26.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Qershor, 2025

Bashkëshorti i saj vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, 73-vjeçarja shpërthen në lot: U çmenda fare, do ma marrin shtëpinë për kredinë e tij

Eftiqia Mastora, 73 vjeçe, bashkëshortja e Thoma Mastorës, 69 vjeçarit që vrau të moshuarit Kosta Ilia dhe gruan e tij Kleoniqi Ilia në Dropull, ka shpërthyer në lot për ngjarjen e rëndë të ndodhur.

E pyetur nga Top Channel për motivet që mund ta kishin shtyrë bashkëshortin e saj të kryente krimin e rëndë, 73 vjeçarja tha se nuk kishte asnjë dijeni tjetër ndërsa e përlotur kërkoi ndjesë për ngjarjen tronditëse.

“Nuk kam çfarë iu them tjetër, kërkoj ndjesë! Nuk kam çfarë të bëj më, më thoni edhe juve çfarë të bëj? Mua ai më mbaroi tani, nuk më del inati, me sëmundjet e mia, shqetësimet e mia. Nuk ka më asnjë punë me mua”- tha e moshuara.

Më tej, ajo zbuloi se autori kishte marrë edhe kredi dhe u shpreh se kishte frikë se mos mbetej pa shtëpi.

E pyetur nga gazetarja  se mos krimi kishte ndodhur për shkak të parave që mund t’i ishin dashur 69 vjeçarit, ajo tha se i kishte dhënë personalisht 150 mijë lekë të reja për të blerë një makinë dhe se nuk kishte dijeni për asgjë tjetër.

“Kishte marrë edhe kredi, kam frikë se do më lërë pa shtëpi. Më tha policie ç’punë ke me bankën. Unë nuk di gjë u thashë, kishte marrë kredi. Nuk e di çfarë të bëj, u çmenda fare. Kush e ndihmoi që e mori atë kredi? Unë ta takoj atë? Për çfarë, çfarë t’I them që more në qafë dy pleq? Çfarë t’i them e shkreta unë? Ai mori kredi, 1 milionë e gjysmë i kam dhënë unë për makinë se u çmend donte makinë. I kam marrë te motra ime dhe ia kam dhënë. Dua të interesoheni ku ka marrë kredi dhe kush e ndihmoi dhe ku i ka çuar?”- u shpreh 73 vjeçarja.

Paraqitja dinjitoze ndaj Benfikës, shkëlqen mbrojtësi i Kombëtares shqiptare

Enea Mihaj zhvilloi një paraqitje dinjitoze me fanellën e Famalikaos, në triumfin 2-0 që skuadra e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare regjistroi ndaj Benfikës në kampionat.  

mihaj

Mihaj ishte titullar në këtë duel, duke ndalur yjet e skuadrës kundërshtare, që renditet në vendin e dytë pas 32 javësh. Mbrojtësi shqiptar qëndroi në fushë gjatë gjithë takimit, duke u vlerësuar me notën 7.2 nga faqja e specializuar e statistiakave “Sofa Score”. 

mihaj sofa

Mbrojtësi i Kombëtares bllokoi 2 gjuajtje të rrezikshme, si dhe fitoi 3 nga 5 duelet me kundërshtarët. Gjithashtu vlen të theksohet se Mihaj spastroi edhe 1 herë zonën.  

Enea Mihaj

PANORAMASPORT.AL

“Jam kundër vrasjeve me gjyq dhe pa gjyq”- Zbulohet letra e disidentit për Enver Hoxhën para pushkatimit: Ju hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, kjo është tradhti…

Nga Reshat Kripa

Fisnikëria lind bashkë me njeriun. Ajo trashëgoi brez pas brezi dhe reflektohet në veprimet dhe sjelljet e tyre karshi të tjerëve. Atë nuk mund ta përçudnojë asgjë. Ajo është një dhuratë e Zotit, të cilën nuk mund ta kenë fat të gjithë. Ky gjak nuk mungonte në dejet e familjes Tërshana. Edipi i lindur më 15 mars 1907, ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe Sabries. I ati anëtar i klubit patriotik “Bashkimi”, merr pjesë në Kuvendin e Dibrës më 23 korrik 1909. Punon për hapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin dhe është pjesëmarrës me armë në dorë i përpjekjeve të mëdha të viteve 1912-1913, kundër serbëve.

Shkollën fillore, Edipi e filloi në vitin 1916 në shkollën shqipe të Dibrës. Më 1920, ajo mbyllet dhe ai fillon punë si çirak në një repart qeleshpunuesish. Në vitin 1922, vendosen në Peshkopi. Po atë vit vazhdon shkollën qytetëse të hapur në Tiranë, me vendimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, për fëmijët dibranë. E mbaron në vitin 1923, dhe po atë vit fillon shkollën ‘Normale’ në Elbasan, të cilën e mbaron në vitin 1928.

