11.5 C
Tirana
E shtunë, 31 Maj, 2025

Dritëhije mbi kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes për bashkëshortin e ministres Ibrahimaj

Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes së konfliktit të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar mes Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive Eri Koshaj dhe Andri Ibrahimajt, bashkëshortit të ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, duket se lë shumë paqartësi mbi ngjarjen dhe dinamikën e saj.

Përmbajtja e kërkesës, drejtuar Gjykatës, të cilën Zëri i Amerikës e disponon, tregon se Prokuroria është mjaftuar vetëm me dëshmitë e personave të përfshirë. Por pavarësisht deklarimeve kontradiktore të dy personave të përplasur me njeri tjetrin, prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime të tjera.

Ngjarja, e cila doli në dritë fundjavën e shkuar, vetëm pas publikimit në media, u mbajt e mbuluar nga heshtja e institucioneve, ndonëse në të ishte përfshirë një zyrtar i lartë dhe bashkëshorti i një anëtareje të kabinetit qeveritar, e cila në detyrën e mëparshme e kishte patur zotin Koshaj në varësi direkte.

Drejtori i Agjencisë, Koshaj, i cili ka bërë kallëzimin në polici, ka rrëfyer se “më datë 20.11.2023, rreth orës 09:30, ka qenë duke ecur, kur nga një lokal ka dalë Andri Ibrahimaj, i cili fillimisht e ka kërcënuar dhe kanosur me fjalë ofenduese, i ka kërkuar të futeshin brenda në lokal dhe të sqaroheshin, por ai nuk ka pranuar. Aty janë afruar disa njerëz të tjerë për t’i ndarë, pasi ishin duke u shtyrë me njëri-tjetrin. Në këtë moment Ibrahimaj, ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës në dukje, dhe me të e ka goditur në drejtim të brinjëve, në krahun e majtë dhe në pjesën e fund shpinës. Ai tregon se dëmtime dhe dhimbje ndjen në pjesën e bërrylit të djathtë, kaviljes dhe në pjesën e fundshpinës dhe për shkak të goditjes i është çarë dhe xhupi”, shkruhet në aktet e Prokurorisë.

Dëmtimet që ai ka marrë janë vërtetuar dhe nga një akt i ekspertimit mjeko-ligjor sipas të cilit “janë konstatuar dërmishtje në pjesën e fundshpinës, me ngjyrë disi mavi, me përmasa 3 x 3 cm, të shkaktuara me mjet mbretës. Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë për punë në masën deri 9 (nëntë) ditë.”

Një version të ndryshëm në prokurori ka ofruar nga ana e tij bashkëshorti i ministres. “Më datë 20.11.2023 ai tregon se ka qënë duke pirë një kafe te një lokal ngjitur me punën e tij. Rreth paradites së kësaj dite, rreth orës 10:00-11:00 telefonon Eri Koshaj duke e ofenduar në telefon dhe duke kërkuar se ku ndodhej, sepse donte ta takonte. Ai i ka thënë se është te puna, pranë pazarit të ri. Pas rreth 30 minutash sqaron se Koshaj ka ardhur i shoqëruar me një person tjetër, trupmadh të cilin nuk e njeh dhe ishte hera e parë që e shikonte. Ka dalë nga kafja, është drejtuar për tek ata, të cilët e prisnin në rrugë. Sa ka shkuar te ky person, ka filluar përsëri me ofendimet, duke e tërhequr dhe kërkuar “hajde dalim nga rruga” me ofendime nga familja me fjalë banale. Aty u konfliktuan të dy fizikisht, u goditën me njëri-tjetrin me grushta. Ai sqaron se gjatë kësaj kohe janë rrëzuar të dy përtokë dhe aty ky shtetas mund të jetë vrarë, a dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit, ku ka bërë kallëzim. Ai pretendon se edhe vetë kur është rrëzuar në tokë është vrarë nga këmbët dhe gjunjtë”, shkruhet në kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes.

Versioni i zotit Ibrahimaj, mbështetet dhe nga Eriklein Mance, kuzhinieri i lokalit të tij, me të cilin ai ka qenë duke pirë kafe “kur kanë ardhur dy persona për ta takuar. Njëri prej tyre e tërheq Andrin dhe fillojnë dhe shtyhen e konfliktohen duke u rrëzuar përtokë. Personi që ka filluar konfliktin ka sharë me fjalë banale edhe gjatë largimit. Ai sqaron se Andri nuk ka pasur mjet prerës thikë”.

Ndërsa zoti Ibrahimaj nuk ka dhënë ndonjë shpjegim mbi arsyet përse sipas tij, zoti Koshaj e kishte ofenduar dhe kishte kërkuar të sqarohej me të, vetë Drejtori i Agjencisë e lidh këtë me detyrën që ai mbulonte. Sipas Koshajt, bashkëshorti i ministres “e ka shqetësuar dhe më parë, ku i kërkonte të sqaroheshin përballë, pasi pretendon se për shkak të pozicionit të punës, Koshaj është bërë shkak për mosrinovimin e kontratës së punës të një shokut të tij, Olsi Mëneri. Shtetasi Koshaj ka deklaruar se nuk ka dijeni për këtë pjesë, pasi është pozicion që përzgjidhet nga një Këshill Mbikëqyrës. Për shkak të detyrës që ka ky shtetas ka deklaruar se shtetasi Andri Ibrahimaj i ka krijuar shqetësim dhe stres prej një viti e në vazhdim”, shkruhet në aktet e Prokurorisë.

