22.5 C
Tirana
E premte, 6 Qershor, 2025

VOA: Rama kërkon të ndërhyjë te drejtësia për të “luftuar” korrupsionin, Basha e quan retorikë boshe

Në Shqipëri shumica socialiste propozoi sot ndërmarrjen e një cikli të ri reformash të thella të cilat do të duhet të kenë në fokus mirëqeverisjen, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. Një projekt rezolutë e paraqitur prej tyre parashikon ngritjen e një Komisioni të posaçëm parlamentar, të ngjashëm me atë të reformës në Drejtësi. Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës që pavarësisht dallimeve të thella, t’i bashkohen kësaj nisme. Por kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi propozimin një retorikë boshe.

Kryeministri Rama foli sot gati dy orë në mbledhjen e grupit të tij parlamentar, së cilës i ishin bashkuar dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, duke vënë theksin te nevoja e përmirësimeve të thella në funksionimin e institucioneve, dhe veçanërisht në krijimin e mekanizmave dhe filtrave për të parandaluar korrupsionin. Një fenomen, i cili sipas tij, vijon të mbetet shqetësues, pavarësisht përpjeejeve të mëdha, siç u shpreh ai, që janë bërë për ta luftuar atë.

Zoti Rama u ndal gjatë, në tezën e përsëritur prej tij, se është falë reformës në Drejtësi, që sot përpara saj po shkojnë zyrtarë të lartë, përfshirë dhe ish ministra e drejtuesë lokalë, përfaqësuesë të partisë së tij.

Duke ritheksuar mbështetjen për punën e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, dhe faktin se përgjegjësia e gjithkujt që kryen shkelje është individuale, zoti Rama theksoi se SPAK-u nuk duhet të mbetet si ishulli vetëm ku ndihet fuqia e drejtësisë, por “drita e sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjes ku prokuroritë dhe gjykatat e pashkëputur akoma nga errësira e tunelit të së shkuarës, ku institucionet e shtetit janë ende të prekura nga korrupsioni dhe ku lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një luftë e organeve të drejtësisë, është pikërisht shtetbërja e plotë demokratike e Shqipërisë, përmes thellimit të reformave në funksion të mirëqeverisjes, anti korrupsionit dhe sundimit të ligjit”.

Socialistët propozojnë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm parlamentar, për të analizuar situatën dhe për të hartuar një Plan kombëtar veprimi, me kohështrirje afatgjatë, i cili të rekomandojë edhe ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale. Komisioni, ngjashëm me atë të Reformës në Drejtësi, gati 10 vite më parë, do të duhet të ketë dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Kryeministri Rama pati një thirrje të drejtëpërdrjtë për opozitën që së bashku, të krijojnë një hapësirë jashtë territorit të luftës politike “për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë”

Reagimi i parë erdhi menjëherë pas mbylljes së fjalës së zotit Rama, nga kreu i Partisë demokratike zyrtare Lulzim Basha: “Dy orë retorikë, dy orë fukarallëk politik, për të mbuluar me shoshë të vërtetën, për të justifikuar të pajustifikueshmen, në një përpjekje kaq hipokrite që duket haptasi që nuk e beson as vetë e as ata që e rrethojnë”.

Sipas zotit Basha “nëse ka, sado pak sinqeritet në nismën e kryeministrit”, atëherë sipas tij, shumica socialiste do të duhet fillimisht të pranojë propozimet e partisë së tij për vettingun e politikanëve, heqjen e imunitetit dhe miratimin e propozimeve për më shumë mbështetje ndaj SPAK-ut./VOA

Analisti për VOA: I paqartë fati i votimit mbi anëtarësimin e Kosovës në KiE

Muajin e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Vendimi përfundimtar merret nga Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare që mblidhet javën që vjen. Por fati i kësaj çështje mbetet i paqartë dhe ka zëra se anëtarësimi i Kosovës mund të mos përfshihet fare në rendin e ditës. Arsyet duket se lidhen me çështjen e Asociacionit, për të cilën aleatët perëndimore i kanë kërkuar Prishtinës të hedhë hapa konkretë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës analisti Agon Maliqi thotë se ka ende pritshmëri që qeveria e kryeministrit Kurti të ndërmarrë hapin e kërkuar në lidhje me Asociacionin, përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave të KiE. Ai kritikoi zotin Kurti për atë që e cilësoi një qasje antagoniste me aleatët, që mund t’i kushtojë, sikurse tha, anëtarësimin në këtë organizatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Maliqi, a prisni që çështja e anëtarësimi të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos futet fare në rendin e ditës së mbledhjes së Këshilli të ministrave të kësaj organizate?