Më 16 shtator 1928, fillon punë si mësues i klasës së parë në shkollën platore Shijak. Kështu vazhdon vite me radhë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, e priti me indinjatë. Refuzon me përbuzje propozimin, për t’u rregjistruar si anëtar i Partisë Fashiste.

Më 27 nëntor 1942, kur ishte 30-vjetori i shpalljes së pavarësisë, me nismën e tij vihet në skenë drama e Foqion Postolit, “Lulja e Kujtimit” dhe entuziazmi ishte i paparë. Sallën e ndezën më tepër fjalët e zjarrta të Edip Tërshanës dhe Beqir Haçit. Të nesërmen manifestimi i madh në shesh, për ditën e flamurit. Përleshje me forcat e kuesturës.

Në pranverën e vitit 1942, Edipi bie në kontakt me elementë antifashistë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi. Ata e njohin me punimet e Konferencës së Pezës. Në bazë të vendimeve të saj, shtruan nevojën e krijimit të Këshillit Antifashist të Dibrës. Me krijimin e tij, zgjidhet kryetar i këtij Këshilli. Motivi kryesor i tij, ishte lufta kundër pushtuesve fashiste. Në të bënin pjesë të gjitha forcat politike të vendit.

Në 8 shtator 1943, Italia kapitullon dhe Edipi merr kontakt me kapitenin anglez, Hendz dhe komandantin e batalionit italian “Firence”, Armando Picci, për të ardhmen e këtij batalioni. Vendosin që forcat e këtij batalioni, të vihen në dispozicion të Komandës së Divizionit të Lartë Aleat të Lindjes së Mesme.

Divizioni largohet nga Dibra dhe Këshilli Antifashist del nga ilegaliteti, por rrugët morën një rrjedhë tjetër, fare të papranueshme. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane që priste kthimin e Haxhi Lleshit.

Çuditërisht filluan plaçkitjet në qytet dhe u dogjën edhe disa shtëpi, kryesisht të nacionalistëve. Më 9 shtator 1943, organizohet një mbledhje në Prefekturë. Edipi kërkon shpjegime për gjendjen, por askush nuk i kthen përgjigje.

Tradhtia e madhe e Konferencës së Mukjes, kishte filluar të vihej në zbatim nga krerët e Lëvizjes Komuniste. Edipi detyrohet të japë dorëheqjen nga kryetari i Këshillit Antifashist, në shenjë proteste.

Tashmë pasojat e Mukjes ishin shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Edipi dhe kapiteni anglez Hendz, kërkojnë të gjejnë një rrugë pajtimi, ndërmjet forcave që po vinin drejt një lufte vëllavrasëse.

Më 24 shtator 1943, organizohet një takim i Mit’hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit, me krerët dibranë, Fiqiri Dine dhe Cen Elezi, që kishte si qëllim organizimin e një Komiteti Kombëtar dibran.

Por ngjarjet kishin marrë rrugë. Komunistët kishin mundur të marrin në dorë drejtimin e Këshillit. Sipas udhëzimeve të tyre, krahas flamurit shqiptar, u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhtisë së madhe që do vazhdonte më vonë, me dorëzimin e këtyre krahinave jugosllave. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.

Në mars 1945, shkon të takojë dhëndrin e tij, Habib Gegën, që ndodhej në burg. Merr kontakt me Qenan Dibrën, i cili i rekomandon për avokat Suat Asllanin. Ata e informojnë për lëvizjen antikomuniste, që kishte filluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e personave të rrymave të ndryshme. Ata i parashtruan organizimin e një organizate të tillë antikomuniste dhe demokrate në Dibër.

Këtë gjë, Edipi filloi ta vinte në zbatim porsa mbërriti në qytetin e tij. Aty takohet me miqtë e tij, Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Rasin Fetahun, Islam dhe Xheladin Ndreun, me të cilët krijon bërthamën e organizatës që do të quhej “Bashkimi Demokratik” dhe që do të përmblidhte rreth vetes, përfaqësues nga rryma të ndryshme, si social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rezistencës. Lidhjet me Tiranën, i mbante nëpërmjet Qenan Dibrës.

Aktiviteti i mësipërm nuk kishte si të mos binte në sy të Sigurimit të Shtetit. Për këtë sipas udhëzimeve nga qendra, Edipi tërhiqet për pak kohë. Cen Elezi me dhjetë djemtë e tij; Islamin, Xhelalin, Ganiun, Xheladin Ndreun, etj., Dan Kaloshi dhe Menajt e Lurës, detyrohen të marrin malet.

