26.5 C
Tirana
E diel, 1 Qershor, 2025

Skandali/ Drejtori i ‘5D’ shembte banesat, ja si e favorizonte kompaninë e tij të ndërtimit

Emisioni ‘Në shënjestër’ në News24, trajtoi këtë të mërkurë detaje të reja nga dosja “5D”, përmes së cilës mendohet se janë vjedhur miliona euro nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Deri më tani për këtë rast janë arrestuar disa ish-funksionarë të lartë të bashkisë së Tiranës, ndërsa ngjarja është shoqëruar me protesta nga opozita prej javësh tashmë.

Nëse duhet të gjejmë një përkufizim të duhur për termin skandal dhe të japim një emër të ndryshëm, ky që po përshkruhet këtu është jo vetëm një skandal i përmasave të paimagjinueshme për kapjen dhe rënien e shtetit, por edhe një shembull i rrallë se si individë të veshur me pushtet të pakufishëm mund të shkatërrojnë jetë njerëzore dhe të shtrijnë tentakulat e tyre deri te rrëmbimi i pasurive të tyre, duke përfshirë banesat e tyre.

Ky rast duket të jetë edhe i Mariglen Qatos, një prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, i cili deri dje mbante disa funksione të larta publike në këtë institucion.

Tashmë, me urdhër të SPAK, janë arrestuar bashkë drejtori i Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, dhe një tjetër person në akuzën për korrupsion dhe përfitim në konflikt të interesit të 45 tenderave me vlerë prej 30 milion euro, në favor të kompanisë ‘5 D Contruksion’, duke shfrytëzuar postet publike që ata mbanin.

Molla dhe Qato nuk ishin vetëm pjesë e këtyre aktiviteteve, por edhe të shtabit të ngushtë elektoral të kryebashkiakut në detyrë, Erion Veliaj.

Qato ishte ofruar fillimisht në onturazhin e Veliajt, si një sipërmarrës nga bota e biznesit, duke u prezantuar si një menaxher i suksesshëm në punët e tij private, i gatshëm të jepte kontributin e tij edhe në shërbim të publikut.

Cv-ja e tij, e pasuruar në pak vite në punën bashkiake, tregon se në vitin 2015, Qato ishte emëruar si Drejtor i Drejtorisë së Punëve Publike Nr. 2, pastaj si Drejtor pranë Ujësjellësit Tiranë.

Deri në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, ai udhëhoqi IMT-në, Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, organ që ruante territorin nga ndërtimet e paligjshme dhe shërbente si organ në funksion të Bashkisë Tiranë për prishjen e ndërtimit pa leje apo atyre me probleme teknike të konstruksionit.

Fadroma dhe logoja e IMT-së, të shfaqura shpesh në aksionet e vitet e fundit, bënë të qartë angazhimin e tij në këtë detyrë.

Në raste si Unaza e Madhe, Bregu i Lumit, shembja e banesave në zonën e Shkozës, lagjen ‘5 Maji’, si dhe shembja e pallateve në Tiranë pas tërmetit të vitit 2019, të cilat u klasifikuan si të pabanueshme, evidentojnë problemet.

Një shembull është pallati në rrugën ‘Myslym Keta’, ku banorët u detyruan të largoheshin në mënyrë të paligjshme pak ditë para fundit të vitit 2022.

Pas tre viteve nga tërmeti, dokumentacioni i tyre u ndryshua nga klasifikimi DS3 në DS5, tregues i nevojës për rikonstruksion dhe rrezikut për jetën e banorëve.

Aktekspertizat tregojnë se kjo ndryshim ishte në favor të kompanive private që kërkonin të ndërtonin në zonën e Tiranës.

Si pretekst për të kryer këtë operacion, edhe pse ishte fundi i vitit 2022, ata kishin gjetur tërmetin e vitit 2019 dhe dëmet që kishin ardhur që nga ajo kohë në këto apartamente.

Gentian Sejrani/ Avokat: Po t’i referohemi edhe rasteve të tjera, të cilët unë kam kontakte dhe me banorët e “Myslym Ketës” dhe me banorët e “ish Kombinatit”, por edhe me banorët e “5 Majit”.

Nëse do ti referohemi banorëve apo godinave tek “Myslym Keta” do të shohim që fillimisht ka pasur një vendim të Institutit të Ndërtimit që e ka nxjerrë DS3 (DS-tresh), më pas shohim që një nëpërmjet një kompanie private është bërë Akt i Ekspertimit dhe ka dalë DS5.

Avokati mbrojtës i palëve të dëmtuara argumenton se gjykimi në këtë rast nga Gjykata do të vërtetonte saktësinë e akt-ekspertizave të kryera nga kompanitë private.

Megjithatë, ai gjithashtu thekson se kjo situatë do të rrisë dyshimet se çfarë mund të fshihej pas saktësisë së tyre.

Kjo për shkak se është e dyshimtë se kush ishte ai që punonte nën rrogoz për të klasifikuar pallatet si të pabanueshme shumë kohë pas tërmetit.

Çështja që ngritet është nëse ishte një rastësi apo një përpjekje e organizuar për të vendosur banorët përballë rrezikut për jetën e tyre.

Ndërkohë që qëllimi i dukshëm ishte prishja e pallateve dhe hapja e kantierëve të reja ndërtimi për kompanitë e interesuara, inskenuesit që përpilonin skenarin mbeteshin në hije, duke vepruar nga zyrat e tyre.

