as kompanitë ajrore, pasi Grupi i Kompanive Ajrore për Evropën, që përfshinë kompanitë: Air France-KLM, Lufthansa, Ryanair dhe easyJet, janë ankuar se “janë prezantuar edhe më shumë komplikime” sesa në planin fillestar të Komisionit Evropian.

Ministri polak i Infrastrukturës, Dariusz Klimczak, shteti i të cilit është në krye të Presidencës së BE-së, ka thënë se janë krijuar “mbi 30 rregulla të reja” për pasagjerët.

Aty përfshihet e drejta për të arritur në destinacion edhe përmes rrugëve alternative sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë edhe fluturimet e operuara nga transportues të tjerë, ose mënyra alternative të transportit.

Plani krijon edhe një sistem për pasagjerët që të kompensohen automatikisht për fluturimet e anuluara brenda 14 ditësh.

Aty përfshihet edhe e drejta e ndihmës – për ushqim dhe akomodim – kur udhëtimet nuk shkojnë sipas planit.

Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, ka thënë se është i kënaqur me kompromisin.

“Teksti do të mund të ishte më ambicioz, mirëpo është hap përpara drejt përmirësimit të kualitetit të shërbimeve të ofruara për pasagjerët “, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social ‘X’.

REL