Shefqet Shehu, Rasim Fetahu dhe Eqerem Kukeli, arrestohen. Po ashtu, arrestohen në Tiranë edhe Qenan Dibra, Suat Asllani, Ivzi Golja dhe të tjerë. Kishte filluar terrori i tmerrshëm komunist.

Ardhja e Hysni Alimerkos si profesor i letërsisë në fund të shtatorit 1946, i dha hov të ri lëvizjes së fshehtë antikomuniste. Ajo kishte gjetur në personin e tij, njeriun që dinte të drejtonte dhe të jepte leksione të shkëlqyera organizimi. Hysni Alimerkua i lindur në Tragjas të Vlorës, mori mësimet fillore dhe të mesme në vendin e tij.

Pastaj shkoi për studimet e larta në Firence të Italisë, ku u diplomua për letërsi. Gjatë luftës, ka qenë sekretar i Financës së Komitetit Krahinor të Organizatës së “Ballit Kombëtar” për Vlorën. Takimi me Edipin, bëri që pikëpamjet e tyre të ishin të njëjta. Së bashku me Jani Ikonomin, Alqi Nushin dhe Kozma Gjergon, u bënë strumbullari i Lëvizjes Antikomuniste në Peshkopi.

Më 17 maj 1947, në Dobrovë, shefi i Sigurimit të Shtetit për atë zone, krimineli Kopi Niko, kryen arrestimin e Edip Tërshanës. Arrestohen gjithashtu edhe Hysni Alimerko, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë. Për të detyruar të arrestuarit të pranonin akuzat falso, u provuan llojet më të tmerrshme të torturave.

Vetëm ata që i kanë provuar ato në shpinën e tyre, mund t’iu tregojnë për to. Por më mirë të mos flasë. Ato duken si të pabesueshme dhe të sajuara. Megjithatë një gjë dihet. Të gjithë qëndruan si luanë, pa u përkulur para dhunës së ushtruar.

Në mbarim të hetuesisë, Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ky takim la mbresa në shpirtin e tij. Ju kujtua e kaluara. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë “Bashkimi”, që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi, për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha.

Pastaj vendosi t’i jap fund jetës, duke prerë damarët. Të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë shkruan:

“Ëndrra ime është që Shqipëria të bëhet siç dua unë. Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin, si bij të saj. Të jeni kryelartë se vdes si shqiptar”.

Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit Enver Hoxha, ndërmjet të tjerave, thekson me krenarinë e një nacionalisti të vërtetë:

“Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju, jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por, sot pushteti juej i quejtun popullor, asht në robni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht. Kjo asht tradhti!

Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq, qi i bahen këtij populli. Jam kundra për burgosjet e 20.000 apo 30.000 shqiptarëve, vetëm e vetëm se nuk janë komunistë. Dhe kjo vetëm pse kështu don sllavi. Kjo asht tradhti”!

Më 17 nëntor 1947, filloi gjyqi kundër 12 të akuzuarve. Para gjykatësve komunistë, ndodhen Edip Tërshana, Hysni Alimerko, Jani Ikonomi, Ali Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Elez Selishta, Ferit Pervizi dhe Munir Shatku, të cilët para gjykatësve, qëndruan si heronj.

Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi, Hysniu dhe Jani, dënohen me vdekje me pushkatim. Të tjerët me burgime të rënda. Të arrestuarit kthehen në qeli, në pritje të zbatimit të vendimit. Në fund të dhjetorit, lejohet takimi i fundit. Xhevria, e shoqja Edipit, dërgon fëmijët. Fjala e fundit e Edipit, drejtuar atyre ishte: “Mos vishi petkun e tradhtisë”!

Personalisht kam patur fatin të njihem me dy nga personazhet kryesore të këtij grupi. Avokatin Jani Ikonomi, e kam njohur në kampin e Urës Vajgurore. Një burrë i veçantë. Një intelektual dhe idealist i rrallë. Një mësues i ndjenjave nacionaliste, për ne të burgosurit e brezit të ri. Shpesh herë na thoshte: “Mos u ligështoni, mos u përkulni para torturave dhe urisë!

Qëndroni me kryet lart, ashtu si kanë qëndruar paraardhësit tanë! E ardhmja e Shqipërisë, është e sigurt. Gjaku i të rënëve, është ushqimi i saj. Do të vijë koha, kur njerëzit do të shkëputen nga demagogjia e kuqe dhe do të fillojnë të ndërtojnë të ardhmen e atdheut, të ardhmen me të vërtetë demokratike. Për këtë jam i sigurt”.