Gentian Sejrani: Por më pas Gjykata ka vendosur Akt Ekspertiza e bërë nga kompania private nuk është e saktë, dhe ka nxjerrë të paligjshëm vendimin e Këshillit bashkiak për prishjen e atyre godinave.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe për disa godina në zonën e Kombinatit. Pra, për të treguar që vendimarrja është bazuar në Akt ekspertiza të cilat janë të pasakta.

Në kohën kur banorët po kërkonin të identifikonin organizatorin e skenarit, shpejt u zbulua se një nga personazhet kryesore ishte Mariglen Qato. Ai, si kreu i IMT-së, ishte pjesë e rrafshimit në tokë të këtyre objekteve, pavarësisht mungesës së shqetësimeve të banorëve për sigurinë e tyre.

Kjo situatë tregoi se një lojë e dyshimtë po zhvillohej në kurriz të tyre. Hetimet e SPAK dhe investigimet mediatike treguan se Qato nuk ishte vetëm drejtori i IMT-së, por gjithashtu një biznesmen në fushën e ndërtimit, bashkë me Redi Mollën, një funksionar tjetër në Bashkinë e Tiranës.

Ata krijuan kompaninë e ndërtimit ‘VAS Construksion’ ose ‘5D Construksion’, e cila pas shembjes së pallateve nga IMT, të cilat ata e klasifikuan si të dëmtuara, fitonte tenderat për rindërtim.

Pra e thënë më qartë kompania e ndërtimit e drejtuar në hije të plotë nga Mariglen Qato dhe Redi Molla, pasi i pari në krye të IMT-së, do të dërgonte fadromat për hedhjen në tokë të tyre, po i njëjti person me kompaninë e tij okulte do të kryente edhe fazën e rindërtimit, pasi të fitonte tenderin nga Bashkia e Tiranës.

Gentian Sejrani: Dyshimi jonë është i bazuar mbi vendimin e gjykatës dhe mbi ekspertizën e bërë nga eksperti i thirrur gjatë procesit gjyqësor. Që do të thotë është një element shumë i rëndësishëm edhe për procesin e hetimit në vazhdim, por i mbetet institucioneve ligjzbatuese që të hetojnë gjithë këtë situatë që ka ndodhur.

Të paktën më banorët e ‘Myslym Ketës’, sepse ka një ndryshim nga DS3-në DS5 do të thotë nga qytetarë të cilët mund të riaftësojnë, mund të rikonstruktojnë banesat e tyre, në qytetarë të cilët duhet të ikin, të largohen fare nga banesat e tyre. Edhe të marrin shtëpi në zonat e tjera.

Duke u nisur nga hulumtimi mediatik, duket se në periudhën nga dhjetori i vitit 2020 deri në vitin 2021, kompania ‘VAS Construksion’, e cila u provua nga SPAK se kishte si pronarë të faktuar Mariglen Qaton dhe Redi Mollën, mori pjesë në 8 tendera të hapura nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të Programit për Rindërtimin.

Këto tendera synonin ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim nga Bashkia e Tiranës.

‘VAS Construksion’, e cila në atë kohë kishte si administrator Muhamet Petritin, vjehrrin e vëllait të Mariglen Qatos, fitoi dy tendera nga Bashkia Tiranë për rindërtimin, me kontrata të vlerës së përgjithshme 630 mijë euro.

Këto tendera përfshinin prishjen e pallateve të shpallura të pabanueshme dhe largimin e mbetjeve, duke prekur 22 pallate dhe ndërtesa në rrugën ‘Ferit Xhajko’, ‘Myslym Keta’ dhe në lagjen ‘5 Maji’.

Në këtë kohë, kreu i IMT-së ishte Mariglen Qato, dhe interesant është fakti se kompania e tij fitoi tendera për rindërtimin dhe zhvillimin pikërisht në këtë zonë.

Në ‘Tirana DC’, drejtor është Redi Molla, një bashkëpronar me Qaton në kompaninë që do të merret me demolimin e pallateve dhe pastrimin e territorit.

Megjithatë, rezulton se prishjen dhe pastrimin nga mbetjet e territorit ku ndodheshin pallatet i bënë punonjësit dhe fadromat e Bashkisë.

Dyshimet janë se kompania e Qatos dhe Mollës ka përfituar të gjitha paratë e kontratës, pa bërë asnjë punë në terren.

Gentian Sejrani:
Në të njëjtën kohë ne pamë që në zonë u shpall dhe u publikua një projekt shumë i mirë nga kompanitë private. Provat, tashmë është vendimi i gjykatës. Ekspertiza që është bërë pjesë e gjykimit dhe prokuroria ta çojë pak më tej dhe të shohë nëse kemi të bëjmë me paligjshëmri dhe me pasaktësi të Akt ekspertizës të kryer nga kompania private? A kemi ndryshim të situatës nga ajo ekspertiza e bërë nga Instituti i Ndërtimit?

Por si është e mundur që titullari i një institucioni publik në këtë rast i IMT (Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit), të kishte edhe tagrin e një zyrtari që drejtonte aksionin për shembjen e pallateve, dhe njëkohësisht të drejtonte një kompani ndërtimi e cila do të përfitonte tendera po në këtë zonë?

Dhe këtë ta bënte pa dijeninë e Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj apo të Këshillit Bashkiak Tiranë, që kishte dhënë vendimin për prishjen e objekteve dhe hapjen rrugë të zhvillimit të zonave.