Ajo që bie në sy është se përballë këtyre deklarimeve kontradiktore, Prokuroria, apo edhe Policia, të paktën sipas përmbajtjes së kërkesës drejtuar Gjykatës, nuk rezulton të kenë ndërmarrë veprime për të verifikuar versionet e ndryshme. As të jenë mbikqyrur kamerat në zonë, as të jenë verifikuar tabulatet telefonike për të parë nëse Koshaj kishte telefonuar apo jo Ibrahimajn, sipas variantit të këtij të fundit, apo për të vërtetuar pretendimin e Koshajt se bashkëshorti i ministres e shqetësonte prej një kohe të gjatë.

Të paqarta janë dhe afatet e gjatë kohore të procedurave të ndjekura, si nga policia ashtu dhe nga prokuroria. Policia, siç e pranoi dhe vetë, në një deklaratë zyrtare të premten, kur ngjarja u bë për herë të parë publike në media, ka bërë referimin në Prokurori, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” më 4 dhjetor, 13 ditë nga momenti i kallëzimit nga ana e zotit Koshaj. Ndërsa Prokuroria vetë ka rregjistruar procedimin penal, 24 ditë më vonë, më 28 dhjetor.

Njohës të fushës, e konsiderojnë këtë periudhë kohore tejet të gjatë, për më tepër kur bëhet fjalë për një referim të policisë dhe jo një denoncim rutinë. Aq më tepër, që në këtë periudhë, nuk rezulton, të paktën sipas asaj që është shpjeguar në kërkesën drejtuar Gjykatës, që kjo hapësirë kohore të jetë përdorur për të kryer ndonjë verifikim të nevojshëm për të vendosur rregjistrimin, ose jo të procedimit penal.

Pikëpyetje ngrihen dhe mbi faktin që zoti Ibrahimaj, i kallëzuar nga zoti Koshaj, është marrë në pyetje “në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale”, vetëm më 5 janar të këtij viti, gati një muaj e gjysëm pas ngjarjes. Pikëpyetjet shtohen dhe nga përplasja e deklaratave mes Prokurorisë dhe Policisë për momentin e marrjes në pyetje. Ndërsa Prokuroria në shkresën e saj zyrtare drejtuar Gjykatës jep datën 5 janar, policia dha një tjetër version, sipas të cilit duket se marrja e deklarimeve, ka ndodhur para se ajo të bënte referimin në Prokurori në fillim të dhjetorit. “Në vijim të veprimeve dhe në zbatim të detyrave të lëna nga prokurori i procedimit penal, i është marrë deklarim shtetasve A.I. (Andri Ibrahimaj), E. M. (Eriklein Mance) e O. M. (Olsi Mëneri) dhe materialet janë referuar në prokurori më datë 04.12.2023 për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit Andri Ibrahimaj”, shpjegonte të premten policia në deklaratën e saj. Sipas Prokurorisë, edhe dy personat e tjerë të përmendur në deklaratën e policisë, janë marrë në pyetje po në datën 5 Janar.

Prokuroria kërkon pushimin e çështjes për veprën “Goditje për shkak të detyrës”, pasi sipas saj Drejtori Koshaj “në momentin që ka ndodhur konflikti, nuk ka qenë në kryerje e sipër të detyrës së tij” dhe se “motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi Olsi Mëneri, shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në Institucionin që drejton Eri Koshaj, përveç deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera”.

Në mbështetje të kësaj kërkese, Prokuroria sjell dhe bisedat në aplikacionin WhatsApp mes zotit Koshaj dhe mamasë së zotit Ibrahimaj, vjehrrës së ministres, Teuta Rino. Komunikimet e tyre me mesazhe janë ruajtur nga zoti Koshaj i cili i ka dorëzuar ato në Prokurori. “Nga leximi i përmbajtjes së tyre, rezulton se shtetase Teuta Rino bisedon me shtetasin Eri Koshaj në lidhje me këtë ngjarje, duke u shprehur e shqetësuar se përse kjo ngjarje kishte ndodhur dhe duke i kërkuar falje e këshilluar që të dy djemtë të mos grindeshin me njëri tjetrin, pasi ajo i konsideronte ata si dy vëllezër. Gjithashtu gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë”, shkruhet në aktet e Prokurorisë.

Por përmbajtja e këtyre komunikimeve jep një version të ndryshëm të njohjes mes dy të përfshirëve në konflikt. Ndërsa mamaja e zotit Ibrahimaj flet për një njohje të gjatë dhe familjare, në Prokurori, bashkëshorti i ministres “sqaron se me shtetasin Eri Koshaj njihen rastësisht dhe se nuk kanë ndonjë shoqëri, apo probleme me njëri-tjetrin”. Po ashtu, ndërsa zoti Ibrahimaj ka mohuar të ketë përdorur ndonjë mjet për të goditur Roshajn, mamaja e tij ka pohuar se i biri e ka goditur me gozhdë e jo me thikë.