Sot, Jani nuk jeton më, por ideali i tij triumfoi mbi dogmat komuniste. Me Hysniun u njoha mbasi doli nga burgu, por më tepër u lidhëm me ndryshimet demokratike, kur luftonim në Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, për realizimin e amanetit të të rënëve tanë, për çrrënjosjen e komunizmit nga vendi ynë. Idhulli i tij, ishte Edip Tërshana.

Kur u lirua nga burgu i Burrelit mbas 20 vjetësh dhe po kthehej për në shtëpi, ndaloi në qytetin e Kavajës. Donte të takonte Xhevrien, Lirinë dhe Nihatin, familjen e mikut të tij më të mirë, të cilët banonin atje. Trokiti në portë. Ajo u hap dhe ata mbetën të shtangur. Ju duk sikur para tyre, u shfaq Edipi. Ndenjën atë mbrëmje gjithë natën, duke biseduar dhe të nesërmen ai u nis për në Vlorë.

Nuk mund të harronte çastet e fundit të mikut të tij të pavdekshëm, Edipit, të përshkruara me aq dhimbje para tij: “Kishte kaluar mesi i natës dhe qoftë nga ngarkesa psikologjike, qoftë nga të ftohtit, nuk na kishte marrë gjumi. Duhet të ketë qenë ora dy e gjysëm e natës, kur dëgjojmë një urdhër që u jepet ushtarëve: Përgatitni armët! Nga biruca e tij, dëgjojmë zërin e Edipit që na thotë:

– ‘Nuk janë shenja të mira. Unë jam njëqind për qind i vdekur. Sidoqoftë, kushdo që do të shpëtojë, t’u tregojë fëmijëve të vërtetën. Amanet djalin’! S”vonoi shumë kur dëgjojmë Kopi Nikon, që i drejtohet Edipit. – ‘Qenke bërë gati? Dil atëherë’.

E hipën në makinë dhe u nisën. Zhurma e saj u dëgjua edhe pak kohë pastaj e mbuloi zhurma e lumit. Mbas pak u dëgjua një breshëri armësh. Edipi ishte ndarë prej nesh. Një rreshter nga Pogradeci, që shërbente aty na tregoi çastet e fundit të tij. Kur e kishte pyetur prokurori, për fjalën e fundit, ai u përgjigj: – ‘Rroftë Shqypnia’”! Në sytë e Hysniut, pashë të rridhnin dy pika lot. Memorie.al

Tentohet të vritet anëtari i një partie në Leposaviç, zv.ministri në Kosovë: Ka qenë i përfshirë Milan Radoiçiç

Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviç tha se është tentuar të vritet anëtari i partisë së Nenad Rashiç, Marko Jablanoviç në Leposaviç. Sipas tij, atentatorit i kishte dështuar arma.

 

Rastin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, duke thënë se po zhvillohen hetime.

“Pas mesnatës sot dyshohet se ka ndodhur një rast tentimvrasje në Soqanicë, Komuna Leposaviq. Nuk ka të lënduar apo të arrestuar. Policia po merret me hetimin e rastit”, ka thënë Elshani për KOHËN.

Zëvendësministri Radomiroviç shtoi se në këtë rast është i përfshirë edhe Milan Radoiçiç, i njohur si udhëheqësi i sulmit në Banjskë.

Bastisen zyrat e Al Jazera, qeveria izraelite urdhëron mbylljen e stacionit televiziv

Autoritetet izraelite në Jerusalem bastisën të dielën një dhomë hoteli që përdorej nga kanali Al Jazeera si zyrë e saj, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters një zyrtar izraelit dhe një burim i rrjetit Al Jazeera.

 

Izraeli urdhëroi të dielën mbylljen e zyrave lokale të rrjetit satelitor të lajmeve Al Jazeera, që është në pronësi të Katarit. Pamje filmike të shpërndara në internet tregonin punonjës të rendit me rroba civile duke çmontuar pajisjet e kameras në një dhomë hoteli, për të cilin burimi i rrjetit Al Jazeera tha se ishte në pjesën lindore të Jeruzalemit.

Vendimi i kabinetit të kryeministrit Benjamin Netanyahu i pezullon veprimtaritë e rrjetin për aq kohë sa vazhdon lufta në Gazë, duke thënë se përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Al Jazeera tha se masa ishte një “veprim kriminal” dhe se akuza se rrjeti kërcënonte sigurinë izraelite ishte një “gënjeshtër e rrezikshme dhe qesharake” që vë në rrezik jetën e gazetarëve të saj. Rrjeti u zotua se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion përmes institucioneve ligjore ndërkombëtare.

Rrjeti e ka kritikuar operacionin ushtarak izraelit në Gazë, nga ku ka raportuar që nga fillimi i luftës. “Kanali nxitës, Al Jazeera, do të mbyllet në Izrael”, shkroi një rrjetet sociale kryeministri Netanyahu pas votimit unanim të kabinet.