Begaj në Firmo: Diversiteti kulturor, burim pasurimi dhe harmonie
Ervis Daka, Qendra për Aksion Komunitar: Nga viti 2019 dhe deri në nëntor të viti 2023, familjet trajtoheshim me programin e emergjencave në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti.

Më 19 dhjetor 2023 banorët njoftohen përmes njësisë administrative Nr.4 për disa shkresa të cilat ishin dërguar nga drejtoria e koordinimit, bashkrëndimit nga Bashkia e Tiranës, e cila i skualifikon me komentin që ju nuk keni lidhur asnjë marrëveshje me entin Kombëtar të banesave.

Skema është e qartë: Kompania ‘5 D Construksion’ e Mariglen Qatos dhe Redi Mollës ka pasur ortakëri me firmat e tjera që kanë kryer aktekspertizat e pallateve.

Këto aktekspertime, të cilat më pas janë përdorur si arsye për shembjen e objekteve me probleme teknike, kanë qenë një pjesë e planifikuar e strategjisë së tyre. Kjo bashkëpunim me firmat e tjera është filluar që në kohën kur kompania mbanin emrin ‘VAS Construksion’, dhe kanë përfituar kontrata në kuadër të Programit të Rindërtimit në lagjen ‘5 Maji’.

Këto kompani private kanë ndarë pjesë të fituar nga tenderat për demolimin e pallateve së bashku me ‘5 D Construksion’, dhe më pas janë shpërblyer edhe me leje ndërtimi për punën që kanë kryer në aktekspertizat që më vonë u konstatua se ishin të pasakta.

Kështu, shembja e pallateve është bërë në baza të ekspertizave që, siç tregon një rast konkret, kanë qenë të manipuluara për të justifikuar veprimet e tyre.

Gentian Sejrani: Po të shikosh kompani të cilët kanë përfituar tendera publik janë vetëm 5 kompani me flamur të kuq për sa i përket mënyrës se si janë dhënë tenderat në shkelje të kritereve të të gjitha gjërave të tjera.

Në fakt në lidhje me 45 banorët të cilët unë jam duke i ndjekur.Por pa dyshim që kur të vijmë tek rruga gjyqësore, do ti drejtohemi edhe me një kallëzim penal SPAK-ut për të filluar hetimet dhe për të kuptuar pak më shumë se si ka ndodhur i gjithë procedura.

Banorët e pallatit Nr.4 në rrugën ‘Myslym Keta’ në Tiranë nuk janë të vetmit që janë prekur nga shembja e padrejtë e pallateve të tyre.

Ka shumë raste të tjera ku banorët janë në kërkim të drejtësisë për pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të bashkisë Tiranë në veprimtarinë korruptive të kësaj natyre.

Disa prej tyre janë të ndaluar tashmë me urdhër të SPAK, duke përfshirë edhe ish-drejtorët e Bashkisë, Mariglen Qaton dhe Redi Mollën.

Këta zyrtarë vendosnin ruspat objekteve në emra të tjera, duke u përfituar ata dhe kompanitë e tyre nga tenderat për rindërtim dhe zhvillim të zonave.

Rastësisht, një grup tjetër banorësh u njoftua për të liruar apartamentet e tyre në zonën e Tregut të ish-Uzinës Dinamo, për shkak të dëmeve të lënë nga tërmeti i vitit 2019.

Këta banorë janë përzënë nga apartamentet e tyre duke u përdorur akte ekspertize të manipuluara nga kompani private të lidhura me zyrtarët e lartë publikë të Bashkisë Tiranë dhe kompanitë e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve në Bashkëpronësi
‘Ashtu siç ju kemi njoftuar, me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr.23, Datë 26.02.2024, është vendosur demolimi i detyruar i pallatit, bazuar në verifikimet dhe akt konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit, grupeve të punës së njësisë administrative për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 dhe rrezikun që paraqitej është kryer aktekspertiza e thelluar me operator ekonomik.

Mbështetur në këto përfundime dhe oponencën e Institutit të Ndërtimit, ekspertët kanë dalë në konkluzionin se pallati duhet të demolohet.’

Familja e Ndue Markut është një nga të fundit që mbeten në lagjen ‘5 Maji’, një zonë e cila ka qenë në qendër të përleshjeve midis banorëve dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit.

Kjo situatë është shoqëruar me pamje të tensionuara, duke përfshirë edhe përdorimin e gazit lotsjellës nga policia. Banorët kanë refuzuar të largohen nga banesat e tyre, ndërsa Bashkia e justifikon këtë aksion me nevojën për zhvillimin e zonës, brenda planit të Rindërtimit.

Ndue Marku, Banor ‘5 Maji: Absolutisht nuk ka pasur urdhër për prishje. E vërteta është saqë banorët, dikush nga banorët jo të gjithë ka njoftuar policinë një ditë më parë policinë që të vijë ti mbrojë nga IMT-ja.

Realisht kanë ardhur forca të shumta policie IMT-ja, Bashkia, policia dhe janë nxjerrë dhunshëm.

Në mënyrë shporpocionale kanë ardhur kanë hedhur gaz dhe kanë bërë arrestime. Dhe fakti është se këta nuk ishin të pastrehë, këta u bënë të pastrehë.

Por ndërsa muajt kanë kaluar dhe shumë prej tyre janë përzënë prej banesave, situata në terren është po e njëjta dhe punimet për rindërtimin dhe zhvillimin e zonës nuk kanë nisur, ndërsa banorët vazhdojnë të enden me plaçka ngarkuar, pasi nuk kanë marrë as bonusin e premtuar të qirasë nga bashkia.