Drejtori Koshaj ka dorëzuar dhe rregjistrimin e një bisede të bërë në nje mjedis publik mes tij dhe mamasë së zoti Ibrahimaj, për të cilën prokuroria thotë se nuk vërtetohet koha kur ka ndodhur. “Nga bisedat, dy personat flasin për një person të tretë, Olsi, ku duket se të dy e njohin shumë mirë dhe gruaja e këshillon Eri Koshajn që: “Olsin do ma mbash mirë””, lexohet në shkresën e Prokurorisë, ku nuk përcaktohet se për cilin person saktësisht bëhet fjalë, por koincidenca duket e fortë me emrin e Olsi Mënerit, për të cilin sipas zotit Koshaj, kishte ndërhyrë dhe bashkëshorti i ministres.

Vetë Mëneri, në deklarimin e tij “sqaron se e njeh shtetasin Andri Ibrahimaj që nga fëmijëria, por nuk ka ndonjë miqësi të ngushtë me të sa t’i kërkojë të ndërhyjë për rinovim kontrate te Drejtori i tij Eri Koshaj pasi nuk është kompetencë e këtij të fundit.

Ministrja Ibrahimaj, të premten, reagoi pas publikimit të lajmit duke u shprehur se “bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për dicka që nuk e ka bërë” dhe se “konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash”.

Në fakt çështja nuk është pushuar, por ka vetëm një kërkesë të Prokurorisë drejtuar Gjykatës, për një akt të tillë. Do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit, ose duke e kthyer pas për plotësim hetimesh, ose duke e pushuar, gjë e cila i lë të drejtën zotit Koshaj, të bëjë dhe ankim, nëse dëshiron të mbrojë pretendimet e tij./VOA

“Vendimi i sotëm në vazhdën e Gjykatës së Lartë”/ PD, Sefa: Respektojmë gjykatën, presim të qetë vendimin e Apelit

DEKLARAT E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE NË PD, INDRIT SEFA, PARA GJYKATËS SË TIRANËS

Lidhur me vendimarrjen që ka marrë organet legjitime të Partisë Demokratike. Përcaktimet ligjore janë të qarta, vendimmarrja e Gjykatës së Lartë është e qartë. Dhe vendimi i marrë sot nga Gjykata e Rrthit Tiranë, ështe vendim në frymën e vendimit të Gjyktës së Lartë. Pra, ky vendim ma përcaktuar që asnjë organ tjetër përveç kryetarit të partisë nuk është legjitim për t’iu drejtuar gjykatës me kërkesa për ndryshime statutore. Vendimi i Gjykatës së Lartë është i qartë dhe gjykata sot vendosi në lidhje me këto përcaktime ligjore. Siç u kam thënë edhe herë të tjera, ne nuk bëjmë deklarata dhe nuk mbajmë qëndrime në lidhje me vendimet e gjykatave. I respektojmë vendimet e gjykatave dhe jemi të qetë në lidhje me çdo vendimmarrje të marrë nga gjykata. Siç e kemi shprehur herë për herë ne do të respektojmë çdo vendimmarrje të gjykatës dhe ftojmë të gjitha palët e tjera që të respektojnë vendimmarrjet e gjykatës. Siç ua kemi thënë edhe herë të tejara, ne jemi të bindur që edhe gjykata e apelit do të marri vendimin të bazuar në ligj dhe në dispozitat ligjore.

Veliaj në SPAK për inceneratorin e Tiranës, gazetarja Lala: Kryebashkiaku po jep shpjegime për aferën në cilësinë e personit…

Sot kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur në SPAK, ku pritet të japë shpjegime për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për News24 se kryebashkiaku i Tiranës po jep shpjegime për aferën e inceneratorëve, në cilësinë e personit që ka dijeni.

Gazetarja Klodiana Lala: Veliaj po pyetet për aferën e inceneratorëve. Ai priti për 45 minuta, derisa u thirr nga prokurorët. Veliaj është pyetur për rolin e tij. Erion Veliaj ka dhënë shpjegimë për inceneratorin. Deri tani për inceneratorin e Tiranës janë lëshuar 15 urdhër-arreste.

Veliaj është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për aferën.  Prokurorët i kishin paraqitur fletë thirrje Veliajt që të paraqitet në SPAK. Çdokush që thirret në SPAK paraqitet nervoz, kur vjen në Strukturën e Posaçme. Veliaj përflitet si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, por ai nuk është së paku deri tani nën hetim.

“Festova shumë se jam edhe tifoz i Interit”, Asllani: Kurrë nuk e kisha imagjinuar këtë çmenduri

Flamurin shqiptar nuk e hoqi kurrë që nga fillimi i festës me autobus deri kur skuadra mbërriti në “Duomo”. Kristjan Asllani ishte një nga protagonistët e festës zikaltër, tashmë i përfshirë maksimalisht në grupin e skuadrës. Me buzëqeshjen që nuk iu largua nga fytyra si për të treguar se ishte njeriu më i lumtur në botë, shpeshherë edhe me ndonjë goditje nga euforia e shokëve të skuadrës, Kristjan festoi si i çmendur. Nuk ngurroi që në autobusin e festës të merrte edhe një banderolë të “Inter Club Albania”-s që konfirmonte se Shqipëria ishte prezentë në festë.

asllani

Kristjan, e prisnit kaq shumë dashuri dhe mbështetje nga ana e tifozëve?