Në një deklaratë të qeverisë thuhet se Ministri i Komunikimit nënshkroi urdhrat për të “vepruar menjëherë”. Të paktën një ligjvënës, që e mbështeti mbylljen, tha se Al Jazeera ende mund të përpiqet që ta bllokojë vendimin përmes gjykatës.

Vendimi, thuhet në deklaratë, përfshin mbylljen e zyrave të rrjetit Al Jazeera në Izrael, konfiskimin e pajisjeve të transmetimit, ndërprerjen e kanalit nga kompanitë kabllore dhe satelitore dhe bllokimin e qasjes së saj kibernetike në vend. Në deklaratë nuk u përmenden operacionet e rrjetit Al Jazeera në Gazë.

Kompanitë kabllore dhe satelitore i pezulluan transmetimet e rrjetit Al Jazeera pas vendimit të qeverisë. Qeveria e Katarit nuk ka komentuar.

Muajin e kaluar rrjeti u ankua për “një seri sulmesh sistematike nga Izraelit për t’i mbyllur gojën kanalit Al Jazeera”. Rrjeti tha se Izraeli kishte vrarë qëllimisht disa nga gazetarët e tij, mes tyre Samer Abu Daqqa dhe Hamza AlDahdooh në Gazë. Izraeli ka thënë se nuk vë në shënjestër gazetarët. Katari e themeloi rrjetin Al Jazeera në vitin 1996.

“Rrjeti mediatik Al Jazeera dënon dhe denoncon fuqishëm këtë akt kriminal që shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën themelore për qasje në informacione”, thuhet në një deklaratë të rrjetit. “Al Jazeera konfirmon të drejtën e saj për të vazhduar ofrimin e lajmeve dhe informacione për audiencën e saj globale”.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e kritikoi gjithashtu mbylljen e rrjetit.

“Vendimi i kabinetit për të mbyllur stacionin Al Jazeera në Izrael është për të ardhur keq”, thuhet në deklaratën e saj të postuar në rrjetin X. “Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie, sidomos tani, duke patur parasysh kufizimet e rrepta për raportimin nga Gaza. Liria e shprehjes është një e drejtë kryesore për të drejtat e njeriut. Ne i bëjmë thirrje qeverisë ta anulojë vendimin”.

Parlamenti izraelit ratifikoi muajin e kaluar një ligj që lejon mbylljen e përkohshme në Izrael të transmetuesve të huaj që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare./VOA

Ngjarja në Shkodër, Jupi: Tronditës lajmi! Në çdo rrethanë të ketë ndodhur, tregon mosbesimin që çdo grua dhe vajzë ka ndaj çdo hallke të sistemit të shërbimit social

Sekretarja për Gruan dhe anëtarja e Kryesisë së PD, Taulanda Jupi, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Shkodër, ku një nënë bashkë me fëmijët e saj dyshohet se është mbytur në lumin Buna për shkak të dhunës në familje. Jupi e konsideron si një lajm tronditës, ndërsa sipas saj, ngjarja tregon se “në çdo rrethanë të ketë ndodhur kjo fatkeqësi tregon qartë mosbesimin që çdo grua dhe vajzë ka ndaj çdo hallke të sistemit të shërbimit social”.

Reagimi i plotë i sekretares për Gruan dhe anëtaren e Kryesisë së PD, Taulanda Jupi:

Tronditës lajmi se një vajzë e mitur gjendet e mbytur dhe më tronditës dyshimi se ky vetflijim ashtu si edhe zhdukja prej tre ditësh e nënës së voglushes së ndjesë së bashku me tre fëmijët e saj ka ndodhur për shkak të dhunës në familje nga babai dhe bashkshorti.

Në çdo rrethanë të ketë ndodhur kjo fatkeqësi tregon qartë braktisjen ndaj çdo gruaje dhe çdo vajzë që sot pëballet me dhunën në familje apo çdo formë tjetër të saj, tregon mungesën totale të kujdesit për mirëqenien dhe shëndetit mendor ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht në zonat rurale.

Në çdo rrethanë të ketë ndodhur kjo fatkeqësi tregon qartë tregon mosbesimin që çdo grua dhe vajzë ka ndaj çdo hallke të sistemit të shërbimit social, mosbesim ndaj mekanizmit të referimit të dhunës dhe institucioneve përgjegjës (në këtë rast në bashkinë Shkodër apo njësinë administrative), tregon mosbesimin ndaj çdo institucioni që ka detyrë mbrojtjen dhe sigurinë e jetës.