Ndue Marku: Mariglen Qato ka qenë përballë dhe i ka thënë aty ku është prishur shtëpia e Lizës (Liz-një banoreje që i është prishur shtëpia) shprehje që nuk dua ta them, do marrësh…Ai drejtori i famshëm që tani…Tani e kemi kuptuar edhe vullnetin e tyre, edhe ishin të gjithë bashkë në në grabitje të banorëve.

Ne ishim, aq sa ishim.

Sipas avokatit Gentian Sejrani, situata në terren është dramatike.

Shumë banorë të cilët janë prekur nga program i rindërtimit duke humbur banesat, qofshin këto pallate si në rastin e rrugës ‘Myslym Keta’, apo edhe banesa në zona të tjera të Tiranës, nuk kanë përfituar ende nga bonusi i qirasë.

Gentian Sejrani: Vendimi i Këshillit Bashkiak e ka ngushtuar mënyrën e përfitimit nëpërmjet procesit të rindërtimit i ka përjashtuar ato në mënyrë të drejtpërdrejtë nga procesi i rindërtimit.

Dhe ata sot, jo vetëm që nuk janë pjesë e rindërtimit, por ata nuk mund të përfitojnë më as bonusin e qirasë që është gjëja më elementare që ata duhet të mos jetojnë në rrugë por të paktën të kenë mundësi të jetojnë në një banesë si gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë.

Trembja përjetohet përsëri kur vërehet se si funksionarë publikë, përfshirë drejtorët e bashkisë të cilët tashmë janë arrestuar nga SPAK, shfrytëzojnë pozicionet e tyre publike për të grabitur qytetarët.

Ata përdorin forcën dhe pushtetin e tyre për të kryer vepra të tilla, shpesh jo vetëm korruptive, por edhe kriminale.

Nëpërmjet këtyre makinacioneve, ata nxjerrin banorët nga shtëpitë e tyre, duke ndërtuar mbi pronat e tyre dhe komprometuar mirëqenien e tyre.

Ky është një skenar që është pothuajse e pangjashme në asnjë sistem tjetër demokratik, ku qytetarët të cilët janë gjithmonë të pafuqishëm dhe të pambrojtur, vazhdojnë të shpresojnë për një shtet të drejtë, dhe jo vetëm për pushtetin./BW

Hoxha: Erion Veliaj nuk është më drejtues politik i qarkut të Tiranës, për postin është caktuar Igli Hasani

Gazetari, Poli Hoxha i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News u shpreh se Erion Veliaj nuk është më drejtues politik i qarkut të Tiranës, dhe se këtë post tani e ka marrë ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Hoxha: Rasti më i rëndë më duket rasti i Erion Veliajt.

Sepse në dijeninë time, është më i implikuari nga të gjithë kolegët e vetë.

”Është gabuar me hetimin për Inceneratorët”, Prençi: SPAK-u do jetë përgjegjës, nëse digjet bashkia e Tiranës
Shumicat e kolegëve i ka ose në burg ose nën hetim që janë kryebashkiakët.

Kolegët e tjerë ka politikanët socialistë që ata madje e kanë braktisur.

Nga pikëpamja politike jam dakord që ka marrë fund.

Unë po të jap edhe një informacion, që nga dje nuk është shpallur zyrtarisht por madje nuk është më as drejtues politik.

Është lëshuar edhe politikisht nga Edi Rama.

Këto ditët e fundit me partinë e Tiranës është caktuar zoti Igli Hasani, ministri i Jashtëm që të merret.

Rreth 100 punëtorë të lënduar këtë vit në Kosovë

Përveç dhimbjeve dhe pamundësisë për të lëvizur, Rexhep Gashi brengosej edhe për mbulimin financiar të trajtimit të tij.

I shtrirë prej ditësh në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, 52-vjeçari ka këmbën e thyer dhe disa rruaza të shtyllës kurrizore të krisura.

Ai u rrëzua derisa punonte në një skelë ndërtimi.

“Nuk e di se çfarë më ka ndodhur në atë moment. Isha shumë i lodhur. Mendoj se për shkak të lodhjes, edhe jam rrëzuar”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Shërbimet që mund t’ia ofrojë QKUK-ja i merr falas, ndërsa të tjerat duhet t’i mbulojë vetë.

Kështu, ai pagoi një jelek për boshtin kurrizor, të cilin ia rekomanduan mjekët

“Gjithçka është bërë e shtrenjtë… do të ishte mirë po të kishim sigurim shëndetësor nga shteti”, flet shkurt Rexhepi, pa dashur të japë më shumë detaje rreth pagesës që ka bërë.

Sikurse ai, pa sigurim shëndetësor, janë të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç atyre që janë të siguruar përmes kompanive private, që ofrojnë sigurime të tilla.

Ka 17 vjet që është miratuar një ligj për sigurime shëndetësore, por çështja është zvarritur vazhdimisht.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se një projektligj i ri tani “i ka kaluar fazat e konsultimeve publike” dhe se “grupi punues është në proces të inkorporimit të komenteve”.

Se kur do të mund të përfitojnë qytetarët prej tij, nuk është ende e qartë

Nevoja për sigurim shëndetësor

Në fillim të kësaj jave, kur REL-i ishte në QKUK, takoi edhe Hajriz Jonuzin, i lënduar po ashtu në vend të punës.