Të jem i sinqertë nuk besoja që do të kishte kaq shumë njerëz. Po më dhemb koka nga koret dhe këngët e shumta. Por jemi shumë të kënaqur që i shohim tifozët tanë të lumtur. Është një krenari për të gjithë sepse ata kanë qenë të rëndësishëm për të na dhënë mbështetje në çdo moment.

Ju bëtë një zgjedhje të fortë sepse edhe pse kishit përpara në hierarki Brozoviçin dhe Çalhanoglunë qëndruat. Mund të ishte më e lehtë që të huazoheshit në një tjetër ekip. Mendon se qëndrimi ishte gjëja e duhur?

Unë që në sezonin e kaluar vendosa që të qëndroja, pastaj erdhi largimi i Brozoviçit dhe shanset që të luaja këtë sezon ishin më të mëdha. E dija që përpara kisha një lojtar të fortë si Hakan Çalhanoglu, të cilin e shoh përditë në stërvitje. Jam rritur dhe jam përmirësuar shumë prej tij. Kam pasur një raport të shkëlqyer me të. Më flet si brenda dhe jashtë fushës së lojës. Dua ta falënderoj atë, ashtu si të gjithë skuadrën. Jemi një grup lojtarësh të përulur dhe kjo është e rëndësishme.

Kush ka qenë kapiteni i kësaj feste të Interit?

Të gjithë janë duke festuar si të shfrenuar, por ndoshta tre kryesorët janë Lautaro, Dimarko dhe Barela. Pastaj ka edhe të çmendur si Fratezi dhe Arnautoviç. Më kanë bombarduar me goditje. Po pres me padurim që ta mbyllim këtë sezon që të pushoj 25 ditë. Kam frikë që të reagoj ndaj Arnautoviçit sepse është shumë i madh…

Sa vlen ky titull për ju Asllani?

Për mua vlen dyfish dhe duhet ta pranoj këtë. Unë jam tifoz i Interit. Fitorja e titullit me këtë skuadër është diçka e jashtëzakonshme. Kur kam qenë i vogël kurrë nuk e kisha menduar se do të përjetoja një moment kaq të jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në sezonet e ardhshme.

Përbërja e re e Qeverisë serbe, Vuçeviç propozon emrat e ministrave të rinj: Daçiç ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër…

Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviç, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet.

 

Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiç, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviç, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

“Zavetnici” në Qeveri

Millica Gjurgjeviç Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare.

Kjo parti, deri më tani, ka vepruar në opozitë, por, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin.

Si partnere e saj në koalicion, do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.

Ministrat e rinj të Qeverisë serbe përfshijnë edhe ish-sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviç, si ministër i Punës, Darko Gllishiçin si ministër për Investime Publike dhe Dejan Ristiçin si ministër për Informim.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, i cili nuk e ka mbajtur këtë post në përbërjen e kaluar, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviç.

Ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë.

Ministre e re e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariq Kovaçeviç, ndërsa Adrijana Mesaroviç do të jetë ministre e Ekonomisë.

Kush i mbajti ministritë?

Sinisha Malli mbetet në krye të Ministrisë së Financave, ashtu si edhe Irena Vujoviç në postin e ministres së Ekologjisë dhe Dubravka Gjedoviç Handanoviç si ministre e Minierave dhe Energjetikës.

Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviç dhe ministër i Ndërtimit mbetet Goran Vesiç. Tomisllav Momiroviç, po ashtu, ruan portofolin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Ministre për Integrime Evropiane mbetet Tanja Mishqeviç, ndërsa Sllavica Gjukiç Dejanoviq do të jetë sërish ministre e Arsimit.

Jellena Begoviç do të jetë ministre e Shkencës edhe në këtë përbërje, ndërsa Millan Kërkobabiq do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë për Përkujdesje ndaj Fshatrave.

Udhëheqës i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve edhe në këtë mandat do të jetë Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit sërish Zoran Gajiç.

Husein Memiç, ndërkaq, mbetet në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë.

Përveç Nenad Popoviçit, Qeveria e re serbe do t’i ketë edhe katër ministra të tjerë pa portofol. Ata janë: Novica Tonçev, Gjorgje Milliqeviç, Usame Zukorlliç dhe Tatjana Macura.

Tonçev dhe Milliqeviç, zyrtarë të Partisë Socialiste të Serbisë, ishin ministra pa portofol edhe në përbërjen e fundit të Qeverisë.

Ish-ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviç, u propozua për kryetare të Qeverisë Krahinore të Vojvodinës./REL

E ardhmja e shqiptarëve nuk duhet te jetë peng e xhaketave të vjetra, tashmë dhe të grisura

NGA NERITAN VLADI

Rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri do të ishte një lajm i mirë për çdo qytetar që shpresonte për ditë më të mira, për vendosjen e demokracisë që kishin ëndërruar.

Për fat të keq, në këto më shumë se tri dekada ndodhi ajo që as mendja më e mbrapsht nuk do ta mendonte ku fal një klase politike pasardhëse e të parëve e cila qeverisi me të njëjtin mentalitet dhe metoda epokën e tranzicionit, shqiptarët sot thërrasin sërish: “Liri, Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa, apo në BE”.

Kjo ëndërr rinore, kjo thirrje që nisi të gjëmojë nga qyteti “Studenti” ka mbetur e tillë edhe pas 34 vitesh së rënies së diktaturës.