Për të ndalur dhunën ndaj grave dhe vajzave ka nevojë urgjente për akte konkrete duke filluar nga ashpërsimi i legjislacionit, zbatimi rigiroz i këtij legjislacioni, koordinim dhe reagim në kohë të institucioneve përgjegjes të pushtetit vendor, qendror dhe agjensive ligjzbatuese dhe sigurisht mbështetje financiare për viktimat e dhunës në familje.

Për të ndalur dhunën ndaj grave dhe vajzave, këtë dramë të shoqërisë shqiptare nuk mjaftojnë statuset dhe fjalët ngushëlluese nga ministrat dhe deputetët, sa herë që një grua apo vajzë humb jetën për shkak të dhunës.

Mosveprimi me akte konkrete kundrejt një fenomeni të tillë i bën bashkëpunëtorë dhe përgjegjës në këtë padrejtësi.

Revoltohet Karamuço për ngjarjen e Shkodrës: Deklarata e Policisë gafë e madhe

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka analizuar deklaratën e policisë ku informonte lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër.

I ftuar në emisionin Review në Euronews Albania, Karamço e ka konsideruar një idiotësi dhe gomarllëk mënyrën si është interpretuar e gjithë ngjarja.

Kjo pasi ende nuk dihen se ku janë trupat e 3 pjestarëve të familjes dhe nënvizoi faktin se vetëvrasja është bërë fakt i kryer, por pa pasur ende prova.

“Ku e ke bashkëshorten që është vrarë? Si e arreston ti këtë? Është kontradiktore kjo deklaratë. Nuk e di çfarë do bëjë gjykata. Nuk ka asnjë provë ende. Po për çfarë e bën gjithë këtë? Për ta nxjerrë gjykata nesër? Po do jetë turp i madh për policinë.

Këto dy vepra aktualisht nuk kanë prova dhe janë të nxituara. Nuk e thotë fare se nga kush u gjet trupi i pajetë. Pasi të njëjtët persona siç gjetën fëmijën e parë, mund të gjejnë edhe 3 të tjerët. Nëse ata do jenë aty dhe t’u kërkohet ndihmë nga ana e shtetit, ata mund t’i gjejnë më shpejt se policia.

Ne nuk jemi në nivelin për të lexuar këto gjëra. Ky nuk është nivel serioz për të informuar publikun dhe herë tjetër duhet të kenë shumë kujdes. (Karamuço gris letrën e policisë) Ja kështu në kosh.” tha eksperti i kriminalistikës.

Nuk e kanë me Yllin, kanë hallin e babit të Zenit!

Nga Desada Metaj

Ka mjaftuar një deklaratë e Ylli Rakipit dhe befas Foltorja dhe i gjithë sponsorizimi i tyre në media ka nisur një betejë ndaj këtij të fundit dhe TV ku ai punon duke përdorur gjithë artilerinë e mundshme. Që nga statuset në rrjete sociale e deri tek paralajmërimet për “nxjerrje të palarash” në programet televizive. Kjo skemë është qartas e frymëzuar nga shpikësi më i madh i përbaltjes së kundërshtarëve politikë dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Quhet Sali Berisha, për momentin ndodhet në izolim, në katin e lartë të pallatit ku jeton, nën akuzat e Spak për korrupsion. Por sërish e ka fuqinë të sulmojë me mjetet e fuqizuara nga “regjimi i Ramës”, çdokënd që nuk sinkronizohet me betejat e tij për të shpëtuar veten dhe familjen nga ajo çka po i ndodh 2-3 vitet e fundit.

Gjithçka nisi kur Ylli Rakipi, në emisionin e tij deklaroi se ka parë dhe takuar gjatë një drekë Shkëlzen Berishën, Erion Veliajn dhe gazetarin Clirim Peka. Kjo deklaratë mund të jetë e vërtetë për sa kohë këtu janë takuar të gjithë me të gjithë, kanë bërë marrveshje te fshehta dhe publike dhe kjo ka ndodhur jo pak këto 30 vitet e fundit. Mundet të mos jetë e vërtetë për shkak se betejat për influencë dhe pazaret e vogla janë gjithmonë prezent në politikë dhe media. Por ajo që vlen pas gjithë tollovisë “kanë drekuar apo s’kanë drekuar” është në fakt shqetësimi i madh i Foltores dhe ngrehja e një beteje të re. Këtë herë jo me Veliajn për inceneratorët por me Ylli Rakipin dhe TV ku ai punon. Dhe morali i fabulës vijon të mbetet: kush nuk është me mua është tradhtar dhe pazarxhi. Ky lajtmotiv që ka shoqëruar këto 30 vjet politikën e Sali Berishës nuk mund të ndryshonte tani. Dhe kjo nuk lë jashtë as pasuesit e tij, që këto vitet e fundit për shkak të mungesës së koherencës dhe seriozitetit janë shndërruar dhe në personazhe qesharakë. Ama kjo nuk i ka penguar që çdo herë të gëlltisin atë që kanë vjellë për bashkëpunëtorë dhe ish bashkëpunëtorë, të shndërrohen në përgjues të rëndomtë apo të bëjnë marrveshje me regjimin (siç e konsiderojnë qeverisjen e Ramës). E gjjtha në funksion të dhënies së oksigjenit për ballkonin e katit të tetë tek rrugica e shpresës.