Ai po e merrte veten pas një operacioni të gjatë që kishte pasur, për shkak të disa thyerjeve në trup.

“E kam lidhur materialin në vinç dhe kur ai ka nisur të shkojë lart – unë nuk e kam shikuar më – është këputur dhe më ka rënë sipër”, tregon Hajrizi momentin kur është lënduar.

Pa sigurim shëndetësor është edhe ai dhe thotë se ka shumë nevojë për të.

Sipas Inspektoratit të Punës në Kosovë, deri më tash këtë vit, në vende të punës janë lënduar 98 persona.

Vitin e kaluar, ky numër ishte 345 – prej tyre, 11 përfunduan me fatalitet.

Vesel Zhinopotoku, nga Inspektorati i Punës, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri më i madh i aksidenteve dhe vdekjeve në vendet e punës, regjistrohet në sektorin e ndërtimtarisë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë se shifrat e të lënduarve në punë janë, në fakt, më të larta se ato zyrtare.

Sipas tij, ka punonjës që heshtin, sepse punëdhënësit i joshin me kompensime financiare apo ngritje në pozitë.

Ai thotë se Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë – në bazë të të cilit punëdhënësi është i detyruar që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka pasur lëndim në punë apo sëmundje profesionale – kryesisht nuk zbatohet.

Dy punëtorët e lënduar, me të cilët bisedoi REL-i, konfirmuan se, deri më tash, nuk kanë marrë ndonjë kompensim nga punëdhënësi.

Azemi shpreh shqetësimin se jo të gjithë të lënduarit në punë mund të marrin mjekimin e duhur, për shkak të, siç thotë, pamundësisë për t’i paguar vetë të gjitha shërbimet që u nevojiten.

“Në mungesë të Ligjit për sigurime shëndetësore, punëtoret nuk e ndjejnë veten të sigurt. Kjo është një arsye shtesë përse punëtorët po i braktisin vendet e tyre të punës, por edhe Kosovën. Në shtetet tjera po gjejnë siguri më të madhe, edhe në aspektin shëndetësor, edhe në atë financiar”, thotë Azemi.

Saga që s’merr fund

Kosova nuk ka sigurime shëndetësore, ndonëse në vitin 2007 u miratua ligji për këtë çështje, por asnjëherë nuk hyri në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e nënshkroi.

Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ishin vetë qeveritë e Kosovës ato që e tërhoqën ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.

Kuvendi i Kosovës arriti ta miratonte Ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014, mirëpo as ai nuk u zbatua.

Zbatimit të tij u tha se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve, e cila do të niste nga 1 korriku i vitit 2017.

Atëkohë, Qeveria e Kosovës ndau 17 milionë euro, por, më pas, këto mjete u tërhoqën për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Në fund të muajit të kaluar, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se projektligji i ri ka përfunduar fazën e konsultimeve publike dhe se gjatë majit pritet të procedohet për miratim në Qeverinë e Kosovës.

Vonesat e viteve të fundit rreth këtij projektligji, ai i arsyetoi me, siç tha, angazhimet për parandalimin dhe eliminimin e pasojave të pandemisë COVID-19.

“Po, ka pasur vonesa, sepse kemi dashur të shkojmë me hapa të sigurt, që kur të bëhet ligji, të mos përfundojë prapë në sirtarë, pa u zbatuar fare”, tha Vitia në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Në Komisionin për Shëndetësi të Kuvendit të Kosovës – përgjegjës për procedimin e çështjeve që lidhen me shëndetësinë – ndajnë mendime të ndryshme sa u përket afateve në lidhje me këtë projektligj.

Kryetarja Fatmire Kollçaku, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, shfaq besimin se projektligji do të arrijë për miratim në Kuvend gjatë muajit qershor.

“Por, ajo që duhet thënë është se ligji, kur të kalojë në Kuvend, nuk do të jetë menjëherë i zbatueshëm, sepse duhet të krijohet fondi. Megjithatë, qytetarët do të përfitojnë shumë nga sigurimi shëndetësor… Pritjet janë të mëdha, por do të shkohet hapë pas hapi”, thotë Kollçaku për Radion Evropa e Lirë.

Deputeti Shemsedin Dreshaj, anëtar i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e opozitës, përkatësisht Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është i bindur se nuk ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Sipas tij, as qeveritë e kaluara, as e tanishmja nuk e kanë marrë seriozisht çështjen.

“Ne jemi shteti i vetëm në rajon që nuk kemi sigurime të mirëfillta shëndetësore… Nuk ka gjë më të shtrenjtë se shëndeti, andaj nuk mund të arsyetohet mungesa e Ligjit për sigurime shëndetësore duke thënë se ka kosto të lartë”, thotë Dreshaj.

Mungesa e sigurimit shëndetësor nuk është e vetmja sfidë që mundon punonjësit në Kosovë.

Puna2

Sipas Inspektoratit të Punës, shumë prej tyre – sidomos në sektorin privat – ankohen edhe për orare të stërzgjatura të punës, paga të ulëta, mungesë kontratash, punë në fundjavë etj.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që shënohet çdo 1 maj, punëtorët në Kosovë i gjen me pagë mesatare prej 520 eurosh dhe me minimalen që sillet nga 130 deri në 170 euro. /REL/

Sjelljet raciste/ Federata i mbyll stadiumin klubit të La Ligës

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) komunikoi gjobën financiare dhe mbylljen e pjesshme të stadiumit të Atletikos së Madridit “Cívitas Metropolitano” si pasojë e sjelljes së dhunshme, raciste, ksenofobike dhe të patolerueshme gjatë ndeshjes së fundit kundër Bilbaos në stadiumin e “Colchoneros”.