Agon Maliqi: Është e mundshme. Shtetet mbështetëse të Kosovës, kryesoret që janë në Evropë si Gjermania, Franca dhe Britania besoj që nuk duan ta shohin Kosovën të dështojë, pra të votojnë kundër pranimit të Kosovës, por si një formë ndoshta ndëshkimi dhe disiplinimi politik apo shprehje e paknaqësisë së tyre të përgjithshme apo të humbjes së besimit që kanë tek Kryeministri Kurti, ka sinjale që po rezistojnë që ta fusin në agjendë të vendimarrjes të Këshillit të Ministrave. Veçanërisht Franca, por edhe Gjermania e Italia janë më të zëshme në anën e Quint-it në këtë drejtim. Por kjo është një çështje në zhvillim e sipër sepse ndoshta ka akoma pritshmëri që Kryeministri Kurti do ta ndërmarrë atë hap të kërkuar në lidhje me Asociacionin dhe mbetët të shihet këto ditë se cilat do të jenë hapat e tij.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Maliqi, a nuk ka të drejtë zoti Kurti kur thotë se çështja e Asociacionit nuk duhet ngatërruar me atë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë?

Agon Maliqi: Formalisht po, sepse procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një proces krejt tjetër dhe ka të bëjë me kritere e standarde krejt të tjera. Mirëpo, në fund të fundit vendimi i Këshillit të Ministrave është politik. Ajo që po shohim të ndodhë është se shtetet mbështetëse të Kosovës, vendeve kryesore evropiane, iu ka humbur çdo instrument apo mekanizëm përmes së cilit mund të kenë ndikim tek qasja e qeverisë së Kosovës në dialog. Ka qenë për shembull rasti i liberalizimit të vizave i cili po ashtu formalisht nuk kishte asnjë lidhje me dialogun, por në një formë edhe ai përdorej si levë presioni ndaj qeverisë në Kosovë dhe ai vendim atëherë u mor në njëfarë forme si vepër mirëbesimi dhe tani kjo që po shohim se po ndodh është akumulimi i frustrimit dhe i acarimit të këtyre shteteve me qasjen e qeverisë së Kosovës në dy vitet e fundit në veriun e Kosovës. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, por ka të bëjë me humbjen e besimit të këtyre shteteve se Kosova do t’i dalë zot atyre zotimeve apo marrëveshjeve të cilat vetë i ka pranuar dhe i ka si detyrime. Dhe jo vetëm kjo qeveri e zotit Kurti, por janë detyrime që burojnë nga marrëveshjet e qeverive të kaluara.

Zëri i Amerikës: Diplomatët perëndimorë por dhe vëzhguesit kanë sugjeruar që Kosova të bëjë përpara me çështjen e Asociacionit duke e çuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë potencialisht mund të humbiste ose të fitonte ajo nëse e ndërmerrte një hap të tillë?

Agon Maliqi: Kosova është dashur ta ndërmarë këtë hap para shumë kohësh. Nga Kosova nuk po kërkohet themelimi i menjëhershëm i Asociacionit, por nga Kosova po kërkohet të fillojë procesin. Hapi i parë në këtë proces është dërgimi i dekretit qeveritar dhe statutit në Gjykatën Kushtetuese për verifikim. Gjykata Kushtetuese është institucion i Kosovës i cili filtron dhe jep vulën, dmth i jep legjitimitetin këtij institucioni dhe e fut brenda parametrave dhe kronizave të sovranetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni që qeveria nuk po e bën këtë hap?

Agon Maliqi: Për mua kjo është e paarsyeshme. Në fund të fundit po i jepet pretekst Serbisë për ta dhënë argumentin në arenën ndërkombëtare se Kosova është palë bllokuese në këtë process, kur në fakt interesi kryesor i Serbisë është që marrëveshja e normalizimit ndërmjet të dy shteteve të mos ecë përpara dhe kjo çështje të zvarritet pafundësisht, që Kosova të mos ecën përpara me anëtarësime në organizatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, mungesa e hapave nga ana e Kosovës ia jep këtë hapësirë Serbisë për ta bërë këtë argument, për të mos i ndërmarrë ato hapa e ato detyrime të veta që ajo i ka marrë përsipër.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Maliqi Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin nga frika se ai mund të shndërrohet në një entitet të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë. Sa është racionale kjo frikë e Prishtinës?