Kjo që po ndodh së fundmi, përveç anës qesharake të betejave pa thelb dhe revolucioneve veç me fillim e pa fund, tregon dhe njëherë sa seriozisht e ka Foltorja betejën me korrupsionin. Se sa të sinqertë kanë qenë kur kanë bërë denoncimet për inceneratorët dhe kur pa e fshehur janë bërë avokatët e Arben Ahmetajt për këtë aferë. Sa për rikujtesë, çështjen e korrupsionit për inceneratorët e ka denoncuar PD shumë vite më përpara. Puna më me vlerë që ka bërë një forcë opozitare në parlament ka qenë komisioni hetimor për inceneratorët. Një punë në grup që u finalizua me padinë e qepur më së miri në Spak dhe me një raport final. Këtë raport flamurtari i Foltores për inceneratorët, Belind Këlliçi dhe deputetët e tjerë nuk e firmosën kurrë.

Sa për median dhe gazetarët, Ylli Rakipi ka qenë nga të vetmit që ka bërë emisione e ka publikuar fakte më së miri. Ndaj sot, ai nuk ka nevojë për avokati. Njerëzit kanë sy e vesh, madje dhe mendje për të gjykuar pa u ndikuar nga Syri i Berishës. E sa për ti bërë qesharakë më shumë se ç’janë jam e sigurt se ai ja del më mirë se unë.

Shqiptarët jo më larg se një vit nuk do votojnë as për Ylli Rakipin dhe as Çlirim Pekën. Ata do zgjedhin mes qeverisë dhe alternativës së opozitës. Dhe kjo e fundit me copëzën që drejton nga ballkoni po u tregon qartas se korrupsioni ka emër dhe mbiemër, Sy dhe veshë. Madje ka dhe TV. Që megjithë sforcot për të shpallur armiq të brendshëm nuk do ja dalë kurrë të bindë shqiptarët që ka moral për të bërë opozitë siç duhet. Thjesht po u tregon se diferenca ndodhet mes disave të janë më shumë e disa të tjerë më pak të korruptuar. Sa për këtë, ja kanë dalë të na i tregojnë më së miri!

Lojë…pa shifra dhe me propagandë

Editorial MONITOR

Nëse ka një shifër që qeveria e përdor shpesh me mburrje është ajo e numrit të turistëve. Përditë bombardohemi me 10 milionë turistët që vizituan vendin, me shtimin e fluturimeve, ku u renditëm të parët në botë, e kështu me radhë.

Nuk ka dyshim që bumi i turizmit është një nga zhvillimet më pozitive (në mos i vetmi) e vendit në vitet e fundit, por qeveria, përveçse ndonjë merite, ka pasur më shumë fat në këtë drejtim.

Bukuritë e vendit, klima, dielli, reklamimi si një destinacion me çmime të lira dhe hyrja e operatorëve ajrorë me kosto të ulët po tërheqin të huaj nga e gjithë bota.

Vetë qeveria, siç e kemi thënë shpesh, nuk po arrin t’i shkojë pas këtij vrulli, megjithëse nuk ngurron asnjëherë të reklamojë arritjet. Infrastruktura në qendër dhe veri të vendit është në gjendje të mjeruar.

Turistët, jo vetëm që tronditen gropave, por “humbasin” rrugëve. Teksa qeveria, që me mburrje tha se do të hedhë dy satelitë në hapësirë, të cilët kushtojnë mbi 3 milionë euro, ende nuk e ka marrë mundimin të dixhitalizojë hartën e transportit rrugor në Google (përveç Tiranës që e shtoi së fundmi dhe Rinasit).

Por, fundja, çfarë rëndësie ka kjo?! Të 10 milionë turistët e vitit të kaluar, apo rritja e tyre e pritshme me 30-40% këtë vit, do të mbetet sërish lajmi. Qeveria është indiferente të shpjegojë se si ky fluks i lartë nuk po arrin të gjallërojë konsumin në vend.

Dhe nuk presim që ta bëjë. Sepse, përndryshe, do të pranonte atë që është e dukshme, por refuzon ta shohë, ritmin e lartë të emigrimit, sidomos të të rinjve, që kryeministri e quan në nivele normale, si në gjithë botën.