Vendimi është marrë pas koreve raciste ndaj Niko Uilliams, të cilat kanë shtyrë Komisionin e Disiplinës në Spanjë, që të mbyllë një nga sektorët e “Metropolitanos”. Ky sektor (sektori jugor) do të qëndrojë i mbyllur për dy takimet e ardhshme të Atletikos së Madridit në fushën e saj.

Ju ndihmojnë të mbani larg alergjitë e pranverës, ja ushqimet që duhet të konsumoni

Pranvera është stina që na bën të ndiejmë dëshirën për shëtitje në natyrë, por edhe stina kur shfaqen alergjitë.

Nëse jeni në humor të keq, sepse jeni vazhdimisht inatosur dhe sytë ju lotojnë, atëherë është koha të mësoni se si mund të zvogëloni intensitetin e simptomave me ushqimin e duhur.

Arrat

Arrat janë super të shëndetshme dhe janë një nga ushqimet më të mira si për mesditë ashtu edhe për pasdite. Magnezi dhe vitamina E forcojnë sistemin tuaj imunitar dhe ju mbrojnë nga radikalet e lira që shkaktojnë dëmtim të inflamacionit.

Një mollë në ditë mban larg…alergjinë

Mollët janë të pasura me lëndë ushqyese dhe kanë veti anti-inflamatore. Preferoni t’i hani me lëkurën e tyre pasi është plot me antioksidantë që pengojnë çdo dëmtim qelizor. Në të njëjtën kohë, sipas hulumtimeve, sa më shumë mollë të konsumoni, aq më e ulët është incidenca e kollës, infeksioneve të frymëmarrjes dhe astmës.

Domate të shijshme dhe të shëndetshme

Domatet përmbajnë vitaminë C, e cila forcon sistemin tuaj imunitar dhe shtyp ënjtjen, duke katalizuar mbrojtjen e trupit kundër astmës dhe problemeve të frymëmarrjes.

Peshku yndyror “mburojë” kundër alergjive

Acidet yndyrore omega-3 që ato kanë, kanë një efekt anti-inflamator që forcon sistemin imunitar. Në të njëjtën kohë, konsumimi i shpeshtë i tyre mund t’ju çlirojë nga shumë gjëra, si simptomat e dermatitit, ekzemës, artritit, madje edhe astmës.

Punonjësit në Shqipëri përballë pagave të padeklaruara! 600 mijë pa sigurime! 825 mijë jo në tregun e punës

Eliza Gjediku

Dita ndërkombëtare e punëtorëve, e gjen vendin me 835 mijë persona në moshë pune por jo-aktiv në treg, dhe me afro 158 mijë persona të papunë. Ndërsa numri i të punësuarve sipas të dhënave të INSTAT, përllogaritet në afro 1.3 milionë punonjës. Këto shifra të INSTAT, me siguri do të ishin ndryshe, nëse informaliteti do të ishte ulur, por vjet Inspektoriati i Punës raportoi për rritje të këtij fenomeni në punësim.

Investigimi i Report Tv pak javë më parë, i bazuar në shifra dhe informacione zyrtare konkludoi se mbi 158 mijë qytetarë janë prekur nga nën deklarimi i pagave që prej vitit 2021. Kjo referuar rezultateve të nismave kundër informalitetit në paga të ndërmarra nga administrata tatimore. Ndërkohë afro 600 mijë qytetar shqiptarë rrezikojnë të mbesin pa pension pasi pse figurojnë të punësuar, referuar shifrave zyrtare për ato nuk paguhen fare sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Inspektoriati i Punës thotë se nga inspektimet e kryera në 2023-shin, rreth 32.4% e shkeljeve të legjislacionit të punës vjet kishin si shkak informalitetin, ku përfshihet mos deklarimi i punonjësve, mos-pagesa e sigurimeve apo deklarimi jo real i pagave. Bizneset me shkeljet më të mëdha ishin ato të sektorit të tregtisë, bareve, restoranteve, ndërtimi, industria përpunuese e fasoneria.

Edhe në një anketim të Këshillit të Investimeve, 73% e të pyeturve janë përgjigjur se informaliteti është rritur, dhe shkelja më e madhe me 58% është për mos deklarimin e pagave. Jo vetëm informaliteti por edhe siguria në punë, mbetet problem. Mbi 30% e shkeljeve të evidentuara nga Inspektoriati ishin për mos-garantim të sigurisë së shëndetit në vendin e punës, ndërkohë që vjet humbën jetën 30 persona nga aksidentet në punë, nga 168 punëmarrës të aksidentuar në total.

Rezultatet e inspektimeve tregojnë një situatë jo-të mirë të punësimit në vend, pasi 82% e inspektimeve kanë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, duke filluar nga kontratat e punës, siguria, deklarimi, pushimet, apo pagesat për orët shtesë.

Të gjitha këto problematika sipas ekspertëve ndikojnë edhe tek boshllëku i krijuar në treg, ku me mijëra biznese janë pa staf, por nga ana tjetër mbi 74 mijë persona janë të regjistruar në zyrat e punës si punëkërkues. Sa i takon nivelit të papunësisë, situata më problematike është tek të rinjtë, pasi 22% e rinis shqiptare 15-29 vjeç është e papunë. Madje as diploma për një degë të caktuar nuk të bën me punë, pasi 16,9% e të rinjve të papunë janë me arsim të lartë. Kjo situatë sipas ekspertëve ku edhe të diplomuarit mbesin të papunë, vjen si rezultat i mungesës së studimit të nevojave të tregut.