Agon Maliqi: Në 10 vitet e fundit ka patur shumë mitologji mbi Asociacionin. Më shumë është folur për të në mënyrë sipërfaqësore, gjithkush e ka patur një interpretim të vetin se çfarë është ajo, por asnjëherë pa u marrë në thelb, me përmbajtjen e tij. Gjithsesi ka hapësirë për të patur shqetësime sepse ka hapësira ose mundësi që ky entitet mund të bëhet problematik për funksionimin e shtetësisë së Kosovës. Mirëpo, e kemi një proces ku ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe mbështetësit kryesor të sovranitetit të Kosovës, siç janë Shtetet e Bashkuara, por edhe vendet evropiane janë ofruar në njëfarë forme si garantues, që kur Kosova të realizoj këtë zotim, i janë ofruar si garantues Serbisë në këtë rast, por në të njejtën kohë i janë ofruar si garantues edhe Kosovës, që ky entitet nuk do të jetë i tillë, bllokues dhe sabotues i shtetësisë. Dhe nuk ka garanci më të madhe për këtë sesa fakti që këtë entitet ta legjitimojë, vërtetojë Gjykata Kushtetuese. Prandaj Kosova nuk duhet të ketë frikë nga ky proces. Kosova ka patur hapësirë që në fakt të kërkojë gjëra në këmbim të kësaj, pra të marrë garanci për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, të sigurojë hapa përpara me njohjen nga vendet që nuk e njohin në BE, pra ato pesë vendet e BE-së dhe katër të NATO-s dhe të ecë përpara në rrugën integruese në NATO dhe BE. Pra, gjatë dy viteve të fundit Kosova ka patur hapësirë që edhe këto hapat e vetë t’i kushtëzojë. Por fatkeqësisht qeveria e ka marrë një qasje antagoniste me aleatët dhe jo-bashkëpunuese në këtë proces dhe këto ditë po e shohim rezultatin përfundimtar të kësaj qasjeje./ VOA

Muçi fiton zemrat e tifozëve, Besiktas “fluturon” në finalen e Kupës falë golit të yllit kuqezi

Besiktas është kualifikuar për në finalen e kupës së Turqisë. Pasi barazuan pa gola në aktin e parë, Muçi me shokë fituan sot 1-0, në ndeshjen e luajtur në Tupras Stadium (Istanbul). Muçi ishte autori i golit të vetëm të takim, i ardhur në minutën e 70-të. Ylli kuqezi po shpërblen më së miri besimin e dhënë nga trajneri Serdar Topraktepe, duke dërguar kështu ekipin në finale.

Muçi luajti 90 minuta në sfidën e sotme, përveç golit vendimtar, kontributi i dhënë edhe në aspekte të tjera ishte i madh. Besiktas shpreson shumë te fitorja e këtij trofe, teksa në finale do të përballet me fituesin e Trabzonsop-Karagumruk.

Ngrënia e sardeles në vend të mishit të kuq do të shpëtonte 750,000 jetë, flasin shkencëtarë!

Sipas shkencëtarëve, ngrënia e sardeleve në vend të mishit të kuq mund të shpëtojë 750,000 jetë deri në vitin 2050 globalisht.

Përfitimi do të ndihej më shumë në vendet më të varfra, por gjithashtu do të reduktonte në mënyrë drastike vdekjet nga sëmundjet e zemrës në vendet më të pasura. Sardelet janë të pasur me lëndë ushqyese me një gjurmë të ulët karboni, megjithëse vetëm pak më shumë se një e katërta e atyre të kapur hahen nga njerëzit.

Pjesa tjetër kthehet në miell peshku dhe vaj peshku, të cilat përdoren në bujqësi për të ushqyer ushqime deti më të shtrenjta si salmoni dhe trofta. Shkencëtarët kanë hetuar nëse zëvendësimi i marrjes së mishit të kuq me këta peshq mund të zvogëlojë shkallën e sëmundjeve dhe të shpëtojë jetë. Sëmundjet kronike përbëjnë rreth 70% të të gjitha vdekjeve në botë dhe sëmundjet e zemrës, kanceri i zorrës së trashë, diabeti dhe goditjet në tru përbëjnë pothuajse gjysmën (44%) të këtij numri.