Edhe censi, që do të jepte një vlerësim më të saktë të popullsisë, përveçse u shty për vite, u deshën edhe 6 muaj që të hartohej rezultati.

Përtej shifrave shumëmilionëshe, terri informativ është një dukuri e zakonshme.

Përveç Bankës së Shqipërisë e Ministrisë së Financave, që janë më të rregullta në publikimin e informacionit e shifrave dhe INSTAT, që e ka për detyrë (ndonëse faqja më shumë nuk punon sesa punon), në dikasteret e tjera është shumë e vështirë të marrësh informacion, pavarësisht se secili në faqet e tyre kanë edhe rubrikën e transparencës dhe informimit publik. I marrim me radhë:

A e dini se qytetarët nuk e dinë pasurinë publike, pasi qeveria ka dështuar të publikojë regjistrin me inventarin e aseteve publike. Sot nuk ka një regjistër në të cilin të jenë inventarizuar pasuritë publike. Një regjistër i tillë do të ndihmonte në përmirësimin e menaxhimit të pasurive publike.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mund të kthejë përgjigje pas disa muajsh, edhe pse ligji për të drejtën e informimit parashikon një afat 10-ditor.

“Monitor” tentoi të marrë informacion për prodhimin e grurit nga Ministria e Bujqësisë, por asnjë shifër nuk u vu në dispozicion dhe kjo nuk është hera e parë.

Kjo Ministri, që një vit më parë i nxiti fermerët të prodhonin grurë, duke u dhënë subvencionime, sot nuk e di se çfarë po ndodh me këtë produkt.

Apo më herët, kur fermerët u kritikuan pse kishin mbiprodhuar ullirin dhe vajin e ullirit.

Kur nuk mund të matim prodhimin apo konsumin, çfarë analizash e politikash nxitëse mund të bëjmë?!

Çdo vit ka mbiprodhim të një apo disa produkteve, që shpesh përfundojnë në kanal, pa asnjë zgjidhje, apo politikë mbështetëse. Dhe kjo gjë është e pritshme kur kalohet nga mbiprodhimi i kritikuar nga ministret te nënprodhimi i statistikave.

Ndonjëherë na duket sikur kërkojmë pak si “shumë”, ndonëse statistikat janë A-ja për hartimin e çdo politike, që synon zhvillimin e vendit.

Ndërsa Shqipëria, prej kohësh, ka shpallur se kërkon të hyjë në Bashkimin Europian, një sistem i mirë statistikor dhe mbi të gjitha, i besueshëm, do të ishte i domosdoshëm për integrimin e vendit në BE, por dhe në tregjet financiare ndërkombëtare.

Jo më kot ekziston një shprehje e njohur në botë: “Statistikat janë më të këqija se vetë gënjeshtrat”. Sa të rëndësishme janë ato për të treguar realitetin dhe për të hartuar politikat zhvillimore, aq të dëmshme mund të bëhen, nëse përdoren për “manipulimin e opinionit publik”.

Fatkeqësisht, peshorja duket se anon më shumë nga e dyta sesa nga e para, duke rrezikuar që në vend që të na çojë përpara, të na kthejë, ndoshta, dekada pas.

“Bashkinë Tiranë e falën para një viti”/ Gerti Bogdani: Nuk do ta votoja amnistinë për ata që hetohen nga SPAK

Në një intervistë për Ora News, Gerti Bogdani u shpreh se Bashkia e Tiranës u fal para një viti edhe nga disa eksponentë të koalicionit të opozitës.

Ai shtoi se nuk mund të luftosh korrupsionin dhe të amnistosh 89 veta që janë të hetuar nga SAPK-u, duke iu referuar votës pro amnistisë penale.

Bogdani: “Është shumë e rëndësishme që të protestohet gjithmonë kundër korrupsionit. Bashkia ishte e falur para një viti edhe nga disa eksponentë të koalicionit. Shumica e politikanëve i konsiderojnë qytetarët si budallenj dhe sikur nuk kuptojnë, por ata i kapin gjërat. Nuk mund të luftosh korrupsionin dhe të amnistosh 89 veta që janë të hetuar nga SPAK-u. Nuk isha dakord me amnistimin e atyre që hetohen nga SPAK.

Korrupsioni ka kaluar çdo përmasë. Zollumi mbulon zullumin dhe çdo ditë prodhohet korrupsion masiv. Nuk mund të lejohen njerëz që janë akuzuar për korrupsion, është një gjë shumë e rëndë. Si politikan e shoh si gjë shumë të rëndë dhe nuk do ta kisha votuar.”