Vetëm në vitin e kaluar nga tregu i punës dolën më shumë se 21 mijë të rinj, pasi në fund të vitit 2022, rezultonin të punësuar mbi 274 mijë persona të moshës 15-29 vjeç.
PUNËSIMI I TË RINJVE 15-29 VJEÇ
Të punësuar 253,516 të rinj
Të papunë 71,610 të rinj
Jo aktiv 262,729 të rinj

PUNËSIMI I TË RINJVE 15-29 VJEÇ
Viti 2022 274,526 të punësuar
Viti 2023 253,516 të punësuar
Rënia – 21,010 të punësuar

PUNËSIMI NË SHQIPËRI
Numri i të punësuarve 1,324,773
Numri i të papunëve 157,921
Numri i jo-aktivëve 835,88

K.T./Shqiptarja.com

Përsëritet skenari/ Maxhoranca miraton sërish ligj të posaçëm për Fushën, madje me efekt prapaveprues

Parlamenti ka miratuar pa zhurmë një ndryshime në ligjin e koncesioneve të propozuara nga deputeti socialist Laert Duraj, të cilat praktikisht janë një akt ad personam dhe targetojnë dy kontrata koncesionare. Bëhet fjalë për koncesionin e rrugës Kashar-Lekaj dhe atë të rrugës Lekaj-Fier

Ligji ekzistues i koncesioneve i detyron kompanitë, që fitojnë kontrata koncesionare të ngrijnë si garanci për sigurimin e kontratës një shumë sa 5 për qind e vlerës totale të koncesionit. Por ndryshimet e miratuara nga Parlamenti në datën 4 prill e ulin, sigurimin e kontratës nga 5 për qind e vlerës së koncesionit në 5 për qind të vlerës së ndërtimit.

Në rastin e kontratave për ndërtimin e rrugëve, ndryshimi i referencës nga vlera e koncesionit në vlerën e ndërtimit sjell një ulje të ndjeshme në shumën e parave që duhet të ngrijnë kompanitë fituese të koncesioneve. Kjo pasi vlera totale e koncesionit është shumë më e madhe se sa vlera e ndërtimit për shkak se përfshin edhe mirëmbajtjen dhe koston e parasëz.

Por ky nuk është lehtësimi i vetëm. Një tjetër është ai që çliron pjesën dërrmuese të garancisë, menjëherë pas përfundimit të ndërtimit.

“Sigurimi i kontratës koncesion i punëve publike do të jetë deri në 5% të vlerës së ndërtimit, ndërsa pas periudhës së ndërtimit do të jetë deri në 5% të vlerës së mbetur të kontratës,” thuhet në nenin e miratuar.

Por pse maxhoranca i miratoi këto ndryshime ligjore? Përgjigja gjendet në nenin 7, ku është futur një dispozitë tranzitore e ndryshimeve të u miratuara.

“Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për veprimet dhe procedurat për dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, të filluara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk zbatohen për kontratat e koncesionit të nënshkruara para hyrjes në fuqi të tij.

Ligj special

Aktualisht janë fare pak kontrata të mëdha koncesionare në ndërtim rrugësh, të cilat kanë filluar si procedura, por nuk kanë nënshkruar ende kontratën. Nje nder kryesoret eshte ajo e koncesionit te rrugës Lekaj-Fier me vlerë kontrate 320 milionë euro të fituar nga një bashkim prej 8 kompanish, ku përqindjen më të madhe të aksioneve e ka Fusha shpk me mbi 42 për qind.

Fituesit e këtyre koncesioneve janë shpallur që në shkurt të vitit të kaluar. Por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, kontratat koncesionare nuk janë nënshkruar ende.

Një burim i mirëinformuar i tha Kapitalit se arsyeja kryesore se pse kontratat nuk janë nënshkruar ishte pikërisht insistimit i bashkimit të kompanive që fitoi koncesionin e Lekaj Fier, të cilat kanë kërkuar uljen e sigurisë së ofertë.

Mirëpo ndryshimi i ligjit duke përfshirë edhe koncesionet e filluara për të cilat nuk është nënshkruar kontrata, praktikisht i jep atij fuqi prapavepruese.

Sigurimi 5 për qind i vlerës totale të kontratës ka qenë në kushtet e tenderit. Ndryshimet e reja praktikisht kanë ndryshuar kushtet e koncesionit pas tenderit, çka ngre një pikëpyetje të madhe juridike./Kapitali.al

Duhet të besojmë tek vetja e të forcojmë fitoren e PD

Nga Alban Daci

Çështja e PD dhe e ardhmja e saj janë çështje të interesit kombëtar dhe po ashtu forma e vetme për të sjellur në binarët e duhura Shtetin e së Drejtës! Shumë nga ju, edhe unë ndoshta ndonjëherë nga sulmet e padrejta dhe shumëdimensionale kemi menduar ose kemi bërë pyetjen retorike: a mund të ringrihet PD?!

Nuk ka forcë politike që ringrihet vetëm, si një gjë që nuk është pjesë e Jona! PD nuk është një gjë e huaj! Ajo ringrihet dhe fiton nëse fillimisht secili prej bësh beson tek vlerat që ajo ka dhe tek misioni që kemi ose duhet të bëjmë secili prej nesh!