Elita drejtuese e partive politike të krijuara pas vitit 1990 në mënyrë dërrmuese pati pjesë të saj ish-komunistë, ish-sigurimsa, njerëz me funksione të larta në qeverisjen komuniste dhe ishin këta xhaketa të vjetra që në dakordësi me marrëveshje nën kulisa apo në heshtje i shërbyen vetes, klanit të tyre, të afërmve, por Shqipërinë e lanë shumë larg pritshmërisë së qytetarëve, duke ndërtuar një shtet ligjor me rregulla dhe ligje në funksion të vetes.

Klasa politike e xhaketave të vjetra sot gjendet e frikësuar nga llogaridhënia që po e pret, ku për pjesën dërrmuese të politikanëve të tranzicionit janë hapur hetime, ka indicie për të tjerë për korrupsionin e kryer me, apo pa dokumentacion.

Politikanët që kanë patur në dorë fatin e shqiptarëve për gati tri dekada e gjysëm sot ngjajnë si një ‘bishë e plagosur” që rënkojnë nga goditja që kanë nisur të marrin nga drejtësia e re dhe po ulërasin me shpresën që të mos iu ndodh gjë nga ky operacion i drejtësisë që kërkon dhe i thërret për llogaridhënie para shqiptarëve atyre që iu kanë besuar deri më sot.

Të tri brinjët e trekëndëshit të Bermundës si Berisha-Rama-Meta tashmë për herë të parë nuk kanë kontroll mbi drejtësinë.

Fal mbështetjes së partnerëve prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO dhe integritetit të tyre ndihen të lirë të bëjnë punën profesionale.

Është kjo ajo që e ka tërbuar trekëndëshin që duke kontrolluar gjithçka në këtë vend, kanë pasur pushtet pa kufi, kanë kontrolluar duke emëruar dhe trysnuar prokurorë dhe gjyqtarë që asnjërit prej tyre dhe taborrit që i ndjek të mos i shkoj askush nga pas dhe ti vë nën hetim.

Fal partnerëve tanë SHBA, por dhe Britanisë së Madhe dhe BE, qoftë dhe Gjermanisë dhe Italisë Reforma në Drejtësi përparoi pavarësisht problemeve të vogla të shfaqura dhe po triumfon dita-ditës mbi politikën ku thuajse çdo ditë shohim si paradë mode të hyjnë dhe dalin në SPAK nivele të ndryshme politikanësh, ish-pushtetarësh dhe shtetarësh të cilët po iu përgjigjen pyetjeve të prokurorëve të posaçëm mbi atë çfarë kanë bërë në detyrat që kanë mbajtur.
Kjo klasë politike është e tmerruar.

Fletëthirrjet e SPAK ndaj zyrtarëve të korruptuar kanë qenë të pafundme dhe pritet të ketë serish për çdo të korruptuar me apo pa pushtet, ku secili do të jap llogari për abuzimin me taksat e qytetarëve shqiptarë apo dhe lidhjet e tij me krimin dhe korrupsionin.

Koha e urdhrave politikë mbi drejtësinë ka marrë fund. e ardhmja e shqiptarë nuk duhet te jetë peng e xhaketave të vjetra, tashmë dhe të grisura dhe shërbëtorëve të tyre të tipi Gaz Bardhi që prehen sipas qejfit në prehrin e padronit të radhës.

Kjo tallava politike duhet dhe do të marrë fund. Shqiptarët nuk e durojnë më këtë estradë, e kanë pohuar dhe me mospjesëmarrjen në zgjedhje ku sot ushtria më e madhe e votuesve është e atyre që refuzojnë të shkojnë tek kutia e votimit.

Shqipëria është e shqiptarëve, jo e maskarenjve!.

Gjykata rrëzon Gazment Bardhin, nuk pranon kërkesën për çregjistrimin e Bashës si kryetar i PD

Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e Këshillit Kombëtar të PD për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së.

Kjo për shkak të Këshilli Kombëtar i thirrur nga Gazment Bardhi në korrik të vitit 2023 nuk legjitimohet.

Gjyqtari Gentjan Marku vendosi kështu mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Bardhi, kërkesë që u bë nga 6 deputetë të PD.

NJOFTIM PËR MEDIAN I PARTISË DEMOKRATIKE

Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e 6 deputetëve për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së.

Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Gazmend Bardhi.

“Veliaj “princ i shëmtisë” dhe “mjeshtër” i manipulimit, nuk konkurrohet me show”/ Lapardhaja: Mbështetje SPAK-ut, e vetmja rrugë për të çuar Veliajn përpara drejtësisë

Në një reagim në facebook, gazetari Namir Lapardhaja shprehet se Erjon Veliaj është “princ i shëmtisë” dhe “mjeshtër” i manipulimit dhe nuk mund të konkurrohet me show.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për ta çuar Veliajn përpara drejtësisë, është mbështetja e pakushtëzuar ndaj SPAK-ut.