Shkencëtarët llogaritën konsumin e mishit të kuq në dekadat e ardhshme në 137 vende dhe vlerësuan mundësinë e zëvendësimit të tyre me peshq të vegjël duke përdorur të dhënat historike të peshkimit. Projeksioni tregoi se një zëvendësim i tillë mund të parandalojë midis 500,000 dhe 750,000 vdekje globalisht deri në vitin 2050, veçanërisht nga sëmundjet e zemrës.

Studiuesit pranuan se peshku i vogël nuk mjaftonte për të zëvendësuar mishin e kuq, por sugjeruan se ai mund të ishte një “alternativë premtuese”. Ata theksojnë se ekziston nevoja për të kufizuar konsumin e mishit të kuq, i cili lëshon intensivisht gaze serrë dhe për të kaluar në ushqime që janë të shëndetshme dhe miqësore me mjedisin në një përpjekje për të “ulur barrën” e sëmundjeve kronike të lidhura me dietën në dekadat e ardhshme.

Peshku është një ushqim që shijohet dhe konsumohet në mbarë botën. Sardelet e freskëta, duke qenë një nga më të sigurtat dhe më ushqyeset, janë një prej llojeve më të pëlqyera të peshkut. Megjithatë, të gjitha përfitimet e mahnitshme shëndetësore të sardeles mund të mos njihen sa duhet. Sardelja është një peshk që përmban acide yndyrore esenciale me zinxhir të gjatë omega-3, zink dhe vitamina gjithashtu është një burim i mirë i kalciumit dhe i shumë lëndëve ushqyese të tjera kardioprotektive të cilat sigurojnë shëndet të mirë të zemrës dhe ruajnë presionin e gjakut. Ato janë të gjithanshme dhe mund të shijohen si të freskëta ose të konservuara.

“Betejën e kemi me Edi Ramën, mbështesim SPAK-un”/ Mirela Karabina: PD-ja do të jetë alternativa më e mirë qeverisëse për shqiptarët

Mirela Karabina, zëdhënëse e PD-së, ka komentuar në RTSH- 24, zhvillimet më të fundit politike në vend, duke filluar që nga reformimi i PD-së, organizimi i saj, protestat e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës, si dhe alternativat që ajo do të shpërfaqë në zgjedhjet politike.

Sipas saj, PD do të jetë alternativa më e mirë qeverisëse sepse do të ketë përfaqësuesit më të mirë të shqiptarëve në përfaqësim politik, parlamentar e qeverisës.

“Qytetari dhe shërbimi ndaj tyre është thelbi ynë. Protestat duhet të jenë qytetare dhe me një mbështetje opozitare dhe duhet drejtësia të veprojë. Protestat që përdoren për interesa personale, si ajo e Bashkisë së Tiranës, nuk vlejnë, ja zbehim dhe rëndësinë protestës. Nuk mund të ketë protesta të ndershme kur PS dhe Rithemelimi, bënë marrëveshje që të mos amnistoheshin protestuesit. Protestat bëhen nga ata që nuk janë përfolur për korrupsion apo shpërdorim detyre. Veliaj është nën hetim.

Është në duart e drejtësisë. Njerëzit e tij më të afërt po hetohen për korrupsion të madh. Kemi betejë me Ramën. Jemi në mbështetje të drejtësisë. Duhet të mbështesim trupën e prokurorëve dhe ne kemi dorëzuar amendamente në Kuvend për këtë. Nuk di si do të dali PS-ja në fushatë. Ata vetëm mund të thonë që do sjellim ministra që nuk vjedhin se këta të gjithë po dalin se vjedhin. Jemi vend i vjedhur nga një klasë politike e korruptuar”, tha Karabina.

Një thirrje për ndihmë: Letra e gruas pa emër

Nga Anila Hoxha

“Jam menduar natën e kaluar ta botoj apo jo dhe vendosa që ta ndaj. Ja ku është një thirrje. Për t’i qendruar besnike, hoqa shumë fraza, të cilat mund ta identifikojnë”.