Sistemet politike kanë njohur parti të mëdha që janë zhdukur, kanë njohur parti të vogla që janë bërë shumicë, kanë njohur lindjen e subjekteve të reja që janë kthyer shpresë! Partitë ngrihen për shkak të liderit, frymës, misionit, besimit që kanë ata që militojnë. PD është shpresa e vetme tek shqiptarët për Shtetin e së Drejtës, për të mundur kastën që ka krijuar sistemin e shtetit të konceptuar si pronë private dhe qytetarët i konsideron si të nënshtruar.

A duhet të marr fund tranzicioni?

A duhet të ndërrohen këta që kanë 30 vjet që dominojnë politikën?

A duhet të mundet korrupsioni si sistem endemik?

A duhet të forcojmë Shtetin e së Drejtës?

A duhet të bëjmë zgjedhje me lista të hapura?

A duhet të bëjmë te votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë?

A duam zgjedhje të lira?

A nuk janë këto të mjaftueshme që të ngrihemi e të besojmë tek PD? A nuk janë këto motive të mjaftueshme për tu mos u dorëzuar?!

Partinë Demokratike nuk do të vijnë alienët nga Marsi për ta ngritur e për ta bërë forcë fituese! Janë pikërisht shqiptarët dhe demokratët që duhet të besojnë në vlerat e nevojat e më sipërme e mbi të gjitha duhet të besojnë se me angazhime e me kontributin e secili është e mundur në politikë edhe ajo që mund të konsiderohet si e pamundur!

Nuk është rasti që PD është sulmuar kaq ashpër! Gjithashtu sulmet që po i bëhen nga kasta e vjetër është sinjali i qartë se ajo është në anën e duhur të historisë përkrah qytetarëve dhe përballë sistemit! PD do të ngrihet dhe do të bëhet forca e madhe, sepse ajo përfaqëson aspiratat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë europiane!

“Mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan”, Alibeaj: Ligj i gatuar në errësirën e natës, pjellë e pazari të pamoralshëm politik. PD kërkesë për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë, përgjegjësit para përgjegjësisë

Në një reagim për media, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se koha vërtetoi se shqetësimi i PD-së se nga aministia do të përfitonin të dënuarit për korrupsion nga GJKKO-ja, doli i drejtë dhe i vërtetë.

Alibeja u shpreh se PD ishte kundër një amnistie të tillë, sepse ai ishte një mesazh i keq për SPAK dhe GJKKO-në, duke u thënë atyre se ju i hetoni dhe i dënonin, ndërsa ne i lirojmë me marrëveshje politike.

Numri dy i PD-së ka paralajmëruar interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjën, dhe ka përsëritur sërish mbështetjen e PD-së ndaj SPAK dhe GJKKO-së.

Postimi i plotë i Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Enkelejd Alibeaj:

25 ditë më parë, rreth 110 deputetë të Kuvendit bashkuan votat për të amnistuar edhe të dënuarit nga SPAK-GJKKO. 25 ditë më parë, përfaqësuesit më të zëshëm të atij bashkimi të turpshëm votash u përbetuan se “asnjë i dënuar për korrupsion nga GJKKO nuk do përfitonte”, apo se “ishin marrë statistika mbi përfituesit potencialë, e thjesht 2-3 policë do përfitonin”.

Sot, mediat BIRN dhe INA, kanë raportuar sipas informacionit të marrë nga SPAK, mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan. Një ligj i gatuar në errësirën e natës, në shkelje të procedurës parlamentare, me shpejtësi, pjellë e një pazari transversal të pamoralshëm politik, nxori nga burgu apo uli dënimin e mbi 100 të denuarve për korrupsion (e me gjasë të tjerë do vijojnë të përfitojnë ditët në vazhdim).

Besimi publik për ndëshkimin e korrupsionit dhe fund të pandëshkueshmërisë Reforma në Drejtesi mori goditje të fortë!

Në thelb, pazari i amnistisë ishte prova gjenerale e një bashkëpunimi i rreth 110 deputetëve në mbrojtje të së shkuares korruptive. Ata u bënë bashkë kundër drejtësisë, e me këtë akt i dhanë goditje të qartë BKH-SPAK-GJKKO.

Partia Demokratike që në fillim depozitoi amendamentet kundër amnistimit të të korruptuarve, në mbështetje të SPAK-GJKKO, duke denoncuar pazarin e aleancës antiSPAK në kurriz të qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë.

Me raportimin tashmë të fakteve nga media për amnistimin e të korruptuarve, PD do të ndërmarrë cdo hap për vënien para përgjegjësisë të kujtdo duike filluar me kërkesën për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë.

“Edhe pse u mundua të fshihej pas propagandës, Veliaj gënjeu”/ PD: Inkurajojmë SPAK për drejtësi në të gjitha aferat korruptive

“Edhe pse u mundua të fshihej pas propagandës, përfshirja e Veliajt në afera korruptive tashmë po hetohet.

Ne inkurajojmë SPAK-un të vijojë në vendosjen përpara drejtësisë të të gjithë zyrtarëve të shtetit të përfshirë jo vetëm në aferën e inceneratorëve, por dhe në të gjithë çështjet e tjera që janë në hetim.” – thuhet në tekstin e shpërndarë nga Partia Demokratike e Shqipërisë.