Më poshtë postimi i plotë:

Erjon Veliajt i mjafton SPAK-u. Rëndësi ka që prokurorët të tregohen profesionist, të paanshëm dhe të patrysnuar. Mbështetja ndaj tyre, praktikisht është fundosja e vërtetë e Veliajt. Sa për ta konkurruar atë me show, ai është “princi i shëmtisë” dhe “mjeshtër” i manipulimit publik. Është aq i pakonkurrueshëm saqë edhe thirrjen në SPAK e paraqet si shkuarje me dëshirë dhe bashkëpunim me kolegët e SPAK dhe të BKH. Kështu që mos u mundoni ta konkurroni në palaçollëk. Aty jeni të humbur. Ai është futur në darën e SPAK dhe mbështetja ndaj Prokurorisë së Posaçme është kontributi më i madh që mund të jepet në këtë drejtim.

Nga sharjet, tek kërcënimet, zbardhet raporti i Prokurorisë për sherrin e burrit të ministres: Ibrahimaj goditi me gozhdë në fundshpinë drejtorin e ATK-së

Është zbardhur raporti i Prokurorisë për ngjarjen ku u përfshi Andri Ibrahimaj, burri i ministres Delina Ibrahimaj, i cili plagosi drejtorin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj.

Sipas raportit të Prokurorisë, Andri Ibrahimaj e ka goditur me gozhdë në brinjë dhe fundshpinë Eri Koshajn, në atë periudhë vartësi i bashkëshortes së tij. Në raport thuhet se grindja ndodhi për shkak se drejtori i ATK-së ka sharë ministren Ibrahimaj.

“Gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë”, thuhet në raportin e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala.

Gjithashtu edhe Andri Ibrahimaj ka pretenduar në dëshminë e tij se Eri Koshaj e ka kërcënuar dhe ofenduar me fjalë banale.

“Pas rreth 30 minutash sqaron se ka ardhur i shoqëruar me një person tjetër, trupmadh të cilin nuk e njeh dhe ishte hera e parë që e shikonte. Ka dalë nga kafja, është drejtuar për tek ata të cilët e prisnin në rrugë. Sa ka shkuar te ky person ka filluar përsëri me ofendimet dhe ka kërkuar llogari se përse e kishte sharë dhe ofenduar, duke e tërhequr dhe kërkuar “hajde dalim nga rruga” me ofendime nga familja me fjalë banale. Aty u konfliktuan të dy fizikisht, u goditën me njëri-tjetrin me grushta. Ai sqaron se gjatë kësaj kohe janë rrëzuar të dy përtokë dhe aty ky shtetas mund të jetë vrarë a dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit ku ka bërë kallëzim”, thuhet në dëshminë e tij.

RAPORTI

Më datë 20.11.2023, pranë Komisariatit Nr.1 Tiranë, është paraqitur dhe ka kryer kallëzim shtetasi Eri Koshaj, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm tek Agjencia e Trajtimit të Kredive, i cili ka kallëzuar se: “Më datë 20.11.2023, rreth orës 09:30, ka qenë duke ecur në rrugën “Tefta Tashko Koço” dhe nga një lokal i cili ndodhet përballë dyqanit “Soft and X” ka dalë shtetasi Andri Ibrahimaj ku fillimisht e ka kërcënuar dhe kanosur me fjalë ofenduese, i ka kërkuar të futeshin brenda në lokal dhe të sqaroheshin, por ai nuk ka pranuar dhe aty janë afruar disa njerëz të tjerë për t’i ndarë, pasi ishin duke u shtyrë me njëri-tjetrin. Në këtë moment shtetasi Andri Ibrahimaj ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës në dukje, dhe me të e ka goditur në drejtim të brinjëve, në krahun e majtë dhe në pjesën e fund shpinës. Ky shtetas tregon se dëmtime dhe dhimbje ndjen në pjesën e bërrylit të djathtë, kaviljes dhe në pjesën e fundshpinës dhe për shkak të goditjes i është çarë dhe xhupi.

Kallëzuesi ka sqaruar se ky shtetas e ka shqetësuar dhe më parë, ku i kërkonte të sqaroheshin përballë pasi pretendon se për shkak të pozicionit të punës, shtetasi Eri Koshaj është bërë shkak për mosrinovimin e kontratës së punës të një shokut të tij të shtetasit O.M.

Shtetasi Eri Koshaj ka deklaruar se nuk ka dijeni për këtë pjesë pasi është pozicion që përzgjidhet nga një Këshill Mbikëqyrës. Për shkak të detyrës që ka ky shtetas ka deklaruar se shtetasi Andri Ibrahimaj i ka krijuar shqetësim dhe stres prej një viti e në vazhdim.”.

Nga akti i ekspertimit mjeko ligjor nr. 861, datë 24.11.2023, rezulton se: “Gjatë ekzaminimit të shtetasit Eri Koshaj, janë konstatuar dërmishtje në pjesën e fundshpinës, me ngjyrë disi mavi, me përmasa 3 x 3 cm, të shkaktuara me mjet mprehës. Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë për punë në masën deri 9 (nëntë) ditë.”.

Më datë 05.01.2024, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, i kallëzuari, shtetasi Andri Ibrahimaj, i cili ka shpjeguar se: “Ka në administrim një lokal të quajtur “Te Bacja”, së bashku me shtetasin H. M., në rrugën “Tefta Tashko- Koço”. Më datë 20.11.2023 tregon se ka qenë duke pirë një kafe te bar kafe “Biblioteka”, i cili është lokal ngjitur me punën e tij. Rreth paradites së kësaj dite, rreth orës 10:00-11:00 telefonon shtetasi Eri Koshaj duke e ofenduar në telefon, dhe duke kërkuar se ku ndodhej sepse donte ta takonte. Ai i ka thënë se është te puna, pranë pazarit të ri.