“Anilë, të pashë sot tek Juli dhe ende nuk i ndal dot lotët. Ti më njeh, por mua më vjen turp të të them se kush jam, sepse nuk do doja që këtë mesazh ta ndaje me dikë tjetër. The që nuk jemi vetëm, por duhet të flasim.

Kam dalë nga një martesë , nga e cila u dhunova dhe me shumë sakrifica u përpoqa të vazhdoja jetën time dhe rritjen e fëmijës.

Nga jashtë duket sikur jam mirë.

Më kanë mbajtur me orë të tëra në punë kur unë duhej të shkoja pranë fëmijës tim, jam detyruar ta rris por nuk kam e marrë pagën.

Tre muaj pa paguar detyrimet, qiraxhiu po bëhet gati të më nxjerrë nga shtëpia dhe fëmijën e kam dërguar tek i ati . Ndërsa mua më qan shpirti, sepse nuk kam asnjë lek për ta ushqyer. Ai nga ana e tij po më bën presione indirekte se do të ma marrë kujdestarinë, sepse nuk kam financat e duhura.

Qeraja, fëmijët për t’u rritur, me jetë për të përballuar, duken shumë.

Por nuk dalin kur ti e ke mësuar evlatin tënd duke mos i munguar asgjë. Dhe sot dhuna vazhdon, psikologjike, financiare, emocionale dhe kjo bëhet zinxhir.

Alma dhe shumë si ajo nuk kanë rrugëdalje.

Unë luftova, por ndonjëherë mendoj më mirë të kisha qëndruar në atë martesë jo të shëndetshme, sesa të jem në kushtet e mbijetesës.

Dhe po, nuk kanë qenë të pakta herët që e kam menduar vetëvrasjen, por nuk e bëj dot sepse më duhet të rris e të edukoj qenien më të rëndësishme të jetës time.

Aq sa e dua, aq e shoh atë si burgun tim. Më ka dënuar që të përballoj jetën në këtë vend të qelbur, me këta njerëz të kalbur dhe realisht, nuk ka asnjë derë ku mund të trokasësh. Të gjithë duan të të mbështesin në teori, por në praktikë, edhe nëse e bëjnë, duan vetëm të të shkelin.

Na vrasin besimin tek drejtësia, tek e vërteta, tek dinjiteti, na vrasin ëndrrat dhe ti duhet thjesht të mbijetosh ose të lejosh të të shkelin që të ia dalësh, sepse pa asnjë mbështetje, është e pamundur.

Te lutem, mos trego. E vetmja ndihmë që mund të japim të gjithë bashkë është të tregojmë të vërtetën.

E vetme, jeta e asnjërës nuk ka vlerë.

Po mendoj të iki nga Shqipëria, duke kërkuar alternativa. Thjesht mos të flasim më për mbështetje, për polici, për politika sociale.

Nuk ekzistojnë, janë selektive!”

Raporti i Avokatit të Popullit: 1/3 e popullsisë jeton në kushte të vështira

Të paktën 1/3 e popullatës në vend jeton në kushte të veshtira teksa skemat e mbështetjes sociale duhet të targetojnë me mirë familjet në nevojë.

Raporti vjetor i zyrës së Avokatit të Popullit (AP) për vitin 2023 ndalet te shifrat e prodhuara nga Instituti i Statistikave por dhe tek ankesat që ka marre lidhur me këto çështje.

Sipas raportit, varfëria ( norma e rrezikut të varferise) në Shqipëri mbetet e lartë, mbi 22.0 %. Sipas rezultateve të Anketës së të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (EUSILC) 2021 që mat kushtet e jetesës, varferinë relative dhe privimin material në familjet shiptare, publikuar më date 30.12.2022 nga INSTAT; vleresohet se niveli i perjashtimit social ne Shqipëri, pra i individëve në rrezik varfërie, ose thellësisht të privuar materialisht, ose me intensitet shumë të ulët në punesim, është rreth 43.9% e popullsisë. Privimi i rëndë material vlerësohet në 35,2 % në 2021.

“Kjo do të thotë se pothuajse 1/3 e popullsisë jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, duke iu referuar studimit për “Transfertat e Mbrojtjes Sociale drejt Familjeve të Varfra”, ku janë listuar kategoritë e shpenzimeve për familjet e varfra, ushqimi zë pjesën më të madhe te shpenzimeve duke lënë hapësirë të pakonsiderueshme për shpenzime të tjera si komunikimi, kultura”thuhet në raport.

I njëjti dokument vlerëson se ndihma ekonomike, që është një instrument që synon kategoritë në nevojë, ka vend për përmirësim diçka që pranohet edhe në dokumente strategjikë.

Sipas AP, sfidë e reformës për Ndihmën Ekonomike, vijon të mbetet masa e ulët e saj, nxjerrja nga skema e familjeve në rrezik të varferisë, mos mbulimi i të gjitha kategorive vulnerabl, përfituese të ndihmës ekonomike dhe mangësia e akteve nënligjore që percaktojnë masën e minimumit jetik dhe përshtatjen e kësaj mase në planin kohor, si një normë kufizuese për mbrojtjn e burimit të të ardhurave të qytetarëve.

Konkretisht gjatë vitit 2023, institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar raste të paraqitura nga ankesat e gytetarëve, apo të trajtuara me iniciativë. Referuar ankesave të registruara gjatë ketij viti, rezulton të jenë 35 të tilla, nga të cilat 10 janë të nisura me iniciativë.

Për trajtimin e këtyre rasteve, institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer hetime administrative, të cilat janë permbyllur me zgjidhjen e tyre në favor të qytetarëve dhe/ose sqarimin e ankuesve lidhur me shkaqet ligjore të nderprerjes apo të mospërfitimit të ndihmes së kerkuar, shogëruar me sugjerimet përkatëse për zgjidhjen e problematikës se trajtuar si dhe duke adresuar problematikat nëpërmjet rekomandimeve drejtuar institucioneve përgjegjëse./ Monitor

Si po e ushqen Rama fabulën që SPAK kontrollohet prej tij!

Nga Ermal Peçi

Gjatë ditës së sotme jo vetëm për arsye të zhivillimeve politike, por dhe profesionale, mu desh të dëgjoja 2 orë fjalim të Edi Ramës. Në fakt Rama artikulimin e ka pasur pikën e tij më të fortë dhe e ka, por mesa duket koha, korrupsioni, bashkëpunëtorët pas hekurave dhe gjendja e mjerueshme e Shqipërisë, të cilën ai mundohet ta fshijë pas propagandës së tij shumëngjyrëshe duket se po bën të veten.
Një fjalim i lodhshëm, i cili niste se si ky e gjeti Shqipërinë dhe si arriti ta bëjë deri sot, 11 vite pushtet dhe i duhet përsëri të rikujtojë të shkuarën me shpresën për t’ju treguar shqiptarëve se gogoli është akoma aty dhe ky është i vetmi që e shpëton Shqipërinë nga mankthet e së shkuarës. Në fakt ky është vetë një prej manktheve, i cili i endet Shqipërisë vërdallë duke ia ngulur thikën njësoj si burri i ministres Ibrahimaj, zgjedhur prej tij që kërkonte të vendoste shokun e vet dhe kur nuk i realizohej qëllimi përdorte thikën. Kështu përdori dhe po përdor Rama thikën e pushtetit për të ndarë pasuritë e shqiptarëve me oligarkët dhe njerëzit pranë tij. Në këtë fjalim të lodhshëm gati gati të parashikueshëm. Rama duhet t’ju japë përgjigje shqiptarëve se si njerëzit e përzgjedhur prej tij janë të gjithë pas hekurave, në hetim apo edhe arrati. Duhet t’ju japë përgjigje se si ka mundësi që pranë vetes mbledh kaq shumë të korruptuar e delikuentë, të cilët e shkatërruan Shqipërinë. Por sikur mos të mjaftonte kjo narrativë, Edi Rama sot u mundua të ushqente me verb politik dhe ata me të cilët amniston të korruptuarit Berishën dhe Metën. Në gjithë diskursin e tij ai mundohej të fliste se SPAK është një trofe i tij, se si ai kishte bërë kaq shumë për të sjellë drejtësinë sa ky ishte njeriu në fakt që kërkonte që SPAK të ishte funksional. Pse Rama dhe Veliaj në daljet e tyre publike e trajtojnë SPAK si vartësin e tyre. E thjeshtë, sepse të dyve ju intereson që opinioni publik të vazhdojë me kakofoni që SPAK kontrollohet nga Rama, mundohen ta mbajnë shoqërinë të polarizuar dhe ushqejnë verbin politik të Berishës dhe Metës për të qenë gjallë politikisht në audiencën televizive. Në vazhdën e propagandës e makinacioneve të kësaj tresheje politike lidhet edhe frika që ekziston nga mungesa e kontrollit që ata kanë mbi Altin Dumanin dhe SPAK. Frikë, e cila po i bën bashkë në çdo sulm ndaj këtij institucion, frikë që po i bashkon në bojkotimin e punës dhe intimidimin ndaj prokurorëve të këtij institucioni. Në çdo fabul që ata krijojnë, në çdo fabul që mundohen të realizojnë, koha po ju tregon se Rama jo vetëm nuk ka qenë njeriu që e ka dashur drejtësinë në Shqipëri, por është njeriu i cili rrezikohet po njësoj si Meta dhe Berisha, kjo është fabula që duhet të kuptojë sot çdo njeri.