Pas rreth 30 minutash sqaron se ka ardhur i shoqëruar me një person tjetër, trupmadh të cilin nuk e njeh dhe ishte hera e parë që e shikonte. Ka dalë nga kafja, është drejtuar për tek ata të cilët e prisnin në rrugë. Sa ka shkuar te ky person ka filluar përsëri me ofendimet dhe ka kërkuar llogari se përse e kishte sharë dhe ofenduar, duke e tërhequr dhe kërkuar “hajde dalim nga rruga” me ofendime nga familja me fjalë banale. Aty u konfliktuan të dy fizikisht, u goditën me njëri-tjetrin me grushta. Ai sqaron se gjatë kësaj kohe janë rrëzuar të dy përtokë dhe aty ky shtetas mund të jetë vrarë a dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit ku ka bërë kallëzim. Ai pretendon se edhe vetë kur është rrëzuar në tokë është vrarë nga këmbët dhe gjunjët. Më tej sqaron se aty kanë ndërhyrë disa persona të rastit, kuzhinieri me të cilin ka qenë  duke pirë kafe dhe një person tjetër dhe i kanë ndarë. Pas kësaj, shtetasi Eri Koshaj u largua duke e sharë dhe ofenduar përsëri me fjalë banale duke e kërcënuar me fjalët “do ta shohim se çfarë do të të bëj unë, etj”.

Personi i cili ishte me shtetasin Eri Koshaj në fillim ka shkuar së bashku me Erin por më pas ai person ka ndërhyrë për të ndarë konfliktin. Ai sqaron se me shtetasin Eri Koshaj njihen rastësisht dhe se nuk kanë ndonjë shoqëri apo probleme me njëri-tjetrin. Pyetur nëse ka përdorur thikë për ta goditur ai e ka mohuar duke sqaruar se nuk ka planifikuar ndonjë konflikt me këtë shtetas, madje ishte ai që i ka shkuar në vendin e punës.”.

Më datë 05.01.2024, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi O. M., lindur dhe banues në Tiranë, ka shpjeguar se: “Më datë 31.10.2023 i ka mbaruar kontrata e punës si zv. drejtor juridik në “Agjensinë e Trajtimit të Kredive” ku drejtor ka qenë dhe është shtetasi Eri Koshaj. Shpjegon gjithashtu se organi kompetent për rinovimin e kontratës, nuk ja ka miratuar rinovimin e kontratës. Ai sqaron se e njeh shtetasin Andri Ibrahimaj që nga fëmijëria, por nuk ka ndonjë miqësi të ngushtë me të sa t’i kërkojë të ndërhyjë për rinovim kontrate te Drejtori i tij Eri Koshaj pasi nuk është kompetencë e këtij të fundit.”. Më datë 05.01.2024, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi E.M., lindur dhe banues në Tiranë, ka shpjeguar se: “Ka qenë së bashku me Andrin duke pirë kafe kur kanë ardhur dy persona për ta takuar. Njëri prej tyre e tërheq Andrin dhe fillojnë dhe shtyhen e konfliktohen duke u rrëzuar përtokë. Personi që ka filluar konfliktin ka sharë me fjalë banale edhe gjatë largimit. Ai sqaron se Andri nuk ka pasur mjet prerës thikë”.

Kallëzuesi Eri Koshaj ka depozituar një USB ku ka regjistruar disa biseda të kryera me shtetasen T. R., biseda të kryera në aplikacionin WhatsUp dhe disa biseda ambientale të zhvilluara ndërmjet tyre në një ambient kafeneje. Bisedat e kryera në apikacionin Whatsup janë printuar dhe nga leximi i përmbajtjes së tyre, rezulton se shtetase T. R., bisedon me shtetasin Eri Koshaj në lidhje me këtë ngjarje duke u shprehur e shqetësuar se përse kjo ngjarje kishte ndodhur dhe duke i kërkuar falje e këshilluar që të dy djemtë të mos grindeshin me njëri-tjetrin, pasi ajo i konsideronte ata si dy vëllezër. Gjithashtu gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë. Biseda ambientale e regjistruar nga vetë shtetasi Eri Koshaj e kryer me shtetasen T. R., nëna e Andri Ibrahimaj, duket se është kryer në një ambient publik kafene.

Nga bisedat dy personat flasin për një person të tretë Olsi ku duket se të dy e njohin shumë mirë dhe gruaja e këshillon Eri Koshajn që: “Olsin do ma mbash mirë”. Në lidhje me këto biseda nuk vërtetohet data se kur është kryer regjistrimi i tyre.

HETIMET E PROKURORISE

Në raportin e Prokurorisë thuhet se nga provat e administruara në fashikullin hetimor nuk rezulton se ndodhemi para veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”. “Në rastin konkret nga provat e administruara në fashikullin hetimor nuk rezulton se ndodhemi para veprës penale “Goditje për shkak të detyrës” e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Nga provat e administruara në fashikullin hetimor, rezulton se në datën 20.11.2023, rreth orës 09:30, në rrugën “Tefta Tashko-Koço” përballë lokalit “Te Bacja”, që administrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj, kallëzues Eri Koshaj është konfliktuar fizikisht me shtetasin Andri Ibrahimaj (personi i kallëzuar), ku si pasojë e goditjeve Eri Koshaj ka pësuar dëmtime në trup që hyjnë në kategorinë e dëmtimeve deri në 9 ditë. Konflikti fizik midis këtyre shtetasve dhe goditjet nuk rezultojnë të jenë kryer për shkak të detyrës, pasi 1.