Denoncimi i kryetares së PD, Mallakastër, Suzana Malaj: Qendra Shëndetësore në Poçem, është në kushte të tmerrshme

Kryetarja e degës së PD, Mallakastër, Suzana Malaj, në një postim në facebook, ka denoncuar qendrën shëndetësore në fshatin Poçem të Mallakastrës, e cila ndodhet në gjendje tmerrshme.

Malaj shprehet se në kushtet e harresës së bashkisë, është improvizuar një klasë në shkollën e Poçemit që shërben si infermieri për zonën, sepse ambientet e Qendrës janë në kushte skandaloze.

Denoncimi i kryetares së degës së PD, Mallakastër, Suzana Malaj

Qendra Shëndetësore në Poçem të Mallakastrës është në kushte të tmerrshme, ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme.
Në kushtet për t’u ardhur në ndihmë banorëve, është improvizuar një klasë në shkollën e Poçemit që shërben si infermieri për zonën, sepse ambientet e Qendrës janë të papërdorshme, siç mund të shihet në fotot që flasin vetë, shumë më tepër se fjalët mund të përshkruajnë.
Pavarësisht kësaj, kjo nuk është zgjidhja e duhur, sepse Qendra Shëndetësore duhet rikonstruktuar në mënyrë urgjente!
Në të gjithë anët e Shqipërisë ka një realitet tjetër që është larg propagandës dhe larg asaj që qeveria reklamon.Mosveprimi është kryefjala e kësaj qeverie , e cila çdo gjë tjetër e ka me tepri.
Ndaj banorët e këtyre zonave zgjedhin të largohen, sepse pushteti qendor dhe ai lokal nuk u ofron as kushtet më minimale të mirëqenies për jetën e tyre.
Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë kërkojmë një zgjidhje të menjëhershme për 50 familjet e fshatit Poçem në Mallakastër, që edhe ata të kenë një Qendër Shëndetësore normale dhe me standarde në mënyrë që t’i kryejnë aty shërbimet e përkujdesit shëndetësor.
Në vend të mashtrimit dhe rrenave , njerëzve u duhet thënë e vërteta ashtu siç është!

Strategjia e Ramës për të “korrektuar” Reformën në Drejtësi me votat e “opozitës”, a do ta lejojë SHBA?!

Ndërsa ka valëvitur sot flamurin e anti-korrupsionit dhe është mburrur për autorësinë e reformës në drejtës, kryeministri Rama i ka propozuar “opozitës” ngritjen e një komisioni të posaçëm për të ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi.

Në përfundim të takimit me deputetët dhe ministrat socialistë, Rama paraqiti një projekt-rezolutë, në thelb të së cilës është propozimi për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të rishikojë ligjet për drejtësinë e re.

“Të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN” thuhet në projekt-rezolutë.

Ky komision, përbërja e të cilit nuk paracaktohet do të jetë “me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore”.

Nuk dihet ende se çfarë ligjesh do të ndryshojnë në reformën në drejtësi. është folur gjithnjë për modifikimin e akuzës për “shpërdorim detyre”, formulimi i të cilës lë hapësirë për ndëshkimin e shumë zyrtarëve të lartë.

Ndërkohë, kreu i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar që prokurorëve t’i jepet një shans i dytë për rikandidim në mandatin e tyre në Prokurorinë Speciale. Tentativat për ndryshimin e ligjeve të reformës në drejtësi kanë qenë të shumta edhe në të shkuarën, por nuk janë lejuar nga ambasada amerikane që gjithnjë ka reaguar kundër këtyre nismave.