Së pari shtetasi Eri Koshaj në momentin që ka ndodhur konflikti, nuk ka qenë në kryerje e sipër të detyrës së tij. Së dyti ka qenë shtetasi Eri Koshaj i cili ka shkuar përballë lokalit “Te Bahçja” që administrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj dhe konflikti fizik ndërmjet tyre ka ndodhur përballë lokalit dhe jo pranë vendit të punës së shtetasit Eri Koshaj. Sipas shtetasit Andri Brahimaj, ky i fundit e ka goditur shtetasin Eri Koshaj, për shkak se ai e ka ofenduar rëndë nga bashkëshortja. Ky motiv i konfliktit fizik konfirmohet edhe nga bisedat e regjistruara në Whats up të zhvilluara ndërmjet shtetases T. R., (nëna e Andri Ibrahimaj) dhe shtetasit Eri Koshaj. Motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit Eri Koshaj, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi O. M., shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në Institucionin që drejton Eri Koshaj, përveç deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera.

I pyetur në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi O. M., ka mohuar që të jetë ankuar tek shtetasi Andri Ibrahimaj për largimin e tij nga detyra, apo të ketë shtyrë atë që të konfliktohej me shtetasin Eri Koshaj. Gjithashtu nga bisedat e regjistruara dhe depozituara nga ana e kallëzuesit Eri Koshaj, nuk rezulton që shkaku i konfliktit fizik të ketë qenë detyra e kryer nga ana shtetasit Eri Koshaj. Përsa më sipër nuk rezulton të plotësohen elementët objektivë dhe subjektivë të veprës penale “Goditje për shkak të detyrës” e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Në lidhje me dëmtimet e pësuara nga shtetasi Eri Koshaj, ka rezultuar se ato hyjnë në kategorinë e dëmtimeve deri në 9 ditë, që sipas nenit 90 të Kodit Penal, hyjnë në fushën e veprimit të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërsa fyerjet e pretenduara nga ana e shtetasit Andri Ibrahimaj, që janë kryer ndaj bashkëshortes së tij, hyjnë në fushën e veprimit të veprës penale “Fyerja” e parashikuar nga neni 119 i Kodit Penal. Në nenin 59 të K/Pr. Penale “Viktima akuzuese” parashikohet se “1. Ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119, 119/b, 120, 121, 122, 125, 127, dhe 254 të Kodit Penal ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.”. Për sa më sipër, bazuar në nenin 59 të K.Pr.Penale, ndjekja penale për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Fyerja”, mund të fillojë vetëm me kërkesën në gjykatë të viktimës akuzuese. Këto vepra penale nuk bën pjesë në grupin e veprave penale të cilat ndiqen kryesisht nga ana e organit të prokurorisë, apo atyre veprave që sipas nenit 284 të K.Pr. Penale, ndiqen nga ana e organit të Prokurorisë në bazë të ankimit të viktimës së veprës penale. Në përfundim, bazuar në nenet 328 gërma “f” dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale:

KËRKOJMË:

Pushimin e procedimit penal nr. 8690, datë 28.12.2023, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” e parashikuar nga neni 237 pg. 1, i Kodit Penal.

Anëtarja e kryesisë, Marinela Ziu: Ministria e Financave nuk publikon transaksionet e thesarit. Transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si Open Data Albania

Në një reagim për mediat, anëtarja e kryesisë së PD, Marinela Ziu, shprehet se Ministria e Financave nuk publikon transaksionet e thesarit, ndërsa transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si Open Data Albania

REAGIMI I ANËTARES SË KRYESISË SË PD, MARINELA ZIU

MUNGESË TRANSPARENCE, TRANSAKSIONE E RIMBURSIME QË DUHET TË MBAHEN JASHTË VËMENDJES SË PUBLIKUT APO MUNGESË PARASH NË BUXHETIN E SHTETIT?!

Prej datës 19 mars, qyetarët më të varfër dhe më të vjedhur të Europës, e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë, pasi Ministria e Financave për të disatën herë dhe pa asnjë lajmërim, nuk publikon transaksionet e thesarit.

Nga dita e saj e parë, ko qeveri ka thyer çdo rekord të mungesës së transparencës, e cila në çdo rast është shoqëruar me një megaaferë korruptive.

Listës së kontratave koncesionare e prokurimeve publike që nuk publikohen, Ligjeve e Vendime të Këshillit të Ministrave që publikohen me vonesë në Fletore Zyrtare, mjegullnajës e territ të informacionit me lejet e ndërtimit, investimet strategjike, ankandet, subvencionet, qiratë e pronave shtetërore e çdo kontrate tjetër publike… Tashmë prej javësh i shtohen edhe transaksionet e thesarit.

Fatkeqsisht, transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si Open Data Albania, si një dritare informacioni e aksesueshme lehtësisht, duke kontribuar në monitorimin e shpenzimeve të qeverisë jo vetëm nga media e gazetarë por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë.